• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-“Ditët e Diasporës” në fshatrat e Gallapit

August 15, 2016 by dgreca

2 Ditet e Diaspores

 PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, në fshatin Dushkajë (ish-Dabishec) për herë të parë u organizua aktiviteti për nder të takimeve me bashkatdhetarë të fshatrave Dushkajë, Gjelbrishtë dhe Murrizajë. Për dy ditë rresht u organizuan aktivitete të shumta nga fusha e kulturës, artit, sportit dhe  garat tradicionale me pjesëtarë të diasporës nga kjo trevë. 
Në këtë takim ishte i pranishëm  edhe ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i cili në fjalën përshëndetëse i falënderoi organizatorët dhe të pranishmit, të cilët kishin ardhur me qindra për këto takime. 
“Prania juaj në numër kaq të madh tregon përkushtimin tuaj për të qenë së bashku në festën ‘Ditët e Diasporës’. Përmes këtyre manifestimeve, po mundohemi të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit, si dhe t’ju ofrojmë një laramani të aktiviteteve, për t’ju treguar se jeni pjesë e atdheut”, tha ministri Murati. 
Dita e parë ishte e mbushur me aktiviteteve kulturore, poetike dhe program artistik. Ky program  filloi me nderimin e dy dëshmorëve të kësaj ane, Azem Babiqi dhe Sali Matoshi. Dita e dytë u shënua me plot aktivitete në disiplina të ndryshme sportive, si vrapim, futboll, boks, shah, hedhje e gurit etj.
Ky aktivitet, i cili u mbështet nga Ministria e Diasporës dhe Komuna e Prishtinës, duke u bazuar në interesimin e madh të pjesëmarrësve, mëton të bëhet tradicional./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, Gallapi

U mbajt seminari i mësuesve nga diaspora në Shkodër

August 14, 2016 by dgreca

 

2 seminari    Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/

U mbajt seminari i mësuesve nga diaspora në Shkodër …synohet hapje horizontesh përfshirëse të nxënësve shqiptarë, metodologjinë bashkëkohore mësimore, kurrikulën unike, standardet e mësuesit, financimin, furnizimi me tekste mësimore. A.Bajrami: …mësimdhënësit tanë janë patriot të vërtetë të kohës moderne” /

Katër ditët e fillimgushtit të ngrohtë të këtij viti u pasuruan në kalendarin e Mësimit Shqip në Diasporë me seminarin e 12-të në vendlindje Morën pjesë rreth 160 mësues nga gjithë kontinenti. Organizimi u bë nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, MA e Kosovës dhe Bashkia e Shkodrës. Seminari u mbajt në lokalet e UN – “Luigj Gurakuqi”, ku përshëndetën me fjalë rasti ministrat Lindita Nikolla, Arsim Bajrami e Valon Murati. Në emër të Bashkisë së Shkodrës përshëndeti, kryetarja Voltana Ademi: “ Jemi krenar që Seminari organizohet në Shkodër dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Shkodrës ju dëshiroj mirëseardhje”. Seminarin simbolikisht deklaroi të hapur mësuesja nga Suedia, Fatmire Ismaili. Programi i seminarit nisi nga nxënësit shkodran të cilët u paraqitën me këngë të kënduara me mjeshtri e shije që do ngelin në përjetim të gjatë. Ministrat në fjalime u zotuan në emër të dikastereve të tyre, se do përkrahin mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Nga ana e tyre mësueset/it shtruan shumë probleme për zgjidhje si: financimin e mësuesve, përmirësimi i kushteve të mësimdhënies, dërgimi me kohë i teksteve e mjeteve mësimore etj. Lindita Nikolla:”Ne do përqendrohemi në mbështetjen më të gjithanshme e cilësore të Mësimit Plotësues në diasporë. U jemi mirënjohës të gjithë mësuesve në mërgatë për punën madhore që bëjnë.” Nga Ulqini përshëndeti Nazif Cungu, Drejtues i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Ulqinit: “Ne, sa i përket shkollimit, sytë i kemi nga Shqipëria e Kosova, kurse nga mësuesit e diasporës kërkojmë tërheqjen e sa më shumë nxënësve mërgimtarë në mësimin e gjuhës shqipe”. Arsim Bajrami, mes tjerash tha: “Është kënaqësi e veçantë që sot po vazhdojmë traditën e shkëlqyer të seminareve të mësimit plotësues në diasporë, një ngjarje e rëndësishme arsimore e kulturore. Ky është seminari i dymbëdhjetë dhe kemi mundësi sado pak t’i kultivojmë mësimdhënësit tanë, të cilët janë patriot të vërtetë të kohës moderne, sepse ata po mbajnë gjallë frymën e mësimit shqip kudo që ka shqiptar, dhe pa dyshim diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin kulturor të shqiptarëve Ne po përpiqemi të ndërtojmë një politikë kombëtare dhe një standard unik të mësimit në diasporë, të ndërtojmë kurrikulë çfarë tani e kemi, të punojmë me standarde unike në përgatitjen e mësimdhënësve për diasporë, të promovojmë metodologjitë më të reja.” Seminari u drejtua nga Nuhi Gashi, Shqipe Gashi, Anila Ferizaj, Zamira Gjini, Enida Kume, Erida Koleci, Kadri Ymeri, Arbër Salihu. Tema e referuesit Gerti Janaqi “Kurrikula e unifikuar…” zgjoi interesim tek mësuesit të cilët diskutuan dhe bënë vërejtje të shumta lidhur me ecurinë e hartimit dhe prurjes së “Draftkurrikulës” për plotësime eventuale nga mësuesit në seminar. Zyrtarët qeveritar mospjesëmarrjen në hartimin e draftkurrikulës nga mësues me përvojë nga vende të ndryshme e arsyetuan me profesionalizmin e komisionit përkatës i cili e sjell atë për diskutim e pastaj plotësimet deri në aprovimin e tij. Nga shumica e diskutuesve u paralajmërua dështimi zbatues i Kurrikulës e cila nuk merr parasysh rrethanat specifike të zhvillimit të mësimit amtar në secili vend veç e veç. Pa ndonjë konkluzë konkret vetëm në formalitet u përfundua ky diskutim aq me vlera për nesër. Nga Agim Berdynaj erdhi tema: “Standardet e mesësit në diasporë” e cila u përcoll me vëmendje nga të pranishmit. Koha për pyetje e diskutime rreth kësaj teme, po ashtu kyçe për mësueset/it ishte e kufizuar. Nuhi Gashi doli me kumtesën “Profili i një krijuesi poliedrit, Prof.DrDr. Basil Schader” duke prezantuar një pjesë të punës madhore të Prof.Schadrit, një metodist autor librash i njohur në kontinent në theks mësimi i gjuhës amtare. Prof.DDr. Basil Schader dhe Nexhat Maloku nga Zvicra prezantuan 6 tekstet doracak me udhëzime për mësuesit e gjuhëve amtare në Europë, mes tyre edhe për mësuesit shqiptarë në gjuhën shqipe. Tekstet u shpërndanë falas për të gjithë seminaristet. Ato u hartuan nga metodistë mësimi e pedagog të njohur në kontinent. Tema tjetër e paraqitjes nga Prof.Basil Schader ishte nga përvoja praktike e mësuesve nga disa vende, me theks mësimi dygjuhësor përmes sekuencave filmike. Ishte kjo temë e nxjerr nga koncepti përmbajtjesor i teksteve mësimore për diasporën tani në shfrytëzim nga shumica e mësuesve/eve. Nga Finlanda mësuesi Ragip Kçiku me grupin e tij prezantuan “Libër elektronik..” i cili tregon shtytjet në forma të reja të mësimit përmes elektronikës, një shembull edhe për vende tjera. Filmi dokumentar “Shqiptarët në Suedi” nga Murat Koci dhe Arian Melonashi u prit me emocione të veçanta nga seminaristet. Gazetari i njohur Abdurrahim Ashiku u paraqit me “15 vjet shkollë shqipe në Greqi”. Prof.Dr.Musa Kraja ofroj monografinë Social-Pedagogjike “Mësues e krijues në diasporë…”. Ishte kjo një monografi e veçantë e cila u prezantua vetëm pak minuta. Kumtesat nga përvoja e mësuesve prej vetëm dhjetë minuta ishin formalitet rasti sa për faqet dekorimi me emra të mësuesve mërgimtarë në agjentë, në vend që të jetë e kundërta. Shkarravitja e agjentes programore nga ndërhyrjet anësore dhanë shije të keqe, për çka organizatorët do duhej të nxjerrin mësim. Kumtesat, ndërrim përvojash u prezantuan për vetëm disa minuta nga: Gerti Janaqi, Anila Ferizaj, Raif Mehmeti, Feime Llapashtica, Mimoza Bejkollari, Harun Osmani, Iris Gjinofci, Luli Imeri, Isni Idrizi, Etleva Mançe, Rifat Hamiti, Osman Ademi, Aurela Konduri, Erida Koleci Hazir Mehmeti, Blerta Avdia, Besnik Rama, Merita Ymeri,, Dinore Loshi, , Ruzhdi Jata, Kristina Gega, Lutfi Vata, Nexhmije Mehmetaj, Ines Rushiti Albana Tahirim, Kledi Shegani, Natasha Kazmaj, Fatmire Ismaili, Enida Kume etj. Seminaristët vizituan muze, kështjella dhe vende turistike në rrethinën e Shkodrës. Përjetimet katër ditore do mbesin të fuqishme tek çdo mësues/e me dëshirën e ndërtimit të jetës në atdhe ashtu siç do duhej për kthimin e gjeneratave nesër. Shpresa e mbështetjes financiare për mësimin amtar vazhdon të mbetet akoma varur në fjalorin e politikës dëshpëruese. Shkodra me Rozafën e saj u ngulit më thellë në gjenin e sakrificës shekullore për mbijetesë të gjuhës e identitetit shqiptar edhe në hapësirat e skajshme të kontinentit. Dje, sot e nesër Rozafa u mishërua në secilin, edhe një herë iu kthye porosisë “së gjirit” për të birin, për breza në pambarim, mishërim me porosinë mirësi, njerëzi e urtësi.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, Seminari, shkoder

Replike me Artur Zhejin:Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

August 10, 2016 by dgreca

Na thoni se kush është “majmuni” z. Zheji?!/

Nga Etmond Guri/

Kryetar i F.SH.SH.G/

Me keqardhje lexuam, si unë dhe me mijëra emigrantë që jetojmë prej vitesh jashtë Shqipërisë një opinion të z. Artur Zheji, ku fjalori i tij i “pasur”, “niveli i lartë akademik” i këtij opinionisti të “madh” arrin deri aty, saqë ai jo vetëm na befasoi të gjithëve por ia kaloi dhe vetvetes në rastin më të mirë!

“Kafsha është e rrezikshme atëherë kur është e uritur, kurse njeriu kur është i ngopur” thonë.

Ju Zoti Zheji jeni pikërisht njeri i ngopur dhe kërkoni me truke të tilla të ulëta të shmangni vëmendjen e atyre që ju shqetëson shumë pse ata janë fokusuar mbi ju për arsye që ju i dini shumë mirë.

Të quash bashkëkombësit e tu “majmunë”, nuk ka mendje të shëndetshme të përceptojë apo ta analizojë qoftë dhe shkencërisht një logjikë të tillë kaq të sëmurë.

Jo zoti Artur Zheji! Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

Atë e gjetëm midis jush! Në titujt pompozë të shkrimeve tuaja dhe të kolegëve tuaj, në emisionet tuaja bajate, në analizat shumëfjalëshe por boshe në thelb.

Majmunerinë e gjetëm në batutat e ndyra që shkëmbeni me njëri-tjetrin, në gjuhën banale që përdorni në media.

Në fjalët e huaja që i përdorni për t’u dukur interesantë, edhe pse varfëroni përditë gjuhën shqipe.

U shqetesuat z. Zheji pse u ndeshët me disa emigrantë që kishin vështirësi me shqipen dhe nuk ju shqetëson gjuha skandaloze që përdor administrata jonë analfabete!!! Nuk ju shqetëson gjuha dhe programet skandaloze të Radiotelevizionit Shqiptar, që ju keni drejtuar dhe nuk i kushtuat qoftë një reportazh, emison apo më keq akoma një program edukativ e mësimor për fëmijët e emigrantëve të cilët ju mbajnë me bukë, duke paguar rregullisht taksat.

Ju që pretendoni se jeni analist, besoj se vuani nga sindroma ksenofobisë. Vetëm pak ditë më parë shprehët bindjet tuaja antiamerikane, madje iu perveshët dhe ambasadorit Lu, i cili luftoi kaq shumë për reformën në drejtësi. Tani iu versulet emigrantëve të ndershëm sepse nuk dini punë tjeter veç servilizmit. Kur qeveritë e mëparshme ishin zhytur në korrupsion, ju i thurrnit lavde, ndërsa ne emigrantët, ishim negociatorët më të mirë që Shqipëria të përftonte statusin e shtetit – kandidat për në BE.

Sepse kur ju z. Zheji morët në intervistë deputetin nazist të “Agimit të Artë” Kristo Papa dhe ju tundte gjithë përçmim dhe përdhosi flamurin tonë kuq e zi, ofendonte brutalisht shqiptarët dhe historinë brilante të Shqipërinë, ju nuk bëtë asnjë reagim, madje fërkonit duart për reagimet që do shkaktonte kjo intervistë. Ndërsa ne emigrantët z. Zheji, jo vetëm që nuk iu nënshtruam politikave të tilla të qarqeve shoviniste, por u bëmë ballë duke hapur shkolla të gjuhës shqipe pa ndihmën e qeverive që ju u serviloseni me shkëmbim kolltukun e drejtorive që ju ofronin, u bëmë ballë duke protestuar e festuar pavarësinë e Kosovës në sheshin “Omonia”, festonim dhe festojmë me dashuri, respekt e nder festat kombëtare ku flamuri ynë valëvitet gjithë krenari e lavdi ashtu siç i ka hije pranë flamurit të vendit pritës.

Më thoni tani, se kush është majmuni z. Zheji?!

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Etmond Guri, Replike me Artur Zheji

Diaspora për Shqipërinë- NJË FORCË POLITIKE E DIASPORËS – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS

August 9, 2016 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/ President i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI)/

NGA ETMOND GURI/ President i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG)/

Në një kohë kur në Shqipëri ekzistojnë 83 parti politike, nuk është e lehtë që t’ u flasësh shqiptarëve për nevojën e krijimit të një force të re politike, se me siguri reagimi i tyre i parë do jetë minimumi shtrembërimi i turinjve i shoqëruar me ndonjë sharje popullore nga ato me ngjyrime pikante. Dhe kjo, sepse partitë ekzistuese në Shqipëri, për 26 vjet që nga përmbysja e regjimit të egër komunist, me politikën e tyre të mbrapshtë e kanë zhgënjyer aspiratën e popullit për një demokraci të vërtetë, për një mirëqenie larg katandisjes në varfëri ekstreme në të kaluarën, për një integrim real të Shqipërisë në familjen europiane. Në 26 vjet në Shqipëri ka sunduar e sundon një klasë politike pa vizione europiane,  pa një program të qartë ekonomik për zhvillimin e vendit. Partitë apo koalicionet që janë ndërruar në pushtet gjatë këtyre viteve kanë menduar vetëm për pasurimin e paskrupullt të kastës së re shqiptare, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet që nga korrupsioni i hapur e deri tek krimi, duke e polarizuar shoqërinë shqiptare në klasën e hajdutëve miliarderë dhe në shumicën e varfër, së cilës i mungon edhe buka e gojës. Kjo kastë e pangopur, e pashpirt dhe kriminale, në vend që ta çojë Shqipërinë drejt Europës, ndjek një politikë orientale, duke u bërë servile e sulltanit të ri të Turqisë, Erdoganit.

Pas 26 vjet të vendosjes së të ashtuquajturës demokraci, u nevojitën presioni dhe ndërhyrja energjike e SHBA dhe Europës që parlamenti shqiptar të votojë reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e parlamentit e të politikës nga elementët e korruptuar e kriminelë. Imagjinoni se për çfarë demokracie bëhet fjalë në vendin tonë. Një demokraci ku luhet hapur me votën e popullit, ku manipulohen rezultatet e zgjedhjeve, ku vidhet vota e emigrantëve, ku blihen votat e qytetarëve për një copë bukë, duke shfytëzuar kushtet e mizerjes në të cilën e kanë katandisur popullin, ku me qëllim nuk vihet sistemi elektronik i numërimit të votave për t’i lënë vend spekullimit e manipulimeve. Ka vite që flitet për miratimin e të drejtës së votës së emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, partitë premtojnë, qeveria bën vizita-maskaradë tek emigrantët me premtime boshe, por ato nuk do ta miratojnë kurrë këtë ligj,sepse do të thotë të firmosin fundin e tyre. Emigrantët nuk shiten për një copë bukë, sepse janë ata që me të ardhurat e tyre dërguar apo shpenzuar në Shqipëri garantojnë një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar. Ndaj politikanët e sotëm shqiptarë i tremben kësaj force të madhe që janë emigrantët në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Francë, vendet nordike e përtej oqeanit nga Amerika deri në Australi. Bashkimi i kësaj force mund të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri. Tashmë qytetarët shqiptarë e kanë humbur shpresën dhe besimin tek partitë politike në Shqipëri dhe i kanë sytë tek Europa, tek Amerika dhe tek diaspora. Kjo diasporë sot më shumë se kurrë duhet të jetë dhe të paraqitet e bashkuar për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të kombit. E për ta bërë këtë ajo duhet të ketë një forcë të saj politike.

Kjo frymë bashkimi ka filluar si një imperativ urgjent i kohës. Deri edhe arbëreshët po bashkohen në vetvete. Këto ditë 11 kryetarë bashkish të zonave ku ka arbëreshë janë bashkuar për të krijuar Arbërinë e Madhe në territoret ku ata jetojnë e punojnë, duke e parë këtë bashkim si një forcë e  mundësi për një prosperitet më të madh ekonomik e kulturor brenda shtetit italian.

Shembull të mirë bashkimi e bashkëpunimi po japin dy federata mjaft aktive të emigrantëve në Itali e Greqi, Federata FNAI dhe ajo FSHSHG. Aktivitetet e organizuara bashkërisht midis tyre janë një hap i mirë e premtues dhe tregojnë se shqiptarët në emigracion dinë dhe mund të bashkohen e jo të mbeten të përçarë siç i ka njohur përherë historia.

Në Itali e Greqi është pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, mbi 1 milion e 300 mijë. Ndaj këto Federata mund të bëhen promotore të krijimit të një force të tillë politike, pa e humbur rolin e tyre për të cilin janë krijuar si organizime me karakter shoqëror e kulturor. Më vonë do të jetë ajo forcë politike që nga brenda parlamentit shqiptar do luftojë për mbrojtjen me ligj dhe realizimin e objektivave të këtyre federatave mbi të drejtat e emigrantëve.

Në diasporë ka plot elementë të përgatitur për një gjë të tillë, intelektualë e veprimtarë shoqërorë të kualifikuar, të pakorruptueshëm, patriotë të vërtetë. Ka sipërmarrës të fuqishëm ekonomikisht që mund të bëhen mbështetje ekonomike e një lëvizjeje të tillë, që nesër ajo forcë nga brenda parlamentit të garantojë e mbrojë me ligj edhe investimet e tyre në Shqipëri. Ka të rinj e të reja shumë të përgatitur, që kanë mbaruar universitete e mbrojtur mastera e tituj shkencorë në specialitete të ndryshme në universitetet më të mira të Europës dhe të botës e kanë dalë me rezultate të shkëlqyera duke treguar kualitetin e lartë të rinisë shqiptare. Sot pjesa më e madhe e trurit të kualifikuar shqiptar ndodhet jashtë atdheut. Këta të rinj e të reja dhe intelektualët e vërtetë duhet të jenë baza e shëndoshë formuese, por edhe drejtuese e kësaj force të re politike, duke e bërë atë një forcë moderne, me vizion europian të një demokracie të vërtetë  të parametrave më të përparuar. Kësisoj kjo forcë do të dijë t’ i flasë elektoratit dhe popullit të vet me një gjuhë të kulturuar e intelektuale,  me gjuhë institucionesh europiane e jo me gjuhë rrugaçësh siç flitet sot në parlamentin shqiptar, duke përdorur si mjet kryesor forcën e argumentit e të mendimit largpamës e jo ulërimat, çjerrjet nëpër rrugë, thyerjet e xhamave apo veprime të tjera destruktive deri tek vrasjet e njerëzve në një protestë të lirë e paqësore. Populli shqiptar është mërzitur dhe neveritur nga skena të tilla primitive e kërkon një forcë që të ndryshojë katërcipërisht klimën politike në vend, duke larguar nga parlamenti, politika e institucionet shtetërore e administrative të të gjitha niveleve dallkaukët, të korruptuarit, kriminelët, militantët injorantë që dinë vetëm të bërtasin e të mos zgjidhin asnjë punë.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e vet objektiva të qarta, të lexueshme e të kuptueshme nga populli, të realizueshme me transparencë dhe të kontrollueshme nga elektorati. Ajo duhet t’ i japë fund praktikës së të kthyerit të politikës në profesion të atyre që kanë dështuar në profesionet e tyre dhe kanë hyrë në politikë për përfitime personale e familjare, duke mos i lëshuar kolltuqet për 26 vjet me radhë. Ata janë shndërruar në diktatorë të rinj dhe nuk janë asgjë më shumë se imitatorë e pasardhës të pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e saj hartimin e ligjeve të tilla që çojnë në zhvillime të rëndësishme e të vërteta demokratike , si zgjedhja e deputetëve dhe e Presidentit të Republikës nga populli, të zgjedhurit , që nga Presidenti, deputetët dhe administratorët e të gjitha niveleve të mos kenë më shumë se dy mandate, deputetëve që ndërrojne parti t’u hiqet menjëherë mandati, të dëbohen nga parlamenti e në vend të tyre të zgjidhet dikush tjetër. Vitet e punës në parlament të njihen si vite të zakonshme për vjetërsinë në punë, me kontribute të paguara nga vetë parlamentarët dhe pa përfitime të tjera ekonomike pas largimit nga parlamenti, të ardhurat e burimet e fitimeve mujore nga pagesat apo aktivitetet private të politikanëve të publikohen gjithnjë online dhe të jenë të lexueshme edhe nga qytetarët më të thjeshtë. Kjo forcë politike duhet të këmbëngulë për krijimin e Ministrisë së Diasporës, duke eliminuar përfundimisht talljen e deritanishme të shtetit me emigrantët me një drejtori diaspore që nuk ka luajtur asnjë rol , si dhe të verë në efiçencë të plotë ambasadat e konsullatat që ato të jenë në çdo kohë pranë kërkesave e nevojave të emigrantëve e të pastrohen nga elementët e paaftë, të emëruar me nepotizëm apo për militantizëm.

Një nga shtyllat themelore të demokracisë është ndarja reale dhe e bazuar në ligje e pushteteve, duke siguruar pavarësinë nga njëri-tjetri, për ta bërë shtetin sa më të thjeshtë, aktiv e veprues në dobi të shtetasve të vet. Për realitetin shqiptar është plagë e rëndë dhe e turpshme gjendja e pushtetit gjyqësor, të uzurpuar nga njerëz të emëruar nga politika e servilë të politikës, nga gjyqtarë të dalë nga kurset 6-mujore, ku ligjin e bën paraja dhe jo drejtësia e kulluar etj

Kjo forcë politike duhet të sjellë këndvështrime e horizonte të reja edhe në aspektin ekonomik, duke bërë projekte investimesh në infrastrukturë e sidomos në zhvillimin e turizmit detar e malor, çka do ta bënte Shqipërinë një vend me bukuri akoma më të mëdha e me një begati ekonomike për popullin e të gjitha zonave, bregdetare e malore.

Janë të gjitha pika të prekshme që interesojnë jo vetëm emigrantët, por edhe realitetin e sotëm shqiptar.

Një forcë e tillë politike, alternative e të gjitha partive  ekzistente në Shqipëri, do sillte frymë të re demokratike europiane, ndryshim të spektrit politik në vend, zgjim të shpresës së elektoratit e të popullit për përmbysjen e politikës së korrupsionit e të krimit dhe sjelljen e epokës së ndërtimit të një Shqipërie të re, të denjë për të hyrë si e barabartë në familjen europiane.

Koha nuk pret. Është momenti të zgjohemi të gjithë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

 

 

 

 

Filed Under: Mergata Tagged With: – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS, e diasporës, Etmond Guri, Ndue Lazri, NJË FORCË POLITIKE

Presidenti Nishani:Uroj sa më shumë shqiptaro-amerikanë mes nesh, edhe në administratë

August 7, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit përshëndeti 70-vjetorin e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO): Diaspora shqiptare duhet të përfshihet e të jetë edhe më e pranishme në zhvillimin e Shqipërisë!/

5 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani përshëndeti veprimtarinë me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) dhe mbajtjes së Kuvendit të saj të përvitshëm në Tiranë.

Kreu i Presidenti i Shtetit në fjalën e Tij përshëndetëse duke shprehur respektin personal dhe vlerësimin institucional theksoi se kjo Organizatë ka dhënë një kontribut të paçmuar për të nxitur bashkimin, bashkëpunimin, zhvillimin e përparimin e Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara si dhe për ruajtjen e identitetit dhe vlerave më të vyera shqiptare. “Kam besimin e patundur që ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen me të njëjtën frymë dashamirësie dhe me të njëjtin vullnet e përkushtim që e ka karakterizuar që nga hedhja e themeleve të Organizatës suaj e deri në ditët e sotme.” – tha Presidenti Nishani, duke shtuar se ne jemi kombi i Skënderbeut, Nënë Terezës dhe mjaft figurave dhe personaliteteve të shquara botërore, për të cilët krenohemi me plot të drejtë.

Më tej Presidenti Nishani vuri në dukje se Diaspora shqiptare dhe të parët tuaj, ju si dhe brezat e rinj keni mbajtur dhe mbani gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri dhe përparim si dhe vlerat, traditën, gjuhën, kulturën duke i trashëguar dhe pasuruar ato brez pas brezi.

Duke iu drejtuar vëllazërisht të pranishmëve, Presidenti Nishani nënvizoi se secili prej shqiptarëve të Amerikës ka kontributet e veta në mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara na kanë dhënë që nga pavarësia e shtetit shqiptar, gjatë përpjekjeve tona për liri dhe demokraci nën diktaturë, në çlirimin dhe fitimin e pavarësisë së Kosovës, në konsolidimin e demokracisë, institucioneve të pavarura shqiptare, hapësirat e lirisë, bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

“Mes shqiptarëve kudo ku jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë e Bujanovc, në vende të tjera evropiane, në Australi, etj. dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një lidhje e veçantë. Ne ndihemi krenarë që jemi aleatë besnikë të Shteteve të Bashkuara, duke dhënë kontributin tonë, sado modest në kuadër të koalicionit ndërkombëtar që lufton për të mbrojtur dhe siguruar vlerat e patjetërsueshme të lirisë, demokracisë dhe civilizimit.” – tha Presidenti.

Në përfundim të përshëndetjes së tij, Presidenti Nishani nënvizoi se: “tashmë diaspora shqiptare në Amerikë është e madhe në numër, dhe unë uroj, duke i inkurajuar njëkohësisht, që të kemi sa më shumë shqiptaro-amerikanë mes nesh, sidomos të rinj, të cilët kapacitetet e tyre të vyera intelektuale duhet t’i shpalosin në radhët e administratës publike apo edhe investitorë dhe sipërmarrës, që në Shqipëri mund të kontribuojnë edhe më tej për zhvillimin dhe përparimin e pandalshëm të vendit tonë. Le të shërbejë kontributi, puna dhe përpjekjet tuaja si një histori e madhe suksesi dhe frymëzimi për të gjithë përfaqësuesit dhe organizatat e diasporës shqiptare që kontribuojnë për mirëqenien, begatinë, zhvillimin e të gjithë shqiptarëve, ashtu siç kanë bërë deri më sot.”

Filed Under: Mergata Tagged With: 70 vjetori i AANO, edhe ne adminsitrate), Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT