• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IRONIA DHE ESTETIKA NË ROMANET E REXHEP QOSJES

May 15, 2026 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj/

Ironia është një mjet i fuqishëm i letërsisë. Studiuesit e ironisë, madje, thonë se nuk ka letërsi pa ironi. Se është e tillë e vërteton të kuptuarit dhe të interpretuarit e shënjuesve ironikë brenda një konteksti shoqëror, në të vërtetë të kuptuarit e gjuhës a të ligjërimit ironik.

Ironia – term që vjen nga greqishtja (eironeia) me kuptimin shndërrim, përqeshje, që në retorikën e moçme është quajtur trop, kurse sot në literaturën teorike konsiderohet figurë dhe trop, varësisht nëse realizohet përmes fjalës (trop) apo përmes një tërësie më të gjatë tekstore (figurë). Pas rrugëtimit të saj të gjatë nëpër shekuj, ironia ka ruajtur deri sot vendin e saj të rëndësishëm në letërsi, prandaj edhe në letërsinë moderne e sidomos postmoderne ku ajo zë vend qendror si strategji narrative[1].

Ironia konsiderohet edhe mjet stilistik dhe në këtë trajtesë për ironinë e Rexhep Qosjes në pesë romanet e tij si dhe në novelën e dramat e tij, ajo trajtohet si e tillë, pra si mjet stilistik, përkatësisht si veprim mbizotërues stilistik me ton diskursiv-mendimor i cili trajtohet përmes tipologjisë së veprimeve ironike dhe shënjuesve stilistikë të kodit ironik. Po kështu, pos si figurë mbizotëruese stilistike, ironia trajtohet këtu edhe si qëndrim i autorit, si qëndrim i rrëfimtarit dhe si qëndrim i personazheve, sepse ironia e Rexhep Qosjes, me dallim prej figurave të tjera si metafora, alegoria, antiteza, oksimoroni, paradoksi, provokon fuqishëm emocionalisht si te ata që e kuptojnë ashtu edhe te ata që nuk e kuptojnë.

Nuk lihet anash gjatë trajtimit as semantika e ironisë dhe formësimi i kuptimit të saj, gjithnjë duke pasur parasysh ndërvarësinë e madhe të tekstit të Rexhep Qosjes me kontekstin. Të gjitha veprat e tij, nisur nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kërkojnë “lexim paralel: të lexohet teksti përballë kontekstit”.[2]

Rexhep Qosja, si shkrimtar dhe si studiues e kritik letërsie, e di fare mirë raportin letërsi – shoqëri dhe e di mirë si krijohet e si realizohet ironia. Duke qenë se ironia është jo vetëm proces i ndërlikuar i marrëdhënieve, i përdallimit dhe i kombinimit të kuptimit të thënë dhe të kuptimit të pathënë, por edhe proces i formësuar brenda një kulture[3], për të realizuar ironinë duhet paraprakisht të kesh një shoqëri a opinion përkatës, në mënyrë që shigjeta e mprehtë e ironisë të godasë si duhet e ku duhet. Prandaj, ironia e Rexhep Qosjes është jo vetëm e shumëkuptimshme dhe e shumëllojshme, por edhe shumëdrejtimshe e shumëaspektore.

Jo rastësisht, ironia është konsideruar armë elitare dhe jo rastësisht është zhvilluar në qarqet intelektuale. Shkrimtari Rexhep Qosja me veprën e tij të vëllimshme e të shumanshme ka zgjeruar kufijtë e ngushtë të këtyre qarqeve, përkatësisht i ka rrënuar kufijtë e shoqërive të mbyllura. Ironia e tij ka shpërthyer kufij vendorë e kombëtarë dhe ka marrë tiparet e një ironie origjinale në letërsinë e në kulturën tonë.

Studiuesit e njohur të ironisë më shumë se njëherë kanë shprehur “rrezikun” e ironisë, përkatësisht pasigurinë që ajo të moskuptohet prej atyre të cilëve u është drejtuar. Këtë “pasiguri” e këtë “rrezik” ironia e Rexhep Qosjes e ka tejkaluar mjeshtërisht, sepse teksti i tij është i lidhur shumëfishtë dhe ngushtësisht me kontekstin, pavarësisht nëse romanet e tij janë botuar në vitet ’70 të shekullit të kaluar ose në njëzet vjetët e fundit te shekullit ’21 ose madje edhe sot.

Duke qenë e tillë ironia e Rexhep Qosjes, interpretimi i saj është shumë kërkues dhe njëkohësisht jo i lehtë për trajtim, sepse duhet të përmbajë më shumë strategji e më shumë synime, kurse qëllimi i këtij vështrimi është dukshëm më i ngushtë dhe pashmangshëm jo gjithëpërfshirës, sepse ironia realizohet në ligjërim e kjo do të thotë se semantika e saj dhe përmasa e saj përgjithësuese nuk mund të trajtohet a studiohet ndaras aspektit shoqëror, politik, historik, kulturor, sociologjik dhe etik të kontekstit, ndërsa kjo gjerësi problemore i tejkalon kufijtë e një trajtimi gjuhësor e stilistik të ironisë si mjet dhe figurë stilistike.

Së këndejmi, ky vështrim gjuhësor e stilistik ka parasysh, pos të tjerash, faktin se ç’rol kanë emocionet në të kuptuarit dhe në përcaktimin e ironisë, gjithnjë duke pasur parasysh funksionin ekspresiv të gjuhës, sipas Jakobsonit, dhe gjithnjë duke ruajtur natyrën, formësimin dhe ndikimin e saj të jo drejtpërdrejtë. Ironia e Rexhep Qosjes nga ky aspekt paraqet një regjistër përcaktues, në të vërtetë shkallëzues të “fuqisë” së saj sipas funksioneve që ka. Fuqia e ironisë së tij lëviz prej shkallës më të ulët e deri te shkalla më e lartë e ngarkesës emocionale.

Të shohim dy shembuj:

“Kasandra di të parathotë të ardhmen, por Kasandra di edhe të bëjë shaka, i them.

Po të dija të bëja shaka unë në rrugë siç bëjnë ata në teatrin politik do t’i kisha punët më mirë se ç’i kam, jo, u shpreha gabimisht: do t’i kisha punët siç i kanë ata.” (“Nata është dita jonë”, 53)

“Atdheu ynë po ndryshon me shpejtësi marramendëse.

Jemi të parët në Evropë! Me ekonominë tonë entuziaste! Me liberalizimin e tregtisë! Shqipëria 1 lek!

Jemi të parët në Evropë me shkallën e rritjes ekonomike – sivjet 9 për qind, kurse vitin tjetër do të jetë 13 për qind. Çfarë mrekullie! Franca ka rritjen ekonomike 2 për qind, kurse Shqipëria 9 për qind; Italia ka rritje zero për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind; Gjermania ka rënie 2 për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind; Anglia ka rënie 3 për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind!

Jemi kampionë të Evropës:

me mirëqenien dhe me lumturinë e qytetarëve; “(“ Bijtë e askujt” I, 441)

Siç shihet nga këta dy shembuj, çdo funksion i ironisë ka anën e saj të mirë ose të keqe, pra pozitive dhe negative. Funksioni pozitiv i ironisë sugjeron saktësinë dhe jo dykuptimësinë – te teksti i parë, kurse funksioni negativ sugjeron nënkuptimin, aluzionin – te teksti i dytë.

Veçori të përgjithshme

Veçoritë e ironisë së Rexhep Qosjes në rrafsh të përgjithshëm janë:

-zhvendosja e ironisë nga ligjërimi artistik në ligjërimin “shkencor” e “publicistik” të romaneve, me ndërthurje mjeshtërore kur tematizohen çështje që lidhin kulturën shqiptare me kulturën botërore, sidomos letrare dhe politike;

-prirja për të nxitur dialog të hapur për çështje nga më të ndryshme të jetës njerëzore dhe përpjekja për të rivendosur mundësisht gjedhe të reja kulturore e shoqërore;

– ndërvarësia e dukshme midis prozës së tij, tekstit ironik dhe kontekstit shoqëror-kulturor;

– përpjekja për të krijuar paradigma të reja e për të zëvendësuar paradigma të vjetra dhe jo pozitive në kontekstin e situatave të emërtuara si kriza; siç dihet për ndryshimin e paradigmave nevojitet kriza, paqëndrueshmëria dhe pasiguria;

– ndriçimi i raporteve midis përbërësve të rëndësishëm të mënyrës së jetës shqiptare;

– bashkimi në një rrafsh i letërsisë së quajtur e “lartë” dhe letërsisë së e quajtur e “ulët”;

– njëjtësimi i jetës publike me jetën private në kontekstin e forcës;

– shpotitja e realizmit socialist dhe zëvendësimi i modernes me postmodernen, sidomos ne romanet e fundit.

Ironia – semantika dhe estetika

Ironia e Rexhep Qosjes në rrafsh të përgjithshëm semantik aktualizohet në këto fusha konceptore e tematike: fati i individit dhe fati i shoqërisë; intelektuali – shteti – familja; raporti burrë – grua; jeta publike – jeta private; individi – politika; politika – morali; identiteti – gjuha – feja; letërsia – politika; modernia – postmodernia; vlera – kiçi; liria – robëria; lufta – paslufta; njeriu midis dhunës dhe nevojës për reagim; dashuria – urrejtja; lindja – perëndimi.

Duke qenë se ironia është mjet i fuqishëm i letërsisë, ajo paraqet edhe një mjet të fuqishëm stilistik që zbulon shumanshëm një vepër letrare, që zbulon polifoninë dhe harmoninë e saj, që zbulon në të vërtetë aftësinë dhe shkathtësinë e shkrimtarit për t’i bashkuar e për t’i vënë përballë ato që bashkohen dhe ato që nuk bashkohen, ato që pajtohen dhe ato që kundërvihen dhe për t’i njëjtësuar ato pastaj në një tërësi më vete. Se është e tillë apo më mirë të thuhet se mund të jetë e tillë ironia, e zbulojnë qartësisht dhe mjeshtërisht romanet e Rexhep Qosjes, e zbulon ironia e tij plotësisht e veçantë në letërsinë shqipe. Krahas ndërtekstorësisë dhe kompozicionit, ironia e tij e fuqishme është treguesi më i dukshëm i modernizmit dhe i postmodernizmit të romaneve të tij. Si teknikë e si strategji mbizotëruese e postmodernizmit të tij, si ironia ashtu edhe porosia e romaneve të tij janë të natyrës dyvlerëshe, përkatësisht janë kundërvënëse. Në romanet postmoderne të Rexhep Qosjes, ironia si strategji narrative paraqet veçorinë qenësore dhe formën themelore ndërtuese.

Të shohim mënyrën kryesore të ndërtimit të ironisë në tekstin e tij letrar:

”Nëpër të gjitha sheshet, rrugët e rrugicat jehon lajmi i pikëllueshëm:

Ka vdekur Kush Akxhiu!

Ka vdekur, Çerem, ka vdekur!

Ka vdekur! Përgjithmonë!

Në qiellin e Vajazanit është shuar një yll i atdhetarizmit!

Ka vdekur një atdhetar i madh, të cilin vajazanasit aq shpesh e kishin dëgjuar duke u betuar për flamur!

Ka vdekur njeriu që sot ishte i këtillë, nesër ishte i atillë e pasnesër i këtillë dhe i atillë!

Siç e lyp Atdheu, thoshte!

Kohë kameleonësh!

Kurrkush si Kushi nuk e njihte dialektikën.

Teza.

Antiteza.

Sinteza.

Përfolshmëria: profesioni më i leverdishëm Atje dhe Këtu!

Sivjet janë shtuar shumë vdekjet, sidomos, vdekjet e papritura.

Ç’t’i bësh? Vdekjen e kemi më afër se jakën e këmishës.

Këmisha na lë, po vdekja nuk na harron.

Qyteti po rritet, kurse varret po zgjerohen.” (“Një dashuri”, 307)

Në teorinë mbi ironinë thuhet se ironia duhet të ketë cilësi të veçanta së paku minimale estetike, ndryshe nuk mund të quhet ironi. Ironia e Rexhep Qosjes në pjesën më të madhe të saj karakterizohet prej vlerës së shquar estetike, siç shihet edhe nga teksti i paraqitur më lart.

Thuhet po kështu se ironia, për t’u quajtur e tillë, duhet të përmbushë tri elemente çelës:

1. të përbëhet prej dy shtresave ose dy rrëfimeve;

2. të shquhet me praninë e kundërvënies së dy shtresave që mund të jenë kontradiktore, mospërputhëse dhe të papajtueshme;

3. të karakterizohet me një si pafajësi, sipas së cilës “viktima e ironisë nuk është e vetëdijshme ose ironisti shtiret se ajo nuk është e vetëdijshme”, të cilën Muecke-u e quan papërgjegjshmëri e përgjegjshme e shkrimtarit[4].

Të tria këto elemente i përmbush plotësisht ironia e shprehur në shembullin e mësipërm ashtu sikundër përgjithësisht ironia e romaneve të Rexhep Qosjes. Në tekstin e mësipërm flet rrëfimtari, por edhe Çerem Çapari përmes gojës së rrëfimtarit; ndërlidhen monologu dhe dialogu imagjinar; kundërvihen konceptet atdhetarizëm dhe tradhti; Kush Akxhiu ishte edhe Kush edhe kurrkush; ishte: njeriu që sot ishte i këtillë, nesër ishte i atillë e pasnesër i këtillë dhe i atillë, prandaj:

“Në Varre u soll si atdhetar e u varros si hafie!

Atë ditë nëntori kishte filluar radha e vdekjeve të dyfishta në Vajazan!” (“Një dashuri”, 344)

E gjithë ironia e Rexhep Qosjes ndërtohet mbi kundërvënien, mospërputhjen e papajtueshmërinë. Shkalla e mospërputhjes midis kundërshtive ironike është anasjelltas proporcionale me shkallën e pasigurisë, që ndien viktima ose që ironisti shtiret se ajo e ndien këtë pasiguri. Ironia e Rexhep Qosjes e karakterizon edhe një estetikë e lartë – estetika e të shëmtuarës.

Funksioni i ironisë

Në romanet e Rexhep Qosjes ironia kryen funksion stilistik. Duke qenë shkrimtar me ndjenjë të mprehtë për të vërtetën, duke ndier neveri për shtirjen dhe patosin e rrejshëm, ai e përdor ironinë si instrument më se të gjetur për të realizuar qëllimin e tij artistik. Ironia e madhe thonë se qëndron në mendimet aforistike, në epigrafet, në titujt e nëntitujt e romaneve, në fjalitë nistore dhe ato fundore e të tjera Shkrimtari e ka shfrytëzuar gjerësisht këtë lloj të ironisë edhe në këto mikrostruktura[5].

Ironia, si figurë gjuhësore, përdoret në dy kuptime: në kuptim të gjerë, kur fjala e caktuar shpreh kuptim të kundërt nga kuptimi i saj tekstual, i fjalëpërfjalshëm, dhe në kuptim të ngushtë kur fjala a shprehja gjuhësore ka karakter shpotitës, përçmues. Në raste të tilla përdoren edhe figura e trope, aforizma, frazeologji, e të tjera.

“Në kohën e Keopsit, për të cilin është ngritur kjo piramidë, nuk mund të ndodhte ashtu. Jo. Kurrë. Ju thashë! Po përsëris: ai donte ta bënte Shqipërinë shtet. Të fortë. Me identitet. Me dinjitet. Me kulturë. Me moral. Nuk arriti!

Keni dëgjuar çka i kanë bërë për së vdekuri: ia kanë hequr zvarrë përmendoren!

Cilët?

Rrogëtarët! Hyzmeqarët! Puthadorësit! Puthakëmbësit! Këngëtarët e bëmave të tij! Shkrimtarët – himnizuesit e bëmave, të ideologjisë dhe të politikës së tij.

Bijtë dhe bijat e tyre!

Për së gjalli ia pinin ujin e këmbëve e për së vdekuri ia hoqën zvarrë përmendoren!” (”Bijtë…”I,214)

Kjo lloj ironie rrënon teknikat tradicionale të rrëfimit dhe realizon funksione të shumëfishta, në të vërtetë ajo është figurë ligjërimore polifonike, funksioni i së cilës karakterizohet me largesën e shenjës dhe të kuptimit, në të vërtetës të asaj që themi dhe të asaj që mendojmë. Ironia përforcon shprehjen dhe, siç është thënë edhe një herë në këtë krye, ajo mban baraspeshën ndërmjet binomeve: e butë – e vrazhdë; e matur – therëse. Ironia e Rexhep Qosjes është shprehje e inteligjencës dhe e kulturës së gjerë. Është metoda e mjeti i tij për të realizuar funksionet e gjuhës në mënyra të ndryshme.

Veçori tipologjike

Ironia e Rexhep Qosjes përmbush edhe kriterin e të qenët ironi e thjeshtë dhe ironi e dyfishtë – klasifikim ky i studiuesve që e shohin ironinë të përbërë prej dy pjesëve a elementeve kundërshtuese. E para, ironia e thjeshtë, është korrigjuese, e dyta, ironia e dyfishtë, është kundërshtuese në shkallë të ulët.

Të shohim shembujt e këtyre dy llojeve të ironisë:

Ironia e thjeshtë (kundërshtuese): “gruaja më e mirë është gruaja e marrë… (se) të jep trupin dhe shpirtin”( “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, 23);

Ironia e dyfishtë (korrigjuese): (disa gra) “kur ta japin trupin s’ta japin shpirtin; (disa gra) kur ta japin shpirtin, kanë humbur bukurinë e trupit.” ( “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, 23);

Në romanet e Rexhep Qosjes dallojmë edhe ironinë verbale ose ironinë e fjalës dhe ironinë situatore. [6] Te e para, ironia verbale ose ironia e fjalës, rrëfimtari, përmes ligjërimit ironik, tregon se po ndodh diçka ironike, kurse te e dyta, ironia situatore, rrëfimtari, përmes ligjërimit,kallëzon situata ironike.

Një klasifikim tjetër shquan këto lloje të ironisë[7]: ironia e hapur, ironia e fshehur, ironia private, të cilat cilësohen sipas këtyre treguesve: jopersonale, vetëvlerësuese, e mprehtë dhe e dramatizuar[8]. Edhe këto lloje të ironisë mbushin romanet e Rexhep Qosjes.

Ironia e hapur vetëvlerësuese dhe e mprehtë është ajo lloj ironie në të cilën ndjenjat mbizotërojnë arsyen, mbështetet në kontekst të gjerë, nuk fshihet vlerësimi, stigmatizohet objekti me nënqeshje dyshuese dhe identifikohet përmes kontekstit, megjithëse kuptimi i shprehjes i kundërvihet formalisht.

“Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se Vajazani në mesjetë ishte qytet më i zhvilluar se Londra dhe Parisi?

Kam dëgjuar.

Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se paraardhësit tanë, ilirët, e kanë shpikur të parët pirunin.

Kam dëgjuar.

Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se të parët e kemi pranuar krishterimin në Evropë.

Kam dëgjuar.

Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se të fundit në Evropë e kemi pranuar islamin! …” (“Nata”, 94)

Forma më e shpeshtë e ironisë së fshehtë është ajo retorike, e cila i drejtohet gjithkujt dhe askujt, pra të gjithëve. Këtë lloj ironie e ndeshim në romanet, e sidomos në dramat e monodramat e Rexhep Qosjes.

“MOLOSI

Është më e çmuar jeta e një gruaje apo ardhmëria e qytetit? Është më e shtrenjtë jeta e një gruaje apo dita e kiametit?

MONUNI

Ç’është tërë ky shqetësim? Ç’është tërë ky ngurrim tani, kur dyert e të fshehtës janë çelë? Do të sakrifikohet gruaja, do ta qajë i shoqi, do të qajnë fëmijët, do ta qajnë fqinjët, do ta qajmë të gjithë, por ajo nuk do ta qajë veten. Se viktima vullnetare nuk vdes, ajo jeton dhe na mëson ashtu si e shikuat në muret e kështjellës. Qëndronte krenare, si malet e amshueshme.” (“Mite të zhveshura”, 288)

Ironia retorike ndërtohet në kontekst të gjerë dhe kuptohet lehtë nga të tjerët. Ajo nuk përmban ton përqeshës, po më shumë befasi dhe paradoks.

Një tipologji tjetër standarde ironinë e klasifikon dy llojesh: të veçantë dhe të përgjithshme[9]:

Ironia e veçantë

Kjo ironi në romanet e Rexhep Qosjes realizohet në tekst e kontekst të ngushtë dhe lidhet me njerëz, ngjarje e dukuri, që i përkasin një hapësire a bashkësie të ngushtë. Shkrimtari ka ndjeshmëri të veçantë për fatet e njerëzve të thjeshtë, prandaj tekstet që përshkon kjo ironi janë të ngjeshura me emocione, me leksik të përzgjedhur dhe me figurshmëri të lartë:

“Ndoshta Trashen e kam harruar, po kurrë s’mund t’i harroj ata lot të saj mbi fytyrën time. Atëherë isha kalama, por deri në këtë moshë, kur më quajnë të pjekur e të djegur, unë s’kam parë lot ashtu të pastër, ashtu të ngrohtë, ashtu virgjër.

Njerëzit s’dinë të qajnë.

Athua edhe për këtë arsye më kujtohet mëkatnorja e pafajshme? (“Vdekja”, 32)

Ironia e përgjithshme

Me dallim prej ironisë së veçantë, ironia e përgjithshme zakonisht realizohet në makrokontekste, pra në kufij shumë të gjerë si tekstorë ashtu edhe hapësinorë, globalë. Në romanet e Rexhep Qosjes, ajo realizohet në kontekste të gjera së pari mbarëkombëtare, mbarëballkanike, evropiane e më gjerë ku shtrohen, diskutohen, kritikohen çështje nga më të ndryshmet me ton të fortë ironik si këto: ekzistenciale a ontologjike, etike, filozofike, ideologjike, fetare, shkencore, kulturore, të artit e letërsisë e të tjera. Po sjellim disa shembuj:

“Përse njeriu është i dënuar të vdesë dhe, më në fund, a është dënim për njeriun Vdekja? Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Njeriut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Atdheut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj të Bukurës! Njeriu nuk vdes pse e harron Jetën! Njeriu nuk vdes për shkak se mund ta vrasë çfarëdo dashurie tjetër! Merreni me mend se çka do të bëhej sikur mos të vdisnin njerëzit dhe mos të cofshin shtazët! Toka do të bëhej aq e rëndë saqë do të fundosej prej peshës së vet. Krijesat e gjalla vdesin apo cofin për arsye se natyra duhet të çlirohet prej tepricës së vet. Aq më parë duhet të vdesin çiftat e Xhezairit që s’i përulen vullnetit suprem. …

Po mos të kishte Vdekje, Toka jonë do të ndizej flakë dhe flaka e saj do t’i kapte edhe planetët, edhe yjet, edhe Diellin dhe krejt Gjithësia do të shndërrohej në një shkrumb të qelbur.” (“Vdekja”, 282-3)

Në këtë tekst-fjalim mortor të lexuar në varrimin e Xhezairit të Gjikës, autori i saj Astrit Zeka, njëri prej folësve në varrim, në vend se të fliste për të ndjerin që po varrosej, vendos të flasë për vdekjen dhe të mirën e saj duke e përgjithësuar vdekjen e tij. Fjalimi është kryekreje ironik. Më lart kemi shkëputur vetëm një fragment të shkurtër nga një tekst i gjatë ironik.

Romanet e Rexhep Qosjes dëshmojnë potencial të madh dituror dhe dhunti për të krijuar ironinë e përgjithshme, për të krijuar situata groteske të kombinuara me sarkazmin dhe satirën.

Vend të veçantë dhe denduri të lartë përdorimi në romanet e Rexhep Qosjes ka ironia e përgjithshme e quajtura ironia politike. Tekstet ironike të Rexhep Qosjes janë tekste të veçanta me të cilat komunikohet me veten e me botën. Ironia, si veçori e ligjërimit të tij, është e ngjeshur me intelektualizëm, ndërsa shprehja gjuhësore e pasuruar me shumë elemente simbolike. Larmia e temave, të formësuara me veprime simbolike realiste, ku shquajnë vëzhgimet kritike intelektualiste, edhe kur kemi të bëjmë me fabula të zakonshme, të thjeshta, prekin thellë problemin e konfliktit të njeriut me shoqërinë. Si të tilla këto tekste ironike krijojnë strukturën e përbërë semantike të romaneve të tij dhe mënjanojnë çdo përpjekje për thjeshtëzim dhe trajtim përjashtues a të veçantë nga tërësia e tyre.

Ironia e Rexhep Qosjes është ndërthurur mjeshtërisht brenda teksteve të pasura ligjërimore, ndërtimeve të larmishme sintaksore, gjedheve të goditura kompozicionale, teknikave dhe strategjive virtuoze, mjeshtërisë gjuhësore-stilistike, veprimeve risimtare rrëfimtare dhe kujtesës shumë të pasur të autorit. Ironia e tij në të vërtetë zbulon mjeshtërinë për ndërtimin e romanit postmodern dhe shquan, bashkë me ndërtekstorësinë, intuitën e veçantë dhe erudicionin e tij të rrallë.

Të lexojmë edhe një tekst ironik:

-Të veshur si shenjtorë këtu shpesh kanë ardhur shejtanë! Janë pritur derëçelur e krahëhapur

me bukë

e kripë

e zemër

e, mandej, nuk kemi mundur t’i dëbojmë, me lutje jo se jo, por as me shpata, me pushkë e me topa.” (“Një dashuri”, 32)

Në romanet e Rexhep Qosjes, ironia krijohet në situata nga më të ndryshme dhe me mjete e strategji të larmishme. Ato funksionojnë në përputhje me botëkuptimin dhe pikëpamjet e tij filozofike, politike, shoqërore, kulturore, letrare dhe në pajtim me konceptimin e tij të mikro e makrobotës, ku përkasin shkrimtari, rrëfimtari a personazhet e tij.

Të vështruara edhe nga kjo pikëpamje, romanet e Rexhep Qosjes mund të quhen edhe romane-ese, romane filozofike, romane monologuese-asociative.

Teksti dhe konteksti

Në romanet e Rexhep Qosjes mund të zbulohen a identifikohen gjedhet e sjelljes shoqërore, posaçërisht politike, kulturore dhe etike, që paraqiten në mbarë hapësirën shqiptare e posaçërisht në Kosovë. Këto gjedhe të sjelljes shoqërore jo vetëm identifikohen, nga ana e shkrimtarit, por edhe ironizohen e satirizohen fuqishëm dhe me këtë veprim ai i hap mundësinë rikonstruktimit të tyre sipas një paradigme të re shoqërore, posaçërisht kulturore. Duke zbuluar këto gjedhe, në të vërtetë duke zbuluar plagë e të këqija të shumta të shoqërisë shqiptare, ai vë në dyshim edhe ekzistencën e një baze të caktuar shoqërore të ligjshme, të skajuar, rrjedhojat e të cilës kanë lëkundur edhe moralin shoqëror në përgjithësi dhe moralin e individit në veçanti. Temat e dhembshme njerëzore si rrjedhojë e praktikave negative mbizotëruese shtetërore, politike dhe shoqërore në përgjithësi janë objektivi qendror i ironisë së Rexhep Qosjes.

Duke shfrytëzuar letërsinë, dhe jo vetëm, sepse lexuesi e di mirëfilli se shkrimtari është edhe personalitet i tejangazhuar i jetës publike me shkrime publicistike, reagime, paraqitje mediale, ai jo vetëm paraqet njëmendësinë shoqërore, por dhe mundësitë e mjetet për ndryshimin e kësaj njëmendësie mbarëshoqërore dhe mbarëkombëtare dhe, sidomos, për ndryshimin e vetëdijes së lexuesve. Në përmbushjen e këtij qëllimi dhe të porosisë që përçon vepra e tij, ironia e Rexhep Qosjes është më se funksionale.

Romanet e Rexhep Qosjes janë të kufizuara kontekstualisht. Pa njohur veçoritë e hapësirës, të kohës, të kontekstit politik, shoqëror dhe kulturor, pa njohur historinë shqiptare, të vjetrën dhe të renë, e posaçërisht pa njohur periudhën e tranzicionit dhe të postranzicionit si dhe të aspekteve të tjera të rëndësishme shoqërore, madje edhe sociologjike, që lidhen me to, nuk mund të kuptohet dhe interpretohet sa e si duhet ironia e romaneve të tij.

Ironia, siç dihet, deri në kohën tonë postmoderne, ka kaluar rrugë të gjatë dhe është formuar dora dorës nga Sokrati, Platoni, Aristoteli, Shlegeli, Kierkegardi, Mani, Kafka, Llukaçi, Sartri, Adorno, Rorti dhe nga një numër i madh mendimtarësh, filozofësh e shkrimtarësh të tjerë të rëndësishëm, që nuk u përmenden këtu e që e kanë ruajtur vazhdimësinë e saj deri sot. Këta janë mësuesit më të denjë të shkrimtarit erudit Rexhep Qosja. Ai është formësuar mbi mësimet e tyre, prandaj ironia e tij sjell edhe frymën e ironisë së shekujve pararendës, sepse ai e njeh mirë trashëgiminë e pasur kulturore të njerëzimit nëpër shekuj. Të shohim disa shembuj dëshmues:

“…robëria e pakufizuar dhe liria e pakufizuar i asgjësojnë kufizimet: robëria të lirisë dhe liria të robërisë;

domethënë: duhet të jemi të robëruar për të qenë të lirë dhe duhet të jemi të lirë për të qenë të robëruar dhe robërues;

robërit e shijojnë lirinë e vërtetë vetëm kur i robërojnë të tjerët;

ata nuk dëshirojnë të bëhen shenjtorë për të gjallë;

ata dëshirojnë të bëhen shenjtorë pas vdekjes;” (“ Nata”, 373)

Të kuptuarit, shpjegimi dhe interepretimi i ironisë së Rexhep Qosjes, prandaj domosdoshmërisht kërkon njohjen e kontekstit shoqëror, politik dhe kulturor ku formësohet dhe lëviz artistikisht gjithçka. Por, kërkon edhe njohjen e traditës më të mirë të ironisë klasike mbi bazën e së cilës është krijuar.

Ironia – figurë dhe mjet stilistik

Kufijtë e ironisë së Rexhep Qosjes janë tepër të gjerë: sepse e ndeshim kudo e kurdo; sepse mund të jetë e hollë, e butë, finoke, e mezivërejtshme, e fshehur, e zhveshur, e tërthortë, e zgërtheshme, e fuqishme, e rreptë, e egër, e pamëshirshme, e tmerrshme, vulgare e kështu me radhë. Edhe vetë buzëqeshja gjysmironike e Mona Lizës, që është bërë objekt studimi e shumë studiuesve në botë, do të shfrytëzohet mjeshtërisht në romanet e tij. Të shohim disa shembuj:

“E dija çka po vlonte në lukthin tim dhe çka po bluhej në mendjen time: ashtu siç nuk më pëlqejnë buzëqeshjet misterioze, si buzëqeshja e Monalizës, pas të cilave fshihen gjithfarë ndjenjash të pritura e të papritura, refuzuese dhe përvetësuese, po ashtu nuk më pëlqejnë as seriozitetet e shtangura, pas të cilave fshihen shumë nga pasanikët e rinj të Vajazanit, pas të cilave fshihen trashësia, krenaria e rrejshme, mashtrimet e gjithfarëllojshme.” (“Nata”, 183)

Jo vetëm buzëqeshjen ironike të Mona Lizës, por edhe shumë çka nga kultura jonë e kultura botërore është shfrytëzuar nga Rexhep Qosja për ironizim ose si lëndë ironizuese për të ndërtuar ironinë.

Shtrohet çështja ku realizohet ironia e tij?

Rrafshet kryesore ku realizohet ironia e tij janë: ligjërimi i rrëfimtarit, monologët dhe dialogët e personazheve, komunikimi zyrtar, shkresat zyrtare, tekstet me tematikë politike, shkencore, letrare: letrat, miniesetë, kujtimet, ëndrrat, domethënë në të gjitha romanet e tij.

Ironia në romanet e Rexhep Qosjes, ashtu si edhe në jetë, përdoret për baraspeshë të komunikimit. Ironia thuhet se është “çmenduri”, që e mban gjithsekush brenda vetes, po jo të gjithë e shprehin. Atë e gjejmë aq shpesh në ligjërimin e tij artistik sa të krijohet përshtypja se ai e përdor ironinë jo vetëm kur vërtet paraqitet nevoja, por edhe kur kjo nevojë është dukshëm më e vogël. E kuptueshme. Sot në jetën tonë ironia është kudo e pranishme, prandaj nëse ekziston ndjenja për realitetin atëherë ironia e tejkalon çdo përvojë tonën. Ajo, në të vërtetë, në komunikimin midis personazheve kryen jo vetëm funksion rregullues baraspeshe, por edhe funksion polemizues. Përmes saj, personazhet shprehin pikëpamjet e tyre të ndryshme, më së shpeshti me tone kritike, duke ndikuar kështu në krijimin e karakterit të veçantë, në marrëdhënieve njerëzore, në zbutjen e tonit kritik të gjykimeve negative ose përçmuese, por duke mos e zvogëluar, madje shpesh duke e shtuar, vlerësimin kritik. Ironia e Rexhep Qosjes shpesh merr edhe funksion konvencional duke ndikuar kështu në vendosjen e besueshmërisë në marrëdhëniet midis bashkëbiseduesve.

Veçori e dukshme e ironisë së Rexhep Qosjes është kthimi i saj i shpeshtë në sarkazëm të fuqishëm, në ironi sarkastike. Ndodh që të përzihet me të ose me satirën.

Ironia e Qosjes njeh edhe lloje të tjera klasifikimi, fjala vjen sipas kriterit sociologjik, si: ironia retorike, retorika e sjelljes, retorika e ndodhisë dhe ironia dramatike. Edhe këto lloje të ironisë i gjejmë në romanet e Rexhep Qosjes dhe i gjejmë në një mënyrë të trajtuar edhe brenda klasifikimeve të tjera, për çka nuk e shohim të udhës të trajtohen këtu si të veçanta as ato as këto: ironia tragjike, ironia dramatike dhe ironia sarkastike.

Mjetet e ironisë dhe format kryesore.

Mjete kryesore që shfrytëzon shkrimtari Rexhep Qosja për ironinë janë të disallojshme:

1. mjete paragjuhësore: gjeste, shprehje të fytyrës, intonacion, përkatësisht toni i zërit, pauza, përmes shenjave të pikësimit, e të tjera, të cilat shërbejnë për të shprehur qëndrime vlerësuese-emocionale.

2. mjete gjuhësore-stilistike, përfshirë këtu njësi të ndryshme leksikore si neologjizma, arkaizma, epitete, vulgarizma e të tjera, si dhe ndërthurje të stileve dhe ligjërimeve.

3. mjete gramatikore dhe morfologjike, përfshirë këtu fjalët emocionale-shprehëse, onomatopetë, pezhorativët, pasthirrmat e të tjera.

Ndërkaq format kryesore për shprehjen e ironisë në romanet e Rexhep Qosjes janë: gjuha ezopike, aluzioni, alegoria, perifraza, parabola, antiteza, citatet, simboli, krahasimi, përshkrimet në formë skicash e të tjera.

Përfundim

Ironia e Rexhep Qosjes i ngjan ironisë së Sokratit. Ashtu sikurse ironia e tij, edhe ironia e shkrimtarit tonë, nuk ka vetëm funksion estetik, po krahas tij ka edhe funksion të iluminimit. Drejtpërdrejtësia dhe saktësia e ironisë së tij është mbresëlënëse. Me ironinë autori përshkruan në mënyrë objektive, por lehtësisht të fshehtë, gjendjen reale, dukuritë e ndryshme, personazhet e ndryshme, të mirat dhe sidomos të këqijat. Lexuesi ka mundësinë ta zbulojë dhe ta kuptojë ironinë e tij sado e përbërë dhe figurative të jetë ajo. Ironia e tij, prandaj, vendos lidhje të fortë midis rrëfimtarit dhe lexuesit.

Ironia e Rexhep Qosjes është e shumëllojshme, e shumëkuptimshme dhe shumëndikuese. Të tillë e bëjnë përmbajtja, situatat, personazhet, dialogët, monologët, ligjërimi, figurshmëria, gjuha, stili.

Dendësia semantike e ironisë së Rexhep Qosjes, sidomos e ironisë së situatës, është karakteristikë thelbësore e saj. Për faktin se karakterizohet edhe për epshmëri (elasticitet) dhe me ngjyresa pa fund të larmishme, ajo shquhet me natyrën e saj herë plot gëzim e ndriçim, herë të ftohtë dhe të errët, herë shumë emotive, herë të dykuptimshme e herë të dyshimtë, duke krijuar kështu antinomi origjinale e cila përjashton mendimin konvencional e logjik. Mbi të gjitha, ironia e Rexhep Qosjes ka karakter të fortë kritik, si karakteristikë e epërsisë shpirtërore e intelektuale të shkrimtarëve të mëdhenj.

Shkrimtari Rexhep Qosja nuk shkruan për ta argëtuar lexuesin, por për ta përfshirë në ato që ndodhin në botën artistike të romaneve të tij, në të vërtetë ai shkruan për ta ndryshuar lexuesin. Dhe, arma e tij e fuqishme për këtë qëllim të lartë është pikërisht ironia.

(P.s. Variant i shkurtuar i një punimi të gjatë).

________________________________________

[1] Në librin e saj ”Irony’s Edge”, Linda Hutcheon e quan praktikë ose strategji diskursive, që funksionon në rrafshin gjuhësor (verbal) ose në rrafshin e formës (muzikor, pamor dhe tekstor). Shih: Linda Hutcheon, “Irony’s Edge, The Theory and politics of Irony”, Routledge, London, Neë York, 1994, f. 3.

[2] Ag Apolloni, “Parabola postmoderne”, “OM”, Prishtinë, 2016, f. 47.

[3] Linda Hutcheon, Po aty, f. 89.

[4] Douglas Colin Muecke, The compas of irony, Methuen, 1969, f. 19-22; 32; cituar sipas Josipa Korljan Bešlić, “Ironija u prozi Dubravke Ugrešić”, tezë disertacioni, Universiteti i Zagrebit, Zagreb, 2015, f. 58.

[5] Sh. Islamaj, “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë moderne e postmoderne të Rexhep Qosjes, IA, Prishtinë, 2021, f. 292.

[6] Po aty, f. 42.

[7] Po aty, f. 59.

[8] Po aty, f.59.

[9] Muecke, Po aty, f. 121.

ExLibris

2.5.2026

Filed Under: LETERSI

ROLI I SHKRIMTARIT NË SHOQËRI…

May 13, 2026 by s p

Prof. Milazim Krasniqi

Nga filozofia e Platonit deri te praktika e Stalinit

Roli i shkrimtarit në shoqëri, me anën e mirë dhe të keqe të këtij roli, ëshë bërë objekt i diskutimit që nga paraqitja e faktuar si person me mision dhe me profesion të veçantë. Si edhe për shumë çështje të tjera, edhe ky tematizim i rolit të shkrimtarit në shoqëri, përsa e përket identifikimit dhe vlerësimit filozofik, i takon Platonit, filozofit të njohur të antikës. Platoni në kapitulin e dhjetë teë veprës “Shteti” (ose “Republika”), mirret gjerësisht me rolin e shkrimtarit dhe të letërsisë në shtetin që e kishte projektuar si shtet ideal. Duke marrë para sysh karakterin spekulativ që i mveshte shkrimtarit (imitues me fjalë, por që vetë nuk dinte të krijonte atë që e përshkruante, fjala vjen punën e këpuctarit), Platoni thoshte se shkrimtari nuk di të realizojë njohjen dhe nuk di të afrojë pranë vetes njerëz që do ta nderonin. Bile thoshte se shkrimtari as vetë nuk e kupton atë që shkruan, po e bën vetëm imitimin, dhe me atë imitim ai në fakt i mashtron njerëzit. Pëfundimisht, në konkludimet e tij lidhur me shkrimtarin dhe me letërsinë, Platoni thoshte se “në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave”.

Shkrimtarët që dilnin jashtë kësaj kërkese të tij, ai propozonte që të përjashtoheshin nga shteti si të padëshirueshëm dhe veprat e tyre të mos qarkulloheshin. Nga ky përshkrim i shkurtër, është e qartë se Platoni e shihte rolin e shkrimtarit në shoqëri e në shtetin ideal të tij, si tejet negativ, mashtrues dhe shqetësues, prandaj edhe propozonte kufizime ndaj personit të tij dhe ndaj veprës së tij. Denoncimi i Platonit për shkrimtarët do të përshkojë mbarë historinë dhe asnjëherë nuk këputet plotësisht. Ky denoncim kryesor me autorësi të filozofit të antikës, do të pasurohet më vonë edhe me me aspekte të tjera negative të trajtimt të rolit të shkrimtarit në shoqëri. Kështu, Aristoteli do të fut një koncept të ri lidhur me këtë rol. Aristoteli thoshte se “është vënë re se poetët e njohur, artistët dhe politikanët, kanë qenë ngapak melaknkolikë, ngapak të sëmurë shpirtërisht, e ngapak mizantropë.”

Theksimi i sëmundjes shpirtërore në këtë kontekst, do të bëhet në periudha të ndryshme të diktaturave, një argument kryesor për përndjekjen e shkrimtarëve dhe për shkatërrimin e shumëve prej tyre. Mbi këtë koncept nismëtar, lidhur me sëmundjen e shkrimtarëve, pastaj është zhvilluar edhe disiplina e studimit të sëmundjeve të shkrimtarëve, Patografia, po edhe një sërë disiplinash të tjera klinike.

Vlerësimet e tilla të këtyre filozofëve, si edhe masat që janë ndërmarrë nëpër histori kundër shkrimtarëve, që nga persekutimet e deri te eliminimet fizike, e patën arritur kulmin në regjimin stalinist në Bashkimin Sovjetik. Në atë vend një numër i madh i shkrimtarëve u internua dhe shumë sish u eliminuan fizikisht, për shkak të qëndrimeve të tyre politike, ose të veprave të tyre, që cilësoheshin si veprimtari antishtetërore.

Tre faktorë të ndikimit të shkrimtarit në shoqëri

Përtej kualifikimeve arbitrare filozofike dhe politike, roli konkret i një shkrimtari në shoqërinë së cilës i takon, realisht varet nga tre faktorë:

– Karakteri dhe angazhimi i tij në aktivitete të ndryshme letrare, kulturore, fetare, politike ose kombëtare,

– Aftësia e veprës së tij letrare që të ndikojë te publiku, te bashkëkohanikët, dhe

– Gjendja e shoqërisë.

1. Sa i përket angazhimit konkret të shkrimtarit, ky faktikisht paraqet nivelin e drejtpërdrejttë të ndikimit dhe të ushtrimit të rolit në shoqëri. Këtu del në plan të parë aktiviteti politik dhe qytetar i shkrimtarit. Me këtë aktivitet roli i tij në shoqëri është më i theksuar dhe më me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike e shoqërore. Në këtë rast shkrimtari bëhet pjesë e angazhimit, përkatësisht me njërën këmbë bën pjesë në elitat politike dhe në strukturat e pushtetit ose të opozitës. Pra, në këto raste, ai më shumë është në rolin e politikanit, se sa të shkrimtarit. Mirëpo, është me interes të theskohet se ndjeshmëria e qytetarëve ndaj këtij angazhimi politik të tij, mund të jetë e ndikuar nga autoriteti i tij si shkrimtar, që zakonisht është evident, sepse ai formësohet nga ndikimi i veprës së tij letrare mbi publikun. Prandaj, ky angazhim është disi i dyzuar, edhe letrar edhe politik. Kjo edhe mbetet njëra nga karakteristikat e angazhimit të shumicës së shkrimtarëve në jetën politike dhe shoqërore.

Angazhimi konkret politik: Dante Aligieri dhe Fan Noli si raste

Një shembull i shkrimtarit që e ka ushtruar angazhim konkret në politikë, në kohërat e hershme, është ai i poetit italian Dante Aligieri. I gjendur në luftërat politike ndërmjet klaneve të tregëtareve të Firencës, Dante Aligieri ushtroi ndikim në formulimin e kërkesave politike të fraksionit të cilit i përkiste. Mirëpo, kur ai fraksion pësoi disfatë, ai u detyrua të largohej nga vendlindja e të fshehej nëpër shpella, sepse për të ishte dhënë aktgjykimi që të “digjej i gjallë, kudo që të kapej”. Është e njohur se një pjesë të mirë të “Komedisë Hyjnore”, Dante Aligieri e ka shkruar në periudhën e internimit. Ndërsa, në epigramin mbi varrin e tij, ai e kishte lënë testament që të shkruhej: “Këtu pushon Dante, i dëbuar nga vendlindja e vet”.

Në letërsinë tonë një shembull shkrimtarit që luan rol direkt në shoqëri, me aktivitet politik e revolucionar, sikundër që këto ngjarje ndikojnë pastaj edhe mbi poezinë e tij, është Fan Noli. Noli ishte aktiv në luftërat politike në Shqipërinë e fillimit të viteve 20. Në ngjarjet që pasuan nga zgjedhjet e vitit 1924, ai bashkë me disa politikanë dhe disa oficerë, luajti rol qendror në formulimin e kërkesave politike dhe në marrjen e pushtetit me mjete të dhunshme revolucionare, dhe si rezultat i atij angazhimi, ai erdhi në krye të qeverisë shqiptare. Mirëpo, në ngjarjet që pasuan, me ç’rast në dhjetor të vitit 1924 Ahmet Zogu u rikthye në Shqipëri dhe e mori pushtetin, Noli u detyrua të arratisej nga Shqipëria.

Edhe numri më i madh i pjesëtarëve të qeverisë së tij poashtu ikën nga atdheu dhe jetuan për disa vite në internim. Noli në vitet që pasuan, iu rikthye krijimtarisë letrare dhe shkroi disa nga pozitë më të bukura, që tematizonin luftën politike, arratisjen dhe portretet e kundërshtarëve politikë. Në këtë mënyrë, poezia e tij ishte mpleksur me idetë politke të autorit dhe me synimin që ë ndikonte në zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri. Në kontekst të pasojave që solli roli i tillë i Nolit si shkrimtar i angazhuar në lëvizje politike, ishte edhe fati i dhjetëra intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë të atyre ngjarjeve. Duke u gjendur në internim, pa burime për jetesë, shumë sish u detyruan të rekrutoheshin e të punonin për hesapet e politikës së Jugosllavisë, të Italisë dhe të Komniternit, për çka ka lënë dëshmi njëri nga protagonistët e atyre ngjarjeve, Sejfi Vllamasi. Në këtë mënyrë, roli i mëtejshëm i shumë prej tyre në hapjen e portave për inflitrimin dhe dominimin e Italisë fashiste dhe madje për përgatitjen e terrenit për pushtimin e Shqipërisë, ka qenë i theksuar.

Sado që ende nuk është bërë një studim i plotë interdisiplinar lidhur me rolin e Nolit në këto ngjarje dhe pasojat e tyre në tërë historinë e mëvonshme të Shqipërisë, nuk është zor të nxirret konkluzioni se roli i këitj shkrimtari në ngjarjet politike dhe shoqërore të viteve të njëzeta, ka qenë evident.

Ndikimi i shkrimtarit në shoqëri nëpërmjet veprës letrare: Volteri, Pushkini, Naim Frashëri si raste

2. Roli më i tërthortë i shkrimtarit në shoqëri, megjithëse më efektiv dhe më afatgjatë, realizohet me anën e ndikimit të ideve të veprës letrare. Publiku lexues ekspozohet ndikimit të ideve të veprës letrare në mënyrë të natyrshme dhe spontane. Ato janë ide të reja, përmbajtje të reja dhe sit ë tilla e grishin fantazinë e publikut. Formësimi i ideve politike dhe shoqërore, në nivele të figuracionit artistik, bën që publiku të mban më shumë në mend ato ide dhe madje t’i përvehtësojë, fillimisht në nivel psikologjik e më vonë edhe në nivel politik dhe intelektual. Në rast se masa e publikut është më e madhe, atëherë motivimi i tyre me idetë e përvehtësuara të shkrimtarit, bëhet më i madh dhe mund të shndërrohet në forcë të ndryshimeve politike. Këtë fuqi të ndikimit të ideve letrare në mobilizimin e publikut, më së shumti e ka pasur dramaturgjia dhe teatri, për çka ka dëshmi nga antika greke dhe nga periudha elizabetiane e teatrit e deri te Revolucioni Francez.

Në periudha të ndryshme të zhvillimit të kulturës e të shoqërisë, ka pasur vepra letrare që kanë ushtruar ndikime të fuqishme në formësimin e ideve sociale, politike e kombëtare, jo vetëm në niveline ideologjisë e të propagandës, po edhe të emancipimit të përgjithshëm dhe të krijimit të identitetit nacional. Mund të përmenden në këtë kontekst veprat e Volterit. Ky shkrimtar dhe filozof i madh, disa herë edhe u internua, sepse shihej si person me rrezikshmëri të lartë për rendin. Vetë mbreti i Francës ishte i irituar nga fama e Volterit. Megjithatë, ai vetë mbreti nuk kishte fuqinë që të ndalonte ndikimin e veprës së Volterit në shoqërinë franceze. Ndodhi madje që për gjallje të Volterit u mblodhen kontribute që të ngrihej përmendorja e tij ë Paris, dhe kontribute dhanë nga shtete të tjera, ndërsa mbreti i Francës abstenoi. Roli i veprës së Volterit në kompaktësimin e identitetit Francës dhe në afrimimin e kulturës së saj në botë, ishte kolosal.

Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për veprën letrare të Pushkinit. Pas dënimit të parë për shkak se i përkiste shoqërisë së fshehtë “Llampa e gjelbër” dhe pas publikimit të poezisë “Ode lirisë”, Pushkini i kaloi disa vite në internim. Mirëpo, në internim ai i shkroi disa nga veprat e tij të mëdha, duke përfshirë këtu edhe Eugen Oneginin. Veprat e tij ushtronin një ndikim magjepsës në publikun e kohës. Kur iu hoq dënimi i internimit dhe u kthye në Moskë, Pushkini u prit si një hero. Pra, edhe pse angazhimi konkret politik e qytetar ishte modest, ndikimi i veprës së tij bëri që ai të konsiderohej një reformator i shoqërisë ruse të kohës së vet.

Ne letërsinë shqipe si model i shkrimtarit që luan rol të jashtëzakonshëm me veprën e tij ka qenë Naim Frashëri. Vepra e tij letrare, bashkë me tekstet shkollore që i hartoi për nevojat e shkollave të para shqipe, luajti rol në formësimin e identiettit kombëtar shqiptar.

Naim Frashëri në fakt ishte i lidhur me Lëvizjën Kombëtare, sepse i vëllai i tij, Abdyli, ishte lideri politik i asaj lëvizjeje, ndërsa vëllau tjetër, Samiu, praktikisht ishte ideologu i saj kryesor. Naim Frashëri e ndihmoi lëvizjen kombëtare edhe konkretisht, mirëpo roli në atë lëvizje dhe në formësimin e ideve nacionale, ishte pakrahasimist më i vogël se roli i veprës së tij letrare.

Ndryshimet revolucionare të fundshekullit XX dhe roli i shkrimtarëve

3. Gjendja e shoqërisë ëshë një faktor shumë më objektiv sa i përket rolit që luan shkrimtari në të. Shoqëria që gjendet në jostabilitet social dhe politik, në konfuzion të ideologiisë dhe të religjionit, në momente të caktuara është më e prirur që të pranojë rolin dhe idetë e shkrimtarit. Pra, sa më të vogël që e ka pushteti politik legjitimitetin, aq më e madhe është mundësia që shkrimtari të imponohet vetë dhe idetë e tij të ushtrojnë ndikim direkt në shoqëri. Shembulli më i fortë i zhvillimeve të tilla ka qenë blloku i Lindjes në momentin kur doli në sipëpfaqe kriza e porjektit të komunizmit si praktikë dhe si ideologji. Në shumë vende si në Çekosllovaki, në Slloveni, në Kroaci e në Kosovë, shkrimtarët u bënë themelues të projekteve të reja politike, të cilat nga shoqëria u pranuan në mënyrë pothuajse plebishitare. Në Çekosllovaki lider i lëvizjes së madhe politike dhe sociale u bë shkrimtari disident Vaclla Havel, i cili kishte kaluar disa vite në burgjet komuniste. Para se të burgosej, Haveli dhe një grup shkrimtarësh e intelektualësh të tjerë çekë e sllovakë, ishin krijues të një asociacioni që quhej “Karta 77” e cila kishte promovuar ide alternative kulturore, politike dhe shoqërore.

Në Slloveni shkrimtarët ishin forca e refuzimit të jugosllavizmit dhe të etatizmit serbo-jugosllav. Angazhimet e tyre në revistën “Nova revija” , në Shoqatën e Shkrimtarëve Sllovenë dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, bëri q ët ata të krijonin një influencë të fortë në opinionin public e politik sllovenë kundër politikës serbomadhe të dominimit. Ajoqë ëhstë më interesante, shkrimtarët sllovenë e hartuan një dokument që quhej Kushtetuta e shkrimtarëve, ku ata projketuan për herë të parë pavarësinë e Sllovenisënga ish Jugosllavia. Në atë kohë, politika zyrtare sllovene ishte në favor të decentralizimit dhe të krijimit të një konfederate jugosllave, mirëpo presioni i shkrimtarëve sloovenë, bashkë me disa media dhe struktura të tjera intelektuale, u bënë promotorë të ndryshimit të kursit politik e nacional slloven. Shumë prej tyre, si Dimitrije Rupel, Jasha Zllobec, Matjash Hanzhek, etj., më vonë morën poste të larta shtetërore në vendin e tyre të pavarur.

Në Kroaci Shoqata e Shkrimtarëve të Kroacisë u bë epiqendra e kërkesave nacionale dhe prej saj doli edhe patia HDZ me në krye Franjo Tuxhmanin, që e udhëhoqi vendin drejt luftës së armatosur për pavarësi. Në Kosovë poashtu Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës, e drejtuar nga kryetari i saj i atëhershëm, Ibrahim Rugova, në vitet 1988 e 1989, u bë qendra e ideve të refuzimit të masave të regjimit serb-jugosllav dhe e artikulimit të interesave politike të shqiptarëve të Kosovës. Po prej asaj bërthame të shkrimtarëve u idejua dhe u krijua edhe partia e parë politike e shqiptavëve të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përvoja e decenies së kaluar në shtetet e botës së dytë, dëshmoj se mund të flitet për ndikimin më të ndjeshëm të shkrimtarit në disa nivele ose në disa situata nëpër të cilat kalon shoqëria:

a) Roli dhe ndikimi i tij në ndonjë grup social të pakënaqur,

b) Roli i shkrimtarit në situata të krizave dhe zhvillimeve revolucionare politike dhe sociale,

c) Roli i shkrimtarit në projekte kombëtare, kur gjendet në situatë të definimit të tij.

Përvojat e njohura të këtij roli të shkrimtarit në shoqëri, sikundër edhe vlerësimet e dikurshme të Platonit, (nëse atyre u hiqet tendenca e autorit), dëshmojnë se shkrimtari në fakt është një opozitë e natyrshme, pothuajse instiktive e pushtetit. Shkrimtari është i vetëdijshëm për përkatësinë e vet sociale dhe kombëtare, është i ndjeshëm ndaj gjendjes së moralit dhe të emancipimt në shoqërinë e vet. Prandaj, me veprën e vet, e shpesh herë edhe me angazhim konkret politik, ai synon që të ndikojë mbi ato zhvillime.

Roli i shkrimtarit në shoqëri me stabilitet politik

Në shoqëri me stabilitet politik dhe me shkallë më të lartë të mirëqenies ekonomike, rrjeshimisht është më e pakët. Në këto shoqëri, shkrimtari ingranohet brenda rrjedhave të tregut të librit dhe në infrastrukturën e arsimit të lartë, ose të mediave, duke qenë më shumë individualisht aktiv e më pak ose pothuajse aspak në projekte kolektive. Në fund të fundit, aty ku janë realizuar projektet e krijimit të kombit e të shtet dhe ku shkalla e mirëqenies ekonomike e ka krijuar kohezionin e nevojshëm social, nuk ka hapësira për revoltë e për opozitë me prejardhje nga arti letrar. Atje opozita është legjitime dhe bën luftë në emër të elektoratit që përfaqëson.

Marrë në përgjithësi, koha jonë është kohë kur roli i shkrimtarit në shoqëri është margjinalizuar, sepse oligarkitë financiare dhe korporatat kanë krijuar epërsi të pashembullt të dominimit mbi shtëpitë botuese, mbi mediat dhe mbi institucionet arsimore e politike. Ata sot më të shumtën luftojnë që të ruajnë statusin e vet të mbijetesës në shoqëritë e veta.

Roli i shkrimtarit në vlerësimin e politikave ndërkombëtare në krizat e ndryshme rajonale dhe globale

Pra, përveç angazhimeve brenda shoqërive të cilave u përkasin si qytetarë, shkrimtarët shpesh herë angazhohen edhe në dhënien e opinioneve dhe të vlerësimeve lidhur me zhvillimet në përmasa rajonale e globale, zakonisht kur është fjala për kriza dhe për luftëra të armatosura, ose edhe për mbrojtjen e ambientit.

Në konteksitn e angazhimit të shkrimtarëve ndaj krizave rajonale, lufta e Kosovës e viteve 1998/1999 është një shembull ku shihet ky lloj angazhimi i disa nga shkrimtarëve më të njohur të botës. Në kohën kur spastrimi etnik dhe gjenocidi serb kundër shqiptarëve mori përmasat e shfarosjes, disa nga shkrimtarët e njohur u vunë në anën e intervenimit ushtarak kundër Serbisë. Shkrimtarë si Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik, Vacllav Havel, Umbeto Eko, Suzan Sontag, Eli Vizel, Hans Magnus Enserberger, etj., me tekstet e tyre sensibilizuan opinionin publik dhe politik në favor të mbrojtjes së shqiptarëve ë Kosovës nga gjenocidi serb. Mirëpo, pati edhe shkrimtarë e intelektualë si Gabriel Garsia Markes e Noam Çomski, që u deklaruan kundër atij intervenimi.

Ja si e paraqet gjendjen shkrimtari latinoamerikan, Mario Vargas Ljosa: “ NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin se këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore. Të gjitha këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit pë r të vënë në jetë planin për spastrim etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm përnga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik.”

Angazhimet e tilla të shkrimtarëve, nuk kanë ndikuar në vendimmarrjet politike, por në krijimin e opinionit publik, nga pikëpamja e rritjes së legjitimitetit të një veprimi politik (në rastin konkret ushtarak), me siguri që kanë ndikimet e veta.

Vlen të kujtohet këtu një rast specifiki rolit që mund t’i ngarkohet në situata të veçanta një shkrimtarit dhe intelektuali. Pikërisht shkrimtari dhe intelektuali Eli Vizel, ( i cili është një njeri që ka mbijetuar kampet naziste të përqendrimit), ishte i dërguari i presidentit amerikan, Bill Klinton, në maj të vitit 1999, për të verifikuar në kampet e të dëbuarve shqiptarë të Kosovës në Maqedoni e në Shqipëri, se a ishte fjala për spastrim etnik dhe dëbim me dhunë. Raporti i Eli Vizelit ishte konfrimim se ishte fjala për dëbim me dhunë dhe për spastrim etnik. Rrjedhimisht politika zyrtare amerikane dhe ajo e OKB-së, e përdorën si argument bindës raportin e Eli Vizelit.

Shënimet

1.Platoni, Shteti, Rilindja, 1980, fq.141

2. Tragjeditë e gjenive, fq. 4 (përkthim i lirë)

3.Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri( 1897-1942)

4.Mario Vargas Ljosa, “ Një luftë e vonuar”, te libri “Lufta kundër luftës, Ora, Tiranë, 2001, fq.15)

Filed Under: LETERSI

“Dardha lulëzoi në dhjetor” – roman i Shpend Sollaku Noé-së

May 11, 2026 by s p

Fabio Strinati/

Është një vepër narrative e jashtëzakonshme, shpesh tragjike, madje edhe përlotëse. Një vepër informuese, e shkruajtur me kulturë dhe pjekuri. Një roman plot identitete të mbetura pezull, mbushur me të vërteta të dobisë së shkallës së parë. Fjalori i autorit është i rafinuar, i ndjeshëm, i mprehtë dhe i efektshëm. Gjuha e tij është e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe e vëmendshme ndaj ndryshimeve të vetëtimta të ringut ndërkombëtar. Faqet e tij janë therëse, të shqetësuara dhe të ankthshme, që arrijnë të të prekin thellë me mënyrën inteligjente të një kulture joshëse, me tone dhe ngjyrime të bollshme, që karakterizojnë synimet më të larmishme të thelbit njerëzor. Një roman që përshkon tek lexuesi një tallaz emocionesh.

Më poshtë një vazhdim i këtij recensioni në vargje, i dedikuar dhe i frymëzuar prej romanit me të njëjtin titull.

***

Dardha lulëzoi në dhjetor, mes shquarsisë

Drithnik të Shqipërisë. Me penën

të kredhur në intrigat e argjendta

tek një roman rojtar i një luleje

në të lashtin Berat

rrugica që përhumben gjatë tingëllimave

këmbanore të muzës së veshur me lule të verdha

dhe bishtaja vaniljesh. Shtëpi nën suva

mistikash ngritur

në shullë të një rrezeje të vetmuar mëngjesore,

me plepin që arrin pothuaj të dhunojë kufirin

e frymëmarrjes Supreme të Zotave

si buka e nxehtë gojëmbyllur

prej yçklave të thanës

Dardha lulëzoi në dhjetor, ndanë të lashtit

Drithnik të Shqipërisë. Me vështrimin

e magjepsur ndër përvijime cimbalesh

mes gishtave të dashuruesit rebel.

tek heshtja harmonia e tulatur.

Fabio Strinati, muzikant, kompozitor dhe poet nga më origjinalët në Italinë e sotme letraro-artistike.

E solli në shqip: Edi Salla.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shpend Sollaku

LAJM I BUKUR PËR POEZINË: VISARI NË TURQISHT…

May 10, 2026 by s p

Doli në Turqi nga Botimet “Tekin” në Stamboll libri me poezi i Visar Zhitit, me titull:

GJITHÇKA QË MË PRET

TË MBLEDHËSH DIELL

“Beni Bekleyen Her Şey

Güneş Toplamak” – sipas vargjeve të Visarit.

Librin e përktheu nga anglishtja Fatma Büsra Çalış.

Poeti më i madh i Turqisë së sotme, Ataol Behramoğlu, na shkruajti menjëherë:

“I dashur Visari im! Libri më në fund ndodhet tani në duart e mia. Është botuar bukur, tërheqës me 144 faqe… Me shumë dashuri për ty dhe Edën, vëllai im.”

Në ballinën e librit është portreti i Visarit me shira drite dhe mugëtire përsipër dhe fjalë, ndërsa në kopertinën e pasme është një pikturë e Atjon Zhitit, që duket sikur vazhdon me ngjyra idenë e dritës dhe vargjet:

Gjithçka që më pret,

Diell

të mbledh

Do desha…

Shiu im,

kthimi në rrugën që rrjedh

nga shtëpia,

malli im,

Ja, kaq janë ato që mund të të jap.

Po, të desha ty!

Deti i kaltër, abazhurët që bien

mbi fjalë,

dita ime kryengritëse,

Ja, kaq janë ato që mund të të jap.

Të desha, sa shumë të desha ty.

Në sytë e mi qielli blu derdhet

në sytë e tu,

Ja, kaq janë ato që mund të të jap.

Të kam dashur gjithmonë,

që nga fillimi.

Dhe në fund janë disa fjali nga parathënia:

“Të njohësh Visar Zhitin si poet dhe si njeri – për mua ishte një lumturi e madhe, një pasuri e pashtershme ndjenjash dhe mendimesh. Edhe botimet Tekin, duke prezantuar një poet të tillë, po i japin një kontribut të madh botës sonë poetike.

Ataol Behramoğlu”

E ka shkruar dhe Visari, poeti turk Ataol Behramoğlu është ndër të rrallët, në mos i vetmi, që ka statujën në një park të Stambollit dhe mund të shkosh ta shohësh së bashku me atë, Poeti dhe statuja e tij. Prandaj dhe fjalët që ai thotë, më duket se kanë dhe një fuqi tjetër sugjestionuese.

– Po kush foli?

– Statuja. Në Panteonin e Poezisë.

Eda Zh.

Filed Under: LETERSI

Drita historike e Thomas Frashërit mbi mesjetën shqiptare

May 9, 2026 by s p

Arben Çejku/

Kam lexuar, thuajse njëri pas tjetrin dy vepra të shkëlqyera të historianit enciklopedist, Thomas Frasheri; monografitë “Frashëri” dhe “Princa të Lilit”, e cila ka në qendër kryesisht Topiajt dhe mesjetën e pandriçuar shqiptare, bashkë me emra të tjerë të shquar të asaj periudhe. Ndërkohë që sapo kisha përfunduar së lexuari librin voluminoz dhe me shumë referenca historike “Frashëri”, duke patur edhe rikthime leximi tek disa pjesë të caktuara të tij, mora ftesën për në promovimin e librit të dytë të autorit, “Princa të Lilit – Bij të Arbrit – Familjarë të Sulltanit”!

Kam disa kohë që dua të bëj një shënim publik për këto dy kryevepra të historiografisë shqiptare, që vijnë si kontribut i vyer shkencor nga një jurist mendjendritur, i cili, duke ruajtur modestinë dhe tërheqjen prej murgu në tryezën e punës, ka pasuruar me dokumenta dhe fakte dy kapituj shumë interesant dhe pak të njohur të historisë sonë. Libri “Frashëri”, nuk është thjeshtë një historiografi për Frashërllinjtë, por një pishtar drite që na shpie larg për të parë më gjerë skenën dhe prapaskenën e kohës ku luajtën rolin e tyre Frashërllinjtë që njohim dhe ata që nuk i kemi njohur..

Edhe vepra tjetër monumentale “Princa të Lilit…”, duket se ka në qendër Topiajt, si një familje e madhe shqiptare me rrënjë që shkojnë thellë në histori duke përfshirë Anzhuinët e mbretërisë së Francës.

Por jo, ky punim i pazakontë shkencor, shkon përtej emrave qëndror të asaj periudhe si Topiajt, duke na sjellë para syve një tablo më të qartë, më të gjerë dhe më të besueshme mbi vetë Arbërinë e shekujve XIV – XV dhe familjet e tjera të mëdha fisnike si Muzakët, Blinishtët, Arianitët, Dukagjinët, Balshajt, Kastriotët etj.

Duke kërkuar rrënjët gjenealogjike të këtyre princërve arbërorë të periudhës para dhe gjatë sundimit otoman, Thomas Frashëri ka gjetur shumë fakte, dokumenta, foto, gravura etj, të cilat e ndriçojnë plotësisht pamjen e mugët të një pjese të historisë shqiptare dhe asaj ballkanike.

Në mungesë të botimeve të tilla prestigjioze dhe ndonjëherë edhe për shkak të mosleximit të botimeve pararendëse, ne e kemi ngushtuar gjithnjë e më shumë komunikimin mbi dhe për historinë e mesjetës, duke u bazuar vetëm tek disa stereotipe të thata propogandistike, ndërkohë që kjo periudhë e historisë sonë kombëtare është plot argumenta, fakte, ngjarje dhe personazhe, që na vërteton lidhjen tonë të hershme dhe të natyrshme me Europën, ashtu sikundër kemi ditur t’ia dalim edhe pas një sundimi të gjatë otoman bëpërmjet rezistencës, bashkëjeteses dhe mëvetësisë…

Libri “Princa të Lilit…”, përveçse sjell një kontribut të çmuar dhe të pazëvendësueshëm për historiografinë shqiptare, duke e bërë një libër referimi të pashmangshëm shkencorë, shumë shpejt besoj se ai do të vlerësohet edhe nga institucione shkencore franceze për faktet dhe këndvështrimin e Frashërit mbi atë periudhë të Francës dhe lidhjeve përtej saj. Ky botim në gjuhë të huaja, do e ndihmonte akoma më shumë imazhin e shqiptarëve dhe zbardhjen e historisë së tyre.

Kohë me parë u botua një kryevepër historike nga Aurel Plasari “Skënderbeu, një histori politike”, e cila bashkë me këtë botim të Frashërit, përplotësojnë historinë e panjohur të shqiptarëve të mesjetes te shtrirë ne disa shekuj. Të dyja këto vepra duhen përkthyer dhe botuar jashtë vendit! Vepra të tilla si ajo e Plasarit për Skënderbeun apo kjo e Frashërit për Topiajt renditen dinjitetshëm me kontribute të tjera shkencore për këtë periudhë të realizuara nga Aleks Buda, Eqrem Çabej, Kristo Frashëri, Injac Zamputi, Selami Pulaha, Pëllumb Xhufi, Ferit Duka, Oliver Schmidt, Ducellier, Jireček etj.

Nëpërmjet këtij shënimi modest për miqtë e mij këtu (siç ua kam shprehur të gjithëve atyre me të cilët kam folur), ftoj çdo studiues, intelektual, arsmitar, historian, gazetar, politikan, jurist dhe patriot, ta gjejë dhe ta lexojë këtë kryevepër të historisë sonë, me qëllim që të përfitojmë të gjithë prej saj dhe të forcojmë akoma më tepër argumentat tona historike në çdo debat me miq e kundërshtarë, sot dhe nesër!

Urimet më të përzemërta enciklopedistit Thomas Frashëri dhe suksese në sipërmarrjen shkencore të radhës!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kolonel Ahmet Krasniqi, in memoriam…
  • KUR NJË SHOQËRI NUK PËRBALLET ME TË KALUARËN KOMUNISTE E KALUARA RIKTHEHET
  • It Is the Economy Prime Minister But First It Is the People
  • Is AI, the Apocalypse Now?
  • Epiri si Shqipëri e Poshtme në hartografinë franceze të Nicolas de Fer-it: një dëshmi e rëndësishme e hapësirës shqiptare në fillim të shekullit XVIII
  • Shqiptarët e Amerikës protestojnë në New York kundër vendimit të Gjykatës Speciale
  • Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti zhvilloi homazhe nderimi te varret e Vëllezërve Bytyqi dhe vizitë te Kisha Zoja e Shkodrës- Fotoreportazh: Dritan Haxhia
  • Më 20 shtator 1685 – Pjetër Bogdani sjell “Çetën e profetëve”, monumentin e hyjt të shqipes së shkruar
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes atdhetarin dhe luftëtarin Çerçiz Topulli
  • Shkolla “Gjergj Fishta” New York filloi vitin mësimor 2026-2027
  • A ishte krijimi i Dhomave Speciale në Hagë, një kompleks inferioriteti?
  • Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike
  • Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!
  • LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t
  • JURIDIKSIONI KA KUFI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT