• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈

February 11, 2026 by s p

Prof. Xhafer Beqiraj/

Si dëshmitar në Tribunalin e Hagës (2002) kundër Sllobodan Millosheviqit dhe kundër përfaqësuesve të tjerë ushtarakë të atij regjimi gjenocidal (2009), e ndiej sot si detyrim moral, qytetar dhe historik të flas publikisht për këtë padrejtësi të rëndë që po bëhet sot ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kujtesës së viktimave dhe ndaj së vërtetës historike. Unë dhe të tjerë kemi dëshmuar për krimet që u kryen kundër popullit shqiptar në Kosovë, për dhunën sistematike, për dëbimet masive, për djegien e shtëpive, për vrasjet e civilëve dhe për politikën shtetërore serbe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Këto nuk janë interpretime politike, por janë fakte që janë dokumentuar para drejtësisë ndërkombëtare dhe para opinionit botëror. Kundër këtij regjimi dëshmuan dhjetëra shqiptarë, njerëz që bartnin mbi supe dhimbjen e familjeve të tyre, të qyteteve, të fshatrave të tyre dhe të një populli të tërë.

Sot, kur zhvillohen procese gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkohen dënime jashtëzakonisht të rënda, për mua kjo përbën një padrejtësi të madhe historike. Barazimi midis agresorit shtetëror serb që ushtroi gjenocid dhe të kerëve të popullit që luftoi për mbijetesë dhe liri, është i papranueshëm. Historia nuk mund të shkruhet duke barazuar viktimën me agresorin dhe as duke relativizuar krimet e dokumentuara kundër civilëve shqiptarë nga regjimi shtetëror serb.

Unë besoj fuqishëm se ata që po gjykohen sot janë të pafajshëm. Besoj se procesi në vetvete është i padrejtë dhe se kjo gjykatë është duke vepruar gabim ndaj së vërtetës historike dhe drejtësisë. Si qytetar, unë jam i bindur se ata që në ndërgjegjen kolektive të popullit shqiptar lidhen me rezistencën ndaj dhunës dhe spastrimit etnik të Serbisë, nuk duhet të trajtohen si të barabartë me agresorin. Për popullin shqiptar, lufta për liri nuk ishte zgjedhje ideologjike, por ishte çështje mbijetese. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike, ndaj dëbimeve dhe ndaj përpjekjes për zhdukje nga trojet e veta. Prandaj, bindja se viktima po ndëshkohet njësoj ose më rëndë se agresori, lëndon jo vetëm ndërgjegjen historike, por edhe besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

Ndëshkimi i luftëtarëve të lirisë dhe relativizimi i gjenocidit serb dhe i spastrimit etnik përbën padrejtësi historike. Një popull që ka përjetuar gjenocid nuk kërkon hakmarrje, por kërkon drejtësi të vërtetë dhe respekt për të vërtetën historike. E vërteta historike nuk mund të fshihet dhe nuk mund të zëvendësohet me interpretime që barazojnë të pabarazueshmen. Kujtesa e viktimave është përgjegjësi morale e brezave dhe e institucioneve. Pa këtë të vërtetë nuk ka drejtësi dhe pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme për të ardhmen.

Liri për Çlirimtarët!

𝑫𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒂 𝒎𝒖𝒏𝒅 𝒕𝒆̈ 𝒔𝒇𝒊𝒅𝒐𝒉𝒆𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒌𝒐𝒉𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒉𝒕, 𝒑𝒐𝒓 𝒆 𝒗𝒆̈𝒓𝒕𝒆𝒕𝒂 𝒉𝒊𝒔𝒕𝒐𝒓𝒊𝒌𝒆 𝒎𝒃𝒆𝒕𝒆𝒕 𝒈𝒋𝒊𝒕𝒉𝒎𝒐𝒏𝒆̈ 𝒎𝒃𝒊 𝒄̧𝒅𝒐 𝒈𝒋𝒚𝒌𝒊𝒎.

Filed Under: Mergata

Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka

January 17, 2026 by s p

Prof.dr Skender Asani/

Historia e kombeve nuk është arkiv i së shkuarës, por manual orientimi për të ardhmen. Në këtë kuptim, historia shqiptare ofron një bosht të qartë referimi, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, pesë shekuj më vonë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën, nuk përfaqësojnë vetëm kapituj të ndryshëm kohorë, por të njëjtën doktrinë historiko-politike të udhëheqjes kombëtare: unitetin si parakusht, autoritetin moral si themel dhe orientimin perëndimor si destinacion strategjik. Këto figura nuk i përkasin vetëm kujtesës kolektive, por janë busulla më e besueshme për politikëbërësit shqiptarë në kohë pasigurish dhe sfidash strukturore.

Skënderbeu e kuptoi herët se forca e shqiptarëve nuk qëndronte vetëm te shpata, por te aftësia për ta shndërruar përçarjen në kohezion dhe rezistencën në projekt politik. Ai ndërtoi një model udhëheqjeje që e tejkalonte tribalizmin mesjetar dhe krijoi një autoritet moral mbi prijësit arbërorë, duke e vendosur interesin e përbashkët mbi kalkulimet e ngushta personale. Ky model mbetet aktual edhe sot, kur politika shqiptare rrezikon të humbasë funksionin e saj udhërrëfyes dhe të mbetet peng i klisheve të pushtetit dhe interesave afatshkurtra. Doktrina skënderbeane, e rilexuar në kushte moderne, kërkon një elitë politike që bashkëpunon me dijen, me profesionalizmin dhe me institucionet, duke e shndërruar pushtetin në mjet shërbimi dhe jo në qëllim në vetvete.

Në këtë vijë historike të udhëheqjes me përgjegjësi kombëtare, veprimtaria e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës me Kadri Zekën paraqet vazhdimësinë moderne të së njëjtës filozofi. Ata vepruan në një kontekst represiv, ku politika institucionale ishte e pamundur, por ku ndërgjegjësimi politik dhe organizimi intelektual u shndërruan në instrumente strategjike të rezistencës. Mesazhi i tyre për politikëbërësit e sotëm është i qartë: liria dhe shtetndërtimi nuk ndërtohen mbi improvizim, por mbi vizion, sakrificë dhe unitet strategjik. Vrasja e tyre nga aparati represiv jugosllav nuk ishte vetëm atentat ndaj individëve, por përpjekje për të shuar një mendim politik emancipues, i cili, paradoksalisht, u përforcua dhe u shndërrua në kapital historik të kombit.

Në planin diplomatik, si Skënderbeu ashtu edhe brezi i rezistencës moderne dëshmojnë një të vërtetë themelore: shqiptarët historikisht kanë qenë faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan. Skënderbeu nuk e ndërtoi fuqinë e tij mbi konflikte të panevojshme me fqinjët, por mbi ekuilibra dhe aleanca, duke e pozicionuar Arbërinë si pjesë organike të botës perëndimore. Po kështu, veprimtaria e Gërvallëve dhe e Kadri Zekës në mërgatë e internacionalizoi çështjen shqiptare, duke e nxjerrë atë nga izolimi rajonal dhe duke e vendosur në agjendën politike evropiane. Ky është një mësim i drejtpërdrejtë për politikëbërësit e sotëm: pa diplomaci aktive, pa aleanca strategjike dhe pa kredibilitet moral, asnjë projekt kombëtar nuk mund të jetë i qëndrueshëm.

Prandaj, sot shqiptarëve nuk u duhet një mit për t’u adhuruar, por një model për t’u zbatuar. U duhet një Skënderbe i kohës moderne, pa shpatë, por me vizion; një udhëheqje që e kupton se dija, institucioni dhe ligji janë armët e shekullit XXI. U duhet gjithashtu fryma e Gërvallëve dhe e Kadri Zekës, që e vendosën idealin mbi jetën personale dhe e shndërruan sakrificën në argument politik. Vetëm nëse këto dy linja historike bashkohen në një doktrinë të re udhëheqjeje, politika shqiptare mund të dalë nga cikli i krizave të brendshme dhe të kthehet në busull të besueshme për të ardhmen.

Në përfundim, historia shqiptare u flet politikëbërësve me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivoke: udhëheqja e kombit nuk është privilegj, por barrë morale; nuk është administrim i përditshmërisë, por projekt i së ardhmes. Skënderbeu, Gërvallët dhe Kadri Zeka nuk kërkojnë përkujtim ceremonial, por lexim të thellë politik. Vetëm atëherë kujtesa do të shndërrohet në strategji, sakrifica në vizion dhe historia në busull të sigurt për udhëheqjen e kombit shqiptar.

Filed Under: Mergata

INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART

December 9, 2025 by s p

Imer Lladrovci/

Aktivitet kulturor për nderë të 27 vjetorit të Betejës së Pashtrikut.

Në këtë fundjavë IKKSH në Shtutgart (Stuttgart) organizoi një aktivitet kulturor për nderë të Betejës së Pashtrikut dhe rënjes së Komandantit Mujë Krasniqi me 41 luftëtarët e UÇK-së në Likenet e Hasit, në Pashtrik.

Aktiviteti i cili u zhvillua në sallën e kinemasë, Atelier am Bollwerk, në Stuttgart, ishte me të vërtetë dinjitoz në çdo pikëpamje për këtë përvjetor, qoftë si nga ana e pjesëmarrjes së mërgimtarëve tonë, ashtu edhe nga ana organizative.

Aktiviteti filloi me intonimin e himnit tonë Kombëtar dhe shtetëror, kurse prezantuesit Rilinda Gega dhe Naser Vrella shkëlqyen në rolin e tyre organizativ. Ata kërkuan nga pjesëmarrësit në tubim që t’i nderonin të rënët me një minutë heshtje si dhe e bënë të njohur programin e aktivitetit, ku përveç pjesës kulturo-artistike në program u tha se janë edhe promovimi i disa librave të Gjeneral Kudusi Lamës dhe shfaqja e filmit dokumentar „Shtegu i lirisë“.

Në aktivitet morën pjesë protagonistë të betejës së Pashtrikut, ish ushtarë të tri luftërave që u zhvilluan në hapsirat shqiptare, si dhe shumë familjarë të dëshmorëve. Në këtë aktivitet morën pjesë në mënyrë masive mërgimtarët tonë nga tri shtetet gjermano-folëse, nga Gjermania me rrethinat, Stuttgarti, dhe nga qytete të tjera, pastaj mërgimtarë nga Zvicra dhe Austria.

Mërgimtarët tonë donin në këtë mënyrë të i nderonin luftëtarët shqiptarë, të cilët 27 vjet më parë ranë në grackën e ushtrisë serbe, pak kohë pasi e kishin kaluar kufirin me 14 dhjetor 1998, kurse, siç dihet, gjashtë muaj më vonë, po në Pashtrik, u zhvillua një betejë e madhe luftarake në të cilën serbët pësuan humbje të mëdha.

Gjeneral Kudusi Lama e nderoi, me pjesëmarrjen e tij, këtë tubim. Gjenerali shqiptar ishte i involuar me Divizionin e Kukësit në Betejën e Pashtrikut.

Në tubim morën pjesë edhe shumë bashkëluftëtar të Komandant Mujë Krasniqit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Në vazhdim të programit pjesëmarrësve iu drejtua Imer Lladrovci, veprimtar politik dhe ish diplomat karriere i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe në Austri. Ai në fjalën e tij iu referua Betejës së Pashtrikut, por edhe rënjes së komandant Mujë Krasniqit, nipit të tijë Muhamet Dervishi dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së.

Dr.Sali Sefa, ish i burgosur politik, veprimtar politik dhe ish diplomat i Republikës së Kosovës në Zvicër, në Cyrih (Zürich), iu drejtua me disa fjalë pjesëmarrësve në tubim. Të njëjtën gjë e bëri edhe mysafiri special, Gjeneral Kudusi Lama, i cili kishte ardhur në mënyrë të veçantë vetëm për këtë tubim nga Shqipëria.

Para se të merrte fjalën Gjeneral Kudusi Lama, për librat e të cilit foli Arben Veselaj, ish ushtar dhe veteran I UÇK-së, gazetar, publicist dhe autor i disa librave. Për jetëshkrimin e gjeneralit shqiptar Kudusi Lama foli zonja Sofie Shoshi -Sopa.

Fjala e Gjenralit Lama u përcoll me interesim të madh dhe shumë herë u ndërpre nga duartrokitjet e të pranishmëve. Gjenerali, nga ana e tij, tha se tubime të tilla do të nderonin edhe Tiranën e Prishtinën. Duke folur për luftën, Gjenerali Kudusi Lama, tha se në luftë një kontribut të madh ka dhënë edhe mërgata shqiptare. Lufta ishte e të gjithë shqiptarëve, kështu që gjej rastin t‘u shpreh falenderimin tim të gjithë shqiptarëve që e ndihmuan luftën çlirimtare të UÇK-së, në forma të ndryshme. Ju erdhët edhe vetë në luftë dhe e furnizuat atë me armë, por një kontribut shumë të madh e dhanë nënat shqiptare që gatuan bukën çdo ditë për djemtë shqiptarë, që luftuan me armë në dorë në vijën e frontit . Një luftë nuk fitohet kurrë pa funksionimin e mirë të logjistikës.

Vjazat dhe djemtë e grupit “Studio Fenix”, e cila drejtohet nga Arsim Berisha, e bënë tubimin edhe më dinjitoz. Arsim Berisha erdhi me grupin e tij nga Vinterturi (Winterthur) Zvicrës. Vajzat dhe djemtë e këtij grupi performuan me veshjet e UÇK-së Vallen e Pavarësisë, e cila e ngriti në këmbë gjithë sallën. Pjesëmarrësit shpërthyen në brohoritje UÇK, UÇK. Edhe kënga e Rilind Gashit „Kreshtat e Kosovës“ u përcoll me duartrokitje të gjata, ndërkohë që me këngën për heroin Tahir Sinani e entuziazmoi mjaft publikun, të cilët kënduan së bashku me solistin e ri.

Në program të aktivitetit ishin edhe Rifat Mujota dhe Leotrim Mëziu.

Rifat Mujaota, protagonist i Betejës së Pashtrikut dhe bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, foli përmbledhtas për këtë betejë, kurse toger Leotrim Mëziu, djali i Komondant Rifat Mëziut, tha se ndjehet krenarë për luftën që u zhvillua në Pashtrik dhe në fushëbetejat e tjera kudo në Kosovë.

Në fund të tubimit u dha edhe filmi dokumentar „Shtegu i Lirisë“.

Organizatori i aktivitetit , Instituti I Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, ndau mirënjohje për gjithë familjarët e Betejës së Pashtrikut, përfshirë këtu në rradhë të parë familjet e dëshmorëve, pastaj ish ushtarët nga tri luftërat çlirimtare dhe disa veprimtarë nga diaspora.

Mirënjohjet i shpërndau djali i atdhetarit Hysen Gega, z.Ylber Gega s’bashku me Imer Lladrovcin dhe Shaban Qelaj.

Këtë shkrim për këtë tubim po e mbyllim me vlerësimin e lartë nga pjesëmarrësit.

Urojmë që Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart të vazhdojë punën e tij të mbarë edhe në të ardhmen.

Filed Under: Mergata

Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

December 3, 2025 by s p

Prof. Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Ai është gjithashtu themelues dhe president emeritus i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ideator i QKSTK-së.

Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

Objektivat kryesorë të QKSTK-së përfshijnë krijimin e programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimin e aftësive kërkimore dhe integrimin e teknologjive të avancuara. Qendra do të shërbejë gjithashtu si platformë edhe për publikimet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe do të zhvillojë bashkëpunime me universitete e institucione ndërkombëtare.

Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global.

Drejtori i sapozgjedhur i Qendrës, prof. Latifi, theksoi se ajo do të jetë një institucion kryesor për arsimim, kërkim dhe avancim teknologjik në fushën e kirurgjisë, duke përfshirë mjekësinë kirurgjikale, traumën dhe urgjencën.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, shprehu kënaqësinë e tij për emërimin e prof. Rifat Latifit në funksionin e drejtorit të QKSTK-së në UP.

Prof. Hajrullahu theksoi se QKSTK-ja, si qendra e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e teknologjive moderne për të avancuar standardet e kujdesit shëndetësor në Kosovë e përtej.

Rektori shfaqi bindjen se nën udhëheqjen e prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të kontribuojë për zhvillimin e mjekësisë kirurgjikale dhe do të inkurajojë kërkimin shkencor dhe inovacionin për të përballuar sfidat e ardhshme në fushën e shëndetësisë. Profesori Hajrullahu gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga institucionet e ndryshme për të realizuar qëllimet ambicioze të kësaj qendre, duke e vendosur Kosovën si lider në arsimin dhe shëndetin kirurgjik. „Qendra jonë do të jetë një platformë për edukim, hulumtim dhe zhvillim profesional, për të krijuar një të ardhme më të mirë për profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha rektori Harullahu.

Në përfundim, prof. Latifi shprehu bindjen se QKSTK-ja është një nga iniciativat më ambicioze në fushën e shëndetësisë dhe edukimit kirurgjik në Kosovë, prandaj i duhet mbështetje serioze nga shteti i Kosovës për të realizuar potencialin e saj në vend e në tërë rajonin.

Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

Marrë nga Universiteti i Prishtinës.

Filed Under: Mergata

“Librat e babait” i Luan Starovës u promovua në Bukuresht në një mbrëmje nderimi dhe kujtese

November 20, 2025 by s p

Në Bukuresht, në një atmosferë të ngrohtë dhe të përzemërt, u promovua romani “Librat e babait” i shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova. Promovimi u zhvillua në Bibliotekën “Ion Creangă” dhe u organizua nga Shtëpia Botuese Asdreni (Craiova), në bashkëpunim me Lidhjen e Shqiptarëve në Rumani (ALAR), si dhe në partneritet me Bibliotekën Metropolitane dhe Bashkinë e Bukureshtit.

Në promovim morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të kulturës: deputeti Bogdan-Alin Stoica, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu (kryetar i ALAR), Dr. Luan Topciu (koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR), si dhe Radu Antohi, sekretar shteti në Ministrinë e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Rumanisë. Nga familja e autorit ishin të pranishme Prof. Dr. Gëzime Starova dhe Prof. Dita Starova-Qerimi, të cilat ndanë emocionet e një mbrëmjeje kushtuar kujtesës së shkrimtarit, profesorit, diplomatit dhe studiuesit, Luan Starova.

Romani është përkthyer në gjuhën rumune nga Cătălina Frâncu. Folësit theksuan se “Librat e babait” është një nga veprat themelore të Starovës, e përkthyer në mbi 20 gjuhë dhe e renditur ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore ballkanike.

Në fjalën e tij, deputeti Bogdan-Alin Stoica falënderoi organizatorët dhe vuri në pah kontributin e Luan Topciut dhe Renata Topciu-Melonashit për përkushtimin e tyre afatgjatë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së autorit në Rumani, përmes botimesh të herëpashershme në periodikë dhe revista letrare nga krijimtaria letrare dhe shkencore e Luan Starovës. Ai theksoi se mbështetja e tyre e pandërprerë ka qenë vendimtare në përpjekjen e përbashkët për ta mbajtur gjallë veprën e shkrimtarit.

Gjatë prezantimeve u ofruan analiza dhe komente mbi romanin, i cili përbën vëllimin e parë të një sage ballkanike. Starova trajton me ndjeshmëri temat e historisë, dëbimit dhe identitetit nën tre prej regjimeve më të trazuara të shekullit XX — osman, fashist dhe stalinist. Përmes rrëfimit që ndjek jetën e prindërve të tij gjatë viteve 1926–1976, autori sjell një perspektivë fëmijërore mbi marrëdhëniet njerëzore në një sfond politik në ndryshim të vazhdueshëm, duke i dhënë romanit një ton elegjiak mbi fuqinë e librave si bartës të kujtesës. Folësit nënvizuan se, në një realitet ku gjithçka tjetër mund të humbasë, janë pikërisht librat ata që i rezistojnë kohës dhe ruajnë shpirtin e personazhit.

Mbrëmja u bë dhe më emocionuese dhe prekëse nga ndarja e kujtimeve për shkrimtarin e madh me të pranishmit nga zonja prof. Gëzime Starova, bashkëshorte e autorit si dhe nga vajza e tij prof. Dita Starova-Qerimi. Libri ka mbërritur në të gjitha bibliotekat e vendit si dhe në Bibliotekat Universitare. U rikujtua figura e Luan Starovës si shkrimtar bilingv, diplomat dhe një nga zërat më të rëndësishëm të kulturës europiane me ndikim ndërkombëtar. Të pranishmit vlerësuan përkthimin dhe botimin e ri si një hap të rëndësishëm në njohjen dhe qasjen më të gjerë ndaj krijimtarisë së tij në hapësirën rumune.

Promovimi la pas një përshtypje të thellë: një mbrëmje reflektimi mbi kujtesën, identitetin dhe dashurinë për librin — një homazh i denjë për trashëgiminë letrare të Luan Starovës.

Zyra e shtypit ALAR

Nëntor, 2025

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT