• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJIDHET ENIGMA E DY FRAZAVE NGA SHEKULLI V PARA ERËS S SË RE

June 11, 2014 by dgreca

Vlerësim lidhur me studimin e Prof. dr Ruzhdi Ushakut “ Shqipja si çelës për dy fraza enigmatike nga “Zogjët” e Aristofanit” ( shek.V p. e. re)/
Nga Halit HALIMI*/
Me kurreshtje profesionale-shkencore dhe vemendje të veçantë, e lexova dorëshkrimin e studimit sensacional të Prof. dr Ruzhdi Ushakut, ish mësimdhënës eminent i Universitetit të Prishtinës dhe studiues-filolog i spikatur në fushën e filologjisë krahasuese.
Në veprat dhe studimet e tij të përimta pararendëse, ky punues shkencor na ka befasuar shpesh me vepra dhe studime cilësore, me teza dhe arritje të reja, më pak të njohura ose të panjohura, që kanë pare dritën edhe në disa gjuhë të huaja.
Me këtë rast, do t’i veçoj disa vlerësime për këtë studim të tij ekskluziv, më të ri, që do të tërheqë padyshim vëmendjen dhe interesimin e lexuesit shqiptar dhe të huaj.
Në komedinë “Zogjtë” të Aristofanit ( shek. V p.e. re), personazhi Tribal përdor dy fraza enigmatike të shënuara me shkronja të alfabetit grek të asaj kohe por të pakuptueshme për greqishten.
Që nga ajo kohë e këtej, përkthyesit, përkatësisht studiuesit e ndryshëm janë marrë thuajse sipërfaqësisht me këto fraza, në shikim të parë të parëndësishme, kurse faktikisht me rëndësi të jashtëzakonshme për gjuhësinë ballkanike dhe më gjërë.
Dietarët dhe përkthyesit që janë marrë sadopak me këtë çështje të imponueshme ndahen në dy kategori:
Ata që janë munduar të gjejnë një kuptim të supozuar sipas kontekstit,
Dhe të tjerët duke bërë transkriptimin e tyre shkronjë për shkronjë, në alfabetin latin.
Zbërthimi ritmik i frazave NABAISATREU dhe SAUNACA BA CTARI CRUSA ( sa u na ka baktari krusa) është bërë në variante të ndryshme, e para 3-4 gjymtyrë, kurse e dyta prej 2-4, por pa shpjegime të gjymtyrëve në nivelin leksikor dhe gramatikor.
Studiuesi Ushaku, në dallim prej atyre të deritanishëm e zbërthen frazën e pare në gjashtë njësi
( NA BA-I -SA- TRE-Y )dhe të dytën në tetë / SA-Y-NA-KA-BA-KTA-ARI-KRUSA/ sqaruar apo shoqëruar me interpretimin leksiko-gramatikor të secilës njësi dhe me reference kontekstuale dhe qasje inter dhe multidisciplinare.
Pikënisja e tij është transkriptim I sigurtë në sinkroni dhe reflekset e më vona diakronike me alternanca e metateza përkatëse dialektore dhe të shqipes së shkruar prej Mesharit e këtej.
Koncepti metodologjik-shkencor i Ushakut është i llojit të vet, ku ceken edhe rrethanat historiko- shoqërore të asaj kohe, duke mbajtur parasysh poliseminë. Autori përdor edhe logjikën e eliminimit të shpjegimeve më pak bindëse, dhe qoftë edhe atyre intuitive duke pasur gjithnjë parasysh vokabularin bazik të jetës dhe koncepteve të kohës, me një strukturë arkaike.
Fjalitë e cekura të transliteruara në formën e shqipes së sotme dalin si vijon: 1. Na bani ( kushtoi) sa për tri hise, kurse 2. Sa na është ( âshtë) bâ ( sa na ka kushtuar) kjo brinoke në ari).
Profesor Ushaku, i cili me modesti këtë punim e quan sprovë i le shumë gjëra pa u thënë në mënyrë që të mbetet vend për një botim më të plotë me shpjegime edhe më të përimta, gjithnjë duke pritur fjalën e shkencëtarëve kompetentë dhe duke sfiduar përpjekjet e të tjerëve për ta pranuar apo kundërshtuar tezën e tij në favor të ndonjë të vërtete tjetër, më bindëse dhe më të argumentuar.
Deri më sot, nuk dimë për ndonjë rast zbërthimi apo interpretimi jo vetëm të fjalive në vështrim, por përgjithësisht që të jetë kushtuar kaq hapësirë dhe shpenzuar aq mund për të dalë në këtë rezultat.
Rëndësinë e këtij studimi mund ta kuptojnë vetëm ata profesionistë që do ta lexojnë dhe rilexojnë me vëmendje absolute horizontalen dhe vertikalen e këtij interpretimi, me kokë të ftohtë, pa eufori dhe paragjykime, duke vlerësuar edhe mundin dhe përpjekjen për ndriçimin e të vërtetës shkencore.
Për mendimin tim, kemi të bëjmë me një studim të përimët profesional-shkencor, me qasje interdisciplinare filologjike dhe multidisciplinare të shkencave të tjera.
Rrjedhimisht, shpjegimet dhe rezultatet e tij janë bindëse dhe të argumentuara mbi bazën e qëndrueshme të metodologjisë shkencore.
Si recensues , me kompetencë profesionale prej fonetikani dhe filologu, mbaj parasysh zbatimet universale si dhe ato specifike të dialektit gegë. Shpreh bindjen time të thellë se kemi të bëjmë me një studim shumë serioz, në rend të parë me pikënisjen e transkriptimit fonetikisht të bazuar, si dhe ritmikës dhe zbërthimit të frazave në gjymtyrët përbërëse. Frazat në fjalë kënaqin kriteret e ritmit arkaik ku mbizotërojnë fjalët njërrokëshe, kuptimplote në aspektin leksiko-semantik dhe funksionale në aspektin gramatikor – sintaksor. Shprehimisht me leksik dhe sintaksë arkaike, si të tilla, këto fraza inkuadrohen në kontekstin dhe intertekstin kuptimor të zhvillimit të ngjarjes së caktuar, që përshkruhet në komedinë”Zogjtë” të Aristofanit.
Jam i bindur se, falë koncepteve më të avancuara të metodologjisë shkencore, kultures së gjërë dhe të thellë filologjike, aftësisë analitike të gjithanshme të autorit Ushaku, ky studim-zbulim ka gjasa shumë të sigurta që, në thelb dhe përgjithësisht, të jetë i pranueshëm madje i pranuar nga shkenca bashkëkohore, besojmë edhe e nesërme.
* ( Autori H. Halimi është doktoruar në Sorbonë për fonetikë eksperimentale dhe fonologji, me vështrim të veçantë në dialektin gegë. Ka botuar disa vepra gjuhësore , përfshirë këtu edhe disertacionin e doktoratës në gjuhën frënge.)
Ne Foto: Prof. dr Ruzhdi Ushaku

Filed Under: Kulture Tagged With: Halit Halimi, Ruzhdi ushtaku, zgjidhet enigma

LIBRI I HILLARY CLINTON PROMOVOHET NE NEW YORK

June 10, 2014 by dgreca

Hillary Clinton shkruan një libër të ri – duke thënë se është “krenare” për arritjet e saj/
Në Nju Jork nisi “Turneu veror” i promovimeve të librit të ri “Hard Choices” – ”Zgjedhje të vështira”/
Nga BEQIR SINA, New York City/
NEW YORK CITY : Gruaja që ka më shumë tituj në SHBA : ish Zonja e Parë – ish Sekretaria 63-të e Shtetit, ish Senatoria dhe ish kandidatja për Presidente tani politikanja e fortë amerikane, Hillary Rodham Clinton, është emri më i përfolur në Shtetet e Bashkuara – se ka për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale –
Ajo vazhdon të ruaj popullaritetin e saj – nëpërmjet komunikimit me publikun amerikan duke bërë një jet shumë aktive; qoftë si politikane apo edhe atë në sferat e familjes, shoqërorisë dhe ato sociale, gjithmon në raportet e saj me amerikanët.
Këtë rradh për të katërtën her zonja Clinton, thotë se ka zgjedhur të shkruaj libër – të cilin ajo ka deklaruar simbas shtypit amerikan se “ma kan “imponuar” miqt, dhe lexuesit e shumtë – duke më thënë se kam shumë për të shkruajtur dhe se librat e mi janë nga më të lexuarit’, thotë zonja Clinton për gazetën The Washington Post
Ajo duke folur për shoqatën e botuesve amerikanë, ka thënë se edhe titullin e librit e saj të katërt, i cili nisi sot “turneun veror” të promovimeve, simbas saj – ia kanë sugjeruar shumë lexues në një “tender” titujsh të hapur prej saj dhe të publikuar në gazetën The Washington Post, më parë se ajo ta botonte librin.
Clinton tha se njëri ndër mësimet që ajo kishte marrë nga shkrimi i librit të fundit në vitin 2003, Living History, ishte të hiqte dorë nga puna e saj ditore. Kjo sepse këtë libër (“Living History”), ajo thotë se e shkroi gjatë netëve, sepse ditën punonte, atëhere si senatore e Nju Jorkut.
Ndërkohë, që librin më të ri – titulli origjinal i tij “Hard Choices” – ”Zgjedhje të vështira”, kësaj here thotë, se ajo “e ka shkruar në qetësinë dhe paqen e shtëpisë së saj – pa spekulime mediale dhe pa tension politik” në Chappaqua, një fermë në veri të Nju Jorkut, fshatin ku çifti presidencial kan shtëpinë, dhe kalojnë një pjesë të jetes private.
“Turneu veror” i promovimeve të librit të ri “Hard Choices” – ”Zgjedhje të vështira”, për zonjën Hillary Rodham Clinton nisi sot në Nju Jork, librarinë e njohur “Union Square Barnes & Noble” në Manhattan – si ndalesa e parë e librit në atë që ajo e ka quajtur “Tour Kombëtarë për “Choices Hard”
Ndërkohë, që ish Sekretaria e Shtetit, do të jetë në biblotekën Book Store të Universitetit Harvardit në Kembrixh më 16 qershor zonja Klinton do të nënshkrojë librin e ri “Hard Choices” – ”Zgjedhje të vështira”, në Barnes & Noble në The Grove në Los Angeles më 19 qershor.
Një zëdhënës i botuesit, të librave të saj kompania Simon & Schuster, ka deklaruar pavarësisht ndonjë deklerate dhe pronocimi të çastit, zonja Clinton, simabs tij nuk ka një program formal zyrtar për të folur në asnjë nga këto promovime.
Libri i zonjës Clinton, Hard Choices,”Zgjedhje të vështira”, i cili nisi “rrugëtimin” e tij sot në qytetin e Nju Jorkut, (më 10 qershor), e sheh veten e promovimit, teksa, po shtohen spekullimet për një kandidim të mundshëm prej ish Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Libri i saj i fundit, Living History, ishte një best-seller – më i shituri në treg, i cili me sukses zgjati shumë javë, rrugë të cilën tani simbas shtypi njujorkez pritet ta ndjekë edhe vepra e radhës, librin më i ri – titulli origjinal “Hard Choices” – ”Zgjedhje të vështira”,
“Turneu Kombëtare Për “Choices Hard”, po simbas shtypi njujorkez, sot, është pjesë e një “monologu” ambicioz, ose një turneu mbarëkombëtar, që duket sa më shumë bëhet në lidhje me testimin e e saj – një fushate presidenciale 2016, më shumë se sa të ketë “lidhje me shitjen e kopjeve të librit të saj të ri, “Zgjedhje të Vështira.”
“A do të kandidojë për president në 2016?” shkruan ajo në faqen e fundit dhe përgjigjet: “Unë nuk e kamë vendosur ende.”
ABC News, në një intervistë me Diane Sawyer, tha se kishte marrë një kopje të hershme të librit,duke bërë të ditur se aty lexuesit do të gjejnë të dhënat personale me pikëpamjet e saj në disa prej konflikteve më të mprehta në botë. Në shënimet e autores, që u publikuan nga shtypi amerikan, zonja Clinton pranon se do të dëshironte t’u kthehej edhe një here disa vendimeve që kishte marrë në periudhën si diplomatja e lartë e SHBA. Por ajo shton se qeveria duhet të kishte bërë më shumë pas sulmeve terroriste të vitit 2001, pas luftrave në Irak dhe në Afganistan dhe Krime, si dhe recesionit ekonomik.
Kritikët thonë se zonja Clinton nuk shënoi arritjet e nevojshme në 4 vitet kur drejtoi Departamentin e Shtetit. Republikanët, po ashtu kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si ajo i trajtoi sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2012, ku u vranë katër amerikanë në qytetin libian të Bengazit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hillary Clinton, ne NY, promovim

ISMAIL KADARE NE DOSJEN E BILAL XHAFERRIT

June 7, 2014 by dgreca

Një enigmë me disa të panjohura/ Shkrimtari Ismail Kadare rrëfehet për herë të parë për të vërtetën e marrëdhënies së tij me Bilal Xhaferrin dhe Arshi Pipën/
Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm.
Në prill të vitit 1968, Bilal Xhaferri, një shkrimtar i ri, kritikon në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, një tjetër shkrimtar të ri, por që ishte bërë i njohur për lexuesin me disa libra të botuar. Ai ishte Ismail Kadare, dhe Xhaferri e akuzoi për romanin e tij “Dasma”, si një vepër me ndikime borgjezo-revizioniste të shfaqura në romanin e tij “Dasma”. Konkretisht: denigrim i klasës punëtore dhe sidomos i gruas shqiptare. Pas kësaj kritike, jeta e Bilal Xhaferrit do të ndryshonte. Ai do të internohet e më pas do të arratisej drejt Amerikës, ku edhe ndërroi jetë më 1986-n. Çështja e Bilal Xhaferrit është rikthyer shpesh si një akuzë ndaj Kadaresë për fatin e tij para dhe pas viteve ‘90. Për herë të parë, shkrimtari Kadare, flet për çështjen Bilal Xhaferri, në një libër të gazetares Aida Tuci. Libri “Një enigmë me disa të panjohura, rreth dosjes Bilal Xhaferri”, ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg nga shtëpia botuese “Onufri”. Libri përmban dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore dhe një bisedë me shkrimtarin Kadare rreth kësaj ngjarjeje, por dhe personazheve të tjerë të letërsisë shqipe, si Arshi Pipa apo Lasgush Poradeci. Më poshtë po botojmë një pjesë të intervistës së dhënë nga Kadare në libër…

Është një shkrimtar shqiptar, ndaj të cilit, sa herë që kthehet vëmendja, paralelizmi i kujtesës shkon te ju, zoti Kadare. E kam fjalën për Bilal Xhaferrin. Ka një kohë të gjatë që merrem me këtë çështje, le ta quajmë “Dosja Bilal Xhaferri”, dhe nuk arrij të kuptoj se si, pas botimit të kaq dokumenteve, çështja nuk po sqarohet. Sipas jush, a është vërtet kaq i vështirë sqarimi i saj apo ka diçka tjetër që pengon?
S’ka asgjë të paqartë në këtë çështje, që ju e quajtët “Dosja Xhaferri”. Në qoftë se ka shumëçka të paqartë, madje të errët, atë duhet ta kërkoni në ndërgjegjen e njerëzve që janë marrë me të. Dihet se kur ndërgjegjet njerëzore janë të papastra, i tillë do të jetë edhe prodhimi që del prej tyre. Ju keni bërë një anketë të hollësishme për këtë histori dhe besoj se jeni bindur se në bazën e saj ka një gjë të keqe, një llum të pafund.

Përpara shumë vitesh, pikërisht për këtë çështje, ju keni bërë një qartësim në shtypin shqiptar. Në intervistën tuaj, gjithë atë ngjarje ju e keni quajtur “Historia e një blofi”. Madje edhe intervista kështu është titulluar. I përmbaheni ende sot një mendimi të tillë?
I përmbahem plotësisht. Jo vetëm kaq, por sot që ne po bisedojmë, pra shumë vite më pas, kam bindjen se ajo që e kam quajtur “blof” ka qenë më e keqe se një blof, më e rëndë dhe, pa dyshim, më e pistë. Mund të thuhet se ajo është pjesë e një tabloje tepër të errët të Shqipërisë së sotme: ndotjes morale të saj. Shqipëria është sot vendi i vetëm në Europë që nuk pranon të shqyrtojë pjesën e errët të ndërgjegjes së vet. Pa këtë shqyrtim s’mund të ketë zbulim të së vërtetës për asgjë. Dhe të vërtetat e mbuluara, sa kohë që do të jenë të varrosura në qilarët e fshehtë, aq kohë do të helmojnë gjithçka.
E di që pas këtyre fjalëve acarimi i njohur kundër meje do të përtërihet. Është e kuptueshme. Armata e spiunëve ka gjetur qetësi. Ata jo vetëm nuk kërkohen e nuk zbulohen më, por janë kthyer në një mall tepër të çmuar. Gjejnë punë të mira, fitojnë dekorata, tituj dhe kryesorja, të strehuar shpesh në internet, me nofka, si dikur, kanë ndjesinë e kthimit të kohës së tyre.
Ish-Sigurimi i Shtetit, monstra më e madhe që ka pjellë deri më sot kombi shqiptar, i rrëzuar, siç është, ndien me siguri ngazëllim sa herë që njerëzit e tij ia dalin të ngjiten në sipërfaqe. Të vihen në qendër të vëmendjes, të bëhen të suksesshëm, të kafshojnë si dikur.

Në sqarimin tuaj, ju keni folur për thelbin e asaj që ndodhi në një mbledhje të shkrimtarëve në prill të vitit 1968. Sot, pas kaq kohësh, a do të shtonit ndonjë gjë? Diçka që do të hidhte dritë, për shembull, mbi ngjarjen. Që mund të shpjegonte sjelljen e njërit apo tjetrit.
Thelbi mbetet ai që kam thënë atëherë. Në qoftë se pas anketës që ju keni bërë dhe diçka është sqaruar më fort, ky sqarim s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka rënduar edhe më tepër anën e shëmtuar të ngjarjes. Meqenëse jemi te thelbi, do të përpiqem ta jap sa më shkurt: në vitin 1968, në Shqipërinë e egër komuniste, një shkrimtar me emrin B. Xhaferri kritikon një tjetër shkrimtar, I.K. Janë pothuajse moshatarë, rreth 30 vjeç, me ndryshimin se I.K. është tepër i njohur, kurse B.Xhaferri pak, për shkak të botimeve më të pakta, e sidomos të biografisë së tij. Salla e Klubit të Shkrimtarëve, ku bëhet mbledhja, dëgjon e heshtur kritikën e Xhaferrit kundër I.K. Një shef i lartë komunist, që ndodhet në sallë, ia pret fjalën, për t’i kujtuar se ai është bir i një armiku të rendit. Pas kësaj, Xhaferri kalon ditë të vështira, derisa një ditë ia del të arratiset dhe përfundon në SHBA, ku jeton 18 vjet. Menjëherë pas rënies së komunizmit, befas, fillon legjenda e tij. E gjitha ngrihet mbi ngjarjen në Klubin e Shkrimtarëve më 1968-n, më saktë, mbi kritikën kundër I.K. Ajo kritikë lavdërohet, glorifikohet, siç e thoni ju në anketën tuaj, sikur të kishte qenë një çudi, një shpallje heroike për lirinë e të shkruarit etj. Në të vërtetë, siç e mbajnë mend pjesëmarrësit në sallë, dhe siç sqarohet dalëngadalë ajo kritikë, jo vetëm s’ka pasur asgjë për t’u çmuar, por, nga çdo anë që të merrej, ishte e pabesë dhe e shëmtuar moralisht. Ishte thjesht një akuzë kundër I.K.; nga ato që e çonin tjetrin në fatkeqësi, e ndoshta në burg. Për t’i rënë shkurt, shkrimtari I.K. akuzohej prej Xhaferrit se po sillte frymën e dekadentizmit në letërsinë e pastër shqipe!

Përpara se ta shtjellojmë më tej këtë, desha t’ju kujtoj se një kritikë të ngjashme keni pasur në parathënien e librit tuaj të parë në botën e jashtme. E kam fjalën për librin poetik “Lirika”, botuar rusisht në Moskë, më 1961.
Megjithëse mund të duket si jo fort e sjellshme nga ana ime, dua t’ju them, zonjushë, se nuk ka asnjë ngjashmëri. Kam folur disa herë për këtë, por do të më lejoni ta përsëris. Libri im në rusisht i vitit 1961 ka vërtet një parathënie, ku shprehet njëfarë rezerve ndaj meje, si poet i ri me ndonjë prirje të modernizmit perëndimor, por në këtë rezervë nuk ka asnjë gjurmë dashakeqësie, qoftë nga ana e autorit të parathënies, David Samojllov, qoftë nga ana e shtetit sovjetik, me të cilin Shqipëria sapo ishte shkëputur, ndaj dhe ishte e natyrshme që mendja jonë shqiptare të kërkonte me ngulm dashakeqësinë.
Së pari, parathënien e shkroi përkthyesi, mentori dhe miku im besnik, Samojllov, poet i shquar sovjetik, por me krye të ulur tashmë, për shkak të “prirjeve dekadente” dhe sidomos të një historie intime me Svjetllana Stalinin, vajzën e tiranit sovjetik. Së dyti, vendimi për botimin e autorëve të huaj ndaj të cilëve kishte rezerva, ishte një hap liberal i Hrushovit. Ai vinte si kusht që botimet e huaja problematike duhej të shoqëroheshin me një parathënie “distancuese” (ne e botojmë këtë libër, por kemi rezervat tona për të). Për këta libra, midis studentëve të Institutit “Gorki” thuhej me humor se iu ngjanin tabelave përpara kopshteve, ku shkruhej: “Kujdes! Këtu ka qen të rrezikshëm!”. Pothuajse gjithë autorët me “parathënie distancuese” ishin perëndimorë dhe pikërisht, për shkak të parathënies zgjonin interes të dyfishtë te lexuesit. Habia ime dhe e Samojllovit ishte kur morëm vesh se gjatë kohës që libri po përgatitej, ai kaloi nga botimi normal, në botim “distancues”! (Ka gjasë që ftohja e Shqipërisë nga kampi socialist të ketë luajtur rol për këtë.) Samojllovi u dëshpërua shumë që do të duhej ta shkruante “distancuesen”, madje donte të më bindte ta tërhiqja librin, kurse unë, ca nga gjykimi i cekët i gjërave, ca nga snobizmi i moshës (isha i bindur se shumica e studentëve të “Gorkit” do ta ëndërronin këtë kapërcim), jo vetëm nuk u mërzita, por m’u duk tepër shik! Ishte herë e parë që nga një vend mik, anëtar i familjes, por që tani ishte bërë ish-mik, po botohej një libër me shenjën “kujdes, ka qen!”. Ishte, si të thuash, dallëndyshja e parë, nëse do të lejohej që zogu i këndshëm të përdorej si krahasim për diçka të tillë. Më mirë do t’i shkonte “korbi i parë”. Siç e shihni, historia e botimit moskovit s’kishte asgjë të përbashkët me ngjarjen e shëmtuar të vitit 1968 në Tiranë.

Ju kërkoj falje që po këmbëngul në punën e parathënieve, por mendoj se lexuesit do të ishin tepër të interesuar të dinin diçka më shumë për mosmarrëveshjet tuaja me Arshi Pipën. Me sa di unë, edhe ato e kanë pasur origjinën e tyre te një parathënie e tij për ju.
Është e saktë. Bëhet fjalë për botimin e romanit tim “Kronikë në gur” në Londër, në kohën e komunizmit. Arshi Pipa
jo vetëm e përktheu romanin, por shkroi një parathënie tepër tronditëse për lexuesin anglez. Së pari, dua të them se ndërlikimi midis meje dhe Arshi Pipës, pavarësisht surprizave jo të këndshme, është një ngjarje e nivelit të lartë, që gjithashtu s’ka asgjë të përbashkët me ngatërresën e pistë, do të thosha, gjysmë qesharake me Xhaferrin. Kjo e fundit, jo vetëm për nivelin e ulët dhe për kotninë e saj, por për shkak të gjithë atyre që janë marrë e vazhdojnë të merren me të, mund të quhet një “histori çapaçulësh”. Tjetër rang ka keqkuptimi me Arshi Pipën. Ai është vërtet i hidhur, por kjo s’e pengon të jetë dramatik, në kuptimin e plotë të fjalës, me domethënie të gjerë dhe, pse jo, me një epilog të bukur, siç do ta shpjegoj. Gjatë shumë viteve, Arshi Pipa, në shkrimet e tij, ka bërë vlerësimet më të larta për shkrimtarin shqiptar, bashkëkombës të vet. Kemi pasur fate të ndryshme në jetë dhe në letërsi, por kjo nuk ka penguar që të krijohej, siç krijohet në raste të tilla, një fije lidhëse midis fateve që ngjajnë të kundërt. Ndaj tij do të përsëritja edhe një herë atë që kam shkruar për Martin Camajn: “Ai kishte lirinë, por s’kishte atdhe. Unë kisha atdhe, por s’kisha liri”.
Arshi Pipën jo vetëm s’e ka bezdisur kurrë njohja e kolegut I.K. nëpër botë, por ka bërë çmos që ai të kuptohet, të çmohet e të shpërndahet sa më shumë kudo. Për këtë, ai shkroi vlerësimet më të mëdha në shtypin botëror, sidomos atë anglosakson. E cilësoi kolegun e vet shqiptar “shkrimtar heretik”, që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e vlerësimit, madje më e lartë se ajo e shkrimtarit “disident”, ngaqë, gjithmonë sipas tij, ndërsa disidenti e lufton me ndërgjegje totalitarizmin, heretiku e lufton atë në mënyrë gati gjenetike, pra edhe atëherë kur kujton se nuk po ndeshet me të. Që kolegu i vet të kishte sa më shumë sukses në botën e lirë perëndimore, Arshi Pipa, shpesh e ka zmadhuar guximin letrar të 92 93 I.K. Kjo ka ndodhur me parathënien e romanit “Kronikë në gur” në anglisht, parathënie që duket sikur ishte në zanafillë të incidentit fatkeq. Atje, autori i “Kronikës” del një denoncues i pamëshirshëm i terrorit komunist dhe sidomos i shefit të komunistëve shqiptarë, E.Hoxhës, gjë që nuk i përgjigjej së vërtetës. (Tani do të më pëlqente të ishte ashtu, por dihej se, edhe po të doja, kjo ishte e pamundur.) Botuesi anglez e refuzoi parathënien, për të mos e rrezikuar autorin që jetonte ende nën diktaturë. Kontrata u prish. “Kronikë në gur” u botua pa emrin e përkthyesit.
Një pjesë nga këto i dija. Një pjesë e merrja vesh nga botuesi im francez, i cili, merrej me mend, kishte lidhje me anglezin. Ishin lajme të këndshme dhe po aq të rrezikshme, por unë vetë s’mund të bëja asgjë, veç t’i lutesha fatit që të mos shkonin në vesh të diktatorit.

Për t’u kthyer te konflikti me Arshi Pipën. Siç e kuptova unë, deri në vitin 1990, kur komunizmi po lëkundej në Shqipëri, ju s’kishit asnjë problem me të.
Është krejt e vërtetë. Jo vetëm nuk kisha asnjë problem me të, por në kohën kur lindën shpresat për t’u takuar me shkrimtarët e shquar shqiptarë të diasporës, njeriu i parë që ëndërroja të takoja ishte pikërisht Arshi Pipa. Aq më tepër që ishin miq me Martin Camajn, të cilin e kisha takuar në Frankfurt më 1981. Pavarësisht nga mosmarrëveshja e Arshi Pipës me botuesin anglez, përkthimi anglisht i “Kronikës” ishte i tij, dhe parathënia dhe shkrimet e tjera të tij mbeteshin si një akt nderimi e dashurie për kolegun e vet brenda Shqipërisë.
Pikërisht në këtë kohë, fillim i viteve ’90, ndodhi një nga befasimet më të mëdha të jetës sime. Në dy-tri emisione të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, Arshi Pipa foli ndër të tjera edhe për shkrimtarin I.K., duke theksuar se ai s’ka asnjë të drejtë morale të flasë për demokratizimin e vendit, përderisa ka qenë një nga mbështetësit e diktaturës. Shprehja “nuk iu besoja veshëve” s’besoj se kishte qenë ndonjëherë më e përshtatshme për të dhënë gjendjen time. Unë të mos kisha të drejtë të flisja për demokracinë? Unë që njëzet vite më parë, sipas tij, s’kisha lënë gjë pa thënë kundër terrorit komunist, që, prapë sipas tij, paskësha bërë aludime për shefin e Shqipërisë, si vrasës e homoseksual? Që vetë botuesit anglez në Londër i qenë dukur akuza të tepruara, që vetë botuesi francez në Paris kishte vënë duart në kokë, duke më pyetur se si ishte e mundur që këto hatara të qenë shkruar në shqip, se në frëngjisht ai s’i kishte parë, dhe që unë i kisha thënë se s’kishin qenë kurrë as në shqip, as në frëngjisht dhe në asnjë gjuhë tjetër. Pas shfryrjeve të para kundër Pipës, zemërimi sa vinte më rritej dhe, bashkë me të, një mendim i mbrapshtë, dyshues po më ngulitej në kokë: E gjitha kjo ishte bërë me qëllim! Ndryshe s’ka si të shpjegohej. Me qëllim ishte shkruar parathënia anglisht, për të më dëmtuar, për të shkaktuar dënimin tim. E shava veten, e quajta naiv, budalla, që s’e kisha kuptuar qysh në fillim. Dëshira për t’iu përgjigjur s’më ndahej. Në duar kisha bocat (fletëkorrigjimet) e “Ftesë në studio” dhe gjeta një vend në tekst, ku mund t’i thyeja hundët, siç thuhej. Mirëpo kjo ishte një fjalë goje! Ishte ende regjimi komunist. Kurrsesi s’mund të shkruaje se X.Y. më denoncoi te regjimi, që ky të më dënonte. Në vend të kësaj, shkrova ca të shara, shumica të padenja për tekstet letrare, për të mos thënë, të çmendura. Midis tyre, fraza e vetme me njëfarë logjike ishte ajo ku thuhej se parathënia e A.P. kundër meje “ishte një kallëzim në polici”.

A jeni penduar për këtë tekst? Nga fjalët tuaja kështu nënkuptohet.
Sigurisht që jam penduar. Kisha të drejtë të zemërohesha, madje ende sot mendoj se kisha të drejtë plotësisht, por kurrsesi nuk duhej ta teproja. Sidomos nuk duhej të bija te dyshimi i mbrapshtë se gjithçka ishte bërë me qëllim. Por kjo duhet kuptuar: në atë kohë ishte shumë lehtë të të kapte dyshimi, madje vetë marrëzia. Shenjën e parë të pendimit e kuptova kur po kaloja në duar përkthimin frëngjisht të “Ftesë në studio”. Te paragrafi i A.Pipës më mbetën sytë një copë herë. Unë i paskësha shkruar këto rreshta? I fshiva gjysmat e tyre pa më të voglën mëdyshje, megjithatë edhe gjysma e mbetur do të mjaftonte t’ia prishte gjakun personazhit.

Në “Ftesë në studio”, në pjesën ku flisni për Arshi Pipën, keni përmendur dy shkrimtarë të tjerë, me iniciale: K. Trebeshinën dhe atë që është bërë shkak i kësaj bisede, B. Xhaferrin. Nuk jeni aspak i butë me ta.
Keni të drejtë të thoni se s’jam i butë me asnjërin prej tyre. Por s’keni të drejtë të mendoni se unë po përpiqem të dukem i tillë. S’po i bëj asnjë himn butësisë, madje më duket se kam shfaqur mendimin se shkrimtarët, si askush tjetër, mund të jenë të padrejtë, për të mos thënë mizorë. Kjo është e natyrshme përderisa ata bëjnë pjesë në llojin e sunduesve dhe, si të tillë, do të vuajnë nga po ata që cilësohen si “cen (deformim) i profesionit”. Nga dy njerëzit e tjerë të përmendur prej jush, për njërin, Xhaferrin, do të kemi rast të vazhdojmë bisedën, kurse për tjetrin, nuk jam unë që e kam akuzuar si ish-oficer i Sigurimit, e aq më pak si vrasës i llojit më të shëmtuar të vrasësve, pabesisht, me plumb pas koke. Kjo është një e vërtetë publike e pakundërshtueshme prej askujt, as prej atij vetë. Në asnjë letërsi të botës së qytetëruar nuk ka të tillë. Në qoftë se Shqipëria do të ngulë këmbë që të mbrojë autorë të tillë, kjo s’është më çështje letërsie. Është më shumë. Dhe më tmerr.

Përpara pyetjes që lidhet me atë që e përcaktuat si epilog dinjitoz me Arshi Pipën, a mund të thoni diçka për anën e paqartë të asaj që ndodhi midis jush? Ju thatë se nuk iu besuat veshëve kur dëgjuat sulmin e tij. A e sqaruat më vonë se si shpjegohej ajo enigmë?
Pjesërisht po. Asnjëherë plotësisht. Në fund të vitit 1989 e në fillim të vitit 1990, regjimi, ndonëse hiqej si i fortë, ishte në panik. Logjika e panikut shtynte në veprime të ngutshme, shpesh kundërthënëse. Dërgimi i emisarëve në diasporën shqiptare ishte një prej tyre. Qëllimi: përçarja e intelektualëve të njohur, sidomos moslejimi i krijimit të një fryme bashkuese midis atyre që ndodheshin jashtë dhe të tjerëve, brenda vendit. Në vend të saj, synohej mbjellja e mosbesimit, grindjes. Për këtë komunistët ishin mjeshtër. Të dërguarit e R.Alisë e të Sigurimit ia behën befas në Perëndim, te shtëpia e Martin Camajt, e Arshi Pipës, e dhjetëra të tjerëve, për t’iu mbushur mendjen se fajet që gjërat shkonin keq në Shqipëri, e sidomos për mospranimin e liberalizmit e të pluralizmit, i kishin intelektualët.
Për ta bërë sa më të njohur këtë ide, në gusht u zhvillua mbledhja e famshme me intelektualët e kryeqytetit. Besoj se në krejt historinë e komunizmit botëror, është mbledhja e vetme, pas përfundimit të së cilës u trumbetua se: Shqipëria komuniste, partia, donin ta liberalizonin regjimin, por ç’e do, pengonin intelektualët, në radhë të parë shkrimtarët. Mashtrim më grotesk vështirë se mund të përfytyrohej. Regjimi më stalinist i Europës, vendi ku pak kohë më parë ishin pushkatuar dy poetë, Blloshmi e Leka, dhe ku një poet i tretë, Nelaj, ishte varur mu në mes të qytetit, ankohej se ishin shkrimtarët që nuk e linin të zbutej! Një propagandë e ethshme po i bëhej kësaj mbledhjeje.
Agjentët e Sigurimit e të Alisë përsëritnin ditë e natë se “liberali” Ramiz Alia, për të luftuar konservatorët në Komitetin Qendror kërkoi ndihmën e intelektualëve, kryesisht të shkrimtarëve, por ata e lanë në baltë! Është e pabesueshme që ende sot besnikët e Ramiz Alisë, profesorë, akademikë, ish-spiunë ose bij spiunësh vazhdojnë të shpërndajnë këtë mashtrim. Ende sot kurtizanët e Alisë nuk tregojnë se tekstit të transkriptuar i është bërë një prerje, për shkak të së cilës, një pjesë e dialogut për pluralizmin tingëllon pa logjikë, si në teatrin absurd. Pjesa e prerë ende fshihet, sepse tregon qartë se në fjalën e Alisë, jo vetëm s’kishte dhe as mund të kishte, kurrfarë inkurajimi për pluralizmin, por përkundrazi kishte kërcënimin e hapur se Partia kishte të dhëna se borgjezia botërore nëpërmjet çështjes së pluralizmit përpiqej të nxiste agjentët e saj në Shqipëri. Ndërkaq, një tjetër mashtrim u përhap: trillimi se shkrimtari I. Kadare në mitingun e madh të Tiranës, ka mallkuar e sharë në mënyrën më vulgare njerëzit, më saktë, heronjtë që ishin në gojë të të gjithëve: refugjatët shqiptarë. Ishte shpifja më e suksesshme e Sigurimit Shqiptar. E dëgjuan dhe u ndien të tradhtuar jo vetëm mijëra refugjatët, por gjithë familjet e farefisnitë e tyre, që përbënin, pa teprim, gjysmën e Shqipërisë. Aq në mënyrë djallëzore u mbajt gjallë shpifja, saqë lajmet televizive (madje edhe sot e kësaj dite) nuk e tregonin asnjëherë nga afër tribunën e mitingut të kryeqytetit, në mënyrë që telespektatorët të mos shikonin se shkrimtari i përfolur, jo vetëm nuk kishte folur në atë miting, por nuk kishte qenë fare. Rrallëherë ndonjë shpifje më ka trishtuar aq shumë. Në sheshin e mitingut ishin mbi njëqind mijë kryeqytetas dhe nuk më kujtohet që ndonjëri të ngrihej më pas për të hedhur poshtë mashtrimin. Pas kaq vitesh shpifja vazhdon ende sot, çka tregon se sa thellë kishte hedhur rrënjë e keqja, sidomos midis vulgut shqiptar, atij që realizmi socialist e përkëdhelte me stilemën “masat e gjera të popullit”.

Tani besoj se do t’u kthehemi edhe një herë, për t’i mbyllur, siç më premtuat, dy historive të fillimit të bisedës sonë, asaj të A. Pipës dhe B. Xhaferrit.
Janë dy dosje që s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën.
Njëra prej tyre, ajo e B. Xhaferrit, si një sajesë e pistë, siç u tha, nuk mund të bëjë pjesë në kronikën e asnjë kulture dhe që të jem i sinqertë, s’kam ndonjë dëshirë ta kujtoj. Ndërkaq, ndërlikimi me Arshi Pipën, duke qenë i një natyre krejtësisht tjetër, e ka në vetvete edhe peshën dhe dinjitetin e atyre incidenteve që, edhe pse të rënda, janë pjesë e natyrshme e kalendarit të letërsisë. Epilogu i saj e jep fare qartë çka thashë më lart. Arshi Pipa, ashtu siç pritej, erdhi në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit. Ishte e kuptueshme që kthimi në atdhe i njërit prej antikomunistëve më të shquar, përveç kërshërisë, do të zgjonte ndjesi të ndryshme, acarim te disa, ngazëllim te të tjerët. Bota letrare kishte një arsye më shumë për të gjitha këto. Me përjashtim të një ndjese fare të tërthortë nga ana ime (thjeshtimi i fyerjeve kundër tij në botimin frëngjisht të “Ftesë në studio”), keqkuptimi midis nesh, i shpallur, për fat të keq, publikisht, gjendej në një pikë të vdekur. Arshi Pipa u prit me nderime në Shqipëri. Në disa nga takimet e tij me publikun u këndua himni kombëtar. Gazetat i kërkonin me etje intervistat e tij. Bota letrare nga ana e saj, kishte padurim për mendimet e tij për artin, e sidomos për incidentin midis nesh. Detraktorët e mi fërkonin duart. Ishte koha e përshtatshme që ai, “I kthyeri”, sipas dokeve të letërsisë (këngët e mungesës e të kthimit), të merrte hakun. Nuk ndodhesha në Shqipëri, çka, ndoshta, e bënte më të volitshme gjithçka.
Por “të kthyerit” qëllon që shkaktojnë zhgënjim te pritësit.
Arshi Pipa, përveç ndjesive të tjera, i zhgënjeu rëndshëm etrarët dektraktorë. Haptas dha të kuptohej se nuk kishte asnjë dëshirë të fliste për incidentin e njohur. Herën e fundit, përpara një publiku të gjerë, kur iu bë pyetja e drejtpërdrejtë, u shpreh pak a shumë se midis nesh kishte ndodhur diçka vetjake dhe se ai nuk do të donte ta përmendte atë. Ende sot nuk e di ç’ka ndodhur. Të jem i sinqertë e kam ndjekur që nga Parisi udhëtimin e tij dhe, e vetmja gjë që m’u duk se arrita të kap, ishte një tis pikëllimi i njeriut. Kjo fjalë përdoret shpesh, por ka raste kur merr ngjyrim të veçantë. Nga pikëllimi i Arshi Pipës m’u krijua bindja se kuptova diçka më shumë se të tjerët. Me botimin e veprës sime të plotë në Shqipëri dhe në Francë, kur erdhi puna se cili studim do të shoqëronte si parathënie “Kronikë në gur”, pa asnjë mëdyshje u kërkova botuesve, shqiptarit dhe francezit, parathënien e dikurshme të Arshi Pipës. Kërkesën ia bëra gjithashtu botuesit anglez, i cili vazhdonte ta botonte “Kronikë në gur” me përkthimin e A. Pipës, por pa parathënien, madje pa emrin e përkthyesit. Kështu, me shumë vonesë, teksti i tij u bashkua, më në fund, me parathënien, asaj që kishte qenë në zanafillë të së keqes. Ky bashkim ngjante vërtet si një zgjidhje simbolike e asaj ndarjeje, e atij keqkuptimi mizor, që kishte bërë atë që do të dukej e pamundur: acarimin e studiuesit të shquar kundër kolegut të vet të letrave, atij që e kishte përkthyer me aq dashuri, e prej të cilit ishte shkëputur aq pikëllueshëm. Kjo rivendosje e harmonisë ishte njëherësh ngadhënjim i saj mbi përçarjen, të fshehtën e së cilës ai e mori me vete atje ku shkoi. Ne nuk e dimë atë, ashtu sikurse ai s’do ta marrë vesh kurrë epilogun pajtues. Ndërkaq, jam i sigurt se, sikur ta merrte vesh, atje ku ndodhet, siç thuhet, shpirti i tij do të gjente edhe më shumë paqe.

Duam s’duam do të kthehem te fillimi i kësaj ankete. Ju disa herë keni dhënë të kuptohet se s’keni dashur të flisni për incidentin e dikurshëm, ngaqë iu duket në një “nivel të mjerueshëm”. Është fjala për të sqaruar një problem parimor, që ka lidhje me letërsinë shqipe prandaj do t’ju lutesha për disa sqarime. Kam takuar shumicën e dëshmitarëve të ngjarjes, një pjesë miq të B. Xhaferrit, madje farefisni të tij. Të tjerë që kanë folur me të përpara mbledhjes, por sidomos pas saj. Pothuajse asnjeri nuk ju bën ju fajtor për asgjë. Madje, shumica theksojnë që ju ishit një prej atyre që e keni ndihmuar. Madje, edhe në mbledhje nuk thatë asnjë fjalë kundër tij, përkundrazi.
Ju kujtoni se unë ndiej ndonjë kënaqësi të dëgjoj pohime të tilla? Po jua them prerazi: më interesojnë fare pak. E para se s’kam nevojë për këtë lloj zemërgjerësie. E dyta se s’kam ndonjë dëshirë të dukem aq i virtytshëm si në telenovelat braziliane, e as sentimental si në kafenetë e Tiranës, ku gjysmëpijanecët, pasi janë grindur me njëri-tjetrin, përfundojnë gjysmë të përqafuar. Në atë sallë ka ndodhur diçka shumë më e rëndë nga ajo që është dukur ose është rrëfyer. Në qoftë se zonjat dhe zotërinjtë dëshmues ju kanë thënë ose kujtojnë se ju kanë thënë të vërtetën, atë e kanë bërë në radhë të parë për ndërgjegjen e tyre. Megjithatë, unë mendoj se e vërteta që ata kanë treguar nuk është e plotë. Më mirë se unë këtë mund ta dini ju. Më keni bërë kaq shumë pyetje, më lejoni dhe mua t’ju bëj një pyetje të vetme: pasi ju kanë pohuar indulgjencën ndaj meje, cili ka qenë përfundimi i bisedës së këtyre dëshmuesve? Është shumë e rëndësishme një gjë e tillë, ndaj, ju lutem, mundohuni të ma thoni sa më saktë.

Do t’jua them fare saktë. Pavarësisht nga ato që kishin ndodhur, admirimi i tyre për B. Xhaferrin mbetej i paprekur. Për mendimin e tyre, ai ishte një talent i madh, i jashtëzakonshëm etj., por që iu pre rruga e u dënua ngaqë guxoi të kritikonte I. Kadarenë.
Ju faleminderit. Siç mund ta shihni, ata nuk kanë kapur dot as pamjen e plotë e as thelbin e asaj që ka ndodhur. Nuk është fjala aspak tek admirimi që ata ruajnë për shkrimtarin. Kjo është e njohur dhe kjo është e drejta e tyre. Është fjala për tjetër gjë.
Në sallën e Klubit të Shkrimtarëve në prill të vitit 1968 ka ndodhur një akt i rëndë, nga ata që kërkojnë gjykim të saktë. Është lehtë të thuash: u përleshën dy kolosë (reminishenca e dy luanëve apo dy fustaneve etj.) e të vazhdosh se asnjëri s’e mposhti dot tjetrin, e të ngazëllehesh nga kjo, e fill pas saj t’i bësh lavde harmonisë që duhet të mbretërojë midis gjenive, për të mirën e kombit autokton etj. Në atë sallë nuk ndodhi asgjë e tillë. As përplasje idesh, e aq më pak kolosësh. E vërteta ka qenë fare ndryshe dhe e vërteta në kësi rastesh nuk duron dot as më të voglin cen. E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet, Xhaferri ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët, e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA, ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar.
Nuk dua të merrem me to, aq më pak me pikëpyetjet që shtrohen aty-këtu në anketën tuaj, si e ndiqte, për shembull, Sigurimi, mu në mes të SHBA-së! etj., etj., ngaqë të tilla, ashtu si gjithë kjo histori, më ngjan, siç e thashë, krejtësisht e padenjë për kalendarin letrar.

Megjithatë s’mund të thoni se ajo s’ka asnjë rëndësi si fenomen.
Ju vetë keni folur shpesh për absurditetet dhe marrëzitë e kohës, prandaj do t’ju lutesha, në këtë rast, që, për ndriçimin e disa pikave të kësaj ankete, të jepni dëshminë tuaj. Do të shtoja në emër të lexuesit të brezit tim, që është njohur me këtë histori, por në mënyrë të pasaktë. Ju keni qenë në “atë sallë”, siç e quajtët, ku nisi gjithçka.
Është e vërtetë. Kam parë gjithçka dhe kam dëgjuar gjithçka. E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së keqes së një tiranie. Siç e thashë më lart, ju patët kujdesin që disa herë të theksoni “dashamirësinë” e dëshmuesve ndaj meje. Madje ndonjë prej tyre, duke dashur të më bëjë akoma më të mirë, shtoi se unë gati-gati kam qenë mirëkuptues ndaj tij etj. Për t’ju çliruar të gjithëve nga ky kujdes, po ju them se kjo s’ishte fare e vërtetë. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete ç’mosmirënjohës! Mund të gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografi në etj. Pastaj s’kam folur asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Me kalimin e viteve, kjo histori u harrua. Në rrethe fare të ngushta mbahej mend ky shkrimtar, dikur i talentuar, por që s’i eci në asgjë. Shfaqej aty-këtu habia se, duke ikur nga robëria më e thellë në më të lirin vend të botës, nuk u ndie e nuk u botua asgjë e tij askund. Perëndimi e sidomos SHBA, që ishin tepër të ndjeshëm për shkrimtarët e arratisur, në këtë rast u treguan krejtësisht të shurdhër. Diaspora shqiptare gjithashtu, sidomos pas një paralajmërimi të keq kundër tij nga kryetari i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Një interes për të nisi të ringjallet pas vdekjes së tij të vetmuar. Kishte rënë komunizmi dhe kureshtja ishte në krye në trajtë keqardhjeje, forma më e shpeshtë te shqiptarët që kujtohen për tjetrin kur e shohin në fatkeqësi. Interesi përkoi me fillimin e fushatës kundër intelektualëve më 1990. Qarkullonin disa shkrime të tij për Çamërinë, por sidomos një vjershë kundër shkrimtarit I. Kadare dhe një shënim i tij për incidentin e harruar tashmë te Klubi i Shkrimtarëve.

Sipas jush, a ishin këto zbulime që luajtën rol për ta ngritur atë në statusin e një disidenti? Juve vetë, çfarë përshtypjeje ju bënë ato?
Ndonëse një gjë e tillë nuk thuhet, mendoj se “zbulimet”, në radhë të parë vjersha dhe shënimi nën të, kinse të shkruara natën “pas përplasjes”, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e përrallës me kolosë. Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K. ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Besoj se e kuptoni që pas kësaj, përçmimi im për të do të ishte shumë më i madh. Por që të jem i sinqertë, nuk e kam besuar dhe ende dua të mos e besoj se ka shkuar aq larg. Një bindje e brendshme më thoshte se vjershën bashkë me shënimin i ka shkruar një tjetër dorë. Kjo është e vërtetueshme, besoj, dhe po të vërtetohet do të tregojë shumë gjëra. Ajo lidhet me thelbin e problemit: rigjallërimi i çështjes Xhaferri, shkaqet e vërteta, kush qëndron pas saj, kush ka qenë në zanafillë dhe kush e ka trashëguar atë. Dosja Xhaferri ka qenë pjesë e puzzle-s, asaj që dëshmon vazhdimin e frymës staliniste në Shqipëri. Në qoftë se ju do ta çoni deri në fund anketën tuaj, jam i sigurt se do të ndesheni me befasime të tjera.

Ka qenë jo e lehtë gjer tani dhe sa vete bëhet më e vështirë. Arkivat e fshehtë janë të mbyllur. Kam bërë përpjekje, por ka qenë e pamundur qasja te dokumentet.
Sigurisht. Ka një paradoks, një kthim kokëposhtë të gjërave. Sa herë që e mendon, aq më i pabesueshëm ngjan. Jemi në botën e absurdit komunist, jemi mësuar me të, e megjithatë ende arrijmë të habitemi. Ngjan pak a shumë si përpjekja për të përligjur parullën: bar do të hamë, por marksizëm-leninizmin do ta mbrojmë. Pyetja se a mund të mbrohej ky marksizëm pa ngrënë bar, nuk bëhej kurrë. Pyetjet e tjera: përse Shqipërisë i ka rënë në pjesë ky detyrim planetar me një ngjyrim bagëtish? Ose, po sikur Shqipëria të heqë dorë nga kjo barrë apo ky testament, ç’ndodh vallë? Pra, pyetje s’bëheshin. Më saktë, edhe në bëheshin do të kishin si përgjigje një breshëri plumbash. Të kthehemi te rasti ynë. Jemi prapë te salla e shkrimtarëve. Në vitin 1968. Në muajin prill. Pra, stalinizëm pranveror. Diskutim midis shkrimtarësh. Njëri e fajëson tjetrin për dekadentizëm. Fajësimi më zyrtar, më komunist i kohës. Tjetri nuk përgjigjet. Incidenti zgjat më pak se dhjetë minuta. Fajësuesi pret ndoshta dafinat, por ato i mohohen. Shkaku: një letrar me biografi të keqe, bir i një hoxhe të dënuar, nuk e ka tagrin të mbrojë realizmin socialist. Ky është thelbi. Çështja mbyllet. Pas njëzetepesë vitesh, befas ringjallet. Komunizmi ka rënë, gjithçka po rivlerësohet. Ngjarja te Klubi i Shkrimtarëve, gjithashtu. Madje me shumë mallëngjim. Dafinat që iu mohuan fajësuesit, i jepen tani të shumëfishuara. Cilësohet kolos, gati-gati hero i mendimit. Jo për veprën, në radhë të parë, për ngjarjen te Klubi i Shkrimtarëve. Atje ku e fajësoi kolegun e vet për dekadentizëm. Me një fjalë, disa minuta sharje kundër kolegut, i vlejnë më shumë se 30 vjet krijimtari. Zëra të hutuar u ngritën andej-këndej: Prisni! Akuza për dekadentizëm nuk nderon askënd. Madje, turpëron gjithkënd. Përgjigjja: S’ka rëndësi natyra e akuzës. Ka rëndësi që u godit “tjetri”. “Tjetri”, siç e dini tashmë, zonjushë e dashur, jam unë. Kaq e domosdoshme ka qenë goditja e “tjetrit”, kaq çliruese, shpëtuese, emancipuese? Vërtet I. K. paskësh qenë fatkeqësia e letërsisë shqipe? Prishësi, bllokuesi i saj? Këto pyetje janë bërë me siguri, por kori i kundërt ka qenë shurdhues. Thuhej se të godisje I. Kadarenë ishte aq e pamundur sa të godisje Enver Hoxhën. Në qoftë se këto fjalë janë shkruar vërtet prej tij, siç ngulet këmbë e që unë s’e kam besuar, ky njeri, përveçse mashtrues, ka vuajtur nga deliri i madhështisë. Një hero, që atje te Klubi i Shkrimtarëve (te rrapi në Mashkullorë), paska goditur diktatorin!

Edhe një pyetje që shpresoj të më çojë në përfundimin e kësaj bisede. Ju thatë se nuk e keni besuar, ose s’donit ta besonit se vjersha dhe shënimi për krahasimin tuaj me Enver Hoxhën kanë qenë të tij. Në përgjithësi, shkaktar për këtë zhurmë mendoni se janë të tjerët dhe jo ai vetë?
Shpesh kam menduar kështu. Dhe vazhdoj të mendoj. Duhet ta dini se kur ka një përplasje shkrimtar-palë tjetër, vetvetiu, qoftë dhe pak me anësi, unë mbaj anën e shkrimtarit. Është lloji im, është klani im familjar. Edhe në këtë rast dua të mendoj se problem, përpara se të ishte ai vetë, kanë qenë sajuesit e kësaj zhurme të marrë. U fol për forume, përkujtime, komisione e dekorata. S’ka asgjë të keqe në të gjitha këto. Aq më tepër për një shkrimtar me një jetë përgjithësisht të trishtuar e që s’është më në këtë botë. Midis lavdeve, qoftë edhe të tepruara, dhe heshtjes, është kjo e dyta që meriton dënimin më të madh. Në fund të fundit, lavdet për çdo shkrimtar i shkojnë tempullit të përbashkët të letërsisë. Pyetja në këtë rast do të ishte: a i shkojnë vërtet letërsisë apo ndërrojnë rrugë, si ajo rrëkeja, që i shmanget udhës së natyrshme? Le të mos bëjmë sikur nuk kuptojmë dhe le të pohojmë se në rastin që po flasim ka një mjegull që kërkon sqarim. Le të pranojmë që gjithë legjendat për këtë shkrimtar, para se të jetë lidhur me tridhjetë vitet e jetës së tij letrare, lidhet në radhë të parë me ato tetë a nëntë minutat te Klubi i Shkrimtarëve. Ashtu sikurse emri i një personazhi shoqërohet shpesh me përcaktimin: doktor i shkencave, ose laureat i X titulli, emri i Xhaferrit ka si përcaktim “shkrimtari që u dënua se kritikoi Kadarenë”. Madje, për të theksuar dramaticitetin, nisi të flitej për vrasje, kështu që titulli mund të bëhej më i zymtë. “Shkrimtari që u vra, mu në mes të Amerikës, ngaqë kritikoi Kadarenë!”. Në qoftë se ju keni rezerva për këtë, është e kotë që të vazhdojmë bisedën.
Më duket se unë vetë e kam shtruar një çështje të tillë qysh në fillim të kësaj ankete.
Është e vërtetë. Atëherë po vazhdoj. Besoj e keni dëgjuar një shprehje të famshme: in hoc signo vinces. (Nën këtë shenjë do të fitosh.) Për fat të keq, signo (shenja) ishte e gabuar. Në këto raste, për çdo shkrimtar që i ndodh një gjë e tillë, mund të thuhet kahu tjetër: nën këtë shenjë do të humbësh. Kam ndjekur me habi gjithë përndezjen që sa vinte shtohej. Kam kujtuar se logjika, më në fund, do të fitojë mbi marrëzinë dhe gjithçka do të sqarohet, do të vihet në vend. (Për të bërë pak humor, të dy kolosët të pushojnë, më në fund!) Por s’ndodhi ashtu. Katedrat e letërsisë, akademikët, komisionet, hulumtuesit vazhduan, herë me dashje e më shumë pa dashje, rendjen absurde pas “njeriut që kishte guxuar të godiste të pagoditshmin”.
Natyrisht që kam bërë pyetjen se kujt i hynte në punë kjo. Ose, a janë në vete këto katedra që s’kuptojnë një gjë kaq të thjeshtë. Këta profesorë e këto profesoresha, këta akademikë e këta ministra, e pas tyre këta kryeministra e së fundi këta presidentë, që e lënë veten të tërhiqen në këtë lojë? Ishte më keq se kaq. Ishte njëfarë biznesi fitimprurës, me një reklamë apo mesazh të keq: goditeni shkrimtarin e pagoditshëm se s’do të mbeteni pa shpërblim. Tani dhe më pas!

Filed Under: Kulture Tagged With: E BILAL XHAFERRIT, Ismail Kadare, NE DOSJEN

Prezantohet libri “L’Albania Veneto-Shqipëria Venedikase”

June 7, 2014 by dgreca

Nga Gaspër Marku/- Mes një auditor të përzgjedhur, intelektualë, historianë e studiues, drejtues vendorë, diplomatë, etj, Konsullata e Nderit e Italisë në Shkodër dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë me mbështetjen e Rajonit Ve-neto, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, organizuan në sallën e Këshillit Bashkia të Shkodrës, aktivitetin promovues të librit, “L’Albania Veneta- Shqipëria Venedikase”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, përcolli një falenderim të veçantë për kontributin e gjithë atyre që janë marrë me realizimin e kësaj vepre mjaft të rëndësishme për Shkodrën dhe për marrëdhëniet e vjetra dhe të reja, mes Shkodrës dhe Venetos.
“Unë, aty shoh një realitet shumë interesant, i cili tregon se në atë kohë bashkëpunimi dy palësh ka pasur një qëllim shumë të vlefshëm për zonën tonë, dhe vendin tonë në përgjithësi, sepse aty evidentohet se Shkodra dhe Shqipëria në atë kohë tentonin të ishin të barabartë mes të barabartëve, dhe kjo tregon se ne në atë kohë kishim një standart shumë të mirë në prezantimin tonë nëëprmjet vlerave që dispononim”, tha Luka
“Dhe, besoj se, pikërisht edhe sot, ky bashkëpunim që kemi vendosur, ka pikërisht këtë qëllim, rritjen e kapaciteteve, një përformancë më të mirë, e cila konsiston pikërisht në qëllimin primar, atë të qënurit të barabartë mes vendeve të Bashkimit Europian”, tha kryebashkiaku shkodran Lorenc Luka në këtë takim promovues.
Shumë i kënaqur në realizimin e promovimit të librit, por edhe të ekspozites “L’Albania Veneto”, shfaqur në mjediset e rrugës pedonale në qëndër të qytetit të Shkodrës, u shperë edhe diplomati italian, Antonio Stigliani, Konsull Nderi në Konsullatën e Shkodrës.
Ai e konsideroi këtë aktivitet, si një përvojë nga e kaluara dhe si domosdoshmëri për t’ia treguar më të rinjëve. “Jo sepse ne jemi të lidhur shumë me të kaluarën, por sepse me të gjithë këtë që ne tregojmë, ajo është pjesë e AND-së tonë, e asaj AND-je që Shqipëria dhe populli shqiptar bëjnë pjesë fuqishëm.”, tha Konsulli i Italisë në Shkodër, Stigliani.
Ndërsa, për gazetarin dhe historianin, Pirro Misha, libri në fjalë, “L’Albania Veneto”, është një konfirmim i rëndësishëm për të njohur një pjesë mjaft të rëndësishme të historisë sonë, një pjesë e historisë, që për fat të keq, siç e dimë të gjithë, deri dje ka qënë pothuaj e injoruar, minimizuar, por, megjithatë, siç e dimë, për më shumë se dy shekuj, Republika e Venedikut, ishte zot i plotfuqishëm në detin Adriatik dhe për më tepër pati një rol tepër të rëndësishëm në jeten shqiptare, dhe sidomos në bregdetin shqiptar.
“Sigurisht, vijoj Misha, kjo prezence krijoi kundërshtime, sepse u përplas me interesat e zotërve shqiptarë, feudalëve por gradualisht me shfaqjen e kërcënimit otoman dhe në kohën kur venediku bëhët kundërshtari kryesor i ekspancionit ottoman, intereat e popullsisë shqiptare, interesat e zotërve shqiptarë, duke filluar nga Skenderbeu i pari, me Venedikun, gjithmonë vijë gjithmoënë e më tepër duke u pëputhur”, tha më tej, Misha.
Duke iu referuar traditës së kahershme të qytetit verior të Shkodrës, ai shtoi se ky libër përcjellë një interes shumë të madhë për vetë shkodranët, pasi qyteti i tyre, i cili vite më parë ka funksionuar si një nga portet më të fuqishme veneciane, duke qënë një urë e shumë e fortë lidhëse mes dy vendeve./

Filed Under: Kulture Tagged With: Gasper Marku, libri “L’Albania Veneto-, prezantohet, shqiperia, Venedikase”

TIRANE-PRISHTINE-Liria e pakufi e kulturës

June 5, 2014 by dgreca

Kumbaro në Panairin e Librit “Prishtina 2014″/
Nga Klajdi Musabelliu / Tirane 5 Qershor 2014/ Mirela Kumbaro, Ministra e Kulturës së Shqipërisë ka marrë pjesë në hapjen e panirit të 16-të të librit “Prishtina 2014”.
Në panairin e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Kumbaro në fjalën e saj u shpreh se “çdo ngjarje e librit, kudo që ndodh, na jep mundësi për të folur bashkë, përmes dijes, përmes kulturës, gjuhës sonë të përbashkët dhe të përhershme. Por, kur takimi ndodh në Prishtinë, nuk është vetëm takim librash, por është edhe takim zemrash, sepse për mua ndodhemi pikërisht në atë hapësirën pakufij, ku lexuesit dhe autorët qarkullojnë nga mendja në mendje me ide dhe me vlerat e tyre”.
Ajo kujtoi me kete rast marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, hap i parë ky drejt unifikimit të sistemit arsimor, i cili do të fillojë të zbatohet në shtator.
“Panairi i Librit Prishtina 2014” është çelur në ambjentet e e Pallatit të Rinisë në Prishtinë me 3 qershor. Në këtë panair deri më 8 qershor, marrin pjesë rreth rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Aktiviteti i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, prezanton rreth 1200 tituj të rinjë librash, si dhe rreth 4000 mijë tituj të tjerë të viteve të fundit.
Panairi përkon edhe me përvjetorët e disa personaliteteve shqiptare dhe botërore si, 450 vjetori i lindjes së Shekspirit, 200 vjetori i lindjes së Jeronim de Radës, 170 vjetori i lindjes së Zef Serembes, 140 vjetori i lindjes së Shtjefën Gjeçovit, 100 vjetori i lindjes së Octavio Paz, 100 vjetori i lindjes së Marguerite Duras, 100 vjetori i lindjes së Sterjo Spases, si dhe 100 vjetori i lindjes së Mehmet Gjevorit, të cilët do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera gjatë panairit.
Në datën pritet të shpallet edh fitusi i tijë ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në gjinite :
– Prozë,
– Poezi,
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë,
– Përkthim letrar,
– Projektin kapital,
si dhe:
– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe),
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj),
– Stenda më e vizituar

Filed Under: Kulture Tagged With: -.Liria e pakuf, i e kulturës, Kumbaro, TIRANE-PRISHTINE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT