• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERËZIT TANË NË VENDET PERËNDIMORE, NJË POTENCIAL SHUMË I RËNDËSISHËM

August 2, 2015 by dgreca

-Deklaron kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në Forumin në Prishtinë për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, ku mori pjesë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Gusht 2015/-Njerëzit tanë në vendet perëndimore, të rinjët që jetojnë jashtë, janë një potencial shumë i rëndësishëm për ne, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai me përfaqësues të tjerë të qeverisë kosovare dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, sot në Prishtinë, morën pjesë në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës.
“Mendoj se është një prezencë shumë e rëndësishme për ne, sepse janë njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore, dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta. Mua më vjen shumë mirë poashtu, që së bashku me ne është ministri Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, zëvendësministrja kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
“Përshëndes këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë. Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë, sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës”, u shpreh Mustafa.
As dija jonë, vijoi ai, nuk është dije e mbyllur, është dije e cila kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë edhe rajonalë, kufijtë edhe evropianë dhe ne dëshirojmë që së bashku me ju t’i kapërcejmë këta kufij dhe do ta kuptojmë se më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me të tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të re.
“Ne tani po punojmë në shumë fusha si Qeveri. Fushë themelore në të cilën ne jemi përcaktuar tani është zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja. Ne konsiderojmë se njerëzit tanë që jetojnë në shtetet perëndimore kanë mundësi që të japin kontributin e tyre dhe në këtë aspekt, jo vetëm që ata vetë të vijnë dhe të investojnë, por që të investojnë edhe me njohuritë dhe dituritë e tyre këtu dhe të jenë në ndërlidhje me investitorët e jashtëm në Kosovë”, theksoi kryeministri Mustafa.
Po punojmë poashtu, tha ai, në forcimin e shtetit ligjor, sepse jemi të interesuar që ky shtet në pikëpamje të drejtësisë dhe në pikëpamje të aplikimit të kritereve evropiane dhe kritereve botërore të jetë në nivelin e vendeve demokratike dhe vendeve të zhvilluara.
“Jemi poashtu të interesuar që të bëjmë reforma thelbësore në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë si dy fusha shumë të rëndësishme sociale tek ne. Kemi arritur që të bëjmë një progres sa i përket përfshirjes së të rinjve në arsimin e lartë, por konsiderojmë që duhet ta rrisim cilësinë e arsimit të lartë dhe cilësinë e mësimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi konkurrentë me të rinjtë e vendeve tjera dhe poashtu kemi nevojë që sistemin e shëndetësisë ta reformojmë në mënyrë që të ofrojmë shërbime për qytetarët tanë, shërbime të cilat sot qytetarët tanë kërkojnë më shumë t’i marrin në vendet e jashtme”, tha kryeministri kosovar.
Natyrisht, vijoi Mustafa, të rinjtë tanë edhe jashtë edhe brenda po e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të shkëlqyer në shumë fusha të sportit, të kulturës, edhe fusha të tjera të cilat janë tepër të rëndësishme për ne.
“Prandaj, edhe juve si pjesë të kësaj gjenerate ju përgëzoj, ju uroj shumë suksese në këto forume që i kemi sot këtu së bashku dhe poashtu ju premtoj që ajo që varet prej nesh, qoftë nga Ministria e Diasporës, qoftë nga qeveria e Republikës së Kosovës, qoftë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga ministritë e tjera do të bëjmë përpjekje maksimale që të bashkëpunojmë me ju dhe të japim përkrahjen tonë dhe ndihmesën tone”, përfundoi Mustafa.
Ministria kosovare e Diasporës thekson se fuqizimi i të rinjve dhe studentëve të diasporës, në veçanti studentëve, është prioritet i qeverisë së Kosovës. “Bashkëpunimi me profesionistë të fushave të ndryshme, shkëmbimi i përvojave dhe transferimi i dijes është identifikuar si mëse i nevojshëm në ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve politike, ekonomike, sociale dhe shkencore në Kosovë”, thekson Ministria e Diasporës.
Deri tani Ministria e Diasporës ka iniciuar themelimin e rrjeteve/asociacioneve të studentëve dhe të rinjve në diasporë. “Qëllimi i tyre është që të arrihet bashkëpunim më i ngushtë mes organizatave studentore dhe rinore në diasporë me institucionet dhe organizatat e tjera në Kosovë, e po ashtu edhe rritja e prezencës institucionale në mesin e të rinjve në diasporë, duke nxitur angazhimin e kësaj shtresë të shoqërisë në të gjitha çështjet nacionale”, bën të ditur ministria.

Filed Under: Mergata Tagged With: Kryeminstri Mustafa, ministri KlosiNJERËZIT TANË, NË VENDET PERËNDIMORE, NJË POTENCIAL, SHUMË I RËNDËSISHËM

Peja e Haxhi Zekës pret mësuesit seminaristë nga diaspora

July 26, 2015 by dgreca

Hazir Mehmeti, Vjenë/
Dhjetëvjetëshi i seminareve të mësuesve nga diaspora shënohet në qytetin piktoresk rrëzë Alpeve Shqiptare, Pejë. Aq sa historike, Peja njihet me njerëzit e saj të vyer shekujve që nga Dardania Ilire. Nuk është e rastësishme zgjedhja e saj si nikoqir i radhës që nga Prishtina e vitit dymijë e pesë, kur filloi bashkimi i mësuesve mërgimtarë nga shumë vende.
Organizatore, Ministria e Arsimit-Shkencës e Teknologjisë e Kosovës, Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Kuvendi Komunal i Pejës. Seminari do zgjatë tri ditë dhe pritet pjesëmarrja e mbi njëqind mësuesve shqiptarë nga vende të ndryshme. Seminari tani është bërë tradicional lëvizës në qytetet e trevave shqiptare. Pritet të ligjërojnë profesor eminent nga UN shqiptare me tema nga fusha e gjuhës, letërsisë, metodologjisë mësimore në konceptin e nivelin e mësimit në diasporë. Pritet pjesëmarrja e figurave të njohura nga vende të ndryshme që janë në lidhje me mësimin shqip në vendin e tyre. Nga radhët e mësuesve do paraqiten kumtesa nga përvoja e tyre praktike mësimore, praktika me tekstet e reja dedikuar diasporës dhe të hartuara në bazë të kurrikulës për diasporë. Kjo do duhej të kishte prioritetin e ndrrimpërvojave dhe varianteve pedagogjike të organizimit praktik të orës mësimor nga lëmi i gjuhës, muzikës, artit. Deri tani kanë dominuar kumtesat e mbajtura nga të punësuarit e ministrive në seancat kryesore, ato nga praktika mësimore kryesisht në punëtoritë 25 minutëshe që shpesh ishin formale e pa ndonjë koncept të çartë metodik e didaktik. Këtu do duhej qasje më konkrete, më serioze, më të përgatitura. Vlerë tjetër që pritet të ofrohet është promovimi i veprave nga mësuesit krijues në diasporë: teksteve mësimore, letrare, artit, gjuhës, revistave përkatëse, materialeve mësimore, materialeve në faqet elektronike nga shtete të veçanta etj. Këtu do ofrohet mundësia e prezantimit e diskutimit mbi tekstet mësimore nga gjuhë të ndryshme, krahasimet analogjike, standardi bashkëkohor, forma e shkrimeve etj. Nga gjithë numri i madhe i mësueseve nga vendet e zhvilluara perëndimor, ku metodologjia mësimore ka bërë hapa krahas zhvillimit teknologjik, do mund të ishte përfituese për seminaristët. Peja me rrethinë do ofron mundësi njohje e pasurim njohurish me historinë e kulturën e saj shekujve, të cilat mësuesve u duhet në praktikën e tyre mësimore.
Në seminarin e fundit zëvendësministri për arsim z.NehatMustafa, e mbylli seminarin me këto fjalë: “Ky seminar do të ndryshon nga ritmi i njëjte dhjetëvjeçar dhe kjo varet nga mendimi juaj në debatin e hapët që herët përmes postës elektronike e forma tjera”. Risitë janë të domosdoshme në ritmin e zhvillimeve metodiko-didaktike të mësimdhënies. Format e seminareve në perëndim janë shumë praktike, debateve dhe konkretizuese. Kjo do duhej të sillej edhe tek ne.
Shpresojmë se Ministritë e Arsimit dhe Ministria e Diasporës do jenë në vijën e strategjisë kombëtare mbi mësimin shqip në diasporë si gjymtyrë e trupit kombëtar. Deri tani nuk mund të jemi të kënaqur kur dihet se vetëm 5% apo më pak nxënës shqiptarë mësojnë të lexojnë e shkruajnë shqip, kur dihet se 2/3 e mësueseve nuk kanë paga të rregullta, disa paguhen vullnetarisht nga prindërit, disa punojnë falas. Është urgjente dora e shteteve tona në financimin e mësimit shqip në mërgatë pa marr parasysh çmimin. Veçan duhet dhen dora mësuesve në Greqi e Itali. Kjo po zvarritet me vite, kurse çmimin do e paguaj kombi me humbjen bijve e bijave të tij.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmet, nga diaspora, Peja e Haxhi Zekës pret mësuesit seminaristë

MITROVICA PRITI MËRGIMTARËT EDHE ME TAKIMIN TRADICIONAL NË BAJGORË

July 26, 2015 by dgreca

Nga B.Jashari/ MITROVICË, 26 Korrik 2015 -Organizuar nga komuna jugore e Mitrovicës dhe me mbështetje të Ministrisë së Diasporës, është mbajtur sot në Bajgorë të Shalës takimi tradicional me bashkëatdhetarët “Dita e mërgimtarëve”.
“Kontributi i mërgimtarëve gjatë dekadave të tëra, deri në ditët e sotme, në mbështetje të atdheut, në forma nga më të ndryshmet, ishte i jashtëzakonshëm”, u tha në takim, ku morën pjesë edhe ministri kosovar i Diasporës Valon Murati dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
“Të gjitha ato që i kemi bërë për Kosovën, i kemi bërë me shumë dashuri”, u shprehën mërgimtarët.
Për pjesëmarrësit u shfaq edhe një program i pasur artistik, në të cilin morën pjesë artistët nga Shkodra Bruno dhe Paskaulina Shllaku, si dhe anëtarët e shoqërive kulturore nga Mitrovica dhe Obiliqi.
Në kuadër të këtij aktiviteti është hapur edhe ekspozita e piktorëve nga Mitrovica dhe një ekspozitë shitëse e veshjeve tradicionale kombëtare shqiptare.
PEJË – SEMINAR MBARËKOMBETAR PËR MËSIMIN NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË
Ndërkohë, bëhet e ditur se, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të marrë pjesë në hapjen e punimeve të Seminarit të XI Mbarëkombetar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, i cili këtë vit do të mbahet në Pejë nga data 27 deri më 30 korrik.

Në këtë Seminar trajnues profesional, do të marrin pjesë rreth 140 mësues shqiptarë që punojnë me fëmijët në diasporë.
Hapja e punimeve të Seminarit bëhet të hënën, 27 korrik 2015, me fillim në orën 15:00.

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Mitrovica priti mergimtaret

KOSOVË- MËRGATA NDËR FAKTORËT MË TË RËNDËSISHËM

July 23, 2015 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, falënderon bashkatdhetarët/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Korrik 2015/ -Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka falënderuar bashkatdhetarët, të cilët në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, për dy ditë rresht vizituan ndërtesën e legjislativit.
“Falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët që vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë dy ditëve të shkuara. Ne takuam qindra bashkatdhetarë, që me zemër janë të lidhur pashkëputshëm me Kosovën, me të arriturat e dhe zhvillimet e saj. Për këto dy ditë, gjatë takimit me ta, dëgjuam shumë propozime, vërejtje e sugjerime për mbarëvajtjen jo vetëm të Kuvendit por edhe institucioneve tjera. Të gjitha këto do të jenë pjesë e politikës sonë shtetërore që mërgatën tonë ta kthejmë në njërin ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe integrimit evropian të saj”, thuhet në falënderimin e kryetarit Veseli.
Për herë të parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në mënyrë të organizuar hapi dyert për të gjithë mërgimtarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë ndërtesën e institucionit më të lartë legjislativ dhe të takohen me përfaqësuesit e qytetarëve.
Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend” u mbajt në 21 dhe 22 korrik 2015, nga ora 10:00 deri nw 16:00.
Pritja qendrore u organizua të mërkurën, në 22 korrik, në orën 11:00, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në të cilën kryetari i Kuvendit takoi grupe të mërgimtarëve dhe mbajti një fjalë mirëseardhjeje.
Të gjithë bashkatdhetarët që aktualisht gjenden në Kosovë dhe dëshironin ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës, ishin të mirëpritur dhe tw ftuar t’i bashkëngjiteshin këtij aktiviteti.
Në 1 korrik, Ministria kosovare e Diasporës organizoi një ceremoni, për të nderuar një nga personalitetet më të spikatura të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, Harry Bajraktari, për kontributin 30 vjeçar në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Pavarësisë së saj, si dhe një nga investitorët më të mëdhenj Shqiptaro-Amerikan.
Ceremoninë e nderoi prania e mysafirit special, mikut të shqiptarëve për mëse 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktarit, Kongresmeni Eliot Engel.
Kjo ceremoni shënonte edhe hapjen e aktiviteteve për Ditët e Diasporës.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Në 21 qershor, Kosova hapi fushatën për regjistrin e diasporës Ti je pjesë e atdheut – Regjistrohu edhe ti. Në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë me një aktivitet solemn përfaqësues të institucioneve dhe donatorëve prezantuan axhendën e kësaj fushate, e cila do të zgjasë për një periudhë tremujore, me aktivitete të ndryshme, në gjithë territorin e Kosovës. Bashkatdhetarët do të kenë mundësi të regjistrohen edhe në ekipet mobile nëpër qytetet e Kosovës.

Filed Under: Mergata Tagged With: Kryeparlamentari Veseli, mergata

MERGATA-VENDLINDJA:Fund epokës së mërgatës pa shtet

July 22, 2015 by dgreca

Veseli: Mërgata të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj. Mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun tonë të dashur, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës/
Ne Foto:Kryeparlamentari kosovar Veseli ne takimin me rreth 200 mërgimtarë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Korrik 2015/ I japim fund epokës së mërgatës pa shtet, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një pritje të veçantë në ditën e dytë të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”.
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, kryeparlamentari kosovar Veseli takoi rreth 200 mërgimtarë, duke atribuar atyre edhe meritën pse Kuvendi i Republikës së Kosovës sot bart këtë emër. Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë për të, kryetari Veseli tha se këto ditë vere janë të veçanta edhe për atdheun, kur ai ripërtërihet dhe rizbulon lidhjen e tij të fuqishme me bijtë dhe bijat e tij, që jetojnë dhe punojnë gjithandej botës.
“Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj të nderuar bashkatdhetarë”, u shpreh Veseli.
Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur regjimi i atëhershëm serb e dëboi gjithë popullin tonë nga sistemi institucional, shtoi kryetari Veseli, me mundin e bashkatdhetarëve Kosova ngriti sistemi e mbijetesës dhe rezistencës ndaj këtij regjimi.
“Dhe kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju të nderuar bashkatdhetarë, ishit të parët që ju përgjigjët thirrjes së atdheut. Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare, një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili. Mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër shtetet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, shumë humbën gjymtyrët e tyre. Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun. Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli tha se mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun e dashur dhe se, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke e konsideruar zhvillimin ekonomik si njërën nga sfidat kryesore të ditëve të sotme, kryetari Veseli tha se shteti ynë nuk mund të ecë përpara pa ndryshuar gjendja ekonomike, ndërsa stabiliteti makro-ekonomik ende varet në masë të konsiderueshme nga kontributi i drejtpërdrejtë i mërgimtarëve.
“Në anën tjetër, shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpeshëherë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës
“Duhet dhënë fund epokës së mërgatës pa shtet. Mërgata jonë duhet të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj. Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Në vazhdim, morën fjalën bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme, të cilët falënderuan kryetarin Veseli që hapi dyert e Kuvendit për ta, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër mjediset e legjislativit të vendit.

Në emër të komunitetit shqiptar në Itali, përfaqësuesi i këtij komuniteti, Xhafer Berisha, kryeparlamentarit Veseli i ndau mirënjohje.

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Mergata-Vendlindja, shteti, Veseli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT