• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË MAQEDONINË E VERIUT, GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË BËRË ZYRTARE

July 1, 2023 by s p

Skender Karaçica/

Në vend të debatit

(Rreth shkrimit analitik shkencor të Dr.Aristotel Spiro: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin, botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, Korrik 2023).

Për gjendjen e (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike në RVM-së në Tiranën zyrtare, herë pas herë, po bëhen shkarje e gafe edhe në rrafshin politik, diplomatik dhe shkencor për të ashtuquajturën “zgjidhja e çështjes shqiptare” në këto hapësira të shtetit multietnik në Ballkan.

Pse Tirana zyrtare nuk është në dijeni se si është zgjidhur çështja shqiptare në hapësirën etnike përmes aktit më të lartë juridik të Kushtetutës së RVM-së kur e kur populli shqiptar si popull i dytë shumicë me 40 përqind të përberjes kombëtare të popullit shqiptar, ende është në rrafshin kushtetues të këtij vendi vetëm si pakicë kombëtare dhe jo shtetformues.

Dr.Aristotel Spiro, profesor i gjuhës shqipe (Tiranë) në shkrimin e tij analitik dhe me taban shkencor: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin? (botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, korrik 2023) ndër të tjera shkruan: Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut.

Përkitazi me konstatimin e profesor Arsitotel Spiro për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, kjo nuk vlen në hapësirën etnike për shqiptarët në RVM-së ndonëse pushtetet në ketë vend multietnik dhe populli shqiptar si popull i dytë shumicë, ende nuk e ka marrë hisën e vet kushtetuese (lexo:shtetformues por ka mbetur me statusin e popullit pakicë-SK) dhe gjuha shqipe nuk është bër zyrtare.

Në shkrimet e rrafshit kërkimor-shkencor dhe dr.Aristotel Spiro duhet të jenë në dijeni se çfarë është e vërtetë kur e kur flitet për gjuhën shqipe në hapësirën etnike në Ballkan jashtë kufinjve të shtetit shqiptar.

Dr.Aristotel Spiro, në frymën dashamirëse dhe si kolegë të gjuhës shqipe, po ua them zëshëm se gjuha shqipe në hapësirën shqiptare në RVM-së (ende) nuk është bër zyrtare. Për hirë të së vërtetës shih “Ligjin për 20 përqindshin) për përdorimin e gjuhëve për pakicat (lexo: shqiptare në RVM-së-SK) dhe do të bindeni se gjuha shqipe ka mbetur nën juridiksionin ligjor të popullit pakicë dhe jo shtetformues.

Tirana zyrtare duhet të jetë më e informuar sipas Kushtetutës të shtetit shqiptar për çështjen shqiptare jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe, në ketë rrafsh edhe institucionet shkencore, kulturore dhe të botës së dijes duhet të jenë më të informuar në vijën zyrtare të shtetit shqiptar dhe mos të bëjnë gafe.

Prishtinë, më 1 korrik 2023

Filed Under: LETERSI

KEQARDHJE DHE HUMOR I ZI I POETIT ME HEROINËN E TIJ

June 29, 2023 by s p

(SPROVË MBI POEZINË “ZONJA LU” TË ALI ASLLANIT)

Sadik Bejko

1. Një zonjë e bukur e viteve 1930

Poeti këtë poezi e botoi për herë të parë në vitet ’60 tek përmbledhja me poezi “Vidi, vidi pëllumbeshë”. Nuk e ribotoi prapë te përmbledhja e mëpasshme “Kur merr zjarr rufeja”, Tiranë 1966. Përse? Edhe në ato vite të quajtura të socializmit, një poezi e të vërtetave të tilla nuk duhet të merrej seriozisht. Mund të pranohej si poezi humoristike, si tallje me një grua të pacipë, për më tepër ajo trajtonte ngjarje që kishin ndodhur diku prapa botës, në Kinën e së shkuarës. Kështu nën velin e shakasë dhe të asgjëje më shumë, poezia “Zonja Lu” edhe kur botohej, duhet të mbetej në hije, të kalonte në heshtje,. Kjo arrihej me dashjen e autorit të saj, që shkruante e nuk botonte në kohë, por më shumë “me dashjen” e shoqërisë sonë që nuk kishte stomak t’i gëlltiste të vërtetat e saj të hidhura, të vërtetat mbi njeriun dhe mbi vetveten.

Parë nga mendësitë e së sotmes, nga relativizmi ynë deri në shprishje i marrëdhënieve tradicionale martesore, kjo poezi nuk sjell gjë të re. Por poezia është shkruar në vitet ’30, atëherë kur thuhej se gruaja shqiptare martohej vetëm një herë: me burrin dhe pastaj (për herë të dytë) me qivurin. Mbase për këtë arsye autori është treguar i kujdesshëm; ngjarje që mund të kenë ndodhur përpara syve të tij, i ka çuar në Kinën e largët, në një hapësirë e në një kohë të papërcaktuar, vetëm të marrë me mend.

Nga biografët e poetit ka të dhëna se prototipi real i Zonjës Lu, një e ve me emrin e vërtetë Lulushe K. a Lulëzime, ka qenë një zonjëz që bënte pjesë në rrethin e afërt familjar të vetë autorit. Ishte e re dhe vërtet e bukur: “Iu afrova… një flori, mrekulli, një bukuri”.

Subjekti i kësaj poezie është si më poshtë. Poeti i madh kinez Lu dhe e shoqja e tij duheshin shumë. Dashuria e tyre e kishte kaluar provën e jetës. Po prova më e fundme, vdekja e njërit nga bashkëshortët, ç’mund të sjellë? Përkundër betimeve të gruas, që në rast vdekjeje të të shoqit, ajo do të vriste veten, apo do të mbetej e ve për tërë jetën, poeti Lu i kërkon së shoqes që ajo t’i mbetet besnike deri në ditën që do të thahet balta përsipër varrit të tij. “Vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”. Poeti Lu vdes. Zonja Lu tenton të vetëvritet, por e ndalojnë. Pas kësaj ajo e ndan mendjen që të mbetej një e ve e devotshme për tërë jetën.

2. Sa t ‘më thahet balta e varrit

Dhe këtu fillon poezia. Vihet re diçka e pazakontë. Gruaja e ve, Zonja Lu, fillon të shkojë shpesh e më shpesh te varri i burrit të vdekur. Të gjallët shkojnë te të vdekurit, te varret e të afërmve të tyre për të bërë ritet, pra në ditë të caktuara, ose shkojnë kur e ndiejnë që i shtyn për atje një nevojë e brendshme e shpjegueshme a e pashpjegueshme. Në rastin e parë, shkohet në varreza për të respektuar kujtimin e të vdekurit, për të zbrazur lotët e dhembjes, në rastin e dytë, njerëzit shkojnë atje për veten e tyre, shkojnë në varreza nga që nuk i kanë punët mirë përbrenda vetes.

Zonja Lu i shpeshton vizitat në varreza, por jo vetëm kaq: ajo atje i bënte veri varrit të burrit. I bënte fresk me erashkë. “Që t’i bësh veri një varri, është punë e një të marri” vëren autori. Mos është marrosur Zonja Lu? “Dorë e saja vente vinte, bën veri e bën veri”.

Zonjën Lu nuk e shqetëson më kujtimi a respektimi i të vdekurit, varri është problemi i saj tani. “Varri është i freskët, është i njomë e është i ri”. “Që të thahet shpejt e shpejt, Zonja Lu i bën veri”. Zonja Lu cdo ditë bën një punë prej të marri: e përkulur mbi varr, rreh të thajë baltën e njomë të tij.

Çfarë ka ndodhur? Dy ditë pas vdekjes së burrit, ndërsa ajo shkonte në varreza për të qarë, një burrë i ri dhe i pashëm shpejt ia prishi mendjen:

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh, një bukurrosh

e i thotë zonjës Lu: ti shëndosh e un’ shëndosh!

Zonjës Lu kjo e papritur i bie në kokë. Sa më shpejt duhet të hidhet në krahët e këtij burri të ri. Ajo është nga ato gratë e vendosura që i arrijnë dëshirat, që veprojnë t’i realizojnë ato.

I duhet që të shmangë vetëm mbetjen peng te një fjalë e dhënë burrit të saj të vdekur. “… zonja ësht’ besnike, ka dhën’ fjalën, ka bërë bé”. Burrit që vdiq, poetit Lu, ajo i ka premtuar se do të mbetet e ve, përjetë, ose, së paku, do të jetë e tillë deri sa atij t’i thahet balta e varrit. Ky është kushti që i ka vënë poeti i madh Lu. “…Luja ime, është e shkurtër jetë e shkret \ vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”.

Ky është një detyrim. Zonja Lu ka përpara një varr të freskët, një tog me baltë të njomë, që duhet ta thajë. Asgjë më shumë.

Në vend që ta lajë me lotë të nxehtë, do që ta thajë me një erashkë baltën e njomë para saj.

Fillimisht të ndalemi te idioma “ të bësh veri” që do të thotë të bësh fresk kur je në vapë, ose të thash diçka që është e njomë, e lagur, siç thajmë flokët me tharëse. Idioma tjetër, prit sa të më thahet varri, është pak më e komplikuar. Poeti Lu e dinte se po të vdiste në muajt e verës, varri pas dy ditësh do të ishte i tharë. Po të vdiste në muajt me lagështi, duhet të pritej deri sa të kthehej dielli, që balta e varrit të thahej vetiu. Idioma “sa të më thahet varri”, do të thotë, më prit një periudhë kohore që zgjat sa një stinë, prit sa të thahet kujtimi im jo balta ime, dmth sa të harrohet vdekja ime. Kjo mund të nënkuptonte dhe një vit kohë, dhe disa vjet. Ky kusht “kinez” ngjan me një kurth. “Sa të më thahet varri” nuk ka të bëjë me baltën. Kushti kërkon atë kohë të mjaftueshme, atë largësi të respektueshme nga kujtimi i dikujt që e kemi patur ndër njerëzit tanë më të dashur.

Te tragjedia Hamlet e Shekspirit, hasim në shpërthime dramatike për atë që sa pa u ftohur gjellët funerale të vdekjes së mbretit, u shtruan gjellët e festës së martesës së gruas së tij Gertrudës, mbretëreshës së Danimarkës me kunatin e saj. “Se oh, se oh, u shua, \ i drunjti kalë u harrua”, shpërthen në sarkazmë Hamleti. Nuk paskemi pasur një mbret të vdekur, po një kalë të drunjtë që u thye dhe shpejt e flakim tutje, pa asnjë lëndim.

Ali Asllani, butë, pa lëndime në dukje, na përcjell me nota humori, jo një mbretëreshë, po një grua të bukur, që nuk do të mbetet e ve, që po kapërcen mbi vdekjen e të shoqit për gëzimet që i premton tashmë një burrë tjetër.

3. Një grua e vogël, një njeri i rendit të tretë?

Në estetikën klasiciste por edhe në mendimin kritik të mëvonshëm deri te Tolstoi, përflitej termi “njeriu i vogël”, “njeriu i rendit të tretë”. Tragjikja, sublimja, e madhërishmja u përkisnin njerëzve të rendeve të larta. Njeriut të rendit të tretë i përkiste komikja, e shëmtuara, e ulta. Më tej realizmi, si drejtim artistik, zbuloi tragjiken dhe te njeriu i rendit të tretë.

Mos vallë zonja Lu bën pjesë te ky “njeriu i vogël”? Një zonjë që nuk është e denjë për tragjedi.

Hanko Halla e poemës me të njëjtin titull është tragjike e njëherësh komike, por kryesisht tragjike; ajo vuan e mbetet peng në moskuptimet e kohëve dhe të brezave. Zonja Lu nuk është as tragjike, as komike. Ajo është një grua e mbushur me dashuri dhe me përkëdheli të ëmbla. Duke qenë e bukur dhe nga një shtresë e mirë shoqërore, atë jeta e ka përkëdhelur. Vdekja e papritur e burrit të saj, një “Poet i madh i vendit, \ që peshohej këngë e tija me dërheme të ergjendit”, fillimisht e vë në situatën dramatike të vetëvrasjes. Por shpejt ajo e merr veten. Përballë sheh një tog me baltë, të cilin duhet ta thajë, për të ecur më tej me një martesë të re, të njomë mbi thatësirën e botës tokësore. Poezia sjell ndjenja, gjendje, të ngjara tokësore. Vdekjet si çdo gjë tjetër, përsëriten dhe lënë një varr prapa tyre. Ata që mbesin gjallë, vazhdojnë jetën. I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurit. Vetëm kaq.

Zonja Lu, gruaja që i bën fresk me erashkë varrit të burrit të vdekur, është një nga imazhet më të rralla në krejt poezinë shqipe.

Si poezi me subjekt, me personazh qendror një grua, me situata që shtjellohen gjatë rrëfimit poetik, me një notë humori që ashpërsohet e ngjyroset me tonet e së errëtës, Zonja Lu disi afrohet me poemën “Hanko Halla”, kryeveprën e autorit.

Cili është faji i kësaj gruaje që satirizohet në poezi? Ali Asllani e paraqet atë si një grua pak lozonjare, por ai nuk moralizon. Heroina e tij tundohet nga një djalë i bukur dhe do që ai të zërë vendin e të vdekurit në shtratin e saj. Nuk bëhet fjalë për dashuri. Bëhet fjalë për joshje të ndërsjellë, për premtime të ëmbla, për shijimin e së hijshmes. “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, \ çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershije”, këto i thotë djaloshi. Zonja Lu si një fëmijë nuk pret sa t’i shijojë… “kokrrat e qershisë”.

Nuk besoj se këto që ndien zonja Lu janë të fajshme. As autori nuk e thotë. Autoi vetëm habitet, por me shumë elegancë gati sa nuk thotë që i pëlqen kjo që i del para syve: një mrekulli, një bukuri, një grua e gjallë, vitale.

Sado heshti buzë e kuqe, foli syri i saj i zi… \ dorë e saja s’kish të lodhur: bën veri e bën veri

Zonja Lu “gaboi” vetëm kur e mori fjalë për fjalë “tharjen e varrit”. Kushti “sa t’më thahet balta e varrit”, në dukje ngjan me një shaka. Po ky kusht kaq i pafaj dhe i parëndësishëm bëhet shtysa më boshtore e krejt poezisë, si në vazhdimin e saj rrëfimor, edhe në zbulimin më të plotë të personazhit. Zoti Lu si burrë dhe si poet e dinte që me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, tjetri që mbetet i gjallë, është i zgjidhur nga detyrimet për dashuri dhe për besnikëri. Dashuria, besnikëria janë dukuri të kësaj bote, nuk kanë punë me botën tjetër. Poeti Lu (Ali Asllani) e di se sa të paqëndrueshme janë lidhjet njerëzore. Përmasa e njerëzores i bën ato të tilla: të brishta, të thyeshme.

4. Humor i zi: thahet vallë varri me një erashkë?

Zonja Lu nuk gaboi që u marros pas një tjetri, vetëm dy ditë pasi i vdiq burri. Kjo ishte natyra e saj. Nga të dhënat e biografëve vjen kumti që Lulushe K., zonja Lu e jetës reale, pas një jave nga vdekja i tha së ëmës: pëlqej një burrë tjetër dhe nuk pres sa të martohem me të. Lulushja e Vlorës u martua pas dy-tre muajsh nga vdekja e burrit, pa pyetur për mospëlqimet e njerëzve të afërm. Këta të afërm nuk ia falën, nuk i folën përjetë. Por zonja Lulushe K. iu dha kënaqësive të jetës, i shkeli rregullat e sjelljes së mirë në shoqëri, deri dhe lidhjet me të afërmit e saj.

Ali Asllani e ndëshkoi atë me shkruarjen e kësaj poezie. E vuri me një erashkë në dorë sipër një varri të njomë. Gjë që nuk ka ndodhur, por si situatë tragjikomike e fantazuar është e një forcë artistike të pashoqe. Njëherësh duke ndjerë keqardhje për të, ai e fshehu këtë poezi në sirtar, sikur të ndruhej nga publikimi i saj. Mbase e botoi kur prototipi i zonjës Lu, nuk ishte më në jetë. Nuk ishin më as familjarët e tjerë që mund të fyheshin. Nuk i shkonte një zotërie si ai, që me një poezi të tillë, të lëndonte kujtimin e të afërmve, kujtimin e heroinës së tij.

Patriarkalizmi i kohës së Hanko Hallës në vitet ’30 po shthurej, por jo deri në atë masë sa shoqëria e asaj kohe t’i pranonte ashiqare e me plot gojën shkëputjet me të kaluarën. Shoqëria e mirë kërkonte respektimin e klisheve zakonore.

Megjithatë autori nuk i fsheh te vertetat; na ka vënë përballë një zonjë Lu të papërmbajtur, që nuk pret sa të hidhet në krahët e të gjallit. Një zonjë Lu që përtej betimeve shtijanike dhe veprimeve sa për sy e faqe, i vihet punës që ta thajë varrin me pahir. Poezia e stërzmadhon gjer në sarkazmë, gjer në një situatë të humorit të zi gjestin e Zonjës Lu. Thahet varri me një erashkë?

Me kë tallet kësisoj kjo poezi? Me patriarkalizmin? Me zonjën Lu? Me natyrën e njeriut? Me fatkeqësinë e vdekjes që e vë njeriun para provave të tilla, sa ai zbulon lakuriq vetveten? Mos vallë tallet dhe me varrin që e përdhosin me tharjen dhunshëm të baltës së tij, në vend që të bënin të kundërtën, ta ngrohnin me shiun e lotëve. Mos po përdhosim vdekjen, atë që duhet ta respektojmë? Mbase autori tallet nga pak me të gjitha këto më lart.

Imazhi është vërtet çmeritës: një grua që gjasme qan burrin, po që nuk I pritet as sa t’i thahet varri.

Histori të tilla ishin të rënda për t’u thënë me zë të lartë edhe deri tani vonë.

Mbase autori me këtë poezi na thotë se martesa është një shfaqje konvencionale dhe dashuria në martesë një teatralitet i ndjenjës. Edhe disa nga veprimet e betimet tona janë teatrale. Nuk janë të vërteta. Të vërteta themelore janë jeta, vdekja, gjaku i nxehtë i njeriut dhe dheu i varrit që e mbulon atë. Të tjerat janë relative.

5. Zonja Lu ndër poezi të tjera dashurore të autorit

Zonja Lu zë një vend të veçantë në krejt poezinë e Ali Asllanit. Pasuria e lirikës së tij dashurore na ka zbuluar ndjenjat e së bukurës, të dhimbjes, të përgjërimit e të gëzimit dashuror në një poezi të së lartës, të sublimes e të së përjetshmes. “Zonja Lu” vjen si kontrapunkt i poezive të tjera të dashurisë të autorit, i poezive të përgjërimeve, të përkushtimeve, të lektisjeve, të turbullirave dhe të pështjellimeve shpirtërore, në atë dhënien me mish e me shpirt pas së bukurës. Derisa kjo e bukur është e përkohshme si edhe jeta, pse mos të jemi edhe ne të tillë: përkohësisht të dhemshuruar, të përgjëruar, të nxehtë dhe të turbulluar deri në marramendjen dhe përhumbjen më të thellë të mundshme? Një përkohësi e së përjetshmes. Një e përjetshme e përkohshme e harxhuar dhe kurrë e përmbushur.

Prapë mund të thuhet se zonja Lu është njeriu tjetër, jo njeriu i thellësive të mëdha të lirikës së Ali Asllanit. Zonja Lu është njeriu i vogël, ajo që estetët e dikurshëm e quanin njeriu i rendit të tretë. Te ky njeri lakuriqësitë tona janë të shprehura më ashiqare. Përballë një varri dhe një dashurie të shfaqur, ne tashmë e dimë se kë zgjedhim. Dhe njeriu i rendit të tretë a njeriu i rendit të parë kanë se ç’të gjejnë te kjo Zonja Lu. Kanë seç të gjejnë në veten e tyre: të varrosin sa më parë atë që vdiq, për të përqafuar të gjallin që na premtohet. S’kanë nga t’ia mbajnë.

“…Zonja Lu i bën veri”. Imazhi është konkret, i zhveshur, i prekshëm. Ky imazh përfundimtar na jep të gjithëve një fshikullimë të fortë, një flakërimë, për të na thënë se jemi gati të shkelim jo më mbi premtimet, po dhe mbi varrin, për të arritur synimet e gjakut e të ndjenjave tona. Autori këtu është një realist i ashpër. Humori bëhet i zi dhe cinizmi, sado i butë dhe i fshehur, i zhvesh dhe i hedh tej maskat tona të mjera.

Përshkallëzimi poetik nëpër nyjet e subjektit është degradues dhe çon nga humori përqeshës dhe jo nga dramatika dhe tragjikja.

6. Universaliteti i kumteve

Pjesa e dytë e poezisë shpjegon dhe përgjërimet boshe dashurore të pjesës së parë. Natyra e marrëdhënieve burrë-grua është teatrale, por një teatralitet i luajtur bukur, se njerëzit më tepër se sa ndjenja të thella shprehin imitimin, shkërbimin e ndjenjave të tilla brenda një lidhjeje konvencionale siç është martesa. Zonja Lu është e tillë në Shqipërinë e viteve ’30, në Kinën e lashtë dhe në Shqipërinë e sotme. Poezia kështu merr një përmasë universaliteti dhe thellësie në zbulimin e natyrës njerëzore. Sadoqë Ali Asllani duke i hedhur ngjarjet në Kinë, u mundua t’i fshehë, t’i transferojë gjetkë fajet, kjo ishte, kjo është Shqipëria. Universale në përjetimet e njeriut të saj si kushdo tjetër në botë dhe provinciale në fshehjen e këtij universaliteti. Meskine në hipokrizinë e saj dhe prapë universale në shfaqjet e ndjesive të së njerëzishmes \ të së panjerëzishme, të asaj që quhet jetë.

Ngjan se i biem shumë në qafë Zonjës Lu, përpëlitjeve të saj në marrëdhëniet me martesën, me jetën dhe me vdekjen. Janë përpëlitje dhe hipokrizi që të gjithë i luajmë, ndonëse pa e kuptuar se po i luajmë. Jemi shumë të sinqertë në lojën tonë. Madje fyhemi po të na thuash që luajmë, që nuk jemi realë. Në këtë pikë zonja e bukur dhe e ëmbël Lu është mrekullia vetë. Është më e sinqerta nga të gjithë dhe në mënyrën se si e vizaton autori, është më e pafajshmja. Në çdo moment ajo është vetvetja. Kur betohet se do të vrasë veten, nëse humbet burrin, është e sinqertë. Sapo ndodh vdekja, ajo vërtet merr thikën të vrasë veten. E pengojnë të bëjë vetvrasje dhe aty ajo kujtohet për premtimin e dytë: të mbetet përgjithmonë vejushë. Edhe këtë herë ajo e ka me gjithë mend. I shfaqet një burrë i ri dhe i bukur dhe ajo kujtohet për kushtin e vetëm dhe të vockël: tharjen e varrit. Ashtu bën: duhet të thahet varri, pa të bashkohet me të riun. Ai gjesti i saj që bën veri për të tharë varrin sa më shpejt, nuk është fort i honepsshëm moralisht, por në gjithçka ajo e respekton ish-burrin. Pra, ajo është brenda vetes në të gjitha rastet. Një grua si Zonja Lu vetëm kështu mund të veprojë. Edhe me burrin e ri do të jetë po kaq e sinqertë. Do t’i betohet me gjithë shpirt për dashuri ashtu si burrit të parë. Edhe me një të tretë të mundshëm po e tillë do të jetë. Siç thamë, Ali Asllani nuk moraizon. Ai vetëm e paraqet ashtu si është personazhin e tij.

7. Freskia e gjuhës, e ritmit, e rrëfimit

Edhe në këtë poezi Ali Asllani është poet i përshkrimeve të gjalla dhe shqisore. Disa nga vargjet më mbresëlënëse e shprehin këtë: “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, / çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershie”. Zonja Lu do të vetëvritet “ta bëjë copa-copa mishtë… me biçakun e fildishtë”.

Përsëritja, krahasimet, rima, ritmi i gjallë dhe fluturues, imazhet goditëse, idiomat nga gjuha e folur, ironia si edhe në këtë poezi, janë nga tiparet më të ngulëta të poetikës së Ali Asllanit.

Poezia “Zonja Lu” krijon një personazh të paharruar. Ajo nuk i arrin lartësitë e poemës “Hanko Halla”, po mbetet ndër poezitë e tij që përherë do të tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës.

Është një zonjë e re që do të thajë, varrin, vdekjen. “… zonja Lu i bën veri, bën veri.”

Me këto fjalë fillon dhe me këtë varg mbyllet poezia “Zonja Lu” e Ali Asllanit.

Shënim: citimet janë nga poezia Zonja Lu, në librin “Vidi vidi pëllumbeshë”, TOENA, Tiranë 1999

Filed Under: LETERSI

Prurje e pranime të reja në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

June 27, 2023 by s p

Pergatiti: Mëhill Velaj/

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon e mbështet shkrimtarë, poetë dhe artistë, që identifikojnë të gjithë ata, sjellin zbulimin e zërit të veçantë e veprave të shpirtit shqiptar, shqiptaro-amerikan e krijues të letrave shqipe, ideve të artit si frymëzim shpirtëror, metaforës së rritjes, në mbrojtje dhe integrimi të vlerave kombëtare, gjuhës shqipe, traditës, kulturës, letrave shqipe e historisë–mesazhin e dashurisë njerëzore, njehsojmë identitetin kombëtar shqiptar në formë e përmbajtje, për artin, letërsinë, individin e shoqërinë. Shoqata i mirëpret duke iu uruar mirëseardhjen pranimeve dhe prurje të reja. me anëtarësimin e përnjëhershëm të poetes dhe novelistes Esmeralda Zace Bregaj, dhe poeti dhe esseistin Ing. Kastriot Fetahu.

Autore, Esmeralda Zace Bregaj

Poetja dhe romacierja Esmeralda Zace Bregaj ka lindur në 1979-ë, Vlorë, Shqipëri. Aktualisht jeton dhe punon në Boise, ID, të SHBA-ës. Është diplomuar në Menaxhin Drejtim Bisnesi në vitin 2001-ë në Shqipëro dhe ka realizuar me sukses një diplomim të dytë në fushën e Marketingut e Menaxhimit të Biznesit në vitin 2008-ë, Itali. Është

Bashkëpunëtore dhe punonjëse administrative e programit ELL të shkollave fillore dhe të mesme në distriktin Boise, Idaho, SHBA-ës.

Është lumturisht nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm. Ka nisur të shkruajë që në moshën nëntë vjecare dhe ka fituar me një poezi e paraqitur në konkursin e parë letrar, të shkollës, Vlorë, Shqipëri. Në moshën 17-ë vjecare zuri vëndin e parë në konkursin kombëtar letrao-artistik, në

Shqipëri. Në vitin 2010-ë ka fituar Cmimin Kombëtar

“Ibiskos” në Itali. Ka botuar përmbledhjen e parë poetike në

serinë “Myosittis” me titull “Lufta e mendimeve”.

Në vitin 2013-ë hyri në vargun e “Poetëve bashkëkohorë

që drejtohej nga poeti Elio Pecora, duke fituar Cmimin Internacional në Itali dhe u bashkëngjit me poetë

të tjerë në librin e radhës – “Poetët bashkëkohorë”.

Në vitin 2017-ë fiton Konkursin Internacional në

Itali- “I dashuri im i shtrenjtë po të shkruaj”, shpallur nga Shtëpia Botuese Ibiskos Risolo, duke u bërë kështu pjesë e

së njëjtës antologji me rrëfenja dhe poezi. Në vitin 2022 del me romanin e pare, shkruar në gjuhën italiane “UN ANNO DI NOI” Nw vitin 2023, po ky roman del në gjuhën shqipe dhe promovohet në Vlorë, Shqipëri, me titullin, “Një Vit nga jeta jonë”. Poetja dhe romancierja Esmeralda Zace Bregaj flet rrjedhshëm, italisht dhe anglisht.

Autor Ing. Kastriot Fetahu

Poeti dhe Essei-st, Ing. Kastriot Fetahu ka lindur 7 Mars 1958, në Kuçovë, Shqipëri. Nga viti 1999-ë deri në vitin 2019-ë ka jetuar në Tiranë dhe prej vitit 2019-ë jeton, punon dhe krijon në Chicago, USA. Është diplomuar në fakultetin Gjeologji Miniera Tiranë, Albania, për inxhinieri. Prej vitit 1984 deri në vitin 1999-ë, punon si inxhinier dhe shef kantieri në ndërrmarjen e Shpim -Kërkimit për naftë e gaz në Kuçovë.

Ka punuar dhe në biznes privat, prodhim dhe shitje birre prej vitit 1994 deri në 2008, si edhe Real Estate deri në vitin 2019-ë. Që prej krijimit të degës së Vatra Chicago, është anëtar Kryesisë së saj. Poezi, Thënie, dhe Esse janë pjesë e fushës të krijimtarisë së Poetit dhe Essei-stit, Ing. Kastriot Fetahu.

Ka botuar dy libra: “Momentum in memorie”, “Etyd i thyer”

Pergatiti: Mëhill Velaj

Poet/ Shkrimtar

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Stamford CT USA

Filed Under: LETERSI

STUDIUESI MË I TALENTUAR I LETËRSISË SHQIPTARE

June 24, 2023 by s p

Prof. Thanas L. Gjika/

(Kujtime për studiuesin Akad. Prof. Rexhep Qosja, kompletuar me rastin e 87-vjetorit te lindjes)

Në formimin tim si studiues i letërsisë shqiptare një rol të veçantë ka luajtur krijimtaria shkencore e studiuesit poliedrik Prof. Rexhep Qosja. Me veprat e tij ai ka ndikuar edhe në formimin e shumë studiuesve të tjerë, por unë do të tregoj si e njoha atë si person dhe si krijimtari shkencore.

Edukata fetare që kisha marrë në familje më nxiste që të ndjeja respekt e dashuri për rilindasit tanë, njerëz idealistë që kishin shkrirë jetën dhe pasurinë për të mirën e popullit tonë. Kjo ishte një nga arsyet pse unë ndjehesha i pakënaqur gjatë viteve 1966-1969 kur, pas mbarimit të fakultetit, punoja si redaktor e gazetar në “Radio Tirana”. Kërkova disa herë të transferohesha tek “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë”, derisa u realizua ky transferim. Godina e Radio Tiranës ishte e re moderne me ngrohje qendrore. Muret e tavanet e zyrave e të korridoreve ishin të patinuar me hidromat, dyshemtë të shtruara me parket, dritaret e mëdha por mua nuk më hynin në sy. Më pëlqente t’i kushtoja jetën studimit të jetës e të veprës së rilindasve tanë, gjë që e realizova kur fillova punën në Sektorin e Letërsisë të “Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë” në janar të vitit 1970.

Njohja nga larg dhe afër me studiuesin Rexhep Qosja.

Kishin kaluar vetëm disa muaj, kur erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria e institutit caktoi studjuesin Jorgo Bulo, kolegun më të vjetër të sektorit të letërsisë, për ta shoqëruar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e institutit tonë. Pikërisht në një nga ato ditë, kur shkova te salla e bibliotekës së institutit pata rastin ta shikoja nga afër studjuesin që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra, dhuratë prej Bibliotekës së Institutit për t’i marrë me vete. Unë hyra në atë sallë rastësisht për të marrë ndonjë revistë ose libër. E pashë me kërshëri. Për mua emri dhe fytyra e Rexhep Qosjes (si dhe e çiftit simpatik Ekrem dhe Resmie Kryeziu, e këngëtares së famshme Nexhmie Pagarusha, etj) nuk ishin te panjohura, sepse im vëlla, regjisori Viktor Gjika, në apartamentin e të cilit unë banoja në atë kohë, më kishte treguar shumë foto dhe mbresa nga “Java e filmit shqiptar” që ishte organizuar në Prishtinë në datat 22-28 mars të atij viti. Studiuesi Qosja i kishte lënë tim vëllai përshtypjen e një intelektuali erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat dhe letërsinë shqiptare, ai e kishte mahnitur Viktorin me mendimet e tij për romanin “Kështjella” të Kadaresë, etj. Në fund të bisedave, pasi kishte parë filmat shqiptarë, ai e kishte vlerësuar Viktorin shumë lart si kineast: “Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi”.

I pamësuar me të tilla vlerësime, Viktori i kishte thënë se kinematografia shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepit i kishte bërë përshtypje kjo përgjigje plot modesti dhe ishte ngritur e i kishte dhënë dorën si shënjë respekti. Realisht Viktorit vlerësimi i studiuesit të mprehtë Qosja do t’i shkonte plotësisht pas realizimit të filmave madhorë “Gjeneral Gramafoni” (1978) dhe “Nëntori i Dytë” (1982), por kritika shqiptare nuk kishte këllqe ta formulonte një mendim të tillë. Partia-shtet e kishte kthyer emrin e Ismail Kadaresë në tabu, pranë emrit të tij mund të vendosej vetëm emri i Dritëro Agollit, por asnjë krijues i fushave të tjera të artit shqiptar…

Do të kishte qenë një gëzim i madh për mua, sikur Jorgua, kolegu im i zyrës, të më kishte prezantuar me studiuesin Qosja, i cili më ishte ngulitur në mendje për vlerësimin e lartë që i kishte bërë tim vëllai. Mirëpo ai nuk mund të mos i përmbahej porosisë që i kishin dhënë, prandaj nuk na prezantoi.

Gjatë atyre minutave të këtij takimi në distancë më bënë përshtypje eleganca trupore dhe fytyra ovale e Rexhepit, pamje tipike e malësorëve të Alpeve Shqiptare. Ai kishte lindur në rrëzën veriore të këtyre Alpeve, në një fshat shqiptar që i ishte dhënë Malit të Zi më 1913. Këtë vit ai mbushte 34 vjet, por dukej më i ri. Kur fliste me Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët.

Me kalimin e viteve pamja e tij u burrnua, mori tipare madhështore, që të bënte për vete sapo ta shikoje. Me pamjen e tij ky person të imponohej. Po shtoj këtu se edhe kur u dobësua pas vdekjes së bashkëshortes, përsëri e simpatizoja. Balli i ishte zmadhuar nga renia e flokëve, humbja e peshës shkaktonte iluzionin sikur i ishin zmadhuar zgavrat e syve dhe sytë sikur i ishin futur më thellë. Kur e pashë Rexhepin në një foto me këtë pamje të dobësuar u ligështova, por u ngushëllova sepse më shembëlleu me plakun e shenjtë Jeronim De Rada, me të cilin kishte të njëjtin shpirt krijues dhe përkushtim atdhetar. Disa vite më vonë kur sapo i kishte mbushur 86 vjetët, si do ta tregoj më poshtë, Rexhepi e kishte marrë veten, fytyra i ishte mbushur dhe gëzonte shëndet të mirë.

Pasi Rexhepi mbaroi ditët e vizitës së parë në Shqipëri dhe u kthye në Prishtinë, Jorgua më sqaroi se ai kishte ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradë shkencore. Tek ne gradat shkencore nuk mbroheshin, ato jepeshin me dekret nga qeveria. Regullorja e atestimit për mbrojtjen e gradave shkencore u hartua në vitin 1974. Jogua nuk tha asgjë lidhur me përgatitjen shkencore dhe artikujt e librat me studime që kishte botuar Rexhepi deri atëhere. Ndoshta as ai nuk i dinte, sepse ishte e ndaluar të mësonim e të flisnim për botimet e letërsisë shqiptare në Jugosllavinë revizioniste.

Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur Rexhepi kërkoi të mbronte “Magistraturën”, ia kishte marrë parasysh tre librat që kishte botuar dhe i kishte dhënë të drejtën të mbronte menjëherë gradën “Doktor i Shkencave”. Ai kshte shkuar për të mbledhur materiale dy herë në Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajevë dhe pastaj kishte ardhur në Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.

Mbas dy vjetësh, në vjeshtë të vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe. Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur “Doktoratën”. Ishte një punë madhore. U habita, jo vetëm unë me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur, aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tilla dhe për më tepër brenda një kohë të shkurtër prej tre vjetësh. Për hartimin e një vepre të tillë ne do të na duheshin të paktën 8-10 vjet.

Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t’i dhënë dimensionet e vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se ne studjuesve të Tiranës na mungonin jo vetëm formimi i tij shkencor dhe talenti, por dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Andon Zako Çajupin dhe unë Mihal Gramenon. Ne ishim porositur që ta studionim jetën e veprën e autorit, që na ishte ngarkuar, duke e studiuar të ndarë në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin formuar këta autorë, objekti i studimit tonë.

Në fakt në “Fakultetin Histori Filologji” të Universitetit të Tiranës ne kishim marrë formim për të punuar si mësues të letërsisë dhe të gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare dhe të mesme. Kurse formimin shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë provime plotesuese herë pas here, duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë Koço Bihiku e Jorgo Bulo dhe duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe aprovimi për botim dhe procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi e paimagjinueshme.

Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tjera madhore “Kritika Letrare” (1969), “Vdekja më vjen prej syve të trillë” (roman 1972), “Panteoni i Rralluar” (përmbledhje studimesh (1973), “Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi” (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986), “Porosia e Madhe” (monografi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai u kthye në ikonë. Në mendjen time zuri vendin e një Rilindësi, por të një Rilindasi të gjallë, sepse po e njihja jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe pamjen fizike dhe personalitetin.

Rexhep Qosja na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe shkrimtar. Shumë vepra të tija i lexonim me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë profesori im i admiruar. Ndikimi i studimeve të tij vihet re tek unë edhe te hartimi i monografisë “Mihal Grameno Jeta dhe Vepra” MILENIUM, 2012. Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave letrare të Ismail Kadaresë. Kadareja dhe Qosja për mua ishin një pendë qe që lëvronin me shumë sukses, njëri arat e letërsisë e tjetri ato të shkencës letrare. Talenti dhe formimi i tyre i ndihmoi ata që të shfaqeshin me sukses edhe në arat e tjetrit. Kështu I. Kadareja me studimin për origjinalitetin shqiptar të Ciklit të Kreshnikëve dhe me studimin e krijimtarisë së Migjenit, të cilin e karakterizoi “Uragan i ndërprerë” shpalosi aftësitë e tij edhe si eseist e studiues i letërsisë. Kurse R. Qosja me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” tregoi se kishte talent të fuqishëm edhe si krijues letrar.

Në vitin 1972 profesor Qosja u emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e Dhimitër Shuteriqi.

Dy profesorët tanë, K. Bihiku dhe Dh. Shuteriqi, ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë shqipe prej Rilindjes e deri në ditët tona, ishte një periodizim i saktë e shkencor. Ata e kishin ndarë letërsinë tonë të shek XIX-XX në katër periudha:

“Letërsia e Rilindjes Kombëtare, përfshinte vitet 1878 – 1912”.

“Letërsia e pavarësisë, përfshinte vitet 1912-1939”.

“Letërsia e Luftës Nacional-Çlirimtare, përfshinte vitet 1939-1944”.

“Letërsia e Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e në vijim”.

Profesor Qosja dha sqarimet e veta duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historiko-politike, pra mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa nga parimet metodologjike të periodizimit dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:

“Romantizmi”.

“Mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit”.

“Letërsia sociale”.

“Realizmi integral”.

Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”. Me të tillë periodizim të letërsisë shqiptare, Profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi me kompetencë shkencore dhe i rrëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar. Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi. Sipas tyre periodizimi i zhvillimit të letërsisë nuk mund të bëhej ndryshe nga periodizimi i etapave të historisë së popullit tonë. Pra ata linin jashtë faktorët e brendshëm të ecurisë së procesit letrar.

Më vonë pata kënaqësinë të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua te revista “Studime Filologjike”. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat “Fjalori demokratik” dhe “Popull i ndaluar” si dhe disa shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.

Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë, dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor i saj dhe i sugjerova që t’i kërkonte këta dy intelektualë të ftoheshin për të ardhur në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri ishin paracaktuar. Unë, jo e jo, por as I. Kadareja dhe R. Qosja nuk bënin pjesë në grupin e njerëzve që mund të jepnin ndihmesën e tyre në ecurinë e proceseve demokratike. Ai grup ishte caktuar nga Ramiz Alia…

Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.

Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të mjaft partive e shoqatave politike. Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit që nga viti 1947 (si e ka pranuar vetë), ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë, por kjo gjë u mësua shumë vonë. Ata i urrenin demokratët e vërtetë dhe i mbanin sa më larg.

Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në shtypin e kohës Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike…

Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë-shtet kishte lënduar e plagosur, dikë më shumë e dikë më pak, mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë që kërkonte në ato momente “Para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke përjashtuar nga radhët e deputetëve socialistë ata që kishin pasur funksione gjatë diktaturës”.

Sejcili duhej të kryente katarsën e tij, për t’u shpëlarë nga gabimet e krimet. Mirëpo shkrimtarët tanë të realizmit socialist dhanë një shembull të keq duke mos i kritikuar veprat dhe bëmat e tyre të kohës së diktaturës, madje ata vijuan t’i mburrnin ato. Vetëm I. Kadareja pati guximin ta pranonte se kishte qenë “poet i oborrit” dhe e filloi shumë mbarë katarsën e vet tek skica “Prometeu” që e ribotoi të ripunuar më 1992 ku shtoi pjesën ‘Prometeu i Pajtuar me Zeusin’, por nuk e shpuri më tej këtë hap. Kurse Sali Berisha e Sabri Godo e konsideruan veten të larë, të rinovuar me kapërcimin brenda natës nga ish-komunist e ish-sigurims në demokrat. Katarsa nuk mund të bëhej prej njerëzve të pandershëm, që lakmomin mbi gjithëçka pushtetin politik. Për të mos u larguar nga postet e tyre drejtuese, këta dy politikanë, nxitën përçarjen dhe jo pajtimin kombëtar. Bënë sikur dënuan kupolën e PKSH-së me disa vjet burg jo për krimet, po për kafet e për disa shpërdorime paresh dhe e futën popullin në një qorrsokak.

Politika e tyre për ta ndarë popullin në dy gjysma armiqësore dhe vendosja e shumë kuadrove të paaftë në poste drejtuese, vetëm se ishin besnikë të pastisë së tyre, më kthjelloi e më nxiti të dal nga PD-ja që në fillim të vitit 1994.

Lidhur me problemin kombëtar atdhetari Rexhep Qosja ka shprehur vijimisht me guxim mendimet e tij shumë të vlefshme. Ai është shprehur qartë e pa frikë, se zgjidhja më e mirë e problemit të Kosovës është bashkimi i saj me shtetin mëmë. Si askush ai ka fshikulluar gabimet e qeveritarëve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur.

Ky akademik me punën dhe veprat e tij madhore shkencore e letrare, si ka saktësuar studjuesi Sadri Fetiu, “përballoi sfidat e dy dogmave të rrezikshme: ideologjinë antishqiptare të titizmit jugosllav dhe skematizmin dogmatik, realizmin socialist, që e karakterizonte letërsinë dhe artet në Shqipëri” (Nga “Fjala e Hapjes” në sesionin shkencor kushtuar jetës e veprës së Rexhep Qosjes në 70-vjetorin e lindjes).

Në vitin 2006 shkova në Kosovë me gjithë bashkëshorten time, poeten Julia, për të vënë lule te varri i të paharrueshmit Ibrahim Rugova dhe tek Jasharajt. Shkuam me taksi nga rruga e vjetër e dëmtuar e plot dredha. Dolëm në Prizren, pastaj kaluam në Gjakovë e ndalëm në Pejë, ku bujtëm te shtëpia e Z. Aziz Berisha, vëllai i mikeshës së Julias, mësueses Zymë Berisha.

Të nesërmen në bisedë me disa pejanë unë hodha mendimin se Prof. Rexhep Qosja është një intelekrual i shquar dhe do të ishte mbrekulli sikur ai të zgjidhej president i Kosovës. Mirëpo një burrë i ri në moshë, i martuar e baba i tre fëmijëve, nxitoi të thoshte:

-Nuk mund t’ia japësh qeverisjen e shtëpisë një të huaji.

I çuditur shtova:

-Po Rexhepi është bir i Kosovës. Këtu e kreu gjimnazin, fakultetin, këtu ka më se dyzet vjet që jeton e punon.

-Jo, m’u përgjigj ai, ti e di që ai është nga Vuthaj i Malit të Zi.

-Po shqiptarët e Rugovës me ata të Vuthajt, Plavës e Gucisë nuk kanë asnjë ndryshim, theksova unë. Pastaj çdo shqiptar mund të qeverisë Shqipërinë ose Kosovën, mjafton të jetë atdhetar i mirë e të ketë program të qartë demokratik. Fan Noli kishte lindur në Ibrik Tepe të Turqisë dhe populli shqiptar e mirëpriti më 1924 si kryeministër.

– Kemi boll burra të mençur të Kosovës, ma preu shkurt folësi.

Nuk e zgjata më, por kur shkuam në Prishtinë mësova se Rexhep Qosja kishte mjaft kundërshtarë, sepse ai kishte guxuar ta kritikonte Ibrahim Rugovën për disa veprime, që nuk i kishin pëlqyer. Në Kosovën e sapocliruar nuk ishte ngjizuar ende mendimi pluralist, kërkohej vetëm bindje ndaj mendimeve që shprehte Presidenti Rugova. Edhe atje klanet e ndryshme kishin filluar të luftonin për pushtet, duke i mbajtur larg intelektualët e shquar, njësoj si në Shqipëri. Nuk dij çfarë emri t’i vë mosrespektimit që i bën shteti dhe populli i Kosovës një studjuesi dhe shkrimtari të talentuar, njeriut që ka shkruar e botuar një bibiotekë me vepra madhore e të shumanshme, kur çdo popull e çdo shtet i botës do ta kishte për nder ta kishte një Rexhep Qosje!

Rexhep Qosja është njeri dhe si njeri edhe ai është i gabueshëm, por për hir të kontributit aq të madh që ka dhënë në shkencat albanologjike, në letërsinë shqipe dhe në mendësinë shqiptare, nuk ka gabim që nuk i falet.

Mbi polemikën e R. Qosjes me I. Kadarenë mbi identitetin e popullit tonë.

Më kishte lënë një shije të hidhur polemika midis Rexhep Qosjes dhe Ismamil Kadaresë lidhur me identitetin e kombit tonë. Polemika kishte kaluar, sidomos prej Kadaresë, nga analizat shkencore për problemin, në kritika e grindje. Ky kalim i diskutimit në grindje e zbehu simpatinë time për të dy. Desha ta takoja patjetër profesor Qosjen gjatë vizitës që bëra në Kosovë në vitin 2010. Takimin ma mundësoi z. Abdyl Kadolli, në zyrën e profesorit brenda “Institutit Albanologjik”, ku ai vijonte të punonte.

Mbasi u përshëndetëm, ai më shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e tim vëllai, Viktorit, të cilin e quajti “miku im i mirë të cilin e kam çmuar dhe e çmoj shumë”. Biseda filloi për studimet shkencore. Më tej i shpreha hidhërimin tim për polemikën midis tij dhe Kadaresë.

– “Ju të dy jeni Nderi i Kombit, por teprimet e kësaj polemike nuk ju nderojnë”, guxova dhe i thashë me drojtje.

– “Nuk jam i lumtur për polemikën që kam kryer me mikun tim të dikurshëm, Ismail Kadarenë”, filloi ai dhe vijoi: “Po si të mos e kritikoj Ismailin. Ai ka shkruar ashtu si ka dashur Enveri. Kur Enveri u nda prej Titos dhe e shau Titon, Ismaili po ashtu e shau Titon; kur Enveri u lidh me Stalinin ai e lëvdoi Stalinin, e kështu me radhë. Tani po hiqet si kundërshtar i regjimit të Enverit, si i përndjekur prej tij. Po e përmirëson dhe zbukuron jetëshkrimin e vet të asaj kohe. Unë nuk e feva Ismailin, ai më feu mua. Këto i bën një njeri pa karakter…”

Kuptova se profesor Qosja ndjehej ende i lënduar dhe se nuk i kishte dalë ende inati. U ngrita dhe, para se të ndaheshim iu luta z. Kadolli të na bënte një foto, të cilën e ruaj si kujtim. Kështu u ndava prej tij duke menduar se kur ta takoj përsëri do të dëgjoj prej tij vlerësime për Kadarenë të njëjta, si shkruante dikur.

Mbas disa muajsh dëgjova se Akademiku Rexhep Qosja kishte dhënë disa sinjale për afrim e pajtim me Ismail Kadarenë, fakt që më gëzoi sepse tregonte se ai ishte kthyer në pozitat e veta të një “Intelektual i shquar”, si e dëshmon vepra e tij.

Shqipëria ka vetëm humbje nga grindjet e bijve të saj të shquar. Ecja e tyre së bashku dhe zhvillimi i diskutimeve dhe kritikave me maturi për problemet, pa sulme ndaj dobësive të karakterit të njëri tjetrit, janë e do të mbeten mësime për shqiptarët…

Në maj të vitit 2017 lexova veprën e re të Prof. Qosjes “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat” TOENA Tiranë 2016, përmbledhje me analiza kritike ndaj gjendjes aktuale politike të Shqipërisë dhe Kosovës. Shkrimet më pëlqyen shumë për sintezat historike, për analizat dhe kritikat e guximshme ndaj gjendjes aktuale dhe sndaj hkaktarëve, si dhe për idetë vizionare mbi të ardhmen e popullit shqiptar, detyrën imperative të cejes drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. I emocionuar shkrova recensionin e hollësishëm “Shekulli është premtues, politika në ngërç”, të cilin e botova në disa gazeta dhe në librin tim “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” Botimet KUMI Tiranë 2018, f. 122-131.

Mirëpo edhe pse e shpreha mirënjohjen time ndaj këtij krijuesi e politikani në këtë recension dhe në disa letra që këmbyem me e-mail, mendja vijonte të më mbetej tek ajo polemika midis tij dhe I. Kadaresë lidhur me identitetin kombëtar të popullit tonë. Desha të dija a ishin pajtuar dy personalitetet më të spikatur të letërsisë shqiptare. Në vitet 2010-2016 kisha shkruar disa artikuj analitikë mbi krijimtarinë e I. Kadaresë dhe recensionin vlerësues “I vetëm në luftën kundër krijimit të çnjeriut” ku vlerësova kryeveprën e Helana Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme – kujtime”, vepër biografike mbi jetën bashkëshortore me Ismailin. Kisha marrë vlerësime prej Helenës dhe Ismailit. Kështu që në vitin 2022 mendova që gjatë vizitës që do të bëja në Shqipëri për të promovuar monografinë time “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe në hartat e Dhiatës së Re” në shtator-tetor, të takoja I. Kadarenë në Tiranë dhe R. Qosjen në Prishtinë për të mësuar nëse ishte kapërcyer prishja e miqësisë së tyre.

I shkrova në face-book Gresës, vajzës së Kadareve, ku iu luta që t’i dërgonte prindërve dëshirën time për takim. I sqarova thelbin e përmbajtjes së bisedës që do të zhvilloja. Së pari desha të dija se si e shpjegonte ai faktin që ne shqiptarët edhe pse jemi popull i zgjuar e i talentuar, jemi shumë nevrikë dhe hakmarrës e mbi të gjitha kur gabojmë nuk kërkojmë dot të falur. Dhe së dyti desha të mësoja a ishte pajtuar Ismaili me Rexhepin. Mirëpo Gresa nuk m’u përgjigj. Mendova se Isamili ishte jo mirë me shëndet dhe Helena nuk donte ta shqetësonte. Atëhere u lidha në telefon me Prof. Qosjen. Ai e priti me kënaqësi kërkesën dhe më dha adresën.

Vajtjen në Prishtinë e kreva në saje të shkathtësisë së shoferit Besim Zorba, një miku im i vjetër. U nisëm në ora 7:30 AM të datës 3 tetor dhe pasi kaluam kufirin ndalëm te një stacion benzine në hyrje të Prishtinës, ku pyetëm për adresën ku do të shkonim. Në ora 12:30 ishim para portës së shtëpisë së Prof. Rexhepit: Rr. Thimi Mitko Nr. 18. Një shtëpi e madhe private me dy kate të lartë dhe qilarë, e cila kishte dy hyrje. Pas telefonatës i zoti i shtëpisë u dha tek hyrja anësore dhe më thiri: “Ja ku jam Thanas, a më sheh? Eja!

E pashë. Mbylla telefonin, kalova oborrin dhe ngjita katër-pesë shkallët. Këmbët i kisha pak të mpira nga qëndrumi në makinë gati katër orë. I dhamë dorën njëri tjetrit. Kohë pandemie, nuk u përqafuam. Hymë brenda. Në korridor zbatha këpucët dhe mbatha pandoflet, që më tregoi i zoti i shtëpisë. Kaluam tek një dhomë e madhe në të majtë të sallonit. Rexhepi më tregoi divanin nga e majta e derës, vetë shkoi u ul përballë në një kolltuk. Kishte në të majtë të tij një tavolinë pune mbi të cilën qëndronte makina e shkrimit. Midis nesh ishte një tavolinë e ulët, ku një mesogrua bjonde, që i shërbente profesorit për pastrim e gatim, pasi u paraqit vendosi ëmbëlsira dhe çokollata për qirasje. Më pyeti a doja kafe apo çaj. I thashë se pëlqeja çaj kamomili. Edhe profesori kërkoi po ashtu çaj kamomili dhe zonja kaloi te kuzhina.

Shpëpia e Profesor Qosjes ishte ndërtuar mesa dukej në vitet 70 të shekullit të kaluar. Kjo shtëpi dhe dhoma e pritjes, ku po rrinim, kishin dimensione, që nuk mund të krahasoheshin me dimensionet e dhomave e të apartamenteve, ku jetonim ne punonjësit shkencorë të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Shqiptarët që jetonin në Jugosllavi nën sundimin serb me mungesa në fushën e arsimimit në gjuhën amëtare e te lirive kombetare, nuk e kuptonin se niveli ekonomik i popullit shqiptar brenda atdheut ishte shumë i ulët, nuk e shikonin me sy kritik luftën e tepruar të klasave dhe izolimin ekstrem te Shqipërisë, por e shikonin Shqipërinë vetëm si një shtet që forcohej gjithnjë e më shumë nga ana ekonomike, kulturore dhe ushtarake.

Fjalimi i Enver Hoxhës i vitit 1981, kur ai u shpreh se Shqipëria ishte një shtet i blinduar që nuk mund ta pushtonin dot ushtritë e huaja, i kishte trimëruar shqiptarët e Jugosllavisë. Shumica e tyre mendonin se atdheu mëmë ishte përgatitur që një ditë ta çlironte pjesën e popullit shqiptar që i ishte dhënë padrejtësisht Sërbisë e Malit të Zi më 1913. Një ide të tillë e përjetonin jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por dhe shumë intelektualë shqiptarë të Jugosllavisë së asaj kohe. Prandaj edhe sot shumica e tyre mendojnë vetëm pozitivisht për Enver Hoxhën.

Vetë Rexhep Qosja në romanin e tij të vitit 2020 “TË FSHEHTAT E TREGUARA”, Botimet TOENA, ka shkruar: “Enver Hoxha, për të cilin besoj të keni dëgjuar e të keni lexuar, jo vetëm prej se jeni këtu në Shqipëri e në Kosovë, është përpjekur ta shkoklavisëpopullin shqiptar, prandaj edhe gjuhën shqipe dhe kur ka parë se ky popull nuk shkoklavitet me të mirë ka bërë shumë për ta shkoklavitur në mënyrë tjetër, me mjete të tjera: me gjykime, me burgime, me dënime, të një numri, në të vërtetë, të atyre më të koklaviturve nga radhët e folësve të shqipes! Por, Enver Hoxha nuk është as i pari e as i fundit sundimtar që popullin e vet është përpjekur ta sjellë në vete në atë mënyrë, me gjykime, me burgime e me dënime.

Një vlerësim i tillë për diktatorin tonë, ku i falen zullumet, përndjekja e intelektualëve që ishin formuar në botën Perëndimore, varfërimi ekstrem i popullit, mendoj e ka burimin pikërisht tek admirimi i qeverisjes së Enver Hoxhës, pa parë me realizëm dëmet që shkaktoi sundimi diktatorial. Një nga këto dëme ka qenë edhe largimi im nga atdheu më 1996, ku nuk mund të jetoja dot vetë i pestë (nëna e moshuar, burrë e grua te të 50-tat, djali 13 e vajza 18 vjece, në një dhomë e një kuzhinë e me të ardhura të pakta.” (f. 84-85).

Gjatë pirjes së kamomilit folëm për udhëtimin Tiranë – Prishtinë, gjendjen e mirë të Rrugës së Kombit, lehtësitë e transportit të sotëm, për kohën e bukur plot diell, etj. Shtova se e ftoja të drekonim në ndonjë restorant aty pranë, por Rexhepi tha se drekën do ta hanim në shtëpi. Nuk prita më, hapa çantën dhe i dhurova katër librat e mij të fundit, duke menduar se ndoshta nuk i kishin rënë në dorë. Më falenderoi dhe u ndal te titulli “NJË LETËRSI KOMBËTARE NJË ATDHE I VETËM” i librit të botuar më 2018.

E përpiva zërin e tij të ulët e të ngadalshëm: – “E ke gjetur mirë titullin e këtij libri, sepse sot të gjithë ne shqiptarët shkruajmë në një gjuhë letrare të përbashkët pavarësisht se ku jetojmë dhe synojmë të realizojmë shtetin tonë kombëtar”.

M’ u bë qejfi, por nuk guxova t’i kërkoja ta lexonte librin e të shprehte ndonjë mendim me shkrim. Për disa shkrime, që ishin përfshirë aty. ai më kishte dërguar përgëzimet e veta përmes postës elektronike kur ia kisha dërguar për t’i lexuar para botimit, kurse vlerësimin përgjithësues për gjithë lëndën e librit e kishte bërë dishepulli i tij, i ndjeri Prof. Sadri Fetiu, vlerësim, që ishte botuar si parathënie e librit te f. 7-25.

Duke parë nga makina e shkrimit mbi tavolinë, e pyeta se sa kohë e kishte përdorur atë.

– Unë nuk bëra përpjekje për të përvetësuar kompjuterin dhe të gjitha shkrimet e mia i kam hartuar duke i shkruar me dorë, më sqaroi profesori dhe vijoi, pastaj duke kryer procesin e redaktimit i kam hedhur në këtë makinë e më tej ua kam dhënë redaktorëve e botuesve. Kjo makinë shkrimi, ka qenë dhe është shoku im i pandarë i punës. Eshtë e vjetër, i kam bërë vetëm disa riparime, nuk është elektrike, por ka punuar e punon mirë.

Desha të mos humbja më kohë me gjëra anësore, prandaj kalova te thelbi i dëshirës sime që më vlonte prej vitesh:

– “I dashur Profesor, shteti shqiptar ju ka shpallur juve dhe Ismail Kadarenë <NDER I KOMBIT>, por ju të dy, si ju kam thënë dhe më parë, zhvilluat një polemikë me sulme tepër të ashpër ndaj njëri tjetrit kur shprehët mendimet tuaj lidhur me identitetin e popullit tonë. Që atëhere deri sot ju nuk i flisni me gojë njëri tjetrit. Mospajtimi juaj mua e shumë të tjerëve na ka lënë shije të hidhur. Ky mospajtim është shprehje primitivizmi dhe dëshirojmë që ta kapërceni këtë ngëç”.

– “Unë e kam dashur Isamil Kadarenë si njeri, kam qenë për vizitë te shtëpia e tij në Tiranë dhe në Paris bashkë me kolegë të tjerë. Filloi ai. E kam dashur dhe vlerësuar edhe veprën e tij”, vijoi ai, “kam shkruar vlerësime shumë pozitive, por si studiues unë kam bërë dhe vërejtje e kitikat e mia. Polemika për karakterin e popullit tonë u shty përtej caqeve të lejon polemika. Unë kam qenv dakord që ta takoj Ismailin dhe t’ia japim dorën njvri tjetrit si miq e kolegë të vjetër, por ky rast nuk më është dhënë.

A do të jesh ti në ceremoninë e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit?” -Më pyeti në fund, si për të nënkuptuar se mund ta luaja unë rolin e një ndërmjetësi për t’i takuar para ceremonisë festive.

– “Jo”, iu përgjigja, “unë nuk besoj se do të ftohem dhe pasi të promovoj librin tim te Muzeu Historik Kombëtar, do të kthehem në SHBA”.

(Po shtoj këtu një parantezë, për të sqaruar se pasi u ktheva në Tiranë shkova më 4 tetor aty nga ora 10:00 paradite për të takuar Prof. Skënder Gjinushin, Kryetarin e Akademisë së Shkencave. E gjeta duke pirë kafe te Kafe Restorant TOPTANI karshi godinës së Akademisë. Ishte bashkë me prof. Shaban Sinanin. Ky më prezantoi. I thashë Prof. Gjinushit se kisha qenë në Prishtinë, ku kisha bërë një vizitë respekti te shtëpia e Profesorit Rexhep Qosja dhe ky gjatë bisedës më kishte thënë se para ceremonisë së 50-vjetorit të Kongresit te Drejtshkrimit, kishte dëshirë që të gjendej rasti për t’u takuar me Isamil Kadarenë. T’ia jepnin dorën njëri tjetrit si miq e kolegë të vjetër, në shenjë pajtimi…

Prof. Gjinushi më tha se do të ishte një gjest shumë i mirë, por kishte frikë se Isamili nuk do të pranonte të vinte në atë ceremoni. I thashë se ju si kryetar i Akademisë duhet të bëni çmos me anë të miqve tuaj e të Isamilit, që ky takim i dy korifejve të kulturës e letërsisë sonë të realizohet…)

Më tej, gjatë bisedës erdhi nipi i profesorit, gazetari Valjet Rexhepi, djali i vajzës së madhe, të cilin Prof. Rexhepi dhe bashkëshortja e tij e ndjera Shpresa, që ishta larguar 8 vjet më parë nga jeta, e kishin rritur që në moshën 5-vjeçare. Tani Valjeti jetonte në pjesën tjetër të shtëpisë bashkë me zonjën e vet dhe dy fëmijët.

Profesori më ftoi të vizitoja ambjentet e shtëpisë. Ngjitëm shkallët e drunjta anët e të cilave ishin mbushur me piktura të piktorëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë ku secili kishte shprehur emocionet e veta vlerësuese për Profesor Rexhepin duke e portretizuar fytyrën e tij në pozicione të ndryshme. Midis tyre në një format më të madh ishte fotografia me ngjyra e bashkëshortes së tij, një fytyrë e ëmbël dhe e bukur me flokë të verdha.

Te kati i dytë, në fillim u futëm në të djathtë. Ishte studioja. Një dhomë e gjatë e zbukuruar në tri anë të saj nga një bibliotekë me rafte të mbushura me libra nga dyshemeja deri afër tavanit. Pjesa e poshtme e bibliotekës përbëhej nga dollapë të mbyllur me kanata druri. Në anën e majtë të dhomës ishte vendosur një tavolinë pune. Në shpinë të në pjesën e mesit të rafteved ishin vendosur në dy rreshta 29 vëllimet e veprës së plotë të Rexhep Qosjes, të botuar këto vitet e fundit me kapakë në ngjyrë të zezë.

Rexhepi iu lut nipit të tij të sillte një kopje të librit “ÇËSHTJA SHQIPTARE Historia e Politika” Botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës 1994, 364 f. Pasi e mori në dorë u ul dhe shkroi dedikim:

Kolegut dhe mikut tim të dashur Thanas Gjika, me nderimet më të larta dhe me urimet për shëndet të mirë dhe jetë të gjatë dhe suksese në krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare, kritike letrare dhe publicistikë.

Prishtinë 3.10.2022.

(Firma)

Pasi e lexova dedikimin, i emocionuar e vura librin e tij në tavolinë në këmbë krahas librit tim “DISA KORRIGJIME NË SHËNIMET SQARUESE DHE HARTAT E DHIATËS SË RE, Botimet Jozef 2022, dedikimin e të cilit e kisha shkruar që në Tiranë. Rexhepi shtoi dhe një kopje të librit “REXHEP QOSJA FILOZOF, IDEOLOG DHE POLITIKAN I ÇËSHTJES KOMBËTARE” të autorit Kudusi Lama, Botim i Institutit Albanologjik i Prishtinës 2021, 725 f. Kjo vepër paraprihej nga një parathënie shkruar prej Prof. Hysen Matoshit dhe redaktuar prej Prof. Sadri Fetiut.

U mahnita me lëndën e gjerë dhe faktin se këtë vlerësim të rëndësishëm për pjesën politike, atdhetare e filozofike të Prof. Rexhep Qosjes e kishte bërë një studiues shqiptar ushtarak pa tituj e grada shkencore, ndonëse veprat e hartuara prej tij, që rendiste në kapakun e pasmë të librit tregonin për përgatitje të lartë ushtarake, politike, historike dhe filozofike.

Duke qëndruar në këmbë me bibliotekën mbas shpine dhe para tavolinës ku kishim vendosur tri librat tanë, Valjeti na bëri disa foto si kujtim. Më tej kaluam te dhoma bibliotekë përballë studios. Aty të gjitha faqet e mureve, me përjashtim të dritareve dhe derës ishin të mbushura deri afër tavanit me libra që kishte blerë, ose i ishin dhuruar profesorit, të cilat ky i kishte shfrytëzuar gjatë punës së tij.

Sasia e librave që ishin ekspozuar në faqet e studios dhe të bibliotekës së Prof. Rexhep Qosjes ishte shumë më e madhe se sasia e librave që kisha parë të ekspozuar te biblioteka dhe studioja e Prof. Dhimitër Shuteriqit nëTiranë dhe te shtëpia private e Prof. Jup Kastratit në Shkodër në vitet 1992-1994.

Biblioteka e Profesorit Rexhep Qosja, bashkë me dorëshkrimet dhe kopjet e daktilografuara të shkrimeve të tij përbën një nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë së shkencës e kulturës sonë kombëtare. Më mbeti merak që nuk e pyeta në se i ruante të gjitha dorëshkrimet dhe kopjet e daktilografuara të librave të tij në pjesët e poshtme të dollapëve të bibliotekës.

Valjeti kërkoi lejë të largohej, kurse ne zbritëm poshtë dhe pasi lamë duart u ulëm në tavolinë te dhoma e ngrënies, ku ishte shtruar dreka me supë, gjellë me gjokse pule e pure patatesh, ëmbëlsira, fruta dhe kos. Në vend të verës unë kërkova ujë me limon. Vera më krijonte gjendje gjumi pas buke, kurse unë doja që gjatë kthimit të shijoja pamjet e bukura të Prishtinës dhe të natyrës shqiptare deri në Tiranë.

Dhoma e ngrënies ishte e ndarë nga kuzhina me derë më vete. Ashtu si dhoma e pritjes edhe kjo dhomë shquhej për thjeshtësi. Nuk kishte orendi të tepërta dhe as zbukurime të varura nëpër mure. Në përgjithësi në mënyrën e jetesës, pasijet e shtëpisë dhe sjelljen e Profesor Rexhepit binin në sy thjeshtësia e malësorit tipik shqiptar. Edhe shëndeti i tij, trupi i gjatë e i drejtë, ishin po ashtu shëndet dhe trup tipik i malësorit shqiptar.

Biseda gjatë ngrënies së drekës nuk pati gjëra për t’u kujtuar…

Kur mbërrita në Tiranë, te apartamenti i sime motre, pasi bëra një dush, e mora në telefon profesorin. E njoftova se arrita shëndoshë mirë dhe e falenderova për pritjen e ngrohtë. Nga ana tjetër e receptorit dëgjova zërin e Profesor Qosjes, që më falenderoi për vizitën dhe shtoi: “Këto orë lexova disa nga shkrimet e tua. Të përgëzoj për sqarimin tepër bindës që i ke bërë vizitës e punës së Shën Palit në qytetin e Durrësit. Të uroj suksese në promovimin e librit tënd të ri!

Më përlqyen mjaft artikujt dhe do të përpiqem që t’i lexoj të gjitha shkrimet e tua.

Unë u përgjigja duke u gëlltitur: Ju faleminderit i dashur mentor, ju faleminderit. Uroj të kem rast e të vij të takohemi më gjatë vitin që vjen…

Natën e mirë e të fala Valjetit.

– Natën e mirë e na gjettë shëndoshë viti i ardhshëm!

Me këto fjalë u mbyll biseda jonë…

Sot në prag të 87-vjetorit të Akad. Prof. Rexhep Qosjes, mund të them se në botën shqiptare nuk kemi një krijues e studiues shumdimensional të nivelit të tij, kurse krijues me vlera letrare e artistike të dimensioneve të Isamil Kadaresë kemi Visar Zhitin. Ky i konkuron me sukses nivelet letrare artistike të Kadaresë dhe përsa i përket vërtetësisë ideore dhe moralit veprat e V. Zhitit qëndrojne shumë më lart se veprat e I. Kadarese.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Thanas L Gjika

POETI – NGA KOSOVA NË MEKSIKË, NGA GJAKU NË YJE…

June 22, 2023 by s p

Visar Zhiti/

U bë viti, që ke ikur në Qiell,

por me sa poezi

e ke mbushur truallin tonë

si me gjethe shpirti…

Vërtet poeti Xhevdet Bajraj mbetet një Luftëtar shpirtëror i fuqishëm, këtë mund të them që në fillim, që s’e duroi dot luftën, ku tmerrshëm vriten njerëz dhe ëndrra dhe poezia e jetës… dhe iku nga Kosova e tij, larg, sa më larg, në Meksikë, me gruan dhe fëmijët, të shpëtonte jetën sa më shumë… duke mbartur gjuhën amë dhe frymë-Zi-min… ashtu si dhimbjet mbi shpinë dhe kujtimet, që rëndojnë, rëndojnë…

E pritën si poet në Mexico City dhe tani ai ka studentët e tij që e duan atje, lexuesit e shumtë, të cilëve ua dha poezinë dhe në gjuhën spanjolle… miqtë… imazhet… hardhinë në prag…gotat me verë… sombrerot… macet… bibliotekat… kujtesa e tij është plot me Kosovë…

Poezitë i lexohen dhe në rrugë, i janë kushtuar dhe koncerte të mëdha, konferenca, takime… po përkujtohet dhe në Kosovë, në vendlindje, atje veç datëlindjen i dinë, ai është përherë poet i tyre…

Shoh si e ka gdhendur fjalën, ashtu si drurin, pak ashpër, por natyrshëm dhe sa dhemb, sa dhemb… si mishi i jetës… dhe sa dinjitoz është ai në dhembjen e tij… ndërkaq fjalë-urtë si malësorët, i madhërishëm së brendshmi… i kultivuar dhe me poezinë e madhe latine, europiane ashtu si me eposin e popullit të tij dhe befas ashtu na u përshfaq: aq sa poet tradicional, po aq dhe modern, krejt i veçantë, i ëmbël do të thosha deri në hidhësi dhe i hidhur deri në ëmbëlsi, gdhëndës i duruar dhe parak, e them sërish, gjithsesi antologjik.

E shfletoj me ëndje, larg dhe unë, librat na i dha Zonja e tij, Doktoreshë Vjollca Bajraj, muza e tij, tani e përkushtuar pas poezisë së Xhevdetit, me mision përhapjen e tyre… si gjethet nëpër erë.

S’e di pse ndal te poezia “Trëndafili”:

Jam goxha i sigurt se

kur për herë të parë

është takuar me njeriun

trëndafilit i kanë dalë gjembat.

Fërgëlloj së brendshmi. Ndjej shpuarje në lëkurë, madje dhe gjakun që rrjedh. Kështu është poezia e Xhevdet Bajrajt, që s’i trembet druajtjes, qortuese ndërkaq, metaforike, por dhe hermetike, përdryshe dhe e çiltër, e veçantë, antologjike…

Fjalë të tilla po i thosha Vjollcës, teksa ajo na shkruante përkushtimin në librat e të shoqit, hija e saj është vetë vazhdim i asaj poezie dhe, kur po shëtisnim rrugëve të Chicago-s, – Eda ime dhe unë e kishim vënë në mes, – për Xhevdetin po flisnim me adhurim dhe kur u ndezën dritat e para në muzgun e parë, ato po më dukeshin si trendafila të poezisë së tij.

Gjithë këtë vit mungese, poeti Xhevdet Bajraj e mbush po vetë me prani hyjnore, me atë poetiken…

May be an image of 2 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

22

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT