• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SHQIPONJAT E MËNDAFSHTA”, PIKË REFERIMI PËR SHQIPTARËT NË BARI TË ITALISË

December 29, 2020 by dgreca

Aurela Hasku drejtuese e shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta” rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, krijimin e një shoqatë shqiptare të gruas që vepron në Bari të Italisë dhe aktivitete që bëjnë në dobi të fëmijëve shqiptarë në Bari, gruas shqiptare dhe komunitetit shqiptar që jeton e punon në rajonin e Pulias – Itali. Katër femra shqiptare intelektuale dhe të suksesshme në Bari: Aurela Hasku, Eva Meksi, Rezarta Hysenaj dhe Fabiola Ismaili me shoqatën e tyre “Shqiponjat e Mëndafshta” janë kthyer në një pikë të rëndësishme dhe referuese për komunitetin shqiptar në Bari të Italisë. Me Aurela Haskun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

“SHQIPONJAT E VOGLA” FESTOJNË NË BARI

Në mozaikun e larmishëm të organizatave e shoqatave shqiptare që veprojnë në diasporë së fundmi është krijuar një shoqatë shumë premtuese e femrave shqiptare që jetojnë e punojnë në Bari të Italisë ku ka një popullsi të konsiderueshme shqiptare. Me rastin e festave të fundvitit dhe pse në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë globale, shoqata shqiptare e gruas “Shqiponjat e Mëndafshta”, ka organizuar një takim me më të vegjëlit ku përveç femrave, fokusi i kësaj organizate janë dhe fëmijët dhe ruajtja e identitetit shqiptar te fëmijët e vegjël të lindur në Itali. Me përkrahjen e Konsullës shqiptare në Bari zonjës Mburimi, shoqata “Shqiponjat e Mëndafshta”, organizoi një takim mbresëlënës me fëmijët, këto shqiponja të vogla, një brez i shkëlqyer fëmijësh, i lindur  jashtë Shqipërisë, shpeshherë mbartës i dy nënshtetësive që ka nevoje për t’u afruar dhe prezantuar me gjuhën, historinë, kulturën dhe traditën shqiptare, elementë këta që ju përkasin që në lindje. Fëmijët u pritën me buzëqeshje dhe krahe hapur nga i gjithë trupi konsullor si edhe grupi drejtues i shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta”. Së pari qëllimi i këtij takimi ishte të përqëndronte vëmendjen tek shtresa më delikate dhe prekëse në këtë vit të vështirë, siç janë fëmijët. Së dyti, krijimi i mundësive per t’i afruar me njohjen e origjinës së tyre. Fëmijëve u dhuruan tekste në gjuhën shqipe dhe dhurata të tjera të vogla nga vajzat e shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta”. Përgjatë takimit atmosfera e dhomës së pritjes ishte e zbukuruar me rast festash dhe ambienti, akoma më i ngrohur, nga tingujt e violinistes Anila  Bodini, e cila luajti për fëmijët këngën e famshme shqiptare “Ja na erdhi viti ri”. Shoqata e Gruas “Shqiponjat e mëndafshta” po bëhet gjithmonë e më tepër një pikë referimi e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Bari. Nëpërmjet punës dhe angazhimit të kësaj shoqate, si dhe falë ideve dhe angazhimit të tyre, bashkëatdhetarët e Barit marrin pjesë aktive në aktivitete të ndryshme patriotike dhe kulturore.   

“SHQIPONJAT E MËNDAFSHTA” SI PIKË REFERIMI PËR SHQIPTARËT NË BARI

Në shtator të vitit 2020, para 3 muajsh, u krijua në Bari të Italisë e para shoqatë e gruas shqiptare “Shqiponjat e Mëndafshta”. Kjo shoqatë është e përbërë nga disa vajza shqiptare që jetojnë prej vitesh në Bari, qyteti ku kanë studiuar dhe tashmë punojnë e kanë ndërtuar jetën e tyre. Grupi drejtues i shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta” është i përbërë nga: Aurela Hasku- Presidente, Eva Meksi- zëvëndes Presidente, Rezarta Hysenaj- Sekretare, Fabiola Ismaili- Ekonomiste. Logo e shoqatës tonë është krijuar nga artisti shqiptar Tani Nebi, i biri i Agim Nebit. Interpretimi i tij për logon ka qenë ajo e shputave të shqiponjës në kuq e zi që përqafojnë një lule vjollcë. Pra Forca dhe delikatesa, ajo ç’ka ne jemi dhe duam të jemi për të ardhmen tonë. Forca e një gruaje pa humbur delikatesën, elegancën dhe shembullin e mirë. Ideja e kësaj shoqate ka lindur me tepër nga nevoja për të krijuar dhe pasur një hapsirë për komunitetin shqiptar këtu në Bari. Diçka që ka munguar ndër vite vjen e organizuar nga disa vajza e gra shqiptare intelektuale dhe të suksesshme në Bari të Italisë. 

SHOQATË E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË PULIA

Duke qenë se si grup pune ishim të gjitha vajza, u mendua të krijohej një shoqatë për Gruan dhe  e përbërë nga gra. Për t’u bërë pjesë e shoqatës sonë nuk ka kufij nacionaliteti. Si qendër gjendemi në Bari por shtrihemi në të gjithë rajonin e Pulias. Qëllimi i kësaj shoqate është ajo për të folur për Gruan shqiptare, historinë dhe rolin e saj në shoqëri, në të shkuarën por pa harruar edhe ndikimin e kësaj figure hyjnore tek ne gratë bashkëkohore. Ne synojmë që të tregojmë me veprimtarinë dhe aktivitetet tona se si kanë ndikuar tek ne edukimi, principet dhe virtytet e ngulitura, si e kemi krijuar pozicionin tonë në shoqërinë ku aktualisht jetojmë, përkundrejtë vështirësive dhe paragjykimeve etj. Një qëllim tjetër i rëndësishëm për shoqatën tonë është ajo e promovimit të kulturës dhe librit të  shkrimtarëve bashkokohorë shqiptarë këtu në Itali. Një nga aktivitetet tona të para ka qenë prezantimi i një libri në italisht por i shkruar nga Darien Levani tek një nga libraritë më të rëndësishme të Barit siç është “La feltrinelli”.  

AKTIVITETE NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Shoqata jonë edhe pse nga ana juridike është krijuar prej 3 muajsh, ne si realitet aktive dhe grup pune jemi prej më shumë se 2 vitesh. Kemi qenë pjesë aktive dhe vullnetare në tragjedinë e  tërmetit që përjetoi Shqiperia në nëntor të 2019. Në Spitalin poliklinik të Barit, kanë qenë të shtruar në gjendje të rëndë dy nënshtetas shqiptar, të cilët janë gjetur nën rrënoja, dhe ne  jemi përkujdesur për ta dhe familjarët e tyre, si duke i ndihmuar nga ana e komunikimit me gjuhën por edhe me sisteminin e familjarëve të tyre. Që nga krijimi i kësaj shoqate e deri në ditët e sotme, edhe pse vetëm prej 3 muajsh edhe në kushte të pazakonta Pandemie, shoqata jonë nuk ka pushuar së qënuri pjesë aktive si pjesëmarrje nëpër takime të ndryshme ku flitet për emigracionin, historinë e Shqipërisë dhe rolin e diasporës. Por ka qenë edhe ideatore e shumë aktiviteteve ku kemi qenë pjesa organizuese për Barin e darkës shqiptare e organizuar me date 3 tetor 2020, falë iniciativës së Olti Buzit – ideatori i grupit “Zbulojmë Shqipërinë” dhe drejtori i gazetes online Albanianews. Gjithashtu për muajin nëntor kemi organizuar një video kundër dhunës ndaj grave, pikërisht në ditën ndërkombëtare kur celebrohet çdo 25 nëntor të çdo viti. Kemi qenë mbështetës dhe moderatorë për ditën e 28-29 nëntorit, në bashkëpunim  me Konsullaten shqiptare në Bari. Një takim ku pati ndër të ftuar edhe një grup arbëresësh. Projektet tona janë të shumta. Është e qartë që periudha e vështirë në të cilën po jetojmë nuk na ndihmon aspak. Por jemi të bindura që me punë dhe përkushtueshmeri do arrijmë të realizojmë. Një nga projektet tona më të rëndësishme dhe ku synojmë të përkushtohemi është themelimi i një shkolle në gjuhën shqipe. Një realitet që në të gjithë këto vite emigrim, prej pothuajse 30 vjet, nuk egziston akoma në qytetin ku jetojmë, pra në Bari. Gjuha është nismëria e çdo gjëje, ura lidhëse e çdo pike me kombin. E ndjejmë për detyrë dhe përgjegjësi tu mësojmë gjuhën shqipe fëmijëve tanë. Me anë të mësimit të  gjuhës shqipe mund të njihen me historinë, traditat dhe kulturën shqiptare. Me pak fjalë të njohin origjinën dhe ta kultivojnë me përkujdesje pasi jemi të bindura për diçka, nuk mund të krijojmë një të ardhme pa ditur nga vijmë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Bari-Itali, Shqiponjat e Mendafshta, Sokol Paja

Për një nacionalizëm modern shqiptar

July 6, 2020 by dgreca

Nga Marjana Bulku/Nacionalizmi modern, një shkencë e munguar por gjithmonë prezente në jetën tonë ku dominimi i politikës i ka eklipsuar ngjyrat e nacionalizmit kaq të nevojshëm për ruajtjen e autenticitetit në kushtet e globalizimit kulturor.

Ndërkohë që valët e emigrimit bënë që pjesa më e madhe e shqiptarëve të jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike nacionalizmi mbetet një bazë e fuqishme për edukimin e vlerave identitare.

Po a i ka pasur Shqipëria kushtet për ta forcuar dhe pasur prezent nacionalizmin etnik, romantik, gjuhësor, fetar apo kulturor?!

Edhe pse shumë prej tyre interferojnë njëri-tjetrin edukimi me këto ndjesi nacionaliste në trojet tona ka munguar edhe pse pa frikë duhet pohuar që territorit shqiptar nuk i kanë munguar kalatë shekullore, kullat e lashta, veshjet tradicionale plot kolorite lokale, histori të pa shkruara, folklor i pasur, objekte kulti, artistë, nobelistë madje edhe shenjtorë. Pra Shqipëria e ka pasur plotësisht terrenin e duhur për ta ngritur nacionalizmin në nivelet e modernes.

Specifikisht nacionalizmi romantik që pikturohet nga vargjet e Bajronit, i cili i bëri përmendore natyrës, cilësive, heroit, duke tipizuar vendin tonë si: “Shqipëri, vendi ku lindi Iskanderi, o nënë e rreptë burrash të ashpër e fisnikë”, një natyralizëm kaq organik i cili e ka të shtruar terrenin folklorik, historik dhe kulturor”.

Kur ndjek komunitetin irlandez në USA  duket sikur prek me dorë kulturën e tyre, veshjet e tyre, stilin e tyre të jetesës deri në ngjyra e arredim. Edukimi me vlerat kombëtare bëhet përmes nxitjes së ndjesive nacionaliste, pa zhurmë e bujë, bëhet përmes njohjes së historisë dhe folklorit pse jo edhe fesë si rruga më e mirë e zhvillimit të virtyteve. Shembulli i përkryer i nacionalizmit diasporik është komuniteti jezuit në USA por kudo ato janë nëpër botë, një nacionalizëm fetar që edukon të gjitha elementet (etnik, gjuhësor, ideologjik, kulturor), njē model i pa të dytë por nga ku kupton se emigrimi masiv, shpërndarja e shqiptarëve kudo në botë e bën të domosdoshëm një sjellje të re në jetesën e re, në tokën e re, eksportimin e nacionalizmit që mbase mund të quhet nacionalizëm diasporik.

Eksportimi i tipareve rrënjësore, ruajtja e tyre, transmetimi i tyre në mjedisin e ri jo vetëm që identifikon kombësi por edukon vlera historike e kulturore. Tetorin e kaluar një komunitet italo-arbëresh në Nju Jork e shfrytëzoi Kolumbus Day  Parade, traditën 73 -vjeçare nju jorkeze, për të shpalosur kulturën arbëreshe, ku veshjet, këngët, flamuj edhe shqiptarë, bënë paradë avenjuve më të famshme të metropolit amerikan ku performonin 100 grupe dhe mbi 35 mijë artistë të cilët nderonin identitetin e tyre, e ku arbëreshët tanë parakaluan me dy flamuj atë shqiptar dhe italjan por me gjuhën e gjallë arbëreshe që i bën ende krenarë ata por edhe ne. Nacionalizmi diasporik dhe edukimi i brezave me të duket si një mundësi e re të ardhmes si një qasje ndaj kulturës tonë ku jo vetëm simbolet dhe flamuri janë identitet përbashkues, por edhe folklori, historia dhe mbi të gjitha kultura jonë e cila ka në themele vlera , emra, vepra me të cilat mund të nxitet një e ardhme më e mirë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Marjana Bulku, Nacionalizmi shqiptar

Diaspora vazhdon të paguajë sigurimin kufitar për vetura

June 27, 2020 by dgreca

Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, sa herë që hyjnë në Kosovë obligohen që në kufi të paguajnë një shumë të mjeteve financiare për sigurimin e veturave të tyre.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Njëri nga ta është Fidaim Zeqiri, i cili që gjashtë vite jeton në shtetin e Gjermanisë. Ai thotë se çmimi i policës së sigurimit nuk është shumë i lartë. Por, vonesa për shkak të kolonave të gjata, për të përfunduar këtë obligim është e mërzitshme.

“Ka pasur raste kur kam pritur më shumë se një orë deri sa të vjen radha për të paguar. Ne edhe ashtu bëjmë rrugë të gjatë për të ardhur në Kosovë dhe pritja për këtë pagesë është maltretim”, thotë Zeqiri.

Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka aprovuar një kërkesë të Ministrisë se Financave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo do te vlejë për të gjithë bashkëatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë për vitin 2020.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se a kanë filluar procedurat për zbatimin e këtij vendimi apo do të anulohet.

Hoti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë ka thënë se “qeveria do analizojë me kujdes të gjitha vendimet e marra nga qeveria e kaluar, për të siguruar se a janë në përputhje më ligjin”.

Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e mërgatës, diasporës së Kosovës.

Në Byronë Kosovare të Sigurimeve pohojnë se janë të gatshëm për diskutime lidhur me këtë çështje, edhe pse sipas tyre, kjo është komplekse dhe kërkon trajtim profesional.

Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), thotë se një vendim eventual do të krijojë implikime financiare dhe duhet te shikohet edhe aspekti ligjor. Sigurimi kufitar është i bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

“Duhet të mendohet mirë për shkak të bartjes se rrezikut me lëshimin e çdo police të sigurimit. Implikimi financiar është mjaft i lartë, për shembull për një rast të siguruar që kushton 15 euro për 15 ditë, kërkesa e personave për dëmshpërblim mund të shkojë deri në 1.2 milion euro. Kurse për dëmet e shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për transportin e lëndëve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit”, tha Pushkolli.

Ai shtoi se nëse koston e sigurimit kufitar do ta merr përsipër Qeveria e Kosovës, atëherë do të ketë implikime financiare dhe rëndim të buxhetit të Kosovës, i cili mbulohet kryesisht nga tatim-paguesit kosovar.

“Dhe këtu është normale të shtrohet pyetja, si të ngarkohen taksapaguesit kosovarë që ta paguajnë sigurimet e drejtuesve të mjeteve motorike më regjistrime të huaja?

Por, Byroja Kosovare e Sigurimit do të jetë bashkëpunuese në proces dhe do të respektoj çdo vendim që merret nga Qeveria e Kosovës”, thotë Pushkolli.

Nga tarifat e sigurimeve kufitare, thotë Pushkolli, vitin e kaluar janë grumbulluar mbi 7.7 milionë euro të hyra, kurse pagesa e dëmeve të paguara nga BKS për periudhën e njëjtë rezulton vlerën prej 7.9 milionë eurosh.(Kortezi: Nadie Ahmeti-Evropa e Lire)

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Nadie Ahmeti, paguan sigurimin kufitar

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DISKUTOI ME QEVERINE PER VOTEN E DIASPORËS

June 27, 2020 by dgreca

INFORMIM: KËSHILLI KOORDINUES  I DIASPORËS DISKUTOI ME QEVERINE TE DREJTEN E VOTES TE DIASPORES/

ANËTARËT E KËSHILLIT KOORDINUES TË DIASPORËS ZHVILLUAN NJË MBLEDHJE ONLINE MBI TË DREJTËN E VOTËS ME KRYEMINISTRIN, Z. EDI RAMA/

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan me 22 qershor një mbledhje online me Kryeministrin, z. Edi Rama, për të diskutuar mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Në mbledhje morën pjesë edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko; Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj; bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe anëtari i Këshillit Politik, z. Damian Gjiknuri; Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karcanaj. Që prej krijimit të Këshillit, anëtarët e tij kanë bashkëpunuar dhe janë angazhuar vazhdimisht për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja dhe forcimin e marrëdhënieve të tyre me Shqipërinë. Sipas rendit të ditës, diskutimi u hap nga Kryeministri, i cili theksoi angazhimin e Qeverisë për të punuar për garantimin e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Mbledhja vijoi me diskutimin e Kryetarit të KKD-së, z. Mark Gjonaj, dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko. Ministri Majko u shpreh se maxhoranca ka vullnetin e plotë për sigurimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë, e cila është një e drejtë kushtetuese. Më pas, mbledhja vijoi me diskutimet e anëtarëve të KKD-së mbi mundësinë e kontributit të kësaj strukture në procesin e garantimit të votës.

Filed Under: Mergata Tagged With: qeveria, vota

Itali- Mjekja Fabiola Harizaj: Lufta për jetën në vijën e parë kundër COVID-19

June 4, 2020 by dgreca

Shkruan:Keti Biçoku/Diaspora Shqiptare/

“Nga 21 shkurti, dita e fundit “normale”, çdo ditë, pa pushim, kemi qenë më shumë në spital se në shtëpi. Për t’i bërë ballë diçkaje me të cilën nuk ishim ndeshur kurrë më parë”. Janë fjalët e Fabiola Harizajt, mjeke anesteziste-reanimatore, përgjegjëse e sallave të operacioneve në spitalin e Kremonas (Cremonas), në një bisedë në video telefonatë për “Diaspora Shqiptare” të ndërprerë shpesh nga përlotja.

Për vetë specializimin që ka, për faktin që ka punuar edhe në shërbimin e urgjencave 118, doktoreshë Harizaj të tregon se me vdekjen është ndeshur jo rrallë, e “megjithatë asgjë nuk i afrohet situatës së tre muajve të fundit të përjetuar nga 22 shkurti e këtej kur moria e të sëmurëve në gjendje të rëndë shtohej nga ora në orë”.

E diplomuar për mjekësi në Tiranë e më pas në Parma, ku edhe u specializua, u transferua në Kremona (Cremona) në vitin 2005 pikërisht sepse nisi punë në spitalin e qytetit. E në Kremona (Cremona) veç karrierës profesionale, ka ngritur edhe familjen e po rrit dy fëmijët.

Si u gjendët në vijën e parë të frontit të luftës ndaj koronavirusit?

Spitali ynë është pikë referimi për neurokirurgjinë për gjithë zonën përqark e që në fillim të emergjencës filluan të na mbërrijnë të sëmurë me Covid-19. Në spitalin tonë reparti infektiv është i distancuar, e fillimisht mendon se të infektuarit mund t’i mbash larg nga të shtruarit e tjerë, por ai u mbush menjëherë e na u desh që pak nga pak të ndryshonim repartet e tjera në Covid. Nga mesi i marsit, kur hyra në spital për turnin e natës nga një derë dytësore që të çon në poliambulator, e çuditur vërejta se kishte drita. Më tronditi fakti që ishte kthyer gjatë ditës në një repart Covid. Kishte shtretër portativë edhe në korridorin që të çonte te ashensori. Nuk kishim më kapacitete…

Nuk mund ta merrni me mend me ç ‘shpejtësi përkeqësohej situata: lije punën në orën 8 të darkës e kur ktheheshe të nesërmen në mëngjes gjeje një situatë akoma më të rëndë.

Në reanimacion sa vende kishit?

Reanimacioni ynë normalisht ka dhjetë vende, por shumë shpejt na u desh të kthenim një nga një edhe sallat e operacioneve në reparte reanimacioni e arritëm të kemi 50 shtretër të kujdesit intensiv. Na erdhi në ndihmë edhe një shoqatë amerikane që vuri edhe ajo disa shtretër të tjerë shtesë. Por na mbërrinin gjithnjë aq shumë pacientë sa kapacitetet që arrinim të krijonim ne nuk mjaftonin, ndaj na duhej që të transferonim pacientë edhe në reparte reanimacioni të spitaleve në qytete të tjera të Lombardisë.

E personeli ishte i mjaftueshëm?

Veç personelit të zakonshëm, në spital erdhën edhe specializantë dhe u kthyen nga jashtë disa kolegë për të na ardhur në ndihmë. E megjithatë na duhej të punonim nga 70 orë më shumë në muaj. Nga çasti që vishnim tutat, maskën, dorezat në mëngjes e i hiqnim në darkë, apo i vishnim në darkë e i hiqnim në mëngjes, sipas turnit, ishim në këmbë, nuk pushoje dot asnjë sekondë.

Kur dilja nga shtëpia, fëmijët më përshëndetnin e më porosisnin “Mami mos u sëmur, bëj kujdes”. Në ato pak minuta që më duheshin për të arritur në spital çfarë nuk mendoja, gjithë merak e frikë. Me të arritur ama, vishesha me të gjitha e, nuk di se si, gjeja forcën e shkoja përpara.

Keni kaluar ditë të lodhshme…

Ishte një lodhje fizike, mendore, psikologjike dhe shpirtërore. Fizike sepse rrinim në këmbë me orë e orë, mendore sepse luftonim me diçka të re që përpiqeshim të njihnim. Ishte psikologjike sepse jo rrallë të vinte ndërmend që mund të sëmureshe, mund të çoje sëmundjen në shtëpi te fëmijët.

Por ishte edhe një mundim i paparë shpirtëror. Të gjitha barrierat ranë, ti mjek vije veten në vend të pacientit e vuaje me të. Ata ishin vetëm e të pafuqishëm e të dukej sikur nuk arrije t’i ndihmoje dot.

Çastet më të vështira?

Çdo çast ishte i vështirë, i lodhshëm. Nga ana shpirtërore, emocionale, ora 2 e pasdites, për shembull, ishte shumë e vështirë. Ishte çasti kur u telefononim familjarëve të të shtruarve për t’u dhënë lajme për 24 orët e fundit. E kuptoj që për familjarët duhet të ishte shumë, shumë e vështirë sepse çdo ditë ishim mjekë të ndryshëm që u telefononim, u jepnim lajme edhe shumë të ndryshme nga dita në ditë, apo edhe lajmin fatal, e nuk arrinim t’i ngushëllonim. Nuk kam për ta harruar kurrë: edhe pse ti nuk arrije t’u shpëtoje të afërmin, ata të falënderonin për punën, për kujdesin.

Misioni ynë është të kurojmë, të gjejmë rrugën për të shëruar pacientin e kur kjo ndodh, është kënaqësi e madhe, merr forcë për të shkuar përpara edhe në një situatë të vështirë.

Por nga fillimi i kësaj epidemie nuk po arrinim t’ia dilnim në misionin tonë. Kam që nga viti 2003 që punoj, por një situatë të tillë nuk e kisha përjetuar kurrë. Këto të muajve të fundit ishin netë pa gjumë. Sëmundja nuk prekte vetëm mushkëritë por gjithë trupin nga koka te këmbët dhe gjendja shëndetësore e pacientëve ishte shumë e paqëndrueshme: sapo të dukej sikur i kishim stabilizuar disi, edhe gjëja më e vogël – kthimi nga një krah në tjetrin, apo pastrimi i trupit – mund të përmbyste gjithçka.

Ndryshe nga herë të tjera, këta muajt e fundit, ne mjekët luftonim jo thjesht për të shpëtuar kë kishim përpara, por e bënim edhe për të shpëtuar në njëfarë mënyre edhe veten tonë, për të gjithë, për të ndezur pak shpresën.

Nuk do të harrojmë pacientin tonë të parë që nisi të përmirësohej. Ishim të gjithë të  lumtur, donim t’i hidheshim në qafë.

Kishit të njohur mes pacientëve?

Mes shumë e shumë pacientëve që erdhën me Covid-19, ishte e pamundur të mos njihje ndonjë apo të mos dëgjoje që ishte kunati/miku/e ëma e dikujt që njihje mirë.

Njihja shumë mirë kolegun tonë që nuk ia doli dhe e vuajtëm të gjithë shumë ndarjen me të. Na erdhën edhe dy gra shqiptare që nuk ia dolën. Në përgjithësi, kur kam pacientë shqiptarë u flas menjëherë shqip e krijoj një marrëdhënie të veçantë me ta. Nuk di si ta shpjegoj, jap maksimumin tim me të gjithë por me shqiptarët është ndryshe…

Nuk do të harroj njërën nga zonjat shqiptare për të cilën kujdesesha unë, dukej sikur po përmirësohej por papritur u përkeqësua e nuk shpëtoi. E përjetova shumë keq. Ja, fëmijëve të saj nuk arrita t’ua jepja lajmin në gjuhën shqipe. Më dukej sikur te italishtja gjeja atë “armaturë” të domosdoshme për të qenë gjakftohtë e për të mos shpërthyer në lot bashkë me ta.

U kthyet në heronjtë e komunitetit

Më duhet të falënderoj të gjithë për solidaritetin, mes mjekëve e infermierëve brenda spitalit e për ngrohtësinë me të cilën qyteti na përqafoi. Shumë shpesh arrinin në Reanimacion e në Urgjencë piatanca, pica, çokollata e torta nga restorante e pastiçeri të zonës; në supermarket apo në rrugë, të njohur e të panjohur të përshëndetnin e të thonin një fjalë të ngrohtë. Gjatë kësaj epidemie u ndiem kaq pranë njëri tjetrit, hodhëm poshtë të gjitha barrierat ndarëse. Por ne nuk donim të ishim heronj, donim vetëm të mos na arrinin më pacientë.

Çfarë menduat për solidaritetin e mjekëve që erdhën për një muaj nga Shqipëria?

U ndjeva krenare. Mes tyre ishte edhe një kolegu im nga Tirana me të cilin u lidha shpesh në telefon gjatë muajit që punuan në Breshia (Brescia). Edhe pse nuk ishin të gjithë të specializimeve për të cilat kishim më shumë nevojë në ato çaste, pavarësisht arsyeve që i shtynë të vinin e megjithë përdorimin politik që mund t’i jetë bërë ardhjes së tyre, duhet vetëm t’i falënderojmë me mirënjohje të gjithë ata mjekë e infermierë. Sepse lanë shtëpinë, familjen e erdhën në vendin e vdekjes për të cilin fliste mbarë bota. Nuk ishte diçka që mund të bëjë kushdo.

***

Kalon ora duke folur me doktoreshën, e ëmbël në fjalë e racionale në gjykim.

“Kjo epidemi vuri në dukje edhe sa i nevojshëm është solidariteti e sa të pakuptimta e të dëmshme janë barrierat. – thotë mes të tjerash – Këto të fundit ranë të gjitha: ato mes mjekëve e pacientëve, mjekëve e infermierëve, jugut e veriut, vendasve e të huajve. Nuk kishim kohë e mendje për këto. Por kam frikë se mund të mos vazhdojë gjatë kjo frymë, ndaj edhe i trembem një vale të dytë të epidemisë që mund të na gjejë më cinikë. Uroj ta kem gabim”.

Kur e pyet në fund nëse mendon se ia hodhëm apo jo, ngre e të tregon maskën mbrojtëse që ka mbi tavolinën e punës e thotë: “Po kthehemi në normalitet por nuk do të jetë normaliteti që njihnim deri tani. Shumë do të varet edhe nga sjellja e cilitdo prej nesh. Duhet të jemi të gjithë më të kujdesshëm në përditshmërinë tonë, për veten e për të tjerët”.

Filed Under: Mergata Tagged With: Itali, Keti Biçoku, Mjekja Fabiola Harizaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT