• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARTIN LUTHER KING-U PËR DREJTËSINË – SIPAS FJALËVE TË TIJA

March 1, 2021 by dgreca

Me rastin e muajit kushtuar Historisë së Afrikano-Amerikanëve/

NGA Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara, muaji shkurt që sapo kaloi, çdo vit i kushtohet zyrtarisht historisë së Afrikano-Amerikanëve.  Ngjarjeve dhe personave të dalluar të kësaj race që kanë bërë këtë histori, duke i kujtuar ata dhe veprat e tyre historike – që bënë historinë e afrikano-amerikanëve, me të gjitha të mirat e të këqiat e saja – me vuajtjet dhe diskriminimet ndaj tyre, por edhe me përparimet më vonë në fushën e të drejtave civile të qytetarëve me ngjyrë dhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme të jetës, kulturës dhe historisë amerikane.  

Historia e Afrikano-Amerikanëve konsiderohet tani si histori e pandarë e historisë së Amerikës, falë përpjekjeve të shumë prej afrikano-amerikanëve gjatë dekadave, për drejtësi, barazi raciale dhe të drejta civile. Me këtë rast po shënoj këtë muaj — kushtuar historisë së Afrikano-Amerikanëve me disa thënje për drejtësinë si domosdoshmëri për të siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë dhe pa dallim — nga Martin Luther Kingu, ish-udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat civile të Afrikano-Amerikanëve shekullin e kaluar, një lëvizje që më në fund çoi në ndryshime dramatike legjislative në jetën publike dhe politike për Afrikano-Amerikanët. 

Martin Luther King – nga qëndrimi i një predikuesi protestan me një vizion dashurie domosdoshmërie morale për shoqërinë amerikane — bënte thirrje për drejtësi të vërtetë për të gjitha racat pa dallim, për reforma themelore në sistemin dhe ligjet mbi drejtësinë dhe për barazi para ligjit për të gjithë, duke i bërë apel ndërgjegjes morale të shumicës së amerikanëve të racës së bardhë, për reflektim.

Martin Luther King ishte i bindur se reformat serioze në drejtësi dhe ndryshimi i ligjeve për të cilat ai bënte thirrje, nuk mund të bëheshin në një vakum moral pa u përballur shumica e bardhë me historinë e kaluar dhe me trajtimin e tmershëm që çoi në shkeljen e të drejtave bazë të Afrikano-Amerikanëve, përfshir skllavërinë – që mbetet ende një plagë e rëndë kjo, trashëgimia e të cilët ka lënë gjurmë që diktohen edhe sot në historinë moderne amerikane.  Martin Luther King ishte protagonisti kryesor i këtyre ndryshimeve të mëdha në historinë e Amerikës, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Në kujtim të muajit shkurt, dedikuar historisë Afrikano-Amerikane, ja disa citime nga Martin Luther King, një udhëheqës frymëzues ky përqafimit të vlerave morale, jo vetëm për ne këtu në Amerikë por për mbarë botën — njëri prej emërave më të njohur dhe më me influencë në komunitetin Afrikano-Amerikan dhe në mbarë historinë e Shteteve të Bashkuara:  

“Heshtja e njerëzve të mirë është më e rrezikshme se brutaliteti i njerëzve të këqij.”

“Vjen një kohë kur heshtja (ndaj të keqës) është tradhëti.”

“Të injorosh të keqen do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i saj.”

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë gjithkund.”

“Koha është kurdoherë e përshtatëshme për të bërë atë që është e drejtë.”  

“Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar”.

“Pa drejtësi nuk mund të ketë as paqë”.

“Jeta jonë fillon të përfundojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi.”

“Errësira nuk mund t’a zhduk errësirën. Vetëm drita mund ta bëjë këtë.  Urrejtja nuk mund t’a zhdukë urrejtjen– vetëm dashuria mund t’a bëjë këtë.”

“Askush nuk ka të drejtë të shuaj ëndërrat tua.”

“Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe budallallëku i ndërgjegjes.”

“Kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe më urgjente e jetës është: ‘Çfarë po bën ti për të tjerët?”

  “Paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit, paqja e vërtetë është ekzistenca dhe vendosja e drejtësisë për të gjithë njerëzit.”

 “Nuk mund të kesh asnjë ndikim mbi ata ndaj të cilëve ke urrejtje.”

“Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër ose të zhdukemi së bashku si budallenj.”  

“Unë nuk jam i interesuar në pushtet për hir të pushtetit, por jam i interesuar për pushtet që është i moralshëm, një pushtet që është i drejtë dhe i mirë.”  

Thënje nga ish-udhëheqi i Lëvizjes për të Drejtat Civile, priftit protesan amerikan, Martin Luther King me rastin e muajit kushtuar historisë Afrikano-Amerikane

See the source image

                                                       Martin Luther King

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King

Kulti i familjes në mendësinë dhe në praktikën jetësore të shqiptarit

February 26, 2021 by dgreca

“Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.”- Eqrem Çabej/

Nga Anton Cefa/

          Familja ka qenë dhe është një faktor psikologjik i fuqishëm në jetën e popullit tonë. Është folur, në përgjithësi, për karakterin patriarkal të familjes shqiptare, ngjyrimet e të cilit kanë ardhur deri në ditët tona, dhe i konstatojmë ende aty-këtu, diku-diku të zbehura e diku tjetër me tonalitete të errta.

          Më mirë se kudo, në fjalët e urta, populli e zbulon vetveten, vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij, virtytin e vesin, zakonin e normën, realen dhe vizionin, gjykimin dhe dëshirën. Në prehrin e tyre, ai ka shprehur qartë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në mënyrë figurative, konceptin e tij për familjen, për vlerat dhe rëndësinë e saj, rolin e saj në jetë e në shoqëri, për secilin pjesëtar të saj dhe marrëdhëniet mes tyre.

          Mendësia popullore, e dhënë në proverba, në përgjithësi na del më përparimtare se praktikat jetësore; ajo kritikon dhe dënon mjaft sjellje e qëndrime  patriarkale në familje, mbështet e përkrah një familje, në të cilën respektohen të drejtat e secilit dhe nderohen prindërit, ku kundërshtohen dhe nuk lejohen padrejtësitë; dënon  zakone, norma dhe veprime që bien në kundërshtim me të drejtat individuale të secilit pjesëtar familjeje, hedh poshtë pushtetin e pakufizuar të burrit mbi gruan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

          Vlerësim të lartë ushqen populli për familjen si fole e dashurisë së vërtetë dhe harmonisë, si vendi ku ndërtohet gëzimi i jetës dhe lumturia. “Moj shtëpi, moj shtëpi, m’u duktë varri si ti” 1). Koncepti themelor i familjes për urtësinë shqiptare është familja monogame, çka e dëshmojnë proverba të tillë si “Një burrë për një grua dhe një grua për një burrë” ose “Besa e kunorës – ma e madhja besë”. Ajo miraton sjellje e qëndrime që janë kushte të rëndësishme e të domosdoshme për krijimin e harmonisë familjare. Janë burri e gruaja, prindërit, që përbëjnë faktorin kryesor të mbarëvajtjes që është kusht i kësaj harmonie: “Burrë e grua, mish e thua”, “Gru e burrë si eshkë e unur”, “Gruaja me burrin ndan hallin dhe mallin”. Në mjaft gjykime të urtësisë popullore flitet për marrëdhëniet burrë-grua dhe për ndikimin e tyre ndaj njëri-tjetrit në dobi të mirëvajtjes familjare: “Gruaja e mirë e bën edhe burrin të mirë”, “Burri i mirë e bën edhe gruan të mirë”.

          Kujdesi e respekti më i madh i takon më të voglit: “Ma i madhi në shtëpi asht fëmija”, një gjykim tejet human i shprehur në mënyrë kategorike. Vlerësohet drejt kënaqësia që krijon fëmija në rrethin familjar: “Fëmija asht bahçja e shpirtit”, “Fëmija asht pema e zemrës”, “Fëmija është gazi i shtëpisë”.

          Duke iu vënë shpesh herë përballë praktikave konservatore, nënvlerësuese e të prapambetura ndaj gruas, rëndësinë më të madhe në drejtimin e shtëpisë, populli ia njeh gruas: “Gruaja është themeli i shtëpisë”, “Gruaja është shtëpia”, “Gruaja është kliçi i shtëpisë”, “Gruaja – dritë e shtëpisë”. “Buka është shpirti i shpirtit, gruaja është shpirti i shtëpisë”. Nuk mjafton me kaq, vlerësimi i gruas shkon edhe më tej, duke theksuar rolin e saj përcaktues në familje: “Vdes babai, s’prishet shtëpia, vdes nëna, prishet”, “Zjarri pa dru, si shtëpia pa gru”, “Babai të lë fukara, nëna të lë jetim”. Në proverba të tjerë kritikohen ashpër norma patriarkale të trajtimit të pjesëtarëve të familjes. Kështu, p. sh. përqeshën e ironizohen burrat qi shfrytëzojnë gratë dhe jetojnë në kurriz të tyre: “Tre burra në shpi, e grueja në mulli”, “Dy burra në shpi, hajt nuse në mulli”, “Gruaja nuk asht lopë qi shitet në pazar”.

          Në një shtrat logjiko-emocional jepen vlerat e pjesëtarëve të familjes e të marrëdhënieve mes tyre: “Atë e nënë s’të bëhet kush”, “Nanë e babë, motër e vëlla s’të bëhet kerkush”. Më përtej, e dhënë në formë sentence, dashuria ndaj prindit lidhet me dashurinë ndaj atdheut: “Kush s’do nënën e babanë, nuk e do as vatanë”, një dashuri që ka rrënjë të thella në zemrën shqiptare.

          Ndër fëmijë, megjithëse ndaj vajzës praktikat jetësore kanë qenë më konservative, më të prapambetura, më patriarkale krahasuar me ato ndaj djalit,  është ajo që urtia popullore e ka vlerësuar më lart: “ Vajza është për nënë e për baba”, “Vajza e vogël si masha në votër”, “Vajza është për amë e babë”, “Kush ka djalë pi zeher, kush ka çupë pi sheqer”, “Ta kisha nji vajzë – tha filani – mos shkojshe me qeshë, së paku me kja hall me te”. Kjo sepse vajza gjithnjë ka qenë dhe është më afër prindërve, ajo tregohet më e dashur ndaj tyre dhe vëllezërve, më e gjindshme e më e gatshme për të ndihmuar të tjerët. Gjithsesi ekuilibrohen me njëra-tjetrën dashuria dhe dhimbja e prindit ndaj fëmijës: “Sejcili gisht dham për vedi”.

          Përballë këtij trajtimi e qëndrimi pozitiv, në mendësinë popullore konstatohet një  mbivlerësim i hapët i djalit ndaj vajzës: “Djali si ari, vajza si hallka në vesh”, “Kur len djalë, gëzohet gjeth e bar”, “Djali është flori në mes të baltës”.

          Populli, në fjalën e tij të urtë ka kritikuar ashpër zakonet regresive të fejesave të dikurshme që në djep, çka ka qenë zakon në viset e Malësive të Veriut, fejesat pa kombinim moshe, ato me shkuesi ose pa dëshirën e pëlqimin e fëmijëve: “Martesa në djep, e zeza e të vet”, “Arka plot, sytë me lot”.

          Ka edhe proverba që ende sot e kësaj dite bartin mentalitete të gabuara të së kaluares, si p. sh. kur dënohet bindja e vërbët, nënshtrimi i paarsyeshëm i fëmijës ndaj prindit: “Babës e nanës nuk i kthehet fjala”, “Këmbëzat vurja kalit dhe frerin mbaja djalit”, “Babanë e mirë nderoje, babanë e keq duroje”, ose “Plaku është shtyllë e shtëpisë”, “Ku asht plaku, mbahet konaku”, që mund të intërpretohen edhe në kahjen pozitive, si këshilla për nderimin e prindërve dhe të pleqve.

          Në të mirë të familjes monogame, populli e trajton si të drejtë e të arsyeshme ndarjen e djalit të martuar nga familja. Për më tepër, prej kohësh ai ka regjistruar në gjirin e fjalëve të urta, gjykime që dëshmojnë qëndrime pozitive e me vlera tejet aktuale ndaj të rinjve: “Po doli zogu nga çerdhjja, lere të fluturojë”.

          Në funksion të harmonisë, populli këshillon që kur martohet djali, të ndahet prej prindërve dhe të krijojë familjen e vet: “Ndarja është e mira e të ligave”. Për të njëjtin qëllim, ai kërkon të respektohen me rigorozitet marrëdhëniet financiare ndërmjet vëllezërve: “Vëllai është ortak”, “Vëllezër jemi, po hesapi të eci”, “Kush s’ndau me vëllanë, ndau me djallë”.

*   *   *

          Tradicionalisht familja shqiptare ka qenë një familje patriarkale. Babai ka drejtuar dhe urdhëruar tërë pjesëtarët e familjes. Urdhëri i tij ka qenë i padiskutueshëm. Të gjithë i janë bindur fjalës së tij. Gruaja, nëna , vajzat kanë qenë më të nënshtruarat. Gjithsesi, veçoritë e psikës sonë etnike kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe mbi mënyrën se si është konceptuar familja dhe, në njëfarë mase, e kanë demokratizuar atë; nëna, gruaja, motra janë nderuar e respektuar; babai nuk ka qenë ai patriarku i kanunit, përveç malësive ku është zbatuar ky.

          Në Malësitë ku është qeverisur mbi bazën e kanunit, patriarkalizmi ka qenë i plotë, i padiskutueshën në konservatorizmin e vet, deri nga fillimi i gjysmës së shekullit të kaluar. Familja ka funksionuar mbi bazën e konceptit primitiv të superioritetit absolut të mashkullit. Por, edhe me nënshtrimin e plotë të gruas, humaniteti i vetëdijes njerëzore dhe tharmet etiko-morale të psikës etnike të popullit tonë, nuk kanë mundur të pengojnë intimitetin në jetën familjare, respektin dhe konsideratën e ndërsjelltë, dhe jo vetëm kaq, po edhe një dashuri të sinqertë ndaj gruas.

          Qëndrimin ndaj gruas, trajtimin që i bëhej asaj, e ka përcaktuar mirë e me objektivitet, Cordignano, kur flet për vlerën morale e shoqërore të saj në ligjin e psikologjinë shqiptare të maleve tona : “Gruaja përballë së drejtës nuk ka një personalitet të vetin dhe konsiderohet qenie, interesat materiale a ekonomike të së cilës i rregullon familja…; por është e qartë që shpirti i racës nuk ka lejuar ta bëjë skllave, të lindur për kënaqësitë e mashkullit. Jo,… gruaja shqiptare ruan gjithmonë në fund një dinjitet të vetin që spikat mirë,… ajo ka në familje, si motër, si grua dhe si nënë një mision e një vend të rendit të parë.” 2). Ky vlerësim për dinjitetin dhe për misionin e saj si motër, si grua dhe si nënë, ka vlerë të përgjithshme për krejt gruan shqiptare.

          Gjithsesi, në zonat malore, gruaja deri vonë, ka kaluar një jetë tejet të vështirë, e ngarkuar rëndë me punët më të ndryshme brenda dhe jashtë shtëpisë.

  *   *   *

          Gjendjen e familjes shqiptare në përgjithësi, nga fundi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, na e ka dhënë shumë mirë Çabej:  “Në lëmë sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.” 3). Çabej, familjen e ka quajtur një shtysë të fortë në karakterin dhe qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve, gjë që e ka pohuar edhe për ilirët. 4).

          Për përkushtimin e shqiptarit ndaj familjes, autoritetin e babait a kryetarit të saj dhe respektin për të moshuarit, ka shkruar edhe Konica: “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .” 5).

          Kjo lidhje e gjerë shpirtërore e shqiptarit me familjen, ky kult i saj në jetën familjare dhe shoqërore, është vënë re edhe prej të huajve që kanë rënë në kontakt me popullin tonë. 

          Të tërheqin vëmendjen përshtypjet që i kanë bërë Miss Durhamit, në fillimet e shek. XX, disa probleme të familjes shqiptare: “Edhe në fiset më të egra, me gjithë punët shumë të rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë me njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë.” 6). Për banorët e fshatit Postenan, (Leskovik), ajo thotë:  “Ishin njerëz seriozë, me dinjitet, të matur, të fortë, të pashëm dhe të shëndetshëm. U mbaheshin shumë dokeve. Të rinjtë i respektonin shumë të moshuarit.” 7).

          Udhëtarë të huaj kanë bërë edhe krahasime mes nesh dhe popujve fqinjë, për gjendjen dhe trajtimin e grave. Udhëtari anglez Hjuz shkruan: shqiptarët “nuk janë xhelozë për gratë e tyre dhe nuk i mbyllin ato si grekët e turqit.” Grekët femrën, me të arritur në moshën e pubertitetit, e izolojnë më me fanatizëm se një murgeshë katolike.” 8). Por duhet vënë në dukje se gratë e familjeve të pasura sidomos në qytete  mbylleshin në shtëpi dhe kur dilnin mbuloheshin me ferexhe dhe shoqëroheshin prej shërbyeseve.

          Durham ka vënë në dukje edhe mendësi të përparuara të qyteteve shqiptare lidhur me femrën. Kështu, ajo duke iu referuar Tiranës, shkruan: “Gratë me shkollë gëzojnë respekt të madh dhe shumë prej tyre janë të pavarura në mendime. Baballarët ngulnin këmbë që edhe vajzat të bënin po aq shkollë sa djemtë.” 9).

          Përfundim. Në kohët tona të integrimeve evropiane e globale, në emër të lirisë së individit, në qytetërimin përendimor, po dobësohen lidhjet familjare, shpesh deri në çthurje të plotë. Për popullin tonë që nuk është ende psikologjisht i përgatitur për t’i bërë ballë kësaj situate, një gjë e tillë mund të sjellë pasoja të dëmshme. Prandaj, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që familja përbën themelet e shoqërisë, të shtetit dhe të kombit. Nga një familje e shëndoshë varet e ardhmja e tyre. “Asht gjykue me humbë njaj popull e njajo kulturë, e cila e ka bjerrë poezinë e pastrinë e jetës familjare, kur nuk i nderon njato ligje e njato caqe, mbrenda të cilave enden e përmblidhen tagri, detyra, morali e ndera e familjes.”, ka thënë Paulsen. 10).

          Duke ruajtur çka kemi të shëndoshë nga tradita, të filtrojmë në filtrën e psikës sonë çdo të re që na sjell koha dhe rrethanat. Në këtë prizem, të përpiqemi nëpërmjet një edukate të studiuar mirë, të synojmë drejt një familjeje, në të cilën dashuria e kapërcen interesin, ku secili duke gëzuar të drejtën e vet të plotë, të përpiqet për të mirën e të gjithëve. 

Referenca

1). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga: “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, etj.

2). P. Fulvio Cordignano S. I. “L’ Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario Italiano di P. Domenico Pasi S. I. (1847-1914), volume I, Roma 1933, p.108.

3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f.28.

4). Eqrem Çabej, Po aty, f. 61, ref. 66.

5). Faik Konica, “Vepra”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f. 436.

6). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 92-93.

7). Edith Durham, vepër e cituuar, f. 50.

8). Hughes, Th. S. “Travels in Sicily, Greece and Albania”, v. II, P. 35, London, 1835, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 119.

9). Edith Durham, vepër e cituar, f. 92.

10). Cituar sipas Anton Harapit, “Kulla e Babelit”, “Phoenix–Shtëpia e librit”, Tiranë, 1999, f.12.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Kulti i Familjes

PANDEMIA COVID-19: FUNDI PO AFROHET

February 20, 2021 by dgreca

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Teksa i afrohemi një vjetorit të shpërthimit të Covid-19 këtu dhe në të gjithë globin, një pyetje mbetet po aq e rëndësishme si sot dhe për muaj me radhë: “kur do të kthehet jeta në “normalitet” ? Kjo është pyetja që unë i kam bërë vetes dhe më është bërë edhe nga të tjerët, që kur shpërtheu pandemia Covid-19. Për pjesën më të madhe të vitit 2020, përgjigjja e kësaj pyetje ishte e paqartë: Jeta do të kthehet në “normalitet” kur të arrijmë imunitetin e tufës – kur të paktën 65 deri në 70 përqind e popullsisë është imune ndaj Korona Virusit. Askush nuk mund të jepte një parashikim të qartë se kur do të ndodhte kjo. Në një kohë kur është e vështirë të sugjerosh një periudhë specifike kur normaliteti do të kthehet, një skenar i veçantë po shfaqet në horizont. Skenari “i mirë”: imuniteti i tufës arrihet deri në verë, kryesisht përmes vaksinimeve. Për të pranuar një të vërtetë të dhimbshme, nuk ka asnjë rezultat “të mirë” në një pandemi që tashmë ka vrarë më shumë se 490,000 Amerikanë dhe më shumë se 2.5 milion njerëz në mbarë botën. Trendet në shifrat e fundit në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.)  tregojnë një ulje prej 75 përqind të niveleve të infeksioneve nga kulmi i të gjitha infeksioneve ditore të më shumë se 300,000 rasteve më 8 janar 2021. Në këtë shkrim, unë përshkruaj pesë arsye pse pandemia do të përfundojë gjatë muajve të ardhshëm të verës – të paktën në SH.B.A  ku unë jam më i njohur me zhvillimet aktuale rreth pandemisë globale.

PESË ARSYE PSE PANDEMIA DO TË PËRFUNDOJË GJATË VERËS

Së pari, vaksinimet po përshpejtohen. Që nga dat 20 shkurt, më shumë se 60 milion amerikanë kanë marrë të vaksinën kundër Covid-19. Kjo përfaqëson 17.8 doza të administruara për çdo 100 njerëz. Shkalla e vaksinimit do të vazhdojë të përshpejtohet, pasi Moderna dhe Pfizer janë zotuar të sigurojnë edhe 200 milion doza shtesë përtej planeve të tyre origjinale, dhe ndërsa shtetet bëhen gjithnjë e më të sofistikuara në logjistikën e tyre dhe shtrirjen në planet e tyre që të vaksinojnë sa më shumë njerëz, sa më shpejt të jetë e mundur.

Së dyti, vaksinat e reja janë duke u rishikuar dhe do të jenë në dispozicion në javët e ardhshme. Johnson & Johnson, Novavax dhe AstraZeneca po prodhojnë vaksina konvencionale, të cilat shpërndahen më lehtë sesa vaksinat ekzistuese të bazuara në mARN nga Moderna dhe Phizer. Së bashku, këto kompani farmaceutike janë zotuar të sigurojnë qindra miliona doza vaksinash në botë, duke sugjeruar se do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar çdo të rritur në SH.B.A. deri në verën e vitit 2021.
 
Së treti, e vërteta e zymtë është se më shumë njerëz po fitojnë imunitet natyror nga infeksionet e koronavirusit. Deri më tani më shumë se 28 milion Amerikanë kanë testuar pozitivisht për virusin, dhe ekspertët e shëndetit publik besojnë se shumë herë më shumë janë infektuar pa një test konfirmues dhe shpesh herë pa simptoma. Ndërsa nuk është saktësisht e përcaktuar se sa do të zgjasë imuniteti i tyre, e mira është që ata janë një popullsi në rritje me të paktën një nivel mbrojtjeje. Duke shtuar të gjithë këta faktorë, ne tashmë mund të kemi 1/3 e popullsisë amerikane me imunitet natyror (përmes infeksionit) ose të fituar (përmes vaksinës) ndaj këtij virusi.

Së katërti, edhe nëse variante të reja të koronavirusit provojnë se janë në gjendje të infektojnë pacientët e vaksinuar, vaksinat tona ekzistuese ende duket se parandalojnë Covid-19 të kthehet vdekjeprurës. Sipas të dhënave shkencore, edhe pse vaksinat mund të mos parandalojnë infeksionet në të gjithë njerëzit, është treguar se ato do të parandalojnë raste të rënda dhe vdekje nga Covid-19.

Më në fund, pranvera po vjen, dhe përvoja e vitit 2020 sugjeron që infeksionet e koronavirusit do të bien kur moti të ngrohet. Brenda pesë-gjashtë javëve, moti do të përmirësohet në pjesë të mëdha të vendit. Njerëzit do të jenë në gjendje të mblidhen përsëri jashtë, duke zvogëluar tundimin e tubimeve të brendshme më të rrezikshme. Ky efekt sezonal, kur kombinohet me rritjen e normave të vaksinimit, do të bëjë që infeksionet të bien. Kjo, nga ana tjetër, do të zvogëlojë nivelet e zënies së spitaleve, të cilat do të ndihmojnë ofruesit tanë të kujdesit shëndetësor të ofrojnë kujdes me cilësi të lartë për çdo pacient, duke ulur më tej shkallën e vdekjeve.

Globalisht, pandemia nuk ka të ngjarë të përfundojë aq papritur, por më ngadalë, vend për vend, rajon për rajon, pasi secili shtet rrit kontrollin e tij mbi Covid-19 dhe e shtyn virusin drejt niveleve të eliminimit. Kombet e zhvilluara do ta arrijnë këtë përmes vaksinave (duke përfshirë ridizenjimin dhe rishpërndarjen e tyre të vazhdueshme) dhe trajtime më të mira mjekësore. Vendet më pak të zhvilluara dhe më të varfra do të përpiqen të arrijnë hapat dhe do të përballen me valë të përsëritura dhe ndezje deri sa të marrin mbështetjen e kërkuar për një kontroll të mirë. Mjerisht, kjo është historia e shëndetit global: probleme që menaxhohen fillimisht dhe më pas harrohen shpejt.
 
 
NJË MBROJTJE KOLEKTIVE

Vaksinimet mbrojnë nga Covid-19 brenda disa javësh nga marrja e të dhënave. Por nëse vetëm disa njerëz në një komunitet vaksinohen, virusi mund të vazhdojë të përhapet pa kontroll. Ndërsa më shumë njerëz marrin vaksinën, grupe njerëzish fillojnë të ndërtojnë një mbrojtje kolektive kundër virusit. Pasi një pjesë e caktuar e një popullate të jetë bërë imune ndaj një virusi, një shpërthim do të ndalojë të rritet në mënyrë eksponenciale. Mund të vazhdojë të ketë raste të reja, por çdo rast i ri do të ketë më pak të ngjarë të fillojë një zinxhir të madh infeksionesh. Koncepti njihet si imunitet i tufës. Shkencëtarët e përkufizojnë atë si pikë kur shpërthimet e reja nuk mund të mbështeten më. Për shembull, edhe nëse ka një tufë rastesh në një komunitet të pavaksinuar, imuniteti i tufës e parandalon atë të valojë në të gjithë vendin.

Para vaksinimit, proteinat me gjemba në sipërfaqen e koronavirusëve kapen në qelizat njerëzore, i rrëmbejnë ato, i përdorin ato si fabrika për t’u replikuar dhe më pas i lënë të vdesin. Tani, pas vaksinimit, kur armiqtë me gjemba pushtojnë mushkëritë, ato kapërcejnë qelizat tona, pa mundur të kapen. Ato janë shënuar për shkatërrim, së shpejti do të rrethohen dhe eliminohen nga antitrupat tanë që janë iniciuar nga vaksina. Megjithëse disa mund të shpëtojnë përmes rrugëve të frymëmarrjes, ata përballen me të njëjtën mbrojtje në shënjestrën e tyre të ardhshme. Kjo do të shënonte fundin e virusit-fundin e pandemisë së koronavirusit. Dhe kështu do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, ndërsa shohim një dritë në fund të një tuneli të gjatë dhe të errët, ne vazhdojmë të mbajmë maska ​​dhe të shmangim mbledhjet e mëdha, dhe numrat Covid-19 bien në mënyrë të qëndrueshme pas një serie valësh në fillim të këtij viti. Përfundimisht, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zhvillojnë imunitet përmes ekspozimit dhe vaksinimit, dhe sa më e rëndësishme, trajtimet bëhen më efektive, Covid-19 mund të tërhiqet në tufën e sëmundjeve të zakonshme, një ftohje e thjeshtë sezonale e zakonshme dhe e padëmshme, që shumë e marrim çdo dimër.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, dr. Pashko Camaj, Fundi po afrohet

A MOVING TRIBUTE

February 20, 2021 by dgreca

MTA Citywide Memorial in Honor of Workers Lost to COVID-19/

by Rafaela Prifti/

The death toll of COVID-19 pandemic is nearing half a million in the US. The grieving for the loved ones is made harder under ongoing restrictive measures. The outdoor memorials and candlelight vigils help to alleviate the sorrow. In New York, the MTA, the underground transportation system that keeps New Yonkers such as this one moving, opened its own memorial to honor the essential workers who were hard hit by COVID-19. 

Throughout the subway system, portraits of MTA workers lost to the pandemic were on view through the first week of February. Director of the MTA Arts & Design department and a visual artist, Sandra Bloodworth initiated the project in collaboration with Cheryl Hageman and Victoria Statsenko. The data released by the MTA New York City transit confirms that 140 members of their workforce have passed away from COVID-19. The train operators and conductors have been affected at the highest rate. The in-memoriam slideshow consists of portraits of the deceased employees on displays at 107 subway stations in all five boroughs on screens where we are used to see maps and service changes, integrated with a newly commissioned poem, “Travels Far,” by the Poet Laureate Tracy K. Smith and a nine-minute video, with audio by composer Christopher Thompson, at three times a day. The MTA officials said that it is important for the 55,000 employees to see the memorial as well — and know that they and their families are appreciated. One of the first employees who died last March, Peter Petrassi was a subway conductor and operations associate. In response to the first lives lost to the pandemic, the MTA launched a new unit to help liaise with their families. The team invited families from all MTA departments to submit portraits of the deceased employees. They are set against backdrops of MTA colors. Mostly New York City Transit workers who make up the majority of the portraits, some Long Island Rail Road and Metro North employees. 

The agency head said that while coworkers and colleagues are still unable to gather in a physical space, they did not want to wait any more to pay respects in a special memorial. In the future, MTA will have a permanent memorial and in-person service. 

The creative way to honor and celebrate the lives lost to COVID-19 serves as a touching reminder of the sacrifices of the essential workers whose work cannot be done from home. The memorial allows us to grieve with a deeper appreciation for the MTA employees who continue to keep the city moving. 

The artwork stays up for a few weeks. Yet the riders carry the memorial in their ever-lasting motion on buses and trains.

Filed Under: Opinion Tagged With: Memorial in Honor, MTA Citywide, of Workers Lost to COVID-19, Rafaela Prifti

Kosova pa sovranitet ajror

February 20, 2021 by dgreca

Nga Arton Konushevci/*

Biletat e udhëtimit me aeroplan për dhe nga Kosova, mund bëhen më të lira, kurse udhëtimet nga dhe në vendet perëndimore – më të shkurtra, falë hapjes së korridoreve të reja të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova, megjithatë, ende nuk arrin të kontrollojë të gjithë hapësirën ajrore dhe kjo është duke i kushtuar.

Për hapjen e korridoreve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka njoftuar NATO-ja më 11 shkurt, ku është shtuar se kjo është një arritje e rëndësishme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Ndryshe, në hapësirën e ulët Kosova deri tash e ka shfrytëzuar vetëm korridorin me Maqedoninë e Veriut, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.

“E rëndësisë së veçantë është se për avio-kompanitë të cilat [operojnë] dhe vijnë nga vendet perëndimore (me hapjen e korridoreve të reja) do të ketë nga 10 deri në 15 minuta fluturime më të shkurtra. Njëkohësisht do ketë më pak emetim të karbonit dhe do të kemi një ambient më të pastër. Besojmë dhe vlerësojmë se kjo do të ndikojë edhe në uljen e kostos së vajtje-ardhjes së biletave për qytetarët”, thotë Nuredini.

Sipas tij, autoritetet përkatëse vazhdojnë të angazhohen në mënyrë intensive që Kosova të normalizojë plotësisht hapësirën e saj ajrore me vendet fqinje siç janë Mali i Zi dhe Serbia.

“Ne shpresojmë që në vitin 2021 Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, në aspektin e aviacionit civil, të ketë raporte të normalizuara”, thekson Nuredini.

Ai shton se komunikimet dhe bisedimet për normalizimin e raporteve në aspektin e aviacionit civil, i ndërmjetëson KFOR-i apo NATO-ja.

Korridori me Serbinë mbetet i mbyllur 

Korridori me Serbinë është pezulluar që nga viti 1999, gjë që bën që fluturimet të jenë më të gjata, rrjedhimisht edhe më të shtrenjta, për dhe nga Kosova. Edhe pse ka pasur paralajmërime që në dialogun Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, kjo nuk ka ndodhur.

Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, deri tash nuk janë marrë sa duhet me çështjet e aviacionit dhe menaxhimin e hapësirave ajrore. Sipas tij, çështja e normalizimit të hapësirës ajrore me vendet fqinje është dashur të përfundojë shumë kohë më parë.

“Doemos është dashur që politika të luajë rolin e saj dhe me këmbëngulje të hyhet në biseda, me këmbëngulje të kërkohet ajo çka na takon si me Serbinë, po ashtu edhe me Malin e Zi. Mendoj se nuk është bërë sa duhet. Ndoshta këtu ka ndikuar mosnjohja e problematikës, shkojnë bisedojnë atje dhe nuk e dinë për çka kanë shkuar”, shprehet Aliu.

Mekanizmat përkatës, thotë Aliu, kanë arritur të shkollojnë kuadro të reja dhe siç shprehet ai, Kosova tashmë ka edhe infrastrukturën e duhur për menaxhimin e hapësirës ajrore.

Ndryshe, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, thotë se plani në të ardhmen është që Kosova të menaxhojë edhe hapësirën e lartë ajrore. Mosmenaxhimi i hapësirës së lartë, aktualisht po i shkakton Kosovës humbje të konsiderueshme.

“Kosova çdo ditë që nuk e menaxhon hapësirën e vet ajrore, ka humbje në aspektin financiar dhe e rëndësishme mbi të gjitha është se sovraniteti ajror ende nuk është nën autoritetet vendore. Po, të menaxhohej hapësira ajrore, të hyrat do të ishin relativisht prej 5 deri në 8 milionë euro në vit, por gjithherë në varshmëri prej avio-kompanive, të cilat kanë shfrytëzuar lundrimin ajror në Republikën e Kosovës”, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.

Ai shton se bazuar në të dhënat që kjo agjenci posedon e që janë publike, për vitin 2019 Hungaro-Control ka menaxhuar trafik ajrore prej 150 deri në 170 mijë fluturimesh, të cilat e kanë shfrytëzuar territorin e Kosovës si transit.

HungaroControl-i më 2014 kishte marrëveshje pesëvjeçare për kontroll të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe meqë Kosova ndërkohë nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, i është zgjatur marrëveshja për një afat të pacaktuar.(* Kortezi-Evropa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Arton Konushevci, pa sovraritet ajror

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • 291
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT