• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve

March 30, 2013 by dgreca

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, lidhur me jetën e Krishtit, nuk ka asnjë lajm për ne. E ndoqëm me mend Mësuesin e munduar, përmes Ungjillit, në Betani, në Tempull, në Çenakull, në Kopshtin e Ullinjve, në shtëpinë e kryepriftit, në prokurorinë e Pilatit, në Udhën e dhimbshme, mbi Kalvar. Dëgjuam fjalët e dashurisë, që u ngritën mbi fjalët e urrejtjes, të përsëritura pambarimisht në historinë e njeriut e pambarimisht të kota. Kotësi e kotësive! E pamë kur vdiq, kur e ulën nga druri ku e kishin mbërthyer pa kurrfarë mëshire, kur e lyen me vajra erëmira, e mbartën në rrugëzat e një ullishteje, e mbyllën në varr. Dëgjuam zhurmën rrënqethëse të gurit, që rrokullisej për të mbyllur grykën e varrit. Si zhurma e gozhdëve mbi arkivolet, që mbyllin trupat pa jetë të të dashurve tanë. Mbaroi! E s’dimë asgjë më. Armiqtë ngadhënjimtarë kthehen në shtëpitë e tyre tejet të kënaqur. Edhe për ta gjithçka u krye: nuk do ta kenë më nëpër këmbë kundërshtarin e padëshirueshëm. E zhdukën përgjithmonë, pa frikë kthimi. Nuk do t’ua vrasë më sytë rrugëve të Palestinës, as do t’i dëgjojnë më anatemat e tij të tmerrshme. E kujtojnë mirë. Nuk besojnë se do të kthehet më por, për të davaritur dyshimin e fundmë, vënë roje për ta mbikëqyrur varrin. Nuk harrojnë të vënë edhe vulat e tyre. Sigurohen kështu se askush nuk do të mund të vërë dorë mbi këtë varr, që e dëshironin aq shumë e që i trembeshin edhe më shumë. As dishepujt e interesuar për trupin e tij e as rojet, që mund të bliheshin lehtë, si Juda. S’ mendojnë fare për gjithëpushtetin e Hyjit! E shkojnë të kremtojnë Pashkët e tyre, tashmë pa pikë kuptimi, të sigurtë se Hyji është me ta.
Po nxënësit, ku janë? Ungjilli, në këtë orë ngushtice, përmend tre emra, me fat krejt të ndryshëm: Judën, tradhtarin, që shkon e varë veten, sepse nuk është në gjendje ta shndërrojë brerjen shkatërrimtare të ndërgjegjes në shpresë përtëritëse; Pjetrin, që e mohoi Mësuesin, por që, i penduar thellë nga vështrimi i tij, nuk pushon s’e lari mëkatin e vet me lot të hidhur; Gjonin, që ngjitet në Kalvar e merr nën kujdes, plot dashuri, Nënën.
Të tjerët ia kanë mbathur. Por gjithsesi, edhe ata kanë shkuar të shikojnë ç’do të ngjasë. Pavarësisht nga ligështia, fati i Nazarenit ishte tepër i lidhur me fatin e tyre. Edhe ata ishin në Udhën e Kryqit, të ngatërruar mes turmës, për t’u ruajtur nga rreziqet. E panë edhe ata, deri në fund të fundit, e shkuan, me zemër të plasur e shpresa të copëtuara. Nuk i kujtojnë më profecitë e Mjeshtrit, që janë avulluar nga mendja e tyre, e paaftë për të depërtuar në të mbinatyrshmen. Për ta, ashtu si për armiqtë, ndonëse në një mënyrë tjetër, gjithçka ka marrë fund. Vdekja nuk lejon epilogë.
Mbyllen në shtëpinë mike, që i ka strehuar herën e fundit së bashku me Jezusin. Juda ka vdekur. Nuk do t’i spiunojë askush. Mund ta konsiderojnë veten të sigurtë, në se nuk do të bien në sy. Pastaj, si të ketë kaluar tronditja e thellë, do të kthehen në shtëpitë e tyre, larg rreziqeve, në Galile, për të rifilluar jetën e tyre të paemër, të pashpresë, në të cilën nuk pritet më asgjë e jashtëzakonshme.
Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jeruzalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që ai vdiq, nuk kanë ç’të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet, sepse edhe për ta gjithçka ka marrë fund. Vetëm grupi i vogël i grave nuk dorëzohet. As ato nuk e mendojnë ringjalljen. Por kanë një dashuri që s’njeh mort e presin t’u krijohet mundësia për ta shprehur edhe një herë mbi kufomën e njeriut të dashur. Edhe ato kthehen në shtëpi; edhe për ato gjithçka ka marrë fund. E megjithatë, janë gjithë sy e veshë, në një pritje, për të cilën u jep të drejtë dashuria.
Thua shkuan në shtëpinë e asaj që, e vetme pret ende, me bindje se mund të ndodhë gjithçka?
Nëna është pritur me krahë hapur në shtëpinë e Gjonit, birit të ri që ia dha Krishti mbi Kryq. E Gjoni bën çmos të gjejë mënyra për të zëvendësuar Birin e pazëvendësueshëm, të vetmin, Birin e Hyjit.
Askush nuk merr guxim t’i thotë një fjalë Marisë, e as ajo s’e kërkon. Shpirti i saj nuk është i vetmuar. Rri në pritje të zbulesës së re, duke kaluar nëpër mend çaste të tjera pritjeje, shprese, që nga çasti i parë, kur e lajmëroi Engjëlli, tek ditët e amësisë së saj të pazakontë, tek hapat e para të Jezusit, fakte që i meditonte e i ruante në fshehtësinë e zemrës së saj, ashtu si ruante në arkë petkat e birit misterioz, që dukej sikur e mohonte, që e priste, pastaj, në majën e kodrës e i besonte misionin e një amësie të re, për Gjonin, për njerëzimin e shëlbuar, për të gjithë ne.
E ne, bandë tekanjoze, e lënë nën kujdesin tënd, duam të rrimë me ty, Nënë, për ta jetuar me ty këtë natë, plot me fe, shpresë e dashuri. Nata jonë shpesh është e ngarkuar me dëshpërim. Edhe ne, si dishepujt, nuk shikojmë asgjë përtej pragut të vdekjes. Krishti e kapërceu këtë prag, e ne nuk e pamë duke u rikthyer. Besojmë se u rikthye plot lavdi, por nganjëherë besimi ynë lodhet. Shikojmë sesi miqtë, vëllezërit, ata që duam, shkojnë edhe ata, kapërcejnë pragun pa kthim e e dimë se do të kemi të njëjtin fat. Pritja është plot ankth, dridhemi nga errësira e përtej pragut, nga e panjohura.
Pranoi, o Nënë, lutjet e zemrave të trazuara, e na shoqëro në vetminë e vdekjes sonë, të pritjes së ftohtësisë së varrit. Lutu për ne, Nënë e Hyjit, tani e në orën e mbramë. Na e ndriço errësirën e mendjes me dritën e fesë sate; ngrohe ftohtësinë tonë për të vërtetat qiellore me zjarrin e dashurisë sate; tërhiqe zemrën tonë, të habitur pas fantazmave të jetës që kalon, që të presë plot shpresë të mbinatyrshme ngjalljen e Krishtit Shëlbues.

E Shtuna e Madhe: ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve

E Shtuna e Madhe: ‘Exultet’ – ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshme se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe.

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.
Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re.
“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i Ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.
(Kortezi Radio Vatikani)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita e shtjnes, e te shenjte te Pashkeve, Radio Vatikani, se Madhe

VLORA ME HISTORI DHE KËNGË – NJË DIAMANT I VENDIT TË SHQIPEVE, NJË PERLË MESDHETARE

March 30, 2013 by dgreca

FAKTI HISTORIK DHE TRAJTIMI FOLKLORIK I LUFTËS SË VLORËS, 1920/

Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/

Për të kuptuar dhe shpjeguar si duhet raportin histori – folklor në Luftën e Vlorës apo gjendjen dhe prirjen e zhvillimit dhe aplikimit folklorik të epikës historike për Luftën e Njëzetës, siç e quan populli, mendojmë se duhen njohur dhe kuptuar një sërë faktorësh: historikë (rrjedha e ngjarjeve, me të mirat dhe të këqijat që e kanë shoqëruar deri më sot), kulturorë (traditat, doket, të drejtën zakonore, mënyrën e jetesës, normat e të sjellurit, gjuhën dhe komunikimin, etnokulturën lokale, kulturën shpirtërore e atë materiale etj.), gjeografikë (pozita gjeografike e një vendi malor të ashpër e të thyer si treva e Vlorës, ku thyhet kontrasti me detin, ishullin, gadishullin, lagunën, mikroultësirën e kodrat me ullinj), politiko-shoqërorë (klasat e ndryshme, shtresat si janë formuar, si janë angazhuar për lëvizjen kombëtare, për lirinë kolektive në funksion të asaj individuale, kur ajo cënohej nga pushtuesi, ecuria dhe fuqia e shtresave sociale  në politikën e vendit), pse jo edhe pozita gjeostrategjike e Vlorës në Shqipëri, në rajon, në Mesdhe e më gjerë.

Ndoshta edhe tangjent, e ndjejmë të domosdoshme që në fillim të japim një dukje në profil të Vlorës, pak histori për Vlorën ku janë zhvilluar ngjarjet, për arealin, si e ka trajtuar folklori, çfarë ishte Lufta e Vlorës, përse shpërtheu ajo, përse në Vlorë, koha dhe hapësira që rroku kjo luftë, si është pasqyruar në epikën historike, koha e lindjes së njësisë foklorike, e zhvillimit dhe aplikimit, hapësira etnografike ku u shtri e qarkulloi, me variantet që u kultivua dhe a përbën sot epika historike e Luftës së Vlorës një foklor që bën jetë aktive apo është folklor pasiv me vlera arkivore, si edhe arsyet e gjendjes aktuale. Pa u marrë me etimologjinë e qartë gjuhësore, Vlora, një nga qytetet më të lashtë në portën e Perëndimit me Lindjen, është njohur fillimisht me emrin Aulon (nga shkrimtari grek Lukiani dhe gjeografi i mirënjohur i Aleksandrisë, Ptolemeu në shekullin II të erës sonë) dhe është quajtur qytet, skelë. Gjurmët më të hershme i përkasin shekullit të gjashtë p.e.s., (para Krishtit). Studiuesit  thonë se kemi të bëjmë me një emër tipik ilir. Akademiku Shaban Demiraj, (i cili ka lindur në Vlorë dhe pikërisht më vitin 1920) ka mendimin se emri i Vlorës është një ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe të Jonit, që i kanë qëndruar kohës  qysh nga periudhat e lashta. Në bregdetin e banuar nga popullsia shqiptare, ky emër ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ata të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografikë nuk do të mund t’i kishin qëndruar kohës, në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi të pandërprerë përdorimi në rrjedhë të shekujve¹) Ndërsa arkeologu Neritan Ceka ka mendimin se emri Aulona lidhet me talasokracinë liburne, e cila është tipike për shek. VII p.e.s.²)  Kemi qenë pjesëmarrës në konferencës shkencore “ Trashëgimia arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, ideuar dhe organizuar nga bashkia Vlorë më 12 maj 2006 buzë detit, në ambjentet e hotel “Internacional”, ku Vlora mori çertifikatën mbi datimin e themelimit 2500 vjeçar si qytet. Por, unë kam një dëshmi gojore, të fiksuar më 20 mars 2012, nga një miku im, paleontologu  57 vjeçar, prof. Luan Hasanaj, pegadog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, i cili në thelb më ka thënë se Vlora, ajo e hapësirës së  Monumentit të Pavarësisë te “Sheshi i Flamurit”, shënjon qysh 5500- 3500 vjet para Krishtit (dhe këtë e argumenton me metodën e korelimit (krahasimit) të mikrofaunës; po kaq mbushmendës

_________________

¹) Demiraj, Sh: Vlora në rrjedhat e kohës, konferencë shkencore; Tiranë: Toena, 2001, f.15) 

²)Buletini informativ, Bashkia Vlorë,  2006/10: Konferenca shkencore “ Trashëgimia  arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, f.22.

është edhe fakti që: kur në këtë hapësirë ekzistonin popujt e vjetër të Mesdheut, ndër ta, më vonë edhe Greqia e Vjetër dhe Roma e Lashtë, si mund të mos ekzistonte Dheu i atyre që i mendojmë dhe i pranojmë si të parët tanë,  Dheu ku kemi lindur, ku banojmë, jetojmë

e veprojmë edhe ne si komunitet që e mbajmë veten si pasardhës të ilirëve.) Edhe pse ndoshta del jashtë temës që po paraqesim, e quajmë me vend ta evidentojmë këtë ide, e cila mund t’i nënshtrohet diskutimit, nga i cili na intereson, në rastin konkret, epika historike në tërësi me objektiv folklorin e Luftës së Vlorës, për vlerat njohëse, edukative dhe artistike që mbart e transmenton brezave.

Vlora  është qytet, qendër e rrethit, e qarkut  dhe e prefekturës me të njëjtin emër në Shqipërinë Jugperëndimore, buzë deteve Adriatik dhe Jon. Si qark bën pjesë në Zonën Malore Jugore dhe ka në administrim tri rrethe: Vlorën, Sarandën dhe  Delvinën, me një sipërfaqe 2706km²  e popullsi 370.999 banorë (viti 2010). Është një nga 12 prefekturat e Shqipërisë. Ndërsa si rreth ka një sipërfaqe 1609 km2. Përfshin 9 komuna dhe katër bashki me katër qytete: Vlorë (qendra e rrethit), Selenicë, Orikum, Himarë. Përbëhet nga 99 fshatra. Rreth kryesisht malor me temperatura mesatare. Male: Çika, Çipini, Griba, Bogonica, Lungara etj. lumenjtë: Vjosa, Shushica (Lumi i Vlorës), Dukati. Pjesa fushore njihet me emrin Myzeqeja e Vlorës. Bregdeti i Vlorës është shumë i përthyer me gjire e hapësira të shumta për plazhe. Natyra e rrethit është e larmishme: Gadishulli i Karaburunit, Ishulli i Sazanit, Laguna e Nartës, Uji i Ftohtë.  Ka klimë mesdhetare³). Bora  është një femonem i rrallë dhe kur bie në Vlorë qytetarët e festojnë bukur. Në rrethin e Vlorës gjendet dhe një nga majat më të larta të vendit, maja e Çikës, me 2045 m lartësi, në qendër të vargmaleve të Vetëtimës, që ndan vetëm gjeografikisht Bregun e Himarës nga Labëria e Brendshme dhe na ngjan si një grup valltarësh labë që hedhin vallen e rëndë mbi det, paralel me diellin. Ndër monumentet kulturore Vlora, përveç Aulonës së vjetër ka dhe 6 qyteza antike: Amantia (Ploçë), Olimpia (Mavrovë), Oriko (Orikum), Kionina (Kaninë) dhe Himera (Himarë), 3 kështjella (e Gjon Boçarit, shek. XV- Tragjas, e Porto Palermos- Himarë, nga më të mirëmbajturat në Shqipërinë e Jugut dhe e Kaninës, shek IV p.e.s- Kaninë), 5 kisha (e Marmiroit- Dukat, e Zvërnecit-Manastiri i Zvërnecit, kisha e Shën Spiridhonit- Vuno, e Ipapandisë-Dhërmi, e Gjithëshenjtëve- Himarë) e 1 xhami (e Muradies -Vlorë), 6 shpella e guva (Shpella prehistorike e Skotës-Velçë, Shpella e Shkruar- Lepenicë, e Haxhi Alisë- dhe e Gramës-Karaburun, Guva e Maçit- Velçë dhe Guva e Piratëve), 3 banesa karakteristike (Kulla e Vlashajve-Qeparo, Shtëpia e Odise Kasnecit- Vuno, Kulla e Dervish Aliut- Dukat), 3 monumente të natyrës (Pisha Flamur- Llogora, Guri i Qytetit dhe Guri me Qiell- Vranisht) dhe 3 monumente historike (Monumenti i Drashovicës:1920-1943, monumenti i Pavarësisë Kombëtare dhe Varri i Ismail Qemalit- Vlorë).  Rrethi i Vlorës përfshin 6 zona etnografike: Kurveleshin e Poshtëm, Mesaplikun, Bregdetin, Topalltinë, Kudhës-Grehotin dhe zonën e qytetit që bëjnë pjesë në njësinë e madhe etnografike të Shqipërisë së Jugut, Labërinë. Vlora, nëse përdorim një terminologji të prof. Rrok Zojzit, përfshihet në  një nga dy grupet e mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, që morën pjesë në  formimin e tij kombëtar, pra në grupin e krahinave etnografike të Toskërisë⁴). Ndërsa Prof. Dr. Mark Tirta, pasi përmend se në shek. XI-XV Vlora ishte një qytet

____________________

₃)Fjalor enciklopedik; Tiranë: BACCHUS; 2006, f.736

⁴) Zojzi, Rr.: Etnografia shqiptare I, Tiranë, 1962, f.20

shumë i  rëndësishëm bregdetar, ku eksportoheshin prodhime të bujqësisë dhe blegtorisë, si  dhe  prodhime tekstile, me sa duket të punuara nga mjeshtrat popullorë vendës, thotë: “ Vlora në pjesën themelore të saj është Labëri”⁵), kuptohet që është Myzeqeja e Vogël, pjesa fushore e saj që bën përjashtim. Banorët e këtyre trevave ruajnë tradita të pasura në punimin e leshit, të gurit, të drurit, kashtës, filigranës, tekstilit dhe qëndisjes. Vlora ka pozicion të favorshëm, në kryqëzimin e rrugëve tokësore, detare dhe ajrore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Është 135 km larg kryeqytetit të vendit (Tiranës); vetëm 72 km e ndajnë nga Italia (kanali i Otrantos) dhe 77 milje me Greqinë (ishulli i Korfuzit). Ky pozicion garanton një (hyrje-dalje) lëvizje masive të turistëve vendës e të huaj, të shpejtë dhe komode, pse jo dhe shtegtim  e qarkullim të kulturave e popujve  që mbartin njerëzit në lëvizjet ndërkomunikuese. Lidhet me rrugë automobilistike me qytetet kryesore të vendit e sidomos me ata kufizues: Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Fierin. Është drejt përfundimit superstrada Vlorë- Tiranë. Mbrojtur prej ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit, Vlora mban “çelësat” e portës (kanalit) të Otrantos. Dhe me kaq kuptohet se Vlora është si ajo pema me kokrra, pothuaj në kufijtë midis Lindjes dhe Perëndimit, të cilën e gjuajnë udhëtarët për t’i shijuar frutat. Ndër doket e ngjarjet kulturore  të traditës festohen karnavalet e Nartës, festa e Shën Mërisë dhe Ardhja e Pranverës.

Nga shkrimet historike mësojmë se  Vlora në shekullin IV rrethohet me mure guri të latuar. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore dhe detare i njohur për verën, ullinjtë dhe kripën u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë dhe Orikumit.  U pushtua nga normanët (1081), nga Venetiku (1205), më pas ra nënë sundimin gjerman të Hohenshtaufëve  (Hohenschtauff). Më 1272 u përfshi në Mbretërinë e Arbërisë, duke u bërë një qendër e lulëzuar tregtare dhe zejtare si despotat më vete, e dëgjuar në këto zeje: për punimin e hekurit, të shpatave, të mëndafshit dhe nxjerrjen  e kripës. Po në Mesjetë u përfshi nën sundimin e Balshajve. Mbi qytet, nga juglindja e tij ngrihet kalaja e Kaninës. Nga Vlora , më konkretisht nga  Kanina, në kohën e vërshimit osman dhe të qëndresës së shqiptarëve (1380-1443) del në skenën e historisë deri ballkanike edhe në gurrën e folklorit Gjergj Araniti (- 1463), Gjorg Golemi e quan kënga, i cili  bëri jehonë me kryengritjet fitimtare të viteve 30 të shekullitXV, u bë edhe  vjehërri i Skënderbeut apo dhe princesha  me emër Rugjina Balsha. Gjatë pushtimit turk në Vlorë u ngritën disa objekte kulti, midis të cilëve dhe xhamia e Muradijes, ndërtuar në mesin e shek.XVI, gjatë qëndrimit të Sulejmanit të Përndritur, vepër e  të madhit arkitekt Sinanit. U vu nën pashallëkun e Janinës gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Vlora u bë simbol i atdhetarizmit gjithëshqiptar më 1912, ku pas gati 5 shekujsh robërie u ngrit Flamuri Kombëtar dhe u shpall Pavarësia e vendit, duke u bërë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur, falë ideve dhe guximit të Ismail Qemalit nga Vlora, Isa Boletinit nga Kosova, Luigj Gurakuqit nga Shkodra, Rasih Dinos nga Çamëria e të tjerëve, që u bënë pjesë e së tërës dhe na krijojnë imazhin e pemës së shëndetshme  në rrugë kombëtare që ushqen gjithë kalimtarët e uritur për liri.

Verën e vitit 1920 këtu u zhvillua Lufta e Vlorës, ku forcat pushtuese italiane u detyruan të hidhen në det. Në gjysmën e dytë të shek. XX qyteti u rrit e u zmadhua, duke u bërë

nga  më të rëndësishmit e vendit. Ka të zhvilluar tregtinë, industrinë e lehtë, transportin,

___________________

 

₅)Tirta, M; Vlora në rrjedhat e kohës: konferenca shkencore; Tiranë : Toena; 2001, f.205

 

peshkimin, folklorin, sidomos shumëzërëshin labërisht, turizmin malor dhe detar. Në të është ngritur universiteti “Ismail Qemali”, dy universitete private, ka tre muzeume: muzeun etnografik, historik dhe të pavarësisë  ky i fundit është muze kombëtar).

Edhe sot Vlora vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës kombëtare dhe veçanërisht të zonës së Jugut, duke u bërë një qendër edukimi dhe turistike, në dobi të komunitetit. Vlora, porti Jugor i Adriatikut, ka pamjen historike të zonës së një vendi të mpleksur me shumë ngjarje e përplasje historike. Një lexim sado i përciptë i historisë europiane, dëshmon për vendin qendror që zë Vlora në vazhdën e ngjarjeve kyçe që kanë rregulluar për 20 shekuj raportet e Lindjes me Perëndimin. Kjo pjesë toke dhe deti i saj kanë qenë në nga zonat e takimit të të dy botëve e të të dy kulturave të Mesdheut. Mjaft të kujtojmë që në kohët e lashta ndeshja mes Spartës e Athinës, mes Jul Cezarit e Gnei Pompeut, beteja vendimtare mes Augustit e Mark Antonit u zhvilluan edhe në territoret që sot i përkasin Qarkut të Vlorës.

Sot Vlora si qytet numëron një popullsi prej rreth 110 mijë banorë (afërsisht 3% e popullsisë së vendit), si rrethi ka një popullsi 216. 3 mijë banorë (afërsisht 6% e popullsisë së vendit), ndërsa në vitin 1920, si qytet, numëronte vetëm 8000 banorë.

Në këngë Vlorës i janë thurur lavdërimet më të larta, sepse folklori ka dhe parimin e zbukurimit e të hiperbolizimit. E quajnë Vlorë e krenarisë së madhe, Meka e Shqiptarit, Skela e Parë në Evropë, madem i historisë, Princeshë e Lirisë, sinonim i Flamurit Kombëtar etj. Fan S. Noli ka një thënie: “ Vlora për Shqipërinë është si Neë Yorku (Nju Jorku)  për Amerikën”. Aktualisht njerëzit e quajnë “ Mbretëresha e turizmit”. Dhe sot e kësaj dite në mjedise festive këndohet, nga komunitete të ndryshme, secili sipas variantit dhe melodisë që  pëlqejnë e kanë vetë banorët, kënga e Ali Asllanit, ndezur në zjarrin e Luftës së Vlorës: “…Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…/ Çdo or’ e  minutë/ ty të kam në gojë,/ mase të zë lemza/ kur un’ të kujtojë…”  

Aristokrat i vërtetë qe Ali Asllani. Ka qenë edhe kryetar i bashkisë së Vlorës për periudhën 20.12. 1918 deri më 5.11.1920, i mbështetur nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe në mbështetje të Luftës së Vlorës. Studjuesi dhe poeti Jorgo Bllaci  na jep informacionin se A. Asllanin shoqëria “Përlindja Kombëtare” e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si “ Kryetar të Katundarisë së Vlorës”, se poezia e tij “ Vlora-Vlora” u bë kryekëngë, himn e kushtrim në luftën për dëbimin e okupatorit, se për këto kontribute u izolua prej pushtuesve në ishullin e Sazanit, se ai përmendte gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Halim Xhelos, Jani Mingës, Harilla Kolekës etj., se ai shprehej fisnikërisht: “Ata ishin prijësat, ne të tjerët bënim detyrën”⁶)

Është pranuar tashmë që Vlora afron një qytet simbol përsa i përket historisë, po ashtu dhe  pasurisë së vlerave  të folklorit si në funksionin etnopërveçues edhe në funksionin etnointegrues. Epika historike për Luftën e Vlorës ka qenë në fokusin e studimeve të mia të vogla vite e vite më parë.  Mundësia e fati,  rasti e pruri që unë ta thelloj me tjetër prerje Luftën e Vlorës: si  qëndron  ajo në balancën e kohës, duke vështruar dy gurët e peshores- historinë dhe folklorin, si ato ia kanë veshur kostumin, qëndisur sipas

__________________

 ⁶)Bllaci, J.:  Ali Asllani: Poezi të zgjedhura; Tiranë, 1996, f.7-8)

mjeshtërisë përkatëse për t’i rezistuar rrjedhave të kohës.  Ky fakt më rrit përgjegjësinë në parametrat kërkimor-studimor e shkencor, që t’i ruhem “patriotizmit shkencor” si prirje

duke i mëshuar studimit të vëmendshëm si dhe të vëzhgoj diferencën e asaj ç’ka shkruhet e thuhet dhe asaj që bëhet. 

 

Në vetvete historia shqiptare është një dëshmi qartësisht e dhembshme për të ruajtur identitetin e patjetërsueshëm, që erëra, tufane, tallaze e shtërngata të ardhura me tërsëllimë, nga jashtë e nga brenda, deshën ta rrëzonin, ta shkulnin, ta asgjësonin, por s’mundën.

Për çdo komb të qytetëruar të botës njerëzore, nderimi dhe lartësimi i simboleve kombëtare, tregon shkallën e lartësimit kulturor e atdhetar të atij kombi. Një nga simbolet kombëtare shqipëtare është flamuri kombëtar, me ditëlindje të shënjuar dhe të pranuar 28 Nëntorin.  Para këtij auditori elitar paraqitemi me punimin modest “Lufta e Vlorës- historia në epikën histoike” dhe kjo ngjan kur zjarri i 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare flakëron e bëftë në breza dritë të bardhë për qindra shekuj të tjerë shqiptarësh të pavarur, të lirë, me identitet, të integruar në familjen europiane, ku na takon të jemi denjësisht , bashkë me vendet e kombet e tjera të kontinentit tonë. Më duket se jam përpara  Shenjtit të Flamurit, Plakut të Urtë Ismail Qemali, simbolit të ri i Shqiptarizmës dhe Pavarësisë të këtyre trojeve pellazgjiko-iliro-arbërore.

Ndihem shumë i respektuar dhe i nderuar dhe po aq i ngarkuar me përgjegjësi që marr

pjesë në paraqitjen e një kontributi modest për një ngjarje të rëndësishme të historisë

shqiptare, me vlera serioze të veçanta për popullin shqiptar në synimin e arritjes së lirisë, jo thjesht si imazh, por konkretisht, në realitet.

Lufta e Vlorës përbën një ngjarje që duhet të tërheq vëmendjen e atyre kapaciteteve që kombi shqiptar u ka besuar të rishkruajnë  a plotësojnë historinë e kësaj Shqipërie, që e bënë ata burra e gra tramundanash, bij e bija nënash shqiptare, që nuk zhbëhet dot e nuk e zhbën dot askush, se historia bëhet vetëm njëherë, ndërkohë që gjithsesi kjo historia jonë ekziston, kur shumë kombe qytetërimformues të botës janë zhdukur nga harta e globit.

Lufta e Vlorës është një temë që kërkon përgjegjësi të lartë qytetare, me një vizion të kthjellët historik, me një vullnet balzakian,  dhe, në emër të një ideali të madh sa kombëtar aq qytetar,  interpretim saktësisht korrekt për të  shpalosur faqe të reja dinjitoze për ata që me gjakun e tyre vaditën pemën e lirisë dhe dritëruan panteonin e vërtet të lavdisë së kombit.

Kemi patur mundësinë dhe dëshirën të sigurojmë, grumbullojmë, seleksionojmë e përzgjedhim në studion e punës goxha material, ngaqë burimet bibliografike për Lufën e Vlorës kanë qenë dhe janë përgjithësisht të pasura. E vërteta s’është një libër, e vërteta është një mozaik librash. Dhe kjo na intereson. Mendje të ditura,  klasifikuar dhe me kodin kombëtar si ato të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Petro Markos, Muin Çamit, Arben Putos, Ali Asllanit, Lasgushit, Kudret Kokoshit, Nestor Jonuzit etj. kanë ravijëzuar konturet që Shqipërisë i nevojiten të jenë më të dukshmet për faqet që i mbush Historisë së Shqipërisë Lufta e Vlorës. Janë nga ata njerëz që mbi çdo gjë duan  Atdheun siç është, jo bardhë e zi, por me të gjitha ngjyrat, edhe para heshtjes apo indiferencës së shtetit nëpër rrjedhat e kohës. Shkruajnë për ata burra që patën vullnet, qëndresë dhe dëshirë për t’i shërbyer popullit e ca më tepër patën shpresën kombëtare e u bënë ballë rreziqeve me çfarëdo mënyre. Pena e tyre, si daltë skulptori, skalit mjeshtërisht portretet e Ismail Qemalit, Osman Haxhiut, Qazim Kokoshit, Ahmet Lepenicës, Duro Shaskës, Murat Miftarit, Abaz Mezinit, Hysni Lepenicës, MitHat Frashërit, Skënder Muços, Azis Çamit, Zako Mezinit, Rrapo Metos, Sulo Hoxhës, Alem Mehmetit, Hamit Selmanit, Qazim Koculit, Azbi Canos, Ymer Radhimës, Hamza Isait, Hamit Selmanit, Sali Vranishtit, Sado Koshenës, Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Thanas Benit, Mehmet Selimit, Toto Hosit, Jani Mingës, At Shtjefën Gjeçovit, don Mark Vasës, Tol Arapit, Tod Filipit, At Vasil Markos, Hodo Zeqirit, Sulejman Delvinës, Halim Xhelos e gjithë atyre drerëve që luftuan për Flamur. Këtyre burrave të nderuar kombi ua ka borxh bujarinë dhe fisnikërinë që ata treguan. Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit ishte simboli më i shenjtë dhe më i ndjeshëm i shqiptarëve. Një moment i veçantë na ka tërhequr vëmendjen, pikërisht ai  moment tepër simbolik dhe aq dinjitoz i ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1919, vetëm 6 muaj para vendimit të treqind burrave në Kuvendin e Barçallasë  për të filluar luftën e armatosur kundër pushtuesve, zbarkuar përtej Adriatikut, të cilët populli i quante pipinot e makaronave…                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                      Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912-ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pa mundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar.

Dihet thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit. Ngado,  në qytet, në krahina, në fshatra, në komuna, në Mesaplik, në Himarë, në Kurvelesh valëvitej i lirë flamuri kuq e zi dhe ata burra hijerëndë, që i qëndronin flamurit të përbashkuar si lisat malit, betoheshin për një dëshirë, për një qëllim, që ai flamur i betejave shekullore legjendare të valëvitej përjetë i lirë në qiellin shqiptar. U kishte hije atyre burrave dhe ai lot i bukur që rrezatonte faqeve të ashpra të tyre si rreze dielli. Gjëmonte vallja e buçiste kënga, e gëzimi arrinte në kupë të qiellit. Një dasmë e vërtet e përmasave kombëtare, e merituar për t’u gëzuar. “Sikur donin të lajmëronin dhe Zotin atje lart për detyrën dhe betimin e tyre në liri”⁷⁾ shkruan  një monograf në një libër që ka botuar dhe ne ndjejmë vetvetiu një shpirt të dehur nga atdhetaria,  një penë të ngjyer në fisnikëri. Po kjo ditë e shenjtë kaloi fatkeqësisht e përgjakshme në qytetin e Vlorës. Memorialistët e  kohës na japin një panoramë të qartë të kësaj dite që u vendos të festohej me lutje fetare në kisha e xhami. Flamurtarët Rexhep Arapi dhe Faik Xhaferi u bënë shembulli model i djalërisë vlonjate. Sa dolën nga xhamia, njerëzia me këngën e flamurit në gojë, u ndodh papritur përballë tytave të armëve të pushtimit. Është vërtet një ngjarje e dhembshme, e prekshme, përlotuese, rrëqethëse. Italianët synonin flamurin. Filloi përleshja. Urtësia e trimit të ditur Duro Shaska shpëtoi djalërinë dhe parinë e Vlorës nga gjëma, kur gjëmoi: “Me duar o djem, me duar, sakën se përdorni armët.” Akt simbolik i vërtet ishte gjesti i lavdëruar i Jonuz Kumanovës,Tahir Ismail Qemalit dhe fytyrëgjakosurit  për flamur Rexhep Arapi. Jonuzi e futi në gji flamurin e i dëshpëruar, përmbys mbi të ra përdhe.

___________________

⁷) Memishaj( Lepenica),E. :Emblema e një epopeje; Tiranë: GEER, 2010

 

 

 

Bishat e egërsuara u vërsulën, ua rrëmbyen flamurin, e copëtuan dhe e shqyen barbarisht.

Njerëzit i pllakosi gjëma, flamuri humbi. Kuja mori dhenë  dhe nga burrat si rrallë ndonjëherë, qanin si për një të vdekur të shtrenjtë. Ndërsa maskarallëku pushtues arriti kulmin: një lake i tyre i vogël me uniformë, ia lidhi një copë flamuri te bishti një qeni, tek ecte në qytet. Ç’poshtërsi! Vandalizëm vërtet! Edhe sot e kësaj dite dridhen nga dhembja  e dëshpërimi gurët e mureve të shtëpive vlonjate të kohës. E ndjeni? Dridhet dhe kjo ndërtesë! Dridhet sot edhe për Çamërinë, edhe për Kosovën, se ashtu si breshkamanët italianë me Vlorën atëhere, sillen sot hienat serbe me Kosovën martire. Edhe për idealin e Kosovës lufoi Azis Çami. Luigj Gurakuqi luftoi për Çamërinë e Kosovën si ai. Pra pavarësinë e Kosovës s’ka njeri a fe a perandori ta ndali!

Ai veprim i turpshëm, që oficeri i ri italian e quajti trofe e fitores, ndezi gjakun e vegjëlisë. Sa mirë e tha Shero Emini! 28 Nëntori 1919 qe shkëndia që i vuri zjarrin e mori flakë dynjaja me Epopenë e madhe të Njëzetës. Sa kuptimplote janë vargjet :

Vrite, prite për flamur

Ata hiq e tinë vur!

Vargje që për nga forca  shprehjes dhe densiteti i mendimit të kujtojnë tragjeditë shekspirjane. Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë” siç thotë kënga

Për këtë realitët të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo shkruante në shtypin e kohës: Nëse pati Greqia e moçme një Spartë, Shqipëria e  ka një Labëri.

U dritëroftë kujtimi i paharruar Osmën Haxhiut, Qazim Kokoshit, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Hamza Isait, Kol Karbunarës, Tod Filipit, Ymer Radhimës, Ahmet e Hysni Lepenicës, Hamit Selmanit, Ali Beqirit dhe gjithë atyre heronjve me apo pa dekorata, që me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, dhanë jetën a kapitalin dhe bënë histori. Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që mos të lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi. Me këto bëma, që bënë histori, u futën në gjirin e këngës dhe fluturojnë në krahët e këngës si legjendë lirie.

Si sherbet trëndafili u jap urimet më të mira e më të çiltra të gjthë atyre njerëzve të penës dhe të këngës që përjetësuan një ngjarje të vërtetë e me vlera të padiskutuara për historinë dhe etnokulturën kombëtare, etnko-memorialistike.

Lufta e Vlorës është një temë e rrahur nga historiografia. Lufta e Vlorës ka po ashtu një cikël këngësh të bollshëm dhe përgjithësisht mund të pranojmë se e ka zënë vendin e saj në histori apo edhe në folklor.

Zgjodhëm pikërisht këtë temë për të parë, për të studiuar dhe për të evidentuar raportin histori: epikë historike për  Luftën e Vlorës. Gjithashtu dëshirojmë të nxjerrim në dritë edhe personazhe që luajtën rol të dukshëm në atë epope, por që në periudhat kohore mbas ngjarjes deri në fillimet e demokracisë u lanë në heshtje, u anatemuan, kaluan kalvarin e torturave të burgjeve, u pushkatuan apo ka dhe të tillë që s’u dihet as varri dhe sot e kësaj dite. Mendojmë të japim një kontribut sadopak modest dhe në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, që mos të hahen zilet si thotë populli, pra që trajtimi i figurave kontribuese të jetë i vërtetë, pa emocione, real. Edhe për 1920-ën e vërteta historike del nga një mozaik dokumentesh  tekstorë, jotekstorë si dhe dokumenta të përbërë.

Epika historike e Lufës së Vlorës lindi si frymëzim për ata që deshën e kërkuan lirinë; ajo lindi si “gurrë jete” në psikën e banorëve të këtyre trevave, të komunitetit, në psikën e shpirtin e këngëtorit, banor e luftëtar për jetë të lirë, siç ai e mendonte, përgjithësisht në hapësirat ku u zhvillua ngjarja.

Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “ –Kanan, t’u prish bukuria/- Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis  dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrekte)- njëri misionar i lirisë me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi ma mbushin trurin me imazhe  homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “ Obobo, ç’na qënkej Kota! Më e bukur se Evropa!  Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit i drejtohet burrërisht me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!… ” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Në atë lartësi ku e ngjit kënga heroin, mendoj se jemi në rezonancë të parimeve të folklorit, i cili ka si gur themeli aktin heroik për të cilin shkruan historia. E morëm këtë detaj në morinë e pjesëzave dhe pjesëve të së tërës që përpiqemi të trajtojmë për Luftën e Njëzetës me synimin që të mundohemi sadopak, por për herë të parë deri më sot, për të bërë lidhjen ose diferencimin e faktit artistik folklorik nga realiteti historik; pra në fund të fundit të vëzhgojmë si qëndron raporti histori folklor për Luftën e Vlorës dhe ta prezantojmë sipas kritereve kërkimore-shkencore këtë lëndë folklorike për këtë ngjarje historike .

Metodologjia. Kriterin kronologjik kemi si bazë të trajtimit të temës “Lufta e Vlorës –historia në epikën historike”. Objekti i punimit fokuson analizën e tipologjisë së Luftës së Vlorës, parë në raportin e histori- folklor, që është dhe qëllimi i këtij punimi; e historisë si shkencë që studion tërësinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive, që karakterizuan jetën dhe zhvillimin e popullit të Vlorës dhe krahinave shqiptare që e mbështetën Vlorën me forca, mjete, armatim, ushqime dhe ndihma të tjera për të çliruar territoret e pushtuara nga të huajt, dyndur nga gjysmëçizmja apenine, si qëndron me këngët historike të Njëzetës, si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shpreh mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete. Folklori i Luftës së Vlorës mendoj se bëhet  kështu hipotekë e fitores së merituar, kur siç dimë dhe nga historia- hasmin deti e përpiu… Në shikimintonë kemi nxitjet folklorike dhe pasqyrimin e epikës historike, me krijimet e mirëfillta folklorike, që jetojnë nëpërmjet varianteve dhe improvizimit, atje në Vreshtat  e Mëdha, në Qafë të Koçiut, në Kotë, në Tepelenë, në Llogora, në Gjormë, në Skelë. Epika historike e Njëzetës rrëfen ngjarje të vërteta, personazhe realë, kemi të bëjmë me elementë realë, konkretë, historikë, që ngrihen si mohim i koncepteve të mëparshme, që  marrin e japin nga këngët  më të vjetra historike, në kushtet paraprake, sepse kërkon mjedisin, hapësirën dhe kohën e praktikimit. Nuk distancohet në vite  kënga e Luftës së Vlorës. Shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje, si Nase Beni, Xhebro Gjika, Mato Hasani, Rrapo Meto, Xhemil Veli Duka etj. Ky cikël nuk vë në dyshim integritetin e epikës historike të Njëzetës, paraqet dhe të mirën dhe të keqen; edhe lëkundjet e parisë i vë në dukje. Ky cikël është shumë i pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamani,t/ Dil steresë, jo limanit!”. Lufta e Vlorës u zhvillua në Vlorë, pjesëmarrësit ishin pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët erdhën jo thjesht në shenjë solidariteti, por e  ndjenin që po u cënoheshin trojet e tyre, vatra amtare, shtëpia e madhe. Pra ndërgjegjësimi atdhetar- kombëtar, ardhur si stafetë e njohjes së kombit, që nga Rilindasit, sidomos nga  periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur fillon ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare, mori përmasa më të gjëra: njohjen e Kombit. Vullnetarët e ardhur nga krahinat e tjera në Vlorë, siç na tregon dhe historia  apo dhe variantet e këngëve të rregjistruara spikasin një  dukuri të re, që u bë traditë ndër hapësirat ku banojnë shqiptarë: që trojet shqiptare s’mund t’u falen më të tjerëve, që nisur nga shtëpia e vogël e familjes të ruajmë e të luftojmë për shtëpinë e  madhe kombëtare, se hasmi s’ka turp e vjen te dera… Edhe ky cikël nuk mund të operojë ndryshe nga ç’ka ndodhur në të vërtetë, duke u bërë kështu kronikë e ngjarjeve të verës së  vitit 1920 në Vlorë e rrethina. Këtë e marrim vesh nga toponomastika e pasur e këtij folklori, nga emrat që thotë kënga. Mbi këtë plan është realizuar rilevimi i njësive folklorike në terren  krahasuar me të dhënat nëpërmjet dokumentacionit përkatës, përzgjedhur përmes ballafaqimeve të shumta tekstore.

Besueshmëria e të dhënave. Analiza e elementeve folklorikë është rezultante e përgatitjes së matricave përkatëse  jo vetëm statistikore nga historia dhe përveç botimeve folkloristike edhe nëpërmjet gjurmimeve në terren për  epikën historike. Këto matrica përbëjnë një bankë të dhënash të besueshme pasi:

A-Janë rezultate të dala nga përpunimi i të dhënave të regjistrimit se  ç’është shkruar deri më sot, kush ka shkruar, si është trajtuar dhe çfarë ka ngelur jashtë kësaj teme, të cilën e marr me synimin për të parë raportin civilitet-traditë, duke i parë italianët në konteks si kolonizatorë, ç’informacin na jep historia, po folklori ç’informacion na jep, po ashtu opktikën e këngëve të Njëzetës në periudhat historike, që rrokin 92 vjet, kur psika e njerëzve të kolltukut sundimtar kanë patur qëllim glorifikimin e vetes dhe minimumi lënien në hije të atyre që kanë patur kontribute dikur, diku dhe aqsa, ashtu si e kanë lënë gjurmën e respektit në bashkësitë njerëzore ku kanë vepruar e janë njohur.

B- Shumë referenca të këtij punimi mbështeten në 7 kolanat që ka botuar ISKA (ish-Instituti i Folklorit), të cilat kanë nivel të lartë besueshmërie, sepse janë produkt i organizmit shtetëror më të specializuar, siç është ky institut.

C- Rilevimi në terren, nëpërmjet pjesëmarrjes së vijueshme, fiksimit memorial dhe ekspeditave vetiake ka përfshirë mbi 1/3 e verifikimit të asaj që është shkruar, ruajtjes fonetike, sipas të folmes lokale dhe gjendjes së sotme aplikative të epikës historike të Luftës së Vlorës, gjë që mund të konsiderohet e vlefshme.

Duke shtruar pyetjen: a kemi dëshmi që këngët e 20-ës këndohen edhe sot me atë melodi që është kënduar atëherë duam të shprehim jo atë që dëshirojmë por atë që dimë, që kemi parë e që kemi dëgjuar në realitet. Sot kemi një zbehje të qarkullimit folklorik të asaj epopeje. Këndohet në Dukat kënga e vjetër që përshkruan një ngjarje të asaj lufte, sipas stilit dukatas. Bëhet fjalë për kënëgn “ Nga Beuni vjen një kartë/ dërgon Komision’ i lartë”, ku bëhet dhe portreti i Kapedan Hodo Zeqirit, dukatas dhe  komandant i çetës së Dukatit në këtë luftë. Kemi dëgjuar në një festë të  këndohet dhe në Armen për  Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht  kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Pra ato janë shumë lokale, me hapësira të kufizuar, brenda për brenda fshatit. Nuk ka kohë të caktuar se sa do të jetojë. Një komunitet i pranon, një tjetër jo, për arsye konfliktesh, bindjesh apo preferencash.(p.sh. këngët për Qazim Koculin këndohen dhe  pëlqehen në Kocul, por jo në Kuç apo në Vranisht). Por nga brezi në brez kënga ka qarkulluar dhe ka ardhur sot.  Në Jug këndohet me shumë zëra, pa çifteli, sepse ashtu e ka traditën. Në Labëri këndohet vetëm, me dy vetë, trio e me grup më të madh në numër, ku këngëtari i parë është marrësi, i dyti kthyesi, i treti  hedhësi, të cilët mbushen me ison e të tjerëve, në harmoni zërash, që maten me biblilat. Ka këngë që kanë zgjerim më të madh, si p.sh. kënga e Selam Musait, veçse secili sipas melodisë përkatëse (avazit të tij), por në përgjithësi  ndihet një praktikim i kufizuar, sepse si duket edhe lufta e Njëzetës e ka mbaruar misionin e saj, e ka përfunduar ciklin dhe i përket arkivit, gjithësesi është në kujtesën e vlonjatëve, tepelenasve e komuniteteve të tjerë që u sulmuan padrejtësisht gati një shekull më parë. Ndërkohë të mos kemi komplekse ndaj  italianëve të sotëm, që i shërbejnë paqes, përparimit, kulturës dhe jetës së lirë, të cilët nuk mund të ndihen fajtorë për luftën e padrejtë, që bënë të parët e tyre si pushtues të vendit tonë. Ata nuk ka pse ta ndjejnë komleksin e fajit, as ne të urrejtjes ndaj tyre; ashtu sikurse edhe historinë nuk duhet ta harrojmë se s’mund të harrohet gjaku i derdhur për ruajtjene mbrojtjen e këtyre trojeve.

 

Kjo  lloj kënge  historike ka peshë të madhe shpirtërore për komunitete të caktuara, në hapësirat e aplikimit, pothuaj jugore e në kohën e duhur. Ajo pasurohet dhe asnjëherë  nuk shkëputet nga realiteti ekonomiko-shoqëror, se kënga  e Njëzetës nuk i shpëton dot konceptimit shoqëror. Edhe ajo zbukuron shpirtin, e fisnikëron atë. Për këtë arsye këmbëngul që fjala e humbet vlerën kur vezullojnë thesaret e folklorit, sidomos sot, kur jo vetëm në fasadë na shfaqet një shoqëri kozmopolite, kur patriotizmi i harruar natyrshëm po evidentohet në tërësinë e sotme sociale, me zë tingëllues të vërtetë, në konteks të zhvillimeve të kohës.

Vërehet në tërësi se kënga lind e qarkullon, së pari e së shumti, në ato hapësira ku zhvillohen ngjarjet, ku evidentohen dhe spikasin personazhet historikë. Fjala vjen, duke studjuar vëllimin “ Këngë popullore historike”, botuar nga Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1956, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani, nën kujdesin e Zihni Sakos, vërejmë se në bllokun folklorik “ Lufta kundër pushtuesve turq” cikli “Këngë e legjenda për Skënderbeun” vjen nga Mati, Dibra, Bulqiza, Shëngjergji- Tiranë, Burreli, Elbasani, Peshkopia, Kosova, Martaneshi, Ishmi e rrethinat e qendrave të njohura të këtyre trevave. Gjithashtu na vijnë edhe nga arbëreshët e Italisë këngë për Skënderbeun që i gjejmë në tekstin e De Radës “ Rapsodie d’ un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, Firenze, 1866”, që sipas rilindasit janë mbledhur ndër kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe shpalosen para komunitetit për të rindezur zjarrin e atdhedashurisë, duke himnizuar Motin e Madh e bëmat e Skënderbeut e trimat e tij, kombin e simbolet, që i dëshironin, por që u mungonin. Edhe e vetmja këngë për Gjorg Golemin,siç e quan kënga  vjehërrin e Skënderbeut- Gjergj Aranit Golem Komnen Topia, Zot i Arbërisë, Shpatit, Mokrës dhe Çermenikës, na vjen nga Bërzhita, Elbasan. Cikli i këngëve të Bushatllinjve të Shkodrës vjen nga Shkodra, Martaneshi, Theth- Shalë e Laç-Kurbin. Cikli i këngëve të periudhës së Ali Pashë Tepelenës vjen nga Kardhiqi, Labova, Himara, Dhëmblani e Levan-Cirua-Tepelenë. Këtu kemi një rast të veçantë; dy këngë vijnë nga Shkodra; ndoshta nga që në kështjellat e llogoret e Janinës, gjatë qëndresës epike të ditëve të fundit të Ali Pashës luftuan myslimanë, ortodoksë, katolikë, labër, çamër, kosovarë, dibranë, mirditorë, shkodranë. Këngët e periudhës së luftrave kundër Tanzimatit kanë shtrirje; gjerësi e gjatësi gjeografike jo vetëm në trevat e Jugut, por edhe në Shkodër, Dibër, Gjakovë, rrethinat e Krasniqes, kukësit e Çermeniës. Dhe kjo kuptohet sepse Tanzimati, s’qe reformë e moderuar, por sipas Sami Frashërit pushtim i ri i Shqipërisë dhe në mbarë krahinat nuk u bindën për taksat financiare, xhelepet e haraçet; ishin kundër shërbimit ushtarak të detyruar për sulltan Abdyl Mexhitit  dhe luftuan trimërisht kundër dyndjeve të egra osmane. Dhe këngët për kryengritësit janë shumë yë bukura. Po kështu shumë  këngë nizami, kapedanësh, kaçakësh apo këngët kundër shfrytëzimit vijnë nga Kosova, Prishtina, Elbasani, Puka, Shpati, mati, Martaneshi,, Luma, Lezha, Gjakova, Hasi, Curraj Epër-Nikaj, Dibra, Mokra, Shkodra, prizreni, Kolgecaj, Kruja, Tropoja, Gashi, pra nga të gjitha trevat shqiptare, jo vetëm nga Himara, Kurveleshi, Mallakastra, Kolonja, Korça, Gjirokastra, Labëria etj. edhe kjo është e kuptueshme, sepse nizamllëku ishte jo plagë sociale, po elegji e gjallë për djemtë e nënave që i hëngri “Jemeni”. Një mikrocikël me këngët për lirinë e popujve të tjerë e sidomos për luftën çlirimtare të Greqis vjen vetëm nga trevat jugore, se prej andej ikën e ndihmuan shqiptarët për të çliruar grekun nga Turqia. Kënga e Luftës së Kosovës (1389) vjen nga Dërvarë- Vuçitern. Edhe për Haxhi Qamilin janë kënduar këngë nga një lokalitet i ngushtë njerëzor. Janë pak njësi folklorike të mbledhura që na vijnë vetëm nga Ndroqi, Ishmi e Shatel Shijak. Aty veproi, aty si duket dhe pëlqehet. Në treva të tjera s’ka bërë përshtypje apo mbahet mend për keq. “Jo çdo bashkësi, jo çdo komunitet mund të jetë pronar i një njësie folklorike” tërheq vëmendjen në një ligjëratë Prof. Dr. Agron Xhagolli. Për Ismail Qemalin këngë të vjetra na vijnë 5 njësi folklorike dhe më saktë  3 që i bëjnë jehonë veprës së tij madhore për Pavarësisnë e Shqipërisë, vijnë nga Kabash- Gramsh, Radhimë-Vlorë dhe Kuç – Kurvelesh, ndërsa dy  të tjerat përfshihen në ciklin e Luftës së Vlorës dhe emri i Plakut të Bardhë përmëndet si imazh simbolik, si shembëlltyrë nderimi.( Nuk po flasim për këngët e krijuara më vonë që janë aplikuar në vijimësi, duke u pasuruar apo për të tjera që e kanë të diskutueshëm “çertifikatën” e njësisë folklorike.

Dhe gjatë udhëtimit nëpër lëndina e bjeshkët folklorike sodisim natyrën epike dhe pimë ujë në gurrën gati shekullore prej nga buron epika historike e Luftës së Vlorës (saktësisht po mbushen 93 vjet që nga koha e zhvillimit të asaj lufte).

Duke punuar me vëllimin  “Këngë popullore historike”, cituar më lart, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës, i cili vjen nga Dhëmblani, Turani e Levan Cirua -Tepelenë, Qeparo-Himarë, Tërbaç, Vranisht, Shkozë, Ramicë, Dukat, Velçë, Vajzë, Brataj, Shalës- Mesaplik, Bolenë, Nivicë e Progonat- Kurvelesh, Çorrush e Aranitas-Mallakastër, si dhe nga vetë qyteti i Vlorës. Pra është e kufizuar hapësira e përhapes së këngës pothuaj në ato hapësira që prodhuan historinë e Luftës së 1920-ës: Vlorë- Tepelenë-Himarë. (Në këtë rast diskutojmë vetëm për shembujt që na vijnë nëpërmjet këtij botimi të realizuar relativisht herët, pra 56 vjet më parë. Botime të tjera sjellin njësi të tjera, variante të tjera, që e pasurojnë dhe e zgjerojnë hartën folklorike të këngës. Do të shprehim mendimet tona ku kemi vërejtur pasaktësira në toponiminë e vendeve, onomastikën e personazheve të Njëzetës  si dhe respektimin ose jo të parimit fonetik në njësitë e mbledhura në terren, të rregjistruara dhe të sjella nëpërmjet botimit folkloristik.)

Kur flasim për kohën e krijimit të Epikën Historike të Luftës së Vlorës (= EHLV), sigurisht, nuk është fjala për një datim të saktë. Ndoshta s’mund të përcaktojmë arketipin, por jo vetëm nga studimi i burimeve të shkruara apo i traditës shqiptare të luftrave (dhe jo vetëm) luftëtarët para betejave pinin, këndonin dhe sulmonin si rrufe. Kënga u jepte frymëzim, moral, u jepte fuqi si Mujit zanat. Kemi siguruar informacion nga libra monografikë, romane historikë e kujtime të ndryshme që shumë këngë janë krijuar e kënduar në teatrin e veprimeve luftarake, në kohë të caktuar afërsisht saktë, në hapësirë të përcaktuar qartë nga këngëtorët, të cilët ishin edhe aktorë të teatrit të Luftës. Kështu, nga romani “ Ultimatumi” i Petro Markos, që përveç vlerave artistike ka edhe vlera folklorike dhe etnologjike me peshë specifike, mësojmë se Lufta e Vlorës është Faltore jo vetëm për historianët dhe studiuesit e Folklorit Shqiptar (të epikës historike), por edhe për shkrimtarët më në zë të vendit të Shqipeve, ata të vërtetët si Petro Marko – Kalorës i Lirisë së Fjalës dhe Veprimit.

(Pjesa dyte. VIJON

*  Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Albert Habazaj, fakte historikeFolklorik, i Luftes se Vlores

PËRSHËNDETJE, NË 5-VJETORIN E RADIOS “DITURIA”-SUEDI

March 29, 2013 by dgreca

Prof. MURAT GECAJ-Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarwve të Shqipërisë/

Ma.KOZETA HOXHA-Moderatore dhe gazetare, në Radiotelevizionin Shqiptar-Tiranë/

Ne Foto:Nga e majta: V.Kona, K.Hoxha, S.Demaku e M.Gecaj(Boras-Suedi, prill 2012)/

 -Të dashur kolegë e vëllezër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, /

-Anëtarë të Redaksisë së Radios Lokale “Dituria”, në Boras-Suedi/

-Te nderuar miq suedezë!/

Në këtë ditë të shënuar për  Bashkësinë Shqiptare, në Boras e më gjerë në Suedi, por dhe për ju miq suedezë,  ju dërgojmë përshëndetjet dhe urimet  tona më të përzemërta, me rastin e festimit të 5-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën amtare shqipe, në Radion Lokale “Dituria”! Në vetë emërtimin e kësaj Radioje, shprehet kaq bukur përmbajtja dhe detyra  kryesore e saj, të cilën ajo e ka kryer dhe po vijon ta kryejë: me sukses të plotë, me atdhetarizëm e profesionalizëm.

Ne jemi të gëzuar e të kënaqur, kur kujtojmë me emocione se, një vit më parë, festuam aty së bashku me ju, 5-vjetorin e Qendrës  Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe të Revistës “Dituria”. Kështu, edhe manifestimi  juaj  sot, është në vazhdimësinë e veprimtarive të bukura, që organizohen nga Bashkësia Shqiptare në Suedi. Sigurisht, kjo është meritë  edhe e shoqatave  tjera  atdhetare e kulturore shqiptare, të cilat veprojnë në Suedi dhe e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI”.

Ne, kolegëve, miqëve dhe dashamirëve në Shqipëri, na gazojnë dhe na entusiazmojnë arritjet tuaja, duke përhapur e propaganduar historinë dhe traditat tona të lashta shqiptare, si përmes valëve të Radios “Dituria”, me shfaqjet kulturore e artistike dhe me anën e botimeve të shumta të autorëve shqiptarë atje.

Duke u ndodhur me mendje e zemër ndërmjet jush, në atë festë të bukur të 5-vjetorit të Radios Lokale “Dituria”, ju urojmë sinqerisht për punën fisnike, që keni bërë deri tani. Njëkohësisht, jemi të bindur që, edhe në të ardhmen, ju do të ecni në në këtë udhë të drejtë, duke vazhduar të jeni misionarë të popullit shqiptar,  në mjedisin e ngrohtë dhe mikpritës demokratik suedez, ku keni gjetur mbështetje dhe ndihmë bujare e të pakursyer.

Me shumë respekt për të gjithë ju, dëshirojmë të keni kurdoherë:

Shëndet të plotë, arritje në punë e begati, gëzime dhe lumturi në familjet tuaja!

Tiranë, 29 mars 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: me ratsine 5 vjetorit, ne Suedi, pershendetje, te Radios

Pashkët: pse bëhet ngjyrosja e vezëve?

March 29, 2013 by dgreca

Nga Frrok Kristaj/

Kjo festë, që te të krishterët çmohet më e madhja pas Kërshëndellave, edhe te populli shqiptar është ngulitur dhe tash e shumë shekuj përcillet edhe me rite të ndryshme. Festa e Pashkëve fillon me Krezhmet shtatëjavëshe, me “Oj mamët”, ditën e luleve, darkën e mbramë, ngjyrosjen e vezëve, bekimin e bukës dhe të bereqeteve të tjera dhe përfundon me Pashkët
Nga festat e shumta të të krishterëve, përkatësisht të besimtarëve katolikë, pas Kërshëndellave, që paraqesin lindjen e Jezu Krishtit, festa e Pashkëve është pa dyshim më e madhja, që paraqet ngjalljen e Tij. Pra, Pashkët janë festim i kthimit në jetë të Krishtit pas kryqëzimit të tij, përkatësisht festimi më i shenjtë ndër festat e krishtera.
Në fakt, shtatë javë para Pashkëve fillojnë Krezhmet (zgjasin 40 ditë, në mënyrë që të përkujtohet 40 ditë të qëndrimit të Jezusit në pyll), apo Moti i lidhur, që identifikohen me mundimet e Jezu Krishtit, që te shqiptarët njihet si Udha e Kryqës. Gjatë kësaj periudhe besimtarët e krishterë nuk e përdorin për ushqim as mishin, as bylmetin. Kryesisht përdoren perimet dhe ushqime të përgatitura me vaj dhe peshk.
Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit. Festa e Pashkëve, që identifikohet me ngjalljen e Krishtit, është ngjarje kulminante fetare në jetën e të krishterëve, sepse në te bazohet triumfi mbi mëkatin, mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, i lirisë mbi robërinë dhe triumfi i të mirës mbi të keqen (djallin).

Kalimi nga errësira në dritë

Me ngjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe (kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq) në të Dielën e Pashkëve (kur ngjallet), përkatësisht kalimi nga errësira në dritë.

Edhe filozofia e krishterë e pranon faktin se shpirti i njeriut për nga natyra e tij është i pavdekshëm, ai hyn në pavdekshmërinë hyjnore pasi të jetë liruar nga verigat e trupit. Si rrjedhojë e kësaj del se ngjallja paraqet themelin e shpresës, e cila kurrë nuk mposhtet, dhe përsosmërinë e dashurisë. Pra, Krezhmet paraqesin përgatitjen për ngadhnjimin mbi të keqen, kurse Pashkët paraqesin fitorën mbi mëkatin, dashurinë mbi urrejtjen, mbi vdekjen. Këtu jeta na paraqitet si ngadhnjim.

Kjo e vërtetë mund të zbatohet edhe në realitetin tonë shoqëror. Procesi i ngjalljes

Ngjan edhe me bashkësinë, me popullin. Bile, dihet se Kosova kohën e Krezhmeve e kaloi në Kalvarin e vet mbi vuajtje e sakrifica për të arritur deri te dita e shumëpritur me shekuj – dita e lirisë dhe e gëzimit. Këtë liri duhet me përkushtim ta përforcojmë me vepra e dashuri, sepse liria është një sfidë, që kërkon vetëmohim dhe bashkim të të gjitha forcave në mënyrë që t’i arrijmë të mirat e përbashkëta, që janë edhe të mira personale. Po ashtu, ana materiale nuk bënë që të ta rrënojë botën e brendshme. Jemi të thirrur ta dëgjojmë Zotin, që problemet t’i zgjidhim me ndihmën e Tij, sepse tek e fundit festa e Pashkëve, sikurse edhe vetë fjala pashkë, do të thotë festë, kërcim, ngjallje e çlirim nga robëria, që na vjen nga të tjerët, por edhe nga vetvetja.

Pashkët – kremte e madhe

Te populli shqiptar është ngulitur festa e Pashkëve, e cila përcillet edhe me rite të tjera autoktone, që janë bërë pjesë e kulturës shqiptare.
Festa e Pashkëve fillon me kohën e krezhmëve shtatëjavëshe, në të cilat bëjnë pjesë (në javën e katërt, të pestë dhe të gjashtë) dhe “Oj mamët”.
“Oj mamet” janë grupe meshkujsh, që veshën me rrobe të leckosura, vëjnë mustakë artificialë dhe dalin e lypin vezë. Te dyert e çdo shtëpie kërcejnë duke thënë:
“Oj mamë, oj mamë
del-e moj dele
del-e o moj vashë
a m’i jep nja dy-tri vo për Pashkë?”.

Kështu vezët e fituara i ruajnë për t’i ngjyrosur në festën e Pashkëve.

Pastaj, në të dielen e parafundit të Pashkëve, është Festa e Luleve apo e Dielja e Ljarit, kur merren kryesisht lulet e thanës dhe nga thupra të thanës punohen nga 10 kryqa të vegjël, të cilët së bashku me lulet bekohen dhe pastaj vëhen mbi dyer të shtëpive, dhomave, hamarëve, koshave, ahureve, në kryeara (në krye të arave) dhe te varret.

Java, nga e Diela e Luleve e deri të Dielën e Pashkëve, quhet Java e Madhe. Dita e enjte para Pashkëve, njihet edhe si Vojimi i Shenjtë, apo Darka e Fundit (darka e ndarjes). Në atë darkë Krishti i gostiti nxënësit e vet vetëm me bukë dhe verë. Me bukë sepse buka përveç që ushqen, e mban trupin, ajo e ka edhe një veçori mjaft të rëndësishëm në jetën tonë: edhe na bashkon. Na bashkon kur ulemi të gjithë së bashku rreth tryezës (rreth sofrës), ndërsa buka gjendet në midis. Nga ajo bukë marrim të gjithë nga një pjesë, përkatësisht të gjithë pjesëtarët rreth sofrës bëhemi edhe pjesëtarë të një buke. Dihet se buka bëhet prej miellit, mielli prej kokrrave të grurit, e kokrrat prej kallinjve, që kanë qenë të shpërndarë nëpër ara. Pastaj, sa kokrra gruri e sa kallinj janë bashkuar për t’u bluar dhe tani janë bërë bukë, ashtu edhe njerëzitë bashkohen. Pra buka është shenjë bashkimi dhe njësimi, ashtu edhe Krishti me themelimin e eukaristisë, meshës, kungimit e ka menduar bashkimin në një zemër me bukën e tij – kungimin. Mesha, eukaristia, kungimi janë shenja bashkimi me Krishtinë dhe me njëri-tjetrin. Po vera? Bashkimi është shenjë gëzimi, domethënë se edhe bashkimi rreth bukës është shenjë gëzimi, e gëzimi e do edhe verën. Ndërkaq, ditën e enjte – të Enjten e Madhe në kishë organizohet larja (nga ana e famullitarit) e këmbëve të 12 aktivistëve (veprimtarëve), të cilët paraqesin 12 apostuj (nxënës) të Jezu Krishtit.

Ngjyrosja e vezëve

Ditën e enjte, diku dhe të premten, bëhet ngjyrosja e vezëve. Në fakt, veja qysh në kohët e lashta te popujt e ndryshëm kishte të bënte me zgjimin e natyrës në stinën e pranverës, ndërsa më vonë u mor si simbol i jetës së re dhe i ngjalljes së Jezu Krishtit. Bile, një prej simboleve më të vjetra pranverore në botë është veja. Forma ovale e vezës simbolizon formën e pikës së shiut dhe të farës. Këto të dyja kanë qenë elemente të rëndësishme për jetë.

Në fillim vezët u ngjyrosën me ngjyrë të kuqe, sepse gjaku ka ngjyrë të kuqe. Duke shikuar misterin e jetës, veja e kuqe merret si simbol i rruzullimit në të cilën çdo jetë përsëritet në heshtje dhe përjetësohet në drejtim të Provanisë hyjnore. Ajo na paraqet një botë të vogël të plotësuar, një harmoni të bukur, që asgjë nuk mund t’i shtohet e as t’i heqet. Në fakt, në mitologjitë e popujve, veza paraqet idenë e plleshmërisë së jetës dhe dhuntitë e çmueshme të njerëzimit dhe të natyrës. Kështu, prej simbolizimit të lashtë krishterimi e shndërroi idenë lëndore dhe ia përshtati misterit të Pashkëve. Në shembullin e vesë i krishteri sheh varrin në të cilin e vendosën Krishtin, duke menduar (armiqtë) se e kishin lënë për jetë të jetës, ndërsa ai përgatitet në heshtje për të dalë ngadhnjyes me një jetë të re, të pavdekshme. Për Krishtin dhe në Krishtin merr dritë enigma e dhembjes dhe e vdekjes, përkatësisht Krishti ngjallet duke e shkatërruar vdekjen me vdekjen e vet. Pra, të ngjallurit e Krishtit konsiderohet peng i sigurt i të ngjallurit tonë. Për këtë veja e kuqe simbolizon jetën, dritën dhe gëzimin (në këtë rast të Pashkëve). Veja e kuqe është edhe shenjë e lidhmërisë, miqësisë, afërsisë. Për ketë edhe vezët e kuqe dhe bekimi i tyre me bukën e bekuar kanë fituar edhe kuptimin e krishterë. Ngjyrosja e vezëve kuq na përkujton vdekjen e Krishtit dhe derdhjen e gjakut të tij për të mirën e njerëzimit. Së këndejmi, veja e Pashkëve te të krishterët është simbol i ngjalljes së Krishtit, sikur që krijesa e re shpërthen lëvozhgën e vesë, ashtu edhe Krishti, duke i rrënuar muret e varrit të tij dhe duke ngjadhënjyer mbi vdekjen, del në jetë të re.

Dita e premte është dita e vdekjes së Krishtit në kryq, për këtë arsye nëpër kisha bëhet puthja e Krishtit (trupores), si dhe ditën e shtunë në mbrëmje mesha fillon në mbrëmje para kishës me ndezjen e zjarrit, i cili edhe bekohet nga ana e famullitarit. Në kishë hyhet me qirinj të ndezur, që simbolizojnë dritën, e më pastaj mbahet mesha. Pas meshës famullitari bën bekimin e bukës (pogaçe, përkatësisht nore) dhe të bereqeteve të tjera, bekim që lidhet me Agapët (sipas gjuhës greke që do të thotë dashuri shpirtërore, dashuri ndaj Zotit, shenjtërve, vëllait, mikut, shokut) e të krishterëve të parë, përkatësisht me Korpin e Krishtit, kurse të dielën kremtohet ngjallja e Krishtit, Pashkët.

Ditën e Pashkëve, që njihet edhe si Diela e Pashkëve, së bashku në familje dhe në shoqëri festohet fitorja e Zotit, Jezu Krishtit, ngjallja e tij prej së vdekuri, po sa të zgjohen besimtarët hanë bukën e bekuar dhe ushqimet e tjera (djath, hudhra, vezë, kripë etj). Pas mëngjesit lahen duart në një enë të veçantë, në mënyrë që uji që tashmë konsiderohet i bekuar, të mos derdhët kudo, por në vendet e pastërta e ku nuk shkilet, kurse më pastaj bëhet urimi i festës së Pashkëve me “Me shëndet Pashkët!” apo “Për shumë mot Pashkët!”(Kortezi AlbInfo.ch)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Frrok Kristaj, Pashket, pse njgjyrosen, veset e Pashkes

Filmi “Nentori i dytë” i restauruar në kinemane e Nju Jorkut

March 29, 2013 by dgreca

Nëntori i dytë premierë amerikane nga vendi i Shqiponjave një mbrëmje e paharrueshme që do të hapë një dritare në botën e kinemasë shqiptare në Amerikë/

Ne Foto: “Nëntori i dytë” në njërën prej kinemave kryesore të qytetit të Nju Jorkut, kinemanë Directors Guild of America (DGA)Theater. Interesim i jashtzakonshem./

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK CITY : Projekti i Kinemasë Shqiptare organizon sot shfaqjen e variantit të restauruar të filmit “Nëntori i dytë” në njërën prej kinemave kryesore të qytetit të Nju Jorkut, kinemanë Directors Guild of America (DGA)Theater
Shfaqja e këtij filmi me tirtat në anglisht më datë 29 mars 2013, ka bërë që filmi i Shqipërisë, i cili deri tani ka qenë i rrallë të shfaqet në Amerikë, madje në një nga qytetet më të njohuara të kinemafilmografisë botërore.

Kinemaja Shqiptare të Projektit (ACP), me këtë shfaqje sapo nisur iniciativën për ruajtjen e filmagrofisë shqiptare me një ndryshim duke e restaruara filimin shqiptarë dhe duke e çuar këtë ‘të re’, tashmë edhe në kinemat kombëtare në ekranet ndërkombëtare.

Me këtë rast  Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp paraqesin restaurimin e parë dixhital dhe përshtatjen në anglisht të filmit artistik të regjisorit të njohur shqiptar Viktor Gjika, “Nëntori i dytë”, prodhim i vitit 1982.

Nëntori i dytë tregon historinë e ngjarjeve që çuan në pavarësinë e Shqipërisë nga sundimi osman më 28 nëntor 1912. Kjo premierë në SHBA vjen në Nju Jork, metropolin amerikan mbas një një shfaqje për një audiencë të zgjedhur në Teatrin Michelson të Universitetit të NY, e ndjekur nga premiera në New England në Universitetin Wesleyan më 28 mars 2013, dhe nga një shfaqje e veçantë publike në njërën prej kinemave kryesore të qytetit të Nju Jorkut, kinemanë Directors Guild of America (DGA)Theater më 29 mars 2013, nga ora 7:00 e mbrëmjes deri në orën 10:00 të mesnatës.

Në një komunikat për shtyp Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp, thotë se: ” Kjo është përshtatja e parë në gjuhën angleze e filmit, si dhe restaurimi i tij i parë, një bashkëpunim midis Projektit të Kinemasë Shqiptare, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Colorlab Corp.”

Sipas ,Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp filmi “Nëntori i dytë” është shkruar nga autori i realizmit socialist Dhimitër Shuteriqi (së bashku me Kiço Blushin) dhe me regji të Viktor Gjikës dhe është realizuar tre vjet para vdekjes së diktatorit Hoxha, filmi pati premierën në fund të nëntorit 1982.

Gjatë prodhimit të filmit, thekson Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp, Shqipëria hyri në një nga periudhat më të errëta të saj në pesëdhjetë vitet e sundimit marksist ku spastrimet e shumta dhe arrestimet e zyrtarëve qeveritarë dhe familjeve të tyre u bënë qëllim i asaj kohe.

Ndërkohë që më 3 nëntor 2012, varianti i restauruar i filmit “Nëntori i dytë” çeli “Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar” në përvjetorin e 100-të të pavarësisë, në kinema “Millenium” në Tiranë.

“Ky ishte restaurimi i parë i një filmi shqiptar dhe hear e parë që u realizua një bashkëpunim ndërkombëtar mes kineastëve, laboratorëve të filmit, arkivave, akademikëve dhe aktivistëve për të ndihmuar në ruajtjen e një trashëgimie filmike që është në rrezik serioz.

Nëntori i dytë nuk ka qenë shfaqur më parë jashtë Shqipërisë dhe ky restaurim shënon njëkohësisht edhe përshtatjen e parë në gjuhën angleze të filmit”. “Nëntori i dytë” është i pari nga pesë filmat që ACP do të restaurojë brenda një harku kohor prej pesë vjetësh.” thuhet në kumntesën e Projektit të Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp.

Ata sqarojnë se teknikisht, restaurimi është i klasit botëror, befasues, që arriti të kthejë një film të zymtë në një film plot me ngjyra ylberi dhe peisazhe ftuese”, shkruan Mark Cousins në “Sight & Sound”, janar 2013.

Pas restaurimit dhe shfaqjes jashtë Shqipërisë të filmit “Nëntori i dytë”, janë dhe katër filma të tjerë që presin restaurimin dhe shfaqjen në ekranet e botës; “Ballë për ballë” (Kujtim Çashku, Piro Milkani, 1979); “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977), “Kapedani” (Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo, 1972); “Ngadhënjim mbi vdekjen” (Gëzim Erebara, Piro Milkani, 1967).

Në fund Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp, pohon se  ndërsa Shqipëria kapërcen në shekullin e 21-të, thesaret në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit mbeten ende të fshehura në errësirë.

Për këtë, Projekti i Kinemasë Shqiptare po punon pa orar për të sjellë historinë e pasur të kinemasë shqiptare përsëri në dritë.

Dhe sipas  saj qëllimi përfundimtar i Projektit të Kinemasë Shqiptare është që të ndërtojë një hapësirë të re arkivimi dhe ekspozimi në Tiranë, përfundon kumtesa e Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, filmi, Nentori i dyte, shfaqet ne Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 478
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT