• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDIT SHKRELI, KRENARI KOMBËTARE. DITË E SHËNUAR PËR SHQIPTARËT. SUKSES HISTORIK

November 8, 2023 by s p

EDIT SHKRELI, KRENARI KOMBËTARE. DITË E SHËNUAR PËR SHQIPTARËT. SUKSES HISTORIK.

HISTORIA FAMILJARE: Edita ka lindur në Shkodër, dhe emigroi në Amerikë me prindërit e saj kur ishte 13 vjeçe për t’i shpëtuar trazirave të Mars-it 1997. Babai i saj, Ing. Skender Shkreli, ka drejtuar ndërtimin e rrugëve, urave, uzinave dhe hidrocentraleve kudo nëpër Shqipëri. Po ashtu, Ing. Shkreli ka qënë kryeingjieri i eliminimit të pasojave të termetit të tmerrshëm të vitit 1979 me epiqendër në Dajç të Bregut të Bunës dhe kryeingjinieri i ndërmarrjes së asfaltimeve për të gjithë Zonën e Veriut. Nëna e saj, Elida Shkreli, ka punuar ekonomiste e qarkullimit monetarë në Bankën e Shtetit Shkodër, sot Banka Kombëtare Tregtare.

AVOKATE ME EKSPERIENCE:

Në vitin 2011, Edita përfundoj studimet e avokaturës tek New York Law School duke u diplomuar juris doctor, cum laude. Mbas pak muajsh, ka kaluar me herë të parë një nga provimet më të vështira të liçensimit, provimin e Shtetit të New York-ut (“bar exam”). Edita ka më shumë se tetë (😎 vite që punon pranë Gjykatave të Bronx-it dhe të White Plains me çështje comerçiale, divorci, etj. Ajo zotëron njohuri të larta juridike që së bashku me eksperiencat e saja e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin tonë.

PEDAGOGE E PËRKUSHTUAR:

Edita është pedagoge e përkushtuar në mësimdhënie, të cilën e ushtron tek New York Law School që në vitin 2019.

LIDER I KOMUNITETIT:

Edita jep kontributin e saj si anëtare pranë Bronx Community Board # 11 si dhe anëtare e bordi-t të organizatave jofitimprurëse, Neighborhood Initiatives Development Inc. dhe Albanian-American Educators Association.

Filed Under: Opinion

SHKOLLAT SHQIPE NË VIERSEN DHE MONCHENGLADBACH, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË GJERMANISË

November 7, 2023 by s p

Adem Shala, mësues i shkollës shqipe në Viersen dhe Monchengladbach të Gjermanisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Viersen dhe Monchengladbach, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Adem Shala bisedoi Editori i “Dielli”-t Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË VIERSEN

Shkolla shqipe në Viersen ka filluar punën për herë të parë me 2 gusht 1999 me mësues Adem Shala. Vitin e parë kishte mjaft vështirësi në organizimin e shkolles shqipe, mirëpo falë pervojes, energjisë dhe vullnetit që të kontriboj në mësimin e gjuhes amëtare dhe ruajtjen e kultures dhe traditave tona të çmueshme kombëtare për brezin e ri në Qarkun e Viersenit, e më vonë edhe në Grevenbroich (Qarku i Neussit) dhe më vonë në qytetin e Mönchengladbachut. Në vitin 1999 caktoj një takim me drejtoreshen e Entit Arsimor për Qarkun e Viersenit, me zonjen Wulf dhe i shprehi gadishmërinë time që të filloj punën me nxënësit shqiptar. U zhvillua një bisedë ( intervistë) në muajin maj 1999 afër një orë dhe u dakorduam që të njoftohem pas disa dite. Mirëpo unë u njoftova pas pushimeve verore,por tash zonja Wulf ishte pensionuar dhe kishte ardh një drejtor i ri dhe ai më ofroi vetem gjysem norme që të punoj me nxënës shqiptar. Mi dha tri ditë që ti kthej pergjigje, sepse unë ku isha duke punuar në punë tjera jasht profesionit tim fitoja më shumë se sa këtu me gjysem norme.

Duke e pasur parasysh sakrificen që kisha bërë për shkollen shqipe në atdhe me gjithë familjen time, vendosa të sakrifikoj kafshaten per tre fëmijët e mi vetem e vetem që mos ti lë fëmijët shqiptar pa mësuar gjuhen e nënës, kulturen dhe traditen tonë kombëtare. Kështu, me 2 gusht unë fillova me 15 orë mësimi, mirëpo gadishmëria ime, pervoja me njerëz dhe autoriteti që gëzoja te bashkatdhetarët, bëri që pas dy jave unë të dorëzoj një listë të nxënësve me 104 nxënës dhe në gjysemvjetorin e dytë punoja me normë të plotë. Mësimin e mbaja në Viersen para dhe pasdite, kurse në qytetet tjera pasdite, si në St.Tönis, Kempen, Vorst, Kaldenkirchen e më vonë edhe në Oedt, Grefrath, varësisht se nga lëviznin familjet e nxënësve.

Statusi i familjeve kur kam filluar shkollen shqipe ka qenë 90% i pa zgjidhur, kështu që dita dites pritej kthimi për në atdhe.Mirëpo ne jemi popull punëtorë, e gjermanë i duan punëtorët dhe nderkohë familjet zgjidhen statutin dhe u stabilizu qendrimi i shkolles shqipe. Edhe pse këto janë qytete të vogla, shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit ka qenë dhe është një nder shkollat shembull për numrin e madh të nxënësve dhe për aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive. Një bashkëpunim shembull i mësuesit me prinder dhe bashatdhetarë. Cdo vit kam pasur mesatarisht mbi 150 nxënës të ndara në grupe.Në qytetet ku ishte numri më i madh formoheshin grupet klasa 1-4 dhe klasa 5-10, ndersa në qytete më të vogla grupi i perzier nga klasa 1 deri 10 ( mësim i diferencuar).

Përveç mësimit të rregullt nxënësit angazhohen edhe në aktivitete kulturore dhe sportive. Çdo vit kremtojmë Festat e Nëntorit dhe pas shpalljes së Pavarësisë edehe në muajin shkurt kremtojmë Pavarësinë e Kosovës. Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit e ka organizuar Festivalin e parë (dhe të vetem) të shkollave shqipe, ku kanë marrë pjesë 22 shkolla shqipe mysafir special ka qenë Ansambli i Brukselit në vitin 2003. Në këtë festival janë prezentu nxënësit me këngë dhe valle popullore dhe në fund të gjitha shkollave iu janë ndarë MIRËNJOHJE dhe dhurata. Shkolla shqipe e Viersenit si nikoqir i ka siguru dhuratat dhe ushqimet dhe pijet për të gjithë të pranishmit gratis, ku mësuesi e ka organizu Këshillin e Prindërve; që të ofrojnë një ambient sa më të mirë dhe kushte të mira dhe të ofrojmë mikëpritje ashtu si na kanë mësuar paraardhësit tonë.

Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit ka marrë pjesë në Kampionatet e Diturisë të shkollave shqipe, të cilat i organizon KASH “Naim Frashëri“ në Gjermani, ku ka arritë suksese të jashtëzakonshme, ku 10 herë ka qenë fitues i garave në nivel të Gjermanisë dhe dy herë fitue i garave që i organizonte Mistria e Jashtme dhe Diasporës në RTK, si dhe shumë medalje në gatat sportive individuale në vrapime dhe ekipore në futboll për djem dhe vajza. Grupet e vallëzimit të shkolles shqipe të Qarkut të Viersenit dhe tash në Mönchengladbach janë të njohura në gjithë Gjermaninë, sepse në shumë aktivitete kulturore dhe në dy Festivale në Berlin kanë marrë pjesë me shumë sukses. Në Mönchengladbach është viti i gjashtë i imi që punoj në këtë shkollë, sepse më parë ka punuar një mësues i cili kur u pensionua erdha unë dhe atëherë ishin vetem 6 orë mësimi me një numer simbolik të nxënësve, diku rreth 20 nxënës, por me të marrë këtë grup fillova punën dhe fillova aktivitetet kulturore që kurrë më parë nuk kishte pasur në këtë qytet dhe pas një viti u rrit numri i nxënësve mbi 100 nxënës, prandaj Enti Arsimor rriti fondin e orëve nga 6 në 18 orë mësimi. Pasi unë kisha nevojë këtu vetem për 6 orë, 12 orë i mori mësuesja e re Ersa Mani (4 vite), pastaj erdhi mësuesja Kaltrinë Shabani Neziri.

Shkolla shqipe ka ndiku shumë në si në aspektin mësimor, po ashtu edhe në permirësimin e imazhit të shqiptarëve ndaj komunitetit vendas dhe ka qenë një ofertë e njohjes së komunitetit shqiptar dhe ta njohin kulturen dhe traditen tonë si në aspektin e kultures, mikëpritjes dhe të njohin ushqimet tona tradicionale, ku çdo herë janë nda shumë të kënaqur dhe shumë falenderues. Ata tash na thirrin special me grupet tona të vallëzimit të paraqiten në aktivitete kulturore që organizohen me komunitetet që jetojnë këtu.

KURRIKULA MËSIMORE E PREGADITUR NGA ENTET ARSIMORE NË NIVEL TË LANDIT

Kurrikula mësimore këtu është e pregaditur nga Entet Arsimore në nivel të Landit dhe atë duhet zbatuar në punën tonë me nxënës. Çdo vit organizohen seminare të shumta për punën dhe zbatimin e kurrikulave mësimore. Natyrisht aty lihet edhe një hapsirë që ti pershtatet specifikave të seciles gjuhë. Natyrisht temat janë të caktuara për të gjitha gjuhët, por ne e fusim si projekt Diten e Flamurit, apo Pavarësinë e Kosoves, njohjen e Atdheut tonë. Edhe ne kolegët e gjuhës shqipe shpesh takohemi dhe bisedojmë dhe pregadisim tema që janë në interes të shkolles shqipe. Shkollat ku mbajmë mësim na ofrojnë të gjitha mjetet e nevojshme mësimore që mësimi të jetë sam a kualitativ, sepse kjo formë e mësimit e ndihmon nxënësin edhe gjuhen gjermane. Nxënësit për pjesëmarrje n ë mësimin e shkolles shqipe marrin notë në gjysemvjetorin e parë dhe dëftesen me notë në gjysemvjetorin e dytë. Në klasen e dhjetë nxënësi është i obliguar ti nenshtrohet provimit dhe në bazë të notes i caktohet edhe niveli i pervetësimit të gjuhës shqipe (A1, A2,B1 apo B2).

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT ËSHTË I SHKËLQYER

Bashkëpunimi me prindërit është i shkëlqyer. Çdo vit zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i aktivit të prindërve në qytet ku mbahet mësimi, e pastaj këta së bashku e formojnë Këshillin e Prindërve, të cilët e marrin përsipër të ndihmojnë shkollen shqipe dhe i ndajnë detyrat në të gjitha aktivitetet e shkollës shqipe, i zbatojnë me përpikmëri dhe pas aktivitetit ulen dhe e bëjnë analizen e punës, rrjedhes së aktivitetit dhe suksesit. Në krye të punës dhe organizimit është mësuesi dhe krah i djathtë janë prindërit. Organizimi i mirë ka bërë që mbi 97% të nxënësve janë të perfshirë në mësimin e gjuhës, kultures dhe traditës shqiptare.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Në Gjermani përfshirja e nxënësve në shkollen shqipe per fat të keq është shumë e ultë. Në bazë të numrit të madh të bashkatdhetarëve tonë, mbi 400 000 në shkollën shqipe janë 2-3 % të nxënësve që vijojnë mësimin rregullisht. Këtu prinë Landi i NRW-së ku janë 27 mësues, Nidersachsen 3 mësues, Hamburg 1 mësuese, ndersa në Landet tjera si në Bajern, Baden Würtenberg organizohen kurse në grupe të vogla dhe në kushte të vështira. Patjeter se shkolla shqipe ka rëndësi në ruajtjen e identitetit kombëtar, për atë ne mësuesit japim shumë nga vetëvetja që gjeneratat e reja të rriten me gjuhën shqipe, me këngën dhe vallen shqipe, të njohin të kaluaren tonë me personalitete të njohura historike të nivelit botëror si Nënë Tereza, Skënderbeu, Aleksander Moisiu, këngëtarë, artist, piktor etj. Që kur i prezentojnë nxënësit tonë para komuniteteve tjera ndihen shumë krenarë dhe ua kann lakmi të tjerët. Me nxënës kam pregaditur edhe komedinë “Vëllazëri e interes“ dhe një dramë nga lufta e Kosovës, “Gjysh e gëzofshim lirinë së bashku“, skenarin e kam shkruajtur unë por edhe regjinë e kam bërë unë.

SI REAGON SHOQËRIA GJERMANE NDAJ MËSIMIT SHQIP

Për të qenë krenarë nxënësit tonë, në të gjitha programet tona vijnë shumë mysafir jo shqiptar që me kënaqësi marrin pjesë poashtu edhe mbajnë fjalime rasti dhe thonë:“Nuk e paskemi ditë çfarë pasurie paska pasur qyteti jonë, por meqë tani po e dimë, jemi me fat“. Mësimi i gjuhes shqipe këtu pritet jashtëzakonisht mirë. Bashkëpunimi me drejtoritë dhe me koleget e gjuhes gjermane është shumë i mirë dhe për çdo gjë konsultohemi dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Shkolla shqipe ka bashkëpunim të mirë me shoqatat gjermane, por edhe me institucionet tona shtetërore me Konsullatat dhe Ambasadat e Shipërisë, Kosovës, por edhe me Konsujt shqiptar nga RV e Maqedonisë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTËRSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe shteti gjerman na i siguron kushtet e punës, por edhe tekstet shkollore pa pagesë. Gjatë pandemisë ne jemi detyruar që të organizojmë mësimin në distancë- online, prandaj për organizimin e kësaj forme është dashtë me i pas edhe mjetet shkollore. Shkolla na ka pais me iPad si neve mësuesit, por edhe nxënësit dhe çdo gjë ka rrjedhë mirë duke pasur parasysh rrethanat. Ne kemi vështërsi në raste të veçanta kur nxënësi është nga prindër binacional, nese ata nuk flasin në shtëpi shqipe, atëherë vështërsitë janë evidente. Me të tjerët nuk kemi kurrfarë vështirësie.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Mësimi i gjuhës shqipe dhe pjesëmarrja në mësimin e gjuhës shqipe i ka bë shumë të lumtur këta fëmijë e tash edhe disa prej tyre që janë bë prindër dhe i sjellin fëmijët e tyre në shkollen shqipe. Njohja e gjuhës i ka tërheq me shkua më shpesh në atdhe, me kontaktu me familjar dhe me shok e shoqe në atdhe, ku kjo ka ndiku edhe në martesa mes nxënësve shqiptar, me vizita të shumta në Atdhe, ku i kanë mbajt në mend kur ju kam thënë apo e kam pershkru Shqipërinë dhe Kosovën me bukuritë e shumta dhe nga atje më shkruajnë: “Mësues kemi ardhë dhe po e shijojmë bukurinë shqiptare, ate që na keni thënë gjatë orëve mësimore, faleminderit”!

KUSH ËSHTË MËSUES ADEM SHALA?

Adem H. Shala, u lind me 24.03.1959 në fshatin Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, pastaj shkollen e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë dhe studimet në FSHN – seksioni i kimisë, i diplomuar në vitin 1982 me titullin Profesor. Si mësimdhënës për herë të parë ka filluar në vitin 1982 në gjimnazin “ Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë, deri në dhjetor 1986, pastaj për tri vite me rradhë drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe. Nga viti 1989 u punësua në MC të Kosovës si bashkëpunëtor i lartë profesional i MRBK, deri në korrik 1989, kur e larguan me dhunë nga vendi e punës, përshkak të përkrahjes haptas të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Pas largimit nga puna u angazhua vullnetarisht në mbajtjen e mësimit në gjimnazin “Hivzi Sulejmani” të Fushë- Kosovës nëpër shtëpitë shkolla, gjithashtu në shkollën ekonomike në Vragoli , si dhe në kordinimin e sigurimit të lokaleve – shtëpive për mbajtjen e mësimit nxënësit e shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe pasi që regjimi serb i largoi nga objekti shkollor. Nga viti 1991, në muajin maj u angazhua në Shtabin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i formuar me urdhër të Komandantit Suprem të Republikës së Kosovës – Dr. Ibrahim Rugovës, ku i ngarkuar për të koordinuar punët ishte Dr.Fehmi Agani. Kjo veprimtari zgjati deri në shtator 1993, kur një pjesë e shtabit u arrestu nga regjimi serb, ndërsa një pjesë u arratisën, prandaj ai arriti të arratiset në Shqipëri. Pas përfundimit të luftës, ky shtab e avancoi me gradën e Nënkolonelit. Në Shqipëri qendroi deri në shtator 1995, kur emigroi për në Gjermani, ku edhe jeton sot. Në Gjermani nuk qëndroi kot, mori iniciativen për organizimin e mësimit shqip për nxënësit shqiptarë në rrethinen e Magdeburgut, por pasi që u transferua në Landin e NRW, me iniciativen e tijë, me 2 gusht 1999 filloi punën e shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit – në Viersen, Vorst, Kempen, pastaj në St.Tönis, Oedt, Grefrath, Kaldenkirchen, Lobberich dhe dy vitet e fundit edhe në Grevenbroich- Enti Arsimor i Neuss-it dhe në Mönchengladbach. Kontributi i tij në KASH “Naim Frashëri” në Gjermani është i madh, si me ide organizative, profesionale, prandaj dy mandate u emërua si nënkryetar dhe Kryetar i KASH “ Naim Frashëri” ishte në mandatin dhjetor 2008 – dhjetor 2010. Në këtë mandat me inicitivene tij Kampionati i Diturisë “ Berlini 2009” u mbajt nën patronatin e Ambasades së Republikës së Kosovës, ku kjo ishte një nder dhe respekt për Ambasaden tonë dhe Shtetin tonë. Në këtë mandat bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë, Konsullin shqiptar të Republikës së Maqedonisë, por edhe me Konsulaten e Rep. së Kosovës në Shtutgart. Me qëllim që të avancohet akoma puna e KASH-it vullnetarisht tërhiqet që të hap rrugë për të tjerët, por gjithmonë i gatshëm të jep kuntributin e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: adem shala, Sokol Paja

Fan Noli në një biografi të re

November 6, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Ju ftoj në promovimin e librit “Apostulli”, vëllimi i parë i një biografie të re për Fan Nolin. Ka 430 faqe dhe është botim i UET Press.

Promovimi bëhet të martën, më 7 nëntor, ora 13:00 në Universitetin Europian të Tiranës (shkohet me autobusin e Porcelanit).

Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësisht e dokumentuar.

Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press.

Ju faleminderit.

Filed Under: Opinion

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN, IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

November 4, 2023 by s p

“Të veçantat e vitit mësimor 2023-2024”, Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në mërgatë, gjuhën shqipe si pasuri kombëtare dhe identitare, rolin e mësimit shqip te rritja e ndjenjës patriotike te fëmijët.

PËRPJEKJET PËR MBAJTJEN GJALLË TË GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Si çdo vit të ri shkollor, emocionet dhe ndjesitë janë tepër pozitive, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por në të njëjtën kohë është edhe ndjenja e përgjegjësisë për të arritur maksimumin në procesin e mësim dhënies, si nga ana e mësuesit, ashtu dhe të nxënit nga ana e fëmijëve. Synimet janë të mëdha nga të dyja anët, e mësuesve dhe nxënësve, por çelësi për arritjen e tyre, në radhë të parë, është vullneti dhe puna sistematike e nxënësve për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe, jo vetëm në klasë por edhe në familjet e tyre. Gjuha larg trojeve amtare është si bima, nëse nuk e ushqen dhe nuk e ujit vazhdimisht, ajo do të thahet. Mbajtja hapur e klasës së gjuhës shqipe pranë kishës së Shën Palit, tregon se është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur gjallë gjuhën tonë. Procesi i mësimit është i njëjtë më atë të viteve të kaluara. Teksti bazë për nivelin fillestar është Abetarja dhe libri i ushtrimeve, ndërsa për nivelin e dytë, janë përzgjedhur pjesë nga gjuha shqipe e klasës së dytë.

EKSPERIENCA, ARRITJET KRYESORE, EFEKTI TE FËMIJËT

Pa dyshim që është një eksperiencë shumë e bukur. Ajo që vlerësoj më shumë gjatë këtyre viteve, është dëshira e madhe e një pjese të mirë të fëmijëve, për të mësuar gjuhën e bukur shqipe. Më kanë mbetur në kujtesë shumë fëmijë që mezi prisnin të vinin në klasë. Në sytë e tyre pasqyrohej etja e madhe për të thithur çdo fjalë të re. Ndrojtja e fëmijëve në fillim të vitit, ngadalë dhe pa u kuptuar vjen e tretet dhe ata çlirohen krejtësisht, aq sa mezi presin tu vijë rralla që të flasin e të lexojnë. Arritja kryesore është që fëmijët të përvetësojnë gjuhën shqipe, gjë që nuk është e lehtë të arrihet kur jeton në vend të huaj, por me vullnet e punë çdo gjë arrihet. Gëzohem shumë, kur prindërit më thonë se fëmija i tyre shkruan mesazhe apo flet në gjuhën shqipe me kushërinjtë që ka në Shqipëri, Kosovë, Malësi apo kudo që ata jetojnë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE RRIT NDJENJËN E KRENARISË KOMBËTARE

Vetë prania e tyre në klasën e mësimit të gjuhës shqipe, tregon se ndjenja e patriotizmit dhe atdhedashurisë është e fortë brenda tyre. Mësimi i gjuhës e rrit edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe dëshirën për të vizituar gjithnjë e më shpesh tokën amtare, për ta njohur historinë e Shqipërisë edhe më mirë.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË GJUHËSORE E KULTURORE KOMBËTARE

Një popull që nuk ruan gjuhën e tij, është i destinuar të zhduket. Faktori kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të çdo kombi, është gjuha. Një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, është ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj ndër breza. Është pikërisht gjuha ajo, që shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën dhe traditat e çdo vendi. Vendi ynë ka një pasuri të jashtëzakonshmë të trashëgimisë kulturore jo vetëm materiale por edhe shpirtërore, si folklori, gjuha e pasur, traditat, njohuritë tradicionale, etj. Nëpërmjet gjuhës janë përcjellë ndër breza gojëdhënat, legjendat, këngët, historia e hershme e të parëve tanë dhe vendit tonë.

THIRRJE PRINDËRVE: SILLNI FËMIJËT TE KLASAT E GJUHËS SHQIPE

Në bazë të statistikave që publikohen, thuhet se numri i shqiptarëve në emigrim, është më i madh se i atyre që jetojnë në trojet amtare shqiptare. Rreziku i asimilimit të këtyre familjeve shqiptare është përherë i pranishëm. Janë prindërit, që kanë peshën kryesore për ta shmangur këtë rrezik, t’iu mësojnë fëmijëve gjuhën, duke kumunikuar shqip dhe vetëm shqip në familje. Vizitoni sa më shpesh të jetë e mundur vendlindjen bashkë me fëmijët tuaj, mundësisht që ata ti kalojnë atje pushimet e verës me kushërinjtë dhe të afërmit e tyre, kjo i ndihmon jo vetëm të mësojnë gjuhën, por të duan edhe më shumë vendin dhe të afërmit e tyre. Të gjithë ne që jetojmë jashtë trojeve amtare, e dimë shumë mirë se sa e shpejtë është e përditshmja, vetë jeta, sa e paktë është koha që kalon me familjen, por pavarësisht kësaj, me aq sa të mundeni, mos u dorëzoni duke e lënë pas dore gjuhën tonë shqipe. Në çdo vend të botës ku jetoni, nëse keni afër një shkollë ku mësohet shqip, mos hezitoni t’i dërgoni fëmijët tuaj aty sepse është investim me vlerë për të ardhmen e fëmijës tuaj, i formimit të tij dhe ruajtjes së identitetit tone kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, vera ivanaj

3 NËNTORI I VITIT 1443 DITA KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE U RIKTHYE NË ATDHE 

November 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar — do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshir diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anëa e mbanë trojeve shqiptare nën sunidme të huaja në Ballkanin Përendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta—të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithëmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Atdhe. 

Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i  shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit- Skenderbe–   Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nentori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik.  Ky qendrim anti-kombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar –i cili me luftimet e tija kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo date e kthimit të Skednerbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Evropa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit Skenderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane.  Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve

të Evropës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot por

edhe për mbarë Evropën. Dikush duhet t’ua kujtojë evropianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – I këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarsinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore. 

Ndryshe nga heshtja e klasës së sotëme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishitnë – ishte At Gjergj Fishta –Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme evropiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut end enuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? 

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftse Evropa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha evropiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër — për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – Dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqës së Perandorisë Osmane dhe që. Njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit evropian!?

Pamje nga Sheshi “Skenderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW –Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar. Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916). 

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjërë i tim-eti,
Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti.”

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”

A person sitting in front of a statue

Description automatically generated

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT