Silvana Muço Dogani, mësuese e shkollës shqipe në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Silvana Muço Dogani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ORSOGNA, ABRUZZO E PESCARA NË ITALI
Shkollën e parë e kam hapur në vitin 1999 në Orsogna (Abruzzo Itali), ku jetoj edhe sot, nëse nuk gaboj rezulton shkolla e parë shqipe e hapur në Itali. Motivi i cili më shtyu të marrë këtë iniciativë ka qenë eksperienca personale, e cila më ka përballur shumë herë me gjyshër apo dhe familjar që kur vinin për vizitë nga Shqiperia kishin vështirësi në komunikimin me nipërit, pasi këta të fundit nuk flisnin shqip. Ky fenomen sidomos në vitet e para të emigracionit ku përveç vështirësive materiale dhe ekonomike u përballëm me opinionin negativ që kishin për shqiptarët në ato kohë i cili na rrënonte psikologjikisht, aq sa iu përkushtuam më shumë përpjekjes për integrim dhe përmirësim imazhi, duke i dhënë përparësi mësimit të gjuhës së vendit pritës pa e kuptuar se po braktisim gjuhën e tonë amtare. Duke studiuar historinë e emigracionit të mëparshëm italian, frymëzimin tim të parë e pata nga shembulli i tyre, pasi u ndeshën vetë me të njëjtin problem, ata kishin hapur shkolla italiane në vendet pritëse përkatëse. Ky shembull më mbeti gjatë në mendje dhe më rikthehej gjithnjë e më i gjallë, sa herë, me keqardhje të madhe, gjendesha përballë situatave në të cilat ishte mjaft e dukshme humbja e traditës sonë gjuhësore dhe bashkë me të edhe ajo kulturore, pra po humbisnin “rrënjët tona”. Si ish-mësuese në Shqipëri, mora guximin dhe hodha hapat e parë, duke iu drejtuar administratës lokale, veçanërisht kryetarit të bashkisë së Orsogna-s në atë kohë, Fabrizio Montepara. Nuk e mohoj që shpresat e vendosura në suksesin e projektit ishin minimale, por çuditërisht, ndryshe nga sa prisja, mora mbështetje të menjëhershme konkrete. Kështu nisi ky rrugëtim i gjatë i mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Falë punës sime si ndërmjetëse kulturore ( të kryer në bashki të ndryshme të zonës) e cila më mundësoi të njoh komunitetet e huaja dhe vështirësitë e tyre (veçanërisht atë shqiptare që është shumë e pranishme në territorin tonë), kam hasur në të njëjtat vështirësi dhe nevoja në territore të tjera fqinjë dhe kështu vendosa, jo pa vështirësi, të eksportoj shembullin e shkollës shqipe të Orsogna-s në komunat e tjera të Abruzzo-s. Kështu u hap shkolla në Tollo në vitin 2004, e ndjekur nga ajo e Ortonës sërish në provincën e Chietit në 2021, derisa mbërriti në provincën e Pescara-s në vitin 2022 me shkollën e parë në qytetin e Pescara-s. Në vitet e mëparshme kisha pasur disa kërkesa dhe interesa nga prindërit me banim në këtë krahinë, por largësia dhe vështirësitë logjistike e kanë vonuar këtë hapje. Megjithatë, kërkesat e prindërve gradualisht u bënë më të shpeshta jo vetëm tek unë, por edhe tek institucionet shqiptare si ASCAP e Qendra e botimeve për diasporën, të cilat më raportuan këto kërkesa tek unë. Ndaj vendosa të ndërmarr këtë sfidë të re, edhe më kërkuese. Me pamaturinë e zakonshme që më dallon, dhe kësaj radhe pa shpresuar shumë për realizimin aktual, i bëra thirrjet e para dhe fatmirësisht edhe kësaj radhe me habiti dhe më dha kënaqësi të pamasë që mora përkrahje të fuqishme si nga administrata komunale ashtu edhe nga kolegët, mësuesit e italishtes dhe shqipes, duke arritur të finalizojë këtë objektiv.
KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDERIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR
TEMA : Të mësojë regullat, të tregojë përgjegjësi, në realizimin e tyre në mjedise të ndryshme. Objektivat: Në përfundim të orës mësimore nxënësi do të jetë në gjendje. Të shpjegojë me fjalët e veta kuptimin e konceptit rregull, duke përdorur burime të ndryshme informacioni. Të përpilojë rregullat për mjedise të ndryshme duke u bazuar në kërkesat e veçanta të këtyre mjediseve. Të diskutojë për rëndësinë e rregullave, me anë të argumentave dhe shembujve që mbështesin qëndrimin e tij. Mjetet: Fletore, laps, stilolaps, kompjuter. Në përfundim të çdo ore mësimore vijnë prindërit për të marë fëmijët dhe u shpjegojmë atyre ecurinë e tyre dhe detyrat që duhet të kryejnë në shtëpi (detyrat e shtëpisë janë të thjeshta ) për faktin se janë të zënë me shkollën publike. Prindërit në zonën tonë janë prezent në çdo aktivitet që krijojmë për integrimin, e për të çuar përpara traditat e kulturën tonë e cila ka ngjallur interesin e vendasve këtu.
SI REAGON SHOQERIA ITALIANE DHE SI PRITET MËSIMI SHQIP
Në shkollat tona pothuajse gjysma e nxënësve janë nga Kosova e Maqedonia e Veriut shumë fëmijë të cilët janë më të përkushtuar se të tjerët, përveç tyre ne kemi një grup të moshës 60-70 vjeç, komunitet arbëresh që quhet “VILLA BADESSA” ku para disa muajsh erdhi dhe Presidenti i Shqipërisë Shkëlqesia e tij Z.BAJRAM BEGAJ. Përsa i përket organeve shtetërore ne jemi të përkrahur në çdo aspekt, kjo falë dhe integrimit tonë, këtu kemi krijuar një marrëdhënie të ndërsjelltë respekti dhe një përshtypje të mirë dhe është kënaqësi të dëgjosh se komuniteti shqiptar është më i integruar se të tjerët. Kemi krijuar një rrjetë komunikimi me gjithë shoqatat shqiptare në Itali e jo vetëm, kjo falë dhe SH.GJ.SH – Lidhja –Shkollat e Gjuhës Shqipe në Itali, ku hera-herës on-line ose fizikisht takohemi e shkëmbejmë mendime, metodat e mësimdhënies etj…
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GHUHËSI
Kompiuteri është për ne një mjet i cili na ndihmon në shpjegim duke vendosur dhe me figura për fëmijët me dy gjuhësi. I kemi ndarë në 3 grupe nxënësit sipas njohurive që kanë, duke krijuar nivelin bazë/mesatar dhe të përparuar. Problemi ynë madhor është se kemi shumë fëmijë e pak mësues profesionist, kam bërë kërkesë në media sociale, shpresojmë të na vijnë në ndihmë kush mundet.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Dëshira për të mësuar gjuhën shqipe ka lindur nga prindërit, fillesat kanë hasur pak probleme sepse siç e kam parashtruar në vitin 1999 ishin akoma vitet e para ku dhe vet shqiptarët nuk ishin integruar siç duhet, e ishte një gjë jo me shumë interes, pak nga pak u ndërgjegjësuan dhe kërkuan që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën amë, ka patur fëmijë që nuk kanë dashur të vijnë në fillim, ju thosha prindërve mos i detyroni nese nuk duan, do vijnë vetë kur ta mendojnë se është momenti, dhe kur kanë ardhur për të parë nga kurioziteti kanë qenë po ata fëmijë që nuk mungojnë në asnjë orë mësimore, dhe kjo ka qenë “sfida” e cila u fitua tashmë ata kërkojnë vetë të vijnë.
KUSH ËSHTË MËSUESE SILVANA MUÇO DOGANI?
Jam lindur e rritur në Vlorë. Studimet i kam filluar në këtë qytet ku jam diplomuar në Pedagogji e më pas ne universitetin e Perugies në Itali për gjuhën italiane, në vazhdim me kurset e specializimit si Ndërmjetese Gjuhësore Kulturore (Mediatore linguistico-culturale). Falë këtyre titujve të studimeve kam filluar punë që prej janarit të vitit 2004 e deri sot në zyrën e emigracionit të qarkut të Chietit (Itali) ku përmblidhen 10 bashki.