• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Migjeni si profeti i errët i Shqipërisë që guxoi të tregojë plagët e fshehura të kohës

May 8, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XX, rrallëherë një vepër poetike ka hyrë në ndërgjegjen kombëtare me aq tronditje sa Poema e Mjerimit e Migjenit. Sepse ajo nuk ishte thjesht një poezi sociale, as vetëm një protestë kundër varfërisë. Ishte një akt akuze ndaj një bote të tërë morale, politike dhe shpirtërore që në Shqipërinë e viteve ’30 –të ishte e kalbur nga brenda, ndërsa nga jashtë përpiqej të ruante pamjen e një shteti që ecte drejt qytetërimit. Në këtë kuptim, “Poema e Mjerimit” mbetet ndoshta dokumenti më i errët dhe më i vërtetë i ndërgjegjes shqiptare para katastrofave historike që do të pasonin më vonë.

Nëse do të përpiqeshim ta lexonim Shqipërinë e viteve ’30-të vetëm nga kronikat zyrtare të kohës, do të gjenim aty fjalë për modernizim, reforma dhe administratë, përpjekje shtetformuese, rrugë, ushtri dhe institucione. Por nën atë fasadë të brishtë shtetërore ekzistonte një realitet krejt tjetër, një Shqipëri e baltës, e urisë, e sëmundjeve, e analfabetizmit dhe e dëshpërimit kolektiv. Pikërisht aty hyn Migjeni, jo si poet që sodit nga larg, por si dëshmitar i përfshirë brenda tragjedisë. Ai nuk e romantizon skamjen siç kishte bërë shpesh letërsia folklorike ballkanike. Përkundrazi, ai e zhvesh atë nga çdo aureolë dhe e paraqet si një forcë çnjerëzore që deformon trupin, moralin, dashurinë, fenë dhe vetë jetën.

Që në vargjet e para, poeti e kthen mjerimin në një objekt fizik, pothuaj biologjik: “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”. Kjo metaforë është ndër më të fuqishmet në gjithë poezinë shqipe, sepse mjerimi nuk paraqitet si ide abstrakte, por si diçka që të mbetet në fyt, që të bllokon frymëmarrjen dhe të shndërrohet në ankth ekzistence. Shqipëria e viteve ’30 ishte ende një shoqëri rurale, me ekonomi primitive, ku një pjesë e madhe e popullsisë jetonte në kufijtë e mbijetesës. Në këtë kuptim, Migjeni nuk shpiku një realitet,por ai vetëm ia hoqi perden.

Por ajo që e bën poemën të jashtëzakonshme nuk është vetëm përshkrimi i varfërisë materiale. Tragjedia e vërtetë fillon aty ku mjerimi bëhet sistem moral. Në poemë, uria nuk është vetëm mungesë buke por ajo prodhon deformim njerëzor. Fëmijët lindin në errësirë, gratë mallkojnë foshnjat e tyre, dashuria reduktohet në instinkt shtazor, ndërsa njeriu humbet çdo mundësi dinjiteti. Migjeni duket sikur kërkon të thotë se skamja nuk vret vetëm trupin, por edhe shpirtin e shoqërisë.

Në këtë aspekt, poema merr dimensione pothuaj biblike. Shqipëria e Migjenit është një tokë e mallkuar ku njerëzit nuk jetojnë, por zvarriten drejt fundit. Vargjet: “Foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon, / e ama s’e don, por vetëm mallkon”, janë ndër më tronditëset në letërsinë shqiptare, sepse aty rrëzohet instinkti më i shenjtë njerëzor: amësia. Kur një shoqëri arrin deri në atë pikë sa nëna mallkon frytin e vet, atëherë nuk kemi më vetëm krizë ekonomike, por krizë qytetërimi.

Në Shqipërinë e viteve ’30-të kjo ndjesi dëshpërimi kishte marrë përmasa kolektive. Elitat politike flisnin për rend dhe stabilitet, por populli jetonte nën peshën e një feudalizmi të vonuar, të një shteti të dobët dhe të një moderniteti të cunguar. Migjeni e kuptonte se mjerimi nuk ishte rastësi, por produkt historik. Prandaj ai nuk kërkon lëmoshë. Në vargjet më revolucionare të poemës ai shpall: “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!”. Kjo fjali tingëllonte si blasfemi në një shoqëri ku bamirësia dhe mëshira paraqiteshin si virtyte morale të elitave. Poeti e përmbys gjithë këtë moral fals dhe e denoncon mëshirën si “bijë bastardhe e etënve dinakë”.

Këtu shfaqet një nga dimensionet më moderne të Migjenit. Ai nuk e trajton varfërinë si fat hyjnor, por si padrejtësi shoqërore. Në këtë kuptim, poema kishte një ndikim të madh tek rinia intelektuale e kohës, sepse ajo për herë të parë e detyronte shoqërinë shqiptare të shihte fytyrën e vet pa zbukurime patriotike. Deri atëherë, letërsia shqiptare kishte qenë e lidhur fort me idealet kombëtare, me heroin, me sakrificën për atdheun dhe me romantizmin e mbijetesës kombëtare. Migjeni solli një përmbysje dramatike: ai vendosi në qendër jo heroin, por lypsin; jo flamurin, por barkun bosh; jo himnin, por klithmën.

Kjo ishte arsyeja pse “Poema e Mjerimit” u ndje si tronditje morale. Në një Shqipëri ku ende dominonte mentaliteti patriarkal dhe retorika optimiste e shtetit të ri, Migjeni sillte pamje pothuaj ekspresioniste të ferrit urban dhe rural. Ai përshkruan pijetoret e qelbta, trupat e prostituuar, fëmijët e uritur, njerëzit që bien “si gruni nga drapni”.

E gjithë poema duket si një procesion fantazmash që lëvizin nën hijen e kryqeve dhe minareve. Edhe feja në këtë univers nuk sjell shpëtim. Përkundrazi, poeti ndien “tradhti” kur sheh “kryqat e minaret e ngurta” mbi turmat e uritura. Kjo ishte një akuzë e heshtur ndaj institucioneve morale që kishin humbur kontaktin me vuajtjen reale njerëzore.

Në stilin e tij, Migjeni i afrohet herë pas here një vizioni që të kujton letërsinë e errët europiane të fillimit të shekullit XX. Ai nuk ka më besim tek harmonitë romantike. Bota e tij është e thyer, nervoze, me ritëm të copëzuar dhe me figura të ashpra. Në këtë aspekt, ai ishte ndoshta shkrimtari i parë shqiptar modern në kuptimin e plotë të fjalës. Ai e kuptonte se shoqëria shqiptare nuk mund të hynte në modernitet duke fshehur plagët e saj nën folklor dhe retorikë kombëtare.

Ndikimi i poemës në shoqërinë shqiptare të viteve ’30-të ishte i veçantë sepse ajo artikulonte një ndjenjë që shumë njerëz e jetonin, por nuk mund ta shprehnin. Populli shqiptar i asaj kohe jetonte mes shpresës dhe zhgënjimit. Pavarësia kishte ardhur, por mirëqenia jo. Shteti ekzistonte, por drejtësia mungonte. Elitat flisnin për qytetërim, ndërsa shumica e njerëzve vazhdonin të jetonin në kushte mesjetare. Në këtë boshllëk të madh moral, zëri i Migjenit tingëlloi si kambanë alarmi.

Por paradoksi tragjik është se vetë shoqëria shqiptare nuk ishte ende gati për ta përballuar plotësisht atë zë. Një pjesë e elitës e pa Migjenin si nihilist, si poet të errësirës dhe dëshpërimit. Në të vërtetë, ai nuk ishte poet i dëshpërimit, por i së vërtetës. Ai nuk shpikte ferrin; ai vetëm e tregonte. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye poema mbeti e pavdekshme. Sepse varfëria që përshkruan Migjeni nuk është vetëm ekonomike; ajo është metaforë e çdo shoqërie që humbet ndjeshmërinë njerëzore.

“Poema e Mjerimit” mbetet jo vetëm një monument letrar, por edhe një akt ndërgjegjeje historike. Ajo është pasqyra më e pamëshirshme që letërsia shqiptare i ka vendosur ndonjëherë përballë vetes. Dhe kur lexon vargjet e fundit: “Mjerimi asht një njollë e pashlyeme / n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj”, kupton se Migjeni nuk po fliste vetëm për Shqipërinë e viteve ’30 të . Ai po fliste për fatin e njeriut në çdo kohë kur drejtësia mungon dhe kur shoqëria mësohet të bashkëjetojë me vuajtjen sikur ajo të ishte diçka normale.

Në të vërtetë, ajo që e bën Poemën e Mjerimit kaq të frikshme për kohën e saj nuk është vetëm varfëria që përshkruan, por mënyra se si mjerimi shfaqet si një epidemi që infekton gjithçka: familjen, moralin, besimin, dashurinë dhe vetë idenë e së ardhmes. Tek Migjeni nuk ekziston më koncepti romantik i popullit heroik që duron me dinjitet. Përkundrazi, populli i tij është një turmë e lodhur, e përkulur, e rraskapitur nga uria dhe nga pesha e historisë. Ai nuk idealizon askënd. Madje as viktimën.

Në këtë aspekt, Migjeni duket sikur e sheh Shqipërinë si një qytet të madh lindor mbi të cilin ka rënë një mjegull e zezë shekujsh. Njerëzit jetojnë pranë njëri-tjetrit, por nuk komunikojnë më si qenie njerëzore. Ata shtyhen nga instinkti i mbijetesës. Prandaj poeti përdor një gjuhë të ashpër, pothuaj brutale, kur përshkruan marrëdhëniet njerëzore në skamje:

“kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,

kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta”

Këtu dashuria nuk është më ndjenjë shpirtërore, por një shpërthim biologjik në errësirën e mjerimit. Është sikur uria dhe epshi bëhen dy anë të së njëjtës tragjedi. Shqipëria e viteve ’30-të , sidomos në qytetet e varfra periferike, njihte pikërisht këtë degradim të heshtur ku njeriu, i shtyrë në kufijtë e mbijetesës, humbte gradualisht individualitetin e tij moral. Migjeni nuk e gjykon këtë rënie. Ai vetëm e ekspozon me dritë të ftohtë, si një kirurg që hap plagën pa mëshirë.

Një nga dimensionet më të dhimbshme të poemës është raporti me fëmijën. Në letërsinë tradicionale shqiptare, fëmija ishte simbol shprese, vazhdimësie dhe bekimi. Tek Migjeni, ai bëhet simbol i një fataliteti që përsëritet brez pas brezi. Vargjet:

“Dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat

që nesër do linden me na i mbushë rrugat”

janë ndër deklaratat më të rënda sociale që janë shkruar ndonjëherë në shqip. Aty lindja nuk shihet si mrekulli, por si riprodhim i mjerimit. Është një vizion pothuaj determinist, ku skamja trashëgohet si sëmundje gjaku. Në këtë kuptim, Migjeni e kupton mjerimin si strukturë historike dhe jo si aksident individual. Fëmija i varfër është i dënuar që para se të rritet.

Dhe pikërisht këtu poeti bëhet profetik. Ai kupton se një shoqëri që lë brezat e saj të rriten në uri dhe padije nuk prodhon qytetarë, por dëshpërim. Shqipëria e viteve ’30 kishte një përqindje të tmerrshme analfabetizmi, mungesë infrastrukture, epidemi dhe varfëri ekstreme në zonat rurale. Në shumë raste, shteti dukej i largët dhe pothuaj imagjinar për popullsinë e zakonshme. Migjeni e ndiente këtë boshllëk si dramë ekzistenciale kombëtare.

Madje edhe kur flet për fenë, ai nuk sulmon besimin në vetvete, por hipokrizinë e institucioneve që qëndrojnë mbi vuajtjen pa e prekur atë. Pamja e “kryqave dhe minareve të ngurta” mbi turmat e uritura krijon një kontrast tronditës. Qielli duket i mbushur me simbole shpëtimi, ndërsa toka është e mbushur me njerëz që po vdesin ngadalë. Kjo ndjenjë tradhtie shpirtërore përshkon gjithë poemën.

Në mënyrë të fshehtë, Migjeni duket sikur pyet: çfarë vlere ka qytetërimi kur njeriu humbet dinjitetin? Çfarë vlere ka morali kur një foshnjë qan nga uria pranë një muri të mykur? Çfarë vlere ka predikimi kur “nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga” një nënë mallkon jetën e saj?

Kjo është arsyeja pse “Poema e Mjerimit” nuk është vetëm poezi sociale, por metafizikë e errësirës shqiptare. Ajo zbret në fundin e ndërgjegjes kolektive dhe nxjerr prej andej frikën më të madhe të njeriut: humbjen e shpresës. Në universin migjenian, edhe drita është e sëmurë. Poeti thotë:

“Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit

dridhet posi flaka e mekun e qirit”

Kjo figurë duket sikur përmbledh gjithë Shqipërinë e asaj kohe: një dritë e dobët që dridhet në prag shuarjeje. Dhe megjithatë, paradoksi i madh i Migjenit është se vetë poezia e tij bëhet akt shprese. Sepse vetëm një shoqëri që arrin të shohë plagët e veta mund të fillojë të ndryshojë.

Prandaj ndikimi i poemës tek rinia intelektuale e viteve ’30 ishte kaq i fuqishëm. Për herë të parë letërsia shqiptare nuk kërkonte vetëm të zgjonte patriotizëm, por ndërgjegje sociale. Ajo nuk kërkonte të himnizonte kombin, por ta vinte përballë pasqyrës së vet. Dhe kjo pasqyrë ishte e tmerrshme.

Në një farë mënyre, Migjeni ishte kronikani i fundit të pafajësisë shqiptare. Pas tij nuk mund të shkruhej më me të njëjtin optimizëm romantik për popullin dhe jetën. Ai kishte hapur portën e errët të realitetit. Kishte treguar se nën flamuj, nën himne dhe nën retorikën patriotike ekzistonte një botë tjetër: bota e lypsit, e prostitutës, e fëmijës së uritur dhe e njeriut që “punon dit e natë” e prap “zorrët nga uja i bahen palë-palë”.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye Poema e Mjerimit mbetet ende sot një nga tekstet më moderne të letërsisë shqipe. Sepse ajo nuk flet vetëm për mjerimin ekonomik të viteve ’30, por për çdo shoqëri që rrezikon të mësohet me padrejtësinë dhe ta konsiderojë vuajtjen si diçka normale.

Ka në gjithë universin poetik të Migjeni një ndjesi se Shqipëria e viteve ’30 jetonte në një gjendje pezullimi historik, sikur ndodhej midis mesjetës dhe modernitetit pa arritur të hynte plotësisht në asnjërën. Kjo është arsyeja pse në “Poema e Mjerimit” përplasen vazhdimisht dy pamje: nga njëra anë kryqat, minaret, institucionet, qyteti, shteti; nga ana tjetër balta, uria, prostitucioni, sëmundja dhe pijetorja. Është sikur mbi Shqipërinë e vogël të asaj kohe të kishin rënë bashkë të gjitha epokat, pa mundur të krijonin rend. Dhe në këtë rrëmujë historike, njeriu i zakonshëm mbetej viktima më e pambrojtur.

Migjeni duket se e ndien se mjerimi nuk është vetëm pasojë e mungesës së pasurisë, por edhe e mungesës së horizontit. Njerëzit në poemën e tij nuk kanë të ardhme. Ata jetojnë brenda një rrethi të mbyllur ku skamja riprodhon vetveten. Kjo ndjesi fataliteti del fuqishëm tek figura e trashëgimisë:

“Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash

mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.”

Këtu poeti prek një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare të kohës: trashëgiminë e prapambetjes. Shqipëria nuk trashëgonte pasuri, qytetërim apo institucione të forta; ajo trashëgonte plagë, rrënoja dhe frikë. Në shumë familje, varfëria nuk ishte episod, por fat biologjik. Djali trashëgonte nga i ati jo profesionin apo mirëqenien, por barrën e mbijetesës. Kjo është arsyeja pse tek Migjeni edhe koha duket e sëmurë. E ardhmja nuk premton ndryshim, por përsëritje.

Në këtë univers të zymtë merr një kuptim të veçantë edhe figura e pijes. Alkooli në poemë nuk është ves i zakonshëm, por strehë e përkohshme kundër realitetit. Poeti shkruan:

“Tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt

kur njiqind i derdh një nga një në fyt.”

Ky është ndoshta portreti më i saktë i dëshpërimit kolektiv shqiptar të asaj kohe. Njeriu që nuk mund të ndryshojë jetën, përpiqet të mpijë vetëdijen. Pijetorja bëhet kështu një lloj ferri të vogël urban ku njerëzit nuk kërkojnë gëzim, por harresë. Dhe kjo harresë është tragjike, sepse nuk sjell çlirim; ajo vetëm e shtyn edhe pak agoninë.

Në mënyrë të habitshme, Migjeni arrin ta kthejë edhe trupin njerëzor në dokument social. Trupat në poemën e tij janë të zbehtë, të verdhë, të lodhur, të deformuar nga uria dhe puna. Në letërsinë tradicionale shqiptare trupi shpesh paraqitej heroik, krenar, i fortë. Tek Migjeni ai është trup i mundur. Kjo vihet re sidomos tek vargjet:

“Mjerimi punon, punon dit e natë

tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë”

Këtu puna nuk paraqitet si virtyt romantik, por si formë konsumimi fizik. Njeriu nuk punon për të jetuar më mirë; ai punon vetëm për të mos vdekur. Edhe shpërblimi është poshtërues: “lekë tre-katër dhe marsh!”. Një fjali e vetme mjafton për të treguar gjithë cinizmin e rendit shoqëror të kohës.

Në thelb, Migjeni duket sikur ngre pyetjen më të rëndë që mund t’i bëhet një shoqërie: a mund të ketë moral aty ku mungon drejtësia? Kjo është arsyeja pse ai sulmon aq fort hipokrizinë e mëshirës. Ai e di se lëmosha nuk ndryshon asgjë. Ajo vetëm e zbukuron ndërgjegjen e të pasurit. Për këtë arsye vargu:

“Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!”

mbetet një nga manifestet më moderne të mendimit social shqiptar. Kjo fjali e nxjerr Migjenin nga kufijtë e poezisë sentimentale dhe e vendos në territorin e revoltës morale. Ai nuk kërkon keqardhje për të varfrit; ai kërkon ndryshim të rendit që prodhon të varfër.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe ndikimi më i madh i poemës tek shoqëria shqiptare e viteve ’30. Ajo i dha gjuhë revoltës së heshtur. Shumë njerëz jetonin në atë mjerim, por nuk kishin fjalë për ta artikuluar. Migjeni ua dha ato fjalë. Ai e bëri skamjen subjekt të letërsisë së madhe dhe, në një farë mënyre, i dha dinjitet vuajtjes duke mos e fshehur.

Por tragjedia e madhe është se vetë poeti dukej sikur e ndiente se shoqëria shqiptare nuk kishte ende forcë për ta kapërcyer atë errësirë. Në poemë mungon pothuaj krejt optimizmi. Edhe kur duket sikur po lind një shpresë, ajo shuhet menjëherë nën peshën e realitetit. Shqipëria e Migjenit është një vend ku njerëzit janë lodhur edhe nga ëndrrat.

Dhe megjithatë, pikërisht ky pesimizëm e bëri poezinë e tij kaq të vërtetë. Sepse ai nuk shkruante për të ngushëlluar, por për të zgjuar. Ai nuk kërkonte t’i jepte lexuesit iluzione, por ta detyronte të shihte atë që zakonisht fshihej pas retorikës patriotike dhe moraliste. Në këtë kuptim, Migjeni ishte pothuaj një profet i zymtë i ndërgjegjes shqiptare, një zë që paralajmëronte se një komb nuk mund të shpëtojë vetëm me mite heroike nëse harron njeriun e zakonshëm që vuan në heshtje.

Prandaj “Poema e Mjerimit” mbetet ende sot një tekst që të trondit jo vetëm si letërsi, por si dëshmi historike. Sepse aty dëgjohet jo vetëm zëri i një poeti, por zhurma e një shoqërie të tërë që po përpiqej të mbijetonte mes urisë, padrejtësisë dhe humbjes së shpresës.

Poema e Mjerimit nuk mbeti vetëm një poezi e madhe e letërsisë shqiptare, por u kthye në një gjendje shpirtërore të vetë Shqipërisë së viteve ’30. Ajo krijoi atmosferën e një kohe të mbushur me ankth, ku pas fasadës së shtetit të ri dhe retorikës së qytetërimit ndihej ende era e rëndë e urisë, e padijes dhe e dëshpërimit kolektiv. Nëpër qytetet e vogla me rrugë të baltosura, në hanet e zymta, në shtëpitë e mykura ku fëmijët rriteshin mes etheve dhe skamjes, poema e Migjenit dukej sikur nuk lexohej, por dëgjohej si jehonë e jetës së përditshme.

Ajo solli në ndërgjegjen shqiptare një frymë të re: frymën e zhveshjes së iluzioneve. Deri atëherë kombi ishte mësuar të jetonte me mitin heroik të mbijetesës, me figurën romantike të shqiptarit krenar që sfidonte historinë. Migjeni e theu këtë pasqyrë romantike dhe vendosi përballë saj fytyrën e njeriut të uritur, të prostitutës së lodhur, të fëmijës që nuk qeshte, të punëtorit që “punon dit e natë” dhe prap mbetej i mundur nga skamja. Në këtë mënyrë, ai i dha letërsisë shqiptare dimensionin tragjik të realitetit modern.

Dhe pikërisht kjo frymë e errët, e rëndë dhe therëse e bëri poemën kaq të fuqishme në atmosferën shqiptare të viteve ’30. Ajo dukej si një kambanë alarmi në një shoqëri që rrezikonte të mësohej me vuajtjen. Në vargjet e Migjenit njerëzit nuk jetojnë; ata mbijetojnë. Qielli nuk sjell shpresë; ai rëndon mbi ta si barrë. Edhe institucionet morale, kryqat e minaret, duken të ftohta dhe të largëta përballë dramës së urisë. Kjo krijonte ndjesinë se Shqipëria ndodhej në prag të një krize jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore.

Megjithatë, madhështia e Migjenit qëndron në faktin se ai nuk e pranoi heshtjen. Ai e ngriti mjerimin në rangun e një akuze historike. Dhe duke e bërë këtë, ai e detyroi shoqërinë shqiptare të shihte atë që kishte fshehur për shumë kohë nën retorikë patriotike, moral fetar dhe krenari boshe. Prandaj “Poema e Mjerimit” mbetet ende sot jo vetëm një monument poetik, por edhe një ndërgjegje e trazuar kombëtare që vazhdon të na kujtojë se asnjë shoqëri nuk mund të quhet e qytetëruar nëse pranon që njeriu të jetojë pa dinjitet.

Filed Under: LETERSI

Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare

May 7, 2026 by s p

Më 7 maj 1936 lindi Vath Koreshi, një nga personalitetet më të rëndësishëm të letërsisë dhe kinematografisë shqiptare bashkëkohore.

Ai lindi në qytetin e Lushnjës. Më pas kreu shkollën e mesme profesionale në Politeknikumin “7 Nentori” në Tiranë, dega mekanike, dhe punoi për 4-5 vjet në ekspeditat gjeologjike në Kukës. Mbas kësaj kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e gjuhës e të letërsisë dhe i përfundoi në vitin 1964.

Vath Koreshi u dallua si një nga zërat më përfaqësues të brezit të ri të prozatorëve shqiptarë të viteve ’60. Nw vitin 1964 ai botoi vëllimin me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës”, ku spikati menjëherë talenti në gjininë e prozës. Me veprat e tij ai krijoi një univers të veçantë artistik, ku ndërthuren drama njerëzore, kujtesa historike, filozofia e jetës dhe analiza e thellë psikologjike e personazheve.

Veprat më të njohura të Vath Koreshit, që kanë hyrë edhe në antologjinë e letërsisë shqipe janë romanet “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”; “Rekuiem për një grua”, “Konomea”, “Një grua me të verdha në pyllin e Budës”, si edhe romani “Ulku dhe Uilli”, një nga veprat më të vlerësuara të prozës shqipe moderne. Gjithashtu ai shquhet edhe për novelat, të cilat shquhen për narrativën lakonike dhe të pasur me figuracion, duke lënë gjurmë në letërsinë shqipe, siç janë “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”.

Krahas letërsisë, Vath Koreshi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare si skenarist dhe drejtues artistik. Ai është autor i skenarëve të disa prej filmave më të njohur shqiptarë, ndër të cilët “Gjeneral Gramafoni”, “Rrugë të bardha”, “Liri a vdekje”, “Nata e parë e lirisë”, “Besa e kuqe”, “Agimet e stines se madhe” (me 5 seri, mbështetur në vepren e tij), “Balada e Kurbinit”, e shumë të tjerë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e filmit shqiptar.

Veprimtaria e Vath Koreshit u shtri edhe në gazetari e në jetën publike. Ai punoi për vite me radhë si gazetar në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Drita”, drejtoi institucione të rëndësishme kulturore, shërbeu si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitet e para të pluralizmit, si dhe ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Vath Koreshi u nda nga jeta më 3 shkurt 2006.

Me veprën dhe personalitetin e tij krijues, ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, një emër që bashkoi letërsinë, filmin, gazetarinë dhe jetën publike në shërbim të identitetit dhe kujtesës kombëtare.

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI

Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga

May 6, 2026 by s p

Më 6 maj 1619 ndërroi jetë shkrimtari arbëresh Lekë Matrënga në Horën e Arbëreshëve në Sicili, një personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës së hershme arbëreshe, si dhe autor i një prej veprave më të hershme të shkruara në gjuhën shqipe.

Ai lindi më 18 janar 1567 (ose 1569 sipas disa burimeve) në Horën e Arbëreshëve, pranë Palermos. Pasi kreu studimet filozofike dhe teologjike në Kolegjin e Shën Atanasit në Romë, u kthye në Sicili, ku shërbeu si meshtar.

Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull “E mbësuame e krishterë” (Doktrina e Krishterë), vepër e teologut jezuit At Ledesma. Kjo vepër u botua pak vite pas “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe konsiderohet ndër tekstet më të hershme të njohura në gjuhën shqipe.

Vepra e Matrëngës ka rëndësi të veçantë akademike për historinë e gjuhës shqipe, sidomos për dialektin e Horës së Arbëreshëve, duke përfaqësuar një dëshmi të çmuar të traditës letrare dhe shpirtërore arbëreshe.

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI

Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve

May 5, 2026 by s p

Liliana Pere/

Mitrush Kuteli, shkrimtar, ekonomist dhe intelektual përballë kohës.

Mitrush Kuteli është një nga figurat themelore të mendimit letrar shqiptar, ku letërsia nuk shërben si pasqyrë e thjeshtë e realitetit, por si mënyrë për ta zbërthyer atë nga brenda. Ai përfaqëson njeriun që jeton mes dy botëve: asaj të sistemit racional ekonomik dhe asaj të kujtesës poetike, ku jeta shndërrohet në rrëfim. Mitrush Kuteli ishte shkrimtar dhe ekonomist, jo politikan në kuptimin aktiv të fjalës.

Si shkrimtar, ai është një nga figurat themelore të prozës shqipe: tregimtar i fuqishëm, që solli një realizëm të ngjyrosur me elemente mitike dhe folklorike, duke e kthyer jetën e përditshme shqiptare në rrëfim me thellësi morale dhe filozofike. Si profesion, ai ishte ekonomist dhe financier i formuar akademikisht, me doktoraturë në shkencat bankare dhe monetare në Bukuresht (1934), dhe ka punuar në institucione bankare në Rumani dhe më pas në Shqipëri.

Në raport me politikën, Kuteli:

Nuk ishte politikan i karrierës por u përfshi indirekt në realitetin politik përmes punës në institucionet shtetërore financiare pas Luftës së Dytë Botërore

dhe më pas u godit nga sistemi politik i kohës, duke u arrestuar në vitin 1947 dhe u dënua si “armik i popullit”

Në veprën e tij, individi nuk qëndron i ndarë nga historia, por është i mbështjellë prej saj si nga një mjegull që nuk largohet kurrë plotësisht. Rëndësia e vepres se Kutelit qëndron në aftësinë për ta kthyer përditshmërinë në metaforë dhe fatin njerëzor në reflektim filozofik. Ai e sheh kohën jo si progres, por si kthim të vazhdueshëm të kujtesës, ku e shkuara vazhdon të formësojë të tashmen. Në këtë botë, fjala nuk është dekor, por dëshmi: ajo mban peshën e jetës së pathënë dhe të historive të vogla.

Ndikimi i tij është i thellë sepse i dha letërsisë shqiptare një mënyrë të re shikimi, ku miti dhe realiteti nuk ndahen, por bashkëjetojnë.

Te Kuteli, njeriu është një figurë e brishtë që mbijeton jo përmes fuqisë, por përmes kujtesës dhe tregimit.

Letërsia e tij ndërton një univers ku toka, njeriu dhe historia flasin me të njëjtën gjuhë të heshtur.

Kështu, ai mbetet një autor që e kthen rrëfimin në një formë të mendimit të thellë mbi ekzistencën.

Kuteli, një prej figurave më të thella dhe më të veçanta të kulturës shqiptare, ku fjala nuk shërben vetëm për të treguar ngjarje, por për të zbuluar shtresat e fshehta të jetës njerëzore. Në veprën e tij, realiteti nuk mbetet kurrë i thjeshtë: ai kthehet në kujtesë, në simbol dhe shpesh në një reflektim filozofik mbi fatin e njeriut të zakonshëm.

I lindur më 13 shtator 1907 në Pogradec, në një hapësirë ku natyra dhe heshtja krijojnë një ritëm të brendshëm meditimi, Kuteli u rrit me ndjesinë se rrëfimi është një mënyrë për të kuptuar botën.

Arsimin e mesëm e kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921–1928), një mjedis ku përballja me gjuhë, kultura dhe disiplinë e formoi në një intelektual me horizont të gjerë.

Studimet e larta i përfundoi në Bukuresht, ku në vitin 1934 u doktorua në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë. Ky formim i dyfishtë, ekonomik dhe kulturor, do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës: mes logjikës së sistemit dhe ndjeshmërisë së rrëfimit.

Në Rumani, ai shërbeu në administratën financiare dhe bankare, duke mbajtur detyra në Ministrinë e Financave dhe në institucione bankare të rëndësishme. Por përtej funksionit zyrtar, ai mbeti një vëzhgues i jetës shoqërore dhe i mënyrës se si ekonomia prek fatet individuale. Kjo përvojë e thelloi ndjesinë e tij për njeriun e zakonshëm, i cili më vonë do të bëhej qendra e letërsisë së tij.

Në vitin 1942 u kthye në Shqipëri, duke sjellë me vete një përvojë të gjerë profesionale dhe kulturore. Ai u përfshi në institucionet financiare të vendit, fillimisht pranë shoqërisë SASTEB dhe më pas si këshilltar për çështjet monetare pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në vitet 1945–1946, si drejtues i lartë në Bankën e Shtetit Shqiptar, luajti rol në përpjekjet për stabilizimin financiar të vendit pas luftës.

Në këtë periudhë, mendimi i tij ekonomik nuk ishte thjesht teknik, por i lidhur me idenë e përgjegjësisë ndaj shoqërisë dhe ekuilibrit të jetës kolektive.

Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie si “armik i popullit”. Ky moment shënon një ndërprerje të detyruar, por jo të heshtur, në jetën e tij intelektuale. Burgimi nuk e shuan zërin e tij të brendshëm; përkundrazi, e thellon reflektimin mbi njeriun, mbi padrejtësinë dhe mbi qëndrueshmërinë e shpirtit përballë kufizimit.

Pas lirimit në vitin 1949, iu kthye përkthimit dhe letërsisë, edhe pse për një kohë iu kufizua e drejta e botimit.

Kuteli përktheu autorë të mëdhenj si Gogol, Tolstoj, Turgenjev dhe Eminesku, duke sjellë në shqip një univers klasik që pasuroi jo vetëm gjuhën, por edhe mënyrën e të menduarit letrar në Shqipëri. Përkthimi për të nuk ishte thjesht transferim gjuhësor, por një akt kulturor, një mënyrë për të zgjeruar horizontin e lexuesit shqiptar.

Në krijimtarinë e tij origjinale, veprat si “Net shqiptare” (1938), “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943), “Sulm e lotë” (1943), “Havadan më havadan” (1944), “Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944), “Dashuria e berberit Artan” (1946), “Pylli i gështenjave” (1958), “Xinxifilua” (1962) dhe “Tregime të moçme shqiptare” (1965) ndërtojnë një botë ku realiteti i përditshëm merr ngjyrim të thellë emocional dhe simbolik. Personazhet e tij nuk janë vetëm figura letrare, por përfaqësime të një bote ku njeriu jeton mes traditës, kujtesës dhe fatit.

Pas vdekjes së tij u botuan edhe vëllime të tjera si “Tregime të zgjedhura” (1972), “Baltë nga kjo tokë” (1973) dhe “Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983), që dëshmojnë vazhdimësinë e një zëri që nuk u shua me kohën, por u thellua në kujtesën letrare shqiptare.

Mitrush Kuteli mbetet një autor ku fjala nuk është dekor, por mënyrë për të menduar njeriun dhe botën e tij. Në rrëfimin e tij, jeta nuk paraqitet si kronikë, por si përjetim i ngadalshëm, ku e zakonshmja fiton peshë dhe heshtja bëhet kuptim.

Mitrush Kuteli mund të lexohet si një botëkuptim i veçantë mbi njeriun shqiptar, ku realiteti nuk është kurrë i mbyllur në fakt, por gjithmonë i ndërthurur me kujtesën, gojëdhënën dhe përjetimin moral. Në themel të tij qëndron një vizion ciklik i jetës: koha nuk ecën vetëm përpara, por kthehet, përsëritet dhe sedimentohet në rrëfim.

Botëkuptimi i Kutelit është antropocentrik, por jo individualist.

Njeriu tek ai nuk ekziston i izoluar; ai është pjesë e një strukture të gjallë komunitare dhe natyrore. Fati i individit nuk shpjegohet vetëm me zgjedhje personale, por me një rend më të gjerë historik dhe moral, ku e kaluara ushtron peshë të vazhdueshme mbi të tashmen. Kjo e afron me një mendësi arkaike, por të filtruar përmes vetëdijes moderne.

Stili i tij është një realizëm i përthyer: në sipërfaqe duket i thjeshtë, por në thelb është shumë-shtresor. Ai ndërton një gjuhë që lidhet fort me oralitetin shqiptar, duke e kthyer tregimin në një akt të gjallë rrëfimi, jo në një strukturë të ftohtë letrare. Kjo i jep prozës së tij një ritëm të brendshëm, ku fjalia nuk synon vetëm të informojë, por të evokojë një botë të tërë kulturore.

Në plan filozofik, Kuteli nuk operon me abstraksione, por me përvoja të kondensuara në figurë dhe episod. E vërteta për të nuk është koncept, por kujtesë e jetuar. Prandaj realiteti i tij është gjithmonë i ndërmjetësuar nga narracioni: ajo që ndodh, merr kuptim vetëm kur tregohet. Në këtë sens, rrëfimi bëhet formë e dijes.

Një tjetër element thelbësor është etika e tij e nënkuptuar. Kuteli nuk predikon, por sugjeron një moral të heshtur: dinjiteti i njeriut qëndron në durimin, në kujtesën dhe në aftësinë për të mos u shkëputur nga rrënja. Edhe kur realiteti është i ashpër, figura e tij letrare nuk bie në nihilizëm, por ruan një humanizëm të përmbajtur.

Në këtë kuptim, Kuteli është një autor i ndërmjetëm mes traditës dhe modernitetit: ai ruan strukturën mitike të mendimit popullor, por e organizon atë me vetëdije moderne letrare. Kjo ndërthurje e bën veprën e tij jo thjesht përshkruese të botës shqiptare, por interpretuese të saj.

Filed Under: LETERSI

Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX

May 4, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Vepra letrare të tij janë vëllimet: “Netë shqiptare”, “Ago Jakupi”, “Kapllan aga i Shaban Shpatës”, “Dashuria e berberit Artan”, “Shënimet letrare”, “Sulm e lotë”, “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “Mall e brengë”, “Havadan më havadan”, “Tregime të moçme shqiptare” etj.

Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me kryevepra të letërsisë botërore si “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit, “Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit, “Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj. Që në maj 1939, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar poetin e madh kombëtar të Rumanisë, Mihail Emineskun, duke botuar librin me 24 poezi të përkthyera prej tij së bashku me një përshkrim të krijimtarisë dhe biografisë së poetit ku ka guximin të mbrojë idenë, deri diku të argumentuar, mbi prejardhjen shqiptare të kolosit rumun, prej të cilit, poezinë e parë e kishte përkthyer e botuar që në moshën njëzetedyvjeçare.

Katër vjet më vonë, përmes flakës së Luftës së Dytë Botërore dhe përvojës së vet të hidhur në atë luftë, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar të madhin poet të Ukrainës, Taras Shevçenko. Shkrimtar, poet, eseist, mbledhes folklori, perralltar, perkthyes i shquar… por edhe nje ekonomist elitar, nje nga themeluesit e Bankes se Shqiperise.

Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe. Per keto “cilesi”, me 16 maj 1947 u arrestua dhe e dënua si “Armik i Popullit”, për “agjitacion e propagandë” me 5 vite heqje lirie. Per dy vite vuajti denimin ne kampin e Vloçishtit ne Maliq dhe u lirua nga burgu ne maj 1949 me falje.

Vuajtjet e Mitrush Kutelit në kampin e punës së detyruar në Maliq janë një kapitull i errët, por edhe një dëshmi e forcës shpirtërore të tij. Në baltën e Maliqit, ku shpirtrat e njerëzve shuheshin nën peshën e punës së rëndë dhe mizorisë, Kuteli u gjend si një Promete i lidhur, i dënuar të shohë ditët që shuheshin pa dritë.

Maliqi nuk ishte thjesht një vend pune, por një moçal ku njeriu humbiste dinjitetin. Kuteli, me duar të lodhura dhe shpinë të përkulur, bartte jo vetëm barrën e baltës, por edhe barrën e një shkrimtari që nuk mund të shkruante.

Ai vuajti jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, sepse fjala e lirë iu mbyt, dhe pena iu shndërrua në heshtje të detyruar. Në Maliq, Kuteli u bë një simbol i martirizimit të intelektualit shqiptar, i cili pagoi me vuajtje çmimin e mendimit të lirë. E drejta e botimit iu rikthye vetem ne vitin 1966, nje vit perpara se te ndrronte jete… me 4 maj 1967.

Mitrush Kuteli ishtë poeti i prozës, që e shndërroi gjuhën shqipe në një instrument magjik rrëfimi. Ai krijoi një univers tipik shqiptar, ku e shkuara dhe e tashmja takohen në pasqyrë, ku grotesku dhe lirizmi bashkëjetojnë, dhe ku fjala merr peshën e një trashëgimie të përjetshme.

Ai është quajtur “Babai i tregimit realist shqiptar”, sepse e çliroi prozën nga vargonjtë e bejtexhinjve dhe i dha një dimension modern.

Marrëdhënia e tij me komunizmin është si një duel i pabarabartë mes fjalës së lirë dhe diktaturës. Kuteli mbeti me penën e thyer, por me shpirtin e gjallë.

Komunizmi për Kutelin ishte një Maliq i madh, ku balta nuk ishte vetëm fizike, por edhe shpirtërore, duke e mbuluar fjalën e lirë. Heshtja e tij nuk ishte dorëzim, por një formë e rezistencës së brendshme, një dëshmi se fjala e lirë nuk mund të shuhej plotësisht.

“Kuteli jetoi mes mërgimit dhe atdheut, mes krijimtarisë së lirë dhe heshtjes së imponuar nga regjimi komunist.” (Martin Camaj)

“LUTJE“

Unë, Mitrushi, poet shqiptar,

Fort do t’i lutesha nënës

Që të më hidhte një litar

Varur në bri të hënës.

Edhe pastaj, si për çudi,

Të gjendem varur n’erë

Dhe të thërres: “Sa lumturi!”

Në erë, mbi skëterë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924
  • SHTETI NËN THUNDRËN E KRIMIT
  • MENDIME TË FILOZOFIT ISUF LUZAJ
  • “When the Memories Gain Color” – Tre artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut çelin ekspozitë në New York
  • Shqiptarët e Amerikës protestuan para selisë së OKB në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi çlirimtarët e luftëtarët e lirisë. Fotoreportazh: Ervin Toro
  • Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Asamblenë e OKB-së: Amerika në qendër të vëmendjes botërore – Fotoreportazh: Dritan Haxhia
  • HAGUE: THE CALVARY OF KOSOVO
  • FJALIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT
  • Çfarë po fshihet pas procesit gjyqësor, juridik e politik në Hagë?
  • Sistemin që perfeksionoi, personalizoi e nënkontraktoi…
  • Humbja e territorit politik dhe etnik të shqiptarëve gjatë shekujve XIX dhe XX

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT