• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VAZHDOJNE TE SHPALLEN FITUESIT E ÇMIMIT NOBEL 2023

October 6, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

STOCKHOLM – Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave po shpall fituesit e çmimit Nobel duke filluar ditën e parë më 2 tetor me kategorinë Fiziologji/ Mjekësi dhe me radhë në Fizik, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Shkencat Ekonomike. Ashtu siç ishte lajmëruar, njoftimet jepen gjatë javës së parë të muajit tetor, respektivisht nga data 2 deri në 9 tetor. Deri tani fituesit janë:

– Nobelistet në mjekësi janë dy shkencëtare Katalin Karikó dhe Drew Weissman, hulumtimet e të cil çuan në zbulimin e vaksinës së mRNA Covid-19. Shpallja e emrave të nobelistes Katalin Karikó ngjalli reagim tek disa grupe meqë Universiteti i Pensilvanisë ku ajo ishte e angazhuar me hulumtime e shkarkoi atë në vitin 1995. Njoftimi për shtyp nga Universiteti nuk e përmendte këtë fakt.

– Tre shkencëtarë Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier janë fituesit e çmimit Nobel të vitit 2023 në fizik. Ata kanë zhvilluar medoda eksperimentale që japin pulsime drite të shkallës një miliard të një miliardit të sekondës për të parë studimin e elektroneve në materie.” Zbulimi do të bëjë të mundur hartimin e një atlasi të detajuar molekular me aplikime apo zbatime jetësore me shumë rëndësi.

– Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Aleksey Ekimov janë laureatët e këtij viti në kimi. Ata kanë zbuluar dhe zhvilluar pika kuantike të cilat janë në gjendje të shfaqin fragmente të ndryshimeve në brendësi të atomit, që potencialisht çojnë në ecjen përpara në nanoteknologji dhe hetime më të hershme të sëmundjeve në mjekësi si edhe do të ndihmojë kirurgët të shohin brenda vazave të gjakut të tumoreve. Zbulimi i ‘sekreteve’ të sjelljes brenda atomit mendohej se ishte i pamundur të ndiqej deri tani. “Aftësia për të gjeneruar pulse drite ka hapur derën në një shkallë mikroskopike që çon drejt botës së elektroneve,” tha Eva Olsson, anëtare e jurisë përzgjedhëse e Çmimit Nobel. “

– Sot shkrimtari norvegjez Jon Fosse u shpall Nobelisti i vitit 2023 për Letërsinë. Vepra e tij masive përfshin një sërë zhanresh ku përfshihen një mori me drama, romane, koleksione me poezi, ese, libra për fëmijë dhe përkthime. “Ai është një nga dramaturgët më në zë në botë dhe prozator me shumë influencë,” thuhet në njoftimin e Akademisë Suedeze. Sipas Booker Prize, dramat e tij janë vënë në skenë mbi një mijë herë në mbarë botën dhe në 50 gjuhë të ndryshme. Opusi më i madh letrar i Fosse është Septologjia botuar në tri vëllime Emri Tjetër, Unë jam një Tjetër dhe Një emër i Ri botuar nga 2019-2021. Fosse është quajtur mjeshtër i teatrit bashkëkohor dhe është përshkruar nga Le Monde si “Beketi i shekullit 21”.

Nesër do njoftohet çmimi Nobel për Paqe dhe ditën e hënë shpallet emri apo emrat e nobelistëve të fushës ekonomike.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave është organizatë e pavarur e krijuar në vitin 1739. Synimi i Akademisë është nxitja e përparimeve në shkencë dhe thellimi i ndikimit të saj në shoqëri.

Filed Under: LETERSI

70 vite nga promemoria që disidenti Kasem Trebeshina i dërgoi Enver Hoxhës

October 5, 2023 by s p

Kasëm Trebeshina, kushtrimi i zëshëm i disidencës, komunisti idealist që sfidoi si pakkush diktaturën.

Kasem Trebeshina, ai që guxoi të këshillonte Enver Hoxhën se “Duhet hequr dorë nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë”. Kurajoja për të besuar te idealet e tij komuniste do t’i kushtonte intelektualit dhe shkrimtarit, 17 vite heqje lirie dhe saora përballjen me mizorinë e ferrit komunist.

Pikërisht sot 70 vite më parë, më 5 tetor 1953, në një akt të radhë të disidencës së hapur në jetën intelektuale në Shqipëri, shkrimtari Kasem Trebeshina, një ish-komunist i përkushtuar, i larguar nga radhët e partisë, i dërgon Enver Hoxhës një Promemorie, duke i kujtuar se politikat e tij kulturore po e çonin vendin drejt shkatërrimit. Duket se Përkujtesa e zemëroi Hoxhën dhe shkrimtari disident u dënua me 17 vjet burgim politik dhe u zhduk nga skena e jetës letrare, për të dalë përsëri pas vitit 1990, me shembjen e diktaturës. Kasëm Trebeshina lindi më 8 gusht 1926 në Berat. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu ato më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Në vitet 1950′ Trebeshina la përgjysmë edhe studimet e larta në Institutin “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Prozator, dramaturg e poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në fillim metodën e realizmit socialist në kulturë, letersi e art dhe filloi të shkruajë ndryshe nga ato që botoheshin asaj kohe. Prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat, thoshte ai. Sipas kritikës, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.

Ja se çfarë shkruan Trebeshina në promemorien, drejtuar Enver Hoxhës:

“…Le të hedhim një vështrim të kujdesshëm në përmbajtjen e letërsisë së realizmit socialist, bile më të mirës. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq, një i reformuar! Herojtë e kohës janë gjithmonë

komunistë. Ata shfaqen në faqet e librave dhe skenat e teatrove thjesht për të recituar monologje heroike!

Le ta hedhim vështrimin mbrapa në histori dhe të shohim si ishin gjërat në kohën e Luigjit XIV. Çdo gjë ishte qartësisht e ndarë. Mbretërit dhe princat i kishin ngulitë rolet e tyre në veprat më të mira. Ata shfaqeshin vetëm në tragjedi, ndërsa populli i thjeshtë, çdokush që ishte më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishte vendin në komedi. Ata ishin objekt argëtimi, talljeje dhe fyerjeje të çdo lloji. A do ta pranojmë ne që një gjë e tillë të ndodhë në shekullin e njëzet dhe në një shoqëri që mëton të jetë socialiste?

Nga më sipër, është e qartë se realizmi socialist është i lidhur drejtpërdrejt me idetë e absolutizmit francez, si në teori, ashtu edhe në praktikë…

Lidhja e Shkrimtarëve vetë është e ndërtuar si një urdhër murgjësh mesjetarë. Në krye t’urdhërit është Mjeshtri i Madh dhe çdokush është i detyruar ta dëgjojë gjithë veshë për sa kohë që kryen

funksionin e Mjeshtrit të Madh. A s’e kuptoni se shpërndarja e ‘funksioneve’ dhe ‘privilegjeve’ në këtë mënyrë është mesjetare?

Le t’i shqyrtojmë veprimet tuaja në pak vitet e shkuara. Ju vendosët në Komitetin Qendror që Kolë Jakova duhej t’ishte shkrimtar i madh dhe secili poshtë jush e miratoi vendimin tuaj. Kritikët e shpallën Halili dhe Hajria vepër të madhe arti! Mandej ju ra në sy Dhimitër S. Shuteriqi, që e bëtë kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve, e kështu me radhë.

Por le ta tejkalojmë këtë pikë. Shkrimtarët janë qytetarë me të njëjtat të drejta si çdokush tjetër dhe nuk është e drejtë t’i nënshtrosh ndaj një censure të tillë shtërnguese dhe të paligjshme. Nëse për ndonjë arsye ju këmbëngulni se duhet pasë censurë, atëherë le ’institucionalizohet dhe secili t’i nënshtrohet funksionit të saj. Atëherë do ta dimë se ku duhet të japim llogari dhe nuk do të na duhet të shqetësohemi nga zyrtarë të pazot partiakë që vijnë dhe i mbivendosin mendimet e tyre të padëshiruara… Ju s’duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë sikur t’ishte thjesht një zgjatim i zinxhirit t’organizatave të themeluara nga Partia e Punës e Shqipërisë. Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë individësh të lirë dhe jo pjesë e një shoqërie feudale në të cilën të drejtat dhe detyrimet feudale bëjnë ligjin.

Sa i përket të drejtave dhe detyrimeve, do të doja t’ju jepja një shembull të diçkaje që nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë. Dihet mirë se romani im ‘Rinia e kohës sonë’ u shkrua më 1948, dhe që një roman tjetër, ‘Mbarimi i një mbretërie’ u shkrua më 1951. Nuk duhet harruar as që romani ‘Harbutët’ i Sterjo Spasses u shkrua më 1946! Atëherë, pse e tërhoqi kaq shumë vëmendjen Partia dhe i ndaloi këto vepra të hershme dhe i dha Dhimitër S. Shutëriqit kohë më 1952 për të shkruar romanin e tij të pavlerë ‘Çlirimtarët’? Pse e botoi Partia këtë roman me një zhurmë kaq shurdhuese?

Pse mobilizoi ajo krejt kalorësit e saj feudalë të kriticizmit për ta shpallë atë si romani i parë në gjuhën shqipe? Dhe jo vetëm romani i parë, por një roman i madh i letërsisë shqiptare, megjithëse dihet mirë që romanet në gjuhën shqipe u shkruan në këtë vend shumë më herët! A është me dinjitet për një parti të tërë dhe zyrtarët e saj të lartë të përfshihen në veprimtari të tilla?

Historia ka ligjet e veta të pashkruara dhe s’ia ka dhënë ndokujt të drejtën të bëjë çfarë të dojë me artin.

Madje as Luigji XIV s’e kishte një të drejtë të tillë. Veprimtaritë me themel në një ngrehinë feudale nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe duhet t’u jepen fund. Ju duhet t’i varrosni Epokat e Errëta dhe të

ktheheni në Shekullin e Njëzet n’emër t’idealeve për të cilat u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjëra të shenjta…

Unë besoj që shkatërrimi më i madh që do të ndodhë, do të jetë në jetën intelektuale shqiptare.

Njerëzit do të humbin besimin te shteti e drejtimi i tij dhe do të mbyllen në vetvete. Dhe me qëllim të mbajtjes së tyre nën kontroll, do të lindë nevoja të krijohet një polici shtetërore e egër. Ky do të jetë vetëm fillimi.

Ju duhet ta braktisni rrugën e Luigjit XIV të Versajës sa më shpejt e mundur dhe të ndaloni t’i shtypni mendimet, bile edhe brenda rradhëve të Partisë. Nuk është çështja e fëmijëve të vobegët rrugëve; është ajo e shtypjes së mendimeve që po bëhet e rregullt dhe që, në fund, do t’i japë rrugë lindjes së një monarkie të re. Nëse gjërat shkojnë aq larg, do të ketë varfëri të tmerrshme dhe vetëm mbretërimi i terrorit të pashembullt do t’ju mundësojë të rrini në pushtet. Një regjim i tillë do të jetë bile më i rrezikshëm për vetveten.

Shuarja dhe tërheqja e mbështetjes popullore do t’i tronditë radhët e udhëheqjes, gjithashtu, që dalëngadalë do të shndërrohet në një kastë të mbyllur si një monarki që s’i kupton realitetet historike të shekullit të njëzet. Në fund të procesit historik do të detyroheni të vrisni njëri­tjetrin dhe njerëzit do njollosen me gjak. Unë besoj se ende ka mjaft kohë për të shmangë një gjëmë të tillë dhe për këtë kuturisa t’ju dërgoj këtë përkujtesë, shkruar me kaq ngut…”

Filed Under: LETERSI

Kur Editor i Diellit Prof. Peter Prifti lexonte librin: “Gramatika dhe Sindaksa e Gjuhës Shqipe” 1927 të Ilia Dilo Sheperit

October 3, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Letër e Editorit të Diellit Prof. Petër Priftit dërguar z. Eduard M. Dilo

Prof. Petër Prifti është një ndër figurat më të njohura të Diasporës shqiptare në Amerikë, është shkrimtari, Editori i Diellit, studjuesi dhe bashkëpunëtori i imzot Fan Nolit, që i kanë dhënë aq shumë Kombit shqiptar.

Është krenari dhe kënaqësi të lexosh komunikimin e tij midis Eduard M. Dilos, pinjollit të Babait të Gramatikës së Gjuhës Shqipe, Ilia Dilo Sheperit.

Ndërsa Prof. Peter Prifti shkruan se e kishte lexuar qysh në vitet 70-të të shekullit të kaluar këtë kryevepër, të shkencëtarit Ilia Dilo Sheperi dhuruar nga i biri i tij Dr. Jani Dilo i cili jetonte në Amerikë dhe i dënuar nga diktura, gjeneratës sime i ishte mohuar ta lexonte dhe ta kishte në bibliotekë…  Prof. Prifti pohon se është një vepër me vlera të rralla gjuhësore.  Shkencëtari dhe dijetari erudit që ushqeu mijëra nxënës me kajmakun e qumështit të Alfabetit Shqip dhe u bë fjalë e epërme e gjuhës së bukur shqipe si për ironi të fatit u perseketua tmerrësisht së bashku me familjen e tij të shtrenjtë nga regjimi diktatorial komunist.

Z.Eduard M. Dilo na e dhuroi si shenjë nderimi për fillimin e vitit akademik 2023-2024 të Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online. Shtoj këtu se z. Dilo është  një mbështetës dhe kontribues i vyer për Shkollat Shqipe, trashëgimi dhe betim i familjes së tij.

Këto komunikime midis personaliteteve të larta të kulturës në Diasporë u krijuan vetëm pas rënies së diktaturës.  Më parë ishin ëndrra që flinin në sirtar.

Ilia Dilo Sheperi, Nderi i Kombit është dijetari erudit që u bë fjalë e epërme e Gjuhës Shqipe.  Shkollat “Alba Life” nderojne dhe respektojne keto figura kombetare duke I kujtuar me studimet apo me fjalimet e tyre aq frymezuese si psh një fragment nga fjalimi i famshëm i Ilia Dilo Sheperit, më 28 Nëntor, 1920: “Shqipëria divine, dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shënjtat ditë të historisë së saj kombëtare:  Ditën e Rilindjes së pagëzimit në jetën e re të Lirisë!  Ditën e vënies mbi krye të kurorës së Independencës”!

Ai denoncoi patrikanën greke dhe të Stambollit të cilët e kishin dënuar me vdekje duke iu thënë:  “Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do të lexoni Alfabetin Shqip”.

Faleminderit dhe mirënjohje për ju Eduard M. Dilo!

2 Tetor, 2023

New York

Filed Under: LETERSI

Robert Elsie, kontributori i devocioneve të epërme, albanologu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja

October 2, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Një vit më parë u shua Robert Elsie, një nga njerëzit më të devotshëm të albanologjisë, një nga kontributorët më të vyer të promovimit dhe njohjes së vlerave më të qenësishme dhe atributeve krenuese të shqiptarëve. Veprimtaria e tij është e gjerë dhe cilësisht nga më përfaqësueset në lëmin e albanologjisë. Vdekja e Robert Elsie është një humbje që krijoi një hendek të thellë në lëmin e studimeve hulumtuese dhe jetësimin në dritën e fakteve të figurave, etapave dhe momenteve kyçe të historisë, gjuhës dhe kulturës së identitetit shqiptar. Ai ishte nga të paktët që luftoi me kaq përkushtim dhe devocion ndaj harresës, tjetërsimit dhe denigrimit të atyre visareve që ishin dhe mbeten të themelta në testamentin tonë si komb.

Humbja e Robert Elsie nuk ishte thjeshtë ndalimi i një hapi nga rruga e jetës, ishte shterrimi i atij dielli rrezet e të cilit nxorën në dritë nga errësira ekzekutuese e kohës një realitet të tillë vlerash dhe kapacitetesh përfaqësuese të atij shpirti pasurish që u mbrujtën duke fituar identitet nën mëshirën e stuhive dhe rryma rrapëllitëse të kohës.

Gjuha, letërsia, folklori, fotografia, gojtaria, historia, etnosi, ishin disa nga shumësia e sferave ku ai ushtroi veprimtarinë e tij të ngulmët dhe të themeltë për të shyrtuar dhe afirmuar gjithçka shqiptare, atë me të cilën pati mirësinë të na shpërblente dhe bujarinë ta bëntë të njohur ndërkombëtarisht si vlerë.

“Çdo njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur”, është shprehur ai në një intervistë.

Shkrimtari, albanologu, përkthyesi dhe interpreti, Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare duke lënë pas një vepër të vëllimshme dhe vlerëshumë. Ai ishte një emër i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm i albanologjisë. Materialet shkresore dhe ato fotografike, hulumtimet gjuhësore dhe historike, komentet dhe studimet, ishin një kontribut që qartësoi shumë momente që dendësia e mjegullave të kohës i kishte verbuar. Shkallmoi hamendësimet dhe sulmet denigruese të kohëpaskohëshme të armiqve historik të shqiptarëve, të cilët u përpoqën të tjetërsonin historinë, shpesh duke i dëmtuar seriozisht disa prej tyre. Ai erdhi për të treguar botës së qytetëruar mbi vlerat dhe atributet civilizuese të shqiptarëve. Kumtoi zëshëm për përkatësinë dhe vlerat europiane, për cilësitë dhe aspiratat e lartë të kësaj race vitale. I ndërkombëtarizoi dhe i mbrojti këto vlera në foltoret e botës së madhe duke i’u bashkuar armatës së albanologëve dhe historianëve, hulumtuesve dhe promovuesve, të cilët shkruan faqe të rëndësishme të veprës së tyre, faqe që mbeten kapituj potencues të njohjes dhe vlerësimit të shqiptarëve.

***

Lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër, Kanadaja. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, shkoi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978.

Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të prehej në Shqipëri.

I përgjithmonshëm qoftë kujtimi ngaj Robert Elsie, ndaj atij burri të madh dhe të vlertë, atij që e deshi dhe bëri për shqiptarët më shumë se shumë shqiptarë.

Filed Under: LETERSI

NË SHKUP VJEN NJË STUDIM MË I PLOTË MBI VEPRËN E ERNEST KOLIQIT

September 30, 2023 by s p

Emin Azemi/

Shkrimtari dhe studiuesi Anton Nikë Berisha ka sjellur për lexuesit veprën “Ernest Koliqi poet e prozator e dramaturg”, një studim i kompletuar mbi opusin letrar të Koliqit. Si botues i këtij libri, jam tejet i nderuar për faktin se autori kishte zgjedhur pikërisht shtëpinë tonë botuese AGORAPRINT në Shkup për ta botuar këtë libër, që vjen si vazhdimësi e një pune të gjatë studimore mbi veprimtarinë krijuese të Ernest Koliqit.

Koliqi si shkrimtar filloi të njihet më tepër tek pas botimit të veprës së tij në Prishtinë. Botimi i librit me tregime dhe novela “Tregtar flamujsh” (1991) dhe “Hija e maleve” (1992) nga shtëpia botuese “Buzuku”, pastaj Vepra I dhe Vepra II, të Redaksisë së Rilindjes (1996) si dhe Vepra 1 – 6 (gjashtë vëllimet) të botuara më 2003 nga “Faik Konica” e Prishtinës (botime të përgatitura me shumë përkushtim), bënë të mundur njohjen në një përmasë të madhe të veprimtarisë së këtij krijuesi për shumëçka të rëndësishëm e të veçantë të botës sonë letrare, po që kishte mbetur i “harruar” për shkaqe ideologjike (!)

Në dhjetor të vitit 1994 Anton N. Berisha e e kishe mbaruar studimin “Ernest Koliqi poet e prozator”, të cilin e kishte botuar më 1995 në Kozencë. Pason botimi i dytë i vitit 1997 në Tiranë.

Botimi i parë i studimit “Ernest Koliqi poet e prozator (Kozencë 1995) dhe botimi i dytë (Tiranë 1997) kanë pak ndryshime. Në këtë botim – të tretin, në Shkup, po që mund të merret si botim i ri – janë bërë disa ndryshime. Autori ka rishikuar gjithë tekstin e studimit, ka saktësuar disa fjali, ka ndërruar ndonjë pjesë, shprehje, nocione ose fusnota dhe ka shtuar gjithë pjesën “Poezija asht nji kryengritje e rrezes hyjnore” dhe gjithë pjesën e tretë “Koliqi dramaturg”. Në fund autori sjell dy shtojca, që pandërmjetësisht hedhin dritë edhe më tej rreth shumëdimensionalitetit të figurës së Koliqit dhe të konceptit të tij krijues.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT