Institucionet Arsimore “Turgut Ozal” me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, organizuan sot Festivalin Kulturor Ndërkombëtar të Rinisë, edicioni i parë.Ky event mbarëkombëtar, që ka edhe suportin e Universitetit Epoka, Universitetit të Arteve dhe MIST (Memorial International Shcool of Tirana), do të përfshijë jo vetëm pjesë të kulturës e traditës shqiptare por edhe më gjerë, duke çelur një dritare të madhe kulturore në rajonin tonë.
Pjesë të ndryshme muzikore, këngë, kërcime dhe pjesë poetike, shoqëroi të pranishmit për rreth dy orë në Pallatin e Kongreseve. Festivali u prezantua nga çifti simpatik Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi. Festivali Kulturor Ndërkombëtar vjen në vazhdën e festivaleve ndërkombëtare të muzikës, gjuhës dhe letërsisë organizuar nga të rinjtë në rreth 160 vende të botës nga shkollat simotra të Institucioneve Arsimore “Turgut Ozal”.
Këto festivale janë mundësia më e mirë për të ndarë e përjetuar sëbashku kultura, gjuhë e tradita të ndryshme, bazuar në harmoninë, tolerancën e mirëkuptimin. Vetëm në këtë mënyrë, një botë e re do të lindë në marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore mes popujve, feve dhe kulturave. Festivali synon të sjellë në Tiranë vëmendjen e të rinjve të rajonit tonë.
Por një qëllim parësor është edhe përcjellja e vlerave të rinisë shqiptare, dëshirave dhe pritshmërive të tyre drejt këtyre vendeve por edhe drejt Bashkimit Evropian, ku Shqipëria dëshiron dhe do të jetë anëtarë në të ardhmen e afërt. Institucionet arsimore “Turgut Ozal” ose njohur ndryshe si Kolegjet Turke kanë një të shkuar tashmë 21 vjeçare në vendin tonë.
Ato gjatë këtyre dy dekadave dhe tashmë në dekadën e trerë, kanë punuar për të sjellë më të mirën në fushën edukative-arsimore për të rinjtë shqiptarë. Këto shkolla janë tashmë një markë e pranuar ndërkombëtarisht e vendit tonë. Institucionet arsimore “Turgut Ozal” dhe Universiteti Epoka, falënderojnë të gjithë bashkëpunëtorët në organizimin e një eventi të tillë ndërkombëtar, dhe në veçanti Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.