• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË ZBRESËSH NË TOKËN E SHENJTË

March 11, 2023 by s p

Visar Zhiti

Fotot:  

1- Visari në Qelinë e Jezu Krishtit, Pallati i Kaifas, Jeruzalem, nëntor 2022. 

2- Eda dhe macja në rrugë, në Tiberias, Izrael, nëntor 2022.

TEL AVIV, RRETHINË…

Ç’janë këta kryqe të mëdhenj nëpër erë 

     mbi Tokën e Shenjtë?

Avionët. Sa herë ulen poshtë, 

aq herë një Krisht ngrihet lart në Qiell.

Erdhëm dhe ne të shohim gjurmët 

          e Ringjalljes, e ndjeva që trupi 

                            m’u mbush me ato gjurmë

si me copëza ndriçimesh 

      në një festë tronditëse.

U bëra rruga që del 

                                nga rrethinat e Tel Avivit

për të vazhduar më përtej, ku fillon Bibla.

Pemët e ullinjve janë mbushur 

                 me sy të rinj që të vështrojnë

me dhimbje, sidomos kur je shqiptar, 

kështu m’u duk. Kemi plagë të njëjta, 

holokaust, përndjekje… 

                               burgun e Krishtit…

Që nga kohët e vështira

mbeti ai shtrëngim duarsh 

                      si Mali i shenjtë i Tomorrit, 

si lumi Jordan… Po unë kam etje, 

dua ujë… dhe gota m’u bë plot me verë.

Peshku mbaroi, na tha kamerieri,

teksa në pjatën bosh m’u shfaq 

               një goxha peshk. 

Në njërën anë të pllajës 

shoh kopetë e deleve të kullosin diellin

     e paradites, 

në anën tjetër një kope me tanke

        nën hijet e pasdites.

Ç’janë këta kryqe të mëdhenj 

   nëpër erë mbi Tokën e Shenjtë?

Avionët.  Sa herë ngrihen lart,

aq herë një Krisht zbret nga Qielli 

                    me krahët e hapur.

Mësona, o Biri i Zotit, 

si t’i kthejmë tanket në dele?

Dhe nxitoj të hap njërin nga ungjijtë

të gjej se ç’ke thënë pikërisht këtu, ku jemi…  

Rrugës, 8 nëntor, 2022… Po 8 nëntor ishte,

kur më arrestuan dikur në vendin tim… dhe shikoja

hijen e Krishtit në muret e burgut…

PAGËZIM I RI

Lumi Jordan,

e di, buron nga agsholet qiellore 

dhe derdhet në shpirtin prej toke 

të njeriut,

ja, si tani mbi trupat tanë.

Mbështjellë jemi me këmisha të gjata

                     në ngjyrën e ndjenjave, 

         në çastin e bardhë të pagëzimit.

Shoh fytyrën e Edës time,

që e mbuluan ujrat tre herë

dhe doli me fytyrën e Madonës,

nga flokët e gjatë pikonin bulëza drite.

Edhe unë me fytyrën time isha,

e zhyta tre herë në rrjedhën e shenjtë

dhe dola me fytyrën e Hyjit,

nga flokët e gjatë pikonin bulëza drite.

Kujtesa e ujit,

           plot me pasqyrime të Krishtit,

të nxjerra mbi brigje… që përhapen 

bashkë me erën 

                   si përtëritja e premtimeve 

nëpër ditët pelegrine pa mbarim…

Buzë lumit Jordan, 9 nëntor, 2022

*   *   * 

Kërkoj kësaj rruge

të gjej një sandale të Krishtit,

se Ai këtej shkoi… ja, gjurmët

si zemra të vizatura mbi rërë

            nga duar të dashuruara. 

Rendin veturat… trenat… dëshirat… 

Sandalet e tij janë…

Po këtu Krishti ishte i zbathur si fjalët.

Ik kënga ime, ashtu zbathur dhe ti

dhe mos u kthe!

Po gjete ndonjë sandale, aty qendro

              si një zog hebre në folenë e tij.

Shoh lart sandale që fluturojnë…

Kush po ecën nëpër Qiell?

Betlehem, 14 nëntor 2022

PLLAJA E SHKRETËTIRËS

Ç’zbardhëllen ashtu tej në pllajë?

Të jenë dele të shndërruara në gurë?

Të jenë gurë që do të bëhen dele?

Nuk janë kryqe ato ndanë rruge,

por shtylla elektrike. 

               Kanë venë dhe reklama,

me mirazhe burrash dhe grash që qeshin,

kaq shumë Adamë dhe Eva pa fund, 

                        u zbardhëllejnë dhëmbët 

më shumë se mermeret e tempujve larg.

Çudi që s’e kishim kuptuar

                        që kjo është mrekullia…

Masada, 14 nëntor 2022.

NË FUSHËN E BARINJVE,

TEJ NË BETLEHEM…

Të ecësh pa u ndaluar 

           nëpër Tokën e Shenjtë

në kërkimi të Birit…

Pelena resh të bardha

mbështjellin të qarat prej foshnje 

         të shiut… 

Në anë kanë mbetur 

                         të mbërthyera si kryqe

stinë dhe troje, 

            fjalë dhe heshtje të vjetra.

Një varrezë na pret përpara. 

Vetëm me ringjalljen Tënde

                mund të ecë e qetë jeta 

mespërmes epitafeve prej mermeri.

*   *   * 

Paraditja – Izrael,

Pasditja – Palestinë.

E njëjta e diel

Sovranshëm ndrin.

Manteli i Jezusit

Eshtë era që fryn. 

Xhami autobuzit

Ka lot apo brymë?

Dhe rruga si gjarpër

Në Edenin parajsor.

Ky kufi kaq afër, 

Këpute me dorë!

Shkretim dhe plehra,

Manastir mbi shpate.

Teleferik në humnera

Ç’i bashkon dy fate?

E dritës psherëtimë

Nga çdo portë del. 

Tani – Palestinë,

Pastaj – Izrael. 

Mes nëntori 2022

NË SHPELLËN E LINDJES

Te Shpella të shkojmë,  

        ku lindi Biri i Hyut. 

U çuam herët, pasmesnate. Do ta gjejmë 

drejtimin nga yjet 

                      që bien andej me shkrepëtima 

   si fishekzjarre ditlindjeje. 

Kodërzat, kupolat… si bark i fryrë gruaje…

Të gjatë rreshtat, të gjatë, me pelegrinë 

nga e gjithë bota. Po ata para nesh,

             mos kanë ardhur para një jave 

dhe ata para tyre para një viti? 

Ka një mijë vjet që ecim, 

dy mijë vjet e më shumë… 

për të mbërritur te kjo shpellë. 

Mbi kryet tona si u gjend ky tavan bazilike 

             si një qiell nate? 

Po këto kolona të larta që hovin anëve 

për të mbajtur qiellin? Kjo kriptë sipër Shpellës? 

         Me ç’urdhër u ngritën të gjitha? 

Të Helenës, nënës së perandorit Kostandin,

                             dëgjoj një zë.

Ou, po ky është ilir, nga viset e mia,

                më vjen të thërras. 

Ja, ja, guva, – barku i Maries.  

E vogël hyrja, duhet të biesh më gjunjë 

      për t’u futur brenda! 

Shpellë moj, e lindjes së Jezusit, 

Kishë-lindje, që lëkundesh si djep,

Psalme shpirti si nga fundi i pusit

me ujë bekimesh, të lutem, më jep!

Po ç’u bë varësja e Edës time, ku i ra 

Medalja Mrekullibërëse e Shën Mërisë?

Mos ia mori një dorë foshnje

siç bën kur luan me gushën e mamit të vet?

Po, po, doçka e Jezusit ta këputi

    zinxhirin e hollë të ndjenjave,

nuk e pe? E puthi dhe ja, ku e ka lënë,

mbi një napë, nga ato që mbështillnin qingjat, 

kur lindnin,

me një të tillë mbështollën 

       dhe Jezusin foshnjë.

Ai po qesh.

Bir, që na solle këtu, për t’u ndjerë më shumë 

                   baba dhe nënë,

At’jon! – shungëllon ajri në Betlehem.

Mes shkulmeve të natës doli një hënë

       si gjiri i Maries.

Jeta do qumësht përherë si foshnja, 

që lëvrin duart, luan me hënën

        dhe buzëqesh sërish. 

…rruga si kordoni ombelikal…

…toka si djep na lëkundet, si djep… toka…

Dhe themi midis nesh fjalë të mëdha: 

Një erë e re, pas Krishtit, mori atë buzëqeshje,

këtu nisi historia e buzëshjes së botës… 

Shpellë,13 nëntor 2022,

nga ora 3.06 deri në orën 5.05 pasdite,

Betlehem, Palestinë…

E MADHËRISHME GAMILE E PALESTINËS

E madhërishme gamile e Palestinës,

Ku shkon ashtu me çap të rëndë?

Të vetmet lule të shkretëtirës

Janë në qilim mbi kurrizin tënd.

Sa e trishtuar je pranë turistëve,

Pesë dollarë një shëtitje me ty.

Me ç’fjalë arabe në gjunjë bie?

Dhe rrëkenë e lotit ç’ta heq në sy?

Të rrjepur gjunjët me plagë të thata,

Profil i zgjatur – emblemë durimi!

Nga toka ngrihesh mbi këmbët e gjata,

Si gdhendje e hijshme në dru ulliri.

Mos bjerë në gjunjë, gamile, për mua,

Jo, nuk hipi! Dhe pse na mban? 

S’e duroj durimin tënd të nënshtruar

Dhe loti i kafshës prapë është human.

Gjithnjë më e lodhur mbart fatin tënd

Apo mallkimin e shkretëtirës? 

Kurrëkund nuk shkon me atë çap të rëndë,

E madhërishme gamile e Palestinës.

Jeriko, West Bank… nëntori 2022.

DETI I VDEKUR

…të vdekurit tanë…

si me ujin, me vajtime i kemi larë

                      në Ballkan.

Sot pasdite ishim në një Det të Vdekur,

që na lante ne, të gjallët.

Me baltën në breg,

lyenim trupin dhe fytyrën.

Mos donim të ribënim veten nga balta

si në ditën e parë të jetës?

Ashtu shkuam te klubi më i ulët në botë, 

Kalia Beach, nën nivelin e detit, 14 nëntor 2022.

JERUZALEMI NË MBRËMJE

Dritat e kësaj nate,

të gjitha përreth meje 

              mahnitshëm

si qirinj 

në duar murgeshash të bardha.


Ballkoni im – frymëzim karuseli,

avitet të shkojë 

                                  në një tjetër ballkon.  

Ç’drita djegin më shumë,

                    janë plagë prej Krishti.

Sido të ndiçojnë, njëlloj nuk janë dritat, 

ja, ato të universitetit me të spitalit,

të Sinagogës me ato të shatërvanit,

të klubit të natës me njollën e dritës 

       në ballin e një të çmenduri,  

dritësira e puthjes së fundit te dera,

fenerët e alarmuar të një makine policie,

shkëlqimi që frushullon, 

    që s’e dimë nga na erdhi, 

që na ngjan me qirinj pa mbarim

në procesionin e mbarimit të vjeshtës. 

Ballkoni tjetër si një frymëzim karuseli

                  avitet të vijë te ballkoni im. 

I magjishëm ky çast pezull

mes një ylli dhe një mace hebreje,

      e shtangur nga drita e një ledhatimi. 

Hotel Ambasador… nëntor 2022

DARKA E FUNDIT

Darka e Fundit,

sa e pafundme, 

       çdo mbrëmje…

SPAZMA POETIKE  

NË BURGUN E JEZUSIT

Zbres shkallët e gurta

në errësirë

dhe gjej më shumë dritë,

…një si fron 

të thurur me vetëtima…

*  *  *

Me prangat e Jezusit

ndjehem më i lirë.

Vij rrotull

si në qelinë time.

Ajrin e zymtë mbush

me biblën e poezisë.

*  *  *

Këtu lidhën Jezusin

Te kjo shtyllë e gjysmuar.

që s’duroi dhe u këput

nga tronditja dhe turpi.

  Invalide mbeti si mëkati.

*  *  *

Sipër është 

Pallati i Sundimtarëve. 

Bie shi që nga atëhere.

Duar si të Pilatit

zgjaten, por nuk lahen 

kurrë.

*  *  *

Udha e Kryqit.

Ndalesa nr. 13,

lexon Eda ime…

Krishtin e zbresin 

nga kryqi.

  Kokën e Tij 

të përgjakur 

vë Eda në prehër.

*  *  *

Shkëmbi i Golgotës

i çarë

si zemër tragjedie.

Me xham e kanë mbuluar

si një arkivol në Kishë.

*  *  *

…vdekja është gjallë…

…atëhere s’paska vdekje…

*  *  *

Një degëz ulliri 

kam ndër dhëmbë, 

e brej si ankthin 

dhe një pemë tani

në Kodrën e Ullinjve 

kullon gjakun tim…

*  *  *

Trupi u bë violinçelë,

krahët – tastierë,

flokët – harqe.

Eda ime 

me tre Marie të tjera

krijuan një kuartet

rekuimesh të shenjta.

*  *  *

Ti që do të flasësh

në heshtje a në altar,

Fjala është dhe e fundit

kur të ketë ngjallur varre.

Pa datë, andej-këtej..

DIÇKA PËR PËRJETËSINË

Të përjetshëm

janë veç kafshët dhe tiranët.

Kafshët s’e dinë 

               që ekziston vdekja,

Tiranët e dinë se është 

               gjithmonë e tjetrit.

Vdekja është e barabartë

dhe në padrejtësinë e saj.

I dal përpara,

ta mirëpres dhe ta qortoj…

TE VARRI I KRISHTIT

Pa atë varr bota do të ishte më e vdekur, mërmerita. 

Jeruzalem, 15 nëntor, ora 6.11 e mëngjesit. 

Vetëm për vetëm mbeta te Varri i Krishtit,

Rashë aty dhe po e përqafoja. 

Rrasa e varrit mori drithmat e mishit,

Plagë mermeri më dha… mister… gozhda, 

Që pa mëshirë iu ngulën dhe shpirtit,

Edhe ajrit, hyjnoren për të vrarë. 

Po varri është bosh… Mrekullia e Birit 

I kishte ikur vdekjes… ja, te ky varr! 

Ngushëllomë, o Qiell, të përgjërohem,

Shpik ringjalljet! Si mund të vdesë biri?

Vazhdo. Që varret bosh të kuptohen…

Merrmë, s’ka pse të jetë jetim prindi.

Ballin përplasa mbi varrin e Krishtit,

Pllaka u ça si shkëmbi i Golgotës.

Oh, jo, kafka ime ashtu krisi

Dhe rrjedh si gjak dhimbja e botës.

KUNDËRUNGJILLI SIPAS JUDËS

…dhe Juda tha: unë u ringjalla, deshi Djalli dhe u bë,

s’mund të më çonte në parajsë, ku s’ishte as vetë, 

më shumë në qiell isha unë, i varur në degën e pemës, 

e këputi me dhëmbë litarin dhe rashë mbi tokë. 

Ngrihu, tha Djalli, shko dhe përhap gulçet e mia, 

ja, ashtu si puthjen tënde, njëlloj janë. Thuaj 

që Jezusi ishte një tjetër me emrin Jezus, i zakonshëm, 

asnjë mrekulli s’ka bërë, as predikime, besoni 

në mosbesimin tonë, as në burg nuk ka qenë, s’ka 

qeli të tij, as Fjalë të tij, lavdëro Barabën që s’dinte 

të shkruante, ngulmo që as holokaust nuk ka patur, 

as kampe përqendrimi, Aushvic, Spaç, as kryq, 

as pushkatime poetësh, mos harro të thuash që 

më e mirë është mospoezia se poezia dhe zhduki,

kopjoi më parë dhe shpërndaji si të tuat. Nuk ka

ringjallje tjetër veç tëndes. Të harrohen kryqi, krimet 

diktaturat, të zeza si shpirti im, të kuqe si fytyra jote,

kur puthe Krishtin, që të sundojmë ne dhe puth 

sa më shumë, nëpër darka shko, puth pa frikë këdo, 

puthjet e tua i shndërrojmë në kafshime dhe tortura, 

i estetizoj për teatrin dhe filmat, i japim në televizione,

puthja jote është arma ime, ndryshe unë s’jam. Me 

ulërimën time u bënë Lufta e Parë Botërore, por 

dhe të tjera të para para asaj, lufta e dytë dhe të dyta 

të tjera pas saj, murtajat, realizmi socialist, tërmetet, 

eksodet, pandemitë… Ruaj puthjen tënde dhe përhape, 

përhape, përhape Kundërungjillin tim, sipas Judës. 

NË NJË SHITORE, S’E DIMË KU JEMI

NË IZRAEL APO NË PALESTINË…

Te dera na dhanë nga një shportë për blerjet,

Të thurur me kashtën e rrezeve të kësaj dite.

Eda ime endet mes pasqyrave dhe vitrinave

Plot me diamante që ishin buzëqeshjet e saj

Dhe vë në shportë një byzylyk me kryq të florinjtë,

Unë – ylberin që u këput këtej kufirit. 

Eda – disa rruzare për t’i dhuruar të bekuara,

Unë – postbllokun mes Izraelit dhe Palestinës. 

Dy shaje zgjedh Eda, për ç’valle dasme?

Porositë e dy reve ushtare marr unë nga lart.

Eda gjen një Marie, unë kurorën me gjëmba,

Mjafto për sot, them. Vetë duart e Edës

janë shporta që mban brenda ëndrrën time…

…pas mesit të nëntorit 2022  

PËRPARA KRISHTIT

– Vazhdimi i një poezie të Naim Frashërit – 

Fytyra jote mua më tregon*, o Krisht,

Gjithë njerëzinë si në pasqyrën qiellore.

Me Ty u nda bota mrekullisht,

U krijua e shkuara dhe e ardhmja e kohëve.

Kaq shumë dhunë ka në Biblën e Vjetër,

Vëllai i parë në botë 

      vëllait ia nguli thikën në shpinë.

Ti solle dashurinë me Biblën tjetër,

Me Biblën tjetër Ti solle dashurinë.

Të duam, the, dhe armikun ta bëjmë vëlla,

Me dashurinë nga vijmë, 

                              kjo tokë duhet mbjellë.

Në mish të ngulën gozhdë të mëdha,

Kryqi që ngritën, të ngriti në Qiell.

Fytyra jote u bë Qiell nga të githa anët,

Me buzëqeshjet pafund të yjeve,

Prandaj dhe njeriu si kryq i hap krahët

Ti na le kryqin e përqafimeve. 

Eja! E presim ardhjen Tënde si shpëtimin.

Eja! Të ndalet djalli dhe çdo fund djallëzor.

Eja! Agimet prandaj sjellin agimin,

Eja! Ardhjen Tënde afrojnë, o Hyjnor!  

____________________________________________

*) Varg i Naimit në poezinë “Përpara Krishtit”.

KY SHESH I BUKUR NË JERUZALEM

Ky shesh i bukur në Jeruzalem

                              si kurorë e rënë nga lart…

jo, jo nuk mund ta krahasoj me kurorën 

         me gjëmba të Krishtit, ka kaq shumë 

vezullime gurësh si Kurora e Artë që mori 

Yehuda Amichai në një festival

                                            buzë një liqeni, 

të ndarë përgjysmë me vendin tim,

ja, si vera që i hedhim tjetrit nga gota jonë.

Pranë kishte një grua të bukur ai. 

                        Dhe ky shesh në Jeruzalem 

si ajo e shtrirë është, gurët 

                   kanë ngjyrën lakuriqe të saj.

Dhe kjo kthesa që të çon te Muri i Lotëve,

është si një varg në hebriaisht 

                                    i një poezie timen, 

e përkthyer nga Rami Saari, një tjetër poet, 

më i ri se unë. Te ky varg 

                    Eda ime po ushqen një mace, 

ç’po i jep, mos metaforën që sapo shkruajta?

Sheshi ngjan prapë me një kurorë, 

           kaq shumë mbretërore, 

nga kryet e Solomonit ka rënë? Ah,   

kisha një mik me këtë mbiemër, s’e di ku

ka ikur? Lutem: qoftë mirë! Ai do më njihte 

                me shkrimtarin David Grossman.

Djali i tij, Uri, tankist, u vra në Betejën 

e Dytë të Libanit, e ka shkruar 

             në romanin “Falling out of time”.

Ah, ky shesh po më rrotullohet 

                      si kulla e hekurt e tankut.

David! Edhe unë rashë jashtë kohës 

në një zi si tënden… nuk flas dot… 

Nuk dua të na dëgjojë Eda ime, vazhdon ajo 

të rrijë me macen hebreje, i duhet të bëjë patjetër 

                                                 një ledhatim

dhe nuk po shikon macen, duart e saj 

janë larg  si dy Betleheme… në një shpellë… 

mbi një Jezus foshnjë… 

                         që duhet rritur brenda vetes… 

                   i bukur dhe në kryq… 

A është afër shtëpia jote, David,

    nga ky shesh?

Që po më duket si një filxhan i madh kafeje

të hidhur, që do ta pijmë bashkë. Një herë ti 

nga njëra anë e një herë unë nga ana tjetër. 

Po si ta njoh shkrimtarin Grossman në rrugë? 

A del ai? Apo çdo njeri këtu është një David

                               dhe unë jam një hebre. 

Në Jeruzalem është hera e parë që vij,

po sa herë ka ardhur tek unë Jeruzalemi…     

I përlotur rri në anë të kurorës, 

                                         pres Edën time

me hapat e saj të më sjellë Tokë të Shenjtë… 

Porta e Zionit nga hymë në Qytetin e Vjetër, 

16 nëntor 2022 

*   *   *

Kohës që më vrau

si t’i jap një tjetër mundësi?

Nga plaga rrjedh gjaku i ringjalljes…

Dita e ikjes, Tel Aviv, 17 nëntor 2022 

BISEDA E KTHIMIT ME ANDREAS D.

Shën Andrea Apostull është dhe ungjillizues 

i shqiptarëve… (Sipas Radio Vatikanit) 

Andreas, ku e kishte të Shenjtën ajo Tokë?

Unë u përkula dhe e preka me duar:

Të njëjtë gurët dhe bari dhe plasaritjet

            si brengat

bregu, bregoret, ullinjtë dhe ujrat 

     si një zgjim i gëzuar fëmije,

po ai dhé, që mora dhe me vete në një kryq.

Retë e bardha 

         që kullosnin si delet në ëndërr,

më kujtuan ditën e të drejtave të kafshëve, 

                          që festohet në Izrael.

Dhe mendova se ditët janë të njeriut

                        dhe i nxënë të gjitha.

Toka, ku shkelim, në marrëveshje 

me Qiellin, na bekon. Mos vallë hapat 

i shenjtëron ecja e hyjnores

             me këpucët tona prej ere?

Edhe veten mund ta lësh, 

   por jo këtë udhëtim,

në kërkim të Birit. Që je ti përtej vetes,

që është e tëra pa ty, 

           prani tronditëse e mungesës.

Tmerri është kur nuk i mungon askujt, 

po le të vazhdojmë në gjurmët e Birit

si në ato të Atit.

– At’jon! – ma kthen jehonën e thirrjes time

Toka e Shenjtë përtej vendeve dhe kohës, 

                   në jetë të jetëve. Amen!

Filed Under: LETERSI

Shkrimtari, poeti, pedagogu Rudolf Marku me opinion për poeten shqiptaro-amerikane Arjana Gaba Fetahu

March 10, 2023 by s p

Profesor Rudolf Marku/

Poezitë janë të bukura, shkruar me ndjeshmëri dhe përkushtim poetik. Duket se autorja e merr seriozisht poezinë, jo thjesht si një hobi. Nga të katër poezitë, më shumë me pëlqyen “E ëmbla, e hidhur dashuri”  dhe “Kam një mijë arsye!”. Mendoj se këto janë më të bukurat, sepse janë dhe më intimet, më afër shpirtit të autores, më të ndjerat.  Ndërsa dy të tjerat, dhe sidomos ajo e fundit më jep përshtypjen e një poezie që thjesht shkruhet. Më pëlqen, te “Kam njëmijë arsye”, vargu”…më la duke pritur mbi varg” ( pranvera). Varg i papritur dhe i ndjerë.

Ndërsa tek “E ëmbla dashuri”:

E ëmbla e hidhur dashuri,

Me gjysma hëne,

Me diell e shi,

Herë me zë bilbilash,

Herë me simfoni,

Sa herë më zu bora,

E dot nuk u shkri.

Apo:

KAM NJËMIJË ARSYE

Kam njëmijë arsye që të vij tek ty,

Ylberët harkojnë e ndalin shumë larg,

Pranvera po krihet e lan ata sy,

Dhe mua më la duke pritur mbi varg.

Ndërsa poezitë “Djalit tim i duken përralla” dhe “O flamur je …:, më duken poezi më racionale dhe më me pak ndjeshmëri poetike!

Se çkish ajo verë një tjetër magji,

Pa më pyet ku shkoi gjithçka,

U zhveshën kalendarët një e nga një,

Ajo botë me sy, më s’u pa.

O flamur të kam në gjak,

Je betimi që marr hak,

Për Atdhe turrem në flakë,

Poezitë e kritikës nga profesor Marku:

E ËMBLA E HIDHUR DASHURI

E ëmbla e hidhur dashuri,

Me gjysma hëne,

Me diell e shi,

Herë me zë bilbilash,

Herë me sinfoni,

Sa herë më zu bora,

E dot nuk u shkri.

E ëmbla e hidhur dashuri,

Shpesh ngrita fole,

Pa derë e çati,

Herë më ngije lart sikur me magji,

Dhe më ke treguar,

Se ku Zoti rri,

Dhe prap humbisja rrugën,

Kur vija tek ti.

E ëmbla e hidhur dashuri,

Sa herë më pikon lot,

E ndez një qiri,

Sa herë më çel buza,

Besoj tek ti,

Sa herë dua të iki,

Aq herë dua të rri.

E ëmbla e hidhur dashuri,

Me yje të ftohtë,

Me diell në gji,

Me krahë pëllumbash,

Të vrarë në stuhi,

Me shpresën e bardhë,

Tek shkojnë,

Në liri.

E ëmbla e hidhur dashuri!

Neë Jersey, March 2022

KAM NJËMIJË ARSYE

Kam njëmijë arsye që të vij tek ty,

Ylberët harkojnë e ndalin shumë larg,

Pranvera po krihet e lan ata sy,

Dhe mua më la duke pritur mbi varg.

Kam njëmijë arsye oh sa shumë,

Ndërkohë dhe pemët po vishen me gjeth,

Ky diell krenar nuk po ka aq fuqi.

Ndaj kjo mungesë si dimer rrënqeth.

Kam njëmijë arsye qe ti ndoshta s’di,

Ndonjërën dhe s’mund ta besosh,

E di do te qeshësh siç qesh një fëmijë,

Kur ta them në vesh ta dëgjosh.

DJALIT TIM I DUKEN PËRRALLA

Kur vinte vera ajo e dashura,

Atëherë se çkish një tjetër magji,

Një herë në vit na blinin sandale,

E ne gëzonim si të ish “Vit I Ri”.

E linim çantat në ndonjë qoshe,

Shtatori na dukej shumë larg,

Ato ditë të veres i kishim,

Si qershi të shkuara në varg.

E lëshoheshim ca nëpër dete,

Ca i qëllonte te shkonin në fshat,

Të hipje në trenin që gjarpëronte,

Dhe kjo padyshim ishte “fat”.

Pa kemi hipur si majmunë në pemë,

Me mollë dhe një vakt e kalonim,

Gjithë ditën buçisnin oborrët,

Nga zërat tanë që ushtonin.

Ne kishim një tjetër lumturi,

Por ajo ish vetëm atëherë,

Djalit tim i duken përralla,

“Na ishte njëherë”

Se çkish ajo verë një tjetër magji,

Pa më pyet ku shkoi gjithçka,

U zhveshën kalendarët një e nga një,

Ajo botë me sy, më s’u pa.

O FLAMUR JE SHQIPËRI

O flamur të kam në gjak,

Je betimi që marr hak,

Për Atdhe turrem në flakë,

Je në gjoksin tim i dlirë,

Si një lule bukur mbirë,

Me ty jam Shqiptar i ilirë.

O flamur je Shqipëri,

Je Kosovë, je Çamëri,

Je Atdhe, je dashuri!

Je fuqia e një sharkie,

Je buzëqeshja e një fëmije,

Rritur në ninullë lirie,

Të valvitesh mot më mot,

N’tokë të babës të jem zot,

Të mos shoh të nënës lot.

Filed Under: LETERSI

“Rob – Një biografi për dy kohë” autobiografi me përjetime reale shkruar nga Beqir Sina

March 8, 2023 by s p

Tomë Mrijaj/

Gjatë gjithë këtyre vitëve dhe dekadave që jetoj dhe punoj në SHBA, fati dhe historia më ka dhënë mundsi të njoh shumë figura dhe personalitete të shquara të botës shqiptare, të cilët në rrugë a forma të ndryshme ikën nga sketerra komuniste e diktatorit Enver Hoxha, që e kishte kthyer shtetin amë në një kamp burgu për popullin e tij. 

Une kam pas nderin dhe privilegjin të njoh nga afër edhe babain e Beqirit, Rasim Sinën, i cili ishte një figurë e dashur e komunitetit tonë, sepse nga valet e radios antikomuniste në New York, ai pasqyroj regjimin e egër komunist dhe tregoi vazhdimisht se rruga e jetës dhe shpresës ishte vetëm Amerika, për një jetë më të mirë për antarët e komunitetit tonë, sepse ishte model si vendi më demoktatik i botës. 

E them me plot gojën, se Beqiri që nga dita e parë kur shkeli në Tokën e Bekuar të Amerikës ishte dhe mbeti vijues i kujdesshëm i rrugës së babait të tij të paharruar.

Gjithashtu mund të them me bindje të plotë nga faktet historike, të përjetuara deri në ditët tona, se dyshja gazetareske Rasimi dhe Beqir Sina, atë e bir, janë dy gurë të çmuar të publiçistikës shqiptaro-amerikane për disa dekada me radhë, si dy breza të përkushtuar misionit të dashur e fisnik të gazetarit në studio dhe terren, duke përjetuar dhe pasqyruar ditë pas dite historinë e komunitetit tonë në SHBA. 

Midis shumë intelektualeve të shquar këtu, unë njoha nga afër mikun tim të mirë gazetarin e përkushtuar të komunitetit tone, atdhetarin e dashur të vendit të tij Beqir Sina, i cili është edhe biografi i shquar i qindra dhe mijëra ngjarjeve, kronikave, aktiviteteve me profile të ndryshme të njerëzve me nivele dhe profesione të ndryshme, që fati i jetës i kishte sjellë si emigrantë këtu, sepse kudo është kamera dhe penda e tij, për pasqyrimin me realizëm dhe në kohë reale të ngjarjeve brenda bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë, detyrë të vështirë dhe fisnike, të cilën e ka bërë dhe e bën FALAS, me pasion e përkushtim fisniku, pa ndërprerje për shumë dekada deri në ditët tona. 

Ai, sot është emri më i mirënjohur brenda nesh dhe të tjerëve, që për një arsye a tjetër nuk munden të jenë sot në këtë ditë të rëndsishme të historisë sonë këtu. 

Të gjithë ne, që jemi mbledhur këtu sot, për promovimin e historisë së Beqirit, që është edhe pjesë reale e historisë së dhimbshme të miliona shqiptarëve të shtetit amë, të pushtuar keqas për pesë dekada nga komunizmi fatkeqsisht shqiptarë. 

Për hir të realitetit historik, duhet thënë, se për disa dekada në SHBA dhe në veçanti në shtetin e New York-ut me rrethina, shumë pak shqiptaro-amerikanë kanë njohur nga afër historitë e dhimdshme të familjes Sina dhe veçanërisht kalvarin e gjatë të mundimeve të familjes dhe gazetarit të shquar dhe stoik Beqir Sina. 

Nëna  e tij sokoleshë dhe fisnike Hane Sina, ishte një nënë e gjallë e pamposhtur dhe martire, e cila i mbijetoi me dinjitet vuajtjeve të njëpasnjëshme, që kaloi në kampin e vdekjes së ngadalshme, sikurse quheshin asokohe të gjithë kampet e zeza komuniste-naziste të përqendrimit dhe punës vdekjeprurëse së detyruar si skllevër, në fshatin e humbur në Savër të Lushnjës… 

Shqipëria e mjerë dhe martire njëkohsisht, gjatë vitëve të zymta 1944-1990, fatkeqsisht kishte 46 burgje të tmerrshme, që mund të krahasohen për krime sadiste me ato naziste të Mat’hauzenit dhe Aushvicit, si dhe asokohe ajo kishte dyfishin e kampëve shfarosëse të përqendrimit, ku u pushkatuan dhe vdiqen me qindra dhe mijëra personalitete dhe ajka të ndritur të atdhdashurisë, nacionalizmit dhe kuturës mbarëshqiptare, figura të papërsëritshme të kombit tonë, të cilët të gjithë sëbashku kishin përfunduar studimet e larta akademike në universitetet më prestigjioze të botës dhe Europës Perëndimore…

Me modestinë e tij karakteristike, Beqiri asnjëherë nuk ka folur dhe shkruar për historinë e tij dhe familjes, kalvarin e vuajtjeve të pambarim, që komunizmi dhe diktatori analfabet antishqiptar Enver Hoxha i shkaktoi atij dhe mbarë popullit hero shqiptar. 

Por, Sina në SHBA rilindi dhe u ringrit krenar plot dinjitet, sikurse Sfinksi, që nga rrënojat apokaliptike të vdekjes apo pluhuri i madh i diktaturës më të egër e çnjerëzore komuniste në botë. 

Këtu ai u shfaq me talentin e tij si një personalitet dhe figurë e shquar e diasporës sonë, duke bërë vazhdimisht me kamera dhe pendë dora-dorës historinë e komunitetit tonë, duke i pasqyryar ato në qindra dhe mijëra faqe shkrimore nëpër gazeta, revista, website rrjetet sociale bashkëkohore dhe kanaleve televizive shqiptare si korrespondent, në të gjithë trojet etnike shqiptare. 

Të gjithë e dijmë, se ku është prania e gazetarit të palodhur Beqir Sina, është përshkrimi i historisë me gëzime dhe hidherimet e saj dje dhe sot të komunitetit shqiptarë, në gjithë shtetet e Amerikës, atdheun tonë të dytë. 

Kushdo nga pjesëtarët e komunitetit, që ka shkruar një libër personal, me kujtime apo histori të komunitetit tonë, i është referuar vazhdimisht shkrimeve dhe kronikave të sakta të gazetarit të kudogjendur dhe të palodhur Beqir Sina. 

Ai vetë është një arkiv i gjallë realist, që do ta kishte zili çdo komunitetet joshqiptar, që vepron prej dekadash në SHBA, shtetin gjigand që me ose padëshirë dhe për arsye të evolucionit historik bluan në morsën e kohës histori dhe kultura të larmishme të komunitetëve të tjera joshqiptare.

Eshtë e dhimbshme të lexosh me shumë kujdes kujtimet e trishtuara plot emocione historike jetësore, të përjetuara për disa dekada në ferrin burg nga miku im Beqir Sina, gjatë kohës së barbarizmave të sundimit të sistemit komunist absurd në Shqipëri, në harkun kohor të viteve 1944-1990. 

Libri i ri: “Rob – Një biografi për dy kohë” (Tiranë, 2022), është një autobiografi e re rrënqethëse, me përjetime reale shkruar nga Beqir Sina, rrëfen fletë pas flete për vrasjen dhe burgosjen e lirisë, shpresës dhe të ardhmes të autorit. 

Ai me modesti gazetari profesionist e risjell veten e tij në dy kohë, njera brenda sistemit komunist në burgun e madh, ku e plandosi Shqipërinë regjimi i diktatorit Enver Hoxha, dhe tjetra kohë është drita dhe shpresa, që rikthehen tek zemra e tij e burrëruar, pas vitëve 1990 deri në ditët tona.

Libri në fjalë, i gazetarit veteran të komunitetit shqiptaro-amnerikanë Beqir Sina, vjen për herë të parë para lexuesve shqiptarë, me një histori rrëfimi plot përjetime emocionale të trishtuara, gjatë kohës së komunizmit të zi, duke na dhënë biografinë e vet në dy kohë ose përballë dy sistemeve në kontraditë të papajtueshme me njeri-tjetrin, mes komunizmit dhe demokracisë së sistemit kapitalist, ku tek kjo e fundit mbi të gjitha respektohen me ligj dhe praktikë liritë dhe të drejtat e njeriut. 

Vepra në fjalë, ka 416 faqe, ku fletë pas flete tregohet me detaje realiste jeta e vetë autorit në komunizëm dhe lirinë e ëndërruar, që ai më në fund e gjeti si shpresë të re vetëm në Tokën e Bekuar të Amerikës. 

Autori i autobiografisë së parë Beqir Sina lindi në Savrë të Lushnjës në vitin 1957 dhe fati i tij u vulos që në atë moment në megaburgun e zi të komunizmit. 

Zoti mrekullibërës, ishte dëshmitar i sprovës së jetës së tij, mes dy kohëve apo sistemeve që ai kaloi, duke mos u mposhtur mbi të gjitha nga brutaliteti i ashpër i diktaturës vampire komuniste. 

Ai e ndiqte me dhimbje famijen e pamposhtur Sina, të shpërndarë fatkeqsisht nga sistemi komunist mes dy kontinentëve Europës dhe përtej Oqeanit në Amerikën e Veriut. 

Pa lindur mirë, atij iu mohuan të gjitha të drejtat e njeriut, brenda burgut të  madh shqiptar. Dhe kështu vit pas viti, fëmija i brishtë i porsalindur në kampin e përqendrimit, ku iu desh të kalonte jetën në mjerimin familjarë dhe mizerje kolektive, që e kaploi fatkeqsisht vendin e shqiponjave nga viti 1944-1990. 

Personazhi kryesor i veprës autobiografike Beqir Sina, dora-dorës dhe në mënyrë kronologjike përshkruan realisht brutalitetin original të fytyrës hipokrite të regjimit fashisto-komunist, duke na e dhënë apo zbardhur për herë të parë për ne, që nuk e denim, realisht se si jetonin të zitë e ullirit bashkëvëllezërit tanë në Shqipëri.

Duke kundruar me kujdes faqet e librit historik, shohim se ai sjell një rrëfim pa kompromis, flet me dinjitet dhe me të njëjtin durim mbijetese që tregoi ai dhe familja e tij, gjatë viteve të gjata të vuajtjeve në Savër…

I uroj autorit dhe mikut tim të dashur gazetarit Beqir Sina suksese, për këtë libër të shkruar për popullin shqiptar në vendlindje dhe ne këtu në SHBA. 

Libra të tillë, me profile kujtimesh të papërsëritshme, janë të mirëseardhur, si gurë të çmuara në kujtesën e paharruar të historisë së popullit tonë martir.

Faleminderit për vëmendjen!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Tom mrijaj

POEZI ME KULTURË, PËRMBAJTJE DHE EMOCION

March 4, 2023 by s p

Dr. Sc. MIGENA ARLLATI/

Parathënie e vëllimit poetik “E DIELA E FUNDIT” e poetit SHPEND A. GJOCAJ.

Një kolazh tepër i këndshëm dhe me peshë poetike është ardhja më e re e autorit Shpend Gjocaj, e përmbledhur nën titullin “E diela e fundit”. Pas një heshtjeje të gjatë plot 12-vjeçare përsa i përket botimeve, Gjocaj vjen me këtë vëllim me të cilin ai si poet na konfirmon se një krijues mund edhe të mos botojë për një kohë relativisht të gjatë, por asesi s’mundet të mos shkruajë, pasi krijimi për tëështë vetë shpirti. Lënda poetike e akumuluar, krijuar e poetizuar brenda një periudhe më shumë se një dekadëshe, e filtruar dhe klasifikuar në vite, tashmë është e gatshme të dalë nga “pronësia” e poetit dhe të bëhet “pronë” e lexuesit. Autori nëpërmjet pesë cikleve të poezive na përfshin në një galaktikë të vërtetë ndjenjash, të cilat shfaqen herë si copëza kujtimesh dhe herë si copëza ëndrrash. Në të dyja rastet, përjetimet dalinnë vargje me një sinqeritet të rrallë, sinqeritet i cili i ngarkohet verbit me peshë, pra fjalës që të mbet në mendje, fjalës që mbetet gjatë në ty e të detyron të merresh po aq gjatë me plotkuptimësinë e saj.“Unë e di çka është dashuria”, “Dielli i atdheut”, “Ati, biri, poezia”, “Shpirt i dehur”, “(Pa)vdekësia”, janë titujt e pesë cikleve ku autori çkodon artistikisht kodet mbi dashurinë, jetën, njeriun, vdekjen. Pavarësisht renditjes së tyre, pra pavarësisht renditjes së tematikave frymëzuese, që të pesë ciklet janë po aq të rëndësishëm si në përjetimin autorial, ashtu edhe në ndërtimin vargor, pasi autori ndjen, emocionohet dhe krijon një potencial maksimal si kur shkruan lirikë për dashurinë e zemrës, po ashtu edhe kur shkruan për mallin dhe shqetësimet ndaj atdheut, si kur shkrihet në një me familjen në përjetimet ndaj babait, ashtu edhe kur shkruan për poezinë si mundësia e artë për ta shfaqur shpirtin e tij në dimensionin më të thellë. Ndaj, do të thoja se të pesë ciklet, pavarësisht renditjes në libër, qëndrojnë paralelisht njëri-tjetrit në mënyrën se si autori iuështë përkushtuar. Ai gjen mënyrën si ta trajtojë me një rrebesh ndjenjash të bukurën, të mirën, delikaten, të dashurën; se si ta shfaqë me vërtetësi të pakrahasueshme dashurinë për atdheun të cilin nuk e do vetëm me fjalë; se si të shtrydhë retë bashkë me qiellin në dhembjen për largimin nga jeta të babait, dhembje kjo që zgjat pambarimisht; se si me plot gojën të shfaqë kredon e tij poetike, ani pse i duhet të pranojë se bashkë me të qenurit poet ai po ashtu është paksa i çmendur; dhe se si lutet me gjithë qenien që frymën e fundit ta lerë atje ku të parën ka marrë. Poezitë e këtij vëllimi i ngjasojnë një imazhi me konture të padukshme, të shtrirë gjatë, skajshmërisht gjatë në horizont.Dashuria mbetet boshti tematik i së tërës, harmonizimi i së cilës përvijohet ku më shumë e ku më pak në çdo nënndarje.Shpalosja e brendësisë personale / intime me vijat erealitetit jetësor, arrihet me mjetet e krijimit që për autorin janë frymëzim i vazhdueshëm.Që në ciklin e parë, “Unë e di çka është dashuria”, që në poezinë e parë me të njëjtin titull, Gjocaj na vë përballënjë kompleksiteti ndjesish duke na dhënë përshtypjen se poezia e tij ka shqisa, kurse vargu tinguj e zë. Ai e njeh dashurinë në çfarëdolloj forme të shfaqet, ndaj është në gjendje ta ndjejë atë edhe në lëvizjen e më së voglës qelizë. Poeti nuk ka nevojë për përgjigje pasi pyetjet retorike nuk vijnë aspak në funksionin pyetës. Ato më shumë konstatojnë dhe vulosin atë se çka është dashuria. Në kushtimet ndaj dashurisë, poeti i referohet më së shpeshti lules, duke e perceptuar atë si një qenie në të cilën shkrihen në simbiozë: bukuria, aroma, brishtësia, delikatesa, hijeshia, ndjeshmëria, ëndja për ta pasur… Ky perceptim i ndërthurur ka si bazë thjeshtësinë mbi të cilën mbivendosen të gjitha cilësitë e tjera. Me thjeshtësinë ndaj dashurisëe bën edhe më madhështore figurën e të dashurës, gjë e cila na konfirmon se ndjesia e tij për të dashurën dhe të bukurën në poezi janë paksa lasgushiane. Autori të mahnit me sinqeritetin e skajshëm: “Për ty, dashuria ime e çmendur / çmenduria ime e dashur…”Antitezat e shpeshta na japin të kuptojmë se pavarësisht ndërrimit të gjendjeve, poeti mbetet njëkohësisht rob dhe mbret brenda së njëjtës dashuri: “Paradite… Jeni vet jeta, toka, dielli / më shumë se vet parajsën bëni… Pasdite… Helm e vrerë villni e yshteni / drejt meje suleni të më vrisni…”(Ti dhe dashuria). Kështu, lirika e tij arrin shkallën më të lartë kur subjektin në të cilin përqendrohet emocioni e vesh me ndjesi përtej njerëzore: “E njoh një engjëll si femër / mendova, një femër si engjëll!…”, dhe sërish e bën atë tokësore dhe të shkrirë me veten për të treguar mishërimin në frymim e lëvizje: “…si pelerinë më është bërë / e mbaj veshur kudo” (E njoh një engjëll). Si një shpend i lirë shtegtar, imagjinata lëviz nga ëndrra në ëndërr(Imagjinata ime) ndërsa shpirti i dridhet në ndjeshmëri absolute: “Fute shpirtin tim në vazo si lule / ujite sa herë që Ti ke nevojë për ujë…”(Fute në vazo).Efekti i harmonisë së plotëlë mbresë të jashtëzakonshme.Ka poezi tepër të bukura ky cikël. Ndoshta kjo arsyetohet më faktin se autori ka shpirt të bukur i cili din jo vetëm tëdashurojë por edhe ta respektojënë kulminacion dashurinë. Duke ditur se thjeshtësia është gjysma e bukurisë dhe se bukuria ideale ekziston vetëm në art, poeti sërish befason me efektin thjeshtësi – madhështi: “…Më kujtohet si sot / asgjë s’të bleva atë ditë / veç të mora…/ Mendova, dashuria është mjaft!”(Dasmën do e bëjmë). Dhe tashmë që harta e lumturisë familjare është kompletuar me fëmijët, ata janë: “…kënga e pambarim / melodia më e bukur e jetuar në jetën tonë” (Dimali). Marrëzia poetike, realja dhe irealja, jo rrallë herë bëjnë vend nëndijimet e tij. Ngjyrat, aromat, lëvizjet bëhen një, duke na mahnitur me lojën poetike që apriori luhet në mendjen e poetit (S’i ndihmova dot). Me sa shohim, shpirti i poetit nuk ka skuta, është i qartë, transparent dhe si i tillë, pakuptueshëm, bëhet joshës në qasjen konceptuale ndaj shijimit të dashurisë. Në ciklin e dytë poetik, “Dielli i atdheut”, vargjet tjetërsohen në përsiatje malli e mungese ndaj vendlindjes, vendit të rrënjëve, tokës për të cilën poeti që në rini ishte i gatshëm të jepte jetën.Malli, kjo përmendore e padukshme, ngarkohet me jehonën e psherëtimave të largësisë dhe pamundësisë që nga kontineti i largët, ku autori jeton e punon.Poeti Gjocaj shfaqet tërësisht i lidhur me përditësimet në atdhe, pavarësisht faktit se vetja e tij, fizikisht, është vërtitur përtej oqeanit.Bien qartë në sy notat diku të përmalluara e diku të shqetësuara të cilat me sinqeritetin e pakursyer krijojnë një binom shprehës për tërë format e jetës përqark atdheut.Maturia dhe ndershmëria personalekëtu kthehen në cilësi tëparë. Ai vulos qartazi misioninpersonal e poetik në sentencën titull: “Atdheu s’duhet vetëm me fjalë” dhe përmes poezisë urdhëron: “Nëse atdheu dridhet / bëhu diell i tij / ndriço, ngroh dhe prapë ndriço e ngroh / Diell mbi atdhe qëndro”. Dhembshuria, gatishmëria, dëshira për kthim, ndjesia se me gjithçka që ka i takon tokës mëmë, ndërtojnë një vullkan të tërë ndjenjash, nga i cili shpërthejnë vargjet që nuk janë tjetër veçse llava e shpërndarë në secilin krijim.Sinqeriteti dhe pesha e fjalës shfaqen sërish në nivelin më të thellë. Ato diktojnë efektin e magnetizmit: “Të egër ma kanë bërë atdheun / të mirin, të dashurin, të bukurin atdhe!…”(A të vret atdheu).Kjo poezi me të vërtetë mund të konsiderohet një ode për fisnikërinë pasi poeti, për asnjë arsye nuk lëkundet nga pozicioni i tij në shërbim të atdheut, pavarësisht çdo rrethane.Tashmë, kur vitet në jetën e tij kanë filluar të pëshpërisin me shenja të mesmoshës, kur vitet lëvizin e rriten, poeti kupton se atje në atdhe është vendi i përhershëm për të marrë ajër.Ky mendim e mban të kthjellët ndaj i shtrydh të gjitha mundësitë për të treguarse edhe vdekja don që ta marrë atje, në atdhe (Do të kthehem). I tretur larg, dhembja e tij është shumëfish më e madhe. Largësia mban peshën e mallit, zbrazëtinë e mungesës, amanetin ndaj vetvetes për t’u rikthyer gjallë a vdekur, e plot e plot ndijime që plotësojnë idenë se përpara majave të maleve të vendlindjes të gjitha të tjerat janë grimca e pluhur. Me trup në Amerikë e me mendje në Kosovë, endet pambarimisht mes dy gjendjesh, i detyruar t’i bartë njëherësh në qenien e tij. Është dielli i atdheut ai që sërish ia ngroh zemrën: “Pata mendu një copë diell bre / me e marrë k’si rendi / se shpirti akull më është bërë…” (Gjërat në gjysmë më mbetën).Ndarjet mbajnë mes tyre dhimbje apokaliptike ndaj secila ikje, secili largim anatemon aeroportet: “Sa herë e shoh si varr më duket / …kjo godinë gjigande / ngritur mbi themelet e lotëve të paskaj” (Si nuk çmendet aeroporti). Metaforat e fuqishme shpesh herë pllakosin vargje të tëra, duke i shndërruar poezitë në krijime nga të cilat lexuesi merr fuqi poetike e prozaike bashkë: “…këngët vdesin njëra pas tjetrës / e dielli i huaj as këmbët nuk t’i ngroh”, ose “…rrini aty ku edhe gurët ju njohin” (Mos bëni si unë). Jo rrallë herë këtu shfaqen vargje idealiste të shtjella në bashëkohësi.Disa njerëz vijnë në jetë si bekim e disa të tjerë vijnësi mësim. Përveç ndjenjës kulmore për atdheun, Shpend Gjocaj na sjell edhe poezi në të cilat vërejmëmënyrën si iu qaset problemeve, poezi që dallojnë për sensin kritikdhe për stilin konciz. Ai, si djalosh fare i ri, ka marrë pjesë aktivisht në luftë për mbrojtjen e Kosovës ndaj me plot të drejtë i dhemb çdo ind i brendësisë shpirtërore kur vëren se shumëçka nuk është siç duhet të ishte. Këtu, identiteti i tij del fuqishëm i shumëfishuar si ushtar i UÇK-së, atdhetar, shtetas i ndërgjegjshëm dhe poet. Me guximin për të thënë të vërtetën edhe nëse ajo dhemb, autori na sjelldisa poezi që nxjerrin në pah faktin se ai s’i thotë të zezës e bardhë. Qëndrimi poetik këtu kthehet në mision mbrojtës ndaj atdheut, tashmëjo me pushkë si në fundvitet ’90-të por me pendë dhe vërtetësi (S’mërzitem unë, Pse e vratë lavdinë komandantë, Ç’qen do të kishim, Oligarkët, Bëhu e imja sonte etj). Cikli i tretë: “Ati, biri, poezia” përmban krijime tepër të ndjera për babain, i larguar tani së voni nga jeta.Titulli merr shkas nga ndërtimi i triremës: Ati-Biri-Shpirti, por këtu shpirti është poezia, pasi poezia është vërtetë shpirti për poetin. Babai tashmë i shkuar nga kjo jetë bëhet epiqendër për tëbirin të cilit i dhemb vdekja e prindit, vdekje të cilën e shndërron në krenari për vete e familjen, dhe si të mos i mjaftonte kjo, e ngre në art duke e transformuar në frymëzim të ndjeshëm poetik.Shtjellimi logjik të dërgon në njohjen e jetës dhe filozofisë së saj.Vdekja si nocion jetësor është i pranueshëm për poetin, ai është në gjendje të përballet dhe ta pranojë atë, por para prindit, djali poet tregohet i dobët. Zemra i çahet, fjalët i ngushtohen në fyt, dhe rrjedhimisht vargu dhemb. Pikërisht nga ky frymëzim merr titullin edhe i gjithë vëllimi. “E diela e fundit” nuk është gjë tjetër veçse e diela e fundit kur e tërë familja, vajza e djem, nipa e mbesa, me në krye babain, ishin të gjithë së bashku në një tavolinë të madhe: “…Ty, zemra e syri plot t’u mbushën, e kam parë / thua se e bëmë drekën lamtumirëse / veçse nuk ditëm të t’thonim: / “Na e bëj hallall…!” Pastërtia e rrëfimit tashmëna rishfaqet në një tjetër dimension dhe sikur don të na kujtojë se sado të rritur, para prindit sërish ndjehemi fëmijë. Kjo poezi, me fjalor të thjeshtë por me fuqi të madhe shprehëse, me figuracion të ndërthurur poetik, vjen lehtësisht e transmetueshme si pasojë e natyrshmërisë me të cilën na rrëfen ditën, dasmën, vdekjen, urdhërin e Zotit, aktin e mbulimit me flamur… Pakuptueshëm, në vargje bëhet kalimi i gjendjeve nga djali te poeti dhe anasjelltas. I pari thotë: “Veçse nuk ditëm të t’thonim: / “Na e bëj hallall…!”. I dyti thotë: “Sa ëndrrat i patëm / e sa shpejt ëndërr u bëre…”.Paralelizmi dasëm-vdekje ngre në piedestal këngën e dhembjes.Qoftë si frymëzim letrar, qoftë si formë shkrimi,këtu tragjikja dhe e madhërishmja sendërtojnë ndjeshmëri të së bukurës, sado që bëhet fjalë për mort: “kortezhi yt i ngjante kolonës së dasmorëve…”,“sa e bardhë ishte ajo vdekje…” (Qielli i shtrydhte retë atë ditë). Shpirti i poetit arrin përmasën e plotë në ciklin e katërt: “Shpirt i dehur”. Autori Shpend Gjocaj qënë moshë të re është dalluar për aftësi, inteligjencë dhe dell poetik, si një krijues me potenciale tepër premtuese, dhe ja, vitet vetëm sa vërtetuan jo thjesht praninë por edhe nivelin e prurjeve të tij në artin letrar. Por nuk është i lehtë çmimi të jesh poet, megjithatë as nuk mund të heqësh dorë aq lehtë.Mes tyre edhe ai, si të gjithë poetët, jetojnë, ecin, flasin, flejnë, zgjohen, luajnë, përplasen… “Por s’heqin që s’heqin dorë poetët / veten e tyre të fundit e duan / janë pak të çmendur poetët…”(Poetët janë pak të çmendur).Kjo poezi nuk është thjesh poezi. Në të vërtetë në këto vargje del haptazi se Shpendi është i pushtuar nga poezia, aq sa ajo jo rrallë herë bëhet torturuese për qetësinë e tij. Por, po të citonim Sh. Bodler, do të thonim se është një dhimbje e bukur,:“pak të çmendur janë poetët, të çmendur…/ Ata, edhe kur dheu dhé i bën / të dashuruar mbesin!”Transparenca e meditimit arrin nivele aq të qarta saqë kuptojmë se kemi të bëjmë me një pastërti të kulluar poetike: “Të jesh poet dhe larg / dera e lotëve dhe e mallit rrallëherë mbyllet!”(Poet dhe larg).Dhe megjithatë, modestia e tij nuk njeh limit, sidomos në çastin kur si njerëzisht ashtu edhe poetikisht, përulet para Lasgushit (kryepoeti) dhe Agim Ramadanit (kryeluftëtari poet). Poezia dhe lufta për çlirim vetkuptueshëm na shfaqen si dy misione në të cilat poeti Gjocaj është përfshirë, duke përmbushur “detyrimin” kombëtar dhe atë artistik. I ulur këmbëkryq në faltoren e modestisë, ai thjesht shfaq respektin maksimal ndaj dy emrave, kupto: dy lavdive të artit dhe të luftës, për të cilët është në gjendje të përulet rrafsh në tokë. (Edhe krenarisë ia tregoj shkallët). Ky kapitull është përplot poezi të bukura, mes të cilave renditen jo vargje por krijime të tëra mjeshtërore, sikurse edhe poezia me titull sentencën qëllimore dëshirore: “Pa u bërë poet i mirë s’kam me e lënë!”.Edhe cikli i pestë, “(Pa)Vdekësia”, pavarësisht se i fundit, ruan të njëjtin nivel frymëzimi dhe krijimi sikurse i gjithë vëllimi. Nocioni i të qenurit apo i të mosqenurit bëhet aq shpesh i pranishëm saqë pavetëdijshëm autori na jep të kuptojmë se sa shumë përkujdeset për kohën kur të mos jetë më. Sado që një përqasje e tillë mund të tingëllojë filozofike, Gjocaj e sjell aq njerëzore dhe të prekshme, sa që shpesh të krijon përshtypjen se bëhet fjalë për një diskurs të vërtetë dhe jo imagjinar. Përderisa jeta e tij ishte ngushtësisht e lidhur me atdheun, edhe vdekja po ashtu do të jetë e lidhur me të: “Jeta është si atdheu / egërsohet sa herë që ne e egërsojmë” (Nëse do vdisja sot), “Frymën time të fundit / ta lë ku të parën marrë e kam!” (Ky vend). Sado që poeti është i ri në moshë, ai shpreh shqetësim për vendvarrin pasi është i vetëdijshëm sa shumë ka bërë për këtë tokë. Kjo domosdoshmëri vjen në sajë të faktit se qenia e tij ishte e gatshme në çdo çast të jepte edhe gjakun e fundit për atdhe: “…Një vend për varr / Kosharja ma mban!” (Një vend për një varr). Në këto poezi, autori ka betonuar pazgjidhshmërisht lidhjen luftëtar-tokë, për të vërtetuar sërish se si dikur në luftë, edhe tani në paqe, për të e jep jetën dhe vetëm asaj i përket. Po në këtë cikël ka poezi të tipit meditativ: “Kur të mbes thjesht një kujtim / a thua çfarë shije do të kenë kujtimet tona…” (Kur të mbes vetëm kujtim), ose poezi me monologë dhe dialogje imagjinare: “…E pastaj qajmë bashkë / ta përkëdhelim varrin tashmë të gjelbruar / si fytyrën tënde dikur”(Nëse vdes unë). Megjithatë, poeti e di se nuk është në moshën për të shkuar nga kjo jetë dhe se ende ka shumë për të bërë, ndaj thotë: “Nëse vdekja sot do çmendej / dhe do nisej drejt meje / s’do ta pranoja / derën asesi s’do t’ia hapja” (Nëse vdekja do çmendej sot). Po ashtu, në disa krijime autori ka gjetur mënyrën të trajtojë kohën e mbylljes nga pandemia Covid 19 e cila aktualisht ende po vazhdon.Të mbyllësh poetin, të izolosh qenien e tij, t’iakufizosh lëvizjet është vdekje për së gjalli. I sprovuar rishtazi nga kjo mënyrë jetese, ai definon: “…Karantina, kjo dhunuese e pashpirt e duarve t’mia t’lidhura”. Teksa ia numëron vetes brenda mureveditën e radhës në karantinë, shpirti i gjëmon: “Gjëma e kësaj nate i dridhi tokë e qiell” (Gjëma e kësaj nate). Fakti se është në gjendje të poetizojë edhe në këto kushte tregon se mendimin, ndjenjën dhe fjalën nuk ka “prangë” që mund t’ia ndalë.Thënë në tërësi, vëllimi me poezi “E diela e fundit” na bind se për poetin Shpend Gjocaj poezia nuk është ekzibicion por qëllim, nuk ështëshprehje e rastësisë por rezultat i punës së tij krijuese në vite. Gjuha e qartë, figuracioni shoqërues dhe fjala me peshë bëjnë që vëllimi të lexohet dhe përjetohet me emocione dhe ndjesi të larta.Aspak befasi ky nivel poetik për një autor që i nënshtrohet vetëm muzës së tij, duke ekspozuar para nesh një individualitet të rrallë. Me këtë ligjërim letrar, Gjocaj ka arritur kulminacionin artistik duke na sjellë poezi me kulturë, përmbajtje dhe emocion. Origjinaliteti krijues, larg kalkeve të imponuara, i japin vëllimit dhe emrit të tij si autor, një vëmendje të posaçme, që kritika letrare duhet ta trajtojë dhe vlerësojë në thelb.

Filed Under: LETERSI Tagged With: shpend gjocaj

Ernest Koliqi dhe Arshi Pipa- dy shtyllat qëndrore të Kritikës Letrare Moderne Shqiptare

March 2, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\pipa-koliqi.jpg

                 Fig.1 Profesorët Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi

Kritika letrare shqiptare zë fill në Shek. XIX-të dhe babai i saj është padyshim Faik Konica me revistën “Albania”, për të cilën Ernest Koliqi do të shprehej në mënyrë brilante duke e cilësuar “si një palestër të vërtetë ideore kombëtare dhe një pasqyrë e të gjitha rrymave mendore e shoqërore.” Një shkollë e vërtetë kulturore në fakt, e cila jo vetëm që mblidhte rrotull saj gjithë shqiptarët por që u mësoi gjithashtu stilin evropian e të shkruarit, shijet fine letrare por edhe sesi ta shkruanin shqipen në mënyrë elegante.Aq sa Fan Noli me të drejtë pohonte: “Konica është kryelëvronjësi i gjuhës shqipe dhe Ne të gjithë jemi dishepujt e tij.”

Por nëse Konica qe gur-themeli i këtij tempulli, dy shtyllat e tij qëndrore janë pa diskutim  Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi. Me Pipën dhe Koliqin kritika letrare merr një tjetër kthesë.Ajo bëhet më selektive, më elitare dhe sigurisht edhe më cilësore, si në formë po ashtu edhe në përmbajtje.Të dy personalitetet në fjalë jo vetëm që e mbushin vakumin e kritikës letrare të kohës por gjithashtu ata e definojnë këtë kritikë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.Kështu psh, Pipa në revistën “Shkëndia”(të themeluar nga Koliqi) por edhe “Kritika” (të themeluar nga vet ai), përmes artikujve të shkruar gjatë viteve 1940-1944  jo vetëm që do të merrej me shpalosjen e problemit të mungesës së kritikës letrare në vend (një problem të cilin e hasim fatkeqësisht edhe në ditët tona) por gjithashtu do ta përkufizonte esencialisht këtë fushë dhe rolin e domosdoshëm të kritikut si rishikues vleror.

Koliqi, po ashtu edhe Pipa duke e evidentuar mungesën e një historie të letërsisë shqipe iu vunë me mish e me shpirt punës për të nxjerr në pah përmes shkrimeve të tyre kontributet dhe vlerat ideore të një gjerdani shkrimtarësh duke nisur nga Fishta e Mjeda i madh, Konica e Noli, Migjeni e Kuteli, Çajupi e Asdreni, Ali Asllani, Lazër Shantoja e të tjerë me radhë. Në këtë kuptim, këta dy titanë bënë të mundur atë që një armatë e tërë rrogëtarësh qeveritarë nuk arrin ta bëj dot në ditët tona; e kthyen Shpirtin Kritik në Institucion dhe e ngritën kulturën e kritikës letrare në një nivel të papërfytyruar më parë. Revistat respektive “Shkëndia”(1940),“Kritika”(1944) dhe “Shêjzat” (1957) janë dëshmia më e mirë e pohimit të mësipërm.

Kritiku letrar gjigand Harold Bloom në një prej veprave të tij madhore dhe një pasazh në lidhje me rolin e kritikut kumton: “Tek kritikët më fin ne dëgjojmë thirrjen e fuqishme të Njeriut. Ata i thonë dikujt pse ka rëndësi të lexosh”.Pipa dhe Koliqi jo vetëm që e kryen me përgjegjësi të plotë këtë akt të lartë humanist duke na orientuar dhe drejtuar kah vlerat, letërsia dhe autorët më të mirë shqiptarë dhe arsyet pse duhet ti lexojmë por gjithashtu ata e mbushën dhe e pasuruan kulturalisht mjedisin tonë të varfër me vepra dhe autorë të shquar nga Letërsia Botërore (Klasikët, të Rilindjes Evropiane, ata të 900-tës por edhe Bashkëkohësit).Ata me përkthimet e tyre na shërbyen si vlerë-sjellës qytetërimor!

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme me Pipën dhe Koliqin, (këto dy miniera ideore që palo-studiuesit i shfrytëzojnë in extremis por pa ua cituar kurrë emrat dhe veprat në artikujt e tyre) do të ishte një nder dhe respekt për ta që Ministria e Kulturës të fillonte të ndante gjithashtu edhe çmimin e kritikës letrare “Pipa-Koliqi”.Jo se Pipa dhe Koliqi prej parrizit ku janë kanë vërtetë nevojë për tituj dhe lavde por ne pasardhësit e tyre kemi nevojë për modele dhë shëmbuj që përcjellin një IDEAL, një ideal që fatkeqësisht Postmoderniteti ynë i frikshëm i ka vënë kazmën për ta shëmbur.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT