• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

8 dhjetor 1990

December 8, 2017 by dgreca

8 dhjetor 90-4NGA RESHAT KRIPA/Dhjetor 1990. Atë  ditë  çifti   sapo   kishte   zbritur  nga   treni  në  Blerina kishte  një seminar mbi problemet e shkollës. Natyrisht edhe Arbëri nuk mund ta linte vetëm. Po ecnin  drejt qendrës ku ndodhej salla në të cilën do të zhvillohej seminari. Një lëvizje e pazakontë filloi në rrugë. Shiheshin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që vraponin për diku. Arbëri dhe Blerina u shtangën. Për ku vraponin vallë? Ndaluan një djalosh që po ecte pranë tyre dhe e pyetën.

  • Tek qyteti studenti, u përgjigj ai. – Filloi!
  • Çfarë filloi?

Djaloshi nuk u përgjigj. Kishte fluturuar.Instiktivisht edhe  ata  u  nisën  drejt  vendit  të  treguar  nga  djaloshi. E  harruan  fare seminarin. Sa më tepër i afroheshin aq më tepër shtohej turma që nxitonte për të mbërritur. Dëgjoheshin thirrjet entuziaste që gjëmonin:- E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

  • A thua erdhi me të vërtetë dita jonë? – Pyeti veten Arbëri.

Blerina e dëgjoi dhe pyeti:

  • Çfarë thatë…
  • I dëgjon? Janë ditët e përmbysjes së madhe.

Së  fundi  arritën. Sheshi  ishte  mbushur  plot  e  përplotë   me   njerëz  që  thërrisnin  dhe brohorisnin. Së  fundi  në tribunën e ngritur me këtë rast hipi një nga studentët e universitetit të kryeqytetit. Ai filloi të fliste. Thelbi i fjalimit të tij ishte një ultimatum drejtuar qeverisë për pluralizëm politik, për ta bërë edhe Shqipërinë si gjithë Europa. Fjalët e tij mezi dëgjoheshin nga brohoritjet e shumta që nuk kishin të sosur. Në përfundim të fjalës së tij ai theksoi:

  • Ne jemi për sistemin shumë partiak dhe do të qëndrojmë deri në fitoren tonë për  këtë sistem. Liri, demokraci!

Dhe turma oshëtiu:- Liri, demokraci! Liri, demokraci!

Oratorët nuk kishin të sosur. Midis tyre kishte  edhe  disa  që  Arbëri  i  kishte  parë  duke dhënë kohët e fundit intervista në median  televizive  “Zëri i Amerikës“ të cilën ai e dëgjonte për çdo ditë. Një pjesë prej tyre kishin qemë funksionarë të lartë. Një pjesë tjetër bij funksionarësh. Kjo gjë sikur i shkaktonte një ngërç. Këtë ia shprehu Blerinës.  Ajo e vështroi drejt e në sy dhe i tha:

  • Kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë të keqen që ka patur përbrenda dhe të  fillojë  një jetë  të re.
  • Më fal, – iu përgjigj ai, – ke të drejtë.

Në podium u ngjit një burrë me një mjekër të vogël dhe  musteqe.  Çuditërisht  Arbërit  iu duk  si një fytyrë e njohur.

  • A e njeh? – E pyeti Blerina.
  • Më duket fytyrë e njohur por nuk arrij ta identifikoj.
  • Është Ibrahimi.
  • Ibrahimi? Paska lënë musteqe dhe mjekër?Ndërkaq ai kishte filluar të fliste:Të nderuar studentë dhe qytetarë të kryeqytetit! Më lejoni t’ju  përshëndes në emër të të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre për këtë ditë të shenjtë. Ne jemi në krahun tuaj, ne jemi me ju!

Dhe vijoi të ligjëronte e të ligjëronte.- O Zot! – pëshpëriti Arbëri  –  çfarë po më shohin sytë?

Blerina nuk  foli. E la në botën e tij, në ëndrrat e tij.

Oratorët  vazhdonin  të  ndërroheshin. Një  burrë   e  mori  fjalën.  Filloi  të  fliste  me  një gjuhë  që  e rrëmbeu të gjithë turmën. Sa më tepër ligjëronte, aq më tepër turma ekzaltohej.

  • Kush është ky? –  Pyeti Arbëri.

Blerina heshti. Arbëri ktheu kryet nga ajo dhe po e vështronte.

  • A e njeh? –
  • Është kushëriri im, djali i Resulit.
  • Djali i Resulit?
  • Ka mbaruar shkencat politike. Ka zëvendësuar të atin që ka dalë në pension.

Arbëri zuri kokën me të dy duart. Sytë iu errën. Nuk fliste dot. Papritmas u ndie një zë:- Arbër!

Ktheu  kryet.  Para  tij  qëndronte  doktor  Istrefi.  U  përqafuan.  Arbëri  e   prezantoi  me Blerinën.

  • Bashkëshortja ime,  –   dhe   duke   u   kthyer  nga  ai  azhdoi:  –   Doktor  Istrefi,  një nga shpëtimtarët e shumë jetëve në burg.
  • Arbëri nuk iu lëshonte nga goja, – tha Blerina duke i dhënë dorën
  • Mos harroni edhe qëndrimin tuaj dinjitoz, e nderuar! –  Iu përgjigj ai.
  • Ejani të ikim, –  ndërhyri Arbëri.

U nisën. Kur mbërritën tek sheshi kryesor i kryeqytetit Arbëri i shtriu dorën doktorit dhe i tha:

  • Mirë u takofshim i dashur!
  • Sonde nuk keni ku shkoni, –  u përgjigj doktori. –  jeni të ftuar tek unë për darkë.

Ndërkaq po afronte mbrëmja. Arbëri  u  mundua  të  justifikohej  gjoja me një  punë  që  e priste  në qytetin e tij dhe duhej të ikte patjetër, ndaj duhej të nxitonin të kapnin trenin e fundit. Por këmbëngulja e doktorit e detyroi të pranonte. Familja e doktorit përbëhej nga e shoqja dhe djali me bashkëshorten dhe një vajzë tre vjeçare. Kur e kishin arrestuar doktorin kishte dy vjet që ishte martuar dhe e shoqja  sapo kishte lindur. Kështu që djali, sikurse dhe Arbëri, u rrit vetëm nën kujdesin e nënës dhe pa prezencën e të atit. Megjithatë edukata dhe morali nuk i munguan. Ato i ishin ngulitur në shpirt nga e ëma që sakrifikoi gjithshka për të. Mbaroi gjimnazin por rruga për më lart ishte e mbyllur. Pasi u lirua i ati, u martua me një vajzë që punonte në ndërrmarjen e tij, me të cilën u dashuruan. Si rezultat i martesës u lindi vajza që u bë gëzimi i shtëpisë, Grua, – foli  doktori  sapo  hynë  në  shtëpi, –  na  përgatit  një darkë të  mirë  por,  më parë, sillna shishen e rakisë dhe gotat pasi ne meshkujt do e kthejmë nga një gotë.

Bisedat nuk kishin të mbaruar. Kujtonin  kohën e tmerrshme që kishin kaluar në errësirën e burgjeve apo tmerret e kampeve. Kujtonin shumë nga miqtë e përbashkët që i kishin mbyllur sytë larg të afërmve të tyre dhe që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot. Por biseduan edhe për ditët e sotme dhe për lëvizjen e madhe që kishte shpërthyer. Flisnin për lëvizjen por edhe për protagonistët e saj. Kishte midis tyre shumë personalitete të shquara të vendit  që ia vlente t’i ndiqje, por kishte edhe sharlatanë të politikës që nuk kishin lënë të zezë pa bërë dhe tani dilnin si ithtarë të lirisë dhe demokracisë.

  • A e  dëgjove  djalin  e  Resulit, –  filloi Arbëri, –  ka  zëvendësuar  të  atin, drejtor   në drejtorinë  e sigurimit në Ministrinë e Punëve të brendëshme dhe sot ligjëron për liri dhe demokraci. Nga kush e kërkon? Mos vallë nga vetja e tij? A thua ka harruar se ati i tij ka torturuar qindra njerëz, një prej të cilëve kam qenë edhe unë? Qetësohu Arbër, – foli doktori. – Koha do t’i eliminojë ferrat që mbijnë rrugës.
  • Po Ibrahimin  e  dëgjove, –  vazhdoi  Arbëri. –  pa  le,  na  fliste  edhe  në   emër  të  të përndjekurve politikë. Kujt të përndjekur? Mos vallë të atyre që i spiunoi dhe i futi në burg? Dale të  hapim  televizorin  se   erdhi  ora  e  revistës  televizive, –   tha  doktori  duke dashur  të ndërrojë bisedën.Spikerja e televizionit po fliste për një takim që udhëheqësi i partisë dhe i shtetit kishte organizuar me drejtuesit e protestës.  Në atë çast fjalën e kishte studenti që hapi manifestimin. Ishte një djalë trim. Pa ia bërë syri tërr po ia përplaste në fytyrë udheheqësit. Ai mundohej me një dhelpëri të ulte tonet e bisedës, por ishte e kotë. Midis të pranishmëve dalluan edhe figurat e Ibrahimit dhe djalit të Resulit. Atë mbrëmje ndenjën duke biseduar deri në mesnatë.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: 8 Dhjetor 1990, reshat kripa

ANTOLOGJI E VOGËL POETIKE ME POEZI TE KOLEGEVE PER DITELINDJEN E POETIT FASLLI HALITI

December 4, 2017 by dgreca

GEZUAR DITELINDJEN POETIT FASLLI HALITI-DIELLI/

22 faslli Haliti

PERSHENDETJE Z.EDITOR I DIELLIT/

ME 5 DHJETOR, KA 83-VJETORIN E LINDJES POETI DHE, GJYSHI IM,

FASLLI HALIT, ME KETE RAST EDHE UNE MBESA E TIJ PO JU DERGOJ KETE

ANTOLOGJI TE VOGEL POETIKE ME POEZI NGA KOLEGET ME  DESHIREN QE

TA  SHOH  TE BOTUAR NE GAZETEN TUAJ, TE FAMSHME, ” DIELLI” SI NJE

KUJTESE NGA SHOKET E KOLEGET E TIJ  DHE PER KOLEGET, SHOKET, LEXUESIT

NGA ANA E VETE ATIJ.

                                               Krisa Ruli  (Grey)

 ANTOLOGJI E VOGËL POETIKE ME POEZI TE KOLEGEVE PER DITELINDJEN E POETIT FASLLI HALITI

FATBARDH RUSTEMI

 1 fatbardh-rustemi

 KUQALASHËT DHE POETI /

                                                             Faslli Haliti

 Jam ndjerë i përdorur,

jo se ma kanë hedhur,

nuk mund të them se s`ma kanë punuar…

Duke luajtur me bezen e kuqe

kuqalashët më kthyen në një dem të tërbuar.

Ata nuk luanin me rrezikun,

sikurse ndodh me një teroador hero,

Sepse mua më kishin llogaritur

në një shtojcë të vetes, dosido.

 

Një Koz Dynjaja me beun hopa,

Një Koz Dynjaja me beun hopa,

e namin ma hapën si frikacak,

Por në shpirtin tim flakëroi revolta

dhe s`njoha idhuj e butakë!

 

Atëherë kuqalashët më rrasën lopatën

Në vend të penelit delikat…

Si e si të më bënin qole

Një shall të kuq më lidhën në qafë.

 

Më gallavitën me të kuqen,

Në dekor të qytetit më mbajtën peng,

Nëse ditën shkruaja parulla

Natën komplotoja bashkë me Kadarenë

I shoh kuqalashët në ditën e pashkës

Të lyejnë vezët me bojë të kuqe,

Njësoj si dikur rrëmojnë nëpër vargje

Se mos gjejnë në to mbeturina parulle.

 

LIR L E V O N J A /

1-ilir-levonja

Gëzuar ditëlindjen poet                                         

                                                       poetit Faslli Halitit

Gëzuar ditëlindjen poet,

ti mësues, burrë, prind e gjysh,

qytetar, lektor,

koferencier,

piktor i sofizmave si dromca shiu,

që arti i mbledh për zjarrin e vatrës…,

….. gëzuar me shumicë.

Gëzuar sikur me qenë afshi i kësaj stine

ku vrunduj ere me duargjethe mbushin rrugët,

e dielli hapet pash derisa të gjejë edhe skajin e fundit

më të fundit,

më të skajshim – atë që e gjete edhe ti –

prandaj ka pranverë, verë vjeshtë dhe dimër,

ta dish poet.

Gëzuar mbi të gëzueshmen

rreth një tavoline,

mes adhurueseve tek bredhi i Buçit

në Lushnje,

gëzuar poet

edhe shtatëqind e shtatëdhjetepesë vjet!

PËRPARIM HYSI

4 Perparim Hysi

POR S’U NDALE, PROMETHE

                                  Faslli    Halitit

Ti piktor seç shkruaje vargje

Seç “gatuaje” në një magje.

Dhe me gjuhën e Ezopit

Seç i bije “Babazotit”

Liliputët nëpër zyra

Lëpijnë kocka,prehin thika

Dhe vendosën:”Lër arsimin!”

Ndal pikturën,ndal dhe shkrimin!

Shpejt në fshat;larg nga qyteti

“Edukim” kërkon pushteti

Korre jonxhë,hape kanale

Pas të rri “hija tinzare”

Por s’u ndale,Promethe

S’pyet për”diell” apo “rrëke”  *

Dhe u rrite nëpër vite

Ata poshtë,po ti u ngjite.

I shkurtër nga shtati

I madh si njeri

Lushnja të krenohet

Me poet si ti.

ULLMAR  QVICK

5 ULLMAR QVICK

DIELLI  I  SHQIPËRISË

Sa herë, nëpër muzg, nëpër mjegull

Përtej trishtimit të nëntorit nordik

Kam parë me sytë mbyllur

Dritën e diellit të Shqipërisë.

Ky diell më djeg lëkurën

Atje në plazh të Durrësit

Më përshëndet si mik nga rinia

Kur më mori flakë shpirti

Më mori flak shpirti

Mori flak se e ndezi Migjeni

Me rrezet që ranë në tullumbat

E Lulit të vocërr.

 

Më mori flakë shpirti

me rrezet e furisë  së Faslli Halitit*

Dielli dhe rrëkerat luftuan

Mbi çatinë e shtëpisë së tij.

 

U mblodhën pa mëshirë

në poezi me dritë e terr

por fjalët u tretën

në rrebeshët e stinës.

 

Dhe më mësoi Fatos Arapi

se nuk janë udhët pa fund të jetës

si këto rrze të diellit

që çajnë drejt universitetit.

As statujat s’janë të pavdekshme

E dinë tani, e dinë

E pavdekshme është vetëm

Dashuria që mundi shekujt.

Bile me sy të mbyllur, aman

Sa herë kam parë

Nëpër muzg, nëpër mjegull nordik

Dritën e diellit të Shqipërisë.

Dhjetor 1990

*Poet nga Lushnja. Poema e tij «Dielli dhe rrëkerat», u botua në gazetën «Zëri i rinisë» më 16 dhjetor 1972. U bë objekt sulmi  për përmbajtjen e saj satirike

BAJAME HOXHA (ÇELIKU)

bajame-hoxha

POETIT FASLLI HALITI

 Shpirtin Plotë petale

Jeta gjithë stuhi

Ditët dallgë e valë

Gjithnjë pashë tek ty.

 

Pashë dhe poezinë

Thellë, thellë tek ty

Shkonë në lartësinë

Ndritë porsi hyjni.

Frymëzim i blertë

Ngre peshë edhe malet

Duket n’horizont

 

Vargu me petalet.

Çdo poet në Lushnjë

Çdo poet i ri

Do nëpër vargje do të ketë

Patjetër pak Faslli.

  1. «MËKATI» I PRANVERËS…

« Mëkati» i pranverës,, te Faslli Haliti,

te sythet e tija, te gjethet e zgjimit,

„ pranvera sykaltër,,mua më  mahniti,

Ky poet i madh, i solli dritë  agimit.

 (  nga libri Puthja)

FERDINAND LAHOLLI

 7 Ferdinand Laholli

NË KROIN E FJALËS TËNDE

Faslli Halitit                  

U përkula në kroin e fjalës tënde

dhe piva diellin e artë të mendimit.

Në rrugën drejt vetes, ku rigon terrdhembje,

po fekson festivi ylber i besimit.

KËSHTU NDODHKA ME FJALËN

F. H.

Bëhet urë ndër kohëra.

bëhet urë ndër njerëz,

kur rrënjët i paska në truallin e zemrës.

 (  nga libri «urrejtja nuk është dashuria ime» )

2008.

QERIM SKËNDERAJ

 8 Qerim Skenderaj

POET I VARGJEVE “TË VERDHA”

   (Faslli  Halitit)      

Ti prap ke mbetur Ai

Një “libër i verdhë”, i ndaluar,

Me vargjet plotë diell në liri

Pikment i fjalës së shkruar!

2008.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Koleget me vargje, urime ditelindjen

NJERIU I SHENJAVE TË MËDHA

December 2, 2017 by dgreca

NGA SINAN KAMBERAJ/

1 Sinani

NJERIU I SHENJAVE TË MËDHA/

Saherë vinte në New York – /

Në Zemrën e Tokës së Shenjtë/

Ai fliste mendueshëm/

Për Shenja të Mëdha/

Për Shtëpinë -/

Që e ruan Zoti /

Dhe Miqtë …/

Pastaj –

Për Gurët për Diellin

Për Tokën e Qiellin …

Por, tek fliste për Zjarrin –

Që duhej shuar

Se, po ra –

Mund të digjte gjithçka të gjallë –

Më bëhej se i shtohej

Një rrudhë më shumë në ballë …

Njerëzit pëshpërisnin

Dh’e vështronin me habi

Si mund ta shuante

Zjarrin –

Me Frymë

Ky Njeri?!

*

E vështronim me dhimbje

Kur ndahej prej nesh

Në Aeroportin Kennedy …

Tek shpërndërrohej

në një Lejlek krahëthyer

Që fluturonte me nxitim –

Me ankthin se Mullenjëzezat –

mund t’ia shthurnin Folenë

Majë Oxhakut të Kullës –

Në Dukagjin …

*

Dhe vitet shkonin

Borë thinjash reshte

Mbi koka të njerëzve

Që prisnin Mrekullinë…

Po –

Ai s’e humbi kurrë Besimin

Se Dielli i Naimit –

Lind andej nga Perëndon …

Dhe vitet shkonin …

*

Çatia zu’ të pikonte pikëllim

Nga dhimbjet e trarëve

Që kërkëllinin –

Në Acarin e Dimrit

të Vetmisë së Madhe

Qindvjeçare!

*

Dhe –

Kur pakkush besonte

Se Dita e Premtuar

Do të hapej nga Qielli –

Rrathët e Ferrit të Dantes

Po çaheshin me gjëmim

Nga uturima e Zogjve të Zjarrtë

Mbi Qiejt e Ballkanit –

të shituar nga Qoftëlarg’ja Plakë …

Err e terr: Flakë – flakë!

Njerëzpengjet Dardanë

Po iknin pikëllueshëm në një Karvan Biblik

Si dikur moti  nē Jug –

Sivëllezërit e tyre Moreanë

Ata shfaqeshin e çshfaqeshin trishtueshëm

Si hije –

Drejt horizontit të përflakur

Ku pritet Qielli më Tokën…

Njerëznumrat –

Në podrume rrënojash

Flisnin me gishtërinj:

Një, dy, tre … dhjetë –

Shtatëdhjetetetë!

 

Njiqindvjetnet!

*

Dhe

Papritmas –

Bashkë me Mrekullinë

U përmenden dh’e panë

Me sy të lbyrur

Kufirin e Ferrit!

*

Tashmë –

Lulëkuqet kishin shpërthyer

Në pellgje të njoma gjaku

Mbi pirgje kufomash

Në ara e livadhe

Në korie e grykëmale …

*

O Zot!

Ç’Diellmejt po lindte

Bashkë me dënesa bonjakësh

E gulçima Nënash të dhunuara …

*

Dhe –

Kur u çel Qielli i Dardanisë

Të gjallët –

Rikthyen tē folmen e moçme

Me jehona Alpesh;

– A jeni njehë, ore-e!

– O, po ore, po-o-o!

Dhe filluan ta masin kohën

Me Shenja të Reja:

Para Rugovës dhe Mbas Tij!

________________

New York, 2 dhjetor

(Në ditëlindjen e Tij)

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: I SHENJAVE TË MËDHA, njeriu, Sinan Kamberaj

RRUGËTIMI FILOZOFIK I PROF.DR.ISUF LUZAJT

December 1, 2017 by dgreca

maxresdefaultPËRURIMI I STUDIMIT “RRUGËTIMI FILOZOFIK I PROF.DR.ISUF LUZAJT”  I  AUTORES VILHELME VRANARI HAXHIRAJ “MJESHTRE E MADHE”. /

1 Haxhiraj-Isuf-Luzaj

Nga Uran Butka-studiues, historian, drejtor i Institutit të studimeve “Lumo Skëndo”/1 Vilhelme-Vranari-Haxhiraj1

Instituti i Studimeve Historike“Lumo Skëndo” përuron sot studimin “Rrugëtimi filozofik i Isuf Luzajt”, i shkrimtares  Vilhelme Vranari ” Mjeshtre e Madhe e Penës”botim i Shtëpisë Botuese Nacional, 2017. Kjo është një ditë e shënuar, sepse: 1-Kjo vepër përurohet në institutin, që mban emrin e Mid’hat Frashërit, gjeniut dhe shërbestarit të kombit.

2- Prof.Dr.Isuf Luzaj ishte bashkëluftëtari i ngushtë i Mid’hat Frashërit  në luftën për një Shqipëri të lirë, demoktatike dhe etnike.

3-Kujtoj se, Prof. Luzaj arriti të bëhej një personalitet i shquar i kulturës dhe shkencës me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, “Profesor i Merituar i Amerikës”, titull i dhënë nga Presidenti i SHBA Ronald Regan, “Mjeshtër i Madh”, si dhe “Nder i Kombit Shqiptar”.

4- Luzaj është autor i 120 veprave në fushën e filozofisë, letërsisë, historio-grafisë dhe artit, këto të vlerësuara ndërkombëtarisht.

5- Sepse ky studim për rrugëtimin filozofik të Prof.Dr.Isuf Luzajt është i denjë dhe i vlefshëm, është një vlerë e munguar për kulturën shqiptare.

6-Së fundi, sepse, personalisht, kam nderim, vlerësim dhe ndjesi të veçanta për Profesor Isuf Luzajn,  i cili ka qenë dhe miku e bashkëluftëtari i tim eti, Safet Butkës, të dy nacinalistë të shkolluar në Perëndim, profesorë në Liceun francez të Korçës dhe në Shkollën Tregtare të Vlorës, liderë nacionalistë të Ballit Kombëtar, luftëtarë antifashistë por edhe kundërshtarë të komunizmit, të internuar nga italianët në Ventotene, ku edhe Isuf Luzaj krijoi epopene e qëndresës me titull “Prozepopea”, kushtuar Safet Butkës.

 Kopertina e studimit “Rrugëtimi Fiilozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”

Studimi  “Rrugëtimi filozofik të Prof. Dr. Isuf Luzajt” dhe në mënyrë të veçantë analiza e thellë e librit filozofik “Ekzistenca dhe Boshësia”, përbën një risi dhe njëherësh një vlerë në studimet shqiptare, ndaj Vilhelma meriton një falënderim të madh për kurajon, përpjekjen për t’u lartësuar edhe vetë në filozofi, zhbirimin e mendimit dhe të analizës shkencore të saj. Për të arritur deri këtu,edhe asaj, ashtu si kundër edhe Isuf Luzajt, i është dashur një rrugëtin i gjatë dhe i mundimshëm jo vetëm në udhën e krijimtarisë letrare, por edhe të studimit dhe të dijes filozofike, pa të cilat s’mund të hynte dot në botën e mistershme Luziane.

  Le a ndjekim me pak fjalë rrugëtimin e Vilhelme Vranarit në udhëtimin filozofik të Profesorit me famë botërore:

Kaniniote, nga  familja e shquar shqiptare e Gjergj Aranitit, ajo trashëgoi genet e të parëve të saj, ndonëse koha e goditi pamëshirshëm. E damkosur dhe e përndjekur si familje e deklasuar nga regjimi komunist,  duke ngrënë bukën e  hidhur të botës, duke i mohuar si profesionin, dhe diplominin, por edhe punësimin. Megjithatë ajo arriti të kompletohej me arsim të lartë për histori-gjeografi, pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 1990, ajo rigjeti vetveten e mohuar. Pjesëmarrëse aktive në lëvizjen demokratike, kryetare e gruas demokratike të Vlorës për të mbrojtur dhe promovuar te drejtat dhe liritë e gruas dhe të fëmijëve. Vilhelma, një nacionaliste dhe demokrate, është në udhën e Midhat Frashërit, Hysni Lepenicës, Isuf Luzajt, por duke qenë edhe vetvetja në jetë, në veprimtari dhe në botimet.

Vilhelme Vranari është një shkrimtare tanimë e mirënjohur, një penë e fuqishme dhe shumë prodhuese e letërsisë shqiptare, në mjaft gjini : prozë, poezi, ese, publicistikë, studime, fabula, letërsi për fëmijë etj…, me mbi 40 vëllime të botuara.  Ajo është nderuar me çmime prestigjioze brenda dhe jashtë  vendit, si Mjeshtër e madhe , çmimi “ Skënderbeg”  prej Ministrisë së Kulturës Italiane , “Pena e kristaltë” Suedi, çmimi i parë për poezi në Firence, çmimi i parë në Mal të zi, medalje ari, argjendi dhe mirënjohje në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Rumani, tre çmime karriere në Shqipëri, si edhe Nderi i Kaninës, e cila i shkaktoi dhimbjet e mëdha dikur, por edhe vlerësimet e mëdha sot, Kanina e saj, por edhe Vlora. Si autore shqiptare është përkthyer në Rumani dhe Greqi. Është e përfshirë në disa antologji në Shqipëri, në Angli, Itali, Suedi, Greqi, Rumani etj.

Sot ajo paraqitet me  studimin filozofik “Rrugëtimi filozofik  i Prof Dr. Isuf Luzaj”, ku përqëndrohet sidomos në esenë filozofike “ Ekzistenca dhe boshësia”  , ku autori trajton marrëdhenien mes ekzistencës  dhe inekzistencës, mendimit racionalist dhe teozofisë, shkencës dhe besimit.

Veprat shkencore filozofike, letrare  dhe memoriale të Isuf Luzajt, por edhe kontributi i shquar si pedagog në universitetet më të rëndësishme të Vatikanit, Argjentinës dhe SHBA, e kanë bërë të njohur në tërë botën. Mjafton të përmendim vlerësimin e Luis Borgesit: “Lexova Ditarët tuaj dhe jam i gëzuar që një poet i huaj ka arritur lartësi akademike. Ju kini lindur poet!”

Vlerësimi  i Fan Nolit është tejet impresionues: “I dashur Lap! Do të vish këtu si delegat i filozofisë nga universiteti i Buones Airesit; kishën e Shëngjergjit e ke si shtëpinë tënde dhe të pres vëllazërisht”

Studimin filozofik të veprës së Isuf Luzajt në Shqipëri e ka nisur studiuesja Vilhelme Vranari, e cila u pergjiget pyetjeve : Ç’është ekzistenca? Ç’është boshësia? A është ekzistenca një objekt i vërtetë? Raporti mes unit dhe botës që na rrethon? Evolucioni i formave, i mendimit dhe i ndërgjegjes. Doktrinat teiste dhe ateiste. Komunizmi një doktrine antinjerëzore etj.

Ja sesi e përcakton Luzaj sistemindoktrinar  komunist:”Komunizmi është një doktrinë antinatyrore e jetës, kundër ligjeve të natyrës, e dënuar të falimentojë, pasi është false dhe i mungon arsyetimi logjik, është një trill i imagjinatës së sëmurë të utopistëve. Si i tillë është i gabuar, pa themel në arkitekturën e ndërtimit të ideve të asaj ngrehine, që quhet jetë”.

Mendoj që vepra filozofike e Isuf Luzajt do të jetë objekt i studiuesve të filozofisë , por edhe i shkencave te tjera. Intelektualët, studiuesit, shkencëtarët, studentet do të gjejnë në veprat e tij një nga filozofët më të mëdhej të shekullit XX.

Ndërkohë Instituri Histotik “Lumo Skëndo” merr përsipër botimin e plotë të veprës së  Prof. Dr.Isuf Luzaj në një kolanë disavëllimshe.

Vlerësoj botuesin e veprës “Rugëtimi filozofik i Prof. Dr.Isuf Luzajt”, z. Mujo Buçpapa , poet i mirënjohur,  i vlerësuar dhe i përkthyer në disa gjuhë, botues i njohur i gazetës Nacional, ku shqiptarët nga tërë hapësira shqiptare  gjejnë veten me krijimet, kritikat, publicistikën  dhe  studimet e tyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: I PROF.DR.ISUF LUZAJT, RRUGËTIMI FILOZOFIK, Uran Butka, Vilhelme Vranari

INTERVISTË ME FUSHËN

November 30, 2017 by dgreca

 ….Dhe hashashshi/

Edhe kanabisi/

S’përmbahen./

Hashashshi/

Edhe kanabisi /

Harbojnë/

Si dy tepistë blroshë,/

Tërbimshëm tërbojnë të dy/

Luginave, skërkave, kodrave maleve/

Pa u trandur në diell, breshër,/

Dëborë,

Shi

Duke sfiduar,

Duke mospërfillur

Prokurorë,  gjyqtarë  polici …!

Faslli Haliti/…………………………………

1-Faslli-haliti (2)

Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»

 INTERVISTË ME FUSHËN/  

 PROLOG/

Myzeqe moj fushë/

Myzeqe /

Moj fushë/

Ti ishe hambari ynë /

Me misër të bardhë si sermë /

Ti ishe hambari ynë me grur të artë,/

Me grurnja të floririnjtë, të verdhë …!/

***

Fushë

Fusha ime

Bari yt brus,

Është prapë i blertë më ?

Mos u zverdh vallë i blerti,

Mos vallë u përcëllua, u tha?

Po

Gruri,

Derdhet si dikur

Fushave të myzeqesë

Kur kullonte pika ari çdo kalli,

Mos do kemi prapë zi të zezë buke,

Mos do kemi prapë karesti ?

Po

Misri ?

Bleron tej në ҫair

Apo zverdhet sapo mbin

Si dikur pa kalli në thatësirë?

Po

Pambuku

Zbardh 

Fushës  mbarë

Siҫ zbardhte  vite, dekada më parë?

Si

Si, si, si,

Misri thahet nga etja

Për një pikë ujë kanali të ftohtë,

Dhe s’arrin të çojë

Një kalli kaҫot ?

Kjo është karesti biblike, fusha ime dikur gjithë drithëra!

Ky është trishtim biblik moj fusha ime, fushë

Që misri, gruri  yt

Të mos arrijnë

Të çojnë

Kallinë,

Të mos na japin bukën,

Ky është më shumë se trishtim

Kjo është më tepër se karesti biblike

Ky është një trishtim më tej se ҫdo trishtim…!

Si,

Si, si, si?

As pambuku

S’çon, nuk çel boҫe

Qoftë edhe një boçe të vetme?

Perëndoi dielli ynë kështu  si dielli i Austerlicit

Deri sa edhe një një boçe

Të  mos çeli

Dot ,

Gjersa edhe një gonxhe pambuku

Fushave  myzeqare të mos zbardhet sot?

As edhe një boҫe të mos ҫel në ҫdo pad

Sa për t’i vënë një shtupë të vdekurit

Në puzë

Kur të niset për në Had?

Po

Pjepri,

Bostani

Shalqiri

Kungujt  e verdhë,

Varen si dikur në ferrë?

Si?

Dhe

Pjepri

Shalqini

Me t’u shinjur,

Me t’u zverdhur,

Kërkojnë shoping,

Kërkojnë ekzil ekonomik europian,

Pretendojnë tregun botëror  nëpër botë

Tejembanë

Nuk  i pranojnë

Si ezilantë ekonomik

Si biznesmenë ezilantë

Sikur pjeprat të jenë terroristë,

Sikur pjepri shalqini të jenë mbushur

Jo me ëmbëlsi, por me tritol, si kamikazistë.?!

Po

Hashashi,

Kanabisi

Harbojnë,

Më shumë se gruri

Më shumë se misri tërbojnë ?

 

Dhe hashashshi

Edhe kanabisi

S’përmbahen.

Hashashshi

Edh kanabisi

Harbojnë

Si dy tepistë blroshë,

Tërbimshëm tërbojnë të dy

Luginave, skërkave, kodrave maleve

Pa u trandur në diell, breshër,

Dëborë,

Shi

Duke sfiduar,

Duke mospërfillur

Prokurorë,  gjyqtarë  polici …!

Pa le pastaj

Ndonjë

Apo

Dy, tre,  pesë a gjashtë Parti !

***

Propozimi im:

Të shtohen policët dhe rojat civile

Sepse jo vetëm demat,

Mëshqerrat,

Delet,

Deshët

Po tërbohen

Por po tërbohen

Edhe politikanët tan ë,

Deputetët, pushtetarët

Por po na dehen, po na drogohen

Edhe  partiakët me kanabis, me  pseudopolitikë

 

Vendi po mbulodet me horra narkotikë …!

EPILOG

Eh moj fushë,

Moj fushë

Fushë

Fushë

Si je katandisë!

Hambar buke në vite, në dekada,

Sot një superhambar deng me hashash, kanabis…!

Gusht 2016 – nëntor   2017

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Interviste me Fushen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT