• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“BALLKANI I HAPUR” ËSHTË I PA PRANUESHËM PA KOSOVËN DHE MALIN E ZI

November 22, 2021 by s p

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi, shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze, sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar, iniciativën “Ballkan i Hapur” pa Kosovën e Malin e Zi dhe takimet me diasporën shqiptare në Amerikë. Me z. Nikollë Camaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E PËRGJITHSHME POLITIKE NË MAL TË ZI

Asnjëherë më e ndërlikuar, dhe me më shumë të panjohura. Me një qeveri “ekspertësh”, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës që e ka zgjedhë, por e cila nuk merr guximin për ta shkarkuar, edhe pse, gjasat janë se shkarkimi është i pashmangshme. Pastaj parlamenti me retorikën e viteve të 90-ta, nuk premton asgjë të mirë. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet gjatë, por askush nuk e di zgjidhjen. Se a do ketë rekonstruktim të kësaj qeverie, rikuperim forcash politike për një qeveri të re, apo zgjedhje të parakohshme, si epilog i krejt kësaj,  nuk i dihet, por shpresoj të mos pritet gjatë.

SHQIPTARËT SI FAKTOR POLITIK NË MAL TË ZI

Statusi i shqiptarëve edhe tutje mbetet i pazgjedhur. Them edhe se jemi në një pozitë të pa lakmueshme, mes dy blloqeve të papranueshme për të ardhmen e vendit. Në njërën anë pushtetarët klero-fashistë , në anën tjetër opozita e krimit të organizuar,  e që pret përkrahjen tonë për të rrëzuar këtë qeveri, e për të formuar të renë. Në një situatë të re, që shpresojmë se do të ndoll, duhet të prihemi nga interesat tona kombëtare, e assesi nga ajo që është “interes i madh shtetëror” siç ishte rasti më 1997-ta, pastaj në kohën e referendumit për pavarësi të Malit të Zi, apo të integrimit në NATO. 

“BALLKAN I HAPUR” PA MALIN E ZI DHE KOSOVËN, SI ËSHTË PRITUR NË PODGORICË DHE CILI ËSHTË GJYKIMI JUAJ

Podgorica zyrtare nuk e ka mbështetur, ndërkohë që nënkryetari i Qeverisë D. Abazoviq, gjatë një vizite në Tiranë i ka premtuar përkrahje në këtë drejtim, z. Rama. Për mua është një projekt e papranueshëm, derisa të mos zgjidhen raportet Kosovë Serbi. Nuk mund të krijohet një bashkësi e tillë, me dikë që ka pretendime territoriale. Duaje kojshinë, por mos e prish portën, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, jam për bisedimet të çdo lloji me fqinjët, por të vendoset vetëm për variante, të leverdishme e të pranueshme për kombin në përgjithësi, e jo të pjesëve të tij.

ÇDO NDODH NË TUZ? SI PO E QEVERISIN SHQIPTARËT KOMUNËN SHQIPTARE

Tuzin po e qeverisin subjektet që u angazhuan, disa prej tyre me dekada, për themelimin e komunës së plotë, dhe kjo ishte jo vetëm e arsyeshme, por është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë Tuzit, në mandatin e parë të administrimit autonom. Kryesisht jemi të orientuar në rregullimin e infrastrukturës,  të lënë mbas dore me dekada, si edhe në mirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me investues,  për hapje të vendeve të reja të punës, e që disa janë në fazën përfundimtare. 

TAKIMET ME DIASPORËN NË AMERIKË

Takimet me diasporën janë gjithherë të veçanta dhe kuptimplote. Përpos takimeve të drejtpërdrejta, ata na hapin shumë dyer të administratës amerikane, aq të nevojshme për ne. Siç dihet, diaspora jonë, përpos ndihmave materiale vendlindjes, që janë të shumta, dha kontribut të madh në jetësimin e idesë për komunë të plotë, si edhe në marrjen e pushtetit nga partitë që po e qeverisin. Nga kjo vizitë, do të veçoja takimet me shoqatat shqiptare ne New York,  Michigan e Californi, si edhe vizitën Federatës panshqiptare Vatra. Një pritje të ngrohtë organizoi edhe majori i qytetit-motër Rochester Hills. Po ashtu, isha edhe në departamentin e Shtetit, për të shkëmbyer informacione mbi statusin tonë. Të gjitha këto dëshmojnë se Malësidashësit përherë i rrinë pranë vendlindjes së vet.

THIRRJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA QË TË BASHKOHEN DHE TË KONTRIBUOJNË PËR VENDLINDJEN

Ata nuk kanë nevojë për thirrje; kanë nevojë vetëm për sinqeritetin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nikolle Camaj, Sokol Paja

ESAT PASHË TOPTANI DHE “PRETORIJA” E DURRËSIT

November 21, 2021 by s p

Eugjen Merlika/

Mbas dorëzimit të Shkodrës malazezve figura e Esat Pashës merr një rëndësi të veçantë në jetën politike. Njeri me një formim të pakët kulturor, por me nuhatje politike të fuqishme, pa shumë skrupuj por me një ambicje të pasosur në veprimtarinë politike, me marrëdhënie të ndryshme në qarqet e huaja, Esat Pashë Toptani lakmonte të vihej në krye të Shtetit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913 ai fillon një sulm të fuqishëm kundër Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës për të ndryshuar selinë e Qeverisë. Në letrën që Xhemal Belegu i dërgoi  M. Krujës, që mban datën 21 shtator 1913, flitet për një meting të organizuar në Durrës nga përkrahës të Esad Pashës, për të krijuar idenë se populli nuk e do më Qeverinë e Vlorës. Ishte preludi i shpalljes që, tri javë më vonë, Pretorija (Pleqësia) e Durrësit do t’i drejtonte shqiptarëve për t’a kandiduar Esad Pashë Toptanin në krye të një qeverie të Shqipërisë së mesme. Ndërmjet organizuesve të kësaj lëvizjeje politike kishte intelektualë të shquar si Faik Konica e Mitat Frashëri, veprimtarë të hershëm atdhetarë e publiçistë si Dervish Hima apo Menduh Zavalani, njerëz t’afërt t’Esadit si Hamit be Toptani apo Fazil Pasha, aventurierë politikë si Basri beg Dibra et. Motivet e kësaj kundërvënieje ndaj I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës janë të shumta e të ndryshme. Mbas më shumë se njëqind vitesh të këtyre ngjarjeve historiografia shqiptare nuk na jep ende një shpjegim të mirëfilltë shkencor të këtij çasti historik. Teksti i Historisë është i mbushur me interpretime “marksiste” të ngjarjeve, të paraqitura në mënyrë të sipërfaqëshme, pa asnjë objektivitet shkencor, duke anashkaluar ngjarje e personazhe që, më vonë, komunizmi do t’u ngjiste etiketën e “tradhëtisë” e të “tradhëtarit”. Vëllimi i tretë i “Historia e popullit shqiptar” as që e përmend fare këtë dokument që dëshmon për atë çarje në politikën shqiptare.

            Shqipëria e 1913-ës ishte një mozaik qendrash, ndikimesh, mendësish, figurash e forcash politike. Në këtë mozaik ishin të natyrshme zilitë e shemëritë që, herë herë, arrinin në kundërshti të fuqishme. Kjo ishte ana njerëzore, vetiake e marrëdhënieve mes pjesëmarrësve  që shpesh kapërthehej e ndikonte edhe veprimet në arenën politike. Gjëndja e jashtzakonshme në të cilën ndodhej Shqipëria me ushtritë e fqinjëve ballkanikë në trojet e saj, me një pozitë shumë të dobët në planin ndërkombëtar, me institucione të vjetra, të trashëguara nga Turqia, me njerëz t’administratës të mendësisë otomane, probleme të theksuara ekonomike e të infrastrukturës, me ndikime e prirje të ndryshme në drejtim të shteteve t’Evropës nuk i jepte askujt “shkopin magjik” të sistemimit të problemeve, që donin kohën e tyre të domosdoshme të viheshin në rrugën e zgjidhjes.

            Më duket me vënd të sjell këtu disa nga argumentat që themeluesit e “Pretorisë së Durrësit” shpalosnin në shpalljen e tyre në gjuhën turke. Shpallja fillon me një pohim të prerë mbi Qeverinë e Vlorës: “Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd , paligjsít dhe paudhsít e saj i din mbarë Evropa…..”[1]Nuk merret vesh se si gjithë Evropa ishte vënë në dijeni të “paudhësive” të Qeverisë që, në më pak se një vit ekzistence, nuk kishte patur kohë të merrej me problemet e panumurta të rëndësishme të Vendit, mbasi çështja e përcaktimit të kufinjve ishte ajo që mbizotëronte n’atë çast politik. Megjithatë autorët e Shpalljes së 13 tetorit 1913, të parët ushtrues të “dialektikës” shtetërore shqiptare, shtrojnë në tryezë arsyet e kundërshtisë së tyre.

            “Në shërbim të sigurimit janë shtí në punë shumë laro e gjaksorë….”

            “Nëpunsit nuk janë zgjedhun prej njerëzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk….”    

            “Nji qeverí e përkohshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhânë konçesione….”

            “Qeveria e Vlorës po të kishte marrë para sŷsh psikologjinë e popullit shqiptar duhej t’a kishte kuptue se lumnia dhe bashkimi i tij nuk mund të sigurohej veçse me nji princ në krye… Por asnji hap s’ka bâmë deri tash ke Fuqít e Mëdha për zgjedhjen e dërgimin e mbretit. Kjo provon se i pëlqen gjêndja kaotike e soçme qi të mundet kështu me sundue vetë si t’i dojë qejfi….

            Ky popull ka bâmë shumë metingje për me protestue kundra Ismail-Kemal Beut për këto veprime e shpërdorime qi kanë për qëllim me çue në vênd lakmít vetiake e me sigurue interesat e veçanta të tia….”

“Sikur t’ishim përpara nji qeverie të rregullt e të kishim nji parlament, sigurisht njerzit e saj do t’ishin marrë në gjyq dhe vêndet e tyne do t’i kishin zânë ata qi t’i meritojshin për zotsí e aftí….”

            Parsija e intelektualët e Shqipnís së mesme, dmth. të Durrsit, …. të Krús, të Tiranës, të Peqinit e të Mates me rrethet e tyne, qi gjinden ndërmjet ujit të Mates e lumit të Shkumbinit, tue pamë se vetëm me pushkë mund të rrëzohej nji qeveri qi përbuz pa tjetër e pa diftue asnji shkak e arsye dëshirat e kërkesat e popullit, por tue mendue edhe se gjaku qi do të derdhej kishte për të shkaktue nji dasí të përjetëshme e n’anë tjetër tue mos pasun as jetën e vet të sigurtë me këtë qeveri, u mblodhën në Kuvênd dhe simbas traditave t’ona kombtare zgjodhën nji krye e nji pleqsí për me matarue punët e popullit…”[2]

            Është i habitshëm fakti që një dokument i tillë, që përmban një padi kaq të fuqishme kundër së parës qeveri të të parit shtet të pavarur, të mos jetë i pranishëm në tekstet e historisë zyrtare të tetëdhjetë viteve të fundit. I parë sot në hapësirë kohe më shumë se një shekulli, mendoj se është shumë i vyer për të kuptuar ecurinë  e ngjarjeve dhe problemeve të kombit tonë fill mbas Shpalljes së Pavarësisë.

            Ka gjithshka n’atë dokument: shqetësim për mënyrën si u ngjiz shteti i ri, për mungesën e meritokracisë në rradhët e kuadrove themelues, për praktika që quheshin të paligjëshme e zotime për të mos njohur asnjë vendim t’asaj qeverie, për kritika t’ashpra sa i përket strategjisë së përcaktimit të kryetarit të Shtetit, madje padi për përfshirje në strukturat e shtetit të elementëve kriminalë…. Ka kaluar më shumë se një qindvjetor e gjuha e politikës nuk ka ndryshuar aspak, por ka ardhur duke u trashur. Sikur vetëm gjysma e atyre padive t’ishin të vërteta, proçesi historik kundrejt Ismail Qemalit dhe bashkëpuntorëve të tij shpallës së Pavarësisë, do të kishte qënë i pamëshirshëm. Fakti që ai proçes nuk ka gjetur zbatim në historiografinë tonë tregon se shumica e atyre padive nuk kanë patur bazë të vërtetë.

            Por ne sot, që e shohim të shkuarën tonë historike me syzet e nderimit e vlerësimit për një pjesë të mirë të veprimtarëve politikë t’atyre viteve, aq më tepër kur bëhet krahasimi i vetëvetishëm me kolegët e tyre të mbas vitit 1944, ai dokument duhet të na bëjë të përsiasim gjatë e thellë e ndoshta të rishohim në kah objektiv e kritik edhe opinionet tona. Duke mbajtur parasysh emrat e personaliteteve që qëndronin mbas shpalljes së “Pretorisë” e ndihmesën e tyre në jetën politike shqiptare të mëvonëshme, më duket se ka mjaft arsye për t’a parë me një farë mosbesimi të ligjshëm atë ndodhi në të gjithë dritë-hijet e saj.

            Kemi të bëjmë me një ndarje dy pjesësh të klasës politike shqiptare, një dasi që ndodhte mbas më pak se një viti nga krijimi i Shtetit, në një kohë kur ish kryeministri i Sërbisë, Vlladan Djordjeviç, botonte në gjuhën e tij e në gjuhët më të njohura evropiane librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, ku mundohej të vërtetonte idenë se “Shqiptarët nuk ishin t’aftë të krijonin e të mbarështonin një shtet të qytetëruar….”, ide që dëmtonte shumë çështjen kombëtare në mjediset politike e intelektuale t’Evropës s’asaj kohe. Nëse do të kishte qënë vetëm Esat Pashë Toptani ideatori e frymëzuesi i atij dokumenti, do t’a kishim quajtur atë si një shprehje të lakmisë për pushtet e të arritjes tek ai nëpërmjet metodave demagogjike e populiste, pa përjashtuar as përdorimin e forcës. Por kur në fushën e tij e n’ujdi me të luanin personalitete intelektuale si Faik Konica e Mithat Frashëri, përpilues të dokumentit, na mbetet një hidhësirë në gojë, sepse përfytyrojmë një Vend e një popull që, në hapin e parë të ecjes së tij të pavarur, fillon të çalojë. Në vend që të gjente tek intelektualët e tij të paktë frymën e bashkëpunimit për interesat e Vendit, qoftë edhe nëpërmjet një dialektike të fortë e kundërshti pikëpamjesh, gjindemi përballë një dasije që nuk i sillte asgjë të mirë atdheut. Ky qëndrim përligjej me një mbledhje të disa përfaqësuesve të një pjese të Shqipërisë, në këtë rast të asaj të mesme, së cilës i bashkohen intelektualë të Jugut të saj e të Kosovës.

            Ftillimet që përdoren, edhe se një pjesë t’arsyeshme, rrëshqasin në demagogji e në një gjuhë që na kujton atë të pasardhësve të tyre mbas tridhjetë vitesh. I parë në këtë këndvështrim, del më i qartë qëndrimi i gabuar i Mufid be Libohovës që, në mungesë të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, mori përsipër të hedhë poshtë propozimin e ardhur nga Tirana, pak muaj më parë. Sigurisht një Kuvend i ri i gjithë krahinave shqiptare do të kishte arritur në përfundime që do të kishin shmangur dasinë e madhe të klasës politike t’asaj kohe.

Shpallja e 13 tetorit 1913, që priret t’i hapë udhën një “principate” të Esad Pashës në Shqipërinë e mesme, duke vënë në pikëpyetje Shtetin e bashkuar, është një dokument që meriton një analizë të mprehtë e pa paragjykime. Pa hyrë në logjikën e vjetër e shterpë t’etiketimit bardh e zi të ngjarjeve e protagonistëve të tyre, studjuesit e sotëm duhet të thellohen në përmbajtjen e këtij dokumenti me objektivitetin e duhur, për të ndarë grurin nga egjra e për të përcaktuar shkencërisht cili ishte thelbi i kundërshtive, cilët ishin motivet e përgjegjësitë.

(Marrë nga vëllimi “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare)


[1] “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1, Tiranë 2012  Faqe 213

[2]Po aty, Faqe 213 – 214

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

KUJTOJMË GJON MILIN, FOTOGRAFIN E SHQUAR DHE ANTARIN E VATRËS NË 117 VJETORIN E LINDJES 28 NËNTOR 1904

November 21, 2021 by s p

Qemal   Agaj – Fragment nga libri në proces për Gjon Milin.         

‘’Gjon Mili nuk kënaqet thjeshtë të fotografoj njerës të shquar, ai e bën çdo imazh një provë, një eksperiment… Nëqoftëse Mili të bën pjesë të koleksionit të tij ai ju ka vëzhguar, do t’ju njoh plotësisht.’’

                                                            Jean – Paul Sartre  ( Nga prezantimi i ekspozitës së Mili, Paris, 1946.)

Në introduksionin e librit, ‘’GREAT ARTISTS’’ me autor Robert Kuming botuar në Londër, 1998, shkruhet:

‘’Lloji i personalitetit që lulëzon te një artist në çdo kohë, është produkt i shumë faktorëve të ndryshëm. Duhet të ketë aftësi, vendosmëri dhe frymëzim; Por këto aftësi esenciale nuk janë mjaftueshëm në vetëvete. Është një e vërtetë e thjeshtë që shumë artistë reflektojnë kohën e tyre dhe jo më shumë, ndërsa një artist i shquar ka aftësinë të kap imagjinatën e gjeneratës së ardhme dhe të thotë diçka që u intereson atyre.

 …Përjetshmëria dhe universaliteti i punës së një artisti të shquar egziston sepse, ai ose ajo, ka diçka të veçantë për të thënë dhe sepse për këta artistë, krijimtaria nuk është një fund në vetëvete, por një qëllim të arrij një të vërtetë fondamentale njerëzore.’’

Gjatë karierës së tij si fotograf, Mili  provoi, se ishin aftësitë e tij të rralla teknike, kombinimi i vëzhgimit me fantazinë, bindja e thellë personale dhe një vizion i qartë, që e shtyn atë të thotë diçka më tepër, të impresionoj dhe kënaq jo vetëm një audiencë specifike, por edhe më gjerë. I magjepsur nga drita dhe lëvizja, Mili zhvilloi teknika fotografimi të ndryshme – Stop motion photography, stroboscopic phottography dhe light painting photography , realizuar kjo e fundit në mënyrën më të përsosur në vizatimet me dritë të Picasso-s.

Do të ishte e limitizuar të thuhej vetëm se Gjon Mili ishte fotografi më me influencë në fotografimin me këto teknika. Janë këto,  gama e gjerë e subjekteve, që e radhiti atë në fotografët më të shquar të shekullit të kaluar.

Nga sportet, te baleti, nga muzikantët e Xhazit si duke Ellington , Billie Holiday,…te artistët më të shquar të muzikës klasike, Pablo Casals, Igor Stravinsky,…Nga vizatimet me dritë të Picasso-s, te  skulpturat e Picasso-s, nga kërcimi popullor Lindy Hop, te baleti klasik, nga këngëtarët e muzikës së lehtë, Edith  Piaf, Frank Sinatra, Tina Turner,…te këngëtarët e operas, Lizia Albanese, Maria Calas, nga dramaturgët e shquar, Sean O’Casey, Eugene Ionesco, Artur Miller, te aktorët e shquar të teatrit, Paul Robenson, Helene Weigel,…dhe aktorët më të shquar të kinematografisë, Sophia Loren, Juliet Greco, Silvana Mangano,…Nga fotografimet e filmave të Hollywwod-it, si  – Exodus, në Israel, 1958, me aktor Paul Newman,  –  Lady L., 1965 në Nice me Sophia Loren, Paul Newman, – Night of the Iguana, në 1964 Meksikë, me aktor, Elisabeth Taylor dhe Richard Barton, te koncerti i Casals në Athinë,1966. 

Nga politikanët e pasluftës, Presidentin Truman, Kryeministrin David Ben Gurion – arkitektin e krijimit të shtetit të Israelit,…në 1961, i autorizuar nga qeveria Isralite, ishte i vetmi fotograf që fotografoi në burg kriminelin e luftës, Adolf Eichman.

Në 1974 fotografon skandalin Watergate.

Dhe nga më tërheqëset, pasioni i tij për artin e Rilindjes dhe arkitekturën, që e çuan atë të fotografoj skulpturat e Michelangelo-s në Firence, në 1959 dhe një nga katedralet më të shquara në historinë e arkitekturës mesjetare, Chartres Cathedral, në Francë, 1961. Fotografitë e sjella nga Firence, bën që gjatë viteve 1963-1966, të angazhohet nga LIFE të fotografoj civilizimet Greko – Romake, ku ishte dhe bashkëautor në hartimin e teksteve që shoqëruan imazhet.

1923 – E m i g r i m i  n ë  A m e r i k ë.

Mbasi mbaroi shkollën e mesme në kolegjin më me emër në Bukuresht – Gheorghe Lazar National College, sponsorizuar nga dajua i tij Koço Çekani, në 1923, në moshën 19 vjeçare emigroi në Amerikë dhe filloi studimet në M.I.T. ( Massachusetts Institute of Technilogy), Boston, në degën e inxhinierisë elektrike.

‘’Jo shumë kohë pas arritjes në Amerikë,në kërkim të karierës në inxhinieri,’’ kujton Mili, ‘’u prita ngrohtë nga Faik Konica, një bashkëatdhetar i moshuar. Një shkrimtar i shquar, humanist i suksesshëm dhe intelektual i mprehtë. Konica u përpoq të zgjeroj interesimin tim në artet, sidomos në kinematografi, të cilën ai e pëlqenta dhe e konsideronte të ishte një formë arti të veçantë. Ai tërhoqi vëmendjen time me një artikull nga G.K.Chesterton në gazetën , London Illustrated News, duke lavdëruar vlerat e filmit… Idetë e Chesterton hapën sytë e mi. Tashmë kisha filluar të merresha me fotografi. Unë shtova optikën dhe ndriçimin në Inxhinierinë Elektrike.’’

Pasioni i Milit për artet vizuale nuk ishte e vështirë të zbulohej nga Konica, ai vetë një njohës dhe admirues arti. Por brenda tij nuk fshihej vetëm pasioni për Artet Vizuale. Ishte akoma student kur për herë të parë dëgjoi të inçizuar një koncert të violinçelistit të shquar spanjoll, Pablo Kazals (Casals). Aq shumë u mahnit nga interpretimi i tij, sa Mili kujton, ‘’Unë u mbërtheva në inçizimet e tij dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Preva fotografinë nga gazeta dhe e mbërtheva në mur – unë e kam atë akoma. Për mua ai është një mrekullli.’’  (Life, 11 Nëntor, 1966.) Në këtë botim editori i Life, Xhorxh Hant (George Hunt), shkruan: ‘’ Shumë njerëz, në shumë vende janë paraqitur përpara kameras së Gjon Milit, por asnjë nuk ka lën përshtypje kaq të thellë në jetën e tij sa violinçelisti i shquarsa Pablo Casals.’’ 

Kjo u bë nxitje për Milin,, të abandonoj oboe-n dhe të ushtrohet në piano.

Pas mbarimit të studimeve në 1928, filloi punë në ‘’Westinghouse Electric and Manufacturing Co.’’ Gjatë asaj kohe shkroi shumë artikuj teknik mbi kërkimet e tij në projeksionin e dritës, optikës dhe fotografinë. Zhvilloi llampën me dopio filament, më e ndritshmia llampë atëherë në përdorim. Në vazhdim të kërkimeve zhvilloi teknikën e ndriçimit përdorur gjerësisht në fotografinë me ngjyra me intensitet të lartë ndriçimidhe me fotoflash lamp.

Takimi me bashkëkohësin e tij student në M.I.T.. Profesor Harold  Exherton ( Edgerton),- shpikësin e dritës stroboskopike,  në një simpozium për ndriçimin në fotografi në vitin 1937, ndërroi kursin e jetës së tij, bëri më të qarta ëndrrat e Milit. Ky takim është përshkruar nga Mili në librin e tij Photographs & Recollections, si më poshtë:

‘’Gjatë Marsit të vitit 1937, Prof. Exherton dhe unë ishim folës në një simpozium për ndriçimin në fotografi në M.I.T. Unë fola për burimet e dritës artificiale atëherë në përdorim dhe prof. Exherton diskutoi zhvillimin e tij të ri të ’electronic flash’ me një kohëzgjatje shumë të shkurtër, 1/100.000 të sekondës. Fotot më tronditën . Për herë të parë kuptova që koha mund të bëhej të ndalonte, tekstura mund të ruhej me gjithë lëvizjet e furishme të papritura…

Kur mbaroi takimi u kthyem në zyrën e Prof. Exherton për një bisedë. Ai më pyeti: ‘’Çfarë mund të bëjmë sipas mendimit tënd me këtë burim drite?

Unë shpërtheva :’’Më jepni dhjetë herë më shumë dritë dhe unë do të largohem nga Westinghouse!’’

‘’Është kurioze të mendosh,’’  vazhdon Mili, ‘’si kjo bisedë e paplanifikuar në  zyrën e Exherton ndërroi drejtimin tim.’’

Pasi siguroi dritat elektronike brenda disa javësh nga Prof. Exherton, me gjithë vështirësitë e para, filloi eksperimentet në një kishë të abandonuar në New Jersey. Për një gjë ishte i sigurt kur thotë: ‘’Unë vazhdova të bind veten, se për një kohë do të isha në gjendje të përdorja këtë dritë mjaftë të sofistikuar, një burim drite magjike.’’

 Pas gjashtë muajsh eksperimentesh me paisjet e reja , me një numër fotografish u paraqit në LIFE, në atë kohë revista më e lexuar ndonjëherë.

 Fotografitë  e kampionit të tenisit, Bobi Rigs botuar në LIFE, 5 Shtator, 1938, shënojnë  angazhimin e parë të Milit si fotograf. Kështu filloi kariera  e tij e shkëlqyer 40 vjeçare si fotograf pa kontratë (freelance) në LIFE, që vazhdoi deri në fund të jetës së tij, 14 Shkurt, 1984. 

Në periudhën e parë të kriimtarisë së tij ishte më shumë i vizituar se vizitor. Studioja e tij, ‘’Kjo guvë e ditëve të mira të artit të tij ‘’,  si e quante Mili dhe ‘’Athina e NewYork-ut’’, si e quante fotografi dhe shoku i tij, Henri Kartier- Bresson, u bë qendër fotografimi për sportistë, kërcimtarë, dhe mbrëmje gazmore me muzikantë . Më vonë, pas fotografimit të Konferencës së Paqes në Paris, 1946 – ku hapi dhe  një ekspozitë fotografike – angazhimet për LIFE, por shpesh herë për kënaqësinë e vetë atij, e çuan atë në shumë vende të botës. Tashmë Mili u kthye më shumë vizitor se i vizituar. Me një nxitim sikur koha po ndryshonte ritmin, po ikte më shpejt – në Paris, Rivierën Franceze, Londër, Romë, Firence, Venecia, Napoli, Vojvodinë, Athinë, Spanjë, Berlinin Lindor, Izrael, Meksikë, Puerto Riko – dhe si për të mbyllur ciklin e udhëtimeve të tij, në 1971 në Bukuresht pas 48 vjetësh, për të sjell në jetë kujtimet e nënës së tij, të cilën e adhuronte pafundësisht, ku hapi dhe një ekspozitë fotografike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Qemal Agaj

A Call for conversion into the beautiful American Way

November 20, 2021 by s p

By Merita Bajraktari*

If you paid attention to the Comptroller of the Currency Nomination Hearing for Saule Omarova on the morning of Thursday Nov 18th 2021, you probably felt fooled, duped, sad, mad, excited, hopeful, useless, and all those combined.  It depends on what side of the American political spectrum you are on.  

The hearing can be found here:  

Saule Omarova, an immigrant from  Kazakhstan currently teaches law at Cornell University. She is , according to those who know her, a brilliant mind, a woman, a minority, an immigrant , who was born and raised in the former Soviet Union (Kazakhstan) and came to America, where she greatly succeeded, at least  professionally.  She is now picked by Joe Biden to a very important position.

It is also said that she was arrested for shoplifting at a TJ Maxx store. 

You can read details of that here:https://www.youtube.com/watch?v=vWcQqQfsklY

I do not know Saule personally.

But I know the system that made her and that formed her.  I know the mentality of people like me and her, who came from the Eastern Bloc Countries and who were subject to state control and propaganda on almost everything  

I am Saule’s age and it appears we came to the US at approximately the same time. Maybe I came a few years later, but it was in the 90s.

I grew up in communist Albania. I went to school there and the Albanian system was a copycat of the former Soviet system and I know exactly what happened to our generation and to those who came to the USA. 

I was very impressed by several honorable senators questioning Saule. Yet I was shocked by several honorable senators who encouraged her and wished for her to be the person in charge of the US Currency. I was thinking whether these senators (Democrats) are aware of what is happening here? Or maybe they are not actually fully aware of what they are doing? It is sad to see they are promoting a person with a socialist and Marxist leaning agenda, which fits the agenda of the left, which sadly is pushing more and more   to the left and hurting our great USA. Wake up America before you lose all your freedoms

I will raise three major points:

1. Saule was a member of the Komsomol, the All-Union Leninist Young Communist League in the former Soviet Union. I was a member of Albania’s similar Youth Union that at my time was called “The Labor Youth Union of Albania”. That organization was the youth wing of Communist Party of Albania and was the feeding organization to the party.  The whole society was organized in the same way as the communist Party was. You started your indoctrination as young as six years old, when you started first grade. By the age of eight the children became members of the young Fatosa, taking an Oath to serve the party, in fifth grade we took the oath of becoming communist Pioneers (“Pioneers of Enver” was the official title) and wore the red scarf around our neck, pledging to serve the party. When we were high school age we were members of the Communist Labor Youth Union of Albania and we were equipped with membership cards, called Tesera.  We paid dues for that membership and we were forced to participate in a month-long volunteer work. I did mine at the end of High School at the age of 18. 

I would like to pause here for a moment and remind the reader of what is happening in our American public school system regarding indoctrination today, it an accident  or coincidence , definitely not , part of the bigger agenda of the left . 

The aim of these associations and forced membership to communist organizations from the first grade or younger, was to be controlled and for those who were eligible, to be a member of the highest organization, the party, but not all could make the cut, of course. But the young ones, starting at the age of thirteen or fourteen, were handpicked by the communist secretaries, groomed and were sent to specialized schools that further prepared to be loyal communists. They had to be ideologically in line with the party and were appointed to key positions in the communist government after University graduation. The schooling of all trades was assigned by the government authorities and was not earned by merit. A person that went to study Communist Theory like Saule, had to be very well vetted and approved by the country’s ruling political Party. 

She, when asked by honorable Senator Kennedy if she ever belonged to the Young Communists Organization, reacted like she did not get what organization he was talking about. That I thought was funny. For us, who were members in those dreadful organizations, we have realized that it took our honor, it abused our freedoms, we know very well what it was and we will never forget.  The days of such memberships were pivotal moments in our lives, which were unjustly ruined by such evil ideology as communism.

2. The thesis in question, the document that Omarova is not providing, is her college graduate paper in Moscow State University.  It appears that as late as 2017 Saule had included in her Resume the paper she wrote in her Soviet Union College. One can read about it in a letter from Senator Pat Toomey to Saule. He wrote: “Therefore I write today seeking a copy of your thesis, “Karl Marx’s Economic Analysis and the Theory of Revolution in The Capital,” which you wrote as a student at Moscow State University on the V.I. Lenin Personal Academic Scholarship. While it appears that you have deleted any reference to your thesis in the version of your curriculum vitae (CV) that is currently available on the Cornell Law School website, the paper appeared on your CV as recently as April 2017.”

It seems she says I cannot find it. It is sad but  it is clear that she does not want them to have it. Even if she doesn’t have one copy , she would not make an effort to find it . She does not want them to read it. She is probably both embarrassed and also mad that she wrote it, because it has come to bite her now. I would be. We were not thinking of ourselves those days and acted as robots. But I have my thesis somewhere. I was a student myself. I wrote a thesis on statistics. It was published by my Institute.

(I could not make it to a University as I was not coming from a communist family, therefore I was not good material for the party, but God for some reason, made it possible for me to get a right to study at an agricultural Institute).

My point is that every thesis you wrote for the final exam (best students would write thesis for their college diplomas), was published by the university and should be found at the University’s library. They always kept copies. I do believe Saule doesn’t want that thesis to be known because she knows what she wrote (consciously or unconsciously) and if she still does believe in what she wrote, she knows that is a very obvious red flag for the left Senators too in the USA. But it would have done her well to acknowledge it. She is trying to sideline it. And that is very revealing and scary.  

3. The point above leads to point three which is most important.  While I cannot vouch on anyone’s conscience, we judge the public conduct of others, I think Saule and us all, have yet to make the act of renouncing, publicly or privately, through our works, and deeds, seen and unseen of our pasts, as individuals that were raised, indoctrinated and brainwashed by communism. Senator Kennedy’s call if she has renounced her past and if she has resigned in writing from the Komsomol is a wakeup call to all of us who came from Eastern Europe, who love America and want to contribute to it.

I believe Saule genuinely thinks that she can make a better country (USA) by activating and implementing her (radical) ideas of government control on the banking system and more. But is she right for America? I do not think so. Unless she has radically converted to the great American Way, which from the hearing, it seems she has not, she is not fit for that office. Sadly though, she is not the only one America should worry about. You look at US public colleges. They all lean left. No surprises here.

Nevertheless, thank you Senator John N. Kennedy for that poignant question. I would repeat it with an added word for all the people like Saule and myself (immigrants from former communist countries):

Have we all consciously resigned from the “Young communists” organizations? Have we made a sincere effort to convert to the great and beautiful American way? Have we contributed to make America better, or have we contributed to its demise…

Time to reflect…. 

  • The article reflects Author’s views and not necessarily those of the newspaper. The Author is an Albanian -Immigrant in the USA. She is a wife, mother and Higher Education professional. Her free time she dedicates to her family, parish and community. She is an author and speaker on “Life under Communism in Albania”. Her twitter handle is @emershqip

Filed Under: Opinion Tagged With: Merita bajraktari

VAKSINAT PËRFORCUESE, ANTITRUPAT DHE MBROJTJA NGA COVID-19

November 19, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Që nga fillimi i shpërndarjes së vaksinës kundër Covid-19 në Dhjetor të vitit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara (SHBA)  janë administruar më shumë se 445 milionë doza, duke vaksinuar plotësisht mbi 197 milionë njerëz ose 59.5 për qind të popullsisë së SHBA. Ndërsa normat e vaksinimit po rriten ngadalë dhe rastet e reinfektimeve (“breakthrough”) vazhdojnë, pyetja mbizotëruese ka qënë nëse personat e vaksinuar duhet të marrin vaksina përforcuese. Disa shkencëtarë po u referohen testeve të antitrupave si një nga mënyrat për të matur nivelin e imunitetit tone. Në fund të fundit, antitrupat janë ushtarët tonë “këmbësorë” që sulmojnë dhe u zënë pritë pushtuesve patogjenë të mundimshëm përpara se ato të shkaktojnë dëme në trupin tonë. Pra, kjo qasje, në shikimin e parë, është e arsyeshme që njerëzit ndoshta do të përfitojnë nga një injeksion përforcues (“booster”) që do t’i rigjallërojë ata përsëri nëse nivelet e qarkullimit të antitrupave janë të ulëta ose në rënie. Ndërsa kontrollimi i niveleve të antitrupave, nuk ka asnjë dëm në ne, ato ndoshta nuk janë të dobishme për të vendosur nëse nevojitet një vaksinë përforcuese. Një numër i painterpretueshëm i nxjerrë jashtë nga një analizë e rastësishme e antitrupave mund të na lërë me një ndjenjë të rreme sigurie, ose thjesht të përforcojë pasigurinë – asnjëra prej të cilave nuk është veçanërisht e dobishme ndërsa përpiqemi të menaxhojmë një pandemi.

Zvogëlimi i antitrupave nuk do të thotë automatikisht ulje e imunitetit

Pas vaksinimit, një grup mbrojtësish imunitar të quajtur qelizat B fillojne të prodhojnë antitrupa në një numër masiv. Përgjigja e tyre fillestare është të lidhin majat e molekulës së tyre në formë Y në sipërfaqe të virusit. Sa më mirë të ngjiten në virus, aq më shumë shanse kanë për të neutralizuar atë dhe për të mos lejuar që ai të hyjë në qelizat tona dhe ti dëmtojë ato. Shumë nga këto antitrupa të hershëm nuk janë shumë efektivë në punën e tyre. Me kalimin e kohës, ata vazhdojnë të vetë-përmirësohen, gjë që mund të jetë gjithashtu një arsye për të mos nxituar në marrjen e një vaksine përforcuese. Ne e dimë se mënyra se si imuniteti ynë reagon, ndryshon nga personi në person, kështu që në parim dy persona mund të kenë mbrojtje të barabartë nëse një person ka nivele relativisht të ulëta të antitrupave të fuqishëm dhe tjetri ka nivele të larta të antitrupave më pak të fuqishëm, por ende adekuat. Testet e antitrupave vështirë se do të pasqyrojnë këtë ndryshim. Ne e dimë se pas një infeksioni ose vaksinimi, nivelet e antitrupave rriten dhe arrijnë nivelet maksimale, por me kalimin e kohës ato zvogëlohen gradualisht. Por kjo nuk do të thotë se mbrojtja nga antitrupat është zhdukur. Sistemi ynë imunitar ka një strategji prodhuese që është një përgjigje “vetëm në kohë” kur bëhet fjalë për prodhimin e antitrupave. Pas një infeksioni ose vaksinimi, shumica e antitrupave të mbetur shpërbëhen gradualisht, por nëse patogjeni kthehet, qelizat e quajtura qeliza B të memories mund të rrisin përsëri prodhimin. Së fundmi, përveç një antitrupi që prodhon, sistemi ynë imunitar do të trajnojë edhe qelizat T për të luftuar virusin. Këto mbrojtes rezervë mund të mos mobilizohen në kohë për të parandaluar infeksionin, por ato mund të parandalojnë që virusi të shkaktojë sëmundje serioze. Testet e antitrupave nuk matin kapacitetin prodhues të sistemit tonë imunitar. Rënia e niveleve të antitrupave nuk ka qenë dhe aq e shpejtë, por po ndodh – kontrollet e rregullta te disa njerëz kanë treguar se nivelet e antitrupave, të njohura edhe si titrat, janë ulur, nga pranvera në verë, tani në vjeshtë. Ky reduktim i përshtatet narrativës që disa raporte kanë dhënë alarmin për një kohë tashmë: muaj pas vaksinimit, antitrupat jane në rënie, një prirje që shpesh është përshkruar si një “zbehje” e imunitetit. Kjo dukuri është përdorur si dëshmi se ne të gjithë kemi nevojë të madhe për vaksinë përforcuese për të rizgjuar mbrojtjen tonë. Një dozë përforcuese zakonisht jepet pas një kohe të caktuar, si një kujtesë për trupin tonë se si “duket” virusi në mënyrë që të mund të përforcojë përgjigjen imune.

A ka një moment kohor të duhur për të marrë një përforcues?

Përpjekja për të vlerësuar kohën e duhur për të marrë një përforcues ka qenë një sfidë për shumë faktorë, por më së shumti për shkak të risisë së këtij virusi. Shkencëtarët brenda dhe jashtë qeverisë janë ndarë në lidhje me nevojën për vaksinat perforcuese, kush duhet t’i marrë ato dhe kur. Për t’i komplikuar gjërat, qeveria federale e ka bërë atë më të habitshme duke komunikuar fillimisht politikën e saj që përforcuesit do të bëhen të disponueshëm për të gjithë amerikanët që kanë marrë vaksinat e ARN-së (mRNA), duke filluar nga Shtatori. Por më pas, pas rishikimit të të dhënave, Administrata e Ushqimit dhe Barnave kërkoi që administrata e presidentit Biden të tërhiqej nga rekomandimi për të përfshirë vetëm personat vulnerabël nga pikëpamja mjekësore, ata mbi 65 vjeç dhe punëtorët e vijës së parë, të paktën tani për tani. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kundërshtuar fuqishëm që kombet e pasura të bëjnë një raund të tretë të vaksinave kur vendet e varfra nuk kanë mjaftueshëm vaksinë për të parën e tyre. Ndërsa kërkimet sugjerojnë se nivelet e imunitetit tek ata që janë vaksinuar bien me kalimin e kohës dhe përforcuesit mund ta ndryshojnë atë, vaksinat janë ende shumë mbrojtëse kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, duke përfshirë variantin Delta. Përdorimi i një testi të thjeshtë të antitrupave mund të mos jetë një metrikë e besueshme për të gjurmuar imunitetin. Ndryshe nga testet PCR që zbulojnë nëse jeni aktualisht i infektuar me virusin, testet e antitrupave ju tregojnë nëse keni njëfarë imuniteti ndaj SARS-CoV-2 nga një infeksion ose vaksinim i mëparshëm. Testi i duhur i antitrupave është mjaft i mirë për t’iu përgjigjur kësaj si një pyetje, po ose jo. Por kur ne dëshirojmë më shumë informacion, gjërat bëhen të ndërlikuara. Nëse rezultati i antitrupave bie (siç parashikohet) që nga koha kur keni marrë vaksinën, ju ndoshta jeni më pak të mbrojtur në kuptimin e menjëhershëm sesa keni qenë pas vaksinimit. Është e rëndësishme të dimë se gjatë disa muajve të parë pas vaksinës, imuniteti ynë u mbingarkua dhe siguroi një supër-mbrojtje, më shumë se sa mund të ishte dashur. Muaj më vonë, këto nivele bien, duke çuar në mbrojtje të ‘nivelit normal’. Akoma nuk e dimë nëse kjo mbrojtje e re e nivelit normal është e mjaftueshme. Por ofrimi i vaksinës përforcuese shumë shpesh ose shumë shpejt mund të jetë në rastin më të mirë i pakuptimtë dhe ndoshta kundërproduktiv, pasi që kjo mund të ndërhyjë në qendrat aktive të makinerisë imuitare në trupin tonë që ende po bëjnë punën e tyre. Pritja pak më gjatë mund të ndihmojë për t’u siguruar që qelizat më të mira të mundshme B të rizgjohen vetë në veprim dhe të prodhojnë antitrupa të rinj.

Nuk ka arsye për panik

Antitrupat tanë janë si ushtritë që qëndrojnë në kazermat e tyre, pasi ato vazhdimisht i përmirësojnë aftësitë e tyre. Me rritjen e një nivel kërcënimi, ushtarët vendosen në “gati” dhe shpërndahen në vende strategjike, ashtu siç do të bënin antitrupat tanë gjatë një ekspozimi ndaj virusit. Pasi niveli i kërcënimit të zhduket, ushtarët kthehen në kazermat e tyre dhe vazhdojnë rutinën e tyre dhe qëndrojnë gati kur të thirren përsëri. Imuniteti ynë ka të bëjë shumë më pak me nivelet e antitrupave, dhe më shumë me aftësinë për t’iu përgjigjur ziles kur ato janë të nevojshme. Ushtarët tanë mbrojtës nuk kanë nevojë të jenë gjithmonë të dukshëm nëse janë gati të futen në ingranazhe kur thirren në betejë. Një ngadalësim i prodhimit të antitrupave nga nivelet fillestare, në një farë mënyre, mund të shihet si qetësues. Kur shohim se antitrupat “zbehen”, nuk është një shenjë që ne të kemi panik. Është një shenjë e një sistemi imunitar që po planifikon dhe shpërndan mjetet e tij në mënyrë të arsyeshme – po bën atë që bën më së miri, duke u përpjekur vazhdimisht të përmirësojë aftësitë e tij për të na mbrojtur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Pashko camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT