• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festivali Kulturor i Rinisë për dy ditë në Pallatin e Kongreseve

March 23, 2014 by dgreca

Institucionet Arsimore “Turgut Ozal” me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, organizuan sot Festivalin Kulturor Ndërkombëtar të Rinisë, edicioni i parë.Ky event mbarëkombëtar, që ka edhe suportin e Universitetit Epoka, Universitetit të Arteve dhe MIST (Memorial International Shcool of Tirana), do të përfshijë jo vetëm pjesë të kulturës e traditës shqiptare por edhe më gjerë, duke çelur një dritare të madhe kulturore në rajonin tonë.

Pjesë të ndryshme muzikore, këngë, kërcime dhe pjesë poetike,  shoqëroi  të pranishmit për rreth dy orë në Pallatin e Kongreseve. Festivali u prezantua nga çifti simpatik Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi.  Festivali Kulturor Ndërkombëtar vjen në vazhdën e festivaleve ndërkombëtare të muzikës, gjuhës dhe letërsisë organizuar nga të rinjtë në rreth 160 vende të botës nga shkollat simotra të Institucioneve Arsimore “Turgut Ozal”.

Këto festivale janë mundësia më e mirë për të ndarë e përjetuar sëbashku kultura, gjuhë e tradita të ndryshme, bazuar në harmoninë, tolerancën e mirëkuptimin. Vetëm në këtë mënyrë, një botë e re do të lindë në marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore mes popujve, feve dhe kulturave. Festivali synon të sjellë në Tiranë vëmendjen e të rinjve të rajonit tonë.

Por një qëllim parësor është edhe përcjellja e vlerave të rinisë shqiptare, dëshirave dhe pritshmërive të tyre drejt këtyre vendeve por edhe drejt Bashkimit Evropian, ku Shqipëria dëshiron dhe do të jetë anëtarë në të ardhmen e afërt. Institucionet arsimore “Turgut Ozal” ose njohur ndryshe si Kolegjet Turke kanë një të shkuar tashmë 21 vjeçare në vendin tonë.

Ato gjatë këtyre dy dekadave dhe tashmë në dekadën e trerë, kanë punuar për të sjellë më të mirën në fushën edukative-arsimore për të rinjtë shqiptarë. Këto shkolla janë tashmë një markë e pranuar ndërkombëtarisht e vendit tonë. Institucionet arsimore “Turgut Ozal” dhe Universiteti Epoka, falënderojnë të gjithë bashkëpunëtorët në organizimin e një eventi të tillë ndërkombëtar, dhe në veçanti Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i Rinise, Pallati i kongreseve

PROMOVIM NE BRUKSEL

March 23, 2014 by dgreca

Promovohen në Bruksel  veprat e Dr Nusret Pllanës : “Terrori i Serbise  pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 ”  , “Intervenimi i NATO- S  në Kosovë” dhe filmi dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër  botë”/

Nga Agron Shele, Bruksel/

Me rastin e 15-Vjetorit të Intervenimit Humanitar dhe Ushtarak të NATO- S në Kosovë, në një nga ambientet e Hotel “RAMADA” në Bruksel u zhvillua aktiviteti kulturor për promovimin e veprave Publicistike- Dokumentare të Dr  Nusret Pllana. Trajtimi i kësaj teme sa të dhimbshme po dhe aq identifikuese për masaktrat e kryera mbi popullsinë shqiptare në Kosovë nga ana e një populli të tërë të kriminalizuar, sikurse eshtë populli serb , rihedh dritë me fakte dhe argumente reale për atë  krim mesjetar që ka ndodhur në zemër të Evropës. Që në fillim ndeshesh me foto tepër të rënda për një sy normal njerëzor, ndeshesh me krime që kalojnë dhe pamjet error,  dhe të ravijëzuara përbrenda identifikimit real dhe kohor hedhin dëshminë e gjallë dhe të pakontestueshëm të martirizimit biblik të një popullsie të tërë. Pjesmarrja e gjerë e komunitetit shqiptar , e përafaqësuesve shqiptarë të akredituar në misonin e NATO-S këtu në Bruksel, e pëfaqësuesve diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe e gazetarëve që kishin punuar në misionet e para në Kosovë, si dhe e mjaft personaliteve të tjerë të jetës kulturore dhe shoqërore e bënë aktivitetin kulturor edhe më të larmishëm.

Në fillim të këtij prezantimi e mori fjalën përfaqësuesja e trupit Diplomatik të Kosovës, akredituar në Bruksel, Ambasadorja  Mimoza Ahmetaj, e cila do të citonte përjetimin nga afër të këtyre tmerreve, përpjekjen e popullsisë për të mbijetuar, si dhe rëndësinë e “UÇK”, e cila në bashkëpunim me “NATO- N ” , do sillnin fitoren  vendimtare dhe lirinë aq të merituar të Kosovës. Ndër të tjera Znj Ahmeti do të citonte që kjo e kaluar e mbuluar me dhimbje dhe gjak duhet kurorëzuar me forcimin dhe konsolidimin demokratik të shtetit të Kosovës, si i vetmi garant  që gjëra të tilla të mos përsëriten më. Mbledhjen e fotove të rralla, paraqitja reale e tyre, do përbëjë një arshivë të shkëlqyer për atë ç’ farë ka ndodhur, dhe do i shërbejë kujtesës historike për kalvarin e dhimbjeve që kemi përjetuar si popull, por edhe si memorie e gjallë  për mbarë botën e civilizuar, e cila duhet të marrë një mesazh të fortë për mos lejimin e këtyre tmerreve në mileniumin e ri.

Përfaqësuesi shqiptar i akredituar pranë NATO-S , Z Kristaq Gërveni, do vlerësonte misionin e NATO-S në Kosovë, ndërhyrjen ushtarake dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me forcat e “UÇK”, duke e cilësuar ato si Forca të Këmbësorisë në terren. Më pas ai do vlerësonte  punën e  shkëlqyer të autorit , i cila nëpërmejet argumenteve dhe fotove reale do të përjetësonte atë memorie të hidhur por të domosdoshme, si dhe do  ndërgjegjësonte mbarë opinionin Ndërkombëtar për ndërhyrjen e drejtë të Trupave të NATO-S dhe do shenjtëronte edhe më shumë përpjekjen e popullit kosovar për liri dhe pavarësi. Ndër të tjera ai u ndal edhe tek funksionimi dhe misioni  i  trupave  të  NATO-S  sot, ku rreth 5700 trupa janë garant i sovranitetit por dhe përpjekjeve për demokratizim më të gjerë të jetës në vend.

Koordinatorja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë Znj  Shqiponja Duro  do të shprehte përgëzimet për punë kuptimplotë në të mirë të Kombit dhe të vërtetave historike me fjalë poetike; “Kosovë, je gjaku im që nuk falet” (Ali Podrimja). Ndërkohë ajo u ndal në disa aspekte të trajtuara në librat me përmbajtje historike. Së pari mbi faktin që sikurse edhe autori afirmoi paraprakisht se këto libra pjesë e arkivit janë shprehje e dhimbjes së popullit të Kosovës dhe si e tillë bëjnë që autorësia i përket Kombit. Autori ka kryer një shërbim të vetëdishëm qytetar për ta ruajtur të gjallë në arkiv dhimbjen dhe krimet e luftës. Ato përbëjnë të vertetën e shqiptarëve të Kosovës që aspiruan Lirinë. Dy elemente nxorri ajo në pah; hedhja dritë mbi viktimat më të pafajshme gjatë luftës fëmijën dhe nënat e gratë shqiptare. Gratë e dhunuara gjatë luftës duhen trajtuar nga shoqëria si heroina lufte. Si krijuese letrare ajo recitoi vargjet poetike ‘Bie shi i kuq, mbiu tërfil i kuq në Kosovën’  që i kishte hedhur në letër nga inspirimi i trishtë i viktimave të luftës. Në shenjë përgëzimi znj. Duro i fali autorit dr. Pllanës librin për Faik Konicën : “Jeta në Uashington” të autorit Ilir Ikonomi.

Zëri i parë i frymës së lirisë në Kosovë “ Ju flet Kosova e lirë”, autori i këtyre veprave Publicitare dhe Dokumentare, autori  Nusret Pllana, do të vlerësonte të gjithe kolegët e tij  që kishin punuar për realizimin e këtij Projekti Kombëtar, mbledhjen e fakteve dhe fotove nga arshiva të ndryshme deri tek arshiva serbe, do falenderonte gjithë bashkombasit e tij që jetojnë në vende të ndryshme për përkrahjen dhe realizimin e prezantimit të veprave të tij duke filluar nga Gjermania, Italia, Turqia, Austria, Norvegjia, Suedia, Filanda, Belgjika etj dhe duke folur më pas për prezantimet ne Uashington, Nju Jork, Boston, Kanada  etj , si dhe për të shkuar gjer në Australinë e largët. Qëllimi i rrugëtimit të këtij libri nëpër botë është më se i rëndësishëm, pasi nëpërmjet pamjeve reale të cilat flasin më tepër se mijëra fjalë ne argumentojmë sakrificën tonë si komb, argumentojmë të drejtat legjitime dhe denancojmë barbarinë fashiste serbe , të cilës edhe për këto monstruozitete të kryera,  çuditërisht i janë hapur dyert për në familjen Evropiane. Gjatë 4 gjenocideve të ushtruara mbi Kosovë, e konsideruar kjo në vrasje dhe diegie  në gati 150 vjet kanë humbur jetën mbi 570 000 shqiptarë dhe janë shkaktuar mbi 129 milionë dollarë dëme materiale. I gjithe ky bashkëpunim famëkeq për zhdukjen e popullsisë shqiptare ka ardhur në sajë të bashkëpunimit Kishë Ortodokse Serbe – Akademi e Shkencave dhe Politikës, prandaj  këtu nuk flitet për një politikë kriminale por për një popull kriminel, i cili në gjenerata përsërit masakrat dhe kryen barbarizma të tilla. Konceptimi këtyre veprave me fakte argumentuese dhe foto jo vetëm që informon opinion  Ndërkombëtërar, por shuan edhe zërat e fanatikëve apo dogmatikëve si Europarlamentari Dik Martin,  që e shikon ende Serbinë si Jugosllavi.

Shfaqja e Dokumentarit dhe intervistat e pjesëmarrësve të shumtë  nga shtete dhe kombe të ndryshme do e bënte edhe më interesant këtë takim,  do përforconte edhe më shumë bindjen për rëndësinë që kish ky publikim, qëllimin  që kish arritur, informimin real të kësaj gjakderdhjeje në Ballkan dhe denancimin e makinerisë kriminale serbe të udhëhequr nga kryekrimineli Sllobodan Millosheviçi. Arshivimi këtij libri në shumë Biblioteka Ndërkombëtare, Ambasada dhe në veçanti tek Biblioteka e Kongresit Amerikan, Biblioteka e OKB, Biblioteka e Gjykatës së Hagës, tregon më së miri për punën e shkëlqyer tashmë të misionarit Dr Nusret Pllana, në shërbim të sakrificës dhe përvuajtjes së pupullit të Kosovës, në shëebim të ruajtjes së kësaj memorie historike, të denancimit të kësaj të keqeje kombëtare,  si :  të shpërnguljes me dhunë nga trojet, masakrimit deri tek fëmija në bark të nënës, dhunimit të vajzave dhe grave dhe që kjo e keqe të mos përsëritet më duhet të shërbejë si shëmbëlltyrë e rezistencës, sakrificës, provës së gjakut për të ringritur të ardhmen tjetër, atë të konsolidimit si shtet ligjor, sovranitetit dhe lirisë.

Autori mbylli mbrëmjen me apelin : “Zgjohu Kosovë ! Mos e harro të kaluarën e dhimbshme!”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Nusret pllana, promovohet ne Bruksel

Pikturat me 1 “milion” detaje…

March 21, 2014 by dgreca

“Tribuna of the Uffizi” – Royal Collection, Windsor/

Johan Zoffany (1733-1810) ishte njė piktor gjerman i Neoklasikes, si piktor qe aktiv kryesisht nė Angli. Veprat e tij ndodhen nė shumė galeri tė shquara britanike, si National Gallery, Londėr, nė Tate Gallery dhe nė Royal Collection./

***
NJĖ DETAJ…/
Njė detaj interesant sa i pėrket piktorit Johan Zoffany ėshtė diē qė ka tė bėjė me kanibalizmin.
William Dalrymple paska publikuar librin “Mugalėt e Bardhė”, nė vitin 2002, (William Dalrymple, White Mughals, 2002, Penguin Books) nė tė cilin pėrshkruhen marrėdhėniet e ngrohta qė ekzistonin midis britanikėve dhe disa indianėve nė shekullin XVIII dhe fillimshekullin XIX.
Nė atė kohė njė nė tre burra britanikė nė Indi na qenka martuar me njė grua indiane.
Librin e Dalrymple vetė nuk e kam lexuar, por si info tė “kureshtisė” (aso ad hoc), sipas Enc. Britannica libri i dokumenton lidhjet ndėr-etnike midis oficerėve britanikė dhe grave indiane, si dhe kontekstin gjeopolitik tė fundshekullit XVIII nė Indi.
Dalrymple po ashtu i shqyrtuaka bashkėveprimet e Krishterimit dhe tė Islamit, duke hedhur nė pah marrėdhėniet ēuditėrisht tė brishta nė mes kėtyre dy religjioneve nė kohėt e Indisė sė atėhershme.
Nė librin e vet Dalrymple paska shkruar se piktori Zoffany pati jetuar pėr njė kohė nė Indi, gjatė kthimit nė Angli anija e tyre qe shkallmuar, aksidenti pati ndodhur diku nė ishujt Andaman. Tė mbijetuarit paskan praktikuar njė lloj “llotarie” nė tė cilėn humbėsi i rastit (ndonjėri nga marinarėt) ėshtė ngrėnė!
Dalrymple e paska pėrshkruar piktorin Zoffany tė ketė qenė “i pari dhe i fundit nga Royal Academy si njė kanibal”.
Ndėrsa sipas tė dhėnave, Zoffany paska qenė njėri nga anėtarėt themelues tė Akademisė sė Re Mbretėrore, nė v. 1769.
Nė njė artikull tė publikuar nė The Guardian, tė v. 2002 (i cili ėshtė nė linjė, me qasje tė lirė) – Review: “White Mughals: Love & Betrayal in Eighteenth Century India, by William Dalrymple“, thuhet se nė atė libėr Dalrymple argumenton qė rėnia e Perandorisė sė Mugalėve u “pasqyrua si pushtim indian i imagjinatės evropiane”, autori Pankaj Mishra ofron njė vėshtrim ekspertėsh lidhur me librin e W. Dalrymle “Mugalėt e Bardhė”.
Artikulli i P. Mishra nė The Guardian mund tė lexohet kėtu: http://www.theguardian.com/education/2002/oct/05/highereducation.books1

Filed Under: Kulture Tagged With: Pikturat me 1 "milion" detaje…

POETI I MUNGUAR

March 21, 2014 by dgreca

 Mendime rreth vëllimit poetik “Mërgata e Luleve” të poetit Albert ABAZI (HABAZAJ)/

Shkruan: MSc Petraq KOTE/ poet, kritik letrar/

…“Poet i munguar ”!/

Oh, sa pak janë si ti i dashur Abazi! Sa shumë libresk poetë që ka sot Shqipëria e më gjerë. Ti je poet që zihe me Albert Abazin! Për t’u bërë shok, mik i mirë, i shtrënjtë dhe i shenjtë i njeriut Albert Abazi, poetit shqiptar, vetëqënies dhe për rrjedhojë i shoqërisë lexonjëse, letërsisë shqiptare. Zihe, se njeriu poet, por edhe i rëndomtë që bota njerëzore e respekton, po nuk respektoi vetëveten, s’ka dhe s’mund të respektojë qytetarinë. Zihe për vlerën që shpesh e zë poshtë antivlera ndër ne zoti njeri – poet i kohës sime, grindavece dhe me kërkesa, dhe me ambicje, dhe me pështyma, dhe me baltra, dhe me vrere, dhe me të pavërteta, dhe me vrasje. Ku mbi ‘të si mbi kalë, hipën politika tinëzare shtetërore, apo injoranca përgjysmë kombëtare. Nuk ka më të tmerrshme se politika tinëzare, injoranca përgjysmë kombëtare! Ajo e ha njeriun e mirë, poetin talent, letërsinë elitare. Ajo ha shtetin vetë dhe përherë kombin.

Mirë bën.Ti vjen erë sot, i dashur. Vjen erë sot, për të ardhur erë nesër, sepse e jeton të sotmen. Dhe duke jetuar të sotmen edhe pse është dhuratë, jeton agimin e të nesërmes që është mister, enigmë. Poetët dhe misteret janë vëllezër. Të paktën llogjikisht dhe çmendurisht pranohet edhe nga psikologjia. Mirë thotë A. Shopenhauer “Ngjajmë, por jemi ndryshe”. E kush më mirë se ty zihet me vetë poetin Albert Abazi, apo poetin 2 herë A. Zihe për të qënë ndryshe edhe nga ai.

Libri yt është Ura më e gjatë e Europës. Kur e mbarova Udhë – Urën u mërzita. Mendoja mbi të 2 Romat dhe “Luanët që drejtonin Luanët ”, por mendoja dhe për 2 Iliritë.

Po ta dinte një poet italian këtë ndjesi timen, që është në të vërtetë e jotja, ka mundësi të kishim dy Udhë  – Ura sot. Një në shqip dhe tjetrën në italisht. Pra, dy  “Mërgata e Luleve “.

Dhe ti pranon i nderuar poet, i nderuar urëbërës e njëkohësisht udhëkalues:

   … “Fatkeqësinë e vjershave të mia

e kuptova kur njoha dinakërinë ”…

…Ura jote poetike që tret emrin “Mërgata e Luleve ”, vendosur mbi shpatulla e këmbë gjigante emigrante europiane që s’janë tjetër veçse këmbë urash, është urë e dhembjes. Eh, sa arkitrarë e trarë figurativë nën syrin e kilometrave të lodhur shtrihen mbi rrafshin e saj. Eh, sa gjurmë mendjesh që koha i shuan e ndez, humbin e  riduken mbi të, lidhin e zgjidhin brigjet e këputura të ngjarjeve antike, mesjetare e moderne të Perëndimit me Lindjen europiane. Jetë, atëhere ngjall libri yt në jetët e dy krahëve të Mesdheut edhe pse ecë mbi dy këmbë që s’janë paralele ose simetrike.

 …“As fis, as gjak, as farë me të s’më lidhet.

Përse dy lot në faqe më ngrinë si dy kokrra breshëri”?

Ky varg gjendet në librin “Mërgata e Luleve”, kjo frymë poezie, çdo klasë shkrimi.

Veç varg të yndyrshëm nuk ka në të, siç lexova diku në parathënie (!). Albert Abazit nuk i rrëshqet vargu. As lexonjësve, vargu i Albertit nuk u rrëshqet nga sytë. Albert Abazi ka varg pykë, gozhdë, plumb, raketë. Vargu që rrebelon nuk ka dhjamë. Dhjam ka vargu dredharak, vargu tinëzar, vargu gënjeshtar. Se vargjet janë si njerëzit që i bëjnë, si poetët. Vargu i Abazit  është varg i kockët, i vetëtimtë, i gjëmimtë. Ky është edhe shkaku  i lidhjes së këtij vargu në mënyrë permanente me vargun e shpirtit të krahinës së tij, Labërisë. Me vargun kështjellë të pa pushtuar të kombit të tij.

Vargu i Albert Abazit nuk të lëpin, nuk të jargos. Vargu i tij të trand, të rrëqeth, të sëmbon dhe të motivon për jetë.

Ai është lirik më shumë se gjithshka, por në barrikadë dhe jo i dhembjes krenare, por i dhembjes kryeneçe, sarkastike. Abazit i dhemb vetja europiane, por më shumë i dhemb vetja shqiptare:

… “Shteti im çapaçul

    Unë të dua, ti ma ngul”…

Distiku tjetër ndaj deputetit të parlamentit të vendit të tij, është gjithmonë kujtonjës dhe koherent:

… “dhe mua më ka si ujët e pakët

Dhe unë e kam si ujët e hollë”…

Abazi është epik më pak se më shumë lirik e pa perëndi. Perëndia e vargut të Albert Abazit është sigurisht e vetme. Ajo e ka emrin “Jetë ”. Sigurisht mes  poetëve vlonjatë, shqiptarë Ali Asllani, Fatos Arapi, Bardhosh Gaçe, Petrit Qejvani, Myrteza Mara, Seit Seitaj, Dalan Luzaj, Mimoza Ibrahimi, Idajet Jahaj, Hiqmet Mehmetaj, Enrieta Sinaj, është edhe poeti Albert Abazi që operon me bisturinë poetike “hapësirë ”. Edhe në ngushtësinë e flakët, syri i poezisë së tij sheh dhe prej aty nis një botë tërë kozmogonike të poetizuar e të papajtuar me sotin. Albert Abazi nuk ka pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër poetik. Ai ka vit poetik. Dimrin tek poezitë e tij e gjen edhe në palcë të korrikut të shpirtit. Dhe verën, në mes të zemrës së të janarit të shpirtit. Kjo është tërmetore. Është tërmetore se nga tërmeti jetë vjen brumi i tij poetik. Albert Abazi nuk i ka kushtuar shumë vëmendje metrikës, vëmendje i ka kushtuar kilometrikës, e cila në terminologjinë e dijes e ka emrin thjeshtë, jetë. Jetë e gjithërealtë, e gjithëshprehur, e gjithëshpirt, e gjithëkuptimt:

“Kur ma gjymtuan e prenë

 Shpirtin me gjysma brisku

 Mbolla një lule të bardhë

 Edhe për Alida Hiskun…”

Poezia e Albert Abazit nuk ka varre. Poezia e Abazit ka djepe. Bile edhe në poezitë e të tjerëve, që koha i  ka varrosur. Ai kërkon t’i rilindë, t’i rirritë e t’i nxjerrë në jetë …por s’arrin dhe ah me pshertimë:

“Retë u mbushën me lot!…”

Antikonformizmi poetik ngre krye dhe udhëheq gjithë revolucionin “Mërgata e luleve ”. “Me pahir sot…qesha pesë centimetra…” deklaron Abazi! Sikur vërtetë qeshja, gazi, hareja matet me sistemin metrikë! A s’ është gjetje Habaziane?! “Mërgata e luleve” nuk është mërgata vërtetë e luleve e transkripta e këtij togëfjalëshi është “Dhurata e luleve ”, dhurata e pasvuajtjeve e pasmbijetesës. Abazi e di mirë provebin Indian: “ Kur më mbaron jeta, nis dhe mbijetoj “! … dhe atëhere poeti deklaron:

“…Qaj me lot të njomë…”  

Ky libër është shkruar në vjet mërgimi 1998, deri në vitin e kthimit abderik 2006. Tipologjia është kolorike. Ai është një manifest që shoqëron anijen Jetë për në dy brigjet e oqeanit njerëzor Lindje – Vdekje dhe Vdekje – Lindje. Që i bie të jetë Shqipëri – Itali dhe Itali – Shqipëri. Lënda është materiali njerëzor, i cili vepron në luftën më  të gjatë të mijëvjeçarëve, më të vështirë por të bukur, “luftën për të mbetur njeri ” e më pastaj, poet…

 

Fier, 3 mars 2007 – 20. 03. 2014

 

 

 

 

TRI POEZI NGA LIBRI I POETIT ALBERT HABAZAJ (ABAZI): “Mërgata e Luleve”

 

         Të fala nga Vlora

 

Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës

Për në vise të largëta guxoj të nis,

Druhem nga tetori, muaji i vjershës

Se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks …

 

Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,

nga Vlora e Lasgushit, në Pogradecin e Asllanit,

një det me të fala po nis me gjithë mend,

se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit …

 

Është shpirti i pastër si vesë prilli

që dritëron për ç’ka Zoti ka bekuar:

të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin

me rruaza diellore zbukurar.

 

Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,

të kam rrush, shegë dhe pjeshkë …

Pikturë poetike

 

Mirë se ardhe bukuroshe, vjeshtë buzarta,

me ëmbëlsinë dashamirëse sa butë më zgjove,

si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,

pasaportë dashurie në krahë të zogjve.

 

Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën

herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;

është aroma e saj që ma deh vjershën

kur rebelohet si një Petro Marko me gërsheta.

 

Me Monalizën e Da Vinçit, më duket

Se janë dy motra të kapura për dore.

Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;

do të zihem me të, po korri hambullore …

 

 

Shirat e vjeshtës

 

Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor

vjeshtës nuk i bëra dot karantinë,

me pako të shamie, kur fshin lotët,

i zbuloj personalitetin, psikologjinë …

 

Natës, turbullohet hëna pas shiut,

pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.

Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,

hoje mjalti nga Universi derdhen.

 

Në vjeshtë dhe plaku flokë borë duket

thinjur më bukur nga të tjerët;

shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje

zgjas duart të këpus yjet e ndezur.

 

Është e pjekur vjeshta, s’mban inate

era e ftoit këndshëm i del pragut,

kur poetëria e imiton nëpër vargje

vjen papritur dimri-princ i akullt.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albet Habazaj, Shkruan: MSc Petraq KOTE/ Poeti i munguar

GJUHA AMTARE, DETYRIMI YNË I SHËNJTË PARA ATDHEUT

March 21, 2014 by dgreca

10-vetori i krijimit-Në shkollën shqipe, “Gjuha Jonë”, Filadelfia-SHBA/

Nga LLAZAR VERO*/publicist – Filadelfia, SHBA /

1.Emocionet vazhdojnë…/

Gjithmonë më ka emocionuar fillimi  i një dite mësim,i në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” të Filadelfias. Janë të njëjtat emocione, si atëhere më 7 Mars të vitit 2004, në ditën e parë të jetes së shkollës sonë, këtu në emigracion. Ishte një ditë me diell, prag pranvere.
Nuk kishte gjë më të bukur, më të gëzuar,  se sa kur sheh nxitimin  e prindërve për të arritur në kohë orën e fillimit të  mësimit!Me kënaqësi vëreje disa nëna të reja, që kishin “luftuar”  me fëmijën, që do të ndiqte klasën e parë, për ta bërë gati sa më shpejt për në shkollë. Prindërit e përkushtuar, vinin nga një orë larg udhëtimi me makinë, si Eftiqi  Hashafi e Mexhit Kobaci ose Lumni e Sahadete Shurdhiqi dhe siellnin në shkollë, çdo të diel, të dyja vajzat e tyre. Të imponojnë me të vërtetë respekt. Ata janë edhe sfida e madhe e atyre prindërve që, ndonëse shkollën e kanë te dera e shtëpisë, nuk e bejnë atë sakrificë për fëmijët e tyre a të afërmit e tyre, për gjuhën shqipe, dashurinë tonë të madhe, detyrimin tonë të shënjtë ndaj Atdheut.

Janë të bukura dhe të paharruara pritjet e fëmijëve, në hyrje të Qëndrës Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në mengjeset e të dielave. Atje do të shikosh sekretarin “veteran” të shoqatës, Vlashi Filin, kryetarin aktual të saj Sadik Elshanin dhe, sipas rradhës së shërbimit, anëtarët e tjerë të kryesisë: Llazar Veron, Ivzi Cipurin, Dritan Matrakun, Bujar Gjokën, Tajar Domin etj. Miqësor me prindërit dhe fëmijët, ata do t’i gjesh aty te dera e Qendrës Kulturore, gjatë tërë vitit shkollor.

Tashmë, fëmijët kanë ardhur, janë grumbulluar te salla e madhe e veprimtarive. Mbrapa tyre qëndrojnë prindërit.Vjen një çast solemn. Do të këndohet Himni  Kombtar i Shqipërisë.  Ndërsa ato fytyra  fëmijësh, papritmas, bëhen serioze. Këndojnë Himnin e Atdheut të prindërve, gjyshërve, të të gjithë të dashurve të tyre. Bashkë me ta këndojnë edhe prindërit. Pastaj mesueset Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Kozare Doko dhe  Adelina Ramizi, i shoqërojnën fëmijët për në klasat e tyre. Fillon një ditë e re mësimi për gjuhën shqipe.

Në pushimin e orës së pare, fëmijëve u jepet diçka për të ngrëë ose për të pirë ndonjë gotë lëng frutash etj.  Tashmë, në këtë shërbim, përveç antarëve të Kryesisë së Shoqatës, ndihmojnë edhe studentët shqiptarë të shkollave të mesme, që kryejnë shërbimin në beshkësi e që ua kërkon shkolla. Veç të tjerave, kjo është edhe një rrugë e mire,  që ata ta njohin jetën e shoqatës dhe të bshksisë sonë shqiptare.
Në jetën e shkollës, kjo është ditë e zakonshme, por në jetën e saj ka edhe shumë ditë tjera të bukura, si organizimi i festave tradicionale të Shqipërisë dhe Amerikës, përgatitjet për festivalin e këngës për fëmijë, mbyllja e vitit shkollor etj. Kësaj ngjarjeje të fundit,  Shoqata jonë “Bijtë e Shqipes”  i kushton më shumë kujdes. Për këtë ditë të gjithë fëmijët, sipas klasave dhe nën drejtimin e mësueseve, përgatitin koncertin e funvitit shkollor. Këndojnë e recitojnë fëmijët, që kur filluan shkollën, ndoshta, nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin ose edhe të flisnin rrjedhshëm në gjuhën e prindërve të tyre. Pastaj i vjen rradha ndarjes së  dëftesave, që është me të vërtetë emocionuese për të gjithë. Fëmijët, para se të marrin dëftesën në dduar, ulen në gjunjë para flamurit kombëtar shqiptar, që e mban një nxënës më i rritur, e puthin dhe e venë atë në ballë, duke thënë fjalët: ” Të falem, o Flamuri ynë!”. Përsëri vijojnë këngë e recitime, mes zërave të gëzuar të fëmijevë. Vërtetë ky është shpërblimi më i madh për ne. Vetë Shoqata jonë është përpjekur,ka fituar më shumë emër dhe nder nga shkolla, jo vetëm në Filadelfia, por edhe më gjërë.

2. Kur u hodhën hapat e parë…

Kur Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, hidhte hapat e parë, kur nuk kishte një zyrë për mbledhjet mujore të kryesisë, ajo mori nismën për hapjen e shkollës shqipe, për fëmijët e emigrantëve tanë. Duket paksa e çuditshme, por përvoja e këtyre viteve na ka treguar se, kur ke një qëllim të përbashkët, një dëshirë të bukur, bëhet e mundur realizimi i dëshirave, sado të guximshme që të jenë ato. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Ideja e hapjes së shkollës ishte ndër të parat objektiva, që Shoqata jonë i vuri vetes. Por gjithmonë duke menduar për një të ardhme jo të afërt. Ishte guximi i të riut berates, Sotiraq Pema, anëtar i Kryesisë së Shoqatës, që i dha “zjarr” kësaj ideje.  Ai ishte student i mbushur me mirësi, me shumë njohje, përherë i gatshëm për t’i ndihmuar njërëzit e një atdhetar i mirë. Në një mbledhje të kryesisë, ai i njoftoi shokët se kishte gjetur mundësinë për dy lokale mësimi, nëpërmjet sektorit të edukimit dhe çlodhjes të Kishës Katolike të Filadelfias. Drejtoreshë e këtij sektori ishte një zonjë me origjinë shqiptare, e cila u tregua e gatshme për të ndihmuar. Na dha mundësinë për të përdorur çdo të diel dy lokale, një në Northeast të Filadelfias dhe një tjetër në Upper Darby, ku ishin edhe përqëndrimet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë. Kaq u desh, për t’u dhënë zemër të gjithëve, për realizimin e dëshirës sonë të madhe – hapjes së shkollës shqipe,  në Filadelfia. U gjetën dhe mësueset, që do të punonin vullnetarisht me fëmijët. Ishin dy zonjat korcare, Mirela Qirici dhe  Luliana Toshi, me përvojë në mësimdhënie. Pastaj edhe një tjetër nga Fieri, znj. Mirjana Kina, për degën e shkollës në Northeast të Filadelfias. Për degën e Upper Darbit dolën vullnetarë, antarja e kryesisë së Shoqatës znj. Elvira Budo, mësuesi dhe poeti fierak Sotiraq  Binjaku dhe mësuesja nga Korça, Mimoza Priftanji.

U shtrua pyetja: Po librat, si do të gjinden? Vepruam në dy drejtime, nëpërmjet ambasadës sonë në Uashington dhe njohjeve  tona vetjake.  Mësues Sotiraq Binjaku, nëpërmjet një miku të tij biznesmen në Fier, z. Agim Qelibashi, na siguroi një sasi të mirë abetaresh dhe libra leximi. Ambasada jonë, nëpërmjet zëvendësambasadorit tonë në Uashington, z.Gjergj  Gaçe, ditën e përurimit të shkollës na solli edhe një sasi tjetër  tekstesh mësimorë. Ishin 84 fëmijë, nga të dy qendrat e shkollës shqipe, që u bashkuan atë ditë, për përurimin e ditës së parë të mësimit në gjuhën shqipe, në ndërtesën e Qendrës Sociale të Kishës Katolike, në adresën 7340 Jakson Str. në Northeast të Filadelfias.

Ishte një ditë e mbushur me emocione për të gjithë, si për organizatorët dhe prindërit, nxënësit dhe mesuesit, për të gjithë bashkatdhetarët e tjere e të ftuarit.  Çdo fjalë ishte e ngarkuar me emocione dhe dashuri. U kënduan këngë dhe u recituan vargje të poetëve të Rilindjes, që i dhanë dritë gjuhës shqipe, e nxorën atë nga errësira e shekujve, për të  ardhur në ditët tona, kaq e bukur dhe e dashur. Para fillimit të mësimit, kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane “Bijtë e Shqipes”, prof. dr. Xhorxh Ziu, u shpërndau fëmijëve abetaret e para. Nga brezi i vjetër i mërgimtarëve e mori fjalën, atdhetari i palodhur, në ndihmë të bshksisë shqiptare, z.Alban Merolli. Pastaj folën mësues e bashkatdhetërë të tjerë.Të gjithë donin të flisnin e të thoshnin një fjalë të mirë për shkollën tonë.   Një zonjë nga Skrapari, Lindita Hyska, që i kishte sjellë të dy fëmijët në shkollë, shprehu gatishmërinë për të qënë edhe ajo një nga mësueset vullnetare të shkollës. Të gjithë atë ditë a uronin me zemër  rrugë të mbarë shkollës shqipe në Filadelfia. Dhe vërtetë nisi mbarë dhe vazhdon mbarë. Brenda pak ditësh erdhën përshëndetje nga emigrantët shqiptarë në Europa dhe në Australi. Shkrimtari i njohur dhe tashmë miku i Shoqatës, Naum Prifti na dërgoi dhuratë disa pako të librit të tij për fëmijë ,”Pas Abetares”. Prof. Sejfi Protopapa, që në vitin e dytë të shkollës dhe më pas na dërgonte nga 1000 dollarë, për të ndihmuar shkollën. Në letrën e parë shoqëruese të çekut na nxiste me fjalët e mënçura, se “atë që po bëni ju për fëmijët shqiptarë, në mos ua ditshin prindërit dhe fëmijët, do t’ua dijë Zoti”.
Gjithnjë e kujtojmë me mall dhe respekt, atë ditë të parë të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia. Ishte 7 Marsi i vitit 2004. Datë e shënuar për shkollën shqipe. Ishte rastësi apo një bekim?  Sido që të jetë,  na pëlqen kur e kujtojmë. Është shënjë nderimi dhe përkushtimi  për historinë e shkollës shqipe. Kur je  emigrant, kjo ndjenjë merr një forcë të veçantë, deri në kufijtë e shënjtërimit.  Nuk e teproj aspak, me këto fjalë. Për kryesinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për të gjithë anëtarët e saj, për mësuesit, për nxënësit dhe prindërit e tyre, ka fituar me të vërtetë   një respekt të tillë.   Është e vërtetë, se  Shoqata jonë e ngriti shkollën, por shkolla shqipe i ka dhënë asaj  më shumë emër dhe respekt, jo vetëm në Filadelfia, por edhe më gjerë. Shumë përpjekje janë bërë nga bashkatdhetarët edhe më parë këtu, për ngritjen e shkollës shqipe. Një ndër më të vonët ka qenë edhe veprimtari i palodhur i bashkasisë  shqiptare në këtë qytet, i ndjeri Hasan Risilia. I ruajmë me nderim në arkivin e Shoqatës fletoret e tij, me emrat e nxenësve, të cilat e ndoqën për disa kohë shkollën, që hapi ai.

3. Vazhdimësi…

U mbushën mbi dhjetë vjet, nga dita e parë e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia. Dhe pa e ndërprerë asnjëherë punën, përpjekjet  për të krijuar kushte sa më të mira për fëmijët, mësuesit e pse jo edhe për prindërit. Kjo u bë e mundur  pas dhuratës prej 64 mijë dollarësh, që dha familja Risilia, për blerjen e ndrtesës së Qëndrës Kulturore të Shoqatës. U punua shumë nga kryesia e saaj, nga bashkatdhetarë të ndryshëm, për kthimin e ndërtesës në një qëndër kulturore, ku kishim hapësira të mjaftueshme edhe për klasat e shkollës sonë. Më vonë, në oborrin e pasëm të ndërtesës ngritëm, hap pas hapi, një local-kafene për bashkasinë tonë dhe ku prindërit e nxënësve mund të prisnin, sa të mbaronte mësimi.

U mbushën dhjetë vjet të shkollës sonë  dhe gjatë këtyre viteve  nëpër dyert e saj kanë kaluar shumë fëmijë. Por edhe mësueset e para, pasi shërbyen disa vite me radhë, janë larguar, duke lenë pas respektin e mirënjohjen e fëmijëve dhe prindërve, të të gjithë bashkësisë shqiptare të Filadelfias. Mësuese të tjera me përvojë kanë ardhur, që punojnë me  përkushtim dhe dashuri me fëmijët,   për t’u mësuar atyre gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.   Të tilla janë Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Irini  Zenelaj, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Adelina Ramizi e të tjera. Ato kanë qenë mësuese edhe në Shqipëri ose punojnë në këtë profesion të nderuar edhe këtu në Amerikë. Kjo shkollë e këta fëmijë u kujtojnë atyre vitet e bukura të mësuesisë në Atdhe. Është një pikë lidhjeje, një vazhdimësi, që çdokush nga ne do ta dëshironte.
Të gjithë këto vite janë të mbushur me kujtime dhe mbresa të bukura. Nxënësit e parë të shkollës, më të rriturit kanë mbaruar kolegjet, të tjerë jane në vitet e fundit të shkollave të mesme dhe përgatiten për të shkuar në kolegje.  Shkolla Shqipe  “Gjuha Jonë”, tanimë, ka një histori, ka se çfarë të tregojë.
Nuk ka qenë e lehtë asgjë, në këto dhjetë vjet. Një nga problemet kryesore mbetet sigurimi i teksteve mësimore. Qeveritë shqiptare nuk e vinin shumë “ujin në zjarr” për këtë problem. Por edhe kur jepnin libra, duhej që ne vet të shkonim dhe t’i merrnim në Tiranë. E paçmuar ka qenë ndihma, që na ka dhënë anëtarja e shoqatës, znj. Yllka Furxhiu, me fotokopjimet e librave. Rrugën e saj po e ndjek një zonjë tjetër e nderuar, Brunilda Matraku. Pas këtyre shëmbujve të mirë, i bëjmë shpesh pyetjen vetes, se sa shumë mund të na ndihmonin bashkatdhetarët tanë, po të kishin dëshirën për të bërë diçka të mirë për shkollën, për bshkasinë tonë.
Ndiejmë kënaqësi të natyrshme për punën e përkshtuar, që kemi bërë dhe bëjmë me shkollën shqipe, këtu në Filadelfia. Është  vërtetë e bukur të punosh për gjuhën shqipe, larg Atdheut tënd, që fëmijët tanë të mos e humbasin gjuhën e të parëve. Por, të themi të vërtetën, nuk jemi të kënaqur sa duhet. Në Filadelfia jetojnë më shumë se 25.000 bashkatdhetarë, pra sa një qytet shqiptar i zakonshëm. Të gjithë e marrin me mend, se sa fëmijë mund të kishim në shkollën ose shkollat tona të gjuhës shqipe. Por, në fakt, ne nuk i bëjmë dot as një qind nxënës, në shkollën tonë. Na hidhëron çdo fëmijë, që largohet nga shkolla. Shtrohet pyetja e natyrshme: A kemi edhe ne, si Shoqatë, përgjegjësi? Patjetër që kemi pjesën tonë. Po prindi, nëna e babai i fëmijës, nuk ka përgjegjësi?! Çfarë t’i them asaj nënës së re, që e sjell fëmijën në shkollë, për disa javë dhe, si për t’u “mburrur“, thotë se fëmija nuk di asnjë fjalë shqip!?  Po në shtëpi, çfarë gjuhe flisni, e pyesim ne. Anglisht, përgjigjet ajo me seriozitet, me nje anglishte të vajtueshme.  Disa prindër të tjerë mundohen të shfajësohen,  se mësimi i shqipes i “pengon” në mësimin e anglishtes?! Po kjo është vetëm një “teori shqiptare” kjo, sepse shkenca e vërtetë e ka vertetuar , se truri i fëmijës mund të mësojë, lirshëm, më shumë se një gjuhë të huaj. Të tjerë thonë se janë të zenë me punë dhe nuk mund t’i sjellin fëmijët në shkollë të dielave, kur ndërkohë i shikon nëpër kafene, ndërsa  të tjerë… T’i lemë përligjiet e kota, se vetëm është çështje mendësie.

Në mbledhjet, që bëjmë me prindërit, u flasim shpesh për rëndësine e të mësuarit të gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre. Populli ynë, prindërit tanë, nuk e kanë përbuzur kurrë gjuhën e huaj, por   dhe nuk e ka lënë “mbas dere”, gjuhën shqipe. Dihet se ajo ka një pasuri fonetike,  që nuk bëhet pengesë për mësimin e gjuhëve të huaja. Morfologjia dhe sintaksa e gjuhës shqipe është kaq e pasur, sa qëndron krenare edhe para gjuhëve më të zhvilluara. Atëhere, ku i ka rrënjët kjo mendësi e gabuar e disa prindërve të rinjë emigrantë, për nënvlerësimin e gjuhës shqipe? Disa e shpjegojnë me mendësinë e këtyre prindërve, gjoja, për t’u bërë shpejtë amerikanë, gjermanë, italianë e kështu me radhë, për t’u bërë qytetarë të Botës moderne. Por ruajtja e gjuhës amtare nuk është çështje mode, shijesh, zgjedhjesh,  por është pjesë e identitetit, e karakterit dhe kulturës bashkëkohore.  Kudo dhe kushdo, që të jesh, nuk mund dhe nuk duhet t’i mohosh prindërit e tu, vendin ku ke lindur  ose gjuhën amtare. Asnjë shqiptar(e) i(e) vërtetë, nuk i pranon dhe as nuk duhet t’i pranojë këto  të fundit..

4. E papritura e bukur, e këtij viti arsimor

Në shtatorin e kaluar, të këtij viti arsimor, shkollës sonë iu shtua edhe një klasë “speciale”. Tri vajza të reja amerikane, të fejuara ose të martuara me djemë shqiptarë, kërkuan të regjistroheshin në shkollën tone, për mësimin e gjuhës shqipe. Ato ishin Joyce Zeka, Megan Pajollari dhe Lisa Blasz.  Ky hap i tyre ishte në shënjë respekti për bashkëshortët, për djemtë shqiptarë dhe të afërmit e tyre. Ishte me të vërtetë një gjë e bukur. Këtyre vajzave iu shtua edhe një çift amerikan, John dhe Teresa Graeff.  I pari është pastor në një kishë, ku shkojnë mjaft shqiptarë, ndaj ai dhe e shoqja e ndjenin të nevojshme komunikimin në shqip me ata.  Kryesia e Shoqatës caktoi mësues të tyre anëtarin e kryesisë, z.Ivzi Cipuri, veprimtar i palodhur, i cili ka mbaruar për anglisht, në Tiranë dhe mbrojti masterin, në këtë gjuhë edhe këtu, në Amerikë. Kjo ishte zgjidhja më e mirë e problemit. Ata janë të vëmëndshëm dhe mjaft të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe, sa më mirë dhe shpejt. Dallohen, sidomos, Joyce dhe Teresa për zellin dhe punën këmbëngulëse që bëjnë, por edhe Megan e John nuk qëndrojnë pas. Nuk është e lehtë kjo punë edhe për mësues Ivziun, pasi dendësia e punës është e madhe. Amerikanët duan ta mësojnë shpejt gjuhën shqipe.
Tani shkolla jonë është më e pasur, më e madhe dhe më e bukur.Ndjehemi krenarë për ç’ka është arritur ,por kërkojmë më shumë. Ky dhjetëvjetor, i Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, na nxitë për të bërë edhe më shumë, në të ardhmen. Se ai përkoi me ditën e madhe të Shkollës Kombëtare Shqipe – 7 Marsin dhe Ditën Ndërkombëtare të Grave.  Në festën e madhe, që organizohet çdo vit nga Shoqata jonë, me rastin e këtyre festave, mësueset e shkollës sonë kanë vendin e nderit.  Sivjet, u ftuan të gjitha mësueset, që kanë shërbyer qyshë në ditën e parë të jetës së shkollës sonë. Ato janë: Luliana Toshi, Elvira Budo, Mirela  Qirici, Mirjana Kina, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko, Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Irini Zenelaj, Adelina Ramizi, Kësmete Begollari.Nga të gjithë prindërit dhe fëmijët, që mësuan të lexojnë, shkruajnë dhe flasin shqip në këtë shkollë, nga kryesia e Shoqatës sonë, bashkë me tufat e luleve, ato marrin edhe një falenderim të madh, për punën e përkushtuar, të bukur dhe të shënjtë të mësueseve të gjuhës shqipe, larg Atdheut.

Filadelfia-SHBA, mars 2014

* E dergoi per Diellin- Murat Gecaj/

 

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 338
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT