• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa Kruja: shenjtor në vetmitore

November 24, 2023 by s p

Dr. Çelo Hoxha/

Në 1912, Mustafa (Merlika) Kruja ka qenë person për t’u patur zili: në moshën 25 vjeçare shkroi emrin mbi një copë letër dhe hyri në histori. E kjo nuk ishte e gjitha: mosha e re, shkollimi i mirë e i përshtatshëm – Shkolla Civile e Administratës Mbretërore e Stambollit, dhe, cilësia më e rrallë – statusi i firmëtarit në dokumentin më të vyer të kombit, premtonin që djaloshi krutan të ngjitej shpejt e të kontribuonte gjatë në administratën e Shqipërisë së pavarur. 

Fillimi nuk zhgënjeu. Kuvendi i Vlorës e caktoi anëtar të Senatit të parë shtetëror; pak ditë më vonë u emërua nënprefekt i Vlorës; pas tre muajsh mori detyrën e sekreterarit të parë të Kryeministrit; pastaj, pasi qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës ra, ai vazhdoi me detyrën e drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Elbasanit, në qeverinë e Turhan Pashës. Kjo qeveri ishte jetëshkurtër dhe e fundit deri në Kongresin e Durrësit, katër vjet më vonë.

Në vjeshtë 1914, Mustafa Kruja ishte në grupin e zyrtarëve që u larguan nga Shqipëria bashkë me mbretin gjerman të saj, Wilhem Wied. Mërgimi i parë i tij ishte shkurtër, i dyti rreth dy vjet, i treti një dekadë e gjysmë, ndërsa i mbrami zgjati përjetësisht. Kthimet fragmentare në atdhe ishin të gjitha të palumtura.

Për të shpëtuar burrat e fisit të Merlikajve, të cilët i kishte burgosur nga Esad Pashë Toptani, Mustafa Kruja, pak pasi ishte kthyer në Shqipëri, 1915, u dorëzua dhe gjatë pesë muajve në burgun e Durrësit, priti ekzekutimin e dënimit me vdekje: varje në litar. 

Esad Pasha kishte qenë bamirësi i famijes Merlika, babai i djaloshit kishte qenë rreshter i trupave mbrojtëse të pashës, gjithashtu Esad pasha e kishte këshilluar të riun e Merlikajve të studionte për shkencat politike, ngaqë dëshironte ta bënte kajmekan, por në 1913 Mustafa Kruja ishte përplasur me të ballazi për çështjen e Shkodrës dhe prej atëherë ata mbetën kundërshtarë. Esad Pasha ia kurseu jetën, por e dorëzoi te italianët, të cilët e internuan në ishullin e Favignanës, dhe kështu nisi periudha e dytë e mërgimit e Mustafa Krujës, sepse dhe pasi ata e lanë të lirë, ai u khtye në atdhe vetëm në mbarim të Luftës së Parë Botërore. 

Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në Kongresin e Durrësit. Me propozim të Luigj Gurakuqit shërbeu si sekretar i kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan Pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës. Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë. 

Në Kongresin e Lushnjës dhe më vonë, Mustafa Kruja u rendit shpesh, për fatin e tij të keq, në krahun e humbësve. Në Lushnjë, 20 janar 1920, ai nuk mori pjesë, ngaqë u ndje i tradhëtuar nga disa miq të tij në qeverinë e Durrësit. Nuk pranoi as postin e ministrit në qeverinë e Sulejman Delvinës. 

Në 1921, Mustafa Kruja ishte deputet në parlamentin e Shqipërisë. Atëkohë nisi përplasja e tij e madhe, me Ahmet Zogun, njeriu i fortë në ngjitje në skenën e politike shqiptare.

Në dhjetor 1921, së bashku me shokë të tjerë, Mustafa Kruja u përpoq të rrëzonte qeverinë, që ata e mendonin nën influencën e Ahmet Zogut, për ta zëvendësuar, sipas tyre, me njerëz më nacionalistë e të denjë për qeverisje. Në mars 1922, ai mori pjesë në lëvizjen e Elez Isufit kudër Ahmet Zogut dhe, pas dështimit të saj, u largua nga Shqipëria për herë të tretë.

Dy vjet më vonë, Mustafa Kruja ishte prefekt në Shkosër, Ahmet Zogu gjendej në mërgim në Jugosllavi, dhe kryeministër i Shqipërisë ishte Fan Noli. Qeveria e Nolit, e formuar pas një grusht shteti, zgjati veç gjashtë muaj. Në 25-27 dhjetor 1924, Noli dhe pasuesit e tij, “do me vapor e do me barkë”, u larguan nga Shqipëria. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definistivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.” Nga ana tjetër, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet i vendosur që të mos luante prej tij me kërcitjen e parë të dy-tre dyfeqeve dhe qëndroi në pushtet aq sa t’i bindte të tjerët për këtë, sidomos kundështarët. Mërgimi 15-vjeçar që pasoi është një periudhat më të trazuara të jetës së Mustafa Krujës, i cili ishte i detyruar të punonte në kushte të vështira, në mjedise politike fragmentare, të përkohshme, me prirje politike të ndryshme dhe me financime nga lloj-lloj burimesh të joshqiptare. Në 1927 ai u nda përfundimisht me kundërshtarët e tjerë të Ahmet Zogut në mërgim, për shkak të ideve të tyre të komuniste.

Emigranti i përjetshëm u kthye për herë të fundit në një Shqipëri pa mbretin Zog dhe të pushtuar nga italianët. Gjatë vitit 1939 ishte anëtar i Senatit; 12 prill 1940-4 dhjetor 1941 drejtoi Instituin e Shkencave Shqiptare; 4 dhjetor 1941-19 janar 1943 ishte kryeministër i Shqipërisë; pas dorëheqjes, u tërhoq nga politika dhe iu rikthye punës shkencore, të e kishte lënë në mes kur u bë kryeministër.

Trembëdhjetë muajt si kryeministër e kanë bërë Mustafa Krujën një nga figurat më të diskutueshme në historinë e Shqipërinë. U shpall kriminel lufte, historiografia e trajtoi si kolaboracionitst, letërsia si personazh negativ. Roli i tij gjatë pushtimit, si kryeministër, përbënte një paradoks: komunistët e akuzonin si bashkëpunëtor të fashizmit, fashistët e  konsideronin një ultranacionalist shqiptar. 

Gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës u hoqën nga flamuri shqiptar fashiot e Liktorit, Plava dhe Gucia iu bashkuan Shqipërisë, reth 300 familje hebreje në Kosovë, që tashmë ishte pjesë e Shqipërisë, morën pashaporta shqiptare, dhe u mbrojt ekonomia shqiptare. Ata që e shpallën Mustafa Krujën si kriminel lufte, në atë pjesë të flamurit ku kishin qenë simbolet fashiste, të cilat i hoqi Kruja, vendosën, pesë muaj më vonë, në Konferencën e pezës, 16 shtator 1942, një simbol tjetër të huaj: yllin bolshevik.  

Nëse ka faj, Musa Kruja duhet akuzuar për “bashkëpunim” me komunistët, pse mbante marrëdhënie me idotë të lexuar si Petro Marko, që amnistoi një kriminel ordiner e bandit si Myslim Peza, që liroi nga burgu terroriste si Liri Gega, etj. Komunistët ishin aq të pacipë, sa disa anëtarë të Asamblesë Kushtetuese të periudhës së pushtimit italian i shpallën kolaboracionistë, ndërsa disa të tjerë, si puna e Omer Nishanit, i zgjidhnin në postet më të larta. Disa nënpunës të thjeshtë të administratës së periudhës së pushtimit u dënuan si kriminelë lufte, ndërsa disa nëpunës të tjerë të administratës së pushtimit, si mësuesja Nexhmije Xhunglini (e dashura dhe, pas lufte, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Enver Hoxhës), gjykatësi në shërbim të fashizmit dhe, pastaj, të komunizmit Manol Konomi, oficeri i xhandarmërisë fashiste Bedri Spahiu, Nako Spiru, për të cilin flitej se kishte qenë drejtues i Rinisë Fashiste në Durrës, ishin në udhëheqjen e lartë të qeverisjes, e cila shpallte kush ishte e kush jo kriminel lufte. 

Çështja e kolaboracionizmit në Shqipëri është trajtuar në mënyrë shabllone me qasjen e vendeve të tjera, kryesisht Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, të cilët sigmatizonin me këtë term këdo që bashkëpunonte me italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, për të gjykuar punët e Shqipërisë qasja britanike apo sovjetike nuk ishte e përshtathsme. Nacionalistët shqiptarë, midis të cilëve dhe Mustafa Kruja, besonin se shqiptarët ishin të rrezikuar nga Greqia dhe Jugosllavia dhe mbështetja e tyre duhet të ishte një vend jashtë Ballkanit. Të ashtuquajturit aleatë nuk bënë asgjë kur u pushtua Shqipëria nga Italia dhe as më vonë, përveç faktit që dërguan në Shqipëri, në 1943 e më vonë, misione për të organizuar veprime guerrile (një metodë që i shkon përshtat mentalitetit të kriminelëve), në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve. Po ta shohim Evropën dhe Ballkanin sot, kur Kosova ka fituar pavarësinë, rezulton se Nato dhe gjithë aleatët kanë bërë të njëjtën gjë që bënë Italia dhe Gjermania, në lidhje me Shqipërinë, gjatë luftës së dytë botërore. Qeveria e Shefqet Vëralcit, e para pas pushtimit nga Italia, mund të mos ketë shumë për t’u krenuar, por s’është se bëri ndonjë gjë në dëm të Shqipërisë më shumë se qeveritë që më vonë u quajtën aleate. Aleatët hynë në luftë kur u sulmua Polonia, pesë muaj më vonë, ndërsa për Shqipërinë as që deshën t’ia dinin. Ndërsa qeveritë e tjera shqiptare filluan ta çojnë vendin drejt pavarësisë. Qeveria e Mustafa Krujës hoqi nga flamuri nga simbolet fashiste, qeveritë e mëvonshme, sidomos gjatë pushtimit gjerman, i kthyen Shqipërisë pavarësinë, të paktën formalisht. Këto gjëra nuk arritën as me ndërhyrjen e aleatëve dhe as me luftën e armatosur të nacionalistëve apo komunistëve shqiptarë kundër pushtuesit, por nga këmbëngulja e njerëzve që patën kurajo të sakrifikonin dhe emrin e tyre të mirë për hir të Shqipërisë. Me pak fjalë, fshihet strategjia e komunizmit: duke etiketuar të tjerët si kriminelë lufte, ata mundohen të zbutin perceptimin kriminal të veprimtarisë së tyre.

Sidoqoftë, Mustafa Kruja ka bërë aq shumë për Shqipërinë saqë ai nuk mund të hiqet nga historia e lavdishme e saj pa e fshirë gjithë historinë e shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Jeta e tij nuk është e lidhur vetëm me politikën, madje pjesa politike ka qenë ajo ku është shfaqur dimesioni më mediokër i personalitetit të tij.

Niveli i tij në gjuhësi është shumë i lartë. Mustafa Kruja është autori i një vepre të parë në llojin e vetë, siç shprehet studiuesja Ledi Shamku-Shkreli, për të cilën shqipja ende nuk e ka të plotë: falorin kritik. Zonja Shamku është aktualisht deputete e një partie që vazhdon të ketë pikëpamjen komuniste “të kolaboracionizmit” për Krujën, por ajo, kur mbaroi së lexuari Fjaluerin Kritik të Krujës, përplasi grushtin në tryezë dhe klithi: “O Zot, ku janë gjithë gërmat e tjera?” Gërmat e tjera të Fjaluerit munngojnë, sepse qeverisja komuniste, ku të parët e zonjës Shamku kanë kanë patur poste të larta, e bastisën shtëpinë e Mustafa Krujës, ku gjendej fjalori i plotë, me rreth 30.000 lema mbi 2600 fletë të daktilografuara, dhe fati i tij nuk dihet. Në mërgim, Kruja iu fut punës përsëri për ta ribërë, dhe përfundoi vetëm dy shkronjat e para, pastaj u largua nga jeta. Fjalueri, sipas studiueses, “ky visar fjalësh, e ç’është më e rëndësishmja, visar arsyetimesh mbi format e fjalëve, moshën, përhapjen gjeografike dhe vendodhjen kontekstuale të secilës prej tyre ofron sot atë çka shqipes i mugon më fort: zgjidhjen e binarit të dyfishtë.”

Një vepër tjetër cilësore e Mustafa Krujës është studimi analatik për një nga veprat mëdha të gjuhës shqipe, për “Fjalorin Latinisht-Shqip” të Frang Bardhit. Në këtë vepër, autori këshillon që t’i studiojmë veprat e shkrimtarëve të vjetër me frymën e gjuhës letrare aktuale, për dobinë e tyre që kanë ato për të sotmen. “Në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjera në fushën e gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me hosizont e kulturë të gjerë.” Ky është vlerësimi i akademik Kolec Topallit për Mustafa Krujën. 

Përveç politikan, gjuhëtar, apo historian, Mustafa Kruja ishte dhe prind, vëlla, shok apo mik dhe më mirë se njerëzit e tij të afërt nuk mund t’i përshkruajë njeri këto cilësi. “Horizonti i hapur, zëmërgjerësia, njohja e thellë e natyrës njerëzore e dukurive të saj, mirëkuptimi pa paragjikime i problemeve të tjerëve, gjykimi i drejtë e i matur i tyre, ishin tipare karakteri që djaloshi Mustafa kishte shfaqur herët në formimin e tij,” shprehet nipi i tij, Eugjen Merlika. Ai kujton se për hir të harmonisë familjare, ai kishte ndikuar që babai i tij të pajtohej me një kushërin e vet, megjithëse, në një konflikt prone, e drejta anonte, sipas Eugjen Merlikës, nga ana e babait të Mustafait. Ndërsa kur ishte kryeministër dhe i mori vesh se një kushëri po pasurohej duke përdorur emrin e tij dhe, kur u bind që fjalët ishin të vërteta, mblodhi fisin dhe me një vendim kushëririt iu hoq e drejta të mbante të mbiemrin e familjes. 

Një njeri kaq i prerë në marrëdhënie me të drejtën, të ndershmen dhe harmoninë, është e pabesueshme të thuhet se me qeverisjen e tij punoi t’i shërbente fashizmit në dëm të Shqipërisë. Letrat e tij, një kontribut i pashoq në lëmin e letërisë epistolare, janë një dëshmi tjetër që veprimtaria e Mustafa Krujës ka qenë e motivuar nga qëllime të larta, jo hesape materiale. Nuk ka asnjë dëshmi, në 71 vitet e jetës së tij, që ai kërkoi të jetonte për më shumë se “një kafshatë bukë për mue e fitueme me djersën t’eme.” Vetëm njerëzit pa asnjë grimë krenarie kombëtare mund ta kalojnë me indiferencë, le më të lumturohen prej tij, faktin që ish-kryeministri i Shqipërisë jetonte në banesë në dhe të huaj, në “vetmitoren t’eme”, me vështirësi ekonomike bazike dhe në dëshpërim të skajshëm, për fatin e të afrëmve në atdhe, që ndëshkoheshin sistematikisht për shkak të veprimtarisë tij.

Filed Under: Opinion

Lufta çlirimtare e Arbërve në kohën e Skënderbeut

November 23, 2023 by s p

Kalaja e Krujës: Muzeu Historik Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu – Skënderbeu (Odhise Paskali, 1939, copy)

Prof. dr. Bedri Muhadri

Instituti i historisë “ALI HADRI’, Prishtine

Hyrje

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, djali i princit arbëror Gjon Kastrioti, i shkolluar për artin ushtarak në pallatin ushtarak të sulltanit, shumë shpejtë u bë gjeneral i shquar, dhe mori titullin sanxhakbej në kudër të administratës osmane. Në vitin 1443, Skënderbeu sipas planit të bërë me shumë princër tjerë arbëror, iku nga kampi ushtarak osmanë me rastin e betejës së Maricës afër Nishit në vitin 1443 dhe bashkë me shumë ushtarë tjerë arbëror kthehet në Arbëri. Me 2 mars Skënderbeu mblodhi tërë princat arbëror në Kuvendin e Lezhës, dhe formoi frontin e gjerë të përbashkët për luftë çlirimtare kundër osmanëve. Skënderbeu u zgjodh udhëheqësi i Lidhjes Arbëror. Ai ndërmori masa organizative ushtarake e ekonomike në përgatitjet për rezistencë luftarake ndaj agresionit të mundshëm osmane. Ushtria arbëror dhe i tërë populli arbëror u bashku rreth autoritetit të Skënderbeut. Rezistenca arbërorë e kohës së Skënderbeut arriti që me shumë suksese të bëjë ballë sulmeve të vazhdueshme osmanë. Qendra e rezistencës arbërore ishte Kruja, e cila u mbrojte me suksese përballë tre sulmeve osmane (1450, 1466, 1467) me ushtri shumë të madhe e më mjete luftarake të shumta. Rezistenca arbërorë e kohës së Skënderbeut arriti që për 25 vet të jetë fitimtare ne beteja të drejtpërdrejta me ushtrinë osmane. Rezultatet e rezistencë arbërore të kohës së Skënderbeut ishin të mëdha. U çlirua vendi, u bashkuan princërit arbërore dhe u formua shteti feudal mesjetar arbërorë në një pjesë të territoreve të veta.  

Fjalë kyqe: Skënderbeu, Kuvendi i Lezhës, Kruja, Sulltan Mehmeti II, Ballaban Pasha

Lufta çlirimtare shqiptare në kohën e Skënderbeut shënon faqe të ndritshme të historisë së popullit shqiptar në mesjetë. Ajo kishte rëndësi të brendshme dhe ndërkombëtare, udhëheqësi i saj u bë personalitet ndërkombëtare. Lufta çlirimtare shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut, u bëri ballë pushtuesve të huaj osman e venedikas. Lufta shqiptare e kohës së Skënderbeut ndahet në tri faza:

–Faza e parë nga vitet 1443-1450

-Faza e dytë nga vitet 145-1461

-Faza e tretë në vitet 1462-1468

Skënderbeu në një moment të rëndësishëm zgjodhi të braktisë autoritetin e vet sundues në kuadër të administratës osmane.  Ky momenti ndodhi në vitin 1443 në betejën e Maricës në Nish, ndërmjet ushtrisë osmane në të cilën  Skënderbeu ishte pjesë e asaj dhe ushtrisë hungareze.  Me 3 nëntor 1443, hungarezët të udhëhequr nga Janosh Huniadi, vojvoda i Transilvanisë, kaluan lumin Danub dhe sulmuan me guxim ushtrinë osmane që qëndronte në bregun tjetër të Moravës në afërsi të Nishit. Ushtria hungareze korri suksese duke e shpartalluar ushtrinë osmane. Thyerja e ushtrisë osmane i dha rast Skënderbeut ta vinte në zbatim planin e tij të përgatitur prej kohësh. Së bashku me 300 kalorës arbër të repartit të tij, dhe i shoqëruar nga vëllai, Stanishi dhe nga Hamza Kastrioti, ai e braktisi frontin e luftimeve dhe kampin osmanë dhe u nisë me shpejtësi në drejtim të Dibrës. Gjatë kthimit Skënderbeu me 300 luftëtarë pas shtatë ditë rrugëtimi kah Fushë Kosova, Prishtina, Prizreni, që ishte e lirë nga osmanët dhe më tej zbriti në Dibër. Qëllimi fillestar ishte të merrej qyteti i Krujës bashkë me kalanë e saj. Skënderebu kishte dërguar forca ushtarake për t’u fshehur në pyjet dhe grykat afër Krujës  derisa ai të shtinte në dorë Krujën, pastaj do t’i fuste fshehurazi në kështjellë për të shtypur rojën e osmanëve. Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV. Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbu sipas të drejtës së luftës, vrau shumë veta që nuk u dorëzuan, por edhe la të lirë shumë qytetarë e ushtarët osmanë, pasë dorëzimit të largoheshin nga Arbëria, duke përfshi edhe dizdarin e kështjellës, Ballaban Pashën, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihet në krye të trupave osmane për të rrimarrë Krujën.  

Me 28 nëntor të vitit 1443, Skënderbeu urdhëroi zëvendësimin e flamurit turk me flamurin me shqiponjën e zezë dykrenore, që ishte flamuri i Kastriotëve, i përshëndetur nga të gjithë, me thirrje të zjarrta, “Rroftë, rroftë, Princi ynë, i madhi Skenderbeg”. Popullata arbërore shprehu gatishmëri të plotë për bashkim më princin e tyre. Këtë gatishmëri e shprehu edhe vetë Skënderbeu i cili me rastin e çlirimit të Krujës me 28 nëntor, u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plotë patos politik. Këtë fjalim dhe rrjedhën e tërsishme të historisë arbëror të kohës së Skënderbeut e shkruan biografi më i shquar Marin Barleti me veprën: Historia e jetës dhe vepravet të Skënderbeut. Sipas Barleti, Skënderbeu dukë vlerësuar lartë gatishmërinë e madhe të arbërve për të luftuar iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Ju, epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, skan munguar mendjet e ndritura…”, “… Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit”. Se vërtet Skënderbeu e vlerësoj gatishmërinë e popullatës arbërore për të luftuar për lirin e vendit e shprehu sipas Barlecit: “Përse doni që unë të mbaj për vehte me të padrejtë emrin e çlirimtarit ? Lirinë nuk u solla, por e gjeta unë këtu”. 

  Pasi mori Krujën Skënderbeu u nis drejt në krahinat e Matit e të Dibrës, që bënin pjesë në zotërimet e Kastriotëve, ku i drejtoi popullsisë thirrjen që të ngriheshin kundër osmanëve. Në Dibër, Skënderbeu e gjeti popullsinë të gatshme për kryengritje të cilët ishin bashkuar rreth Hamza Kastriotit. Skënderbeu vendosi mëse dy mijë suhtarësh në malin e Mokrës jo largë qytetit të Sfetigradit me qëllim që këta të mbyllnin rrugën e ikjes së sundimatrëve osamnë që ishin brenda vendit, si dhe të ruanin rrugët kryesore nëpër të cilat priteshin të ishin sulmuar nga ushtria osmane.

Me forcat e armatosura që u grumbulluan me shpejtësi, Skënderbeu , duke përfituar nga përparimi i mëtejshëm i Huniadit, i cili po depërtonte thellë në gadishullin ballkanik dhe kishte hyrë në Bullgari, shtiu në dorë njërën pas tjetrës, gjatë muajit dhjetorë, kështjellat e Petrelës, Gurit të Bardhë, Stelushin dhe Tornaçat në Dibër. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibëbrën e sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahir Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Stetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastirin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e arbërve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në Jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup – Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.  Në këtë kohë edhe viset tjera arbërore administroheshin nga fisnikët arbër. Në Arbërin e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit – Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) me përkrahjen e Skënderbeut, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre e bëri Zhabjakun. Në hapësirat arbërore që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve arbër. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ngrit shumë shpejtë nën drejtimin e Skënderbeut. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë – Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. 

Skënderbeue sipas planit të tij për bashkimin e princërve të Arbërisë, arriti t’i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme që t’i linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër armikut të huaj. Ku bashkim i princërve arbëror u arrit me 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës. Mbledhja u caktua të mbahej në qytetin e Lezhës, që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të evituar pakënaqësinë e princërve arbër, që mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja mbahej në pronat e njërit prej tyre. Në kuvend morën pjesë bujarët më të shquar shqiptarë: Gjergj Arianiti, Nikollë e Pal Dukagjini, Theodhor Korona Muzaka, Lekë Zaharia, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, Andrea Topia, Tanush Topia, Stefan Cërnojeviqi nga Mali i Zi, përfaqësues të bashkësive malësore dhe mjaft feudalë të tjerë nga Arbëria veriore dhe asaj jugore. Në Kuvend u ftuan edhe Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës. 

Këtu në këtë Kuvend historik u krijua Shqipëria feudale. Kuvendi shpalli Skënderbeun për kryetar të saj. U morë vendim që të formohet ushtria e përbashkët arbërore, e cila do të përbëhej nga repartet që do ti rekrutonin si Skënderbeu ashtu edhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i parë i i ushtrisë arbërore u zgjodh Skënderbeu,  me titull” Kapiten i Përgjithshëm” (Capitaneus Generalis). Në duart e Skënderbeut, i cili fitoi një prestigj dhe autoritet në masat e gjëra popullore si çlirimtar i vendit nga pushtuesit e huaj, Lidhja e Lezhës, u bë një mjet që shërbeu për bashkimin politik të mbarë popullit shqiptar në luftë kundër pushtuesve. 

  Në periudhën 1444-1450 Lidhja e Lezhës e udhëhequr nga Skënderbeu, korri suksese të shkëlqyeshme kundër ushtrisë osmane. Beteja e parë u zhvillua në fushën e Torviollit, me 29.06.1444. Sulltan Murati II dërgoi Ali Pashën me 25.000 veta për të shuar kryengritjen e arbërve. Ushtria osmane hyri Arbëri nga lugina e Drinit të Zi. Skënderbeu informohet me kohë se ushtria osmane po depërtonte në drejtim të fushës së Torviolit, prandaj e ndau ushtrinë e tij në tri pjesë dhe manovroi duke futur në kurthe ushtrinë e Ali pashës në territorin e rrethuar me bjeshkë e male në fushën e Torviollit duke mundur ushtrinë osmane dhe ajo u detyrua që të tërhiqet. Osmanët lanë në fushën e betejës 7 mijë të vrarë dhe u zunë robër 500, kurse nga ushtria arbërve ishin afërisht 3 800 të varë e të plagosur. Osmanët iu drejtuan Arbërisë me 1445, por edhe këtë radhë osmanët u mundën me 10 tetor 1445 në fushën e Mokrës. Disfatë përballë rezistencës arbërore pësuan osmanët edhe në vitin 1446 në fushën e Otrantos në Dibrën e Sipërme

Gjatë vitit 1447 nuk u zhvillua ndonjë luftë kundër ushtrisë osmane. Pikërisht atëherë në Arbëri shpërtheu anarkia feudale. Në këtë periudhë Lufta çlirimtare shqiptare zhvilloi luftë të suksesshme edhe kundër Republikës së Venedikut e cila kishte shfrytëzuar situatën politike me qytetin e Danjës dhe arriti që ta zotëronte. Lidhja shqiptare doli hapur kundër aneksimit nga ana e Venedikut dhe pa mëdyshje hyri në luftë të drejtpërdrejt. Në këtë luftë feudalët shqiptarë nuk qenë aq të bashkuar si më parë në luftëra kundër osmanëve. Një pjesë e feudalëve shqiptarë kaloi në anën e Venedikaseve e një pjesë ishte neutrale dhe sigurisht se pjesa më e madhe e feudalëve dhe e popullatës ishte me Skënderbeun. Lufta e Danjës përfundoi me marrëveshjen e 8 tetorit 1448. Marrëveshja nga ana e Skënderbeut ndërlidhet edhe me situatën e krijuar me Betejën e Dytë të Kosovës 1448.

Rezistencën e vete heroike shqiptarët e realizuan në vitin 1450 në mbrojte të qytetit të Krujës. Ushtria osmane prej 100 mijë vetash, Sulltan Murati duke pasur me veti edhe birin e tij, sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II u nis në ditët e para të majit 1459 në drejtim të Shqipërisë me synim që përfundimisht të thyhet rezistenca shqiptare. Duke kaluar përmes Maqedonisë, ushtria osmane doli në Ohër dhe vazhdoi gjatë luginës së Shkumbinit, arriti në Krujë.  Kronisti bizantin Laonik Halkokondili shkruan: pasi mblodhi të gjithë ushtritë  e Azisë dhe të Evropës”. Skënderbeu i lajmëruar me kohë për këtë ekspeditë të madhe, mori një sër masash mbrojtëse. Epërsia e madhe e ushtrisë osmane, e bënë Skënderbeun të mos u dilte përpara ushtrisë osmane në luginën e Drinit e as në qafën Thanës, por e la ushtrinë osmane të depërtonte dhe të arrinin deri në muret e Krujës. Me 14 maj 1450 nën muret e Krujës arriti ushtria osmane. Skënderbeu brenda në Krujë kishte ushtirnë 1500 ushtarësh nën komandën e Kontit Uran, një nga komandant më të shquar. Skënderbeu me një ushtri prej 8 mijë vetash qëndroi jashtë mureve të Krujës.

Ndonëse iu premtuan shumë shpërblime e dhurata komandantit të Kalasë së Krujës Kontit Uran, për të dorëzuar Kalanë, me vendosmëri ai dha përgjigjeje negative. Qyteti i Krujës bashkë me Kalanë u bombarduan fuqishëm nga artileria osmane. Skënderbeu në krye të 8000  ushtarëve, si një lumë që vërshon siç e përshkruan Barleti, godiste ditë e natë ushtrinë osmane, ndërpriste rrugët e komunikacionit, shpartallonte detashmente ushtarake osmane. Luftimet midis osmanëve dhe shqiptarëve vazhduan prej muajit maj deri më 26 tetor të vitit 1450. Osmanët u tërhoqën nga rrethimi i Kalasë së Krujës, duke pësuar dëme të mëdha në njerëz dhe në fuqinë e vet ushtarake. Nën muret e Krujës rezistenca shqiptare triumfoi me gjakun e derdhur të disa mija vetave të rënë heroikisht në luftë. Studiuesi Falmerajeri shkruan se “këtu mbaroi akti i parë i dramës tragjike të madhe shqiptare”. Pas këtij akti të dramës shqiptarët, Skënderbeu udhëheqësi i arbërve u bë autoritet i më i admiruar në politikën aktuale te kohës. Rezistenca shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoj pozitivisht në integrimin e fisnikëve shqiptarë. Integrimi dhe forcimi i unionit të përbashkët u bë mundësia më e mirë për të ruajtur lirinë dhe pronat e tyre. Këtë bashkim e përshkruan Gjon Muzaka në Kronikën e tij,  Historia dhe Gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve tregon se Skënderbeu shtiu në dorë shumë krahina të princërve arbëror “.. shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu ndodhte ngaqë ky pra (Skënderbeu) kishte në dorë ushtrinë për luftë, dhe kishin gjithnjë osmanët mbi krye…,”. Skënderbeu filloi të merrte masa të rrepta kundër feudalëve të lëkundshëm, t’i hiqte nga postet që zinin oficerët e paaftë dhe t’i zëvendësonte me oficer të rinj, të aftë dhe besnikë. Për më tepër, ai filloi t’i zhveshte kohë pas kohe bujarët e dyshimtë edhe nga zotërimet feudale të cilat ua shpërndau ushtarëve të dalluar.  Me rritjen e vazhdueshme të pushtetit të Skënderbeut, kufijtë e mëparshëm të zotërimeve të princërve arbëror u kthyen në kufij administrativ shtetëror. Kufijtë e mundshëm të shtetit mesjetar të Skënderbeut, në  kulmin e lulëzimit të vet, shtriheshin në perëndim, me brigjet shqiptare të Adriatikut, që nga Velipoja deri në Seman, me përjashtim të qyteteve të Lezhës dhe të Durrësit, në lindje ato arrinin përtej Drinit të Zi, deri në malet e Korabit, të Kërçinit e të Strogovës, së bashku me grykën e Radikës, në veri ato kufizoheshin me zotërimet e Dukagjinëve, deri te Mati, e në jug deri në afërsi të qytetit të Beratit. Kryeqytet i shtetit të bashkuar u bë Kruja. Ky bashkim ishte i favorshëm për shumë feudalë arbëror, por disa princër si Arianitët dhe Dukagjinët mbetën edhe për një kohë të pavarur në zotërimet e veta.  

Faza e dytë e rezistencës çlirimtare.

Në vitin 1452 sulltan Mehemti II dërgoi dy ekspedita ushtarake osmane me qëllim që ta thyente rezistencën arbëror. Por të dyja këto ekspedita u thyen njëra pas tjetrës, me 21 korrik në afërsi të Modricës, ku u zu rob edhe komandanti osman Hamza Pasha, dhe e dyta pak më vonë në fushën e Meçadit, ku ushtria osmane u thye plotësisht, duke lënë të vrarë edhe komandantin e saj, Talip Pashën. Humbjet ishin të mëdha nga ana osmane por edhe nga radhët e ushtrisë së arbërve pati shumë të vrarë. Në prill 1453, përsëri një ushtri osmane nën komandën e Ibrahim beut, iu afrua Arbërisë, por edhe kjo u mund nga ushtria arbërore në betejën e zhvilluar me 22 prill, në fushën e Pollogut, midis Dibrës dhe Tetovës.

Vitet që pasojën shënojnë lavdinë e heroizmi të shtetit të Skënderbeut. Rezistenca arbërorë, në vitin 1455 duke ndjekur situatën politike rajonale, konkretisht luftën e hungarezëve kundër osmanëve, ndërmori aksionin luftarak për të çliruar Beratin dhe kështjellën e Stetigradit. Në pushtimin e Beratit Skënderbeu i duheshin artileri ngase kështjella ishte e ngritur lartë. Skënderbeu mirëpriti ushtrinë e napapolit si dhe mjetet luftarake të artilerisë sipas marrëveshjes së vitit 1453. Në korrik 1455, Skënderbeu me ushtrinë ku bënin pjesë edhe 2 mijë ushtarë napolitan e rrethoi Beratin. Në fillim ushtria e Skënderbeut arriti suksese, pushtoi qytetin e Beratit, e ngushtoi rrethimin e Kalasë së Beratit. Komandanti osmanë i kërkoi Skënderbeut 15 ditë që të tërhiqej dhe ta dorëzonte kalanë e Beratit. Në pritje të këtij armëpushimi, Skënderbeu mori aksion tjetër sulmues në kështjellën e Sfetigradit të cilën e kishin pushtuar osmanët. Këtë armëpushim e shfrytëzoi ushtria osmane në Kalanë e Beratit të cilës i erdhën në ndihmë forca tjera ushtarake osmane nën udhëheqjen e Isak Bej Evernozit. Ardhjen e ushtrisë osmane e kishte mundësuar dezertimi i Mojsi Golemit i cili ishte komandant i forcave kufitare, dhe i pakënaqur me forcimin e autoritetit te madh dhe pushtetit qeverisës të Skënderbeut, dezertoi në anën osmane dhe nuk e kishte penguar ushtrinë osmane për në Berat. Luftimet tani u vështirësuan për Skënderbeun. Ushtria arbërore pësoi dëme të rënda ushtarake. Ky situatë e rëndë në kampin e Skënderbeut ndikoi edhe në keqësimin e situatës politike. Disa krerë të shquar feudal të nxitur edhe nga Venedikut, duke menduar se tashmë rezistencës arbërore i ka ardhur fundi dhe nuk mund të qëndroi më përballë stuhive të pandalshme osmane dhe pretendimeve permanente të Venedikut në dëm të qyteteve dhe porteve të rëndësishme të Arbërisë, filluan të kërkonin strehim tek shtetet tjera: Dukagjinët u prishën prapë me Skënderbeun dhe kaluan në anën e osmanëve, Mojsi Golemi, Hamza Kastrioti po ashtu kaluan në anën e osmanëve. Gjergj Arianiti kaloi në anën e Venedikaseve. 

Në vitin 1456, një ushtri e madhe osmane prej 15 mijë vetave, nën udhëheqjen e Mojsi Golemit nga Selaniku depërtoi në Dibrën e Epërme. Beteja mes ushtrisë osmane dhe arbërore u zhvillua me 18-20 maj 1456 në Oranik dhe mbaroi në mënyrë katastrofike për ushtrinë osmane dhe vetë Mojsiun. Mojsiu i përbuzur nga Sulltani për disfatën pas dy muajve u kthye në Arbëri dhe i penduar thellë iu dorëzua Skënderbeut. Skënderbeu ia fali fajin dhe ia ktheu Mojsiut të gjitha privilegjet e përparme.

Viti 1457 është një ndër vitet me të rënda që shënohen në historinë e Skënderbeut. Vdekja e Janosh Hunadit në gusht 1456, e rëndoi peshën e rezistencës arbërore. Kalimi i Hamza Kastriotit në anën osmane e rëndoi peshën e rezistencës arbërore. Në korrik të vitit 1457 Sulltan Mehmeti II, nën drejtimin e Hamza Kastriotit dhe Isak bej Evrenozit dërgoi në Arbëri  uhtri të madhe me 80 mijë vetave. Ushtria e Skënderbeut numëronte 20 mijë vetë.  Evernozi huri në luginën e Matit e depërtoi ngadalë drejt Krujës. U zhvilluan ca beteja, dhe ushtria e Skënderbeut vazhdimisht kreu një varg veprimesh ushtarake dhe tërhiqej me shpejtësi. Qëllimi ishte  për t’i bindur osmanët se ushtria e tij ishte shpartalluar. Skënderbeu shpërndau pjesën kryesor të ushytrisë së tij. Kësisoj kampi ushtarak osman mendoi se ushtria arbërore është shpartalluar. Kjo manovër duket se pati suksese, sepse edhe kapiteni venedikas i Durrësit, Marko Diedo me 31 korrik 1457 e njofton Dogjin e Republikës së Venedikut se ”forti larti Skënderbe po bredh nëpër male për të shpëtuar kokën dhe u braktisë nga të gjithë krerët kryesor të rrethit të vet, që shkuan të bashkohen me osamnët. Një përshtypje të tillë fituan edhe komandantë osman, prandaj ushtria e tyre filloj të dëfrehej e shkujdesur. Skënderbeu duke zhfrytëzuar momentin e volitshëm dhe urdhër që të sulmohej kampi ushtarak osman, që gjendej i vendosur në fushën e Albulenës pranë Milotit. Ushtria e shpërndarë osmane nuk arriti të rregullohej. Osmanët lanë në fushën e betejës 20 mijë të vrarë e 1500 të zënë robër. Midis tyre qe edhe Hamza Kastrioti, të cilin Skënderbeu e internoi në Itali.

Rëndësia e fitores së Albulenës për rezistencën arbëror ishte e madhe, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Fitorja në radhë të parë e forcoi unitetin e rezistencës arbërore, kurse në faktorin e jashtëm emri Arbëri ishte bërë i njohur dhe me shumë simpati në tërë Evropën. Vullnetarë të huaj nga vende të ndryshme erdhën në Shqipëri dhe hynë vullnetarë në radhët e ushtrisë arbërore. Skënderbeu pas vdekjes së Huniadit u bë figura kryesore evropiane e luftës kundër osmanëve. Kalorësi anglez shkruan në vitin 1457: “Invazioni i Evropës është i sigurte, sepse ska fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë po të bjerë kështjella arbërore”. Fitorja e forcave arbërore në betejën e Ujëbardhit (Albulenës), sikur o rikthej shpresat tek projektet papale të kryqëzatës. Papa Kalisti III me rastin e fitores në Ujëbardhë  me 23 dhjetor 1457 e emëroi  Skënderbeun me dekret pontifikal “Kapiten të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë’ në luftë kundër osmanëve.

Pas kësaj fitore deri me 1462 në truallin e arbërve nuk pati përleshje të rëndësishme midis ushtrisë arbërore dhe asaj osmane. Në rrethanat e krijuara, në ngritjen e fuqisë ushtarake të Skënderbeut dhe sukseseve të mëdha në përballje luftarake me ushtrinë osmane, ajo ushtri e detyroi Sulltan Mehmeti II të bëjë marrëveshje armëpushimi paqe prej tri vjetësh. Gjatë këtij armëpushimi Skënderbeu i shkoi në ndihmë aleatit të tij mbretit të Napolit Ferdinandit të birin e Alfonsit V në luftën për ta ruajtur fronin mbretëror nga kryengritje e fuqishme e banorëve të Italisë së Jugut të cilët ishin bashkuar me princin francez Rene të Anzhuinëve që pretendonte fronin e mbretërisë së Napolit. Një nga kundërshtarët e Ferdinandit, Xhovani Antonio Orsini, princi i Tarantos, i shkruan një letër Skënderbeut me 31 tetor 1460, me qëllim që Skënderbeu të hiqte dorë nga ekspedita në Itali. Në letër e rekomandon Skënderbeun se kalorësia e tij e lehtë është e pasuksesshme ndaj kalorësisë së rëndë italiane, dhe se nuk do ta ndryshonte fatin e Ferdinandit. Skënderbeu, në përgjigjen që i bëri princit të Tarantos, me 31 tetor 1460, ndër të tjera i tregon edhe arsyen e ekspeditës atje duke i kujtuar atij se Mbreti Alfonsi V ka bërë angazhime dhe luftëra të drejtpërdrejta kundër ushtrisë osmane që synonte të dilte në Itali. Skënderbeu ia kujton princit të Tarantos, se: po të isha mundur unë, sigurisht Italia do ta kishte ndjerë dhe rrjedhimisht ai vend për të cilin ju thoni së është i juaj do të ishte i osmanëve”. Në këtë vështrim, Skënderbeu ia shpjegon se: “më mirë të ndihmoj ky mbret se sa banorët kryengritës dhe anzhuinët që po pretendojnë me marrë fronin mbretëror të Napolit e të cilit nuk kishin dhënë asnjë kontribut në luftë kundër osmanëve”. Më tej Skënderbe në përgjigjen në letrën drejtuar princit të Tarantos i cili kishte gjykuar se ushtria e Skënderbeut është e pa aftë në luftë në Itali, shkruan: ka ndryshuar puna, e në qoftë së kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi Epirot dhe duhet ta dini se në kohë të tjera, stërgjyshet tanë kanë kaluar në vendin tuaj dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se më të shumtën e herës u ndamë me nder se me turp (bëhet fjala për betejat e zhvilluar të mbretit Ilir Pirro në Itali ne vitin 280)” Në gusht të vitit 1461, Skënderbeu me një ushtri prej 2500 vetash u nis për në Itali. Gjendja e mbretit Ferdinand ishte mjaftë e rëndë, kryengritësit italian kishin pushtuar e rrethuar kështjellat e rëndësishme të mbretit Ferdinand. Ushtria e Skënderbeu me aksion të suksesshme arrit që të sprapste kryengritësit në kështjellën Barleta. Skënderbeu me ushtrinë në fund të vitit 1461 arriti që të korrë suksese në kështjellën e Tranit në luftim kundër ushtrisë kryengritëse. Ishin këto fitore që i mundësuan Ferdinandit të mundë kundërshtarët e vet. Sukseset ushtarake të ushtrisë së Skënderbeut, u bënë të njohur edhe në analet e kohës. Duka i Milanos Aleksander Sforca, i shkruan Skënderbeut dhe e falënderon udhëheqësin arbëror për shërbimet e mëdha që ky i kishte bërë jo vetëm mbretërisë së Napolit, po gjithë shteteve italiane duke ndihmuar për eliminimin e ndërhyrjes së dëmshme të Francës në Itali. 

Skënderbeu u kthye në Arbëri me 1462, ku gjet një gjendje jo fotë të qetë. Gjatë këtij viti Sulltan Mehmeti II ndërmori tri ekspedita. Por ushtria e Skënderbeut u bëri pabllë me beteja e zhvilluara në Luginën e Mokrës, në fushën e Pollogut dhe e treta në fund të shtatorit në Livad afër Ohrit. 

Faza e tretë e fundit e Luftës çlirimtare arbërore në kohën e Skënderbeut

Ekspedita ushtarake osmane, thuajse tani të rëndomta për rezistencën shqiptare arritën kulmin e tyre në vitin 1465, ku u ndërmorën katër ekspedita të njëpasnjëshme të udhëhequr nga Ballaban Pasha, një nga ushtarakët më të dëgjuar të kohës të Perandorisë osmane. Ushtria e Sëndërbeut me sukses arriti që të përballet me betejën e zhvilluar në fushën e Vajkalit afër Bukqizës. Ushtria arbërorë pati humbje të mëdha në anën e saj. Shumë ushtarë u zunë robër nga ana e osmanevë bashkë me ta edhe tetë komandant të shquar të ushtrisë së Skënderbeut si: Moisi Golemi, Vlladan Jurica, Muzaka i Angjëlinëve. Në gusht të vitit 1465 në Arbëri hyri ushtria osmane në dy drejtime: njëri drejtim hyri nga Maqedonia nënë komandën e Ballabn Pashës dhe drejtimi tjetër nga Gjirokastra nën drejtimin e Jakup Arnautit . Ushtrai e Skënderbeut së pari e theu ushtrinë e Ballaban Pashës në fushën e Vajkalit, dhe pasë disa ditësh po ashtu u mposht ushtria osmane tjetër në fushën e Kasharit, ku mbet i vrarë edhe Jakup Arnauti renegat dhe i biri i feudalit të shquar arbëror Teodor Muzaka.

Sakrifica supreme e rezistencës shqiptare arrihet në vitin 1467 e cila ndaj ushtrisë shumë të madhe osmane, nën Kalanë e Krujës e mbrojti me suksese lirinë e vendit. Duke menduar se ishte momenti i volitshëm për ta shkatërruar rezistencën arbërore, Sulltan Mehemti II vendosi të vinte vetë në Arbëri. Në qershor 1466, në krye të armatës së jeniçerëve dhe të ushtrive të Anadollit dhe të Rumelisë prej mëse 150 mijë vetë, duke ardhur nga Manastri hyri në Arbëri. Kronisti osmanë Kemal Pashazade për këtë ekspeditë thonë se këtë radhë “fatihu kishte vendosur të shtypte me çdo kusht rezistencën arbërore”. Sulltani e ndau ushtrinë në dy pjesë: njëra e rrethoi kalanë e Krujës, ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë osmane u vu në ndjekje të një pjesë të ushtrisë së Skënderbeut e cila rëndomtë rrinte jashtë mureve të kalas. Kronisti osmane Qemail Pashë Zadeja shkruan: “për shkak të dëmve të mëdha që pësuan me arbërit, ushtria osmane u tregu e tmerrshme dhe s’lanë bimë mbi tokë”.  

Për ashpërsinë e osmanëve në këtë luftë tregon kronisti osmanTaursun , i cili thotë: me urdhër të Padishahut u vra cilido që u zu i gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër”. Popullata arbërore duke e ditur për rrezikun që iu kanosej nga ushtria osmane, kësaj radhe braktisën vendbanimet në fushat dhe lugina, duke u tërhejkur në vende më të sigurta në thellësi të bjeshkëve ta mëdha. Repartet osmane të stërvitura në luftimet e maleve, i ndoqën arbrit deri në thellësi, por kudo ndeshën në rezistencë të vendosur. Kronist osmane Pashazade shkrua: “luftëtari më i dobët i tyre është nga më trimat në fushën e luftës, dhe ndonëse ai ka një hark prej druri me disa shigjeta, prapëseprapë është më i fortë se hekuri”. Me gjithë luftime të ashpëra, arbërit heroikisht kudo i bënë rezistencë armikut. Kronisti osmanë Tursuni shkruan: “arbërit janë të lindur për të kundërshtuar e për tu mos u bindur”. Kronisti bizantin Kritobuli njofton për qëndresën deri në vetëflijim të popullatës arbërorë e cila nuk bënte pjesë në repartet ushtarake duke u hedhur poshtë në humnera dhe shkëmbinj të mëdhenj, por se në çfarëdo rrethane ata nuk pranonin të binin robër tek ushtria osmane. Pjesa tjetër e ushtrisë osmane e rrethoi Krujën. Skënderbeu në Krujë kishte repartin ushtarak prej 4 mijë vetave nën komandën e Tanush Topisë, dhe vetë ai me një ushtri prej 3 mijë vetave qëndronte jashtë. Muret e Krujës u goditën fortë nga artileria osmane. Skënderbeu si edhe më parë nga jashtë, me sulmet e tija të shpeshta u shkaktonte dëme të mëdha ushtrive të panumërta të osmanëve. Për t’i siguruar një pikëmbështetje të sigurte ushtrisë osmane, Mehmeti II kishte rindërtuar qysh në Korrik kalanë e vjetër të rrënuar të Valmit, të cilës ia vuri emrin Ilbasan (vend që sundon). Sulltan Mehmeti vetë për dy muaji me radhë e drejtoi operacionin e luftimeve në Krujë. Në muajin gushte Sulltan Mehmeti II u largu nga Kruja duke e lënë për udhëheqës të ushtrisë osamne Ballaban Pashën me 80 mijë ushtarë të cilët e mbanin të rrethuar Krujën. Sulltan Mehmeti II duke u kthyer me ushtrinë e tij gjatë rrugës prej Elbasanit për në Dibër, ai rrethoi dhe e pushtoi qytezën e Çidhnës, ku ishin strehuar rreth 10 mijë gra, pleq e familje, në tentim për tu fshehur nga ushtritë osmane, dhe në shenjë hakmarrje u vranë dhe u morën robër. Ushtria osmane gjatë kohës së qëndrimit në Arbëri e kishte shkatërruar në mënyrë të pamëshirshme vendin, sa s’kishte mbetur, si thotë Qemal Pashë-Zadeja, “ Ai (Padishau-Sulltan Mehmeti II) shkatërroi vendin rreth e rrotull, rrëmbeu bagëtinë e gjallë, theu çdo pemë dhe prishi arat e mbjella”. 

Gjendja në Arbëri ishte e rëndë, Skënderbeu nuk kishte as të holla, as municion, as ushqim të mjaftueshëm për të vazhduar luftën. Kështu, Skënderbeu, iu drejtua aleatëve për ndihmë. Nëpër disa shtete dërgoi përfaqësuesit, djalin Gjonin e dërgoi në Venedik, kurse vetë ai shkoi në Romë të Papa Pali II për ti bindur për nevojat e ndihmës. Në romë Skënderbeu arrit me 12 dhjetor 1466. Qyteti i Romës e priti në mënyrë madhështore, turmat e shumta njerëzisht të pabesueshme rendën për ta parë dhe për ta nderuar. Vetë Papa Pali II organizoj pritje madhështore që gji i kishte befasuar edhe ambasadorët e Milanit, të cilët nga përshtypjet e ditës së parë në Romë, shkruanin: papa i kishte bërë nderime të mëdha duke nxjerrë për ta pritur të gjitha familjet e kardinalëve, familjen e vet, dhe shumë prelatëve dhe oborrtarëve të tjerë… për nderim dhe shoqërim ishin ftuar të gjithë ne, ambasadorët”. Me 24 dhjetor në natën e Krishtlindjes, Papa Pali II në mesin gjithë klerit të lartë të Romës dhe personaliteteve tjera u ftua edhe Skënderbeu, me qrast ai u nderu nga Papa me dhurata simbolike: një shpatë dhe kësule, si shenjë nderim për luftën e madhe duke e quajtur “Aleksandër të epirotëve”. Megjithatë Skënderbeu nuk e mori ndihmën e duhur nga Selia e Shenjtë e Papës. Selia Papale ia akordoi ndihmën prej 5 mijë dukatesh Skënderbeut krejt në fund të qëndrimit të tij në Romë. Skënderbeu ishte i pakënaqur me ndihmat që u akordua nga Selia e Shenjtë. Pakënaqësinë e Skënderbeut e dëshmojnë raporti i ambasadorëve Lorenzo de Pasaro e Agostino de Rossi drejtuar dukës së Milanit me 24 janar 1467, ku Skënderbeu ishte shprehur qartë për mos përkrahjen e Selisë së Shenjtë duke thënë: “nuk duhet luftuar kundër osmanëve, por kundër kishës”  Nga Roma Skënderbeu  shkoi në Napoli te aleati për të kërkuar ndihmën e duhur. Edhe Napoli nuk i i dha veçse ndihma të kufizuara: disa ushqime e municione dhe një mijë dukatë. 

Në fillim të prillit 1467 Skënderbeu u kthye në Arbëri, dhe iu drejtua masave popullore për të bërë sakrificën e fundit supreme ndaj atdheut. Masat popullore si kurdoherë edhe tani iu përgjigjen thirrjes së udhëheqësit të tyre. Pasi organizoi ushtrinë së bashku me repartet ushtarake të Lekë Dukagjinit, shpartalloi ushtrinë osmane që mbante të rrethuar Krujën. Vetë udhëheqësi i ushtrisë osmane Ballaban Pasha mbet i vrarë. Skënderbeu u përpoq dhe e rrethoi Elbasanin, por duke mos pasur artileri, nuk arriti që të shtinë në dorë. 

Rezistencën arbërore në muret e Krujës, Sulltan Mehmeti II e konsideronte tani si problemin kryesor të qëllimit të politikës së tij, përgatitjen e ekspeditës ushtarake për në Itali. Në korrik të viti 1467 ai, dërgoi në Arbëri një ekspeditë të madhe ushtarake për të rrethuar Krujën qendrën e rezistencës arbërore. Gjatë rrugëtimit të ushtrisë osmane në Arbëri u ndesh në shumë vende me sulme nga radhët ushtarake arbërore si në Buzursheku (në luginën e Shkumbinit). Pre e sulmeve të ushtrisë osmane ishin edhe qyteti i Durrësit dhe ai i Shkodrës, ku ushtria osmane beri plaçkitje e shkatërrime të mëdha. Ushtria e Skënderbeut u mbrojte me heroizëm të lartë në  Krujë qendrën e rezistencës arbërore. Ushtria osmane nuk arriti që ta mposhte rezistencën arbërore nën muret e Krujës. Kritobuli kronisti bizantin shkruan: “duke e parë se do të ishte e pamundur ta merrte me sul me anën e armëve”. Sulltan Mehmeti II u largu turpshëm në gusht të vitit 1467, duke e lënë një pjesë të ushtrisë së tij që ta vazhdonte rrethimin e Krujës. Mospresenca e Sulltan Mehmeti II ndikoi tek ushtria osmane e cila shumë shpejtë u shpartallua. Rezistenca arbërore me suksese të madhe arrin që të rezistoj me suksese në qytetin e Krujës. Megjithatë situata ekonomike dhe materiale në ven ishte keqësuar si pasojë e luftërave të gjata dhe shumë të mëdha të cilat kishin shpenzime të mëdha ekonomike. Ndihmat e premtuar dhe të pritura nga vendet aleate të Italisë qenë shumë të pakta. Tani në këtë kohë vetëm Venediku shfaqi interesim më të shtuar ndaj rezistencës arbërore, dhe kjo për shkake të frikës së saj për pushtimin e Vlorës dhe pjesë bregdetare arbërore që nuk ishte pushtuar ende nga osmanët. Me qëllim të riorganizimit të vendit, Skënderbeu në Janar të viti 1468 thirri Kuvendin e Lezhës ku u bënë bashkë krerët feudalë arbërore ndaj kërkesave që kërkonte koha. Në ndërkohë një ushtri osmane rreth 15 mijë vetash e ardhur nga Kosova sulmoi qytetin e Shkodrës. Ushtria arbërore korri sukses duke sprapsur ushtrinë osmane. Me 17 janar 1468, Skënderbeu i cili ishte i sëmurë vdiq i mbuluar me një lavdi të përjetshme. Ai u varros në Katedralen e Shën Kollit.     

Rezume

Rezistenca çlirimtare e ndodhur në kohën e Skënderbeut, është periudha e cila me suksese u bëri ballë sulmeve të shumta e me kapacitete të mëdha ushtarake osmane të cilat u mundën përpara qëndresës heroike arbërore, rëndësinë e së cilën do ta ndjej edhe qytetërimi evropian në atë kohë. Platformën e rezistencës për liri të vendit Skënderbeu e hartoi në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444. Mbi bazën e kësaj platforme ushtria arbërore e kohës së Skënderbeut luftoi pa u reshtur edhe kundër Venedikut e cila synonte që ta merrte krejt bregdetin arbërorë, dhe po ashtu cenonte në vazhdimësi luftën e rezistencës arbërorë duke arrite që të vendos politikë përçarëse ndërmjet krerëve të shquar feudal arbëror. Skënderbeu në sajë të kërkesave të domosdoshme për të riorganizua dhe për ta fuqizua rezistencën arbërore mori masa tjera centralizuese feudale,  riorganizo ushtrinë me ndërrime të pozitave ushtarake e administrative të udhëheqësve, duke shpërndarë prona feudale që shkonin në drejtim të forcimit të rezistencës si dhe duke i ndalur me forcë synimet separatiste të  feudalët arbërore që shfaqeshin të pakënaqur në pikëpamjet e tyre anticentraliste të Shtetit të Skënderbeut. Skënderbeu arriti që me rezistencë të madhe me luftëra të shumta ta bashkon tërë popullin për liri dhe mbrojtje të vendit. Në këto luftëra Skënderbeu u bë një ndër strateget ushtarak më të mëdhenj të kohës, strateg i shkëlqyeshëm me aftësi të rralla për t’u gjetur kurdoherë sipas rastit. Ai arriti me suksese të mbronte qytetin e Krujës në tri përpjekjet e ushtrisë osmane e cila kishte ardhure më forca të shumta ushtarake e me armatim më të sofistikuar të kohës. Në tërësi lufta arbërorë në udhëheqjen e Skënderbeut është luftë mbrojtëse. Skënderbeu nuk ndërmori luftëra ofensive, sepse një luftë e tillë ishte jashtë fuqive dhe mundësive të popullatës arbërore e cila ekonomikisht përballje me rrethana të vështira si dhe në numër ushtarakisht ishte jo e madhe. Lufta e popullit arbërore në kohën e Skënderbeut ndonëse me rëndësi ndërkombëtare, pak ishte ndihmuar nga shtetet e huaja. Për luftën e popullit arbërore të kohës së Skënderbeut janë shkruar shumë vepra, janë bërë piktura të çmueshme në artin botëror dhe përderisa në botë të ketë përjetime dhe raporte jo të barabarta midis shtetit të madh dhe të vogël, lufta e popullit arbërore në epokën e Skënderbeut do të jetë shembull për popujt që luftojnë për liri dhe pavarësi.

Që këtej për merita ndaj jetës dhe veprës, në shumë qendra të Evropës dhe SHBA gjatë shekujve të mëvonshëm u ngritën shumë përmendore e sheshe  kushtuar kryeheroit shqiptar, u shkrua një numër shumë i madh veprash për kryetrimin tonë. Ngritja e përmendoreve të Skënderbeut në qendra të Evropës u tregon miqve tanë për qenien tonë si komb dhe fisnikërinë e vlerave tona evropiane. 

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan në vitin 2005, me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, kishte nxjerr rezolutë, e cila lavdëron shqiptarët kudo për nderimin që i bëjnë prijësit të tyre trim, heroit dhe birit të tyre, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe kërkon nga qeveria amerikane që të punojnë me partnerët e vet evropianë për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, në njohje të kontributit dhe sakrificës që dha Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe populli shqiptar në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga dominimi otoman. Sot, Shqipëri është anëtare e NATO-së, kurse me 17 shkurt 2008 Kosova është shpallur shtet sovran i pavarur dhe demokratik.

Këtë  shkrim si prolog për shënimin e 618-vjetorit të ditëlindjes të Skënderbeut në Arbëri po e përmbyllim me Arbëreshët e Italisë të cilët në një këngë të tyre që këndohet nga koha e motit të madh- koha e Skënderbeut thonë: “Skënderbeu gëzohet dhe zbret nga qielli kur janë bashkë gjithë arbëreshët”, pra gjithë shqiptarët, edhe ne besojmë dhe shpresojmë se një ditë ai i madhi Skënderbe dhe shqiptarët të jenë të bashkuar, pra të gëzuar. 

Filed Under: Opinion

Eqerem Bej Vlora dhe kontributi i tij në kërkimet Albanologjike

November 21, 2023 by s p

Kriledjan ÇIPA/

Eqerem Bej Vlora (1885-1964), pinjolli i familjes së mirënjohur të Vlorajve është një personalitet i spikatur, por njëkohësisht kontrovers dhe shumë i debatuar në rrethet e studiuesve, por edhe nga opinioni publik për sa i përket aktivitetit të tij politik. Duke ja lënë detyrën e studimit dhe ndriçimit të dritë-hijeve të tij studiuesve dhe historianëve të historisë moderne shqiptare, në këtë prag përvjetori të shpalljes së pavarësisë, le të kujtojmë kontributin e tij në betejat për mbrojtjen e integritetit të kufijve të Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike në zonën e Himarës, kundër trupave të separatistëve grek të udhëhequra nga Spiro Spiromilo, dhe le të ndalemi në një aspekt tjetër të aktivitetit të tij. Eqerem Beu, duhet pa mëdyshje të vlerësohet si një ndër shqiptarët e parë, i cili u morr me trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë dhe promovimin e saj për lexuesit evropian në fillimet e viteve 1900, e kryesisht për publikun Austro-Hungarez. I shkolluar në Zvicër e në Austri ai pati një formim të mirë në kulturën klasike, çka e shtyu, që në rinin e tij të shfaqte interes të madh për historinë, arkeologjinë, etnografinë, dhe të bëhej së bashku me të atin Syrja Bej Vlorën një ndër koleksionistët e parë shqiptar. Në veprat që shkroi, vihen re qartë ndikimet austriake në stilin e të shkruajturit. Librat e tij të parë të botuara në Austri (Qëllimi dhe e ardhmja e Shqipërisë, Osterreichische Rundschau, Wien, Bd. 15, 1908; Nga Berati në Tomorr (Fletë ditari), Sarajevë, 1911.) kanë ndikime të dukshme nga veprat e studiuesve austriak si Johan George Von Hahn i njohur si “Babai i Albanologjisë”, apo arkeologu Carl Patsch. Kontribute të rëndësishme për historinë moderne të Shqipërisë janë kujtimet e shkruajtura prej tij, si “Kujtimet (1985-1925)”, apo dorëshkrimet e pabotuara “Pamje nga Shqipëria, 1912-1936”, ndërsa për periudhat e mëhershme janë punimet e tij me baroneshën austriake Ameli Von Godin me titull: “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri”, si dhe dorëshkrimi “Mbi zhvillimin e bujqësisë dhe çifligjeve të Shqipërisë”. Në veprat e tij bën përshtypje stili i rrjedhshëm dhe elegant i të shkruajturit, që dëshmon më së miri nivelin e lart intelektual dhe kulturën e pasur e shumëdimensionale që e karakterizonte.

Kontributi i parë dhe i rëndësishëm është ai i koleksionistit. Eqeremi së bashku me të atin Syrja Bej Vlorën koleksionuan një numër të konsiderueshëm objektesh arkeologjike, armësh, si dhe krijuan një bibliotekë të pasur me libra dhe dorëshkrime të rralla. Objektet arkeologjike të koleksionit të tyre e kishin kryesisht prejardhjen nga qendrat antike të Orikumit, Aulonës (Rrënojat e së cilës gjenden sot në Sheshin e Flamurit, në qendër të qytetit të Vlorës), si dhe nga Apolonia. Një pjesë të mirë të tyre për fat të mirë apo të keq (pasi sot kanë humbur) e njohim nga përshkrimet e arkeologut austriak Carl Patsch, italianit Luigi Maria Ugolini apo anglezit Nicolas Hammond, të cilët informacionin e kanë marrë kryesisht nga Eqerem Beu. Ato janë objekte me rëndësi për studimin dhe rindërtimin e fazave më të hershme të historisë së qytetit antik të Orikumit, apo qendrës antike të Aulonës, të cilat edhe sot e kësaj dite janë pika të rëndësishme referimi për arkeologët që merren me studimin e këtyre qendrave. Koleksioni i Vlorajve së bashku me koleksionet e etërve Jezuit e Françeskan në Shkodër, janë koleksionet e para, të cilat shënojnë edhe zanafillën e muzeologjisë shqiptare.

Aktiviteti arkeologjik ishte kontributi i dytë modest, amator, por njëkohësisht i vlefshëm dhe një nga tullat e para të vendosura në themelet e ngrehinës së arkeologjisë shqiptare. Në librin e tij me udhëtime në zonën e Beratit dhe Tomorrit, ai ka lënë shënime të vlefshme për qendrën antiko-mesjetare të Beratit, ku përshkroi muret e kalasë së Beratit, urat, objektet e kultit dhe një sërë objektesh të tjera, të cilat sot janë të shpallura Monumente Kulture. Ai përshkruan mbishkrime, relieve apo detaje arkitektonike, të cilat me kalimin e viteve kanë humbur. Këto përshkrime së bashku me fotot e realizuara që në vitet 1906-1908, kanë një vlerë të pazëvendësueshme si dokumente të kohës. Ai gjithashtu, përshkroi disa prej Kodikëve të Beratit, si dhe gjendjen në të cilën ruhej Epitafi i Gllavenicës. Eqerem Beu është i pari që vizitoi dhe përshkroi rrënojat dhe gjetjet e “Qytezës” antike të Peshtanit, pranë Beratit, i orientuar nga Dud Karbunara. Duke qenë se, ishte një ndër njohësit më të mirë të vendbanimeve arkeologjike të Vlorës dhe rrethinave të saj, ai ishte dhe njeriu që shërbeu si konsulent dhe orientoi arkeologun Carl Patsch dhe prehistorianin Italian Luigi Cardini në kërkimet e tyre në këtë rajon. Në ditarët e botuar në vitet e fundit të Cardinit (të cilat konsideroheshin të humbura), në një nga shënimet e mbajtura prej tij dëshmon, se informacionin për potencialin arkeologjik të shpellave të Velçës e kishte marrë pikërisht nga Eqerem Beu. Siç dihet tashmë, nga gërmimet e kryera nga Cardini në këto shpella u gjetën materiale arkeologjike të periudhës Neolitike. Një ndër kontributet e vyera të Eqerem Beut është studimi për kalanë e Kaninës i botuar në artikuj të ndryshëm tek periodiku “Shejzat”, në vitet 1960 (së fundmi artikujt janë përmbledhur në një botim të vetëm: “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera, Përgatiti për botim Afrim Koçi, Botimet KOҪI, 2004”). Në këtë vepër ai ka bërë një përmbledhje të mirë mbi historinë e kësaj qendre, nga antikiteti e deri në periudhën moderne. Gjithashtu, bën përshkrime të vlefshme arkitektonike, si dhe boton planimetrit e para profesionale të hartuara nga inxhinieri Barthelemy në vitin 1980-1984, si dhe skica të njëkohshme të inxhinierit italian Beccalli (mësuesi personal i Eqerem Beut). Me shumë rëndësi janë përshkrimet dhe informacionet për selinë e Beut brenda fortifikimit, që në kohën e tij ruhej në gjendje rrënojë, krahas informacionit për struktura dhe ndërime të tjera, që aktualisht nuk duken më në sipërfaqe. Është shumë interesante dëshmia e tij, se në vitin 1918 xhenjot e ushtrisë italiane kishin kryer gërmime arkeologjike me karakter studimor, që sipas tij do të shërbenin për restaurimin e mureve dhe monumenteve të ndryshme. Ai flet për mure antike të zbuluara nga këto gërmime në një nga tarracat brenda fortifikimit. Fatkeqësisht përveç informacionit të Eqerem Beut si dëshmitar i kohës, nuk kemi informacione të tjera për të ditur nëse gërmimet janë drejtuar nga ndonjë arkeolog italian i kohës, apo nëse është mbajtur dokumentacion shoqërues, si dhe nëse ato sot ruhen në ndonjë arkiv të shtetit italian. Gjetja dhe botimi i tyre do kishte një rëndësi të veçantë, pasi janë gërmimet e para arkeologjike të kryera në qendrën antiko-mesjetare të Kaninës.

Një pasion i veçantë i Eqerem Beut ishte etnografia. Në fillimet e viteve 1900, ai ka bërë një punë të shkëlqyer në dokumentimin e veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në kujtimet e shkruara prej tij dhe në librat me udhëpërshkrime, gjenden përshkrime të gjalla dhe të detajuara të kostumeve popullore në krahinat e ndryshme që vizitoi. Siç shkruan në librin me udhëtime në Berat dhe në Tomorr, me aparatin e tij fotografik ai kishte dokumentuar me dhjetëra veshje popullore në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku ai kishte udhëtuar që në rininë e tij. Përveç veshjeve, ai flet për këngët dhe muzikën popullore, për poezi popullore, mite, legjenda, doke e zakone të mledhura në treva të ndryshme. Ai ishte një njohës i shkëlqyer i mentalitetit të popullit të tij, të cilin nuk e glorifikoi dhe nuk ra asnjëherë në subjektivizëm, por nëpërmjet një analize të ftohtë dhe të matur ishte në gjendje të ndante dobësitë dhe pikat e forta të mendësisë shiptare. Pa mëdyshje Eqerem Bej Vlorës, duhet ti njihet merita si studiuesi i parë i arkitekturës tradicionale (vernakulare) në Shqipëri. Në librat e tij kemi të dhëna të pasura për arkitekturën e banesave të shtresave të ndryshme të popullsisë. Ai përshkroi dhe botoi foto e planimetri të banesave të familjeve të pasura të kohës, disa prej të cilave nuk ekzistojnë më, duke përfshirë edhe vet Selamllëkun e Sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri kombëtar në ditën e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Ndër të tjera, ai duhet kujtuar si ndër të parët shqiptar që ushtroi artin e fotografisë, aktivitet i cili i njihet shumë pak, dhe që ka nevojë të “gërmohet” nëpër arkiva familjare e shtetërore, për ta nxjerrë veprën e tij nga pluhuri i harresës.

Eqerem Bej Vlora ishte një pinjoll i ndritur i familjes së shquar të Vlorajve. Ai ishte mbrujtur me interesin dhe pasionin për të njohur, studiuar, vlerësuar dhe promovuar trashëgimin kulturore të atdheut të tij, si i tillë ai ishte një produkt cilësor i familjes Vlora, familje që e mbajti ndezur pishtarin e lirisë kombëtare që prej fillimit të shek. XIX, deri sa së bashku me një numër bashkatdhetarësh e arritën atë me pavarësimin e shtetit shqiptar, në 28 Nëntor të vitit 1912. Eqerem Beu ishte një fisnik në pamje, intelektual në sjellje, por një vlonjat i denjë në veprim e në guxim. Ai ishte një figurë komplekse dhe kontroverse përsa i përket sjelljes politike, por padyshim një kontribues i rëndësishëm dhe një pioner në fushat e ndryshme të studimeve Albanologjike.

May be an image of 1 person

Filed Under: Opinion Tagged With: Kriledjan Cipa

MËSIMI SHQIP NË ABRUZZO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE  TË ITALISË

November 20, 2023 by s p

Silvana Muço Dogani, mësuese e shkollës shqipe në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Silvana Muço Dogani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ORSOGNA, ABRUZZO E PESCARA NË ITALI

Shkollën e parë e kam hapur në vitin 1999 në Orsogna (Abruzzo Itali), ku jetoj edhe sot, nëse nuk gaboj rezulton shkolla e parë shqipe e hapur në Itali. Motivi i cili më shtyu të marrë këtë iniciativë ka qenë eksperienca personale, e cila  më ka përballur shumë herë me gjyshër apo dhe familjar që  kur vinin për vizitë nga Shqiperia kishin vështirësi në komunikimin me nipërit, pasi këta të fundit nuk flisnin shqip. Ky fenomen sidomos në vitet e para të emigracionit  ku përveç vështirësive materiale dhe ekonomike  u përballëm  me opinionin negativ që kishin për shqiptarët në ato kohë i cili na rrënonte psikologjikisht, aq sa  iu përkushtuam më shumë përpjekjes për integrim dhe përmirësim imazhi, duke i dhënë përparësi mësimit të gjuhës së vendit pritës pa e kuptuar se po braktisim gjuhën e tonë amtare. Duke studiuar historinë e emigracionit të mëparshëm italian, frymëzimin tim të parë e pata nga shembulli i tyre, pasi  u ndeshën vetë me të njëjtin problem, ata kishin hapur shkolla italiane në vendet pritëse përkatëse. Ky shembull më mbeti gjatë në mendje dhe më rikthehej gjithnjë e më i gjallë, sa herë, me keqardhje të madhe, gjendesha përballë situatave në të cilat ishte mjaft e dukshme humbja e traditës sonë gjuhësore dhe bashkë me të edhe ajo kulturore, pra po humbisnin “rrënjët tona”. Si ish-mësuese në Shqipëri, mora guximin dhe hodha hapat e parë, duke iu drejtuar administratës lokale, veçanërisht kryetarit të bashkisë së Orsogna-s në atë kohë, Fabrizio Montepara. Nuk e mohoj që shpresat e vendosura në suksesin e projektit ishin minimale, por çuditërisht, ndryshe nga sa prisja, mora mbështetje të menjëhershme konkrete. Kështu nisi ky rrugëtim i gjatë i mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Falë punës sime si ndërmjetëse kulturore ( të kryer në bashki të ndryshme të zonës) e cila më mundësoi të njoh komunitetet e huaja dhe vështirësitë e tyre (veçanërisht atë shqiptare që është shumë e pranishme në territorin tonë), kam hasur në të njëjtat vështirësi dhe nevoja në territore të tjera fqinjë dhe kështu vendosa, jo pa vështirësi, të eksportoj shembullin e shkollës shqipe të Orsogna-s në komunat e tjera të Abruzzo-s. Kështu u hap shkolla në Tollo në vitin 2004, e ndjekur  nga ajo e Ortonës sërish në provincën e Chietit në 2021, derisa mbërriti në provincën e Pescara-s në vitin 2022 me shkollën e parë në qytetin e Pescara-s. Në vitet e mëparshme kisha pasur disa kërkesa dhe interesa nga prindërit me banim në këtë krahinë, por largësia dhe vështirësitë logjistike e kanë vonuar këtë hapje. Megjithatë, kërkesat e prindërve gradualisht u bënë më të shpeshta jo vetëm tek unë, por edhe tek institucionet shqiptare si ASCAP e  Qendra e botimeve për diasporën, të cilat më raportuan këto kërkesa tek unë. Ndaj vendosa të ndërmarr këtë sfidë të re, edhe më kërkuese. Me pamaturinë e zakonshme që më dallon, dhe kësaj radhe pa shpresuar shumë për realizimin aktual, i bëra thirrjet e para dhe fatmirësisht edhe kësaj radhe me habiti dhe më dha kënaqësi të pamasë që mora përkrahje të fuqishme si nga administrata komunale ashtu edhe nga kolegët, mësuesit e italishtes dhe shqipes, duke arritur të finalizojë këtë objektiv.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDERIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

TEMA : Të mësojë regullat, të tregojë përgjegjësi, në realizimin e tyre në mjedise të ndryshme. Objektivat:  Në përfundim të orës mësimore nxënësi do të jetë në gjendje. Të shpjegojë me fjalët e veta kuptimin e konceptit rregull, duke përdorur burime të ndryshme informacioni. Të përpilojë rregullat për mjedise të ndryshme duke u bazuar në kërkesat e veçanta të këtyre mjediseve. Të diskutojë për rëndësinë e rregullave, me anë të argumentave dhe shembujve që mbështesin qëndrimin e tij. Mjetet:  Fletore, laps, stilolaps, kompjuter. Në përfundim të çdo ore mësimore vijnë prindërit për të marë fëmijët dhe u shpjegojmë atyre  ecurinë e tyre dhe  detyrat që duhet të kryejnë në shtëpi (detyrat e shtëpisë janë të thjeshta ) për faktin se janë  të zënë me shkollën publike. Prindërit në zonën tonë janë prezent në çdo aktivitet që krijojmë për integrimin, e për të çuar përpara traditat e kulturën tonë e cila ka ngjallur interesin e vendasve këtu.

SI REAGON SHOQERIA ITALIANE DHE SI PRITET MËSIMI SHQIP

Në shkollat tona pothuajse gjysma e nxënësve janë nga Kosova e Maqedonia e Veriut shumë fëmijë të cilët janë më të përkushtuar se të tjerët, përveç tyre ne kemi një grup të moshës 60-70 vjeç, komunitet arbëresh që quhet “VILLA BADESSA” ku para disa muajsh erdhi dhe Presidenti i Shqipërisë Shkëlqesia e tij Z.BAJRAM  BEGAJ. Përsa i përket organeve shtetërore ne jemi të përkrahur në çdo aspekt, kjo falë dhe integrimit tonë, këtu kemi krijuar një marrëdhënie të ndërsjelltë respekti dhe një përshtypje të mirë dhe është kënaqësi të dëgjosh se komuniteti shqiptar është më i integruar se të tjerët. Kemi krijuar një rrjetë komunikimi me  gjithë shoqatat shqiptare në Itali e jo vetëm, kjo falë dhe SH.GJ.SH – Lidhja –Shkollat e Gjuhës Shqipe në Itali, ku hera-herës on-line ose fizikisht takohemi e shkëmbejmë mendime, metodat e mësimdhënies etj…

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GHUHËSI

Kompiuteri është për ne një mjet i cili  na ndihmon në shpjegim duke vendosur dhe me figura për fëmijët me dy gjuhësi. I kemi ndarë në 3 grupe nxënësit sipas njohurive që kanë, duke krijuar nivelin bazë/mesatar dhe të përparuar.  Problemi ynë madhor është se kemi shumë fëmijë e pak mësues profesionist, kam bërë kërkesë në  media sociale, shpresojmë të na vijnë në ndihmë kush mundet.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Dëshira për të mësuar gjuhën shqipe ka lindur nga prindërit,  fillesat kanë hasur pak probleme sepse siç e kam parashtruar në vitin 1999 ishin akoma vitet e para ku dhe vet shqiptarët nuk ishin integruar siç duhet, e ishte një gjë  jo me shumë interes, pak nga pak u ndërgjegjësuan dhe kërkuan që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën amë, ka patur fëmijë që nuk kanë dashur të vijnë në fillim, ju thosha prindërve mos i detyroni nese nuk duan, do vijnë vetë kur ta mendojnë se është momenti, dhe kur kanë ardhur për të parë nga kurioziteti kanë qenë po ata fëmijë që nuk mungojnë në asnjë orë mësimore, dhe kjo ka qenë “sfida” e cila u fitua tashmë ata kërkojnë vetë të vijnë.

KUSH ËSHTË MËSUESE  SILVANA MUÇO DOGANI?

Jam lindur e rritur në Vlorë. Studimet i kam filluar në këtë qytet ku jam diplomuar në Pedagogji e më pas ne universitetin e Perugies në Itali për gjuhën italiane, në vazhdim me kurset e specializimit si Ndërmjetese Gjuhësore Kulturore (Mediatore linguistico-culturale). Falë këtyre titujve të studimeve kam filluar punë që prej janarit të vitit 2004 e deri sot në zyrën e emigracionit të qarkut të Chietit (Itali) ku përmblidhen 10 bashki.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Shqiptarët në Saint Louis festuan 111-vjetorin e pavarësisë

November 20, 2023 by s p

Të dielën më 19 nëntor 2023, anëtarët e shoqatës “ILIRIA” Saint Louis së bashku me miq e të ftuar festuan 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti u drejtua me shumë përkushtim dhe elokuencë nga mësuese znj. Elda Meka. Atmosferën e gëzueshme festive e filluan nxënësit nxënësit e shkollës shqipe “ILIRIA” duke kënduar himnin kombëtar nën përkujdesjen e mësueseve së shkollës znj. Marjeta Myrtaj, znjsh. Rafaela Hajdini. Me një gjuhë të rrjedhshme shqipe dhe plot pathos ata rrezatuan dashurinë patriotike duke u pritur me shumë duartrokitje nga të pranishmit në sallë. Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës z. Besian Gjika i cili në emër të bordit drejtues falenderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë kësaj dite historike mbarëkombëtare. Ndër të tjera solli në vëmendje, punën anëtarëve dhe donatorëve të cilët mbështesin me shumë dëshirë projektet e ndryshme, arsimore, kulturore, historike dhe sportive të shoqatës. Në vijim, znj. Marjeta Myrtaj, mësuese e re e shkollës shqipe mbajti një fjalë të shkurtër ku përveç vendosjes së theksit në simbolikën e festës, bëri edhe një rezyme të punës në shkollën shqipe si dhe nevojës së lëvrimit të saj nga fëmijët, jo vetëm në ditët e mësimit por edhe në shtëpi. Me foninë u morr si përherë i papërtueshmi z. Arif Palloshi.

Më pas aktiviteti u mbush plot gëzim dhe energji pozitive nga recitimet e vjershave patriotike të nxënësve të shkollës. Përveç recitimit ata inskenuan edhe pjesë të shkurtra teatrale me temë nga pavarësia e Shqipërisë.

Aktiviteti u mbyll me një kokteill festiv organizuar nga bordi drejtues. Kontribuan me ushqime të shijshme zonjat, Elona Murati dhe Nazime Alimadhi. Tortën dhe ëmbëlsirat u përgatitën dhe u ofruan nga Bello’s Bakery, i cili sponsorizon vazhdimisht aktivitetet e shoqatës.

Ky festim ishte shprehje solidariteti, gëzimi dhe bashkimi të komunitetit shqiptar këtu në Saint Louis për të mbajtur gjallë dhe aktivë lidhjet me trojet e viseve nga vijmë.

Përgatiti: Besian Gjika

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT