Bujar Leskaj/
Sot do të mbushte 99 vjeç dhe, megjithëse kaloi në përjetësi 16 vite më parë, ai ngelet dëshmitar i gjallë, i paepur ndërsa vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.
At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.
Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.
Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.
Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.
Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.
Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Por vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili më shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën ma dërgoi pas marrjes së çmimit, është nga ato vlerësime, të cilat njeriu ëndërron t’i marrë në jetë. (Në foto faksimilja e letrës.)