Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi hapi një tjetër shkollë të gjuhës shqipe në qytetin e Artemisës, në zonën e Atikës në Greqi. Në Ditën e 7 Marsit, Federata tha se, shkolla ishte kontribut i mësuesve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë zonë. “Është detyrim i të gjithëve ,u shpreh Kryetari i Federatës Edmond Guri, të përpiqemi për hapjen e sa më shumë kurseve të mësimit të gjuhës shqipe dhe të ruajmë identitetin kombëtar shqiptar “. Disa kurse të mësimit të shqipes funksionojnë prej 15 vitesh në disa qytete të Greqisë, ndërkohë që nevojat e fëmijëve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë për të ruajtur gjuhën amtare janë të mëdha. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe organizata të tjera kanë shprehur nevojën e mbështetjes me tekste mësimore dhe bazë materiale nga Ministria shqiptare e Arsimit. Në qytetin e Selanikut, Shoqata Nënë Tereza organizoi një ceremoni festive me prindër dhe fëmijë për 7 Marsin. Mësuesit e gjuhës shqipe u kërkojnë autoriteteve shqiptare që të kthejnë vëmendjen nga mbështetja e këtij komuniteti. Kriza ekonomike në Greqi e ka vënë në vështirësi komunitetin e emigrantëve shqiptarë që emigroi në këtë vend pas viteve nëntëdhjetë. Brezi i parë i fëmijëve të emigrantëve shqiptare është përballur me sfidën e ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se në dhjetëra kurse të mësimit të shqipes të hapura ne Greqi nga vetë komunitetet e shqiptarëve mësojnë çdo vit rreth 1500 fëmijë shqiptarë. Gjithsesi duhet të na shqetësojë numuri i pakët i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip në Greqi, pasi këtu ndodhet shumica e emigrantëve shqiptarë mbas viteve ’90, ndërkohë që afërsia me fqinjin jugor, favorizon transportin e teksteve me cdo mjet e rrugë, s’është njëlloj si të cosh një abetare në SHBA dhe në Greqi.
Në Kolegjin Sankt Blasien- aty ku gërshetohen dija, tradita dhe kultura e punës
Shkruan: Enver Sulaj/
Një orë e gjysmë rrugë me veturë nga aeroporti i Baselit, ndodhet qyteti i vogël St. Blasien (Sankt Blasien), në distriktin Waldshut, në landin e Baden-Vyrtembergut në Gjermani. I rrethuar nga kurora e malit ShWarcvald, në një lartësi mbidetare mbi 800 m, njeriu e ndjen bukurinë dhe qetësinë, që të imponon natyra e mrekullueshme. Në këtë qytet ndodhet Kolegji i njohur St. Blasien, historiku i të cilit nis në vitin 1596, kur shkolla filloi punën në Freiburg (Zvicër), u zhvendos në Feldkirch të Austrisë, në vitin 1856 dhe së fundi, në St. Blasien, në vitin 1934. Pas Luftës së Dytë Botërore, shkolla u rihap në vitin 1946, ndërsa sot nami i saj shtrihet në mbarë Evropën. Studentë nga më shumë se 20 vende vijnë në këtë kolegj, kryesisht për të studiuar gjuhën gjermane, por edhe gjuhën kineze dhe gjuhët klasike-latinisht e greqisht.
Kolegji Sankt Blasien ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me “Loyola- Gymnasium”, në Prizren, të cilin e ndihmon në fushën e trajnimit të mësimdhënësve. Njeriun e parë që takoj në aeroportin e Baselit, është profesori P. Leutenstorfer, i cili pasi më dëshiron mirëseardhje, nisemi drejt Sankt Blasienit. Me gjithë vitet, ai shquhet akoma për përkushtimin dhe disiplinën në punë. Është kënaqësi dhe rast i jashtëzakonshëm për mua, që të ndjek aty për dy javë ligjëratat e tij për gjuhën latine, në një kurs intensiv. Erudicioni, njohja e shkëlqyeshme e gjuhëve klasike, latinisht e greqisht, e bëjnë atë një enciklopedi të vërtetë. Ai me shumë dashuri shpreh mendimet e e tij për veprat e shkrimtarëve romakë, bëmat e ushtarakëve e pushtimet e tyre, për të ofsharë shpesh: Lufta është e keqe, nuk sjell gjë të mirë. Të gjitha perandoritë janë zhdukur, sado të kenë arritur lart, -thotë Leutenstorfer. Nuk na ikën gjatë ligjëratave edhe analiza etimologjike e fjalëve shqipe dhe ndikimi i latinishtes, ndikimi i greqishtes, etj. Ai ka përkthyer tekste të shumëta nga latinishtja e greqishtja në gjermanisht dhe mban leksione për studentë në gjuhët klasike e gjermane. Ai, poashtu është një bashkëpunëtor dhe mik i madh “Loyola- Gymnasium”, të cilin e viziton në mënyrë periodike, për të transmetuar te nxënësit dhe profesorët përvojën e tij të gjatë jetësore në fushën e dijes e të kulturës. Por, çdo punë e suksesshme, sigurist që lidhet me drejtuesin, andaj pa mbështetjen e drejtorit të “Loyola- Gymnasium“ P. Axel Boedefeld, nuk do të ihhte i mundur ky trajnim dhe kjo përvojë e arritur.
Pas leksioneve intensive për afër dy javë, bëhem gati për t’u kthyer në Kosovë, në “Loyola- Gymnasium”, në mesin e kolegëve e kolegeve e nxënësve të mi.
Një intelektual shqiptar në vitet ’30, në një libër të tij thoshte se popujt që janë çliruar vonë, e kanë më lehtë për të ecur shpejt- sepse kanë modelet e gatshme për të organizuar jetën e tyre. Gjermania për ne duhet të jetë, jo vetëm një vend ku shumë qytetarë drejtojnë sytë për të emigruar, por si model se si të punojmë për veten dhe pasardhësit tanë- për një jetë më të mirë e më të lumtur.
Gjatë tërë rrugës deri në aeroportin e Baselit, që shfrytëzohet nga tri shtete, Gjermania, Franca e Zvicra, bie dëborë vazhdimisht, sa për të na treguar se dimri akoma nuk ka ikur. Por, jeta këtu vazhdon me ritmin e rregullt, kultin për punën e respektimin e vlerave njerëzore- si kusht për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e në paqe për të gjithë.
Sankt Blasien,
shkurt 2016
Takim i rëndësishëm me rektorin e Universitetit të Lundit
MERGATA NE SUEDI- Pos të tjerash përfaqësuesit e SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”të Suedisë shtruan nevojën e gjetjes së mundësive për financimin e një numri studentësh shqiptar për të magjistruar dhe doktoruar në këtë shtet/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU*/
Në kuadër të shumë aktiviteteve të pasura e përmbajtësore që po zhvillon Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptar “Papa Klementi i XI Albani” e Suedisë nga fushveprimtaria e saj, përfaqësuesit e kësaj shoqate punë të madhe po bëjnë edhe në kontaktet që po zhvillojnë me institucione të rëndësishme në shtetin suedez. Kësisoj, para disa ditësh kryetari i kësaj shoqate, z. Hysen Ibrahimi, dhe Saranda Iseni, nënkryetare, zhvilluan një bisedë të rëndësishme me rektorin e Universitetit të Lundit, z. Frederik Sjoholm. Takimi i zhvilluar me këtë rast ishte mjaft miqësor, por edhe përmbajtësor. Temë kryesore e këtij takimi ishte përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e sesionit të pestë shkencor në një ndër sallat e këtij institucioni të lartë shkencor, të cilin do ta organizoj shoqata e shkrimtarëve e krijuesve shqiptar që vepron me sukses në këtë shtet të largët skandinav. Përfaqësuesit e kësaj shoqate, po ashtu, shtruan nevojën e gjetjes së mundësive materiale për financimin e një numri të studentëve shqiptar nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova për të magjistruar dhe doktoruar në këtë tempull të diturisë. Rektori Sjoholm tha ndër të tjera se në fakultete dhe shkolla të larta të këtij universiteti studiojnë një numër i kënaqshëm i studentëve shqiptar dhe se shumë prej tyre janë të dalluar në mësime. Po ashtu, vazhdoi ai, nga ky universitet me sukses i kanë kryer studimet në fusha të ndryshme edhe shumë studentë shqiptarë.
Rektori i Universitetit të Lundit, z. Frederik Sjohlm, shprehu fjalë miradije edhe për aktivitetin e SHSHKSH” Papa Klementi i XI Albani”, e cila sipas tij po luan një rol të rëndësishëm në integrimin kulturor e shkencor të komunitetit shqiptar në shoqërinë suedeze si dhe të lidhjes së urave të bashkëbanimit ndërmjet Suedisë dhe viseve të ndryshme të Ballkanit. Duke ofruar një bashkëpunim të sinqertë tash e në të ardhmen, z. Sjohlm shprehu dëshirën që në sesionin e pestë shkencor të paraqitet me një kumtesë përmbajtësore dhjetë minutshe , të cilën e aprivuan përfaqësuesit e kësaj shoqate.
Në emër të shoqatës “ Papa Klementi i XI Albani” z. Hysen Ibrahimi falënderoj rektorin e Unversitetit të Lundit, y. Frederik Sjoholm për mbështetjen institucionale, por edhe për përkrahjen e tij morale e profesionale që dha, në rend të parë, për mbajtjen e sesionit të pestë shkencor në një ndër sallat e këtij tempulli të diturisë. Ai falënderoj edhe për mbështetjen materiale të Komunës së Lundit për mbajtjen e këtij sesioni në shumë prej 9000 koronash suedeze. Do theksuar se këtë takim arriti ta realizoj studentja e dikurshme e shkëlqyeshme e këtij universiteti, tani juriste e dalluar, Saranda Iseni.
Në fund do theksuar se Universiteti i Lundit është shtetëror, i cili punën e ka filluar me 19 dhjetor të vitit 1666. Pas Universitetit të Uppsales, ky institucion i lartë shkencor është më i vjetri në Suedi. Në të studiojnë mbi 47.700 studentë.
Ne Foto:Pamje ballore e Universitetit te Lundit ne Suedi
VJENE- 80 vjet, Adem Demaci – Simboli i Lirisë
Gjatë historisë njëri nga kryeqendra më të njohura evropiane ishte Vjena. Nga aty dhanë porosi me vlera historike figura madhore kombëtare. Ndrrimkoha na solli në binarët progresiv por jo dhe aty ku synojmë. Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe personalisht të Ambasadorit të parë në Austri, Dr.Sabri Kiqmari, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë u promovua kompleti i veprave të tij. Ishte rasti të flisnin veprat e tij letrare, puna e tij madhore. Nga Vjena foli dhe personalisht me zërin e tij frymëzues kohëve.
Çka tha në Vjenë
“Në krijimtarinë time, as edhe një sekondë nuk rreshti të mendoj ndryshe, por vetëm si shqiptar”…. “Pasi dola nga burgu i parë, nevoja ishte edhe më e madhe për të ra në burg. Nëna më tha: “Unë jam nëna e jote e cila do vdes një ditë, por ne kemi nënën më të madhe, Shqipëria e cila nuk vdes kurrë. Unë jam produkti që krijuan, nëna ime, mësuesja Vezire, Bedri Regja, Esat Mekuli, atyre u takojnë meritat.
Në Gänsendorf
“Ishte Hasan Prishtina bashkë me Ismail Qemalin dhe patriotët tjerë, të cilët e kuptuan momentin që shqiptarët duheshin të ngiteshin në kryengritje në mënyrë që shqiptarët të mos fundoseshin në rrënojat e perandorisë së kalbur otomane”
“Heronjtë tanë me armë u treguan serbëve se ne jemi të gatshëm të vdesim për liri siç ishin heronjtë Regjep Mala me shokun e tij Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Bahri Faziu e shumë të tjerë. Ushtria Çlirimtare po farkëtohej nëpër burgje për aksione të vogla e cila dalë ngadalë erdhi dhe filloi ta ngre me vete edhe popullin tonë liridashës shqiptar”
“Kombin tonë e ndanë në gjashtë copë ata që dikur nuk i kishim miq, e sot kemi, por shpirtin tonë liridashës, shpirtin tonë të bashkimit nuk e ndanë asnjëherë. Ky shpirt qëndroj gjithmonë i bashkuar dhe asnjëherë nuk i ndali aksionet dhe përpjekjet që dal nga dalë, pjesë-pjesë të çliroheshin. Sot e festojmë edhe 100 vjetorin e rilindjes së Shqipërisë e cila lindi me gjak e me shpatën e Skënderbeut dhe luftëtarët e Shqipërisë”
… me krijuesit shqiptarë
Ne veprimtarinë tuaj, nëse nuk është në interes të kombit, këqyr zgjidh diçka tjetër, sepse kombi jeton dhe është sikur një lumë që rrjedh, parandej t’i shërbeni kombit tuaj, nëse doni të jeni edhe evropian të mirë.
Kryesia e LKSh “Aleksandër Moisiu”. Pritje në Hotel “Mozart”, Vjenë
“ Evropa ka nevojë për shqiptarë autentik, për shqiptarë të vetvetes”.
“ Kombi i cili i ka treguar aftësitë e tij duke iu shërbyer të tjerëve, herë si perandor, herë si vezir, zabitllarë, herës si papë, si inxhinier etj.”
“ Marrja me letërsi e art, tregon se ju i keni shumë gjëra të qarta, por në rrugën e juaj do keni detyra gjithnjë e më të mëdha dhe të mos ndaleni para sfidave në rrugën për të krijuar diçka më të mirë”.
“Edhe shteti ku ju jeni, Austria, kur e sheh që ju po punoni për të mirën tuaj, për atdheun tuaj, do jeni në sytë e tyre njerëz të nderuar”.
Thanë për Adem Demaqin:
Dr.Sabri Kiqmai: “Është nder i madh për mua që para jush ta prezantoj z. Adem Demaçin, shkrimtar dhe më shumë se shkrimtar, veprimtar dhe më shumë se veprimtar, por dihet se Adem Demaçi është simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Krahas gjendjes së rëndë në burg ai kurrë nuk e ndërpreu krijimtarinë letrare. Jam i lumtur që sot para nesh gjendet vepra e përbërë nga dhjetë libra të botuar me përkrahjen e qeverisë së Kosovës”.
Sidonia Kall: “Më vjen mirë që jam këtu me fituesin e çmimit Saharov dhe njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të Kosovës.
Prof. Dr. Shyqyri Galica,. Adem Dema, prirjen e tij krijuese e nis me tregime, madje ende si gjimnazist, për të dal me 1958, me romanin e tij të njohur “Gjarpinjtë e Gjakut”, i cili për dekada me radhë do bëhet një bestseller shumë i kërkuar, veçan nga të rinjtë atdhetarë, vepra më e kërkuar dhe e lexuar nga shqiptarët në ish Jugosllavi.
“Si atdhetar Adem Demaqi e nis veprimtarinë atdhetare për liri dhe bashkim kombëtar, e kjo do t’i kushtoj duke i vuajtur njëzet e tetë vjet në burg të rëndë nëpër kazamatet jugosllave”.
Kosovë-Regjistrohet diaspora
-UNDP dhe MeD zbatojnë së bashku fushatën për regjistrimin e diasporës/ -Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, procesi vazhdon edhe në vitin 2016/-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, por, numri është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
PRISHTINË, 22 Shkurt 2016-B.Jashari/ Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje për bashkëpunim në zbatimin e projektit Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Ekonomik.
Marrëveshja, që kap vlerën prej 75,000 euro, u nënshkrua nga Alessandra Roccasalvo, Zëvëndës Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Osman Shahini, sekretar permanent në MeD. Kjo shumë do të kontribuojë në realizimin e fushatës informuese dhe sensibilizuese për promovimin Regjistrimit të Diasporës që do të zbatohet gjatë vitit 2016 nga projekti DEED.
Projekti DEED është duke u zbatuar së bashku nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Ky projekt synon ofrimin e mundësive për kosovarët që jetojnë jashtë vendit për të qenë aktivë në zhvillimet ekonomike të Kosovës duke përkrahur krijimin e vendeve të punës dhe ndërmarrësisë përmes investimeve dhe ndryshimit të shfrytëzimit të dërgesave për konsumim, thekson njoftimi dërguar nga UNDP.
Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017, ka paralajmëruar ministria.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun ku u refuzua, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
- « Previous Page
- 1
- …
- 70
- 71
- 72
- 73
- 74
- …
- 105
- Next Page »