• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vend të debatit me Dr. Shefqet Krasniqin !

May 16, 2013 by dgreca

(Novi Pazari dhe Banja e Pejës, nga epoka e hekurit e këndej )/
Foto: Gjetjet në banjën e Pejës./
Nga Fahri Xharra/
“Shqiptarët nuk guxojnë të dinë asgjë nga e kaluara e tyre; nuk guxojnë të gërmojnë as mbi dhe e as nën dhe; nuk guxojnë të shkollohën ; ata gjithëmonë duhet mbajtur të përgjumur .” (Dreqi me të birin ,për ne)
Në tokat që jetojmë apo në tokat që kemi jetuar e që nuk jemi më ,janë gjurmët tona; pëllëmbë e hisori ,pëllëmbë e trashëgimi ,pëllëmbë e dokumente të gjalla për egzistencën tonë .Mohimi i asaj që ishim dikur dhe jemi sot, sa do që të jetë “bindës” ,ai nuk ka bazë ,s`ka ku të mbështetet sepse nëse ne nuk reagojmë ,atëherë e përgënjeshtron nëntoka. Kemi me çka të mburremi ,kemi me çka t`iu rrimë përballë të gjithë atyre që në vazhdimësi po mundohen të na tjetërsojnë ,të na humbasin në vorbullën e nihilimit dhe të na bëjnë një “creature” po origjinë ,pa rrënjë dhe pa identitet.
“Tollovia filloi kur Dr. Olsi Jazexhi, në konferencën “Images of the Other in Textbooks and Popular Culture in the Balkans,” organizuar nga Universiteti Bilecik në Turqi në prill 2011, habiti akademikët ballkanas dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe ushtrisë turke pjesëmarrës në këtë aktivitet me prezantimin e tij rreth përshkrimeve të turqve, muslimanëve dhe të krishterëve në sistemin shkollor kosovar. Menjëherë pas saj erdhën edhe reagimet nga pala turke. “ E kotë . Nëse njeriu nuk flet ,flet e vërteta e mëshefur nëntokë .
Rajoni i Novi Pazarit ,është shumë i pasur me vendgjetje parahistorike. ),gjurmët na tregojnë për jetën e njeriut të Paleolitikut në këto anë. (Јевтић, М. 1996 О истраживању млађих праисторијских култура у новопазарском крају )Numri shumë i madh i varrezave tumulare që i takojnë kohës së herëshme të Hekurit ,si dhe prania e Hallshtatit të vonëshëm (shek 8 deri i 6-të) na sigurojnë që kjo anë ishte pjesë e zhvillimit të Kompleksit të Kulturës së njohur e ”Glasinac-Matit”.Një gjë e sigurt se atributet i ipen popullatës së këtyre anëve Ilirëve. (Jevtiç M.)
Qyteti i Novi Pazarit është i lidhur me Kosovën nëpërmjet Luginës së Ibrit ,e edhe më tepër Kosova në jug është e lidhur me Bazenin e Shkupit me lumenjt e Nerodimës dhe Lepencit si dhe me Luginën e Toplicës me lumenjt e Lapit dhe të Kosanicës. Në anën tjetër platoja e Peshterit është afruese e një jeteje me kushte shumë të mira klimatike. Jo shumë largë në vitin 1952 ,fillojnë hulumtimet historike arkeologjike në anën e Novi Pazarit kur në vendin e quajtur Naprilje u gjetën gjurmë të Neolitit. Naprilje e kulturës së Vinçës.
Më vonë u gjet e famëshmja “ Trezori i Novi Pazarit ” gjatë restaurimit të kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Rashka me 1957. Mbi 80 vendzbulime u gjetën në Peshter më 1982 . Kohërat e shkurtëra i qitën në sipërfaqe 10 tumule në 8 nekropole në Peshterin e vogël.
Varrezat tumulare të Novi Pazarit i takojnë (sipas arkeologëve serb) Kohës së Hershme të Hekurit. Fshtrat Cërnoça ,Glagovik, Delimegje ,Graçane , Melaje , Raspogançe ,Doljani dhe Banja e Novi Pazarit janë plot e përplotë me artifakte të së kaluarës sonë Ilirike.
Është për tu theksuar se në këto anë janë gjetur praktikat e varrosjes së të parëve tanë që i takojnë dy priudhave të lashta historike: Epokës së vonë të Bronzit, Epokës së Hekurit
Ritualet funerale (të varrosjës) (varret e skeletëve) , rregullimi i varrezave (të përqëndruara ) dhe gurët periferik janë identike në të dy Epokat e hekurit. Të vdekurit vëndoseshin në “shtratin prej guri” . Anësorët e varrit behëshin nga gurët gjithashtu. Çdo gjetje në varre (stoli ,armë) ishte e kohës së Hallstatit . Dëshmitë e gjetura në horizonte të ndryshme tregojnë për një kulturë të lartë luftarake të të parëve tanë dhe vazhdimësia kulturore vërehet edhe praktikimin e funeraleve dhe të poçarisë.
“ Mos i lejoni shqiptarët të gërmojnë në të kaluarën e tyre” Pse?
“ Rreth vitit 1994, kur nisa të shkojë për herë të parë në xhami, më kujtohet si tani sesi një ditë në xhaminë e sapondërtuar të Kombinatit, shoh një grup të rinjsh që po talleshin me një plak të moshuar. Plaku i cili, nëse nuk gaboj ishte me origjinë nga zonat e Pogradecit, djemve që vinin në xhami ju thoshte që ne muslimanët jemi turq. Sipas plakut, turk ishte edhe vetë profeti Muhamed.” (olsi jazexhi) , “Ndërsa në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe të Tahir Dizdarit gjeta këto shpjegime për fjalën Turk: ‘1. Banues i Turkisë aziatike e ballkanike. Dhe: 2. Tue qenë se konvertimi në Islam i shumicës së madhe të popullit tonë ndodhi nën pushtimin osman, në çdo krah të vendit të konvertuemit u thirrën turk, turq, turkë, turkeshë, turkinë, tue mos pasë tjetër vështrim as qëllim veçse të cilësimit të besimtarit musliman, rrjedhimisht në bashkëfetarësi me pushtuesin.’ Me pas autori jep një seri përdorimesh të fjalës turk gjatë kohëve të parambretërisë Disa shembuj janë: “Mo, në je turk!” Dibër. “Në je turk e bir turkut, mos, se stë ka hije”. Shkodër. “Kush është turk n’Muhamenë / Të mos lshoj dervenë” VD 30. “More turk i Perëndisë:/ (M)Syna derën e xhamisë/…” – nga nji vajtim në Shkrel, ke HD. “Djali i dadës në kosh turk/ Këto dy faqe mos mi puth!/ Nkosha turk me imanë/ sti la faqet pa ti ngranë!”” ( Olsi Jazexhi ) . A kemi nevojë për këto humbje në vorbullën e shkrirjës kombëtare?
Në varrin Mbretëror në Kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit ,në vitin 1957 u gjet i ashtuquajturi ”Trezori Ilir” ,afër Novi Pazarit i cili e paraqet inventarin funeral të varrimeve të tumulusve parahistorik në mbrendinë e Kishës Mesjetare.Pra edhe këtu një dëshmi e lashtë e lashtë Iliro-Dardane e të kaluarës sonë. Gjetjet mbrenda kishës së përmendur e zbuluan edhe stilin evarrosjes së herëshme ; djegëjen .E njeta është gjetur
edhe në Romajën e Hasit ( dëshmi tjetër e Kulturës së Vinçës).
”Hafiz Dalliu tregon që në vitin 1908 kur Refik Bej Toptani që ishte kryetar i Xhemijetit (Xhon Turqve) të Tiranës dhe një nga pak propagandistët e shqiptarizmit, nisi të shpërndajë disa abetare me gërma latine në qytet, u përballë me rebelimin e popullit, hoxhallarëve, oficerëve, qeveritarëve, tregtarëve dhe pasanikëve. Propaganda kundër të mësuarit të gjuhës shqipe dhe të qenit shqiptar ishin aq të mëdha saqë hoxhallarët thonin: Shqipja të ban kaurr, të ban me marrë për grue i vëllai motrën, të ban me shembë teqe e xhamija, të ban me lanë Kuranin, agjinesën, të lamen e të tjera. Në rrugët e Tiranës, fëmijët ju bërtisnin ‘shqiptarëve’ ‘Ngordhi shqipja jahu!’ Ndërsa halldupët e Tiranës këndonin: Gjithë të zezat i kam punue / por shqip shyqyr s’kam këndue. Biles katunaria e Tiranës e cila ishte urdhëruar nga Xhon Turqit e Tiranës për të vrarë ‘kaurët shqiptarë’ kur del në qytet dhe takojnë Refik Bej Toptanit e pyesin: – zotni, po na thonë se jeni ba shqiptar.” ( olsi jazexhi ) . Sa largë që shkohet nga ky maskara i jazegjive të porositur.!
Nga rreshtat e më sipërm të këtij jazexhiu e shohim se sa vështirë ishte në atë kohë të ndahesh nga e kaluara turke. Po sot ? Pse vallë. sot?
“Territori i Kosovës dhe Metohisë , që nga koha parahistorike është pjësë e kulturës dominuese në Balkan dhe Europë. Me mijëra vjet ,këto anë e kishin parë edhe zhvillimin e civilizimit buqësor të Neolitit , ngritjen e shkritoreve te para të metaleve në Kohën e Brozit dhe asaj të hekurit. (Dr. Aleksandar Palavestra,”The Archaeological Treasures of Kosovo and Metohija )
Varri i gjetur mbretëror i kohës së hekurit ,në Banjën e Pejës na ofron një evidence të re të përkatësisë parahistorike të kësaj aneje. Këto varre të mëdha ,të pasura me gjetje luksoze e tregojnë të vërtetën: ari, argjend ,qelibar si vet fuqinë dhe prestigjin e kohës.
Të gjitha janë vazhdimësi e shek.të VI-të dhe të V-të prK ; një simbol i sigurt e fuqisë dhe pasurisë së udhëheqësve të kohës. e në të njetën kohë një shtrirje dhe pasqyrë kuptimplote e tërë shoqërisë së kohës.Në varrin e një mashkulli u gjetën stoli të argjendit , tri helmeta të tipit Ilir , rruaza dhe gjerdan qelibari , gjerdan prej qelqi , zbukurime bronzi, pulla të mëdha bronzi të mveshura me argjend. ; kurse në varrin e femrës bizhuteria më e hollë e luksoze si dhe gjerdani me kokë të gjarpërit .
Gjetjet arkeologjike të banjës së Pejës janë Beograd dhe ato tregojnë që kjo tokë ishte e Europës me mijëra vjet.
Historia jonë e përmbysur , e përvetsuar dhe e mëshefur qëndron ende krenare nën dhe e mbi dhe. Vetëm prej nesh duhet që ta duam dhe ta kërkojmë, Ajo është aty dhe këtu ,por asaj duhet t`ia japim gjuhën që të flet shqip.

Fahri Xharra,
14 Maj 2013, Gjakovë

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, me dr. Shefqet Krasniqin, ne vend te debatit

ELITA SHQIPTARE,DETYRA DHE PËRGJEGJSIA E SAJ

May 15, 2013 by dgreca

Shkrimi është një mesazh për intelektualët dhe ata të cilët pozicionojnë vehten në etalonin e quajtur elitë politikanësh të sodit.Ky shkrim është shkruajtur në gazetën „Përpjekja Shqiptare „ e vitit 1936,nga i madhi Mit’hat Frashëri,që i përkon kohës së sodit,kur mendjemadhësia e politikanëve,kryetar partish por edhe ata intelektuale ende s’gjejnë gadishmëri uniteti përballë rreziqeve që i kanosen shqiptarëve dhe trojeve shqiptare,gjithmonë në emër të disa„integrimeve“ çudibërëse.(Eugjen Shehu) ***

… Elitë thuhen njerëz të zgjedhur,por të zgjedhur jo prej ndokujt.Më mirë t’u themi të shquar,me një cilësi që na duket më e madhe,më e bukur,më e dobishme se e të tjerëve.Persona të tillë të heqin respekt,kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinjonin e tyre dhe t’u bindemi me bindje morale vullnetare.Ata imponohen shpirtërisht,bëhen udhëheqës se janë si një fener,si një yll,si një dritë që na rrëfen udhën.Ndër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prirjet e tyre na duken sikur janë tonat.Ndër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë dhe kërkojmë ndihmë.
Por edhe kur s’kemi nevojë,kurdoherë ngrejmë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë,na janë pranë : fryma dhe afshi i tyre na prijnë,na ngrohin,na tregojnë shtegun,pa e ndjerë ne,pa e parë.
Ai veprim formon fuqinë tonë,bën rojtjen tonë të vërtetë.Elita,jo vetëm përfaqson pjesën më të vlefshme të një kombi por është udhëheqëse e shoqërisë për die,për gjykim,për estetikë,për jetën kolektive dhe tendenca historike,për besim dhe fillozofi.
Tani vjen pyetja : A kemi një elitë ne ? Më pëlqen përgjigjja pohimiste,se ashtu i do njeriut shpirti.
Por,duke kapërcyer këtë trap,themi ; Duhet të kemi,meqenëse është një nga konditat kryesore të jetës.Dhe atëherë vjen vetiu : Si do ta formojmë ? Më parë të kujtohet kushti themelorë : ata njerëz nuk formohen kur na pëlqen neve ;as e krijojmë dot ;as e kemi në dorë që të lindin.Bëhen vetiu,i bën Fati,Zoti,Natyra.Dhe bëhen vetë,me një durim të gjatë,ose më mirë akoma në qoftëse gjenia,naltësi e jashtëzakonshme e intelegjencisë është një dhuratë që vjen së sipërmi,puna e vetë njeriut,vullneti i tij i pareshtur,kur s’e kemi në dorën tonë fatin,atëherë na mbetet vetëm mjeti i dytë,atë i cili mvaret nesh,që mvaret nga intelegjencia dhe karakteri ynë.Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet elita,s’janë veçse inteligjencia dhe karakteri ,kjo e fundit më parë akoma se tjatra; e para duhet të jetë në shërbim të së dytës,si një ndihmesë,një skllave e bindur : me këto kondita mund të fitojë elita atë autoritet moral,intelektual dhe shoqëror.Mos më thotë kush në vesh,mos t’i shkojë kujt mendsh se „qeveria“ o „ministria“ mund të krijojë e mbryjë një Elitë për vendin tonë. Kjo do të ishte sikur të vërë kush buallin përpara qeres.A supozojmë se ata që janë në ofiqet zyrtare,formojnë batalione dishekujsh ? kjo do të ishte një send ideal.Por,të qe kështu,atëherë s’do të kishim nevojë të lodheshim.Të ishte e mundur që me një urdhër,me një dekret të krijoheshin merita,zotësia,vlefta dhe intelegjencia,atëherë do të ishim njerëzit më të lumturit të dheut.Nuk do të detyroheshim të mejtohemi,të kemi brengë,të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme,nga e cila pothua se varet gjithë rrojtja jonë,nga çdo kënd,nga çdo pikëpamje që ta shikojmë.Më parë a e kemi besimin e fortë se,merita,vlefta janë sendet e brendshme të shpirtit dhe jo shkëlqime të jashtme ? A jemi vërtetë të bindur – dhe duhet medoemos të jemi – se vlefta është intrenseke dhe joekstrensike,se kujdes i kujdo duhet të jetë për të qenë dhe jo për tu dukur ?Vetëm ky besim,ky konviktision,e bëjnë njeriun të punojë me seriozitet,të njohë detyrën dhe përgjegjsinë e tij,të kuptojë se ka një barë mbi supet,një peshë të madhe për të bartur.Dhe kjo vleftë e vërtetë e bën njeriun të jetë modest,larg demagogjisë.Elita s’ka të bëjë me pozitat zyrtare e shkallët e larta.Ajo s’ka nevojë për fuqi materiale.Forca e saj është krejt morale,me besimin që frymëzon te opinioni i të tjrëve,vlefta e tyre shpirtërore.Jo fjalët,por sjelljet,karakteri,integriteti i tyre,i bëjnë ata superioritet të padukshëm.
Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujve fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumturisë,nuk mundim të mos ndjejmë thellë në zemër një melankoli dhe të kuptojmë më mirë përgjegjsinë tonë.Studimi dhe meditimi duhet ti japë njeriut çelsat e virtytit dhe të karakterit.I lumturi që gjen një shkëndijë drite,duhet ta konsiderojë veten e tij jo si viktimë,por si misionar,jo i hedhur në këtë lëmë për të vuajtur,por i lindur për të mbushur një detyrë.Ai që me djersën e tij,me durimin e vazhdueshëm të tij,ka fituar,ka fituar një shkallë në dijeni e në moral,ai s’ka dyshim se duhet ta shohë të lumtur veten.Ndërgjegjja e një vlefte së vërtetë a nuk është shpërblimi më i madh që mund të ketë ? Ku mund të mbijnë hithrat e ankimit a të dëshprimit,kur çdo agim i bie dritën e kënaqësisë shpirtërore ? Duke u larguar nga lotët dhe klithjet e viktimit,misionari gjen fuqinë e tij : duron,punon.
Vini re si punohet ; A harrojmë se,edhe më e vogla e aftësisë,e zotsisë,lyp një studjim,një lodhje,një vuajtje,një punim të gjatë,a nuk e dimë se asgjë në botë s’fitohet pa e merituar,pa e blerë me djersën dhe rënkimin tonë të përditshëm ? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar,atëherë dëshprimi s’gjen vend te ne,por kënaqësi,qetësi dhe gëzim në jetën e njeriut,t’i provojë se lumturia është kur mbushim detyrën dhe përpiqemi të arrijmë qëllimin ? A nuk është njeriu mjaft krenar në këto kondita dhe kjo krenari modeste dhe e mbrendshme a nuk është rroga jonë më e madhe,më e ndershme ? Mësoni shqiptarët të punojnë me gëzim,të jenë gazmorë dhe optimistë dhe do t’u kini bërë më të madhin e shërbimeve.Mund të thuhet se vetëm ky shërbim do të jetë mjaft për të pasur lumturinë,se atje do të jetë burim i vërtetë i fuqisë shpirtërore ….
Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyreve që ,së bashku,formojnë kombin,do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësi e vetes së tij ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb.Do t’ish një ushtrim shpirtëror,me rezulltat të madh për neve dhe për të afërmit tanë.Elita,a nuk duhet të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetes së saj,fitimin e virtytit,të karakterit dhe të diturisë ? Misionari a nuk duhet të ketë në çdo minutë parasysh shembëllën dhe jetën e të shenjtit që ka zgjedhur për model,dhe a nuk përpiqet t’i afrohet modelit me durim,respekt dhe disiplinë ?
A nuk është e mundur që njeriu,kjo krijesë që i thotë vetes me mend,të rojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale,prej dorës së verbër të ngjarjeve,pa ndjerë,pa manifestuar asnjë reaksion,asnjë sforcim,pa mbrojtur veten ? A ëstë e mundur të rrojë njeriu,të themi më mirë : të rrojmë ne,pa parë,pa vështruar,pa mejtuar,pa gjykuar,pa punuar ?
Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner,duhet të kuptojnë përgjegjsinë e tyre…LUMO SKËNDO
(Përgaditi Eugen SHEHU)

Filed Under: Kulture Tagged With: elita, Eugjen Shehu, Lumo Skendo, Mithat Shehu

PËRUROHET LIBRI MONOGRAFIK DHE PËRKUJTIMOR,“PREKJA E PIKËLLIMIT”

May 15, 2013 by dgreca

Kushtuar Adem Berishës-Gjurgjeviku/
Nga Xheladin Mjeku/ Prishtinë/
Më datën 13 maj 2013 në sallën e Kuvendit Komunal, në kuadër të “Javës përkujtimore të dëshmorëve të Rahovecit” dhe në njëvjetorin e ndarjeës tragjike nga jeta të krijuesit të paharruar Adem Berisha-Gjurgjeviku, në prani të familjarëve, strukturave politiko-shoqërore, bashkëveprimtarëve e shumë qytetarëve të Rahovecit dhe rrethinës, u përurua libri monografik e përkushtimor ,“Prekja e pikëllimit”, të cilin e hartuan Xheladin Mjeku dhe Halil Xani.
Pas një recitali, me poezi të përzgjedhura nga kjo përmbledhje dhe hapjes së ceremonisë së përurimit, u dha një biografi e Adem Berishës. Pastaj, fjalën e rastit për librin e mbajti Xheladin Mjeku, ku shpalosi idenë e hartimit dhe ecurinë e realizimit të kësaj vepre të përbashkët, nga më se 85 bashkautorëve, me shkrimet dhe komentet e tyre të përmbledhura në një libër, që ka rreth 180 faqe. Organizimi i librit në katër kapituj sjell për lexuesin veprimtarinë e Adem Berishës, përmes shkrimeve monografike, analizave dhe vështrimeve letrare për librat e botuara, në të gjallë të autorit. Kapitulli i dytë sjell poezitë e rreth pesëdhjetë autorëve, duke vazhduar me kapitullin e tretë të homazheve nga miq, bashkëveprimtarë dhe dashamirës të tij, gjithandej në trojet shqiptare e në mërgatë. Edhe “Albumi” i përzgjedhur nga veprimtari të tij, vjen dëshmi e punës së parreshtur e të përkushtuar në krijimin e urave miqësore dhe bashkëpunimit bdërmjet miqëve, në veprimtari të ndryshme, letrare dhe kulturore.
Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe bashkëhartuesi i dytë, Halil Xani. Ai solli kujtime për Adem Berishën dhe shprehu falënderimin e tij që, më në fund, miq e shokë të Ademit ia dolën ta realizojnë këtë vepër-“monument letrar” për mikun e tyre, vepra dhe veprimtaritë e të cilit nuk do të harrohen kurrë.
Në mbyllje të kësaj ngjarjeje, me mbresa dhe emocione për të gjithë të pranishmit, sollën kujtimet e tyre edhe të afërm të Adem Berishës, bashkëveprimtarë dhe krijues të Rahovecit. Një fjalë mirënjohjeje, në emër të familjes së tij, e dha biri Agroni. Ai shprehu falënderimet e përzemërta për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të gjithë ata, që dhanës ndihmesën e tyre të pakursyer, me shkrimet dhe përkrahjen material, në realizimin dhe botimin e këtij libri. Në veçanti, falënderoi dy hartuesit e librit, Xheladin Mjekun dhe Halil Xanin, duke nënvizuar që, deri në përmbylljen e realizimit të librit, nuk kursyen kohën dhe mundin e tyre, që botimi të dilte nga shtypi, në kohën e paraparë.
Përveç krijimeve të lartpërmendura, për krijuesin e paharruar Adem Berisha u kënduan edhe këngë. Në këtë rast, për të pranishmit u dha njëra prej tyre, e realizuar nga krjuesi, poeti dhe rapsodi Agim Gashi. Gjatë këtij programi u deklamuan edhe poezi nga krijimtaria letrare e Adem Berishës, që e bëri më të larmishëm dhe emocionues këtë ngjarje përkujtimore e përuruese.
Prishtinë, 14 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem berishes, Gjurgjevikut, kushtuar, liber, Xheladin Mjeku

TIRANË: PËRUROHEN LIBRA (SHQIP-ANGLISHT),PËR KRIMET SERBE NË KOSOVË

May 15, 2013 by dgreca

Nga Prof.MURAT GECAJ/
Në sallën kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bë përurimi i librave (shqip-anlisht) të autorit nga Prishtina, prof.dr.Jusuf Osmani, drejtor i Arkivave të Kosovës. Ishin të pranishëm profesorë e akademikë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike. Kishin ardhur edhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe studiues nga Prishtina etj.
Tubimin për përurimin e librave: “Krimet e Serbisë në Kosovë”,1998-1999 (nr.1 e nr.2) dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve, në Kosovë”(1998-1999), me mbi 1.300 faqe, në format të madh dhe shkruar nga prof.dr. Jusuf Osmani, për një kohë të gjatë drejtor i Arkivave në Kosovë, e hapi drejtori I Institutit të Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof.dr. Beqir Meta. Ai u ndal posaçërisht në përmbajtjen kryesore të këtyre veprave voluminoze,e dokumentare e cilësore dhe nënvizoi se ato e pasqyrojnë mjaft mirë historinë më të re dhe tragjike të Kosovës. Në to, ka dokumente e fakte të panumërt dhe të pakundërshtueshëm, marrë nga arkivat dhe organizatat e ndryshme shoqërore e organet shtetërore, sidomos ndërkombëtare, si nga Kryqi i Kuq, OSBE e NATO, nga institucione fetare dhe shtypi shqiptar, por dhe ai serb etj. Dokumentet e paraqitura janë klasifikuar sipas kritereve të rrepta shkencore. Ndër to, bien në sy krimet e bëra ndaj fëmijëve, që nga helmimet masive dhe deri te vrasjet e pamëshirshme e çnjerëzore. Po kështu, janë dokumentuar mirë shkatërrimet në qytete e fshatra etj. E gjithë kjo dëshmon se organeve gjyqësore përgjegjëse ndërkombetare u vihen në dorë fakte të shumta e bindëse, për ta vënë në bankën e të akuzuarëve regjimin gjakatar serb, me krimet e shkaktuara në Kosovën martire.Me interes u ndoq edhe parashtrimi i paraqitur, rreth këtyre librave, nga studiuesi, prof.dr. Marenglen Verli. Ndër të tjera, ai theksoi punën e përkushtuar në drejtimin e arkivave të Kosovës, nga autori i këtyre librave, prof. J.Osmani, sidomos për përgatitjen dhe kualifikimin e arkivistëve sa më të aftë nga ana profesionale. Ndërsa, duke u ndalur në librat e përuruar, tha se ata përmbajnë dokumente nga burime të sigurta dhe interpretimet e tyre janë bërë me profesionalizëm të lartë, shkencor e metodik etj. Kështu, jepet edhe paraqitja teorike e çështjeve, për 100 vjet krime në Kosovë, pra si për ato të vjetrat, por dhe të rejat, në vitet 1998 e 1999. Pushtuesit serbë ndoqën politikën e kolonizimit dhe të shpërnguljeve masive të shqiptaravë nga trojet amtare stërgjyshore, por dhe të shfarosjes masive të tyre. Kështu, nga 30 komuna shqiptare të kësaj krahine, janë shpërngulkur më shumë se 300 mijë shqiparë, janë djegur e shkatërruar 100 mijë shtëpi banimi e institucione të ndryshme etj. Në vazhdim, prof.d. Përparim Kaba trajtoi, posaçërisht, se si janë dokumetuar në librin e përuruar krimet ndaj fëmijëve, të cilët përbëjnë 20 përqind të të gjitha krimeve serbe në Kosovë, të dëshmuara më tepër në krahinat e Skënderajt, Drenasit, Gjakovës etj. Gjithashtu, ai u ndal në keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, si nga paramilitarët, ushtria dhe policia serbe. Ata bënë keqtrajtime të pamëshirshme dhe organizuan dëbime masive të popullsisë civile të pafajshme, burgosje dhe vrasje nga më çnjerëzoret. Në fund edhe ai theksoi se mesazhi nga këta libra është: Asnjëherë mos të harrohen dhe as mos të zvogëlohën e anashkalohen krimet serbe në Kosovë, sidomos në vitet 1998 e 1999, gjë që i takon t’i gjykojë me drejtësi dhe paanësi edhe Tribunali i Hagës.
Po në këto linja, diskutoi edhe studiuesiiI njohur Uran Butka, I cili e përgëzoi autorin për punën e madhe studimore dhe për sistemimin e dokumentacionit të shumtë, nga të gjitha burimet e mundshme. Kështu, ato janë bërë një pasuri e paçmuar në duart e lexuesve të sotëm, por dhe atyre, që do të vijnë.
“Mësuesi i Popullit” Gani Demiri, i afërm i autorit të këtyre librave, solli dëshmi për traditat atdhetare të familjes së tij dhe nënvizoi përkushtimin, në këtë udhë, të J.Osmanit, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo gjë është pasqyruar më së miri edhe në këto botime të reja të tij, me dokumente e dëshmi të panumërta, për krimet serbe në Kosovë, gjë që u theksua gjerësisht edhe nga parafolësit.
Në fund, prof.dr. Jusuf Osmani i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurimin e këtyre librave. Ai përmendi edhe synimin kryesor të tij, me këto botime, që krimet serbe në Kosovë t’i bëjë sa më të njohura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe para opinionit publik ndërkombëtar. Prandaj dhe këta libra janë përkthyer në gjuhën angleze. Ne e urojmë nga zemra autorin e tyre, për tërë këtë punë të madhe e frytdhënëse dhe i dëshirojmë shëndet të mirë, jetëgjatësi dhe lumturi familjare!(Ne Foto: Autori, prof.dr.J.Osmani, duke folur…)

Tiranë, 15 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Jusuf Osmani, Murat Gecaj, ne Kosove, per genocidin serb, promovohen libra

REKUIEM PËR ARTISTIN E POETIN DARDHAR

May 15, 2013 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Më 29 tetor 2005 në restorantin “Pier 4” të Anton Athanasit në Boston shqiptaro-amerikanët zhvilluan një mbledhje përkujtimore dhe darkë solemne me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Në një pushim midis kumtesave, në tavolinën tonë ku ishin ulur vetëm familje dardhare, Sotir Pani, bashkëfshatari ynë, nxori nga çanta e na tregoi një libër me titull: “Serenata dhe këngë qytetare korçare”, me autor Gaqo Zdrulin. Këngëtarja veterane znj.
Jorgjia Misja, duke shfletuar librin plot këngë e partitura, filloi të këndonte, në fillim solo, pastaj e pasuar nga të gjithë të pranishmit në sallë: “Për mëmëdhenë”, “Dëbora zbardhi malet”, “Vlora-Vlora”…etj. Këngët, njëra pas tjetrës, sollën një atmosferë të ngrohtë vëllazëruese e emocionuese tek pjesëmarrësit e tubimit, të cilët i drejtonin duartrokitjet tavolinës së dardharëve, por në realitet duartrokitjet i
përkisnin Gaqo Zdrulit. Gaqos, bilbilit dardhar, i cili na dukej se ndodhej aty, në festë, mes nesh, me kitarë e këndonim së bashku si dikur. Por Gaqoja atë çast ndodhej i shtrirë në shtrat duke luftuar me sëmundjen e rëndë.
Një muaj më vonë ai ndërroi jetë në Tiranë duke lënë në pikëllim familjen, të afërmit, miqtë e shokët, dardharët e devollinjtë. Por ai dëshpëroi edhe shqiptaro-amerikanët, më të shumtit dardharë e korçarë, të cilët e njihnin dhe ruanin kujtime e mbresa nga jeta e aktiviteti i tij.

NA ISHIN TRE VËLLEZËR KËPUCARË

Është e pamundur të shkruash për jetën e Gaqos pa përmendur edhe dy vëllezërit tij, Kocin dhe Vaskën. Tre vëllezërit, bashkë me Marien, motrën e vetme, u lindën e u rritën në një familje të varfër dardhare, por me tradita patriotike, e cila kishte dhënë kontribut në çështjen atdhetare. I ati, Pandi Zdruli, ishte këpucar dhe zanatin ua mësoi tre djemve, mes të cilëve Koci ishte “ustai i madh.” Tre vëllezërit këpucarë dalloheshin mes moshatarëve të fshatit si tre djelmosha simpatikë e bukuroshë, por mbi të gjitha ishin punëtorë e gazmorë. “Dyqani i këpucarëve” ndodhej në katin e parë të shtëpisë së tyre, buzë rrugës, me dy dritare të mbrojtura nga hekura të trashë, të cilat vështronin nga korija e Shën Pjetrit.
Në ato dritare ndaleshin shpesh kalimtarët, të cilët shkëmbenin
ndonjë bisedë të rastit apo shaka me këpucarët. Gaqoja, vëllai
i tretë, e filloi zanatin duke drejtuar peronat e vogla të këpucëve,
të cilat ishin përdorur një herë. Me një çekiç të vogël mbi një
kudhër metalike përpiqej t’i bënte si të reja gozhdët që ia vinin
të vëllezërit përpara. Por shpesh çekani godiste pa dashur dy
gishtat e tij, sepse, me natyrën romantike, shpesh e
përqendronte vështrimin në pyllin e dendur të ahut të korijes
përballë. Ishin vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, kur
mungonte gjithçka. Këpucarët e fshatit bënin këpucë të reja
duke shqepur këpucë të vjetra dhe duke përdorur një farë sholle
që shërbente si veshje ambalazhi për arkat e municioneve të
topave dhe gjendeshin plot të tilla pas Luftës Italo-Greke. Më
tej, pas luftës, kur Koci gjente ndonjë lëkurë të mirë, e përdorte
për të bërë këpucë për vajzat që martoheshin dhe për nxënësit
e shkollës. Më kujtohet, ne fëmijët rrinim me orë të tëra të
mbështetur tek hekurat e dritares duke ndjekur me padurim
të na mbaroheshin këpucët me qafa që na kishin porositur
prindërit. Më në fund Gaqoja u mbërthente prroqe në taban e
në thembra, për të na mbrojtur nga rrëshqitja në rrugët me
akull. Në netët e ftohta të dimrit mblidheshin djemtë e fshatit
tek dyqani i tre vëllezërve këpucarë për të ndihmuar në
ndreqjen e peronave. Por ata i tërhiqte edhe magjia e këngëve.
Tre vëllezërit punonin e njëkohësisht këndonin. Mbasditeve,
pasi linin punën të tre uleshin në ballkonin e drunjtë e
këndonin të shoqëruar nga mandolina e kitara. Gaqoja, që
në moshën e re kishte një zë baritoni të ëmbël, i cili tërhiqte
vëmendjen dhe admirimin e fshatarëve që e dëgjonin.
Dardhari Kiço Çeku, me banim në Florida kujton: “Gaqoja
ishte 2-3 vjet më i madh se unë, por në moshën e fëmijërisë ai
na dukej i madh. Mblidheshim djemtë e mëhallës tek dyqani
i Zdrulit, i cili për ne kishte cilësinë e një vatre kulture…
Gaqoja i fëmijërisë sime ishte një njeri me shpirt të hollë artisti
e zemër të mirë. Me durimin dhe shkathtësinë e tij na futi
dashurinë për muzikën edhe neve moshatarëve më të vegjël,
na ngjalli pasionin e këngës, duke na mësuar t’i binim kitarës
e mandolinës. Nuk kishte shtëpi në Dardhë që të mos kishte
një kitarë apo një mandolinë. Duke ndjekur zërin e Gaqos,
ne, shokët tij, mësuam këngët karakteristike të folklorit
dardhar, këngët partizane të Dhora Lekës dhe të autorëve të
tjerë. Aty spikati talenti i Gaqos si këngëtar i vërtetë. Zërin e
tij e kishin zili jo vetëm këngëtarë të dëgjuar të fshatit, por
edhe këngëtarë të njohur të qytetit të Korçës si Gaqo
Jorganxhiu, Petro Dula, Gaqo Hyrka e të tjerë.”
Pasi shtëpia e tyre u dogj nga fashistët italianë, i rritur me
edukatën qytetarë dhe ndjenjat liridashëse të familjes dhe
përgjithësisht të fshatit të Dardhës, Gaqoja qysh në moshën e
njomë u bashkua me të rinjtë e të rejat e fshatit në luftë kundër
pushtuesve nazi-fashistë. Koci dhe Vaska dolën partizanë,
ndërsa Gaqoja, si i ri antifashist, u bashkua me njësitin guerril
të fshatit.
Në vitet që pasuan, Gaqoja e Vaska banuan larg fshatit,
ndërsa vëllai i madh, usta Koci, nuk u nda nga Dardha, ku,
veç zanatit, u bë dhe një nga pjesëmarrësit e jetës artistike të
fshatit. Qysh nga viti 1948 ai filloi të regjistronte këngë
popullore, përralla, rite e zakone të Dardhës dhe të krahinës
së Devollit. Gjatë viteve ’50 e ’60 Koci e dendësoi punën e
mbledhësit të folklorit, ku ndikoi talenti dhe pasioni i tij në
shijet artistike dhe dashurinë për kulturën folklorike. Një pjesë
e materialit të tij u publikua në një përmbledhje të bukur e të
zgjedhur të poezisë popullore të Devollit, që u botua nga
Instituti i Kulturës Popullore. Kjo poezi popullore e ka
frymëzuar edhe Gaqon qysh në fëmijëri dhe më pas, kur ai
ka ndjekur edhe poezinë tonë klasike shqiptare. Muzika dhe
fjala poetike e shoqëruan Gaqon gjatë gjithë jetës.
“JETOVA ME ART—ËNDRRASH TRAZUAR”
Nga një poezi e hershme e Gaqos zgjodha këtë varg:
“Jetova me art—ëndrrash trazuar!” Dashurinë e tij për artin,
muzikën dhe interpretimin e ndjenjave nëpërmjet telave të
kitarës e mandolinës ai e shfaqi qysh me serenatat dardhare,
të cilat nuk binin më poshtë nga serenatat korçare… Natën,
ndriçuar nga hëna që sapo kishte nxjerrë vetullën mbi “Gurin
e Rrahut”, djelmuria e Dardhës ecnin ngadalë mbi kalldrëmet
e rrugëve të pastruara me kujdes nga duart e vajzave… Një
qëndrim i beftë tek muri i gurtë rrethues i një oborri, mbi të
cilin vareshin trëndafilat e kuq rënduar nga vesa e mbrëmjes.
Fillonte kënga e merrte krahë:
“Në mes të natës në qetësi,
Ti në ballkon po rrinje…”
Tingujt dramatike përplaseshin nëpër ballkonet e shtëpive
të mëhallës, zëri i Gaqos, i cili arrinte tonet më të larta,
zotëronte mbi zërat e tjerë. Diku, në errësirë, lëvizte perdja e
një dritareje… Me tutje, një avlli me lart, i këndohej
“perëndeshës së bukurisë…”
Në Dardhë, piknikët, argëtim i sjellë nga kurbetlinjtë e
Amerikës, fillonin që në pranverë, kur çelte gjethi, deri në
vjeshtën e parë kur fillonin të piqeshin kumbullat. Kënga e
parë karakteristike që këndonin dardharët në piknikë ishte:
“O vemi, ah, vemi
Në mes të pyllit do vemi…”
Mes tyre ndodhej edhe Gaqoja e melodia kumbonte në
korijen e Shën Pjetrit, jehonte deri në Devoll dhe e kthente
valën e tingujve përtej qiellit. Aty mbërrinin dhe tonet e zërit
magjik të birit të Dardhës.
Aktivitetin e tij si këngëtar Gaqoja e filloi në vitin 1947
me pjesëmarrjen në korin e Ansamblit të Ushtrisë me dirigjent
Gaqo Avrazin. Në vëllimin me poezi: “Shpërthen zëri në
suferinë” G.Zdruli ka përfshirë edhe një poezi: “Në gjoksin e
këngës” kushtuar Artistit të Popullit, Gaqo Avrazi, muzikant
i talentuar e dirigjent i pasionuar. Ai ngriti e krijoi korin e
ushtrisë, që, për nga forca e interpretimit, ndjesia e dinamika
u bë i famshëm jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe jashtë
kufijve të saj. Nga gjiri i këtij ansambli dolën solistët e talentuar
të Teatrit të Operës, si: Mentor Xhemali, Lluk Kacaj, Stavri
Rafaeli, Avni Mula, Ibrahim Tukici, Xhoni Athanasi, Maliq
Herri, Gaqo Zdruli e të tjerë. Në poezinë: “Berlin, 1 gusht
1951” Gaqoja përshkruan emocionet e mbresat nga udhëtimi
bashkë me Ansamblin e Ushtrisë për të dhënë shfaqje në
festivalin e rinisë në Berlinin që akoma s’e kishte marrë veten
nga lufta.
/Të erdha ty, o Berlin, që na fute tmerrin,/ Të erdha unë, një
fshatar i varfër, të erdha,/ Një ish-partizan i vogël me një ëndërr
të madhe,/ Të erdha… të të them se edhe unë e kam urryer
Hitlerin…/ Të erdha…jo me pushkë…/ Këngën time tani,
dëgjoje…llautën shqiptare,/ Sa bukur ia thotë kabaja me valle…/
Në gusht 1955 Ansambli i Ushtrisë udhëtoi për në disa
vende të Azisë: në Kinë, Kore, Vietnam e Mongoli, ku Gaqoja
shkroi shumë poezi të frymëzuara nga vendet e reja të
panjohura. Ja disa vargje të tij:
Era përshtyn retë
Në pirgje valëzon e ngrihet rëra
Mes saharës mongole…
Mbi vargmale dredhur mure lashtësie…
Në kolonë buzëtharë karvani me gamile…
Treni guget stepës dhe shkretëtirës,
Në mbrëmje Pekini pret miqtë prej Shqipërie…
Kur Ansambli i Ushtrisë po kthehej nga turneja e Azisë,
duke udhëtuar me vapor mbi detin Egje, Gaqoja shkroi për
kujtim këto vargje:
/Egje magjiplotë,/ Lundroj sot mbi valët e tua,/ Kërkoj mbi ty
perënditë,/ Të kuvendojnë me mua…/Egje, det i thellë mbuluar me
ëndrra dhe yje/ Zanat vetullholla mes teje dredhin valle,/ Manteli
i artë, purpurin në dallgë./
Këto vargje-dallgë më çojnë tutje, në vite. Më kujtohet
kur Gaqoja krijoi korin e fëmijëve të Dardhës, ku merrnim
pjesë ne, nxënësit e shkollës 7-vjeçare. Provat i bënim në sallën
e shkollës gjatë muajve korrik-gusht, kur familjet dardhare
ktheheshin në fshat për pushimet verore. Kori ndahej në zërin
e parë ku merrnim pjesë ne, vajzat dhe në zërin e dytë—
djemtë. E mbaj mend mirë, kënga e parë që na mësoi Gaqoja,
ishte “Vollga, Vollga”, një këngë ruse për lumin e Vollgës, që
atë kohë ishte në modë të këndohej në të gjitha koret e
Shqipërisë. Kur Gaqoja na mësonte me durim këngën, ne
shtangeshim tek dëgjonim atë zë bubullues dhe nuk na besohej
se ata tinguj dilnin nga gjoksi i tij. I luteshim ta përsëriste
edhe një herë melodinë, mbasi na dukej se kënga e tij na e
sillte Vollgën aty, para syve dhe zëri i shtruar i Gaqos lundronte
tok me dallgët e ngadalta të lumit… e ne nuk ngopeshim së
dëgjuari…
Në vitin 1958 Gaqon e gjejmë student në degën e kantos
në konservatorin “P.I.Çajkovski” të Moskës. Mbasi përfundoi
këtë konservator brezi i parë i artistëve shqiptarë, erdhi brezi
i dytë me Gaqo Cakon, Gaqo Zdrulin, Irena Gjergon,
Gjenovefa Heben, Luiza Papen e të tjerë. Por artistët e brezit
të dytë nuk arritën t’i përfundonin studimet plotësisht, për
shkak të situatave politike të kohës. Kështu, nga vitet ‘61-’62
ata u kthyen në Shqipëri dhe u diplomuan në konservatorin
e Tiranës.
Në të njëjtën kohë me Gaqon, në Moskë, studionte dhe i
vëllai, Vaska, në shkollën e artit ushtarak. Dy vëllezërit e
pandarë blenë një kitarë dhe në kohën e lirë këndonin së
bashku me grupin e studentëve shqiptarë këngë qytetare të
vendlindjes, pa harruar këngët e serenatave korçare e
dardhare. Dhe patën aq sukses këto “koncerte” të
improvizuara, sa këngëtarët ruse i mësuan shpejt këngët tona
e filluan të këndonin tok me shqiptarët. Zërin e Gaqos e
vlerësonin pedagogët e konservatorit, por ata pëlqenin
gjithashtu edhe edukatën e sjelljen e tij qytetare, pasionin e
tij për muzikën dhe këmbënguljen për të dalë me rezultate sa
më të mira. Një ditë pedagogu i kantos i tha Gaqos: “Ju
shqiptarët e keni Italinë në prag të derës dhe vini e studioni
për kanto në stepat e Rusisë! Ne, rusët, mjaftohemi të jemi të
lumtur vetëm kur kemi fatin të jetë moti i mirë për të mundur
të dëgjojmë në radio programin me muzikë nga Italia.”
Gjatë kohës së studimeve në Moskë Gaqoja nuk e harroi
kurrë Dardhën. Ai thurte vargje për të, që të shuante mallin
për fshatin e largët, përshkruante ujin e ftohtë të krojeve të
shumta që burojnë nga dëbora e maleve. Përpiqej të
krahasonte dimrin mesdhetar, duke e quajtur veten “jugor”,
me dimrin e ashpër të Moskës, të cilin e quante “dimri i
vendësve”. I bënte përshtypje moti i egër në dimrat e gjatë të
Rusisë, ndërsa kujtonte dëborën e fshatit të tij… Moskovitët,
të mësuar me të ftohtit, e prisnin gati me gëzim dëborën e
dimrin.
Disa vargje nga poezia “Ftohtë, oh sa ftohtë në Moskë”:
Jugori ia ndien dimrit ftohtësirën, /Kur bora dridhet e përcëllon
fytyrën…/ Vendësve, kur qan e ulurin furtuna / Veshur bukur porsi
Dubina, / Vodka ua ngroh e u gëzon të bardhat zemra, / Shkasin
me patinazh vocërrake, / Pleqtë, të rinjtë dhe gratë…/Ftohtë, oh sa
ftohtë…/ Nesër shpresohet të jetë më ngrohtë, / Provimin në kanto
kam, vërtet, /Rrugën “Gorki” përshkoj shpejt, / Dhe mbërrij në
konservator./
Disa vargje nga poezia : “Mbrëmë”
Mbrëmë rrëshqita për gjith’natën mbi akull…/ Dhe herë-herë
më dukej se fluturoja diku/ Duke kapur flokë bore pambarim/ Që
shkriheshin mbi shuplakën e ngrohtë të trupit tim…/Rendja,
rrëshqisja mbi akull…/ Cepat qerpikëve u mbyllën në largësi, /Më
zuri gjumi i vendlindjes, përsëri…/
Disa vargje nga poezia “Tek portat e tua.”
“Mirë se erdhët ju albanezë” dikush na uron…/ Mbi Neva
çajka gugatjen numëron…/ Garmoshkën luan vajza në të bardha
veshur,/ Para pallatit“Pjetri i Madh” i tëri i zhveshur…/ Qyteti i
lashtë zemrën na robëron,/ Lulëkuqe sallave na sollën ku ziente
kënga jonë,/ Leningrad i bukur, për ty kënga nuk mbaron…/
Gaqo Zdruli këndoi e punoi me profesionalizëm të lartë
si solist i Teatrit të Operas e Baletit për 30 vjet rresht. Ai krijoi
një mori figurash skenike operistike nga repertori i huaj e ai
kombëtar. Me 1956 ai interpretoi rolin e markezit në operën
“Traviata” të Verdit. Me 1962, mbasi u kthye nga studimet
në Moskë, interpretoi figurën e reshterit Morales në operën
“Karmen” të Bizesë. Me 1963 dhe 1971, rolin e Shonarit në
operën “Bohem” të Puçinit etj. Të gjitha rolet dhe këngët e
interpretuara nga Gaqoja në skenën e operës, në koncertet
recitale, në emisionet televizive e në radio, kanë lënë mbresa
tek dëgjuesit për ngrohtësinë e shpirtit e të mendimit të tij. Si
artist lirik e i talentuar, ai u dallua për zërin e tij të vrullshëm
dhe vokalin elegant skenik.
Këngëtarja dardhare, solistja e Teatrit të Operës e Baletit,
Jorgjia Misja, me banim në Worcester, Mass., ruan shumë
kujtime për Gaqon, gjatë kohës që ata punonin të dy në teatër.
“- Gaqoja, thotë Jorgjia, – ishte njeri punëtor, i thjeshtë, i
dashur e gojëmbël me të gjithë. Shpeshherë në pushimet e
punës gjatë intervaleve të skenës, rrinim bashkë dhe kujtonim
natyrën e bukur të Dardhës sonë dhe njerëzit e saj aq punëtore
e të edukuar, burrat e mençur dhe nënat tona aq punëtore e
pa fjalë, duarartat që nuk u lodhën kurrë… Gaqoja e donte
shumë artin, e kishte pasion. Ai ishte artist në shpirt. Nuk iu
nda kurrë skenës.” Jorgjia tregon se të dy i lidhte jo vetëm
Dardha, por edhe interpretimi i roleve të dyta. Por, sipas
artistes, kishte raste kur ata interpretonin edhe role të para
kur mungonte ndonjë këngëtar. Sepse Gaqoja ishte një artist
i kompletuar dhe punonte me seriozitet e këmbëngulje për të
dhënë maksimumin e aftësive. Jorgjia vazhdon të tregojë për
turnetë që organizonte teatri dhe koncertet e shumta që kishin
dhënë anekënd Shqipërisë në kooperativa bujqësore, në
reparte ushtarake, deri në Tomorricë e fshatrat e largëta të
Skraparit. “Shumë herë ecnim në këmbë, – thekson ajo, –
shpesh binim të flinim të lodhur pa pasur gjë për të ngrënë…
Bënim punën fizike një muaj në Çermë e vende të tjera të
papërshtatshme e me vështirësi banimi, ku nuk gjeje ujë për
të pirë etj. Por Gaqoja nuk u ankua asnjëherë, si gjithmonë
modest, buzagaz e me këngë në buzë, ai punonte më shumë
nga të gjithë dhe ushqimin e pakët e ndante me të tjerët.”
BIGLLES MBI MORAVË
Duke dëgjuar këngën “Vlora-Vlora”, ne dardharët
kujtojmë jo pa krenari, autorin që e kompozoi këtë këngë,
muzikantin e dëgjuar dardhar Thoma Nashi. Ja ç’shkruante
për të Gaqo Zdruli në një kumtesë mbajtur në sesionin
shkencor në Dardhë, me 1984: “Me 1920, me ardhjen e bandës
“Vatra” nga Amerika në Shqipëri, Dardha e priti Thomain
me aq dashuri sa dhe gjithë Shqipëria. Në krye të bandës
qëndronte Thomai i përmalluar, ai ngriti kokën dhe vështrimin
e drejtoi te “Guri i Vjeshtës”. Fshati u mbush me tingujt që
lëshonin instrumentet, “Vlora-Vlora”—përgjigjej jehona e
korijes përballë. Fëmijët, por jo vetëm ata, edhe të rriturit e të
moshuarit, burra e gra rendnin pas bandës që po ecte nëpër
rrugët e fshatit. “Gëzim të madh na solle, o Thoma!”- i thanë
fshatarët duke e përshëndetur.” Ndërsa në vitin 1988 G.Zdruli
shkroi poezinë: “Vlorë. Ulur te Monumenti i Lirisë” :
“Erdha për të parë ty, moj Vlorë…/Monumentet kuvendojnë…/
Dhe imazhi zbret tutje viteve 20-të/ Thoma Nashin, për të kujtuar/
Telat me gjemba vija pentagrami iu bënë/ Gunat e dhirta—fletë
muzike/ “Vlora-Vlora” për ta shkruar…
Duke ecur në gjurmët e bashkëfshatarit, pionierit të
muzikës dardhare, Thoma Nashit, Gaqoja këndoi me pasion,
kompozoi një varg romancash vokale, dha koncerte të
panumërta brenda e jashtë atdheut. Më se një dekadë Gaqo
Zdruli ka dhënë kontribut si pedagog në degën e kantos në
Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Ai përgatiti dhe
edukoi breza të rinj artistësh të vokalit. Gaqoja ishte studiues
i teorisë muzikore.
Gaqo Zdruli ka pasur një vizion të gjerë interesash artistike
jo vetëm në muzikë, por edhe në fushën e letërsisë. Përveç
romanit “Në krah të suferinës”, botoi edhe tri vëllime me
poezi. Në vitin 1999 botoi vëllimin poetik “Shpërthim zëri në
suferinë”. Vargjet e këtij vëllimi, sa origjinale aq edhe jetësore,
janë shkruar në luginën e Devollit dhe në vargmalet e Moravës
ku kërciste pushka. Vargjet janë një buqetë trëndafilash
kushtuar 164 djemve të Devollit që e bënë jetën fli për çlirimin
e atdheut nga nazifashistët.
Disa vargje nga poezia “Krisma e tinguj partizanë”:
/…Rrugës nga kaluam,/ Shtigjeve të acarta ku luftuam,/
Mbollëm vetëm trimërinë!/ Jehona vjen e kompozuar maleve,/ Me
krisma e tinguj partizane,/ Shpërthen zëri në suferinë,/ 164 djem
devolli jetën dhanë…/ Gjaku mbuluar nën dafinë…/ Gruri rritur
mbi arë,/ në jetë do t’i ledhatojë bijtë,/ për liri, atdheut rënë./
Nga poezia “Tek portat e fukarait”:
/ Losnja me top lecke kur gjëmoi,/ Bersaljeri me motor“Guxi”
kaloi…/Urrejtja e fukarait, trimërinë rizgjoi./
Në poemën kushtuar dëshmorit dardhar Ilo Çomi, rënë
në kampin e shfarosjes të Mathauzenit me 1945, Gaqoja
vargëzon:
/Iloja veshi xhaketën e shokut të vdekur,/ Dhe një copë laps
në xhep pat gjetur/ Dhe shkroi dërrasës së gjakosur: /”Jeta mbi
vdekjen do të fitojë!”
Vëllimi i dytë me poezi “Sytë e dashurisë”, botuar me
2001, përmbledh poezi me tingujt që i burojnë nga zemra për
jetën, luftën, këngën, peizazhe të natyrës në Dardhë dhe të
vendeve të botës ku ka udhëtuar. Gaqoja është përpjekur që
çdo ngjarje artistike të jetës ta përshkruajë në vargjet e tij
duke dhënë, përveç kujtimeve, edhe mesazhe të dashurisë e
të respektit për njeriun.
Nga poezia “Mes malesh”:
/Mes malesh ec ku rininë time lashë…/ Maleve të thepisura
gjerë e gjatë,/ Pyjeve çava, burimeve ujë s’u lashë…/Përrenjve të
isha arush mali vrapoj,/ Nga maja e borigës ketri merr horizontin…/
Mes malesh ec e s’ngopëm nga jeshili./ Luleshtrydhja skuqet nën
lëndinë / Zgorrofetja mbin në ditë prilli…/
Nga poezia “Biglles mbi Moravë” :
/Biglla ime, e arta Biglle…/Verës mbi krahë i mban retë,/
Ligjëron pisha malit mbi Moravë,/ E flladi fryn lehtë-lehtë…/Biglla
ime, bredhave të tua,/ Shikoj trimat që shkuan,/ hipur kuajve samarë
gunëmbuluar…/ Biglla ime…/Prej mallit ngjitem luginës përpjetë,/
Të ulem, të sodis…tutje…”Gurin e mprehtë”./
Nga poezia “Te kroi”:
/Furfurin gjethi ahut në mes majit/ E cicërrima ëmbël ledhaton

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Gaqo Zdruli, poetin dardhar, Rekuiem per artistin, Rozi Theohari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 468
  • 469
  • 470
  • 471
  • 472
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT