• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOM PJETËR POPAJ*: LAVDI BURRAVE TË KOMBIT QË I DHANË ATDHEUT LIRINË, BASHKIMIN E PAVARËSINË

November 29, 2021 by s p

Të dashur Klerikë, i nderuar Zoti Kryetar Berisha, Vatranë të ndershëm, musafir të dalluar, vëllezër e motra. Mirëmbrëma dhe mirë se jemi bashkuar ne kete kremte te madhe. S’parit uroj Festen e Flamurit, ditën e lirisë e të pavarësisë të popullit tonë. 28 Nëntori është dita më e ndritshme dhe më e rëndësishme e kombit tonë. Në këtë ditë Ismail Qemali ngritë Flamurin e Kastriotit, Flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare. Në këtë flamur shohim qëndrimin e patundur të burrave fisnik shqiptar ndër luftra të tmerrshme per të mbrojtur vendin tonë trashiguar brez pas brezit. Këta sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar dhe vdekur me nder e lavdi. Kjo dite u takon atyre që ia falen atdheut lirinë, bashkimin e pavarsine. Ata ranë deshmorë por nuk vdesin kurrë, janë gjithmonë në mendjet e kujtimet tona në cdo festim e përvjetor. Toka e jonë është e shenjte sepse është e bekuar me gjakun e Martirve. Ngjyra e zezë ne mes te flamurit tregon ato ditë luftrash me plote vuajtje e pikëllime. E kuqja tregon gjakun e derdhur te deshmorve tanë. Shqiponja ne mest të flamurit tregon fitoren e tyre. Sikur shqiponja që fluturon në qiellin e hapur më lartë se të gjithë shpendet tjerë. Ashtu kto njerëz kolosa duke triumfuar ndër luftra shekullore e ngriten popullin e vendin tonë duke i sjellur LIRINË vlerën dhe pasurinë më të çmuar. Sikur është shprehja e vjeter që thotë liria nuk falet as dhurohet por fitohet. Për cdo vjetë e kremtojmë këtë festë duke falënderuar Zotin, dhe duke kujtuar e nderuar keto heroj që kanë bërë të mundur të agojë kjo ditë. Me fjalët e Faik Konicës: “Kujtimi i 28 nëntorit të 1912 nuk është një goditje kundra fqinjve tanë, jo lakmimesh e rrëmbimesh por kujtime për vetmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimerina të gjata e të forta që kanë lanë gjurma në letersinat e gjithë popujve të qytetëruar.” 28 Nëntori është më shumë se një festim; është një ditë e shenjtë për ne. 28 Nëntori i parë ishte në vitin 1443 kur kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti, Skënderbe e ngriti për herë të parë Flamurin me shqiponjen dykrenare në kalanë e Krujës ku valvitej për 25 vite me radhë deri në vdekjen e tij. Pas vdekjes së tij 1468 u deshtën edhe 444 vjet nën pushtimin e armikut deri me ngritjen e tij dytë të 28 nëntorit të vitit 1912 dita e shpalljes së pavarësisë. Me këtë shpallje populli ynë fitoj të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lire e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Ishte edhe një fitore kunder armiqve fqinj, kunder synimëve e planeve të tyre për coptimine e shqipërisë. Ne e Falenderojmë Zotin që sot i kemi Shqiperinë e Kosovën. Njëkohësisht kemi Nji popull por të ndare në dy shtete. Bej o Zot që nje ditë të kemi nje popull të bashkuar në një shtet të vetëm. O Zot bekoje popullin tonë, mbrojë nga çdo rrezik, kudo që gjëndet në botë. Ky popull që nuk të harroi kurrë, në ditë të mira e të vështira, në gëzime e në pikllime. Bëj qe të jenë të bashkuar, të duan njari tjetrin me dashuri vëllazërore, të respektojnë dinjitetin njerëzor e drejtat humane; te kundershtojnë dhunën e shfrytëzimet e të hidhen themelet e patundura të drejtësisë e te dashurisë sate. Bekoje këtë mbrëmje, dhe të gjithë të pranishmit. Bekoje ushqimin qe po marrim prej bujarisë sate. Ti qe jeton e mbretron në shekuj te shekujve. Amen. Zoti e Bekoftë Shqipërinë, Zoti e Bekoftë Kosoven, Zoti e Bekoftë Amerikën. Zoti ju bekoftë ju e gjith popullin shqiptar. GEZUAR FESTA E PAVARËSISË DHE FLAMURIT KOMBËTAR.


*Fjala e mbajtur në bekimin e darkës së 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dom Pjeter Popaj

FEDERATA PANSHQIPTARE “VATRA” DHE ISMAIL QEMAL VLORA

November 28, 2021 by s p

AKADEMIK BEQIR META/

“Vatra” ka mbajtur një qëndrim herë-herë kritik dhe herë-herë mbështetës ndaj Ismail Qemalit dhe qeverisë që ai kryesonte. Mendojmë se përgjithësisht ky qëndrim buronte nga vizioni dhe dëshirat e nacionalistëve shqiptarë që drejtonin “Vatrën” për të parë Shqipërinë me një vetëqeverim të sigurt, me një shtet modern dhe të fuqishëm. Por ky vizion dhe këto dëshira në shumë drejtime binin ndesh me mundësitë dhe me realitetin e kohës. Gjithashtu kanë ndikuar edhe raportet personale të drejtuesve të “Vatrës” ndaj I. Qemalit, si dhe interesat e ngushta të tyre.Ndërsa shprehte falënderimet dhe miratimin e saj për aktin e Shpalljes së Pavarësisë, gazeta “Dielli” nuk linte pa kritikuar mënyrën se si shkoi në Vlorë I. Qemali, “me qerre, me çiliminj si nomadët e Azisë”, duke theksuar se ai duhej të shkonte atje si politikanët e Evropës, për të mos u lënë shteg armiqve të përfjalosnin kombin.

VATRA NË PËRKRAHJE TË QEVERISË SË PARË KOMBËTARE

Sidoqoftë, predispozicioni i “Vatrës” ishte që të përkrahte me sa mundej qeverinë e parë kombëtare dhe të ndikonte në zhvillimin e ngjarjeve në përputhje me projektet e saj. Për këtë arsye, ajo dërgoi kryetarin e saj në Evropë dhe në Shqipëri, i cili u ngarkua të parashtronte “përpara mbledhjes së kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e konstitucjes” , me fjalë të tjera të parashtronte platformën politike të “Vatrës” për zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri. Kjo u vendos në një mbledhje të të gjitha degëve të Federatës më 8 dhjetor të vitit 1912. Por Faik Konica nuk kontribuoi siç duhej në bashkëpunimin e dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe Qeverisë së I. Qemalit, që ishte i mundur dhe i domosdoshëm për interesat e kombit. Një ofertë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Përkohshme ia bëri edhe Noli I. Qemalit, por ajo mbeti pa përgjigje . Ndoshta kritikat e mëparshme të Nolit ndaj I. Qemalit kanë ndikuar në mos afrimin e tij në administratën e Vlorës.Në fillim “Vatra” përshëndeti afrimin e Qeverisë së Vlorës me Esat Toptanin në korrik të vitit 1913 dhe “gjestin fisnik” të Ismail Qemalit që thirri në përbërje të qeverisë së tij Esat Toptanin dhe Azis Vrionin. Këtë qëndrim ajo e vlerësonte si një akt që hidhte poshtë pretendimet e armiqve të Shqipërisë, se gjoja Qeveria e Përkohshme nuk përfaqëson gjithë Shqipërinë . Veçanërisht u vlerësua lart gjesti patriotik i Mithat Frashërit që la postin e tij për t’i hapur rrugë këtij kompromisi. Qëndrimi mospërfillës i Konferencës së Ambasadorëve ndaj Qeverisë së Vlorës, të cilën nuk pranoi ta njihte si një administratë shtetërore në shkallë kombëtare, ishte sinjali që disa elementë karrieristë të fillonin aktivitetin e tyre përçarës kundrejt saj. Ndër ta shquheshin Esat Toptani, Myfit Libohova dhe Faik Konica, i cili u gjend në krye të përpjekjeve për formimin e një partie antiqeveritare dhe për rrëzimin e Qeverisë së Vlorës. Këtë e pohonte dhe zëvendëskonsulli austro-hungarez, Pollanc, i cili theksonte se kishte mësuar prej F. Konicës, se ai dhe Toptanasit do ta rrëzojnë Ismail Qemalin dhe duan të bindin Esat Pashën për formimin e një qeverie të re .Madje F. Konica ishte në krye të grupit të caktuar nga Esati, i cili më 1-2 gusht 1913, i parashtroi I. Qemalit një program reformash administrative dhe kërkoi ndryshime në kabinetin e tij. Ai së bashku me Dervish Himën e kritikonin I. Qemalin kryesisht për nepotizëm, e konsideronin një veprim ilegal të tij dhënien e koncesioneve dhe sidomos qëllimin për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Ndërsa më 12 tetor, kur u krijua Pleqësia e Shqipërisë së Mesme, tashmë kundërshtare dhe rivale e hapur e qeverisë së I. Qemalit, Faik Konica ishte hartuesi i programit të saj. Është i dyshimtë shkaku i këtij qëndrimi të Faik Konicës. Nuk na duket i argumentuar pohimi që është shprehur më parë, se ky qëndrim ishte i shtyrë nga motive klasore, nga pozicioni kundër bejlerëve që po merrte qeveria e Vlorës . Lidhur me arsyet e këtij qëndrimi të F. Konicës, Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij thotë se, ai ishte një austrofil dhe nuk i pëlqente politika e ekuilibruar që ndiqte I. Qemali ndaj Austro-Hungarisë dhe Italisë, madje ai e nxiti më tepër pakënaqësinë e Vjenës ndaj I. Qemalit .

QËNDRIMI I FAIK KONICËS NDAJ QEVERISË SË ISMAIL QEMALIT

Ne mendojmë se F. Konica u shty në këto veprime nga këto arsye kryesore: 1 – Nga njëfarë pakënaqësie që ishte krijuar ndaj I. Qemalit, për arsye të disa veprimeve politike të tij, si çështja e Bankës Kombëtare etj. 2 – Në atë kohë nuk ishin shpalosur ende hapur qëllimet dhe veprimtaria e E. Toptanit. Madje, ai njihej si mbrojtësi misterioz i Shkodrës. 3 – F. Konica bashkë me Nolin ushqenin pakënaqësi të vjetra nga qëndrimet e mëparshme politike të I. Qemalit, të cilat ishin shfaqur edhe gjatë Kryengritjes Shqiptare të verës së vitit 1912 etj. 4- Ka ndikuar edhe qëndrimi kundërshtues i vëllait të tij Mehmet Konicës, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, i cili kundërshtonte linjën e politikës së jashtme dhe mënyrën autoritare të qeverisjes së I. Qemalit .Sido që të jetë, ky qëndrim i Konicës ishte një goditje për Qeverinë e Përkohshme dhe I. Qemalin dhe komprometoi mjaft orvatjet për ta forcuar pozitën e Qeverisë së Vlorës. Ky veprim ishte i dëmshëm, pasi shembullin e Konicës e ndoqën edhe patriotë të tjerë, të cilët të mashtruar edhe nga demagogjia e Esat Pashës u larguan nga Vlora për në Durrës. Gabimi i F. Konicës u pasua më tej nga “Dielli”, i cili arriti deri atje sa për një çast të përshëndeste krijimin e Qeverisë së E. Toptanit në Durrës dhe të vlerësonte pozitivisht deklaratat e saj se “nuk do të njihte aktivitetin e Qeverisë Provizore të Vlorës”. Megjithëse shfaqte rezerva për kryesimin e kësaj qeverie prej Esatit, i cili e bënte të dyshimtë qëndrimin e saj, organi zyrtar i “Vatrës” nuk ngurronte të shprehej se: “duhej përkrahur kjo qeveri qendrore që t’u bëjë ballë atyre që duan ta përdorin atdheun si çiflig të tyre” . Në gusht 1913 kur vazhdonte jehona e pajtimit midis I. Qemalit dhe E. Toptanit dhe kur tashmë ky i fundit ishte bërë anëtar i Qeverisë së Vlorës, “Vatra” propagandonte se e dëshironte së tepërmi suksesin e Qeverisë së I. Qemalit dhe e vlerësonte atë si një premisë jetike për të ardhmen e Shqipërisë. Një qeveri të suksesshme të Shqipërisë ajo e vlerësonte si një mundësi për të zbatuar planin austro-italian, d.m.th. të zgjidhej Princi i Shqipërisë dhe ajo të mbetej krejt e lirë. Në rast të kundërt, do të zbatohej projekti i Francës që Shqipëria të qeverisej për 10-15 vjet nga një Komision Evropian, gjersa shqiptarëve t’u jepeshin në dorë punët e drejtimit të shtetit. Projekti i fundit konsiderohej shumë i disfavorshëm për të ardhmen e Shqipërisë, sepse jo vetëm që e shtynte për një kohë të gjatë formimin e një shteti kombëtar shqiptar, por në kushtet e mbizotërimit të feudalëve në Shqipëri, ai cilësohej i rrezikshëm , pasi në qeverisjen e vendit do të vinin kryesisht feudalët kozmopolitë dhe egoistë e do të mënjanoheshin intelektualët nacionalistë që ishin aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare.

QËNDRIMI I VATRËS NDAJ ESAT PASHË TOPTANIT

Në fillim të tetorit 1913, ndërsa konflikti midis I. Qemalit dhe E. Toptanit po thellohej, qëndrimi i “Vatrës” ndryshoi lidhur me këtë çështje. Ajo i sugjeronte Qeverisë së Vlorës të mbante një “qëndrim më të ashpër kundrejt këtij tradhtari (E. Toptanit), që të ndërpriste një orë e më parë këto lodra që bëhen në kurriz të Shqipërisë” . Më tej, në nëntor të vitit 1913, edhe Faik Konica u nda nga Esat Toptani, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij për interesat e vendit . Nga kjo kohë “Dielli” filloi t’i bënte jehonë ndjekjes së një “politike të re”, e cila në ndryshim nga qëndrimet e mëparshme të subjekteve të ndryshme në Lëvizjen Kombëtare që orientoheshin drejt fuqive të caktuara, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, duhej të kishte një orientim të pavarur. Një ndër përkrahësit kryesorë të këtij qëndrimi të ri ishte Fan Noli, i cili në fund të vitit 1913, shprehej kundër praktikës së partive (tarafeve) që ishin lidhur me të huajt dhe përkrahte propozimin e tij për krijimin e një partie kombëtare, e cila të mobilizonte gjithë atdhetarët e vërtetë. “Dielli” u bënte thirrje patriotëve të mos merrnin pjesë në asnjërin nga grupimet politike që ishin krijuar në Shqipëri. Udhëheqësit e “Vatrës” këtu kishin parasysh dy grupet kundërshtare që ishin krijuar në Shqipëri: Qeverinë e I. Qemalit dhe përkrahësit e saj nga njëra anë, dhe Esat Toptanin e pasuesit e tij, nga ana tjetër. Por me këtë ai nuk nënkuptonte qëndrimin pasiv ndaj tyre. Organizimin e Partisë Kombëtare, “Vatra” e konsideronte si një domosdoshmëri “për të thyer fuqinë e hipokritëve dhe aventurierëve, e cila bashkë me popullin të dilte përpara si një shkëmb që qëndron në mes të valëve të detit . Pra, ajo kërkonte të dilte si një forcë e tretë në arenën politike shqiptare. Këtë luftë ajo e konsideronte si mjetin më efikas për të përballuar efektet negative të politikës së fuqive të huaja në Shqipëri.“Vatra” e vlerësoi përgjithësisht pozitivisht politikën e jashtme të Qeverisë së I. Qemalit dhe në shumë drejtime e mbështeti atë. Në mënyrë të veçantë, ajo përshëndeti politikën e tij ndaj Serbisë, duke e vlerësuar atë “si një politikë të hollë që përshkohej nga një atdhesi e patreguar”. “Dielli” i bëri jehonë qëndrimit të I. Qemalit ndaj kryengritjes së shqiptarëve kundër serbëve në viset e pushtuara dhe mospërfshirjen e saj në konfliktin me serbët. “Në këto çaste, – shkruante “Dielli” – I. Qemali u tregua burrë i madh shteti kur përballoi këtë ngjarje nga njëra anë dhe tradhtinë e E. Toptanit nga ana tjetër” .

“VATRA” MBËSHTETI PIKËPAMJEN E ISMAIL QEMALIT QË SHQIPËRIA TË KISHTE NJË MBRET ANGLEZ PROTESTANT

“Vatra” mbështeti edhe pikëpamjen e I. Qemalit që Shqipëria të kishte një mbret anglez protestant . Por disa aspekte të politikës së jashtme të I. Qemalit u bënë objekt i kritikave të ashpra nga ana e “Vatrës”, madje jo vetëm gjatë viteve 1913-1914, por edhe shumë vite më pas. Në fokusin e këtyre kritikave qëndron, në radhë të parë, vizita që filloi I. Qemali më 30 mars 1913 në Romë, Vjenë, Paris dhe në Londër, sidomos deklaratat e tij në lidhje me kufijtë jugorë të Shqipërisë. Ndoshta si bazë e këtyre kritikave kanë shërbyer divergjencat e I. Qemalit me Mit’hat Frashërin, i cili në ditarin e tij të botuar në “Kalendarin e Vatrës”, thekson se I. Qemali kishte për mision të përpiqej për rektifikimin e kufijve veriorë që ishin vendosur përfundimisht prej Konferencës së Londrës dhe jo për kufijtë jugorë, të cilët ishin akoma në diskutim . “Vatra” ishte e shqetësuar ngaqë ky qëndrim i I. Qemalit u shfrytëzua nga shtypi grek, i cili botoi edhe një “marrëveshje” të mëparshme të qeverisë greke me I. Qemalin, sipas së cilës “tërë Toskëria njihej si vend grek” .E vërteta është se I. Qemali u përpoq për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut nga synimet aneksioniste greke, duke organizuar dhe qëndresën e armatosur, por me sa duket, udhëheqësve të “Vatrës” nuk u pëlqeu tërheqja e I. Qemalit gjatë vizitës në Itali, nga kërkesa për të përfshirë brenda kufijve shqiptarë Janinën .Një nga problemet që shkaktoi reagimin e ashpër të “Vatrës” ishte çështja e komplotit të Beqir Grebenesë. I. Qemali u kritikua se bashkëpunoi me të për të sjellë Izet Pashën si mbret të Shqipërisë për t’iu kundërvënë Esatit . Të dëshpëruar nga pasojat që pati kjo ngjarje, drejtuesit e “Vatrës” i shtuan kritikat ndaj I. Qemalit ,dhe dorëheqjen e tij ata e konsideruan si një provë të përzierjes së tij në komplotin e B. Grebenesë .Udhëheqësit e “Vatrës” pretendonin nga Qeveria e Vlorës që të bënte një politikë krejt të pavarur, por në kushtet e asaj kohe, kjo ishte e pamundur, prandaj politika e jashtme e Ismail Qemalit është konsideruar e zgjuar dhe në dobi të interesave kombëtare. Ajo bazohej në shfrytëzimin e rivalitetit të Fuqive të Mëdha në Shqipëri, kryesisht të rivalitetit të papajtueshëm austro-italian për t’i siguruar njëherazi mbështetje dhe asnjanësi shtetit të ri shqiptar. Mirëpo “Vatra” e shikonte me dyshim Qeverinë e Ismail Qemalit dhe shpresonte se Shqipërinë do ta vendoste në rrugën e rregullit dhe të zhvillimit Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe oficerët holandezë , të cilët madje shiheshin si një faktor që do të realizonte bashkimin e shqiptarëve. Shpejt edhe në këtë drejtim ata do të deziluzionoheshin. Ngjarjet që rrodhën më pas, anarkia dhe kaosi që mbuluan Shqipërinë në vitet e qeverisjes së KNK dhe të princ Vidit dëshmuan se çfarë rezultati jepte, në atë kohë, ndërhyrja e një ose disa fuqive të huaja në jetën e një kombi.“Vatra” kritikoi sidomos politikën ekonomike të Qeverisë së Vlorës. Reagimi i saj u bë më i dukshëm aty nga vjeshta e vitit 1913. Lajmet për dhënien e koncesionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë një sindikati austro-italian shkaktuan shqetësim të madh, ashtu si në shumë qarqe patriotike, edhe në emigracionin shqiptar të Amerikës. “Vatra” e dënoi menjëherë këtë projekt, duke e vlerësuar atë si një rrezik të madh për Shqipërinë. Shprehej shqetësimi se kjo bankë, që do të zotërohej nga të huajt, do të blinte tokat e Shqipërisë .

VATRA DHE ÇËSHTJA E BANKËS NACIONALE

Duke marrë për shembull negativ Bankën Otomane që dominohej nga kapitali i huaj, “Vatra” kërkonte një bankë me aksione shqiptare, të cilën ta drejtonin specialistë të huaj . Përveç kësaj, ajo e konsideronte Qeverinë e Vlorës jokompetente nga pikëpamja ligjore për të vendosur përfundimisht për një çështje të tillë. “Dielli” shprehej se “Çështja e Bankës Nacionale është një nga pikat më me rëndësi për jetën dhe gjallësinë e një kombi dhe për këtë kombi lipset të mendohet shumë” . Për këtë arsye, në rrethet patriotike shqiptare të Amerikës mbizotëronte mendimi se vendimin mbi këtë çështje kishte të drejtë ta merrte Parlamenti Shqiptar dhe Princi.Në janar të vitit 1914 si zgjidhja më oportune dhe “më pak e dëmshme” paraqitej ndërkombëtarizimi i Bankës së Shqipërisë, me të cilin nënkuptohej krijimi i kapitalit të saj themelor prej kapitaleve të Fuqive të Mëdha në mënyrë proporcionale .Pikëpamjet e “Vatrës” përshkoheshin nga fryma e mbrojtjes së interesave kombëtare. Por, duhet pasur parasysh edhe realiteti i asaj kohe, kushtet ekonomike, politike dhe shoqërore të Shqipërisë, pozita e vështirë në të cilën gjendej Qeveria e Vlorës, situata e pastabilizuar në Shqipëri, tensioni i madh në marrëdhëniet e atëhershme ndërkombëtare. Këtë e provuan ngjarjet e mëvonshme të vitit 1914, kur Fuqitë e Mëdha iu shmangën obligimit për t’i dhënë qeverisë shqiptare fondet e premtuara, kur doli qartë se marrëveshja e tyre në Londër shikohej më tepër si e përkohshme, vetëm për të shtyrë stuhinë që po afrohej. Madje, ky qe dhe shkaku kryesor që nuk mori jetë as projekti i I. Qemalit për Bankën.Nga ana tjetër, duhet pohuar se projekti i I. Qemalit, ndonëse mbështetej në logjikën e përvojës së deriatëhershme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mbartte në vetvete shumë rreziqe, të cilat me të drejtë i analizonte “Vatra”. Duke e ditur se fuqitë e tjera nuk do të ishin të interesuara t’i jepnin një ndihmë Shqipërisë, Ismail Qemali u përpoq të mbështetej në dy Fuqitë e Adriatikut, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, çka përbënte një mundësi reale që ato të pranonin të vinin në jetë projektin e Qeverisë së Vlorës. Përveç kësaj, Italia dhe Austro-Hungaria deri atëherë përpiqeshin me vendosmëri të ruanin ekuilibrin e interesave të tyre në këtë vend. Ky fakt me siguri është peshuar mirë nga I. Qemali dhe është vlerësuar me guxim prej tij, si një faktor që nuk do të lejonte mbizotërimin absolut të asnjërës palë në ekonominë, në financat dhe në pavarësinë e shtetit shqiptar.

“VATRA” U RRESHTUA NË KRAHUN E NACIONALISTËVE RADIKALË

“Vatra” u rreshtua në krahun e nacionalistëve radikalë, të cilët e konsideruan Qeverinë e I. Qemalit si një qeveri konservatore. Udhëheqësit e “Vatrës” nuk arritën të kuptonin se shteti dhe vetë Shqipëria nuk mund të reformoheshin brenda një dite. Shumë kritika kishte në artikujt e “Diellit” për mbajtjen e nëpunësve të vjetër nga administrata e re e shtetit shqiptar dhe për përdorimin e gjuhës turke në administratën shqiptare. “Vatra” ishte tepër e ndjeshme dhe e shqetësuar nga përpjekjet e disa nëpunësve të ish-administratës turke për të infiltruar në administratën e re kombëtare dhe ata, në disa raste, kishin arritur t’i imponoheshin Qeverisë së Vlorës. Këtë fakt e pranonte edhe organi zyrtar i Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqypnies” . Por, duke mos e njohur mirë situatën, shtypi i “Vatrës” bëri kritika të ekzagjeruara. Pozicioni i gabuar i saj duket edhe më tepër në kritikat lidhur me mospërdorimin me konsekuencë të shqipes si gjuhë zyrtare nga administrata e Vlorës. Qeveria e Përkohshme e Vlorës e shpalli njohjen dhe përdorimin e gjuhës amtare me shkrim e këndim , si një kusht të domosdoshëm për emërimin e nëpunësve në çdo degë të administratës. Por edhe ky kriter kishte vështirësitë e veta të zbatimit, të cilat buronin nga arsye objektive dhe ajo u detyrua të bënte lëshime në disa raste gjatë zbatimit të këtij vendimi. “Vatra” nuk arrinte të dallonte këtu perspektivën nga vështirësitë e fillimit.Në disa aspekte të tjera “Dielli” e përkrahu politikën e brendshme të Qeverisë së Vlorës, si p.sh. përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet modern dhe për ta afruar Shqipërinë me qytetërimin evropian. U lavdërua puna e Kristo Floqit, i cili përktheu në shqip kodin penal dhe procedurën penale civile të Italisë, duke e vlerësuar këtë si një hap drejt largimit nga kodet turke dhe futjen e metodave moderne në qeverisjen e vendit .

“VATRA” U SHPREH KUNDËR KLASËS SË VJETËR POLITIKE TË SHQIPËRISË

Përgjithësisht “Vatra” u shpreh si një kundërshtare e fortë e klasës së vjetër politike të Shqipërisë dhe e metodave të saj të qeverisjes. Ajo e grishi vazhdimisht Qeverinë e Ismail Qemalit të hiqte dorë nga kjo klasë dhe të mbështetej në forcat e reja që po afirmoheshin, në intelektualët nacionalistë dhe në popull . “Vatra” i kërkonte Qeverisë të mos njihte privilegjet e bejlerëve dhe pashallarëve, por t’i konsideronte ata si gjithë qytetarët e tjerë të shtetit shqiptar. Ajo insistonte që Qeveria të përdorte forcën kundër tendencave separatiste të disa krerëve bejlerë e çifligarë dhe t’i detyronte të respektonin vendimet e saj. Vetëm kështu ajo do të fitonte mbështetjen e gjithë popullit shqiptar dhe të nacionalistëve, të cilët dëshironin një Shqipëri evropiane të bashkuar. Intelektualët shqiptarë në Amerikë i ofruan ndihmën e tyre I. Qemalit, për të zbatuar një program efektiv në eliminimin e dasive krahinore e fetare, të cilin e shihnin si një nga drejtimet kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata me të drejtë e vlerësonin si një rrezik për përparimin e vendit dhe unitetin kombëtar. Ata kishin një koncept të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili veçanërisht në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare, ishte shumë i përshtatshëm. “Dielli” propagandonte ndarjen e fesë nga shteti, madje e avanconte më tej këtë pikëpamje, duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror. Heqja e mësimit të fesë nga shkollat shtetërore vlerësohej si një akt që do ta shpëtonte Shqipërinë nga shumë ngatërresa të mëdha . Ky koncept nuk frymëzohej aq nga motivet sociale se sa nga interesat kombëtare, nga nevojat e krijimit dhe të konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme.

IDETË E “VATRËS” PËR NJË SHTET MODERN

Idetë e “Vatrës” për një shtet modern shtjellohen në thirrjet e vazhdueshme që ajo i bënte I. Qemalit për domosdoshmërinë e rekrutimit të organizatorëve evropianë në administratën shqiptare , për të vendosur në Shqipëri respektin e plotë për ligjin dhe për të zhdukur normat e vjetra të qeverisjes. Më të rëndësishme ajo konsideronte eliminimin e gjakmarrjes, zbatimin e një sistemi tatimor kombëtar dhe çarmatosjen e popullsisë . Menjëherë, sapo të botohej harta e Shqipërisë së re, “Vatra” kërkonte prej qeverisë të organizonte zgjedhjet për parlamentin e parë shqiptar që do të themelonte kushtetutën, e cila shihej si një instrument për afrimin, bashkimin dhe njësimin e kombit.“Vatra” me të drejtë reagoi ashpër ndaj disa mendimeve të I. Qemalit për ndarjen e Shqipërisë në tri kantone. “Dielli” botoi shumë artikuj, të cilët e kundërshtonin me argumente këtë pikëpamje. Ajo paralajmëronte për pasojat negative që do të kishte zbatimi i këtij projekti. Ndër to, ajo nënvizonte thellimin e dasive krahinore, forcimin e tendencave fetare mbi përkatësinë kombëtare, fuqizimin e pozitave të krerëve reaksionarë turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. “Vatra” argumentoi se në Shqipëri, sistemi i kantoneve nuk mund të kishte suksesin e Zvicrës, pasi Shqipëria ndodhej në rrethana të tjera gjeopolitike e historike. Kombi shqiptar ishte një dhe i pandarë, ndonëse kishte një tjetër shkallë zhvillimi të ndërgjegjes politike e kulturore dhe nuk kishte ende përvojën e duhur të një shteti kombëtar, ai sapo zgjohej nga tirania shekullore . Për këto arsye, në rrethanat e atëhershme, si zgjidhje e përshtatshme konsiderohej krijimi i Mbretërisë Shqiptare dhe bashkimi i të gjitha forcave patriotike rreth mbretit. Çdo zgjidhje tjetër mendohej se mbartte me vete rrezikun e shkatërrimit të kombit shqiptar nga fqinjët që i rrinin si çekan mbi kokë.Nga sa parashtruam më lart, mund të konkludojmë se “Vatra” nuk i dha mbështetjen e duhur politike Qeverisë së Vlorës, nuk e propagandoi siç duhej atë dhe politikën e saj kombëtare. Kryesisht, për shkak të qëndrimit të gabuar të udhëheqësve të saj, ajo nuk arriti të vendoste lidhje të ngushta me Qeverinë e Vlorës dhe nuk bëri sa duhej për të organizuar emigracionin shqiptar të Amerikës, për të ndihmuar qoftë dhe ekonomikisht qeverinë e re, e cila i kishte shumë të kufizuara burimet financiare. “Vatra” është kritikuar për këto të meta edhe në shtypin e kohës.Ndonëse disa kritika ishin të drejta, pjesa më e madhe e tyre ishin jo të sakta dhe pa sens realist. Një pjesë të këtyre qëndrimeve të gabuara i kanë pranuar më vonë edhe vetë drejtuesit e “Vatrës”. Kritikat që iu bënë Ismail Qemalit, sidoqoftë nuk mundën të errësonin figurën e tij në opinionin shqiptar të Amerikës. Më vonë “Dielli” ka vënë në pah gjeninë e këtij njeriu liberal me pikëpamje reformatore të qytetërimit evropian dhe e ka cilësuar atë një demokrat të flaktë, i cili fitoi simpati të thellë në popull. Ai vlerësohej për qëndresën e tij ndaj disa feudalëve të pasur, për qëndrimin e tij në parlamentin turk pas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908, dhe mbi të gjitha për meritën e tij në ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë, veprim që, siç shprehej “Dielli”, e bëri Ismail Qemalin “të pavdekshëm në historinë tonë kombëtare” .

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Meta

GËZUAR FESTËN E PAVARËSISË

November 28, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare ndërsa 40 firmëtarët ishin ata të cilët nënshkruan aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.Eshte interestant fakti qe asnje nga firmetaret e Pavarsise ( qe jetuan pas vitit 1944) nuk bashkepunuan me regjimin komunist. Perkundrazi nje pjese e tyre pesuan persekutime, burgosje apo u ekzekutuan nga ana e rregjimit. Nenshkruesit e deklarates se Pavaresise.Vlore, 28 Nentor 1912. 1) Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919):Ngriti flamurin ne Vlore. Firmetar i Aktit te Pavaresise. Kryetar i Qeverise se Perkohshme, Minister i Jashtem, diplomat, guvernator, atdhetar. Ne deklaraten e pavaresise shkruhej: “Ne Vlone me 15/28 te Vjeshtes se Trete 1328/ 1912. Pas fjaleve qe tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me te cilat tregoi rrezikun e math ne te cilin ndodhet sot Shqiperia, te gjithe delegatet me nje za venduan qe Shqiperia me sot te bahet ne vehte, e lire e mosvarme”.2) Dom Nikolle Kacorri (1862-1917): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Klerik i larte, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombetare. Mori pjese ne levizjen politike-kulturore-kombetare. Gjate kryengritjes se Kurbinit 1905-1907, hyri si ndermjetes midis popullsise dhe administrates osmane qe te shmangte gjakderdhjen. Pjesemarres ne Kongresin e Manastirit (1908) dhe Kongresin e Elbasanit (1909). Perfaqesues i Durresit ne Kuvendin Kombetar te Vlores ku u zgjodh nenkryetar i qeverise se perkohshme. Firmosi deklaraten e pavaresise me siglen “Kacorri”.3)Vehbi Dibra Agolli (1867-1937): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Klerik i larte, veprimtar i levizjes kombetare shqiptar. Mori pjese ne vititn 1909 ne Kongresin e Dibres, mbeshteti alfabetin me shkronja latine te Kongresit te Manastirit. Me 28 nentor 1912 ne krye te delegateve te Dibres, merr pjese ne Kuvendin Kombetar te Vlores ku u zgjodh kryetar i Pleqesise. Ka luajtur rol te rendesishem ne organizmin e kryengritjes shqiptare te vitit 1913 kunder pushtimit serb ne zonen e Dibres. Ne 1920 mbeshteti perpjekjet per rimekembj e demokratizim te shtetit te pavarur shqiptar.4) Bab Dud Karbunara (1842-1917): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombetare. Punoi shume per hapjen e shkollave shqipe ne Berat. Jorgji Karbunara ishte perfaqesues i Beratit ne Kuvendin Kombetar te Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” J. Karbunara “. Ne kete Kuvend, ai u zgjodh anetar i Pleqesise.5) Elmaz Boce (1850-1925): Fiirmetar i Aktit te Pavaresise. Mori pjese ne organizimin e deges se Lidhjes Shqiptare te Prizrenit ne qytetin e Gjirokastres ne vitin 1880. Elmaz Boce, ndihmoi pa kursyer hapjen e shkolles shqipe te Gjirokastres “Lirija”. Ne nentor te vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastres ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen “Elmas Boce”.6) Qazim Kokoshi (1882-1945): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar per perhapjen e gjuhes shqipe, patriot, njeri me bindje dhe pikepamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlores ne Kuvendin e Gerces ne vitin 1911. Merr pjese ne kuvendin e Vlores ne nentor 1912, ku firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Qazim Kokoshi”. Ne vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut te Vlores ne Keshillin Kombetar. Regjimi komunist e arrestoi dhe e burgosi. I izoluar ne hetuesine e Vlores, vdes nga torturat.7) Jani Minga (1872-1947): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i shkolles shqipe, i Rilindjes Kombetare dhe i levizjes demokratike 1920-1924. Ishte nder nismetaret e hapjes se klubit patriotik ” Laberia ” dhe shkolles se pare shqipe ne Vlore (1908). Ne nentor 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastres ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen “J. Minga”.😎 Rexhep Mitrovica (1888-1960): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i levizjes kombetare, intelektual, deputet, minister, kryeminister. Mori pjese si delegat i Pejes ne Kuvendin Kombetar te Vlores dhe ishte njeri nga nenshkruesit e deklarates se Pavaresise. Nje nga themeluesit e Partise Kombetare (1914), anetar i Komitetit “Mbrojtja Kombetare e Kosoves”. Zgjidhet senator i Kosoves ne Keshillin Kombetar te Lushnjes.9) Dhimiter Tutulani (1875-1937): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i levizjes kombetare. Ne nentor 1912, zgjidhet delegat i Beratit ne Kuvendin historik te Vlores, ku nenshkroi Deklaraten e Pavaresise, me siglen “Dh. Tout.”. Ne vitin 1918 ishte delegat ne Kongresin e Durresit dhe ne vitin 1920 ne Kongresin e Lushnjes. Ne vitin 1925 kreu detyren e kryetarit te Bashkise se Beratit.10) Abas Dilaver (Celkupa) (1850 – 1926): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i levizjes kombetare. Gjate viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkepunoi me atdhetaret e njohur te asaj kohe si Dom Nikoll Kacorri etj. Priti ne Durres Ismail Qemalin e me pas, bashke me delegatet qe e shoqeronin ate, mori pjese ne mbledhjen e pare Kuvendit te Vlores. Delegat i Durresit, Deklaraten e Pavaresise, e firmosi me siglen “Abas Dilaver”.11) Shefqet Dajiu (1882-1946): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i perhapjes se gjuhes shqipe dhe i levizjes kombetare. Ne nentor te vitit 1912, zgjidhet si perfaqesues i Elbasanit ne Kuvendin historik te Vlores per shpalljen e Pavaresise Kombetare. Firmosi Deklaraten e Pavaresise me siglen “Shefqet Daji”. Ne vitet 1920-1923 eshte deputet i Elbasanit ne parlamentin shqiptar. Shefqet Dajiu arrestohet dhe burgoset ne vitin 1945. Vdes ne burg ne 1946.12) Xhelal Koprencka (1876-1919): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Nismetar per hapjen e shkollave shqipe ne vitin 1908 ne Skrapar, veprimtar i levizjes kombetare per pavaresi. Zgjidhet delegat i Skraparit ne Kuvendin e Vlores dhe ishte nje nga 40 firmetaret e Aktit te shpalljes se Pavaresise kombetare ne vitin 1912, dhe firmosi Deklaraten e Pavaresise me siglen “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anetar i Pleqesise.13) Hajredin Cakrani (1860-1940): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Ne vitet 1908-1909, punoi ngushte me klubet atdhetare ” Laberia ” te Vlores dhe te Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastres ne Kuvendin historik te Vlores ne nentor te vitit 1912, ku firmosi Deklaraten e Pavaresise me siglen “Hajredin Cakrani”. Pjesemarres ne luften e Vlores kunder pushtuesve italiane.14) Iljaz Vrioni (1882-1932): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Nen-kryetarit i Lidhjes se Prizrenit, deputet, minister, kryeminister. Ne nentor te vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit ne Kuvendin historik te Vlores, ku nenshkroi Deklaraten e Pavaresise, me siglen “Iljas Vrijon”. Ne 1920, zgjidhet delegat i Beratit ne Kongresin e Lushnjes. Kater here Kryeminister i Shqiperise dhe disa here si Minister i Jashtem dhe si Minister i Plotfuqishem i Shtetit Shqiptar ne Paris.15) Murad Toptani (1867-1918): Firmetar i Aktit te Pavaresise. Poet, publicist. Mori pjese ne Kuvendin historik te Vlores ne nentor 1912 si delegat i Tiranes dhe firmosi Deklaraten e Pavaresise me siglen “Murad Toptani”. Pas renies se qeverise se Vlores, Esat Pashe Toptani (kusheri i tij), i dogji shtepine dhe nje pjese te pasurise se tij brenda saj – libra, korrespondence, antikuare.16) Luigj Gurakuqi (1879-1925):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i levizjes kombetare, minister, deputet, gjuhetar, poet, publicist. Pjesemarres ne Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh anetar komisioni per njehsimin e alfabetit. Pjesemarres ne kryengritjen e malesoreve te Mbi Shkodres dhe bashkehartues me I. Qemalin i Memorandumit te Greces. Ne 1912, ishte nder organizatoret e kryengritjes se pergjitheshme. Ne Kuvendin e Vlores te pavaresise, si perfaqesues i Shkodres, firmosi Deklaraten e Pavaresise nen siglen “Luz Gurakuqi”. Minister i Arsimit ne Qeverine e Perkohshme te Vlores. Anetar i delegacionit ne Konferencen e Paqes ne Paris. Deputet i Shkodres ne Keshillin Kombetar dhe perseri perfaqesues i Shkodres ne Kuvendin Kushtetues ne vitin 1924. Minister i Financave ne qeverine e Nolit. U vra ne Bari e 1925.17) Spiridon Ilo (1876-1950):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Patriot, atdhetar. Shoqeron Ismail Qemalin ne udhetimin Trieste-Durres-Vlore. Merr pjese ne Kuvendin historik te Vlores ne nentor 1912, ku firmosi firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen “Spiro T. Ilo”. Ne vitin 1914, perfshihet ne ceten e Themistokli Germenjit ne luftimet kunder shovinisteve greke.18) Thanas Floqi (1884-1945):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Jurist, veprimtar i levizjes kombetare, publicist, gjuhetar, botues, kompozitor, perkthyes. Mori pjese ne Kuvendin historik te Vlores ne nentor 1912, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” Thanas V. Floqi “. Me pas punoi si jurist ne administraten shteterore ne Vlore.19) Lef Nosi (1873-1946):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Veprimtar i levizjes kombetare, albanolog, studiues, deputet, minister. Ne nentor 1912 ishte delegat i Elbasanit ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” Lef Nosi “. Ne qeverine e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet minister. Anetar i delegacionit shqiptar prane Konferences se Paqes ne Paris. Ne 1945 u burgos dhe denua me vdekje. U pushkatua ne vitin 1946.20) Nuri Sojliu (1870-1940):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Mbeshteti Kongresin e Elbasanit dhe ate Manastirit, ku mbeshteti alfabetin latin te gjuhes shqipe. Ne nentor te vitit 1912, u zgjodh delegat i Struges ne ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” Nuri “. Ai mbeshteti levizjet politike me fryme demokratike te viteve `20.21) Ferit Vokopola (1887-1967):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Teolog, ekonomist, poet, publicist, minister, deputet. Ne nentor te vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjess ne ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” M. Ferit Vokopola “. Ai ishte perfaqesues i Beratit, ne Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Minister i Bujqesise ne kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).22) Ymer Deliallisi (1873-1944):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Ne nentor te vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Shpalljes se Pavaresise me siglen ” Ymer “. Ne vitin 1920, perfaqeson Shijakun ne Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.23) Xhemal Deliallisi (1880-1941):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Ne nentor 1912, u zgjodh delegat i Shijakut ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Deklaraten e Pavaresise me siglen “Xhemmalyyddin bej”. Ngarkohet me detyra ne Qeverine e Perkohshme te Vlores dhe ne administraten e Princ Vidit.24) Mustafa Merlika Kruja (1887-1958):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Deputet, minister, Kryeminister, albanolog. Si delegat i Krujes ne Kuvendin Kombetar te Vlores me 28 nentor 1912, firmosi Aktin e Pavaresise kombetare, me siglen “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anetar i Pleqesise. U caktua nenprefekt ne Vlore dhe me pas sekretar i pare i Qeverise se I. Qemalit. Me 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar ne Konferencen e Paqes ne Paris. Ishte deputet i Kosoves ne zgjedhjet e para parlamentare te ne 1921. Pas ardhjes se komunizmit u detyrua te arratisej. Mustafa Kruja vdiq ne SHBA me 27 dhjetor 1958, ne moshen 71-vjecare.25) Abdi Toptani (1864-1942):Firmetar i Aktit te Pavaresise, minister. Ne vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur te malesoreve te Shengjergjit e te Shupalit kunder administrates osmane. Ne Kuvendin e Vlores ai firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Abdi”. U zgjodh minister i Financave ne Qeverine e pare shqiptare.26) Veli Harci (1850-1914):Firmetar i Aktit te Pavaresise, intelektual. Veli Harci ishte nje intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik te qytetit, ai perfaqesoi Gjirokastren ne Kuvendin e Vlores dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Veli Harci”.27) Nebi Sefa (1861-1942):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar. Mori pjese ne kryengritjen e pergjithshme te viteve 1911 dhe 1912. Ne nentor te atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes per ne Kuvendin e Vlores. Ku nenshkroi Aktin e Pavaresise me siglen “Nebi Sefa Lushja”. Ne vitet `20 perkrahu kursin politik te ndjekur prej forcave fanoliane.28) Mit’hat Frasheri (1880-1949):Firmetar i Aktit te Pavaresise, intelektual, deputet, patriot, minister. Mori pjese ne Kongresin e Manastirit, me 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nenkryetar i Komisionit te hartimit te alfabetit. Ne Kuvendin e Vlores, Frasheri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Mid’hat Frasheri”. Ne qeverine e Ismail Qemalit zgjidhet minister i Puneve te Pergjithshme. Ne janar 1923 fillon detyren e ministrit Fuqiplote te Republikes se Shqiperise ne Athine, deri ne dhjetor 1925. Me 1941 eshte nje nga themeluesit e Organizates Nacionaliste – Balli Kombetar. U detyrua ne nentor 1944 te largohet nga Shqiperia dhe te vendoset ne Itali. Nuk u pajtua kurre me komunizmin. Komunistet e detyruan te birin e Abdyl Frasherit, te ikte nga Shqiperia. Vdiq ne New York, SHBA, me 3 tetor 1949.29) Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar, minister. Mori pjese ne kryengritjen e pergjithshme ne 1911. Ne Kuvendin e Vlores, si delegat i Vlores, firmosi ne Aktin e Pavaresise me siglen “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i pergjithshem ne ministrine e Puneve te Jashtme. Me fillimin e Luftes se Dyte Boterore, Kanina u be pjese e Ballit Kombetar, perkrah Mit’hat Frasherit. Ne vitin 1951 u arrestua dhe u burgose, derisa vdiq, me 1957.30) Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949):Firmetar i Aktit te Pavaresise, patriot, deputet. Ne nentor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit ne kuvendin e Vlores dhe shoqeroi Ismail Qemalin nga Durresi ne Vlore. Firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Qemal Elbasani”. Mbeshteti qeverine e dale nga Kongresi i Lushnjes dhe per disa vite ishte asamblist. Ai u persekutua nga regjimi komunist.31) Sali Gjuka (1876-1925):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar. Mori pjese ne kryengritjen e pergjithshme te viteve 1910-1912. Si perfaqesues nga Kosova dhe delegat i Pejes, Gjakoves, Plaves e Gucise, mori pjese ne shpalljen e pavaresise dhe firmosi Aktin me siglen “Salih Gjuka”. U zgjodh keshilltar i Pleqesise. Ne janar 1913 filloi punen si drejtor i arsimit per Beratin.32) Dhimiter Berati (1888-1970):Firmetar i Aktit te Pavaresise, diplomat, minister. Firmos Aktin e Pavaresise me siglen “D. Beratti”, si delegat i kolonise shqiptare te Bukureshtit. Ai u emerua sekretar i kryetarit te Qeverise, anetar i Pleqesise si dhe u caktua drejtor i pergjithshem ne gazeten e qeverise se Vlores. Ne Konferencen e Paqes me 1919 ishte delegat i shqiptareve te Bukureshtit.33) Dhimiter Mborja Emanoil (1884-1945):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Me 28 nentor 1912, firmos Aktin e Pavaresise me siglen “Dh Emmanuel” ne emer te kolonise se Bukureshtit. Ne shkurt 1915 zgjidhet keshilltar i shoqerise se “Komunitetit Ortodoks Shqiptar te Bukureshtit”. Me 1924 mbeshtet qeverine e Nolit. Ishte kunder regjimit komunist.34) Dhimiter Zografi (1878-1945):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar. U zgjodh delegat i kolonise shqiptare te Bukureshtit per te marre pjese ne Shpalljen e Pavaresise. Me 28 nentor 1912 firmosi aktin e Pavaresise me siglen “Dimitri Zografi”. Anetar i Pleqesise. Kundershtoi vendimet e padrejta te Konferences se Parisit ne kurriz te popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesise se saj ne qershor 1919.35) Pandeli Cale (1879-1923):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar, minister, deputet. Ne kryengritjen e pergjithshme te vitit 1910 – 1912 drejtoi cetat e zones se Korces. Merr pjese ne mbledhjen e Bukureshtit te 5 nentorit 1912 dhe shoqeron Ismail Qemalin per ne Shqiperi. Me 28 nentor 1912, si delegat i Korces, firmos Aktin e Pavaresise me siglen “Pandeli Cale”. Zgjidhet anetar i qeverise se pare shqiptare. Merr pjese aktive ne levizjen patriotike qe coi ne Kongresin e Lushnjes me 1920. Po ate vit ishte Prefekt i Korces, ndersa ne shkurt 1921 deputet ne te parin parlament shqiptar.36) Bedri Pejani (1885-1946):Firmetar i Aktit te Pavaresise. Delegat ne Kongresin e Dyte te Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit te Kosoves (1918-1924). Ne nentor 1912, mori pjese si perfaqesues i Plaves, Gucise, Gjakoves dhe Pejes ne mbledhjen e Vlores dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Bedri Pejan”. Ne vitin 1943 ishte nga nismetaret per krijimin e “Lidhjes se Dyte te Prizrenit” dhe deri ne vitin 1944 kryetar i saj. Pas luftes u arrestua ne Shqiperi. Vdiq sapo doli nga burgu, ne 1946.37) Qemal Mullaj (1881-1966):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar, deputet. Si delegat i Lushnjes, ne nentor 1912 mori pjese ne Kuvendin historik te Vlores dhe firmosi Aktin e shpalljes se Pavaresise me siglen “Qem. Mullaj”. Pas renies se qeverise se Vlores dhe me nisjen e Luftes i Boterore u largua nga Shqiperia. U kthye ne atdhe rreth vitit 1920, per t’u rimarre perseri me politike. Deputet ne parlamentin e pare shqiptar.38) Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937):Firmetar i Aktit te Pavaresise, mjek, patriot. Ne nentor te vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, se bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhen delegate te Ohrit e Struges per ne Kuvendin e Vlores, ku firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Dr. H. Myrteza Aliu”. Sii perfaqesues i Ohrit e Struges ishte delegat ne Kongresin e Lushnjes me 1920.39) Aristidh Ruci (1875-1950):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar. Merr pjese ne kryengritjen e pergjithshme me 1911. Ishte delegat i Vlores ne Kuvendin qe shpalli pavaresine dhe firmosi Aktin me siglen “A. Ruci”. U zgjodh anetar i kryesise se Bankes Kombetare Shqiptare me 1937.40) Zyhdi Ohri (1872-1938):Firmetar i Aktit te Pavaresise, atdhetar, senator. Ne vitet 1898-1900 u perfshi ne Lidhjen Shqiptare te Pejes. Ne nentor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjese ne Kuvendin e Vlores dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “Zuhdi Ohri”. Ishte pjese e Senatit te dale nga qeveria e Ismail Qemalit. Ne 1920 mori pjese ne Kongresin e Lushnjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Saimir Kadiu

AT ANTON HARAPI DHE AT GJON SHLLAKU, VIKTIMA TË BARBARIZMIT MË EKSTREM KOMUNIST

November 26, 2021 by s p

(Fjalimi i Anton Harapit kushtuar Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit)

                                                  Frank Shkreli 

A person in a suit

Description automatically generated with low confidenceNë Tiranë më 24 Nëntor, 2021, Françeskanët e trojeve shqiptare — në bashkëpunim me kryedioqezёn Metropolitane Tiranë – Durrës kujtuan 75-vjetorin e martirizimit të At Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut – dy figura të mëdha të Kishës Katolike dhe të Kombit shqiptar – në Bibliotekën Françeskane, pranë Katedralës së Shën Palit, në kryeqytetin shqiptar.  Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqsues të Urdhërit Françeskan shqiptar dhe zyrtarë të lartë të Kishës Katolike shqiptare. Morën pjesë gjithashtu edhe Përfaqsuesi i Vatikanit në Shqipëri i Përndershmi Luiggi Bonazzi dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Vinçenzo del Monaco. 

Në mungesën e shëmtuar të shtetit dhe qeverisë shqiptare për të kujtuar, pa dallim, të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri — 30-vjetë pas shembjes zyrtare të atij regjimi barbar — është mirë që të pakën Françeskanët dhe grupe të tjera jo-qeveritare kujtojnë viktimat e tyre të komunizmit. Ishte shumë bukur gjithashtu të shihje të pranishëm në përkujtimin e martirizimit të At Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut të mërkurën në Tiranë edhe Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Z. Vinçenzo del Monaco.  

“Ne duhet që, patjetër, të bëjmë më të mirën që mundemi, ashtuqë Demokracia dhe të Drejtat e Shënjta të Njeriut të sigurojnë, më në fund, progresin e këtij Kombi”, u shpreh Shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Del Monaco, i cili foli në emërin e tij personal, me rastin e 75-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapit dhe të Lumit Gjon Shllaku.  Ai falënderoi “miqtë e mij françeskanë” për ftesën për të marrë pjesë në atë tubim “aq të veçantë dhe tepër domethënës, jo vetëm për Kishën Katolike, por edhe për Shqipërinë.”  Ambasadori del Monaco u tha të pranishëmve se nuk e gjeti të lehtë të fliste për një subjekt, jashtzakonisht, të rëndësishëm, siç janë martirët – për “ata të cilët ndajnë mundimet dhe vuajtjet e tyre me Krishtin, pa iu dorëzuar turmave pagane, duke dhenë jetën, ose më mirë të themi të rilindur në vdekje, duke i falur persekutuesit e tyre…ashtu siç ishin At Anton Harapi dhe i lumi At Gjon Shllaku”, u shpreh ambasadori i OSBE-së në Shqipëri. “Viktima”, shtoi ai, si At Gjergj Fishta të cilin e kujtuam kohët e fundit në Shkodër, ashtu si edhe shumë e shumë të tjerë. Të gjithë ata, viktima të barbarizmit esktrem komunist”, u tha të pranishëmve Përfaqsuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë në akademinë përkujtimore në Tiranë, kushtuar martirizmit të At Anton Harapit dhe të At Gjon Shllakut.

Shefi i OSBE-ës në Tiranë, Z. Vinçenzo del Monaco e përfundoi fjalën e tij në përkujtim të 75-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapit dhe të Lumit Gjon Shllaku nga komunizmi, duke theksuar se, “Rinia ka një përgjegjësi të madhe për të bërë pyetje dhe për të reflektuar, në përgatitje për një jetë sakrificash, duke ushtruar lirinë.”  Ndërsa të rriturit, sipas tij duhet të “Bëjnë më të mirën që mundemi, ashtuqë Demokracia dhe të Drejtat e Shënjta të Njeriut të sigurojnë, më në fund, një mjedis sa më të mirë për progresin e civilizuar të kombit”, tha Del Monaco.

Ndërkaq, Përfaqësuesi diplomatik i Vatikanit, Luigi Bonazzi, At Gjon Shllakun dhe At Anton Harapin i quajti, “patriotë shqiptarë dhe dëshmitarë të Krishtit”, dhe i cilësoi si dy “figura të shkëlqyera”, martirë që vazhdojnë të kujdesën për Shqipërinë.  “Ne fakt”, shtoi përfaqsuesi i Vatikanit, “martirët nuk janë një kujtim i së shkuarës, një faqe e mbyllur e historisë. Ata jane njerëz të gjallë që vazhdojnë ta shoqërojnë, ta ndihmojnë dhe t’a mbështesin sot rrugëtimin e kësaj Kishe dhe të gjithë shqiptarëve.”  Krye-Françeskani Gjergj Fishta këndonte: “Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue, Edhe në vorr me t’ përmend kam”.

Ky vit shënon jo vetëm 75-vjetorin e martirizimit të At Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut nga komunistët shqiptarë por edhe 85-vjetorin e gjetjes së eshtrave të dy heronjve, ndër dëshmorët e parë shqiptarë – Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli, njëri revolucionar me pushkë në krah dhe tjetri gazetar me pendë në dorë – duke luftuar për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – u masakruan barbarisht nga forcat terroriste serbo-malazeze afër Shkodrës.  Eshtrat e tyre u zbuluan 20 vjetë pas vrasjes së tyre (1936). Po e përmend këtë përputhje përvjetorësh – pasi jemi edhe në prak të Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – për të kujtuar këta dëshmorë të cilët punuan aq shumë për lirinë e atij vendi, por edhe për mesazhin që ata kanë lënë trashëgimi me fjalët e shkruara dhe me veprat e trashëguara.  Përzgjodha, me këtë rast, fjalimin e At Anton Harapit mbajtur me rastin e dërgimit për në Gjirokastët të eshtrave (zbuluar më 1936) të dëshmorëve të Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli.  Përzgjodha këttë fjalim prekës, ndër fjalimet më klasike të oratorisë shqiptare, të At Anton Harapit, për nga përmbajtja e tij patriotike, por edhe për mesazhin që mbartë edhe sot, sidomos për të rinjtë dhe të rejat shqiptare, në prak të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më poshtë fjalimi i At Anton Harapit në ceremoninë e përcjelljes së eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre, (Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, Shkodër 1936).

                                          “DY LOTË E NJË BETIM” 

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…

Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.

Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti! Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej.

Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshëm pa u derdhun dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.

Eshtën të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.

E udha e mbarë u qoftë! 

Veç, o burra, që vdekun, flitni; të mbetun, ngjalleni; të humbun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.

Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.

Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.  Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e përparim, pagjë e ngadhnjim.

Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.

Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore! Si s’u ngine ma njiherë me gjak? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?

Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë për piri.

 Zotnijë të ndritshëm! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun. 

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.

Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë; 

Me Zot e me Atdhe të lumnojmë”!   (“Hylli i Dritës”, Shkodër 1936.)

Një mesazh i fortë i At Anton Harapit 85-vjetë më parë – por edhe një mesazh për botën e sotme shqiptare!  At Anton Harapi nuk ishte as “tradhtar”, as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite, por ishte dhe mbetet një atdhetar, i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 75-vjetor të martirizimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre aktualë – ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij, në fjalimin e mbajtur si anëtar i Parlamentit shqiptar në vitin 1944: “T’a bajmë monumentin kombëtar – bashkimin e Shqiptarëve”. 

Lavdi Dëshmorëve! Gëzuar Dita e Madhe e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Kombit shqiptar!

Frank Shkreli

 Padre Anton Harapi e Padre Gjon Shllaku, francescani e martiri della Chiesa albanese
Vincenzo Del Monaco, Ambasadori i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

                   Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Z. Vincenzo del Monaco

Veprat e Anton Harapit, dhuruar autorit nga i ndjeri ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, Mark Sopi, në vitin 2005 në Prishtinë.  Gjatë pёrkujtimit të 75-vjetorit të martirizimit të tyre të mërkurën, në Tiranë u zhvillua edhe promovimi i botimit të plotë i veprave të Át Anton Harapit dhe të Lumit At Gjon Shllaku.  Dy françeskanët martirë shqiptarë, nuk kërkojnë asgjë prej nesh, vetëm t’i kujtojmë dhe t’i njohim pak më mirë — duke lexuar veprat e tyre lenë pas, si trashëgimi për brezat.  

May be an image of 2 people and text that says 'T T T ç SHQYPNIJA T 75- Vjetori i martirizimit të të Lumit Át Gjon Shllaku dhe të Át Anton Harapit (1946-2021) T 2'

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Roli i liderëve fetarë dhe rinisë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit

November 25, 2021 by s p

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën CVE ka organizuar me datë 22 nëntor 2021 Forumin Ndërfetar “Roli i liderëve fetarë dhe rinisë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit” me pjesëmarrjen e liderëve të komuniteteve fetare, njëkohësisht dhe anëtarë të Bordit të Presidencës të KNFSH-së, Ambasadorit të Mbretërisë së Britanisë së Bashkuar SHTZ. Alastair King-Smith, përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, një delegacioni të lartë nga organizata ndërkombëtare The Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF) me qendër në Zvicër i kryesuar nga z. Kevin Osborne, si dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në Këshillin Ndërfetar.Aktiviteti i moderuar fillimisht nga znj. Sheldiana Jano, anëtare e Bordit Ekzekutiv të KNFSH-së është përshëndetur nga liderët dhe përfaqësuesit më të lartë të pesë komuniteteve fetare në vendin tonë, ku fillimisht i ka uruar mirëseardhjen H. Dede Edmond Brahimaj, kryetar i KNFSH-së për vitin 2021, si dhe më pas kanë përshëndetur H. Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Mons. George Frendo, Arqipeshkv i Dioqezës Tiranë-Durrës, Hirësi Asti, Episkopi ndihmës i Kryepiskopit Anastas Janullatos dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.Liderët fetarë u ndalën rreth kontributit dhe punës që bëjnë komunitetet fetare në promovimin e paqes sociale dhe dialogut, nëpërmjet edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj larg çdo radikalizmi dhe ekstremizmi.Ndërsa më pas kanë folur znj. Lejdi Dervishi, drejtor i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), pranë Kryeministrisë, znj. Iris Luarasi, drejtor ekzekutiv i Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, z. Kevin Osborne nga The Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF) dhe Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së.Në seancën e dytë të moderuar nga znj. Sonila Rembeci, anëtare e Departamentit të Gruas në KNFSH kanë folur dhe diskutuar anëtarë të Departamentit të Rinisë, përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare. Kështu Hysni Skura, Alban Petro, Jeta Deda, Evisa Beho dhe Alesio Sema kanë ndarë rekomandime dhe rezultate nga workshopet dhe forumet ndërfetare të zhvilluara nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në çështje dhe tematika të ndryshme lidhur me parandalimin e gjuhës së urrejtjes, radikalizmit dhe ekstremizmit të çdo lloj forme.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT