CINZIA DEMI
SHKAKU I DITËVE
Cinzia Demi
Në Itali shkruhet shumë poezi dhe është e dashur si kënga italiane, sa duket se ai gadishull i mrekullueshëm po aq sa është rrethuar nga ujërat mesdhetare, po aq dhe goditet nga baticat e dallgëve të vargjeve dhe melosit, vazhdueshëm si në rilindje dhe sot.
Duke qenë pranë, edhe shpirtërisht, dhe kërshëria është më e madhe, gjithsesi dhe mundësitë e njohjes janë më të shumta.
Këtë radhë kemi zgjedhur një poete, mbase dhe për të treguar sado pak dhe përditshmërinë e poezisë italiane sot, Cinzia Demi, jeton në Bolonja dhe është nga Piombo pranë.
Ajo laurimin magjistral e ka kryer në Italianistikë dhe drejton kolanën Cleide në botimet “Minerva” dhe rubrikën “Missione Poesia, Altritaliani” dhe është kryeredaktore e revistës, që del në letër “Menabò (Terra d’ulivi edizioni).
Ka botuar në mjaft shtëpi botuese vëllime me poezi, eseistikë, narrativë. Ja, disa nga titujt e saj, që duket sikur krijojne një rrëfim: Takohemi në ferr; Tërheqja që na bashkon; Takime dhe Magjepsje; Caterina Sforza. Forcë e natyrës midis mitit dhe poezisë; Ersilia Bronzini Majno. Imagjinari biografik i një italiani mes rolit publik dhe atij privat; Unë isha Maddalena; Maria dhe Gabrieli. Pritja e nënave; Në emër të detit; Zërat e Parë.
Ka përgatitur antologjitë: Midis Genovas dhe Livornos: poetë të dy qyteteve. Homazh për Giorgio Capronin; Të dashurit e dashurisë; Portrete poetësh.
Poezia e Cinzia Demi-t është përkthyer në anglisht, frëngjisht, rumanisht, hungarisht, arabisht, spanjisht, tani dhe në shqip, ndërsa ajo vetë është dhe përkthyese për editorinë “Puntoacapo” të autorëve në gjuhët neolatine.
Drejton disa veprimtari si “Çaj me poezi”, Bolonja; “Festivali i Artit”, Piombino dhe është vlerësuar me çmime te ndryshme letrare. Ndër më të fundit janë:
2019, “Académie Mihai Eminescu – Craiova”, “Médaille pour ses mérites dans la diffusion de la Culture universelle” dhe “Prix Special pour l’excellence de sa création;
2020, Anëtar i emëruar i “Académie Tomitane of Constance”
2021, Çmimi “Inter.le Camaiore” për “Trup i pamundur” të Attila F. Balás, përkthyer prej Cinzia Demi-t, Çmimi “Narrativ INPS” për “Zërat e Parë” dhe videot në “Rai Cultura Letteratura”.
Poezia e saj duket se sjell traditën për ta thyer atë, ka një realizëm dhe surealizëm të ndërthurur, ku vërshimin e fjalëve nuk e ndërpret me shenja pikësimi, madje as me shkronjën e madhe nistore, duke dashur kështu t’i ngjajë ligjërimit të gjallë apo monologut të brendshëm sipas parimit të “përroit psikik”. Parapëlqen një arketip të ri, atë të Matrioshkës, vërejnë kritikët.
Përmbledhja e saj e fundit “Shkaku i ditëve” është një përvojë poetike e bazuar në fakte, ngjarje dhe ndjenja që shkaktojnë një efekt specifik, i cili, nga ana tjetër, krijon një fakt tjetër, në një lloj lidhjeje ngjarjesh: çdo kalim i jetës është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me të mëparshmen dhe me atë që vjen, e tërhequr nga forca ose dobësia e asaj që s’ikën. Peizazhi shfaqet pas leximit me dritësirat e veta, erërat ngurtësinë, ciklin e stinëve, impulset, pritshmëritë dhe zhgënjimet që shkakton koha. Ritmi i poezisë për Cinthia Demi-n është si ritmi i frymëmarrjes dhe i ndjenjave, i thyer nga ngjarjet e jetës. Fillimi i saj është si një vazhdim…
Librat e Cinzia Demi-t zakonisht në ballinë kanë nga një pikturë të bashkëshortit të saj, Maurizio Caruso, i cili ka hapur ekspozota të ndryshme dhe shquhet për portrete të artistëve, shkrimtarë Italianë dhe nga bota, ku kanë tërhequr vëmendjen e tij dhe heronj shqiptarë si Skënderbeu e At’ Viçens Prennushi.
Po i sjellim së bashku.
Përgatitën dhe përkthyen Eda & Visar Zhiti
Dy libra nga Cinzia Demi me piktura nga Maurizio Caruso
KOHA SI NJË KOPSHT
Poezi nga Cinzia Demi –
* * *
por koha është një kopsht
ku shëtisin ngjyra dhe stinë
dhe toka hapet në lule
në shije frutash të lagura
sipas dëshirës së erës
ulur përballë
ndjej frymën tënde të ndezur
shoh faqet prej fëmije
purpur livadhesh por
sytë – ndryshim fluturimesh
si zogjtë janë si zogjtë
i njohin mendimet e botës
mbushin oborret me përpjekje
dhe britmat e një sfide
gabimet në flakë flatrash
Autogra nga poetja Cinzua Demi
duhet të kuptojmë se ç’sjell
që të besojmë në drithërat e bëra
rërë klepsidre ndër duar
për të mos thyer kristalet e arta
që të kthehemi atje ku kemi lindur
në shtëpinë me mure të bardha
ku çdo gjë ka një emër
për të zbuluar çdo kufi
dhe ka një kujtesë që shpejton
dhe zgjerohet nëpër botë
me një gulçim të fryrë midis
kokrrave të akacies e lirit të lehtë
në dritën e pjerrët të grilave
në sakramentin e betimit
mbi memorialin e kthjellët të detit
duhet të kuptojmë se ç’mbetet
nga çmenduria e festës nga
nxehtësia e flakës që ende
mbron rininë
e trupave tanë të përqafuar
në agim mes avujve, ndërsa
fundoset hija e siluetave
që ishin pranë dhe një copëz
kujtese është një e keqe
mahnitëse e njerëzimit që zhytet
në arsyet e errëta
lulëkuqet përpiqen të lulëzojnë
dhe një kohë e palëvizshme nuk
shpjegon nuk lavdëron por jo
të mohojë shkakun e ditëve
Nga rubrika: Në emër të detit
pret gjithmonë që diçka të ndodhë
teksa ngre sytë
te pemët që i druhen vjeshtës
rruga bëhët dhe më e gjatë dhe
ky pllakat nuk ishte dje
është i milicisë së kohës
e gatshme në ushtrinë mercenare
për luftërat në altarin e gurtë
të kishëzës – në kufi me Gjirin[1]
kundër zbehjes së detit në tetor
paguani dhe lëreni të lirë të ndalë
që të pushosh pak pa u ngutur
provo të lash duart
ku rrjedh rërë hematite
merr një copëz vazoje
dhe me të bëj një gotë
pi një gllënjkë mistral
nga ajo çarje që zmadhohet
ajër i kripës së lashtë detare
ndoshta kështu dhe rritesh
pas bukës me sheqer dhe vere
pas vjeljeve dhe trëndafilave
kur të gjitha gjërat zbehen
në një ndjesi të largët dhe thua
kështu rritesh për kryqet
të cilëve u shmangemi
për këtë ajër mbytës të shtëpisë
ku horizonti ishte vetëm një vijë
ndoshta kështu takohen teatrot
me kuintat gjithë ngjyrë të ndezura
përfillu që rëndësi s’ka fare
sa kilometra ikin kështu
trupat shtrëngohen i hedhin veshjet
argjendi vesh pa vlerë më
pa zjarrminë që bëhet shkollë
dhe duke pritur kthehemi në fillim
ngrihen sytë te pemët
që tashmë janë plot pranverë
rruga është më e shkurtër
dhe në pllakat është zbehur shkrimi
________________________________________
[1] Gjiri i Baratti-tè në komunën e Piombino-s (LI),
ku kam lindur ( Shën. i autores)
Nga seksioni: Material jo i riciklueshëm ne për jetën
ne për vdekjen
ne për ndjenjën e përjetshme
ne për të mos kuptuar
ne që ishim dhe që jemi
njerëzimi i dhimbshëm
e asaj dhimbjeje të fortë
që verbon mendjen
njerëzimi i humbur
i ndotur nga njerëz trashanikë,
ne që besuam
ne që nuk besojmë
ne që shpresonim
ne që nuk shpresojmë
ne që kemi dashur
ne që nuk duam
ne që nuk jemi më
pa familje pa virtyt
me një ëndërr që vdes
çdo çast
çdo çast të vetëm
një ëndërr e ndalur
në një grusht në një rënkim
në ujin që ikën
në erën që shqyen
në diellin që djeg ende më shumë
nga seksioni: Ajo shenjë që mungon
shoh orkidën në tryezën e kuzhinës
herë pas here lëshon një lule
thahet dhe bie nga dega
duke humbur freskinë e saj
e zhvesh ngjyrën
është ende e bukur mendoj
çarë nga ajo rreze e fundit e dritës
së tradhtuar nga palosjet e portokallit
të tendës po të kishte zërin e vet
do më tregonte për këtë kohë
do më thoshte që po humbas konturin
e fytyrave të atyre që dua ngjyrat e
syve linjën e vizatuar të profileve
gjestet e duarve që fjalët janë
thekë të zbrazëta edhe në celularë
do më thoshte se është zbehur fustani
i detit dhe horizonti nuk është më
një linjë për të mbështetur shikimin
se bora nuk ka rënë këtë vit
dhe bari me durim pret kthimin
do më thoshte që ëndrrat janë makthe
që e qara që dëgjoj është larg
por e vërtetë që nata ka varrosur
më të mirët prej nesh në rrugën e kryqit
të kamionëve të dritave varg
do më thoshte që s’e kuptova jetën
se nuk mund të ndodhë veçse kur
uji rrjedh dhe gota mbushet
se tunika nuk luhet me zare
por pritet dhe qepet me dorë
dhe do më thoshte orkidea e Pashkës
shfaqjen e përpiktë në dritaret tona
si atë njollën e gjineshtrës që rishoh
në pyllin e dendur dëshirën e dritës
kthjelltësinë përhapëse të Ringjalljes
ra shi kaq shumë
kësaj nate jasemini
duket i përtërirë kërcelli
i hovshëm aromatik
gjethet kanë pirë diell
burimeve të bollshme
Unë s’di gjë për të
vërtet si për shumë të tjera
shoh të hapur degëve
plot pika qiellore
të reve të holluara
ndërsa bluja përparon.
është ende i zbehtë mëngjesi
në kontrast me trëndafilin
e kuq në anë të kopshtit që
duket se dikton linjën e
guximit atë që kërkoj
në rrjedhat e venave
një grerëz gumëzhin përreth
në lulemuret përhumbem
në endjet e saj rrethore në
mjeshtërinë e saj të pandërprerë
në kërkim të qiellit do t’i jepja
timin kur ta gjej
vrullin dhe atë shije
mjalti të orëve festive
pas stuhisë së breshërit
dhe rërës që ka mbuluar
rrënjët e ëndrrave të mbështjellë
me pastërtinë e zambakut
kërkesat dhe përqafimet e
nënës dhe atit dhe birit teksa
në atë copëz drite që
rrjedh mes pjeshkës dhe hardhisë
ku shihen frutat dhe zogu alodol
që nxiton nëpër këngë
Nga seksioni: Hija e shtëpive
e para ishte si fillimi
i një alfabeti të mundshëm
në orët delikate
të preludit të mbrëmjes
dhe lëvizin e tendosen
çastet në rruzare
pa një dritë
me erën pezull
por ishte dashuria
gjatë fillit të rrugës
dhe qumështi i ëmbël
të një gji nëne
* * *
E mbështjell veten në flokët e mi
si bletët në koshere
hiri dhe uji në urnë
dhe është mjalti që pikon nga lotët
nëse shikon qytetin në rrugë
përçarjen e gjetheve të çmendura
ringjalljen në vajtimet
Unë kthehem
tek molla e thartë që ishte
dhe në ata sy sirene
të një gruaje vetëm
si heshtja si ndëshkimi
* * *
rrush vere të mirë
dhe ndërkohë
digjesh për atë fluturim
shpëtues mbi të keqen
me një guxim të munguar
të një lëvizje një ngrohtësie
të një zoti që shndërrohet në njeri
dhe nuk mund ta prekësh
bëje gjestin që ke thënë
jepi atij dashurinë
gjithë dashurinë e botës
mbush çantën e yjeve
vër shenjën e puthjeve të tua
bari vërshon
nga gjaku yt prej drite
* * *
Është një emër që po kërkoj
që del nga ajo derë e përplasur
që më hipën përsipër
si balta
në pëllëmbë dhe në shpinë
rëndë në duart e tij
si zëri që bërtet
fërgëllimë fluturash vajtuese
që mirëpret të njëjtën
torturë bishën e turpshme
që pastaj më përkëdhel
më tundon dhe më thotë të qëndroj
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu At’ Vincenc Prennushi
Portrete nga piktori italian Maurizio Caruso