• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Laver Bariu – Ustai i fundit”

May 22, 2026 by s p

Dr. Rexhep Munishi/

Takimi i parë me Vasil S. Tolen ndodhi më 1995 në Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili atë vit u mbajt në Berat (20–26 shtator 1995). Unë dhe Vasoja ishim anëtarë të jurisë profesionale të Festivalit dhe kryetar ishte profesori i nderuar Ramadan Sokoli. Që atëherë krijuam lidhje të ngushta miqësore dhe profesionale. Komunikimet tona ishin të shpeshta, qoftë përmes telefonit e postës elektronike, por takoheshim relativisht shpesh në Prishtinë ose në Tiranë. Para disa ditësh miku im i nderuar më njoftoi se kishte përgatitur për botim një vepër të fundit. Gjatë bisedës telefonike Vasoja më shprehu dëshirën që unë t’i shkruaja disa fjalë për parathënien e librit të tij të fundit që po përgatiste për shtyp. Unë, pa e kuptuar mirë (qartë) se për çfarë libri bëhej fjalë, përkundër disa ankesave të mia shëndetësore, pa ngurruar e pranova kërkesën e tij. Vasoja ia dërgoi me e-mail dorëshkrimin tim biri, Visarit, i cili e printoi dhe ma solli.

Sapo e mora dhe pashë titullin “Laver Bariu – Ustai i fundit”, u befasova. Për një çast mbeta si i shtangur, sepse e dija që ai e kishte botuar njëherë një libër që i kushtohej Laverit. Dhe nisa të flisja me veten: “Po përse i duhet lexuesit edhe një libër nga i njëjti autor kushtuar këtij ustai?”. Hapa faqet e para të dorëshkrimit dhe që te përmbajtja vërejta se isha ngutur në gjykimin tim. Prandaj i tërhoqa fjalët që thashë. Autori shkruan se ribotimi i librit kushtuar Usta Laver Bariut është ribotim me plotësime; unë do të shtoja bindshëm se ky botim është rishkrim me karakter monografik. Tani përpara (ose siç po thuhet shpesh “në duar”) kemi një libër relativisht voluminoz si në faqe, edhe në temat që trajtohen. Pas një hyrjeje të shkurtër dhe parathënies janë gjashtë kapituj, shkrime për Laverin dhe një literaturë e përzgjedhur dhe e konsultuar.

Laver Bariu ishte përmetar, ashtu si autori i librit. Tole ka shkruar bukur, në mënyrë të detajuar për historinë e këtij qyteti. Hapësirë të veçantë dhe profesionale i jepet veprimtarisë së begatë kulturore të Përmetit. Ai shkroi për sazet të udhëhequra nga instrumentistët e njohur të kohës në Përmet. Në vazhdim pasojnë kapitujt që i kushtohen kryekëput veprimtarisë së usta Laverit, një virtuozi (muzikanti të shumanshëm) në gërnetë, i cili u bë “marrës” i polifonisë, pastaj udhëheqës i sazeve e në veçanti me kabatë e tij. Kompozitorë, studiues të muzikës e të tjerë që shkruajnë për kabatë e Laver Bariut i cilësojnë ato me vlerësimet më të larta. Për kabatë e Laverit thuhet se kanë stil “laverçe” dhe se dallohen dy tipa kabash të tij, tipi baritor dhe kabatë e tipit vajtimor. Duke ndjekur rrugëtimin rrëfyes, libri merr edhe karakter letrar, të gjinisë së romanit, por pa u larguar për asnjë çast nga qëllimi hulumtues e shkencor, dhe kështu këto dy fryma plotësojnë njëra-tjetrën. Laver Bariu ndodhet në qendër; ai është kudo dhe kurdo si personazh përmes të cilit Tole ofron të dhëna të qëndrueshme historike, sociologjike, antropologjike dhe natyrisht kulturore e muzikore. Prandaj libri i V. Toles shfaqet edhe si vepër letrare, si skenar filmi dokumentar, po edhe si film i gjatë, e në radhë të parë si dokument i shkruar shkencor etnomuzikologjik etj.

Ngado që lëviz usta Laveri, të shoqëron me ngjarje, ahengje, dasma, rituale, pra shfaqet një jetë në lëvizje, që rrjedh pa ndërprerë në një mjedis tipik shqiptar. Talentin dhe aftësitë e tij prej instrumentisti nuk i mbajti vetëm për vete; ai i ndau me të tjerët. Angazhimi i tij në grupe (saze) solli afirmimin e sazeve, por edhe të formave muzikore, siç ishte kabaja. Tole, me përvojën e tij shkrimore, tekstore e hulumtuese, ofron edhe çaste interesante e relaksuese për lexuesin përmes skenave e momenteve anekdotike me frymë humori, por edhe çaste të përjetimeve emocionale etj. Tole, në librin e zgjeron qasjen e tij edhe në problemet e jetës, të historisë, të mënyrës së jetesës së përmetarëve, të lidhjeve të tyre familjare ndërfetare, por edhe etnografike e shoqërore. Konstatimet e tij mbështeten në faktet e burimeve të sigurta e të verifikuara bindshëm, të dhëna që i ofrohen lexuesit të interesuar. Nga historia kulturore, Përmeti njihet si çerdhe e shumë instrumentistëve të dalluar, këngëtarëve e valltarëve të shkëlqyer, po pse doli në krye pikërisht Laver Bariu? Sepse ishte më i talentuari, ushtrohej më shumë dhe natyrisht e donte pa masë muzikën. Përmeti pati shumë saze. Citojmë këtu thënien e një përmetari: “Përmeti ka dhjetë shtëpi dhe njëqind palë saze”.

Instrumentist i disa instrumenteve, i madh pa dyshim, por po del që ka qenë edhe njeri i madh. Për këtë dëshmojnë edhe mendimet, deklaratat e shumë personaliteteve të shquara që janë shprehur pas vdekjes, po edhe sa ishte gjallë vetë ustai. Tole, nëse me botimin e parë i kishte bërë një portret, këtë radhë i ka ngritur një përmendore të shkruar që do të përmbysë kohët. Ditën kur ndërroi jetë Laveri qau e vajtoi gërneta, rënkoi Përmeti dhe e tërë shqiptaria. Për humbjen e tij u thanë shumë fjalë, u shkruan e u thurën elozhe meritore… Për një kohë të gjatë shqiptarët do t’i gëzohen faktit se në jetën e tyre ka pasur një Laver Bari. Ai nuk u bë i madh nga epitetet, por nga punët e tij dhe trashëgimia që la pas. Lëvdatat për të nuk u thurën vetëm pas vdekjes, por që nga paraqitja e tij si instrumentist në moshë fare të njomë. Librin e begatojnë ilustrime të fotove të përzgjedhura të usta Laver Bariut nga raste të ndryshme të jetës së tij kulturore, pastaj mirënjohjet e shumta, pjesëmarrjet në festivale, në koncerte, në emisionet në radio e në televizion etj. Përmes këtyre fakteve dëshmohet shumanshmëria e veprimtarisë etnomuzikore të Laver Bariut. Fama dhe popullariteti që ai pati nuk i erdhi, nuk i piku nga qielli pa meritë. Për të pati shumë e shumë shkrime individuale, intervista, mirënjohje, dekorata e tituj etj.

Laver Bariu bën pjesë në grupin e personaliteteve të rralla të kulturës shqiptare që u deshën, u respektuan dhe u lavdëruan me meritë. Ai ndihej pak fatkeq që nuk pati mundësi të shkollohej, sidomos të arsimohej në artin e muzikës, dhe për këtë thuhet se i kishte mbetur merak. Përkundër këtij fakti, ai nuk pati komplekse dhe nuk u ndie inferior në asnjë çast ndaj të tjerëve që kishin mbaruar shkollën. Shqiptarët janë krenarë dhe do ta ruajnë përherë në

kujtesë dhe në zemër personalitetin e usta Laver Bariut. Ai e bëri gërnetën të qeshë e të qajë; gazmore dhe vajtore. Lind pyetja: Gërneta e lartësoi Laverin apo Laveri gërnetën? Megjithatë, Laveri ishte triumfues i padiskutueshëm mbi gërnetën, por pa gërnetën nuk dihet a do të ishte Laver Bariu, fama e të cilit do t’i kalonte kufijtë e shqiptarisë. Në përfundim, atij që do t’i bjerë në dorë ky libër do t’i thosha: “Fillo të lexosh faqen e parë; nuk do të ndalesh deri te faqja e fundit, nuk do të pendohesh. Siç e thamë, rrëfimi merr edhe karakter letrar, hulumtues e shkencor; do të të provokojë e do të të tërheqë që të vazhdosh ta lexosh, do të të kënaqë, do të të zgjojë kureshtjen dhe do të mësosh shumëçka. Lexoje! Do t’i jesh mirënjohës autorit të librit për kontributin e çmuar hulumtues e shkencor që ka dhënë për ta ndriçuar veprimtarinë kulturore të një figure të madhe, duke përfshirë vlerat e shumta kulturore që kishte dhe ka Përmeti. Por falënderimi dhe lavdëria shkojnë më shumë për usta Laver Bariun, që jetoi në kohën tonë dhe në jetën kulturore jo vetëm të Përmetit, por edhe në atë mbarëshqiptare.

Filed Under: LETERSI

Rebelimi i kujtesës individuale…

May 21, 2026 by s p

Irena Dragoti/

Romani autobiografik” Porosia e kullës” ky rebelim i kujtesës individuale dhe përtej saj në atë kombëtare është një udhëtim i bukur përmes vargmaleve të identitetit dhe trashëgimisë së historisë kombëtare. Me këtë vepër autori nuk vjen me të vërtetat shabllon por i servir ato si interpretim personal të çdo lexuesi. Ky roman” hartë” në “ legjendën e tij” prezanton qartë udhën e formimit shpirtëror të autorit i cili ka ndërtuar vetveten përmes sfidave, humbjeve, modeleve, krenarisë së origjinës, dhe përpjekjes për të mos e tradhtuar atë.

Që në hyrje, Dr Camaj në romanin e tij si ai çasti kur jeta të kalon para syve brenda minutës, krijon kuriozitet, ankth teksa mbyll veten në bagazhin e veturës amerikane: “Kur errësira e bagazhit të makinës gëlltiti diellin, më kapi paniku.” Pikërisht ky fillim ishte rrëfimi më i sinqertë mbi emigrimin ilegal, si edhe një metaforë e pasigurisë për destinacionin final. Ky bagazh, simbolik ku pezullohej identiti u bë streha e pyetjes” Ku përkas unë” ? Dhe vërtet “ Ku përket autori i gjendur atje brenda bagazhit të një makine me një shpirt që gufonte nga kujtimet?

Romani i ngritur mbi retrospektivën ka një ekuilibër mahnitës midis narracionit dhe autobiografisë. Sprova e udhëtimit drejt së panjohurës ndërpritet shpeshherë nga autori përmes kujtimeve të fëmijërisë, familjes dhe Malësisë. Kjo na parapregatit për dualitetin e udhëtimit nga ai fizik në atë psikologjik të kujtesës. Forca më e madhe e romanit mbetet dialogimi i vazhdueshëm i autorit me vetveten. Ai analizon frikën, pasigurinë, ankthin dhe shpresën me një ndershmëri që rrallë shihet në prozën autobiografike shqiptare.

Momenti kur ai qan në bodrumin e errët në Meksikë është një nga kulmet emocionale të romanit:

“Isha një i huaj në një tokë të huaj…”

Dr. Pashko Camaj e zhvesh emigrimin nga miti romantik duke e shfaqur si retorikë” Ku përkas unë???”

Kujtesa personale bëhet histori kolektive. Suksesi amerikan mundohet nga malli shqiptar. Liria nuk e “ shpëton dot” nga detyrimet ndaj origjinës.

“Porosia e kullës”nuk nënkupton ndalimin e largimit nga atdheu por ruajtjen e kujtesës. Dhe protagonisti, megjithëse largohet fizikisht, mbetet shpirtërisht rojtari i asaj kulle. Kjo narrativë moderne ngrihet si një memorial ku emocioni i kujtesës ka përparësi krahasuar me kronologjinë reale të ngjarjeve.

Kjo nuk mbetet pa përmendur edhe nga përkthyesi kur thotë. “Vepra, edhe pse pa data të caktuara e pa kronologji, sjell kujtimet e autorit, në formë tejet të qëlluar artistike…”

Autorrëfimi në vepër për asnjë çast nuk precipiton në miklim të vetes. Përkundrazi, Dr Camaj e paraqet veten si qenie të brishtë, të pasigurt aq sa të duket se është pikërisht ky sinqeritet e kjo ndershmëri që shpëton romanin nga narcizmi për ta shndërruar atë në letërsi autentike. Ajo çka trajton gjerësisht e përbën bërthamën filozofike të romanit është faji që ndien autori për largimin nga toka e të parëve. Dilema që e përndjek protagonistin nuk ka të bëjë me suksesin e ardhmërinë në Amerikë, por nëse largimi i tij përbën tradhti ndaj trashëgimisë familjare: “A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim? A kam mëkatuar ndaj tyre?”

Kjo pyetje tejkalon romanin autobiografik drejt nivelit universal. Drama nuk është vetëm ekonomike por edhe metafizike. Protagonisti ndihet sikur ka këputur zinxhirin e brezave që kanë jetuar “në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë”. Kulla, kështu, nuk mbetet vetëm objekt fizik, por ngrihet si simbol i vazhdimësisë së gjakut, kujtesës dhe identitetit shqiptar. Simbolika e kullës e vendosur edhe si titull është ndër elementet më të goditura të romanit pasi e degëzon narrativën në konceptin e saj

1-si shtëpi,

2-si fortesë identitare,

3–si kujtesë historike,

4–si amanet moral.

Vërtet protagonisti largohet fizikisht nga kulla, por gjithë romani dëshmon se ai nuk arrin kurrë të largohet shpirtërisht prej saj. Amerika i ka dhënë suksesin social por kulla i ka dhënë kuptimin moral përkatësisë së tij. Një nga realizimet më të bukura artistike është personazhi i Dritës. Ajo nuk paraqitet vetëm si motra binjake e protagonistit, por si figurë shpëtimtare dhe tejet e ekuilibruar “Do të shkojë mirë, mos u shqetëso, mendo pozitivisht.”

Drita përfaqëson forcën femërore shqiptare, intuitën dhe moralin e qëndrueshëm të saj. Në një roman ku burrat shpesh shfaqen të heshtur, të rënduar nga historia dhe emigrimi, figura e saj sjell ekuilibër.

Lexon romanin dhe kupton sa e pasur është gjuha e së vërtetës dhe e mallit por sa filozofik është stili i të shkruarit kur protagonisti “ gërmon përkatësinë e tij. Ai shmang retorikën patriotike dhe sentimentalizmin e tepërt duke na bindur për emocionin e tij. Një nga fragmentet më poetike do veçoja:

“Ishte i njëjti diell që ndriçonte ditët e mia në shtëpi…”

Kjo metaforë e fuqishme e identitetit dhe vazhdimësisë që mbijeton përtej kufijve është pikërisht drita që protagonisti besoi se do ta gjente edhe në Amerikë. Meditues dhe shpesh me elemente të esesë analitike, romani thjeshtëzon shumë të kuptuarin përtej rreshtave. Shtresëzimi i romanit nga raporti me të atin, në përmasat historiko-filozofike, për te raporti sentimental me Irenën nxjerrin veprën nga kufijtë e një rrëfimi prej emigranti në roman të identitetit dhe të ndërgjegjes ku trashëgimia vjen si barrë morale.

Një nga linjat më të fuqishme të romanit është marrëdhënia e protagonistit me të atin. Edhe kur ai nuk është fizikisht i pranishëm, prania e tij morale përshkon gjithë tekstin. Ati mishëron botën tradicionale shqiptare tokën, nderin, vazhdimësinë e fisit dhe lidhjen e shenjtë me kullën. Protagonisti përballet me hijen morale të të atit duke sjellë njëherazi edhe dramën e birit shqiptar modern që do të largohet për të shpëtuar ardhmërinë, pa vrarë shpirtërisht botën që e ka lindur.

Ati në roman nuk vjen si figurë autoritare, por si vazhdimësi e historisë. Ai është njeriu i rrënjëve. Përballë tij qëndron biri, njeriu i lëvizjes, i emigrimit dhe i pasigurisë moderne. Këtu lind konflik duke e afruar romanin me atë të tragjedisë moderne ku protagonisti nuk mund të jetë plotësisht besnik as ndaj vetes, as ndaj trashëgimisë. Çdo zgjedhje mbart faj.

“Të parët e mi, të cilët për shumë breza… kanë jetuar në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë.”

Kjo fjali merr peshë biblike. Autori e paraqet trungun familjar si një rend pothuaj të shenjtë, ku largimi i protagonistit përjetohet si thyerje e një ligji të pashkruar historik. Teksa në sipërfaqe kemi një histori emigrimi, në thelb kemi një roman filozofik mbi pyetjen: “Ku përkas unë kur largohem nga toka që më ka formuar?” “Ky kërkim për të zbuluar lumturinë që më kishte rrëshqitur nga dora në vendlindje ishte forca shtytëse për udhëtimin tim.” Kjo fjali e zhvendos romanin nga realizmi shoqëror drejt filozofisë ekzistenciale. Lumturia këtu është ideja që ai e ndjek si horizont. Amerika bëhet metaforë e kërkimit të vetvetes.

Në shumë nga linjat e romanit, protagonisti duket si ai heroi kamyjan, një njeri i hedhur në pasiguri e absurditet i detyruar të ecë përpara pa garanci. Pra pa kontroll mbi historinë, kufijtë, politikën apo fatin, por ka ende mundësinë morale për të zgjedhur qëndrimin e vet ndaj jetës. Madje edhe frika për të fjetur në bodrumin e Meksikës merr përmasë filozofike:

“Nuk e di nëse nuk më merrte gjumi apo thjesht kisha frikë të bija në gjumë…” Gjumi simbolizon dorëzimin për një çast. Përpjekja për të ndenjur zgjuar është përpjekje për të ruajtur vetëdijen dhe kontrollin mbi vehten. Romani ka edhe një rëndësi të madhe si dëshmi historike. Ai pasqyron atmosferën politike të shqiptarëve në Jugosllavinë e viteve ’80, represionin, pasigurinë dhe ndjesinë se historia po mbyllej mbi ta.

Kur autori flet për sloganin “Kosova-Republikë”, ai nuk e përdor thjesht si kujtim politik, por si shenjë identitare. Romani dokumenton historinë e shqiptarëve në Jugosllavi e në Mal të Zi, traumat historike si edhe aspiratat kombëtare nëpërmjet të vërtetës së një familjeje. Episodi i “Kosova-Republikë” nuk ofrohet si propagandë politike, por si pjesë e klimës së kohës duke e kthyer protagonistin në përfaqësues të një brezi të tërë emigrantësh shqiptarë.

“Kosova-Republikë u bë një thirrje tubuese, një simbol nderi…” Këtu romani ndërthur fatin personal me fatin historik të kombit. Emigrimi nuk paraqitet vetëm si zgjedhje individuale, por si pasojë e drejtpërdrejtë e një historie shtypjeje dhe pasigurie. Në këtë mënyrë, protagonisti bëhet figurë përfaqësuese e shqiptarëve të shpërndarë në diasporë , njerëz që u detyruan të ndërtonin jetë të reja, ndërkohë që mbanin mbi supe historinë e një atdheu të copëzuar. Autori arrin të tregojë se historia nuk është diçka abstrakte, ajo futet në familje, në kujtime, në dashuri dhe në vendimet më intime të njeriut.

Linja e dashurisë me Irenën vjen si rikthim te vetvetja dhe si një nga linjat më delikate dhe më humane të romanit. Irena nuk ndërtohet si personazh romantik konvencional. Ajo është portë drejt rikthimit emocional të protagonistit te vetvetja. Dashuria me të nuk është pasion romantik por proces njohjeje, besimi dhe shërimi. Pikërisht për këtë arsye, linja sentimentale e humanizon romanin.

Simbolikisht, Irena vjen si kundërpesha e emigrimit. Nëse emigrimi e copëzon identitetin , dashuria përpiqet ta ribashkojë atë. Autori e ndërton këtë marrëdhënie të matur, plot sakrifica e të ndjeshme por pa sentimentalizëm artificial. Në shumë momente, dashuria duket si e vetmja hapësirë ku protagonisti mund të harrojë peshën e historisë dhe të kujtesës.

“Porosia e kullës” nuk është thjesht patriotizëm por thelb “mos harro kush je”.

Vlen për tu përmendur mënyra si romani e trajton kohën në raport me kujtimet që nuk pushtojnë rastësisht të tashmen. Kjo ndodh nga pamundësia e shkëputjes së autorit nga vendlindja!

Porosia e kullës ky roman i kujtesës,

identitetit shqip, i filozofisë mbi fajin dhe përkatësinë, i historisë mbi fundin e Jugosllavisë, i dashurisë dhe shpëtimit shpirtëror ku drama personale dhe drama kombëtare bashkëjetojnë kaq organikisht përbën vlerë të madhe artistike e kaq ndryshe në romanet autobiografike.

Unë e mora përgjigjen e autorit “ Ku ai përket”

por pasi e lexova romanin e Dr Pashko Camaj riciklova kujtesën e rrugëtimit tim si një problem që kërkon zgjidhje” Po unë ku përkas?

Do ti ndodhë kujtdo që e lexon këtë vepër!

Filed Under: LETERSI

ERNEST KOLIQI (20 maj 1903 – 15 janar 1975)

May 20, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Sot kujtojmë Ernest Koliqin, atin e prozës moderne shqiptare, poetin që e deshi Shqipërinë si një plagë të bukur në zemër dhe që jetoi tri dekada larg Shkodrës së tij, me mallin që i digjte shpirtin si kandil i pashuar.

“Krimi” i tij ishte shqipja. Ishte drita që ai ndezi në Kosovë dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.

Si Ministër i Arsimit në vitet 1941–1942, ai nuk dërgoi armë, por abetare; nuk çoi ushtarë, por mësues. Dhe pikërisht aty filloi revolucioni më i madh shqiptar: ai i dijes.

Me nismën e tij u hapën qindra shkolla shqipe në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës e Mal të Zi.

U ngritën 173 shkolla fillore, shkolla të mesme e gjimnaze, ndërsa në Prishtinë u hap Shkolla Normale, një tempull ku gjuha shqipe u kthye në frymëmarrje kombi.

Nga 80 mësuesit e parë, numri arriti në 400, dhe mbi 25 mijë nxënës nisën të mësonin në gjuhën e nënës.

Ato shkolla u bënë vatra ku u farkëtua ndërgjegjja shqiptare.

Ndoshta historia politike mund ta gjykojë një njeri sipas kohës së tij, por historia e kombit e gjykon sipas dritës që lë pas.

Dhe Koliqi la dritë.

Pa ato shkolla shqipe, pa atë mbjellje të heshtur të gjuhës e identitetit, rruga e Kosovës drejt lirisë do të ishte shumë më e errët.

Kur Ali Bej Këlcyra e pyeste me ironi pse kishte bashkëpunuar me italianët, Koliqi heshtte. Derisa një ditë i vendosi përpara një thes me letra nga nxënësit kosovarë, që falë tij kishin mësuar të shkruanin shqip. Ishin letra mirënjohjeje, të shkruara me dorën e fëmijëve, por me zemrën e një kombi.

Pas asaj dite, heshti Aliu. Sepse kishte folur historia.

Koliqi vdiq në mërgim, në Romë, larg Shkodrës së mëngjeseve të tij, larg kumbonave që ai i kishte kthyer në poezi.

U nderua nga shqiptarët e mërguar, por mbeti i mohuar nga vendi për të cilin sakrifikoi emrin, qetësinë dhe fatin e tij.

Edhe sot, eshtrat e tij nuk prehen në tokën që deshi aq shumë.

Por shpirti i Ernest Koliqit endet ende në çdo shkollë shqipe, në çdo abetare dhe në çdo fëmijë që shkruan shqip.

Sepse disa njerëz nuk vdesin kurrë: ata bëhen vetë kujtesa e kombit.

Ernest Koliqi mbetet një nga figurat më të ndërlikuara dhe më të rëndësishme të kulturës shqiptare: shkrimtar i hollë i prozës moderne dhe njëkohësisht njeri i veprimit kulturor që e ktheu gjuhën shqipe në mision kombëtar.

Në historinë e kulturës shqiptare ai përfaqëson kalimin nga fjala e bukur te fjala që ndërton komb: nga letërsia si art, te arsimi si themel i identitetit.

Në kujtesën e patriotizmit shqiptar, Koliqi mbetet simbol i atdhedashurisë përmes dijes — një patriot që nuk u mat me beteja, por me shkolla; jo me armë, por me abetare. Një figurë ku dashuria për atdheun mori formën e gjuhës, dhe gjuha u bë vetë liria.

Debati rreth Ernest Koliqi është një nga ato raste ku historia nuk mund të lexohet vetëm me etiketat e një kohe të vetme, por duhet parë në tërësinë e pasojave që ka lënë.

Akuza për “kolaboracionizëm” është përdorur shpesh nga interpretimi ideologjik i periudhës komuniste, por ajo nuk e shteron figurën e Koliqit. Ajo që mbetet historikisht e pakundërshtueshme është se gjatë kohës së tij si Ministër i Arsimit, u ndërmor një nga ndërhyrjet më të mëdha arsimore në trojet shqiptare jashtë kufijve të shtetit të atëhershëm: hapja e qindra shkollave shqipe dhe përhapja masive e gjuhës amtare.

Kjo veprimtari nuk mund të reduktohet në një etiketë politike, sepse ndikimi i saj ishte kulturor dhe kombëtar në thelb: krijoi një brez që mësoi të lexojë dhe të shkruajë shqip në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera shqiptare, duke forcuar vetëdijen gjuhësore dhe identitare.

Koliqi nuk është thjesht figurë politike e një kohe të trazuar, por një aktor kulturor që la pas një trashëgimi të prekshme: institucionin e shkollës shqipe në hapësira ku ajo nuk ekzistonte më parë në atë shkallë.

Prandaj, çdo gjykim i balancuar për të duhet të ndajë qartë rrafshin politik të kohës nga rrafshi kulturor dhe arsimor i veprës së tij, e cila mbetet pjesë themelore e historisë së arsimit dhe identitetit shqiptar.

Në përmbyllje, Ernest Koliqi mbetet një figurë ku patriotizmi nuk u shpreh në forma të zakonshme politike, por në një dimension më të thellë e më afatgjatë: në ndërtimin e vetëdijes kombëtare përmes gjuhës dhe arsimit.

Veprimi i tij më i madh historik nuk është vetëm letrar apo administrativ, por civilizues… sepse e ktheu shkollën shqipe në instrument të mbijetesës kombëtare në trojet ku ajo rrezikonte të zhdukej.

Në këtë kuptim, trashëgimia e tij nuk matet me periudhën e vet, por me brezat që ajo formësoi.

Është e drejtë të thuhet se hapja e shkollave shqipe në Kosovë dhe viset përreth nuk ishte thjesht një akt arsimor i momentit, por një investim afatgjatë në identitetin shqiptar.

Ato shkolla krijuan bazën kulturore dhe gjuhësore mbi të cilën u ruajt dhe u forcua ndërgjegjja kombëtare gjatë dekadave të mëvonshme.

Patriotizmi i Koliqit mbetet i veçantë: një patriotizëm i heshtur, kulturor dhe afatgjatë, që nuk kërkoi lavdi të menjëhershme, por ndikim të qëndrueshëm. Dhe në historinë e një kombi, shpesh pikërisht kjo lloj vepre është ajo që mbijeton më gjatë se çdo debat politik.

Nëse Ernest Koliqi do të ishte gjallë sot, është e lehtë ta përfytyrosh jo si figurë të heshtur të librave, por si një prani të gjallë në zemër të protestës.

Do të ishte aty, në ballë të studentëve shqiptarë të Shkupit, jo si politikan, por si mësues i gjuhës dhe i dinjitetit. Me hap të qetë, por të vendosur, do ta mbante gjuhën shqipe si një flamur të padukshëm në dorë, jo prej pëlhure, por prej fjale.

Zëri i tij nuk do të ishte i lartë, por i prerë si dritë: një kujtesë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por atdhe i shpirtit. Në fytyrat e të rinjve ai do të shihte vazhdimin e një misioni të vjetër: atë që nisi me shkollat, abetaret dhe mësuesit e parë në trojet shqiptare.

Dhe në atë turmë, Koliqi nuk do të ishte thjesht figurë historike, do të ishte ideja e gjallë se një komb mbrohet më parë me fjalë sesa me armë, dhe se gjuha është forma më e heshtur, por më e fortë e rezistencës.

Nese do te ishte gjalle Ernest Koliqi dhe te shikonte sulmet kunder gjuhes shqipe ne Maqedonine e Veriut ndoshta do t’u thoshte “oponenteve ” te dikurshem te tij te te njejtit gjak se historia ka ironitë e saj të mëdha: ata që dikur e quajtën “armik” për shkollat shqipe, sot përballen me të njëjtën të vërtetë që ai kishte kuptuar shumë herët — se një komb që humbet gjuhën, fillon të humbasë vetveten.

Ai do t’u kujtonte se gjuha shqipe nuk është privilegj politik, por frymëmarrja shpirtërore e një populli. Dhe se mbrojtja e saj nuk është akt kundër askujt, por detyrim ndaj historisë, kujtesës dhe brezave që vijnë.

Ndoshta Koliqi nuk do të fliste me zemërim. Do të mjaftonte heshtja e tij e njohur dhe pesha morale e veprës së tij: qindra shkolla, mijëra nxënës dhe një komb që mbijetoi pikërisht sepse dikush, në një kohë të errët, vendosi të mbrojë gjuhën e vet.

Filed Under: LETERSI

Në një kohë kur Shqipëria përpiqej të bëhej shtet, Lasgushi përpiqej ta bënte shpirt

May 19, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Në peizazhin shpirtëror të Shqipërisë së viteve ’30, atje ku varfëria, përçarja, pasiguria dhe ankthi i një kombi ende të pabërë mirë rëndonin si mjegull mbi vetëdijen shqiptare, poezia e Lasgush Poradeci erdhi si një dritë që nuk kërkonte të verbonte askënd, por vetëm të ndriçonte me butësi fytyrën e lodhur të shpirtit shqiptar. Në një kohë kur shumë pena zgjodhën të bërtasin, të akuzojnë, të mallkojnë apo të godasin plagën me hekur të nxehtë, ai zgjodhi një rrugë tjetër, më të vështirë dhe më fisnike: të mbillte bukuri në një tokë të vrerosur, të ujiste me muzikën e vargut atë që historia dhe mjerimi kishin tharë brenda njeriut shqiptar.

Shpirti i tij dukej sikur kishte marrë prej atdheut gjithçka që ishte e bukur dhe e përjetshme: liqenin e qetë të Pogradecit, dridhjen e yjeve mbi ujë, zërin e krojeve, frymën e maleve, lëvizjen e vashave nëpër udhë, heshtjen e mbrëmjeve shqiptare dhe mallin e thellë që digjej pa zhurmë në zemrën e njeriut të këtij vendi. Pastaj, si një prift i fshehtë i bukurisë, ai ia ktheu përsëri kombit të tij të gjitha këto, por të kthjelluara në art, të pastruara në zjarrin e poezisë, të ngritura në një lartësi ku dhembja nuk bërtet më, por shndërrohet në këngë.

Në këtë kuptim, Lasgushi nuk ishte thjesht poet. Ai ishte një restaurues i shpirtit shqiptar.

Kur lexon poezinë e tij, të krijohet ndjesia se Shqipëria e asaj kohe, e lodhur nga konfliktet, nga provincializmi, nga dhuna e prapambetjes dhe nga hijet e historisë, kishte nevojë jo vetëm për tribunë e politikë, por edhe për lule. Kishte nevojë për një poet që t’i kujtonte se ekzistonin ende yjet, dashuria, uji i krojeve, dridhja e syrit të vajzës, malli që nuk vdes dhe bukuria që nuk poshtërohet nga koha. Pikërisht këtë bëri ai.

“Unë jam poet i rinisë, i dashurisë, i jetës”, thoshte Lasgushi, dhe kjo fjali nuk ishte shmangie nga realiteti, siç mendonin disa prej bashkëkohësve të tij që kërkonin prej letërsisë vetëm revoltë sociale; ishte përkundrazi një mënyrë më e thellë për ta shpëtuar njeriun prej shkatërrimit të brendshëm. Sepse ka çaste në historinë e kombeve kur urrejtja bëhet aq e zakonshme, sa vetë bukuria fillon të duket si luks. Dhe pikërisht atëherë lind nevoja për poetë si ai.

Në poezinë e Lasgushit nuk ka zhurmë. Ka muzikë. Nuk ka gjëmim tribunash. Ka pëshpërimë. Nuk ka klithmë politike. Ka mall njerëzor. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye poezia e tij mbeti e pavdekshme, sepse nuk iu drejtua vetëm kohës së vet, por vetë natyrës njerëzore.

“Më del e zë pshon me të fshehtë

Më vjen edhe pshon me t’u qasur…”

Në këto vargje të buta, që duken sikur ecin zbathur mbi heshtjen, dashuria nuk paraqitet si shpërthim dramatik, por si dridhje e fshehtë e shpirtit. Gruaja në universin lasgushian nuk është trup që pushtohet, por prani që ndriçon. Ajo vjen si yll, si frymë, si mall që të dhemb pa të vrarë. Dhe në një Shqipëri ku jeta ishte ende e ashpër, patriarkale dhe e mbyllur, kjo mënyrë e të kënduarit të femrës ishte vetë një qytetërim estetik.

“Ndrin yll’ i të riturit t’im…”

Ylli te Lasgushi nuk është vetëm simbol dashurie. Ai është simbol i aspiratës njerëzore drejt së bukurës, drejt diçkaje që nuk mund të preket plotësisht. Në universin e tij poetik gjithçka lëviz mes afërsisë dhe pamundësisë, mes dëshirës dhe largësisë. Kjo e bën poezinë e tij të ketë një trishtim të ëmbël, një melankoli që nuk rrëzon, por fisnikëron.

Në poemën “Vallja e yjve”, kjo filozofi poetike arrin një nga kulmet më të larta të saj. Yjet e Lasgushit nuk janë objekte qiellore; janë qenie të gjalla të etjes dhe të dashurisë, të dënuara të ndjekin njëri-tjetrin nëpër pafundësi.

“Yjtë-e ndezur aqe larg,

Lozin vallen e dëshirës

Dyke ndritur varg-e-varg

Nëpër terr të hapësirës.”

Ka në këto vargje diçka kozmike dhe njëkohësisht njerëzore. Duket sikur vetë universi është ndërtuar mbi mallin. Yjet ndizen jo prej ligjeve fizike, por prej dashurisë. Ata digjen nga pamundësia për ta arritur plotësisht njëri-tjetrin. Dhe në këtë vallëzim të pafund, Lasgushi sheh fatin e vetë njeriut: të jetojë duke kërkuar dritën që gjithmonë largohet pak më tej.

Kjo ishte madhështia e tij në vitet ’30. Në vend që ta ngushtonte shpirtin shqiptar vetëm tek toka dhe politika, ai e ngriti drejt qiellit. I mësoi shqiptarit të shihte edhe lart. Në një kohë të mbushur me mure, ai hapi horizont.

Edhe poezia “Kroi i fshatit tonë” mbart të njëjtin vizion. Aty Shqipëria nuk paraqitet si dramë historike, por si peizazh shpirtëror. Kroi nuk është vetëm burim uji; ai është burim jete, kujtese, dashurie dhe identiteti.

“Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar,

ç’na buron nga mali, duke mërmëruar…”

Gjithçka këtu rrjedh me qetësi: uji, vajzat, malli, fjala, mbrëmja. Nuk ka tension brutal. Ka harmoni të fshehtë. Dhe kjo harmoni ishte ndoshta forma më e lartë e rezistencës shpirtërore ndaj kohës së ashpër që jetonte vendi. Sepse një komb nuk mbijeton vetëm me revoltë; mbijeton edhe me aftësinë për të ruajtur ndjenjën e bukurisë.

“Posi malli i zemrës mu në gji të shkretë…”

Këtu Lasgushi prek një nga fijet më të thella të shpirtit shqiptar: mallin. Jo mallin sentimental të zakonshëm, por atë mall ekzistencial që shoqëron popujt e vegjël, të lodhur nga historia dhe të uritur për dritë. Kroi derdhet “aq i egër, aq i qetë”, si vetë zemra shqiptare, ku bashkëjetojnë dhimbja dhe butësia, krenaria dhe vetmia.

Në këtë mënyrë, poezia e Lasgushit u bë një akt i heshtur qytetërimi. Ai nuk ngriti flamuj ideologjikë. Nuk shpalli doktrina. Nuk kërkoi të bëhej prijës turmash. Ai bëri diçka më të rrallë: krijoi një aristokraci të shpirtit në një vend ku shpesh triumfonte brutaliteti i jetës së përditshme.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe dallimi i madh mes tij dhe poetëve të revoltës sociale të kohës. Ata e panë plagën shqiptare dhe deshën ta çanin më tej që të rridhte gjaku i saj para syve të të gjithëve. Lasgushi e pa po atë plagë, por vendosi të vendoste mbi të një lule. Jo për ta fshehur, por për të mos lejuar që njeriu të shndërrohej krejtësisht në errësirë.

Në universin e tij poetik, dashuria nuk është arratisje nga realiteti. Është mënyra më e lartë për ta shpëtuar realitetin nga shëmtia. Bukuria nuk është luks estetik. Është nevojë morale. Natyra nuk është dekor. Është vazhdim i shpirtit njerëzor.

Prandaj poezia e Lasgushit vazhdon të mbetet e gjallë edhe sot. Sepse ajo nuk lidhet vetëm me një epokë, por me një nevojë të përhershme të njeriut për dritë, për harmoni dhe për dashuri në kohë të errëta. Në fund të fundit, kombet nuk jetojnë vetëm prej historisë së tyre politike. Ato jetojnë edhe prej ëndrrës që kanë për vetveten. Dhe Lasgushi ishte një nga ata poetë që ia bëri Shqipërisë këtë ëndërr më të bukur.

Në mbrëmjet shqiptare të viteve ’30, kur mbi qytetet e vogla binte heshtja, kur dritat ishin të pakta dhe varfëria ecte nëpër rrugë si një hije e zakonshme, poezia e Lasgushit duhet të ketë kaluar nga dora në dorë si një dritë e ngrohtë. Jo për të ndryshuar menjëherë botën, por për t’i kujtuar njeriut shqiptar se edhe në mes të mjerimit kishte ende yje që ndizeshin, kroje që këndonin dhe zemra që mund të dashuronin pa urrejtje.

Dhe kjo ishte ndoshta forma më e bukur e patriotizmit që mund të jepte një poet.

Nëse Migjeni i vuri gishtin plagës shqiptare dhe e detyroi shoqërinë të dëgjonte britmën e saj, Lasgush Poradeci zgjodhi të dëgjonte rrahjen e zemrës që ende mbetej gjallë nën atë plagë. Këta dy poetë, që duken sikur ecin në kahe të kundërta të shpirtit shqiptar, në të vërtetë plotësojnë njëri-tjetrin si nata dhe muzgu. Njëri zbret në ferrin e realitetit për të treguar mjerimin; tjetri ngjitet drejt një qielli të brendshëm për të mos lejuar që njeriu të humbasë krejtësisht aftësinë për të ëndërruar. Dhe ndoshta vetëm një komb që i pati të dy këta poetë në të njëjtën kohë mund ta kuptonte sa e thellë ishte drama e vet.

Sepse Lasgushi, në heshtjen e tij aristokratike, e ndiente po aq fort trishtimin shqiptar. Ai e njihte vetminë, rrënimin moral, zhgënjimin e kohës dhe hidhërimin që mbështillej mbi jetën e vendit si mjegull liqeni në muzg. Por ndryshimi qëndronte te mënyra si ai e përkthente këtë dhimbje. Tek ai, vuajtja nuk shpërthen në britmë; ajo rafinohet në mall. Nuk shndërrohet në urrejtje; bëhet muzikë e brendshme. Në vend të revoltës së drejtpërdrejtë, ai krijon një gjendje poetike ku njeriu ndien njëkohësisht dhimbjen dhe madhështinë e ekzistencës.

Prandaj liqeni në poezinë e tij nuk është vetëm peizazh. Ai është pasqyra metafizike e shpirtit shqiptar. Ai rri i qetë në sipërfaqe, ndërsa në thellësi fsheh dridhje të panjohura. Në atë ujë të kthjellët, Lasgushi duket sikur sheh jo vetëm fytyrën e natyrës, por edhe vetë fatin njerëzor: bukurinë që kalon, mallin që nuk shuhet dhe vetminë që shoqëron çdo shpirt të ndjeshëm.

Kjo është arsyeja pse poezia e tij ka aq shumë heshtje brenda. Heshtja te Lasgushi nuk është boshësi. Është gjendje mendimi. Është muzika e asaj që nuk mund të thuhet plotësisht me fjalë. Edhe dashuria në vargjet e tij shpesh nuk realizohet kurrë plotësisht; ajo mbetet pezull si një dritë e largët mbi ujë.

“Sa më pak e shëmbëllen,

Aq më shumë-e djek dëshira…”

Në këto vargje të “Valljes së yjve” fshihet e gjithë filozofia e tij e dashurisë dhe e jetës. Njeriu digjet më shumë pas asaj që nuk arrin ta zotërojë plotësisht. Bukuria mbetet gjithnjë paksa e paarritshme. Dhe pikërisht kjo distancë e mban të gjallë mallin. Lasgushi e kuptonte se në çastin kur dëshira shuhet krejtësisht, shuhet edhe vetë poezia e jetës.

Në një Shqipëri të mësuar me ashpërsinë, ai solli kulturën e ndjenjës së hollë. Ishte një lloj edukimi estetik i heshtur. Ai i mësoi shqiptarit të sodiste. Të dëgjonte tingullin e ujit. Të ndiente ritmin e natyrës. Të shihte bukurinë jo si zbukurim, por si mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht.

Dhe kjo nuk ishte pak në vitet ’30. Sepse shoqëritë e varfra rrezikojnë shpesh të bëhen të verbra ndaj finesës. Kur njeriu lufton vetëm për bukën e gojës, fillon të humbasë aftësinë për të parë yjet. Lasgushi e dinte këtë. Prandaj poezia e tij duket sikur i thotë vazhdimisht shqiptarit: mos harro se je krijuar edhe për bukuri.

“Kroi i fshatit tonë” është ndoshta një nga monumentet më të bukura të kësaj filozofie poetike. Në dukje kemi një tablo të thjeshtë fshati: vajza që mbushin ujë, trima që ndalojnë pranë krojit, mbrëmje të qeta mali. Por nën këtë thjeshtësi lëviz një ndjenjë e thellë harmonie mes njeriut dhe botës. Kroi bëhet qendër gravitacioni shpirtëror. Aty bashkohen dashuria, rinia, burrëria, natyra dhe kujtesa kolektive.

“Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë…”

Kjo thirrje duket sikur nuk i drejtohet më vetëm krojit, por vetë poezisë së Lasgushit. Sepse poezia e tij në ato vite kishte pikërisht këtë funksion: të shëronte sytë e lodhur të shpirtit shqiptar, të mbuluar prej pluhurit të një realiteti të ashpër. Ai nuk e mohonte tragjedinë e kohës, por përpiqej të shpëtonte prej saj atë që ishte ende e pastër dhe njerëzore.

Në këtë kuptim, Lasgushi mbetet një nga poetët më europianë të letërsisë shqiptare. Jo sepse imitonte Evropën, por sepse kishte arritur atë nivel vetëdijeje estetike ku poezia nuk bëhet më kronikë e ditës, por kërkim i përjetësisë brenda çastit. Ai e ngriti gjuhën shqipe në një muzikalitet të rrallë, duke i dhënë asaj një elegancë që deri atëherë pak kush e kishte arritur.

Tek ai, fjala nuk rëndon. Ajo rrëshqet. Tingëllon. Merr frymë. Vargu lasgushian ka shpesh lëvizjen e ujit ose të dritës së hënës mbi liqen. Dhe kjo është arsyeja pse ai lexohet jo vetëm me mendje, por edhe me shqisa. Poezia e tij dëgjohet po aq sa kuptohet.

Në fund, figura e Lasgushit mbetet ajo e një poeti që nuk pranoi ta ndante njeriun nga bukuria, as në kohë të errëta. Ai e kuptoi se kombet mund të varfërohen ekonomikisht, mund të copëtohen politikisht, mund të lodhen historikisht, por vdesin vërtet vetëm atëherë kur humbin aftësinë për të dashuruar dhe për të soditur.

Dhe prandaj ai vazhdoi të mbillte lule në shpirtin shqiptar, edhe kur mbi atë shpirt frynin erëra të ftohta kohe.

Në jetën dhe në artin e Lasgush Poradeci ka edhe një fisnikëri tjetër të rrallë, e cila shpesh nuk vihet re menjëherë: refuzimi për ta ulur poezinë në nivelin e zhurmës së kohës. Ai jetoi në një shekull të trazuar, mes ideologjive që kërkonin t’i merrnin shpirtit njerëzor të drejtën për të qenë i lirë dhe i brishtë, por poezia e tij mbeti gjithmonë një territor i papushtueshëm, ku ende mund të hynin liqeni, hëna, dashuria dhe heshtja.

Në këtë qëndrim kishte diçka prej murgu dhe diçka prej aristokrati të vjetër europian, që e di se kultura nuk mbijeton duke iu nënshtruar çdo stuhie politike, por duke ruajtur një zjarr të brendshëm që nuk shuhet. Prandaj Lasgushi duket sikur qëndron disi jashtë kohës së vet. Ndërsa shumë shkrimtarë të epokës mbetën të lidhur fort me debatet, konfliktet dhe retorikat e ditës, ai vazhdoi të ndërtonte një univers poetik ku njeriu nuk shihej si pjesë e turmës, por si qenie e vetmuar përballë bukurisë dhe pafundësisë.

Edhe vetë dashuria në poezinë e tij ka një solemnitet të pazakontë. Nuk është dashuri e zhurmshme, as tokësore në kuptimin banal të saj. Është një përjetim që i afrohet adhurimit. Gruaja lasgushiane shpesh duket sikur nuk ecën mbi tokë, por mbi një dritë të hollë muzgu. Ajo nuk zotërohet kurrë plotësisht; vetëm soditet, ndihet dhe humbet.

“O vashë-e të riturit t’im…”

Kjo thirrje e shkurtër mban brenda një mall të pafund. Te Lasgushi, dashuria është gjithmonë në prag humbjeje, dhe ndoshta pikërisht për këtë mbetet aq e bukur. Ai e kuptonte se njeriu dashuron më fort atë që koha rrezikon t’ia marrë. Prandaj në poezinë e tij ka aq shumë muzgje, yje që shuhen, dritë që dridhet, hapa që largohen ngadalë. Bukuria nuk paraqitet si diçka e përhershme dhe e sigurt, por si një çast i brishtë që duhet ruajtur me gjithë shpirt.

Kjo ndjenjë e brishtësisë e bën poezinë e tij thellësisht njerëzore. Pas gjithë muzikalitetit dhe elegancës së vargut fshihet frika e heshtur e njeriut përballë kohës. Yjet e tij digjen, por edhe ftohen. Dashuria ndriçon, por edhe tretet. Liqeni pasqyron qiellin, por mbi të bie gjithmonë hija e mbrëmjes. Dhe megjithatë, në vend që të bjerë në dëshpërim, Lasgushi zgjedh ta pranojë këtë fat njerëzor me një lloj qetësie të trishtuar, pothuaj filozofike.

Ndoshta këtu qëndron edhe moderniteti i tij i vërtetë. Ai nuk ishte modern sepse kërkonte të thyente traditën me zhurmë, por sepse depërtoi thellë në vetminë e shpirtit njerëzor. Në këtë kuptim, poezia e tij lidhet me atë linjë të madhe të poezisë europiane ku bukuria dhe melankolia ecin bashkë, ku dashuria nuk ndahet dot nga humbja dhe ku njeriu ndriçon pikërisht sepse është i përkohshëm.

Edhe natyra te Lasgushi nuk është vetëm natyrë shqiptare; ajo është një gjendje e brendshme e shpirtit. Mali, kroi, liqeni, nata, ylli, era, të gjitha marrin frymë si qenie të gjalla. Ai nuk i përshkruan; ai i shpirtëzon. Në poezinë e tij, universi duket sikur merr pjesë në emocionin njerëzor. Yjet digjen nga malli, kroi shëron plagët, liqeni hesht si njeri i mençur. Gjithçka është e lidhur në një harmoni të fshehtë, që poeti përpiqet ta dëgjojë dhe ta përkthejë në muzikë vargjesh.

Dhe ndoshta kjo ishte dhurata më e madhe që ai i bëri kulturës shqiptare në vitet ’30: i dha asaj ndjesinë e harmonisë në një epokë të copëtuar. I dha mundësinë të sodiste veten jo vetëm përmes mjerimit dhe dramës historike, por edhe përmes bukurisë së saj të brendshme.

Në një kohë kur Shqipëria përpiqej të bëhej shtet, Lasgushi përpiqej ta bënte shpirt.

Sepse kombet nuk ndërtohen vetëm me institucione dhe politika. Ato ndërtohen edhe me mënyrën si ëndërrojnë, si dashurojnë dhe si kujtojnë. Dhe poezia e Lasgushit u mësoi shqiptarëve të ëndërronin me një gjuhë më të pastër, më të thellë dhe më fisnike.

Kur lexon sot vargjet e tij, duket sikur dëgjon ende një muzikë që vjen nga brigjet e qeta të liqenit të Pogradecit, një muzikë që nuk kërkon të tronditë botën, por vetëm të shpëtojë prej harresës ato gjëra të brishta pa të cilat njeriu bëhet i shkretë: dashurinë, mallin, hijeshinë dhe aftësinë për t’u mrekulluar.

Dhe kështu Lasgushi mbeti deri në fund poeti i një drite të qetë shqiptare, që nuk verboi kurrë askënd, por ndriçoi gjatë.

Filed Under: LETERSI

EMILY DICKINSON, LAURETA PETOSHATI DHE SPIRALIZMI: MBRËMJE POETIKE NË VLORË

May 18, 2026 by s p

Albert HABAZAJ/

Buzëmbrëmjen e këtij 15 maji shkova me kolegun tim, shkrimtarin Eqerem Canaj në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë. Na bëri tok poetë, shkrimtarë, artistë, nxënës, mësues të qytetit dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë veprimtaria: “Mbrëmje poetike: “Më sillni perëndimin në një kupë”, kushtuar poetes së shquar amerikane Emily Dickinson pikërisht datën e yllëzimit të saj në nderim të 140 vjetorit të Paharrimit të poetes së pakohë apo të gjithkohëshme.

Ikën dhe erdhën dritat …

Veprimtaria, sipas programit, ishte në orën 18:00, kur, çuditërisht nja 10 minuta para orës së shumëpritur, na ikën dritat. U shqetësuam. Për pak çaste ora po shkonte 18:00. Po futeshin një nga një gonxhet e gjimnazit jopublik “Perla” dhe tjetër formë të shndritshme mori Biblioteka.

Gjithsesi, duke diskutuar me Eqeremin vërtet të shqetësuar, si do të bëjmë – më pyet miku im. Mos u mërzit, se dhe po nuk erdhën dritat, janë zemrat e poeteve dhe poetëve, të perlave të “Perlës” së Petritit që do të bëjnë më shumë dritë se dritat elektrike. Njëmendjesuam që ta bënim jashtë, para bibliotekës, por për fat, dritat erdhën dhe ne u qetësuam, u gëzuam dhe zhvilluam një veprimtari shumë të pëlqyer që na la mbresa të veçanta.

Programi:

Ishte e veçantë, krejt e veçantë ajo mbrëmje poetike me lajtomotivin simbolik “Më sillni perëndimin në një kupë”, kushtuar poetes së shquar amerikane Emily Dickinson, në vatrën me dritë të ngrohtë të qytetarëve vlonjatë, sidomos të shkrimtarëve dhe artistëve tanë, në mjediset në Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, ku na mirëpriti me bujari drejtoresha e asaj biblioteke dr. Iltana Koleka me stafin e saj të mrekullueshëm.

Nderim dhe vlerësim për vëmendjen që tregoi drejtoresha e Qendrës së Kulturës dhe Artit të Bashkisë Vlorë, zonja Anxhela Kapllanaj (koreografe e talentuar), drejtuese shembullore dhe e përkushtuar, duke ardhur vetë në këtë veprimtari shumë domethënëse dhe me shumë dashamirësi i shprehëm mirënjohjen si artistët artistes. Me thjeshtësinë e saj të madhe, ajo na nderon, se vërtet është drejtuese e kulturës së qytetit, por, tamam si Dickinson, këto qelizat, këto imtësirat i vlerëson shumë, se pjesëzat bëjnë të tërën.

Pjesëmarrësit: poetë e shkrimtarë të qytetit, intelektualë, mësues, pedagogë dhe nxënës të shkollës jopublike “Perla”, Vlorë me president zotni Petrit Golemin.

Tematika: Poezi të autores Emily Dickinson (10.12.1830-15.05.1886) të shqipëruara nga përkthyesja Laurtea Petoshati.

Moderatore ishte dr. Iltana Koleka, drejtoreshë e bilbiotekës së qytetit, që ishte dhe organizatore e kësaj veprimtarie të bukur shumë. Na nderoi me pjesëmarrjen e saj dhe me fjalën e vlerësuar drejtoresha e Qendrës Kulturore dhe Artit të Bashkisë Vlorë, dashamirësja jonë zonja Anxhela Kapllanaj, e cila bëri dhe përshëndetjen e rastit dhe ia dha fjalën zonjës Koleka për të drejtuar veprimtarinë. Në vijim poetja, shkrimtarja, publicistja, drejtuese e emisionit “Hea” në televizionin lokal “6+1 Vlora TV”, ing. Laureta Petoshati na bëri një vështrim substancial të poetes së shquar amerikane.

Në vijim shprehëm mendime, diskutime, pyetje, përgjigje për Dickinsonin dhe Petoshatin, si dhe recituan poezi, sipas ndarjes miqësisht të mirëkuptueshme që kishin bërë organizatorët, përkatësisht: Albert Habazaj, Anila Toto, Vjollca Aliaj, Lulëzime Malaj, Vera Zaho, Ahmet Demaj, Majli Dukaj, dr. Shpresa Fundo Gjergji, pedagoget prof.as. Edlira Duro Çerkezi dhe dr. Irena Cani (poete, përkthyese), si dhe mësuesja e devotshme Vera Zaho. Perlat e “Perlës”, tek recituan 7 poezi të Dickinsonit (dhe në shqip dhe në anglisht), ishin freskia, ëmbëlsia, qershia mbi tortë, siç u thamë me dashamirësi e dëlirësi. Ja cilat ishin poezitë e Emily Dickinson përkthyer nga Laureta Petoshati, që recituan çupat, nxënëset e Shkollës Jopublike “Perla”, Vlorë me president z. Petrit Golemi:

1. Bring me the sunset in a cup –

1/1. Më sill perëndimin e diellit në një tas

2. “Hope” is the thing with feathers –

2/1. “Shpresa” është krijesë me pupla

3. Tell all the truth but tell it slant –

3/1. Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm

4. I’ m Nobody! Who are you? –

4/1. Unë jam Askushi! Kush jeni ju?

5. The Soul selects her own Society –

5/1. Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket

6. If I can stop one heart from breaking –

6/1. Nëse do t’ia ndal një Zemre lëndimin

7. The past –

7/1. E kaluara

NGA FJALA IME NË MBRËMJEN POETIKE

Përshëndetja:

Mikesha dhe miq të dashur të fjalës së bukurshkruar! Ndihem i vlerësuar që organizatorët e kësaj veprimtarie shumë të çmuar për kulturën e qytetit patën besimin për të qenë i pari që do të shpreh disa mendime në këtë mbrëmje më tepër se poetike kushtuar Dickinsonit dhe Petoshatit, si dhe të këndoj një poezi të amerikanes hyjnore.

Aq më tepër që ky aktivitet bëhet në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë, e cila për mua, jo vetëm si poet e studiues, por sidomos për shkak të profesionit si specialist i librit, bibliograf dhe drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë deri ditën që dola në pension (23.03.2025) e tani e në vijim sa të jem, kjo bibliotekë ka qenë, është e do të jetë shtëpia ime e dytë, falë dhe bashkëpunimit shumë të mirë dhe mëse vëllazëror për dobinë e punës përgjatë një çerek shekulli, që me drejtoreshën historike Liljana Gjika, me shkrimtarin Çlirim Hoxha, poeten Elma Rama dhe tashmë me ish – pedagogen e Universitetit “Ismail Qemali” dr. Iltana Koleka, si drejtues të këtij tempulli kulture, që e bënë kaq me dritë këtë bibliotekë, bashkë me stafin, si detashment drite që është gjithmonë në gatishmëri të lexuesve, të qytetarëve të Vlorës dhe jo vetëm.

Siç e shprehu dhe kolegia ime, Tana këtë mbrëmje na bëri bashkë një duet poetik i letërsisë femërore universale: Elisabeta si autore dhe Laureta si përkthyese e më tepër se kaq.

Së bashku me poetë, shkrimtarë e artistë të qytetit, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës jopublike “Perla”, po ndajmë magjinë e poezisë së poeteshës kanonike Emily Dickinson. Më 10 Dhjetor poetja ka 196 vjetorin e lindjes, ndërsa sot, pikërisht sot ne, këtu në Vlorë i kujtojmë 140 vjetorit e vdekjes për të dritëruar në univers.

Një duet poetik i letërsisë femërore: Emily Dickinsoni – Laureta Petoshati dhe spiralizmi

Është vërtet kënaqësi organizmi dhe realizmi i një ngjarjeje kulturore të rëndësishme për ne (e jo vetëm në Vlorë), nga e cila përfitojmë një tjetër përmasë të standardit sipëror, tek na vjen Emily Dickinson, falë jo thjesht përkthyeses, por shqipërueses muzikale me identitet dhe integritet, e cila shprehet me mirënjohje edhe për leksioet që ka pasur fatin të merrte nga Kudret Kokoshi dhe profesor Nestor Nepravishta

Vërtetësisht bukur u shpreh mësuesja dhe poetja e qytetit tonë Anila Toto për Lauretën: “Është një eveniment i rrallë përkthimi dhe studimi i një poeteje të rrallë si Emily Dickinson në qytet. Këtu, maksimumi bëhen promovime të thjeshta të miqve, edhe pse të respektuar, por nuk i kalojmë kufijtë me recitime të një poezie të huaj. Me studimin tënd “ke kapërcyer ylberin” e ke hyrë në një botë studimi dhe pranimi ëndrrash fantazie dhe krenarie si përkthyese, por më shumë si studiuese. Besoj ta kuptojnë dhe ta vlerësojnë studiuesit e artit shkëputjen nga e zakonshmja për të sjellë një standard të ri studimor dhe letrar në qytet. Deri më sot nuk ka guxuar dikush ta sjellë në kët formë”.

Emily Dickinsonin [Emili Dikinsion] me Laureta Petoshatin i bashkon SPIRALIZMI. Ne që jemi mbledhur këtu jemi miq të librit, intelektualë, njerëz të letrave dhe e dimë që spiralizmi është një lëvizje letrare, një konceptim i tërë estetik dhe jo vetëm një çast i historisë, bën paraqitjen e veprës letrare jo vetëm me fuqinë e fakteve, por edhe me lidhjen organike të zhvillimeve dialektike dhe historike të ndërthurura me vetëdijen e personazheve që ndikohen nga prania e njëri-tjetrit dhe ajo e natyrës. Kemi një spiralizëm psikologjik, një përshkrim që ndërthur në formë spiraleje bashkëveprimin e natyrës me ndijimet, perceptimet, ngacmimet, ndjenjat, mendimet, përsiatjet e vazhdueshme dhe gjendjet e brishta shpirtërore që japin mesazhe të thella nga një personazh tek tjetri, por nuk mungon as ens realissimum (qenia më reale) pra Zoti. Spiralizmi ose trans/ spiralizmi, ndryshe nga realizmi, është art demokratik, por hera-herës bën dhe thelbin e tepruar të disa elementëve të realitetit. Thënë shkurt, spiralizmi është një lëvizje letrare që nuk e ndryshon ndjenjën e masës apo të shtrembërojë realitetin, si në poezi, si në prozë. Emilia ishte dallëndyshe e spiralizmit, pioniere e kësaj rryme, fatose e vërtetë e kësaj rrjedhe letrare. Poezia e Dickinson krijon një tablo mendore, si një lozonjare e errët, ku lexuesi i kulturuar dhe i vëmendshëm sheh dhembje, paralizë shpirtërore, humbje të arsyes, vuajtjen si lumturi, vuajtje si lartësim/ katarsis/ puritanizëm, vetminë/ besimin tek trinia e shenjtë, sheh autocensurën, si standard cilësor…

Laureta Petoshati ka përkthyer në shqip poezi të zgjedhura nga poetja amerikane Emily Dickinson, duke sjellë në shqip ndjeshmërinë dhe simbolikën e saj. Përkthimet e saj, si ato të botuara në gazeta kulturore, përcjellin stilin e veçantë të Dickinson, përfshirë tema si vdekja, natyra dhe bota e brendshme. Dickinson luan thellësisht me imazhin, të shkakton tronditje, ka poezi të detajit, të imtësisë, ajo hyn në labirintet e shpirtit njerëzor, depërton deri në ndërlikimet e errëta spirituale e mentale, reale deri në qelizë, deri në shembëlltyrën e padukshmërisë. Mistikja dhe femërorja janë ndër motivet poetike më të tejdukshme të saj, që na mbushin me emocione të fuqishme dhe janë gjurmëlënëse në kujtesën tonë, në tërë qenien.

Poezia e Dickinson konsiderohet kanonike, në kuptimin letrar – kulturor, sepse është autoritare poezia e saj, është standard i lartë i simbolikës letrare, quhet i shenjtë vjershërimi dickinsionian, i shenjtë si bibël poetike, jo vetëm në Amerikë.

Janë shumë poezitë e përkthyera nga Laureta Petoshati, ndoshta një ditë ajo do të na dhurojë një libër me poezitë e amerikanes së madhe në shqip. Fjala vjen poezia “Me të njëjtat çizme plumbi përsëri” – është një nga poezitë që eksploron përjetimin e dhimbjes dhe hapësirën.

Përkthimet, madje më saktë do të thosha, shqipërimet e Lauretës janë vlerësuar në përpjekjen për të identifikuar veten përmes vargjeve të Dickinson, duke ruajtur intensitetin e origjinalit.

Mos ma merrni se po i bëj ndonjë elozh Lauretës, se as unë nuk i kam qejf e them ato që ndjej dhe nuk kam përse tʾi bëj lëvdata të tepruara, as ajo nuk i do, se sʾka nevojë.

Thjesht mʾu kujtua Fan Noli që na pruri e bëri shqiptare gjeninë e jashtëzakonshme të Uilliam Shekspirit me “Jul Qesarin”, “Hamletin”, “Makbethin” dhe “Otellon”. Shqipërimi është i rrallë. Mund të dishë gjuhë të huaj, mund të përkthesh mirë, por shqipërimi është një “zanat”, që janë të paktë ata “ustallarë” që e ushtrojnë mjeshtërisht.

Në këtë rrafsh, nuk po heq paralele, kurrsesi, sepse nuk e kam në natyrë, por theksoj që Laureta punon shumë dhe aq mirë me këtë autore të madhe amerikane, sa që poezitë e saj këndojnë bukur në shqip, duke mbajtur stolitë e shpirtit sonë letrar, si rimën, ritmin, tingëllimin muzikor të tekstit, sikur Dickinson të ishte një shqiptare.

Kush e ka studiuar poeten amerikane dhe kush e njeh mirë Lauretën tonë, vëren se ato ngjajnë shumë (shprehem jo vetëm në rrashin e antropologjisë kulturore apo të rrymës së spiralizmit, së cilës Laureta i mëshon me theks të veçantë).

Unë do të këndoj një poezi të imtë të Emily Dickinsonit, prurë në shqip nga mikesha jonë idealiste, inxhinierja e ujrave dhe letrave shqip, e cila na bën krenarë në rrafshin e ndërkombëtarizimit të letërsisë edhe nga vlonjatët (nuk është mendjemadhësi kurrsesi, por një e vërtetë, që nuk mund të mohohet):

DËGJOVA NJË ZUKATJE MIZE – KUR VDIQA

Emily Dickinson (1830-1886)

Përth. Laureta Petoshati

Dëgjova një zukatje Mize – kur vdiqa –

Në Dhomë gjendja e Qetësisë

Ishte si Qetësia që mbretëron –

Ndërmjet Vrulleve të Stuhisë –

Sytë përreth – u shtrydhën deri në tharje –

Dhe Fryma u mbajt shumë fort

Për atë Sulm të fundit –

kur Mbreti Të shfaqej vetë – në Dhomë –

Thashë ҫʾlija për Kujtim – Firmosa

Se hiqja dorë nga e imja pjesë

Që mund të jepej – dhe pastaj

U fut aty një Mizë në mes-

Me një Zukatje Blu – të paqartë – të çalë –

Ndërmjet dritës – e meje në shtroja –

Dhe Dritaret sʾpo dukeshin më – e më pas

Nuk mundesha të shikoja që të kuptoja –

Kuptimi dhe simbolika e poezisë, që loz me imazhin dhe depërton në detaj:

Zukatja e mizës: kjo zukatje përfaqëson një zhurmë të zakonshme, banale dhe tokësore, e cila ndërhyn në momentin solemn dhe final të vdekjes.

Përballja me vdekjen: Në vend të një vizioni hyjnor apo paqësor, poetja përjeton një detaj të vogël fizik. Miza mund të simbolizojë kalbjen, vdekjen e trupit, ose thjesht një realitet që nuk ndalet për vdekjen e askujt.

Dyshimi: Vargu shpesh interpretohet si një ironi mbi pritshmëritë për jetën e përtejme, ku në momentin e fundit, vëmendja zhvendoset nga drita (që pritet të shihet) te errësira apo një bezdi e thjeshtë.

Është një imazh i fuqishëm që përball vdekjen me jetën e përditshme, një emcion që të trand shumë.

Dy fjalë përnjohjeje nga jetëshkrimi letrar i autores Laureta Petoshati

Laureta Petoshati është poete, shkrimtare dhe përkthyese. Ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, dega Hidroteknikë në Universitetin e Tiranës në vitin 1987. Filloi punë në vendlindjen e saj Vlorë, në drejtorinë e Ujërave dhe në vitin 1991 mbasi kishte mbaruar një kurs dyvjeçar shtetëror për gjuhën italiane punoi në Gjykatën e Vlorës si përkthyese. Qysh prej asaj kohe e deri më sot, ajo i është përkushtuar përkthimeve, letërsisë dhe publicistikës.

Ka punuar dhe ne Televizionin Vlora Channel ne vitet 2006, 2009 deri 2014 si gazetare dhe përkthyese e përhershme e lajmeve të jashtme. Aktualisht punon si gazetare dhe përkthyese free lance, si dhe drejtuese e emisionit “Hea” në Televizionin rajonal 6+1 Vlora.

Ka botuar në vitin 1996 vëllimin poetik “Perëndesha e Parajsës”, në vitin 2012 romanin historik “Rikthim në Ventotene” dhe në vitin 2016 ka përkthyer poezi të poetit të mirënjohur izraelit Zvika Szterfeld në 2/3 e vëllimit poetik “Tempulli i Vetmisë”. Më 2018 ka përkthyer librin poetik të poetes Ardita Jatru “66 kilos of solitude ” nga shqipja në anglisht dhe është botuar nga shtepia botuese Transhendent Zero Press USA, si dhe më 2020 “La leggenda del Lago” nga shqipja në italisht, novelë e shkrimtares Eleni Birçaj Mingu botuar në Lecce Itali. Nga shqipja në anglisht ka përkthyer librin me 100 sonata të poetit Ferik Ferra, librin studimor “Traktati i origjinës së shqiptarëve” të studiuesit Çlirim Hoxha, librin me poezi “Nga vise të bukura shpirti” të poetes Anila Toto, romanin Sofia të shkrimtarit Çlirim Hoxha, librin me poezi “Ajo natë” të poetes Lela Qejvani, etj. Duhet përmendur fakti se gjatë kohës së qëndrimit të saj në emigracion USA (1997-2005) ajo ka qenë një nga nismëtaret dhe sekretarja e shoqatës patriotike “Bijtë e Shqipes”, ku ka kontribuar në hapjen e shkollës shqipe si dhe pasqyrimin e aktiviteteve të këtij komuniteti në gazetën Illyria. Për këtë veprimtari më 11 qershor 2017 ajo është nderuar me Certifikatën e Mirënjohjes nga Shoqata atdhetare-kulturore shqiptaro-amerikane “Bijtë e Shqipes” me qendër në Philadelphia.

Veprimtaria e Laureta Petoshatit në publicistikë është e larmishme. Ajo është e spikatur për shkrimet e guximshëm, reportazhet dhe studimet historike të botuara kryesisht në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria në Neë York, gazetën “Ndryshe”, si dhe për analizat dhe esetë mbi vepra letrare të botuara në organe të ndryshme kryesisht në gazetën Nacional dhe MAPO. Shoqata Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemal Vloraʺ më 28 nëntor 2008 i ka dhënë titullin “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtareʺ.

Poezi ka filluar të shkruajë qysh fëmijë në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit “Bajram Tushi”, Vlorë. Poezitë e saj janë të botuara dhe jashtë Shqipërisë në antologji të ndryshme por kryesisht në Knot Magazine(USA), esetë e saj në anglisht janë botuar në revistën WritingRawPoetry (USA) dhe Tuck Magazine (USA) ndërsa studimi mbi lëvizjen e re letrare është botuar në Corriere di Puglia e Lucania në Itali, etj.

Çmimet në përkthime:

Fituese e vendit të parë në përkthimet poetike në konkursin kombëtar kushtuar 75 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli.

Akademia Alternative Pegasiane e shpalli përkthyesen e vitit 2016 në konkursin midis 45 vendeve të botës.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Markoʺ të Vlorës i jep Çmimin “Kudret Kokoshiʺ për përkthim nga shqipja në anglisht të poemës “Guguftuʺ të Ali Asllanit (2008)

Çmimet në poezi:

Çmim të dytë në konkursin poetik të zhvilluar nga Klubi i Shkrimtarëve “Petro Markoʺ Vlorë 2014,

Çmim të Tretë në konkursin Kombëtar Fjala Poetike, 2017 në Tiranë,

Çmimin Special Vepra letrare-shkencore e Institutit Albanologjik të Prishtinës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, qershor 2017,

Çmim Special në konkursin Kombëtar Fjala Poetike, 2024 në Tiranë.

Poezitë e përkthyera prej saj nga shqipja në anglisht të disa poetëve të spikatur shqiptarë janë botuar në revista prestigjioze si: Section&Magazine (USA), WritingRawPoetry (USA), The Dallas Revieë (USA), Safe Harbor, Of/with: journal of immanent renditions (USA), Travel Poetics, International Journal of Travel Writing, (USA), HARBINGER ASYLUM, (USA), Duane’s PoeTree (USA), Dead Snake, etj.

Ja këtë na bënë Emily Dickinson, Laureta Petoshati dhe spiralizmi, na dhuruan një mbrëmje poetike vërtet magjike në Vlorë, që do ta mbajmë mend gjatë si një shembull i udhtimit letrar në qytet.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kolonel Ahmet Krasniqi, in memoriam…
  • KUR NJË SHOQËRI NUK PËRBALLET ME TË KALUARËN KOMUNISTE E KALUARA RIKTHEHET
  • It Is the Economy Prime Minister But First It Is the People
  • Is AI, the Apocalypse Now?
  • Epiri si Shqipëri e Poshtme në hartografinë franceze të Nicolas de Fer-it: një dëshmi e rëndësishme e hapësirës shqiptare në fillim të shekullit XVIII
  • Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale
  • Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti zhvilloi homazhe nderimi te varret e Vëllezërve Bytyqi dhe vizitë te Kisha Zoja e Shkodrës- Fotoreportazh: Dritan Haxhia
  • Më 20 shtator 1685 – Pjetër Bogdani sjell “Çetën e profetëve”, monumentin e hyjt të shqipes së shkruar
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes atdhetarin dhe luftëtarin Çerçiz Topulli
  • Shkolla “Gjergj Fishta” New York filloi vitin mësimor 2026-2027
  • A ishte krijimi i Dhomave Speciale në Hagë, një kompleks inferioriteti?
  • Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike
  • Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!
  • LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t
  • JURIDIKSIONI KA KUFI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT