• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRETH NJË DORËSHKRIMI TË PËRKTHIMIT NË GJUHËN SERBOKROATE TË VEPRËS “KËNGËT E MILOSAOS” TË JERONIM DE RADËS NGA ESAT MEKULI

May 16, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Rreth tri vjet më parë kam publikuar një njoftim për lexuesit tonë në fb se në kërkim e sipër kam zbuluar një referencë, e cila bënte të njohur se shkrimtari dhe përkthyesi më i mirë nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate dhe anasjelltas Esad Mekuli (1916-1993), kishte lënë në dorëshkrim veprën e Jeronim de Radës “Këngët e Milosaos” (Pesme Milosau). Le të kujtojmë këtu se Esad Mekuli ka përkthyer shkrimtarët e letërsisë serbe, malazeze, kroate e boshnjake (Mazhuraniqin, Njegoshin, Karaxhiqin, Kërlezhën e shumë të tjerë) në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhët e tyre ka përkthyer shkrimtarët tanë: Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Hevzi Sulejmanin, Enver Gjerqekun, Azem Shkrelin etj.

Mbështetur në dokumentet e kohës, botimi është propozuar dhe paraqitur si projekt i Programit të punës shkencore të Sektorit të Arteve të Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të datës 18. 10. 1976, projekti i parë i Akademisë së ardhshme, i nënshkruar nga sekretari i Sektorit të Arteve Prof. dr. Rexhep Qosja, ku ishin përfshirë edhe veprat dhe studimet për Pjetër Bogdanin, Tahir efendi Boshnjakun, Hilmi Maliqin, Haxhi Imer Lutfi Paqarizin, Hivzi Sulejmanin dhe Esad Mekulin.

Në pikën tre të programit ishte planifikuar përkthimi i poemës liriko-epike të Jeronim de Radës, “Milosao”. “Vepra në fjalë e De Radës, – thuhet në arsyetimin e shkurtër – është një prej veprave më të rëndësishme të periudhës së romantizmit në letërsinë shqipe. Konsiderohet se fillimet e romantizmit shqiptar mund të përcillen historikisht në praktikën letrare duke filluar prej kësaj vepre. Në qoftë se kihet parasysh se ajo është botuar në vjetin 1836 atëherë është e qartë edhe rëndësia e saj historike letrare. Me botimin kritik të përkthimit të kësaj vepre në gjuhën serbokroate do t’i ofrohet opinionit jugosllav një vepër e rëndësishme dhe një mundësi që historianit të studimeve komparative të letërsive ballkanike sadokudo ta kenë parasysh edhe letërsinë shqipe. Vepra do të botohet edhe me një parathënie, në të cilën do të flitej më gjerësisht mbi romantizmin shqiptar po ashtu si edhe për vetë veprën e përkthyer”.

Sikur mund të shihet prej Programit, ky është i vetmi projekt i planifikuar jashtë trashëgimisë historiko-kulturore të Kosovës dhe i vetmi projekt, i cili ishte planifikuar të botohet në gjuhën serbokroate. Në këtë Program pune gjithashtu nuk theksohen emrat e autorëve të projekteve apo bartësit e tyre, e në këtë rast as përkthyesit. Vetëm më vonë do të kuptohet se përkthyesi i kësaj vepreje ishte caktuar Esad Mekuli, por asnjëherë nuk do të kuptohet kush do të bënte përgatitjen e botimit kritik të saj, kur dihet se një përgatitje të tillë, brenda Akademisë, mund ta bënte vetëm Profesor Idriz Ajeti. Profesor Ajeti dhe shkrimtari Enver Gjerqeku, në fund dalin recensentë.

Në vitin 1980, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës diskutohet Plani botues i punës së Seksionit të Gjuhësisë, Letërsisë dhe të Arteve për vitin 1980 dhe për periudhën 1981-1985. Në krye të planit për vitin 1980 del titulli Akademik Esad Mekuli: “Këngët e Milosaos”.

Në fund të vitit 1986, Seksioni i Gjuhës dhe Arteve propozon disa aktivitete të tij për vitin 1987, ndër të cilat edhe “botimin e veprave të Jeronim de Radës”, që në esencë është botimi i veprës së De Radës “Këngët e Milosaos”, por me gjasë shënimi u mbajt gabim nga sekretari i Seksionit Akad. Svetomir Arsiq.

Nga një Procesverbal i mbledhjes së seksionit të Gjuhës, Letërsisë dhe të Arteve të Akademisë, i mbajtur më 12. 11. 1987, në të cilin mungon Esad Mekuli, mësojmë se në “lidhje me realizimin e detyrës për botimin kritik të “Këngëve të Milosaos” të Jeronim de Radës në gjuhën serbokroate, u konkludua të bisedohet me bartësin e kësaj detyre”.

Për herë të fundit përkthimi i veprës së De Radës “Këngët e Milosaos” është diskutuar në vitin 1989 në Seksionin e Gjuhësisë, Letërsisë dhe Arteve. Në këtë takim bëhet Propozimi i Programit të punës, në të cilin, në pikën katër thuhet se. “Akademiku Esad Mekuli, ka përgatitur përkthimin e “Këngëve të Milosaos” të Jeronim De Radës, në gjuhën serbokroate. Pritet të kryhet parathënia e këtij botimi. Duhet të sigurohen mjete financiare për këtë botim”.

Po këtë është vit është shkruar edhe recensioni i Akademikëve Idriz Ajeti e Enver Gjerqeku për Bashkësinë Vetëqeverisëse të Interesit për Shkencë dhe Kulturë, të cilës i kërkohej mbështetja financiare e botimit të kësaj vepreje, megjithëse prej gjendjes në të cilën gjendet dorëshkrimi i ruajtur në familjen e Esad Mekulit edhe pas vdekjes, më 1993, mund të flitet për një përkthim dhe pjesërisht shqipërim, por ende nuk mund të flitet për një dorëshkrim, i cili plotëson kërkesat për një botim akademik. Sikur mund të shihet prej tri faqeve të skanuara, dorëshkrimi është ruajtur në dy nivele: në plan të parë është teksti i shkruar me makinë. Në plan të dytë është versioni i redaktuar me laps grafit dhe në plan të tretë redaktimi, plotësimi, dhe madje rikëndimi me laps kimik. Për një botim të ardhshëm duhet bashkuar këto tri gjendje dhe përmbyllur versioni përfundimtar.

Le të shpresojmë se do të realizohet ky botim ashtu sikur ishte planifikuar në vitin e largët 1976.

(Hyrje nga një studim më i gjatë)

Prishtinë, maj 2024

Filed Under: LETERSI

“QYTET’I IM” – NGA MUSTAFA KRUJA DHE SHËNIMI I BOTUESIT ERNEST KOLIQI*

May 15, 2024 by s p

Kemi zgjedhë, ndër shkrime të Mustafës, tri copë qi na duken të shënueshme pse në to shfaqen në mënyrë të gjallë lidhjet e jetëshkrimit të tij me ngjarjet e vendit t’onë, sidomos me ato të Shqipnís së Mesme prej kah âi e kishte zânafillen.
Spikasin në styl, si në nji pasqyrë të qartë, cilsít qi e pajisshin : mprehtësí gjikimi, ndiesí e thellë nderi vetiak e kombtar, prirje me tregue troç mendimin e vet në çdo rasë e pa tutë të kurrkúj. Le të vërehet në shkrim përpiknija dhe përshtatmenija në shprehje dhe, hove hove, nji shkelqim buzëqeshjeje qi i ep shije tregimit. Në përshkrim të ndodhíve të jetës së tij bje në sý njerzija e natyrëshme burrnore qi urren e i ikë edhe mâ së mbuluemes ndienje mburrjeje por njiherit edhe prûjtunís (modestie) kallpe.
Copa e tretë Qytet’i im botohet këtu për të parën herë. Falënderojmë Dr. Bashkim Merlikën, të birin e Mustafës, qi na e dha për të begatë me tê shtyllat e së përkohëshmes s’onë. Copa u shkrue në Niagara Falls të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, me 1957 ase 1958, pak kohë para se Ai t’u ndante këso bote. sht shkrimi i fundit i Tij, fragment i nji vepre má të shtrîme qi vdekja e këputi në gjymsë.
Larg atdheut, si të donte me shfrye nji mall qi i a shporonte zêmrën, Mustafa përkujton Krujën e vet; i a kujton mâ parë vetes e mandej né. I stërprovuem nga goditjet e nji fati mizuer të pamerituem, i përulun e i shtruem vullëndesës së Zotit, me mênde të kthiellueme e të paqueme nga përvoja e gjatë e nji jete plot përpushje e travajë e nëpër të cilat njofti besnikín ngushulluese të miqve dhe sulmimet idhnake të kundërshtarvet, në vend mikpritës ku e hodhen tallazet e politikës shqiptare dhe botnore, Mustafa Kruja nxjerr nga mbamendja motet e shkrimuna të djalnís së vet. Endë në shkrim ngjarje e përshtypje dhe i shoshitë qetisht, pa turbullim gjakimesh (pasjonesh). Tashmâ gjaku ka humbë vrullet e e dikûrëshme. Ai e ka krye, si pjesëmarrës aktiv, detyrën e vet ndaj kombin. Shkruen për me u lânë të rijvet trashëgimin e përvojës së tij dhe të breznís së tij. E në shkrim, depërtue fund e maje nga nji déll përmallimi ku shkrepëtin – pa u kujtue Ai aspak – nji shkëndí poezije plot humanitet, qet krye shpresa se idealet, ushqye prej Tij e prej Shqiptarvet të 1912-ës pa mujtë me i realizue, do t’arrîhen nga masa e ré. Ndiesít e denduna njerzore, zhdërvjelltija e përshkrimit të vendeve dokeve veshjeve, skalitja mjeshtrore e typave të ndryshëm, kët shkrim të Mustafës e radhojnë ndër copa proze mâ të kullueta, të lidhuna e të ngjyrta të letrësís shqipe.
ERNEST KOLIQI

QYTET’I IM
Nga MUSTAFA KRUJA
(Pjesa e parë)
Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hýn n’atë liman, po të hjedhë sýt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi, në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së bukuri Mal’i Krujës, qi ka mu në rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shêjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër, krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue I ulë sýt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.
Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike (), prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?
Topografisht Kruja ndehet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. sht nji qytet pesmijë frymësh, () kodrash e luginash, qi për me i dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme, nji gjysmë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrîmë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah dy krahët, n’atê të veri-perëndimit deri afër Dro-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés (të Allaj-beut: allaj, turq. Regjiment; Allaj-Bej “= komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në Pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.
Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, turqisht, sikurse u shënue e si shumë tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe, bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrorë sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit hiq Namazgjahun ku falet bajrami, s’gjên tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti turk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’atë shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botnore italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.
Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Por mandej, mbas tanzimatit, (reforma çentralistike) të Sulltan Mexhidit (1839-1861) desh () Stambolli me i shtrîmë ligjët moderne pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit, të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Asokohe Pushteti qêndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin. Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit (guvernoratit) të Shkodrës, nënprefekturat e tij: Kavajë, Shijak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Turqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me ahtrîmë reformat e vêndeve edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelepit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundërshtojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xhelep për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundatët e tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqis së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija turke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli turk merr pozicion për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të rradhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thânë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush patkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtri e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirrte shkëndija sýsh s’i a bân nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët të komanduem e të rradhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeverija turke s’nguli kâmbë mâ për xhelepin e gjedheve të Krujës.
*Botuar nga Ermest Koliqi ne vitin 1973 në “Shejzat”.

Filed Under: LETERSI

BOTIMI I DYTË NË ANGLISHT I LIBRIT “THE NATION-FREE RECIPE” (RECETA PA KOMB)

May 14, 2024 by s p

Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe – How the Triple Entente served Comintern, 2nd ed., Austin Macauley Publishers, New York, 2024.  ISBN 978-1-6497973-4-6

www.amazon.com/Nation-Free-Recipe-Triple-Entente-Comintern/dp/1649797346/ref=sr_1_1?

Pse është i domosdoshëm të preket shpejt? Dhe rilexohet, sepse lexuesi tani përparon duke zbuluar çka akoma nuk thuhet, pasurohet në çfar dihet dhe lartësohet mbi çfar kuptohet. Brendia e tij shtrihet në Europë, Mesdhe, trojet shqiptare që nga fillimi i shekullit XX e deri tani. Ngjarjet, njerëzit në to, idetë, regjisorët janë të gjithë e të gjitha jo rastësi dhe të lidhura me një fill që vazhdon edhe tani. 

Globalistët e sotëm janë ish internacionalistët (komunistët) e dikurshëm të cilët qenë universalistët e mëhershëm. Doni të kuptoni më thellë pse e çfar po iu habit në Europë dhe Shqipëri 33 vitet e shkuara dhe tani? Apo pse demokracia lindi e ndryshkur në Shqipëri më 1991? Ia gjeni fillin përgjigjeve në mbi 100 vite më parë në libër. 

Kur Europianët po ndriçonin vetveten, Renes Descartes shkrojti në vitin 1637: “Cogito, ergo sum” (Jam kur mendoj). Që domethënë se çdokush dëshiron të jetë vetvetja. Prandaj ata që e lexojnë librin kalojnë para, ngjiten më lart dhe ndjehen më mirë.

Libri fillon me shkrimin “Universalizmi dhe Nacionalizmi” të Dhjetorit 1943 ku “…Komunisti kërkon: Hiq dorë nga vllau tënd i gjakut dhe unë të bëj vlla me të gjithë njerëzit e kësaj bote.” Përgjigja që i jepet dhe të tjerat janë aty.

Në faqen tjetër është një pyetje që iu bë dy oficerëve britanikë në një fshat të Dibrës në Maj 1944: “Siç e dini, tre parti politike janë në Shqipëri: agjentët e Gjermanisë, agjentët e Rusisë dhe agjentët e Anglisë. Ajo është e kuptueshme, por ajo që asnjëri nga ne nuk e kupton është se përse agjentët e Rusisë paguhen me ar anglez”. Përgjigjen e jep ky libër pas 80 vitesh dhe e cila vlen për të kuptuar të tashmen dhe 130 e më shumë vitet e shkuara.. Dhe pak nga pyetjet e tjera të cilat përgjigjen në libër, ndryshe nga si mendohet, janë:

Trojet shqiptare në fillim-shekullin XX u krasitën deri në rrëzë. Pse e si, nga cilët? Çfar ishin Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore? Tre Jugosllavi (Serbi më të Mëdha) u krijuan në shekullin XX. Pse e si, prej kujt? Kënga e luftës së shenjtë sllave (Svyashchennaya Voyna) ose e xhihadit sllav këndohet akoma. Kur e ku?

I njëjti shi monedhash prej ari dhe ndihmash në armatime, stërvitje, ndërlidhje, organizime, veshje e ushqime ra gjatë Luftës II Botërore mbi Jugosllavi, Shqipëri dhe Greqi. Kujt, nga kush, pse?

Ku shkuan qindra ton ar i grabitur popullatës me dhunë e tortura në vitet 1945-1946?

Çfar ishte e ashtuquajtura Perdja e Hekurt pas Luftës II Botërore dhe zgjatim i kujt vije ishte?

Pse ndodhi çmenduria e vitit 1997 në Shqipëri para luftës që i dha lirinë Dardanisë më 1998-1999?

Të vërteta absolute nuk ka dhe pyetja që i kumbon secilit është me mbetur mbrapa, anash dhe pa busull apo me qenë më afër të vërtetave dhe me busull të vajosur? Përgjigjen dhe energjinë e merrni kur ta shfletoni këtë libër tani, i cili ka një brendi që nuk gjendet në librat e tjerë. 

Do të kënaqeni me librin sepse sytë po iu lexojnë një përmbajtje të munguar deri tani, dhe do mendoni, do ndjeni vetveten, e do jeni të ndriçuar për të tashmen dhe të ardhmen. Domethënë nuk do jeni një askush pa busull, por një dikush i zgjuar dhe me busull. Nëse e gjykoni veten të ditur, e shtoni duke zbuluar në libër. Nëse doni të zbuloni se keni shkrojtur në libër, e lexoni. Nëse doni të zbuloni se jeni autor në libër, e prekni. (Ndërkohë, në librarinë Adrion-Tiranë ndodhet po ky libër në shqip: Receta Pa komb, botimi I.)

Saimir Lolja

Filed Under: LETERSI

SPROVA E RADHËS PËR TË ÇMONTUAR SHTRATIN E PROKRUSTIT

May 13, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Mustafa Nano është gazetari më sfidant dhe më antikonformist i ditëve tona, me ca fjalë e gjeste që nuk guxon t’i bëjë kushdo: një panel televiziv ku shkon me xhinse gjunjëçjerra, një përballje spektakolare me shikuesit “One man show”, dy emisione televizive si vazhdimësi “Provokacija” dhe “Turkmenistan”, botimi i librave polemizues “Unë jam gegë” (2013), “Pax Albanica” (2014), “Sandwich, a është mirë me qenë shqiptar?” (2017), etj. Dhe ja ku vjen me romanin “Një javë në Manastir” (2020) për të vazhduar debatet e hapura, por duke ua deleguar qasjet e veta personazheve që shpesh kamuflojnë figura historike të vërteta.
Në rrafshin sipërfaqësor kemi një vepër artistike me heroin Robert Bolton që jo vetëm zbulon se vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse, por, më shumë se kaq, vihet në dyshim qenia baba, pasi Besa mund të mos jetë bija e tij, por mund ta ketë lindur nga marrëdhënia jo shumë e qartë e Matildës me Fred Potterin. Kjo shtysë e fortë dhe tronditëse nuk e lë Robertin të lëngojë në shtrat, por me torbën e udhëtimit ku kishte gjasë të mbartte vdekjen e vet, udhëton nga Anglia në Manastir për ta sqaruar enigmën, ndoshta edhe për t’u hakmarrë ndaj Fredit, udhëtim që përkon me mbajtjen e Kongresit të Alfabetit pikërisht në Manastir. Udhëtimi kthehet në zbulimin e mjedisit shqiptar i cili i kishte shkuar paraprakisht i deformuar. Është një dukuri që vazhdon të përsëritet edhe në ditët tona, shqiptarët kanë njerëzillëkun që mund të mungojë ose nuk arrin të demonstrohet te popuj të tjerë. Ky njerëzillëk, pavarësisht nga prapashtesa ~llëk, dëshmon vjetërsinë, maturinë, qëndresën, aftësinë për t’u përballuar me të tjerët duke treguar skutat më me dritë të shpirtmadhësisë. Gjithçka tjetër janë detaje artistike që aredojnë strukturën e nevojshme të çdo vepre.
Në një rrafsh paralel me të parin kemi një trajtesë të gjerë që mëton të jetë edhe shkencore, pasi u jep përgjigje fillesave të gjuhës, pengesave dhe akteve asgjësuese ndaj gjuhës shqipe, me një fokusim më të madh te Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij.
Në rrafshin e nëndheshëm, ose “nën rrogoz”, kemi një leksion të gjatë për shqiptarin dhe shqiptarizmën, për fenë dhe qeverisjen, për kolonializmin dhe sovranitetin, për vendin dhe rolin e gruas në shoqëri dhe aneksin tabu të seksit. Për këto problematika që mbajnë peshën kryesore të kësaj vepre, autori ka thirrur në skenë një numër dëshmitarësh që orientohen dhe përmbushin më së miri porositë e autorit, fshehur diku si sufleri i shfaqjeve dramatike.
*
Pjesa e parë “Treni mbërrin në Ters Dünya” dhe pjesa e dytë “Jeta e Grigor Toskës” janë si dy tufa paralele eventesh që nisen njëkohësisht nga stacioni i trenit dhe udhëtojnë drejt Manastirit; tufa e parë vështrohet me sytë e një udhëtari të huaj, tufa e dytë me sytë e një shqiptari, protagonist në çështjen shqiptare. Udhëtari i huaj Robert dhe shqiptari Grigor janë në të njëjtin grup udhëtarësh, prandaj disa prej eventeve përsëriten në të dyja pjesët.
Fillon si roman historik sepse ka një datë historike, një saktësim të ditës, një qytet të njohur të perandorisë, do të pasohet nga identifikimi i shtëpisë së Zavalanëve që shërbeu si sallë e Kongresit. Para se të hapet goja e narratorit vëzhgues, ndjehet dora e gazetarit polemizues, toni deklarativ i veprave të mëparshme ia lë vendin qasjes meditative. Vjen zbulimi i parë i udhëtarit të huaj: ato që shikonte me sy nuk përputheshin me ato që kishte dëgjuar.
Përplasja e parë shqiptaro-serbe vjen si përballje e moshës së një instrumenti muzikor që shqiptarët e quajnë lahutë dhe serbët gulsë. Autori gjen rastin të sjellë dy argumenta: udhëtarët e huaj zbuluan më parë Serbinë, serbët kishin filluar të shkruanin para shqiptarëve. (f.37) Ngarkesa ka zbritur edhe në gjuhë me përdorimet “shiptar” dhe “albanac” nga njëra anë dhe “shkja” e “serb” nga ana tjetër krahasuar me termat përbuzës magjar, nemce, magjyp, arap, çifut, etj. (f.294) Kjo nuk e pengon autorin ta vlerësojë Shën Savën si personazh historik, themelues i Hilandrit dhe kishës autoqefale serbe, nga ana tjetër të argumentojë se ndeshja me serbët e bën Fotin njëqind përqind shqiptar. (f.297, 311) Përplasja shqiptare-serbe, edhe pse në këtë roman kalohet tangent, bëhet edhe për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin, sepse ati Gjon dhe vëllai Reposh u serbizuan dhe varret i kanë në Hilander të Athosit. (f.272, f.306) Si lanë një besë e morën një tjetër? “Ndëjei ata, sepse nukë dinë seç bënjënë.” (f.274) Ky raport i vështirë mbyllet me grotesk, serbët e kanë devijuar lutjen e famshme të të krishterëve: “Kosovën që na takon jepna sot e na çliro nga shiptari, më i ligu i të ligjve.” (f.300) Si në një ndeshje sportive, ku dy skuadrat kanë tifozët e tyre, edhe këtu ndodh njëlloj: anglezja Matilda Bolton (kujto Edith Durhamin) dhe irlandezja Flora Royan, “njëra është e marrosur pas shqiptarëve, tjetra të hidhet në fyt për serbët.” (f.216) Matilda, edhe pse mungon fizikisht në roman, është e pranishme fund e krye veprës. “Shqiptarët iu fanepsën në jetën e vet në një kohë që ajo jetë ishte në pikën më të ulët, e zbrazët, e mjerë, plot zhgënjime. Ata ishin dega ku ajo u kap për të shpëtuar veten.” (f.230)
Dashurinë e deklaruar më parë te libri “Unë jam gegë” autori e rikonfirmon edhe këtu duke veçuar format arkaike të jetës që u ruajtën më mirë në Gegëri dhe i ilustron me shprehjet: ‘për këtë dhe’, ‘për këtë bukë’, ‘për këtë gur’. (f.38) “Armët janë për gegët. Për toskët janë librat. (f.92-93) Konvertimi fetar i shqiptarëve në myslimanë u bë për të fituar status, pasuri, jetesë të kollajtë, por ka dhe një konvertim kulturor që lidhet me kulturën që të pëlqen. (f.103-104) Kur flasim për organizimin kombëtar të shqiptarëve duhet të mbajmë parasysh se masa më e madhe e ortodoksëve ishin grekofonë ose grekofilë. Myslimanët ndiheshin turq dhe donin shkronjat arabe se ishte gjuha e Kuranit. Ajka e vendit që shkonin pas qerreve të të huajve (f.128) dhe nuk e kishin për gjë as të shiteshin e të bliheshin, as të kacafyteshin me sho-shoqin për pak ndikim, status a pushtet. (f.129) Nuk kishin ideale, ose i shisnin si xhingla-mingla. Ishin të gjithë të korruptuar ose të korruptueshëm. (f.132) Edhe vetë të krishterët shqiptarë ishin ndarë me dy kisha, katolike dhe ortodokse dhe, kur u zgjuan në mes të shekullit XIX, nuk e dinin çfarë ishin. (f.302-303) Pasi krahason katolikët e Shkodrës me myslimanët dhe ortodoksët e Toskërisë (f.59 – 60), vjen ngritja në piedestal: “Po qe se katolikët nuk do të ekzistonin, as vetë shqiptarët nuk do të kujtoheshin se ishin një komb.” Kështu, krejt lirshëm, vjen mesazhi i parë i veprës: “Duhet të kthehemi në fenë e të parëve. Me pahir.” (f.61)
Konstatimi i dytë: shqiptarët kishin admirim bestyt te Perëndimi. (f.68)
Që në pjesën e parë paraqiten dy alfabetet që do jenë thelbi i punës së kongresit: Alfabeti latin i shqipes do të ishte i pari për një komb pjesërisht mysliman, por kishte një pengesë të çuditshme ekonomike: gërmat dyshe të alfabetit latin zinin një të pestën e tekstit çka nënkuptonte që një vepër kërkonte më shumë faqe se sa po të shtypej me alfabetin shqip të Stambollit, domethënë kosto më të lartë botimi. (f.71)
Mesazhi i dytë dhe më i rëndësishme që lidhej me alfabetin, vjen në pjesën e dytë: “Nuk kemi ardhur të fitojmë unë e ti, kemi ardhur të fitojmë të gjithë. Nëse nuk fitojmë të gjithë, askush nuk ka fituar.” (f.91)
Pjesa e parë mbyllet me një diskutim fetar e filozofik për vdekjen, kurse pjesa e dytë, sikurse u përmend më sipër, rifillon si narrativë nga stacioni i trenit për të hedhur dritë mbi karakterin e dytë – Grigor Toska, që portretizohet si atdhetari i orientuar drejt progresit. Në antitezë me të dhe me popullin, shfaqen etërit tekanjozë të kombit: nga njëra anë Bato Kosina i cili nuk do të vinte në kongres, po të mos zgjidhej kryetar. (f.65) nga ana tjetër Adam Kosturi (nënkupto Faik Konica) që njoftohet me vonesë që të mos mundë të marrë pjesë dhe të mos bëheshin dy gjela majë plehut.
Para se të lexoja romanin, isha njohur me sfidën e Faik Konicës për Kongresin e Manastirit dhe nuk është vështirë të zbulohet qejfmbetje nga që një ftesë e dërguar me vonesë, është mënjanim nga diskutimet e atjeshme. “Ku u dëgjua që një kongres letrar të jetë si një kurvëtore: Kush të dojë le të vijë! Nuk ka këtu njerës të xgjedhur me arësye dhe të ftuar, s’ka një progamë pune…” (F.K. Vepra 4, Dudaj 2001, f.161) Mohimi i tij shkon në ekstrem kur shkruan: “…përparimi i Shqipërisë është lidhur në mos të njohur të këtij kongresi.” (po aty, f.162) Në vazhdën e këtij qëndrimi, në letrën e datës 9 nëntor 1908 ai qëndron i palëkundur në qëndrimin e vet: “Një kongres për abenë do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right Congress, by the right men, in the right ime, at the right place.” (po aty, f.165)
Në kapitullin e veçantë që pason dy pjesët e para përmenden nominalisht edhe ata që s’morën pjesë në Kongresin e Manastirit përveç Konicës: Noli, Asdreni, Koleja, Vruhu, (f.151) por identifikohet onturazhi i Bato Kosinës si për të mbështetur qëndrimin e Adam Kosturit: Mane Polena që më shumë bërtiste se sa fliste, Kukudhi (Rrumaduci), T’ëmën e s’ëmës, ata dy që u mbaron emri me “o” (Shasho e Kajo).
Vlen të veçohet paralajmërimi i falltares Meme për konsullin rus: “Zoti konsull, shqiptari i egër ta ha mutin, por shqiptari i butë ta ha kokën.” (f.97) Vrasja ndodhi dhe më vjen mirë që autori ka identifikuar emrin e shqiptarit, ai ishte Halim Bleta nga Bitincka dhe një studiues nga shqiptarët e Maqedonisë, erdhi posaçërisht nga Turqia për ta konfirmuar ngjarjen, madje gjeti edhe një këngë kushtuar njeriut që nuk e përtypi fyerjen e konsullit.
Autori çel një dritare për të hedhur një sy në kopshtin filozofik ku gjen turmën dhe pafuqinë e njeriut për t’iu kundërvënë asaj, (f.101) nga ana tjetër mohimi nuk është absolut sepse sjell Ibsenin dhe “Armikun i popullit” me idenë e kundërt se edhe një i vetëm mund t’i kundërvihej turmës. (f.103)
Duke treguar interesimin e Foti Kostrecit për gjuhën shqipe, autori hap një trinë në fushën gjuhësisë duke folur për gërmat, kombin dhe Kuranin (f.107) dhe e ilustron me fjalorin që kishte hartuar me fjalë shqipe duke zëvendësuar ato turke: anësi – tarafllëk, lajm – haber, arsye – hak, vleftë – kimet, ngjyrë – bojë, dobi – qar, e metë – kusur, e zbrazët – bosh, theror – kurban. Deklarohet pëlqyeshmëria e tij për një alfabet latin pa shenja diakritike, njëkohësisht të ruheshin dyshkronjëshet gj, nj, rr, ll për të ruajtur traditën e shkrimtarëve katolikë, sepse “gjuha nuk është vetëm thjeshtësi dhe ekonomi, por edhe emocion, histori, traditë.” (f.116-17)
Martesa e parë e Grigorit me një serbe që u sëmur dhe u largua, është ekzemplar i vetëm, por kaq mjafton për të shkuar te deklarimi: “Një arnaut e një shkja nuk mund të rrojnë nën një tra.” (f.121-122) Në antitezë me të është Nusha – nusja gege nga Malësia e Madhe, femra mendjehapur që pasohet nga deklarimi i nënës Frosinë: “Vdekjen e dija, po që gega të bëhej toskë kaq shpejt, nuk e dija.” (f.123)
Pjesa e dytë mbyllet me sfidën ndaj tabusë mbi fjalët e seksit. Kënga e Bregut të Lumit (f.141-44), e kënduar nga Mane Polena dhe e shoqëruar nga burrat e çartallosur, i paraprin sfidës tjetër me përmasa më të mëdha te romani “Ngjizja e papërlyeme” e Agron Tufës. Ja vlerësimi befasues: “Mane Polenën e mora zët për shkak se ishte gojëprishur dhe ja tani, po për shkak të fjalëve të pista që nxirrte nga goja, më hyri në zemër.”(f.158)
*
Pas dy pjesëve të para, vjen kapitulli kapriçioz “E shtunë, dita e parë e vjeshtës së tretë” ku sfidanti Muç Nano, shkruan sipas alfabetit të propozuar nga Grigor Toska ku janë bërë zëvendësimet “ë” me “ə”, “gj” me “gh”, “nj” me “nh”, “ç” me “ch”.
Vështirësive të organizimit të kongresit, u shtohet edhe karakterizimi si kongres i qylafëve dhe mustaqeve, (f.146) pastaj vjen shpërthimi kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila hapi një shteg ku qëllimet nuk ishin mëmëdhetare, por, fatmirësisht u korrektua me pasojat. Ka ca të dhëna që nuk janë thënë ose sikur janë harruar të thuhen: Nuk pati orthodoksë, nuk pati as toskë, përveç Abdyl Frashërit. (f.147)
Paragrafë plot dritë janë ata që portretizojnë Ado Benën – gruan shqiptare të civilizuar, të parën grua që del zbuluar para burrave, të vetmen grua që dinte të shkruante shqip, të parën grua që merr pjesë në jetën publike. (f.154-55)
Pjesa e tretë “Në ditën e “Shën Fredit” autori rimerr problemet e gjuhësisë: Roberti mban shënim emrat e disa ushqimeve në gjuhën shqipe duke i transkriptuar: sopher, pastirmà, pourshesh, japrack, boureck, petoulla (f.164) dhe krijohet një mjedis pozitiv ku është pikërisht vendi ku zbulon misionin e shkrimtarit si mësues i lexuesve për një përdorim të bukur të gjuhës amëtare, (f.165) që shqiptarët të shpalosen para botës me atë gjatësi vale si folës të shkëqyer të gjuhëve të huaja. (f.167) Pas disa tezave të shtruara për debat, gjuhësia kthehet me rrethanorët e kohës në marrëdhëniet e punës: pastaj, qëparë, më vonë, paradite, padite, nesër. (f.180)
Nëpërmjet portretizimit të murgut Foti autori shfrytëzon mundësinë për t’u shprehur pozitivisht për krishtërimin që ka rëndësi si traditë, histori, qytetërim e jo si logos, si një e mirë e pazëvendësueshme për njerëzimin. Prej aty ngrihet në një lartësi të re qiellore, te Zoti si një tërësi ritualesh, rrëfimesh, fabulash, urdhërimesh, rregullash e normash etiko-morale të cilave njeriu duhej t’u bindej, ndryshe njerëzimi do të humbte drejtpeshimin. (f.173) Duke folur për kanakarët e Zotit, si vdekatarë të zakonshëm: Moisiu bari, Jezusi zdrukthëtar, Muhameti bari e karvanar, (f.253) autori duket sikur guxon shumë për t’u futur në ca katakombe nga mund të shpërthejnë blasfemitë. Përflitet edhe profeti Muhamet që mbante 13 gra, më e vogla 9 vjeç. (f.275) Raporti mes pushtetit dhe fesë te krishtërimi tregohet me shprehjen e Jezu Krishtit: “Paguani dhe ato që janë të Qesaritë, nde Qesari, e ato që janë të Perëndisë, nde Perëndija.” (f.278) Kjo nuk thuhet në Kuran ku pushteti dhe feja shkrihen në një. (f.279) Në islam hyn e s’del dot. (f.281) Shkrimtari autorizon personazhet e tij të gjykojnë për preferencat e Zotit, marrëdhëniet me njerëz me shpirt e zemër të kristaltë dhe jo me mendjet e mëdha, sepse donte të pushtonte shpirtin, jo mendjet e njerëzve. (f.255) Autori e vuan atë që ndodhi me ne shqiptarët – myslimanë në vendin e gabuar, në mes të të krishterëve. (f.171-72) Kurse serbët, ndryshe nga shqiptarët, me të cilët duket sikur janë të një biçimi, kanë një histori të krishterë pas shpine. (f.230)
Murgu Foti i jep mundësi autorit që ta shohë kolonializmin si një gjë të mirë, sepse pas tij zbulon kombet e përparuara që u bëhen krah kombeve të prapambetura. Kombet e vegjël kanë nevojë të vihen nën kontrollin e të mëdhenjve (f.176) dhe kjo gjë, për koincidencë, duket sikur ilustrohet me qëndrimin e sotëm të qeverisë Kurti në konfliktin me Serbinë. Po këtu mund të shtohet problemi i qeverisjes. “Doket, ojtnitë, qytetërimi në përgjithësi nuk janë lesh e mëndafsh që eksportohen. Modeli i qeverisjes duhet ta marrë legjitimitetin nga traditat, zakonet e mendësitë lokale.” (f.179) Duke diskutuar për kolonializmin, mund të bëjmë një degëzim pyetës: A rrinë dot shqiptarët pa pushtues mbi kokë? Bato Kosina ka një përgjigje që tingëllon aktuale: “Në vend të osmanëve do kesh një fuqi tjetër mbi kokë.” (f.199)
*
Pjesa e katërt “Prej manastirit në Manastir” është pjesa përmbyllëse e cila duhet të sigurojë gjithë dyert dhe dritaret para se të niset me pushime. Murgu Foti është me origjinë arumune nga i ati dhe këtu autori gjen rastin të nënvizojë se rumunët shkonin mirë me të gjithë, por me shqiptarët shkonin shumë më mirë. (f.251) Robertit piktor i takon të deklarohet si profesionist dhe ai bën krahasimin e pikturave europiane që të trazojnë me bukurinë, dhe atyre bizantine që janë të thjeshta e të japin paqe e qetësi në shpirt. (f.258) Arsyetimi shkon më tej me konstatimin se njerëzit janë zemërgjerë e kanë mirëkuptim për krijimet e së shkuarës, por janë të pafuqishëm për t’u bërë një me të ardhmen e për të kuptuar veprat e saj. Pra nuk ka një shije universale. (f.261)
Leksioni për gjuhësinë vazhdon me traditën e vënies së emrave të njerëzve në Shqipëri dhe merr ngarkesë shkencore kur përpiqet të hedhë dritë mbi etnonimin “shqiptar” (f.264), trajta e shkruar e të cilit nga të huajt shfaqet larushore: schipetars, schkipetares, skipatars, shkypetares, shkipetars, skipetars, schipettari. (f.265). Hidhet një vështrim gjuhësor për fjalën rrënjë, momentin zero, modifikimin dhe evoluimin e aparatit të të folurit, shqiptimin e fjalës së parë. (f.285-87) Jepet dhe një segment kohor i zbulimit të etnonimit, vitin 1741, (f.266) flitet për dokumenta të zhdukura (f.268) sepse pas reklamimit të vrasjes së Fred Potterit për çështje nderi, fshihet thelbi politik që Ndre Mjeda, një nga delegatët me emër real, deklaron se Kongresi ashtu si Rozafati, e mori flinë e vet, (f.234) çka nënkupton se ai kishte dijeni për dokumenta të rëndësishme që lidheshin me gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëve.
Kapitulli “E dielë, dita e tetë, e vjeshtës së tretë” i rikthehet vështrimit gjuhësor me ngritjen në normë të alfabetit latin duke i bërë lëshim alfabetit të Stambollit te shkronja “ç” dhe një nderim arbëreshëve te shkronja “ë”. (f.325) Intriga e vrasjes dyshohet se i ishte besuar një shqiptari pa atdhe nga Janina, për t’i qëndruar idesë se kombit shqiptar shumë të këqia i kanë ardhur nga brenda. (f.326)
Romani ul siparin me versionin përfundimtar të vizitës së Robertit. “Kish erdhur atyre anëvet i nxiturë nga një tekë në një moment të pikëlluarë, dhe e gjitha i ishte kthyejturë në një rysni të madhe.” Pastaj, me të vënë këmbë në dheun e Arbrit, vetëm në harkun kohor të një jave, bën deklarimin prekës që vazhdojmë ta dëgjojmë edhe sot nga sa e sa udhëtarë të huaj: “Unë kurrë nuk do ta harronj këtë udhëtim, është më i bukuri i jetës sime.” (f.331)

(Romani “Një javë në Manastir” i Mustafa Nanos, Tiranë 2020)

Filed Under: LETERSI

“Kryevepër unike” – Poezi nga Lulzime Malaj

May 11, 2024 by s p

Kryevepër unike

Kanavacës i derdh nuanca, tone…

po ti prapë, as e qeshur, as e trishtuar,

je kaq etruske, kaq mistike,

ma shton etjen për të të deshifruar!

Buzëqeshjen davinçiane si ta pikturoj

kur s’gjendet as në simbolet antike?!

Mona Lisa në ç’mënyrë mund të tregojë

për buzëqeshjen e saj enigmatike!

Derdh gjithë të verdhën e Van Gogh-ut

të zezën pështjelluese të Kafkës mbi flokë,

por nga ajo që duhet, janë larg vite drite,

vallë hyjnoren lart në qiell e kërkoj në tokë?!

E hutuar tentoj sërish një retushim,

punoj plazmimin, linjave formë u jap

dhe pse më tundon je kaq e pamundur

ndaj natyrisht, e prish prapëseprapë!

Në studio ecejaket e mia çmenden,

të pikturoj mrekullinë s’mundem dot,

unë veç ëndërroj buzëqeshen tënde,

ti mbete kryevepër unike në botë!

Përfundimisht e ëndërrt mbete…

Më pëlqen mënyra si i lidh flokët

edhe pse tashmë i ke krejt të bardhë,

më pëlqen mënyra si më vështron,

edhe pse mungon i dikurshmi zjarr!

Prej shekujsh dashuruar, s’jemi më të rinj

dhe ecjet i bejmë me çapa të vegjël,

pse krahët kur ti më përqafon

më shëmbëllejnë ende me engjëj?!

Vazhdoj të të vështroj me dashuri,

dhe pse rrudhat janë shtuar mbi ballë…

Luledeles ti s’ia heq më petalet: më do,

s’më do. As yjet s’m’i qep më në shall.

Borë-mëndafshtën, që derdhet gjithkund,

unë romantiku, s’ta pres dot fustan,

sumbullat e vesës s’ti bëj dot parfum,

s’ta shkruaj më as emrin mbi xham!

Megjithatë më rrëmben si muzë poeti,

e ndjej, tani të dua më shumë,

më pëlqen kur të shoh buzëqeshur

fëmijënore mes ëndrrave flë gjumë!

Përfundimisht, e ëndërrt mbete tek unë!

Në shtëpinë e prindërve

Koha këtu e ka ndalur udhëtimin,

akrepat e orës së murit kanë vdekur!

Dy sy më flasin nga portreti i nënës,

lodrat e dikurshme rrinë mbështetur!

Dhomat përmbytur nga heshtja që flet,

ngado shoh gjurmë, asgjë nuk vdes;

në tavolinën e bukës trokitje gotash

dhe heshtin bisedat e lëna në mes!

Në aneks më fanitet imazhi i nënës

tek qep fustanet tona me dorë,

poltroni, ku lexonte gazetën babai,

çadra e tij si gjithmonë në korridor.

Hapat tona ndihen në krejt shtëpinë

dhe të qeshurat e vëllezërve në oborr,

në degën e kumbullës fëmijëria ime,

kolovitet në shilarës, ma bën me dorë!

U çmalla e fola me prindërit e vdekur,

ecëm tok si dikur në udhët e diejve,

në muzg ata zgjasin kokat në dritare

dhe ikin si dritë fushës së përtejme.

E kam shumë të çmuar këtë shtëpi,

e bëjnë kaq të dashur kujtimet,

aty fle dhe zgjohet e imja fëmijëri,

veshur me diell nga ëndërrimet!

May be an image of 2 people

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT