Mendime rreth vëllimit poetik “Mërgata e Luleve” të poetit Albert ABAZI (HABAZAJ)/
Shkruan: MSc Petraq KOTE/ poet, kritik letrar/
…“Poet i munguar ”!/
Oh, sa pak janë si ti i dashur Abazi! Sa shumë libresk poetë që ka sot Shqipëria e më gjerë. Ti je poet që zihe me Albert Abazin! Për t’u bërë shok, mik i mirë, i shtrënjtë dhe i shenjtë i njeriut Albert Abazi, poetit shqiptar, vetëqënies dhe për rrjedhojë i shoqërisë lexonjëse, letërsisë shqiptare. Zihe, se njeriu poet, por edhe i rëndomtë që bota njerëzore e respekton, po nuk respektoi vetëveten, s’ka dhe s’mund të respektojë qytetarinë. Zihe për vlerën që shpesh e zë poshtë antivlera ndër ne zoti njeri – poet i kohës sime, grindavece dhe me kërkesa, dhe me ambicje, dhe me pështyma, dhe me baltra, dhe me vrere, dhe me të pavërteta, dhe me vrasje. Ku mbi ‘të si mbi kalë, hipën politika tinëzare shtetërore, apo injoranca përgjysmë kombëtare. Nuk ka më të tmerrshme se politika tinëzare, injoranca përgjysmë kombëtare! Ajo e ha njeriun e mirë, poetin talent, letërsinë elitare. Ajo ha shtetin vetë dhe përherë kombin.
Mirë bën.Ti vjen erë sot, i dashur. Vjen erë sot, për të ardhur erë nesër, sepse e jeton të sotmen. Dhe duke jetuar të sotmen edhe pse është dhuratë, jeton agimin e të nesërmes që është mister, enigmë. Poetët dhe misteret janë vëllezër. Të paktën llogjikisht dhe çmendurisht pranohet edhe nga psikologjia. Mirë thotë A. Shopenhauer “Ngjajmë, por jemi ndryshe”. E kush më mirë se ty zihet me vetë poetin Albert Abazi, apo poetin 2 herë A. Zihe për të qënë ndryshe edhe nga ai.
Libri yt është Ura më e gjatë e Europës. Kur e mbarova Udhë – Urën u mërzita. Mendoja mbi të 2 Romat dhe “Luanët që drejtonin Luanët ”, por mendoja dhe për 2 Iliritë.
Po ta dinte një poet italian këtë ndjesi timen, që është në të vërtetë e jotja, ka mundësi të kishim dy Udhë – Ura sot. Një në shqip dhe tjetrën në italisht. Pra, dy “Mërgata e Luleve “.
Dhe ti pranon i nderuar poet, i nderuar urëbërës e njëkohësisht udhëkalues:
… “Fatkeqësinë e vjershave të mia
e kuptova kur njoha dinakërinë ”…
…Ura jote poetike që tret emrin “Mërgata e Luleve ”, vendosur mbi shpatulla e këmbë gjigante emigrante europiane që s’janë tjetër veçse këmbë urash, është urë e dhembjes. Eh, sa arkitrarë e trarë figurativë nën syrin e kilometrave të lodhur shtrihen mbi rrafshin e saj. Eh, sa gjurmë mendjesh që koha i shuan e ndez, humbin e riduken mbi të, lidhin e zgjidhin brigjet e këputura të ngjarjeve antike, mesjetare e moderne të Perëndimit me Lindjen europiane. Jetë, atëhere ngjall libri yt në jetët e dy krahëve të Mesdheut edhe pse ecë mbi dy këmbë që s’janë paralele ose simetrike.
…“As fis, as gjak, as farë me të s’më lidhet.
Përse dy lot në faqe më ngrinë si dy kokrra breshëri”?
Ky varg gjendet në librin “Mërgata e Luleve”, kjo frymë poezie, çdo klasë shkrimi.
Veç varg të yndyrshëm nuk ka në të, siç lexova diku në parathënie (!). Albert Abazit nuk i rrëshqet vargu. As lexonjësve, vargu i Albertit nuk u rrëshqet nga sytë. Albert Abazi ka varg pykë, gozhdë, plumb, raketë. Vargu që rrebelon nuk ka dhjamë. Dhjam ka vargu dredharak, vargu tinëzar, vargu gënjeshtar. Se vargjet janë si njerëzit që i bëjnë, si poetët. Vargu i Abazit është varg i kockët, i vetëtimtë, i gjëmimtë. Ky është edhe shkaku i lidhjes së këtij vargu në mënyrë permanente me vargun e shpirtit të krahinës së tij, Labërisë. Me vargun kështjellë të pa pushtuar të kombit të tij.
Vargu i Albert Abazit nuk të lëpin, nuk të jargos. Vargu i tij të trand, të rrëqeth, të sëmbon dhe të motivon për jetë.
Ai është lirik më shumë se gjithshka, por në barrikadë dhe jo i dhembjes krenare, por i dhembjes kryeneçe, sarkastike. Abazit i dhemb vetja europiane, por më shumë i dhemb vetja shqiptare:
… “Shteti im çapaçul
Unë të dua, ti ma ngul”…
Distiku tjetër ndaj deputetit të parlamentit të vendit të tij, është gjithmonë kujtonjës dhe koherent:
… “dhe mua më ka si ujët e pakët
Dhe unë e kam si ujët e hollë”…
Abazi është epik më pak se më shumë lirik e pa perëndi. Perëndia e vargut të Albert Abazit është sigurisht e vetme. Ajo e ka emrin “Jetë ”. Sigurisht mes poetëve vlonjatë, shqiptarë Ali Asllani, Fatos Arapi, Bardhosh Gaçe, Petrit Qejvani, Myrteza Mara, Seit Seitaj, Dalan Luzaj, Mimoza Ibrahimi, Idajet Jahaj, Hiqmet Mehmetaj, Enrieta Sinaj, është edhe poeti Albert Abazi që operon me bisturinë poetike “hapësirë ”. Edhe në ngushtësinë e flakët, syri i poezisë së tij sheh dhe prej aty nis një botë tërë kozmogonike të poetizuar e të papajtuar me sotin. Albert Abazi nuk ka pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër poetik. Ai ka vit poetik. Dimrin tek poezitë e tij e gjen edhe në palcë të korrikut të shpirtit. Dhe verën, në mes të zemrës së të janarit të shpirtit. Kjo është tërmetore. Është tërmetore se nga tërmeti jetë vjen brumi i tij poetik. Albert Abazi nuk i ka kushtuar shumë vëmendje metrikës, vëmendje i ka kushtuar kilometrikës, e cila në terminologjinë e dijes e ka emrin thjeshtë, jetë. Jetë e gjithërealtë, e gjithëshprehur, e gjithëshpirt, e gjithëkuptimt:
“Kur ma gjymtuan e prenë
Shpirtin me gjysma brisku
Mbolla një lule të bardhë
Edhe për Alida Hiskun…”
Poezia e Albert Abazit nuk ka varre. Poezia e Abazit ka djepe. Bile edhe në poezitë e të tjerëve, që koha i ka varrosur. Ai kërkon t’i rilindë, t’i rirritë e t’i nxjerrë në jetë …por s’arrin dhe ah me pshertimë:
“Retë u mbushën me lot!…”
Antikonformizmi poetik ngre krye dhe udhëheq gjithë revolucionin “Mërgata e luleve ”. “Me pahir sot…qesha pesë centimetra…” deklaron Abazi! Sikur vërtetë qeshja, gazi, hareja matet me sistemin metrikë! A s’ është gjetje Habaziane?! “Mërgata e luleve” nuk është mërgata vërtetë e luleve e transkripta e këtij togëfjalëshi është “Dhurata e luleve ”, dhurata e pasvuajtjeve e pasmbijetesës. Abazi e di mirë provebin Indian: “ Kur më mbaron jeta, nis dhe mbijetoj “! … dhe atëhere poeti deklaron:
“…Qaj me lot të njomë…”
Ky libër është shkruar në vjet mërgimi 1998, deri në vitin e kthimit abderik 2006. Tipologjia është kolorike. Ai është një manifest që shoqëron anijen Jetë për në dy brigjet e oqeanit njerëzor Lindje – Vdekje dhe Vdekje – Lindje. Që i bie të jetë Shqipëri – Itali dhe Itali – Shqipëri. Lënda është materiali njerëzor, i cili vepron në luftën më të gjatë të mijëvjeçarëve, më të vështirë por të bukur, “luftën për të mbetur njeri ” e më pastaj, poet…
Fier, 3 mars 2007 – 20. 03. 2014
TRI POEZI NGA LIBRI I POETIT ALBERT HABAZAJ (ABAZI): “Mërgata e Luleve”
Të fala nga Vlora
Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës
Për në vise të largëta guxoj të nis,
Druhem nga tetori, muaji i vjershës
Se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks …
Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,
nga Vlora e Lasgushit, në Pogradecin e Asllanit,
një det me të fala po nis me gjithë mend,
se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit …
Është shpirti i pastër si vesë prilli
që dritëron për ç’ka Zoti ka bekuar:
të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin
me rruaza diellore zbukurar.
Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,
të kam rrush, shegë dhe pjeshkë …
Pikturë poetike
Mirë se ardhe bukuroshe, vjeshtë buzarta,
me ëmbëlsinë dashamirëse sa butë më zgjove,
si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,
pasaportë dashurie në krahë të zogjve.
Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën
herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;
është aroma e saj që ma deh vjershën
kur rebelohet si një Petro Marko me gërsheta.
Me Monalizën e Da Vinçit, më duket
Se janë dy motra të kapura për dore.
Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;
do të zihem me të, po korri hambullore …
Shirat e vjeshtës
Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor
vjeshtës nuk i bëra dot karantinë,
me pako të shamie, kur fshin lotët,
i zbuloj personalitetin, psikologjinë …
Natës, turbullohet hëna pas shiut,
pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.
Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,
hoje mjalti nga Universi derdhen.
Në vjeshtë dhe plaku flokë borë duket
thinjur më bukur nga të tjerët;
shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje
zgjas duart të këpus yjet e ndezur.
Është e pjekur vjeshta, s’mban inate
era e ftoit këndshëm i del pragut,
kur poetëria e imiton nëpër vargje
vjen papritur dimri-princ i akullt.