
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Në librin e tyre “Në pasqyrën e luftës: Reflektime mbi luftën e Kosovës”, Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel ofrojnë një portret kritik të Oliver Ivanoviqit, duke e paraqitur atë si një nga figurat kryesore të nacionalizmit serb në Mitrovicën e pasluftës dhe si një aktor që kontribuoi në institucionalizimin e ndarjes etnike në veri të Kosovës. Ky interpretim bie në kontrast me imazhin më të vonshëm të Ivanoviqit si politikan pragmatik dhe i moderuar, të promovuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas autorëve, një nga shfaqjet më të qarta të këtij pozicionimi ishte kundërshtimi kategorik i integrimit të studentëve shqiptarë në Universitetin e Mitrovicës. Deklarata e tij se ishte “e pamundur” të përziheshin studentët serbë dhe shqiptarë, si dhe insistimi që secila palë të vazhdonte arsimin në sisteme të ndara, interpretohet si mbështetje e hapur për segregacionin etnik në sferën arsimore. Në këtë kuptim, universiteti nuk shihej si hapësirë e bashkëjetesës dhe integrimit, por si instrument i ruajtjes së kufijve etnikë dhe politikë.
Një tjetër element i rëndësishëm i analizës së Brossat dhe Potel lidhet me mbështetjen që Ivanoviqi u jepte projekteve për kantonizimin e Kosovës dhe krijimin e strukturave të veçanta serbe të sigurisë. Kërkesa për themelimin e “kantoneve serbe” dhe të të ashtuquajturës “Trupë e Mbrojtjes Serbe” dëshmon, sipas autorëve, për një strategji të ndërtimit të institucioneve paralele dhe të autonomisë territoriale serbe jashtë kornizës së institucioneve të përbashkëta të Kosovës. Kjo qasje shihej si vazhdimësi e politikave të ndarjes etnike dhe si përpjekje për të penguar integrimin e veriut në rendin e ri politik pas vitit 1999.
Autorët vënë në pah gjithashtu kundërshtimin e Ivanoviqit ndaj procesit të çmilitarizimit të UÇK-së dhe krijimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Sipas tyre, deklaratat e tij se marrëveshja për transformimin e UÇK-së “nuk kishte asnjë vlerë” dhe kërkesat për krijimin e një force të armatosur serbe përbënin një përpjekje për të legjitimuar organizimin e strukturave ushtarake serbe në Kosovë. Në këtë mënyrë, ai nuk paraqitej si promotor i çarmatosjes dhe pajtimit, por si mbështetës i ruajtjes së një balance të armatosur etnike.
Po ashtu, Brossat dhe Potel i lidhin tensionet e Mitrovicës me veprimtarinë e grupeve të armatosura serbe, duke iu referuar vlerësimeve të KFOR-it se përplasjet nuk ishin rezultat i shpërthimeve spontane të dhunës, por i veprimeve të organizuara për nxitjen e konfliktit. Në këtë kontekst, Ivanoviqi shfaqet si një nga figurat politike më të rëndësishme të kampit serb që ushqente dhe artikulonte narrativën e konfrontimit etnik, duke kontribuar në konsolidimin e ndarjes së qytetit.
Prandaj, në interpretimin e autorëve francezë, Oliver Ivanoviqi nuk paraqitet si një aktor integrues apo i moderuar, por si një nacionalist radikal që kundërshtonte integrimin arsimor të shqiptarëve, mbështeste segregacionin dhe kantonizimin e Kosovës, promovonte krijimin e formacioneve të armatosura serbe dhe kontribuonte në ruajtjen e tensioneve ndëretnike në periudhën e menjëhershme pas luftës. Megjithatë, ky vlerësim duhet të lexohet brenda kontekstit politik të viteve 1999–2000, kur konfliktet për kontrollin e Mitrovicës dhe për përcaktimin e rendit të ri institucional ishin ende të hapura dhe jashtëzakonisht të polarizuara.