• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026

January 18, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Instrumentet frymërore e aerofonike shoqëruar me daulle e tupanë të ritmeve ballkanase kumbuan fort në fundjavën e 16-17 janarit në Golden Festival NYC (Festivali i Artë) 2026 në Astoria. Për mbi 10 orë, gjatë dy netëve, katër sallat e Astoria World Manor buçitën nga muzika dhe vallet e rreth 50 orkestrave, ansambleve dhe bandave muzikore nga mbarë Ballkani e përtej deri në malet e Kaukazit dhe stepat euroaziatike.

Golden Festival, që këtë vit feston 40 vjetorin, është arena më e madhe gjithëpërfshirëse e muzikës zanore, instrumentale dhe valleve nga Ballkani. Pas pandemisë, Festivali ka ardhur në Astoria, lagje e njohur si “mini-Ballkan” për shkak të pranisë numerike të komuniteteve greke, shqiptare, serbe dhe boshnjake.

Natën e 17 janarit kompozitori dhe fizarmonicisti fenomenal Raif Hyseni dhe Merita Halili, “bilbili i Shqipërisë së Mesme” me orkestrën dhe këngëtarët e ansamblit të MSU prezantuan muzikën shqiptare në Festival. Salloni i ballove (Ballroom) për gjysmë ore u ngrit peshë prej tingujve të fizarmonikës së Raifit.

Grupi i tyre ka fituar adhurues qysh në shfaqjen e parë në vitin 1997. Pas një ndërprerje, për shkak të luftës së Kosovës dhe, një shkëputje të dytë, për arsye të angazhimeve profesionale, ata kanë qenë pjesëmarrës të rregullt të festivalit, ku herë pas here janë paraqitur me muzikantë shqiptarë. “Ky është viti i 12-të nga koha e hapjes së Katedrës së Parë për Muzikë Shqiptare në Amerikë,” thotë Raif Hyseni me krenari. “Ne kemi prezentu muzikën shqiptare me studentët e Montclair State University (MSU), në Montclair, NJ , në Festivalin Shqiptar, dhe në Golden Festival. Për ne është krenari dhe kënaqësi që prezantojmë muzikën shqiptare në nivel shumë profesional,” pohon themeluesi i MSU Albanian-Balkan Ensemble.

Hareja e Festivalit të Artë Golden Festival NYC 2026 arriti kulmin me programin e Raif Hyseni, Merita Halili dhe ansamblit MSU, nga më të kërkuarit e grupeve muzikore shqiptare në Amerikë. Muzikanti Raif Hyseni solli aranxhime krijuese dhe autentike nga Balkani dhe Shqipëria, ndërsa zëri i kulluar i Merita Halilit, pasur nga tre duete me Eva Primack u shoqëruan edhe nga publiku.

Netët e muzikës tradicionale ballkanike të Golden Festival i përngjajnë një dasme masive të popujve dhe kulturave të gadishullit të Evropës Juglindore. Gazeta New York Times (Nju Jork Tajms) dhe publikime të tjera kanë vlerësuar ndikimin kulturor të Festivalit, që sjell “nën një kulm” grupe të ardhura nga afër e larg, nga Texas si Texas University Balkan Ensemble (grup bullgar) në Filadelfia si West Philadelphia Orchestra. Gjatë pushimeve në program, pjesëmarrësit, disa me kostume popullore, disa me jelek temini, disa me foshnje në duar, të tjerë që e kanë Festivalin vendtakimn e tyre vjetor, shijonin edhe gatimet tradicionale tek charshiya (marketi) si edhe specialitete vendase krahas punimeve artizanale me dizenjo dhe stile të spikatura.

Festivali lindi në vitin 1986 si një nismë e dëshirë e instrumentistëve të apasinouar pas muzikës ballkanike për tu mbledhur dhe luajtur bashkë në Nju Jork. Nisma e dalë nga një kamp muzikor u rrit duke përfshirë çdo vit grupe dhe ansamble të muzikës ballkanase. Lane Harris, trumpetist amerikan, është pjesë e Festivalit për 39 vjet rresht Vëllai i tij, Drew Harris është nga themeluesit e kësaj maratone festive të të gjitha moshave. Muzikantët, këngëtarët, valltarët dhe personeli japin kohën dhe kontributin e tyre krejt vullnetarisht.

Festivali i Artë mund të quhet me të vërtetë Woodstock-u i muzikës së Ballkanit.

Filed Under: Kulture

Muzika si art i komunikimit njerëzor

January 17, 2026 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Kur flasim për muzikën, zakonisht themi se ajo na pëlqen, na qetëson, na emocionon. Këto janë përgjigje të vërteta, por jo të mjaftueshme. Si pedagog, unë do të doja t’ju ftoja të ndalemi një hap më thellë dhe të pyesim: çfarë është në të vërtetë muzika që na jep kaq shumë kënaqësi, dhe çfarë kërkon ajo nga ne si dëgjues?

Së pari, duhet ta kuptojmë një gjë themelore: dëgjimi muzikor nuk është një akt pasiv. Kur ne dëgjojmë muzikë, truri ynë nuk është në pushim. Përkundrazi, ai është jashtëzakonisht aktiv. Ai parashikon se çfarë do të vijë më pas, krahason atë që dëgjon me atë që ka dëgjuar më parë, dhe reagon kur pritshmëritë tona përmbushen ose thyhen. Pikërisht këtu lind kënaqësia muzikore: në këtë lojë të vazhdueshme mes pritjes dhe realizimit.

Tani, le të mendojmë për mënyrën se si dëgjojmë sot. Shumica prej nesh dëgjojmë muzikë ndërsa bëjmë diçka tjetër. Drejtojmë makinën, punojmë, shfletojmë telefonin. Muzika bëhet sfond. Dhe unë nuk po them se kjo është gabim. Por duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë: muzika, si art, nuk është krijuar për të qenë sfond. Ajo është art i kohës. Ajo kërkon vëmendjen tonë, sepse ekziston vetëm sa kohë ne jemi të gatshëm ta ndjekim.

Këtu hyn koncepti i dëgjimit të edukuar. Të dëgjosh në mënyrë të edukuar do të thotë të mësosh të ndjekësh rrjedhën e muzikës, të dallosh momentet që kthehen, të vëresh kontrastet, të kuptosh se si një ide muzikore zhvillohet dhe transformohet. Nuk ka nevojë të jeni muzikant për këtë. Duhet vetëm të jeni të pranishëm mendërisht. Dëgjimi i vëmendshëm është, në thelb, një formë disipline intelektuale.

Një nga mjetet më të fuqishme që kemi për ta zhvilluar këtë aftësi është dëgjimi i përsëritur. Mendoni për një vepër që e doni. Herën e parë ju prek emocionalisht. Herën e dytë filloni të vini re detaje. Herën e tretë, filloni ta kuptoni strukturën e saj. Çdo dëgjim i ri nuk është përsëritje; është thellim. Muzika nuk shteron, sepse vetë dëgjuesi ndryshon.

Le të ndalemi pak edhe te interpretimi. Shpesh mendojmë se ekziston një version “i saktë” i një vepre muzikore. Në realitet, çdo interpretim është një lexim i ri. Ndryshimet e vogla në tempo, në dinamikë, në theksim, nuk janë gabime, por mënyra përmes të cilave muzika merr frymë. Prandaj, koncerti i gjallë ka një fuqi të veçantë. Ai na kujton se muzika është një akt komunikimi njerëzor, jo një objekt i ngrirë në letër.

Dhe tani, le të kthehemi tek pyetja fillestare: pse ka rëndësi e gjithë kjo? Sepse mënyra se si dëgjojmë muzikë reflekton mënyrën se si dëgjojmë botën. Të mësosh të dëgjosh me përqendrim është të mësosh të jetosh me më shumë vetëdije. Në një epokë të shpërqendrimit të vazhdueshëm, dëgjimi i vëmendshëm është një akt kulture, madje do të thosha, një akt formimi shpirtëror.

Në fund të fundit, muzika nuk na kërkon asgjë më shumë sesa praninë tonë. Por ajo na shpërblen me diçka shumë më të madhe: me thellim të ndjeshmërisë, me qartësi mendimi dhe me një ndjenjë më të fortë të asaj që do të thotë të jesh njeri.

Filed Under: Kulture

SHQIPTARËT NË SANREMO!

January 15, 2026 by s p

Balerina Olta Shehu dhe Akademia e saj “Olta Akademi” përzgjidhen mes 50 shkollave elitare partnere të Casa Sanremo Performer, më 16 shkurt do të përjetojnë nga afër magjinë e Festivalit të Sanremos

Është një moment historik për baletin shqiptar në Itali, ku mes qindra shkollave prestigjioze të vallëzimit, Akademia e Baletit “Olta Akademi”, e drejtuar nga balerina dhe pedagoge shqiptare Olta Shehu, është përzgjedhur zyrtarisht si Shkollë Partnere e Casa Sanremo Performer, në kuadër të Festivalit të Sanremos 2026.

Ngjarja do të zhvillohet në Palafiori të Sanremos, selia zyrtare e Festivalit, me transmetim live në Casa Sanremo TV (kanali 234) dhe në platformat sociale të lidhura, duke i dhënë një jehonë të jashtëzakonshme artit të baletit dhe talenteve të rinj.

Ky përzgjedhje nuk është rastësi. Drejtoria Artistike e Casa Sanremo Performer, nën drejtimin e M° Ermanno Croce, ka vlerësuar vizionin artistik, cilësinë pedagogjike dhe vëmendjen ndaj detajeve skenike që karakterizojnë punën e Olta Shehut dhe akademisë së saj. Për këtë arsye, akademisë i është dhënë liri e plotë artistike në zgjedhjen e stileve dhe grupmoshave që do të përfaqësojnë qytetin e Maceratës në këtë skenë kombëtare.

Historia e Oltës Shehu është historia e një shqiptareje që, falë punës së palodhur, vullnetit të hekurt, përkushtimit dhe pasionit për baletin, ka ndërtuar hap pas hapi një realitet të respektuar në Itali, duke u kthyer sot në një pikë reference për balerinët shqiptarë dhe jo vetëm. Nga salla e provave te skena televizive e Sanremos, rruga e saj është dëshmi se arti i vërtetë shpërblehet.

Më 16 Shkurt, nxënësit e “Olta Akademi” do të përjetojnë nga afër magjinë e Festivalit të Sanremos, duke performuar drejtpërdrejt para kamerave, në një nga platformat më të rëndësishme artistike italiane.

Filed Under: Kulture

Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj

January 13, 2026 by s p

Thanas L. Gjika/

Medaljen e Trimërisë ose thjesht titullin popullor “TRIM” e meritojnë ata njerëz që shquhen në luftën kundër së keqes, ose kur me punën e tyre i japin popullit vlera të larta morale, artistike, shkencore, etj.

Titulli i këtij shkrimi mund të befasojë shumë lexues, të cilët jetojnë brenda atdheut, ku ata shohin se midis shqiptarëve që vlerësohen me çmime e dekorata nuk ka trima të vërtetë, por njrëz të lidhur me pushtetin, ose me kryesitë e partitve politike. Midis njerëzve që vlerësohen atje nuk ka trima që t’i thonë ndal së keqes duke rrezikuar jetën e tyre. Mirëpo të tillë Njerëz populli ynë ka nxjerrë e vijon të nxjerrë, por ata gjenden jo midis atyre që i përkëdhelin pushteti e partitë politike, por midis njerëzve të thjeshtë, të cilët jetojnë e punojnë në atdhe ose në diasporë duke ecur përpara me sukses në ngritjen e bizneseve; ose në krijimin e vlerave të spikatura artistike e shkencore që zbulojnë e forcojnë identitetin tonë kombëtar.

Institucionet shtetërore organizojnë herë mbas here konkurse, festivale, panaire, etj, në fund të të cilave japin çmime e vlerësime të ndryshme, por pjesa dërmuese e këtyve çmimeve e vlerësimeve u jepen njerëzve të lidhur me pushtetin ose me kryestë e partive politike. Kurse njerëzit që nuk bëjnë pjesë në këto rrethe shoqërore politike, edhe pse sjellin vlera shumë më të mëdha se ata që vlerësohen me çmime e medalje, lihen mënjanë e nuk përmenden.

Një ndër Njerëzit e thjeshtë, të cilin Amerika, atdheu i tij i dytë, e ka vlerësuar me Medaljen e Trimërisë, për të cilën do shkruaj më poshtë, është Qemal Daver Agaj. Ky shqiptaro-amerikan gjatë gjithë jetës është shquar për guximin e tij për kalimin me sukses të vështirësive. Kur ishte fëmijë u ndesh me urinë e bukës, kur u rrit u ndesh me vështirësitë që u krijonte regjimi komunist bijve të familjeve që ishin shpallur “familje me biografi të keqe”; kur ariti moshën e tretë, kur shqiptarët zakonisht e kalojnë kohën duke luajtur domino, ose letra a duke pirë kafe në klube e kafene, ai iu fut punës për njohjen dhe vlerësimin e jetës e të veprës së Gjon Milit, fotografit shqiptaro-amerikan me vlera botërore. Pas një pune plot pasion e dashuri dhe shpenzime të shumta, ariti ta përkthente e përgatiste për botim librin “GJON MILLI”. 2024, 354 faqe të formatit të madh.

Ky libër është përkthim i veprës “Photographs and recollections” hartuar prej vetë Gjon Milit, por është plotësuar dhe me shënime, skica, foto të përkthyesit. Kjo biografi e hartuar së pari anglisht prej vetë personalitetit botëror të fotografisë dhe e sjellë me mençuri në shqip, është një vepër e munguar me vlera mbarëkombëtare e botërore.

Vepër me dimensione të mëdha për nga formati dhe me vlera të mëdha për nga përmbajtja e shumanshme letrare, artistike e kulturore.

Përmes saj njihemi me jetën dhe veprën artistike të fotografit të shquar shqiptaro-amerikan Gjon Milli (nëntor 1904 – shkurt 1984). Babai i tij, Vasil Mili ishte një korçar që kishte emigruar prej vitesh në Bukuresht, ku kishte hapur dyqanin e vet. Pasi u martua nusen e la në Korçë, kurse ai vinte disa javë në vit. Pasi nusja lindi dhe fëmijën e tretë, familja u bashkua në Bukuresht. Por shumë shpejt babai ndërroi jetë dhe Gjoni, më i madhi i tri fëmijëve, 13-vjeçar, u bë kryefamiljar. Mirëpo pjesëmarrja e Rumanisë në Luftën e Parë Botërore e keqësoi shumë gjendjen ekonomike të mbarë vendit. Djaloshi pasi mbushi 17 vjeç u detyrua të merrte mërgimin e ri për Amerikë. Këtu u bashkua me Federatën Vatra dhe u miqësua me kryetarin e saj intelektualin e shquar Faik Konica. Ky i sugjeroi që emrin e pagëzimit, Jani, të mos e amerikanizonte në formën John, por ta shkruante në formën shqiptare të krishtërimit të hershëm, GJON. Po ashtu Konica e nxiti që të synonte artet. Dhe djaloshi e dëgjoi. Nuk shkuan shumë vjet dhe Gjon Mili, pasi kreu shkollën për ingjineri, përmes punës këmbëngulëse dhe talentit të tij eci drejt sukseseve si fotograf. Ndonëse me aparate të asaj kohe, pra të një teknologjie jo moderne, ai u bë i famshëm sepse e ktheu fotografinë në art.

Në libër janë riprodhuar fotografi të shumta të Milit, disa në formatin e madh 28X28. Në shumë foto, të botuara në ballinën e revistë “LIFE”, ose të vendosura në muzeume, gjenden të fiksuara, për herë të parë me shkrepje 1/100.000 e sekondës, lëvizjet e balerinave famoze (Jolanda Casazza,Martha Graham, Alicia Alonson), portrete të yjeve të muzikës xhaz e Rok “n’ Roll (Tina Turner), të këngëtarit të papërsëritshëm Frank Sinatra, të valltarëve virtuozë, të mbtretëreshave të kinematokrafisë (Edith Piaf, Jane Fonda, Sofia Lorensi, Elisabeth Taylot, Marlon Brandon, Marilyn Monroe), të dramaturgëve (irlandezi Sean O’Casey, gjermani Bertolt Breht) të muzikantëve modernë (Artur Rubinstein, Igor Stavinski, Pablo Casals), të yjeve të Fashion Models/ modeleve të veshjeve; të këngëtareve e këngëtarëve të famshëm të operas, etj.

Me të tilla fotografi, të cilat Mili i ka shoqëruar me ese, sqarime e komente ai ka dhënë një pasqyrë reale të ecjes së suksesëshme të artit, sidomos të artit amerikan. Ai i ka kushtuar rëndësi edhe holokaustit, shfarrosjes së 6 milion judenjve, kampeve të shfarrosjes, filmit që iu kushtua krijimit të shtetit të Izraelit, gjyqit që iu bë nazistit Adolf Eichmann më 11 pril 1961, etj, i cili pasi u dënua për krime kundër njerëzimit, i tha kryeprokurorit: “Kam qenë një besnik i bindur dhe i lumtur që i kam shërbyer atdheut tim”. Këto fjalë monstruoze të këtij nazisti ngjajnë me fjalët e shumë shqiptarëve ish kuadro të larta të diktaturës, të cilët, në vend që të kërkonin të falur për krimet që kanë bërë, kanë thënë e thonë: “Ashtu ishte koha, ne bënim detyrën”…

Më tej ky artist i jep vend edhe historisë së artit e kulturës italiane gjatë Rilindjes me portrete të Michelangelos, Leonardo Da Vinci e disa veprave tv tyre. Më tej kalon te pasuria artistike që trashëgojmë nga Greqia e Lashtë (Acropolis, portrete të skulpturave të Aristotel-it, Platon-it, Socrat-it, Aphrodite-s, si dhe objekte e portrete nga trashëgimia e Perandorisë Romake (portrete perandorësh (Julius Ceasar), Colosseum-i, Panteoni, etj. Si shqiptar Mili vendos këtu edhe portretin e Piros së Eprit shoqëruar me shënimin që ka botuar revista “LIFE” më 4 Mars 1964 për krijimin e Romës dhe formimin e Republikës së Romës, ku përmend dhe luftrat e Piros së Epirit kundër ushtrisë romake. Pjesa e fundit i kushtohet piktorit të shquar Pablo Picasso me ilustrime mahnitës me flash lite.

Vlera të veçanta paraqisin dhe artikuj që ka botuar shtypi amerikan e ai botëror për artistin bashkë me artikujt, esetë, shënimet sqaruese, që ka shkruar vetë Mili. Këtu duhen përmendur edhe vlerësimet që i janë dhënë këtij artisti prej institucioneve shtetërore amerikane, prej shtypit amerikan e botëror dhe prej personaliteteve të shquara të artit, shkencës e politikës amerikane dhe europiane, si piktori, Pablo Picasso, muzikanti, Pablo Casals, dramaturgu Sean O’ Cassey, etj.

Qemali nuk le pa vendosur në fillim të librit portretin e Gjon Milit që e ka krijuar vetë,

kurse në fund shton dy faqe me pamje nga godina “Muzeu Gjon Mili” në Korçë dhe pamje nga vizita të ndryshme që i janë bërëvkëtij muzeu gjatë inagurimit e më pas.

Këtë punë madhore që bëri piktori amator Qemal Agaj, ky emigrant shqiptar me shkollë të mesme, për ta popullarizuar në shqip jetën dhe veprën e artistit të shquar Gjon Mili, duhej ta kishte bërë një i shkolluar në universitetet e Shqipërisë ose të huaja i mbështetur me fonde të nxjera nga institucionet shtetërore. Por në Shqipëri Gjon Mili, njihej pak dhe interesimi për të ka qenë minimal. Vonë u dhanë disa emisione televizive e një film dokumentar. Në Korçë, ku u lind, i kanë bërë një muze lokal ku janë riprodhuar foto e materiale nga libri i tij. Asnjë institucion a rrugë nuk mban emrin e tij. Asnjë titull a medalje nuk i është dhënë deri sot.

Ky libër u realizua në saje të guximit, punës vetmohuese dhe bujarisë së emigrantit të ri Qemal Agaj. Libri “GJON MILI” shquhet për riprodhimin me cilësi të lartë të shumë fotove të Milit prej Marsel Rexhinit (art drsign), për përkthimin e saktë të tekstit të realizuar nga Q. Agaj të korrektuar nga Indrit Agaj), si dhe për vënien në dukje dhe të vlerave kombëtare të trashëgimisë së këtij personaliteti botëror.

Kësaj pune Qemal Agaj i kushtoi mbi 10 vjet duke punuar me pasion e dashuri dhe duke shpenzuar përveç të tjerave, por vetëm për realizimin tipografik, mbi 20.000 dollarë nga xhepi i vet.

Mirëpo institucionet shtetërore të artit e të shkencës në Shqipëri e kaluan në heshtje këtë libër sakrifice pa bërë ndonjë promovim, si zakonisht i kalojnë arritjet e bijve të diasporës, dhe të njerëzve që nuk janë të lidhur me kupolat e qarqeve politike të atjeshme.

Botimi luksoz i veprës “GJON MILI” u realizua me kosto të lartë, prandaj Qemal Agaj edhe një herë po e shfaq bujarinë e vet duke mos e shitur nëpër librari, por duke ua dhuruar shumë bibliotekave të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, si dhe duke ua dërguar me autograf disa dhjetëra miqve që ai mendon se janë të interesuar për të mësuar mbi vlerat e artit e të kulturës botërore e shqiptare. U ndjeva i nderuar kur më erdhi libri si dhuratë për Vitin e Ri 2026, pa pasur njohje personale me autorin. Kur e pyeta në telefon (numrin e tij ma kishte shënuar në fund të dedikimit) se pse ma dërgoi këtë dhuratë të shtrenjtë pa më njohur, ai m’u përgjigj: “Ju kam njohur përmes shkrimeve që keni botuar te gazeta “Dielli”. E falenderova dhe e ndjeva si detyrë që ta shkruaja këtë portret-biografi për të…

* * *

Nëna mbeti e ve dhe djemtë jetima me babanë gjallë.

Babai i Qemalit, Daver Agaj u martua në vitin 1942 kur Lufta Antifashiste po merrte përmasa të gjera, sidomos në qarkun e Vlorës. Familja Agaj ishte familje e pasur dhe me emër për atdhetari. Të tre djemtë e saj edhe pse të martuar,: Agoja, pjesëmarrës i Luftës së Vlorës e baba i 5 vajzave, Reizi ish oficer i Ushtrisë Mbretërore baba i tre djemve e tri vajzave dhe Daveri ndër i ri baba i Qemalit; u bashkuan me forcat antifashiste të krahut nacionalist, konkretisht me forcat e “Ballit Kombëtar”. Në gusht të vitit 1943 nusja e Daverit, Shazja, lindi djalin e parë, Qemalin. Lindja e parë djalë ishte ogur i mirë sepse siguronte vijimësinë e familjes. Mirëpo rrethanat e luftës nuk e lanë babain e ri 21-22 vjeçar që ta përkëdhelte si donte fëmijën e parë.

Në tetor të vitit 1943, kur Mit’hat Frashëri, kryetar i “Ballit Kombëtar”, shpalli shpërbërjen e kësaj organizate patriotike, të tre vëllezërit, duke e ditur se komunistët do t’i dënonin, u larguan nga atdheu bashkë me grupin kryesor të ballistëve.

Gjatë viteve të Mbretërisë së Zogut dhe gjatë viteve të pushtimit italo-gjerman, kur dikush merrej me veprimtari politike kundër pushtetit, po të kapej dënohej me gjyq, por familja e tij nuk dënohej. Po kështu edhe kur një kundërshtar politik nuk kapej dot nga qeveria se ai arratisej, qeveria nuk ia dënonte anëtarët e familjes. Ky ishte mentaliteti ekzistues i kohës, prandaj vëllezërit Agaj edhe pse të martuar e me fëmijë u larguan nga atdheu, duke menduar se edhe komunistët pasi të merrnin pushtetin nuk do t’i dënonin familjet e tyre, si kishte bërë Mbreti Zogu i Parë, dhe pushtuesit fashistë e nazistë. Mirëpo Partia Komuniste e Shqipërisë edhe pse e shpalli “arratisje”, akt të dënueshëm, largimin nga atdheu në prill të vitit 1945, ajo i quajti “të arratisur” gjithë nacionalistët, ballistët e legalistët, edhe pse ata ishin larguar nga atdheu në tetor të vitit 1944. gjashtë muaj më parë se të aprovohej ky vendim nga Kuvendi Popullor.

Para largimit ata nuk patën rast t’i takonin gratë e tyre, kështu që Daveri nuk pati mundësi të mësonte se nusja e tij ishte shtatzënë, madje për disa vjet ai nuk e dinte se ishte bërë baba për herë të dytë, po me djalë.

Ballistët që u larguan nga atdheu kaluan së pari nga Shkodra në Tivar e pastaj prej aty u hodhën me anie në Bari të Italisë, ku forcat anglo-amerikane, që kishin zbarkuar që para korrikut 1943, i sistemuan në një kamp emigrantësh politikë. Mbas dy-tre vjetësh ish-ballistët u shpërndanë sipas këkesave të tyre, ose si i caktoi komanda anglo-amerikane. Vëllai i madh, Agoja, sipas kërkesës së tij u dërgua në Egjipt ku u bashkua me grupin e Mbretit Ahmet Zogu i I; vëllai i dytë, Reizi, kërkoi të shkonte në Amerikë ku shkoi dhe Mit’hat Frashëri; kurse i treti, Daveri u zgjodh prej komandës amerikane dhe u dërgua në Gjermani. Atje e caktuan të ndihmonte në përgatitjen e forcave shqiptare që do të hidheshin si diversantë në Shqipëri për të realizuar ndërrimin e regjimit komunist në regjim demokratik. Mbas dështimit të misionit të diversantëve Daveri shkoi në SHBA ku u takua me Reizin. Në vitin 1956 kur presidenti i ri i Egjiptit, Naseri, i dëboi shqiptarët, Ahmet Zogu i I shkoi në Francë, kurse Agoja shkoi në SHBA ku u bashkua me vëllezërit. Reizi dhe Daveri bënin punë të ndryshme nga ato të thjeshtat. Agoja ishte gati 60 vjeç, nuk filloi të punonte, po fitoi shpejt asistencën, dhe ndihma financiare e vëllezërve nuk i mungoi derisa u shua nëdhjetor 1994.. U muarr me lexime e shkrime. Ai ariti të botonte dy libra “Lufta e Vlorës” dhe “Milloshi Heroi i Kosovës”. Agoja fliste shpesh midis shokëve për luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të drejta kombëtare, Prandaj e quanin shpesh “Ago Agaj kosovari nga Vlora”.

Regjimi komunist që u instalua në Shqipëri, për të siguruar vijimësinë e mbajtjes së pushtetit, ndoqi që në fillim një politikë dhe praktikë terrori. Arrestime, burgime, internime kryheshin çdo ditë. Nusja e re e Daverit gjashtë muaj pas largimit të bashkëshortit lindi djalin e dytë. Për të siguruar jetën e saj dhe të dy bonjakëve ajo pranoi të punonte çdo punë, herë në ndërtim, herë te kriporja e Vlorës dhe herë tek ullishtet. E gjora nuse kishte mbetur e ve me burrin gjallë dhe me dy foshnja jetime. Shpesh herë e hante bukën thatë duke e njomur me lotët e saj, ose me pak ujë me sheqer.

Në vitin 1956 qeveria komuniste e pati mbaruar procesin e kofiskimit të floririt prej pasanikëve të Shqipërise dhe po ndjente krizë financiare, prandaj lejoi që emigrantët t’u dërgonin familjeve të tyre ndihma financiare në dollarë. Këtë lëshim e zbatoi me djallëzi: familjeve me biografi të keqe ua konvertonte dollarët me 40 lekë të asaj kohe, gati sa gjysma e vlerës që u jepej qytetarëve të tjerë, 70 lekë.. Megjithë përgjysmimin e shumave, familja e Daverit ndjeu një farë përmirësimi e kapërceu krizën e urisë.

Ëndrra e nënës ishte që djemtë të shkolloheshin sa më shumë. Në mbrëmje edhe pse e lodhur, nuk binte të flinte pa ua parë detyrat e kryera. Ata u ndërgjegjësuan shpejt për vështirësitë që i prisnin në jetë. Mbas shkollës fillor filluan të studionin me këmbëngulje pa nxitjen e mamasë. U maturuan para kohe.

Qemali, pasi mbaroi shkollën e mesme shkoi të kryente shërbimin ushtarak. Duke qenë bir i një familjeje me biografi të keqe, ato tre vjet i kreu larg Vlorës në një repart “brigadë pune” ku punonte me lopatë e kazmë. Kur u kthye nga shërbimi ushtarak në Vlorë nuk i jepnin punë. Sipas këshillës së një miku shkoi në qytetin e vogël të Patosit. Në fillim aty nisi punë si elektricist në ndërmarrjen e Ndërtim-Montimit, por kur drejtoria e ndërmarrjes pa se ai kishte talent për të shkruar bukur parullat, e emëroi dezinjator dhe më vonë e transferoi te “Pallati i Kulturë” si piktor. Më tej e ngarkuan të punonte te “Muzeu i Industrisë së Naftës”.

Aty bashkëpunoi me disa dezinjatorë profesionistë, prej të cilëve përfitoi mjaft nga ana profesionale dhe zhvilloi më tej talentin e tij të lindur si piktor. Duke kujtuar punët e rënda që kishte kryer në ndërtim gjatë shërbimit ushtarak, Qemali ndjehej i kënaqur në Patos. Mirëpo kjo gjendje nuk vijoi gjatë. Në pranverë të vitit 1973 diktatori shpalli luftën kundër liberalizmit me parullën “Armiku më i rrezikshëm është ai që harohet”. Në Patos u transferuan për tu edukuar në gjirin e klasës punëtore disa kuadro të talentuar të artit si drejtuesi artistik i Operas dhe Baletit Zhani Ciko, regjisori Leka Bungo, etj. Vala e goditjeve vijoi me “diskreditimin” në Pallatin e Kulturës e pastaj me burgimin e inxhinierëve të aftë të naftës, si Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka dhe njeriu i mbrekullueshëm Eriko Veizi, karikaturisti i mirënjohur, i cili e kishte përkrahur pa rezerva Qemalin.

Në vitin 1973 Qemali 30-vjeçar u martua me korçaren simpatike Flora Zëmblaku, e cila ishte dhe ajo me “biografi të keqe”. Babai i saj kishte pasur para vitit 1944 biznesin e Tregtimit të Automjeteve të Transportit. Flora pasi kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare për muzikë, nuk i kishin dhënë të drejtë të vijonte Liceun Artistik. Ajo vijoi gjimnazin. Por edhe pas gjinmazit nuk i dhanë të drejtë të vijonte studimet e larta. Duke u ushtruar privatisht në violinë ajo ariti që të merrte pjesë si e jashtme në orkestrën simfonike të qytetit.

Në Patos Flora filloi punë si rrobaqepse, zanat që e kishte mësuar nga e ëma. Mirëpo në vitin 1976, kur çifti i ri kishte një djale trevjeçar, Komiteti i Partisë i komunikoi Qemalit urdherin për tu larguar nga Patosi, pra një lloj dëbim-internimi pa përcaktim se ku të shkonte.

Hieja e rëndë e biografisë filloi ta ndiqte përsëri. Vendosën të ktheheshin në Vlorë edhe pse atje do të kishin vështirësi për të gjetur punë, sepse lufta e klasave zhvillohej me shumë pasion. Por Qemali me Florën vendosë të shkonin atje, sepse aty kishin njerëz të njohurr, aty do të kishin detin e bekuar. Gjatë viteve 1976-1984 Qemali punoi në gurore. Puna ishte e rëndë, me vare të rëndë i duheshin shkulur shkëmbit copa gurësh . Nga goditjet e veresë i tronditeshin gjithë pjesët e trupit.

Në vitet 1985-1994 me ndihmën e disa miqve u punësua si elektricist. Kurse Flora qepte në shtëpi. Klientët e saj mbeteshin të kënaqur dhe nami i mirë u përhap në Vlorë. Guximi i ndihmoi që të mos rrinin me një fëmijë, dhe në vitin 1983 familja e re u kompletua dhe me vajzën Ina. Nëna e Qemalit atë vit u largua nga jeta, e zhuritur që nuk mundi ta takonte burrin, por e lumtur sepse të dy djemtë i la të rregulluar me nuse e fëmijë…

Teatri i Vlorës pas vdekjes së diktatorit vendosi të vinte në skenë komedinë e Shekspirit (Shakespeare) “Shumë zhurmë për asgjë”. Piktori i tetrit, z. Sabaudin Xhaferi, kishte dëgjuar se Flora Agaj ishte rrobaqepse e talentuar. E thiri dhe i kërkoi që të merrte përsipër qepjen e kostumeve të shfaqjes. Flora me fantazinë e saj krijuese e kreu më së miri detyrën. Shfaqja pati sukses të plotë dhe Florën e emëruan rrobaqepse në Teatrin e Vlorës. Mbas vitit 1986 familje e Qemal Agajt ndjeu një farë stabiliteti ekonomik dhe politik. Nuk u përmendej më biografia…

Mirëse vjen demokraci, mirë se të gjejmë Amerikë e bekuar!

Shëmbja e Murit të Berlinit, hapja e kufijve të Hungarisë për emigrim drejt Perëndimit, dhe pastaj hapja e ambasadave në Tiranë, si dhe rëzimi i monumentit të diktatorit Hoxha ishin ngjarje që Qemalit dhe Florës ua mbushën zemrat me gëzim. Por kalimi i 46 viteve nën diktaturë me shpatën e Demokliut mbi kokë, i bënte të kishin dhe dyshime për proceset e reja. Ardhja e papritur në krye të Partisë Demoktatike e një ish komunisti dhe e jo e një ish të përndjekuri, ua shtonte dyshimin se ndërrimi i regjimit po kryhej me difekte…

Hapja e lidhjeve telefonike me Amerikën u dha mundësi të flisnin me babain. Dhe ai i këshilloi: “Mos u ngutni të shkoni në Greqi a Itali, juve do të vini këtu në Amerikë”. Si emigrant politik që ishte babai i kishte shkruar emrat e dy djemve dhe nuseve. Kur u hap ambasada e SHBA-ve në Tiranë djemtë me gjithë bashkëshortet dhe familjet shkuan dhe morën pasaportat për të rriturit dhe çertifikata lindjeje për fëmijët.

Gëzimi i ardhjes në Amerikë, në vendin e mundësive të shumta, ku do të takoheshin me babain e xhaxhallarët ishte i papërshkrueshëm për të rriturit e për të vegjlit. Momentet e para të takimit në Tampa Florida të të dy djemve me babain ishin rrënqethvse. U pushtuan të tre si një trup i vetëm dhe nuk shqiteshin dot për minuta të tëra. Dukej sikur ora ngeli në vend.

Ditët e para fluturuan si një ditë e vetme. Baba Dilaveri i shëtiste me makinë nëpër dyqane, ku u blinte dhurata, nëpër lokale luksoze, ku i qiraste, në vende piktoreske, etj,

Mirëpo mungesa e njohjes së anglishtes ishte pengesë kryesore për gjetjen e punëve. Qemali filloi të punonte si pjatalarës, pastaj në një kompani për lyerje makinash.

Të mësuar me vuajtjet e kohës së diktaturës, vështirësitë e viteve të para në atdheun e ri, nuk iu dukeshin të rënda. Çdo ditë Flora e Qemali uleshin pas pune dhe studionin anglisht, shkuan disa herë në javë gjatë dy vjetve në një shkollë mbrëmjeje pa pagesë.

Mbasi e zotëruan disi anglishten, Flora u punësua në një rrobaqepsi me emër, talenti i saj u vlerësua edhe këtu, kurse Qemali guxoi dhe iu fut punës për t’u marrë me Real Estate (Blerje e shitje shtëpish). Amerikanët që punonin Real Estate mbasi kishin mbaruar kurse kualifikimi, kur e shikonin Qemalin se pa kualifikim dhe pa ditur mirë anglisht, po merrej me këtë punë, qeshnin dhe i thoshin si me keqardhje se nuk do t’ia dilte dot. Mirëpo ata nuk e njihnin guximin e Qemalit dhe as trupin e tij muskuloz të krijuar në rini kur punonte në ndërtim gjatë shërbimit ushtarak e më vonë në guroren e Vlorës. Pra ai nuk dinte të fliste mirë me gojë, por dinte të fliste shkëlqyeshëm me krahët e shpatullat e tij të fuqishme. Pasi bleu shtëpinë e parë të vjetër dhe e riparoi për bukuri, ariti ta shiste shpejt. Suksesi i parë i dha kurajo të vijonte më tej. Pavarësisht nga disa dështime/ mosrealizime të pakta, duke punuar me ngulm dhe ndershmëri, kjo punë i shkoi mbarë dhe Qemali nuk iu nda. Madje e vijon edhe sot kur i ka kaluar të 80-at.

Fëmijët u sistemuan në shkollat të ndryshme. Djali, Indriti, në Shqipëri kishte mbaruar shkollën e mesme artistike për pikturë, por në SHBA u regjistrua në “Florida State University” dega Ingjineri Ndërtimi. Në vitin 2000 Indriti u diplomua duke u shpallur studenti më i mirë i vitit për mbarë diplomantët e universitetit. Emocionet e gjyshit Daver dhe të prindërve ishin shumë të mëdha. Emri Indrit Ago është gdhendur në sallën e pritjes së universitetit bashkë. Tani Indridi është “Vice President” i një kompanie të madhe ndërtimi apartamentesh. Kohët e fundit sapo inauguroi një investim personal. Një godinë me tridhjetë apartamente në qytetin Largo FL.dhe ka arritur post kryesor në një nga kompanitë më të mëdha për ndërtimin e apartamenteve në krejt shtetin Florida.

Kurse vajza, Ina, në Shqipëri ishte nxënëse po në shkollën artistike për violinën. Prindërit e regjistruan në një kurs privat për violinë. Perfeksionimi i saj u rrit dhe ariti të luante si violiniste në orkestrën simfonike të “Universitetit Geinsvill Florida”, si nëna e saj në rini kur ishte pjestare e orkestrës simfonike të qytetit të Korçës. Por edhe Ina, si i vëllai, zgjodhi tjetër degë shkollimi në universitet. U regjistrua në degën Ingjineri Kimike dhe pasi përfundoi këtë degë vijoi specializimin si juriste në mbrojtjen e patentave të reja në fushën e industrisë. Ëndrra e prindërve që prirjet e pasionet e tyre për artin t’i vijonin fëmijët, mbeti përgjysëm, por dëshira e tyre e zjarrtë për të kryer studimet universitare u realizua në një nivel përtej ëndrrave të tyre.

Jeta në Amerikë është e vështirë, ajo kërkon angazhim maksimal dhe ndershmëri, por po të studiosh e të punosh fort dhe pa hile, shkon përpara dhe siguron standart të lartë jetese.

Si bijtë e shquar të familjes AGAJ ka qindra e mijra midis fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në SHBA, Kanada, dhe kudo në diasporë, që po përfundojnë shkollat e larta e specializime më rezultate të lakmueshme, por kanë një të metë të madhe: ata nuk shikojnë përtej familjes së tyre. Nuk dijnë e nuk duan të krijojnë një lob shqiptar, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe atdheun mëmë, si kanë krijuar ebrenjtë, të cilët edhe pse e kanë humbur gjuhën e vet amëtare, ruajnë lidhje të forta midis tyre dhe atdheut. Federata Vatra e Amerikës e krijuar prej atdhetarëve të mëdhenj Faik Konica e Fan Noli, ka 117 vjet që vijon të punojë për të mirën e emgrantëve shqiptarë dhe të atdheut, por anëtarë te saj janë pak shqiptarë të moshuar e tepër tepër pak shqiptarë të rinj. Në një kohë që diaspora shqiptare në SBA ka arritur rreth 400.000 anëtarë, Federata Vatra duhet të kishte të paktën 20.000-25.000 anëtarë.

Trimi, rrezikon jetën e vet për të shpëtuar jetën e tjetrit.

Një ditë vere Qemali me Florën kishin dalë shëtitje anës oqeanit. Pa pritur dëgjuan një burrë që filloi të bërtiste: “Gruaja ime po mbytet, ju lutem ndihmojeni!”. Qemali,70-vjeçar nuk priti urdhër. i tha Florës të rinte aty. Hodhi syt e kishte marrë me vete gruan e bashkëshortit që po thërriste për ndihmë, e të priste dhe n e kishte marrë me vete gruan e bashkëshortit që po thërriste për ndihmë, e të priste dhe ujrat e oqeanit dhe pa se ishte krijuar një rrymë uji që e kishte marrë me vete gruan e bashkëshortit që po thërriste për ndihmë. Pas tij u turr dhe një burrë tjetër, por ai gaboi u fut drejt e në rrymën e ujit për të arritur sa më parë gruan që po notonte e rrëmbyer nga rryma.

Qemali duke qenë notar me përvojë, u fut në ujë larg rrymës dhe kur ariti afër gruas, i tha: “Zonjë mos u tremb, përpiqu të më afrohesh mua duke notuar në drejtim diagonal me rrymën”. Dhe pasi ajo iu afrua i zgjati dorën dhe ajo e kapi dorën e tij. E tërhoqi dhe e nxori nga rryma, pastaj notuan së bashku drejt bregut derisa arritën shëndoshë e mirë. Gruaja së cilës i shpëtoi jetën Qemali quhej Maureen A. Jenning, ishte shkrimtare, autore e disa romaneve. Burri që u fut me ngutje drejt e në rrymën e ujit nuk mundi të arrinte tek zonja që duhej shpëtuar, uji e rrëmbeu dhe e futi në thellësi derisa e mbyti…

Për këtë trimëri, Fondacioni, “Carnegie Foundation” e nderoi me Medalje Heroizmi me motivacionin : “Person që rrezikoi Jetën e tij për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër.” Kurse shtypi amerikan shkroi disa herë, si dhe gazeta “Dielli” për këtë ngjarje me vlera edukative e morale. Në atdhe vetëm gazeta “Telegraf” i mori një intervistë Qemal Agajt.

Trimëritë kur tregohen me fjalë duken ngjarje të thjeshta, por ato kryhen me guxim, shkathtësi e zgjuarësi duke rrezikuar jetën.

I tillë është Qemal Agaj, i thjeshtë, trup atleti, i guximshëm, i shkathët e i zgjuar, tipare që i ka fituar gjatë jetës së tij, gjatë vuajtjeve që nga fëmijëria kur u kalit duke mposhtur urinë e bukës, kur e mbajti të fshehur dashurinë për babanë që ia shanin njerëzit e regjimit komunist, kur me lexim e punë mori formimin kulturor e artistik që mund ta merrte në bankat e universitit, kur punoi në guroren e Vlorës duke thyer gurë me vare, kur në vështirësi jete nuk tha “mjaft e kemi një fëmijë” po e kompletoi familjen edhe me vajzë, kur pa ditur mirë anglisht dhe pa pasur njohuri profesionale mbi punën “Real Estate” iu fut kësaj pune dhe u bë më i suksesshëm se shumë amerikanë, kur ëndëroi t’i dhuronte në shqip kulturës e artit shqiptar veprën themelore të Gjon Milit, e bëri me bujari; punë që nuk guxuan ta bënin specialisët se nuk kishte kush t’ua mbulonte shpenzimet financiare…

Filed Under: Kulture

Fan Noli dhe Peter Prifti: Nga fryma e rilindjes te mendimi modern shqiptaro-amerikan

January 6, 2026 by s p

Prof. Dr. Arben Cici /

Figura e Prof. Peter Priftit përfaqëson një ndër personalitetet më përfaqësuese të kulturës shqiptaro-amerikane të shekullit XX. Ai përmendet si një nga dijetarët më të njohur që punoi për t’i sjellë çështjet shqiptare në qendër të vëmendjes akademike dhe politike në Shtetet e Bashkuara, një intelektual që bashkoi në personalitetin e tij ndershmërinë e karakterit shqiptar me qytetarinë amerikane, si dhe mendimin e lirë të Perëndimit me dashurinë e përhershme për Atdheun. Peter Prifti mbetet gjithashtu i lidhur ngushtë me emrin e Fan Nolit, si nxënësi i fundit i drejtpërdrejtë dhe dishepulli i denjë i këtij personaliteti të madh të historisë shqiptare.

Peter Prifti spikati për seriozitetin në studime, interesin për filozofinë, letërsinë dhe gjuhësinë gjatë edukimit të tij në Universitetin e Pensilvanisë në degën “Arts & Letters” (1949). Përvojat akademike në universitetet amerikane, ku vlerësohej mendimi kritik dhe kërkimi i pavarur, ndikuan në formimin e tij si intelektual me vizion të gjerë, i lirë në gjykime dhe i hapur ndaj ideve të reja. Ky formim do ta dallonte më vonë nga shumë bashkëkohës shqiptarë, të rritur nën dogmat e mbyllura ideologjike të komunizmit.

Takimi me Fan Nolin dhe fillimi i veprimtarisë shqiptaro-amerikane – Në fund të viteve 1950, Peter Prifti u vendos në Boston, ku u përfshi në aktivitetet e Federatës Panshqiptare “Vatra”, një nga organizatat më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1958 ai filloi punën si sekretar i Vatrës dhe si redaktor i gazetës “Dielli”, krahas atdhetarit dhe publicistit të njohur Qerim Panariti. Pikërisht në këtë periudhë, ai u njoh për herë të parë personalisht me Imzot Fan Nolin, figurën qendrore të diasporës dhe të historisë kombëtare shqiptare.

Marrëdhënia e tyre, që nisi në kuadër të punës për “Vatrën” dhe “Diellin”, shpejt mori karakterin e një lidhjeje të ngushtë intelektuale e shpirtërore. Peter Prifti do të kujtonte më vonë takimet e shumta me Nolin në shtëpinë e tij në Boston, në mbledhjet e komunitetit shqiptar, në shërbesat kishtare dhe në organizimet për përvjetorët kombëtarë. Në njërën prej intervistave që zhvilloi me Nolin në vitin 1958, ky i fundit do të shprehej se anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920 ishte “fitorja më e madhe e jetës së tij politike”, ndërsa largimi nga Shqipëria në vitin 1924 ishte “trishtimi më i madh, sepse i dha fund punës sime në Atdhe”. Këto fjalë do të mbeteshin thellësisht të gdhendura në kujtesën e Priftit dhe do të përcaktonin frymën fanoliane që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.

Noli e vlerësonte shumë intelektin e të riut kolonjar, ndërsa Prifti e shihte tek Noli figurën e udhëheqësit të mençur dhe të patriotit të ndritur. Ata ndanin të njëjtat ideale për lirinë e mendimit, për përparimin kulturor dhe për emancipimin e kombit shqiptar. Ndërsa shumë nga bashkëkohësit e Nolit e njihnin vetëm si udhëheqës politik apo fetar, Prifti e studioi dhe e kuptoi në thellësi si filozof, humanist dhe dijetar të formimit perëndimor.

Një intelektual i lirë dhe human – Në figurën e Peter Priftit përmblidhen disa nga virtytet më të vyera të intelektualit modern: mendimi i lirë, ekuilibri shpirtëror dhe humanizmi i thellë. Ai ishte përfaqësues tipik i asaj që mund të quhet “shkolla shqiptaro-amerikane e mendimit”, ku idealizmi për kombin ndërthuret me etikën e dijes dhe me respektin ndaj vlerave universale. Për Peter Priftin, e vërteta ishte më e rëndësishme se çdo përfitim, ndërsa sinqeriteti në qëndrime ishte parim i panegociueshëm. Pikërisht kjo koherencë e brendshme e bëri të respektohej nga bashkëkohësit, edhe nga ata që nuk ndanin të njëjtat pikëpamje.

Për Priftin, mendimi kritik nuk nënkuptonte kundërshtim për hir të kundërshtimit, por përpjekje për të arritur te e vërteta përmes arsyes. Ai besonte se njeriu i kulturuar duhet të jetë gjithmonë i lirë në mendim, por i përgjegjshëm në fjalë. Liria e tij intelektuale shfaqej edhe në raportin me Shqipërinë komuniste. Ndonëse vizitoi vendin dhe u mirëprit nga autoritetet, ai kurrë nuk pranoi të bëhej apologjet i sistemit. Në analizat e tij për Shqipërinë e pasluftës, ai nuk mohoi arritjet në fushën e arsimit dhe emancipimit të grave, por as nuk e fshehu kritikën ndaj shtypjes së mendimit të lirë dhe izolimit politik të vendit. Në një nga vlerësimet e tij, Shqipërinë e viteve ’70 ai e quante “kalanë e fundit të stalinizmit në Europë”, një përcaktim që për kohën kërkonte guxim intelektual. Por edhe në këtë kritikë kishte gjithmonë dinjitet dhe maturi; ai nuk sulmonte për të dënuar, por për të kuptuar dhe për të ndriçuar.

Ndoshta vlera më e madhe e Peter Priftit ishte aftësia për të ruajtur humanizmin në një shekull përçarjesh dhe ideologjish. Ai nuk e pa kombin shqiptar si një kategori etnike apo politike, por si një bashkësi njerëzish që duheshin ndihmuar të zhvilloheshin përmes arsimit, kulturës dhe lirisë. Në këtë kuptim, Prifti ishte një rilindas modern, që besonte te fuqia e dijes dhe te kultura si themel i identitetit kombëtar. Për të, patriotizmi nuk ishte thirrje, por përgjegjësi; nuk ishte emocion, por detyrë e përditshme ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që vijnë.

Fryma fanoliane dhe ndjekja e idealeve kombëtare – Nëse ka një fjalë që përmbledh marrëdhënien shpirtërore midis Peter Priftit dhe Fan Nolit, ajo është “trashëgimi”. Jo trashëgimi në kuptimin formal të një marrëdhënieje mësues–nxënës, por si vazhdimësi e një fryme, e një ideali që përshkon brezat. Fan Noli kishte qenë për Priftin jo vetëm figura e udhëheqësit kombëtar, por modeli i intelektualit që arrin të ndërthurë mendimin kritik me përkushtimin ndaj kombit. Në mënyrën e tij, Prifti mishëroi atë që Noli predikonte: besimin te arsimi, dialogu ndërkulturor, bashkimi i diasporës dhe emancipimi moral e intelektual i shqiptarëve.

Takimet me Nolin në Boston, bashkëpunimi në “Vatrën” dhe “Diellin”, si dhe pjesëmarrja në organizimet e komunitetit, i dhanë Priftit jo vetëm përvojë praktike, por edhe një përfytyrim të gjallë të misionit që diaspora duhej të kishte për Shqipërinë. Ai e kuptoi që herët se puna e Nolit nuk ishte e përfunduar; se lidhja e diasporës me Atdheun duhej të vazhdonte përmes dijes, kulturës dhe përfaqësimit në botën perëndimore. Në këtë kuptim, Prifti mund të shihet si hallka që lidh epokën fanoliane me studimet moderne shqiptare.

Ndikimi i Nolit në formimin e tij është i dukshëm jo vetëm në temat që trajtoi, por edhe në stilin e të menduarit dhe të shprehurit. Si Noli, edhe Prifti ishte poliedrik: historian, gjuhëtar, përkthyes, publicist dhe eseist. Ai shkroi për politikën, por edhe për letërsinë; për historinë, por edhe për moralin e shoqërisë shqiptare. Si Noli, ai e pa dijen si mision publik dhe jo si pronë personale. Noli kishte krijuar modelin e intelektualit të angazhuar që flet me forcën e argumentit, jo me gjuhën e pushtetit; Prifti e zhvilloi këtë model në rrethana të reja, në një botë të lirë, duke e bërë atë të pranueshëm për audiencën akademike ndërkombëtare.

Në studimin “Fan Noli dhe komuniteti shqiptar në SHBA”, mbajtur në Universitetin e Harvardit në vitin 1982, Prifti analizoi në mënyrë të thellë rolin historik të Nolit në formimin e vetëdijes kombëtare të emigracionit shqiptar. Ai e konsideronte Nolin “një burrë të madh të racës shqiptare, intelektual gjigand dhe shembull të patriotizmit të kulluar”. Në interpretimin e tij, Fan Noli nuk ishte vetëm figurë fetare apo politike, por një vizionar që kuptoi se liria e vërtetë nuk mund të ekzistonte pa kulturë dhe pa arsim. Pikërisht këtë vizion trashëgoi Prifti në veprën e tij.

Në kuptimin më të thellë, fryma fanoliane tek Peter Prifti nuk ishte imitim, por përthithje e vlerave që përbënin thelbin e filozofisë noliane: liri, arsim, drejtësi, kulturë dhe shërbim ndaj të mirës së përbashkët. Ashtu si Noli, ai besonte se “shqiptaria” nuk është vetëm çështje gjaku apo gjuhe, por një mënyrë e të menduarit dhe e të jetuarit që respekton dinjitetin e njeriut. Edhe pse nuk mori rrugën e klerit, ai ndoqi me devocion rrugën e dijes, që për të ishte një formë tjetër besimi, një fe intelektuale me qendër njeriun dhe Atdheun.

Kështu, lidhja midis Fan Nolit dhe Peter Priftit nuk ishte vetëm biografike, por edhe konceptuale. Ajo mishëron kalimin e një ideali nga një brez në tjetrin: nga brezi i rilindasve dhe të themeluesve të shtetit, te brezi i intelektualëve të diasporës që luftuan me penë për ta mbajtur të gjallë frymën e kombit në botën moderne. Në këtë vazhdimësi, Prifti mbetet dishepulli i fundit i Nolit, jo vetëm për faktin se e njohu për së afërmi, por sepse e përjetësoi mësimin e tij në vepra që flasin ende sot për një Shqipëri të lirë, të ndritur dhe njerëzore.

Rëndësia e veprës së tij në kohët moderne – Në realitetin e sotëm global, ku identitetet kombëtare përballen me sfida të reja kulturore, politike dhe teknologjike, studimi i veprës së Peter Priftit merr një domethënie të veçantë. Ai përfaqëson një model të rrallë të mendimit kritik shqiptar jashtë kufijve, që bashkoi rigorozitetin akademik me përgjegjësinë qytetare dhe atdhetare. Në një kohë kur shumë studiues përpiqen të kuptojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me diasporën dhe rolin e saj në formësimin e imazhit kombëtar, puna e Priftit ofron një burim të pasur për të kuptuar se si intelektuali mund të shërbejë si urë mes kulturave dhe si ndërmjetës i vlerave universale. Ai ishte ndër të parët që solli çështjen shqiptare në debatin ndërkombëtar, duke i dhënë asaj peshë akademike dhe moralitet argumentues.

Në aspektin shkencor, veprat e tij janë një dëshmi e qasjes së balancuar që duhet të ketë studimi bashkëkohor mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Në to nuk gjendet as ideologji e verbër, as sentimentalizëm, por një përpjekje për të kuptuar realitetin në dritën e fakteve dhe të mendimit të pavarur. Për studiuesit e rinj, përkthyesit dhe historianët e diasporës, Prifti mbetet një pikë referimi për mënyrën se si mund të ndërtohet një diskurs shkencor serioz mbi kombin pa rënë në propagandë. Ai dëshmoi se dashuria për Atdheun nuk qëndron në fjalë të mëdha, por në punë të qëndrueshme, në ndershmëri intelektuale dhe në përkushtimin ndaj dijes. Sot, leximi dhe analiza e veprës së tij nuk janë vetëm një nderim për një figurë të shquar të diasporës, por edhe një domosdoshmëri për të kuptuar më thellë se si mund të ndërtohet një identitet kombëtar i hapur, kritik dhe bashkëkohor.

Përmbyllje

Peter Prifti përfaqëson tipin më të përkryer të intelektualit shqiptaro-amerikan të shekullit XX: të formuar në Perëndim, por të lidhur fort me rrënjët shqiptare; kritik ndaj dogmave, por besnik ndaj vlerave kombëtare; i ftohtë në analizë, por i ngrohtë në ndjenjë. Ai ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i traditës së Fan Nolit – mendimtarit, përkthyesit dhe dijetarit që besonte në fuqinë e arsimit dhe kulturës për të ndriçuar kombin. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Peter Prifti mbetet jo vetëm studiuesi që i dha zë çështjes shqiptare në botën anglishtfolëse, por edhe njeriu që trashëgoi dhe përcolli frymën e Nolit – frymën e lirisë, dijes dhe humanizmit. Ai ishte dishepulli i fundit i një ideali që bashkonte Shqipërinë dhe Amerikën në një të vetme: idealin e përjetshëm të përparimit dhe të dinjitetit njerëzor.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT