
The 111th Anniversary of Albanian Independence Day.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

The 111th Anniversary of Albanian Independence Day.
by s p

Prof.Muhamed Mufaku/
Në verë të vitit 1979 u nisa nga Universiteti i Prishtinës për në Kajro me një bursë për të hulumtuar atje “shqiptarët e Misirit”,përkatësisht për Koloninë shqiptare në Egjitpt,e cila ishte një ptrej qendrave të Rilindjes kombëtare shqiptare. Atje kisha fat të takohem me veteranët e mbetur e asaj kolonie si Qerim Haxhiut(1920-2008) e Musa Shehut(1913-1998)që mbajtën gjallë frymën e trashigëminë e asaj kolonie dhe që më furnizuan me materiale burimore për atë koloni. Atje mësova mirë për Athanas Tashkon dhe për kontributin e tij të madh në theksimin e frymës kombëtare shqiptare me anë të mbledhjeve,shoqërive,shkrimeve dhe letrave përballë dy drejtimeve që i konsideronte rrezik për idealin kombëtar shqiptar: grekomenët dhe turkomenët.Me të kthtyer në Prishtinë e përgatita një fejton në 10 vazhdime me titull “Shqiptarët e Egjiptit” për gazetën “Rilindja”,i cili u prit si halvë në atë kohë. Kjo përthamë e botuar ishte pikënisje për shumë hulumtime dhe shkrime deri kur m’ u botua monografia për shqiptarët e Egjiptit në shqip (Prishtinë 2016 dhe Shkup 2022) dhe në arabisht (Kajro 2017),në të ciliën A.Tashko u prezentua si figurë e shquar e asaj kolonie.
A.Tashko u lindë më 1863 në Frashër të Dangëllisë dhe në moshëm 20 vjeçare u nis me dy vëllazrit për në Afrikë në kuadër të migrimit për punë që e karakterizonte jugun e Shqipërisë. Vëllazërit u ndanë në fund të shek. XIX dhe A.Tashko u vendos në Egjipt,që u bë atëherë vend tërheqës për shqiptarë të jugut sa që kolonia shqiptare u bë e pesta në Egjipt nga numri pas asaj italiane,greke,angleze dhe frenceze.
Shqiptatët u shpërndanë në shumë qendra të Egjiptit nga Aleksanderia në veri deri në Asjut në jug. A. Tashko zgjodhi të vendodset në Fajum,buzë Liqenit Karun,nja 100 km në jugperëndim të Kajros,një vend që tërhiqte turistët për bukurinë e vet. Atje,A.Tashko e hapi në fillim një kafe që i shkoi mirë,e pastaj hapi një hotel(Meoris) buzë liqenit që po ashtu i shkoi mirë me ardhjen e turistëve.Me lulzimin e punës,A. Tashko ishte tani në gjendje të merret aktivisht me çështjen kombëtare shqiptare jo vetëm në nivel të Egjiptit por edhe më gjer,në Rilindjen kombëtare që e kishte për qëllim pavarësinë shqiptare.
Në kafja,sikurse në hotel,A.Tashko u kujdes të furnizohet lokali me shtypin kombëtar që delte në Egjipt dhe në kolonitë tjera,të priste për konsultime e kuvendime figurat shqiptare .Kështu,në një foto nga 1905 para hotelit,ai shihet me Jovan Mitkon,Jani Vruhon dhe Fan Nolin.Noli kishte ardhur në Fajum më 1903 si mësues i gregishtës,por në kontak dhe me ndihëm e A.Tashkos filloi të merret me përkthime dhe shkrime,duke përfshirë veprën e Sam Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë,ç’është e ç’do të bëhët”. Këtu vlen të përmendet se në luftë me kregomenët dhe për liturgjinë në gjuhën shqipe,A.Tashko e nxiti Nolin për të shkuar në Amerikë më 1906 që ta kryejë atje misionin e vet.
Viti 1907 kishte domethënje për A.Tashkon dhe koloninë shqiptare sepse rritej diferencimi midis dy taborëve në koloni: idhëtarët e pavarësis shqiptare dhe idhëtarët e bashkëpunimit me Greqinë(kregomenët) dhe Turqinë (turkomenët). Duke ndjerë rrezikun prej kësaj ndarje A.Tashkon në bashkëpunim me Jani Vruhon (1863-1931) nxjerr në mars 1907 gazetën satarike “Shkopi”,e cila u bë tribunë kritike për ata që kishin simpati ose iluzione për bashkëpunimin me fëqinjtë,sidomos pas revolucionit kushtatues 1908 në Stamboll,kur turkomenët u paraqiten me pretendime për liri të shpallura.Duke jetuar në Egjipt ai e përdorë një metaforë vendase për ta kritikuar mentalitetin e taborrit tjetërë shqiptarë që nuk u mësua të udhëheq vetvetën drejtë pavarësisë: “Neve shqiptarëtë gjasim me gamiletë të cilat po s’u hoqnë prej kapistre nga një shtazë e huaj,nuku ecijn dot”.
Me botimin gazetës “Shkopi”,sikurse me gazetat tjera që delshin në Egjipt,problemi kyq ishte ai i alfabetit kombëtar. A.Tashko kishte marrë qendrimin e vet largëpamës duke u deklerua për alfabetin e Stambollit përkohësisht deri sa të përmirësohet ose të merret vesh për një alfabet kombëtar: “Na duket se është më mirë dhe e drejtë të ngrohemi tani në këtë oxhak,pak të shtrëmbërë,i cili na shpie tymin drejtë sesa të rimë me duar lidhur e të ngordhim nga të ftohët duke u grindur për oxhakë”. Ç’është e vërteta,shumica e shqiptarëve të Egjiptit ishin nga jugu që janë mësuar me alfabetin e Stambollit. Ndaj,edhe gazeta tjetër “Shqipëria” që e nxorri rilandasi Milo Duçi në Kajro më 1907 e përdori përkohësisht alfabetin e Stambollit.Megjithatë, në saj të qëndrimit të A.Tashko ndaj alfabetit,ai u ftua në Kongresin e Manastirit më 1908,i cili mori vendimin për përdorimine të përkohshëm të dy alfabetave,të Stambollit dhe të Bashkimit,derisa të merret vesh për një alfabet
Kolonia shqiptare kishte kontributin e vet deri më 1912,kur u shpall Pavarësia më 28 nëntor dhe u njoh Shqipëria si principatë e pavarur në krye me Princ Wiedin deri në fund 1913. Një pjesë e rilandasëve të kolonisë shqiptare në Egjipt si A.Tashko, Alelsandar Xhuvani,Sotir Koleja e të tjerë shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në konsoludimin e instirucioneve të reja të Shtetit kombëtar.Kështu,me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri në mars 1914 arriti A.Tashko me entuziazëm për të parë më në fund Shqipërinë e pavarur për të cilin ka endërruar. Mirëpo,atje e pa rrezikun që e ka ndierë me kohë dhe e demaskuar vazhdimisht: turkomenët nëkrye me Haxhi Qamilin që tani u ngritën me armë në Shqipërinë e mesme për ta rrethuar Prin Vidin në Durrës. Me tërheqjen e Prin Wiedit në shtator 1914 nga Shqipëria u tërhoq i dëshpruar A.Tashko dhe u kthye përsiri te familja që mbeti në Fajum deri kur vdiq më 1915.
Duke përmenduar familjen duhet të shënohet këtu edhe një aspekt i rendësishëm i këtij rilandasi,i cili u kujdes për edukimin e fëmijëve me idealet kombëtare.Prej kësaj familje u shquau disa figura në Shqipëri e shek.XX si Koço Tashko(1899-1984),i cili e kishte mbaruar ekonominë politike në Harvard më 1921 dhe shkoi në Tiranë si sekretar i Fan Nolit ,icili ishte athër deputet si përfaqësues i “Vatrës”.Në rrugë,K.Toshko shkoi në Egjiipt për ta marrë familjen për në Tiranë. Ai më 1922 u bë përfaqësues i Shqipërisë në SHBA me vendimin e Nolit si ministër i jashtëm atëherë, kurse më vonë u bë ambasador në Moskë (1946-1947) dhe zëvendësministër i jashtëm 1947-1955,deri kur u burgos dhe u internua. Vëllai i tij Gaqo Tashko(1905-1967) kreu liceun francez në Aleksandari dhe Fakultetin e Agronomisë në Vjen,kurse kur u kthye në Tiranë u bë ministër i Bujqësisë dhe Pyejve (1950-1954) dhe deputet deri më 1967. Motra e tyre Tefte Tashko(1910-1947) u shqua në fushën e këngës dhe muzikës që nga 1926,e sidomos pasiqë u kthye prej studimeve në Francë më 1935,duke dhënë concerte në Shqipëri e jashtë saj.
Me 100 vjetorin e lindjes së A.Tashko,nipi i tij muzikologu dhe dirigjent i njohur Eno Koço e botoi librin “Athanas Tashko 1863-1915” me kujtime e foto që kishin vlerë,kurse po më 2015 u mbajt në Korçë “konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Athanas Tashkos” me kumtesa të ndryshme që u botuan më 2016. Megjithëatë,duke marrë parasysh aspekte të ndryshme të aktivitetit të tij kombëtar dhe dalja në dritë të dokumenteve të ndryshme,mendojmë se A.Tashkos meriton t’i botohet një monografi më përshirëse që ndriçon kontributin shumëdimencional të këtij rilndasi me rastin e 110 vjetorit të lindjes.
by s p

Çelo Hoxha/
Diku nga fundi i vitit 1922, në një periudhë të vështirë për politikën shqiptare, kur “formimi i një kabineti ka qenë jashtëzakonisht i vështirë”, pasi nuk arriti të gjente mirëkuptim për krijimin e qeverisë as Sami Vrioni, një njeri i moderuar dhe marrëdhënie të mira me të dy krahët politikë, Mid’hat Bej Frashëri ishte shpresa e fundit për ta nxjerrë vendin nga gjendja kaotike e grindjeve për pushtet. Duke vlerësuar që gjendja ishte e pashpresë, Mid’hat Beu nuk pranoi. Përgjigja e tij, siç e risjell Sejfi Vllamasi në kujtimet e veta, është një shprehje lapidare, por që pak ka ngjitur në kujtesën e kombit: “Unë nuk mund ta çnderojë shtëpinë time”.
Këtë përgjigje mund t’a jepte vetëm një njeri me vetëdije të lartë historike. Ajo përcjell ndjeshmërinë e Mid’hat Beut për të mbrojtur emrin e mirë të të parëve të familjes së tij: Abdyl Beu, babai i tij, dhe Naim Beu e Sami Beu, xhaxhallarët e shquar të tij.
Emrin e mirë të familjes së tij, sigurisht, që e nderonin dhe të tjerët. Në 1908, kur Mid’hat Beu u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit në moshën 28 vjeçare, ende pa mbërritur në Manastir, mes një bashkësie njerëzish të gjithë të shquar në çështjen kombëtare, padyshim që emri i familjes ka patur ndikim dhe në nderimin e lartë që iu dha kontributit të tij në çështjen kombëtare.
Katër vjet më vonë, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Mid’hat Beu ishte një autoriteti padiskutueshëm. Kësaj here peshonte më shumë veprimtaria e tij.
Pas vdekjes së të atit, kur Mid’hati Beu ishte veç 12 vjeç, djaloshi u rrit nën kujdesin e dy xhaxhallarëve të tij të shquar, Naim Beu dhe Sami Beu, ndikimi i të cilëve në formimin e tij ndihet gjithandej në veprimtarinë e Mid’hat Beut. “Prej Sami Beut mësova gramatikë, nga Naimi – stilistikë,” kujton më vonë Mid’hat Beu.
Në moshën 15 vjeçare tentoi të shkruante një Dhetregonjë (enciklopedi), dorëshkrimin e të cilës ia çoi xhaxhait të shquar në lëmin e letrave. Naimi Beu i hodhi një sy materialit dhe e këshilloi të lexonte “gjithë sa libra kanë dalë” dhe të mësonte rrënjën e gjuhës, shkronjëtorenë. Këshilla për të mësuar alfabetin sot tingëllon e çuditshme t’i bëhet një adoleshenti, por në kohën e Naim Beut shqipja shkruhej e lexohej nga shumë pak vetë dhe alfabeti nuk ishte standard. Për shkollat shqipe as që mund të bëhej fjalë.
Asokohe shqiptarët mësonin më shpejt gjuhët e huaja. Në moshën 13 vjeçare, Mid’hat Beu shkruante kështu për gjuhët e huaja: “Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjerë. Persishten e marr vesh, arabishten e kuptoj, gjermanishten e greqishten i lexoj.”
Në moshën 15-16 vjeçare ai shkëmben letra me personalitete të njohura të kolonive shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali etj. Ja ç’i shkruan Ibrahim Temos në 14 nëntor 1896: “Në këtë breg që ndodhemi sot, na është e prerë të dalim me pushkë në dorë, sot për sot. Por në vend të armës të marrim pendën e në vend të gjakut të derdhim myreqpin (bojën). Duhet të presim çdo shpresë nga Despoti. Shpresa është te liritë.”
Në 1987, në moshën 17 vjeçare, Mid’hat Bej Frashëri arrin të botojë një skicë, shumë të shkurtër, në të famshmen e “Albania” e të rreptit Faik Bej Konica. Të pëqleheshe nga Konica, mjeshtri i stilit në gjuhën shqipe, do të thoshte se adoleshenti kishte kaluar një test të madh.
Skica është një ese historike për lashtësinë e shqiptarëve, të cilët thirreshin shqiptarë që në kohët pagane. Në shumë pak fjalë ndihet shqetësimi i ndasive fetare, dhe, për të treguar që, pavarësisht besimit, shqiptarët ishin e njëjta racë dhe komb, ai i nxit shqiptarët të arsyetojnë, me një pyetje retorike: “Me të ngjyer mollë, gjysmën me një ngjyrë e gjysmën me një tjatër, a mund të themi që janë dy copa?”
Në 1898, në moshën 18 vjeçare, Mid’hat Bej Frashëri filloi të shkruante rregullisht në fletoren Kalendari Kombiar, e cila botohej nga Kristo Luarasi. “Vetëm te“Kalendari Kombiar” i motit 1898, nga tetëdhjetë faqe të tij, dyzet e dy faqe janë shkruar nga L. Skëndo,” shkruan historiani Uran Butka. Lumo Skëndo ishte emrin letrar i Mid’hat Bej Frashërit, të cilin më vonë e mori libraria e tij e famshme në Tiranë. Po atë vit, Faik Bej Konica mendonte për krijimin e një komiteti jashtë Shqipërisë që të udhëhiqte programin e përlindjes së Shqipërisë dhe Mid’hat Beun e kishte propozuar si president të këtij komiteti.
Në 1901, Mid’hat Bej Frashëri shkruan për rëndësinë e Lidhjes së Prizërenit dhe Shoqërisë së Stambollit dhe për frymëzimin që shqiptarët duhet të merrnin prej tyre në procesin e zgjimit kombëtar. Në 1902 ai ndërmori një udhëtim në Shqipërinë e Jugut dhe pastaj e braktisi Stambollin. Për të qenë afër Shqipërisë u vendos u vendos në Selanik, si nëpunës i administratës turke, por duke punuar dhe për çështjen shqiptare. Në 1908, pas daljes së kushtetutës turke, Mid’hat Bej Frashëri nisi botimin e gazetës Liria. Ai besonte se Shqipëria mund të bëhej vetëm me punë dhe dije dhe këtë e shprehu që numrin e parë të gazetës, me këshillën që u përsolli shqiptarëve: “Dyfekët, thikat, jataganët – thyejini. Ato armë bëjini plore, bëjini çekanë se tani do rrojtur me djersën e ballit, si njerëz të lirë që na ka bërë Zoti.”
Në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, puna e të cilit e orientoi Shqipërinë drejt pavarësisë, Mid’hat Bej Frashëri, 28 vjeç, u zgjodh kryetar i tij. Sipas tij, kongresi ishte një rast i ekspozimit të qytetarisë së shqiptarëve, të shfaqjes me dinjitet në sytë e popullit shqiptar dhe botës. Përpjekja për njësimin e alfabetit ishte, sipas tij, një akt që duhej pasuar me akte të tjera qytetarie që shqiptarët të bëheshin vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar.
Një vit më vonë, Klubi i Selanikut, i drejtuar nga Mid’hat Bej Frashëri, lëshoi thirrjen për organizmin e Kongresit të Elbasanit, i cili u mblodh në 2 shtator 1909, dhe trajtoi kryesisht çështje të arsimit shqiptar. Mid’hat Beu mori pjesë si delegat i Shkupit, Selanikut dhe Çamërisë. Herën tjetër që u kthye në Shqipëri,Mid’hat Beu kishte statusin e delegatit për në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912. Staturën e tij në nivel kombëtar e tregon më qartë fakti që ai ishte i vetmi delgat që përfaqësonte më shumë se një krahinë. Ai ishte delegat i Kosovës dhe Elbasanit dhe përmetarët e autorizuan, “me vota të përgjithshme”, që të ishte dhe delegat i nënprefekturës së Përmetit, nëse Veli Beu (Këlcyra) nuk mbërrinte në kohë. Telegrami i përmetarëve, me nr. 1397, ishte dërguar në Vlorë në orën 5 mëngjesit, më 28 nëntor.
Rruga e Mid’hat Beut për në Vlorë nisi nga Shkupi, kaloi nga Elbasan ku mori mandatin e dytë dhe, së bashku me delegatët e tjerë të Kosovës e Elbasanit, vazhduan së bashku drejt vendit ku do të mblidhej kuvendi më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit, më 25 nëntor 1912, u takua me delegacionin e prijësit të historisë, Ismail Bej Vlorës.
Në qeverinë e parë në historinë e Shqipërisë Mid’hat Bej Frashëri u ngarkua me detyrën e ministrit të Punëve Botore (sot quhet ministria e Punëve Publike). Një detyrë që nuk zgjati shumë. Tre muaj e gjysmë më vonë, në 17 mars 1913, për “disa arsye të veçanta”, ai dha dorëheqjen nga detyra, duke i premtuar kryetarit të qeverisë se pavarësisht vendimit të tij, ai do të mbetej “një shërbëtor i përunjur dhe besnik i kombit” të tij. Sigurisht, ajo që nuk u shkrua në tesktin e dorëheqjes merrej me mend. Mid’hat Frashëri s’kishte pak kohë që kishte përfunduar një udhëtim në Shqipërinë e Jugut, ndërkohë që Janina ende s’kishte rënë, dhe ai ishte i pakënaqur me rolin e qeverisë së Vlorës në këtë çështje.
Pas Vlorës shkoi në Elbasan dhe punoi mësues në një shkollë fillore. Më vonë, në 1921, nga Elbasani kujton sesi u përpoq me disa shokë të krijonte një parti politike dhe se si pastaj hoqën dorë prej saj për shkak të keqkuptimeve. Shqipëria s’kishte përvojë të tillë.
Ja si e përshkruan ai: “Partija jonë u pandeh kundra Ismail Qemalit. Por kur panë se, jo që s’qemë kundra qeverisë Vlorës, po që ishim anëtarë të saj, atëherë një tok miq zunë të na ndahenë. M’anë tjatër u hoqnë dhe ata që na pandehnin anëtarë të Esat Tiranës, dhe që panë se ishin gabuarë në shpresat e tyre, po me kaqe s’u mbarua. Me qënë se partia që do të bënim në Elbasan – se atëherë ishim në Elbasan – shikohesh si një veprë kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë, anëtarët e tij nisnë të formojnë një parti në Vlorë. Eshtë e tepër të them se mi këtë hoqmë dorë dhe ne.”
Detyra e ministrit në qeverinë e parë është posti më i lartë dhe domethënës në jetën e Mid’hat Beut. Në qeverinë e reformuar të Princ Vidit, 28 maj – 3 shtator 1914, Mid’hat Bej Frashëri ishte ministër i Punëve Botore dhe Postë-Telegrafës. Në qeverinë e përkohshme të Durrësit, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920, ishte ministër pa partofol.
Me fillimin eLuftës së Parë Botërore, pas largimit të princ Vidit, Shqipëria u zhyt në kaos, u kthye në një vend të vështirë për të jetuar. “Nevoja e një pune” e detyroi Mid’hat Frashërin të shkonte në Itali, në Zvicër, në Bullgari dhe më në fund në Rumani, kur përfundoi i internuar në Moldavi. Udhëtimet e kësaj periudhe u përjetëuan prej tij në një sërë artikujsh.
Në 1919, Mid’hat Bej Frashëri ishte anëtar i delegacionit në konferencën e paqes. Veç punës diplomatike, një rol të rëndësishëm luajti në këtë periudhë dhe puna e tij publicistike, duke u përballur me propagandën e vendeve fqinje kundër Shqipërisë.
Në 25 gusht 1922, me dekret numër 224, Këshilli i Naltë e emëroi Mid’hat Bej Frashërin “si Ministër fuqi-plotë të Shtetit Shqiptar në Uashington.” Në vitet 1923-25 u ngarkua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Athinë, ku ka kryer një aktivitet të dendur në mbrojtje të shqiptarëve të Greqisë, të cilët shteti grek i shpërngulte drejt Turqisë. Korrespedenca e tij diplomatike me ministrinë në Tiranë dhe institucione të tjera, shqiptare ose të huaja, është një dëshmi e pasur e krimit grek që u kurorëzua me gjenocidin grek ndaj çamëve pas Luftës së Dytë Botërore. Në dhjetor 1925, Mid’hat Beu dha dorëheqjen nga detyra dhe u tërhoq nga veprimtaria zyrtare tërësisht. Në vitet 1926-1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, një nga libraritë më të njohura në Tiranë, e cila është përdorur më vonë si pikë reference në kujtimet e shumë njerëzve për atë periudhë. Pas pushtimit italian, në 1939, së bashku me një grup miqsh, Mid’hat Beu themeloi organizatën politike Balli Kombëtar. Në qershor 1939 u shfaq programi politik i nacionalistëve si shenjë e qartë e rezistencës së organizuar të tyre. Në program flitet qartësisht për pavarësinë e Shqipërisë, zhvillimin e saj ekonomik, ruajtjen e kufijve etnikë, ruajtjen e marrëdhënieve të mira me kombet fqinje dhe mos përkrahjen e asnjë ideologjie.
Pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, me porosi të Moskës, përcjellë përmes Beogradit, në Shqipëri filluan të organizohen dhe komunistët në një qëndresë në dukje kundër pushtuesit fashist, por me kalimin e kohës lufta e tyre degjeneroi në një luftë civile kundër Ballit Kombëtar, me synimin për marrjen e pushtetit në Shqipëri dhe futjen e saj nën influencën e Jugosllavisë. Që në muajt e tyre të parë në pushtet, në 1945, komunistët shpallën kriminelët e luftës, e cila për ironi, fillonte me emrin e simbolit të paqes në skenën politike shqiptare: Mid’hat Bej Frashërin. Një akuzë që ai e meritonte, vetëm nga këndvështrimi i armiqve të Shqipërisë.
Ai u largua nga Shqipëria e tij e dashur, në nëntor 1944. Në mërgim krijoi komitetin “Shqipëria e lirë”, në një përpjekje për të bashkuar gjithë shqiptarët e mërguar nga terrori komunist, por aktiviteti i tij mbeti në mes, sepse vdiq papritur në 1949, në Nju Jork, në rrethana të panjohura.
Veç aktivitetit politik dhe diplomatik, Mid’hat Bej Frashëri ka patur një veprimtari në lëmin e historisë, letërsisë, tekstologjisë, publiçistikës, përkthimit etj. Mid’hat Beu ka qenë një nga promovuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes në botën perëndimore gjatë luftës së parë botërore. Në 1915, ai botoi në Sofje tre vepra: “Çështja e Epirit. Dhembja e një populli”, “Popullsia e Epirit,” dhe“Pritmi i Shqipërisë”. Në 1919, botoi në Lozanë (Zvicër) tre vepra të tjera:“Shqiptarët dhe sllavët”, “Shqiptarët mes tyre dhe jashtë” dhe “Rivendikimet shqiptare”. Në letërsi shquhet për veprën e tij në prozë “Hidhe shpuzë”, 1915. Në publiçistikë ai ka qenë aktiv që prej moshën 17, ka shkruar një me qindra artikuj, por më shumë është vlerësuar vepra e tij eseistike “Plagët tona”,1924, një analizë e realitetit shqiptar e përcjellë së bashku me këshillat për përmirësimin e tij. Vepra më hershme e Mid’hat Beut është “Naim Be Frashëri”, e cila mbetet burimi kryesor informativ për jetën e poetit të shquar. Një pjesë të veprës Mid’hat Frashëri e ka shkruar në gjuhë të huaj, sidomos në frëngjisht, dhe ka qenë gjithmonë një autor i vlerësuar në botë.
Pas rënies së komunizmit, në një takim kushtuar Mid’hat Bej Frashërit, ambasdori francez i kohës bëri këtë vlerësim për të: “Mid’hat Frashëri është iluministi i fundit europian”.
Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të Shenjës, nuk janë përfshirë në këtë botim. Burimet e konsultuara janë: AQSH, Fondi i Mid’hat Frashërit; Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Akademia e Shkncave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Shqipëri e re, Kostancë, Rumani, disa numra të vitit 1921; Uran Butka, Mid’hat Frashëri, elita shqiptare; gazeta Arbënia, Nr. 427, 28 nëntor 1936; Uran Butka, Gjeniu i Kombit; Sejfi Vllamasi, Ballfaqime politike në Shqipëri, 1897-1942, NERAIDA, Tiranë, 2000.
Shenja/ Gusht 2012- foto: ata.gov.al
by s p

Mehmet Prishtina/
Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Ka me m’ shtrue vetëm vdekja”. Kredoja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica, (zona spartane të Shqipërisë ndër shekuj), bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës. Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare. Emri i Hasan Prishtinës është emër nderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij i përkasin Atdheut, gjithandej ku bukës i thuhet bukë, ujit ujë dhe kripës, kripë…
Hasan Prishtina u lind në vitin 1873, në Vushtrri. Mësimet e para dhe disa klasë të shkollës së mesme i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale, ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge e u njoh me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos. Në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, gjuhën çerkeze, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.
Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do ishte vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar. Ai u bë njëri ndër protagonistët kryesorë që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht nga Shqipëria.
Ky veprimtar i palodhur u bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës në parlamentin turk. Njëkohësisht, ai dha një kontribut edhe në Revolucionin Xhonturk. Dihet se trojet shqiptare ishin ndër vatrat kryesore të këtij revolucioni, që rezultoi me kthimin e Kushtetutës (Hyrietit) dhe me disa premtime boshe. Kjo lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: Liri, Barazi, Vëllazëri, e cila u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike . Në kohën kur u formua Klubi
“Bashkimi” i Shkupit, Hasan Prishtina do të ishte pjesë e këtij klubi. Mirëpo, Turqit e Rinj penguan veprimtarinë e klubeve dhe të shoqërive shqiptare. Edhe kësaj radhe për shqiptarët nuk pat asgjë të re, përveç shtypjes dhe shkatërrimeve. Kjo e mundonte shumë Hasan Prishtinën. Sidomos, në kohën e ekspeditave të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në vitin 1909, e acaruan gjendjen edhe më shumë . Situatë e tillë mbretëroi edhe në pranverë të vitit 1910. Vala kryengritëse shqiptare kundër Turqve të Rinj u shua me gjak. Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë parlamentin. Kështu, ai vendin e deputetit e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai duke qenë një nga përfaqësuesit më të përparuar dhe më largpamës të forcave atdhetare, qysh në fillim, së bashku me deputetët shqiptarë si: Ismail Qemali, Shahin Kolonja etj., formojnë grupin opozitar.
Në kohën kur kishte rënë kabineti i Hilmi Pashës, e që në vend të tij ishte formuar kabineti i ri i Haki Pashës, prapë edhe kjo qeveri ishte antishqiptare. Në kohën kur një deputet turk kishte folur keq për historinë e shqiptarëve, Hasan Prishtina kishte reaguar duke i thënë atij se “Nuk e njeh ti historinë e tij… dhe nuk zbres nga kjo tribunë pa e nxjerr gjithë mllefin e qenies kombëtare. Populli im, në asnjë shekull nuk ka vuajtur, siç po vuan sot. Mbi trungun e tij të hepuar derdhen stuhitë aziatike. Edhe rrahin ta shkulin me rrënjë. I mohohet ta ketë dhe ta ruajë botën e vet, e cila e ka zanafillën prej atëherë, kur ju nuk ishit fare…”.
Edhe qarqet politike e publicistike serbe ndihmonin politikën antishqiptare të Haki Pashës. Atyre, më shumë se gjithë të tjerëve u interesonte pengimi i përparimit të kombit shqiptar dhe shtypja mizore e kryengritësve që kishin kapluar vendin. Sigurisht, mirëpritnin ekspeditat e Xhavit Pashës kundër shqiptarëve Kryengritja e vilajetit të Kosovës, që shpërtheu në prill të vitit 1910 u shua me gjak nga mbi 50 000 forca të armatosura osmane. Kjo e kishte tmerruar Hasan Prishtinën, i cili u ngrit në seancën parlamentare dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit u kuptua se ai ishte ideologu i tyre, prandaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmet V Reshit, e amnistoi.
Më 3 mars të vitit 1911, Hasan Prishtina duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Këto kërkesa u përkrahën edhe nga deputeti shqiptar në Parlamentin turk, Ismail Qemali. Ministrat u zemëruan keq. Një deputet, Dervish beu nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq keq saqë i kërkoi dyluftim deputetit. Mirëpo, ndërhyri Ismail Qemali: “Biro! Ti i duhesh Shqipërisë!”. Ai e dëgjoi atë dhe iu drejtua masës në parlament: “…ta dini se kjo ngjarje do të sjell gjëra shumë të liga!” .
Edhe pse pas zgjedhjeve të reja u zgjodhën disa deputetë shqiptarë, Hasan Prishtina e vazhdoi veprimtarinë e tij për lirinë e kombit. Ai denoncoi paudhësitë shoviniste të xhonturqve ndaj shqiptarëve. Duke ditur karakterin e tij, qeveria xhonturke i ka ofruar Hasan Prishtinës 2000 lira vetëm të mos bëhet deputet. Mirëpo, ai u bënte thirrje shqiptarëve të Prishtinës, të Mitrovicës, të Gjilanit, të Preshevës e të Novi – Pazarit të zgjidhnin deputet Hasan Prishtinën. Dhe, në këto zgjedhje, prapë u zgjodh Hasan Prishtina, madje me forcën e popullit.
Hasan Prishtina, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fillim të janarit të viti 1912 në takimin që pati me konsullin austro–hungarez në Selanik deklaroi se pakënaqësia kundër regjimit xhonturk manifestohej kudo në Shqipëri. Meqenëse kërkesa e deputetëve shqiptarë për zbatimin e reformave nuk u pranua nga qeveria xhonturke, Hasan Prishtina, i cili u shqua për guxim nga deputetët e tjerë e shtroi përsëri këtë çështje në seancën e parlamentit turk më 11 janar 1912. Ai dënoi terrorin që ishte ushtruar mbi popullin shqiptar gjatë kryengritjes së Kosovës. Ai iu kërcënua qeverisë me kryengritje të re, nëse nuk do të zbatoheshin reformat në Shqipëri. Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj.
Në vitet 1908-1912 së bashku me Esat Toptanin, Isa Boletinin, Bajram Currin, ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqës. Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail Qemalin, Syrja bej Vlorën, Nexhip Dragën, Myfid bej Libohovën, etj. në lagjën «Taksim» të Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri. Për këtë vendosmëri e kishte paralajmëruar edhe Mexhlisin otaman, kur Mexhlisi nuk merrte parasysh kërkesat e deputetëve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre për një autonomi të Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaron: «… një ndër të parët që do marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë».
Kështu gjatë pranverës së atij viti fillon përgatitjet e një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa–besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, kushëririn e vet Zejnullah begu, etj. Pas një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës. Toskë e Gegë ia besuan ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup më 12 gusht 1912. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare i çliruan të burgosurit që ishin mbi 1 000 vetë, e shtinë në dorë postë telegrafin dhe suspenduan shumë qeveritarë dhe administratorë turq dhe përkrahës të tyre në Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të Kosovës.
Më 18 gusht pas një zvarritjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, që kërkonin me marrëveshjen e Prishtinës kryengritësit shqiptarë. Midis krerëve të kryengritjes filloi përçarja. Kryengritësit shqiptarë arritën ta çlirojnë Kosovën nga perandoria osmane, por Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar (me kufij etnik) në Ballkan. Në tetor 1912 shpallet lufta e parë Ballkanike. Me anë të saj pretendoheshin territoret shqiptare. Hasan Prishtina, është burgosur më 14 tetor të vitit 1912, nga Ushtria okupatore serbe kur pushtoi Shkupin. Ndërkaq, në fillim të vitit 1913, tre qeveritë, ajo e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarisë me anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative lirimin e menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe ajo ndodhi. U vendos Shqipëria “londineze”. Në vitin 1913 u kthye në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismail Qemali me detyrën e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të Vlorës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore u kthye në Kosovë dhe duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, nën okupimin e Austro-Hungarisë u bë përsëri promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë
shkolla anembanë Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë sekrete, pengonte rekrutimin e shqiptarëve në njësitë ushtarake austro-hungareze për t’i dërguar në frontin e Galicisë, kundër Rusisë. Dekorohet nga fundi i vitit 1916 me urdhrin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare edhe në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë rast ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë. Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadriu (1878- 1925) u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Në këtë komitet ishin edhe këta atdhetarë të njohur: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Pejani, Azem Galica, Elez Isufi, Sotir Peci, Sotir Kolea, etj.[3]
Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes të qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga kjo kryengritje. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Në veprimtarinë e tij do të ketë pengesa të mëdha, si nga ana e shteteve ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e Franca, dhe nga shqiptarë, nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, etj.
Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Në këtë rast, Sotir Kolea, në gazetën dyjavore «L’ALBANIE», që dilte në Lozanë të Zvicrës në gjuhën frënge, do të shkruan më 19 janar 1919 shkrimin me titull: Une voix d’Albanie (Një zë i Shqipërisë), ku ndër të tjera do të thotë« …Dans l’appel si noblement et si virilement patriote qu’on va lire, c’est la voix de tout le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre peuple ne pouvait trouver d’interprète plus fidèle et plus autorisé que le groupe de patriotes qui se pressent autour de M. Hassan Béy Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson. …Në apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre.
Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq t’a lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta, diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova.[15] Në Paris i vdiq e shoqja, Igballja. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut.
Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi, pas një bisede të vrazhdë, kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4 plumba trupin e Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.
foto: wikipedia.org
by s p

Gëzim Zilja/
Petro Nini Luarasi (22.04,1865-17.08.1911) është një nga ikonat e përhapjes së gjuhës shqipe në kohë shumë të vështira për kombin shqiptar. Ai bëri atë që pak të tjerë mundën ta bënin. Për veprimtarinë e tij në përhapjen e gjuhës shqipe u helmua nga përfaqësuesit e kishës greke në bashkëpunim me qeveritarët turq. Petro ishte i bindur në misionin që kishte marrë përsipër megjithëse rreziqet ishin të mëdha. Atij i përket thënia e famshme: “Dhe nëntëdhjetenëntë herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” ( Nga fjalimi mbajtur në provimet e shkollës shqipe në Korçë, qershor 1909.). Kisha greke, dhe përfaqësuesit e qeverisë turke në bashkëpunim iu vunë egërsisht pas Petros, jo vetëm me kërcënime por edhe duke vepruar haptas ta asgjësonin fizikisht. Mirëpo si thotë Sali Butka: “…Me anën e Dhespotit dhe të qeverisë turke e ndoqën shumë kohë për ta vrarë por zoti Petro ruhej tepër dhe armët nuk i lëshoi nga dora kurrë…dhe sado e ndiqnin në të gjitha anët prap nuk rreshti së punuari për shkronjat shqipe ndonëse ishte i vobekët nga gjëja…” Letër e Sali Butkës më 8 janar 1924. Më 20 shtator 1892 Mitropoliti i Kosturit, Fillaret, shkroi një Çkishërim dhe një Mallkim për mësuesin patriot shqiptar.
“…. Meqënëse Petrua nga Katundi tuaj Luaras u përlidh me shoqëritë Masone dhe Protestane dhe meqënëse përndau predikime kundër Krishtërimit dhe libra të çvetëmuara (aforisura) është i çkishëruar fëmijërisht. Nuk kini pra të drejtë t’a kishëtoni atë, as të bëni ndonjë meshë për fëmijët e ti, gjer sa të pendohet dhe të kthehet nga udh’ e keqe që po ndjek,” Çkishërimi u bë vetëm se ai shpërnate libra shqip dhe u mësonte shqiptarëve gjuhën e nënës. Mallkimi është tekst shumë më i gjatë dhe përfundon”…Qoftë mallkuar prej Perëndis së Gjithëpushtetëtshme : pastë nëmën e të 318 dhe të tjerëve Atë të kishës; e zëntë krroma e Jeziut ; mbetë pas vdekjes i patretur dhe kotruf;dhe të mirë mos paftë as përparim mos bëftë gjersa të pendohet dhe të marrë ndjesën dhe përlarjën kanuntare.”
Në parathënien e Librit të Skënder Luarasit. “Jeta dhe vepra e P. N. Luarasit,” Andrea Varfi shkruan për Dhespotin e Kosturit:”Fillareti ishte një nga kuadrot më të përgatitura dhe më të shquara të kishës greke,… është një nga korifejtë e hierarkisë së re greke, një nga shkrimtarët më të mirë elkiastikë; është autor i një sërë vëllimesh e monografish me karakter historiko-fetar, përfaqësonjës me autoritet i Patrikanës në forumet dhe kongrese botërore fetare… “
Petro Nini ktheu një përgjigje të gjatë ( rreth 100 faqe libri) të mbështetur në historinë e Shqipërisë, në parimet bazë të fesë ortodokse, prejardhjen e shqiptarëve, traditat, zakonet dhe përpjekjet që ata po bënin për gjuhën e shkruar shqipe e një atdhe të pavarur. Është një punim i vërtetë shkencor që hedh poshtë gjithë vrerin dhe të pavërtetat e Dhespotit të Kosturit dhe të kishës greke. Po hedh një copëz nga “Mallkimi i shkr0njave shqipe,” shkruar nga Petro Nini Luarasi më 1911.
“… Le të mos frikësohemi përpara llomotitjevet e përrallavet t’atyre që nuk dashurojnë, por urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nën maskim shënjtorësh e mendimtarësh duan të na gabojnë ne; dhe le të dimë se ay që është frikacak përkundrejt së drejtës, ay bëhet tradhëtor i Mëmëdheut dhe i vehtes së tij… “
Fragmentet e mëposhtëme janë huazuar nga libri: “Petro Luarasi Mësonjësi im i shqipes.” Kujtime prej GURI KR. SEVOS. Shtypshkronja Tirana. Në Tiranë 1936. Autori Guri Sevo ka qenë nxënës i Petro Luarasit dhe shkruan ato që ka parë e përjetuar vetë atë kohë. Libri ka githësej 110 fletë. Në të jepen me vërtetësi shumë hollësi ku del figura e plotë e Petro Ninit si atdhetar por edhe si një njeri syptrembur që nuk e hoqi për asnjë çast koburen nga brezi dhe dogranë nga supi.
“…Përfaqësuesi turk i propozoi të merrte 50 lira në vit prej Turqisë (ndryshe do të burgosej. Shën im) të hiqte dorë prej shqipes, e t’i jepej detyra e inspektorit të propagandës greke. Petrua u pëgjigj: “Pesëdhjet mijë e di sa vlejnë . S’i kam për të zënë për gjithë jetën t’ime. Po të m’i japç nuk i marr. Udhën që kam nisur do ta ndjek Këtë ma tregoi Petroja vetë më vonë dhe shtoi: “Si të tradhëtonja vëllezërit e mij te Turqia e t’i bënja shërbim ati shteti që po na mban nënë thundër dhe na mohon gjuhën e nënës?”
:.. Dy përfaqësonjës të fuqishëm të këtyre shtypësve ( të kishës greke dhe qeverisë turke. Shën,im) ardhnë vetë në Kolonjë që t’i shuanin këto gjashtë drita të popullit shqiptar…. Kështu u mbyllnë shkollat shqipe në qarkun e Kolonjës dhe të Vakëvevet. Vetëm në Luaras u përmbajt më gjatë me harxhe e ca të pakë mëmëdhetarëve shtëpiakë. Por edhe këtu mësonjëtoreja, duke u përluftuar egërsisht nga të gjitha anët u shtrëngua të përulet më 1894 nën forcën e rexhimevet. Kështu u mbyll kaptina e parë dhjetë-vjeçare (1884-1994. Shën im) e vepërimevet për të filluar dy të tjera nga jeta e Petro Nini Luarasit… Faqe 46-47.
Foto: wikipedia.org