• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MONUMENT BUSTI PËR SHKRIMTARIN PËR FËMIJË YMER ELSHANI PRANË SHTËPISË SË TIJ NË KARRATICË TË POSHTME TË DRENICËS

December 29, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

Shkrimtari dhe studiuesi për letërsinë për fëmijë, Ymer Elshani, është masakruar deri në shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë në Paklek të Vjetër të Drenicës me familjen e tij. Në këtë katrahurë të përgjakur e të djegur,ka shpëtuar vetëm vajza e tij Teuta Ymer Elshani, e cila jeton dhe punon në Amerikë.

Para do kohe, ka nisur nisma që shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani të bëhet muze e orëve të historisë së Kosovës për Liri dhe Pavarësi dhe për brezat e rinj shqiptarë. Po në këtë nismë, do të propozojmë që të ngritet një monument i bustit të shkrimtarit Ymer Elshani pranë shtëpisë së tij në Karraticë të Poshtme të Drenicës, në shenjë nderimi e përkujtimi për jetën dhe veprën e krijimtarisë latrare për fëmijë.

Për këtë nismë,i bëjmë thirrje Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Ministrisë së Kulturës si dhe botës së bizneseve e të diasporës shqiptare nëpër botë,që të ndihmojmë ngritjen e një munumnenti të bustit në bronz për shkrimtarin për fëmijë Ymer Elshani i masakruar me familjen e tij deri shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë në Paklek të Drenicës.

Shkrimtari për fëmijë Ymer Elshani në një monument të bustit në bronz e meriton pranë shtëpisë së tij në Karraticë të Poshtme të Drenicës!

Çikago,më 29 dhjetor 2023

Filed Under: LETERSI

Tre libra me epigrame bashkëkohore të Viron Konës

December 27, 2023 by s p

-Vështrimi i studiuesit-

Fran GJOKA

        “Zgjidh rrugën tënde!” është libri i tretë me epigrame i shkrimtarit të njohur Viron Kona. Ky libër vjen pas dy librave të pëlqyer nga lexuesi “I zemëruari” dhe “Zot i fatit tim!” Libri përmban 101 epigrame, një numër ky i parapëlqyer i autorit, si të dojë të na tregojë se edhe në të ardhmen do të vijojë të shkruaj në këtë lloj letrar tepër tërheqës për lexuesit. Janë të kërkuara epigramet për disa arsye, midis të cilave po përmend shkurtësinë e tyre. Me pak vargje, autori shpreh mendime të mençura, që herë për njërin lexues e herë për tjetrin shërbejnë edhe si mësime për jetën. Duket që shkrimtari Kona me jetën interesante që ka bërë, me vështirësitë që ai ka kaluar, por edhe me talentin dhe kulturën e lartë të të shkruarit, arrin që të krijojë epigrame të atilla, që të mbeten në mendje dhe, krahas entuziazmit që shkaktojnë gjatë leximit ato admirohen nga lexuesi për bukurinë e vargut dhe mesazhet mbresëlënëse që përcjellin. 

         Siç shkrova në fillim, janë tre libra të tillë. Do të dëshiroja të qëndroja shkurtimisht pak radhë te secili prej tyre.

                                     Mesazhe dobiprurëse

            “I zemëruari”, të cilin nuk e gjejmë në tregun libror, përcjellë mesazhe për përditshmërinë e jetës, duke vënë theksin në ato probleme jetësore që na shqetësojnë më shumë. Kanë të bëjnë ato me probleme social ekonomike, kulturore – artistike apo aty – këtu edhe politike, ndërkohë që na duket sikur autori na merr për dore dhe na rrëfen herën njërën “bimë” të kopshtit të tij krijues dhe herë tjetrën. Janë përmbajtje që na shkaktojnë entuziazëm me mënyrën se si e përcjellin mesazhin, teksa na vënë edhe në mendime për çështjet e ndërlikuara që ndeshim në rrugën tonë të jetës apo që na pengojnë të ecin përpara, ashtu siç pengojnë njeriun kurthet dhe mentalitetet e dëmshme, konceptet e gabuara apo padituria dhe  injoranca. Nga libri “I zemëruari”, te shumë lexues kanë mbetur të fiksuar fort në mendje epigrami: ”Shqipëria – ëndrra dhe shpresa,/vendlindja e bukurive të Dheut, /këtu ndihem i lirë si shqiponja,/ këtu ndihem i fortë si Anteu.”(Shqipëri);”Vargjet pa mendim:/trena,/që bosh venë e vijnë”(Vargjet pa mendim);”Si qentë, /nga larg të përgjojnë,/heshtazi të ndjekin pas,/çastin presin të të kafshojnë”. (Spiunët);Ai e do popullin me një trup dhe me një fytyrë,/mundësisht me një kokë dhe me një gojë,/do që ta përdor si një makinë me kurdisje,/do që ta ndezë dhe ta fikë sa herë të dojë.(Diktatori);” Mos bëj veprime të nxituara,/kur pendohesh është vonë,/Këtë, më shumë se të tjerëve,/duhet t`ia themi vetes sonë”(Këshillë)… Kështu me ritëm dhe ide vijojnë dhjetëra epigrame si “Xhelati”, ”Mjafton një kockë”, ”Diploma e kryetarit”, ”Kur nisi beteja”, ”E keqja”, ”I ngjitur”, ”Një kovë”, ”Miqësia në provë”, ”Mos e tepro!”, ”Njeri, je apo s`je?”, ”Gjashtë profesorë”, “Forca e kohës”, ”Ca princër, ca argatë” etj. etj.

Epigramet e këtij vëllimi shprehin opinionin se “Epigrami ka në themel, edhe formën tërheqëse, po aq edhe vet mendimin  e mençur që përcjellë te lexuesi ide, motive dhe mesazhe dobiprurëse”.

                         Freski, dinamizëm dhe energji 

       Mund të them që vijim i librit të parë, janë edhe epigramet e vëllimit të dytë të titulluar “Zot i fatit tim”, ku autori sikur i bën thirrje lexuesit që ta marrë vet në dorë fatin e vetë, t’i bëj vet punët dhe detyrat që ka në jetë, të mos pres që ato t`i marrë të gatshme. Përkundrazi nëse i lë ato në rrjedhën spontane dhe nuk tregohet aktiv, atëherë vështirësitë e jetës së tij janë edhe më të mëdha e më të ndërlikuara. Mesazhi artistik shfaqet mbresëlënës  sidomos tek epigrami: ”Ca grurë e ca egjër” ku autori shkruan: “I dija se ishin të gjithë engjëj,/vija për ta dorën në zjarr e në zemër,/por, kur nisën të ndaheshin pronat,/ca dolën grurë e ca dolën egjër.”; Xixëllonjë”: ”Respektoje një xixëllonjë,/jetën ajo nuk e çon dëm,/kur natën fluturon,/një dritëz e bën.”; ”Ato që dua vetë”: ”Vite të tëra bëra ato që më thanë,/me mendjet e të tjerëve eca në jetë,/por, tani, ju lutem, mjaft më,/do të bëj ato që dua vetë!”;”Kur”: ”Kur për interesat e  tua vetjake,/tradhton shokët dhe vendin tënd,/të gjithë do të të zbojnë me neveri,/si një akrep që u lëvrin nën këmbë!”;”Mos u brengos miku im!”:”Rrugën s`ta ka zënë askush,/ka vend plot, për ty, për mua,/ec, mos ngurro, tregoje veten,/mos u tërhiq, kështu të dua!” Mesazhe mbresëlënëse shfaqen edhe tek epigrami ”Ke para, s`ke para”, ku autori shkruan: ”Ke para, je dijetar,/ke para, gjithnjë fiton,/ke para të drejta ke,/ke para, botën sundon”. “S`ke para, je budalla,/s`ke para, asgjë ti s`di,/s`ke para, kot ekziston,/s`ke para, s`ta var njeri!”. Se çfarë vlerësimi bën autori për fëmijët, që janë edhe personazhet e tij më të dashur te librat e tij për fëmijë, këtë e kuptojmë edhe tek epigrami: ”Engjëjt”. Autori shkruan: “Nëse ekzistojnë engjëjt,/me siguri ata janë fëmijët./ Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,/engjëj kemi fëmijët,/Nëse duhet t`i krijojmë engjëjt,/ata përsëri do të jenë fëmijët!” Mesazhe po aq të fuqishme duken edhe tek epigramet: ”Mirënjohës e mosmirënjohës”, “Harrojmë veten tonë!”, ”Zot i fatit tim”, ”Me njëri-tjetrin”, ”Lojë”, ”Zhgënjimi”, ”Ironi”, ”Ti vet cili je?”, ”Vendin e minjve”, “Mendja jote si llamba”, etj. etj. Pajtohem plotësisht me njërin nga recensentët e këtij vëllimi e konkretisht z. Bujar Agalliu, i cili duke analizuar e vlerësuar epigramet e Viron Konës, mes të tjerash shkruan: “Në epigramet e vëllimit “Zot i  fatit tim”, bie në sy tematika e gjerë, por edhe fjalë dhe shprehje të figurshme, e sidomos metaforat, që janë karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori, ashtu dhe figura të tjera letrare si metonimia, simbolet, epitetet, krahasimet, por edhe ironia e sarkazma, të cilat i japin më shumë fuqi, freski, dinamizëm dhe energji epigrameve të këtij vëllimi”. 

                      Epigrame transparente dhe të drejtpërdrejta

          Kurse tek epigramet e librit “Zgjidh rrugën tënde!” Viron Kona që në titull na  përcjell mendimin se “ti vet e ke në dorë rrugën tënde për të ecur në jetë”, ndërkohë që ai bën objekt të epigrameve edhe tema të mprehta të ditës si korrupsioni, zhvatja, shpërdorimi e vjedhja e pasurisë së popullit, padrejtësia, tjetërsimi i njeriut, ashtu dhe makinacionet për të mbuluar gjurmët e krimeve dhe të këqijave të tjera që ndodhin. Tek epigrami “Si urdhëron zotëri!, autori godet servilizmin, përuljen ndaj zyrtarëve të lartë e të korruptuar, të cilët vjedhin e pasurohen në kurriz të popullit, por kur ata zbulohen, përgjegjësinë ua lënë vartësve të përulur, që më mirë se çdo gjë tjetër përsëritin togfjalëshin “Si urdhëron zotëri!” Autori shkruan: ”Kur vjedhja dhe korrupsioni dalin në skenë,/të mëdhenjtë e shfaqin veten viktima e pa përgjegjësi,/veprojnë si gjarpërinjtë që ecin e fshijnë gjurmët me bisht,/fajet mbeten te vartësit e përulur që thonë: “Si urdhëron, zotëri!”. Kjo temë shfaqet edhe tek epigrami “Oktapod dhe kriminel”, ku autori i krahason mafiozët dhe kriminelët e rrezikshëm me oktapodin, këtë grabitqarë të njohur të deteve,  që maskohet mjeshtërisht kur ndien rrezikun: “Oktapodi tetëkëmbësh grabitqar i njohur,/sapo ndien rrezikun lëshon bojën në det,/ashtu bëjnë edhe mafiozët e kriminelët,/kur duan të fshehin krimin e vetë”. Kur shkruan për grabitësit, Kona ka parasysh jo vetëm grabitësit e pronës shtetërore apo individuale, por edhe grabitësit e punës intelektualëve të njerëzve të ditur, të cilët të përfshirë në punën e tyre ideore, shkencore, pedagogjike,  artistike e letrare harrojnë se përreth mund të kenë nga ata që ua përvetësojnë apo tjetërsojnë idetë dhe mendimet. Shkrimtari i krahason këta lloje grabitësish me minjtë e drithit në hambar. Ja se si shkruan autori tek epigrami “Grabitësit”: ”Punën dhe arritjet e njerëzve të ditur,/mundin e tyre intelektualë shumëvjeçar,/e grabitin dinakët që u vijnë rrotull,/si minjtë e drithit në një hambar!” Këtë ide, Kona e shfaq edhe tek epigrami “Miu”, duke fshikulluar fort ata gjoja “artistë” që përvetësojnë punën artistike të të tjerëve: “Rrëmbe këtu dhe rrëmbe atje,/një metaforë dhe një metonimi,/ i shton në librin tënd me vargje,/n ‘botë s`gjen tjetër “poet” si ty!/Bëhesh si miu që çdo gjë lëpin,/ushqim me aromë kudo kërkon,/por edhe nëse çarku ka defekt,/diku te qoshja macja përgjon.”

            Si dhe në librat e mëparshëm  me epigrame, “I zemëruari” dhe “Zot i fatit tim!”, edhe në këtë libër të ri, Viron Kona është transparent dhe i drejtpërdrejtë në ato çfarë shkruan. Ai dallohet për stilin e zhdërvjelltë, për çiltërsinë dhe sinqeritetin e  plotë, për botën e tij të pasur letrare e  artistike, për ndjeshmërinë ndaj jetës dhe dukurive më të qenësishme të saj. Janë disa epigrame që fokusojnë problemet që ka drejtësia shqiptare, probleme këto që kanë shqetësuar jo vetëm popullin shqiptar, por edhe Evropën dhe botën e përparuar. Autori ndalet veçanërisht tek veset e disa prej gjyqtarëve të korruptuar, por  edhe te zvarritjet e mëdha të çështjeve të drejtësisë. Janë një sërë epigramesh që pasqyrojnë  këtë dukuri, e midis tyre po përmendim epigramet: “Pa fund”, ”Nga i ri bëhesh plak” etj. Qëndrim demaskues mban autori edhe ndaj disa të rinjve, të cilët të përfshirë në botën e krimit, bëjnë allishverishe me kriminelë për të kryer vrasje me pagesë, sepse këtë ua kërkojnë “punëdhënësit”. Në epigramin “Profesion” autori shkruan: “Si në filmat me horror,/vrasja u bë profesion,/dy veta bien në ujdi,/njëri vret, tjetri paguan.” Autori i kujton me gjuhe artistike lexuesit të jetë  sa më realist dhe i vërtetë në jetë, të mos përulet as nga vet hyjnizimi i disa njerëzve  që veshin petkun e gjoja të paprekshmëve dhe  të pandëshkueshmëve: “Mos hyjnizo askënd në këtë botë,/mos u gjunjëzo para tyre, o njeri,/ata i thurin vetvetes kurora e lavdi,/s`janë perëndi!” 

                                          Epigrame  

            që shprehen përmes hidhësisë së sarkazmave  

       Viron Kona, si një shkrimtar me ndjenja të thella kombëtare fshikullon gjendjen e rënduar dhe pasigurinë sociale-ekonomike të vendit, që i detyron njerëzit, herë si individë dhe herë  familjarisht të marrin arratinë dhe ta “braktisin” Shqipërinë për një jetë më të mirë ekonomike. Tek epigrami “Dhimbje poetike!” autori shpreh dhimbjen e tij, duke përdorur një ironi të hidhur, sarkazëm: “Tani bota s`ka më porta,/mbathjani e mos ngurroni,/s`janë kurrkush para nesh,/Magelani dhe Kolombi…!”  Autori e mbyll librin me një epigram që ai e konsideron edhe “epilog” të librit. Është epigrami “Lekë të vjetra apo lekë të reja?”, që autori ua kushton pensionisteve, të keqtrajtuar nga shteti me pensione krejt të pamundura për përballimin e jetës. Ja dy strofa nga ky epigram: “-Të kërkoj falje, o bijë, ti ke shumë t ‘drejtë,/ ne me ato lekë të vjetra  merremi mirë vesh,/s`ke pulën, do hash sorrën, – thotë populli!,/ ne, na e dhanë sorrën, na e bën peshqesh!” 

         E uroj shkrimtarin e palodhur Viron Kona për kënaqësinë që na dhuron me këto tre vëllime me epigrame, të cilat na emocionojnë dhe na shërbejnë si mësime dhe mesazhe të dobishme për jetën!  

Filed Under: LETERSI

Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vititi 2023

December 27, 2023 by s p

Adnan Mehmeti

Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/

New York, 26 dhjetor 2023

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është e përkushtuar për të nxitur një komunitet poetësh dhe shkrimtarësh shqiptarë në Shtetet e Bashkuara me synim të lartësojmë në mënyrë aktive vlerën e letërsisë shqipe. Duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim, ne përpiqemi të përforcojmë zërat dhe të kontribuojmë në trashëgiminë e qëndrueshme të letërsisë shqipe në tokën amerikane. Nëpërmjet nismave, botimeve dhe aktiviteteve letrare dhe kulturore kuptimplotë, Shoqata jonë është e përkushtuar të kultivojë një lidhje gjithëpërfshirëse dhe frymëzuese që kapërcen kufijtë përmes fuqisë së fjalëve.

Muaji i dhjetorit, si anëtarë të kësaj shoqate, na sjell emocione dhe kujtime, duke kujtuar fillimin e dhjetorit 2001, të themelimit të lidhjes sonë. Kjo asamble shkrimtarësh, e ngjashme me një diell rrezatues që ndriçon përpjekjet letrare të anëtarëve të saj, ka marrë vlerësime nga lexuesit anembanë botës. Ne shprehim mirënjohjen tonë për anëtaren më të re, Age Ivezaj, që u bashkua dhe na mundësoi të përkujtojmë themelimin tonë.

Vlerësimi ynë i përzemërt shtrihet për anëtarët e rinj të ardhur këtë vit: Kastriot Fetahu, një eseist dhe poet që jeton mes Chicago-s dhe Boston-in; Esmeralda Bregaj, poete dhe romanciere nga shteti Idaho dhe Abdyl Hajredini, një poet me banim në Nju Jork.

Gjatë këtij vitit, kujtojmë për humbjen e Naum Prifti, ish-kryetarit të parë të Shoqatës së Shkrimtarëve, largimi fizik i të cilit lë boshllëk, por kontributi i të cilit vazhdon, i ndërthurur me sukseset e Shoqatës.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është përpjekur me seriozotet dhe me përkushtim këtë vit t’i prezantojë lexuesve shqiptaro-amerikanë “Albumin” e Fan Nolit, një ribotim që ne e konsiderojmë të denjë për të udhëhequr të gjitha botimet në SHBA.

Gjithashtu ne arritëm të botojmë numrin e ri të revistës letrare “PENA”, organi i Shoqatës së Shkrimtarëve, me mirënjohje të sinqertë për ekipin e zellshëm redaktues për angazhimin e tyre të palëkundur.

Këto botime janë bërë të mundura me sponsorizimin e Shtëpisë Botuese “Adriatic Press”, duke e zgjeruar ndikimin e saj çdo ditë që kalon. Listës së publikimeve të kësaj shtëpie bouese i shtohen edhe vepra të Dalip Grecës, “Editorët e Diellit në 110 vite histori” dhe “Editorial”, romanin e Mëhill Velajt “Në kërkim të Mimozës”, librin me poezi të Adnan Mehmetit në anglisht “Leave the Door Open”, etj.

Duke reflektuar për vitin kalendarik, veçojmë ngjarje të tilla si promovimi i “Albumit” të Nolit në katedralen e Shën Gjergjit në Boston, me ligjërata të figurave letrare si Besim Muhadri në Nju Jork, Thanas Gjika në Worcester, Adnan Mehmeti në Stamford, Age Ivezaj në Hartsdale, etj. Apo edhe promovimet e sukseshme nëpër botë të shkrimtarëve tashmë të njohur, Gjekë Marinaj dhe Visar Zhiti.

I shprehim mirënjohjen Mëhill Velajt, kryetarit të palodhur të shoqatës, për përkushtimin vetëmohues dhe përpjekjet unifikuese.

Anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe lexuesve tanë të nderuar, Viti i Ri urojmë t’ju sjellë gëzim, shëndet të mirë dhe arritje të vazhdueshme letrare.

Filed Under: LETERSI

MUNGESA E LIBRAVE UNIVERSITARË NË GJUHËN SHQIPE SI PASOJË E REVISTAVE TË “NEOKOLONIALIZMIT AKADEMIK”

December 26, 2023 by s p

Prof.Milazim KRASNIQI/

Tashmë që jam jashtë stafit të rregullt universitar, e kam edhe më të qartë pamjen lidhur me tiraninë që imponohet lidhur me botimet e punimeve shkencore në revista të huaja, si kusht brutal për avancim në tituj universitarë. Në fakt, ka pasur dhe ka gjithnjë e më shumë një zhvillim shumë kundërthënës në këtë punë: sa më shumë që mësimdhënësit tanë botojnë punime shkencore në revista në platforma të njohura, (Scopus) aq më pak ka libra universitarë në gjuhën shqipe. (Ndërsa punimet botohen vetëm anglisht dhe publiku shqipfolës nuk ka mundësi t’i lexojë! Ato as nuk shkruhen për studentë, prandaj jo gjithnjë mund t’u shërbejnë.)

Puna është e vendosur mbrapshtë që nga fillimi, sepse mësimdhënësit detyrohen të formulojnë tema që mund të zgjojnë më shumë interesin e revistave të huaja për botim. Temat e tilla shumë herë janë më shumë teorike ose „kozmopolite“, e jo tema që do të kishin për objekt hulumtimi probleme konkrete e aktuale të ambientit tonë ekonomik, shoqëror, kulturor, kombëtar, shëndetësor, teknologjik, etj. E dyta, standardizimi i punimeve i bën të duken disi si prodhim serik, çka e dëmton kreativitetin e studiuesve. Në këso punimesh për platformat e njohura, studimi futet në një kallëp teorik, metodologjik e strrukturor, gjë që e imponon botuesi, e jo hulumtimi dhe rezultatet e studimit. E treta, punimet u dedikohen studiuesve në fushat respektive, e jo studentëve ose ndonjë komuniteti pak më të gjerë. E katërta, meqë ka shumë universitete e shumë mësimdhënës, të cilët janë të detyruar të botojnë punime në aso revistash për t‘u avancuar, atëherë kjo konkurencë abnormale u merr shumë kohë e shumë energji. Bile ka revista që i detyron autorët të paguajnë para, për t’ua botuar punimet.

Njëra nga pasojat e kësaj politike të mbrapshtë, që në instancë të fundit mua më duket si një formë e neokolonializmit akademik, është se mësimdhënësit nuk kanë as kohë, as energji as interes që të shkruajnë libra univeristarë për studentë. Bile as të përkthejnë libra universitarë. Pse? Sepse ajo punë faktikisht nuk vlerësohet për avancim. Më shumë vlerësohet një punim i botuar në një revistë të huaj, dikund në rrotë të samës, se sa një studim monografik, i botuar në universitet. Prandaj, mungesa e librave univeristarë në gjuhën e studimit, pra në gjuhën shqipe, vërehet shumë në universitetet tona. Besoj edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut gjendja është njësoj e keqe. Nuk e di a është përkeqësuar, por disa vitesh e kam bërë një matje të thjeshtë dhe rezultati ka qenë shokues: rreth 60% e librave që janë në syllabuse në programet e studimit në Universitetin e Prishtinës, nuk kanë qenë fare të përkthyera e të botuara në gjuhën es tudimit, pra në gjuhën shqipe. Ky është një absurd i llojit të vet: studentëve u jipen literaturë e obligueshme libra që nuk janë në gjuhën në të cilën ata/ato studiojnë. Meqë shumë prej tyre nuk dinë anglisht dhe ata që eventualisht dinë anglisht, nuk kanë para që t’i blejnë, i bie që ata nuk arrijnë t’i lexojnë ata libra. Pasoja e kësaj është direkte në formimin e tyre akademik: nëse 60% të vëllimit të literaturës nuk e lexojnë, i bie që për tri vite studime, marrin vetëm rreth 40% të kredive. Problemi i të rinjve në tregun e punës është tregues i këtij defekti. Prandaj mendoj se duhet të rishikohet kjo politikë e këtij farë akademizmi, që bën kujdestari policeske mbi avancimet. Fjala vjen, nëse një mësimdhënës boton një libër universitar (natyrisht me recensionim komptetent e rigoroz) ajo punë do të duhej të vlerësohej me përparësi për avancim. Natyrisht botimin dhe qarkullimin do të duhej ta bënin universitetet, duke e vlerësuar e kompensuar atë punë të dobishme për studentët. Natyrisht në këtë rast do të duhej të funksiononte edhe respektimi i të drejtave të autorit e jo që puna e tij të shkojë për lesh nga fotokopjimet pirate që bëhen në mes të ditës, afër kampuseve, siç ndodhë për gjithë këto vite. Realisht edhe pitateria e ka shkatërruar vullnetin e shumë mësimdhënësve që të shkruajnë libra universitarë, pasi ato vidhen dhe shumëzohen ilegalisht, që në momentin që del në qarkullim një ekzmeplar.

Nga pozita ime e tashme, kur nuk e kam sikletin e avancimeve, e kuptoj edhe më shumë tërë këtë situatë absurde. E kam të qartë se punimet shkencore që kam botuar ndër vite për avancime, mund t‘i kem harruar edhe vetë. Ndoshta mund t’i hyjnë ndokujt në punë vetëm për ta zgjatur bibliografinë. Ndërsa librat univeristarë që kam shkruar (e botuar vetë dhe shumicën dhënë falas studentëve) ende u hyjnë në përdorim studentëve. Me siguri që ata libra universitarë nuk janë librat më të mirë në ato fusha. Por e sigurt është që në procesin e aftësimit profesional e akademik, studentët e mi kanë përfituar prej tyre. Umberto Eko pati thënë në një rast se librat mbi komunikimin e gazetarinë që janë më të vjetër se njëzet vite, po të pyetej ai, nuk do t’i linte në qarkullim. Eko njësoj mendonte edhe për librat e vet. Unë mund të jem dakord me të, por ata libra duhet të zëvendësohen paraprakisht me libra më të mirë. Ama në rast se më askush nuk ka hapësirë të shkruajë libra univeristarë për studentët tanë, ngase në mënyrë policeske kushtëzohen nga botimi i punimeve në revista të huaja dhe në gjuhën angleze, si do të bëjmë për librat? E fundit: kjo politikë e avancimeve është thjesht një marrëzi, sepse i trajton mësimdhënësit domosdoshmërisht si shkencëtarë, ndërsa mësimdhënësit mund të mos jenë shkencëtarë, po vetëm transmetues korrekt të njohurive shkencore tek studentët. E dyta, u kërkojnë mësimdhënësve të shkruajnë punime shkencore për komunitetin e shkencëtarëve, ndërsa ata paguhen t‘u shërbejnë studentëve. Pra, shkruajnë për shkencëtarët që ato çështje realisht i dinë e nuk shkruajnë për studentët, të cilëve u shërbejnë.

Në instancë të fundit, në rastin e botimit në revista të huaja e në platforma të caktuara, fjala është për një biznes të madh e të dyshimtë. Fjala është për një industri të revistave që përfaqësojnë neoklolonializmin akademik, i cili ka synim të mbajë nën kontroll arsimin dhe kulturat kombëtare. Vetëm po ta shikoni gjendjen aktuale të programeve studimore albanologjike, e kuptoni më qartë se është fjala për një formë të neokolonializmit akademik. Degët nacionale, si gjuha shqipe, letërsia shqipe, historia, antropologjia, praktikisht janë para mbylljes. Çdo vit zvogëlohet numri i studentëve në këto departamente. Të diplomuarit e këtyre departamenteve nuk kanë fare treg të punës, sepse ua kanë hequr me Fakultetin e Edukimit. Bile sa jam në dijeni, edhe revistat albanologjike tashmë janë mbyll. Duhet të shkruash anglisht për problemet albanologjike e ta botosh punimin në platformën Scopus, qoftë edhe në revistat e shteteve ku nuk ekziston një ide mbi albanologjinë.

Filed Under: LETERSI

REVISTA LETRARE “PENA” NË NUMRIN E SAJ TË 11-TË

December 25, 2023 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri/

Revista letrare “Pena”, organ i “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, del para lexuesit në numrin e saj të 11-të në vitin 2023 me 25 autorë kontribues. Kryeredaktor i këtij numri është z. Adnan Mehmeti dhe redaktorë janë Mëhill Velaj, dr. Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri.

Përgjithësisht, revista vjen me një strukturë tashmë të konsoliduar, nga ku rubrikat: kritikë, poezi, prozë, intervistë, ese, kronikat e shoqatës etj., janë thuajse të përhershme pasi i gjejmë edhe në numrat e mëparshëm të kësaj reviste.

Numri i 11-të i kësaj reviste hapet me fjalimin që shkrimtari Visar Zhiti mbajti në Universitetin e Michigan-it “Ann Arbor” në Fakultetin e Gjuhëve Moderne dhe Letërsisë, Departamenti i Sllavistikës, fjalim të cilin e titulloi “Poezia është liri, ajo më futi mua në burg, por edhe më shpëtoi shpirtin nga burgu…” Profesori i këtij departamenti, dr. Lisandri Kola, jep në këtë universitet lëndën “Letërsia shqipe në ekzil” dhe kishte ftuar shkrimtarin Zhiti të përcjellë tek auditori ndjesitë dhe përvojën e tij si njeri dhe si krijues, në kohën e vështirë të diktaturës.

Pjesë e rubrikës “Kritikë” është edhe recensioni i dr. Gjekë Marinaj me titull “Kozeta Zylo, një shkronjë shtesë në alfabetin e diasporës shqiptare në Amerikë”, i cili flet për librin me poezi për fëmijë “Albatare dhe Abetare”, me autore Keze Kozeta Zylo. Ndërsa, për vetë Gjekë Marinaj, do të shkruajë Reshida Çoba, e cila ka marrë në shqyrtim librin me poezi “Paradigma e parajsës” të Marinajt, duke analizuar dhe interpretuar disa poezi të këtij vëllimi. Tek shkrimi i saj me titull “Dr. Gjekë Marinaj-Kandidati për çmim Nobel: Paradigma e parajsës së letërsisë bashkëkohore shqipe”, Çoba kërkon t’i japë përgjigje pyetjes se çfarë është dashuria në vargun e poetit Gjekë Marinaj.

Dr. Yllka Filipi vjen ne këtë numër me recensionin e titulluar “Vëllimi poetik “Lotus” i poetes Ermira Mitre plazmon të gjitha tragjeditë e un-it modern”, në të cilin përqëndrohet të interpretojë, ndër të tjera, simbolikën e vargut dhe të krejt poezisë në veprën “Lotus” të autores Ermira Mitre Kokomani.

Rubrika “Kritikë” vazhdon me shkrimet: “Dalip Greca vjen prej qiellit me dy libra “Editorët e Diellit” dhe “Editorial”, nën kujdesin e Vatrës dhe Diellit”, ku zonja Zylo flet për promovimin e dy librave të Dalip Grecës (post-mortum); Pal Ndrecaj vjen me shkrimin “Robi i kohës dhe koha e robit, kur dosjet janë hapur përgjysmë…” ku flet për librin “Esencat e mendimit letrar” të studiuesit Besim Muhadri; Mëhill Velaj është i pranishëm në këtë numër me shkrimin “Libri i mallit për vendlindjen, sfidën jetësore dhe plagëve të heshtura”, në të cilin flet për veprën me poezi “Ndjesitë e mia” me autore Merita Prenga; “Mirënjohje për një poet, shkrimtar dhe botues në librin “Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit” të Namik Selmanit”, është titulli i recensionit të Emi Krosit, e cila shkruan rreth përmbajtjes së këtij libri dhe vlerat që ka për lexuesin; Migena Arllati vjen tek “Pena” me shkrimin “Poezi me kulturë, përmbajtje dhe emocion” që është edhe parathënia e librit me poezi “E diela e fundit” e shkrimtarit Shpend A. Gjocaj. Kjo rubrikë mbyllet me shkrimin e dr. Bexhet Asanit: “Saga e mërgimtarëve shqiptarë në një roman”, një recension mbi romanin “Kush na mallkoi?!”, me autore Age Gjokaj Ivezaj, njëkohësisht shkrimi është edhe parathënie e këtij romani.

Rubrikën e poezive e hap poeti Dalan Luzaj, i cili vjen në këtë numër të “Penës” me 6 poezi: “Tri strofa për vete”, “Ndarje”, “Oshëtima e bukurisë”, “Nënës”, “Gjumi im”, Dashuri fëmije”; poetja Iliriana Sulkuqi vjen me poezitë: “Mos e ‘vrisni’ poetin”, “Fund në fund vjeshtë…”, “Pelegrin…!”, “Vitestinët”, “Elbasaaan”, “Qamë në shteg Qabeje…”; ndërsa “Valixhia e jetës sime”, “E imja Shqipëri”, “Jeta, krip dhe sheqer”, “Dy pika loti”, “Dashuri në galaktikë”, “Ënndrrat në lundrim”, “Fisnike, unë” janë 7 poezi të poetes Esmeralda Bregaj, me të cilën mbyllet rubrika e poezive për këtë numër.

Në prozë kemi prurje nga shkrimtari Sami Milloshi, konkretisht tregimin “Një ditë si shumë të tjera”.

Intervista e këtij numri ka në fokus shkrimtaren Arjana Fetahu Gaba, e cila rrëfen për jetën dhe krijimtarinë e saj, ku ndër të tjera, pohon se Amerika i dha një tjetër dimension poezive të saj.

Rubrika e esesë vjen e përfaqësuar me një “Autointervistë” nga Kastriot Fetahu, i cili, e fton veten e tij që të bëjnë një intervistë së bashku dhe mesazhi më i rëndësishëm që kërkon të përcjellë është se: kemi triumfuar në jetë nëse kemi arritur paqen me veten.

Si në çdo numër tjetër, edhe tek këtë radhë tek “Pena” kemi një shkrim-njoftim mbi fituesin e çmimit Nobel në letërsi dhe është pikërisht shkrimtari norvegjez Jon Fosse. Në këtë numër, Sadiola Xhelili sjell një shkrim pak më të zgjeruar, e cila i rikthehet pak edhe çmimeve të dhëna në vitet e mëparshme.

Rubrika “In Memoriam” vjen tek revista “Pena” në përkujtim të shkrimtarit Naum Prifti, ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i cili ndërroi jetë më 17 qershor, 2023. Naum Prifti ishte një shtyllë kyçe e letërsisë dhe e kulturës shqiptare, sidomos për diasporën në Amerikë. Në përkujtim të tij, Rajmonda Moisiu dhe Mëhill Velaj sjellin “requiem-in” e tyre: “Naum Prifti-Simboli i triumfit të shpirtit njerëzor”, që shoqërohet edhe me një biografi të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së tij. Ndërsa, vajza e tij, Rafaela Prifti, njëkohësisht editore e “Diellit” në anglisht, na rrëfen në këtë numër te “Penës” dëshirën e fundit të babait të saj.

Një ndër rubrikat më funksionale të revistës, në veçanti për “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” është ajo e kronikës. Kjo rubrikë ka vlerë sidomos për anëtarët e rinj të Shoqatës apo për një lexues me interesa më të thelluara sa i takon krijimtarisë që zhvillohet në diasporë.

Në këtë numër, kjo rubrikë vjen me një lajm shumë të mirë për botën e letrave shqip, për kulturën shqiptare në përgjithësi: ribotimi i origjinalit të veprës “Albumi” me autor Fan Noli, botuar fillimisht nga “Vatra” në vitin 1948. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ribotimi i “Albumit” të Nolit (origjinali i vitit 1948) u bë i mundur nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, nën kujdesin e Adnan Mehmetit.

Kronika e revistës hapet me një shkrim nga gazetari Beqir Sina me rastin e promovimit të 4 librave të studiuesit Besim Muhadri që u bë në “Vatër’, New York. Më pas, rubrika i dedikohet thuajse krejtësisht ngjarjes kulturore të ribotimit të “Albumit” të Nolit, ribotim i cili bëhet për herë të parë në Amerikë. Fuat Memelli dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri vijnë secili me nga një shkrim më vete për të na njohur me atmosferën dhe organizmin që u bë për promovimin e ribotimit të “Albumit” në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Më pas, kronika vazhdon me pasqyrimin e fjalimeve/kumtesave të mbajtura ditën e promovimit, konkretisht: Adnan Mehmeti me “Një libër që na frymëzon”; Neka Doko me “Nga shtepia e Nolit”; Arjeta Ferlushkaj Kotrri me: “Fan S. Noli, “Albumi” dhe ne”; Namik Selmani me: “Testamenti vargëror që na duhet në breza”; Thanas L. Gjika me: “Fan Noli, krijuesi i trinomit Kisha-Vatra-Dielli” dhe për ta mbyllur , Rafaela Prifti me: “Ajo që na duhet janë shqiptarët e Staturës së Fan Nolit, ato që kemi janë fjalët e “Albumit” të tij”. Rubrika e kronikës mbyllet me artikullin nga Arjeta Ferlushkaj Kotrri për promovimin e romanit “Kush na mallkoi?!” më autore Age Gjokaj Ivezaj.

Pjesë të këtij numri janë edhe njoftimet për anëtarësimet e reja në SHSHSHA. Një shkrim nga kryetari i SHSHSHA-së, Mëhill Velaj, na njeh me anëtarësimin e poetit Kastriot Fetahu. Gjithashtu, anëtarë të rinj në SHSHSHA u pranuan edhe Esmeralda Zace Bregaj, Age Gjokaj Ivezaj dhe Abdyl Hajredini.

E mbyllim këtë shkrim për numrin më të ri të revistës “Pena” me moto-n e saj:

“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Dhjetor, 2023

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 304
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT