• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇAMÇAKËZ – ÇÌMÇÀ

September 29, 2020 by dgreca

Nga Muç Xhepa- Do t’i fusin në kampe pune,- tha Aureli dhe u ngrit të shkojë. Ishte bashkë me Mirandën. Ajo tundi kokën. Nuk e aprovoi mendimin e të shoqit.Jemi miq që fëmijë. Nga Elbasani. Jeta në konviktin e së njëjtës shkollë në të mesmen dhe të lartën, na ka bërë si vëllezër. Aureli dhe Miranda u dashuruan që në bankat e shkollës së mesme dhe u martuan fare të rinj. Çift ideal.- Këta kanë marrë fund,- tha Miranda,- e jo më të mbyllin mijra njerëz në kampe përqendrimi.U larguan për te stacioni i autobusëve prapa piramidës së Neronit. Unë u ula te bordura në anën tjetër të hotel “Dajtit”, pranë kabinës së telefonit. Shenjë e një ere të re. Jo prodhim vendi. Prisja Artan Metohun të hanim drekë bashkë. Ishim miq që nga koha e universitetit. Ai studionte të bëhej inxhinier pyjesh, ndërsa unë mësues i gjuhës angleze, të cilën Artani e mësonte me pasion dhe e fliste rrjedhshëm. Duke zbritur shkallët e hotel “Dajtit” ma bëri me dorë të shkoja tek ai. Ishte fillimi i viteve ’90.- Nesër herët kam për të marrë një grup turistësh anglezë te Hani i Hotit. Eja edhe ti!- Kërkon aprovim.- Flas unë me Hajrien, shefen e grupeve angleze tek Albturizmi. Punët kanë ndryshuar. Duan të afrojnë edhe nga ju.Vështroi ngultas. Më dha të kuptuar se hapja e ambasadave kishte thyer edhe prangat e tiranisë. Ndjeva një ngazëllim të brendshëm. Të flisje me të huaj ishte krim dhe të dënonin sipas nenit 55 për “agjitacion dhe propagandë”. Të flisja me anglezë, gjuhën e të cilëve kisha filluar ta mësoja që fëmijë, ishte më tepër sesa një ëndërr. Artani nguli këmbë.Nga Tirana u nisëm me errësirë. Në autobus, nga ato të rinjtë me xham të madh përpara, të dukej vetja sikur vrapoje në këmbë nëpër rrugët e ngushta.- Me serën tonë mbulohen e zbukurohen rrugët e Parisit,- tha shoferi pa e kthyer kokën nga ne, që ishim ulur në dy vendet e para pranë derës. Artani buzëqeshi dhe më shkeli syrin. Shoferi rreth të dyzetave, trupshkurtër e barkmadh, ishte nga Tirana. Me Artanin ishte mik. Kishin shoqëruar bashkë shumë grupe ndër vite dhe kishin krijuar besim te njër-tjetri.- Muçin e kam shok të vjetër,- i tha Artani duke qeshur.Te Hani i Hotit na priti kamerieri. Ishte i tronditur dhe dridhej sikur të ishte në ethe.- Doni diçka të ngroheni?- Nga një gotë “Rum”,- tha Artani.- Kam “Metaksa”, rumi mbaroi dje.Lokali ishte i errët. Një llambë e vogël ndriçonte banakun, e cila hidhte dritë të zbehtë edhe mbi tryezën tonë. – Ndizi neonet,- i tha Artani,- grupi vonohet.Kamerieri vuri gishtin mbi buzë. Të heshtnim. Shoferi nuk duroi. U ngrit dhe i mori vetë gotat bashkë me shishen e “Metaksasë”.- Ky është i humbur. Ku e kanë gjetur vallë?- Shoferi ktheu shishen qafëgjatë, të zbukuruar me medalje, si ato të konjakut “Skënderbeu” dhe mbushi gotat. – Për shoqëruesin e ri!- Trokiti gotën me Artanin.- Ktheje ngadalë se është i fortë,- m’u drejtua dhe ngriti gotën lart.Pa kaluar poshtë gllënjkën e parë, oficeri i shërbimit thërriti Artanin. Dolën jashtë lokalit. Në tryezë erdhi kamerieri. Vazhdonte të dridhej. Mori edhe ai një gotë metaksa dhe u ul pranë shoferit. – Patrulla e shërbimit ka asgjesuar dy shkelës kufiri. Djem të rinj nga Shkodra,- zëri i dilte i mbytur.- Por,- shoferi e ktheu me fund gotën,- sikur e kanë të ndaluar të qëllojnë për të vrarë!- Jemi bërë dhe. Shef Myzaferi gati sa nuk e braktisti detyrën. Tani u largua. Myzaferin e njihja. Kishim qenë bashkë në shkollë. Konviktorë. Djalë i heshtur dhe me karakter. Punonte në doganë.- I kanë ende trupat atje, në anën tjetër të përroit, mbi rrugën automobilistike. I ruajnë me ushtarë.Artani u kthye. Ishte i prerë në fytyrë. Po agonte.- Cili është Artani nga ju?- një ushtar me automatik në sup brofi te dera.- Grupi arriti. Eja t’i marrësh!Të vënë në kolonë për një, me çanta ndër duar, anglezët u afruan te dera e autobusit.- Good morning! Good morning!- belbëzonin, sikur të ishin në dijeni të krimit që kishte ndodhur pak orë më parë.Autobusi u nis me lëkundje të buta. Nga lart, klimatizuesit nisën të lëshonin aromë të këndshme, të huaj. “Eh, shqiptari i gjorë!” thashë me vete i trishtuar,-“shtyhet e shtypet në autobus ‘fizarmonikë’, pa xhama, i shqyer në mes. Pluhuri i rrugës ia nxin këmishën pa zbritur ende në stacion. Nëse tenton të largohet nga parajsa socialiste, përfundon buzë kanalit i bërë copa-copa nga plumbat e ushtarit”.Artani më tha të ulem në vendin pas shoferit. Nuk e kuptova përse.- Mirë se ardhët!- përshëndeti ai grupin. Pa përdorur fjalët, “Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Mori mikrofonin në dorë, u ngrit në këmbë, u kthye nga turistët dhe filloi t’u flasë për itinerarin e tetë ditëve të qëndrimit në Shqipëri. Te hyrja e hotel “Rozafës”, ku do të hanin mëngjes, vinte rrotull një kuqo, barkalec, flokë thinjur, veshur me kostum ngjyrë bezhë të dalë boje, kravatë kafe edhe ajo e dalë boje. Sapo zumë vend në sallën e ngrënjes, ai iu afrua një kamerierje të bëshme dhe e ngacmonte me dorë në ijë. Ajo ledhatohej.- Është operativi Ndue, qefliu i sigurimit. E gjuan shumë armikun …- Artani tha me të qeshur.Dielli kishte filluar të ngrohte, kur lamë hotelin për të vizituar kalanë “Rozafa”. Në të përpjetën mbi rrugën kryesore, në njërën nga kthesat, mbinë nga dheu një tufë fimjësh. Ndiqnin në të dy anët autobusin dhe thërrisnin si të marrë: “Çìmçà! Çìmçà! Çìmçà!” Zgjatnin duart. Disa prej tyre vendosnin dy gishtërinj pranë buzëve dhe bënin sikur tërhiqnin diçka jashtë gojës që e mbanin me dhëmbë. Guida angleze, një grua rreth të dyzetave, flokëverdhë, të gjata deri pranë supeve, me sy blu dhe trup të rregullt, ku dallonin këmbët e mbushura e të drejta, u ngrit nga vendi, hapi xhamin e sipërm të dritares dhe hodhi një pako me çamçakëzë. Fëmijët u sulën duke shtyrë njëri-tjetrin për tokë. Shpërthyen të qeshura në autobus. Të tjerë filluan të bënin të njëjtën gjë. Dukej se ishin të përgatitur për një shfaqje të tillë. U trondita shumë nga skena tragjike. S’vura re që në vendin bosh, pranë meje, ishte ulur një vajzë e re. Fshiva sytë shpejt dhe u përpoqa t’i buzëqesh.- Don’t be sad! – Mos u dëshpëroni!- Më shtrëngoi dorën. Fjalët e para me një të huaj më mbetën në grykë. Lëmshi i dhimbjes i kishte mbytur ato.Pas një xhiroje brenda mureve të kalasë, grupi hyri në muzeun e vogël. Artani njihej me kuratorin dhe i kërkoi t’i fliste për kalanë. – Do t’më falësh,- m’u drejtua,- Valeria më kërkon te dera. I mbetur vetëm u afrova të dëgjoja.- Kalaja Rozafa është ndërtuar mbi kodrën në hyrje të qytetit të Shkodrës, më saktë, në juglindje të tij… rrethohet nga lumenjtë Buna e Drini…- Zëri i dilte i lodhur, anglishtja me gabime, në vend të shkopit tregues përdorte dorën…, kur filloi të mburrte punën e madhe që kishte bërë pushteti popullor për ta pasuruar muzeum, iu afrua një turist i moshuar.- Mund të na tregoni si dhe kur e pushtuan romakët këtë fortesë?- nga kuleta e madhe prej lëkure që kishte lidhur rreth brezit, ai nxorri një bllok të vogë të mbante shënim. Kuratori u kap në befasi. Bëri sikur nuk e dëgjoi pyetjen dhe vazhdoi me legjendën e murosjes, e cila shkaktoi të qeshura.- Ju pyes për epokën para Krishtit?- Nguli këmbë turisti.- Në vitin 168 p.e.r.,- u dëgjua një zë pranë derës. Ishte Artani i sapokthyer. Turistët shpërthyen në duartrokitje. Me të qeshurën e tij të padjallëzuar Artani i kërkoi ta vazhdonte vetë rrëfimin.Në Durrës arritëm rreth orës dy. Dreka ishte shtruar në sallën e madhe të hotel “Adriatikut”. Një botë tjetër, krejt e panjohur për mua. Kamerieret shërbyen në fillim aperitiv, djathë dhie të marinuar me piper dhe spec të kuq. Me të lyej feta të vogëla buke të porsathekura. Pastaj sollën sallatë të freskët me vaj ulliri. Pjata kryesore: dy kotoleta ala milaneze me mish viçi, të rrethuara me patate të skuqura, djathë kaçkavall dhe vezë të ziera e të prera me formë. Në fund, ëmbëlsira tiramisu. Drekën po e shtyja me lot, të cilët valë, valë më mblidheshin në grykë. Anglezët herë pas here, kur i kërkonin diçka njëri-tjetrit, thërrisnin: “Çimça, çimça”! Dhe, tregonin me gisht fetat e prera hollë të bukës së thekur, ende të ngrohta, jo prej asaj të zezës së dyqanit, por prej galetash të bardha, ndryshe, të panjohura për mua; pjatancën e vogël të zbukuruar me një fill ari anash dhe mbushur ma djathin e marinuar, shishet e ujti “Glina”. Por, kur Valeria thërriti: “Çimça, çimça”, dhe rrëmbeu shishen e verës, të kuqe, “Kabernet” që ishte në mesin e tryezës; nga të katër anët shpërthyen të qeshura të gjata, therëse. Hidhërimi filloi t’ia lerë vendin një ndjenje tjetër; të shtypur fort në errësirën e nënvetëdijes. Hakmarrja ndaj Valerias. Artani e vuri re. Isha zverdhur.- Dalim në verandë, – buzëqeshi çiltër.Verandën te hotel “Adriatiku” e kisha parë nga larg. Vend i ndaluar për punëtorët dhe fshatarët që me zell ndërtonin socializmin. “Çlirimtarët”, sundimtarët e rinj, ia kishin hequr të drejetën shqiptarëve t’i afroheshin vendit ku bëhej jetë borgjeze. Cili pushtues i huaj e kishte bërë një gjë të tillë? Tokë e “Xanun” sheh sot në të katër antët e vendit te pronat e pronarëve të grabitur. Hajde thuaj pastaj se historia nuk përsëritet? Artani mori djathtas verandës. Për te tryeza në qoshe. Në anën tjetër ishte ulur këngëtarja e madhe e muzikës së lehtë. Karshi saj, një burrë i veshur me kostum te huaj diçka i tregonte. Ajo qeshte me kumbim. E çpenguar, sikur të ishte e zonja e vendit.- Është Parashqevi Simaku dhe miku i saj, Pobrati, nëndrejtori i sigurimit për turizmin, tha Artani dhe porositi dy arançata. Kamerieri i solli menjëherë.- Përse të thashë të uleshe pas shoferit. Të huajt mendojnë që njëri prej nesh është i sigurimit. Pra, spiuni. Ai gjithnjë ulet në fundin e autobusit.- Më ka treguar Andrea Opari, para se të arratisej, një bisedë midis anglezësh.Artani qeshi me zë.- Ma thuaj. Më ka marrë malli shumë. Megjithëse, përpak e pësova nga arratisja e tij. Do të ta tregoj një ditë tjetër. Është histori e gjatë.- Grupi që shoqëroja,- fillova rrëfimin e Andreas,- ishte ulur te tarraca e pesëmbëdhjetëkatëshit. Mbrëmje. Kishin ngrënë darkë. Në tarracë ishte freskët. Kishin marrë nga një pije dhe tregonin barcaleta. Ai që e mbante veten si kapoja i grupit m’u drejtua me ton ironizues.- Andrea, mund të më thuash, përse në Gjarmaninë Lindore patrullojnë gjithnjë dy vetë?- Rrudha supet. Bëra të paditurin. Një grua e moshuar që ishte prezantuar si historiane, ndërhyri.- Njëri di të lexojë, ndërsa tjetri të shkruajë.- Plasi e qeshura.- Saktë! Fituat një gotë verë!- kapoja i kerkoi kamerierit t’i sillte verën.- Tani përsëri për ju Andrea,- u ngrit në këmbë që ta dëgjonin të tërë.- Në Bashkimin Sovjetik patrullat janë treshe. Ku qëndron ndryshimi?- Ngrita supet përsëri. Por, këtë radhë më shpëtoi nje buzëqeshje.- E di unë,- tha një djalë i ri që sapo ishte kthyer nga Moska.- I pari di të lexojë, i dyti di të shkruajë dhe i treti di të tregojë; raportojë për të dy të parët. Artani shpërtheu në të qeshur: me lot.- Andrea është i madh! Shoferi është i treti.Ditën e parafundit e kaluam te hoteli i Sarandës. Ishte ditë e bukur me diell të nxehtë. Ishim shtrirë te rëra përpara hotelit. Vend i vogël. Ngjitur pranë njëri-tjetrit. Mungonte Artani dhe Valeria. Pas një ore erdhi Valeria. Kishte veshur rroba banje në gjyrë blu. Dallonin fort me lëkurën e saj të bardhë. Ekstravagante në prerje. Bikini që i tregonin pjesë intime. Shtroi një peshqir të bardhë dhe u shtri me fytyrë nga ne. Filluan pëshpërima.- Bite, … bite, … teeth,- Nuk po i kuptoja anglezët. Është popull me humor të hollë.- Hair, … curly, … shame,- e qeshura u bë ngjitëse. Shikonin Valerian që kishte mbuluar sytë me kapele të bardhë dhe shijonte rrezet e diellit. I bërë kureshtar, i hodha edhe unë sytë tek ajo. Rrëzë bikinit kishte shenja të kuqe dhëmbësh, ndërsa në anë të buzës një qime të përdredhur ngjyrë kafe. Kishte mbllaçitur: “Çimça”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: ÇAMÇAKËZ - ÇÌMÇÀ, Mustafa Xhepa

Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje tëshquar

September 27, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr.Eshref Ymeri-

Në nderim të 60-vjetorit të lindjes  së Mjeshtres së Fjalës Artistike Mira Meksi–
http://www.zemrashqiptare.net/images/article/2020_02/52616/u6_Mira-Meksi.jpg

Ditëlindja! Ditë gëzimi, apo edhe ditë e përjetimit të një ndjenje trishtimi të lehtë, se u moshuam edhe një vit? Ka mendime të ndryshme. Sepse secili ka këndvështrimin e vet. E kuptueshme. Jeta prandaj edhe është interesante se ka larmitë e veta.

Me kalimin e moshës, disa kanë ndjesinë se pak ditë para festimit të ditëlindjes, atyre sikur u prishet humori dhe shenjat tregojnë se janë duke përjetuar një rënie shpirtërore. Vitet ikin dhe njeriu i ndryshon përfytyrimet e veta pë jetën. Ai ka qejf të kthehet drejt rrënjëve, sepse në jetë vjen e merr një rëndësi të madhe cilësia, jo sasia. Dhe vjen një ditë kur ai mendon seriozisht për njerëzit që e rrethojnë, i heq syzet, përmes së cilave bota i është dukur si fushë me lule, Kësisoj, ai, në mesin e jetës, fillon të vërejë gjëra, të cilat më herët nuk i kishin rënë në sy. Një sërë syresh vazhdojnë të repektojnë disa shprehi që kanë zënë vend me kohë në jetën e tyre dhe mundohen t’u përmbahen atyre, çka, me kalimin e kohës, bëhet burim i një tensioni të brendshëm.

Në mënyrë që në jetën e njeriut të vijë diçka e re, ai duhet të lirojë vend brenda vetvetes ose duhet ta zgjerojë hapësirën e vet për të tjerët. Sepse këtu mund ta ketë burimin njëra nga arsyet e rënies së lehtë shpirtërore para festimit të ditëlindjes, paçka se njeriu mund të mos jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë. 

Festimi i ditëlindjes nuk mund të sjellë gëzim për një ditë, aq më tepër kur edhe shumë urime që vijnë, mund të tingëllojnë formale.

Është e kuptueshme që janë të shumë ata, që, me afrimin e ditëlindjes, rrinë e vrasin mendjen se çfarë kanë mundur të arrijnë dhe çfarë nuk kanë mundur ta arrijnë në jetë. Dhe nëse rezultatet e jetës nuk u kanë sjellë gëzim, është e kuptueshme që kjo do të reflektohet në gjendjen shpirtërore.

Një tjetër arsye e fortë e një gjendjeje të tillë shpirtërore, është sjellja në kujtesë e ditëlindjeve në moshën e fëmijërisë. Në moshë të re, ngjarjet dhe rrjedha e jetës rendin me një shpejtësi marramendëse dhe njeriu nuk arrin të vërë veshin dhe të dëgjojë vetveten. Kurse kur piqet, ai ka më shumë kohë për përsiatje dhe për të hyrë në kontakt me botën e tij të brendshme.

Ndodh edhe shpeshherë kur gëzimi është paksa i venitur gjatë festimit të ditëlindjes, për arsye se disa kërkesa që fshihen brendas shpirtit, nuk ka qenë e mundur të përmbushen. Se gëzimi është i lidhur me shpirtin. Sa më shumë njeriu e ka të zhvilluar logjikën dhe mendimin racional, aq më shumë ai largohet nga shpirti i vet.

Njeriu e ka të organizuar jetën në atë mënyrë, që ndjenjat dhe logjika, si dy pole të një gjysmësfere, nuk mund të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Sa më shumë synon të eci në jetë ashtu siç e mëson mendja, aq më shumë ai e humbet ca lidhjen me shpirtin e, për pasojë, edhe gëzimin nga pak.

Gëzimi është cilësi dhe tipar i shpirtit. Është burim i brendshëm në thellësinë e zemrës së njeriut.

Personaliteti politik, njeriu i shquar i  letrave, diplomati i njohur dhe njëri nga udhëheqësit e luftës për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banjamin Franklin (1706-1790), ka lënë një porosi të vyer për brezat pasardhës:

“Mundohu ta gjesh gëzimin në jetë. Kjo është mënyra më e mirë për ta tërhequr drejt vetes lumturinë”.

        E kam njohur Mirën në vitin 1984, kur ajo u emërua përkthyese në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ishte një redaksi e madhe, me një personel prej 48 përkthyesish dhe disa daktilografiste, në të cilën përballohej një punë mjaft e vëllimshme për përkthimin e letërsisë politike në 8 gjuhë të huaja. Asokohe isha përgjegjës i Redaksisë. Mira i kishte përfunduar studimet universitare për frankofoni dhe midis pedagogëve që i kishin dhënë mësim në fakultet, kanë qenë edhe pedagogë francezë  dhe Profesor Vedat Kokona, një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombtare dhe njohës i shklqyer i kulturës franceze dhe asaj botërore.

Si studente e talentuar, që gjatë viteve të studimit në fakultet, ajo kishte studiuar gjuhën spanjolle dhe gjuhën italiane. Për gjuhën spanjolle kishte pasur një pasion të veçantë, prandaj edhe u punësua si përkthyese pikërisht në sektorin e spanjishtes të asaj redaksie. Talenti i saj si përkthyese, kishte shpërthyer që në moshën e pararinisë. që gjatë viteve të gjimnazit, në moshën 16-vjeçare, kur kishte arritur të përkthente  nga frëngjishtja novelën-përrallë alegorike“Princi i vogël” (Le petit prince) të shkrimtarit dhe poetit francez Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry – 1900-1944), si edhe në vitet studentore, kur ajo pati kuturisur të përkthente me sukses poezi të Vedat Kokonës në frëngjisht. 

Mira nuk qëndroi deri në fund në sektorin e spanjishtes. Aty nga fundi i viteve ’80, ajo u transferua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e priste “varka e saj e parapëlqyer” drejt hapësirave “kaltërore” të  përkthimit artistik, i cili edhe më shumë ushtroi mbi të një ndikim hyjnor për t’u bërë një shkrimtare me emër në botën e letrave shqipe.

Ja si e kujton Mira kohën kur punoi në Redaksinë e gjuhëve të huaja:

“Ishte vera e vitit 1984, kur, e porsadalë nga studimet universitare, iu bashkëngjita punëtorëve të përkthimit politik në gjuhë të huaj, në sektorin e spanjishtes…  E mësuar me përjetimin e një lloj klime liberale karshi dogmave të kohës gjatë viteve të studimeve të mia të larta për filologji frënge, – ku pedagogët francezë kishin luajtur një rol të madh jo vetëm me profesionalizmin, qytetarinë dhe shpirtin e tyre të lirë, por edhe me librat e ndaluar që më jepnin fshehurazi, ashtu siç kishte luajtur rol të jashtëzakonshëm miqësia me profesorin tim të paharruar Vedat Kokonën dhe të vëllain e tij Nedim Kokonën, një tjetër intelektual par excelence, –  me shumë drojë dhe frikë në zemër kapërceva derën e hekurt të sektorit të gjuhëve të huaja të “8 Nëntorit”, e cila, kohërave kur unë punova në Redaksi, nuk e kishte më rojen e mistershme të dikurshme pas saj. Ishte koha kur s’kisha shumë që e kisha kaluar pragun e të qenit vetëm një lexuese e thellë, serioze dhe e përkushtuar ndaj letërsisë së madhe të botës, dhe po hyja ngadalë, por sigurshëm, në udhën e përkthimit dhe të krijimit të mirëfilltë letrar… Kishte pasur raste që ishin përkthyer edhe 50 faqe në ditë nga një përkthyes i vetëm, ndonëse norma ishte katër faqe në ditë…  Ishte “parajsa intelektuale dhe profesionale”, ku u rrita dhe u formësova, ku, pasi futa duart në magjen ku gatuhej brumi i përkthimit politik, gjeta volinë për t’iu dhënë përkthimit letrar, dhe kjo, për tërë jetën, ishte, ndoshta, i vetmi vend në Shqipërinë tonë të izoluar ku mund të thithej një grimë ajri me parfumin e lirisë dhe të botës së madhe”.

Zëvendësimi i sistemit u shoqërua në mbarë vendin me shpërbërjen e gjithçkaje, në të gjitha sferat e jetës, që nga objektet “e panevojshme” industriale, deri te shtëpitë botuese. Populli shqiptar “nuk kishte më nevojë” për “asnjërin” nga ato objekte dhe aq “më pak” për shtëpitë botuese. Sikur kasta politike në pushtet të kishte pasur fuqi hyjnore, me siguri që do ta kishte nxjerrë në ankand edhe ajrin, për t’ua kaluar në pronësi oligarkëve, në mënyrë që popullit t’ia shisnin me çmim të vendosur sipas tekave të veta. Kjo do të kishte qenë një “mrekulli e vërtetë”.

Viti 1990 Mirën e gjeti një intelektuale tashmë të pjekur. Pas vitit 1990, Mira, ashtu si edhe të gjithë përkthyesit e tjerë të Redaksisë, si edhe krejt punonjësit e të dyja shtëpive botuese, u gjendën me jetën ballë për ballë. Redaksia u kishte shërbyer përkthyesve si një universitet tjetër, si një kudhër e vërtetë për të përballuar “tërmetin” që po afrohej. Ata e gjetën veten shumë shpejt, duke u sistemuar në punë të ndryshme, madje edhe në fushën e diplomacisë, meqenëse përveç gjuhës së përkthimit në Redaksi, ata, që të gjithë, zotëronin edhe gjuhë të tjera.

Mira, si një intelektuale e formuar dhe me një vizion të gjerë për jetën, u orientua shpejt në situatën e krijuar. Mjaft e talentuar, e zgjuar nga natyra dhe me një shpirt praktikë, në vitet ’80-90 dhe në vijim, përveç sukseseve që shënoi në përkthimin e letërsisë artistike, kur, përmes penës së saj, erdhën në gjuhën nshqipe vepra të më shumë se 20 autorëve të huaj, ajo ra në sy për tri gjëra me peshë.

Së pari, në vitin 1994 ajo bashkëthemeloi dhe punoi si Drejtore e Fondacionit të parë kulturor privat shqiptar “Velija”. Pikërisht me nismën e saj, siç e thekson ajo në një intervistë të paradokohshme që i ka marrë Leonard Veizi për gazetën “Fjala” të datës 19 shtator, “u krijuan,çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi”. 

Duhet përmendur Çmimi Kadare që ju dha shkrimtarit argjentinas, të njohur në mbarë botën, Ernesto Sabato (1911-2011), i cili, kur e mori atë Çmim, pati deklaruar: “Ky ishte më i madh se Çmimi Nobel”.

Së dyti, në vitin 1996, Mira themeloi dhe drejtoi revistën letrare “Mehr Licht” (Më shumë dritë – sipas shprehjes së famshme të Gëtes), anëtare e rrjetit evropian letrar “Eurozine”. Ajo revistë ka pasë qenë një faqe e ndritur në historinë e kulturës letrare mbarëkombëtare. Ajo pati shërbyer për adhuruesit e letërsisë si një dritare e shkëlqyer me vlera të jashtëzakonshme enciklopedike për prurjet e pamata nga krijimtaria më e mirë letrare mbarëkombëtare dhe botërore. Revista, me më shumë se 400 faqe, vazhdoi të botohej për 16 vjet me radhë dhe ka hyrë në fondin e artë të letërsisë sonë. Por paskëtaj ajo u “largua për në pasjetë”, u fik, u shua, mbaroi. Në kujtesën e lexuesve ajo “avulloi”, u ngrit drejt hapësirës, u shndërrua në një “meteor” që qarkullon nëpër humnerat qiellore dhe vazhdon të mbajë në sipëfaqen e vet emrin e skalitur me merak “Mira Meksi”.

Së treti, gjatë viteve 2002-2010, Mira ka qenë Drejtore e Përgjithshme e “TV ALSAT”. Drejtimi i këtij kanali televiziv me shikueshmëri të lartë, ka pasë qenë një kontribut i ndjeshëm i drejtpërdrejtë i saj në fushën e mjeteve informative pamore.

Të shumta janë veprat artiske që Mira ka krijuar në disa gjini letrare, si romani, novela, tregimi, eseistika dhe letërsia për fëmijë. Ajo ka kontribuar, gjithashtu, në lëmin e publicistikës, me botimet e saj në shtypin shqiptar, si edhe në shtypin francez.

Të shumta janë edhe vlerësimet që i janë bërë Mirës për përkthimet artistike dhe për veprat artistike origjinale. Ajo është nderuar më shtatë Çmime, me një Titull nderi dhe me Urdhrin  “Comendadora” i Meritës Civile, i akorduar nga Mbreti i Spanjës Huan Carlos I.

Jam më se i bindur se Mira nuk rend absolutisht pas Çmimeve. Megjithatë, kur atë e ka vlerësuar aq lart mbreti i Spanjës, do të kishte qenë shumë mirë, sikur parapavijat e Presidencës në Tiranë të ishin kujtuar me kohë dhe t’i kishin çuar Presidentit propozimin për t’i akorduar një Çmim të lartë.

Një meritë të veçantë ka Mira për përkthimin e veprave të veta artistike në frëngjisht, madje edhe të rikrijuara në këtë gjuhë. Kjo është një dukuri shumë e rrallë në kulturën  tonë kombëtare. Ky është një talent i jashtëzakonshëm që haset rrallë edhe në kulturën botërore. Me këtë rast, ja çfarë i ka deklaruar ajo Leonard Veizit në intervistën e lartpërmendur:

“Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë… Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër… Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera”.

Merreni me mend, të nderuar lexues, se sa lart e vlerëson botuesi francez veprën e Mirës në frengjisht, saqë i ngjallë një interesim të veçantë jo vetëm si përmbajtje, por edhe si nivel artistik i përkthimit apo i rikrijimit në këtë gjuhë. 

Në veprën artistike të Mirës, lexuesi zbulon për shijet e veta jo vetëm atë që eshtë e nevojshme, e dobishme, por edhe atë që është e bukur. Aty ai vëren thellësinë e qiellit kaltëror, vezullimin e yjeve në hapësirat e tij të pamata,  perëndimin e ndezur të diellit flakërues, paqyrimin e tij në morinë e pafundme të pikave të vesës mëngjesore, shpërthimin e fuqishëm të ndjenjave të dashurisë dhe dhembjen dridhëruese që ajo mbart në shpirtërat njerëzorë. Ai ndjek me endje dhe herë-herë edhe me një kërshëri të pazakontë rrëfimet artistike të Mirës dhe, tek ecën nëpër hapësirat e atdheut amë, tek ndjek lodrimin embëlor të valëve lozonjare të detit hijerëndë pranë brigjeve amtare dhe fëshfërimën  solemne të gjethnajës së pyllit aty pranë,  edhe ai mundohet ta kuptojë të bukurën sa më mirë. Madje edhe vetë të dijë si ta krijojë dhe si ta mbrojë atë. Dhe në zemrën e tij nisin të shpërthejnë filizat e fisnikërisë së shpirtit njerëzor. Pikërisht ky është ai ndikim i fuqishëm që ushtron proza artistike e Mirës mbi edukimin e lexuesit. 

Tri gjëra më kanë lënë mbresa të thella në krijimtarinë artistike të Mirës.

Së pari, erudicioni i saj i jashtëzakonshëm. Në këndvështrimin tin, erudicioni i shkrimtarit shërben si uji i freskët, pa të cilin nuk mund ta përballosh dot zhegun e verës. Erudicioni atij i shërben si një përtejanë (sfond) e sigurt për shtjellimin mjeshtëror të ngjarjeve në veprën e vet artistike, për rikrijimin sa më të natyrshëm të skenave nga më të ndryshme për ngjarjet që pasqyron, për shndërrimin me një elegancë mahnitëse të të vërtetave jetësore në të vërteta artistike. Është pikërisht erudiconi i jashtëzakonshëm i Mirës që ka bërë të mundur krijimin  e krejt korpusit të veprave të saj, çka bie në sy veçanërisht në romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe te novela “Hakmarrja e Kazanovës”.

Së dyti, mjeshtëria e saj e rrallë. madje e jashtëzakonshme, për skalitjen e ndjenjave të dashurisë. Mira e përshkruan pasionin e të dashuruarve me tone të ndezura, me një ndërkëmbim ngjyrash ëmbëlake, të shoqëruar me vellon e një drite poetike. Në krejt krijimtarinë artistike, Mira zbulon filozofinë e vet për dashurinë, çka të kujton krijimtarinë e disa autorëve francezë, të tillë, si Prosper Krebijoni (Prosper Jolyot de Crébillon – 1674-1762), Zhan Marmonteli  (Jean-François Marmontel – 1723–1799) dhe Sebastian Shamfori (Sébastien-Roch Nicolas de Chamfort – 1741-1794).  

Së treti, pasuria gjuhësore e krijimtarisë artistike. Leksiku i Mirës është një thesar i çmuar për gjuhën shqipe. Proza e saj është një “arkeologji gjuhësore”. Shumë fjalë ajo i ka nxjerrë nga harresa pikërisht me merakun dhe me pasionin e një arkeologu për kulturën dhe jetën e periudhave të lashtësisë. Ajo, me një guxim të kuturisur, krijon fjalë të reja dhe kompozita fantastike me brumin e shqipes në gatimoren e saj të pasur.

Mira e meritonte plotësisht ta priste dhe ta festonte 60-vjetorin e lindjes me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lartë, për vlerësimet e larta që i janë bërë. Por… Jeta ka të papritura. Dhe ndodhi ajo që thotë aktorja, shkrimtarja dhe komediania e njohur amerikane Fenni Fleg (Fannie Flagg – 1944):

“Mund të rastis që të torturohesh për një kohë të gjatë dhe mandej, kur për diçka nuk të ka shkuar mendja fare, fati, pa pritur e pa kujtuar, bën një piruetë befasuese”.

Më shumë se një muaj para festimit të 60-vjetorit më 27 shtator, Mirës i ndodhi një fatkeqësi e rëndë: Nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, ndërroi jetë më 18 gusht. Kjo ngjarje e papritur ia ka rënduar së tepërmi gjendjen shpirtërore. Sepse Mami Nora ka qenë Kryezonja e edukimit të saj me tipare të shkëlqyera karakteri, ajo ka shërbyer për të si një Bibël e vërtetë. Ishte pikërisht Mami  Nora ajo që Mirës i futi në gjak dashurinë për Gjuhën Shqipe, Gjuhën e Perëndive, siç e ka quajtur Naimi i Madh dhe Aristidhi i Madh. Falë edukimit të Mami Norës, tash sa vite, para lexuesit del një Mirë e çiltër si vetë thjeshtësia, e hijshme si vetë bukuria, me takt si vetë fisnikëria, dinjitoze si vetë krenaria, e prerë si vetë drejtësia, e zgjuar si vetë mençuria, zemërbardhë si vetë shenjtëria. 

Unë dhe bashkëshortja ime e çmuar, Havaja, Mirën e urojmë nga zemra për 60-vjetorin e lindjes. Jemi të bindur se ajo do ta përballojë këtë gjendje të rënduar shpirtërore dhe do të gjejë forca për ta vazhduar po me kaq suksese krijimtarinë e vet artistike, sepse krijues të formatit intelektual të Mirës janë pasuri kombëtare.

Santa Barbara, Kaliforni

23 shtator 2020

Filed Under: LETERSI Tagged With: 60 Vjetori i Lindjes, Mira Meksi, Prof.dr.Eshref Ymeri

POETJA MAQEDONE LIDIJA DIMKOVSKA – LAUREATE E ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

September 21, 2020 by dgreca

Konferencë shtypi e Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”-

Poeta Lidija Dimkovaska është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri”, të Edicionit XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesi i letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), dhe poetët e kritikët letrar, Ndue Ukaj dhe Remzi Salihu (anëtarë). Gjithashtu, Drejtoria e Festivalit e ka shpallë Laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 15 – 18 tetor 2020, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 18 shtator, në (para) Qendrës së Kulturës në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu dhe anëtari i Jurisë së Festivalit, Remzi Salihu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Craig Czury (SHBA), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA), Fiona Sampson (Angli), etj.

Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 32 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Kanada, Martinike, Spanjë, Izrael, Danimarkë, Suedi, Holandë, Islandë, Itali, Maroko, Poloni, Greqi, Turqi, Slloveni, Bullgari dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kuadër të tij, do të mbahen disa orë letrare, do te promovohen libra të sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike. Gjithashtu, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar Naim Frashëri” do të mbahet konferenca shkencore me titull “Naim Frashëri dhe atdheu”.

Anëtari i Jurisë së Festivalit, Ymer Çiraku paraqiti arsyetimin e Jurisë për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. 

Lidija Dimkovska përfaqëson një emër të spikatur në letërsinë bashkëkohore në gjuhën maqedone. Ka botuar 6 vëllime me poezi, tre romane dhe një përmbledhje me tregime. Disa nga krijimet e kësaj autoreje, janë përkthyer në gjuhët si: anglisht, polonisht, çekisht, bullgarisht, italisht, hungarisht, sllovakisht etj. Është lauruar me disa çmime letrare, si me ate për vepër poetike debutuese “Studentski zbor”, dy herë ka marrë çmimin për prozë “Stale Popov” të Shoqates së Shkrimtarëve të Maqedonisë, çmimin gjerman të poezisë “Hubert Burda”, dy çmimet rumune “Poesis” dhe “Tudor Argezi”, çmimin evropian të poezisë “Petru Krdu”, çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi për romanin “Jeta rezerve”, mirënjohje speciale “Trashëgimia kulturore evropiane” për tregim më të mirë, “Gota e përjetësisë” sllovene për opusin poetik dhjetëvjeçar etj. Librat e saj janë nominuar edhe për çmimet amerikane “Libri më i mirë me përkthim”, si për poezi, ashtu edhe për prozë, për “Urën e Berlinit” gjerman, për “Poetin evropian të lirisë” polake dhe për “Ballkanika” ndërkombëtare. 

Lidija Dimkovska ka doktoruar në fushën e letërsisë rumune, duke qënë për një kohë edhe lektore universitare e kësaj letërsie. Ka redaktuar antologjinë e poezisë së rinisë maqedonase, antologjinë e poezisë bashkëkohore sllovene në gjuhën maqedonase, antologjinë bashkëkohore të letërsisë së pakicave dhe emigrantëve në Slloveni etj.

Ka marrë pjesë në takime të shumta ndërkombëtare letrare në Evropë dhe SHBA, si dhe në rezidenca të shkrimtarëve si, ato në Ajova, Berlin, Graz, Krems, Vjenë, Salcburg, Split, Tiranë, Okinava dhe Londër. Ka qenë anëtare e jurisë të çmimit ndërkombëtar “Hubert” në Poloni, si dhe kryetare e jurisë për çmimin “Vilenica” të festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Slloveni. Ka përkthyer disa vepra letrare të letërsisë rumune dhe sllovene në gjuhën maqedone.

Profili letrar i kësaj autoreje, është mjaft i pasur, si në krijimtarinë letrare, ashtu edhe në fushë të përkthimit e të promovimit të kësaj krijimtarie – në kultura dhe në gjuhë të ndryshme.

Poezia është një vlerë e spikatur e kësaj autoreje. Me gjuhën eliptike dhe figurative që mbart poezia, këtu përcillen me nivel artistik shqetësimet e kohës së sotme, duke i vështruar ato jo thjesht e vetëm në nivel lokal, por në një rrokje mund të thuhet planetare. Imazhet realiste të fateve njerëzore nëpër luftrat e sotme dhe në kërkim të burimeve deri për jetesë egzistenciale të tyre, këto imazhe krijojnë në vargjet poetike jo vetëm dhimbjen e pikëllimin për këtë gjendje, por përcjellin edhe apelin për t`u ndjerë përgjegjësia dhe për t`i zgjidhur sfidat e njerëzimit, kudo ku ato krijohen. Përgjegjësia dhe fati i pandarë i njerëzve dhe i popujve, zbulohet dhe nënkuptohet qartazi në tekstin poetik të saj.

Dhënia e çmimit fitues të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Ditët e Naimit për shkrimtaren Lidija Dimkovska, është një vlerësim për krijimtarinë e pasur të kësaj autoreje

Tetovë, 18 shtator 2020                                                                                              D. Hadri

Filed Under: LETERSI Tagged With: Cmimi Naim frasheri, LIDIJA DIMKOVSKA - LAUREATE E ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

Akrostik- Edgar Allan Poe

September 19, 2020 by dgreca

Akrostik- Edgar Allan Poe*/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Elizabeth, e ke kot kur thua
“S’të dua” – thënë aq ëmbël;
Boshe janë ato fjalë nga L.E.L., ose ti.
Talentet e Zantippes forcohen aq mirë:
Ah! nëse kjo e folur del nga zemra
Merr frymë më pak butësisht
– dhe mbulo sytë.
Kujto kur Luna u përpoq
Të kurojë dashurinë e Endymionit –
E shëroi nga të gjitha, vërtet, dhe –
Marrëzia e tij – krenaria – pasioni
– vdiq.
———
Edgar Allan Poe (1809 – 1849)
Kjo poezi (botuar pas vdekjes), është një nga disa akrostikët që Poe shkroi më 1829 për të kënaqur adhurueset e tij. Këtu, shkronjat e mëdha në krye të çdo vargu, lexuar nga lart-posht, formojnë emrin “Elizabeth”.

Elisabeth it is in vain you say
Love not — thou sayest it in so sweet a way:
In vain those words from thee or L. E. L.
Zantippe’s talents had enforced so well:
Ah! if that language from thy heart arise,
Breathe it less gently forth — and veil thine eyes.
Endymion, recollect, when Luna tried
To cure his love — was cured of all beside —
His folly — pride — and passion — for he died.

L. E. L. duket se është Letitia Elizabeth Landon (1802-1838), poete e njohur angleze që i nënshkruante poezitë e saj me inicialet L.E.L.
Zantippe është Xanthippe, gruaja e Sokratit. Poe e shkruajti gabim emrin e saj për hir të akrostikut. Xanthippe, ndonjëherë shkruar edhe Xantippe, ishte e njohur për temperamentin e saj të rrëmbyer dhe të dhunshëm. Disi me humor, Sokrati thuhet se i ka shpjeguar Alcibiades se ai mbeti i martuar me të sepse “ajo ushtron durimin tim dhe më bën të duroj të gjitha padrejtësitë që përjetoj nga të tjerët”.
Miti Luna dhe Endymioni ka të bëjë me Hyjneshën e Hënës, Selena, e cila ra në dashuri me Endymionin e vdekshëm, kur ajo e pa nga lart duke fjetur, ndërsa kalonte nëpër qiell natën.
Akrostik është një lloj poezie (ose formë tjetër të shkruari), ku shkronja e parë (ose rrokja, ose fjala) e çdo rreshti (ose paragrafi) përshkruan një emër ose mesazh. “Acrost”, fjalë para-greke; shqip, “kryerresht”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Akrostik Edgar Allan Poe, Astrit Lulushi

Thellësia e mendimit, fuqia e ndjenjës dhe thjeshtësia e fjalës…

September 19, 2020 by dgreca

Recensë mbi vëllimin me poezi “Ishulli i fjalëve” të autorit Nikollë Loka–

Shkruan: Prof. Migena ARLLATI*

Nuk është e rastësishme ardhja e autorit Nikollë Loka me këtë vëllim të ri poetik. Poeti që mediton dhe ndjen në përjetime të çastit a të qëllimit, vjen momenti kur dëgjon vetveten t’i flasë e ta shtyjë drejt vendimit finalizues për të dërguar në shtyp vëllimin e radhës. Kjo shtysë është fundamentale për çdo shpirt poetik, pasi krijuesi dhe libri i tij janë të dyzuar si të ishin një.   

Në një përmbajtje të ndarë në dhjetë cikle, autori fillon me “Prej shekullit në shekull”, për të vazhduar me “Ma jep pak borë”, “A thue asht vegim ere?!”, “Një vështrim hëne”, “Në shtatë ditë udhë”, “Mëkati i dytë”, “Do të shkruaj me ujë”, “Ajo urë…”, “Murg mbi një fjalë e mbi një varg” dhe “Shpëtimi do të vijë nga një (V)arkë”.

I gjithë vëllimi shpalos artistikisht profilin e një shpirti njerëzor që ka fuqinë të ndjejë në rrafshe shumëdimensionalëshe, një shpirti të butë që mbi çdo vlerë vendos përmasën njerëzore larg dogmave dhe ndryshe skematizimeve. Karakteri prej njeriu të butë, nga njëra anë, dhe prej shkruesi me profesionalizëm, nga ana tjetër, bëjnë që poezia e tij të vijë e qartë si në lexim ashtu edhe në përjetim. Falë tre përbërësve: thellësisë së mendimit, fuqisë së ndjenjës dhe thjeshtësisë së fjalës, ai arrin të realizojë dhe të funksionalizojë misionin poetik.

Shpirti i tij prej poeti të ndjeshëm tundohet fillimisht nga poezia me temë historike e atdhetare e cila zë vend në ciklin e parë “Prej shekullit në shekull”. Poezitë e vëna që në krye na bëjnë me dije përkushtimin ndaj rrënjës arbnore, traditës dhe historisë që gjëmon. Autori na vërtit shekuj larg në kohën e lavdisë së Skënderbeut, kur Kruja ishte epiqendër e trojeve arbërore e pikërisht për ato kohëra kur vendasit jetonin në altarin e lirisë ai e quan atë “zonjë e madhe!”. Ai e shfaq ringjalljen si koncept historik për të treguar kalvarin e vuajtjeve të kombit shqiptar: “…tri herë kishte ba festë Ballkani / tri herë kishte ba mort!”. Me sa pak fjalë na rrëfen për ngjarje të përshkallëzuara të cilat popullit të tij i kanë peshuar mbi shpinë. Kjo ngarkesë kohërash, shekujsh, që zgjat e zgjat pambarimisht, e kthyer në përjetësi me anë të këngëve me lahutë, nuk është gjë tjetër veçse gjurma e gjakut të patharë në memorien e secilit. Dramaciteti, pavarësisht dhembjes poetike, nuk shfaqet në nivele dramatike, pasi autori sikur dëshiron më shumë të vërë në pah efektin e madhështisë: “…Në humnera fatesh madhnisht jemi ngritë, / nan tinguj lahute jemi rrit”.

Gjithë ky cikël i referohet një areali komunikues me shekujt: rrapi dardan, truall dhé, vajtohet Rozafa vllaznisht, në Ilirik luhet fati tragjik etj., me synimin për të thënë të vërtetën ndryshe nga mitet e legjendat, ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i trajtojmë në libra e teorira. Tendenca e autorit për t’iu referuar ndryshe këtyre temave e bën poezinë e tij të mos jetë ajo e konsumuara e temës atdhetare e patriotike, por përkundrazi e lexueshme qartë nën një projeksion të ri.

Cikli i dytë “Ma jep pak borë” sjell një tjetër dimension shpirtëror, tashmë me fokusime më personale, ku janë ngritur dhe shembur shumë ura, ku poeti ngatërrohet mes rrezesh, e ku lirika arrin kulminacionin në poezinë që i ka dhënë titullin ciklit: “Ma fal pak borë që s’di të shkrijë, / që s’di të bëhet tokë…”.Është i qartë emocioni dhe cytja shtensionuese në kërkesën për të pasur atë që në fakt metaforizohet me konceptin antitezë të lëndës. Veprimi dhe gjendja tangentojnë të njëjtën ide në arritjen e dëshirës e cila vjen si synim dhe si urim.

Në disa raste, qasja poetike shfaqet me fillesën e vargut me anë të foljeve: “Nisem pa kohë, /
kthehem pa kohë, / endem pa mend, / gjendem pa mend…”
. Efekti është i qartë: veprimi dhe gjendja janë në të njëjtën shtjellë dhe kjo bën të duket qartë vlimi i ndjenjave.    

Konkretja dhe abstraktja jo rrallë herë na shfaqen pa kufinj mes tyre: “Kishte shumë dritë edhe shumë mall, / kishte shumë shpirt dhe një këngë të pakënduar”. Krijimi të kujton s poeti është në gjendje të shohë më shumë edhe aty ku asgjë nuk duket. Të gjitha poezitë e këtij cikli janë lirikë e e shprehur me një varg të shkurtër dhe poezi pakvargëshe. Duket qartazi se emocioni këtu ka fronin e mbizotërimit.

“A thue asht vegim ere?!” titullohet cikli i tretë ku miksohen brenda së njëjtës lëndë lule, erëra, ngjyra e aroma, reflekse, shikime e ëndrra. Poetit nuk i duhet shumë punë, ndjenjat janë ato që tashmë e tërheqin atë ta ndjekë. Dhe ai, i dorëzuar tërësisht në duart e tyre, ndjehet më i lirshëm se kurrë: “Në sytë e tu hyj fillikat i vetëm, / si dallgë që heq dorë nga deti…”. Janë vargje që na rrëfejnë se ai bashkëjeton me një realitet të përkryer, i cili për të është e tërë bota. Sytë, pasqyra, burimi… nuk janë tjetër veç rrëfyes që na josh ta shijojmë me kënaqësinë maksimale botën poetike në të cilën ai është i përfshirë. Parimi estetik prin në këto krijime ku herë shohim njeriun poet dhe herë poetin njeri: “…me mëshirën si virtyt / dhe me faljen si detyrë”. Pranëvënie të tilla i referohen bashkëekzistencës së dy botëve, si të kundërtat e së njëjtës pjesë, e cila si rezultat sjell përsosmërinë. Poezitë e këtushme vijnë me trajta të shumta dialektore të cilat nuk ia zbehin bukurinë krijimeve, përkundrazi, i shërbejnë autorit për t’u shprehur në një mënyrë ndryshe, qoftë edhe gjuhësisht.

Pason cikli i katërt “Një vështrim hëne”, cikël i cili në fakt të jep përshtypjen e një telajo të zgjeruar natyrore, një peizazhi, ku në vend të penelit dhe ngjyrave, autori përdor ndjenjën dhe fjalën. Kjo telajo fjalësh nuk është tjetër veçse tregues i një mjeshtëri artistike, nga e cila dalin në sipërfaqe vlerat e një poeti që luan me kontrastet dhe paralelizmat. Të duket se tashmë nuk flet poeti por natyra. Prirjet filozofik vënë në pah botën e tij që shpesh bëhet transparente. Poezia “S’e di” është njëra nga ato që konfirmojnë kredon poetike ku idea e kërkimit të dritësimit me anë të qiriut, zbulon brendi mendore e shpirtërore që tejkalojnë qëllimet personale. Qëllimet humaniste dhe ekzistencialiste i tejkalojnë shumëfish ato personale dhe lënë vend për interpretim të shumëfishtë.

Cikli pasues “Në shtatë ditë udhë” përshfaq si në një pasarelë shtatë ditët e javës. Autori, në emër të kohës, në emër të së shkuarës e të së ardhmes, i referohet së tashmës, ashtu siç janë të sendërtuara brenda tij jo vetëm renditja por edhe manierat e veprimeve në secilën ditë jave. Vërehet prirja që ai të bëhet njësh me të gjithë njerëzinë në mënyrën se si e jeton dhe e përjeton një cikël javor, apo njërën nga ditët. Referimi ndaj elementeve kozmogonike dhe antike krijojnë tabanin ekzistencial të fillesës kur asgjë nuk ishte siç sot është. 

“Mëkati i dytë”, vjen si cikël i gjashtë. Imagjinata poetike vjen herë në trajtën e rrëfimit e herë në trajtën e ëndërrimit. Verbi këtu peshon me një tjetër masë pasi autori na njeh me synime që vetëm poetikisht mund t’i realizojë. Përsëritja e historisë së fillesës së jetës njerëzore, kupto: mëkatit njerëzor, në një tjetër tokë, qoftë ajo edhe Hëna, përbën një gjetje të bukur për të treguar se njeriu nuk ndryshon kurrë, dhe po ashtu kurrë nuk vë mend nga mësimet e nxjerra në histori. Mëkati dhe njeriu, një binom ku njëri nuk mund të imagjinohet pa tjetrin. E megjithatë, njeriu e ngushëllon veten në besimin tek Zoti, qoftë edhe në fjalë të urta që e mbushin me besim. “Mbahemi humnerash pa e ditur, / se fati po na shtyn në një rrëpirë…” Ky diskurs hap portën e diskutimeve për dilemat e mëdha të së panjohurës, ashtu si vetë jeta, fati, arti të cilët duam t’i posedojmë maksimalisht e jemi aq të vegjël për të ditur më shumë se ajo që na ofrohet: “…e shkuara s’më kujtohet, / të ardhmen nuk e njoh… ”. Koha, pluhuri i saj, ngadalësimi i hapave renditen herë si këngë e herë si elegji. Autori flet mes kontraste kohësh, realitetesh, ndijimesh dhe përjetimesh. Tema të tilla tregojnë kulturë poetike për përqasje meditative: “Nën këtë nënqiell / pesë mbretëri kapërcehen…”.

I shtati cikël, “Do të shkruaj me ujë”, e gjen autorin në lojë me fjalën. Ai luan me të në kuptimin e përsosmërisë estetike, duke e tjetërsuar herë në ujë e herë në ajër, herë në shi e herë në mur. Konsideroj se poezia “Fjalët prej ujë” shfaqin qartazi misionin e tij jo thjesht si poet por si misionar i fjalës.  Autori shkruan me ujë, e ngjyros fjalën, e hedh atë në ujravara dëshirash (“Do të shkruaj me ujë”) dhe e gjitha kjo zhvillohet brenda një trilli që nuk fle. Larmia figurative prek kulmin me pastërtinë e fjalës si kumt dhe ndjenjës si qëllim. 

“Ajo urë…” vijon me krijime ku përvijëzohet dëshmia se rruga e artit është pafundësisht e bukur. “E jeton një çast” është kulmim me hamendësime imagjinare të ndjenjave. Autori herë struket e herë bëhet i dukshëm teksa kalon në lumin e jetës, të pendesës dhe të vdekjes.

E gjithë prona e tij është kjo: guri dhe eshka nga e cila ndez zjarrin. Poezia mbaron me një moralizim të fuqishëm mbi dilemën nëse duhet të jemi a duhet të kemi: “…një zjarr / që del prej gurit të zemrës, / nuk duhet ta ndrrosh / as me flori!”

Vetvetja, egoja përballë çmimit të jetës dalin si triumfe të vlerave njerëzore në joshjen e pafund prej mashtrimesh e makiazhesh të rrejshme. Himn për të vërtetën do ta quaja krijimin me titull “Me një prill”. Shtegu i verbër si metaforë e theqafjes shfaq këshillën e njeriut të mirë për të mos pësuar ndërsa mendimi pozitiv shfaqet kur autori vargëzon: “…Mendo veç ujë e shih një det!”, sepse mjafton të kemi qoftë edhe vetëm njërën nga dashuritë: “…tokën, detin a qiellin!”.

Cikli i nëntë “Murg mbi një fjalë e mbi një varg” hapet me poezinë që tregon rëndësinë fundamentale të momentumit (“Vjen fryma”) si qelizë e jetës e cila shkon si një hapje-mbyllje qepallash. Pavarësisht të gjithave, uni është aq i rëndësishëm për t’u ndërtuar dhe respektuar, pasi ai është vetë qenia e njeriut. Sprova më e mirë e tij është dita e vështirë, tatëpjeta: “…U rrëzuam, / kur u vramë e kuptuam, / na dhëmbi, / por duruam / e nuk ikëm nga vetvetja…”. Qartësia e shprehjes u jep poezive kuptimshmëri të lartë dhe kësisoj ato bëhen të dashura dhe të prekshme. Në dalldisjet e ndërdijes poeti fluturon herë verbërisht e herë të tjera me mend, për të prekur caqet e koshiencës për të cilën ai din dhe dëshiron të dijë sa më tepër. Koncepti i njohjes së vetvetes na kujton misionin ekzistencialist se njeriu pa njohur vetveten nuk mund të njohë botën.

Nxjerrja e definicioneve të vargëzuara: “…e qeshura dhe loti rrëshqasin së bashku” janë mësime brilante të përfituara nga ditët e farkëruara në vështirësi, dhimbje e vuajtje. Janë të shumta poezitë që vijnë me një mision të tillë ku kontrasti i shërben realizimit të idesë jo thjesht për qëllime didaktike: “…Dhe në ujë me kripë / zë e ëmbëlsohet”.

            Cikli përmbyllës “Shpëtimi do të vijë nga një (V)arkë” u qaset temave apokaliptike, të gjenezës së jetës, të më të parës fillesë, për të cilat poeti interesohet në emër të vazhdimësisë. Zanafilla, varka, akti i krijimit, Big Bengu janë morfema që hyjnë në leksikun poetik të botës së tij për të ndërtuar një ligjërim që i flet botës me vetë historinë e saj, me vetë gabimet dhe pësimet e saj. Krijuesi poet ka shpirt të ndjeshëm. I dhemb historia e njerëzimit duke e ditur se është i pamundur për të ndalur a ndryshuar diçka: “…Dëgjohen orakuj / që flasin përnjimend, / për pragjet, praglindjet, pragvdekjet…”.

Narracioni pozitivist shndërrohet në subjektiv sidomos kur bëhet fjalë për poetët. Meqë i përket kësaj kategorie të njerëzve të artit, poeti Loka e mundëson dëshirimin edhe në rast se është i pamundur: “…veç poetët, / të gjallë ose të vdekur, / përmes fjalës / do të mbërrijnë dikur atje…”.

Dëshira për të qenë atje ku duhet, qartësohet jo thjesht si nevojë por si domosdoshmëri. Pikërisht poezia “Ishulli i fjalëve” që i ka dhënë titullin tërë vëllimit, tregon botëkuptimin / përcaktimin e tij tokësor dhe jo qiellor, në kuptimin e të qëndrueshmes përballë inekzistentes së etershme. Ndaj, siç thotë poeti, ata, poetët janë njerëz të krijuar nga Zoti, ndërsa poezia është art i krijuar nga njerëzit poetë. Ky formulim vulos një status të qëndrueshëm të poezisë, jo thjesht si krijim imagjinativ, por si krijesë e dalë nga shpirti dhe brendia e njeriut.

            Procesi i krijimit të Nikollë Lokës i ngjan një rrjedhe të natyrshme lirike, e cila në pamje të parë duket e qetë dhe e shpenguar por në secilin lexim dhe rilexim të detyron të kapësh një tjetër mbi ose nënkuptim. Kuptimet e dyfishta janë të vendosura aq lehtë sa të japin pështypjen se qëndrojnë rastësisht aty. Një zgjedhje të tillë stilistikore realizohet qëllimshëm, duke i qëndruar besnik natyrshmërisë, si element apriori i domosdoshëm në artbërje. Vargjet e tij kanë një dimension të shtrirë gjerë jo thjesht në mendim por edhe në përjetim. Ato japin mundësinë e evoluimit brenda vetvetes, në kapjen e realiteteve të shtresuara njëra mbi tjetrën. Kjo tregon se bota e tij poetike vjen mes balancimesh dhe kapërcimesh që e bëjnë krijimin të shfaqet përmes një teknike origjinale vargimi.

Poezia e N. Lokës është thjesht dhe qartë një poezi e mirëfilltë, e cila kësaj here, me vëllimin “Ishulli i fjalëve” shënoi një arritje të re që duhet njohur dhe vlerësuar realisht.   

Doli nga shtypi libri “Ishulli i fjalëve”.
Redaktor:Fran Tanushi-


Reçensente dhe parathënia: Migena Arllati


Design:Mimoza Vasku-
Botimet “Emal”, Tiranë 2020 

*Dergoi per Diellin: Nikolin Kurti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ishulli i Fjaleve, Migena Allrati, Nikolle Loka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT