• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SITJE LSASGUSHIANE

February 15, 2016 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

Breshëri shpon Liqenin,/
E bën shoshë atë./
Me shoshën gri/
Liqenore/
Unë shoshis/
Retë e zeza qiellore./

Nje vesë shiu i imët,/
Si niseshte/
Bie /
Nga/
Qielli/
Mbi të…/
Shiu i imët, i mët,
Si miliona gjilpëra të holla
Të sermëta, si fije mëndafshi,
Shpon sipërfaqen e kaltër të liqenit,
E bën liqenin një sit të imët, të imët, të imët…
Me sitën e imët, të liqenit Lasgushi sit mjegullat Mjegullat,
sit ai:
Sit e sit,
sit e sit,
sit e sit…
Tëhollë petët kaltërore të poezisë së tij çdo ditë,

Përjetësisht, përjetësisht, përjetësisht….

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Halti, SITJE LSASGUSHIANE

Dashuritë e njeriut-Cikël poetik nga Ilir LEVONJA

February 14, 2016 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

JEMI LARG/
e di që je larg/
që jam larg/
ma thotë tingulli në vesh/
që mezi e arrin borën e maleve të tu/
dhe zbrazëtia e këtij qyteti/
ku në këtë orë të mesditës/
endet e përditshmja me reshje shiu si kurora pemësh/
endem edhe unë nga njëra kabinë telefonike në tjetrën/
fryn shi e ftohtë/
ndërsa përpara shikoj pufet e së të bardhës në çatinë tënde/
duke të dëshiruar duke të shikuar se si kullohesh/
në një dritare sa shtegu ku kaluam dikur të dy/
dhe ndofta atje në qytetin tonë/
era e mesditës u rrëfen dy të dashurarve të tjerë
rriskun e ndarjes që mbahet pezull tek ca gjethe gështenjash
të kuqërremta si duar foshnjash kur luajnë me dritën
të mundin largësitë
të mos çapiten nëpër shtigje me kokën mënjanë
të ecin dorë për dore
në katër stinët
që janë edhe jeta e tyre

Mos ke frikë të thuash të dua/

Mos ke frikë të thuash të dua,
Nuk ka asgjë të gabuar, asgjë, asnjëherë.
Sikur edhe një minutë të jesh i dashuruar,
I thuaj të dua sot, nesër dhe përgjithnjë.
Mos ke frikë ta thuash se nuk gënjen,
Nuk mund të gënjesh kur dikush të pëlqen.
Edhe pse bajate mund të duken fjalët që thua,
Thuaje marrëzinë e bukur që ndodh një herë.
Mos ke frikë edhe pse mund të të thonë jo,
Të paktën asgjë nuk ka për të rënduar brenda teje.
Më mirë i refuzuar, nga një bukuri si ajo,
Se sa i refuzuar prej vetes tënde.
Mos ke frikë të duash, ndaj duaj
Atë që syri kap, atë që vështrimi ndjek.
Dhe asnjëherë mos ki frikë të thuash të dua,
Dhe mos u tremb të duash me gjithë mend.

Balancë /

Vjen një orë afër mbrëmjes
Kur ty të duket vetja si ai zogthi i vetmuar,
Mbështjellur sa një grusht frike,
Në një degë të hollë prej kërcelli
I bërë nga uji gjysmë i ngrirë;
I cili çast-më-çast mund edhe të thyhet.
Ndaj flakërojnë përtej dritares tënde
Horizontet e rrufeve si shtrigat e natës.
Dhe gjymi yt i ngjan fëmijës së trëmbur
Që luan nga sikleti lojën me tu fshehur.
Hej, dashuri, mos e nëm veten,
Duke ia kujtuar fatin sikur të jetë një portë
E cila për dikë hapet dhe për ty nuk hapet.
Duke menduar se mes njerëzve
Asnjëherë nuk ka balancim;
Për fate të njëllojta, për qetësi, siguri, etj.
Më kot torturohesh,
Më kot frigohesh.
Sy qeshur me një çarçaf të pastër,
Ashtu siç bënte e mira nënë,
Që për t’i ndjerë butësinë e
Afronte tek faqja,
Ndjeje edhe ti kurmin e trupit tim.
Avitju shtratit të mbrëmjes
Për të parë ëndrrën plotësuese,
Që në anën tjetër ma prishi mua mbarimi i natës.
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit mirëmëngjes,
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit natën e mirë.
Kështu edhe pse larg
Kapur dorë për dorë jemi. Se, a e di?
Nëse nuk pushon pylli,
Nuk ka se si të kulloj kurmin toka.
Sado skajesh,
Sado horizontesh,
Pa këto duar kapur,
Nuk ka natyrë të qetë.
Nuk ka as botë të balancuar,
As kthjelltësi planeti.

Kam diçka

Gjithmonë kam diçka për të thënë
Diçka – sapo ti ikën dhe unë ndihem kaq keq
Sikur ti kurr nuk ke për të ardhur;
Dal tek dera, por e zbrazët avullon rruga
Që nganjëherë më duket sikur do çahet
Dhe ti nuk do kesh mundësi për të ardhur;
Gjithmonë kam diçka për të thënë,
Qoftë darkë apo mesnatë e vonë,
Nxitoj të kthehem të të shoh fjetur;
Pa mundur të të them diçkanë,
Thjesht për qejfin e mëngjesit.
Po diçka tjetër mbetet prapë
Në fundin e filxhanit,
Dhe unë që dal turravrap
Tek dera, sikur ti kurrë s’ke për të ardhur.

U rritën pemët/

Atëhere ishin të vogla
Dhe rrugët dukeshin
Sikur do i shkonin botës
Deri në fund;
Dhe unë
Më për kollaj
E kisha.
Të të shihja
Që nga larg,
Sapo dilje
Tek porta nën pjergull,
Ishin motake pemët.
Sot janë bërë bulërimë,
Kaba,
Pyll,
Errësirë.
Ka humbur porta nën pjergull
Jeton një fërshëllimë.

Dashuritë e njeriut/
pak gjëra i duhen njeriut

një bibliotekë ku fle një libër i pashkruar akoma 

i patërhequr asnjëherë 

i palexuar po asnjëherë 

ai është edhe më i bukuri

pak gjëra na duhen

fare fare pak 

një qytet ku dikush ruan fshehtas ca letra dashurie 

kur dikush tjetër tërheq perden dhe pikohet në rrugë 

aty ku një i panjohur pret si statujë poshtë një peme 

atë që fle akoma dhe nuk zgjohet qëllimisht

dhe një tjetër 

një i pagjumë i radhës 

nga nata që vijon dërgon çmendurisht sms të zjarrta 

në kohën kur dikush tjetër 

e afron në jastëk një fytyrë 

dhe flenë bashkë 

bash atë çast jete kur dikush tjetër mori arratinë 

ashtu ngacalicur mbledhur nën jakën e palltos 

me zhurmë hapash të herta

të shpejta

ky qytet na duhet

ky që të bën të kthehesh hera herës 

edhe pse për dikë tjetër 

arsyeja e kthimit ka vlerën e qindarkës

por është një univers ndjenjash për ty 

pra qyteti yt

pak gjëra i duhen njëriut

aty midis memories 

emra me kohë rrugësh

dhe një dashuri e tillë si ajo

ajo që nuk ka ndodhur

ajo që është edhe e pamundur për tu rrëfyer

ajo e jotja

ajo është edhe më e bukura

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Dashuritë e njeriut, nga Ilir LEVONJA

DY ALPINISTË TE HUMBUR MBI HUMNERAT E DAJTIT

February 14, 2016 by dgreca

Tregim/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
Thonë se detarët, kur janë në det të hapur, i merr malli për tokën, ndërsa në tokë kanë mall për detin. Kështu ndihej edhe Berti në ekskursionin drejt Jugut, gjashtë vjet pas luftës, me dyzetë shokët e tij bashkënxënës. Me shtatin pakëz të përkulur, ai binte në sy në fund të rreshtit. Me pushkën belxhik pa fishekë mbi sup. Pa kapele. Me batanie rreth qafës. Me xhaketë e pantallona ushtarake angleze. Me paguren cingo austrohungareze në rripin e belit. Me një çantë shpine ushtarake gjermane e me opinga gome. Në orën e nisjes nxënësve u dhanë nga tri vezë të ziera, bukë e një pako me marmalatë molle, që u squll e u derdh udhës nga vapa.
Udhëtimi më këmbë në atë korrik të nxehtë, zgjati plot një muaj, nga fushat në male. Në pisk të vapës nxënësit i hidhnin hapat njëri pas tjetrit të munduar nga etja, shpeshherë të uritur, të heshtur e të menduar, me kokën ulur, mbuluar me peshqir, duke parë opingat e atij që ecte përpara, në kërkim të gjurmëve të luftës në kohë paqeje. Natën shpesh humbisnin udhën në pyll e flinin nën pemë apo në kasolle bagëtish, madje edhe në sofate xhamish. Të gjithë i tërhiqte diçka joshëse pas reve lart në male. Pasi kalonin rrëke e lumenj nga një mal në tjetrin, në qafa e maja e mbi humnera, në të zbritur shpejtonin hapin të përmalluar për fushat, qytetet e shtëpitë e tyre.
Ai ekskursion me armë në kohë paqeje, sa i këndshëm po aq i rrezikshëm dhe i trishtuar me viktima, e kishte bindur Bertin të mos u qepej më atyre udhëve të vështira e pa kuptim, si muhaxhirët e dikurshëm, duke bezdisur me ato hyrjet e shpeshta e të papritura në fshatra banorët e atyre zonave.
Tani tek sodiste nga dritarja e shtëpisë Dajtin përballë, ku dikur në lashtësi në brigjet shkëmborë përplaseshin dallgët e Adriatikut, i tunduar nga kujtime të fashitur, ëndërronte një ikje, në gjirin e natyrës, i lirë si shpend fluturak. Në ditë me vranësira ai mal madhështor, me honet e majat rresht, ahe e pisha, shkozë e dëllinja, humbiste larg prapa reve, por në orët, kur dielli në kaltërsi ndrinte pafundësinë, krijohej përshtypja sikur natën kishte lëvizur në krah të detit e në mëngjes qe shfaqur më afër qytetit. Kjo dukuri mbase ishte një nga shkaqet, që e joshnin Bertin drejt Dajtit.
Një ditë dhe një natë maji.
Aty nga viti 1957, papritur e pakujtuar, në fjalimet e qeveritarëve u vërejt një gjuhë më e zbutur, njëfarë lirim litari.
Ç’ndodhi në të vërtetë? Drejtorët në shkolla e shefat në punë, gazetat dhe radioja, njoftuan të rinjtë të merrnin pjesë në piknikun e madh të majit në afërsi të Dajtit. Pra, nuk do të shkonin në fshat me kazmë e shat e lopatë, por për argëtim.
E diel. Pranverë! Lulet ngjyra-ngjyra kishin shpërthyer nga gonxhet në kopshtet e në livadhet e blerta jashtë qytetit. Zogjtë me cicërima lëvrinin mbi gardhe e nëpër degë pemësh. Grupe – grupe vajza e djem, me çanta e qeska qysh në orët e para të ditës, u nisën më këmbë drejt Linzës. Disa ecnin nëpër rrugën e makinës, disa përmes shtigjeve, që prisnin shkurt. Me ta u bashkuan edhe Berti me Hamzain. Kostën nuk e gjetën në shtëpi. S’dihej nga kishte shkuar me motoçikletën shkataraqe Java, që shpesh e linte në mes të rrugës. Ishte viti i parë i punës. Hamzai qe i fejuar, kurse Berti beqar. I pari dashuronte nusen, i dyti adhuronte natyrën. Sado miq të ngushtë, ata nuk ngjanin njëri me tjetrin në sjellje e aftësi. Hamzai kishte shkëlqyer si student, sidomos në matematikë, kurse në punë gëzonte simpatinë e drejtorit, që e quante “ekonomist me duar të arta”. Berti bënte çmos të mësonte prej tij, veçse ia kalonte në sport dhe për krijime letrare, megjithëse ato flinin të pabotuara, thellë në sirtar, dhe ishte vetë që i lexonte në qetësinë e natës. Por, ai njihej, siç thamë, edhe si udhëtar i çartur. A nuk i kishin ngrënë brirët atëherë, kur qe rreshtuar në ekskursionin e paharruar drejt Jugut? Hamzai në disa raste, qe i papërmbajtur dhe ngulte këmbë për çdo mendim të papranueshëm nga të tjerët, ndërsa Berti ishte më i durueshëm. Në shah luanin rrëmbyeshëm, larg çdo teorie. Një ditë u shkrepi të udhëtonin me biçikleta për në Durrës. Pa u menduar hollë, zgjodhën rrugën e përpjetë me dredha e gropa të Ndroqit. Hamzai udhës u lodh aq shumë sa fajin për atë udhëtim ia ngarkoi Bertit. Ky, i qetë përbri tij, e nxiste: “Jepi! Ja, edhe pak dalim te plepat!” Pamja nga kodrat e Adriatikut e mbushi Hamzanë me besim. Fytyra e tij u çel nga njëfarë gëzimi përzier me dhimbje fizike.
Tani, pa u takuar me Kostën, i cili vendoste për gjithçka, miqtë tanë u nisën për në piknik. Me vete kishin marrë ushqime, si djathë me bukë pesëdhjetëshe, vezë të ziera, sheqer në fishek letre dhe biskota, nga ato që kërcisnin ndër dhëmbë, të famshmet “ingranazhe”. Për argëtim Berti nuk kishte harruar të merrte sazen e gojës “Bravi alpini”, e mbetur në sirtar. E pati blerë dikur në dyqanin privat të veglave muzikore, “Abaxhoglu e bij’’, që njihej me reklamën: “Muzika është ushqim i shpirtit”. Hamzai mbante në dorë një shkop, me të cilin godiste majtas e djathtas gurë e plisa. Në ecje e sipër njëri kishte hedhur mbi sup xhupin me pambuk, tjetri – xhaketën gri.
Të gjithë sa ishin u mblodhën në një fushë të blertë më sipër Linzës, rreth e qark me pemë. Atje vendosën çantat e qeskat, u ulën e pushuan pak. Pastaj lëvizën poshtë e lart. Disa u ndanë në skuadra për volejboll dhe futboll. Shumë vetë zunë vend rreth muzikantëve, ose u rreshtuan krahpërkrah para fotografëve, ca të tjerë u endën më kot të gjenin burimet e një përroi, që rridhte atje pranë. Pas atij argëtimi të zhurmshëm hëngrën e pinë dhe së fundi morën udhën e kthimit për në shtëpi.
Zgjimi i një dëshire
Kur të tjerët po iknin, të dy shokët rrinin mënjanë në një sop. Berti hidhte sytë drejt majave të Dajtit, kurse Hamzai trembte me shkop një grenzë, që sillej duke zukatur, herë rreth flokëve, herë pranë këmbëve të tyre.
– Sa mizë e poshtër, edhe pa e ngacmuar, befas vjen e të thumbon! – shfrynte ai.
– Ashtu ndodh vërtet! – tha Berti. – Ndërsa bleta, vetëm kur mbron mbretërshën dhe veten! Veç, ndryshe nga grenza, për ironi të fatit, e paguan me jetën…
– E godita! Ngordhi pisja! – thirri Hamzai me krahun e zgjatur poshtë, pastaj pyeti: – Ç’presim më? Ec të ikim edhe ne!
– Ikim! – Berti u kthye prapa me vështrim nga mali. – E, si thua? Ia mbajmë përpjetë nga Dajti?
– Çfarë!? Në Dajt!? Bah!
– Deri te livadhet, ku është ndërtesa e kampit. Ja, atje! Shih sa qartë duken drurët poshtë majave! Shtegu shkon drejt.
Hamzai për një hop heshti.
– Jo, unë do të kthehem. Më presin në shtëpi.
– Po nuk është aq larg. Kemi një rast të rrallë, që nuk përsëritet shpesh!
Hamzai hodhi sytë drejt humnerave.
– Në ç’vend do të ndalojmë?
– Atje, pra, te livadhet! Pastaj, me ndonjë makinë të rastit, në mbrëmje do të jemi në shtëpi.
– Nga cila udhë do të kalojmë?
– Përmes shtegut, djathtas tubacionit të ujit, që pret shkurt deri lart.
– Jo! Jo! Eja të kthehemi!
– Ashtu? – Ik, atëherë! Unë do të ngjitem vetëm.
Hamzai ra në hall. U ngrit më këmbë me pamje nga qyteti, vuri njërën pëllëmbë si trehë mbi sy. Dielli i palëvizur ndrinte në hapësirë.
– Sa është ora afërisht?
– Pothuaj dy.
– Mirë, vetëm me një kusht. Deri në kamp.
– Po. Si të duash ti!
– Atëherë, ec përpara.
E kështu, si në përrallën me qingja, ata u ndanë nga tufa.
Për te livadhet mbi humnerë, morën përpjetë shtegut përbri tubacioneve të ujit, që zbresin e kapërcejnë rrugën e makinave.
– Kjo udhë na nxjerr lart, më shpejt! – tha Berti, ndërsa hidhte hapat lehtë e lehtë, pa vështruar pas. Edhe Hamzai e ndiqte këmba – këmbës pa u ndier, e për çudi, nuk mbetej larg tij në asnjë çast. Dielli i majit pas shpine u jepte kënaqësi, kurse era çlodhëse e dëllinjave ua lehtësonte të marrurit frymë, në atë ecje malore mbi gurë, shtufë dhe rrëkeza. Ik e ik! Freskia që përshkonte shtatet e tyre qe një shenjë e mirë. Hap pas hapi, mesa kuptohej, po qaseshin në krye të humnerës, në afërsi të shkorretës. Në mbarim të saj, pas afro tridhjetë minutave, kur shkelën tokën e butë, shfaqja e majave të malit në qiell do të thoshte se kishin dalë në tarracën e famshme apo në Belvederen mbi qytet, ku dikur në lashtësi dëgjohej gjëmimi i valëve të detit.
Maja e Dajtit
Me të dalë nga shkurret, vunë re një vijë uji, që dilte nga prapa një dushku e rridhte tatëpjetë. Duke ecur buzë ujit, pak më lart, zbuluan burimin. Atje pastruan duart e fytyrën, shuan etjen e u shtruan të hanin pak nga buka e mbetur me biskotat, si meze. Copën tjetër të bukës Berti e futi në xhep për më vonë.
Të ulur në atë vend të blertë nga një krah vështronin poshtë qytetin, kodrat e fushat dhe pak më tej detin, në krahun tjetër brezin me dushk e shkozë përzier me shkurre, që merrte përpjetë nga ngrihej mali. Gjurmë njerëzish humbisnin në disa drejtime nëpër pyll. Pasi pushuan përreth gjysëm ore, Berti u çua më këmbë. Hamzai nuk lëvizi nga vendi. Tek shihte me vëmendje permes drurëve një nga majat e malit, tha:
– Harrova të të pyes, a ka kafshë të egra këtej?
– Çfarë!?
– Arinj, arinj?
Berti qeshi, duke zbuluar katër dhëmbët e parë, që ia shtonin hijeshinë, kur ishte në humor.
– Po me se do ushqehen në këtë mal ata!? Me gurë, apo me degë pemësh!? Pushka dhe ushtria u kanë kallur datën ndaj ia kanë mbathur përtej kufirit, mbase disa fshihen në malet e veriut.
– Po ujq?
– Edhe ata thuajse janë shfarosur nga uria e nga plumbi. Hajt, çohu të ikim, se zumë rrënjë pranë dushkut!
– E di ç’ke? Në kamp shkojmë më vonë!
– Po këtu ç’do të bëjmë? Të shohim poshtë qytetin e të gjejmë, ku bien shtëpitë tona?
– Ja, si është puna! Unë s’jam ngjitur në asnjë majë mali si ti. Meqë na prure deri këtu, si thua, a ngjitemi atje?
Hamzai me dorën e shtrirë përpara, tregoi një nga majat e Dajtit.
Berti vështroi në atë drejtim. Hamzai, pa e ditur, i kishte treguar majën më të lartë.
– Si? Në atë majë? – Nga ajo lutje e papritur, ai ra në mendime. Lartësia para syve, tani s’ishte më as imagjinatë, as ëndërr, por diçka e prekshme dhe joshëse.
– Ç’mendohesh si poetët!?
– S’është aq lehtë sa duket, o profesor!
– Hajt, jepi! Mos përto!
– Ashtu!? Çohu, atëherë! Ec pas meje!
Por, në atë nisje me hamendje e kuturu, as vetë Berti s’dinte ç’krah të mbante. Gjurmët shkonin në disa drejtime. E vetmja udhërrëfyese, ku duhej të arrinin, ishte vetë maja. Në ecje e sipër pa ndaluar askund, i shoqëronte dielli që hidhte dritë-hije para këmbëve tek shkelnin mbi bar, gurë, shkarpa e gjethe të kalbura vite me radhë. Me të hyrë në një zonë të pyllëzuar, rrezet humbën nëpër degët e drurëve. Hijet e shtuan edhe më freskinë, aq sa ata ngritën jakat e kopsitën njëri xhupin e tjetri xhaketën. Heshtje kudo. Nuk dëgjohej asnjë zë, asnjë cicërimë, apo gurgullimë ujërash. Edhe ata vetë merreshin vesh vetëm me duar e sy. Berti u kujtua për sazen “Bravi Alpini.” Ndaloi pak dhe rrëmoi nëpër xhepa. E gjeti së fundi të strukur në astarin e xhupit. U mbush me frymë dhe nisi t’i binte vetëm refrenit të melodisë nga kënga e harruar e serenatave korçare “O Margarita, o Margarita!” Më tej, iu mor fryma, ndaj e ndërpreu këngën dhe sazen e hodhi në xhepin tjetër. Kur lanë pyllin, u doli përpara një pllajë e zhveshur nga drurët. Atje i ranë shtegut tërthorazi mbi një truall të butë me gjethe të ngjeshura fort, si mbi tapet persian me ngjyra të ndezura. Kapërcyen popla gurësh e degë drurësh të hedhura nga era aty – këtu. Dhe ja, mbi ta në qiell u shfaq maja! Ajo për çudi, herë afrohej, herë pa pritur largohej e zhdukej, sikur luante syllambyllas me ata dy njerëz të panjohur që përparonin drejt saj, djathtas e majtas, e pasi humbisnin udhën, pa dashur ktheheshin mbrapsht. Në ato minuta që s’kishin të mbaruar, Hamzai ecte pas Bertit, pa u ankuar. Ik e ik, ngadalë e ngadalë, përpjetë e përpjetë. Maja po merrte trajtën e një bregoreje me bar. Një dru i vetmuar me degë të rralla i rrahur nga era, hepej nga perëndimi. Lodhja dhe rrezet e diellit sajonin ndër sytë e tyre figura nga më të çuditshmet. Bertit i bëhej një si ari i përgjumur që ngrohej nën rrezet e diellit, ndërsa Hamzait një ujk, me veshët ngritur në përgjim. Hap pas hapi, hë këtu, hë atje dhe ja, maja më e lartë e Dajtit po dorëzohej si një dele e butë. Duke u ngjitur edhe më sipër, ecën përbri njëri – tjetrit. Sapo kthyen pak djathtas, u ndalën në drejtqëndrim në bregoren e blertë. Para tyre u ndeh hapësira e gjerë: në përëndim deti, në veri malet e Krujës, lartësitë mbi Mirditë e Theth me Korabin mbi re; në Jug – grumbull malesh me Tomorin hijerëndë mbi krye, kurse në lindje, male mbi male, humbisnin në mjegullnajë e largësi.
Udha e kthimit
Ata djem, që s’ishin anëtarë të asnjë klubi sportiv, në ato çaste tek po thithnin ajrin e pastër malor në lartësi, kishin pamjen e dy alpinistëve më të çuditshëm, mbase në gjithë botën. Qenë si askush tjetër, me veshmbathjet e zakonshme të punës, pa orë e pa hartë, pa dylbi e pa fener, pa çekiç, të palidhur me konop, për më tepër, pa alpinistin e tretë që shmang rreziqet e befta në humnera e rungaja malesh. Ata dy djem të heshtur në sfondin e reve, në një prej majave më të larta të malit, u ngjanin të arratisurve, që ndoshta kishin humbur udhën e tani mbi bregoren e blertë, me një farë ndrojtjeje, shikonin në qiell e tokë, kufirin e panjohur e tragjik midis varfërisë e mirëqenies, dhunës e lirisë. U bëhej, se ndodheshin në qiell, në një botë tjetër, të patrazuar nga shqetësimet e pasiguria e jetës tokësore.
Para se të zbrisnin, pa e ditur se ku, u ulën të pushonin pak. Tek rrinin shtrirë, ashtu më nge, në krahun e maleve, kur u kthyen prapa, vunë re me habi se dritat ndrinin nëpër qytet, ndërsa dielli hileqar qendronte pezull mbi detin e përskuqur. Berti brofi më këmbë. Poshtë në livadhe pa vetëm gjysmëterr.
“Nuk iu besoka diellit, këtu në lartësi! – tha me vete i shqetësuar. – Ai paska perënduar me kohë prapa kodrave midis Ndroqit e Vorës!”
– Çohu! – thirri. – Oburra, të ikim, se na zuri nata në mal!
E lanë bregoren me ngut dhe mbërritën në pllajën e pjerrët mbuluar me myshk të ngjeshur. Atje, të ulur mbi degë drurësh si në slitë, rrëshqitën mbi tapetin e gjetheve teposhtë. Zbritja qe aq e shpejtë, sa brenda një kohe të shkurtër, hynë përsëri në pyll dhe ecën me nxitim.
Humnerat
Si bënë edhe një copë udhë, dolën në zonën e shkurreve, kur nata me hënë e yje mbulonte tarracën nga kreu në fund. Nga qyteti vinte vezullimi i dritave, si prej një prozhektori vigan. Pa pushuar vrapuan të gjenin shtegun përbri tubacioneve për në rrugën e makinës. Tek nxitonin të lodhur nëpër shkurre, errësira i hutoi. Ata ecën si në tym në një shteg të ngushtë, që zgjatej djathtas. Ecën rreth një orë. Diku Berti u ndal të përgjonte zhurmën e një përroi, që vinte nga poshtë. Kur hodhi sytë përmes shkurreve, pa vetëm errësirë. Për çudi, brenda një rrethi të ndritur, iu shfaq një lopë me kokën ulur, që kulloste pranë dy mullarëve me kashtë. Fërkoi sytë. Pamja u zhduk. U kthye nga Hamzai e tha:
– Kemi marrë udhë të gabur!
– Atëherë, zbresim këtu!
– Ashtu thua ti? Pa shiko! – Berti u kap pas dy degëve të trasha, zgjati këmbën e djathtë poshtë dhe preku vetëm ajrin. U kthye mbrapsht dhe thirri: – Këtu qenka humnerë! Kthehemi andej nga erdhëm!
– Jo! Jo! Vazhdojmë më tutje!
– Për ku? Mos ke qejf të fluturojmë mbi humnerat e Shkallës së Tujanit? Kthehu!
– E dija, se nuk do të vija shëndoshë në shtëpi! – rënkoi Hamzai pa lëvizur nga vendi.
Berti e humbi durimin dhe e goditi me grusht në shpinë.
– Ec, të thashë! – ulëriti.
Hamzai heshti.
E kështu, pa thënë më asnjë fjalë, u kthyen dhe i hodhën hapat me kujdes, dalëngadalë. Hamzai përpara e Berti, një hap prapa, i jepte zemër. Udha e kthimit përmes shkurreve në kërkim të vendit, ku qenë ngatërruar, u hëngri goxha kohë. Sapo mbërritën në një truall i zhvehur, zhurma e përroit të padukshëm po ndihej më lart. Befas, duke mos u besuar syve, vunë re përpara refleksin e rrezeve të dritave, që vinin nga qyteti mbi një send të pjerrët.
– Tubacionet! – thirri Berti dhe shpejtoi hapin.
– Ndalo, të pushojmë pak këtu! – u lut Hamzai me gjysëm zëri – S’eci dot më, u lodha!
– Mirë, pushojmë.
Të dy u shtrinë me shpinën mbi bar, njëri në anë të shtegut, tjetri pak më larg, pranë shkurreve. Tek çlodhej, Berti sodiste i qetë yjet në qiell, me njëfarë kënaqësie. Dëgjonte qartë edhe rrjedhën e ujit diku poshtë. Pamja e tubacioneve e kishte gëzuar pa masë dhe qe gjithë besim se tashmë ajo aventurë po merrte fund. Gati sa nuk po binte në një gjendje përgjumjeje, kur e tronditi krisja e një druri dhe thirrja e frikshme e Hamzait: “Rashë, rashë! Obobooo!” Berti brofi nga vendi e u sul nga erdhi e thirrura. Rrëzë shkurreve u ndal. Pa vetëm terr. “Humnera!”, tha me vete i tmerruar. U kthye nga mali e në kulmin e dëshpërimit bërtiti:
– Ho! Ho! Ndihmë! Hoo!
Nuk iu përgjigj askush. Një dritë lëvizte lart nëpër errësirë. Ai thirri përsëri: – Ho, ho! Ndihmëëë!
Heshtje, trishtim e lot, vetëm përroi lajmëronte se viktima ishte atje në shtratin e vet, nën humnerë. Ai hyri në shteg dhe vrapoi për te tubacionet. Atje mori djathtas tatëpjetë, la udhën e, sipas zhurmës, gjeti bregun e përroit. Andej u fut në rrjedhën e ujit, që zbriste shkallë pas shkalle. Duke u mbajtur nëpër shkurret, që vareshin nga dy brigjet, nuk u nda nga shtrati me shtufë, zall e gurë, deri sa hyri në një pellg të cekët, tek i mësuar tashmë me errësirën, pa trupin e Hamzait përmbys mbi ujë e shtufë. Pranë tij shtrihej një degë e thyer. Mesa kupohej, ai i mbajtur fort pas asaj dege, qe rrëzuar nga lartësia në ujë. Iu afrua dhe e preku në sup.
– Hamza, Hamza! – i foli me zë pak.
Asnjë përgjigje. Kur ia kaloi dorën lehtë mbi qafë, vuri re se ishte gjallë.
– Hamza! Si je? – e pyeti.
Ai nuk iu përgjigj.
Kur i preku shputat e këmbëve, kuptoi se njëra i qe enjtur jashtë mase. Hamzai bërtiti:
– Oh! Mos më prek!
Pa dëgjuar kundërshtimet e ankimet e tij për dhimbjet e forta, e tërhoqi zvarrë jashtë ujit. Ç’mund të bënte për të në atë gjendje të rëndë, i vetëm mes asaj gropeje të humbur? I ra ndër mend se më poshtë ndodheshin kantieret e gurores. U orvat ta ngrinte e ta mbante mbi shpinë. Qe një mundim i kotë! E vendosi mbi bar e i hodhi përsipër xhupin.
– Prit këtu! – i tha. – Kthehem shpejt! Mos u mërzit, se s’ke gjë!
– Mirë, ik! – foli duke rënkuar Hamzai.
Berti, pa humbur kohë, u ngrit dhe ndoqi rrjedhën e përroit, herë në ujë e herë në brigje. Sa më poshtë zbriste, brigjet dukeshin më të lartë. U përpoq të ngjitej me duar e me këmbë sipër tyre, për të parë zonën ku ndodhej. Pa u kapur mirë në sop, rrëshqiste e binte në ujë. Aty ku brigjet u rrafshuan pak, në krahun e djathtë te një shesh pranë rrugës së makinave, pa disa baraka. Doli nga përroi dhe thirri: – Heeej! A ka njeri aty?”
Askush s’i ktheu përgjigje. U sul drejt dyerve dhe trokiti fort me grushta. Nuk u ndez kurrfarë drite e s’u dëgjua asnjë zë.
Shpëtimtarët
Ndërkohë dëgjoi zhurmën e një makine që vinte nga lart. Vrapoi sa i hanin këmbët dhe qëndroi në mes të xhadesë me duart ngritur. Para disa metrave ndaloi një kamion Gaz-51.
– Si asht puna? – e pyeti shoferi.
– Një shoku im ka rënë nga shkëmbi pak më tutje!
– Ou! Çare thu’, or ti!? Hyp shpejt!
Gazi nxitoi tatëpjetë deri te fjetoret e punëtorëve të gurores, ku rruga kthehej majtas. Pa dalë nga kabina shoferi u thirri dy – tre burrave, që rrinin ulur dhe pinin duhan.
– O shokë! Pak ma nalt, asht rrëzue prej shkambit nji çun qyteti!
– Jo, mër jahu! – tha ai i shqetësuar dhe u bërtiti: – Çoniju, eh burra!
Dritat në fjetore u ndezën njëra pas tjetrës.U dëgjuan zërat e atyre, që zgjoheshin. Pas pak, një varg malësorësh zbritën nëpër shkallë dhe vrapuan drejt kamionit. Dy vetë, që mbanin në duar fenerët e vajgurit, pyetën shoferin:
– Ku asht rrëzue, bre?
– Tutje mbi barakat!
– Heu! Ke Guri i Kuq, domethonë, a?
Karroceria u mbush përplot me njerëz të ulur shesh.
Shoferi e ktheu timonin, i dha gaz makinës, e ngau përpjetë dhe frenoi te sheshi i barakave. Të gjithë u hodhën përtokë. Një nga burrat me fener pyeti Bertin:
– E ku asht njitash djaloçi?
– Në fund të greminës.
– Si ia thojnë emnin?
– Hamza.
Vargu i atyre malësorëve të rinj të larguar nga shtëpitë e katundet baritore, u nis me hap të sigurt në rrugën e njohur për në kavat e rrezikshme me gurë. Berti, i çliruar pak nga ankthi, sado i lodhur, i ndoqi pas. E sakaq ushtuan zëra të fuqishëm, që thërrisnin Hamazanë! Nga thellësia e errësirës përgjigjja “këtu jam, këtu!”, i gjallëroi të gjithë. Në çastin kur katër nga punëtorët po mbartnin Hamzanë mbi krahët e tyre, Berti ra përdhé, thuajse pa ndjenja. Dukej sikur donte të flinte e të flinte i harruar atje në mes të shkurreve. Si në endërr dëgjoi një zë të ashpër:
– Ku është ai tjetri?
– Këtu, shoku kapter! Asht vra ene ky i shkreti!
– Jo, jo, s’është vrarë aq shumë! Ngriheni!
Berti hapi sytë. Dy vetë ishin përkulur mbi kokën e tij.
– A t’dhem kund? – e pyeti njëri.
– S’kam gjë. Ndiej vetëm lodhje. – I ndihmuar prej tyre, ai u ngrit më këmbë dhe tha: – Faleminderit!
– Ka me të kalu’ gjithça! Mahu ke na, der’ ke barakat!
Dritat e makinës ndrinin udhën e gurores. Shpëtimtarët e viktimat zunë vend në karrocerinë e Gaz-it-51. Ai doli sërish në rrugë dhe ndaloi para fjetoreve. Punëtorët, njëri pas tjetrit, duke u kapur te spondet, prekën tokën e shtruar me çakull. Gjatë atyre minutave, mbërriti papritur autoambulanca e bardhë e urgjencës.
Spitali dhe Drejtoria e Brendshme
Në spital Hamzanë e shtruan menjëherë në pavionin e urgjencës. Bertin e çuan në infermjeri. Mjeku i turnit të natës pasi e vizitoi, tha:
– Ke shpëtuar për mrekulli, djalosh, përveç ca gërvishtjeve në fytyrë e duar!
Në mbarim të mjekimeve u dukën dy oficerë me uniforma blu, njëri toger e tjetri nëntoger. I dyti iu qas Bertit dhe e pyeti:
– Hë, mo djalë, si je? Ç’të tha doktori?
– Që s’kam gjë! Siç më shihni, shpëtova vetëm me këto fasho!
– Vërtet? S’të dhemb gjëkundi?
– Jo, jo.
– Atëherë, eja të ikim! – tha togeri.
– Po ky?
– Le të vijë me ne në veturë!
Bertin e shqetësuan mendime nga më të ndryshmet, por kur makina doli nga oborri i spitalit e u drejtua për nga qendra e qytetit, pamjet jashtë dritareve ia davaritën ca mendimet e këqia. Veç heshtja e shoferit dhe e dy oficerëve e ngacmonte disi. Gazi frenoi para portës së jashtme të Drejtorisë së Brendshme pranë Selvisë. Zbritën të gjithë. Shoferi pyeti:
– Shoku toger, ç’do të bëjmë medjalin? Ta lëmë të ikë në shtëpi?
Oficeri, duke u menduar, e pa Bertin i shkujdesur dhe tha:
– Ka kohë! Le të vijë njëherë pak lart me ne!
Berti ngjiti skallët i shqetësuar, duke ndjekur çizmet e togerit. Me të dalë në korridorin e sipërm, të gjithë hynë te një dhomë e gjerë dhe e gjatë. Atje ishin nja dhjetë oficerë të ulur në dy krahët e një tryeze ovale.
– Ulu! – i tha Bertit ai që rrinte në krye.
Berti i cfilitur zuri vend andej nga fundi.
– Pa na thuaj shkurt, ç’ndodhi me ju? Mirë pikniku, po atje lart ç’deshët? A e di ti, se keni hyrë në një zonë, tek s’lejohet!
I hutuar nga këto fjalë e nga pamja e oficerëve, që e shihnin drejt në sy, ai ngriti supet, shqeu sytë dhe me pak fjalë tregoi si kishte qenë puna.
– Sa vetë ishit?
– Vetëm ne të dy.
– A patët me vete aparat fotografik? – ndërhyri një kapiten.
Berti, i befasuar nga kjo pyetje, futi dorën në xhepin e xhupit, nxori copën e bukës, e vendosi mbi tryezë dhe tha:
– Jo! Vetëm këtë!
Ajo përgjigje pa kuptim u prit me një farë habie nga njerëzit me uniformë.
– Asgjë tjetër? – foli një major.
– Ah! Për pak harrova! – Bertit iu kujtua sazja. Rrëmoi në xhepat e pantallova, e gjeti, e vendosi afër bukës dhe tha: – Ja, edhe këtë sazen!
Nëpër ato fytyra të vrenjtura rrëshqiti një e qeshur e lehtë.
– E paska humbur fare! – pëshpëriti njëri prej tyre.
Ra heshtja, asnjë pyetje. Nisën muhabete me kujtime nga lufta, kur në ikje e sipër në male, binte mushka bashkë me mortajën në greminë, rrëzohej mitrolozi tatëpjetë e të tjera si këto.
Shefi e mbylli mbledhjen dhe u kthye nga Berti vetullmbledhur:
– Çohu! Ik, se të presin në shtëpi! Dhe herë të tjera kujdes, hë!

* * *

Berti më vonë mësoi se oficeri me gradat e togerit, ndër të tjera e kishte pyetur Hamzanë:
“Mos të dha gjë të shtymën shoku yt?” Ai, duke buzëqeshur i qe përgjigjur se fajtori ishte ai vetë. Hamzai ndenji në spital afro dy javë. Ai tregoi edhe një ndodhi për të qarë e për të qeshur. Në pavion u njoh me inxhiner Rakon, shtruar para një muaji me njërën këmbë të thyer tek ecte në rrugë. Befas kishte shkelur në një katror bosh, ku pllaka qe hequr, ose dikush e kish vjedhur.
Berti, tek shkonte për në shtëpi, me sytë gjysmë mbyllur e fytyrën me fasho, duke i hequr këpucët zvarrë, si mos më keq, me flokët e shprishur, xhupin e pantallonat grisur e shqepur, mënjanohej nën hije drurësh e rrëzë mureve, larg kalimtarëve, që ktheheshin pas mesnate nga dasmat. Nëpër ato hije në atë orë të vonë, ai kishte pamjen e një hallexhiu të dehur e të dëshpëruar.
Ja, çdo të thoshte të dashuroje natyrën e lirë, brenda rrethimit të mallkuar! Mund të përfundoje prapa hekurave të kryqëzuar e telave me gjemba, në galeritë e guvat e minierave-burgje.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, DY ALPINISTË TE HUMBUR MBI HUMNERAT E DAJTIT, Tregim

” N Ë   E M Ë R   T Ë   D A S H U R I S Ë “

February 11, 2016 by dgreca

(Tregim për Shën Valentinin )
NGA SOTIR ATHANASI/
Buqeta me lule qëndronte ende mbi tavolinë. Atë nuk e meritoi as tregimi I fundit që bënte fjalë për sakrificën ditën e Shën Valentinit. Njëzetë kilometra rrugë të përshkuara me këmbë për të takuar të dashurën, u lanë mënjanë e tregimi u rreshtua pranë të tjerave të rëna poshtë si gjethe nga buqeta.  Arsyetimi për t’a vlerësuar ishte jo vetëm llogjik,  por edhe i thjeshtë: Maratonomaku bëri 42 km. e kusur. Vërtet ai shpuri në Athinë lajmin e fitores, por të takosh të dashurën në distancë, mos vallë është më pak triumfuese?
Këtë dëshmi pranuar nga të gjithë, por edhe raskapitjen e  “Maratonomakut-dashnor”, e rrëzoi dikush. Shkaku? Gradiacion I pamjaftueshëm, – tha njëri nga ne që, vazhdimisht metaforat I gjente pranë shishes së rakisë. 
– Sepse të ka ndihmuar hapi I parë që duhet të ketë qënë si I çmëndur, por  veprimi s’qe prej të marri, – tha një I dytë, gjithashtu profesionist në të pirë, por që, kundërtinë e gjërave të dy e nuhasnin dbe dinin t’a argumentonin nga pozicioni I tyre që ua kishte zili çdo mashkull esëll.             Rrëzimi pra, ishte llogjik. Kërkohej e padëgjuara.
Ishim pesë burra dhe të gjithë kishim rrëfyer historitë tona. Secilit nga ne i qe dukur se do të tejshpinte caqet e konturimit në kuotën e buqetës me lule për heroizmin karshi të dashurës së tij.
Kur erdhi ai që do t’a meritonte vërtet këtë trofe-simbol, ( të cilin unë mezi e prisja ), të gjithë, thuajse e harruan shkakun pse ajo orkide zbukuronte dhe ermonte trapezën tonë. Edhe pse  klientela që vinte në lokal do të kthente, mepatjetër kryet nga ne. Zilia e sidomos  lakmia për t’a pasur atë që,  si një fqinjë e dashur për këdo, tundonte gjithkënd.
Se ishte dita e Shën Valentinit dhe kjo ndjehej kudo, sidomos në atë lokal mbushur me rini. Veçse. . .
Dikush madje, i kërkoi një buqetë lule kamarjeres  dhe kur ajo, ngrijti supet e hutuar, ai I tha:
– Të paktën sillna një buzëqeshje t’a vëmë mbi tryezën tonë.  Se është dita e Shën Valentinit.
Por ajo u hutua edhe më shumë për momentin. Kur e kuptoi, u zgërdhi, gjë që nuk kënaqi askënd, aq më pak  klientin. E qeshura e saj ngjante me një trëndafil të zhgaravitur nga shiu e të flakur në rrugë.
Gjithsesi. . . .
Ajo që do të dëgjoni, nuk mund të shpërblehet vetëm me një orkide. Jo. Asnjë kopsht I tërë me lule nuk e përmbush dot këtë rekord të ri e të paarritshëm.
Ne  porositëm birë dhe meze, se të parat I pimë ashtu, thuajse  thatë, ngaqë kamarjeri na kishte sjellë dy pjata mëlçi të përbashkëta.  Kuptohet që njeriu në shërbim u urdhërua të shtonte një racion  edhe për shokun tonë të sapombërritur.
– Është rradha jote të tregosh sakrificën për Shën Valentinin, – I thashë unë
Ai më hodhi një vështrim I befasuar.
– Vërtet s’e keni marrë vesh?
– Jo. Pse? Çfarë duhet të dinim?- bëra të paditurin dhe u bashkova me të tjerët që do të mësonin se ç’kishte ndodhur edhe sepse ai e dinte që Sekuritivi I porsaardhur, ishte baxhanaku im dhe bënte pjesë prej kohësh në shoqërinë tonë, ndonëse i një tjetër profili ai qe.
– Vërtet nuk e dini, apo kërkoni t’ua them unë? – përsëriti pyetjen ai dhe iu drejtua të tjerëve. Kësaj here, mesadukej, kërkonte të bindej që, sekreti nuk kishte dalë nga unë. Dhe nuk u gabua.
Për atë ngjarje, krejtësisht të pazakontë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, duhet të fliste vetë i zoti.
Të gjithë ngrijtën supet dhe e siguruan se nuk dinim asgjë të veçantë për të.
– Këtë buqetë me lule do ta shpinit mbi varrin tim në qoftëse ditën e Shën Valentinit të vitit që shkoi, do të qe realizuar kurthi që më ngrijti, ish I burri I asaj që unë dashuroj dhe që do të bëhet së shpejti gruaja ime.
Mënjanë hatërmbetjes pse kishte heshtur një vit të tërë.
Kaq mjafton që të lëmë,  jo vetëm gotat, por edhe mbllaçitjen. Të mprehim veshët e të dëgjojmë.
Gara qëndron ende e hapur për fitoren e orkides . 
Porositë akoma nuk kanë ardhur dhe ne kemi gjithë kohën e mjaftueshme për të dëgjuar historinë.
ishim të ndërgjegjshëm se për emrin e së dashurës, burri I vërtetë, është I heshtur si shkëmbi. Në rastin konkret, edhe pse mund të bëhej përjashtim, ne nuk e kërkonim. Veprimin po.
Këtë atij ne ia kërkonim dhe s’kishte pse t’a mbante të fshehtë.
– Agjensia turistike ku punonte e dashura, ndodhej në katin e shtatë. Kurse, studioja ime e pikturës, siç edhe e dini, është një kat më sipër, por në një psllat dy kuadrate më tyrje.
Për dashurinë tonë, (kështu kujtonim ne )  nuk kishte dijeni njeri tjetër në atë godinë, përveç sekuritivit në hyrje. Edhe ky rastësisht, tek po dilte nga takimi me të dashurën e tij që punonte  në një OJQ-ë, në të njëjtin kat, na pa duke u puthur teksa ajo po më përcillte në ashensor.  Buzëqeshi dhe u largua.
Unë, me ‘të nuk është se kisha ndonjë shoqëri, edhe sepse rastiste ndonjëherë të uleshin në një trapezë, këtu si sot. Kjo më bënte që , gjatë hyrje – daljeve,  nuk ia kurseja përshëndetjet e mirësjelljes me buzëqeshje, si vërsnikë rioshë e tani, si të dashuruar rishtas.
Veçse, më duhet të pohoj që të dyve nuk na pëlqeu kjo. . . , flagrancë, të
tthemi. Se, në fund të fundit e tillë ajo qe.
Sekuritivi e kishte komshie atë dhe fatmirësisht, kur zbrita, ai do të më tregonte, se burri I saj kish një egërsi “të lindur”, do t’a emërtonte ai. Prandaj edhe fqinja ime,  e kishte hedhur dashurinë tek ju, z.piktor, – do të përfundonte fjalinë. 
Sekuritivi, I kishte vënë re  duke u grindur edhe tek zbrisnin nga ashensori. Se e sillte dhe e merrte vetë nga vëndi i punës. Xhelozia e tij e linte ku e ku atë që kemi parë tek Otello.
Të gjitha këto,  nuk është se s’i dija. Mbasi m’i kishte thënë edhe e dashura. Por sidoqoftë, vërtetonin fjalët dhe shkaqet e saj, pse s’mund të vazhdonte jetën me atë njeri. 
– Ji I  kujdesshëm,  por mos iu trëmb, se ai është frikacak dhe, atë që nuk ka guxim të t’a bëjë ty, i zbrazet asaj që ti dashuron.
Kjo  qe porosia e Sekuritivit.
Që kishte dorë, edhe unë e dija. Por, s’mund t’i dilja hapur nga që ai zyrtarisht  ishte i shoqi dhe serioziteti e kërkonte, të zhbëhej si i tillë. Ajo konsiderohej ende grua e martuar pavarësisht se jetonin të ndarë  secili në dhomën e vet, brënda një kulmi.
Kërcënimi se do t’a vriste, po t’a gjente në shoqërinë e dikujt, e tmerronte, me të drejtë, vajzën. ( Se, lavdi Zotit, ende nuk kishin fëmijë ).
Kësaj I trëmbej ajo deri në panik.
Gjyqi do të zhvillohej pas dy ditësh,   dhe unë nuk dëshiroja në asnjë mënyrë, që ajo t’a humbte atë proces të cilin e kishte thuajse të fituar për faj të tij.
Dhe ishim në vigjilje të ditës së Shën Valentinit.
Të nesërmen, unë kisha vajtur aty në kohën e drekës. Në dorë, siç shtë e kuptueshme, mbaja një orkide si kjo që keni vënë këtu mbi tavolinë.
Nuk kishim këmbyer ende mirë përshëndetjet dhe puthjet  e para, kur më bën zile Sekuritivi me të cilin sapo isha ndarë në hyrje, përpara se të merrja ashensorin.
E hapa celularin dhe dëgjoj zërin e tij që folii shkurt, por I alarmuar:
– Avulloju se po vjen nga shkallët  drejt teje!
S’ishte e nevojshme të pyesja se kush. Dihej për kë bëhej fjalë.
Gjëja e parë që më ra në mënd ishte: më paska përgjuar dhe më ka ndjekur nga pas. Xhelozia çfarë nuk bën. S’kishte kohë për fluturime filozofike. Kërkohej shpejtësi, fshehje të provave fluturimthi, nga unë, kërkohej.
Prandaj, së pari rrëmbeva ngutshëm, buqetën e luleve nga tryeza e punës së të  dashurës dhe e vendosa tek ajo  e bashkëpuntores tjetër karshi që, për momentin ishte larguar  me shokun e saj, si gjithë personeli në atë godinë zyrash, si ditë e shënuar që ishte.
Përvoja në shumëkatëshin ku banoj, më kishte bërë që të mbaja çelësin që e hap portën e kafazit të ashensorit kur ai difektohet me njerëz brënda. Nuk duroja dot thirrjet dhe alarmin e banorëve të bashkëmbyllur  në atë kabine metalike. Fakti që gjithë ditën e kaloj në studion time, më bën të dëgjoj, ndonëse jo shpesh,  komplet rastet  difektoze të atij mekanizmi qytetërues.
Angari, por falë asaj përvoje të bezdisshme, gjeta ganxhën e shpëtimit.
Çështja e së dashurës sime me burrin ligjor, zgjidhej nesër dhe rregullohej kështu një gabim biologjik.
Kurse, nderi I saj, me patjetër, duhet të mbrohej sot dhe mbante të pastër e të mbrojtur karakterin e saj moral.
Futa dorën në xhep dhe u sigurova se çelsi I ashensorit, ndodhej aty. Sfida kërkonte çmëndurinë. Unë e pranova atë.
Prandaj, instiktivisht me ngut e një shpajtësi-rrufe,  hapa portën e kafazit të ashensorit dhe u futa brënda. E mbylla atë dhe u kapa në kapriatat metalike. Dija që aty, një ganxhe mund t’i ndryshoje drejtimin që të pengonte ashensorin të ngjitej deri tek unë. E bëra, por a do të funksiononte?
Çështja ime të rrosh, a të mos rrosh, vendosej nga ai çast, menjëherë, aty.
. . . . . . .
Nga ai pus hekurash, shihja makaranë e çelniktë,  tek ulej në njërin krahë dhe kabinën metalike që ngrihej në krahun tjetër. Gjarpri po zbriste poshtë si të të donte të ushqente  përbindëshi I cili po ngjitej lart, drejt meje. 
Zemra  po më rrihte me aq shpejtësi, si të ishte  kthyer në një kundramekanizëm që do të qe në gjëndje të merrte në dorë fatin e jetës sime. Të kryente atë që s’bënin dot as mëndja dhe as krahët e mi. T’a ndalonte atë kosh metalik.
Në një çast, me të dhjetat e sekondit, arsyetova:
mjafton që unë të përqëndroj  shikimin te ajo masë gjigante e cila në një dekikë  të vetëm, m’u duk se nisi rrotullimin mbrapsht. Po.
Ndaloi dhe vetëm atëhere, kraharori im u  mbush me frymë.
Ç’kishte ndodhur? Ndonjë difekt. . . , ?
Apo ishte numurimi kryengulthi I sekondave të jetës sime?
Për një tjetër plasaritje, ( gjithmonë në të dhjetat e mbase qindtat e sekondit ) pashë të gjithë procesin gjyqësor që do të zhvillohej të nesërmen dhe fitorja e të dashurës që mori divorcin për shkak xhelozie dbe jo tradhtisë që mëtonte I shoqi I saj si shkakun e ndarjes.
Dhe, pas kësaj, vërtet ashensori u rinis dbe mua nuk më doli zemra nga kraharori, veçse tani, shpresëmadh te e pandodhura deri më sot e shihja me sy të zgurdulluar që ai të ndalej. Dhe. . .
O Zot i madh, ai u ndali një herë e mirë në katin e gjashtë. Kjo vinte pas dy stacioneve dhe ishte e treta, e vërteta
Frenimi I tij I beftë, çuditërisht më ngjau me hingëllimën e një duzinë kuajsh të stërlodhur,  që tërheqin një karrocë dhe që ndalen njëherësh, për të mos shkelur njeriun që u ka dalë befas përballë. Madje, unë kisha ndjesinë edhe të zmbrapsjes së tyre si shkakun e asaj hingëllime-protestë. Thuhet se kuajt nuk e shkelin kurrë me dëshirën e tyre njeriun. Aq më pak, kur nuk e ndjejnë rrezikshmërinë e tij. Të jetë kjo diçka hyjnore, a si paisje e veçantë për të përballuar të papriturat e jetës? Mundet që t’i ketë paisur Qielli këto qënie të çuditshme edhe me cilësi të tilla huazuar nga njeriu? Apo është zhballancim  që bën natyra për të kompensuar të keqen që mund të detyrohemi të përballojmë nga frymorë
të tillë mostra?
(Ndërhyn autori për të shpjeguar paqartësinë dhe hutimin e Personazhit ):
– Po, miqt e mi. Personazhi ynë, të cilin le ta quajmë Romeo, se dashuria e tij, thuajse një fat të ngjajshëm e një fund tragjik i kishte rezervuar. Është për këtë arsye që, ai me ndërgjeje e priste kështu, t’ia sillte fantazia e tij e trazuar në tru, përfundimin allogjik.
– Thashë unë, – ndërhyri shoku ynë i metaforave me pije. – Vetëm një i çmëndur ngs dashuria, mund të bëjë veprime të tilla. Se dehja nga dashuria, ia kalon të gjitha llojeve të pijeve. Ajo nuk është lëng. E një gjë që s’shtë lëng dhe ti e do, është shpirt që shpirtin tënd kërkon.  Prandaj edhe thuhet për një rioshe tërheqëse:  “ishte e bukur si shpirt”, QËNIA”! Dhe kur ky  shpirt të do siç edhe ti e do, atëhere vjen dehja. Pas saj dashuria,  hyn në garë me çmëndurinë.  Në finale asgjë s’mund të parashikohet.
– E vërteta, miqt e mi – nisi sërish autori, – ishte krejt ndryshe. Dhe ja sepse:
Otello ( le t’a quajmë kështu personazhin tjetër, xhelozin tonë, si mbeturinë e së shkuarës ),
– Atavist,  – ndërhyri e tha dikush,
Otello pra, nuk kishte marrë thikë me vete.:Se atë ia kishte lënë adashit të tij me ngjyrë, por trim.
Otellua  ynë, kishte dinakërinë e Odisesë. Prandaj, hapat e tij, tejet të vrullshme, frenuan te portat e përgjimit.
Aty nis e merr flatra dinakëria e Odisesë. Sapo qe njohur me metodën e nxjerrjes se njerëzve nga ashensori, që praktikonte ky piktor humanist. Si pasojë, mëndja e tij kishte përpunuar likuidimin e kundërshtarit duke përdorur, pikërisht aftësinë e tij shpëtuese.
Diallëzia përherë ka bashkëudhëtuar me mirësinë   në mos për t’a zhbërë, të paktën për t’a baltosur atë, të cilën e quante marrëzi.
– Akoma s’ka lënë, bashkë me shpirtin edhe kockat, pranë asaj që dashuron? – kishte thënë ai me vete dhe e mori ashensorin në katin e dytë. U nis nga shkallët, për t’a rimarrë në të katërtin dhe të gjashtin. Aty, I mbushur me vetësiguri për çfarë do të bënte, mori shkallët për në të shtatin. Ku ishte edhe vëndi I ekzekutimit.
Kur vajti në zyrën e gruas së tij në dorë mbante tufën me lule, përzgjedhja e së cilës i përkiste buqetave që shpien në funerale. Në fytyrë,  kishte maskën e shpërfillësit për atë që pritej të ndodhte, përzier me një buzëqeshje deri në skaj të shtirjes.
– Je gati e dashur? – I tha ai dhe I dha  tufën e luleve.
Ironia e atij shikimi përkthehej në fjalët: “Ke kuriozitetin të shikosh fundin, a budallallëkun e bandillit tënd?
Jargavitja në të folur dhe shtirja si ëmbëlsi, tek ajo përkthehej në ftesë për ekzekutim.
Shpirti I saj, atë sekondë Iu përgjigj:
“Po. Jam gati vetëm të më hiqesh sysh”. Por u përmbajt.
Tjetri s’qe I denjë as për ‘to. Prandaj, e zbehtë në fytyrë e mori
buqetën dhe si  e hodhi në koshin e mbeturinave shkresore i tha:
– Pse erdhe që sot, apo nuk të durohet deri nesër ku do të shihemi në gjyq?
Atij nuk I bëri përshtypje ky refuzim, ose u shtir si I tillë, se mepadurim priste t’i thoshte tjetër gjë.
– Bashk për kësi punësh kam ardhë.  Me të dhanë shkresën e Xhyqit për mos me mungue. Se e di se ti je ADALET femre dhe s’pyet as për asni  xhyqsh.
( Ndërhyn sërish autori për të spjeguar gjuhën e tipit ) :
– Miqt e mi. Në arsyetimet e këtij personazhi mos u çuditni kur shihni karakteristikat e një të dehuri. Jo. Është normal dhe ka gjuhën e tyre që, të diktuar nga rakia, kur duan të thonë ALAMET, për një femër, gjuha e tyre shkon si metatezë e thonë “ADALET femre”.
– Faleminderit, – tha ajo.- por s’ishte aspak e nevojshme se ma solli posta dhe unë mezi pres të të shoh nesër, në atë XHYQSH ( e talli ajo të folurën e tij ) .
Ai vazhdimisht me atë panatyrshmërinë e tij të pasuksesshme kërkonte të fshihte, por edhe të kapardisej me kurthin e ngrijtur fshehtësisht dhe sidomos djallëzisht, për të pangjarën deri tani.
– Marrim ashensorin dhe aty kam me t’a rrëfye NJI SURPRAIZË.
Ajo qeshi me sarkazëm e saj, tejet therëse.
“Do të më mburret, mbase me krimin e përgatitur”,- mendoi ato çaste dhe bashkë me dridhjen e zemrës ndjeu edhe një urrejtje e bindje të re në drejtësinë e vendimit të saj për ndarje. Përbuzja pranë kësaj pretenca qëndonte, neveria gjithashtu.
– Dhe, miqt e mi, ( u ngut të marri fjalën autori e të jepte një shpjegim më lehtësues për atë që do të ndodhte më pas ).
Otello iu drejtua ashensorit e madje shtypi edhe butonin e tij, që ai të vinte nga kati i gjashtë, si armën vrasëse nga qelia.
Asaj më shumë I klithi zemra, se sa zëri ndonëse me të gjithë fuqinë e shpirtit u mundua t’a lëshojë. Se për ‘të, mbërrijta e ashensorit në atë kat, qe baraz me zhbërjen e të dashurit, me humbjen e tij, me vdekjen e saj.
– Jo! Jo të thashë! – qe thirrja me sa kishte në kokë. – Do të ngjitem me këmbë në . . ., atë  GJYQIN E MADH.
Dhe u kthye në zyrë. Nuk arriti t’a mbylli portën, që mbeti për gjysëm hapur.
Mëndjen e kishte te bisturia me të cilën do të priste damarët e  dorës dhe do të shtrihej menjëherë në dysheme. Gjaku nuk e mbajti më në këmbë.
Qe e sigurtë se nuk do  të dëgjonte ulërimën e të dashurit të saj kur t’a zinte si në çark ajo masë e hekurt. Prandaj, parapëlqeu një fund të tillë, të butë për vete.
Nga dritareza e portës së ashensorit dukej koridori i gjatë që ishte gjysëm I ndriçuar, si zakonisht.
Tani isha I bindur se një kat më poshtë tij, qëndronte i pa lëvizur, ashensori, – do të shpjegonte Romeo.
Mrekullia ndodhi. Ajo nuk ishte e ujqërve, siç kemi dëgjuar të ketë ngjarë një, a dy shekulj më parë për të shpëtuar  nga “ujqërit e bardhë”  një zonjë të vërtetë aristokrate.
Romeo jonë pas asaj britma të së dashurës së tij, në vënd që t’i gëzohej kësaj mrekullie, shqetësohet dhe mundohet të shohi nga dritarja pas atij kafazi ku burgosi vetveten.
Vështrimin  atje e kishte  mbajtur gjatë gjithë kohës dhe nuk kuptonte ç’kishte ngjarë.
  I shqetësuar për  Zhuljetën ( le t’a pagëzojmë me këtë emër që I përafron fati I saj ),   Romeo, pas asaj thirrje, që po ia dëgjonte më zërin aq të ëmbël të së dashurës, hapi menjëherë kafazin dhe kur doli jashtë, përplasi portën që u  mbyll me rrapëllëmë.
Ndërkaq, mbërrijti Sekuritivi
Të dy u turrën menjëherë brënda zyrës ku panë Zhuljetën e shtrirë
në dysheme. Gjaku I kishte bërë një njollë të madhe mbi pantallona nga dora që s’rreshtte të rridhte dhe që ajo e kishte vënë mbi këmbë. 
Pranë, burri I saj ligjor me përhumbjen e një dudumi.
Ai nuk ngjante gjithaq me një kriminel. Mbase me një gabim biologjik ai shëmbëllente. Dhe juridiksioni nuk e dimë nëse ka ligje për raste të tilla.
Fytyra e tij e zbehtë si meit, nuk shprehte asgjë, edhe pse qe motivi I një krimi.
Romeo me një lëvizje të shpejtë, mënjanoi dudumin dhe ndërsa hoqi nxitimthi këmishën, e shqeu atë me dhëmbë siç do të dëshironte të bënte  me shkaktarin e kësaj drame dhe I lidhi dorën ëndrrës së tij të nëpërkëmbur. Trëndafilit të zhgaravitur në shi!
Kur u sigurua se pulsi në dorën tjetër punonte  mirë,
e mori Zhuljetën  përpara krahëve të tij  për të zbritur nga shkallët.
Por, s’qe e domosdoshme. Sekuritivi qe lëshuar prej tyre rrufe dhe qe rikthyer  në  katin e shtatë me ashensor.
Kuptohet nga lexuesi ynë I vëmëndshëm se: nuk kishte ndodhur asnjë mrekulli.
Heroi në këtë mes ishte Sekuritivi. Ai e kishte ndjekur rrugën e Otellos me dinakërinë e Odisesë, por me një qëllim tejet human. Ai kishte kujdes që ashensori të mos e kalonte katin e gjashtë. Në këtë pikë, ai uli automatin e siguresave, të cilin e ngrijti kur zbriti poshtë dhe mundi të vijë sërish në katin e shtatë.
Romeo me Zhuljetën përpara duarve, bashkë me Sekutivin u futën në ashensor.
Edhe natyra bën gabime. Burri biollogjik ishte një shëmbëll i gjallë. Ai mbeti përjashta dhe mori shkallët e zbritjes.
Shtatë kate nuk janë shumë. Se mund të ishin edhe shtatëdhjetë e shtatë.
Buqetën e luleve ne menduam se i takonte jo vetëm Romeos, por sidomos  Zhuljetës, të cilën pas kësaj, dëshironim t’a njihnim dhe t’a bënim pjestare të trapezës sonë krijuese, që nuk ka financë më shumë se një orkidë si shpërblim. Prandaj ia dhamë Romeos me kushtin që t’ia shpinte Zhuljetës
Kurse Sekuritivit, i takonte fjongua e saj.
Tek e fundit, detyrën e mbrojtësit të jetëve njerëzore ai ka. Dhe atë, ai bëri shkëlqyeshëm.
Athinë, 7 Shkurt, 2016!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ne emer te Dashurise, Sotir Athanasi, Tregim

DEFEKTET SHOQËRORE NË KOHËN E PLURALIZMIT

February 8, 2016 by dgreca

Dr. Nail Draga*/
Në periudhën njezetë e pesë vjeçare nga autorët shqiptarë në Mal të Zi janë botuar libra me vlerë nga profile të ndryshme shkencore, letrare, artistike e publicistike. Eshtë kjo koha me e frytshme nga ky dimension nga fakti, se nuk ekzistojnë me paragjykimet dhe pengesat sikurse ishte situata në sistemin monist.
Në gamën e gjerë të autorëve kohë më parë opinionit iu paraqit edhe Shaban Peraj me librin publicistik VITET HUMBURA. Libri në fjalë paraqet një përmbledhje me artikuj, komente, opinione dhe intervista të cilat janë botuar ne mediat e ndryshme të shkruara në hapësirën etnogjeografike shqiptare gjatë periudhës kohore dhjetëvjeçare. Libri është konceptuar në atë mënyrë duke e ndarë në disa pjesë, duke filluar me shtypin shqiptar e vazhduar më pas me vështrime, opinione, kulturë, arsim dhe përfunduar me intervista.
Duke lexuar këtë libër del qartë se autori ndaj çështjeve të ndryshme shoqërore nuk ka qendruar imun, por përmes artikujve dhe komenteve ka shprehur pikëpamjet e tia, ne lidhje me raportët e subjekteve politike me pushtetin, ne aspektin lokal e shtetëror. Eshtë kjo periudha kohore prej një çerek shekulli, e mjaftueshme për analiza shumëdimensionale, ku autori preokupim ka pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Një veprim i tillë ka qenë i arsyeshëm, sepse autori ndonse i formuar në profilin arsimor ka punuar shumë vite si pedagog përkatësisht mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, gazetarinë përkatësisht publicistikën e ka pasur pasion. Madje në ketë fushë viteve të fundit ka punuar deri sa doli në pension në Radio Ulqin. Eshtë pikërisht kjo koha kur autori i është qasur kësaj çështje jo vetëm me pasion por edhe me profesionalizëm duke ofruar të dhëna me interes varësisht prej temave të cilat i ka trajtuar gjatë këtyre viteve.
Nuk ka dilemë se të gjithë ata të cilët do ta lexojnë ketë libër shumë çka do ta kenë më të qartë, për periudhën e kaluar nga miratimi i pluralizmit e deri në ditët tona, qe ka të bëjë kryesisht me mozaikun politik ku marrin pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi. Andaj ky botim paraqet edhe një kujtesë për ngjarjet e zhvilluara gjatë këtyre viteve. sepse kemi të bëjmë për një periudhë kohore te mjaftueshme për analiza të ndryshme, ku ajo politike është në rend të parë. Po ashtu nuk mungojnë komentet për ngjarjet e ndryshme në Kosovë e Shqipëri, duke trajtuar dimensionin mbarëkombëtar të çështjes shqiptare në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Madje kjo kohë ka qenë e mjaftueshme për të krijuar profilin përkatës për çdo subjekt politik, apo person i cili ka qenë i angazhuar në politikë gjatë këtyre viteve. Eshtë evidente se në mungesë së përvojës politike, shqiptarët në pluralizëm u kyçen fillimisht me konceptin e idealizmit, por me kalimin e kohës ndryshoj dukshëm një qasje e tillë. Fillimisht, pothuaj të gjithë të bashkuar duke përkrahur subjektin e parë politik, me kalimin e kohës nga monizmi brenda shqiptar u kalu në fazën e pluralizmit brenda shqiptarëve në Mal të Zi, çka ndikoj në copëzimin e skenës politike shqiptare. Ishte kjo koha e formimit te shumë subjekteve politike me prefiksin nacional, qe nuk ishte në interes të popullatës shqiptare ne këtë mjedis, që u dëshmua në zgjedhjet lokale dhe ato shtetërore.
Eshtë kjo periudha me transparente për shqiptarët, ku subjektet politike, perkatësisht lideret e tyre për shumë çështje thelbesore nuk arriten të gjejnë konsenzusin e domosdoshëm. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se ka qenë i motivuar nga interesat personale, klanore e ato partiake, qe u dëshmua në koalicionet para e poszgjedhore qe ishte në dëm të interesave dhe të kauzës shqiptare në Mal të Zi.
Titulli i librit VITET E HUMBURA, flet mjaft për kohën e cila ka qenë e tillë për autorin e këtij libri, por nuk dyshoj se e tillë ka qenë edhe për të gjith ne. Sepse autori çështjet përkatëse nuk i trajton ne aspektin personal, por ka qenë i preokupuar për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në ketë mjedis, në nivelin lokal dhe ate shtetëror.Eshtë pra pikërisht, ndjenja e përgjegjësisë e cila fatkeqsisht si kategori morale është zbehur dukshëm duke u bërë nocion i huaj, që në mënyrë transparente dëshmohet në keto vite të pluralizmit.
Ne këtë aspekt përjashtim bëjnë disa individ, qe me keqardhje themi se janë të pakët të cilët meritojnë respektin e veçantë, por të gjithë jemi dëshmitarë se dominojnë antivlerat, si ne dimensionin lokal, shtetëror dhe regjional. Andaj e them pa hezitim se pas krizës politike e ekonomike, ajo morale është me tragjike, sepse për të riparuar ketë gjendje duhen dekada të tëra!
Libri VITET E HUMBURA, me çështjet e trajtuara, qasjen dhe analizën e autorit, paraqet një kontribut më vlerë në publicistikën analitike tek ne dhe më gjerë.Te gjithë ata te cilet në të ardhmen do të trajtojnë çështjet përkatëse nga kjo periudhë kohore e pluralizmit, patjetër duhet ta kenë si referencë edhe këtë botim.Duke e marrë parasysh se është nder librat e rrallë e kësaj natyre tek ne, ai është i mirë se ardhur jo vetëm për një profil të veçantë lexuesish, por edhe për opinion e gjerë.

*Shaban Peraj, VITET E HUMBURA, Ulqin 2015- (Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit me 4 shkurt 2016)

Filed Under: Komente, LETERSI Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Shaban Peraj, Vitet e Humbura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 254
  • 255
  • 256
  • 257
  • 258
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT