De omnibus dubitandum
“ De omnibus dubitandum” – tha latini.
Kierkegard citat kopsiti dhe njëherë,
Marks, Robin Hudi i Hegelit si pinguini
E futi nën pupla për t’a vjedhur përherë.
Në libra … kjo thënie në kohë pa diell
Më mësoi t’ ecja mbi bajoneta i palënduar,
N’ dimrin e acartë dhe nën tokën thellë
Kur shpresa grishte sërish qiellin e kulluar.
Porsa u bëra një apostull i paqes së shtime,
Sofër shpirtin për ata që i kish dënuar Zoti!
Minj , gjarpërinj hynë nën sqetullën time ,
Gjaku i keq , t’ pabesë … kurtizane moti .
Përsëri më gëzon luftë e fituar vështirë,
Duke kujtuar Abraham në Sadomë – Gamorë…
Që iu lut engjëjve : – Zot , fal në ka të mirë ?!
Dhe un’ lutem për ata që kan’ besë e Orë .
Burri i urtë
Një rrenaxhi e burracak
Bash delenxhi e matrapaz
Loz si zengjin ky rjepacak
Në qafë gurë fallso topaz:
– A e dini more të mjerë
Çfarë kam varur në qafë
Që dhe dimrin e bën verë
Qaf’n e patës e bën xhirafë!
Serbes në derë tek dyqanxhi:
-Merhaba birinxhi argjendar!
Sa okë ke ti me inxhi
Me peshu kyt gurë n’ kandar ?
M’ durim e kundron argjendar
Prej në gisht deri në kokë:
– Çun, për si ti nuk kam kandar…
Shes me gram dhe s’blej me okë!
Unë ju them
Unë ju them kush keni qenë dhe kush jeni!
Ju , më thoni si më quajti enverizmi …
Baballarët tuaj dhe fiset prej qeni
Ku lindi lehja , krimi, hajnia e bullizmi?!
Ethtrinjë ! Unë vij nga larg dhe shkoj më larg…
Atje ku mbretëron paqe , dashuri e nur ,
Mijëra ngjyra lulesh , bahçevanë engjëjt varg ,
Ombrellë ajri…, fron bisqesh stolis me bozhur.
Këshillë
Mëshira asht sevap, dritë
Për të humbunin zhytun në terr…
Por , keni me u zhgënjye tue pritë
Qi dialli një ditë me u ba berr !
Njeri, ç’është miku
Njeri , po t’ pyes ç’është miku…
a është shpirt apo urë ?
Apo ishte , s’ësht çifligu…
gëlqere , ar dhe pëlhurë !
Ju do m’ thoni mijëra fjalë…
torbën plot me pleonazmë ,
buzagaz mbi t’ bardhin kalë
Do u them kush është fantazmë…
Jeta ka dy dyer
Ka grenza ka dhe bletë…
Aderencë e genesisë ,
Në dy dyer kalon jetë :
Një e djallit , një e Perëndisë.
Samartari dhe Duka
Dukë mbi kalë ngreh si kokosh
Fisnik nga soji por kok’ bosh
Nis me u tall me samartar
Jo si Dukë , as si hokatar:
-Si i bëhet more djalë
Me e vu një samar mbi shalë ?
– Kam dëgjuar shalë mbi samar
Këtë e di kërriç e gomar !
Lacrimosa (Moxart-Luçino) Përkthim
Lacrimosa dies illa (Latinisht)
Qua resugent ex favilla
Judicandus homo reus.
Huic ergo parce , Deus;
Pie Jesu Domine
Dona eis requiem. Amen.
Mbushur me lotë at’ ditë (Shqip )
Prej pluhuri ka me u ngritë…
Fajtori gjykimin ka me marrë.
O Zot me e falë ;
Jezus mëshirëplotë
Jepja paqen n’ at’ botë. Amen !
——————————————–
*- De omnibus dubitandum = Dysho për gjithçka.
Shprehje Latine që e perdori Kierkegaard dhe Marks.
Ky i fundit e beri “quoten” e tij.