• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LINDJA DHE PERËNDIMI ME NJË DET NË MES

April 3, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Studioja e Blushit, si pjesë e një trendi në letërsinë botërore, rimerr tema, subjekte, figura historike duke mëtuar t’i vendosë në një profil të ri, rrjedhimisht t’i tregojë lexuesit copëza pak ose aspak të ndriçuara të së kaluarës. Te romani “Të jetosh në ishull” e filloi me vendosjen në peshore të Kastriotëve dhe Aranitëve dhe e vazhdon këtu me raportet midis Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë hulli operimi me emra të njohur për lexuesin, është një gjetje interesante që i krijon mundësi të kalojë shpejt nga prezantimi i tyre në dinamikën e ngjarjeve dhe filozofinë e rrjedhojave. Edhe pse fabula e romanit është e thjeshtë, edhe pse ai duket sikur ka pirë ujë në krojet e Shekspirit, fatet dhe karakteret e heronjve blushianë vendosen në një kornizë kohore dhe vendore të ndryshme, rrjedhimisht ndjekin një tragë të ndryshme, siç ndodh në rrugët që diku ndahen në dy ose më shumë shtigje.
Dy pikat më të afërta mes Blushit dhe Shekspirit, mes “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Tragjedia e Otellos, Arapi i Venedikut” janë Otello dhe Desdemona. Le të mendojmë për një çast se Otello është i njëjti karakter që autorët e kanë takuar në kohë të ndryshme: Blushi kur në vitin 1383 vjen si fëmijë-skllav nga shkretëtira në Venedik, Shekspiri kur është bërë ushtarak i shquar në Venedik; Blushi e dërgon në Vlorë si udhëtar, Shekspiri e dërgon në Qipro për ta mbrojtur ishullin nga turqit; Otello i Blushit kërkon dashurinë e Desdemonës nëpërmjet shamisë magjike që i ka dhënë e ëma dhe shishes me lëng që i përgatit doktori Stefan Gjika, kurse Otello i Shekspirit e ka fituar dashurinë e Desdemonës sepse e ka magjepsur me historitë e tij të luftës, por shamia kthehet si flamur i xhelozisë së verbër; Desdemona e Blushit është bija e Albano Contarinit i cili ia ble Otellon në treg si kukull me paralajmërimin që i ndalohet ta dojë, kurse Desdemona e Shekspirit është bija e Brabantit i cili po ashtu ishte kundër martesës së bijës së tij me një njeri me ngjyrë: Otello i Blushit i jep Desdemonës lëngun e dashurisë dhe i shkakton vdekjen padashur, Otello i Shekspirit mashtrohet nga Jagoja dhe e mbyt gruan besnike.
Jagoja i Blushit dhe Shekspirit kanë dy pika afrimi: karakterin dhe përdorimin e shamisë për intrigën e paramenduar, por kanë një ndryshim të rëndësishëm: Jagoja i Blushit është vëllai i Desdemonës me një fytyrë që “në asnjë rast nuk dukej miqësore” (f.76), njeriu që kënaqet duke i bërë të tjerët të qajnë, fëmija që e futi motrën në arkivolin e një të vdekuri, kurse Jagoja i Shekspirit është ushtaraku monstër që e kërkon karrierën e vet duke shkelur mbi shpinat dhe jetën e të tjerëve, “Qen, shpirtzi, skëterrë,/ M’i lig sesa murtaja, deti dhe uria!” (f.787)
Emilia e Blushit është motra e Desdemonës dhe Jagos, kurse Emilia e Shekspirit është bashkëshortja e Jagos; në të dy rastet Jagoja e përdor si mashë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri.
Kasi i Blushit është Mrkzha Kasimir Zharkoviçi, djali i princit serb të Zetës, fejuar me Ruginën, bijën e Balshës II, zotit të Vlorës, që shkon në Venedik të shesë Vlorën, por merr falas Desdemonën, kurse Kasi i Shekspirit është oficeri Mihal Kasi nga Florenca, sipas Jagos “një bandill që e shet edhe shpirtin për një grua bukuroshe dhe as që di nga rregullat e luftës” (f.594), por realisht nuk ka marrëdhënie të fshehta me Desdemonën.
Ndoshta për shkak të të qenit në politikë në kohën e ngjizjes së këtij romani, Blushi afirmohet si një vëzhgues i hollë i dukurive dhe, me guxim, bën një shumatore të karakterit filozofik. Disa prej tyre janë shumë të guximshme. P.sh. “Lufta nuk vlen nëse nuk kthehet në pasuri.” (f.109) “Vlora kishte më shumë vrasje se peshkatarë, më shumë hajdutë se luftëtarë, më pak trima se kusarë.” (f.175) “Vlora ka shpata, po s’ka burra.” (f. 302) Ose: “Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët, Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë të shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë.” (f.239) Studioja krijuese e Blushit duket sikur shfrytëzon pajisje kompjuterike, prandaj përfundimet që sjell duken sikur i janë nënshtruar një llogaritjeje matematike. Një fantazi e jashtëzakonshme shpaloset kur tregohet me detaje pafund përgatitja prej doktorit e lëngut të dashurisë. (f.163-168)
Sipari i ndodhive ngrihet në Venedik, një anije e sjell heroin në Vlorë dhe pas një kalvari disavjeçar ku Stefan Gjika e trajton si kavje për eksperimente mjekësore dhe Hamiti si dylber, rikthehet në Venedik. Ky alternim përdoret nga autori për të treguar kryqëzimin e interesave mes Lindjes dhe Perëndimit, por edhe hendekun e madh mes tyre, jo aq për shkak të Adriatikut të thellë, po të kulturave të ndryshme. “Si dy motra të ndara nga deti, Vlora dhe Vendiku kanë mbetur njëra në lindje dhe tjetra në Perëndim. Prandaj Vlora ka më shumë zjarr dhe Venediku më shumë dritë.” (f.271) Kurse Kasi që vjen nga Serbia konstaton se “Vlora ishte një port, por Venediku ishte një qytet.” (f.292) Kapiteni i anijes që çon Albanon dhe Otellon nga perëndimi në lindje, thekson më tepër kontrastet: “Do vazhdoj të shkoj në Vlorë duke çuar armë dhe duke marrë vrasje, duke çuar urrejtje dhe duke marrë padituri, duke çuar murtajën dhe duke marrë urinë, duke çuar burra dhe duke marrë jetimë, duke çuar epsh dhe duke marrë tradhëti, duke u çuar Krishtin dhe duke kthyer Muhamedin.” (f.95) Gjithsesi, në gojën e Albano Contarinit autori vë një deklarim domethënës: “Mesdheu…është liqeni ku lundron barka e krishtërimit dhe të gjitha portet e tij duhet të konsiderohen si Perëndim.” (f.285)
Analizat dhe zhbirimet psikologjike dhe filozofike e zhvendosin skajshëm dialogun, duke i lënë fushë të lirë meditimit, siç ndodh kur faqe të tëra u lihen eksperimenteve të Stefan Gjikës me trupin e Otellos që kulmon me injektimin e kolerës dhe shpjegimin cinik vetëm e vetëm për shkak të ngyrës së lëkurës, kur ndalet te lufta dhe trimëria dhe krijon një figurë si Andrea si simbol të heronjve (f.225, 235-236, 257), kur vë në peshore fëmijërinë dhe lumturinë (f.125), xhelozinë dhe dashurinë (f.315-316), apo familjen dhe dashurinë (f.150-154, 277, 298) me një hapësirë aq të gjerë saqë në kooperim me dashurinë e Otellos për Desdemonës duket që projektorët më të fuqishëm janë drejtuar pikërisht këtu. Tek i njëjti trup jetonte Otello që i tregonte botës shpirtin e bardhë, por të gjithë shikonin tek ai Arapin me lëkurën e zezë. Si shprehje e dy botëve të ndryshme Hamiti e paralajmëron se në Vlorë mund të jetonte si Arap, kurse në Venedik mund të bëhej Otello. Ngjyra e lëkurës është mallkimi që e shoqëron nga lindja në vdekje, një ngjyrë që e kthen në skllav, por që nuk e shpëton edhe kur ngjit shkallët e karrierës.
Blushi guxon të trajtojë tema tabu. E filloi me qëndrimin ndaj figurës së Skënderbeut dhe Ali Pashë Tepelenës te romani “Të jetosh në ishull.” Në këtë roman skena e burgut të Vlorës kthehet në një poemë për homoseksualizmin, temë pothuajse e pacënuar në letërsinë shqiptare. Llambushkat e para të homoseksualizmit u ndezën që te romani “Të jetosh në ishull” me figurën e Ali Pashait. Megjithkëtë Blushi paraqitet si burrë me namuz kur është puna për përdorimin e leksikut seksual, ndryshe nga Agron Tufa, Edmond Tupja, Mustafa Nano, Thanas Jorgji, etj, ai nuk përdor as emra dhe as folje me ngjyrë të kuqe. Në vend të tyre mund të gjesh fjalë a shprehje me kamuflazh si “muskuli”, “lëmshi”, “sirtarët”, “ndonjë vrimë e trupit”, “ajo gjëja që kanë burrat në fund të barkut” (f.70), “në mes të këmbëve ishte një nxehtësi”, “nga kofshët po më kullonte një lëng i trashë dhe i nxehtë. ”(f.71)
Blushi merr rolin e doktor Stefan Gjikës kur hap mbi tavolinë doktrinën e krishterë dhe e bën doktorin zëdhënësin e vet kur thotë se “Krishti ishte prova e madhe e shkencës dhe jo e kishës,” s’kishte asgjë hyjnore pasi “kishte lindur nga një grua dhe ishte vrarë nga njerëzit,” se “me Jezu Krishtin Zoti kishte pranuar pafuqinë e tij për të dhuruar e për të marrë jetë.” (f.129-130)
Në këtë roman ka shumë poezi. Krahasimet dhe metaforat e goditura përdoren për të portretizuar personazhe, për të shpirtëzuar natyrën dhe ndodhitë. Po citoj pak prej tyre për të treguar se janë origjinale dhe domethënëse: “Turqit këndonin si korba dhe dielli pikonte si helm i verdhë. Kasi (mbi kalë) dukej si një diell që ka shaluar një re.” (fq. 259) “Vetullat e ngrysura të Jagos dukeshin si leshterikë mbi guackat e pjatave të lëngshme.” (fq. 331) “Andrea mbërriti i pari duke zbukuruar me dantella gjaku zverkun e një turku të vetmuar. Dhëmbët e semaforit u zverdhën nga dielli si shkronja të arta mbi një varr.” (fq. 290)

Romani “Otello, Arapi i Vlorës” i Ben Blushit, Toena 2009 dhe tragjedia “Otelli, Arapi i Vendikut” i Uilliam Shekspirit, Vepra 1, Tiranë 1982

Bilisht, 31 mars 2024

Filed Under: LETERSI

PASHKËT, DITË RINGJALLJE, SHPRESE E FESTE, EDHE ME KONTRIBUTIN E SHQIPTARËVE..!

March 30, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Pashkët kremtohen shumë më përpara ardhjes së Mesisë së paralajmruar, Jezu Krishtit, në tokën e Shenjtë të Izraelit, por atëherë festimi i Pashkëve kishte kuptim tjeter, pasi siç e gjejmë të shkruar në Bibel. Pashkë do të thoshte në hebraishten e vjeter KALIM ( kjo e bazuar në foljen PASAH). Pashket atëhere simbolizonin kalimin e Zotit nëpër tokat e Izraelit , per ti shpëtuar nga roberia e paganizmit egjyptian..Vet Moisiu në ato kohë i thoshte popullit të tije që ditën e Pashkëve të bënin nga një qingj fli , ku me gjakun e tij të sterpiknin ballin e shtëpiave të tyre. Sterpikja bëhej me deget e bimes së kuqerremt me emrin HISOPI. Gjithashtu Moisiu i porosiste që mishi i qingjit të piqej dhe të hahej shpejt pasi janë Pashket , pra Kalimi…Pashkët në atë kohë festoheshin të shtunen e parë pas ekuinoksit me Hanë të plotë..1. Pas ardhjes në jetë të Jezu Krishtit dhe doktrines së tij, festimi i Pashkëve vijoj edhe nga vetë Jezusi me Apostujt e tij.2. Që nga ajo kohë Pashkët filluan të kenë një kuptim më të gjërë shpirterore dhe Hyjnore, pasi Pashkët ishin ditët e kalimit nga roberia pagane , në mbreterinë qiellore të vetë Zotit, më të derguarin e tij Jezusin.. Por kuptimi i vertet i kremtimit të Pashkeve do të vinte pas ringjalljes në ditën e tretë, (të Dielen), të Jezu Krishtit që sundimtarët pagan romak i kishin marrë jetën toksore duke e kryqezur e varrosur ditën e premte. U deshtë që në krye të perandorisë Romake të vinte Iliro-shqiptari nga Nasiussi i Dardanisë (Nishi i Kosoves), Flavio Valerio Kostandini (Kostandini Madh),3. që Pashkët të fitonin dimensionin e ri të festimit si ditë ringjallje e shprese, kur ky perandor shpalli Ediktin e Milanos në vitin 313…,4, dhe dekretin e vitit 321 që ditë feste e pushimi për kristianët Perandorisë Romake e më gjërë të ishte dita e Dielë e jo shtuna hebraike…5. Pashkët festohen tre ditë, pra aq sa zgjati ringjallja e Jezusit, dhe kanë si kohë kremtimi (për katoliket) të dielen e parë me Hanë të plotë pas ekuinoksit të Pranverës, dhjetditëshi i tretë i marsit –gjysma e parë e prillit… Simboli i Pashkëve janë VEZËT që njihen si embrioni i riprodhimit të jetës, ndërsa ngjyra e kuqe që ngjyrosen vezët, “perfaqeson” gjakun që fali pa kursim i derguari i Zotit-Jezusi , si dhe vet dashurinë hyjnore e njerzore . Pashkët si ditë ringjallje e shprese , kanë bekimin , faljen e mëkateve e gabimeve njerëzore , ku kjo arrihet me anë të Sakramentit të Rrëfimit .. Para Pashkëve bëhet bekimi i bukes dhe vlerave të tjera ushqimore e jetsore… Pashkët pas Krishtlindjes janë evenimenti me i rëndësishëm i “botës” Kristiane , e cila në këto ditë shkon në Kisha e Meshë , duke ndezur qirinjë dhe duke u lutur…6. Vlenë të shënohet se para Pashkëve janë shtatë javë Krezhme, ku “agjërohet”, kryesisht duke mbajtur thatë,.. (Ne në Shqiperi në vitet e ateizmit komunist e kemi provuar mohimin e besimit në Zot dhe ndalimin e kremtimit të festave fetare… mohim që ende duket se e kemi mallkim…). “Gjithsesi” GËZUAR e me SHËNDET PASHKËT të gjithë kristianëve (Katolik), por gëzimi e shëndeti qofshin të perhershme edhe për vëllezërit tonë musliman me të cilët na bashkon një Zot, një gjak, një gjuhë e një Atdhe, që siç thoshte patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta: “Vertetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”…

Filed Under: LETERSI

PROFILI I NAUM PRIFTIT NË LETËRSINË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ

March 28, 2024 by s p

Profesor Kastriot Gjika

Universiteti i Tiranës/

Përkujtimi e nderimi i shkrimtarëve e personaliteteve të letrave shqipe siç është rasti i Naum Priftit është njëherazi edhe një mundësi e mirë dhe e volitshme për rivlerësimin dhe ridimensionimin e trashëgimisë së tij letrare. Përgëzoj për këtë arsye organizatorët e kësaj veprimtarie dhe i falenderoj që më ftuan të sjell dhe unë kontributin tim modest. Përzgjedhja e kësaj teme erdhi, së paku, nga dy shtysa të vetëdijshme: së pari, nga shkaku i interesimeve të mia personale në studimin e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj e së dyti, nga shkaku se shpesh, kur flasim e përkujtojmë një shkrimtar të përmasave si ato të Naum Priftit, kontributet e tij në letërsinë për fëmijë në përgjithësi i nënçmojmë e i minimizojmë, duke ia nënrenditur vlerat e tij në këtë fushë vlerave e dimensioneve të tij në letërsinë e përgjithshme. Kjo është një problematikë që haset ngado në studimet tona letrare.

Kur flasim për Naum Priftin si shkrimtar për fëmijë, gjëja e parë që mund të theksojmë është angazhimi i tij si krijues në disa zhanre e lloje letrare. Ai la vepra të spikatura në tregimtarinë për fëmijë, në novelistikë, në dramaturgji, në përrallën për fëmijë etj.

Naum Prifti erdhi në tregimtarinë për fëmijë me reputacionin e një zëri origjinal e të spikatur në tregimtarinë për të rritur. Ai u bë shpejt një mjeshtër edhe në letërsinë për fëmijë, përfaqësues i dinjitetshëm i saj. Vëllimi i parë i tij në prozën e shkurtër “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” (1979) qe me krijime të mbështetura te folklori shqiptar. Më tej, autori botoi dy përmbledhje me tregime. “Erë mali, erë fushe” (1985) është një kthim emocional në fëmijërinë e shkrimtarit Naum Prifti – një pjesë e tregimeve fokusohen te Lufta Antifashiste dhe te pjesëmarrja e fëmijëve dhe të vegjëlve në këtë epope historike. Një vit më pas vëllimi “Si ylber që vezullon” i kushtohet një grupmoshe më të re.

Kthimi dhe referenca te vetvetja, duke e konsideruar atë si fokus të rrëfimit, i ka dhënë veprës së tij tregimtare besueshmëri e intimitet. Duke ndjekur një praktikë të sprovuar në letërsinë për fëmijë, Naum Prifti ndërton një strukturë të thjeshtëzuar të tregimit. Rrëfimi në vetën e parë e bën personazhin një pjesëmarrës aktiv të ngjarjeve dhe jo thjesht një kundrues të jashtëm e të paanshëm të tyre. Personazhi rrëfimtar kalon nga njëri tregim në tjetrin, në disa prej tyre, duke bërë që vëllimi me tregime të konceptohet edhe si një vepër e unifikuar. Përmbledhja na shpërfaq një larmi tipash e karakteresh. Duket qartë që tregimtari kërkon t’iu ikë shablloneve letrarë, në kërkim të tipave e karaktereve unike. Prozat tregimtare të Naum Priftit shquajnë edhe për një tis të hollë humori që i vesh ato, zaten si krejt veprën e tij. Shkrimtari eksploron duke depërtuar në botën e brendëshme, në mendimet dhe ndjenjat e fëmijëve dhe adoleshentëve. Për një, ndër vlerat që kritika e kohës i njohu vëllimit “Erë mali, erë fushe” është ajo e zgjerimit të tematikës së tregimit për fëmijë.

Përmbledhja me tregime “Si Ylber që vezullon” (1986) duket se synon një grupmoshë pak më të vogël, shkollarë më të vegjël. Aty shkrimtari kërkon të eksplorojë letrarisht ndryshimin e hovshëm psikologjik të moshës më të njomë. N. Prifti ka ditur që në mënyrë shumë inteligjente ta nënvizojë idenë se sado më të zhvilluar të jenë brezat e sotëm, ata janë fëmijë e mendojnë, ndiejnë e përjetojnë si fëmijë. Trajtimi letrar i veçorive të fëmijëve, në fakt e adreson librin edhe te të rriturit, te prindërit dhe edukatorët etj. Temat e trajtuara në tregimet e këtij vëllimi janë tema të ditës. Situatat e treguara janë të përshkuara përherë nga humori. Naum Prifti tregimtar ka stil origjinal, ka profilin e tij vetjak si tregimtar, e njeh mirë veçantinë e tregimit si lloj letrar.

Titulli që e bëri të njohur Naum Priftin në letërsinë për fëmijë është novela “Cikua dhe Beni”. “Cikua dhe Beni” (1964, ribotuar në 1976) është një novelë që i vendos ngjarjet e bëmat e dy heronjve të saj të vegjël në vitet e Luftës Çlirimtare. Me një tis lirizmi e humori rrëfehen ngjarje të verës së vitit 1944. Heronjtë e saj, Cikua 11 vjeç e shoku i tij i ngushtë, Beni 9-vjeçar, jetojnë në një fshat të Kolonjës. Pranë tij, në Ersekë, janë vendosur gjermanët, ndërsa në anën tjetër të fshatit, në male, janë partizanët. Në fshat pllakosin herë njëra palë e herë tjetra. Cikoja, i frymëzuar nga model i një partizani që qëndroi burrërisht ndaj torturave deri në pushkatimin e tij nga armiqtë, i qëndron dhe ai rrahjeve, rrëmbimit të mushqerrës së tij të dashur, Laureshës, etj . Tregimet kanë trajtë aventurore, sepse si e tillë është trajtuar edhe qëndrimi i Cikos dhe i Benit te partizanët në mal. Pas dy ditësh qëndrimin aty, edhe pse s’i pranuan për shkak të moshës, u larguan të lumtur se kishin ç’tu rrëfenin bashkëmoshatarëve të tyre në fshat. Tematika e librit, edhe pse shumë u vlerësua në kohën kur u botua, nuk është pika më e fortë e kësaj novele. Niveli artistik i rrëfimit letrar është merita më e madhe e librit. Autori e njeh më së miri psikologjinë e fshatit, psikologjinë e fëmijëve në fshat dhe psikologjinë e familjes fshatare. Novela pretendon të jetë realiste, por ajo nuk është e çliruar nga njëfarë romanticizmi që buron nga nostalgjia për fshatin e jetesën në të, që në rastin e Naum Priftit, lidhet me përvoja e përjetime personale. Gjuha e veprës është gjithashtu mjaft tërheqëse dhe karakterizuese për ligjërimin e personazheve, si të atyre fëmijë, ashtu edhe të të rriturve.

Personazhi i Cikos është i ndërtuar bukur, me vërtetësi dhe duket që si i tillë ai është ushqyer sa nga prototipa të letërsisë botërore për fëmijë (ai është harakat dhe çapkën si ndonjë Tom Sojer apo Hakëlberri Fin), aq edhe nga vetë jeta vendore dhe letërsia shqiptare për fëmijë. Jo rastësisht ky personazh dhe dyshja e tij me Benin të kujtojnë personazhin fëmijë të Mitrush Kutelit, Çilin.

E ngjashme me novelën e sipërpërmendur është edhe drama për fëmijë “Zani partizani” (1981). E ngjashme jo vetëm për nga tematika, ajo e pjesëmarrjes së të vegjëlve në luftën partizane, por edhe nga fakti që edhe këtu në qendër janë dy djem të vegjël, Zani dhe Fatosi, që duan dhe përpiqen të bashkohen me partizanët. Fabula është e thjeshtë. Gjuha dramatike është e karakterizuar nga një dialog i shkathët, personazhet janë të individualizuar e të karakterizuar bukur. Kjo dramë u vlerësua si një nga më të sukseshmet për kohën e vet.

Është intersant qëndrimi që vetë Naum Prifti ka mbajtur ndaj letërsisë për fëmijë. Në një intervistë të tij në gazetën “Shqip”, më 2 shtator 2006, Naum Prifti pohon se “disa kohë iu shmanga letërsisë serioze, duke u marrë me letërsinë për fëmijë. […] unë letërsinë për fëmijë e përdora në atë kohë si alibi. Pasi shkruaja gjëra të tjera, të cilat nuk mund t’i botoja, i mbaja në sirtar dhe botoja vetëm letërsi për fëmijë”.

Në një kumtesë të tij, mbajtur në Simpoziumin e parë të letërsisë për fëmijë (27-28 maj 1974), Naum Prifti shprehte gjithashtu disa konsiderata që na interesojnë në lidhje me përrallën për fëmijë. Sipas mendimit të tij të shprehur në këtë kumtesë, përralla e kultivuar duhet të ketë edhe karakter njohës. Tek ajo duhet të gërshetohet harmonikisht fantazia me të vërtetën shkencore, ku mjediset dhe situatat duhet të jenë të ngjashme me ato që njohin dhe jetojnë fëmijët.

Kur në përrallë përmendet televizori, automobili, telefoni etj, kjo duhet bërë që të vijë natyrshëm ideja e bashkëkohësisë. Ai mbronte idenë se nuk është shkelje e botës së fantazisë përmendja në përrallë e vendeve dhe sendeve të njohura për fëmijët, si kinema “Partizani”, karamele “Fatosi”, bar kafe “Rozafa” etj. Në përrallën e kultivuar, sipas autorit, duhet që krahas idesë së shëndoshë dhe moralit pozitiv, të gërshetohet edhe karakteri njohës, edhe karakteri shkencor. Të gjitha këto të jepen me fantazi dhe natyrshmëri, mundësisht me një dozë të mirë humori. Saktësisht këto parime shkrimtari Naum Prifti i ndoqi e i zbatoi edhe në veprimtarinë e vet krijuese dhe konkretisht në përrallat që iu dedikoi fëmijëve.

Përmbledhja “Përralla për një muaj” (1989) përmban tridhjetë përralla, nga një për çdo natë, përgjatë një muaji të tërë. Krijimet e tij në këtë zhanër lexohen me endje, janë shkruar bukur e me doza të humorit të shëndetshëm. Lexuesi i moshës së vogël ka rastin të lexojë krijime me ide e mesazhe pozitive. Kështu, fjala vjen, përralla “Cinxëri këngëtar”, me të cilën hapet vëllimi, evokon një situatë nga fabula e njohur e La Fontenit “Gjinkalla e milingona”. Akuzës së Karkalecit se Cinxëri është treguar dembel dhe s’ka punuar gjatë verës, ai vetë i përgjigjet se në fakt, ka punuar fort e është lodhur shumë duke u përgatitur për koncertin e tij, se edhe kënga e të kënduarit është një punë e vështirë që jo kushdo e bën. Kësisoj ai e zgjeron horizontin e fëmijëve edhe me punën artistike dhe estetike, përtej asaj fizike. Përralla “Keri te dentisti” përçon edhe mësimin për kujdesin dhe higjienën e gojës e të dhëmbëve qysh në moshën e vogël. Shembull i bukur i gërshetimit harmonik të fantazisë me shkencën e faktet shekncore është përralla e mirënjohur “Pika e ujit”. Aventurat e personazhit kryesor, Pikës së ujit, në rrugëtimin e saj prej një shpelle të malit Tomorr deri në det e pastaj në qiell e përsëri në tokë, tek e ëma, në fakt janë një ilustrim i qarkullimit të ujit në natyrë. Disa nga përrallat e këtij vëllimi nisin me një situatë reale jetësore e pastaj kjo gërshetohet me një rrafsh fantastik. Kështu, p.sh., përralla “Karkaleci me paterica” nis me një vajzë, Luljetën, që niset t’i çojë bukë të vëllait, Ardit, që punonte me autokombajnë. Teksa ai ha drekën, Luljeta, merr në dorë një karkalec të çalë dhe një brumbull. Bashkëbisedimi i këtyre na çon në nivelin fantastik të përrallës.

Është veçuar si vlerë e stilit përralltar të Naum Priftit kujdesi që ai tregon për onomastikën, për emërtesat e personazheve, çka të kujton disi lojën koniciane me emrat e personazheve. Naum Prifti i formon emrat e përveçëm të personazheve me ndihmën e emrave karakterizues të përgjithshëm të kafshëve, të objekteve, të insekteve etj si Lec Karkaleci, Cin Cinxëri, Mili Milingona, Staf Koku, Strep Koku, Dip Koku, mushkonja Ana Fel, Elefandi Andi, Andre Seni (nga emri i shkrimtarit Andersen), Foka Oka, delfin Dolfi etj.

Në vazhdën e kësaj lloj krijimtarie, Naum Prifti i dha lexuesit të moshës së vogël edhe përmbledhjen “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” (1979). Në thelb ato janë rrëfime të ritreguara, të rikrijuara, duke u nisur nga një rrëfim popullor, nga një fragment balade, nga disa vargje të një kënge popullore. Përmbledhja përfshin 19 rrëfime. Të gjitha kanë në qendër të tyre Gjergj Kastriotin dhe epokën e lavdishme skënderbejane. Vëllimi ka karakter njohës, duke hedhur dritë mbi historinë dhe gojëdhënat për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarë e bashkëkohës të tij, për betejat më të rëndësishme që ai drejtoi, për gjeografinë historike të Arbërisë etj. Libri pati edhe vlera të qenësishme edukative, sa kohë që frymëzonte e edukonte ndjenja krenarie e atdhedashurie, evokohet besa e mbajtja e fjalës së dhënë etj. Rrëfimet kanë një mbështetje aktive të fuqishme në folklor.

E së fundi, nuk mund të mos e përmendim edhe angazhimin e Naum Priftit edhe në diskutimet letrare të kohës që kanë në qendër problematikat e zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë. Po sjell këtu veç disa nga artikujt që ia shkroi e botoi në vitet ’70, më së shumti si dëshmi e këtij angazhimi:

Prifti Naum – Dramaturgji për të vegjël – Drita, 15 nëntor 1970

Prifti Naum – Dramaturgjia për fëmijë ka nevojë për heronj frymëzonjës me ideale komuniste – Mësuesi, 20 Janar 1971

Prifti Naum – Çështje të brendisë socialiste në krijimet për fëmijë – Drita 24 mars 1974

Prifti Naum – Disa probleme të letërsisë për fëmijë – Zëri i popullit, 15 dhjetor 1974

Prifti Naum – Për zhvillimin e mëtejshëm të përrallës sonë – Nëntori 6, 1977

Po të shtojmë edhe përkthimet mjeshtrore prej tij të disa prej kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë, plotësohet në 360 gradë vendi i këtij shkrimtari të shquar në letërsinë shqiptare për fëmijë.

Filed Under: LETERSI

Një reflektim dhe urim në festën e Pashkëve

March 27, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Udha e Kalvarit e banorëve të Becit të Gjakovës në vitin 1999

Festat na largojnë për një kohë nga jeta rutinë dhe na sjellin lumturi dhe harmoni në familje dhe shoqërinë tonë. Përmes urimeve dhe përgatitjeve shpirtërore, ne ia falim gabimet dhe zënkat njëri – tjetrit. Dashuria dhe respekti ndaj njëri – tjetrit afrohet edhe për disa hapa, sepse ato janë virtyte të larta njerëzore që e prangosin urrejtjen dhe i hapin dritaret e shpirtit për ta freskuar me dashuri jetën e tyre. Në ditët festive gëzimi dhe hareja më së shumti reflektohet në fytyrat e fëmijëve. Ata i rrëmben ndjenja e gëzimit dhe e ndjejnë më së shumti praninë e festave dhe kënaqësinë që ato sjellin. Ata me një kënaqësi të veçantë vazhdojnë traditën vendore dhe ashtu të tubuar me plot gëzime, me të qeshurat dhe lojërat e tyre, si për Bajram dhe Pashkë, trokisnin në dyert e Markut, Ibrahimit, Pjetrit, Hajdarit…Me shportat e tyre të stolisura kërkonin vezë të ngjyrosura e dhurata tjera, ndërsa të rriturit bënin vizita nga njëra shtëpi në tjetrën, duke ia uruar festën njëri – tjetrit. Sa e bukur do të ishte jeta me ato tiparet vëllazërore, të kultivuara ndër shekuj me dashuri dhe respekt ndaj njëri – tjetrit. Çdo gjë do të rridhte këndshëm në fshatin tim, sikur Djalli mos të ekzistonte. Por fatkeqësisht, ai ekzistonte e qarkullonte me tërë dinakërinë e tij rreth popullit tim. Në çdo shteg vendoste kurthin e vdekjes. Ai kishte shumë kohë që vriste dashurinë dhe jetën e lirë të popullit tonë. Si në shumë ditë tjera të jetës sonë, ashtu edhe atë ditë prilli të vitit 1999, ai e shndërroi në ditë hidhërimi dhe zie. 4 prilli ishte dita kur festohej festa e Pashkëve. Kjo ditë nuk do të harrohet kurrë nga banorët e fshatit Bec. Toka gjëmonte nga zhurma e tankeve dhe ushtrisë serbe që kishte vërshuar nga të gjitha anët. Burrat e pushkës kishin dalur në male, ndërsa një pjesë tjetër ishin nisur drejt kishës për lutjet dhe mëshirën e Zotit. Kisha ishte mbushur përplot besimtarë, pjesa më e madhe fëmijë, gra e të moshuar. Prifti e kishte filluar meshën dhe të gjithë së bashku i luteshin Zotit për popullin tonë që luftonte për jetë a vdekje. Papritmas u hap dera e Kishës dhe Djalli hyri brenda. Ai djall quhej Millutin Prashqeviq. Ishte i njohur për zullumin e tij në ato treva. Ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe shoqërohej me një grumbull policësh. Në dorë e mbante një revole. Duke ecur ngadalë drejt priftit filloi të shante në gjuhën e tij të ndytë. Prifti e vazhdonte predikimin në shenjë proteste ndaj asaj që po ndodhte. Në një moment, ai e ngriti zërin duke iu drejtuar priftit: Ndale lutjen, se unë e kam fjalën! Nuk thuhet më mesha në gjuhën shqipe këtu! Nga rreziku dhe për t‘i dhënë krahë njëri – tjetrit, në ato kohëra kritike qëndronin të bashkuar nga dy e tri familje në një shtëpi, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare. Andaj edhe në meshë ishin të bashkuar pjesëtarët e të dy besimeve fetare. Të gjithë mendonin se gjatë kohës së lutjeve nuk do të ndodhte ndonjë e keqe. Në kishë, Millutini e shtyri priftin nga altarit dhe doli përballë fshtarëve. Duke përdorur metodën e tij, filloi të bënte ndarjen e popullit. Prifti, nga një kënd larg Altarit, tha: Zoti ju bekoftë dhe ju ndihmoftë juve dhe mua! Nuk jemi aspak gabim! Qëndroni së bashku dhe kështu së bashku e keni bekimin e Zotit! Vetëm djalli me mallkimin e tij i ndan të afërmit në mes vete. Dy policë e morën priftin, si të ishte andonjë kriminel dhe e nxorën nga Kisha. Nga hidhërimi që populli nuk ndahej nga njëri – tjetri, urdhëroi: Brenda pak orësh të gjithë duhet të largohen nga fshati. Ai që do të gjendet në fshat pas kësaj kohe, do të vritet ose do të digjet brenda shtëpisë së tij. E diela e Pashkëve u shndërrua në ditë zie. Tërë fshati ishte mbushur me ushtarë e policë. Fshatarët u organizuan që të niseshin të gjithë së bashku dhe mos të ndahen nga vargu, por të qëndrojnë së bashku kudo që të shkojnë dhe çkado që të ndodhë me ta. Ashtu, nën përcjelljen dhe torturat e ushtrisë dhe makinerisë ushtarake serbe, i morën gjërat më elementare nga shtëpitë e tyte, sepse koha nuk priste. Disa me makina, të tjerët me traktorë e disa këmbë, me dhembje të madhe e braktisën fshatin. Ajo ishte dita më e vështirë në historinë e fshatit, dita kur u renditën udhës në ikje nga fshati, i cili mbeti i braktisur. Çdonjëri me lot në sy kishte mbetur me kokën pas duke shikuar fshatin dhe shtëpitë e tyre. Ashtu të lodhur e të rraskapitur, ndaleshin maleve, gatuanin ndonjë bukë për të mbijetuar, gjersa pas shumë ditësh udhës së Kalvarit arritën në shtetin Amë, ku i priste me barëra dhe ushqime aktivisti dhe bamirësi, Zef

Ndoja. Ai i strehoi të gjithë banorët në fshatin Shën Kollë. Banorët e fshatit Bec nuk do t’ua harrojnë kurrë nderën dhe mikpritjen vëllezërve të tyre nga Shqipëria. Populli ynë përjetoi momentet më të vështira që kanë mundur të ndodhnin ndonjëherë gjatë historisë kombëtare, më flijime, tortura fizike, psikike, morale… Por edhe armikut ia dha goditjen që e meritonte. Në duelin me Millutinin doli përballë stërnipi i Lekë Dukagjinit, Kanuni. E ekzekutoi me disa plumba në ballë Djallin. Ne, sot, kemi arsye të mburremi me qëndresën, unitetin dhe solidaritetin e vëllezërve dhe motrave tona në atë kohë. Qëndrimi i popullit si një familje e përbashkët ishte arma më e fortë kundër armikut. Sot, vërtet kemi shumë arsye të gëzohemi, sepse jetojmë të lirë e celebrojmë të lirë. Ne e zotërojmë tokën tonë. Të gjejmë, pra, forcë të falim, që të çlirohemi nga urrejtja, por mos të harrojmë se, armiku kurrë nuk fle!

Filed Under: LETERSI

#SiSot, më 27 mars të vitit 1866 u lind dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi

March 27, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Për hir të së vërtetës, quhej Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të pashlyeshme të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.

Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Në gjallje, u botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, sikurse mund të përmendim poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”.

Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT