• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË POEZI NGA SHKRIMTARI AMERIKAN NË KUJTIM TË AVNI MULAJ NË 4 VJETORIN E IKJES….

February 3, 2014 by dgreca

Nga Pirro DOLLANI/ Las Vegas/ Nevada/

Në këtë fotografi janë bashkë: Nga e djathta; Bashkëshortët Avni Mulaj me Teutën, shkrimtari Hart Wegner(ju kujtojmë se Wegner është autor i librit”Vdekja e fjalës së shkruar) dhe Pirro Dollani, që pati mirësinë ta dërgonte fotografinë dhe poezinë në DIELLI(te perkthyer nga Arian Leka), në kujtim të mikut të tij të mirë, Avni Mulaj. Me 4 shkurt mbushen 4 vjet nga ikja e Avni Mulaj.Le të shërbejë kjo poezi e sjellë në gjuhën shqipe nga ARIAN LEKA e shkruar nga një shkrimtar amerikan, si homazh nderimi dhe kujtese. I përjetshëm kujtimi i poetit, dramaturgut, përkthyesit-Avni MULAJ!

HART WEGNER

Gjaku

Kushtuar poetit Avni Mulaj

Fotot e një shkolle

mes fushave,

anuar, flakur tej

në muzgun e mëngjesit

si vrasja përpara agimit.

Për të mos u kujtuar kurrë më

pas varrosjes së fëmijëve

të masakruar

dhe pasi vargani i karrocave të zeza

ta marrë kthesën butësisht.

Falja është harrim

fillimisht prej kafshëve –

kështu përfytyrojmë,

duke e pandehur veten

më të lartë dhe më të thellë

në dhëmbje dhe në dashuri

se sa qeni

që mbikëqyr rrugën

se sa lopa që ulet për t’u mjelë

dhe se macja që pret  dorën përkëdhelëse.

Vetëm pas kësaj presim harrim edhe prej njerëzve.

Por në fund

edhe prej tokës së dashur

të ndoturës dhe të përdhosurës,

të trazuarës

se gjaku këlthet

prej dhéut të çarë

dhe nga ajo që nesër do të jetë lëndinë.

Në 2 tetor 2006, në dhomën e vetme që shërbente si klasë në Nickel Mines të Pensilvanisë, dikush hyri në klasë dhe qëlloi mbi nxënëset: plagosi pesë dhe pesë vdiqën. Mënyra si reaguan Amishët befasoi çdo njeri: ata, jo vetëm e falën vrasësin, i cili pas krimit u vetëvra, por shkuan ne familjen e tij për ta ngushëlluar. Në fotografitë e kortezhit mortor, që shoqëruan lajmin, në vend të makina shihen karroca me kuaj. Kjo vshtë një skenë tipike e Amishëve që e nënçmojnë jetën modern. Ndërtesa e shkollës, përskuqur nga gjaku i fëmijëve nuk u pastrua që t’ua rikujtonte tragjedinë. Kështuqë, në mbrëmjen e 12 tetorit, buldozierët e rrafshuan ndërtesën e shkollës, duke e shndërruar atë mjedis në një lëndinë të gjelbëruar. Titulli i poezisë i referohet krimit të parë, vrasjen e Abelit nga  Kain. Në tekstin e Zanafillës, 4:10, Zoti e pyeti vrasësi: “Po çfarë bëre kështu?! Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.” Dheu i ndotur, i pakënaqur që ai vend I përgjakur po kthehej në një lëndinë. . .(Pergatiti per DIELLIN: PIRRO DOLLANI)

Filed Under: Kulture Tagged With: Hart Wegner, Nje poezi nga shkrimtari amerikan, per Avni Mulaj, Pirro Dollani, Teuta Mulaj

GRUAJA QË E VLERËSUAN SI :”MUSINE KOKALARI E VLORËS”

February 3, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

1.

Në portretin e një mjeshtre  të madhe të penës,shqyrton qartazi tre cilësi:Grua e paepur me vullnet të çeliktë .Grua e ndjeshme në lëvizjen feministe. Grua që me pasion  shtroi udhën e saj letrare  duke kaluar përmbi urat, që kishin shtruar më parë burrat  e këtij vendi. Vilhelma Vranari Haxhiraj i përshtatet thënies  ku Osho.R ( një mistik indian dhe mjeshtër shpirtëror) për femrën ka shkruar:Gjithë historia e burrave është histori dënimi grash nga gjithë shoqëritë, kulturat, religjionet. Mes gjithë qenieve më të mëdha njerëzore që ecën mbi tokë nuk ka ,asnjë që respektoi gruan. Moisiu, Jezusi, Muhamedi, Mahavira madje edhe Buda i kanë dënuar femrat në një mënyrë apo tjetrën…

2.

Nëse gratë janë tolerante në jetën e tyre të përditshme,nëna të mira të dhembshura,ato konkurrojnë denjësisht me burrat ,ato nuk kryejnë vrasje thotë mistiku dhe janë jashtë kësaj loje vdekje, do të kishim një botë më të bukur nëse gratë, gjysma e botës, do të lejoheshin të zhvillonin talentet e tyre.

Ardhja e një talenti shquhet qysh në mjegullinat e kohë-formimit të tij. Për rrugëtimin e gjatë ,sfilitës të Vilhelma Vranari Haxhiraj janë dashur vite të gjata shtegtimi dhe provës së madhe,mundimit rraskapitës sepse vetëm një krijues e njeh mirë çdo të thotë të krijosh ku energjia pozitive shpalos vlerat  e vërteta dhe merr jetë,në fund një fryt i ardhur nga net-ditët  krijimi,vepra që mbetet gjithsesi,sepse krijuesi botës do ti mungojë,kurrsesi krijimi i tij. Mjeshtrja e madhe e  penës Vilhelma Vranari Haxhiraj ka absorbuar  shumë nga kjo jetë,prandaj ka mijëra fletë nga vepra e saj prej 30 librash të botuara.

3.

Rrëfimi zë fill në kohët e para të pasluftës së dytë të përbotshme. Ndonëse ngjarja fillesën e ka në aeroportin shqiptar të Rinasit në kohët e viteve ’90, atëherë kur vendi ynë  kërkonte shtigje të reja për dimesionimin e tij në botën e qytetëruar. Këndvështrimi i Vranari është dhe mbetet tejet realist .Halli i shqiptarëve përball ambasadave të huaja, radhët e tyre të gjata,sfilitëse,mundi dhe tortura e tyre si dhe mijëra euro që xhironin nëpër kanalet e fshehta të ambasadave duke u ngritur sinorë shqiptarëve,Ne kemi përjetuar këtë realitete të dhimbshëm,ku shqiptarët gdhiheshin në radhë. Ky realitet kur Evropa ngrinte gardhe karshi shteteve të saj ishte një mënyrë  e pastër korrupsioni ku shtetarët e këtyre ambasadave pasuroheshin nga shqiptarët që hiqnin para nga buka e fëmijëve për të shkuar emigrantë. Ura,që na lidhte me Evropën kullonte flori i indeksuar në euro dhe dollarë,ajo ishte ura e madhe gjigante korrupsionit,  e padukshme. Por kjo urë e fshehtë ishte munduar të është e   përhershmeprandaj konsujt e huaj  raportonin diku në qendrat e tyre se këtu krimi,korrupsioni dhe trafiku  të kujtonin Afrikën. Një ide tjetër që nxjerr nga leximi i veprës së Vranarit është edhe koha kur Shqipëria e sapo dalë nga  lufta .Kam të konservuar një fabul . Kur dolën nga lufta ,menduan si ta gëzonin popullin e tyre ,prandaj  si dhuratë i ndërtuan një burg të madh,hijerëndë e madhështor. Kjo i gëzoi shtetasit e varfër që shkonin karshi godinës       ku rajvizim në portret. Fytyra regëtinte .Trupi flinte,mëndja dremiste. Deshifrimi:Ekzistenca  e saj i nxiste të kërkonin shpjegim:Ç’është kjo dhe përse është bërë?Përgjigja erdhi shkoqur: Ku është parë rrethim ,pa të rrethuarit brenda tij?Për të mbyllur njerëzinë në errësirë etj, u bënë plane dhe u shujtën mijëra vetë…

4.

Cfarë përcjell Vranari për gruan si një qenie njerëzore,delikate ,mëndjellohë,të kulturuar etj etj.Gjykoj, që rrëfimi mund të ketë lindur nga histori të patretura dhimbjesh ku  fjalët, gjuha, poezia,melodia e gjithçka është e patregueshme.Gratë shqipëtare të  paslufte. Ngjarjet vendosen në Mirditë dhe më tej në Shkodrën loce,qytetin e diturës dhe kulturës të njohur edhe për humorin  finë, pra ishte koha kur gratë në ato kohëra paslufte përpiqeshin të silleshin si meshkujë jo vetëm si visheshin si  jetonin,komunikonin por ato morrën përsipër barrën e rëndë që duhet për të mbajtur të paprishur familjen në kushtet e vështira ekonomike të krizës së frikshëm. Ç`ishte gjithë ai ankth? Përse vallzonin me aq çmenduri në atë endje të gjatë rropatjet dhe punesat e panumërta?Mërgimi i shtyllës së shtëpisë drejt qiellit. Rajvizonin pambarimisht endje  drejt kohëikjes në konstelacionin ferr-parajsë dhe mundimet për të frenuar të keqen, që kishte zënë të mahisej. Çfarë mund të bënte një grua e vetme me 5 fëmijët,që presin radhën për të rritur. Personazhet si Rozafa,Nora,Shota,Nikolini mendoj se janë skalitur sipas portretizimit real që autorja besoj e ka gjetur në ndonjë rrëfim real nga jeta e një familje të vuajtur shkodrane në sistemin  50 vjeçar. Rrëfimi në vetën e parë mbetet interesant dhe tregon një pjekuri të autores duke gdhendur portrete që shkojnë nga lumturi, në trishtim. Përse veprat letrare ndikojnë forcërisht në jetën e shoqërisë?Nëse në tre mijë vjet  janë bërë pesë mijë luftëra thotë një studiues, këto i përkasin mendjes mashkullore,po të kishte liderë femra kuptohet që bota do të ishte krejt ndryshe. Nëse nderohet femra duhet kuptuar se prej mjegullinave të hirta të saj kemi ardhur në këtë jetë,nga  bota e hiçit dhe nga mëndja femërore bota vetëm ndriçohet dhe lulëzon. Autorja V.V.Haxhiraj në këtë vepër si dhe në shumicën e veprave të saj rrëfen botën femërore ,prandaj kurba e suksesit të saj ka pësuar vetëm rritje. Një krijues femër e shikon botën nën ndjesinë e saj e cila ka kuptuar dhe ka hequr më shumë në këtë botë sesa një mashkull,ajo shikon dritë edhe atje ku nuk lind, edhe kurcasti i përhumbjes ka përfunduar kështu ka qenë prore gjurma e perhershme e ,mëndjes së saj në gjirin e njerëzimit tonë.Mëndja femëore cel zambakun dhe e kundërta sjell shpatën si ndëshkim. Prej  këtij muzgut, qielli i sigurt se nuk do ta zgjohi më kurrë,i fal  heshtje yjesh mendjes femërore. Zoti është më shumë prej femrës se mashkullit,ai i fal asaj parfumosje hyjnore, frymë nga fryma e Zotit

 

5.

Në vitet shtatëdhjetë, siç kumton edhe shkrimtarja filloi kriza e madhe dhe arratisjet filluan në masë. Identike, Kuba e stome. E dhe gjithë libri Ankthi i së vërtetës këtu fillon të shtrojë trasenë .Një familje shkodrane e Nikolin Prelës martuar me dy fëmijë,dhe sipas rrëfenjës arratiset ngase më parë i ishte arratisur edhe i vëllai. Arratisjet nga liqen dhe të tjerat nga kufiri ishin prezentë do kohë në qytetin verior. Në ato vite arratisjet ishin të detyruara nga gjendja ekonomike dhe shtrëngimi politik kishte dhe arratisje allasoji kur shteti i nxirte jashtë persona të caktuar për ti vënë në mision të tijën. Dhe jo pak raste të kësaj natyrës së fundit janë denoncuar në emisionin shqiptar:”Njerëz  të humbur”.Kjo temë e veçantë  lexohet me ëndje deri në fund për të njohur me ankthin që kishte kapluar  familjen shkodrane të Norës asaj gruaje trimëreshë që jetoi dhe i rriti fëmijët mes sakrificash të panumërta,ndërkohë që ish bashkëshorti i saj i mërguar shtatë dete kaptuar ,shtatë male deri në Amerikë,rishtas kishte ngritur  strehën e tij ëndërrore në dheun e huaj. Shumë shqiptarë të mërguar në këtë mënyrë si në këtë rrëfim u dergjën dhe u tretën në dhe të huaj, hije dhe mistere përshkruan fatet e tyre. Burri në jetën e tij e ka dënuar gruan i trembur nga gjykimi i saj dhe se  gruaja  gjykon me shpirt dhe burri me mëndje kjo e  tremb  duke e nënshtruar atë edhe më ndihem e feve  duke mos i lënë asaj hapësirat e duhura,prandaj në  botë lëvizja feministe inkurajohet.

Vilhelma Vranri Haxhiraj me botimin e fundit duke sjell nga realiteti shqiptar, kronika jete ,plotëson kështu kronikën e munguar të historisë  së këtij vendi. Vranari për krijimtarinë e saj ka marrë tituj të shumtë nga Bashkia e qytetit të Vlorës,Presidenti,Qarku,shoqatat është cilësuar  madje nga një studiues si:”Petro Marko me fustan” duke vijuar më tej edhe si “Musine Kokalari e Vlorës”.Energjia shpërthyese e kësaj autoreje  mbetet e çuditshme .Ne 15 vjet mbi 30 botime duke shkelur në të gjitha gjinitë e letrave shqipe. Është më së paku gruaja që meriton jo vetëm vëmendje por një veprimtare e shkëlqyer karshi lëvizjeve feminist,ku mbi 80 % e krijimtarisë së saj i kushtohet femrës,gruas shqiptare asaj të djeshme të periudha të hershme historike,të luftës,të punës të sistemit zogist,socialist,demokratik në përpjekjet që ajo bënë për të ndriçuar rrugën,idetë dhe personalitetin e saj. Energjia e kësaj gruaja krijuese nuk citohet vetëm e pashtershme,por e pashbëshme. Është ndriçimi i Zotit që bie në skuta të errtë,kthimi që ajo bënë, gurët e zinj ,shkëlqejnë si diamant.

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, gruaja e vleresuar, Musine Kokalari e Vlores

DOLI NË DRITË NJË VËLLIM I RI I POETIT NEKI LULAJ

February 1, 2014 by dgreca

  (Vesa mbi gurë, Jeta e Re, Prishtinë, 2014)/

  Nga Namik Selmani*/

   Kur je pranë “Vesës mbi gurë”/

 Kur nisa të shkruaj për poezinë e poetit Neki Lulaj që banon në Gjermani dhe është nga Kosova martire, përnjëherë ndjeva se u futa në sinorët e befasisë. Ndjeva të më futet brenda fryma e saj. E kjo ndodhi çuditërisht që me leximin e parë. Në ato çaste të bukura që t’i jep vetëm një poezi ndjesore, m’u ndërmend  i madhi Johan Volfang Gëte. Pa mëdyshje gjeta sa e sa pika mes Gëtes dhe mikut tim Neki. Është e vërtetë se ata janë dy poetë që i përkasin dy kombeve të ndryshëm me kulturë të ndryshme, po që i bashkon edhe Ombrella dritësore e Evropës si të ishin një pjergull rrushi kokërrmbushur.

Pa droje e mora guximin që t’i shkruaj një nga një. Edhe kombe të vegjël si ky yni kanë Gëtet e vet të paktën në disa pika, me të cilat mund të bashkohen me frymën gjeniale të këtij njeriu të madh me kulturën e gjermanizuar  e të mbarë botës. E për ta forcuar edhe më shumë  fjalën time aspak avokatuese për të po kujtoj këtu në këtë sinor livadhi fjalësh për Neki Lulajn një djalosh pejan që e kam takuar këto kohë në Kosovë e pikërisht në Pejë fare afër vendlindjes së Neki poetit që është Broliqi. Këtu ka lindur Nekiu vetëm 6 muaj para se të lindët Heroi i Kosovës dhe i Kombit, Sali Çeku.

E çka më tha djaloshi pejan? Kishte shkuar në Gjermani para lufte dhe kishte parë kudo gjermanë me libra, me kulturë. Kudo. Në aeroport. Në shitore. Në lulishte. E pas do kohësh i kishte thënë vetes se mund të merrte  edhe ai këtë atmosferë librore që kishte Evropa që t’ia sjellë kombit të vet, qytetit të vet Pejës. E pra pa asnjë mëdyshje, Neki Lulaj, ky poet i 6 librave shumë cilësorë, por edhe një organizator i shkëlqyer i aktiviteteve letrare kishte shumë gjëra të ngjashme edhe pse mund të mos e kishte takuar asnjë ditë djaloshin pejan. Neki Lulaj është poeti i modeleve. Në poezitë e tij takon modele të trimërisë, të atdhedashurisë, të vargut flakadanë të epopeve kombëtare apo edhe universale.

Por, pa droje duhet thënë se edhe ai është një model i vërtetë i mesazheve të fuqishëm poetikë, që përcjell në poezitë e tij. Ai dhe shumë prej nesh vuan mungesën e kritikës. Librat që botohen nga shqiptarët diku në një cep të truallit të Kosovës, Shqipërisë, në Maqedoni apo edhe më larg në diasporë nuk lexohen nga ata që iu kushtohen. Libri në radhë të parë është komunikimi me kombin që i përket autori. Se aty është ngjizja e vargut, e ndjenjës, e dhimbjes dhe e gazit. Nuk është mëkat që të themi se edhe librat e Nekiut janë modele të bukura njerëzore, shpirtërore, për këdo në trojet tona.

Ndaloni pak në stacionet e jetës luliane! Mësuesi që kishte mësuar shkronjat e shqipes vetëm katër vite më parë, kishte mësuar Heroin e Kombit, Jusuf Gërvallën. Ai ishte bash Ramiz Popovci. Këtij mësuesi të nderuar një ditë terri do t’ia ketë treguar poezinë e tij të parë që ishte grishja për natyrën hyjnore. E nëse do të bënim një llogari të thjeshtë ai ka rreth 50 vjet që merret me fjalën e shkruar. Ishte ai mësues që do të ulte kokën mbi fytyrën engjëllore të nxënësit Neki Lulaj në fshatin Prapaçan të Deçanit. Emri i Nolit si poet e si atdhetar, që ishte vënë në ballinën e shkollës, do ta ndiqte poetin e ardhshëm në një fshat pak të njohur të Pejës, në Kryshec.

Ideja e vëllazërimit shqiptar me simbolikën e frashërllinjve që ishte po kaq e ndezur edhe në Deçan e bëri dhe atë një shqiptar të mirë duke qenë një nxënës shembullor në shkollën  e mesme “Vëllezërit Frashëri”. Në Gjakovë do të merrte frymën  e artit të fjalës së të paharruarit Din Mehmeti, që do t’ia lante një “borxh” qoftë edhe pak të vogël me poezinë e botuar në Antologjinë kushtuar mësuesit të tij të hartuar nga poeti e studiuesi Halil Haxhosaj. E pra që në moshën më të vogël, ai do të bënte një KONTRATË të përjetshme me poezinë. Tani rruga e poezisë së Neki Lulajt është shumë më konkrete. Ai ka botuar libra poetikë si “Dardania ime”, ”Në kështjellën e përjetësisë”, “Zjarri i shpirtit”, “Bukuri e bekuar”, “Balada e heshtjes”. Ndërkohë që është shumë aktiv në botimet që bën në shumë organe letrare në Kosovë, Shqipëri, diasporë, etj.

Që nga koha ku ai botonte me shumë gëzim në revistat e fëmijëve në Kosovë, kanë kaluar mjaft kohë. Tani në Gjermani ai është një zë i njohur. Mbi të gjitha, është një njeri i jashtëzakonshëm në komunikim me poetët, e sidomos me më të rinjtë. Merret me talentet e rinj poetikë duke përcjellë përvojën e tij. Ka një grup recituesish  me të cilët punon, është një nga edukatorët më të mirë në një shkollë gjermane. E, për të thënë të drejtën të marrësh këtë “kurorë” në një shkollë gjermane nuk është e lehtë, nëse nuk e meriton.

Ëshë i përfshirë në 5 antologji, duke pasur një kulm, atë kushtuar poetit dhe heroit Tahir Desku, të titulluar “Një mijë fijet e bohemit”. Ka bërë tekst për heroin Sali Çekaj. Është pjesëmarrës edhe në një antologji poetike rumune. Është nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve,  Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Në Takimet e Poetëve të Diasporës që organizoi në vitin 2013 Ministria e Diasporës në Prishtinë, Neki Lulaj, mori pjesë në të dy seminaret në Orën Letrare me karakter garues dhe poezia e tij “Pasqyrë shpirti “zuri vendin e parë dhe u shpërblye si poeti më i mirë i diasporës.

Nekiu është bashkëpunëtor i rregullt në gazetën “Bota sot”, në gazetën “Dielli”, në portalet elektronike dhe në ato pjesë ku organizohen tubime kulturore dhe promovime veprash letrare. Aktivitet i ngjeshur ishte edhe organizimi i 93- vjetorit të lindjes së akademik Mark Krasniqit, që u mbajt në Mynih, ku ai ishte një bashkorganizator i tij. E duke lëçitur poezitë e Neki Lulajt të punuara me durimin e filigranistit m’u kujtua bashkëpatrioti ynë i përbashkët ose legjenda e fjalës shqipe që, për rastësi të bukur, ka jetuar e ka punuar në Mynih, Martin Camaj.

Jetëdhembshuri Camaj nuk arriti ta shohë Dukagjinin, Shqipërinë dhe Kosovën pas ardhjes së demokracisë. Dikur do të vinte aty nga Dukagjini, nga Roma. E studimet e tij në Prishtinë  për disa vite ia kanë rritur edhe më shumë zjarrin e shqiptarizmit atij E bash kështu po me duket edhe mua sot kur hedh dritë në jetën e Neki Lulajt. Kudo ku udhëton ai dërgon e ngjiz fjalën e bekuar e të bukur shqipe si majat alpine. E pikërisht  në Mynih që ka sot edhe hapat e shumë poetëve shqiptarë nga Kosova e nga Shqipëria do të shkruajë poezinë e tij edhe miku ynë e i shumë lexuesve në trojet amtare. Unë dua të besoj se me këto vëllime poetike të tij e të autorëve të tjerë shqiptarë kryesisht nga Kosova, po përtërihet edhe më mirë tradita bashkëkohore e një poezie të re shqipe në Gjermani. Do të vazhdojë tradita e vjershërimit dhe e mësimit shqip të lënë në mes nga i madhi Martin Camaj.

Lirika e tij është e brishtë dhe plot aromë vendlindjeje

 

Fort i guximshëm është në poezi Baca Neki kur shkruan: “E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën/ Po lumi i territ po më bën udhën si  muranë/ Në /degët e lisave mbledh vesën e ëndërrt/ E zogut ia prek flatrën e imët e të bardhë.“ Poezia e tij edhe në Gjermaninë e dritësuar zgjon odën e mençur malësore kur thotë me shumë dashuri për to: „Frëngjitë hapnin veshët nga rrufeja /E këngët linin gjurmë, hapash në shkrepat e larta /Në ujëvarën e mendjeve dukeshin të bardhat mjegulla /pellgjeve të shpirtit oda mbillej nëpër gjenerata”.

Poezia e tij është një udhëtim poetik në Ibër, në Gjakovë, në Koshare, në Drenicë, Tiranë, Prizren, Prishtinë e vetë poezia e tij është një bredharake e bukur e lehtë, e madhërishme, e lakmuar nga shumë poetë të vjetër në moshë e më të rinj. Poezia e tij ka një metaforë të bukur, të thyeshme, të dritësuar me aq aromë shqiptarie. Ka një leksik shumë të pasur që përbën një nga meritat më të rëndësishme të librit.

Në një prej poezive ai ka vënë edhe moton e tij poetike që nis të paktën që nga malli i atdheut po edhe te obligimi atdhetar që ka ai kudo ku prek troje të tjera: “Do të iki atje, te dielli e dheun do ta hedh mbi supe/Mallin për Atdhe, shallin e bardhë të kujtesës ma hedh babai/Pëllëmbë  e pëlhurë, e  praruar si të ishte kurorë me lule /Krenari dardane me marshim të bekuar, përjetësisht  të gjallë.

Nuk dua të bie në grackën e disa kritikëve që nisin të bëjnë analiza të gjata  të vargjeve të një libri për të cilin duan të shkruajnë. Në një farë mënyre në vend të misionit të bukur që ata i vënë vetes, bëjnë një lloj mëkati se duan të bëjnë komentin e një poezive, të cilën secili e sheh me sytë e shpirtit të vet. Po vargjet e mësipërme, shumë vargje që i pasojnë ato dhe vetë vëllimi i radhës së Neki Lulajt nuk kanë nevojë për koment. Ato kanë frymë poetike të spikatur, një frymë që nuk duket si një mjegull që ikën që me rrezet e para të një dielli dimërak.

Kanë një frymë që kërkon ta gjesh në të gjithë qelizat e trupit, kur ke të bësh me durimtarë e vëzhgues symprehtë si Nekiu. Nëse do të bënim një sugjerim miqësor do të ishte fort mirë që disa cikle të tij të botoheshin edhe në gjermanisht. Është detyra jonë dhe e shteteve respektive në Kosovë e në Shqipëri që shpirti i bukur i qëndresës, dëshira për të jetuar paqësisht e kulturalisht e shqiptarit poet me vendet e diasporës ia kalon shumë më tepër fjalës së ambasadorëve me çfarëdo diplome që të kenë në xhepat e tyre.

  • Autor i librit

Filed Under: Kulture Tagged With: “Vesës mbi gurë”, Namik Selmani-parathenie, neki Lulaj

FRIEDRICH DÜRREMATT DHE MESAZHE E TIJ LETRARE DHE FILOZOFIKE NË NJË PROZË BRILANTE

January 31, 2014 by dgreca

nga  MSC. Albert HABAZAJ*/ studiues/

Prozës modern  europiane i mungon një gjeni vetëm fizikisht, sepse para 23 vjetësh e ca, pikërisht më 14 dhjetor 1990 përfundoi fryma e Fridih Dyrrenmat ( Friedrich Dürrenmatt), i cili radhitet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit të pas luftës. Vendlindja e tij, Zvicra përrallore, me pena të tilla të rralla, fiton një status të ri, të lartë gjysmën e dytë të shek. XX, që e ka zili dhe e admiron tërë Planeti i Letrave.

Lindur më  5 janar 1921, me një pjekuri jetësore, filozofike dhe artistike të spikatur, Dyrrenmat na shfaqet në disa plane: si dramaturg, si shkrimtar, si piktor, si filozof, një autor i jashtëzakonshëm, një misionar i palëkundur në betejën universal të së mirës ndaj të keqes. Me një imazh shenjtori, mbetet një 69 vjeçar që plotëson njerëzit me urtësinë e tij dhe me modelin shembullor bëhet shkollë për letrarët seriozë jo vetëm të Europës Qendrore, por edhe të Ballkanit, pje jo dhe të Shqipërisë apo vlorës sonë deri në çdo kënd të kontinentit plak. Dramaturgu zvicerian eksploron suksesshëm edhe si autor tregimesh policeske me tone ironike. I joshur pas absurdit dhe groteskut, Dyrrenmati përdor në komeditë e tij të hidhura “Vizita” (1956) dhe “Fizikanët” (1962) situate dhe dialogë me humor, për të qenë më i qartë nëpërmjet tyre në mënyrë serioze, se problemet morale që ngre nuk janë për të qeshur, por për t’u dhënë zgjidhje qytetare.

Teksti i Dyrrenmatit ofron disa mundësi për të vënë në pah një dukuri të pranishme edhe në jetët tona, sepse letërsia e tij mendoj se aktualizohet me ç’ka ngjarë e ngjan ndër ne. Mesazhi i veprës së tij është i qartë: “Që njerëzit të përpiqen për jetën e tyre, t’i përkushtohen vetes, të mos shikojnë përtej, të jenë të sinqertë së pari ndaj vetvetes dhe se është e nevojshme të ketë secili përkushtimin human për njerëzit”.

Shkrimtari i dramave teatrale, me një frymëzim të pastër gëtian shfaqet në tregimet e shkurtra me një ironi kafkiane befasuese. Lessing dhe Brecht ishin artistët të cilëve u referohej; mori nga ata modelin për një denoncim të vrullshëm moral ngagroteskut, paturpësisë dhe makabritetit si plagë sociale. Dyrrenmat ishte autor i njohur i prozës, i aftë të përdorte dendur metaforat tragjike, të përdorte simbolikën fine, të përdorte edhe provokimet dramatike.( “Është e shkruar”, “Vizita e zonjës plakë”, “Një ëngjëll zbret në Babiloni” janë disa nga veprat që e bënë  të famshëm në skenat europiane dhe amerikane). Në fushën e gjerë të romanit, i çliruar nga rregullat skematike, që shpesh karakterizojnë këtë gjini, ai vetë e ka pranuar se ishte “ i prapambetur”, por me raste as ai vetë nuk ishte i ndërgjegjshëm për vlerën artistike të projekteve të tij narrative. Më shumë se tablotë ambicioze imagjinare, i rezultoi më i pëlqyeshëm një lloj i shkruari, që në dukje ishte më i lehtë: romani i verdhë e polices. Dyrrenmat, në faza të ndryshme të krijimtarisë, synoi në kufijtë e letrësisë së lartë. Herë pas here e braktiste këtë ambicie për të kaluar një kohë të lirëme pushime, duke praktikuar hobitë, thënë më shkurt, të kalonte kohën prej pensionisti. Në fakt, gjatë kësaj periudhe ka lënë një kryevepër të papërfunduar, postum, që shtëpia botuese “Casagrande di Bellinzona” e hodhi në tregun Italian para tre – katër vjetësh, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së gjeniut. Në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse skicimi i një trilleri “Fragment eisnes criminal romans”, por  sërish mbetet një nga tekstet më domethënëse dhe përfaqësuese të tij. Ka gjithshka nga Dyrrenmat në ato faqe. Aty gjen humoristin shpotitës, nihilistin e shkëlqyer, prozatorin verbues, rrëfimtarin e dorëzuar. Nuk është rastësi që përparatavolinës së punës së tij të mbuluar me hartën e ndritshme të botës, me fotografi e fletë  të plotësuara me atë shkrimin e tij kaligraik, gjendej edhe një teleskop, me të cilin shikonte yjet për orë të tëra. Qysh i vogël, i magjepsur nga tregimet brilante të ët atit, një pastor protestant, Dyrrenmat ngjitej në majë të pemëve për t’iu afruar yjeve… Dhe sot ai bën dritë të shkëlqyeshme në Yjësinë e Letrave. Në librat e tij ndeshen kriminelë e policë, përballen torturuesit dhe viktimat, sepse i biri i pastorit protestant, edhe pse deklarohej ateist, e quante Zotin si “shpikjen” më të madhe njerëzore; ishte i fiksuar pas luftës mes të mirës dhe të keqes. Plaku i malit, siç e quanin zvicerianët apo Plaku i Yjeve të Letrave, Dyrrenmati vigan e quante botën një fuçi baroti  ku nuk ndalohet duhani; vendet fasadiste si burgje, ku të burgosurit ndihen të lirë, sepse bëjnë edhe rolin e atyre që bugosin dhe nuk i trembej syri e nuk i dridhej zëri nga këto cilësime, por shpirti i tij prej artisti shpërthente pa u tutur si Liberator i Fjalës dhe i Mendimit të Lirë e të Mirë. Të marrim vetëm dramën “Vizita e zonjës plakë”, e cilaështë një dramë klasike e teatrit bashkëkohor, temat e së cilës janë ato të hidhërimit, korrupsionit, drejtësisë dhe demokracisë. E shkruar më 1956, kjo tragji – komedi e dimensioneve epike “Vizita e zonjës plakë” tregon rrëfimin e banorëve të një qyteti të shkatërruar europian, të një heroi të thyer dhe të një zonje të vjetër, e cila është kthyer në shtëpi në kërkim të hakmarrjes. Është e hatashme, në kuptimin më të lartë të fjalës dhe e papërsëritshme simbolika Dyrrenmate tek shprehja e tij (më falni, por do ta citoj): “Virgjëresha bën para në bordello dhe kërkon të mbetet e pastër”. Si në pikturat me motive mitologjike dhe religjioze e sidomos në letërsinë e tij të famshme kaprezencë humori i zi dhe prêt si shpatë kritika e Dyrrenmatit hipokrizinë në lokalitete, në komunitete, në shoqëri.

38 libra me tregime, 9 me drama e 4 romane etj., plotësojnë një profil të rrallë të shkrimtarit të letërsisë së re europiane e më tej, të prozatorit të vërtetë, që të ëvrtetën e sheh me sy, drejtpërdrejtë, jo me size. Dhe puna etij letrare është e pasur me elemente makabër, të errët,që degjenerojnë me vrasje, me tortura e vdekje, që kanë ndodhur e ndodhin. Temë kryesore e prodhimtarisë së autorit është edhe koncepti nga drejtësia. Kompleksi policesko – juridik për Dyrrenmat, në mekanizmin e vet është indinjues nga paaftësia e treguar, që këpusin sensing më autentik të profesionit: të vërtetën njerëzore.

Vetëm tre vjet pas vdekjes së Dyrrenmatit, më 1993, me përkthimin e Nasi Lerës, ndër prozatorët e sotëm shqiptarë stilist nga më të mirët, lexuesi ynë ka në dorë një libër të vogël në faqe, por margaritar në vlerat artistike, filozofike, jetësore, morale, të ngarkuar me dashurinë për ët vërtetën, për jetën, për njeriun. Është fjala pikërisht për romanin “Premtimi”. Është rrëfimi i një shkrimtari me shtysë nga një konferencë mbi artin e romanit policor…Rrëfehet në vetën e parë, njëjës. Ndihet sinqeriteti i rrëfimit, qysh në faqet e para, qysh në fjalitë e para, ato të fillimit. Të dikton për lexim me materialin e ngjeshur, dhënë bukur, pastër siç është, me lakonizëm, me personazhet sa simpatike, aq antipatike. Terminologjia e pasur, ushtrimi për krijim të togfjalëshave përcaktues e shprehjeve të ndritura frazeologjike janë garniture e nevojshme në dorën e mjeshtrit të madh që, në pak faqe të na japë lëndë të përmasave shekspiriane. Ky libër na njeh me doke e zakone, me mënyrën e jetesës së banorëve të kantoneve të Zvicrës; njohim komunitete, pëlqejmë njerëz, krijojmë antipati për të tjerë, sipas rastit të mbartjes që ata kanë me virtyte apo vese. Personazhe si Mateu na mësojnë, se komunikimi me njerëzit është çelës i suksesit të profesionistit. Tema e romanit është një çështje morali: përdhunimi i një të miture 14 vjeçare me torturë e finale përfundim i jetës, se e prenë gonxhen. Personazhe si Mateu më krijojnë imazhin e humanistit, engjëllit mbrojtës të fëmijëve, detaje për një sy të sprovuar të specialistit, që më kujton të përndritshmin e paharruar Llazi Plaku, këtu, në këtë Vlorën tonë, që përherë më shfaqet si kanton i Zyrihut, pse jo si Berna, por ngelet Vlorë me kulturën e malit, të fushës dhe të detit, me dritëhije mesdhetare…

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,

 Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Fridich Durrematt

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

January 29, 2014 by dgreca

Nga Viron KONA/

Në kuadër të redaksisë së botimeve të revistës Dituria këto ditë doli nga shtypi libiri ”Djali dhe Tigri” i autorit suedez Lars Westman në përkthim të shkrimtarit dhe publicistit Sokol Demaku.          Libri është redaktua nga Viron Kona, me recenzet Dr. Rovena Vata, Ismet Hasani dhe Mr. Kadrije Meniqi, si dhe nënë përkujdesjen editoriale të Mr.fil Sadulla Zendeli Daja, e me përkujdesje në shtyp të shtypëshkronjes nga Tiaran Westprint.Libri ka gjithësejt 145 faqe dhe është shypurë në 1000 egzempalr e do të shpërndahet falas për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Kosoves, në Republikën e Shqipëri dhe diasporë.

Faleminderit Lars!

  Lexuesit e vegjël shqiptarë e kanë njohur letërsinë suedeze veçanërisht nëpërmjet librave të nobelistes Selma Lagerlof  dhe të magjishmes Astrid Lindgren. Ashtu si fëmijët në Skandinavi dhe në botë, ata  e kanë lexuar me ëndje “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Olgerssonit” dhe “Pipi Çorapegjatën”, kurse tani, kanë në dorë një tjetër libër të mrekullueshëm nga letërsia suedeze, “Djali dhe Tigri” të shkrimtarit të njohur Lars Westman.

Që në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj të them se shkrimtari suedez, na ka dhuruar një libër me vlerën e një margaritari vezullues. Me penën e tij të artë, ai na rrëfen  me një stil tërheqës dhe gjuhë të figurshme, aventurat e Djalit që e donte aq shumë macen e tij, Tigrin, saqë, për tre muaj resht, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, e kërkoi atë deri në skajet më të largëta të atdheut, Suedisë së bukur. Në çdo faqe, libri mban të ndezur zjarrin e kureshtjes për të mësuar fatin e Djalit dhe të Tigrit dhe, krahas emocionit dhe kënaqësisë së madhe, na jep artistikisht mësime të vlefshme për gjeografinë dhe historinë e Suedisë,  na nxit shpirtin e guximit dhe të vendosmërisë, për të njohur  edhe  më mirë botën e  njerëzve dhe të kafshëve. Tregimet, shfaqin episode, ngjarje, aventura, dialogë, batuta, fjalë të urta të mrekullueshme pa fund, të cilat ushqejnë pareshtur flakët e dëshirës për ta lexuar me pasion çdo rresht, paragraf dhe faqe të librit.  “Djali dhe Tigri”, nis me arratisjen e papritur të Tigrit, shqetësimin dhe vendosmërinë e djalit për ta kërkuar dhe për ta gjetur doemos atë. Njerëzit që ai takon, thuajse të gjithë e këshillojnë Djalin që të kthehet në shtëpi, por ai nuk mund të kthehet, ai nuk mund ta braktisë dhe ta lërë në mëshirë të fatit Tigrin, mikun e   tij të dashur.

Episodet vijojnë si sekuenca filmike: biseda me parashikuesen e fatit, episodi, se si Djali, përtë siguruar ushqimin  e ditës bëhet fotograf, dialogu i këndshëm me urithin, i cili ndihet keq sepse nuk ka krahë që të fluturojë së bashku  me shpendët dhe, në pamundësi, ëndërron të hapë një tunel të gjatë të nëndheshëm deri në Lapland, tregimi për salmonin madh, që  ndonëse me plagë në trup, priti natën me hënë që të kërcente fluturimthi në ujëvarë dhe të shkonte doemos në vendlindjen e tij, tregimi për shitësin shëtitës, për macet e egra, shtegtimin e zogjve drejt Afrikës, takimi i Djalit me vajzën që donte  të shkonte në Paris, përshkrimi i aventurave të Vjedullës, tregim për djemtë që mblidhnin kanoçe, për vajzën refugjate në kambanore, tregimi që na mëson se dhelpra dhe kusarët janë  e njëjta gjë, tregimi për jetën e samve dhe të drerëve në Veri të Suedisë…

Duket sikur autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e mahnitshme të aurorave polare dhe përhapë nuancat e  tyre të freskëta nëpër faqet e librit, duke na treguar se bota është  e madhe, se jeta është e bukur kur i jep vlerë dhe kuptim, se mirësia dhe dashuria njerëzore duhet të triumfojnë mbi gjithçka, se është gjithnjë në rrugë të mbarë dhe nuk gabon kurrë, ai që ecën në rrugën e së vërtetës, se e drejta për të jetuar është e drejtë e çdo gjallese të rruzullit tokësor…

Njëri tregim më i interesant se tjetri, njëri më tërheqës se tjetri, një bukuri e pafund fabulash, përshkrimesh, shprehjesh me hijeshi artistike pasqyrohen në faqet e këtij libri të magjishëm, që e ka sjellë në gjuhën shqipe me përkthimin e tij poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Sokol Demaku.

Në libër  përshkruhet  Suedia, mjediset dhe peizazhet e saj magjepse, qytetet, krahinat, bregdeti, ishujt, klima dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm. Përshkruhen, skaliten dhe portretizohen njerëzit, personazhet e librit, që të mbeten në mendje për karakterin e pa përsëritshëm, zakonet, bisedat, fjalët që përdorin, mendimet që shfaqin, humori, të veçantat e secilit. Përshkruhet llojshmëria e kafshëve dhe e shpendëve, jeta e tyre,  respekti, kujdesi dhe dashuria e suedezëve për çdo gjallesë të rruzullit tokësor.

Duke lexuar të 140 faqet e këtij libri, kuptojmë se jemi bërë më të ditur, më të pasur shpirtërisht, më të vendosur në qëllimet tona për të mësuar dhe për të përballuar jetën dhe vështirësitë e saj, për të dashur më shumë atdheun dhe njerëzit, për të respektuar lirinë dhe mendimin përparimtar, por jemi bërë edhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, drurëve dhe pemëve, kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që, mendimet dhe përjetimet tona, imagjinata dhe frymëzimi ynë, kanë fituar hapësira dhe dimensione të reja. Shkrimtari na ka  vënë në mendime, ka nxitur tek ne përfytyrime për gjëra që nuk i dinin  përpara se të lexonin këtë libër, ka bërë që t’u tregojmë me padurim shokëve dhe miqve se çfarë libri të rrallë kemi lexuar dhe, pastaj, bashkërisht, të përpiqemi të vëmë në skena të improvizuara  teatri, episode, ngjarje, rrëfenja të këtij libri.

E përshëndes kolegun suedez për librin e bukur, edukativ, tërheqës dhe mbresëlënës  që na ka dhuruar. Kam ndjerë shumë gjatë leximit të librit, kam përjetuar emocione të bukura dhe befasuese, jam përfshirë në valë respekti dhe dashurie për jetën dhe njerëzit e  guximshëm, këmbëngulës në arritjen e  qëllimeve që i vënë vetes. E falënderojë nga zemra dhe e urojë shkrimtarin suedez për krijime të tjera të bukura, që na pasurojnë dhe na zbukurojnë mendimin, fantazinë, imagjinatën  dhe jetën tonë.

Faleminderit Lars Westman!

Filed Under: Kulture Tagged With: ”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ, LARS WESTMAN, Sokol Demaku, Viron Kona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT