• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMISIA LETRARE SHQIPE NË STUDIMET E GJUHËTARËVE SHQIPTARË

September 19, 2025 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj/

Shtatori i 109-të vjetorit të Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918).

Kërkesa e ngutshme për një gjuhë zyrtare, pas krijimit të shtetit shqiptar Më 1912, solli mbajtjen e një veprimtarie shumë të rëndësishme e shumë të nevojshme gjuhësore e kulturore, këtu e 100 vjet më parë, të quajtur Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). E nxitur edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, politik e shoqërorë dhe e realizuar nga studiues e intelektualë të shquar të kohës në krye me Luigj Gurakuqin e pasuar nga emra të çmueshëm të albanologjisë dhe nga emra të kuptimshëm që lidhen me krijimin e shtetit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Luigj Naraçi, Mati Logoreci, Sotir Peci, Ndue Ndoc Paluca, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Josif Haxhimima, Maksimiliam Lamberci, Ambroz Marlaskaj, Sali Nivica, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prendushi, Aleksandër Xhuvani, Rajko Nahtigali, kjo Komisi realizoi pritshmëritë e kohës dhe u bë institucion i rëndësishëm në rrugën e standardizimit të gjuhës shqipe.

Ata që njohin historinë e krijimit të shtetit shqiptar, në të vërtetë që njohin mirë rrethanat politike, shoqërore, kulturore, pra edhe gjuhësore të fillimshekullit ‘20, e dinë mirë ç’vështirësi paraqiste mbajtja e një veprimtarie të tillë në atë kohë dhe ç’detyra e kërkesa të rëndësishme shtronte e pritej të zgjidhte kjo veprimtari asokohe.

Akti i shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si teksti i parë i qeverisë së posaformuar shqiptare u pasua edhe me institucionalizimin e gjuhës zyrtare një vit pas (1913), por edhe me përpjekjen që të niste puna jo vetëm në fushën e terminologjisë administrative e ligjore, ushtarake e të tjera, përmes krijimit të komisioneve përkatëse, po edhe me përpjekjen për zgjidhjen e çështjes së gjuhës zyrtare.

Tre vjet pas, në rrethanat e vështirësuara që solli Lufta e Parë Botërore, nisi punën Komisia Letrare Shqipe në Shkodër dhe mund të thuhet se gjuhëtarët shqiptarë e të huaj kryen detyrën e tyre ndërgjegjshëm e përgjegjshëm.

Roli dhe rëndësia e kësaj Komisie bashkë me Kongresin e Manastirit përçuan mesazhe e reflektime largvajtëse për proceset standardizuese të shqipes, që do të zhvillohen gjatë shekullit të kaluar. Ato hapën rrugën për vendime të rëndësishme të cilat do të ligjësohen më pas nga institucionet shtetërore, duke bërë që shqipja të ketë një variant standard me funksionin e një gjuhë zyrtare, “për më tepër, ajo funksionoi edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore” (1).

Në këtë Komisi, ideja për ta bërë gegërishten jugore, përkatësisht elbasanishten, gjuhë të shtetit të ri zuri vend dhe u materializua me Ortografinë e miratuar në këtë Komisi, me ligjësimin e saj si gjuhë zyrtare nga Kongresi Pedagogjik i Lushnjës (shkurt 1921), fillimisht për shtypjen e teksteve mësimore, si dhe me një vendim që nxori kryeqeveria në vitin 1923, me qëllim “që të përdorej “gjuha zyrtare” në shkollë e administratë” (2).

Si u kuptua e si u trajtua kjo ngjarje e rëndësishme në studimet, trajtesat e në diskutimet e studiuesve gjuhësorë përgjatë këtyre njëqind vjetëve është temë mjaft e gjerë. Në këtë shkrim jemi përpjekur të paraqesim, në vështrim përgjithësues, trajtimin e Komisisë nga ana e studiuesve, si ngjarje e rëndësishme për proceset standardizuese shqipe të fillimshekullit ’20, por edhe për vetë rrjedhojat e kësaj ngjarjeje në zhvillimet që do të shënojnë historinë tonë të re kulturore, në përgjithësi, dhe gjuhësore, në veçanti.

E para që bie në sy kur gjurmojmë të dhënat bibliografike për këtë ngjarje është numri i vogël i studimeve për Komisinë Letrare Shqipe, dukshëm më i vogël në raport me numrin e studimeve që kanë objekt trajtimi Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Drejtshkrimit. Arsyet? Arsyet kujtoj se duhet t’i kërkojmë jo në kontestimin e rëndësisë a të seriozitetit që ka shoqëruar këtë ngjarje, krahasuar me dy të tjerat, por më shumë këto arsye duhet t’i lidhim me rrjedhojat dhe zgjidhjet që ofruan ato, më në fund edhe për vetë pranimet e gjithëmbarshme, që kanë prodhuar ato në historinë e pranimit të një alfabeti e të një gjuhe të përbashkët për gjithë shqiptarët.

Studimet dhe artikujt e shqyrtuar për këtë trajtesë janë ndarë në dy grupe:

1. Studime e artikuj që kanë për objekt trajtimi vetë Komisinë Letrare Shqipe si ngjarje, historikun, vendimet dhe, sidomos, ortografinë dhe zbatimin e saj etj., dhe

2. Studime e artikuj që trajtojnë probleme të përgjithshme e të veçanta të gjuhës standarde shqipe të kohës, të proceseve standardizuese gjuhësore në përgjithësi, të cilat në një mënyrë a në një tjetër i referohen a lidhen edhe me Komisinë Letrare Shqipe.

Të grupuara kështu këto shkrime ndihmojnë që të vështrohet më mirë kjo ngjarje e rëndësishme historiko-kulturore dhe të nxirren përfundime me vlerë për rëndësinë e standardizimit tonë gjuhësor.

Nga materiali që kemi arritur ta shqyrtojmë del se shkrimet e grupit të parë janë dukshëm më të pakta sesa ato të grupit të dytë. E kuptueshme. E shikuar nga aspekte të ndryshme dhe e lidhur domosdoshmërisht edhe me çështje të tjera, në rend të parë me çështjen e një gjuhe të përbashkët për shqiptarët dhe për gjuhën standarde, kjo ngjarje është aktualizuar dhe do të aktualizohet pothuajse sa herë aktualizohen dhe trajtohen këto çështje dhe jo vetëm në përvjetorët shënues të saj dhe jo vetëm nga studiuesit gjuhësorë.

Gjithmonë dhe gjithkund përcaktimi i një baze gjuhësore për krijimin e një standardi dhe rrjedhojat që mund të pasojnë nga zgjedhja e njërës apo tjetrës bazë mund të shtrohet e rishtrohet në kohë e në situata të ndryshme në jetën e një gjuhe standarde. Kështu ka ndo-dhur edhe në hapësirën tonë kulturore përgjatë gjithë shekullit 20.

Shkrimet dhe diskutimet për një gjuhë të përbashkët janë shpeshtuar shumë në vitet 30’ e ’40 ashtu sikur edhe shkrimet për gjuhën standarde të sotme në këta dy a tre dhjetëvjetëshat e fundit, të cilat kanë trajtuar e aktualizuar çështje të ndryshme të zhvillimit të saj, përfshirë standardizimin e vlefshmërinë e këtij standardi, por jo rrallë edhe kontestimin e saj, duke e sjellë e risjellë në vëmendjen e studiuesve dhe të lexuesve në përgjithësi shpesh edhe Komisinë Letrare Shqipe, duke shtuar kështu numrin e studi-meve, të artikujve e të trajtesave të ndryshme të cilat i kemi futur në grupin e dytë. Është plotësisht e kuptueshme dhe e natyrshme që edhe më tej të studiohen dhe të rimerren shkencërisht proceset standardizuese të gjuhës shqipe dhe në këto studime ta zënë vendin e vetë të çmueshëm në historinë e gjuhës standarde shqipe edhe Komisia Letrare Shqipe në Shkodër.

Çështjet që trajtohen në studimet e artikujt që kemi konsultuar lidhen me aspektin historik e infrastrukturor të Komisisë, me veprimtarinë saj pothuajse dyvjeçare, me rolin dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e gjuhës, të letërsisë, dhe të arsimit, dhe, posaçërisht, me vendimet e saj, me ortografinë (pranimin a mospranimin, në të vërtetë zbatimin a moszbatimin e vendimeve të saj), si dhe me rrjedhojat për veprim¬taritë pasuese shkencore, letrare e arsimore sidomos në gjysmën e parë të shekullit ’20, por aktualizojnë edhe vlefshmërinë e saj në raport me ngjarjet e tjera dhe sidomos në raport me Kongresin e Drejtshkrimit.

Duke qenë se është e pamundur këtu të paraqiten kronologjikisht të gjitha ato që janë shkruar për Komisinë Letrare Shqipe në këtë rreth të gjatë kohor, kam qenë e detyruar të bëj një përzgjedhje që ka pasur parasysh karakterin e rëndësinë e këtyre studime a shkrimeve.

Kështu, në “Laime”, që e botoi Komisia Letrare Shqipe, siç shihet në parafjalën drejtuar Kënduesvet, do të botohen të plota edhe “Parimet e rregullat mbi orthografin e gjuhës shqipe të shkrueme”, mbi të cilat parime, “të shtueme e të përmirsueme”, janë themeluar nëntë rregulla, shoqëruar me lëndë konkretizuese me emërtimin “

Radhue fjalësh”. Edhe për arritjet e tjera në këtë drejtim, që dalin nga mbledhjet e shumta të Komisisë, kemi raporte të plota për çështjet e trajtuara gjuhësore, për diskutimet e shumta që u zhvilluan, për pjesëmarrësit në secilën mbledhje si dhe për letrat dërguar Kryekomandës austriake. Shkurt në “Laime” do të botohen në të vërtetë procesverbalet e sintetizuara dhe kjo ka ndihmuar që opinioni i interesuar të informohet gjerësisht sidomos me rrjedhën e punës dhe rezultatet e arritura në 63 mbledhjet e saj (1.9.1916 – 22.5.2018). (3) Vendimet e Komisisë u botuan edhe në gazetën “Posta e Shqypniës”, vjeti I, Shkoder, 1917, f. 4.

Para se të shqyrtojmë disa nga shkrimet që janë botuar në revistat e kohës nga studiues të gjuhës shqipe, e konsideroj të rëndësishme për temën në trajtim, që të risjell në kujtesën tonë një letër të gjatë përgëzuese të Sali Nivicës me titull “Nevoja e nji Akademis Letrare”, dërguar “Hyllit të dritës” me rastin e botimit të numrit të saj të parë, e cila u shkrua më 23. 3. 1914, kurse u botua shtatë vjet pas (4), po në “Hyllin e dritës”, në të cilën, ndër të tjera, parathuhen qartë ato që do të bëhen përpjekje të realizohen në Komisinë e Shkodrës, pjesëmarrës në të cilën do të jetë edhe vetë ai, Sali Nivica, në 7 mbledhje të saj. Shqiptarëve u duhet një akademi, si shkruan ai në këtë letër, që do të vendosë për: “a) Një alfabet me nji palë shkrola; b) Nji Fjaluer t’thjeshtë e t’mbaruem në gjith skâjet teknikë; c) Nji gramatikë t’thjesht e të përbashkme a se shqype; dhe d) Përkthimin e veprave t’poetëve e filozëve të huej ma t’nzashëm”. Letra përfundon: “… me bâ m’u themelue me t’vërtetë nji këso ndërteset në Shqypnië e me u krye kto punë mbarë, unë kisha me besue qi mrekullijat, s’qenkshin sall për profitat, por i bakan edhe Shqyptarët.” Kjo letër përfush qartë kontekstin shoqëror-historik e kulturor të shqiptarëve dhe idealin e veprimtarëve të mëdhenj shqiptarë për gjuhën shqipe e për shtetin shqiptar.

Në vitet në vijim përpjekjet për një gjuhë zyrtare e për një ortografi të saj do të bëhen objekt shqyrtimi i studiuesve dhe i intelektualëve shqiptarë, shkrimet e të cilëve do t’i gjejmë të botuara në shtypin e kohës, si në “Posta e Shqypniës”, “Hylli i dritës”, “Albania”, “Leka” dhe në vijim, sidomos në vitet ’30 e ’40 në gazetat e revistat “Shqipëri e re”, “Demokratia”, Minerva”, “Përpjekja shqiptare”, “Shkëndija”, “Tomori”, etj,, me autorë si Faik Konica, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Justin Rrota, Namik Resuli, Selman Riza, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Haki Stërmilli, Stavro Frashëri, Vangjel Koça e të tjerë. Në shkrimet e tyre u shtrua me ngulm sidomos kërkesa për një gjuhë të përbashkët letrare, por u trajtuan edhe probleme të ndryshme teorike-gjuhësore, probleme të kulturës së gjuhës, gjithnjë duke pasur referencë edhe Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër dhe ortografinë e saj, por pati edhe shumë shkrime polemizuese ndër vite, sidomos për mënyrën si duhet të zgjidhet çështja e një gjuhe të përbashkët shqipe.

Vlen të përmend se Faik Konica, që në numrin e parë të revistës “Albania”, më 1897, pothuajse njëzet vjet para se të mbahej Komisia Letrare Shqipe, botoi shkrimin me titull “Për themelimin e një gjuhe letrare”, me vazhdime në disa numra vijues, ku artikulon qartë idenë e formimit të një gjuhe të përbashkët letrare. Edhe në shumë shkrime të tjera me karakter gjuhësor, që ka botuar ndër vite në “Albania”, po edhe në revista të kohës, ai shtron çështjen e formimit të një gjuhe të përbashkët letrare dhe të shkrimit të saj.

E kuptueshme sepse për Konicën, siç do të thoshte Namik Resuli, “çështja kombësi dhe çështja gjuhë ishin të pashkëputura njëra nga tjetra” (5) , sepse siç do të thoshte Faik Konica “vetëm Shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë (të përbashkët); edhe andej vjen që kemi mbetur të ndarë nga tjetri, andej kanë rrjedhur aqë të këqia për neve të mjerët. Është nevojë e shtrëngim të hedhim themelin e nja gjuhës letrarishte; nevojë dhe shtrëngim të shkruajmë të gjithë sa jemi, p.t. “bora” jo ndryshe, Pa pastaj le të themi xbora, vora, çvora, kjo s’bën gjësendi.” (6)

Ndërkaq, tetë vjet më vonë Asdreni, po në “Albania” (7), në shkrimin që do të botojë këtu, shprehet se “… pasi të vendosim një alfabet të përgjithshëm, ndihet nevoja t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet toskërishten dhe gegërishten…” .

Njëra ndër revistat ku u botuan një numër jo i vogël shkrimesh gjuhësore e që do të kenë pikë vështrimi e pikë referimi Komisinë e Shkodrës është “Hylli i dritës”. Duke qenë se në kohën kur filloi punën kjo Komisi, tashmë kishte dy vjet që ishte ndaluar e pushuar së botuari revista “Hylli i dritës”, shkrimet rreth gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit të saj, të cilat vështrohen në kontekstin edhe të Komisisë Letrare dhe të rrjedhojave që solli ajo me vendimet e saj, do t’i gjejmë në numrat vijues të kësaj reviste brenda viteve ‘21-‘24, kur rinis botimi i saj “Hylli i dritës”, dhe midis viteve ’30 dhe ’44, që njihet si periudha e tretë e botimit të saj, pas ndalimit të dytë.

Kështu në “Hyllin e dritës”, që asokohe ishte njëra ndër revistat më të shquara e më të veçanta të publicistikës e të kulturës shqiptare, janë botuar mjaft studime, artikuj shkencorë gjuhësorë për historinë e gjuhës shqipe, për veprat e para të shqipes e deri për ngjarjet e rëndësishme kulturore siç janë Kongresi i Alfabetit, Kongresi Arsimor i Tiranës etj.; janë botuar, kështu, studime teorike e praktike gjuhësore, materiale leksikologjike e onomastike, shkrime kritike e polemizuese gjuhësore deri recensione për vepra e autorë të njohur të kohës, që mbajnë për autorë studiues e intelektualë të njohur të kohës, shqiptarë e të huaj, si: Eqrem Çabej, Norbert Jokli, Justin Rrota, Kolë Ashta, Pashkë Bardhi, Nikollë Gazulli, Pashko Gjeçi, Shtjefën Gjeçovi, Kolë Kamsi, Benedikt Dema, Prend Doçi, Nelo Dizdari, Injac Zamputi, Antonin Fishta, Filip Fishta, Kristo Floqi, Mithat Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Georg Sted¬myller, Karl Gurakuqi, Henrik Bariqi, Fulvio Kordinjano, Donat Kurti, Mati Logoreci, Krist Maloki, Ambroz Marlaskaj, Mustafa Kruja, Ndre Mjeda, Osman Myderrizi, Filip Ndocaj, Ndoc Nikaj, Fan Noli, Bernardin Palaj, Gaspër Pali, Zef Pllumi, Rrok Zojzi, Vinçenc Prenushi, Lazër Shantoja, Gjon Shllaku, Marin Sirdani, Anton Harapi etj., natyrisht edhe vetë Fishta, i pari i “Hyllit të dritës”. (😎

Në “Hyllin e dritës” janë botuar, pos të tjerash, mjaft shkrime të nxitura pikërisht nga vendimet që kishte nxjerrë e miratuar kjo Komisi, në veçanti me zgjidhjet e miratuara ortografike shtatëpikëshe. Kështu Ambroz Marlaskaj (9), pjesëmarrës në Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër, botoi në “Hyllin e dritës” më 1921 shkrimin me titullin ‘Mbi orthografi të sotshme”(10). Shkrimi ka karakter kritik dhe duke marrë në vështrim ortografinë e miratuar në këtë Komisi sjell vërejtje të përgjithshme e të veçanta për disa nga rregullat e kësaj ortografie. Pas një analize të hollë dhe të argumentuar të disa problemeve të veçanta që lidhen me rregullat e ortografisë, ai i mëshon, ndër të tjera, edhe çështjes së përdorimit të disa tingujve dhe disa togjeve bashkëtingëllore (ë, mb, nd, ngj), çështjes së mbaresave foljore që u bashkëngjiten foljeve gjatë zgjedhimit, shpesh në përqasje me toskërishten, duke i dhënë rëndësi edhe etimonlogjisë. Mendimi i autorit, që mbështetet fort edhe në veprën e Kamardës, se ortografia duhet “të pëlqej me etimologji” përshkon gjithë shkrimin kritik Mbi orthografi të sotshme. Ndonëse, pra, edhe vetë pjesëmarrës në mbledhjet e Komisisë, Ambroz Marlaskaj shpreh qartë mospajtimin me disa nga zgjidhjet që ka ofruar kjo komisi: ”Parimet e zgjedhëne prejë Komisis literare, thotë ai, ende nuk janë asosh qi t’u përgjigjen nevojëve të gjuhës t’ynë, nuk po thamë plotsisht, por as kahë mâ të nevojshmet pikëpame. Ket mungesë e difto Komisija literare vetë në të IV & të parimeve të themelueme. Per me nzitë pra autoritet e ligjëshme qi t’u bien mbrapa këtyne mungesave kahë ana e nji ortografije t’arrsyeshme e të mjaftueshme, ka da me bâ do oroe mâ të nevojëshme mbi ortografin e Komisis literare shqype, do oroe, të cillat tuj u gjetë un në shkollë, ditë për ditë bien në sŷ edhe pa dashtë, në jetë praktike.” Artikulli përfundon me vërejtjen se rregullat e përgjithshme të gjuhës shqipe të përcaktuara prej Komisisë Letrare më 13 gusht 1917 “kanë nevojë të merren në dorë per së rì, per me bâ mâ të thjeshtë shkrimin e gjuhës.”(f. 24).

Justin Rrota, 13 vjet pas mbajtjes së Komisisë, më 1931, në “Hyllin e dritës”, botoi me pseudonimin Iris shkrimin “Rreth problemit të gjûhës letrare” (11), ku aktualizon krijimin e një gjuhe letrare të përbashkët, duke nënvizuar qartë vështirësitë që shoqërojnë krijimin e një gjuhe të përbashkët, sidomos për kontekstin politik, shoqëror e kulturor shqiptar. Prej këtij shkrimi dalin përfundime si këto: “Gjuha letrare nuk gjindet gadi në popull”; ajo “nuk krijohet prej letrarvet, por do të zgjidhet prej krahinavet të ndryshme të mbarë Shqypnís”; “Zgjedhë nji herë si themel djalekti i shqypes s’Elbasanit, qi shênjon qandrren e Shqypnís së soçme, e dá kështu në parim çashtja e fonetikës, âsht të bieremi tue luftue per njanin a tjetrin djalekt a nendjalekt të sa vise¬ve të ndryshme, banue prej shqyptarësh.”, për të vazhduar më tej: “Me kaq s’don me thânë se do t’a mârrim shqypen mbyllasyzash prej djalektit të zgjedhun; por do ta këqyrim t’i kundrojmë trajtat e shtrembta e të pahijshme me ato mâ të ruejtuna e mâ të rregullta e mâ të bukrat e ndonji krahine tjeter.”

Një tjetër autor, Donat Kurti, ka botuar, po në “Hyllin e dritës”, shkrimin “Si ta shkruej?… (12) Shkrimi trajton në mënyrë përimtuese dhe qortuese disa mëdyshje gjuhësore në fushën e drejtshkrimit të disa trajtave të fjalëve që mbarojnë me el dhe er, err (gogel a goglë, vegel a veglë, Shkoder a Shkodrë (Shkoder/Shkoders a Shkodrë/ Shkodrës) etj., për të cilat mendon se janë rrjedhojë e zgjidhjes së pjesshme që ka dhënë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër për këtë tip fjalësh. “Komisija e letrare e vj.1917-1918 në Shkodër, thotë autori Kurti, tuj parepâ këto mendime të ndryshme, po sidomos, si shprehet vetë (1), tuj dashtë m’u avitë me Toskë, s’bân tjetër veç lên qi seicilli të shkruej me mende të vet, pá e dá aspak çështjen”, për të vazhduar më tej: “A mirë – thotë (Komisia, SH.I.) – të shkruhet mas ethymologis Shkodrë; por nuk âsht krejt e paarsyeshme të shkruhet edhe Shkodër si mas shqyptimit, bile për lecim orthografije mund të shkruhet edhe Shkodr (2). Më diftoni, pyet autori i shkrimit, ç’u muer veshtë në kto të dame? Cillës ânë do t’i jepet arsye. Njéna nder kto trajta me deomos do të jetë mâ e përshtatuna natyrës së gjuhës e njiheri ma e arsyeshmja.” Për autorin më e drejtë është forma Shkoder dhe rrjedhimisht edhe format Shkoders e Shkodërn. Autori ka pikënisje shprehjen: “Po-pulli e bân gjuhën e jo gramatologu”.

Konstantin Konaj, shkrimet e të cilit i gjejmë shpesh edhe në faqet e “Hyllit të dritës”, në kontekstin e diskutimeve për një gjuhë të përbashkët nxitur që në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe aktualizuar shumë në vitet në vijim, boton artikullin “Bisedim gjuhe. Shinime te vogla”(13), në të cilin shfaq mendime interesante lidhur me krijimin e gjuhës letrare. “Gjuha e jonë letrare ka për t’u formuar, âsht e ditun dalkadalë e me kohë. Por kush do ta formojë? Populli vetë jo. Ky ep vetëm lândën e papunueme, e cila duhet gdhêndun, latue e limue qi të mundet me u bâmë pasuni e gjuhës letrare”, thotë autori, për të vazhduar me tej: “Asnji djalekt, as ai i Elbasanit qi nji kongres i posaçëm e ka pasë pamë me udhë të merret si bazë e gjuhës letrare, as djalekti gegë përgjithsisht e as toskërishtja, nuk âsht pa gabime ashtu siç flitet prej populli. Të gjitha djalektet t’ona kanë të mêtat e të plotat e tyne, kanë trajta të drejta e të shtrêmbta e prandej duhet të qortojmë e të ndreqim njâni tjetrin, jo vetëm për t’i shërby trajtimit të gjuhës letrare të përbashkët, por edhe për t’i bâmë vetë secili nji djalekt letrar, per të pasun nji tosknishte e nji gegnishte letrare, qoftë fati shqipes letrare qi do të quhet gjuha nnjishme e kombit t’onë, këto dy djalekte do të mbesin pak gjâtë damë prej shoqishoqit.”

Mendime si këto i gjejmë edhe në shkrimet e autorëve të tjerë të kohës, emrat e të cilëve i ndeshim në revistat e gazetat që botohen asokohe.

Me pikëvështrim të përafërt është shkrimi tjetër i Donat Kurtit me titullin “Sa ma pak rregulla” (14). Në shkrim, autori vë në spikamë rolin e shkrimtarëve në zhvillimin dhe në normëzimin e gjuhës përmes veprave të tyre, duke u ndalur posaçërisht në përdorimin e pjesoreve (pjestoren e tashme, pjestoren substantive, pjestoren adjektive, kështu i quan autori) duke i argumentuar qëndrimet e tij me shumë shembuj dhe me përdorimin e tyre praktik e drejtshkrimor. Autori shpreh në mjaft raste mospajtime me zgjidhjet e ofruara nga Komisia Letrare Shqipe.

Një shkrim-reagim tjetër i botuar në “Hyllin e dritës”, i pa autor, me të njëjtin titull “Si ta shkruej?” (15), i cili mendoj se është i Konstantin Konajt, sepse në fund të shkrimit, njëjtë sikur edhe te shkrimi i tij “Bisedim gjuhe. Shinime të vogla”, jepen shënimet: vendi Itali, data dhe shenjat ***: pra Itali, 23 kallnduer. Shkrimi është diskutim i nxitur prej shkrimit të parë të Donat Kurtajt me të njëjtin titull “Si ta shkruej?… “dhe shtron çështje të veçanta e të përgjithshme të ortografisë, duke pasur parasysh vendimet e KLSh-së. Pas një analize të konkretizuar me mjaft shembuj autori vë në diskutim çështjen e formave (varianteve) gjuhësore: qenë a kenë, gjysë, gjysmë a gjymsë, dëshirë, deshir a dishir, borë, dëborë, zborë, dvorë, vdorë a dorë, i pamë a i parë, i frymë a i fryrë, etj.), duke i dhënë epërsi anës fonetike, shoqëruar me sugjerimet se si duhet të veprohet kur të cak¬tohen rregullat drejtshkrimore. Autori, pos të tjerash, sjell edhe këtë mendim lidhur me çështjen që trajton: “… na Shqyptarët mâ të madhin mekat ndaj gjuhës t’onë e ndaj brezave e ardhshëm qi do t’ia lâmë trashigim, në qoftë se në shkrimin e saj biremi pas etymologjis.

Gjuha e jonë, si gjuhë shkrimi, âsht tue u formue sot. Pra, duhet të marrë at trajtë qi i afrohet mâ fort fonetikës, edhe në qoftë se nuk mund ta trajtojmë nji shkrim qind për qind fonetik”. (16)

Po në “Hyllin e dritës” Zef M. Harapi ka botuar shkrimin me titull “Mbi perdorimin e grupit “mb”n’orthografi” (`7), ku trajton përdorimin e grupit bashkëtingëllor mb në gjuhën shqipe në gjithë shtrirjen e tij dhe në të dyja dialektet të dëshmuar mirë edhe në shkrimet e hershme shqipe dhe përgjatë gjithë historisë së saj, sikundër edhe për bjerrjen e saj në disa areale gjuhësore të ngushta veriore. Shkrimi i jep mbështetje të fortë zgjidhjes që ka sjellë në këtë pikë Komisia Letrare Shqipe, me ç’rast tërheq vërejtjen se: “nuk kanë tager do krahina të kufîjzueme t’i imponohen mbarë Shqypnís e Shqyptarvet ta humbin krejt mb-en, per të vetmen arsye pse e kanë bjerrë vetë”, sepse, mendon autori me të drejtë, bjerrje të tilla të tingujve të ndryshëm kanë ndodhur edhe në të folme të tjera shqipe, jugore e veriore.

Vlen të përmendet se është botuar edhe ndonjë shkrim qortues për shkrimtarët e të dy krahëve të shqipes për mospërfilljen që ua bëjnë ata vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe në fushë të drejtshkrimit, sidomos në fushën e përkthimeve, që ishin gjallëruar sado pak në këtë kohë. Me këtë rast po përmend shkrimin e At Antonin Fishtës botuar në “Hyllin e dritës” me titull “Kush po na e shëmton gjuhën”(18), në të cilin autori tërheq vëmendjen edhe për gjuhën e gazetave, të të përkohshmeve, të teksteve shkollore, kurse qortimin e drejton më shumë kah shkrimtarët. Me shembuj konkretë nga tekstet letrare, autori i shkrimit paraqet shkelje të ndryshme të mospërfilljes së vendimeve të Komisisë, pra shkelje të normës drejt-shkrimore, po edhe të “normës” stilistike.

Një shkrim tjetër po për mospërfilljen e vendimeve të Komisisë është ai i Mark Harapit botuar në revistën “Leka”, me titullin “Pse gegnisht Manzoni”(19). Ky është një shkrim polemizues me Skënder Pirron dhe Kolë Ashtën, të cilët ndonëse lavdërojnë përkthimin e veprës së Manzonit në shqipen, tërheqin vërejtjen për mospërfilljen e ortografisë së Komisisë së Shkodrës si nga shkrimtarët e Jugut ashtu edhe nga ata të Veriut. Shkrimi është i gjatë dhe në të spikat përpjekja për të arsyetuar autorin. Ndër të tjera autori shkruan: “Ndër toskë janë shkrimtarë: Asdreni, Lasgush Poradeci, Mehdi F’rashëri, Lumo Skendo, Shefik Selenica, Sotir Papahristo, Mitrush Kuteli, Pika (Tasi Miho), Fan Noli, Çekrezi, Faik Konica, etj. Cili nder ta shkruena ka shkrue në giuhë zyrtare? Asnjêni. Vall pse? Edhè këjo punë do t’a ket at psehin e vet …..”, për të vazhduar më tej: “Po Dom Ndreu vetë cilën gjuhë ka përdorë ndër shkrimet? Cila vepër, cila poezi, a cila prozë âsht e shkrueme në gjuhë zyrtare? Të gjitha në shkodranishten ma të plotë” (20), për të vazhduar: “Porse vjeten 1917 Dom Ndre Mjedja ka kenë nji nder pjestarë ma të kënun të Komisis Letrare per ortografin e shqipes së shkrueme!… Në parathane qi kanë Rregullat e caktueme per ortografi, lexojmë: «këjo mënyrë shkrimi, e diftueme me anë t’atyne rregullave, do të ketë fuqi zyrtare edhe do të shtihet perdorimi i kësaj pa kurrnji jashtërregullim, në të gjitha aktet.” Mendimi i përgjithshëm i autorit është se “Bashkimi i Tosknis e i Gegnis me nji giuhë shkrimi të përbashkët asht vertetë punë e madhe, Por mjetet do të jenë të pershtatuna. Ky bashkim do të vijë natyrisht, per ndryshej del «nji letere e dekun me dekret»” Mendoj se, ashtu siç del edhe nga ky shkrim kritik e qortues, për ligjësimin a mosligjësimin e vendimeve të Komisisë në punë të drejtshkrimit, rol të rëndësishëm kanë pasur pikërisht shkrimtarët e të dy krahëve gjuhësorë të shqipes.

Nuk është i vogël numri i atyre që do të shkruajnë në shtypin e kohës, prej kohës së zyrtarizimit të vendimeve të Komisisë e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, për çështje të ndryshme gjuhësore dhe sidomos për një gjuhë të përbashkët, për t’u intensifikuar sidomos pas krijimit më 1928 të Akademisë Letrare nga Ministria e Arsimit, e cila përbëhej prej studiuesve, filologë të njohur të kohës, si Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi, Leonidha Naçi, Gaspër Beltoja etj., kur në shtypin e kohës iu bë jehonë e madhe kësaj ngjarjeje dhe kur u botuan numër i madh shkrimesh që problematizuan e riaktualizuan çështjen e njësimit të gjuhës zyrtare.

Një shtysë të madhe diskutimeve për gjuhën e përbashkët, me referim vendimet e Komisisë së Shkodrës, e dha mbajtja e Kuvendit të Parë Albanologjik të Institutit të Studimeve më 1.1.1935, në të cilën morën pjesë gjuhëtarët më të mirë të kësaj kohe: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Dhimitër Berati, Mati Logoreci, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Beqir Sinani, Anton Paluca, Gjergj Kokoshi (21). Në atë kuvend luajti rol, sidomos, referati i Mustafa Krujës me titullin “Mendime mbi trajtimin e gjuhës letrare” (22), që nxiti sidomos reagimin e Namik Resulit që do ta shprehë në shkrimin e tij të shumëpërfolur “Gegërishtja apo toskërishtja?” (23).

Numri i studiuesve që do të shkruajë gjatë kësaj kohe për një gjuhë të përbashkët gjithnjë duke pasur parasysh dhe Komisinë Letrare Shqipe dhe, posaçërisht, vendimet e saj, është shumë i madh. Shquajnë shkrimet e Aleksandër Xhuvanit (24), të Selman Rizës (25), të Ilia Dilo Sheperit (26),të Tajar Zavalanit (27), të Mustafa Krujës, ndër të tjera, edhe shkrimi i këtij të fundit “Kritikë e një kritike” (28), ato të Mati Logorecit (29), me theks të veçantë shkrimi i tij “Gjuha letrare”, etj. Por, numri i atyre që do të shkruajnë për nevojën e një gjuhe të përbashkët zyrtare dhe për çështje ortografie është dukshëm i madh.

Prej vitit ‘48 e tutje sidomos gjatë vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar do të zhvillohen shumë veprimtari që lidhen me gjuhën shqipe, njësimin e saj dhe, sidomos, që lidhen me hartimin e rregullave të reja të drejtshkrimit. Studiuesit kryesorë që shënojnë këto veprimtari, në të vërtetë që janë bartës të këtyre veprimtarive përgjatë viteve ’50 e ’60 janë Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Kostaq Cipo, Osman Myderrizi, Mahir Domi, Kolë Ashta, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostallari, Lirak Dodbiba, Zijaudin Kodra, Zihni Sako, Spiro Floqi, Jup Kastrati, Shaban Demiraj, Pashko Geci, etj. Janë këto veprimtari që do t’i paraprijnë mbledhjeve historike të kulturës shqiptare – Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe Kongresit të Drejtshkrimit (1972).

Në studimet e dhjetëvjetëshave në vijim, në studimet e studiuesve si Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Mehmet Çeliku, Tomor Osmani, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Arshi Pipa, Bahri Beci, Kolec Topalli, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Rexhep Ismajli, Fadil Raka, Rahmi Memushaj, Isa Bajçinca, Miço Samara, Artan Haxhi, Tefë Topalli dhe të shumë të tjerëve, në studimet e tyre pra për gjuhën standarde shqipe, do të merren e rimerren shpesh edhe vendimet dhe ortografia e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, bashkë me rrjedhojat e saj në ngjarjet pasuese, që do të përcaktojnë rrugën e standardizimit të shqipes.

Në këtë kontekst patjetër se duhet të veçojmë studimet e Tomor Osmanit kushtuar Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (30), botuar së pari më 2004 e ribotuar e plotësuar disa herë deri sot. Autori ka arritur që në mbështetje të studimeve të sotme dhe të dokumenteve shoqëruese të kësaj veprimtarie kulturore, si procesverbalet e mbledhjeve dhe të broshurës “Laime të Komisisë”, botuar më 1918 nga KLSH-ja, të cilat janë përfshirë të plota në botimin e fundit të këtij studimit më 2016, të hartojë një monografi të rëndësishme për veprimtarinë e kësaj Komisie, duke saktësuar në mënyrë faktografike jo vetëm aktivitetin e saj, po edhe organizmin, mbështetësit, madje edhe financuesit e saj, kohëzgjatjen, bartësit dhe protagonistët kryesorë, si dhe pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet, numrin e mbledhjeve, diskutimet e tyre për gjuhën e përbashkët dhe për problemet e ndryshme drejtshkrimore, për hartimin e teksteve shkollore, për çështje terminologjike, deri edhe për diskutimet rreth zhvillimit të letërsisë shqipe. Vepra ka, pa dyshim, rëndësi të veçantë gjuhësore e historike.

Një tjetër monografi për Komisinë Letrare të Shkodrës është ajo e Sheremet Krasniqit (31).

Vlen të përmenden edhe studimet e Rexhep Ismajlit rreth proceseve standardizuese të shqipes. Si në veprën e tij “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh” (2005) ashtu edhe në veprën Drejtshkrimet e shqipes – studime dhe dokumente (2005), po edhe në studime të tjera sigurisht ku trajton çështjen e gjuhës standarde, ai paraqet rrjedhën e zhvillimeve në fushën e standardizimit të shqipes në Prishtinë e nëTiranë duke ndriçuar aspekte të politikës dhe të planifikimit gjuhësor, të krijimi të gjuhës standarde e të statusit të saj në raport me variantet e tjera letrare dhe në raport me rrethanat e kushtet në kontekste të ndryshme politike, shoqërore e kulturore, duke e njohur lexuesin, njëkohësisht, me veprimtaritë kryesore dhe me protagonistë kryesorë të këtyre veprimtarive e në këtë mes edhe me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër.

Me këtë rast e shoh të udhës se duhet të përmenden edhe këto vepra “Histori e shqipes letrare (1997), “Çështje të shqipes letrare” (1998) dhe “Normëzimi i shqipes nëpër shekuj” (2004) të Fadil Rakës, “Histori e gjuhës së shkruar shqipe” (1999) e autorëve Artan Haxhi e Tefë Topalli dhe “Histori e gjuhës letrare shqipe” (2000) të Miço Samarës, në të cilat i jepet vendi meritor Komisisë Letrare Shqipe, rolit dhe rëndësisë së saj në rrjedhën e përpjekjeve për një gjuhë të përbashkët shqipe dhe për një ortografi të njësuar për gjithë shqiptarët.

Në vitin 1996 në organizim të USH “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër u organizua një Konferencë shkencore në 80 vjetorin e Komisisë Letrare Shqipe, që është veprimtaria e parë shkencore për këtë ngjarje të rëndësishme historike-gjuhësore. Në Konferencë u lexuan 12 kumtesa që ndriçuan e vlerësuan shkencërisht këtë ngjarje, kurse materialet e saj u botuan një vit pas.

Sivjet (2016) në 100 vjetorin e KLSH-së u mbajtën: në Shkodër, në qershor, një konferencë ndërkombëtare në të cilën morën pjesë një numër i madh studiuesish; në Prishtinë, në gusht, u mbajt një tryezë në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare; dhe, po kështu, në Prishtinë, në shtator, në organizim të Institutit Albanologjik, u mbajt një konferencë shkencore, materialet e së cilës u botuan në revistën “Gjuha shqipe”, 3/2016, IA, Prishtinë.

Në përfundim mendoj se këtë shkrim duhet ta përmbledh me një mendim të përgjithshëm që del nga shumica e studimeve, e trajtesave dhe e artikujve të studiuesve shqiptarë që kanë objekt shqyrtimi Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër dhe veprimtarinë e saj shumë të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe për shkrimin e saj, e ai mendim është: Komisia Letrare Shqipe në Shkodër nuk mund të shikohet e shkëputur jashtë kontekstit gjuhësor e letrar e jashtë kontekstit kohor e hapësinor, sepse siç thotë studiuesi i njohur Xhevat Lloshi, ajo ka një parahistori dhe një histori gjuhësore e letrare dhe, po shtoj, ka edhe një pashistori gjuhësore e letrare. Ajo e ka nisur standardizimin edhe kodifikimin e shqipes së shkruar, për çka duhet të konsiderohet institucion i rëndësishëm historik e kulturor dhe rrjedhimisht edhe institucion kombëtar historik me rëndësi shumë të madhe sepse ravijëzoi procesin e pashmangshëm standardizues të shqipes – bashkimin tonë gjuhësor si përbërës qendror i njësisë sonë kombëtare.

Kërkesa e ngutshme për një gjuhë zyrtare, pas krijimit të shtetit shqiptar, solli mbajtjen e një veprimtarie shumë të rëndësishme gjuhësore e kulturore, këtu e 100 vjet më parë, të quajtur Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). E nxitur edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, politik e shoqërorë dhe e realizuar nga studiues e intelektualë të shquar të kohës në krye me Luigj Gurakuqin e pasuar nga emra të çmueshëm të albanologjisë dhe nga emra të kuptimshëm që lidhen me krijimin e shtetit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Luigj Naraçi, Mati Logoreci, Sotir Peci, Ndue Ndoc Paluca, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Josif Haxhimima, Maksimiliam Lamberci, Ambroz Marlaskaj, Sali Nivica, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prendushi, Aleksandër Xhuvani, Rajko Nahtigali, kjo Komisi realizoi pritshmëritë e kohës dhe u bë institucion i rëndësishëm në rrugën e standardizimit të gjuhës shqipe.

Ata që njohin historinë e krijimit të shtetit shqiptar, në të vërtetë që njohin mirë rrethanat politike, shoqërore, kulturore, pra edhe gjuhësore të fillimshekullit ‘20, e dinë mirë ç’vështirësi paraqiste mbajtja e një veprimtarie të tillë në atë kohë dhe ç’detyra e kërkesa të rëndësishme shtronte e pritej të zgjidhte kjo veprimtari asokohe.

Akti i shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si teksti i parë i qeverisë së posaformuar shqiptare u pasua edhe me institucionalizimin e gjuhës zyrtare një vit pas (1913), por edhe me përpjekjen që të niste puna jo vetëm në fushën e terminologjisë administrative e ligjore, ushtarake e të tjera, përmes krijimit të komisioneve përkatëse, po edhe me përpjekjen për zgjidhjen e çështjes së gjuhës zyrtare.

Tre vjet pas, në rrethanat e vështirësuara që solli Lufta e Parë Botërore, nisi punën Komisia Letrare Shqipe në Shkodër dhe mund të thuhet se gjuhëtarët shqiptarë e të huaj kryen detyrën e tyre ndërgjegjshëm e përgjegjshëm.

Roli dhe rëndësia e kësaj Komisie bashkë me Kongresin e Manastirit përçuan mesazhe e reflektime largvajtëse për proceset standardizuese të shqipes, që do të zhvillohen gjatë shekullit të kaluar. Ato hapën rrugën për vendime të rëndësishme të cilat do të ligjësohen më pas nga institucionet shtetërore, duke bërë që shqipja të ketë një variant standard me funksionin e një gjuhë zyrtare, “për më tepër, ajo funksionoi edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore” .

Në këtë Komisi, ideja për ta bërë gegërishten jugore, përkatësisht elbasanishten, gjuhë të shtetit të ri zuri vend dhe u materializua me Ortografinë e miratuar në këtë Komisi, me ligjësimin e saj si gjuhë zyrtare nga Kongresi Pedagogjik i Lushnjës (shkurt 1921), fillimisht për shtypjen e teksteve mësimore, si dhe me një vendim që nxori kryeqeveria në vitin 1923, me qëllim “që të përdorej “gjuha zyrtare” në shkollë e administratë”.

Si u kuptua e si u trajtua kjo ngjarje e rëndësishme në studimet, trajtesat e në diskutimet e studiuesve gjuhësorë përgjatë këtyre njëqind vjetëve është temë mjaft e gjerë. Në këtë shkrim jemi përpjekur të paraqesim, në vështrim përgjithësues, trajtimin e Komisisë nga ana e studiuesve, si ngjarje e rëndësishme për proceset standardizuese shqipe të fillimshekullit ’20, por edhe për vetë rrjedhojat e kësaj ngjarjeje në zhvillimet që do të shënojnë historinë tonë të re kulturore, në përgjithësi, dhe gjuhësore, në veçanti.

Fusnotat

1. Xhevat Lloshi, “Zgjidhje që i qëndruan kohës në shërbim të kohës”, në përmbledhjen “Akademia jubilare me rastin e 40 vjetorit të Kongresit të drejshkrimit”, Universiteti ”Fan Noli”, Korçë, 2012, f. 27.

2. Xhevat Lloshi, po aty, f. 27.

3.Tomor Osmani, “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër 1916 -1918”, Shkodra Daily, 2.6.2014 (internet).

4. Hylli i dritës, vj. i II-të, 1921, nr. 5, f. 41-52.

5. Namik Resuli, “Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes”, “Jeta e re” 3, 1995, f. 367.

6. Faik Konica, “Për themelimin e një gjuhe letrare”, sipas Namik Resulit: “Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes”, “Jeta e re”, 3, 1995, f. 367.

7. “Albania” 4, 1905.

8 Shih Shefkije Islamaj: “Hylli i dritës” dhe gjuha shqipe”, botuar në përmbledhjen 100 vjet të revistës “Hylli i dritës”, “Studime” 22, USH “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 2015, f. 34 dhe në librin Shefkije Islamaj, “Gjuha – teksti dhe konteksti”, IA, Prishtinë, 2014, f. 33.

9. Sipas Tomor Osmanit, Ambroz Marlaskaj ka marrë pjesë në dhjetë mbledhje të Komisisë nga gjithsej 63, sa janë mbajtur e protokoluar sipas Procesverbalit të KLSH-së, që fillon më 1 shtator 1916 dhe përfundon më 22 maj 1918 e që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Tomor Osmani, “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)”, Shkodër, 2012, f. 163-228.

10. At Ambroz Marleskaj, “Mbi orthografi të sotshme”, “Hylli i dritës” 3, 1921, f. 48; “Hylli i dritës” 2, 1922, f. 19.

11. Iris (Justin Rrota), “Rreth problemit të gjûhës letrare”,“Hylli i dritës” 3, 1931, f.1; J. Rrota ka botuar në “Hyllin e dritës” në rrethin kohor 1921-31, në vazhdime, studimin e rëndësishëm jo vetëm për kohën “Rreth gramatologjisë shqype”.

12, At Donat Kurtit, “Si ta shkruej? …,” “Hylli i dritës” 1, 1931, f. 8.

13. Konstantin Konaj, “Bisedim gjuhe. Shinime te vogla”, “Hylli i dritës” 4, 1931, f. 23.

14. At Donat Kurti, “Sa ma pak rregulla”, “Hylli e dritës” 4, 1932, f. 9.

15. Konstantin Konaj, “Si ta shkruej?”, “Hylli i dritës” 2, 1931, f.12.

16. Konstantin Konaj, po aty, f.12.

17. Zef M. Harapit, “Mbi perdorimin e grupit “mb” n’orthografi”, “Hylli i dritës”, 2, 1932, f. 17.

18. At Antonin Fishta, “Kush po na e shëmton gjuhën”, “Hylli i dritës” 1, 1933, f. 15.

19. Mark Harapi, “Pse gegnisht Manzoni”, “Leka” vj. xv. 1943 – xxj. n. vj. qershor 1943, Shkodër, f. 181.

20. Mark Harapi, po aty, f. 19.

21. Jup Kastrati, “Konvergjenca gjuhësore nga Komisia Letrare te Kongresi i Drejtshkrimit,”. “25-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit”, 1972-1997, Tiranë, 2000, f. 61.

22. Mustafa Kruja, “Mendime mbi trajtimin e gjuhës letrare”, “Shkëndija”, nr. 2, gusht, 1940, f. 5.

23. Namik Resuli, “Gegërishtja apo toskërishtja?”, “Shkëndija” 1, 1939.

24.Aleksandër Xhuvani, “Dy antologjijat shqipe”, 1936.

25. Selman Riza, “Tri monografina albanologjike”, Tiranë, 1944.

26. Ilia Dilo Sheperi, “Dielli” dhe gramatika”, “Demokratia”, 1928.

27. Tajar Zavalani, “Prishësit e gjuhës”, “Minerva”, 1933.

28. Shpend Bardhi (Mustafa Kruja), “Kritikë e një kritike”, “Përpjekja shqiptare”, 1938.

29. Mati Logoreci, “Gjuha letrare”, “Tomori” 26 .7. 1940.

30. Tomor Osmani, “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)”, 1997, 2009, 2012, 2016, USH, Shkodër.

31. Sheremet Krasniqi, “Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918)”, Prishtinë, “Rozafa”, 2004.

(Shkëputur nga libri im “Gjuha, gjuhëtarët dhe shkrimtarët”, Instituti Albanologjik, 2017. f. 13-34)

Filed Under: LETERSI

Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën

September 19, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka momente kur njeriu e ndien se e vërteta nuk është më e sigurt. Kur fjalët rrëshqasin në sheshin publik, kur gënjeshtra vesh petkun e së vërtetës dhe e vërteta ngatërrohet me trillimin, atëherë lind frika më e thellë: humbja e aftësisë për të gjykuar. Këtë ankth të kohëve moderne e kishte vërejtur qysh në mesin e shekullit XX filozofja gjermane Hannah Arendt, e cila e bëri thelbin e veprës së saj një thirrje për të mbrojtur mendimin e lirë nga shkatërrimi i gënjeshtrës së organizuar.

Në librin e saj monumental “Origjinat e Totalitarizmit”, Arendt nuk i sheh diktaturat e shekullit të kaluar si sisteme që kërkonin t’i bindnin njerëzit me ideologji të forta. Përkundrazi, ajo paralajmëronte: “Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur apo komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, nuk ekziston më.”

Ky është thelbi i edukimit totalitar: jo të ngulë bindje, por të shkatërrojë vetë aftësinë për t’i formuar ato. Një popull që nuk beson më në asgjë bëhet i pambrojtur, i dorëzuar, i gatshëm të pranojë gjithçka. Arendt shkruante:

“Kjo gënjeshtër e vazhdueshme nuk synon ta bëjë popullin të besojë një gënjeshtër, por të sigurojë që askush të mos besojë më asgjë. Një popull që nuk është më në gjendje të dallojë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, nuk është në gjendje të dallojë as midis së drejtës dhe së gabuarës. Dhe një popull i tillë, i privuar nga fuqia për të menduar dhe gjykuar, pa e ditur dhe pa e dashur, i nënshtrohet plotësisht sundimit të gënjeshtrave.

Me një popull të tillë, mund të bësh çfarë të duash.”

Ky reflektim, i shkruar në vitet e pasluftës, sot duket më aktual se kurrë. Në një botë ku lajmet e rreme, propaganda, mashtrimet politike dhe manipulimi i opinionit publik qarkullojnë me shpejtësinë e algoritmeve, rreziku që vizatoi Arendt është bërë pjesë e realitetit të përditshëm.

Kur e vërteta shndërrohet në një lojë pasqyrash dhe asgjë nuk merret më si e sigurt, atëherë edhe gjykimi moral venitet. Shoqëria humb busullën, individi humb dinjitetin, dhe hapet rruga që forcat më të errëta të historisë të rikthejnë pushtetin e tyre. Arendt na kujton se liria nuk qëndron vetëm në zgjedhjet politike apo në fjalën e lirë, por mbi të gjitha në fuqinë për të menduar, për të gjykuar dhe për të mbajtur gjallë të vërtetën. Nëse kjo fuqi shuhet, shoqëria shndërrohet në turmë të manipulueshme, dhe atëherë, me të vërtetë, mund të bëhet “çfarë të duash”.

Në kohën tonë të paqartësive, mbrojtja e së vërtetës është forma më e lartë e rezistencës. Sepse kush mbron të vërtetën, mbron njeriun.

Filed Under: LETERSI

Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, “Bardha e Temalit”

September 17, 2025 by s p

Albert Vataj/

Romani “Bardha e Temalit” i Pashko Vasës, është një vepër e rrallë dhe e rëndësishme në letërsinë shqiptare, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për rolin e saj në afirmimin e identitetit kulturor shqiptar në Europë.

Pashko Vasa (Albanus Albano) e shkroi romanin në gjuhën frënge, me titullin “Bardha de Témal”, Scènes de la vie albanaise, botuar në Paris më 1890 nga shtëpia botuese Albert Savine. Vepra u shkrua në një kohë kur Europa kishte interes për “eksotikën” e Ballkanit, dhe Vasa Pash Shkodrani e përdori këtë dritare për të prezantuar zakonet, ndjenjat dhe sfidat e shqiptarëve. Romani përshkruan një histori dashurie tragjike mes Bardhës, një vajze qytetare nga Shkodra, dhe Lulit, një bajraktar nga Temali.

Konflikti lind nga përplasja e zakoneve malësore me ndjenjat e individit, ku Bardha shihet si “e huaj” dhe “e padenjë” nga gratë e malit, për shkak të prejardhjes dhe sjelljes së saj. Në romanin “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa, nën pseudonimin Albanus Albano, ndërton një tablo të pasur dhe dramatike të jetës shqiptare, ku përplasja mes qytetërimit dhe malësisë, ndjenjës dhe zakonit, individit dhe kolektivit, merr trajtën e një tragjedie. Fragmenti që përshkruan kthimin e Bardhës në shtëpinë e prindërve të saj është një skenë e ngarkuar me tension kulturor dhe simbolikë të thellë, por trajtimi që i bëhet meriton një vështrim kritik që shkon përtej sipërfaqes së spektaklit.

Figura e Bardhës, Viktimë apo heroinë?

Vetëm mund të magjinohet dhe të përfytyrohet dinamika e një skene të tillë, të dalë nga mjeshtëria dhe thellësia e penës së Pashko Vasës. Bardha përshkruhet si një “fëmijë e gjorë”, e heshtur, e mbuluar me vellon e bardhë, që kalëron mes një kortezhi të zhurmshëm burrash malësorë. Ajo nuk flet, nuk kundërshton, nuk shpreh ndjenjë, ajo është një trup “i pajetë”, një simbol i sakrificës, një viktimë e një martese që nuk e zgjodhi, por e pranoi. Në këtë trajtim, Bardha nuk është subjekt i historisë, por objekt i saj.

Ajo bart peshën e paragjykimeve dhe dhunës simbolike që shoqëria i rezervon gruas së ndryshme, një peshë e rëndë që sfidon gjet e ndjenjave dhe përjetimeve, vullnetin e atyre që duan të shikojnë veten jashtë këtij qerthulli, por ata munden thjeshtë të binden, duke përmbushur me pamëshirë këtë vullnet tragjik që ushtron sipas ligjeve dhe kodeve të saja, të udhëtuar në kohë dhe në pamundësi për të ndryshuar.

Ky përshkrim, ndonëse i fuqishëm vizualisht, e redukton Bardhën në një figurë pasive, duke e zhveshur nga potenciali i saj për të qenë një zë kritik ndaj zakoneve patriarkale. Në vend që të jetë një heroinë që sfidon normat, ajo kthehet në një emblemë të dhimbjes, të përçmimit dhe të heshtjes. Asaj i mbetet thjeshtë të bindet, sepse ligjësia mbi të cilën ata kanë ndërtuar dhe diferencuar jetët dhe përkatësisë e tyre, është shumë më e fortë se çdo kurajë për t’iu kundërvënë, se çdo pasion që thirret në këtë skenë për të shpallur për të hyrë në një betejë humbëse.

Malësorët, mes stereotipit dhe krenarisë

Malësorët përshkruhen si “gjysmë të egër”, të paaftë për delikatesë, të motivuar vetëm nga krenaria e klanit dhe dëshira për të shfaqur forcën. Ky trajtim, ndonëse i zakonshëm në letërsinë e shekullit XIX, bie në një stereotipizim që e redukton kompleksitetin e kulturës malësore në një karikaturë të burrërisë së verbër që sfidon ligjet e humanitetit, për të përfaqësuar ashpërsinë e kodeve zakonore dhe normës që u gatua në egërsinë e atyre maleve, pa mundur do të zbusi njeriu edhe në përballje me një nga ndjenjat më të fuqishme dhe më transformuese, dashurisë.

Në vend që të paraqiten si bartës të një tradite të pasur dhe të ndërlikuar, ata shfaqen si spektatorë të një rituali që nuk kuptojnë, por e kryejnë për të ruajtur statusin. Nuk ka altërnativë. Ka vetëm evidentim kokëfortë i një pandryshueshmërie që përdor njerëzit, duke i shndërruar ata në aktorë në një tragjikomedie.

Kortezhi i tyre nuk është akt nderimi, por demonstrim force. Ata nuk e përcjellin Bardhën për respekt, por për të kënaqur krenarinë e bajraktarit. Në këtë mënyrë, spektakli i burrërisë mbulon vuajtjen e individit, duke e kthyer ceremoninë në një paradë të dhunës simbolike, në një spëktakël të pamëshirshëm, ku figurat lëvizin në këtë skenë të ftohtë si hije të zeza që dali nga thellësia e kohës.

Narrativa, mes etnografisë dhe introspeksionit

Trajtimi i skenës është i pasur me detaje etnografike: veshjet, ritualet, reagimet e turmës, përshkrimi i rrugëve të Shkodrës. Por ajo që mungon është introspeksioni. Nuk ka përshkrim të ndjenjave të Bardhës, të mendimeve të saj, të dilemave të saj. Ajo nuk është një personazh, por një pamje. Kjo e bën skenën të fuqishme vizualisht, por të varfër emocionalisht. Ajo është një vdekur, së cilës i duhet të luaj rolin e një të gjalle që është zgjuar nga vdekja për të përmbushur brutalitetin e një kodike zakonore që sundon, njeriun si qënie dhe shoqërinë si produkt i ngurtë i një realiteti që zhvendos gjithçka, pa qasjen për t’iu nënshtruar një transformimi.

Në vend që të eksplorojë dramën e brendshme të gruas që përplaset mes dy botëve, trajtimi mbetet në sipërfaqen e spektaklit, në një skenë teatri absurd. Kjo është një mungesë që e dobëson potencialin kritik të romanit, duke e kthyer në një tablo më shumë për syrin sesa për zemrën, e pse jo, krejt një pasqyrim thelbësor i një fanatizmi që përdor njerëzit dhe kohën e bën të pafuqishme për të sjellë ndryshim.

Bardha si thirrje për ndryshim

Megjithatë, nëse lexojmë përtej fjalëve, Bardha mund të shihet si një figurë që denoncon heshturazi dhunën e zakoneve. Kuptimi i themeltë i pasqyrimit të Pashko Vasës është jo vetëm vizatimi me besnikëri që ai i bë një realiteti, por edhe nevojës që vetë ky realitet thërret për ndryshim. Velloja e bardhë, heshtja, sytë e ulur, janë shenja të një proteste të heshtur, të një refuzimi që nuk ka zë, por ka peshë, elemente të cilat kanë ardhur deri në ditët tona si tregues të një solemniteti, me të cilin tradita zakonore e vesh këtë ritual.

Ajo nuk kundërshton me fjalë, por me praninë e saj të ndryshme, me elegancën e saj, me ndjeshmërinë që nuk përputhet me kodin e malësisë, dhe ky është një reagim që u drejtohet atyre që duan të shohin dhe të kuptojnë përtej fasadës, të futen thellë në botën shpirtërore të personazhit dhe të zhveshin lëkurën, me të cilën realiteti mbështillet për të qenë jo vetëm e përfaqësuar, por edhe e mbrojtur. Në një farë mënyre një korace të papërshkrueshme, që duhen vullnete të fuqishme përjetimi që të munda ta çajnë atë, për ta shpërbërë dhe për t’ia shpërfaqur botës me lakuriqsinë e vet, vërtetësisht dhe ngutësisht të prirur për ballafaqim dhe ndryshim.

Në këtë kuptim, trajtimi i Albanus Albanos (Pashko Vasës) është i ndershëm në pasqyrimin e realitetit, por i njëanshëm në interpretimin e tij. Ai e ekspozon dhunën e zakoneve, por nuk e artikulon mjaftueshëm dramën e individit si zë kritik. Bardha mbetet një figurë e heshtur, kur mund të ishte një zë që sfidon.

Dinamika e zhvillimit kulmor

“Luli, bajraktar i fisit Temal, ishte i ri, trim, i flaktë; e donte të bukurën, të madhen dhe mbi të gjitha të renë. Në pamundësi, për mungesë edukimi dhe mjetesh, për të kryer veprime brilante, apo për t’u përfshirë si të parët e tij, në luftime të përgjakshme me fiset fqinje, ai donte të tërhiqte vëmendjen e publikut me një shtysë të paparë në traditat e tij familjare. Ai, burri i malit, kërkoi dhe mori dorën e një vajze të re nga Shkodra, duke u larguar përmes këtij ekscentriciteti nga zakonet e burrave të fisit të tij, të cilët i vlerësojnë gratë vetëm për forcën e tyre fizike, guximin e tyre dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jep të shoqit dhe që, për rrjedhojë, nuk urrejnë asgjë sa aleancat me vajzat e fushës, të cilat i konsiderojnë si krijesa të dobëta dhe të padenja për t’u quajtur nëna nga djemtë e malit.

Duke celebruar këtë martesë, Luli kishte marrë damkën e klanit të tij; e kishin kundërshtuar, madje ishin indinjuar nga fakti që trashëgimtari i krerëve të Temalit, nëpërmjet aleancës së tij me banorët e qytetit, kishte hequr dorë nga avantazhet e një bashkimi më të përshtatshëm me vajzën e një kryemalësori (bajraktari tjetër). Pra, Bardha e gjorë konsiderohej vetëm një “spiune”; fustanet e saj të qëndisura me ar, perlat dhe veshja e saj elegante i bënin gratë e maleve të llafazanonin, të tronditura nga luksi që ajo shfaqte…

Pavarësisht largësisë që Bardha frymëzoi në to, Temalistët, pasi mësuan se ajo duhej të shkonte te prindërit e saj, nxituan të zgjidhnin një grup prej njëqind burrash, midis malësorëve më të guximshëm, të armatosur mirë, të mësuar mirë, për të shërbyer si përcjellës i saj.

Nuk ishte me qëllim që ta kënaqnin atë që ata kishin qenë kaq të vëmendshëm, sepse kjo procedurë delikate nuk ishte në harmoni me natyrën e këtyre burrave gjysmë të egër; aparati ushtarak që ata donin të vendosnin me këtë rast ishte vetëm për shkak të dëshirës për të shfaqur fuqinë e udhëheqësit të tyre, duke kënaqur krenarinë e tyre. Bardha hipi mbi një kalë të bardhë të zbukuar plot me luks oriental; dy gra e ndiqnin me mushka. Përpara saj ecnin rreth njëzet të rinj; pjesa tjetër e kortezhit e ndiqte. Gjatë udhëtimit, gjithçka që bënë ishte të këndonin, të bërtisnin dhe të qëllonin; herë pas here ndalonin për të pushuar pak e për të pirë për shëndetin e bajraktarit. Sa për gruan, nuk bëhej fjalë për këtë. Me të mbërritur pranë rrugicës që të çonte në fshat, malësorët ndezën një zjarr në radhë, të cilit iu përgjigjën disa të shtëna pistolete, të qëlluara nga kureshtarët, të cilët, të përzier me gratë, prisnin që Bardha të kalonte.

Kortezhi ndoqi itinerarin e tij nëpër rrugët e qytetit, mes këngëve dhe krismave të pushkëve të malësorëve, mes urimeve të zhurmshme që gratë i drejtonin nuses së re dhe komenteve të larmishme të shkodranëve, vështrimet intriguese të të cilëve drejtoheshin nga dritaret e mbushura me gra të mbuluara që kishin lënë punët e shtëpisë për të parë këtë spektakël të pazakontë.

Teksa kortezhi i afrohej shtëpisë së babait të Bardhës, numri i kureshtarëve shtohej. Për banorët e Shkodrës ishte një ardhje thuajse e paprecedentë; sepse një vajzë e re e qytetit nuk ishte martuar kurrë me një malësor; kurrë nuk kishte ecur një grua në rrugë e ndjekur nga një procesion kaq i zhurmshëm dhe madhështor. Kudo turma u rreshtua për të lënë Bardhën dhe shoqëruesit e saj të kalonin; kudo e përshëndetnin dhe e brohorisnin. Por fëmija e gjorë kalëronte në mes të gjithë këtyre njerëzve, me sytë e saj të zhytur dhe të mbuluar me një vello të bardhë si një viktimë e çuar në sakrificë, duke mos parë askënd dhe duke mos iu përgjigjur urimeve dhe komplimenteve që gratë i drejtonin vazhdimisht me lëvizje të lehta të kokës në formë nderimi.

Kur mbërriti para shtëpisë së babait të saj, dera e madhe u hap dhe mundësoi pamjen e një turme të afërmish të të dyja gjinive që ishin mbledhur për ta pritur e për ti uruar mirëseardhjen. U vërsulën drejt saj. Vëllai e kapi nga beli dhe e zbriti nga kali, duke bërtitur nga gëzimi dhe duke e mirëpritur. Mezi vuri këmbën në tokë, kur e gjeti veten në krahët e nënës së saj, dhe, në këtë përqafim, nënë e bijë i thanë njëra-tjetrës më shumë gjëra nga sa mund të shkruanim brenda një dite.”

Në përvjetorin e 200-të të lindjes së Pashko Vasës, ky roman na fton të reflektojmë jo vetëm mbi historinë, por mbi mënyrën si e tregojmë atë, e pse jo, se si u lexua dhe u kuptua, se si kërkoi vendin e vet të trajtimit dhe se si kaloi pa mundur të shërbejë si një akt revulucionar, ku ndjenja do të udhëprinte individin dhe vetë individi do të bënte normë të shoqërisë.

“Bardha e Temalit” nuk është thjesht një histori dashurie e pamundur, por një thirrje për të parë gruan shqiptare jo si viktimë të zakoneve, por si zë të ndryshimit. Dhe ky zë, edhe kur është i heshtur, ka fuqinë të tronditë themelet e traditës.

Filed Under: LETERSI

MITRUSH KUTELI…SHQIPËRIA SI S’KA FUQI TA KUJTOJË SOT?

September 14, 2025 by s p

– një jetë e dhënë, një jetë e marë –

Sot është ditëlindja e tij… a u përkujtua? A pati homazhe, konferenca, botime?…

Po kur do ta rilindë atdheu atë si shpirt dhe si talent të madh?

SHKRIMTARI

– një ese e vogël –

Ai erdhi në letërsinë shqipe si një gurrë e freskët, me prozën që rridhte e begatë që nga lashtësitë ilirike me këngët e popullit, me poezinë aq të dhimbshme e ëndërrimtare, krenare si me Poemin Kosovar…

Kuteli shkruan shqip, ka zë shqip, mendon shqip…

Po ai ishte dhe përkthyes brilant i mjeshtërve të letrave të botës, që i solli në gjuhën tonë si të ishin tanët.

Tjetër. Kuteli – si askush tjetër – punoi dhe me librat e Lasgushit dhe të Nolit, ai u bë arkitekti dhe përkudesësi i tyre me dashuri, – thesare të pavdekshme në letrat shqipe.

Punoi për të tjerët, për kulturën, për gjuhën, më shumë se sa për veten.

EKONOMISTI

– hero –

…ndërkohë ai ishte dhe ekonomist i shquar, teoricien dhe drejtues, e mbrojti floririn e Shtetit Shqiptar në Bankën Kombëtare nga kthetrat e nazistëve, nuk pranoi monedhën e luftës gjatë pushtimit, etj, etj. Një akt madhështor, që gjermanët donin ta

kapnik, ta ndëshkonin… por e bëri shteti i pasluftës, e burgosën shqiptarët vetë. Kam shkruar për burgun tij, për dramën e pabesueshme të vuajtjes… dhe më pas u përndoq e u komplotua vepra me harrim…

Kuteli mbetet kështu një martir i paradoksit shqiptar, ruajti thesare të kombit: gjuhën e popullit dhe floririn e shtetit shqiptar, teksa vetë u shua në varfëri dhe heshtje.

Po lexoj ditarin e tij… sa njerëzor, sa qyetar, sa i ndjeshëm, sintetik dhe sa stilist…

Sot është shumë e më shumë se një datëlindje. Është dhe një qortim dhimbjeje se si Shqipëria di të shkelë mbi ata që i japin dritë dhe zë…

KUTELI ME KOLIQIN

DHE KONICËN NË BALLË

Mitrush Kutelit është shkrimtar i rëndësishëm, themeltar, ai nga Jugu dhe me Ernest Koliqin nga Veriu, themeluan prozën moderne shqiptare, me Konicën avangardë, ndërkohë dhe themelues i mendimit kritik dhe estetik shqiptar në nivel europian, etj, etj, ndërsa fitimtarët e Luftës II Botërore, që vendosën diktaturën me të keqe se të atyre që u mundën, nazifashistëve, do t’i përndiqnin, Koliqin e dënuan me vdekje, por ai emigroi në Itali, në Europë, ndërsa Kutelin e burgosën dhe donin që të vdiste sa më shpejt, ai dhe vepra, Konicën, që s’jetonte më, e lanë në harresë vrastare, “të mërguar dhe të vdekur”.

Çuditërisht kritika e Realizmit Socialist, shkrimtarë të saj, shkruanin keq për tre K-të, kolegë të tyre, jo vetëm ideologjikisht madje dhe me cinizëm dhe përçmim, ku u shihej dhe zilia, ndërkaq ndodhte të përvetësonin nga veprat e tyre, subjekte dhe ide, personazhe dhe gjuhë deri edhe vjedhje dhe krijuan një lexues militant të ngushtë të tyre, mediokër në shije dhe lolo në mendim…

Por le të kujtojme Kutelin dhe pak:

CICËRIMA DHE KAMBANË

dëgjoj në veprën e Kutelit.

Ja disa rreshta të tij, zogj dhe tempuj:

– Kam mall të fluturoj si një zog i lirë mbi fushat e vendit tim.

– Shqipëria është një përrallë e dhimbshme, që duhet rrëfyer gjithnjë e përsëri.

– Unë jam poet i fshatit tim, i dhimbjes dhe i gëzimit të tij.

– Letërsia është dritë: kush ia fik dritën një shkrimtari, ia fik kombit.

– Jeta ime është një shkrim i grisur nga duar të huaja, por gërmat e saj ende ndriçojnë.

Dhe testamenti,

letra që u la fëmijëve:

– …ta duan vendin dhe gjuhën tonë deri në vuajtje!

– ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE DHE ATËHERE KUR TË VRET.

Ah, ka dhe një Shqipëri tjetër, të tij…! Ndërkaq në qytetin e lindjes, në Pogradec tashmë ngrihet shtatorja në bronz e Mitrush Kurelit, përballë me poetin dhe mikun e tij, bashkëqytetarin, Lasgush Poradeci, parnasian ynë. Bashkë. Aty shtohen lulet dhe adhuruesit. Dhe them:

ATDHE, DUAJI BIJTË E TU

DHE KUR I KE VRARË…

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

Rrëfimet…

September 11, 2025 by s p

Agim Baçi/

“Dy janë këshilltarët e Njeriut- Libri që flet dhe Vdekja që hesht”, thuhet në një nga shprehjet e shenjta. Të dy këto këshilltarë nuk mund të rrinin më fort pranë njëri-tjetrit se sa te përshkrimi i vitit të mbrapshtë, 1997, kur askush nuk ishte armiku deri sa në mënyrë të beftë ngjaje ti vetë me të…Odise Kote, Enkel Demi dhe Ahmet Prençi rrëfejnë të tre në një fill, për t’iu përgjigjur pyetjes- Çfarë na ruan dhe mban në një çmenduri ku befas bëhesh armik, i panjohur, kundërshtar me atë që ke fqinj, bashkëfshatar, apo edhe koleg?

Edhe pse të tre të ndryshëm në stilin e rrëfimit, në qasjen e asaj që e humbëm në marrëzi, të tre autorët hapin një dritare të fortë – edhe pse një dritare e zezë-, por që gjithsesi duhet ta shohim pa e fshehur se ishim ne në atë hapësirë, pjesa jonë më e madhe e shoqërisë, e politikës, e institucioneve, e qytetarëve, pa e fshehur që ishim ne autorë dhe konsumatorë të çmendurisë sonë.

Rrëfimi të “Agonia” e Odise Kotes nis me gjurmimin e një legjende, pa besuar se mbijetesa është një legjendë e përhershme në çdo kaos. Ashtu siç nevoja për zbulimin e një ushtari amerikan të humbur pranë Gramshit në Luftën e Dytë Botërore, me të cilën nis rrëfimi i romanit “I rënë nga qielli” i Tom Kukës sjell fuqinë e vdekjes edhe atëherë kur ajo duket më e thjeshta, më e afërta, si në ditët e çmendura të Marsit 1997, ku fshati apo qyteti përbri ishte më larg se çdo vend i botës.. Për të ardhur në rrëfimet e drejtëpërdrejta të Ahmet Premçit “në emër të gjakut”, rrëfime si në një sallë kirurgjie, madje pa asnjë “narkozë mes fjalësh”, por thjesht ashtu në asht, drejt e në thelbin e çmendurisë sonë.

“Robi e zotëron kafshën, por kurrë nuk mëson prej saj”, shkruan Tom Kuka që në fillim të rrëfimit, një rrëfim që ka një refren të vetëm “Vend i çuditshëm Shqipëria”, duke vënë gishtin në marrëzinë që krijojmë me duart tona, duke shembur gjithçka, a thua se është e “të huajit”, e atij që do të na vërë duart në fyt. Krijimi i rrëfimeve paralele, mes kaosit në rrugë dhe këmbënguljes për të gjetur të vdekurin e një kohe të shkuar, ngjan si një paradoks përballë vdekjes që ka pushtuar rrugët e rrugicat. E nëse një nga personazhet e romanit të Kukës është i pushtuar nga një ëndërr që vijon ta ketë frikë që nga koha e luftës, ku e shkuara vijon të jetë po aq e fortë sa e tashmja, për Poshin e Humbëtirës gjithçka është “veç një plumb më shumë” gjersa ata, më të pamenduarit, ja plotësojnë fjalëkryqin e ditëve me fjalën “vdekje”. Dhe paradoksi i vetëm mbetet vetëm një- kur harron fuqinë e vdekjes, është gati e pamundur të shijosh ngjyrat e jetës. Dhe trekëndëshi Zeka- Hetemi-Poshi janë trekëndëshi ku plotësohet ky fjalëkryq pikëpyetjesh mbi atë që nuk e humbim dot edhe kur na janë zënë sytë nga e tashmja e çmendur.

Ndërkohë që te “Agonia”, ajo që nis me Shkëmbin e Nuses dhe legjendën e ngrirjes së krushqve, përballet më pas me ngrirjen e logjikës dhe vërshimin e kaosit, ku fëmijë e të rritur kanë veçse një zbavitje- të gjuajnë me plumba pa llogaritur se jetën e kujt mbyllin ashtu, në kotësi. Në rrëfimin “Agonia”, Kote është futur nën lëkurën e ish gazetarit, personazhit Bojken Kostani, dhe rrëfen jo vetëm marrojsen shoqërore, por edhe kotësinë e institucioneve, të cilat bien si të jenë piramida prej letre që mund t’i marrë era më e lehtë që fryn. E megjithatë, në mes të çmendurisë, ajo që mbijeton është dashuria, ku gjermania Keti Braumfisher vjen në Shqipërinë e kaosit për Bojkenin, duke lënë një gisht e një unazë, si një peng i legjendës për të cilën nisën uhdëtimin e parë.

Ndërsa në tregimet dhe novelat e Ahmet Prençit, në përmbledhjen “Në emër të gjakut”, kemi të bëjmë më paralajmërmimin e vetë autorit, se do ndeshemi “me një ulërimë të shuar në letër”. Nuk e ka shkruar menjëherë pasi ka kaluar “marrëzia 1997”, por duket se nuk mund ta mbante përgjithmonë brenda vetes atë përballje të tijën me “me atë që vjen nga gjaku”. E mes gjithë zallamahisë, në “Pallatin presidencial që nuk ra”, është një pyetje e një 18-vjeçari, më i riu ndër ata që po qëndron, i cili i drejtohet komandantit, Vulllnetit- “Komandant… nëse vdesim… a do e marrë vesh njeri?”. Një pyetje që i thotë thuajse të gjitha, jo thjesht nga e pakuptueshmja që po ndodh, por nga fuqia për të ditur kuptimin e vdekjes, për të ditur “pse-të e marrëzisë”. Madje, edhe më drejtëpërdrejtë janë sytë e Lorit, qenit besnik që kish mbrojtur një fëmijë nga ujku, që pyesin në tregimin me të njëjtin titull “Pse më vrave?”…

…Ne ja ngulëm për disa kohë sytë humnerës, pa i besuar asaj që porosit Niçe, që nëse ndodh për një kohë të gjatë, edhe humnera na i ngul sytë ne. Të tre autorët kanë mundur të sjellin në mënyra të ndryshme një të përbashkët- sado e lehtë të duket vdekja, ajo ka peshën e fortë të të pakrahasueshmes, dhe flet përmes të tjerëve, duke qenë një peshë e papërballueshme. Dhe letërsia do jetë ajo që do e risjellë fuqinë e marrëzisë për të kuptuar.. Jetën.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT