• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA ETNIKE NË SKENËN E FESTIVALIT

December 5, 2012 by dgreca

Nga Danny Blloshmi/

Ende e ndjej brenda vetes atë mahnitje që më shkaktoi Festivali i 22-të Shqiptar i organizuar nga Qendra “Nëna Terezë” pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, me 11 nëntor në mjediset me akustikë të shkëlqyer të pallatit të Artve në një nga godinat e Lehman College në Bronx. Nuk e di se çfarë mund të ketë më tepër një shfaqje profesionistësh gjithëkombëtare se sa ai festival, ku e gjithë Shqipëria ishte në skenë. Më shumë se 250 artistë amatorë dhe profesionistë, këngëtarë dhe valltarë nga e gjithë Shqipëria natyrale, ishte pjesë e asaj sofre gjigande të folklorit shqiptarë që natën e 11 nëntorit na mrekulloi të gjithëve. Siç tregojnë emigrantët më të hershëm, ky festival, e ka zanafillën që në vitet ’70, kur nisi për të parën herë dhe vazhdon si një traditë e mirë, që përcjell këtu në atdheun e adaptuar tonin kulturën Kombëtare gjitëhshqiptare.

Ajo që të mbetet në mendje është jo vetëm pasioni për këngën dhe vallen shqiptare, jo vetëm pasuria e pashtershme e folklorit shqiptar, që si një gurrë e pashtershme derdhet përvit në atë skenë, por edhe mbizotërimi i skenës nga fëmijë të lindur këtu në SHBA, të cilët ndjehen të dashuruar pas kulturës të Kombit të tyre, që i ngazëllehen Flamurit Kombëtar kuq e zi, që iu përkëdhelen kostumet kombëtare me një dashuri të jashtzakonshme. Sa shumë kostume kombëtare që pamë në atë skenë të festivalit të Pavarësisë së 100-të të Shtetit shqiptar!

Kostumet e jugut dhe të veriut, të Malësisë dhe të Çamërisë, të lebërve dhe malësorëve, rugovasve dhe gjakovarëve, njëri më i bukur se sa tjetri u prezantuan në skenë e festivalit. Po sa u shkojnë të rinjëve ato veshje! Pa t’i shihje se si flladiteshin në skenë nën rrotullimin e valltarëve. Nuk e di por unë mbeta i dashuruar pas xhubletës së veriut dhe fustanellës së jugut, njëra magjike se tjetra, njëra më e lashta se tjetra; të dyja idetike shqiptare, të dyja plot mistere në simbolet zbukuruse dhe në atë fërshfërimën valëzore gjatë rrotullimit të valltarëve.

Xhubleta më duket si një veshje legjendë, plot mistere, që e shihja të veshur edhe tek vajzat e vogla edhe tek të rejat, edhe tek gratë artiste dhe secilave u jepte një pamje të zanave të legjendave.

Në mendjen time xhubleta , me atë formën e saj valë-valë, me atë fundin që zbret hijshëm në shtatin e bukurosheve shqiptare,që nis me një lloj ngushtësie e që vjen duke u zgjeruar në formën e një këmbane, të mrekullon. Veshja më tipike e femrave shqiptare në Shqipërinë e mbi e nën Drin, në Malësi, Kelmendin kreshnik, ndërsa ornamentet zbukuruse janë të papërshkrushme dhe vezulluese. Po ashtu të mrekullon dhe fustanella, që e shohim shpesh në trevat jugore,dhe që e shohim çdo vit në këtë festival, veçanërisht tek djemtë që kërcejnë vallet çame. Studiuesit kanë treguar se edhe kjo është veshje tipike shqiptare, që dikur gjendej në të gjitha trevat shqiptare në forma të ndryshme. Kam lexuar  se mjeshtëri i madh i fjalës shqipe, rizbuluesi I Flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, bashkëthemelusi i Vatrës, Faik Konica, ua spjegonte me pasion amerikanëve magjinë e fustanellës shqiptare, madje edhe në emisione radiofonike, u tregonte se kjo veshje është tipike shqiptare, por është shëmtuar me variantin e adaptuar nga grekët, të cilët e kanë shkurtuar dhe po ashtu tentojnë ta paraqesin atë si veshje të tyre identifikuese.

Në Festivalin e 22, pjesmarrja ishte rreth tre mijë vetë, në skenë u ngjitën më shumë se 250 artistë, që kishin ardhe edhe nga Toronto e Kanadasë, Michigani e Bostoni, kënga dhe vallja iu kushtuan 100 vjetorit dhe kjo ishte e natyrshme sepse të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë në vendlindje apo në mërgim, kanë kohë që kanë nisur festën e shekullit të pavarësisë. E gjithë Shqipëria natyrale ishte në skenën e festivalit, ku u prezantuan të gjitha trevat, që nga Shqipëria amë(siç shprehen kosovarët), Kosova,  Malësia kreshnike, Ulqini piktoresk, Lugina e Preshevës – Medvegja- Bujanovci, Çamëria, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë. Duke ndjekur këtë festival, kushdo ndjenë krenari dhe brenda vetes i shpërthejnë vargjet: O sa mirë që jam shqiptar!

Në radhët e para të sallës së madhe, pranë skenës ishin ulur klerikë dhe drejtues të shoqatave të komunitetit shqiptar : dom Fran Kolaj, famullitari i Kishës së Shën Palit në Rochester të Miçiganit, Mark Gjonaj, shqiptari që hyri në histori si i pari shqiptar në Ansamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare, dom Pjetër Popaj, i përnderëshmin Dom Viktor Dedaj, Kryetari i Vatrës dr Gjon Buçaj, presidentja e shoqatës të grave “Motrat Qiriazi” dr Ana Kohen, zv/presidenti i Shoqatës së mjekëve shqiptaro-amerikanë, Dr. Sulejman Çelaj e të tjerë.

Festival Shqiptar ka për organizatore Qëndrën Kulturore Nëna Tereze pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës. Në broshurën e përgatitur me profesionalizëm nga Ismer Mjeku, ku ka një parathënie për 100 vjetorin e Pavarësisë, të shkruar nga editori i gazetës më të vjetër të botës shqiptare, “Dielli”, Dalip Greca, janë paraqitur realizuesit e festivalit: Kryetar i festivalit është Dom Pjetër Popaj, – Drejtori i Qendrës Nëna Tereze, Mark K. Shkreli, Drejtor i Festivalit, Simon Vukel, Drejtor Organizativ Fran Çotaj, Drejtor Artistik, dhe regji Ludvig Çotaj dhe Ismer Mjeku, Drejtor i Skenës, Ludvig Çotaj, Skenografia, Fran Shala,Luigj Tinaj, Sokol Smalaj, Kreshnik Smalaj, Nick Gjokaj, dhe Gjeka Shala dhe Lisa Junçaj, Korrdinator i Mediave Simon Vukel, Koordinatore të reklamave Lule Gjokaj, Age Ivezaj,Leonora Lulaj, Arjana Elezaj, dhe Margarita Koçoviç.

Këshilli Drejtues i Festivalit: Simon Vukel (Drejtor), Fran Çotaj, Ludvig Çotaj, Mark Shkreli dhe Ismer Mjeku. Anëtarë të Komisionit të Festivalit, Age Ivezaj, Angelina Nika, Agim Kola, Anton Dedvukaj, Elsa Lulaj, Gjon Çota, Lekë Lulaj, Lekë Përlleshi, Leonard Berishaj, Palok Rudaj, Prena Berisha, Sokol Smalaj dhe Vasel Smalaj, Gjergjë Paloka, Lizë Vuktilaj, Gjelosh Narkaj.

Këtë radh Festivalin e drejtuan Etrita Ibroçi dhe Albert Popaj, ndërsa bekimin dhe përshëndetjen për festivalistët dhe pjesmarërsit, e bëri famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.

Festivalit ia shtoi profesionalizmin Orkestra “Alba” në drejtimine  mjeshtrit Edi Xhani.Tashmë kjo orkestër është bërë e dashur për shqiptarët në të gjitha ngjarjete  rëndësishme të komunitetit, përfshi dhe 100 vjetorin e Vatrës organizuar me madhështi me 29 prill 2012.

Në fjalën përshëndetëse  Dom Pjetër Popaj solli atmosferën festive dhe historike njëkohësisht: Ndërsa kremtojmë këtë datë historike së bashku me këtë festival,tha ai, ne përkujtojmë heronjët tanë kombëtar, që nuk kursyen jetën e tyre por derdhën gjakun për liri e pavarësinë e popullit tonë të robëruar në 5 shekuj me radhë. Të frymëzuar prej Kastrioit, Atit të flamurit tonë kuq e zi, me shqiponjën dy krenare me 1912, – Ismail Qemali me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin e Dom Nikoll Kaçorrin, përsëri ngritën këtë flamurë të valvisë i lirë në tokën Arbërore.

Sonte, shtoi dom Pjetër Popaj, ne festojmë së bashku, kulturën tonë, historinë tonë, trimërinë dhe traditën e bukur, që mbahet e paprekur gjatë shekujve nga njerëzit tanë të guximshëm, të cilët dhanë aq shumë në shekuj për të ruajtur identitetin kombëtar. Frymëzuar prej historisë tonë janë brezi e rinj, të gjithë këta fëmijë, që megjithse janë të lindur këtu në SHBA, ndjehen krenarë që janë shqiptarë, dhe këndojnë e vallëzojnë shqiptarisht plot hare, gëzim e krenari. Dhe sonte duke vallëzuar dhe kënduar ata do të tregojnë se sa e duan kulturën tonë kombëtare.

Në mbyllje, dom Pjetër Popaj tha: “Falënderojmë Komitetin Organizativ të këtij festivali, i cili, ka punuar aq shumë për ta bërë këtë mbrëmje të veçantë për të gjithë ne. Zoti e Bekoftë Nënën Shqipëri, Kosovën, trojet e tjera shqiptare të okupueme, shqiptarët kudo që gjenden! Zoti e bekoftë Amerikën – Gëzuar 100 vjetori i Pavarësisë !

Të gjitha grupet u shfaqën së bashku në çelje të festivalit dhe morën duartrokitjet e sallës. Fragmenti dramatik “Nëntori i dytë”, që evokon shpalljen e pavarësiësë më 28 nëntor 1912,  shënoi nisjen e kësaj maratone artistike që zgjati rreth katër orë. Aktori Agim Rugova në rolin e këshilltarit politik të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqi, krijoi sfondin historik tek lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ndërkohë që performuan edhe Shaban Lajçi në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergji në rolin e Isa Boletinit.Atmosfera historike festive vazhdoi me një fragment poetik “Flamuri” nga Dritan Dragu dhe këngën për Pavarësinë , kënduar  bukur nga Gëzim Nika, që u pasua me një valle festive të interpretuar nga kërcimtarët e vegjël të “Rozafatit” . Mjeshtërisht u paraqitën valltarët e Detroitit dhe grupit “Bashkimi” të Bostonit, të drejtuar nga mjeshtrat e koreografisë, Brahaj dhe Papristo.Festivalin e ka përshëndetur z. Mark Gjonaj.

Realizuesit e kësaj mrekulli artistike kishin zgjedhur për mbyllje të festivalit

shpalsojen e një një flamuri të madh kuq e zi, ç’ka e ndezi atmosferën atdhetare në sallë. Pas mbylljes, festivalistët u çvendosën në sallën e Qendrës Kulturore artistike “Nëna Terezë”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, ku festa ka vijuar deri në mesnatë!(Botoi DIELLI ne numrin Special te 100 Vjetorit- 28 nentor 2012)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Danny Blloshmi, Festivali XXII

KULLA NË DECAN QË PRITI DY QEVERITË SHQIPTARE

December 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Atë të premte me shi  të 12 nëntorit, askush , veç grupeve të shoqërimit, kryeministrt Berisha, Presidentes Jahjaga, Kryeministrit të Kosovës Thaçi, e të ftuarëve të tjerë special, nuk e dinte me saktësi destinacionin e karvanit të pafund të makinave, të cilat ecnin në kolonë drejt Kullës së shekullit të XXI, siç është pagëzuar nga media, Kulla e Rrustem Gecaj.

Shtypi trilloi, abuzoi për ngjarjen, u lodh duke hamendësuar, por nuk mundi të depërtonte brenda mureve 75 cm të trashë të Kullës, dhe në ato rrethana duket se hoqi dorë për të mësuar se çfarë kishte ndodhë atë të premte për më shumë se tre orë në Kullën trekatëshe të Llukës së Poshtme.

Duke e parë të filmuar vizitën në zyrën e Rrustem Gecaj në New York, e vështroj me nge’, jo vetëm pamjen e kullës, por të gjithë atë ç’ka ngjau me 12 tetor jashtë dhe brenda Kullës, ku ishin ftuar mysafirë të rëndësishëm.

Pamjet kalojnë në ekran, ku shfaqet me të gjithë madhështinë e saj kulla tre katëshe, me portale harkore në hyrje, me gurë të latuar, ku mjeshtrit gdhendës mundimshëm i kanë lëmuar dhe u kanë dhënë shkëlqim, aq sa dhe ngjyrat, apo rremat që përshkojnë gurët, janë lehtësisht të dallueshme.

Në mjediset e jashtme shfaqen të zotët e shtëpisë që lëvizin përpara Kullës me vështrim nga rruga me ankthin e pritjes. Vonesa shtojnë hamendjet.Kamera i ndjek nga afër.Lexohet  lehtazi një llojë shqetësimi në fytyrat e pritësve, ku ndjenja e gëzimit përzihet me pandehma që ua trazojnë shpirtrat. Ku i dihet? Pse po vonohen? Edhe ky shi, që nuk  u nda që nga mëngjesi! Rrustemi, i shoqëruar nga Rasim Hasanaj hyn dhe del nag kulla. Duket paksa i shqetësuar në fytyrë. Janë dy qeveri që do të bujtin në  kullë! Dy kryeministra dhe presidentja e Kosovës, zv/ kryeminstri, ambasadorë, këshilltarë e deputetë. Ndjenja e përgjegjësisë e ka ngacmuar gjatë trurin e Rrustemit, që bën ecejake në oborrin para kompleksit muzeal, që i bashkëngjitet kullës; ndërkoh që unë vështroj pamjet që më afron ekrani; rrugët të shtruara nga mjeshtrat, dritat e vendosur me estetikë në dritare dhe mure, ndërsa mjediset që shfaqen përballë dhe rrotull Kullës, plot gjelbërim e lule, i japin gjithçkaje pamje turistike, që mund t’i gjesh veç në qytete me civilizim modern.

Ndërsa Rrustemi i shoqëruar nga bashkëshortja, nga nipi Xhaferr, nga djali Avni, dhe një varg i gjatë kushërinjësh e të afërmish, kanë zënë vend jashtë kompleksit për të pritur mysafirët. Duket se e morën një sinjal paraprak se mysafirët janë duke ardhur. Dhe makinat papraprirëse u bien borieve; mysafirët nisin të mbërrijnë. E para zbret nga makina Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga këshilltari i saj, Ramush Tahiri. Pas pak minutash mbërrijnë makinat që sjellin Kryeministrin Hashim Thaçi, zv’kryeminsitrin Hajredin Kuçi, deputetë dhe të ftuar të tjerë VIP.

I fundit mbërrin mysafiri i nderit, kryeministri Berisha me bashkëshorten, ku vargu i makinave të duket i pafund. Rrustem Gecaj e pret krahapur. Të dy burrat përqafohen. Për një çast Berisha, qëndron dhe duke hedhur sytë mbi kullë, shqipton:Mrekulli! Pamja është e rrallë, fantastike. Një kullë mes traditës dhe modernes. Kthehet nga Rrustemi dhe i thotë:- E sheh, e mbajta fjalën.

Më spejgon Rrustemi, ndërsa ndjekim në ekran pamjet e vizitës: -Planin e ndërtimit të Kullës ia kisha  treguar dr. Berishës që para 10 vitesh, gjatë një vizite të tij në SHBA. Ishim për darkë tek vëllezërit Bitiçi. I tregova atëhere se po i hyja një projekti për ndërtimin e Kullës për shkak se pushtuesi serb në luftën e fundit i pati objekt goditje me artileri kullat e Rrafshit të Dukagjinit,veçanërisht ato të Llukës. Nuk i kurseu as nga djegiet pushtuesi serb ato kulla që mbetën. Më shumë se 12 kulla u rrafshuan . Qëllimi ishte që të zhdukte një nga simbolet identike të shqiptarëve autoktonë në trevat e veta. I kërkova dr. Berishës që kur ta përuroja Kullën ta kisha mysafir. Dhe ai e mbajti fjalën…

Vazhdojmë të ndjekim pamjet në ekran; Kryeministri Berisha ka ndalur i befasuar përballë kullës, ka vendosë dorën strehë pranë syve dhe shikon lart, ku madhështia dhe bukuria janë bashkë; dritaret, seç kanë diçka të veçantë në pamje nga jashtë, mes frëngjisë dhe dritares së sotme, ku shkrihet trashëgimia e traditës me artin modern të ndërtimit, ajo porta harkore,  të lë pa mend, ndriçmi, veshja me dru, gjithçka është magjike. Ndërsa Kryeministri kurreshtar për gjithçka pyet për mënyrën se si janë latuar gurët, çfarë teknike kanë përdorur mjeshtrit, si janë ndërtuar  portalet harkore… Rrustemi( Shihet në ekran) tek thërret arkitektin e kullës,Beqir Berisha, i cili spjegon gjithçka, që nga themelet e deri tek mobilimi.     Kjo kullë më e veçanta e rajonit, është ndërtuar  mbi themelet e Kullës 200 vjeçare. Punimet kanë nisur që në vitin 2001, kur u rrafshuan muret e vjetra dhe nisi të hedhë shtat  dalëngadalë Kulla e re, që është pagëzuar si Kulla e Bardhë e shekullit XXI. Kulla është trekatëshe me përdhese, karakteristike për kullat e Rrafshit të Dukagjinit. Gjithçka, brenda dhe jashtë është punuar nga mjeshtra popullor të njohur.

Kamera ndjek lëvizjen e mysafirit të rrallë, kryeministrit shqiptar, i cili pasi vështron Kullën nga jashtë, hyn në mjediset e brendshme, ku e pret dhe i uron mirëseardhjen, Qeveria e Kosovës, Presidentja, Kryeministri, zv/kryeministri, deputetë, ndër ta edhe deputeti Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinaj, për të cilin shtypi abuzoi me shkrime të pasakta për dolli aleancash me kryeminsitrin Thaçi .

Mjediset e brendshme shkëlqejnë. Gjithçka, muret, shkallët janë të veshura me dru. Lart mbi oxhak qëndron Flamuri Kombëtar, pak më tej një fotografi e të zotit të Kullës, rrustem Gecaj me kryeministrin Berisha, pak më tej Heroi i demokracisë Azem Hajdari, pak më tej një tjetër foto…harta e Shqipërisë Etnike, është shenjë se kjo Kullë-Muze, është përgatitur që të presë mysafirë nga të gjitha trojet etnike dhe ajo do të kthehet në një objekt turistik i vizitueshëm. Flamuj shqiptarë dhe amerikanë, i gjenë jo vetëm jashtë po edhe nëpër bedenat e kullës, madje edhe aty në kënd të Odës së burrave…Në dysheme janë shtruar qilima të  punuar bukur nga artizane kuksiane.Është mishëruar aty arti popullor tradicional i artizaneve shqiptare. Asgjë nuk ka kursyer Rrustem Gecaj për ta mobiluar Kullën, brenda dhe jashtë.

I zoti i shtëpisë i fton mysafirët që të zënë vendet, duke ftuar për në krye të odës, Kryeministrin Berisha, por kryeministri shqiptar tregon xhentilensë tekia lëshon qoshen presidentes Jahjaga, e fton atë që të ulet atje dhe më pas ulet vetë, pas tij Kryeministri Thaçi e të tjerët me radhë. Një qerasje sipas traditës me ëmbëlsira e pije. Oda është mbushur plot. Biseda është e ngrohtë. Kryeministri i Shqipërisë duket në humor dhe të gjithë përpiqen që të jenë në vëmendjen e tij. I zoti i kullës përpiqet të jetë i vëmendshëm dhe i kudondodhur ndaj të gjithëve dhe kërkon që asgjë të mos mungojë.

Më pas sofrat tradicionale shtrohen për drekë, ku serviren ushqime të traditës nga Kuzhina shqiptare. Nuk mungon as Flija karakteristike e Kosovës.

Presidentja Jahjaga, me gotën në dorë, ngrihet në këmbë dhe ngre një shëndet për  Kryeministrin Berisha dhe mysafirët e tjerë që e shoqërojnë.Me këtë rast një fjalim i shkurtër i presidents merr duartrokitje.

Më pas të gjithë ngrihen në këmbë dhe kthejnë gotat:Gëzuar! Biseda shkon tek 100 vjetori i Pavarësisë. Festa do të jetë madhështore. Edhe Kosova do të jetë kuq e zi në Ditën e shënuar. Edhe qeveria do të shkojë në Vlorë e Tiranë.

Pas drekës, u vjen radha dhuratave. Një objekt i ambalazhur bukur ofrohet për kryeministrin Berisha. Nën ambalazh qëndron një maket i kullës i punuar në ar, kornizë argjendi, e cila shkëlqen plot ndriçim. Është një punim i kushtueshëm që vezullon në ekran. Përkushtimi është i thjeshtë ”Dr. Sali berishës”. I shkruar bukur.  Kryeministri falenderon, dhe i kujton Rrustemi se planin e kullës e kishte mbajtur prej kohësh në zyrën etij.Ia pat çuar Rasim Hasanaj.

Dr. Berisha falenderon Rrustemin për dhuratën. Pas kësaj, është radha e kameramanëve që të shkrepin aparatet fotografike. Secili prej pjesmarrësve përpiqet që të ketë një kujtim me kryeministrat dhe Presidenten nga ky takim i paharruar.

Në fund, kryeministri Berisha lë një shënim në librin e Kullës, ku shkroi mbresat e tij për vlerat e Kullës, pa harruar që të përmendte edhe bujarinë e të zotëve të Kullës, mikut të tij Rrustem Gecaj.Po ashtu shkruan mbresat edhe Presidentja Jahjaga e Kryeministri Thaci.

Pasi jepet dhe pamja e fundit e filmuar, ajo e përcjelljes të mysafirëve, Rrustemi, kthehet nga unë dhe thotë se ndjehet i gëzuar që ka pasur mysafirë të nderuar në Kullën e tij atë të premte të 12 tetorit. E dija se fjalën që më pat dhënë këtu në Amerikë dr. Berisha do ta mbante.Një ditë do të ishte mysafir në Kullën time. Këtë e kam besuar gjithmonë. Më vjen mirë që kjo viztë erdhi tamam në prag të 100 vjetorit. Me një fjalë, në një  farë mënyre unë e festova 100 vjetorin e Pavarësisë. Madje me presidenten dhe dy kryeministra, thotë ai me të qeshur.

Duke parë pamjet e plota të filmuara si dhe duke dëgjuara spjegimet e Rrustemit, mendoj se asgjë të mistershme nuk pat atë ditë në Kullën Rrustem  Gecaj në Llukën e Poshtme.Kot u lodh shtypi me hamendsime.  Ishte një mbajtje fjale nga kryeministri Berisha, ku rasti e solli që vizita të bëhej në një ditë plot ngjarje festive. Po atë ditë u bë promovimi i Shtatores të Ali Ibër Nezës në Gjakovë dhe në Isniq, i Shtatores të Gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, siç e quajti Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, Isa Boletinin, krahun e djathtë të Ismail Qemalit në Vitet e tronditura të Pavarësisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, Kulla ne Decan, Rrustem Gecaj

STUDIMI I LONDRES DHE SHKOLLA SHQIPTARE

December 5, 2012 by dgreca

Duam apo s’duam ta pranojmë, shkolla shqiptare është në hendekun e saj më të keq në gjithë këto vite të tranzicionit. Këtë fakt nuk mund ta mohojë askush, bile edhe deklaratat për reformat ë kryera dhe që do të kryehen në të ardhmen. Shkolla shqiptare është larg asaj europiane, por edhe asaj ballkanike, pa folur për liderët e vërtetë të arsimit si Amerika apo Kina dhe Japonia. Por një studim i kohëve të fundit që u prezantua në Londër këto ditë, ka si synim të ndihmojë drejtues, studiues dhe politikanë në përcaktimin e faktorëve kyç për përmirësimin e shkollës. Nuk ka dyshim se shkolla shqiptare nuk ishte pjesë e këtij studimi dhe të vjen keq që distancat janë kaq të mëdha. Nga i gjithë studimi doli se dy janë modelet superfuqi të arsimit botëror: Finlanda dhe Koreja e Jugut. Studimi mbi sistemet e edukimit u zhvillua në 50 shtete dhe u realizua nga EIU për shumëkombëshen që merret me edukimin, Pearson. Në thelb të problemit qëndron një fakt i padiskutueshëm : lidhja midis njohurive të mara dhe kompetencave me të cilat të rinjtë i drejtohen punës dhe të konkurimit ekonomik afatgjatë në një vend të caktuar. Nga studimi pati disa prurje cilësore që përmbledh 60 tregues krahasues nga 50 vende, si të dhëna lidhur me shpenzimet publike për arsimin, rrogat e arsimtarëve, përqindja e analfabetizmit në rang kombëtar, deftesat dhe diplomat pas përfundimit të procesit, përqindja e papunësisë, Prodhimi i brendshëm etj. Po t’i hedhim një vështrim klasifikimit propozohet një parametër i ri vlerësimi që është treguesi global mbi aftësitë njohëse dhe arritja e nivelit të arsimimit, bazuar në testet ndërkombëtare, si dhe mesatarja e diplomave. Cilat janë vendet që e kryesojnë klasifikimin? Nuk ka dyshim se janë Hong Kongu, Singapori dhe Japonia, ndërsa në fund ndodhen Meksika, Brazili dhe Indonezia, edhe pse janë ekonomi në rrugë të shpejtë zhvillimi. Dy vendet lider në krye të listës janë për befasinë e arsimit tonë shqiptar Finlanda dhe Koreja e Jugut. Të dhënat flasin për dy sisteme edukuese krejtësisht të ndryshëm : ai koreani i ngurtë,  i bazuar tek verifikimet, testet, të mësuarit me kujtesë dhe detyrimi që studentët të investojnë shumë kohë në arsimit, ku mbi 60% ndjekin shkolla private; ai finlandez më i butë, me pak orë javore në shkollë, pa detyra shtëpie. Një prej përparësive është krijimtaria në të mësuarit me kujtesë. Por a kanë gjëra të përbashkëta këto dy vende? E para, rëndësia e mësimdhënies. E dyta, i japin rëndësi tërheqjes së stafeve më të kualifikuara dhe përditësimit të mësuesit,  pra e thënë me një fjalë nuk bëjnë Pazar me dijet, por zgjedhin më të mirët. E treta, i kushtojnë vëmendje të veçantë përgjegjësisë në arritjen e objektivave dhe karakterizohen nga një ide moral të përhapur në shoqëri që i motivon të dyja palët, mësuesit dhe nxënësit. Një moment i rëndësishëm është respekti për mësuesit, si një çështje  themelore kombëtare dhe jo si tek ne ku ka humbur ndërgjegjësimi për rolin e madh të dijeve dhe të mësuesit. Ka një rol social mësuesi në shoqëri dhe ai nuk mund të kushtëzohet nga militantizmi apo faktorë të tjerë, ndërsa rroga e mësuesve nuk ka shumë rëndësi në sukseset shkollore. Një studim për 2,5 milionë amerikanë nxori se nxënësit që kanë patur mësuesit më të mirë, kanë më shumë mundësi të frekuentojnë kolegje prestigjoze, fitojnë më shumë, jetojnë në lagje më të mira me status ekonomik, kursejnë më shumë për pensionin dhe kanë më pak mundësi të kenë shtatzani të nxituar në adoleshencë. Vazhdon studimi amerikan ku në përgjithësi investimi ekonomik në arsim merr një rëndësi të madhe në arritjen e rezultateve positive, por më e rëndësishme është kultura mbështetëse e edukimit, pra prejardhja e nxënësve dhe origjina e tyre kulturore. Nxënës të ardhur nga Hong Kongu, Singapori janë më të mirë se ata që vijnë nga Amerika latine apo Haiti.  Sistemet shkollore të atyre vendeve që ndodhen në krye të klasifikimit bazohen edhe tek një natyrë e dukshme në zhvillimin e karakterit krijues, personalitetit dhe bashkëpunimit. Nga studimi del se t’u mësosh të punojnë në skuadër, të ndërveprojnë dhe tregojë aftësi të shpejta kuptuese me të tjerët, është sfida e shkollë së nesërme. Mendoj se ky është modeli më i mirë që duhet ndjekur dhe jo konfuzioni dhe amullia e dy dekadave pas viteve ’90. Një shtet i mençur nuk ka nevojë për të bërë eksperimente, por përfiton nga arritjet e çmuara të botës pa humbur kohë me qëllim që të kapë të gjitha standartet e saj.

Arjan Th. Kallço

Pedagog i Gjuhës italiane

Universiteti Fan S. Noli, Korçë

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, shkolla shqiptare, Studimi i Londres

AKTORJA E NJOHUR FESTOI ME FLAMURIN KUQ E ZI NE TIMES SQUARE

December 5, 2012 by dgreca

Kjo ndoshta ishte dhe pika më kulminate e saj në pjesmarrjen në këtë festë gjatë prezantimit të saj publik në mes të Times Square, ajo ka pozuar duke mbajtur një një flamur shqiptar, duke u fotografuar edhe nga fotoreporteret Amerikan, televizionet, gazetat dhe revistat me prestigjoze në SHBA/

Nga BEQIR SINA, New York/

 TIMES SQUARE NYC: Aktoria e njohur njujorkeze me origjinë shqiptare Drita D’Avanzo, e cila jeton në Staten Island – New York, një ishull ku jetojnë aktualisht edhe një numër i madh i emigrantëve shqiptarë e cila gjithsesi është një emër i njohur në televizionin amerikan, po tregonë veten gjithmonë e më shumë se është shqiptare. Dhe bukuroshja me origjinë shqiptare deklaron se ndjehet krenare për rrënjët e saj, sa që në Times Square – New York, ditën e mërkurë ajo u bashku me mijëra shqiptarë, për tu bërë pjesë e festimeve madhështore më 28 nëntor 2012, nuk dallonte nga mënyra se si festuan shqiptarët 100 vjetorine pavarësisë.Kjo ndoshta ishte dhe pika më kulmore e saj në pjesmarrjen në këtë festë, së bashku me shqiptarët  gjatë prezantimit të saj publik në mes të sheshit Times Square, ajo ka pozuar duke mbajtur një flamur shqiptar, teksa qëndronte duke u fotografuar edhe nga fotoreporteret Amerikan, madje nga televizionet, gazetat dhe revistat me prestigjoze në SHBA.

 Ndërsa ne patëm rastin që ta takojmë drejtpërdrejtë, ajo në mes të sheshit Times Square, kur Drita i u ishte bashkuar mijëra shqiptarëve, në ekstazin e tyre të gëzimit të “papërmbajtëshëm” duke festuar edhe ajo si shqiptare së bashku me djemtë e vajzat e veshuar kuqezi në këtë shesh, duke nadrë gëzimin së bashku dhe duke vallëzuar e kënduar me ta.

 Duke folur posaqërishtë për gazetën kombëtare Bota sot, Drita, tha se :”Sot unë kam kam pasur privilegjin të ndjeki së bashku me mijëra shqiptarë në sheshin Times Square këtë festim madhështorë për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Jamë e lumturuar të shohë së bashku me ju rrënjët shqiptare dhe trashëgiminë e kombit tim edhe në këtë shesh të famshëm – përfitojë nga ky rast tua urojë të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë!”

 Më tej ajo vijojë duke thënë sipas saj se ky është një moment i paharrueshem për të treguar trashëgiminë time me bashkëkombasit mi shqiptarë, këtu në Amerikë dhe në mbarë botën, të cilët më kanë shërbyer si frymëzimin tim gjithë jetën andaj jam e lumtur që jam me gjak shqiptarë.Edhe një herë, na u drejtua ajo më lejo dhe përcille edhe tek të gjithë shqiptarët mesazhin tim “Gëzuar 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë!”, i tha gazetës tonë

 Kjo bukuroshe e cila mban një emër puro shqiptarë Drita ka një famë të jashtëzakonshme sidomos për shkak të shout të popullarizuar “Mob Wives” Ajo ka deklaruar se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë dhe ndoshta edhe Kosovën, pasi kjo ka qenë edhe një ëndërr e saj e kamotshme.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, dielli, Drita' D'Avanzo

ATDHEU – MË I SHTRENJTË SE GJAKU

December 5, 2012 by dgreca

TREGIM NGA NAUM PRIFTI*/

 Sekretari trokiti në dhomën e vogël që Skënderbeu e përdorte si studio dhe e lajmëroi se nipi me gjithë familjen dhe me ata që e shoqëronin, kishin arritur te porta e Kështjellës dhe po prisnin.

-Futini brenda! – Vetëm kaq tha Skënderbeu dhe sërish u përkul mbi tryezë për të vazhduar punën që kishte nisur. Ai nuk doli vetë t’i priste dhe nuk shfaqi asnjë gëzim kur dëgjoi lajmin e ardhjes së nipit.Ftohtësia dukej qartë në zërin dhe në fytyrën e tij, gjë të cilën sekretari e vuri re.

Kur dera u mbyll, Skënderbeu deshi të vazhdonte punën dhe sërish mori pendën, mirëpo frazat s’po i dilnin të qarta dhe mendimet iu turbulluan. Penda gërvishte mbi letër dhe karakteri i shkrimit ndryshoi.Nervozizmi ndihej edhe në lëvizjen e dorës. Kur vuri re se disa fjalë i kishte shkruar nga dy herë dhe shkronjat kishin dalë të shtrembëra, e zhubrosi letrën, e bëri shuk dhe e hodhi në shportë. U ngrit në këmbëdhe shikoi nga dritarja.Jo më kot kishte zgjedhur si studio dhomën nga juglindja. Atë e rrihte dielli më gjatë, ishte më e ngrohtëdhe me më shumë dritë se të tjerat. Nga dritaret e saj shtrihej një panoramë e larmishme, që përmblidhte valëzimet e kodrave, fushën tej poshtë, kënetën dhe hapësirat e Adriatikut.Ndryshe nga ana lindore, që kufizohej nga faqja shkëmbore dhe e ashpër e malit, këtej syri tëçlodhej në madhështinë e mjegulltë të detit.

Deti atë ditë ishte i mbushur me avuj dhe një qiell gri e i ftohtë rëndonte mbi shpatullat e maleve. Vetëtimthi e ndjeu se asnjë peizazh tjetër, i ndezur nga ngjyrat e vjeshtës a i praruar nga rrezet e verës, nuk do t’ia shkartiste mendimet që i zienin në kokë. E dinte prej disa ditësh se Gjergj Balsha do të vinte, pasi kishte marrë një letër të shkurtër prej tij për fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Kështjella që zotëronte qe pushtuar nga turqit thuajse befasisht.Ndërsa Balsha dhe kapedanët e tjerë kishin dalë për gjah larg kështjellës, turqit kishin brofur papriturdhe kishin shtënë në dorëkështjellën. Të zotët e shtëpisë kishin ngelur përjashta, të huajt qenë futur brenda.

Pushtimi i kështjellës së Modricës e tronditi Gjergj Kastriotin, sepse, veç të tjerave, krijonte njëtëçarë në unazën e mbrojtjes.Prej andej turqit e kishin shumë më të lehtë të ndërmerrnin sulme drejt brendësisë së tokës arbërore.Skënderbeu kërciste dhëmbët nga inati, kur kujtonte sesi kishte rënë ajo kështjellë në duart e osmanllinjve. Për turp! Pa u shkrehur një top, pa u ndezur një fitil, pa flakëruar një shpatë, pa u hedhur një shigjetë, pa u thyer një shtizë. Të gjithë kapedanët e vjetër, të cilët prej më shumë se dymbëdhjetë  vitesh po luftonin kundër turqve, e kishin quajtur të gabuar emërimin thuajse general të një djaloshi të ri e të pa sprovuar, që deri në atëkohë nuk ishte dalluar për asgjë. Gjergj Katrioti kishte thënë se do të shihte zotësinë e gjithsecilit dhe sipas aftësive do t’u caktonte postet dhe detyrat. Mirëpo në dy raste kishte devijuar nga  ky parim. Rënia e kështjellës së Modricës u dha shkak feudalëve dhe princëve të kujtonin edhe njëherë thyerjen e ushtrisë arbërore para kështjellës së Beratit.Ndonse Skënderbeut nuk I kishin thënë gjë drejtpërsëdrejti, ai e ndiente qortimin nga vështrimet e oborrtarëve, të princëve dhe kapedanëve.Gjithsesi kunati axhami e kishte shlyer paaftësinë për humbjen e kështjellës së Beratit me jetën e vet, ndërsa nipi, djali I motrës kishte ardhur në kështjellën e Krujës me gjithë arsenalin e gjahut, me kuaj e pajisje njëlloj sikur të shkonte për verim.Ndërkohë komentet e oborrtarëve nëpër oda e korridore nuk shternin.

 

-Sikur të ishte dikush tjetër, Gjergji nuk kishte për ta pranuar.

-E ka nip. Nipi duhet më shumë se djali!

-Edhe sikur të dojë, s’ka çfarë t’i bëjë, se rrezikon prishjen e marrëdhënieve me të motrën.

-Gjergji i vogël nuk i afrohet as në thua daiut të vet.

-Në të ngrënë dhe në luks ia kalon.

-Edhe për të prishur para s’ia gjen shokun.

Skënderbeu nuk i dinte të gjitha sa thuheshin por i merrte me mend, aq më tepër se ato ditë një pjesë e mirë e princërve dhe e feudalëve ndodhej në kështjellën e Krujës. Skënderbeu i kishte thirrur për të biseduar për traktatin që propozonte Senati i Venedikut. Të ftuarit e fundit priteshin të vinin atë mëngjes dhe pasdite do të hapej kuvendi.Por derisa të hapej mbledhja, ai duhej të merrte një vendim për Gjergj Balshën.Ku mund ta çonte këtë komandant pa kështjellë?A mund t’i besonte ndonjë detyrë tjetër më pak të rëndësishme? Ta linte fare pa përgjegjësi? Mos kishte këtu ndonjë tradhti?Sa herë i afrohej ky dyshim, e largonte me ngulm.

-Nuk është e mundur! – bërtiti me zë të lartë. – Si mund të ma bëjë këtë gjë?

I kujtohej se kur ia kishte besuar kështjellën e Modricës dhe rrethinat e saj, kishte peshuar sinë kandar cilësitë e mira dhe dobësitë e Gjergjit të vogël, dhe peshorja nuk anonte në asnjë krah, sepse, për çudi, virtytet dhe veset plekseshin si një gërshet. Më së fundi Skënderbeu kishte arsyetuar se, sido që të vinte puna, Gjergji i Balshajve do t’i qëndronte besnik gjakut të vet. Tradhtia e Hamzait, djali të vëllait, kishte qenë e ushqyer si nga etja për pushtet, ashtu edhe nga nxitjet e pareshtura të turkeshës, nënës së tij.Ndërsa Gjergji i ri pikërisht për shkak të nënës nuk kishte për të tradhëtuar kurrë.

I kaloi edhe një herë nëpër mend ngjarjet që lidheshin me rënien e këshjellës së Modricës. Atë ditë komandanti i kështjellës kishte dalë për gjah. Gjer këtu s’kishte asgjë të jashtëzakonshme a të dyshimtë, sepse gjahu ishte një nga pasionet më të forta të feudalëve.Ai kishte marrë me vete gjithë garnizonin e tij.Po pse e kishte marrë tërë garnizonin pas?A nuk mund t’i linte një pjesë të ushtarëve në kështjellë? Dhe po atë ditë turqit vijnë papritur dhe hyjnë si krushq. Një palë ikin nga njëra anë e një palë vijnë nga ana tjetër.Pse kishte qenë e hapur porta kryesore e këshjellës?

Skënderbeu i njihte turqit dhe manevrat e tyre.Agjentë sekretë, të mbuluar me petkun diplomatik, ose tregtarë të huaj kryenin misione të ngarkuara nga turqit dhe merrnin shpërblime. Për turqit ishte krejt e natyrshme që atë gjë që s’mund ta fitonin me gjak ose me trimëri, ta blinin me para. Ata kishin dërguar një raguzian te Vrana Konti me propozimin e një shumë kolosale prej 300.000 dukatash, nëse dorëzonte kështjellën e Krujës. Vrana Konti e kishte hedhur poshtë me neveri atë propozim, por dikujt tjetër mund t’i ishte prishur mendja.

Skënderbeu doli nga dera e studios dhe, pasi përshkoi korridorin, hyri nësallën  e ngrënies. Ia mori mendja se aty do ta gjente nipin dhe nuk u gabua. Ai po u tregonte vajzave dhe grave që ishin aty disa anekdota të kohës dhe atopo shkriheshin së qeshuri. Sapo hyriSkënderbeu, Gjergj Balsha u mundua t’i jepte fytyrës një pamje të pikëlluar.Gratë e vajzat u shpërndanë.

-Ç’qe kjo që bëre? – e pyeti Skënderbeu, pa i dhënë as dorën.

-Një fatkeqësi, asgjë më shumë…

-Si del për gjah, kur turqit ishin aq pranë?

-Nuk kishim asnjë dijeni. Ata erdhën fare papritur.

-A nuk keni dyshim mos i ka lajmëruar njeri për daljen tuaj në gjueti?

Gjergj Balsha ngriti supet.Mundtë kishte ngjarëdhe ashtu por ai s’kishte dijeni.

-Pse e nxorre gjithë garnizonin jashtë kështjellës?

-Shkuam për të gjuajtur drerë dhe ju e dini mirë se kjo gjueti…

-Unëe di se kur është kohë lufte, nuk dilet për gjah, – i tha rreptë Skënderbeu.

-Dajo, po marr guximin t’ju them se, po të vazhdoni të më pyesni në këtë mënyrë, nuk do të pranoj të përgjigjem.

Skënderbeu nuk lëshoi pe.

-Unë mendoj se duhet të përgjigjesh dhe të përgjigjesh mirë. – Gjergj Kastrioti e nënvizoi fjalën “mirë” dhe ajo mori një nëntekst të fortë. – Jo vetëm para meje, po kundrejt gjithë atyre që do të pyesin. Mos të duket diçka e vogël pushtimi i një kështjelle? Përgjegjësia dhe nderi prej fisniku u detyrojnë më shumë nga sa pandehni.

-Unë s’kam asnjë faj! – bërtiti Balsha i ri i fyer, duke përpjekur dorën në tryezë. – Gjithçka ndodhi krejt rastësisht.

-Shumë rastësi kanë ngjarë brenda një dite…- tha me ironi Skënderbeu.- Ju dilni për gjah, turqit vijnë papritur. Ardhjen e tyre nuk e lajmëron kërkush, tymtarët flenë, britësit  nukndodhen në vendin e tyre, në kështjellënuk ka asnjë ushtar dhe turqit futen drejt nga porta e madhe.

Gjergj Balsha e pa se daja ishte shumë i zemëruar dhe biseda kishte nisur ters. Ktheu kokën nga dritarja, sikur donte t’i thoshte: “Mjaft më! Unë e ndiej gabimin vetë.”Fytyra e mbushur e Gjergj Balshësme nofullat katrore dhe sytë e vegjël e të shndritshëm tregonin qartë se ai kujdesej veçanërisht për sofrën.Jaka e bardhë e këmishës vinte në dukje ngjyrën e kuqe të lëkurës.

          -Kush urdhëroi të hapej porta? – e pyeti Skënderbeu.

          -Askush. Ishte e hapur.

          -Kur dolët për gjah, nuk porositët të mbyllej?

          -Habitem si u vete mendja të dyshoni, – tha Gjergj Balsha me duart drejt vetes së tij ndërsa sytëi vërtiste sa nga njëra anë te tjetra.

          -Hapja dhe mbyllja e portës bëhet vetëm me urdhër të komandantit të kështjellës dhe ti e di këtë qëkur ishefoshnjë. Atëherëkush urdhëroi të mos mbyllej porta, kur dolët jashtë? –gjënoi Skënderbeu.

-Unë! – thame inat Gjergj Balsha.

Skënderbeu me duart prapa filloi të bënte ecejake nëpër dhomë.Hyri një kështjellar dhe i kumtoi diçka.Skender i dha shenjë të mos largohej.

-Mos edhe kjo është rastësi? – epyeti Skënderbeu.

-Sigurisht! Pse, mos kisha dëshirë të mbetesha pa kështjellë dhe të vija këtu për të kërkuar strehë e bujtje?

Skënderbeu e mbërtheu në vend me një vështrim të rreptë.

-Gjergj Balsha, o njeri i dobët, ti ke rënë në marrëveshje me turqit, ti ke lënë hapur portën, ti e ke shitur kështjellën.

Kaq e papritur ishte kthesa dhe akuza, sa Gjergj Balsha brofi izverdhur dhe vuri dorën në brez.

-E shoh se qëndrimi im këtu qenka i tepërt dhe i padëshirueshëm, prandaj do largohemqë këtë çast, -tha duke u drejtuar nga dera.

-Nuk do tëlëvizësh pa u përgjigjur për tradhtinë, – gjëmoi Skënderbeu dhe pastaj, duke u kthyer nga ushtari, i dha urdhër.-Futeni në burgun e kështjellës dhe jepjani gjyqit!

Vendimi i Skënderbeut e mpiu Gjergj Balshën dhe ai nuk rezistoi kur e çarmatosën. Vetëm kur po e hiqnin nga salla, ktheu kokën dhe bërtiti:

-Nuk do t’jua harroj këtë poshtërim!

Lajmi i burgosjes së Gjergj Balshës dhe akuza për tradhëti u përhap menjëherë gjer në skutat më të thella të kështjellës.

Në derë u ndje trokitja e butë e gishtrinjve të së shoqes dhe ajo hyri menjëherë në dhomë.Dukej e tronditur dhe përmbahej me zor.

-Më ndjeni, zot, që ju ndërpreva.

Ajo qëndroi një çast duke fërkuar duart si për të gjetur aty fillin e bisedës e si për të kërkuar fjalët më të përshtatshme. Gjergji pyeti veten: “Ka ardhur vetë, apo e ka dërguar ime motër? Ka shumë të ngjarë ta ketë dërguar Jella, s’do të vijë vetë ose ngaqëështë zemëruar”.

-Në kështjellë nuk flitet për gjë tjetër, veçse për atëqë ndodhi … -Zëri i dridhej lehtë dhe në sytë e butë shihej një dëshpërim i sinqertë.

-Në kështjellë edhe më përpara flisnin për atë. – Ai u ngrit në këmbë dhe po përpiqej të mbërthente përpara pasqyrës tokëzën e togës.

– Por ç’do të thonë të tjerët për këtë veprim?

Ai nuk u përgjigj menjëherë dhe kjo vonesë nuk iu duk shenjë e mirë së shoqes.

-Unë bëra atë që duhej të bëntë çdokush në vendin tim.

-Gjergji është gjaku tuaj!

-Andronika! – ai nuk e thirri me emrin përkëdhelës “Donika”, siç e thërriste shpesh, dhe asaj iu ndrysh zemra. – A thua të ketë gjak ai njeri? – Dhe pas pak vazhdoi. – Edhe një pikë gjak arbëri të kishtë në trup, nuk do ta bënte atë që bëri.

Donika vuri re se i shoqi ishte tepër i prerë eipalëkundur.

-Pse je kaq i bindur në fajësië e tij? Gjithçka mund të ketë ndodhur rastësisht ose nga pakujdesia.

Skënderbeu u kthye nga Donika.

-Një dyshim i vogël akoma më vërtitet në kokë. Por qoftë tradhti a pakujdesi, faji mbetet faj.

-Ka të ngjarë të jetë pakujdesi! – i tërhoqi vëmendjen ajo.

-Po atëherë pse nuk bëri atë që do të bënte gjithkush në vendin e tij? Të përpiqej të fitonte me nder atë që humbi me turp? Pse nuk luftoi, kur u kthye?Kapidani i mirë e braktis i fundit anijen ose mbytet bashkë me të.

Biseda u mbyll dhe Donika, para se tëdilte i tha:

-Ende nuk është krejt e sigurt.

Skënderbeu e njihte mirë të nipin, ia njihte dobësitë dhe të metat, po kishte shpresuar se jeta, përpjekjet, detyra dhe përgjegjësia do ta burrëronin. Me sa duket, ai ishte si ato dardhat skallangure, që nuk piqen kurrë.Megjithatë ishte kureshtar tëdinte prapaskenën dhe arsyet qëi kishte hyrë asaj rruge. E dinte që kishte njerëz, të cilët do të thoshin se ishte detyruar ta dënonte nipin për tëmbyllur gojët e botës, por ajo nuk ishte arsyeja e vërtetë .

Që atë pasdite Gjergj Balsha pohoi para hetuesisë fajin. Dëfteu se kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me turqit dhe ua kishte dorëzuar kështjellën për 30.000 dukata. Për ta paraqitur si rastësi dhe pakujdesi, ishte organizuar gjahu dhe braktisja e këshjellës!

-Edhe tokës i vjen rëndë nga kjo fytyrë, që guxoi të shiste atdheun. Hiqeni prej këtej dhe niseni të shoqëruar për në Napoli!  Do t’i lutem mikut tim mbretit të Napolit, ta mbajë në burgjet e tij, meqëne këtu s’kemi burgje, – urdhëroi Skënderbeu.

* Botoi Dielli, numer special me rast e 100 vjetorit te Pavaresise, 28 Nentor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Atdheu, dielli, me i sjtrenjte, Naum Prifti, se gjaku, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 526
  • 527
  • 528
  • 529
  • 530
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT