• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT

June 28, 2022 by s p

Prof.Asoc.Dr. Mateo SPAHO, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Kolegji Universitar “LUARASI” në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli të Federatës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon krizën ekonomike në Shqipëri dhe pasojat, efektet e rritjes së çmimeve, masat që duhet të marrë qeveria për të mbrojtur konsumatorët dhe parashikon efektet që do të ketë ekonomia dhe shtetet në rast të vazhdimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

MASAT QË DUHET TË MARRË QEVERIA PËR TË PËRBALLUAR KRIZËN E ÇMIMEVE

Në fakt ka shumë vite që qeveria shqiptare ka dëshmuar se nuk është drejtpërdrejtë e interesuar për fatin e shumicës se Shqiptarëve por vetem të një pakice të ngushtë që e lejon atë të qëndrojë në këmbë. Dua të them këtu se në demokraci në teori ka rëndësi vullneti i qytetarëve por kur në praktikë një grusht biznesmenësh kontrollojnë hapsirën mediatike shqiptare mund të themi se i kanë instrumentat për të devijuar dhe ndryshuar perceptimin mbi realitetin që njerëzit kanë. Në fakt emrin oligark nuk e kemi shpikur ne si Shqiptarë por dukuria është e pranishme edhe në Shqipëri. Të njëjtët manjatë mediatik kanë interesa edhe në botën e ndërtimit, të tenderave publik, në financë, shitblerje, PPP etj… Po ta shohim në këto vite shumica e shqiptarëve ka gjithnjë e më pak ndërsa shumë pak njerëz kanë gjithnjë e më shumë. Për pasojë edhe buxheti i shqiptarit mesatar është i mpakur dhe i ndrydhur nga taksa direkte dhe indirekte, nga produkte të skaduara, nga ilaçe pa principe aktive, nga çmime jashtë çfarëdolloj kontrolli dhe po ky shqiptar mesatar po mendon gjithnjë e më tepër të shikoje përtej kufirit. Hapësirat buxhetore për tejkalimin e krizës janë të mëdha pasi shteti Shqiptar ka rreth 400 milion dollarë të ardhura shtesë nga taksat dhe tatimet mbi çmimet e rritura. Aksioni më urgjent që duhet të ndërmerret është të ulet nga 20 në 10 për qind tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e shportës dhe natyrisht të ulej së paku me 12 lekë të reja për litër akciza mbi karburantet. Vetëm këto dy masa do të kushtonin me pak se 200 milion dollarë…pra do të kishte hapësira edhe për veprime të tjera.

BORXHI PUBLIK NË STRATOSFERË, A PO E RREZIKON QEVERIA FALIMENTIN E SHTETIT?

Kontrolli i Lartë i shtetit prej shumë vitesh tashmë në raportet vjetore që i prezanton Parlamentit shkruan për abuzime të barabarta me 15 deri në 20 për qind të buxhetit të shtetit ose mesatarisht 600 milion dollarë në vit. Kjo do të ishte skandaloze në një vend normal dhe fajtoret do të ishin në burg. Ndërkohë në Shqipëri fajtorët promovohen në detyrë dhe bëjnë karrierë ndërkohë që Parlamenti nuk merr asnjë vendim real. Shpesoj që strukturat e reja të drejtësisë të veprojnë (ndryshe nga të vjetrat) dhe ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt sepse korrupsioni po bëhet plagë endemike në administratën dhe shoqërinë shqiptare. Në të njëjtën kohë Borxhi Publik nuk arrihet dot më të matet sepse veç detyrimeve normale ku borxhi kuantifikohet (dhe ka shkuar mbi 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto) kemi dhe detyrimet e PPP të cilat pritet te lindin me kalimin e viteve dhe këto detyrime do të jenë një presion në rritje për buxhetin e shtetit shqiptar. Çfarë është më e dëmshme është se qytetarët shqiptarë nuk marrin sot shërbime shtetërore (PPP) më të mira e as më cilësore. Thënë ndryshe paguhen më shtrenjtë shërbime që nuk janë më të mira. 

LUFTA, ÇMIMET, TREGJET…ÇFARË DO TË NDODHË NË TË ARDHMEN?

Prej shumë dekadash tashmë çmimet e commodies ose të lëndëve të para më të përdorura në botë kuotohen në bursat ndërkombëtare. Në fakt nuk përcaktohet çmimi i një commodity si psh gruri por nga instrumenti derivativ future ku konkretisht vendoset sot çmimi i grurit që do të dorëzohet te blerësi pas 6 muaj apo 1 vit. Reth 98% i blerësve te future e përdorin atë për arsye spekulative dhe natyrisht që me çmimin po luhet për të patur përfitime por nuk mund të mohohet se nga muaji Shtator e tej problematikat do të behen reale dhe të prekshme. Për çmimin e naftës nderkohë procesi i spekullimit ndodh prej shumë kohësh por tregjet po shkojnë drejt një ekuilibri të ri me çmimin 100 dollare për fuçi. Ky çmim nuk është i shkaktuar në fakt nga lufta në Ukrainë por më shumë nga rritja e konsumit të vendeve të Azisë si Kina dhe India të cilat po përjetojnë një rritje ekonomike të lartë të rifilluar pas covid 19. Duhet të mesohemi me çmime të tilla për naftën ndërsa për grurin nëse lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë do të kemi probleme edhe më të mëdha.

VARFËRIA, SKAMJA, INFORMALITETI DHE EMIGRIMI, KRIZA DHE NDIKIMI NË SHQIPËRI

Vendet që rrezikojnë më shumë nga rritja e çmimeve i përkasin kontinentit afrikan dhe Bashkimi Europian po angazhohet fuqishëm që të gjejë një rrugëdalje për transportin e grurit rus dhe ukrainas në tregjet ndërkombëtare pas në të kundërt Europa mendon se nga reth 700 milion banorë që ka Afrika reth 50 milion prej tyre do të kapërcejnë detin Mesdhe në kërkim të shpëtimit. Kjo do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrin social dhe etnik të Europës, jo për mirë. Shqipëria në rang global është vend me të ardhura mesatare. Jemi në pozicionin e 94 nga rreth 200 shtete. Në Shqipëri rreth 10% e popullsisë do të rrezikonte të kalonte nga varfëria në skamje dhe një 20% tjetër do të rrezikonte të zbriste në varfëri nga pozita e shtresës së mesme. Thënë ndryshe një e treta e shqiptareve do të rrezikojnë të ndryshojnë statusin e tyre ekonomik dhe kjo do ti shtynte të kërkonin alternativa të tjera për të jetuar duke rritur informalitetin dhe krimin ose duke emigruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mateo Spaho, Sokol Paja

PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”

June 27, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në Qershor të vitit 1963, Presidenti John F. Kennedy filloi një turne në Evropen Perendimore, e cilësuar si një vizitë e vullnetit të mirë dhe si një vizitë me qëllim për të forcuar unitetin në radhët e aleateve të Amerikës në Evropë. Presidenti Kennedy e filloi turneun e tij evropian në Gjermani, një vend ky që 20 vjete më heret, nën diktaturën hitleriane, donte të pushtonte botën, por pas humbjes së Gjermanisë në Luften e Dyte Botërore, vendi u nda ne dy pjese: Gjermania Lindore mbeti nën kontrollin sovjetik dhe Gjermania Perendimore u bë shtet demokratik. Rrjedhimisht, edhe Berlini, megjithse gjeografikisht ndodhej në Gjermanine Lindore, u nda gjithashtu në Berlinin Perendimor të kontrolluar nga aleatët perëndimorë: amerikanët, britanikët dhe francezët — dhe në Berlinin Lindor të kontrolluar nga sovjetikët dhe aleatët e tyre të regjimeve komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Me 1948, komunistet sovjetike filluan një blokadë të trenave dhe të rrugëve kryesore automobilistike të Berlinit Perëndimor dhe me 1961 autoritetet komuniste të Gjermanisë Lindore, me ndihmën sovjetike, filluan ndërtimin e një muri me një lartësi më se dy metrash dhe me një gjatësi prej më shume se 100 kilometrash, rreth e përqark Berlinit Perëndimor, me qëllim për të ndaluar arratisjen e njerëzëve nga vendet komuniste në perëndim.

Presidenti amerikan John Kennedy mbahet mend për shumë gjëra dhe ciclësi të mira dhe zotësie, por njihet më së miri si orator i spikatur. Në fjalimin e tij — tanimë të fameshëm nga pikëpamja historike — në Berlin me 26 Qershor, 1963, Presidenti Kennedy, ashtu siç bëri më vonë edhe Presidenti Ronald Reagan me 1987, theksoi, dallimet rrënjësore ose kontrastet e mëdha midis sistemeve të lira demokratike perëndimore dhe shoqërive, seriozisht — shoqërisht dhe politikisht të dëmtuara të botës së atëherëshme komuniste.  Presidenti Kennedy, ka theksuar shpresën për liri e demokraci që u ofronte Berlini Perëndimor, atyre qe vuanin nën komunizëm, për mungesën e të dyja këtyreve.

Në kulmin e luftës së ftohtë, Presidenti John Kennedy, në fjalimin e tij historik me 26 qershor, 1963 në Berlin, ish-presidenti amerikan ka shprehur solidarizimin e Amerikës me banorët e Berlinit Perëndimor, ndërsa ka lavdëruar karakterin, këmbënguljen dhe durimin e tyre në përpjekjet dhe shpresat e tyre për liri dhe demokraci.

Për qëllime të kujtesës historike, ja disa pjesë nga fjalimi i famëshëm i Presidentit Kennedy në Berlin, më 26 Qershor të vitit 1963:

“Dy mijë vjet më parë ishte mburrje dhe krenari të deklarojë se je qytetar romak (civis Romanus sum). Sot, në boten e lirë, mburrja më kryenare është te thuash: Unë jam qytetar i Berlinit, (Ich Bin Ein Berliner).”

“Ka shume njerez në bote qe me të vertetë nuk e kuptojnë ose — të paktën thonë se nuk e kuptojnë — se cili është ndryshimi midis botës së lirë dhe botës komuniste. Le të vijnë ata e të shohin se ç’po ndodhë ktëu në Berlin.”

“Ka disa të tjerë që thonë se ‘komunizmi eshte e ardhmja e njerëzimit. Le të vijnë ata e të shohin këtu në Berlin. Dhe ka edhe të tjerë në Evropë dhe gjetiu që thonë se eshtë e mundur të bashkpunosh me komunistët. Le te vijnë e të shohin vet se ç’po ngjan këtu në Berlin.”

“Dhe bile ka të tjerë që thonë se, po, eshtë e vërtetë se komunizmi ështe një sistem shumë i keq, por mundëson perparimin ekonomik.’ (Lass sie nach Berlin commen). Le të vijnë edhe ata e të shohin vet me sytë e tyre këtu në Berlin”, se çfarë po ndodhë!

“Liria përballet me shume veshtiresi dhe demokracia nuk eshte një sistem i përsosur. Por, ne nuk jemi detyruar kurrë qe te ndërtojme mure per të mbajtur popullin tonë të rrethuar, për t’i penguar njerëzit tanë që të lëvizin, lirisht.”

“Megjithse muri eshte prova me e qartë qe ve ne dukje deshtimet dhe të metat e sistemit komunist, te cilat i sheh e gjithe bota, ne nuk kenaqemi nga kjo situate sepse ky mur eshtë një ofendim kundër njerëzimit, sepse ka ndarë familjet. Ka ndarë burrat nga bashkshortet dhe vellëzërit nga motërat, si edhe duke ndarë një popull që dëshiron të jetojë i bashkuar.”

“E vërteta e këtij qyteti eshtë e vërteta e Gjermanisë, në fakt: se paqeja e vertetë në Evropë nuk mund të sigurohet kurrë për derisa njerit prej katër gjermanëve i mohohet e drejta elementare e njeriut të lirë, e që ështe të ketë mundësi të vendosë vetë fatin e tij.”

“Liria eshte e pandashme. Nuk mund të ketë disa njerëz të lirë e disa jo të lirë. Kur një person skllavërohet, asnjë njeri nuk eshtë i lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, shpresojme qe te vije dita qe ky qytet te bashkohet si një, ashtu siç shpresojmë që të vijë dita kur edhe Gjermania dhe e gjithë Evropa të bashkohen në një botë në paqë…Kur të vijë kjo ditë dhe kjo ditë do të vijë pa tjetër dhe pa asnjë dyshim, banorët e Berlinit Perendimor mund të shpalosin kenaqesine e permbajtur deri tani per faktin se ata ishin në vijat e frontit…”, të luftës për liri e demeokraci.

“Te gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojne, jane qytetare te Berlinit. Prandaj, si njeri i lirë, unë jam krenar të them se: Ich Bin Ein Berliner. Unë jam qytetar i Berlinit.”

Fatkeqësisht, u deshën 25 vjet pas parashikimit të Presidentit John F. Kennedy, që më në fund të bashkohej Gjermania dhe Berlini, kur u shemb Muri i Berlinit. Ai mur — i cili për 28 vjet, ishte simboli më i keq i ndasisë midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik anti-komunist, si edhe simboli i shtypjeve komuniste i të drejtave themelore të njeriut — u shemb në Nentor të vitit 1989, ndërkohë që komunizmi dhe perdja e hekurt ranë anë e mbanë Evropës Lindore, duke shënuar kështu mbarimin e luftës së ftohtë prej pothuaj gjysëm shekulli në Evropë dhe në botë. 

 Fjalimi i Presidentit John F. Kennedy më 26 Qershor, 1963 në Berlin, duke e shpallur veten qytetar të Berlinit të ndarë — në kulmin e luftës së ftohtë — përputhej me zotimin që u kishte premtuar amerikanëve si dhe me paralajmërimin që i kishte bërë botës në fjalimin e inaugurimit të tij president, dy vjet më heret.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e tij si president: “Le ta dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqën, se ne do paguajmë çdo çmim, do bartim çdo  mundim e sakrificë do të mbështesim çdo mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën edhe suksesin e lirisë.”

(Ribotim nga 26, qershor, 2010, me disa përditësime)

Frank Shkreli
Image result for john f kennedy speech ich bin ein berliner images

A person standing at a podium with microphones in front of a group of people

Description automatically generated with medium confidence

Presidenti John F. Kennedy, Berlin 26 Qershor, 1963 –“Unë jam qytetar i Berlinit”

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË

June 25, 2022 by s p

Sokol Paja/

Protesta Kombëtare Opozitare e 7 Korrikut 2022 thirrur në Tiranë nga Partia Demokratike është një lajm optimist për qytetarët, opozitarët, mediat dhe këdo që  dëshiron ta shohë Shqipërinë më mirë, qytetarët që të kenë një të ardhme më të sigurtë e Atdheun më të zhvilluar e më përparuar. Pak ditë më parë, Ish zv.kryeministri i partisë-shtet Braçe denoncoi në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë qeverisjen korruptive të socialistëve duke i fajësuar për paralizë të administratës publike dhe deformime të tregut. Kur këto akuza vijnë nga brenda familjes politike qeverisëse dëshmojnë dhimbshëm shëmbjen dhe kapjen e shtetit. Korrupsioni aktiv që po varfëron çdo ditë e më tepër qytetarët, prodhuesit, fermerët,  dhe të vetmit që pasurohen janë drejtuesit e lartë politik socialistë dhe oligarkët në shërbim të qeverisë. Qytetarëve shqiptarë u ka mbetur vetëm një zgjidhje ose largimi nga Shqipëria osë përballja me çdo mjet dhe çdo kusht me qeverinë më të keqe të 30 viteve tranzicion. Kryeministri Rama ka zaptuar çdo institucion të varur e të pavarur, shteti po rrëshket dhimbshëm drejtë diktaturës. Partia-shtet, partia-pushtet dhe pushteti – shtet janë e njëjta gjë. Një dirigjent i paaftë bashkë me orkestërn e tij të shëmtuar që pështiros shqiptarët me propagandë dhe dështime të njëpasnjëshme nga mëngjesi deri në darkë. Shqiptarët e ndershëm, të harruar e të pamundur, përfaqësojnë shqiptarët e vërtetë në Shqipërinë e uzurpuar prej “sektit rilindas”. Në një vend demokratik ikën nga pushteti qeveria kur dështon në përmbushjen e përgjegjshmërive, në një vend diktatorial sovrani fatkeqësisht detyrohet të lërë vendin duke lënë një pasuri të madhe shpirtërore, ekonomike e shoqërore. Largimi nuk është zgjidhje, përballja deri në rrëzim është kushti për të çliruar shqiptarët prej një gangrenë 9 vjeçare qeveritare. Protesta Kombëtare Opozitare e 7 Korrikut 2022 duhet të jetë sa më masive dhe të përfshijë çdo shqiptar që e do Shqipërinë më të bukur, më të zhvilluar, si një vend që çdo familje projekton të ardhmen e fëmijëve të tyre. Sot shteti është i kapur, pushteti fuqizohet, pasurohet, qytetari varfërohet. Reagimi i fuqishëm opozitar është i domosdoshëm, lufta për pastrimin e së keqes që drejton Shqipërinë është mision i shenjtë. Nëse vërejmë shkolla që mbyllën, departamente në krizë për studentë dhe tregje, fuqi punëtore që ikën jashtë Shqipërisë dëshmon qartë për plagën e madhe sociale të Shqipërisë. Shqiptarët sot përballen me varfëri ekstreme, rritje të papërballueshme të çmimeve, falimentim të bizneseve, mbyllje të shkollave e degëve në universitete, ikje masive e profesionistëve dhe intelektualëve, braktisje fatale e atdheut, qeverisje e pa përgjegjshme, korrupsion masiv në çdo qelizë të shtetit, shpërdorim masiv i resurseve dhe burimeve natyrore të Atdheut. Të gjitha këto e jo vetëm shtuar projektet korruptive në infrastrukturë, energjitikë etj e bëjnë Shqipërinë një vend që ka shumë nevojë për ta luftuar të keqen të instaluar në qeverisje. Opozita ka nevojë për gjithëpërfshirje, fytyra të reja me ide vizionare, filozofi të re politike e shtetformuese me synimin për të ngjallur optimizëm dhe shpresë te çdo shqiptar përfshirë edhe sygjerimet e diasporës shqiptare. Ky aksion politik opozitar duhet mbështetur me protestat popullore masive dhe të pandalshme ne çdo cep të Shqipërisë duke e shtrirë veprimtarinë opozitare edhe në diasporë ku zëri i tyre amplifikon në institucionet e larta ndërkombëtare. Shqipëria duhet një orë e më parë duhet të çlirohet prej grabitqarëve, të cilëve nuk iu ka mbetur gjë tjetër pa përvetësuar përveçse të bëjnë pazare me trojet e të parëve. Shqipëria është vend i bekuar si në dimër dhe në behar, nuk ka vend për gjakprishur e tradhëtarë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?

June 25, 2022 by s p

“BALLKANI I HAPUR” LËVIZ NË SKEMAT RUSE*

Shaban Murati*

*Marrë nga libri i autorit: “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

E vërteta diplomatike dhe historike është se në çdo grupim, aleancë apo bashkim rajonal apo subrajonal shtetesh, me etiketë ekonomike apo politike, gjithmonë del më i fituar shteti më i fuqishëm. Formatet dhe grupimet subrajonale janë një praktikë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ballkani ka njohur dhjetëra, deri te projekti i ri subrajonal serb i “mini Shengenit ballkanik” apo “Ballkanit të hapur”. Si rregull liderët ballkanikë kanë kujtesë të shkurtër dhe mbyllin sytë përpara realitetit të dominimit të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe demografike në çdo grupim subrajonal ballkanik. Ka pasur deri tani një rrymë positive europeiste, që shtetet e Ballkanit Perëndimor me zgjedhjen e tyre të orientimit euroatlantik, ia linin BE-së dhe NATO-s yllin e tyre polar strategjik.            

Befas që nga tetori i vitit 2019 e deri tani kemi një devijim të qëllimshëm nga ky pozicion strategjik europeist me projektin e grupit të ri subrajonal apo separatist me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur”, që deri tani ka trullosur vetëm dy kryeqytete nga 12 që ka i gjithë Ballkani. Megalomania diplomatike serbe pretendon se grupimi i ri subrajonal do t’u sjellë shteteve pjesëmarrëse prosperitetin dhe integrimin e shumëpritur, me ndryshimin se tani në vend të integrimit europian do të kenë integrimin serb. Konstatohet se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare të projektit serb, ka një ngutje diplomatike dhe politike të sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal. Kjo ngutje ka ngjallur kënaqësi strategjike dhe diplomatike në Moskë, ku Rusia vlerëson se projekti serb “Ballkan i hapur” ka përputhje me planet e Moskës për ndikim në gadishullin ballkanik. Modelin e integrimit të grupimit të ri minishengist e përcaktoi publikisht zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko, i cili në Beograd më 18 qershor 2021 deklaroi se vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës Ruse, pra të bëhen si një shtet federativ, që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse. Domethënien dhe hartën rrugore të “Ballkanit të hapur” serb Rusia e kupton më mirë se çdo shtet tjetër i madh i interesuar për rajonin tonë, sepse Rusia ka në dorën e vet dhe menaxhon lojtarin kryesor të këtij grupimi subrajonal, që është Serbia.

Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë njohur Serbinë nga pozita inferiore dhe në pozicionin e më të dobëtit, Rusia është shteti që ka plazmuar Serbinë, është aleati i vetëm strategjik i Rusisë në rajon, dhe Moska ka instrumentet për të drejtuar diplomacinë dhe strategjinë ballkanike serbe në linjat e interesit të politikës ruse në Ballkan. Ndaj kur flitet për nismën serbe të “mini Shengenit” apo të “Ballkanit të hapur” nuk mund të kesh kuptim të saktë të saj pa lexuar se ç’thonë diplomacia, analitika dhe shkenca ruse e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse mbi tezat dhe rekomandimet e tyre ndërtohen formulimet, taktikat dhe strategjia e shtetit rus në Ballkan. Në këtë linjë paraqet shumë interes shpjegimi, që i bën nismës serbe të “Ballkanit të hapur” portali proqeveritar rus “eadaily” më 13 gusht 2021 me titullin “Kujt i pengon ‘bota serbe’?” Për herë të parë nga të gjitha analizat diplomatike, që i janë bërë prej dy vitesh projektit serb të “mini Shengenit” apo “Ballkanit të hapur”, analitika ruse zbulon thelbin e këtij projekti serb, duke e cilësuar “Ballkanin e hapur” si vazhdim të projektit serb të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Ja shpjegimi i analistit rus: “Pikërisht nga realizmi politik u diktua presidenti Vuçiç përgatitja e projektit të shkëmbimit të territoreve me shqiptarët e Kosovës. Me këtë projekt ai defacto iu kundërvu autoriteteve të Prishtinës, por edhe gjithë BE-së, dhe në radhë të parë Gjermanisë, qeveria e së cilës fetishizoi “paprekshmërinë e kufijve në Balkan”.

Pra Rusia pranon se projekti i shkëmbimit të territoreve, I qarkulluar në vitin 2018 dështoi nga Gjermania, megjithëse ai kishte përkrahjen nga Serbia, Shqipëria, Rusia dhe Franca. Në këtë situatë dështimi presidenti serb dhe diplomacia serbe u përpoqën të gjejnë rrugë të re për realizimin e objektivave territoriale të projektit të shkëmbimit të territoreve. Ja si e analizon portali rus: “Presidenti Aleksandër Vuçiç e gjeti përgjigjen origjinale për këtë situatë dhe u mor me organizimin e “mini Shengenit ballkanik”, nismë e cila tani mori emrin “Ballkan i hapur”. Analitika ruse zbërthen që projekti serb i një viti më vonë i “mini Shengenit balllanik” në 2019 është vazhdim I objektivave territoriale të Serbisë të parashikuara me projektin e shkëmbimit të territoreve. Veçse tani ka një ndryshim dhe një shtrirje më të madhe të ambicieve territoriale serbe. Me projektin e shkëmbimit të territoreve Beogradi synonte të merrte territoret veriore të Kosovës.

Me projektin e “Ballkanit të hapur” synon që të marrë gjithë territoret, që Serbia i cilëson “e drejtë historike” të saj, gjithë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën. Nuk doli rastësisht dhe paralelisht me projektin e “mini Shengenit” projekti i ri i qeverisë se Beogradit për “botën serbe”, platformë zyrtare me objektivin e bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet unik serb, bashkë me territoret, ku jetojnë sot në shtetet e tjera ballkanike. Vetë presidenti Vuçiç e quajti këtë më 15 shkurt 2021 “Serbia e Madhe”. Bie në sy që pas shpalljes së emrit të ri “Ballkan i hapur” ka një agresivitet të paparë të presidentit serb dhe të shtetit serb për integrimin serb të grupimit të ri subrajonal. Integrimi serb po tregohet më i shpejtë se integrimi europian. Është interesant se integrimin Serbia e filloi menjëherë nga shërbimi postar i vendeve të “Ballkanit të hapur”. Në datën 2 gusht 2021 Posta Shtetërore e Serbisë dhe Posta Shtetërore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Shërbimit Unik Postar në vendet e “Ballkanit të hapur”. Drejtori i Postës Shtetërore të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se “Posta e Serbisë do të bëhet qendra rajonale e logjistikës dhe e shërbimeve postare, gjë që është zbatim i nismës “Ballkan i hapur”.

Dy shtetet ranë dakord që të krijojnë një pullë postare unike dhe tarifa të njëjta shërbimesh postare dhe pakosh. Dy drejtorët serb dhe maqedonoverior njoftuan se ia kanë drejtuar propozimin e unifikimit postar edhe Shqipërisë, për shkrirjen e shërbimit postar të “Ballkanit të hapur”. Për të kuptuar lexuesi rëndësinë strategjike të shkrirjes së shërbimit postar në procesin e integrimit, po i përmendim se BE-ja, që ka 64 vjet që është krijuar, megjithëse ka vënë në jetë makro Shengenin europian, ende nuk ka pullë unike postare dhe as tarifa unike për shërbimet postare. Praktika e BE-së shpresojmë t’u ndriçojë mendjen minishengistëve të dehur të Tiranës. “Ballkani i hapur” serb po nxiton që të konkretizohet me akaparimin e territoreve të shteteve fqinjë. Sekretari I përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Veljko Odaloviç, më 16 gusht 2021, pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve, kërcënoi Kosovën me pushtimin serb pas ikjes së trupave amerikane, sepse “kudo që kanë qenë amerikanët, janë larguar, dhe Prishtina duhet të mendohet për këtë”. Natyrisht presidenti serb dhe qeveria serbe gëzohen para vaktit, sepse e dinë fare mirë që trupat amerikane kanë 76 vjet në Gjermani.

Më 12 gusht 2021 kreu i nacionalizmit dhe separatizmit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, deklaroi publikisht se “synimi i “serpska republikës” është që të bashkohet me Serbinë dhe me kalimin e kohës ky objektiv do të realizohet”. Në të njëjtën kohë Serbia nëpërmjet kukullës së saj “Fronti Demokratik” serb në Mal të Zi kërcënoi më 11 gusht 2021 me rrëzimin e qeverisë në Podgoricë, nëse ajo nuk i bindet kërkesës serbe për të organizuar regjistrimin e popullsisë brenda vitit, pa u përgatitur legjislacioni përkatës, sepse në rrëmujë e sipër Serbia planifikon të rrisë edhe më shumë artificialisht numrin e minoritetit serb në Mal të Zi. Në të njëjtën kohë më 4 gusht 2021 ministri i Brendshëm serb Vulin në Shkup i bëri paralajmërimin qeverisë atje se “Maqedonia e Veriut nuk ka shtet tjetër më të afërt sesa Serbia”. Projekti serb i “Ballkanit të hapur” po nxit procese recidiviste të nacional-shovinizmit serb për të rikthyer hegjemoninë serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Këtë linjë po e inkurajon veçanërisht Rusia, ku ministri i Mbrojtjes Sergej Shojgu, në datën 11 gusht 2021 në një forum me rininë bëri deklaratën skandaloze se ai “ndihet i lumtur që ka bashkëpunuar me udhëheqësit serbë si Karaxhiçi, Mlladiçi dhe Millosheviçi, të cilët ranë në Gjykatën e Hagës”. “Ballkani i hapur” hap kufijtë për krijimin e “botës serbe” të bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet. Ministri i Brendshëm serb Vulin, krahu i djathtë i presidentit Vuçiç, arrin deri atje saqë e krahason bashkimin me Serbinë të territoreve të shteteve të tjera ku jetojnë serbë, me bashkimin e Gjermanisë. Rusia e përkrah këtë objektiv ekspansionist serb, sepse sipas saj: “Bota serbe” është hapësira unike kulturore dhe historike e popullit serb në tokat e tij etnike, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë”.(“eadaily”, 13 gusht 2021).

Prirja dhe strategjia e formatit të ri të bashkëpunimit subrajonal me emrin “mini shengen” apo “Ballkan i hapur” synojnë vendosjen një kontrolli dhe dominimi të Serbisë në gjithë subrajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë zhvillim e sheh me sy pozitiv profesoresha ruse Ekaterina Entina e Institutit Europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë në një studim të saj për think-tankun kryesor diplomatik qeveritar rus “Valdaiclub” më 30 korrik 2021. Ja analiza e studiueses ruse: “Me formatin subrajonal është forcuar thelbësisht Beogradi. Beogradi është iniciator i bashkëpunimit brendarajonal, veçanërisht me “mini Shengenin ballkanik” me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Profesoresha ruse evidenton dy rezultate kryesore të projektit serb të bashkëpunimit subrajonal. Së pari, që kemi “forcim të Beogradit dhe restaurim të mundshëm të bashkëpunimit subrajonal në kufijtë e ish-Jugosllavisë, pa u kthyer tek ideja e shtetit apo unionit të përbashkët”. Kjo do të thotë se projekti serb i “Ballkanit të hapur”, duke forcuar rolin ekonomik, politik dhe strategjik të Serbisë në këtë grup subrajonal, synon të krijojë një entitet të ngjashëm në kufijtë e ish-Jugosllavisë, por pa e quajtur prapë Jugosllavi për shkak të alergjisë panballkanike për ish-federatën.

Kjo nuk do të thotë se presidenti i Serbisë Vuçiç ka hequr dorë nga ambicia e tij e shprehur sapo u zgjodh president në prill të vitit 2017, kur i deklaroi shtypit amerikan se projekti i tij I zonës së përbashkët ekonomike ballkanoperëndimore është “Ringjallja e Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”. Rezultati i dytë, që evidenton profesoresha ruse, është se situata e re e bashkëpunimit subrajonal të “Ballkanit të hapur” “rikthen në rendin e ditës çështjen e papërshtatshmërisë së ndarjes në vitet 90’ dhe 2000’ të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të ndarjes së Federatës RFJ “Serbia dhe Mali i Zi dhe të ndarjes së Kosovës nga Serbia”. Me një fjalë analitika dhe diplomacia ruse me daljen në skenë të “Ballkanit të hapur” hedhin tezën e re të rihapjes së çështjes së prishjes së ish-Jugosllavisë, për të cilën Moska nuk ka qenë dakord. Argumenti rus është se vetë shtetet e asaj federate, që quhet sot Ballkan Perëndimor, po ribashkohen me projektin subrajonal serb të “Ballkanit të hapur”. Nisur nga kjo Rusia parashtron kërkesën që të shtrohet në rendin e ditës së diplomacisë ndërkombëtare çështja e re e rikthimit të statusit të federatës së dikurshme komuniste jugosllave. Analitika dhe diplomacia ruse kërkojnë revizionimin e historisë së shembjes së federatës jugosllave dhe të luftërave agresive, që zhvilloi Serbia kundër katër popujve joserbë në ish-Jugosllavi. Projekti serb i bashkëpunimit subrajonal të tri shteteve të “Ballkanit të hapur” i jep pretekst dhe rast diplomacisë dhe shtetit rus që të avancojnë sferën e ndikimit rus në Ballkan në proporcion të drejtë me zgjerimin e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor. Është fat që tri shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Janë tri shtete, që jo vetëm kanë përvojë të hidhur nga shtypja serbe në ish-federatën e përbashkët, por edhe sot e kësaj dite po vuajnë rëndë pasojat e ndërhyrjes brutale dhe të shantazhit të gjithanshëm serb në punët e tyre të brendshme.

Më 16 gusht 2021 kryenegociatorja e qeverisë së Malit të Zi në bisedimet e pranimit me BE, Zorka Kordiç, i shpjegoi edhe njëherë arsyet e refuzimit të shtetit të saj në “Ballkanin e hapur”, duke deklaruar se “Mali i Zi është fokusuar në radhë të parë në zbatimin e “Planit të Veprimit” për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që i përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Si eksperte e mirënjohur e çështjeve të BE-së, kryenegociatorja sqaron se Tregu i Përbashkët Rajonal është një gjë, dhe “Ballkani i hapur” është gjë tjetër, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal është më përfshirës se “Ballkanii hapur” dhe përveç katër lirive të njohura, ka gjithashtu infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe politikën unike të investimeve sipas standardeve të BE-së. Strategjikisht projekti subrajonal serb i “Ballkanit të hapur” po lëviz në skemat ruse. Do t’i rekomandonim diplomacies dhe qeverisë së Shqipërisë që t’i lexojë mirë qëndrimet dhe tezat e analitikës shtetërore dhe të diplomacisë ruse për “Ballkanin e hapur” para se të vrapojnë pa ditur se ku shkojnë drejt një tabele fiktive serbe. Media ruse “regnum. ru” theksonte më 11 gusht 2021 se “Projekti ‘Ballkan i hapur’ mbështet integrimin ekonomik, politik dhe shkencor në hapësirat, të cilat shqiptarët i quajnë të vetat”.

Rusia është e vetmja fuqi e madhe e kënaqur nga projekti serb, sepse ai projekt po i kundërvihet BE-së dhe po forcon Beogradin dhe po i jep mundësi Moskës të revizionojë sipas interest historinë moderne ballkanike dhe të ringrejë në forumet ndërkombëtare çështjen e ribërjes së federatës jugosllave, përderisa vetë disa shtete të Ballkanit Perëndimor po e kërkojnë. Qeveria në Tiranë në fillim ka pasur vetë dyshime për projektin serb të miniShengenit, përderisa në samitin e pare themelues të Novi Sadit më 10 tetor 2019 kryeministri i Shqipërisë deklaroi se në qoftë se Kosova nuk merr pjesë, edhe Shqipëria do të tërhiqet. Nuk e dimë se çfarë ndodhi që Tirana befas “faqe ndërron”, (do të thonte Noli), dhe i mori Beogradit flamurin minishengist dhe po tregohet më katolike se papa serb. Kolegët e nderuar të shtypit mund ta pyesin kryeministrin në konferencë shtypi apo në studiot televizive për këtë ndryshim qëndrimi të pa shpjeguar kurrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shaban Murati

DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

June 24, 2022 by s p

De omnibus dubitandum

 “ De omnibus dubitandum” –   tha latini.

Kierkegard   citat  kopsiti dhe njëherë,

Marks, Robin Hudi i Hegelit  si pinguini

E futi nën pupla   për t’a vjedhur përherë.

Në libra … kjo  thënie në  kohë pa diell

Më mësoi t’ ecja mbi bajoneta i palënduar, 

N’ dimrin e acartë dhe  nën tokën   thellë

Kur shpresa grishte   sërish qiellin e kulluar. 

Porsa u bëra një apostull i paqes  së shtime,

Sofër  shpirtin  për ata që i kish dënuar Zoti!

Minj , gjarpërinj hynë nën sqetullën time ,

Gjaku i keq , t’ pabesë …  kurtizane  moti .

Përsëri më gëzon luftë  e fituar vështirë,

Duke kujtuar Abraham në Sadomë – Gamorë…

Që iu lut engjëjve : – Zot ,  fal në ka  të mirë ?!

Dhe un’ lutem  për ata që kan’  besë e Orë .

Burri i urtë

Një rrenaxhi e burracak

Bash delenxhi e matrapaz

Loz si zengjin ky rjepacak

Në qafë gurë  fallso  topaz:

– A e dini more të mjerë 

Çfarë  kam varur në qafë 

Që dhe  dimrin e bën verë

Qaf’n e patës e bën xhirafë!

Serbes në derë tek dyqanxhi:

-Merhaba birinxhi argjendar! 

Sa okë ke ti me inxhi 

Me peshu kyt gurë n’ kandar ?

M’ durim e kundron  argjendar

Prej në gisht deri në kokë: 

– Çun, për si ti nuk kam kandar…

Shes me gram dhe s’blej me okë!

Unë ju them

Unë ju them  kush keni qenë dhe kush jeni!

Ju , më thoni si më quajti  enverizmi …

Baballarët tuaj dhe fiset prej qeni

Ku lindi lehja , krimi, hajnia e bullizmi?!

Ethtrinjë ! Unë vij nga larg dhe  shkoj më larg…

Atje ku mbretëron paqe , dashuri  e nur ,

Mijëra  ngjyra lulesh ,  bahçevanë  engjëjt  varg ,

Ombrellë ajri…, fron bisqesh   stolis me  bozhur.

Këshillë

Mëshira asht sevap, dritë

Për të humbunin zhytun  në terr…

Por , keni me u zhgënjye   tue pritë

Qi  dialli  një ditë me u ba berr !

Njeri, ç’është miku

Njeri , po t’ pyes ç’është miku…

a është  shpirt apo urë ?

Apo ishte , s’ësht çifligu…

gëlqere , ar dhe pëlhurë !

Ju do m’ thoni  mijëra fjalë… 

torbën plot  me  pleonazmë ,

buzagaz mbi t’ bardhin  kalë

Do u them kush është fantazmë…

Jeta ka dy dyer

Ka grenza  ka  dhe  bletë…

Aderencë  e genesisë ,

Në dy dyer kalon   jetë :

Një e djallit ,  një e Perëndisë.

Samartari dhe Duka 

Dukë mbi kalë ngreh si kokosh

Fisnik nga soji por kok’ bosh

Nis  me u tall me samartar

Jo si Dukë , as  si hokatar:

-Si i bëhet more djalë 

Me e vu  një  samar mbi shalë ?

– Kam dëgjuar shalë mbi samar 

Këtë e di  kërriç   e  gomar !

Lacrimosa (Moxart-Luçino) Përkthim

Lacrimosa dies illa                                       (Latinisht)

Qua resugent ex favilla

Judicandus homo reus. 

Huic ergo parce , Deus;

Pie Jesu Domine

Dona eis requiem. Amen.

Mbushur me  lotë  at’ ditë                            (Shqip )

Prej pluhuri ka me u ngritë… 

Fajtori  gjykimin ka me marrë.

O Zot me e falë ;

Jezus mëshirëplotë

Jepja  paqen n’ at’ botë. Amen !

——————————————–

*- De omnibus dubitandum = Dysho për gjithçka.

Shprehje Latine  që e perdori Kierkegaard  dhe Marks. 

Ky i fundit e beri  “quoten”  e tij. 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT