Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përveç aktivitetit akademik në auditor i kushton rëndësi edhe takimeve periodike me shkrimtarë të afirmuar dhe të rinj. Në këto takime përfshihen studentë të degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim si dhe pedagogë të letërsisë, të njohur si studiues dhe kritikë letrarë. Gjatë muajit nëntor u organizuan tre takime dhe diskutime për romanet e prozatores Eralda Baze, poezitë e Loreta Shcillock, romanet e Agim Gjakovës.
Takim letrar me romancieren Eralda Baze me rastin e botimit të romanit “Zambaku i kanionit” (2023)
Kështu kuadrin e “Muajit të letërsisë” në sallën “Vehbi Bala” të Bibliotekës Shkencore Universitare u zhvillua më datë 15.11.2023 takim letrar me shkrimtaren Eralda Baze, në qendër të të cilit ishte diskutimi i romanit të saj të dytë “Zambaku i kanionit” (2023) dhe bashkëbisedimi me studentë të degëve Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim. Ky aktivitet erdhi në vijim të aktiviteteve letrare e kulturore për vitin akademik 2023-2024 dhe si një bashkëpunim i Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Bibliotekës Universitare dhe botuesit Schnell.
Pas romanit “Dielli më perëndon në Lindje” (2022) me të cilin autorja Eralda Baze u afirmua si romanciere e përkushtuar ndaj aktualitetit, ajo erdhi në këtë takim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me romanin e dytë “Zambaku i kanionit” (2023).
Romani është përcjellë me interes nga lexuesit dhe studiuesit e romanit bashkëkohor shqiptar. Autorja e çon më tej rrëfimin shumëdimensional mbi problematikat aktuale të tranzicionit politik dhe shoqëror, duke u bërë një nga autoret që me kurajo nuk heziton të shpalosë para lexuesit skena nga përpjekjet e përditshme, veçanërisht e femrave shqiptare, për të mbijetuar në një realitet të molepsur dhe të degraduar, si rezultat i një politike të dështuar për të ndërtuar një të tashme dhe një të ardhme më të mirë për shoqërinë shqiptare. Romani deri tani është përcjellë me vlerësime, shkrime, analiza nga studiues, si: E. Rusi, M. Simoni, E.Kaçeli, A. Prendi, E. Alija, E. Ymeraj etj.
Takimi u moderua nga drejtori i departamentit të Letërsisë prof.as.dr Arben Prendi. Për vlerat artistike, përmbajtësore dhe tematike, referuan dr. Ermira Alija, dr. Ermira Ymeraj dhe prof.as.dr. Arben Prendi. Gjatë takimit diskutuan dhe lexuan pjesë nga romani: Denisa Hysaj, studente e Masterit profesional në Gjuhë-letërsi, Xhuljana Guri, studente e Baçelorit në Gjuhë-letërsi dhe poetja Arjola Zadrima, njëkohësisht studente e Baçelorit në Gazetari dhe komunikim.
Ndër të tjera, në bashkëbisedimin me pedagogë, studentë dhe maturantë të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, autorja Eralda Baze shprehu kënaqësinë e saj që gjendej në këtë takim në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Në shenjë vlerësimi për krijimtarinë e saj Dr. Ermira Alija, zëvendës dekane, i dorëzoi autores një “Certifikatë vlerësimi”, të cilën autorja u shpreh se do ta përdorte edhe si një mundësi për t’u këshilluar maturantëve dhe ndjekësve të saj në rrjetet sociale, që të zgjedhin të studiojnë në programet e studimit që ofron ky fakultet dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. ë përfundim të aktivitetit dhuroi disa kopje të romanit për Bibliotekën Shkencore dhe për studentët, të cilët patën rastin për foto dhe autografe.
Poetja Loreta Schillock promovoi vëllimin e saj poetik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në vijim të aktiviteteve për “Muajin e letërsisë” poetja Loreta Schillock u takua më datë 20 nëntor 2023 me studentët e degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” . Takimi u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Shkencore të këtij universiteti. Moderatori i takimit prof.as.dr. Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë, prezantoi autoren dhe vëllimin e saj poetik “Shtegtim vargjesh”. Ai vlerësoi se këto takime janë një mundësi e mirë për studentët që të njihen me vepra dhe autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe bashkëkohore, si dhe të nxiten që edhe ata të marrin kurajo për të publikuar krijimet e tyre letrare.
Autorja Loreta Schilock shprehu kënaqësinë e saj që librin e saj të parë me poezi e promovon në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” para studentëve, që janë edhe lexuesit më të mundshëm të poezisë. Për vlerat artistike të këtij vëllimi diskutuan Edon Bushaj, student i masterit profesional në Gjuhë-Letërsi dhe Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë.
Poetja Rozafa Shpuza përmes një bashkëbisedimi me autoren, veçoi edhe kontributin e saj si përkthyese e letërsisë nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas si dhe përvojën e saj si docente në Universitetin e Shtutgartit.
U lexuan me këtë rast disa poezi të autores nga Aleksandër Prenga, student i baçelorit në Gjuhë-Letërsi, Xhuljana Guri, studente e baçelorit në Gjuhë-Letërsi dhe Arjola Zadrima, studente e baçelorit në Gazetari-Komunikim. Gjithashtu, poezi u lexuan edhe nga Nikolin Ferketa, aktor i Teatrit “Migjeni”.
Takimi me shkrimtarin Agim Gjakova
Më 24 nëntor 2023 takimi me shkrimtarin Agim Gjakova përmbylli aktivitetet e organizuara nga Departamenti i Letërsisë për “Muajin e letërsisë”.
Drejtori i departamentit të Letërsisë, prof.as.dr. Arben Prendi falenderoi autorin për praninë e tij në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ndërsa paraqiti disa të dhëna mbi jetën dhe veprën e tij.
Zëvendësdekania e Shkencave Shoqërore, dr.Ermira Alija i dorëzoi autorit një certifikatë vlerësimi me motivacionin:”Shkrimtarit të shquar AGIM GJAKOVA. Për ndihmesën e dhënë në pasurimin e vlerave origjinale të letërsisë shqipe dhe frymën thellësisht atdhetare të krijimtarisë së tij”.
Me këtë rast për veprën letrare të shkrimtarit Agim Gjakova dhe në veçanti për romanin “Korridoret e gjelbra”, referuan studiuesi Pandeli Koçi, pedagogu i departamentit të Letërsisë, dr. Gëzim Puka, Behar Gjoka, studiues, Edon Bushaj, student i Masterit Profesional në Gjuhë-Letërsi dhe prof.as. dr.Arben Prendi. Autori Agim Gjakova shprehu kënaqësinë e tij që zgjodhi Shkodrën për të paraqitur edhe kompletin e veprës së tij letrare, sepse me këtë qytet ruan lidhje shpirtërore dhe kulturore të veçanta.