• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORI “RRUGËTIMI” I ISMAIL VLORËS DHE FAMILJES VLORA, NGA PERANDORIA TURKE-OSMANE TE SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË!

November 18, 2023 by s p

NGA NDUE  BACAJ         

HYRJE:  

Për të përkujtuar sadopak me pendën time, shpallësin e pavarësisë së Shqipërisë,  (28 nëntor 1912) mendova që perveç shkrimeve të tjera  me histori patriotike e glorifikuese të shpallësit e shpallësve të pavarësisë, të shkruaj edhe “diçka” nga historia e “rrugëtimit” të  familjes “Vlora” dhe birit të saj Ismail Vlora nga perandoria Turke-Osmane te pavaresia e Shqipërisë. Si çdo histori “rrugëtimi” e familjeve të mëdha shqiptare , edhe te familja “Vlora” dhe Ismail Vlora ka jo pak  dritë e hije nën perandorinë pushtuese turke-osmane të cilës i sherbyen dhe për këtë u shperblyen me grada e ofiqe, por edhe u persekutuen sa herë ngritën krye në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë e Shqiptarëve… Akti i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora me shokët e tij të shqiptarisë, kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 robëri Turke-Osmane, tregon se drita e patriotizmit të Familjes Vlora e veçanarisht e Ismail Vlorës , dominon dukshëm  mbi hijet e sherbimit ndaj perandorisë turke-osmane…. 

FAMILJA “VLORA” NËN PERANDORINË TURKE-OSMANE. 

Si themelues i familje VLORA, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. Sipas Ismail Qemalit (Mahmudit), familja “Vlora”, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.1. Por familja “Vlora” ishte ndër shekuj edhe një nga familjet më besnike të perandorisë   Turke-Osmane , e për rrjellojë  edhe ndër më të pasurat dhe më të shperblyerat me grada, tituj e ofiqe turko-osmane. Sarajet e Vlorajve ishin të njohura jo vetem  në Vlorë , por edhe sarajet e Vlorajve të lagjes Pera të Stambollit e më gjërë.. Hierarkia e familjes Vlora në sherbim të shtetit turko-osman është shumë e hershme (siç shkruam më sipër), por në këtë portret pa “censurë”, mendova të cilësoi një “sherbim” të madh “konkret” të familjes “Vlora” të vitit 1571, kur në betejen (detare) antiosmane të ushtrive kristiane në Lepanto shquhen si luftëtar të mëdhenjë  Osman , Kara Sinan Ahmet  Pashë Vlora dhe Ali bej  Vlora.  I pari shperblehet  nga perandoria turke-osman me ofiqin e qeveritarit  sanxhakbej i Vlorës, ndërsa i dyti me titullin “bej”që sillte nderime e pasuri…2.  Gjithsesi vite e shekuj kaluan dhe familja “Vlora” u  rritë  me pasuri e ofiqe të shtetit Osman , gjë që kishte sjellur edhe smiren e shtetareve e pushtetareve të tjerë (lokal e qendror) Osman , ndaj në vitin 1820 gjyshit të  Ismail  Vlores i presin kryet me akuzen e një rebeluesi , që në fakt ky ishte “thjeshtë” kurbani i radhes i “smirës” turko-osmane , për të bërë zap hierarket dhe familjet e mëdha që kishin “lulëzuar” në prehrin e Stambollit. Pas kësaj edhe babai i Ismailit, (Mahmudi), u persekutua , duke e internuar e shpronsuar , gjë që zgjati për pak vite, dhe pas kësaj ju rikthyen privilegjet dhe pjesa më e madhe e pasurisë..3.  

HISTORI NGA JETËSHKRIMI I ISMAIL MAHMUD VLORËS !

Ismail  Vlora lindi me 16 janar të vitit 1844 në familjen “VLORA”, me baba Mahmudin (nga Vlora) dhe nënë Hedijen nga Gjirokastra.  Ismail Qemali fillimisht u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe  më pa u arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.4.  Karieren e tij Ismail Mahmud Vlora (në hierarkinë e lartë të perandorisë turke-osmane), e filloi  kryetar i komisionit të Danubit  e pastaj  guvernator i Varnes… Ndërsa në vitin 1877, kariera  osmane e tij kishte një tëposhte të  vogël, por pas pak koheve Ismaili u rehabilitua , dhe  perandoria osmane i beson  detyra të rendesishme në Gallipoli, gadishulli strategjik  buzë Dardaneleve. Ndërsa në vitet 1891-1892 Ismail Vlora bëhet guvernator i pergjithshëm  në Bejrut.. Për hirë të vertetes vlen të kujtohet se edhe në vitin 1900 kishte një tjeter “krisje”  në karieren  e  Ismailit , ku deri sa u “qetësua” situata  ky ishte strehuar në ambasaden angleze në Bosfor… Por  me gjithë këto “krisje” veprimtaria e Ismail  Mahmud  Vlorës  në favor të shtetit Osman,  kishte qënë gjithnjë e vlersuar dhe shperblyer nga perandoria dhe sulltanet e saj.  Për të vertetuar ketë po kujtoj se vetëm në arkivin e familjes “VLORA” në Itali ruhen gjashtë fermane të firmosura  nga  Sulltani Abdyl  Hamiti II ,gjatë viteve  1885-1900 , ku për Ismail  bej  Vloren shkruhet me konsideraten më të lartë  per kryerjen e detyrave  që ja kishte ngarkuar shteti Osman. Madje në këto fermane qartësohet se perveç titullit bej të trashiguar , i jepej edhe titulli “QEMAL”, që do të thotë (në osmanisht..) i shkleqyer , shkelqësi apo i ndritur , titull që më pas  i  zevendeson emrin e babes, duke e “quajtur “ jo më Ismail Mahmud bej Vlora , por  Ismail Qemal bej Vlora… Nga kjo familje e madhe dallohet për një kariere  të pasur në favor të perandorisë Osmane  edhe  djali i xhaxhait të Ismailit, Mehmet Ferit  Pash Vlora  , i cili kishte qënë kryetar i senatit Osman , si dhe vezir i madh i perandorisë turke-osmane në vitet 1903-1908.. Gjithashtu  Syrja bej Vlora që ishte i njohur e respektuar në Stambollë për inteligjencen , pasurinë  dhe sherbimet ndaj perandorisë, edhe ky ishte djali i  xhaxhait të  Ismailit… Zgjedhjet e vitit 1908  e bënë Ismail  Vloren kreun e një grupi deputetesh  shqiptar  në parlamentin Osman. Ai u bë kundershtar  i  xhonturqeve  dhe kjo i  krijojë mundësi që me 13 prill 1909 Ismail bej Vlora të bëhet figura kryesore e politikes turke .  Kjo ndodhi pasi repartet e ushtrisë në Stambollë u rebeluan kundër turqeve të rinjë, të cilet u larguan perkohësisht… Në këtë kohë  Ismail  Vlora u zgjodh  perkohësisht Kryetar  i  Kuvendit Turko-Osman.  Gjatë ditëve që mbajti këtë post  Ismail  Vlora u takua në një atmosferë të perzemert me sulltanin Abdyl  Hamiti II.. Kur  xhonturqit (“turqit e rinjë”) e rikthyen situaten në favorin e tyre  Ismail  Vlora mbeti thjesht deputet i Vlores…Kur  në trojet e Malesisë së  Madhe e më gjërë krisi pushka e kryengritësve kundër turko-osman (1911) , Ismail  Vlora  nuk bëri shurdhin , por i dëgjoi këto krisma , duke ardhur  të  takohej me udhëheqësit malësor të kësaj kryengritje Dedë Gjon Lulin. Edhe në Kuvendin e Greçës (10-23 qershr 1911) , Ismail Qemali në pamundësi për të marrë pjesë vet, ngarkon si perfaqësues të tij Sali Hoxhë Hidrin nga Elbasani… Ismail  Vlora për takimet e tija me udhëheqësit e kryengritjes antiotomane (1911), shkruan: “Në verën e vitit 1911 shkova në Cetinë për t’u takuar me krerët e Malësisë, të cilët ishin strehuar në Mal të Zi…Dëshiroj t’i shpreh mirnjohjen time Kral Nikollës, i cili më ndihmoi që të kryej këtë detyrë duke më pritur miqësisht dhe njerëzisht”.5. Ndërsa për kryengritësit malësorë Ismail Qemali do të thoshte: “Trima malësorë-shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën”.6.  Ismail  Qemali duke u mbeshtetur në  memorandumin autonomist  të Greçes 23 qershor  1911, nga fundi i këtij viti i kërkon parlamentit  turk  që në Shqiperi të bëhën reforma  dhe  shqiptarët të kenë një autonomi substanciale  nën kujdesin e “Portes së Lartë”… Ismail  Vlora  tashma duke parë  fundin e perandorisë turko-osmane , shprehte pa mendyshje  dhimbjen e tij të madhe  per shkatërrimin e pashmangeshem të perandorisë për të cilen kishte punuar  pa lëkundje per  ruajtjen e saj…7. Me këtë rast po vëmë në dukje  se Stambolli edhe pse në krizë ende kishte besim te “biri” i saj i shkelqyer (Qemal) , ndaj në vitin 1912  veziri i Madh Qamil  Pasha i propozonte  Ismail  Vlores  postin e kryetarit të Keshillit të Shtetit Osman. Për këtë post të ofruar Ismail  Vlora  thoshte se do ta kisha pranuar me deshirë , por tani është vonë…8.  Ndërsa në intervisten tjetër të dhënë  po gazetes austriake  “Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912  do të deklaronte se shqiptarët vazhduan ta duan Turqinë , dhe nuk ju  bashkuan  shteteve  ballkanike  kur mësuan atë që po ndodhte , pasi shpresonin se Gazi  Muhtari (ish veziri i madh) dhe Qemal  Pasha  do të ndiqnin një kurs të ri në Shqiperi…9.  Po kjo gazetë  (Neue  Freie Presse), qe ishte thuajse qeveritare (Austrohungareze) me daten 14 nentor 1912 shkruante se… fuqitë europiane  kanë perqafuar pikpamjen e shprehur  me forcë nga Austro-Hungaria  dhe të mbështetur  nga Italia e Gjermania,  se Shqiperisë duhet  ti  jepet  PAVARESI, ndaj shqiptarët të inkurajohen  të shpallin  jo autonomine , por pavaresinë…10.  Vlen të theksohet se gjatë këtyre ditëve  protagonist i mbeshtetjes të shqiptareve për pavaresi kishte qënë  ministri i jashtëm i Austro-Hungarise , konti  Leopold  Berchtold .. Në një takim të  Ismail  Vlores me kontin Berchtold , kur po diskutohej shpallja e pavarësisë së Shqiperisë , Ismaili Qemali i thotë (me diplomaci) Berchtoldit ; mirse flamurin e kam , por nuk kam shtizen ku ta naltoj , dhe flamurin pa shtize  e merr çdo erë që frynë.  Atëherë Berchtoldi i pergjigjet , per shtizen e flamurit shqiptar keni bajoneten Austriake..11.   Meqense Ismail Vlora nuk e zotronte gjermanishten, dhe duke qënë se kryesonte lëvizjen patriotike shqiptare për pavarësi, kur kishte shkuar në Vjenë për me ba bisedime në ministrinë e jashtme , thirren një përkthyes. Përkthyesi më i mirë që Austria çmonte asokohe ishte  Pater Anton Harapi, (studimet në filozofi e teologji i kishte krye në Austri), dhe kështu Pater Antoni mori pjesë në bisedimet ndërmjet Austrisë edhe delegacionit shqiptar të kryesuem prej Ismail Vlorës. Jo vetëm kaq, por ai e shoqëroi delegacionin shqiptar në nisje për në Durrës prej limanit të Triestës.12.  Ismail  Vlora pas ketij takimi (që nuk kishte qënë i pari) me ministrin e njëres nga perandoritë më të fuqishme të Europes së kohës , thotë se ndërroj perfundimisht mendje se Shqiperia duhej të shpallte pavaresinë dhe jo autonominë, siç e kishte menduar kur ishte nisur nga Stambolli për të ardhur në Vjenë… Me datën 18 nëntor 1912 (pas takimit me ministrin e jashtem të Austro-Hungarisë) , sapo doli nga takimi ku kishte marrë garancinë  e njohjes së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nisi për në Shqiperi një telegram (të publikuar nga Lef  Nosi), me fjalet: “ E ardhmja e Shqipnisë  asht sigurue…”. Sic shihet telegrami eshte shkruar në gegnisht , gjë që tregon se është bërë nga Luigj  Gurakuqi apo… , që e   shoqëronin  Ismail  Vloren ne takimet  nëpër Europë e veçanarisht në ato me Vjenen zyrtare..(Siç dihet Ismail Vlora ishte zgjedhur në krye të kesaj axhende shqiptarie edhe në respekt të komunitetit musliman që perbënte shumicën e popullsisë së Shqiperisë). Është pikrisht Austro-Hungaria që Ismail  Vlorës së bashku me 14 veprimtar të tjerë, të çeshtjes shqiptare u vë në dispozicion një nga  anijet më të mira të Llojdit “Austriak”… Mbasi për historinë e këtij  udhtimi është shkruar shumë , po kujtoj vetëm se rrethanat historike penguan shpalljen e pavaresisë se Shqiperisë  nga Durresi dhe favorizuan shpalljen e pavaresisë me 28 nentor 1912 nga Vlora  pesemijë- banorëshe.. Kur u shpall pavaresia  nuk kishte asnjë km2 Shqiperi pa pushtues (serb, malazez, grek e turq,..). Edhe në vendin ku u shpall pavaresia gjindeshin reparte  ushtarake turke. Zona që mund të quhej se “shijojë” shpalljen e pavaresisë nuk i kalonte pesëmijë km2 dhe ishte në “sehirllekun” e ushtrisë së falimentuar turke … Megjithë këtë, akti i shpalljes së pavarësië bënte fjalë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hynte Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi…13.  Në perkujtim e nderim të ditës së shpalljes së pavarësisë mendova të publikoj të plotë fjalën e Ismail Qemalit në mitingun e madh të mbajtur me me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar me 28 nëntor 1912 në Vlorë:  

VËLLEZËR  SHQIPËTARË!

Oh, Sa të lumtur që e e ndiej vehten sot, që shoh këtu në Vlorë , kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhje hstorike, për fatin e Atdheut tone të dashur.  Plotme gaz e me lot ndër syn ga mallëngjimi , pra po dal këtu para jush që t’ji gëzoj me sihariqin e madh , se sot, edhe këtë minut, kongresi (kuvendi) shpalli mvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndërr më duket ky ndryshim i madh i vendit tone, që hoqi e vuejti të zezat e ullirit pesëqind  vjet me radhë ndënësundimin turk, por që tani kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e çfarosej krejtësisht nga faqja e dheut, kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj;  kjo Shqipëri që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekshëm të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurt kundër sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasë Turqija.  Mirpo, desh  Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqiptarëvet, sot e turje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tone, sepse, këtu e kështu , jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj qeshni e gëzoni. 

Për t’ia arritur kësa dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve tanë dhe e të atyre që muarën pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gazi i madh që ndieni;  mirpo mbledhja sim ë plak që jam, ma ngarkoi mua, Ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të flamurit tone të ëndërruar e të dashur (njerrë flamurin, të cilin e ka vendosur në një shizë hekuri, natyrisht të vogël dhe të fhaehur nën pallto, dhe pasi e mbanë një ekond në dorë e ngulë në shtyllat e ballkonit. Të pranishmit, porsa e shohin  Flamurin , thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria e Lirë).  Ja, pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjës dykrenare të zezë në mes. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trip i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, pë t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të Lirë.

Duke përfunduar, s’më mbetët gjë, veçse t’i dërgoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij, të na  japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje që të jem unë dëshmitari më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puthë e ta bëjë të valvitet i Lirë, Flamuri ynë, n’atdheun tone të lirë. Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria.14.  

Në këto kushte të vështira u  formua edhe qeveria shqiptare (e pavaresisë) me kryetar Ismail Vlorën dhe N/Kryetar Dom Nikollë  Kaçorrin… Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur Dedë Gjon Lulit iu dha mundësia  të shkoi në Vlorë, e të takoi shpallësit e pavarësisë, Ismail Qemali pas takimit  do të deklaronte se: “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.15.  Ismail  Vlora qëndroi si kryeminister i Shqiperisë deri me 22 janar 1914, (12 muaj e 56 ditë), kur dha dorheqjen…Gjatë qëndrimit si kryetar i qeverisë Ismail Qemali ka një aktivitet me vlera kombëtare e ndërkombëtare të rëndësishëm. Nga ky aktivitet mendova të “shkëpus” fare pak me këtë “rast”: 

Dokumenti nr.265, i datës 2 janar  1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin  t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare  gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë  kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”.  Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.16.   Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë  telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit…  Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jashtë kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër  e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…17.   

“HISTORI” PËR SHKAQET E DORHEQJES TË ISMAIL QEMALIT: 

Shkaqet e dorheqjes me 22 janar 1914 ishin me “shumë hije” e pak lavdi… Ismail Qemal Vlora  u akuzua si  i implikuar në tentativen që xhonturqit ndërmorën për të vendosur princin turk , Ahmet  Izet Pasha në fronin e Shqipërisë. Për këtë gjë ishte  paditur  nga kushriri i tij Syrja bej Vlora në Komisionin Ndërkombetar të  Kontrollit , që kryesohej nga oficer hollandez… Me 7 janar oficeri xhonturk me origjinë shqiptare  Beqir  Grebeneja , i cili kishte marrë persiper realizimin e vendosjes  së princit turk në fronin e Shqiperisë , sapo mbërriti në Vlorë  u arrestua nga oficerët hollandez të  KNK-së , ndërsa ushtarët dhe oficerët që ndodheshin në anije nuk u lejuan të zbrisnin…Në gjyq oficerët turq  dekleruan se kishin ardhur në Shqipëri me miratimin e kryetarit  të qeverisë  së perkohshme , per të mbështetur kandidaturen  e Ahmet Izet Pashes  për fronin  shqiptar të princit. Pra marshalli (Beqir Grebeneja N.B.) sipas këtyre oficerve turq kishte vepruar në marreveshje të plotë me Ismail Qemal Vloren…18.  Ndërsa vet Beqir  Grebenes ju gjeten 35 telegrame të cilat pasi u zbërthyen dhe vlersuan nga Komisioni Nderkombetar i Kontrollit , u  vertetua  se  Ismail  Vlora ishte  implikuar… Shkelqësia e këtij beu (Ismail Vlorës) do të shkonte në Europë  dhe do të bisedonte  me Ahmet  Izet Pashen  në një qytet të vogel….(të panjohur) dhe do të lajmronte datën e nisjes .. Por siç  kuptohet, kur ata u binden se naltësia e tij Princ Vidi do të vinte patjeter në fronin e princit shqiptar , është hequr dorë  nga ky takim dhe është  filluar nga veprimtaria…19.  Edhe konsulli bullgar në Vlorë ,  Pavllovi  informonte ministrinë e tij të jashtme , se Ismail  Vlora është kompromentuar sonte , ndaj i ka paraqitur  KNK-së  dorheqjen e cila është pranuar..20.  Edhe “historiani” Arben  Puto e pranon disi këtë variant të implikimit të Ismail  Vlores, kur shkruan se KNK-ja  gjeti në komplotin  e Beqir  Grebenes  një pretekst me anë të cilit  e detyruan Ismail Vloren të japë dorheqjen..21. –Ismail Qemali u akuzua edhe se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone,  një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.22.  Ismail Qemali pas largimit nga Shqipëria e kalonte kohën duke u marrë ma shumë se me çdo gjë  me intervista nëpër medie të shkruara europiane…Vlen të shënohet se Ismail Qemal Vlora edhe pse kishte vite që e kishte lënë qeverisjen e Shqipërisë, komuniteti i fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “VATRA”, e kishin caktuar për të perfaqësuar ata dhe Shqipërinë në Konferencen e Paqes në Paris. Patrioti 75 vjeçar u nis me vendosmeri të “parashtronte në Konferencë  kerkesat dhe të drejtat e Shqiperisë”, por Gjatë rrugës, në Peruxhia -Itali, ai pësoi një hemoragji dhe vdiq më 24 janar 1919…23.  

ISMAIL VLORA  DHE FAMILJA E TIJ…! 

 Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek…. Nga martesa e dytë Ismail Vlora pati nëntë  fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej…Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Vlorës që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u sëmurë nga turbekulozi dhe vdiq në moshën 55-vjeçare…24.  Megjithë këtë akti patriotik i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora (me shokët e tij të shqiptarisë), kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 viteve robëri Turke-Osmane, janë vepra patriotike të pavdekshme të Ismail  Vlorës… 

REFERENCAT: 

1.https://telegraf.al/dosier/familja-vlora-afro-350-vjet-ka-qeverisur-vloren/28 Nëntor, 2014.  

2.Darling Vlora ; Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 13997. 

3.Darling Vlora, Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 1997. 

4.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

5.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, fq.185-187, Gjonlekaj  Plublishing Co. New York 2004.

6.Koli Xoxe, “Ismail  Qemali”, fq.201, Tiranë 1983. 

7.Interviste  e  dhene gazetes , ” Neue Freie Presse”,date 8 nentor  1912  nga I. Vlora. 

8.Interviste e dhene nga    I. Vlora ne “The Christian Science Monitor “ te dates 18 mars 1916. 

9.Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912. 

10.Neue  Freie Presse  e datës 14 nentor 1912.  

11.At Zef Pllumi , Rrno vetëm për me tregue  fq.410, sh,b.”55”, Tiranë 2006. 

12.At Zef  Pllumi, Histori kurrë e shkrueme, fq.517, sh.b.”55”, Tiranë 2006.

13.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

14.AQSH I RPSSH F.245/II. D.1.  F.43 (kopje shqip), Ismail  Qemali, Përmbledhje dokumentesh, fq.231-232, perg. nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

15.Pandi  Rrumbullaku , Dedë Gjon Luli, pushkë e ngrehur për Shqipërinë, gaz. Luftëtari, dt.25 shtator 1980. 

16.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.  perg. Nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

17.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

18.Eqerem bej  Vlora ,Kujtime 1885-1925, fq.356,  botim i shtepisë se librit e komunikimit ,Tiranë 2003. 

19.AQSH ,Fondi 56 viti 1914 ,dos.30 ,f.24 ,leter e Syrja bej  Vlores derguar djemve të tij.. 

20.Dok. Bullgare. AIH,A-IV-271 f.23..  

21.Arben  Puto ,Pavaresia  shqiptare në tryezat e diplomacies 1912-1914, fq.219-220 ,Tirane 2007. 

22.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

23.Gazeta Dielli, nr.5, date 25 nëntor 1988.

24.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017.

Filed Under: Opinion

EKZEKUTIMI KOMUNIST I  INTELEKTUALEVE SHQIPTAR 28 TETOR- 17 NËNTOR 1944

November 17, 2023 by s p

BESIM NDREGJONI/

U  mbushen 79 vite kur u krye masakra masive në Tiranë nga data 28 tetor deri me 16 nëndor 1944. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani… Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. (AQSH, F.14, d. 2/Av.1944.) Natyrisht, ky genocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha.Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Në njësitin terrorist merrnin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë që ishin sjellë në Pezë nga D.Mugosha: Papa Hasani nga Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, që sipas dokumentit të Arkivit të Shtetit, f.279, d.10,Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Këtë intelektual i lauruar në Austri dhe Vatikan dhe nacionalist të njohur sipari i masakrës masive hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën.“Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenjos. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në Rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar, bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret. Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. i shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri.Po atë natë terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg. Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëritjetrin në një përrua pesë viktima të tjera: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafiz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!” Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, gazetarin, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak.Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës.. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrave të tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist, që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. 39 intelektualë shqiptarë, mes të cilëve, deputetë, gazetarë, juristë, ushtarakë, por edhe studentë, u pushkatuan në rrethinat e Tiranës, midis datave 28 tetor dhe 16 nëntor 1944, në emër të “Pushtetit Popullor”

Në 65 vjetorin e vrasjes së intelektualve Ambasadori i SHBA-së, John Withers e cilësoi makabre ngjarjen e ndodhur 65 vjet më parë, duke u shprehur se “ata u ekzekutuan vetëm sepse i shërbenin borgjezisë anglo-amerikane dhe jo proletariatit. Kjo mund të jetë një përgjigje midis një debati, por jo t’i merrej jeta atyre”.
Ndër të tjera, ambasadori Withers bëri një paralelizëm mes “të djeshmes” dhe “së sotmes”, ku beteja e njerëzve me ideale, sipas tij, duhet të jetë më aktive.
“Beteja që ata intelektualë u përballën dikur, është e njëjta me atë që po përballemi edhe sot. Sa herë që shohim censurë nga qeveria, duhet t’a kundërshtojmë atë, ashtu edhe kur kanoset apo intimidohet shtypi i lirë. Ne duhet t’i ndalojmë të gjitha këto akte. Ne nuk mund t’i japin pavdekësinë atyre, por përkushtimin tonë në nderim të intelektualëve që sakrifikuan jetën për ato ideale”, tha Withers. 

Kush ishin 39 intelektualët!? Ata ishin në Tiranë , në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar, dhe jo në shërbim të pushtuesve! Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesin! Ata  i shërbenin shtetit të tyre, dhe pse ishte luftë, ata ishin në shërbim të qytetarve shqiptar! Njihuni me cv e tyre.

Foto: Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK

. 

I 

. 

.    

.

FAIK SHKUPI

NDUE PALI

MINELLA KOTKOCI

FARI DOBULLA

Filed Under: Opinion

Dom Nikollë Kaçorri, atdheu dhe kisha

November 16, 2023 by s p

Çelo Hoxha/

Në 28 nëntor 1912 nisi thurja e narrativës shtetërore shqiptare, e cila është rrëfyer e vazhdon të rrëfehet e shmangur nga boshti i krijimit origjinal. Shumë rrallë, në mos hiç, është thënë që Shqipëria nuk do të ishte krijuar, nëse pjesa dërrmuese e popullsisë do të kishte ngritur krye ndaj diskriminimit pozitiv. Kjo dëshmohet qartë nga procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës në lidhje me krijimin e kabinetit të parë. Për shkak të autoritetit të kryetarit dhe mirëkuptimit të delegatëve votimi për qeverinë rezultoi formal, por përfundimi ishte më i miri i të mundshmes.

Kryetari i qeverisë kishte menduar që në kabinetin e tij të përfshinte figura të njohura në Shqipëri e jashtë saj dhe, njëkohësisht, të pëlqyera nga Europa dhe Stambolli. Me këtë ide në mendje, në 3 dhjetor 1912, në mbledhjen e katërt të Kuvendit Kombëtar, Ismail Bej Vlora paraqiti përpara delegatëve gjashtë emrat që ai mendonte se i plotësonin të gjitha kushtet. Zoti Jorgji (Babë Dudë) Karbunara shprehu keqardhjen që në listën e kryetarit të qeverisë nuk gjendej asnjë i krishterë. Pandeli Cale, Dhimitër Berati, dhe Qemal bej Elbasani, u solidarizuan me shqetësimin e tij. Në mbledhjen tjetër, të nesërmen, Ismail beu propozoi një mënyrë të re për zgjedhjen e ministrave, duke thënë: “Fuqinë që e kam unë në këtë çështje j’a le kuvendit… Kuvendi le të sgjedhë tetë veta, jo shtatë siç kishim thënë, që të jenë katër të krishterë e katër musulmanë.” Dhe ashtu u bë.

Votimi respektoi këshillën e babait të Shqipërisë. Pas votimit, kabineti i parë në historinë e shtetit shqiptar kishte katër anëtarë myslimanë dhe katër të krishterë. Sipas procesverbaleve, në termin kabinet nuk përfshihej posti i kryeministrit dhe zëvendësit të tij. Dom Nikollë Kaçorri, nuk u zgjodh me votim nënkryetar i qeverisë, por ai ishte një figurë që nuk mund të lihej jashtë kabinetit në asnjë mënyrë dhe për asnjë asrye.

Dom Nikollë Kaçorri lindi në 1868, në fshatin Krej të krahinës së Lurës, në një familje laramane – një pjesë katolikë, një pjesë myslimanë. Me propozimin e abatit të Mirditës, prindërit e dërguan në shkollën e jezuitëve në Shkodër që, kur të rritej, të bëhej meshtar i kishës katolike. Pas seminarit jezuit, Nikolla shkoi në Itali për të vazhduar studimet në shkollën teologjike të propagandës Fide. Pas studimeve të larta, në 1890 u shugurua prift. Tre vjet më vonë ai u emërua famullitar në kishën katolike të Durrësit. Më vonë u emërua zëvendësarqipeshkv. Me disa ndërprerje të shkurtëra, për 24 katër vjet, derisa sa vdiq në 1917, punoi në shërbim të kishës.

Edith Durham e përshkruan “interesant” takimin me priftin katolik të Durrësit, të cilin e takoi gjatë vizitës së saj në Shqipëri, 1904, ndërsa priftin si “një njeri të errët, me sy të kthjelltë, që të gjitha energjitë e tij ia kishte kushtuar fesë së tij, ashtu siç ishte porositur nga stërgjyshërit e tij të cilët nuk do t’ia falnin fajin po të bënte lëshimin më të vogël nga rruga e drejtë.”

Durrësi i rinisë së Nikollë Kaçorrit ishte thuajse një qytet i huaj, pa asgjë shqiptare veç banorëve. Sipas historianit Hajredin Isufi, në fund të shekullit të 19-të Durrësi ishte një qytet modest me rreth 600 familje (afësisht tre mijë banorë), nga të cilat rreth 360 i përkisnin besimit mysliman, rreth 200 besimit ortodoks dhe rreth 40 besimit katolik. Në 1897, në qytetin e Durrësit kishte 5 shkolla fillore të huaja: dy turqisht, për myslimanët, dy greqisht, për ortodoksët dhe një italisht, për katolikët. Gjithashtu kishte dhe një shkollë plotore në turqisht (ruzhdie), një shkollë fetare në arabaisht dhe asnjë shkollë shqipe. Në gjithë sanxhakun e Durrësit kishte 48 shkolla turke, 2 greke dhe një italisht; gjithsej 51 shkolla, prej të cilave asnjëra në shqip.

Edit Durham jep këto statistika për Durrësin në fillim të shekullit të ri: “Prej të 1000 shtëpive që ka Durrrësi vetëm 120 janë katolikësh.”

Dom Nikollë Kaçorri u vendos në Durrës në 1893 e në këtë periudhë nis dhe veprmitaria e tij e shumfishtë: prift në kishë, mësues në shkollën e ngritur nga Austro-Hungaria dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare ku mundej. Një nga nxënësit e tij në shkollën e Durrësit e kujton Dom Nikollë Kaçorrin si të parin person “që na kalli në zemër atdhedashurinë”.

Përdorimi i shqipes në shkolla nuk pengohej vetëm nga Porta e Lartë dhe Patriakana, mungesa e një alfabeti të njësuar ishte një pengesë e madhe. Shoqëri të ndryshme shqiptare ose organe të ndryshme shtypi, të cilat botoheshin kryesisht jashtë trojeve shqiptare, përdornin alfabete të ndryshme. Shoqëria e Shkronjëzave të Stambollit, Shoqëria Gjuhësore Bashkimi, dhe Shoqëria Letrare Agimi përdornin alfabete të ndryshme. Dy shoqëritë e fundit vepronin në komunitetin katolik në Shqipëri dhe kishin mosmarrëveshje me njëra-tjetrën në lidhje me alfabetin. Për të shmangur përçarjen e mundshme të komunitetit katolik shqiptar, në 30 prill-5 maj 1902 u mbajt Konferenca Gjuhësore në Shkodër, me qëllim a) caktimin e alfabetit unik të gjuhës shqipe, b) përcaktimin e drejtshkrimit të përshtatshëm dhe c) formimin e shoqërisë për përhapjen e shkrimit shqip. Nga të gjithë pjesëmarrësit, Dom Nikollë Kaçorri vlen të veçohet: ai ishte për alfabetin e Stambollit, nuk e firmosi letrën që u propozua t’i dërgohej Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë dhe ishte pjesëmarrës i padëshiruar nga organizatorët, të cilët bënë presion që ardhja e tij të anullohej. Dom Nikollë Kaçorri dëshironte një alfabet që nuk do të krijonte “përçarje me shqiptarët toskë”. Kjo çështje, në fakt, u zgjidh gjashtë vjet më vonë, kur Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete, të cilat më vonë u shkrinë natyrshëm në një, në alfabetin që përdorim sot: me parimin fonetik të Stambollit (toskëve), dhe parimin e Bashkimit (katolikëve) për krijimin e diftongjeve me gërma latine. Pak a shumë, gjërat u zgjidhën ashtu siç dëshironte Dom Nikollë Kaçorri, në interes të bashkimit kombëtar.

Dom Nikollë Kaçorri bëri përpjekje dhe për botimin e alfabetit të Konstadin Kristoforidhit. Nga alfabeti nuk gjenden gjurmë në shkrimin e shqipes, por është dëshmi i përpjekjeve të shqiptarëve për të shkruar gjuhën e tyre. Djemtë e rilindasit të madh, të cilët zotëronin alfabetin e babait, ia shitën atë qeverisë greke, aty nga fundi i vitit 1900, për 170 napolona flori dhe 75 ekzemplarë të veprës së botuar. Nën presionin e patriotëve shqiptarë, mes të cilëve dhe Dom Nikollë Kaçorri, Stefan Kristoforidhi e denoncoi marrëveshjen me Greqinë, por qeveria greke nuk e ktheu dorëshkrimin. Kristoforidhi u arrestua nga xhandarmëria osmane dhe mes sendeve të konsfiskuara ishin dhe disa libra shqip. Sipas raportimit të zëvendëskonsullit grek në Durrës, burimi i librave shqip ishte Dom Nikollë Kaçorri. Kështu ai hyri në listat e shtetasve të dyshimtë të Perandorisë Osmane.

Duke shfrytëzuar dashamirësinë e Vjenës për kulturën shqiptare dhe marrëdhëniet e tij të mira me konsujt e austro-hungarezë në Durrës e Shkodër, Dom Nikollë Kaçorri ishte personi kyç për futjen e librave shqip në Durrës. Ekzemplarët e gazetës Albania të Faik Konicës, e cila kishte dilte që prej 1896, mbërrinin në adresën e famullisë së Durrësit. Dom Nikollë Kaçorri bëri të pamundurën për të shtirë në dorë, sa mësoi ekzistencën e tij, një libër të titulluar Historia e Shqipërisë. Me ndihmën e Vjenës, ekzemplarët e parë të librit që “ndikonte shumë për bashkimin kombëtar, përmes traditave kombëtare që përcillte” mbërrinë në Durrës në mesin e marsit 1899.

Problemi tjetër, veç mungesës së teksteve, ishte leximi i kufizuar i tyre. Dom Nikollë Kaçorri krijoi një grup të vogël personash që dinin shkrim e këndim dhe, në mungesë të shkollave shqipe, ata filluan të bënin lexim të matrialeve shqip në grupe të vogla. Konsulli austro-hungarez në Durrës vërente se “libri shqip në Durrës shpërndahej si një trakt me rëndësi, duke kaluar dorë më dorë.” Punën e patriotëve shqiptarë, propaganda greke, me burime financiare më të bollshme, mundohej ta konkuronte me shpërndarjen e gazetave falas, siç ishte gazeta Astir, e cila dilte në shqip, por me alfabetin grek. Shqiptarët morën menjëherë masat e tyre për t’iu kundërpërgjigjur dhe bilanci i betejës gjendet në një raport të konsullit austro-hungarez në Durrës: gazeta Astir u braktis nga të gjithë lexuesit ortodoksë, katolikë apo myslimanë. Në këtë periudhë nisi të vinte në Durrës Drita e Shahin Kolonjës, e cila vinte nga deti, me varkat e ulqinakëve dhe durrsakëve, por dhe me karvanet e kuajve që bënin tregëti. Gjurmët e këtij komunikimi gjenden dhe në letrat që durrsakët dërgonin në redaksinë e gazetës në Sofje, mes të cilëve shkruante dhe vetë Dom Nikollë Kaçorri.

Dalëngadalë, veprimtaria e Dom Nikollë Kaçorrit, veç detyrës së kishës, filloi të zhvendoset gjithnjë e më shumë nga kulturore në politike. Kontakti direkt i priftit me gjendjen e vështirë ekonomike e banorëve të juridiksionit fetar të Durrësit mendohet se ka qenë nxitja kryesore e përfshirjes së Dom Nikollë Kaçorrit në politikë, megjithëse edhe veprimtaria arsinore në gjuhën shqipe kishte dimesionin e saj politik. Ekonomia shqiptare në fillim të shekullit të 20-të ishte thuajse agrare dhe mirëqenia e banorëve nuk varej krejtësisht nga përpjekjet e tyre. Për shebmull, vera e vitit 1900 u shoqërua me një thatësirë ekstreme dhe për pasojë hambarët e zahiresë mbetën bosh. Gjatë dimrit njerëzit trokitën në dyert e kishave me fëmijët për dore, të dyja palët e kishin të shkruar urinë në fytyrat e tyre thatanike. Klerikët ndodheshin në gjendje kritike dhe nuk kishin shumë mundësi për ndihmë. Kisha iu dretjua Vjenës, nën mbrojtjen e së cilës ishte, por ajo nuk pranoi të ndihmonte, me shpjegimin se nuk ishte në gjendje të përballonte shumën financiare që iu kërkua. Pa përgjigjes negative të perandorisë, Dom Nikollë Kaçorri kontaktoi kosullatën italiane në Durrës, e cila u tregua e gatshme. Kështu filloi të cilësohej si agjent i Italisë, në raportet e diplomatëve austro-hungarezë, prifti shqiptar që trokiti ku mundi për të siguruar ushqim për njerëzit e uritur.

Varfëria dhe detyrimet e taksave për t’u paguar krijuan tension mes banorëve dhe administratës osmane që rezultoi me kryengritje të shpeshta gjithë juridiksionin e Durrësit, ku mund të veçohet qëndresa e Kurbinit, e cila vazhdoi, me ulje ngritje, disa vjet. Klerikët katolikë, mes tyre Dom Nikollë Kaçorri dhe famullitari i Laçit, At Shtjefën Gjeçovi, mbajtën anën e kryengritësve, të cilët udhëhiqeshin nga paria e lokaliteteve, dhe për këtë iu desh të dilnin dhe kundër Vjenës. Administarata osmane e Durrësit kishte dijeni për veprimtarinë e Dom Nikollë Kaçorrit dhe kishte tentuar ta arrestonte që në 1903, si “kundërshtar i urdhëresave të qeveritarëve osmanë në Durrës dhe kundërshtar i sulltanit,” por pa sukses. Ndërkohë kishte nisur dhe procesi hetimor nga prokuroria osmane. Dom Nikollë Kaçorri i shmangej hetimeve duke shfrytëzuar të drejtën ekumenike që një klerik nuk mund të thirrej për hetime në një zyrë civle. Në vjeshtën e vitit 1905, ai organizoi tre kuvende në Delbnishit, me krerët e Kurbinit, i pari në vjeshtë 1905, i dyti në maj dhe i treti në gusht 1906. Kërkesat e kuvendeve ishin të karakterit lokal, me ndryshime në përshtaje me fazën në të cilën ndodhej rezistenca. Në kuvendin e dytë, për shembull, i kërkuan armë Vjenës, e cila e refuzoi kërkesën. “Shpirti i qëndresës antiosmane të Kurbinit dhe frymëzuesi i luftës së armatosur të kurbinasve”, tashmë ishte larguar nga Durrësi dhe strehohej në fshatra, kryesisht në zonën e Kurbinit. Qëndresa e kurbinasve vazhdoi, shpesh me luftime të ashpra, por në fund, të ndodhur nën presionin e Stambollit dhe të Vjenës, në 29 prill 1907, rezistenca rreth katërvjeçare mori fund me marrëveshjen e Milotit, e cila, sigurisht, nuk u respektua nga pala e administratës osmane.

Për Dom Nikollë Kaçorrin, vitet që pasuan deri në shpalljen e pavarësisë ishin të ngjeshura me veprimtari politike me format kombëtar. Në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, ai shkoi me staturën e një veprimtari të rëndësishëm për lëvizjen kombëtare, i cili kishte dhënë mësime shqipeje, kishte përhapur librin shqip, kishte furnizuar kryegritësit me armë, kishte udhëhequr kryengritjet, me pak fjalë, kishte punuar për kombin në të gjitha format. Në Kongresin e Dibrës, në verën e 1909-ës, pjesëmarrja e Dom Nikollë Kaçorrit dhe delegatëve të tjerë të Durrësit u minua nga administrata osmane e qytetit, e cila e konsideroi të parregullt mbledhjen që caktoi delegatët. Dom Nikollë Kaçorri reagoi rreptë, e dorëzoi mandantin e tij në mënyrë demonstrative. Kudo që bëhej kongres atëkohë, Durrësi e kishte delegat të padiskutueshëm Dom Nikollë Kaçorrin. Në Kongresin Arsimor të Elbasanit, sipas Hajredin Isufit, atij iu bë një pritje heroi: “Kur hyri Dom Nikollë Kaçorri në sallë, tërë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe e mirëseardhën me duartrokitje të stuhishme, që vazhduan për minuta të tëra.”

Në 1908 konsullata greke e vlerësonte priftin katolik të Durrësit si njeri me shumë ndikim jo vetëm në Durrës, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, i cili nuk e kishte ndërprerë asnjë çast punën në dobi të çështjes shqiptare dhe bashkëpunimin me patriotët e tjerë. Në këtë kohë ai e kishte sulmuar hapur qeverinë greke, në mitingje popullore, dhe veprimtarinë e saj për greqizimin e Shqipërisë.

I armiqësuar me austro-hungarezët, osmanët dhe grekët, mbështetja e vetme e Dom Nikollë Kaçorrit në këtë kohë kishin mbetur shqiptarët e pafuqishëm ta mbronin dhe Zoti që e vuri sërish në provë. Në 17 qershor 1910, nga një kontroll në Shijak i arkave të arkipeshkvisë, të cilat ishin nisur nga Durrësi për në Delbinisht, u zbuluan tre pushkë, 180 fishekë dhe një letër që mbyllej me thirrjen “Rrofshin kosovarët!” dhe firmën e famullitarit. Dom Nikollë Kaçorri u arrestua dhe u dënua nga gjykata ushtarake me katër vjet punë të detyruar. Gjatë bastisjes që iu bë banesës së tij, prifti ishte hedhur për t’i marrë armën xhandarit, por gjykata e konsideroi këtë thjesht një akt rebelimi dhe jo kundërshtim i organeve të ruajtjes së rendit publik. Në këtë gjykim ka një shfaqje fisnikërie, Dom Nikollë Kaçorri gjykohej politikisht dhe gjykata nuk preferoi ta vulgarizonte veprimtarinë e tij. Rezultati i këtij gjyqi ishte: dhjetë muaj më vonë, kur Dom Nikolla u lirua, u shtuan vizitorët në dhomën e tij pranë famullisë.

Periudha nga lirimi prej burgut, mars 1910, deri në shpalljen e pavarësisë, 28 nëntor 1912, mund të përshkrohet si kthim i Dom Nikollë Kaçorrit në veprimtarinë e tij bazë: udhëtime në krahina të ndryshme, organizime kryengritjesh, furnizim i luftëtarëve me armë, gjithçka në shërbim të arritjes së krijimit të shtetit shqiptar. Kur mbërriti në Vlorë ai zuri vend natyrshëm në krah të Ismail beut, në odën e pavarësisë dhe në qeveri.

Me vetëdijen se anëtarët e kërij kabineti do të përmendeshin dhe më vonë Shqipëri, baronesha gjermane Marie Amelie Frein von Godin, e cila ndodhej atëkohë në Shqipëri, u bëri nga portret të shkurtër gjithë anëtarëve të qeverisë dhe i botoi në një librë. Nënkryetarit të qeverisë, Dom Nikollë Kaçorrit, i janë kushtuar rreshtat më dashamirëse prej saj. Sipas saj, Dom Nikollë Kaçorri ishte i zgjuar, i shkolluar, plot jetë, i sjellshëm, me përvojë, përfaqësuesi i vërtetë i së drejtës në Qeverinë e Përkohshme, i vetmi që ndante, në një farë mase, drejtimin e kabinetit të parë shqiptar me Ismail beun, dhe i vetmi që kishte kurajon ta kundërshtonte atë.

Në 4 mars 1913, ai i dërgoi kryetarit të qeverisë një letër ku i kërkonte shpjegime në lidhje me ankorimin e një anijeje luftarake greke në skelën e Vlorës në 27 shkurt 1913. Ai ishte i shqetësuar që anija kishte ankoruar pa kundërshtime, ekuipazhi i saj kishte lëvizur lirisht në qytet dhe në anije kishin shkuar disa shqiptarëve të cilët kishin bërë të njëjtën gjë herët e tjera që anijet greke kishin ndalur në port, si pjesë e presionit ndaj Vlorës në kohën që zhvillohej lufta për mbrotjen, nga ana e shqiptarëve, dhe marrjen, nga ana e grekëve, e Janinës. Nënkryetari i qeverisë dyshonte se kryetari punonte, dhe këtë e shpreh dhe në letër, fshehtas nga ai. Përgjigja e letrës nuk dihet, por në 30 mars 1913 Dom Nikollë Kaçorri dha dorëheqjen nga detyra. Pas Mid’hat Frashërit në 14 mars, kjo ishte dorëheqja e dytë në kabinetin parë dhe gjithë historinë qeveritare të Shqipërisë.

Një vit më vonë erdhi në Shqipëri Princ Vidi. Sekretari i tij, D. Heaton Armstrong, shkruan në kujtimet e tij se Dom Nikollë Kaçorri, “një karakter tjetër interesant”, e mirëpriti monarkun e ri dhe i dha mbështetjen e tij; “ai u bë një nga udhëheqësit e pjesës nacionaliste ose demokrate dhe laujti një rol të rëndësishëm në qytet, megjithëse ndikimi i tij nuk njihej në qarqet qeveritare.”

Ai nuk mori më asnjë detyrë qeveritare, deri në fund të jetës së tij. Në vitet 1914-17 ai iu kështua lehtësimit të halleve të Shqipërisë në luftë: duke u kujdesur për viktimat, të cilat ishin njerëz të larguar nga terrori grek apo serb, të plagosur në luftime, të internuar etj. Në ndihmën e të plagosurve, për një kohë ai bashkëpunoi dhe me Baroneshën Marie Amalie Frein von Godin dhe Edith Durhamin, të cilat ndodheshin në Durrës. Në fillim të shkurtit 1917, ai u nis për një kontroll mjekësor në Austri dhe u kthye në Shqipëri 94 vjet më vonë, një grusht eshtrash në një qese. Vdiq në 29 maj 1917.

Pamja e kthimit të eshtrave të tij në atdhe, në 2011, ishte një karikaturë e atdheut që ai e kishte patur, siç shprehet baronesha Von Godin, më afër zemrës se kisha. Eshtrat e tij u kthyen me përpjekjet e kishës dhe jo të qeverisë shqiptare.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa libra. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të revistës, nuk janë përfshirë në këtë botim. Librat e konsultuar janë: Hajredin Isufi, Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kaçorri, Pegi, Tiranë 2008; Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë, 2007; Marie Amelie Frein von Godin, Nga Shqipëria e re, Botimet Koçi, Tiranë, 2007; Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Argeta-LMG, Tiranë 2009; D. Heaton Armstrong, Princ Vidi, Shqipëria gjashtë muaj mbretëri, AIIS, Tiranë 2008; si dhe fondi personal i Dom Nikollë Kaçorrit në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë.

Foto: wikipedia.org

Shenja/ 2012

Filed Under: Opinion

Lufta e Izraelit me Filistinët

November 15, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Betejat e para midis Filistinëve dhe Izraelitëve janë shkrojtur në Bibël, duke mos  lënë  vend për interpretime të zgjuara që shkojnë me orë të tëra pa ndërtuar dot një kasolle. Se Filistinët erdhën nga Greqia, Kreta dhe ishujt e saj në Kanaan , kjo nuk ka asnjë dyshim. Vetë heroi i tyre Goliath është vërtetuar historikisht se ka qenë grek. Disa arkeologë dhe   historianë mendojnë se dy popujt, palestinezët dhe izraelitët vijnë gjenetikisht nga Kanaanët, por kjo është hedhur poshtë nga disa arkeologë dhe historianë të tjerë. Megjithatë, ADN tregon se dy popujt kanë lidhje gjaku 50 përqind. Disa mendojnë se emri Palestinë u pagëzua nga Romakët, por kjo është tërësisht gabim. Emri Palestinë u përmend për herë të parë nga Herodoti në shekullin e V para Krishtit , duke u përdorur më vonë  dhe nga Romakët pas pushtimit të Izraelit nga Pompeu  në, vitin 63 para Krishtit. 

Sipas Biblës, populli i Gomorrah dhe Sodoma ka qenë një popull i zhvilluar, por shumë i shthurur ( më vonë, historianët dhe interpretuesit e Bibles, i quajten si dy qytete të Palestines), por nuk e besoj se ishin më të shthurur se sot. Skeptri i mërzitur ndëshkoi dy qytetet e“Palestinës”, Gamora e Sodoma, duke i bërë pluhur… Sipas disa studiuesve, flitet se për herë të parë, dy qytetet mëkatare u fshinë nga faqe e dheut prej lëndëve radioaktive…

Sipas Biblës, midis Filistinëve dhe Izraelitëve janë zhvilluar disa luftra, por ato që përmenden janë : Lufta e  Apek , Lufta e Eben-Ezez, Lufta e Miçmash, Lufta e David me Goliah, Lufta e Malit Gilboa , Fitorja e Hezekiah mbi Filistinët. Dhe kjo e fundit e udhëhequr nga mbreti Hezekiah qe dërmuese për Filistinët. Por a mbaroi lufta atëherë ? Kurrë! A u vendos paqe ndonjëherë në të gjithë këto shekuj? “Po!” Vetëm paqe e gënjeshtërt që fle si llava për tu rizgjuar më e zhurmshme  dhe më shkatërruese. 

Në vitin 1948 , Gjeneral  Ahmed Hilmi Pasha (Al Arnauti) u zgjodh Kryeministër i Palestinës. Gjen. Ahmed, mendohej se ishte shqiptar. I shquar për  trimëri, me zgjuarsi në poste të ndryshme të Perandorisë Ottomane, shpresohej të sillte paqen, por fatkeqësisht mandati i tij qe i shkurtër, ngaqë Izraeli filloi luftën me botën Arabe. David Ben Gurion (babai i Izraelit, i cili proklamoi me, 14 Maj 1948,  Pavarësinë e Izraelit), kish formuar IDF (Forcat e mbrojtjes Izraelite). Atëherë (në mos gabohem), Izraeli kishte vetëm dy avionë të vjetër që ishin riparuar nga vetë ata, por bëri një luftë të ashpër  me botën arabe derisa në, vitin 1949, nënshkroi armëpushimin me Egjiptin, Sirinë, Libanin, Transjordaninë dhe Irakun. Po në  vitin 1967,  Izraeli mundi Egjyptin, Jordaninë dhe Sirinë.… 

Le të mendojmë për një moment Izraelin pas Holokaustit bëri një luftë të tillë dhe në vitin 1967 ?! Po sot? Izraeli ka një popullsi prej gati 10 milion dhe në diasporë rreth 9 milionë. Me një ushtri të gatshme prej 170 000 mijë trupa aktivë dhe mbi 8000 komando dhe në këto momente mobilizoi nën armë  350 000 mijë trupa të armatosur me një armatim dhe teknikë nga më të lartat në planet, duke poseduar rreth 90 raketa bërthamore, gjashtë të supërfuqishme… Si mendojnë “opinionistët”…se ata nuk i kanë bërë mirë llogaritë  në një kohë që  përkrah janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Europa dhe aleatët e tjerë?! Unë them, po ! Deri në kataklizmo. 

Historiani nuclear Wellerstein, mendon se 100 supermbushje bërthamore mund të rrezikojnë seriozisht botën. Por, sipas shkencës, toka duke  qenë 148,326,000 kilometra katrorë duhen afërsisht, 1,059,471×1 koka megatonëshe bërthamore për t’a shkatërruar alemin. Shifër e paarritëshme nga marrëzia njerëzore dhe tregues shprese për njerëzit paqedashës që nuk e meritojnë Doomsday Clock.… 

Për gjeopolitiken dhe luftërat e kohës sonë ia kam lënë mikut tim, Kolonel Demiraj, ngaqë ai më bind plotësisht me  njohuritë e tij të thella ushtarake dhe  nuk mendoj se ka një ushtarak shqiptar të dytë për t’i përshkruar më bukur dhe më shkencërisht se ai. Por,  ajo që kërkoj ti jap lexuesit, është: luftë e filluar tre mije vjet më parë  nuk mund të pushojë aq kollaj sot, në një kohë që gjatë shekullit të kaluar të gjitha politikat botërore kanë dështuar dhe pse u morën dhe dy “Nobel Price”.  Lufta  ka dy tehe të mprehta: Judeja krenar për historinë si “popull i zgjedhur” në tokën e premtuar,  dhe nga ana tjetër, një popull i ardhur tremijë e ca vjetë në Kanaan, i cili  krijoi identitetin në  tokën që e quan legjitime. Kjo popullsi si dhe popullsia sllave e ardhur në tokat Dardane, pretenduan dhe pretendojnë të jenë autoktonë dhe me njëmijë e një mënyra propagandojnë tradicionin dhe etnografinë që padashur padisin veten se nuk kanë asgjë të përbashkët  me kulturën e popujve dhe tokave që kanë ozurpuar. Prandaj dhe Hamasi nuk e njohu kurrë Dardaninë!! Kostumet, artifaktet  ngjajnë më tepër me grekët, egjyptianët dhe popujt e “tjerë” se me popullin e Izraelit. Ka dhe mendime të tjera që personalisht më duket se janë fshirë nga koha. Parimisht, Palestina sido të jetë  ka krijuar një identitet miks arab, që e ruan me fanatizëm deri në krenari. Në këtë këndvështrim duhen respektuar dhe çmuar dhe pse dhimbja kalon në dy dyer. 

Momentet dramatike humanitare shkaktuar nga hipokrizia politike janë të pajustifikueshme. Politikanët nuk mendojnë të zgjidhin të vërtetën dhe mbi  të ndërtojnë të ardhmen e dy popujve, por mendojnë për një koridor të përkohshëm që ngjan me Kalin e Trojes, ku gjatë natës, besëprerët do të zbresin nga Kali për të bërë kërdinë ndërsa Kasandra e ka thënë fjalën e saj. Gardianët e medias vajtojnë për gazin, naftën, iluminatin, etj. Njëfarë mënyre pikiadë!. Siç e dijnë dhe foshnjet, luftërat krijojnë shkatërrime, viktima, boshllëqe, uri, vuajtje, e provuar matematikisht dhe shkencërisht, por në fund  fiton ai që është më afër Zotit. 

Gjatë luftës së dytë botërore, ndërsa popujt e tjerë mendonin për mbijetesë, dy shtetet e fuqishme Amerika dhe Anglia, mendonin për zona influence 50 vite më pas. Foshnjëria mendimtare shqiptare, ka molepsur “Kanalin e Suezit” në këtë luftë për ekzistencë. Sikur  ta kishim shpikur ne Algjebrën (fatmirësisht e ka shpikur, Muhamed ibn Musa al Khuarizmi 9 shekuj Anno Domini), sigurisht Kanali Suezit do ish molla e sherrit e këtyre ditëve, por sherri nuk filloi sot e dje ! 

Pa tepri, tradicioni  i epokës së bronzit nuk përkon me shekullin XXI. E megjithatë epoka e bronzit shfaqet me të gjitha nuancat   e frymëzimit primitiv: Priten fëmijët në fyt si kecat, grabiten e përdhunohen gratë e vajzat e vogla, masakrohen të pafajshmit në emër të Allahut, dhe pastaj mbushen sheshet  me pankarta suportimi?! Po cili Zot e ka shkrojtur për të grabitur, përdhunuar e vrarë? Ndërsa në emër të shkakut, pasoja lëshon shi bombash në qendra të banuara ?! Restoja kthehet në kafshëri dhe mizori apoliptike “moderne” dhe mbi kufoma   këndohet, “Israel, Israel , God is Calling”?! A duhet të jetë  krenar Yahweh ( Zoti i Izraelit) me masakrat e bijve te vet ndaj popullësisë civile? 

Mbase një Izraelit do më drejtohej, – sikur të ndodhte kjo në tokat shqiptare , çfarë do bëje ?! Krenar do përgjigjesha , – do përpiqesha të bëhem hero i gjallë në mos , martir !

Gjithmonë në këto raste, OKB ngjan me  mejhanë sarahosash të kollarisur me rrypa pantallonash mbi hartën e shkarravitur të planetit që propozojnë me zemërgjerësi hapjen e “koridoreve” për të kaluar “disa” maune që ngjajnë me  arnat e tashave te  Nastradinit, ku “hyn era në njërën anë dhe del në  anën tjetër”. Katastrofa humanitare në derën e qametit Kongresi aprovon 106 miliardë dollarë për Ukrahinën dhe Izraelin, por këto para shkojnë për luftën dhe jo për bukën dhe ujin e mbijetesës. Sekretari i Shtetit Blinken shkon në Izrael dhe bën takim  në Ambasadën Amerikane, duke tërhequr vëmendjen se punët duhen ndryshuar sipas kërkesave humanitare dhe strategjike. Vendet arabe përpiqen  për të krijuar një  unitet  që nuk është as mish as peshk. Disa i bien gjygymave më fort dhe të tjerët mbajnë ison. E gjitha kjo  një maskaradë emocionale paasnjë plan konkret. E dini përse?! Sepse çdo shtet i druhet  idealizmit të mbijetesës së “Tokës së Premtuar”, e cila mund të sjellë surpriza mbinjerëzore deri në mbinatyrore! Poqese ndodh shkapërcimi logjik kolektiv në emër të “emërusesit të përbashkët”, do më kujtoni, “Hava Nagila” do këndohet nga Jahuditë dhe miqtë e saj deri  në frymën e fudit. Izraelitët janë si Tardigradet që as fuqia e llavës, as uji,  asnjë  kataklizëm nuk i shfaros!! Kujtoni për një moment Hitlerin dhe aleatët e tij…

Turqia e udhëhequr nga Erdogan ka marrë hapa konkrete për të ndihmuar Hamasin , por mendoj se kjo nuk është një lëvizje e zgjuar politike e Turqisë . Ura e Bosforit nuk do të jetë më në gjendje  për të mbajtur  lidhjen midisperëndimit dhe Azisë, pavarësisht takimeve të ndryshme diplomatike. Kjo do  i sjellë Turqisë një problem serioz , biles shumë serioz !!

Izraeli  mund t’a kthejë  botën  300 vjet prapa ku ombrella e shkatërrimit do mbulojë depërtimin e diellit dhe planeti do përfshihet në terr për një vit, mbase një vit e gjysëm Presidenti i Amerikës,  paralajmëron Izraelitët që të mos bëjnë të njëjtin gabim që bënë amerikanët pas 11 Shtatorit, ndërsa Izraelitët e quajnë 7 Tetorin: “11 Shtator!” Amerika dhe pse jep këshilla nuk i ndalon ndihmat për luftën ndaj terrorizmit dhe nuk i bëhet vonë për personalitete si, Prof. Noam Chomsky që e quan Amerikën,“US is wordl’s biggest terrorist.” 

Dhjetë vende përkrahin Palestinën, por ato janë shumë pak për të ndalur ofensivën e Jahudive, derisa Ninsun t’i shpjegojë “Gilgameshit” ëndrrën që dikush tjetër është  më i fuqishëm se ai. 

Saktësisht! Jashtë propagandës, keqardhjes,  mendoj se fjalën e ka   Zoti! Ose Ai  duhet t’a korigjojë atë që ka bërë dhe po bën  keq njeriu, ose të rikrijojë përsëri Kullën e Babelit të pastër që njerëzit të flasin një gjuhë të përbashkët për tu kuptuar!Por ndërsa,  Zoti hesht ! Ne jemi të pafuqishëm, jemi në dilema e vetmja gjë që mund të bëjmë: të lutemi !! 

Logjika e do që ne shqipëtarët duhet të qëndrojmë fort me aleatët tanë (sidomos Amerikën),  në vendimet e tyre, jo se e keqja tjetrit të kënaq, por se e mira jonë bazohet  në një fakt të thjeshtë: Ekzistenca e aleatëve është ekzistenca jonë. Forca dhe rritja  e aleatëve tanë është rritja  e kombit tonë.

Zhan Poul Sartre, tek “Ekzistencializmi”  shkruan, “Tjetri është po aq i domosdoshëm për ekzistencën time, sa  ç’është dhe ajo çka di unë për veten time. Në këto kushte, njohja e brendisë sime menjëherë më zbulon dhe tjetrin, që shfaqet para syve të mi si shëmbëlltyra e lirisë, që mendon dhe të jetë me mua ose kundra meje. Në këtë mënyrë, do të  zbulonim vetvetiu një botë të tërë që do ta quanim intersubjektivitet dhe vetëm brenda saj njeriu vendos se çfarë është dhe çfarë janë të tjerët.”

Megjithatë, në kushte dhe rrethana të tilla,  subjektivizmin tim nuk kërkoj t’a bëj intersubjektivitet, apo objektiv  tjetrit, por vetëm  një memorje historike që sjell fillimin  dhe  fundin e kësaj drame. 

Filed Under: Opinion

FEDERATA VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 14, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë fton të gjithë shqiptarët në festën e Flamurit Kombëtar.

Flamuri i kombit tonë bashkon të gjithë shqiptarët anembanë botës. Pavarësia është ditë e shenjtë dhe e shtrenjtë e lirisë së një kombi e populli, është dita më e shënuar në histori.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e festës historike të të gjithë shqiptarëve.

Komisioni i Organizimit të Darkës për 111 vjetorin e Pavarësisë përbëhet nga:

Kryetar: Ilir Cubi, anëtarë: Besim Malota, Paulin Mrnaçaj, Bashkim Musabelliu, Drita Shala, Dr. Pashko Camaj, Anton Raja, Ylli Dosku, Sokol Paja.

Darka e Pavarësisë do të organizohet ditën e Martë, 28 Nëntor 2023, Ora 7:00 PM, Adresa: Villa Barone Manor, 737 Throggs Neck Expy, Bronx, NY 10465.

Pjesëmarrja në Darkën e Pavarësisë kushton 150 usd për person, me të gjitha të përfshira.

Për çdo informacion, personat përgjegjës të kontaktit janë:

Ilir Cubi cel: 9143108355, Besim Malota cel: 917 418 3392, Paulin Mrnaçaj cel: 3865850999 dhe Anton Raja cel: 646 594 4747.

JU MIRËPRESIM TË GJITHËVE.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT