-kulturologji-
Zija Vukaj/
Fragmentarizmi ka mbetur një karakteristikë edhe e poezisë moderne. Veçanërisht paraqitet si një procedim që shkëput fragmente nga bota reale dhe i ripunon në vetvete me përpikmëri, por duke u kujdesur që sipërfaqet e thyerjes të mos përputhen më. Në këto poezi bota reale duket e përshkuar nga një dellëzim thyerjesh prej furçash- dhe s’është më reale.
Vijmë kështu te T. S. Eliot. Interpretimet që vepra e tij lirike ka marrë nga kritika, shpërputhen deri në papajtueshmëri. Vetëm në një pikëpamje ka dakordësi: që kjo vepër plot veçanti ushtron një fuqi magjike falë “tonit” të saj, i cili realizohet nga shkrirja e shumë toneve, një shkrirje e paharruar, edhe pse aspak harmonike. Gjuha kalon, gjithnjë në mënyrë të paparashikuar, përmes modulimeve nga më të ndryshmet: relacion i thatë, melankoli, soditje, melodi e ëmbël, nganjëherë edhe pathos e pastaj sërish ironi, sarkazëm, ton i çrregullt bisedor. Kjo polifoni lidh secilën poezi të tij më shumë se ajo që bën situata intelektuale apo shpirtërore që është në bazë të tyre…- kaq thellësisht në bazë të tyre, sa akoma askush nuk ka mundur të thotë në çfarë konsiston ajo konkretisht. Është e vërtetë se mund të dallohen tema të veçanta, si për shembull: njeriu jetim në shkretëtirën e metropoleve, të qenit kalimtar, refleksione mbi funksionin e kohës, mbi tëhuajësimin e botës. Por këto tema, më shumë se i mbështesin poezitë e tij, frymojnë përmes tyre. Çfarë i mban është ajo që vetë Elioti e quan emocion artistik dhe që duhet të jetë si diçka absolutisht pavetore. Ajo ngrihet lart e poshtë, “duke shkuar në bardh- e-blu, ngjyrat e Marisë e duke kuvenduar për gjërat më banale”, siç thonë dy vargje të “Ash- Wednesdey” (“E mërkurë e përhime”). Emocioni shtyn në “lidhje objektive”, në imazhe, evente njerëzish e gjërash. Po cilat imazhe dhe cilat evente? Eliot vëren një herë se tërheqjet themelore të epokës janë cektësia dhe kundërvënia. Por pikërisht këto janë edhe tërheqjet themelore të teknikës së tij poetike. Siç e njihte ai, ajo i përshtatet qytetërimit modern, që me kompleksitetin, kontradiktat dhe ndjeshmërinë e vet nervore kërkon një poezi që të ketë një mjedis të gjerë, por të flasë vetëm në mënyrë aluzive dhe indirekte duke u bërë domosdo e vështirë.
Në fillim të “Waste Land” (“Toka e shkretë”) është vargu: “Mbasi ti njeh vetëm një grumbull imazhesh të thyera”, dhe në fund: “Këto fragmente kam mbështetur ndaj rrënojave të mia”. Kjo duhet kuptuar si një ribashkim i fragmentarizmit. Ky është ligji i poezive të Eliotit. Ky përcakton atë mënyrë të shprehuri që për shembull, fillon me një rrëfim të vogël, e ndërpret, vazhdon me një monolog të brendshëm që këputet nga një citim, futur pa kurrfarë lidhjeje, të cilin e ndjek një copë e një dialogu të dy qenieve pa profil. Ajo që thuhet në një grup vargjesh, shkatërrohet në grupin që vazhdon ose harrohet. Kështu është edhe për imazhet dhe ngjarjet. Ato janë një montazh i bërë me fragmente me prejardhje më heterogjene, pa qenë të lidhura në një vend a një kohë.