• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAJOR AHMET LEPENICA “SHKON” NË VLORE PER 100 VJETOR

November 4, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

 Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë kombëtare Universiteti “PAVARËSIA”,Klubi i shkrimtarëve ”Petro Marko” organizoi promovimin e librit:“Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920” shkruar nga studiuesi Enver Memisha- Lepenica.

Studiuesi Msc Gëzim Llojdia duke hapur këtë takim tha se:Ky botim i plotë i studiuesit Lepenica përbënë në vetvete një dritare të re për vet mënyrën e të shkruarit,analizën e fakteve ,dokumentet e paraqitura në gjuhën origjinale dhe faksimile të tyre , kujtime dhe folklori ,gazete dhe të gjitha mjetet që të dëfrejnë rrugën e të vërtetit. Lëvizjet e tyre deshifrojnë pikërisht pozicionimin e tyre atdhetar por sikurse frymën,që e përdorën për hyrjen fortësisht të mençur në këtë lëvizje shqiptare. Flitet se nga kohët e rilindjes kombëtare një gen i shqiptarizmit,filloi të lëviz tek këta patriot. Ky gen erdhi ,por u forcua duke u ruajtur i shenjtë tek shqipfolësit. Numërohen të këtij geni të shqiptarizmës i përkasin edhe familja Lepenica .1-Në rrafshin politik. Figura e Ahmet Lepenicës është patriotizmi , që ushqeu ,shqiptarizmin gjatë gjithë kohës së ndritshme të përndritjes tonë kombëtare. Me frymën e tij patriotike, Bashkohës i Mustafa Qemalit , bashkëluftëtar dhe mik i Ismail Qemalit, mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912-1913, çlironjës i krahinave të jugut të Shqipërisë më 1914. Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920, 2-I ndërgjegjësoi se fati i kombit ishte në duart e shqiptarëve në këto kohë të mjegullta ishte shqiptarizmi. Fati i tyre ishte qëndrueshmëri i lidhur me kombin,fati i të cilit gjendej në plluskimin e pushtimeve të huaja sidomos pas luftë së Vlorës Nuk ka asnjë ndryshim frekuence në qëndrimet e tij patriotike gjendet Komandant i Krahut të Vjosës, në vitin 1921, Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës në vitin 1922, udhëheqës i Revolucionit të Qershorit 1924, kontribuues i shquar në hallet dhe problemet e krahinës së Mesaplikut deri në shuarje pra deri në këputje të shpirtit në vitin 1941.

Gezim Zilja studiues ju referoi rreth librit te studiuesit Lepenica Këto ditë, në kuadrin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, në qarkullim libri “Major Ahmet Lepenica, Komandanat i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës”.Libri është shkruar nga studiuesi i palodhur Enver Memishaj-Lepenica dhe përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentash të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej njerëzve më të shquar të Labërisë,“E një veterani pa njollë” siç thotë autori, që gjithë jetën ia kushtoi luftërave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Personazhe të tillë të fuqishëm si ai i Ahmet Lepenicës kanë qenë pak të njohur sidomos gjatë periudhës së diktaturës. Megjithatë populli i krahinës së Vlorës nuk rreshti së ngrituri këngë për bijtë e vet që që i dolën zot dhe në kohët më të zeza. Ai do të këndonte: Kush e prishi Italinë/Osmëni me dy Qazimë/Bimbash Ahmet Efendinë. Janë vetëm tre vargje ku jepet një epope e tërë që të trondit: Që Italia u mund (u prish,) që prijësit e asaj lufte ishin Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi dhe natyrisht oficeri i lartë (Bimbash) major Ahmet Lepenica.Pas përmbysjes së diktaturës mundësitë për studimin e figurave hisorike pak të njohura më parë u bë më e madhe. Tashmë në dispozicion të studiuesve u vu gjithë arkivi me dokumentat historike shqiptare dhe të huaja. Por ende janë të pakët ata që “guxojnë” e i futen atij deti të pafundëm të arkivave, thjesht për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike, të një ngjarjeje, apo të jetës së një njeriu të vetëm. E them këtë sepse kjo lodhje e stërmundim dmth të rrëmosh në arkiva për vite me rradhë nuk sjell kurrfarë përfitimi material madje shpesh paratë për botimin paguhen nga xhepi i autorit. Kjo ka të bëjë ama me dashurinë e tij (të studiuesit) për figura të tilla që nuk duhen harruar, ka të bëjë me dashurinë për të vërtetën, me dashurinë për historinë e popullit shqiptar dhe më thjesht me dashurinë dhe respektin për vendlindjen dhe atdheun. Nuk janë terma të tepërta nuk është mbivlerësim. Ata që merren me punë të tilla e dinë që pasi je rropatur me vite të tëra në gjurmimin e gjetjen e dokumentave, në sisteminin e rregullimin e tyre dhe në fund ke në dorë një libër në dorëshkrim, është shumë e trishtueshme të vraposh ( kjo është pjesa më e vështirë) sa andej këndej për të “lypur” të holla që libri të shohë dritën e botimit. Gjithsesi “Major Ahmet Lepenica…”e pati fatin të dalë në qarkullim bashkë me falënderimet ndaj dhuruesve që me sa duket nga numri i madh i tyre janë rrogëtarë ose pensionistë. Është një nga dhuratat më të bukura që i bëhet lexuesve shqiptar në kuadër të festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë.Në faqet e para zoti Memishaj rreket të bëjë një përshkrim të shkurtër të Vlorës dhe veçanërisht të Lepenicës së tij të dashur në rafshin historik, pa harruar të përshkruajë bukuritë e vendlindjes. Me një sinqeritet të madh ose si i thonë nga anët e tij me zemër në dorë ai shprehet: Ky libër është produkt i dashurisë për vendim tim, për fshatarët e mi, për Labërinë, sepse siç ishte Lepenica, ishte tërë Labëria, siç vuante Lepenica vuante krahina e Mesaplikut, e Labërisë dhe e gjithë Shqipërisë.( Ahmet Lepenica, fq 21) Dhe më tej: “Unë kam synuar të nxjerr në dritë karakterin, mendësinë dhe shpirtin atdhetar të këtij luftëtari, duke e vënë në vendin që meriton. Dramës së historisë sonë t’i kthejmë personazhet realë ashtu siç kanë qenë. (Ahmet Lepenica. Fq. 23). Dhe këtë premtim që zoti Memishaj e bën që në fillim e shohim të shpaloset faqe pas faqeje duke hedhur dritë jo vetëm në figurën e luftëtarit patriot por edhe të shumë figurave të tjera bashkëluftëtarë ose jo me major Ahmet Lepenicën.Në libër autori ndalet në jetën e heroit, nga fëminija, gjatë shërbimit ushtark në ushtrinë turke, si bashkëluftëtar i Qemal Ataturkut, veprimtarinë e tij para dhe pas shpalljen së Pavarësisë në Vlorë, pjesëmarrjen në Luftën e Vlorës, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes, luftën e tij për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, mardhëniet me qeverinë e Nolit, deri sa mbylli sytë atje në Lepenicën e dashur. Faqe pas faqeje nëpërmjet materialeve dhe dëshmive shikojmë si rritet figura luftëtarit dhe atdhetarit të madh Ahmet Lepenica. Mendoj që një kulmet e veprimtarisë së tij është epopeja legjendare e Luftës së Vlorës të cilën autori, na i përshkruan me hollësi duke e mbështetur në dokumentat e shumta të kohës. Ahmet Lepenica do të caktohej nga Komiteti i Mbrojtjes së Vlorës “…si Kumandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, duke u pështetur në burrërinë dhe në atdhetarësinë tuaj. Ngarkohe me këtë barrë shumë të shenjtë dhe të rëndë…” Ahmet Lepeneca Fq. 99Më vonë do ta shohim si Shef të Shtabit të Trupave Kombëtare dhe Komandant të Gjindarmërisë, gjithmonë të angazhuar në atë luftë të shenjtë deri në mbarimin e saj.Në librin e Enver Memishajt, shikojmë dhe një sërë komandantësh, luftëtarësh e udhëheqësish kryesisht lebër, që drejtuan atë luftë heroike me një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës ose si thuhet në këngë “Me një mbret dyzet miljonë”. Autori zbërthen me pjekuri e bën një analizë të hollë për atë luftë titanike dhe me të drejtë del në përfundimin se: “Patriotët që bënë Kongresin e Lushnjës dhe luftën e Vlorës, rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.” (Ahmet Lepenica Fq 206.)Nëse nuk do të zhvillohej ajo luftë e madhe, e pakrahasueshme dhe e papërsëritëshme nga mënyra dhe koha që u zhvillua, Shqipëria ndoshta nuk do të ishte kjo që kemi sot por gjysma e saj, por edhe mund tu ishte dhuruar andej-këndej italianëve, grekëve e serbëve. Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, libri është një dhuratë e çmuar për kombin shqiptar, jo vetëm se na njeh me një nga heronjtë dhe udhëheqësit kryesorë të asaj lufte por edhe pse tregon shpirtin e pamposhtur e patriot të shqiptarit, tregon se historia e popullit tonë është një histori plot luftra, përpjekje, sakrifica e therori për atdheun e dashur. Dy muaj para njëqind vjetorit të shpalljes së pavarësisë megjithë mëtimet e çuditëshme që vihen re tek-tuk për t’i zhvendosur kremtimet dhe heronjtë sipër Tiranës, akti i Shpalljes së Pavarësisë dhe Lufta e Shenjtë e Vlorës e vitit 1920, me gjithë heronjtë e tyre, vijnë natyrshëm, pa bujë, me një shkëlqim diellor ngahera më të fortë për të na treguar se kjo Shqipëri u bë me penë e pushkë nga bijtë e bijat e shqiptarëve nga çdo cep e vatër ku ata jetonin. Për Luftën e Vlorës At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar. “ Shtjefën Gjeçovi. Gazeta Mbrojtja Kombëtare faqe 21-28 viti 1920.Libri i Enver Memishajt është një monografi serioze e shkruar plot dashuri, sinqeritet për heroin Ahmet Lepenica, dhe rrok një faqe të lavdishme të historisë së trevës së Labërisë e më gjerë. Monografia është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme por shpesh e ngarkuar me dialektalizma që autori mendoj se i përdor qëllimisht për të theksuar se barrën më të rëndë të Luftës së Vlorës e mbajtën bijtë e Labërisë. Mendoj së qëndrimi i autorit lidhur me vlerësimet e Ago Agajt dhe sidomos Eqerem Bej Vlorës ndaj figurës së Ahmet Lepenicës mund të ishte më i qetë dhe objektiv, pavarësisht nga argumentat e autorit. Lexojmë në libër, fq.300 “ Eqerem bej Vlora, sikundër ka derdhur vrer, mashtrime, poshtërime e denigrime ndaj të gjithë bashkëqytetarëve të tij, heronj të Vlorës…. ashtu shpif e mashtron edhe për Ahmet Lepenicën….” Po kështu përmendja e shpeshtë e emrit të Ahmet Lepenicës dhe vlerave të tij në çdo faqe libri, të jep përshtypjen hera-herës se vetëm ai ishte kryesori në atë luftë, kur mjaft figura të tjera qoftë dhe ajo e Qazim Koculit si Komandant i Përgjithshëm anashkalohen ose përmenden shkarazi. Gjithsesi këto janë vrejtje fare subjektive që nuk e ulin aspak vlerën e librit dhe figurës së heroit legjendar Ahmet Lepenica. Për ta mbyllur do të përmendja fjalët e historianit të njohur e respektuar vlonjat, Prof. Dok. Bardhosh Gaçe. Ai vlerëson: “ Me pasurinë e dokumentave, provave dhe fakteve, Ahmet Lepenica, portretizohet e jepet si një apostull i shqiptarizmës, i mbuluar nga mjegulla e kohës padrejtësisht…. Dhe monumentin që prisnim për Ahmet Lepenicën ja ngriti Enver Memishaj me këtë libër.”Nje analizë e plotë e librit sigurisht do të këërkonte një angazhim më të madh dhe dhjetëra faqe të shkruara. Qëllimi i kësaj përmbledhje të shkurtër është të “lajmërojë”lexuesit për botimin e tij dhe të zgjojë interesin e tyre.

Aktori i teatrit “Petro Marko” Vasillaq Godo reciton Hymni i Vlores të shkruar nga poeti dhe ishkryetari i abshkisë Vlorë Ali Asllani.

Mësuesi Begë Karefil Begajj referon temen :Mbi veprën e Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”,

Si mësues dhe bashkëfshatar i Enverit tha ai,ndjehem krenar për këta personalitete të shquara të fshatit tonë, por edhe për Enver Lepenicën që ka zbuluar dhe evidentuar veprën atdhetare të këtyre dy burrave duke bashkangjitur emrin e tij me bijtë më të mirë e atdhetar që ka nxjerrë vendlindja jonë, Lepenica. Jeta e heroit të këtij libri Ahmet Islam Canaj që në histori hyri me emrin Ahmet Lepenica, fillon si ushtar i Perandorisë Osmane dhe që për merita trimërie e zotësi ushtarake u gradua oficer, por zemra e tij rrahu vazhdimisht për atdheun e tij. Sado me gradë e pozitë në Perandorinë osmane, kur erdhi momenti në vitet 1911 – 1912 , nuk pyeti më për grada e ofiqe por iu përgjegj thirrjes së atdheut, me dëshirë, me zemër e me besim se edhe Shqipëria do të bëhej.

Libri është ndarë në katër pjesë: Pjesa e parë: Jeta dhe vepra e major Ahmet Lepenicës, pjesa e dytë: Në krahët e këngës popullore, pjesa e tretë: Bashkëluftëtarë dhe personalitete të shquara në jetën e Ahmet Lepenicës, pjesa e katër: dokumente. Të katër pjesët janë harmonizuar e lidhur organikisht si vazhdim të njëra tjetrës. Libri është pajisur me kronologjinë e jetës së Ahmet Lepenicës, burimet dhe bibliografia nga Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar, Instituti Historisë dhe Biblioteka Kombëtare, faksimile të dokumenteve historike dhe fotografi, literature e gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklor, shtypi i kohës dhe në fund indeksi i emrave të njerëzve, gjë që do të thotë se jemi para një punimi të mirëfilltë shkencor, që duhet të tërheqë vëmendjen e një mase të madhe të lexuesve dhe të elitës kulturore shqiptare. Me këtë libër, Z. Enver Memishaj, ka e përballuar me sukses një punë voluminoze studimore, që kërkon gjithë jetën e njeriut dhe ja ka arritur qëllimit që me kompetencë shkencore, me fakte, dokumente të shumta, me analizë, argumente bindëse e të pa kundërshtueshme mbështetur edhe në shtypin e kohës edhe në folklor t`i ngrejë major Ahmet Lepenicës monumentin e munguar dhe t`i kthejë historisë sonë një personalitet të shquar. E gjithë kjo punë voluminoze dhe cilësore tregon bagazhin kulturor që zotron autori, pasionin për të kërkuar të vërtetën, dashurinë për atdheun dhe vendlindjen. Në kapitullin “Rëndësia e Luftës së Vlorës” autori citon elitën e kulturës, studiuesve dhe historianëve tanë të cilët kanë arritur në të njëjtin përfundim, në mirëkuptim të plotë se Lufta e Vlorës hodhi në erë planet antishqiptare të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919 dhe 1920 dhe vendosi fatin e Shqipërisë dhe për pasojë Shqipëria në dhjetor të vitit 1920, për herë të parë në historinë e sajë u njoh edhe nga bota si shtet i pavarur. Vlerat e studiuesit Enver Memishaj – Lepenica duken edhe në kapitullin “Lufta e Vlorës nuk mund të zhvleftësohet”, në të cilin autori polemizon dhe hedh poshtë shumë përfundime dhe shtrembërime të pa drejta dhe të pa bazuara të disa studiuesve që kanë shkruar apo e kanë përmendur Luftën e Vlorës. Major Ahmet Lepenica, si një veteran pa njollë i çështjes sonë kombëtare, është renditur në radhën e atyre figurave që me përkushtim iu gjendën atdheut në ditët më të errtë, me re të zeza, të vështira, pa menduar asnjëherë se çdo të fitonin për vete. E me të vërtetë, autori thekson se ai, major Ahmet Lepenica, nuk mori e nuk pranoi asgjë, në fund të Luftës së Vlorës, për kontributin e shquar që ai dha në shërbim të atdheut, siç vepruan udhëheqësit e tjerë të asaj lufte.

Myrteza Mar Kryetar i klubit ‘Petro Marko” Vlorë tha :Enver Memishaj vjen këtë here me një libër vërtet me vlera te medha jo vetëm histroike. patriotike, arkivore por edhe letrare artistike. Te shkruash per historinë dhe protagonistet e saj eshte detyre dhe e drejte jo vetëm qytetare, por edhe morale, intelektuale dhe atdhetare. Autori i 9 librave, z Memishaj e ka realizuar me se miri këtë obligim ne librin qe kemi ne duar. Puna e madhe dhe me pergjegjesi e autorit tregojnë jo vetëm mundin, por edhe kujdesin për te na dhënë ne masne e duhur, ne kohen e duhur, ne vendin e duhur historik e politik vlerësimin per nje nga figurat e ndritura jo vetëm te Vlores, por Atdheut…Pasi lexon këtë libër te lindin natyrshëm jo vetëm dëshirat për te uruar autorin, por edhe te meditosh thelle për atë errësire qe ka mbuluar shume themele te historisë. Ndaj theksova me larte se është detyre e gjithë intelektualeve dhe historianeve qe te gërmojnë edhe nen themele sepse historia dhe lavdia, ashtu si edhe turpi e tradhtia nuk janë gjethe vjeshte. Pa kontributin e shqiptareve te* vërtetë nuk do kishte rezistence ndaj pushtuesve te shumte shekullore. Pa këtë kontribut nuk do kishte ndërgjegjësim dhe udhëheqje te masave te gjera te popullit për liri e pavaresi. Pa këto kontribute nuk do kishte dhe nuk ka histori….Autori e portretizon heroin e vete nen dritën e se vërtetës se madhe dhe e shoqëron atë me fakte te gjalla .

Laureta Petoshati publicistë solli fakte të reja nga libri “Major Ahmet Lepenica,

Sot ne bote, per te qene udhëheqës, duhet te jesh i pajisur me inteligjencen eraocionale. Inteligjenca emocionale është aftësia për te njohur, pranuar, menaxhuar dhe kontrolluar emocionet e vetvetes, se te tjereve dhe te disa grupeve. A nuk e bene këtë drejtuesit e Luftës se Vlorës? Po. Me ane te fakteve ata krijuan nje ushtri, nje shtab, një prefekture. Emocioni qe i donte ata drejt fitores ishte atdheu. Ne mos duhej te clirohej, te paktën, me vdekjen e tyre te shpëtohej nderi i tij, sipas motos: ” O Vloren, o vdekjen!” Ata ishin njerëz me shkolle, me pasuri, me virtyte. Gjithsecilit, iu ngarkua detyra sipas aftësive. Per ta treguar kete gje, Enver Memishaj, përdor edhe vete inteligjencën emocionale. Behet shume i ndjeshëm, duke i studiuar personazhet ne gjerësi dhe ne thellësi te fakteve. Duke i kuptuar ata ne te gjitha dimensionet, kërkon qe te binde lexuesin ne ate qe thote. Kjo është aftësi, apo një mjet qe e ndihmon lexuesin per te zbërthyer shume gjera, te cilat kane mbetur enigmatike, si dhe shume shprehje apo fjali, qe ne ndonjë rast duken te thjeshta, por ne fakt kane filozofi te holle popullore dhe kthehen ne epistemologjike si shprehja, qe i thotë Alem Mehmeti te urtit Ismail Qemali, kur po u vinte ushtria turke: “Tipeshk ne det dhe une ujk ne pyll!”, qe do te thote ti do te ikesh matane detit, ndërsa unë do te dal kacak, por si sinonim ka lirinë ashtu si ta jep mëma natyre. Ndërsa flet per udhëheqësit e Luftës se Vlores, ai nuk harron pa përmendur getat e fshatrave, njerezit e thjeshte, barinjte, te renet, vendos listat e tyre emër për emër. Lufta e Vlorës ishte lufta e fisnikeve. Fisnikëria nuk tregon vetëm shkalle shoqërore te larte, por vlera shume te larta ne sherbim te atdheut dhe njerëzimit. Për ti treguar këto vlera atdhedashurie, autori përdor edhe poezi, te cilat e spikatin me shume historinë dhe heroizmin, si per shembull vargjet e poetit vlonjate Kudret Kokoshi, për Toto Bolenen:

“Dhe ne grushtin e gelikte krrab’n e berrave mbertheje…/Me ate kerrabe historike, kundrejt Historise veje!”

Aktori Vasillaq Godo recitoje poezinë Toto Bolena të shkruar nga Kudret Kokoshi.

Fahri Shaska kumtojë rreth figurës së Ahmet Lepenicës dhe qëndrimit të tij si dhe mohimit që i është bërë në shumë botime të viteve të shkuara kur emri i tij nuk përmendet .

Albert Habazaj analizoi figurën e patriotike të Ahmet Lepenicës duke ju referuar studimit të hollësishëm bibliografik.

Mësuesi, Shpresim Kasaj, Kryetar i shoqatës” Armeni” do tu referohet pasqyrimin fakteve ne luftën e Vlorës nxjerr nga libri. Nga familja Ahmet Lepenices, përshëndeti Irfan Canaj.

Autori i botimit të librit Enver Lepenica tha se në hartimin e kësaj vepre kanë ndihmuar me konsulencat e tyre: Dr. Bujar Leskaj, Dr. Iliaz Gogaj dhe Prof. Nestor Nepravishta. Vlerësimi i librit është bërë nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Major Lepenica, ne Vlore

TË BASHKUAR NË 100 VJETORIN E PAVARËSISË

November 4, 2012 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Po afron, po vjen, ja mbërriti…/

Pavarësia, prej Kosove po zbret malit,/

Po ndjej trokun e kalit të Is Buletinit,/

Ja shoh mjekrën e bardhë Ismaili Qemalit./

Aty rreth të mbledhur tok, Paria,/

Pa cungime, fshehje e grisje/

Nga Berati, Dibra, Kosova dhe Çamëria./

Flamuri i Skënderbeut, në nisje./

Aty e shoh prapë kryelartë Lef Nosin,/

Vrionët, Toptanët, Dematët, Begollin,/

Gurakuqin, Mustafa Krujën dhe Qazim Kokoshin,/

Frashërllinjtë, Ali Këlcyrën, Dom Nikoll Kaçorin…/

Janë të gjithë nga mbarë Shqipëria./

Aty pranë dhe Matjanët, Riza Zogolli,/

Nga Janina, Gjakova, Plava e Gucia/

Kur shkundej e dridhej Stambolli./

Dhe ashtu do ngelen, bashkuar./

Së toku e bënë historinë./

Ylberi, shumëdritësh ndriçuar,/

Shumëngjyrësh e shfaq bukurinë./

Vlorë, 02.11.2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Cipi, ne 100 vjet, pavaresi, te bashkuar

DITET E KULTURES SE KOSOVES NE DIASPORE

November 3, 2012 by dgreca

Na shkruajne nga Brukseli: Ali Podrimja, figurë emblematike, që i shërbeu të sotmes dhe të nesërmes poetike shqiptare./

nga   Agron Shele*/

Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shipërisë, Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, organizuan në Bruksel, orën letrare “Ditët e Kulturës së Kosovës në Diasporë”, orë letrare e cila mbështetej financiarisht nga Ministria e Diasporës Kosovë dhe që kishtë për promocion promovimin e Antologjisë poetike “Dhimbë e bukur (homazh për poetin Ali Podrimja)”, përgatitur nga autorët Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu.

E veçanta e kësaj ore letrare ishte përfaqësimi gjithëpërfshirës i të gjitha trevave shqiptare përberenda këtij  Unioni letrar me autorë nga Shqipëria Bahri Myftari, nga Kosova Gani Xhafolli dhe Reshat Sahitaj, nga Maqedonia Kalosh Çeliku, nga Mali i Zi  Haxhi Shabani dhe nga   Presheva Arsim Halili. Ora letrare u hap nga Koordinatorja  e Shoqatës së Shkrimtarëve të Belgjikës znj Shiponja Duro, e cila e çeli këtë sipar me poezitë pishtar të këtij autori të madh për Kosovën, ku shprehje të tilla si: “Kosova është gjaku im që nuk falet!, Më shumë se kushdo tjetrër të njoh, Kosovë, Unë biri yt .”etj, krijuan sensacionin e duhur për zhvillimin e këtij aktiviteti.  Më pas  këtë event e përshëndeti dhe  Ambasadori i Republikës së Kosovës Z Ilir Dygolli, i cili falenderoi nismëtarët  dhe organizuesit e këtij eventi, si dhe  Unionin që ata  përfaqësojnë,  falenderoi të pranishmit, si dhe u ndal në kontributin e poetit të madh Podrime,si autori më i përkthyer kosovar në kulturat e tjera letrare, kontribut i cili me plot të drejtë vlerëson dhe indetifikon kulturën  kosovare dhe asaj shqiptare. Në fjalën e tij Z Reshat Sahitja i bëri një rezome të shkurtër kësaj antologjie poetike, ku rreth 60 autorë të njohur si Agim Vinca, Kristaq Shabani, Musa Jupulli, Visar Zhiti etj, me zërin e tyre poetik i thirrën himn lajmotivit të jetës dhe  veprës së këtij poeti me përmasa kaq të mëdha. Për  veçoritë poetike, stlistikore, rolin e tij në ngritjen e nivelit artsitik dhe modernizimin e poezisë kosovare, si  dhe mesazhin e madh të Popdrimes për rritjen e ndërgjegjies së popullit kosovar, do referonin përfaqësuesit e ftuar nga mbarë trevat shqipfolëse, të cilët me ilustrimet e tyre në vargje do krijonin një atmosferë shumë më të këndshme dhe do e bënin këtë event edhe më emocionues. Në fund të takimit autorët me banim në Belgjikë do shprehnin opinionet e tyre rreth kësaj embleme poetike, duke e bërë takimin edhe më interesant. Dr Xhovalin Kola do shprehej se: “Podrimja ishte autori parë kosovar që bashkoi poezinë me ç’ ështjen e zgjidhjes së problemit kombëtar”. Poeti, piktori dhe historiani Lekë Pervizi do e mbështeste referencën  e tij rreth kushteve historike në të cilën u zhvillua kjo poezi dhe me plot të drejtë ai do e përkufizonte këtë poezi si:  “Poezi e pasthirrmës dhe rizgjimit të ndërgjegjies kombëtare”. Shkrimtari Albert Nikolla u referua në simbolikën dhe teknikën poetike të këtij autori dhe do e cilësonte poezinë e Podrimes si :”Simbolikë e poezisë moderne kosovare”. Inisiatori i Antologjisë poetike shqiptare në Gjuhën Frënge me rreth 80 autorë shqiptarë, botuar këto ditë në Belgjikë,ku natyrisht përfaqësohet dhe poeti madh Podrimja, z. Vasil Çepani përgëzoi të ftuarit dhe u shpreh se ‘ikja’ e Ali Podrimes ishte si nje shëtitje pa fund.Vlen të përmendet se imazhet dhe pamjet e këtij eventi u përcollën nga fotografi profesionist dhe i talentuar z.Asllan Krasniqi. Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej, ku nën trokitjen e gotave dhe bisedës së lirë do përjetoheshin çaste dhe momente nga më mbresëlënëset, momente që mund të ti falin vetm kreatura të tilla krijuese dhe korifenj të kulturës tonë kombëtare, sikurse është dhe do të mbetet për jetë poeti madh Ali Podrimja.

* Sekretari Përgjithëshëm Internacional “Pegasi” Albania

Filed Under: Kulture Tagged With: Agron Shele, Ali Podrimja, Ditet e kultures, ne diaspore, se Kosoves

SHQIPTARET E KANADASE, FESTE ME ELITEN E KULTURES SHQIPTARE

November 2, 2012 by dgreca

Albanian Canadian Events sjell elitën e kulturës shqiptare për 100 vjetorin/

Nga Nora Kalaja, New York/

Kanadaja nëpërmjet punës fisnike të Albanian Canadian Events ka filluar përgatitjet për Koncertin e madh të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me në krye, organizatorin dhe biznesmenin e suksesshëm z. Tonin Ndoja, komuniteti shqiptar dhe kanadez po angazhohen për realizimin e këtij manifestimi madhështor.  Të pranishëm do jenë tenori Kastriot Tusha, Myferete Laze , Vellezrit Endri & Stefi Prifti dhe Mera Zymeri. Gjithashtu e Ftuar speciale Mjeshtree madhe Tinka Kurti, zëri legjendar i Mera Zyberit, grupi përfaqësues i New Yorkut (aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji), grupi i shquar valltar, ‘Bijtë e Shqipes’, orkestra e famshme Alba, dhe të ftuar nderi. Koncerti zhvillohet me 24 nëntor 2012 (www.albcanevents.com).

Shqiptarët  e Kanadasë përgatiten për 100 vjetorin e Pavarësisë

Intervistë Eksklusive me Z. Tonin Ndoja, Albanian Canadian Events

 Më 24 nëntor, pra pak ditë para startimit të ditës që plotëson 100 vite të pavaruara për shqiptarët, edhe në Kanada do të festohet. Cilat janë disa nga përgatitjet e albaniancanadian për për këtë ditë?

 Tonin Ndoja: Po është e vërtetë. 24 nëntori i këtij viti që shënon plot 100 vite pavarësi do të jetë një ditë e madhe feste për shqiptarët e Kanadasë. Për vetë rëndësinë e madhe që ka kjo festë për shqiptarët, ne si staf i Albanian Canadian Events kemi punuar që herët që festa të përcillet me madhështinë që meriton. Që në praneverën e këtij viti, menjëherë pas përfundimit të koncertit në traditë të pranverës, kemi filluar të marrim masat përgatitore. Fillimisht kemi rezervuar sallën për aktivitetin, ndërkohë që vetë kam udhëtuar për në Tiranë ku edhe kam nënshkruar kontratat përkëtëse me artistët, si edhe jam marrë me dokumentacionin e tyre. Duke qenë se akoma vendi ynë Shqipëria  akoma nuk ka shkëmbime në nivel ambasadash, kam adresuar një menagjer i cili ka pasur tagrin për të udhëtuar drejt Romës për të siguruar vizat e udhëtimit.Në këtë kontekst nuk mund të lë pa vlerësuar ambasadën kanadeze në Romë, e cila ka qënë një mbështetëse dhe dashamirëse e të gjithë aktiviteteteve tona në Kanada.

Puna ka vijuar me informimin e publikut me të gjithë format tashmë të njohura si me postera, postcard-s, e-maile, fb-linked, twitter, Tel dhe TV.

 Z. Tonin, deri tani keni organizuar shumë koncerte, festivale, mbrëmje kulturore. Ç’far  nënkupton festa me datën 24 nëntor, sidomos për rëndësinë historike të 100 vjetorit të pavarësisë?

 Tonin Ndoja: Të  gjitha evenimentet kanë rëndësinë e vet, por aktiviteti i  100 vjetorit është  një motiv më shumë, pasi finalizohet një shekull luftë e përpjekje për mbijetesë të shqiptarëve. 100 vite liri dhe shtet, por fatkeqësisht jo për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre. Pak më shumë se një dekadë më parë edhe Kosova ju bashkëngjit listës së shteteve të pavaruara të globit, por ende pjesë të trungut të shqiptarëve janë të shkëputuara si një mallkim antishqiptar që ende vazhdon, ndonëse është në momentet e fundit. Janë Camëria, Lugina e Preshevës e Bujanoci etj. Shqiptarët në Mal të Zi dhe në Maqedoni ende nuk i kanë të drejtat që meritojnë dhe u takojnë. Megjithatë optimizmi ndër shqiptarë nuk mungon. Kjo shikohet qartë në organizimet dhe festat e përbashkëta.

 Ndonëse janë të shpallur në postera, cfar mund të thuash më shumë për artistët shqiptarë që do të entuziasmojnë sallën në ditën e shqiptarëve?

 Tonin Ndoja: Për vetë specifikën që paraqet evenimenti, ne jemi përpjekur të sjellim elitën e kulturës dhe muzikës shqiptare. Janë të mirnjohur ndër shqiptarë anë e mbanë botës si tenori i madh shqiptar Kastriot Tusha, ikona e muzikës së lehtë Myfarete Laze, këngëtarët tipkë të veqantë si Endri & Stefi Prifti. Por ky event do të sajdiset me elitën e teatrit dhe kulturës shqiptare, aktoren e madhe Tinka Kurti.

Nuk mund të mungonte një zë i fuqishëm nga Kosova e lirë Mera Zyberi me këngën më të fundit të saj “Ora e historisë”. Një realizim i shkëlqyer dhe i merituar për që i kushtohet festës së 100 vjetorit.

Ndërsa nga New-Yorku do të jenë pjesmarrës aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji të cilët do të interpretojnë momente historike që kanë shoqëruar ngritjen e e flamurit.

Edhe komuniteti shqipëtar këtu në Kanada do të ketë përfaqësuesit e vet gjatë interpretimeve. Konkretisht është ftuar këngëtarja Grace Paci e cila do të interpretojë himnin e flamurit shqiptar dhe atij kanadez, si dhe muzikanti Sami Pacolli me vjazën e tij do të përshëndesin publikun dhe artistët e ardhur nga Shqipëria.

 Për vetë rëndësinë e aktivitetit, a do të ketë pjesmarrje autoritetesh si shqiptare ashtu edhe kanadeze?

 Tonin Ndoja: Jemi ne kontakte  te vazhdueshmë  me ambasadoren e RSH në Ottawa, Z. Elida Petoshati, e cila na ka  përkrahur në shumë aktivitete, edhe kësaj rradhe kanë konfirmuar se do të jenë prezentë, ku edhe janë parashikuar përshendetje në emër të Ambasadës që përfaqëson republikën e Shqipërisë.  Po ashtu do të ketë pjesmarrës nga parlameti i  Ontarios dhe të Canadas, por pritet që edhe ministra te qeveris Kanadeze të ndjekin evenimentin e shenjëtë të shqiptarëve. Megjithatë gjatë ditëve në vazhdim websiti ynë do të jetë në shërbim të të interesuar me informacion të përditësuar.

 Atmosfera por dhe niveli i aktivitetit janë më ndryshe këtë vit. Cili është ndryshimi,  dhe çfarë mund të presi publiku nga përjetimet dhe eksperiencat në këtë koncert?

 Tonin Ndoja: Albanian Canadian Events tashmë eshte konfirmuar dhe vlerësuar nga komunitetiti shqiptar këtu por edhe më gjerë. Kësaj rradhe  stafi është edhe më me përvojë, pasi ka kaluar me sukses edhe aktivitete të tjera. Vecoj faktin se koreografja Denajda Dhrimaj ka filluar pregaditjet me grupin e valleve “Bijte e Shqipes” një grup i krijuar nga Albanian Canadian Events. Gjithashtu dhe dy prezantuesit e kesaj mbremje te madhe,  aktori shqiptaro-kanadez Indrit Kasapi dhe Edlira Cini,  po punojme ngushtë me njeri tjetrin per te realizuar programin sa me professional. Javen që vjen kemi takim me inxhinieret e salles se koncertit për finalizimin e dritave, skenografisë, dhe detaje te tjera, cdo gje falë teknologjisë do bëhet live dhe do trasmetohet nëpër monitorve ne cdo ambjent të pallatit të koncerteve. Ky koncert do mbetet për shumë kohë ne kujtesën e ç’do pjesmarrsi.

 Keni ftuar enkas dhe orkestrën e famshme Alba të New Yorkut. Çfar  ofron programi këtë natë?

 Tonin Ndoja: Orkestra Alba Edmond Xhani (drejtues),Maksim Vathi saxophone, Ilir Dangellia, Zini Borova jan nje garanci me shum per suksesin. Ketij grupi i shtohet dhe xhez bandisti Kanadez  Barete Santourdjian dhe Lola Kecaj  violin

 Mesazhi juaj për publikun për koncertin dhe mesazhi për shqiptarët për festën e 100 vjetorit.

 Tonin Ndoja: Unë do uroja që komuniteti shqiptar do gjejë një motiv më shumë të marrë pjesë ne Koncertin e 100 vjetorit të organizuar nga Albanian Canadian events, por dhe në të gjitha aktivitetet që do organizohen nga individdë apo shoqata te ndryshme këtu në Kanada, pasi motivi është i njëjtë:  të festojme të gjithë së bashku dhe të percojmë tek brezi i ri vlerat tona të muzikës dhe artit.  Shprehja ime e vjetër ka qenë atë si nuk arrin ta bëjë politika, le ta bëjë muzika dhe ne te bashkohemi dhe ne vllazërim me njeri tjetrin vetem te festojme dhe te gezojmë, për një të ardhe më të mirë.

 Ruajtja e traditave forcon identitetin kombëtar, sidomos në diasporën shqiptare jashtë vendlindjes. Cili është angazhimi i komunitetit shqiptar në Kanada në këtë drejtim ?

 Tonin Ndoja: Komuniteti shqiptar këtu në Kanada është shumë i ndjeshëm dhe në një mënyrë apo tjetër e shpreh se i mungon Atdheu , por ka arritur me punë dhe dinjitet te integrohet plotësisht ne jetën kanadeze. Unë do thoja se suksesi i nje elite shqiptaresh këtu në Kanada, të cilët kanë arritur të gjejne vende  pune si ne arsim finance, kërkime shkencore dhe bisnes ne identifikohemi si shqiptar per mire. Por eshte per tu vlersuar lart dhe puna ambicioze e studenteve shqiptarë ku shquhen për rezultate te larta në të gjitha universitetet kanadeze.

 Cila mendoni se do të jetë pjesëmarrja, sa prisni të vijnë në këtë manifestim kulturor, dhe ku do zhvillohet?

Tonin Ndoja: Pjesmarrja pritet te jet madheshtore, kjo tregon dhe fakti i interesimit te madh qe tani, parashikojme një  pjesmarrje masive dhe ne ju kemi ofruar nëpërmjet websitit tone www.albcanevents.comrezervimin e vendeve dhe online duke paguar me visa, mastercard, american expres. Gjithashtu me telefon 289-937-6523.

Falemiderit!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, feste me eliten, i Kanadase, Komuniteti

I KTHEHET HISTORISË NJË NGA ATDHETARËT QË RISHPALLËN PAVARËSINË KOMBËTARE, NË VITIN 1920

November 2, 2012 by dgreca

Vepra në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë./

Mbi veprën e Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, Tiranë 2012, vlerësuar prej Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh./

 Nga Begë Karefil  BEGAJ/

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, studjuesi i palodhur Enver Memisha-  Lepenica na siell një dhuratë të bukur ëndërrash për  lexuesin dhe veçanërisht për  të ndriçuar faqet e lavdishme të historisë, veprën e tij të njëmbëdhjetë “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”

Vite më parë, në vitin 2000, në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe luftëtarit Hysni Lepenica ai na dha një vepër me dokumenta që i kushtohet këtij patrioti.

Autori, si bir i Lepenicës, duhet vlerësuar nga të gjithë ne bashkëfshatarët e tij, që me kurajo, me punë, me mundim nxorri në dritë një figurë të mbuluar nga pluhuri harresës, e që i bëri nder jo vetëm Lepenicës e shquar për trima e atdhetarë por historisë së Labërisë dhe më gjerë, që është shquar në luftra për liri e pavarësi, veçanërisht në Luftën e Vlorës 1920, ku edhe u vendos fati i Shqipërisë.

Kështu që unë si mësues dhe bashkëfshatar i Enverit ndjehem krenar për këta personalitete të shquara të fshatit tonë, por edhe për Enver Lepenicën që ka zbuluar dhe evidentuar veprën atdhetare të këtyre dy burrave duke bashkangjitur emrin e tij me bijtë më të mirë e atdhetar që ka nxjerrë vendlindja jonë, Lepenica.

Me këtë rast e ndiej për detyrë të çmoj dhe të falnderoj Prof. Dr. Alqi Naqellarin dhe shkrimtarin e njohur Novruz Shehu që një vit më parë botuan librin “Enveri i Lepenicës” që i bëjnë jehonë njëmbëdhjetë veprave të botuara dhe të vlerësuara të e z. Enver Memishaj –Lepenica dhe evidentojnë rëndësinë dhe vlerat e këtyre veprave, si dhe aktivitetin e gjërë publiçistik e shoqëror të këtij personaliteti tashmë të njohur në botën kulturore shqiptare.

*    *    *

Libri “Major Ahmet Lepenica…”, ka marrë në studim aktivitetin atdhetar të këtij personazhi të rëndësishëm të historisë sonë: kapiten i parë dhe bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut, bashkëluftëtar dhe mik i Ismail Qemalit, mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912-1913, çlironjës i krahinave të jugut të Shqipërisë nga invadimi grek më 1914, Komandnat i Pargjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920, ose lavdia e tij se ishte ajo luftë që rishpalli Pavarësinë e harruar dhe të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, Lufta për çlirimin e Matit dhe Dibrës nga pushtuesi serb, në dimrin e vitit 1920, Komandnat i Krahut të Vjosës, në vitin 1921, Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës në vitin 1922, udhëhqës i Revolucionit të Qershorit 1924, kontribues i shquar në hallet dhe problemet e krahinës së Mesaplikut deri sa dha shpirtin e tij të bardhë në vitin 1941.

Jeta e heroit të këtij libri Ahmet Islam Canaj që në histori hyri me emrin Ahmet Lepenica, fillon si ushtar i Perandorisë Osmane dhe që për merita trimërie e zotësi ushtarake u gradua oficer, por zemra e tij rrahu vazhdimisht për atdheun e tij.

Sado me gradë e pozitë  në Perandorinë osmane, kur erdhi momenti në vitet 1911 – 1912 , nuk pyeti më për grada e ofiqe  por iu përgjegj  thirrjes së atdheut, me dëshirë, me zemër e me besim se edhe Shqipëria do të bëhej.

Libri është ndarë në katër pjesë: Pjesa e parë: Jeta dhe vepra e major Ahmet Lepenicës, pjesa e dytë: Në krahët e këngës popullore, pjesa e tretë: Bashkëluftëtarë dhe personalitete të shquara në jetën e Ahmet Lepenicës, pjesa e katër: Dokumenta. Të katër pjesët janë  harmonizuar e lidhur organikisht si vazhdim të njera tjetrës.

 

Në hartimin e kësaj vepre kanë ndihmuar me konsulencat e tyre: Dr. Bujar Leskaj, Dr. Iliaz Gogaj dhe Prof. Nestor Nepravishta. Vlerësimi i librit është bërë nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

Libri është paisur me kronologjinë e jetës së Ahmet Lepenicës, burimet dhe bibliografia nga   Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar, Instituti Historisë dhe Biblioteka Kombëtare, faksimile të dokumentave historike dhe fotografi,  literature e gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklor, shtypi i kohës  dhe në fund indeksi i emrave të njerzëve, gjë që do të thotë se jemi para një punimi të mirëfilltë shkencor, që duhet të tërheqë vëmëndjen e një mase të madhe të lexuesve dhe të elitës kulturore shqiptare.

*   *   *

Me këtë libër, Z. Enver Memishaj, ka e përballuar me sukses një punë voluminoze studimore, që kërkon gjithë jetën e njeriut dhe ja ka arritur qëllimit që me  kompetencë shkencore, me fakte, dokumenta të shumta, me analizë, argumenta bindëse e të pa kundështueshme  mbështetur edhe në shtypin e kohës edhe në folklor t`i ngrejë major Ahmet Lepenicës monumentin e munguar dhe t`i kthejë historisë sonë një personalitet të shquar.

E gjith kjo punë voluminoze dhe cilësore tregon bagazhin kulturor që zotron autori, pasionin për të  kërkuar të vërtetën, dashurinë për atdheun dhe vendlindjen.

Ai me kompetencën e një studjuesi na ka treguar se si shkruhet historia, si shkruhet për figura historike  që kanë sakrifikuar gjithëçka për këtë atdhe për këtë truall  që me të vërtetë është larë në çdo pëllëmbë me gjak shqiptari  më shumë për fajet tona se sa të të huajve.

Nëpërmjet figurës së major Ahmet Lepenicës, autori  jo vetëm që ka zbuluar të vërtetën historike të  pa njohur  por ai me durim, me punë të pa lodhur  gjithëçka e ka mbështetur  në dokumenta  që vetëm një njeri me nivel të lartë  intelektual mund ta bëjë, duke grumbulluar  materiale bindëse  të pa kundështueshme  për të vërtetuar atë që ai shkruan, sepse ajo është  e vërteta.

Kujtimet e bashkëkohësve lozin këtu një rol të rëndësishëm, pasi dihet se Lufta e Vlorës ishte një lëvizje dhe luftë ilegale, ku vlonjatët  u mblodhën, kuvenduan dhe morën vendime në majat e maleve andej nga kishte ardhur gjithmobnë liria e tyre, si në malin e Dukatit, në malin e Smokthinës etj. Kujtimet duhet të pranohen si të vërteta historike, pasi ato janë grumbulluar, redaktuar dhe botuar nga Adademia e Shkencave e Shqipërisë.

Mbi bazën e këtyre dokumentave autori për herë të parë na pëshkruan, se kush e ideoi dhe e organizoi si dhe organet udhëheqëse të Luftës së Vlorës. Ai ka treguar se si dhe pse u zgjodh Ahmet Lepenica, Shef Shtabi dhe Komandant  për të udhëhequr luftën, nga ana ushtarake. Autori ka evidentuar zotësinë ushtarake të tij, besimn që kishte tek ai Vlora, Labëria dhe e gjithë Shqipëria.

Në kapitullin “Rëndësia e Luftës së Vlorës” autori citon elitën e kulturës, studjuesve dhe historianëve tanë të cilët kanë arritur në të njejtin përfundim, në mirëkuptim të plotë se Lufta e Vlorës hodhi në erë planet antishqiptare të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Pariz, në vitin 1919 dhe 1920 dhe vendosi fatin e Shqipërisë dhe për pasojë Shqipëria në dhjetor të vitit 1920, për herë të parë në historinë e sajë u njoh edhe nga bota si shtet i pavarur.

Vlerat e studjuesit Enver Memishaj – Lepenica duken edhe në kapitullin “Lufta e Vlorës nuk mund të shvleftësohet”, në të cilin autori polemizon dhe hedh poshtë shumë përfundime dhe shtërmbrime të pa drejta dhe të pa bazuara të disa stdujuesve që kanë shkruar apo e kanë përmëndur Luftën e Vlorës.

Major Ahmet Lepenica, si një veteran pa njollë i çështjes sonë kombëtare, është renditur në radhën e atyre figurave që me përkushtim  iu gjendën atdheut  në ditët më të errta, me re të zeza, të vështira, pa menduar asnjëherë se çdo të fitonin për vete. E me të vërtetë, autori thekson se ai, major Ahmet Lepenica, nuk mori e nuk pranoi asgjë, në fund të Luftës së Vlorës, për kontributin e shquar që ai dha në shërbim të atdheut, siç vepruan udhëheqësit e tjerë të asaj lufte.

Ahmet Lepenica bëri pjesë në elitën e atdhetarëve të asaj kohe që nga 1911 dhe deri sa mbylli sytë më 1941, që para çdo gjëje, pasurisë e rehatisë, qetësisë e lumturisë  personale  vuri dashurinë  për atdheun  e robëruar  prandaj ai qe nga  të parët që ju përgjegj  thirrjes së atdheut për ta shpëtuar.

Kontributi tij është dhënë në periudhat kur fati atdheut vihej në pikpyetje 1911 – 1924, kudo ku kërkohej dorë e fortë atje gjendej Ahmeti Lepenica. Ai iu përkushtua atdheut me mish e me shpirt me luftë e vetëm me luftë në çastet e momentet më të vështira duke tërhequr pas vetes tërë ata  donin dhe që besonin tek liria.

Në këta njëzet vjet të lirisë, është shkruar për shumë personalitete, e sejcili ka meritat e veta  e vendin e vet në histori, që duhen vlerësuar,  por kur flet për udhëheqës legjendarë si major Ahmet Lepenica  që komandoi dhe udhëhoqi në fitore Luftën vigane të Vlorës e vendosi fatin e Shqipërisë,  duhet menduar për një vend të veçantë, sidomos në këtë 100 vjetor se ende nuk e kemi monumentin e tij se ende nga autoritetet shtetërore nuk është vlerësuar si duhet. Ndofta ky libër i z. Enver Memishaj i zgjuan nga gjumi baballarët e Kombit, natyrisht në se ata lexojnë libra!

Humbja e Revolucionit të Qershorit ishte humbja e parë dhe e fundit në jetën e tij, pas kësaj humbje  tërhoq nga jeta ushtarake dhe nëpunësia shtetërore pa bujë. Jetoi në fshatin e tij praën fshatarëve hallemdhinj, duke mbetur një shembull frymëzimi për Labërinë dhe Shqipërinë se si dhe ç`duhet të bëjë shqiptari për Shqipërinë.

Ai, fillimisht ishte shok ideali me Ahmet Zogun, bashkëluftëtar trim me të në Veri dhe më pas kundështar i tij, por si fisnik pas kthimit nga egzili politik në fund të vitit 1926, nuk pranoi grada të pa meritura që ja propozoi Ahmet Zogu duke i thënë atij: “Se gradat e tua, nuk më kanë lezet, ato unë i lash në Shkallë të Tujanit”.

Autori ka përshkruar me një gjuhë të bukur e tëheqëse, herë herë duke i qëndruar besnik dialektalizmave, ngjarjet ngjarjet historike në të cilat major Ahmet Lepenica ka dhenë kontributin e tij, mbështur mbi dokumenta, kombinuar me shtypin, folklorin dhe kujtimet e bashkëkohësve, çka e bën tregimin tërheqës, bindës, dhe të pranueshëm.

*    *    *

Kjo vepër, së bashku edhe me veprën tjetër të Enver Lepenicës “Emblema e një epopeje”, na japin për herë të parë një përshkrim të plotë dhe të dokuemntuar të Luftës heroike që bënë shqiptarët në vitin 1920 dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, si dhe u arrit në saje të kësaj luftë që Shqipëria të njihej nga Lidhja e Kombeve në dhjetor 1920.

Për herë të parë ndriçohen e saktësohen me emra dhe biografi, organet udhëheqëse të Luftës së Vlorës, Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare”, Shtabi i Luftës, komandantët e çetave, heronjtë, dëshmorët dhe të plagosurit e asaj lufte vigane.

Për herë të parë evidentohet fakti historik se ajo luftë u ideua, u organizua dhe u udhëhoq jo nga fshatarë siç kanë shkruar historianët komunistë, por nga elita e kohë, personalitete të shquara civile dhe ushtarake që ishin diplomuar në shkollat më të mira të Perandorisë osmane si  dhe në vendet e Europes. Shtabi i Luftës përbëhej prej oficerëve të shquar të Perandorisë osmane.

Autori librit evidenton faktin se atdhetarët që udhëhoqën atë luftë vigane përveç trimërisë dhe zgjuarsisë, vunë edhe pasurinë e tyre për luftën, kështu Osman Haxhiu hyri në luftë si një nga pasanikët më të mdhenj të Vlorës dhe doli andej fukara edhe shtëpinë ja dogjën italianët, kështu edhe Alem Tragjasi, Duro Shaska, Hysni Shehu, Azbi Cano, Ahmet Lepenica Hamit Selmani etj.

Për herë të parë  ndriçohen disa ngjarje historike të lëna qëllimisht në harresë si pjesmarrja e batalionit vlonjat në luftë me pushtuesit serbë në Mat dhe në Dibër në dimrin e vitit 1920, dëshmorët e rënë atje etj.

 

Pavarësisht nga disa vlerësime, figura e Ahmet Lepenicës ishte lënë qëllimisht në harresë për arsye që dihen. Për herë të parë autori zbulon dhe evidenton madhështinë e figurës dhe veprës së Ahmet Lepenicës dhe i kthën historisë një personalitet të shquar .

Kjo punë e shquar, e Enver Lepenicës tregon se ç`mund të arrij një intelektual i përkushtuar e kërkues, kurajoz e studjues  duke nxjerrë vlera për të ardhmen që të tregoi se sa e vështirë por jo e pa mundur  është për të shkruar vepra që vlerësohen e dritësojnë historinë tonë.

Si përfundim, jemi para një vepëre historike që plotëson të gjitha kriteret shkencorë, përgatitur në konsulencë dhe me vlerësim të autoriteteve të njohura të kulturës shqiptare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj vepre.

*    *    *

E uroj dhe e falnderoj z. Enver Memishaj- Lepenica, për këtë vepër të realizuar dhe është për të marrë shembull prej tij që ka dritësuar dhe kthyer historisë, figurëm famë madhe të major Ahmet Lepenicës.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Lepenica, Bege Begaj, Enver Memishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 544
  • 545
  • 546
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT