• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ FISHTA DHE KOMUNIZMI

October 10, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindasi, përkthyesi dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur me 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në moshn 69-vjeçare, me 30 Dhjetor, 1940.  Ata që e admirojnë, e konsiderojnë Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë i të gjitha kohërave.  Në këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes veten se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende i padëshiruar dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe akademia — mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi, megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. 

Duke lexuar disa gazeta të vjetra të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha në një shkrim të Porfesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe Komunizmi”, botuar në gazetën Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, me 31 Janar, 1961 në Nju Jork.  Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, gjurmët e të cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqsisht, i shohim edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në përgjithësi.   Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës.  “Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është shprehur Presidenti i Shqipërisë.  Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejtë rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve — një vend që i është mohuar atij me pa të drejtë.

Por le t’i këthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe Komunizmi”.   Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe vet ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe i cili ka kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”.  Por, megjithkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se ka frynte era.  Nepërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë,mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri që të venin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës.  Kështu filloi dalngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tija. 

Arshi Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se në, atë kohë, ishte vet mësues i letërsisë në “Institutin Femënuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur nga Sekretari i Përgjithëshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi Totozani.  Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për tu imponuar mësuesve dhe arsmitarëve pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si letërsia, filozofia dhe historia.  Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare.  Në mbështetje të  Totozanit doli Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e Institutit Femënuer, kujton Profesor Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë oportunist, reaksionar me damkë e deri tradhtar.” 

Është interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i Kulturës, Sejfullah Malëshova.  Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori, Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë, “Fishta u fshi nga tefteri”.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për tu bërë republikë e shtatë e saja dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tija kundër Jugosllavisë.”   Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist mbrenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.

Ai shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqsuesi i madhor i vlerave kombëtare”.  

Profesor Pipa është shprehur se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij.  Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtë, ndërsa Fishta ka mbrojtë dhe ka sulmuar.  “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, coptimin e Shqipërisë.  Ata që kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Sipas tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta.  “Fishta nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në dashuri me malet e Mbishkodrës.  Kur të jenë peshuar mirë këto tre elementa”, shkruan Pipa, “do të matet vlera e shoqërore e veprës së Fishtës.   “Lënda e “Lahutës së Malëcisë, vepra madhore e Fishtës, është një hymn i gjatë i jetës së malësorve të Veriut.  Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”, ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav.  Përfundimi është një epikë dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi, armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.

Pipa shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinst të tërbuar antisllav që urrenë kombet e tjera,si rekasionar i tipit kleriko-borgjez.  Por a “Është Fishta shovinist sepse mbron tokën shqiptare dhe sulmon ata që e sulmojnë” Shqipërinë” pyet Pipa.  Profesor Pipa e cilëson interpretimin komunist të Fishtës si një qendrim “arbitrar që nuk i qëndron kritikës objektive” dhe thekson se “At Gjergj Fishta u rrëxua nga piedestali ku e kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën revolucionare”, sipas Pprofesorit.  Fishta i përkiste urdhërit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nepër burgjet komuniste të Shqipërisë, shkruan Pipa.  Fishta, si përfaqsuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, thekson ai.  Sipas tij, një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe.  “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.  Dhe arsyeja e tretë sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati.  “Fishta nuk e ka pasë veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”, nënën e sllavëve të jugut.  Për Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”.  Rusia atëherë dhe sot mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për komunisttë shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me fuqitë e tjera “imperialiste” dhe këjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tija në listen e zezë.  Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka ka kursyer as fuqitë e tjera të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”.  Ai e quan Evropën, “kurva e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen botërisht.  Fliste mirë për Austrinë se në atë kohë Vjena ka mbështetur Shqipërinë, shton Arshi Pipa.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar.  Ishte një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?”  Ai shprehet optimist duke thënë se “jo përgjithmonë”.   Ai shpreson një ndryshimi zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, sipas Arshi Pipës, do të ndodh kur “komunizmi të ndërroj qime”.  Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa pranuar zyrtarisht.   Ndonëse shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën “post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën.  Natyrisht se veprat e tija botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta, zyrtarisht, edhe sot 30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria kulturore” dhe nga historia e Kombit shqiptar.  Udhëheqja shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të jugut dhe Rusisë.  Po çfarë mund të themi për neojugosllavët e Tiranës sot?!  A vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri? “Ujku qimën e ndërron, por vesin jo”, thotë populli!  Fishta ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar.  Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”.  Deri kur?  STOP URREJTJES!  Bejuni mjet i paqës dhe i pajtimit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Komunizmi- Gjergj Fishta

NJË POEMË E PA NJOHUR E KUDRET KOKOSHIT

October 10, 2019 by dgreca

KUDRET KOKOSHI//

Nga Enver MEMISHAJ/

Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu në Itali ku  fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Gjatë luftës ishte udhëheqës dhe ideolog i Ballit Kombëtar. Në maj të vitit 1944, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua Mathauzen. U lirua në dhjetor 1944 dhe iu propozua të bënte karrierë në perëndim, por ai preferoi të kthehej në atdhe. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në Vlorë më 26 prill 1991.

                                                        *        *       *                                                                         

Poema “I përpjekuri”, që ne e botojmë me titullin “Luftëtari” është me shkrim dore në 6 fletë të shkruara nga të dy anët plus fletën e shtatë të shkruar nga një anë dhe në fund është shënuar Bs. As. 1948. Fotokopjuar në 13 fletë format. Nuk ka emër autori. Faqja e parë fillon me numurin 000029 deri në 000035.
Duke krahasuar traktet e Kudret Kokoshit me shkrim dore që kemi gjetur në arkivin e MPB në dosjen 281 me shkrimin e kësaj poeme arrimë në përfundimin se autori i kësaj poema është Kudret Kokoshi. Edhe përmbajtja e poemës na bind se autori është Kudret Kokoshi, pasi më mirë se ai nuk e njihte jetën dhe bëmat e Hazis Sharrës.
Poema botohet duke i qëndruar besnik origjinalit, pa bërë asnjë ndryshim.
Në vitin 1992, Dino Alemi, kunati Kudret Kokoshit më dha një fletore ku Kudret Kokoshi, me shkrim dore kishte përmbledhur gjith krijimtarinë e tij në poezi. Unë botova shkrimin „Në kujtim të poetit dhe patriotit Kudret Kokoshi“ të shoqëruar me disa poezi që i nxorra nga fletorja e tij. (Gazeta „Zgjimi“, organ i Partisë Demokratike Vlorë, nr. 16, dt. 20.8.1992)
Në këtë fletore nuk gjendet poema “I përpjekuri“ alias „Luftëtari“, po kështu kjo poemë nuk gjendet as  në librin Kudret Kokoshi “Drithmë jete“, përmbledhje e plotë me poezitë e poetit botuar nën kujdesin e Visar Zhitit dhe Eda Agaj nga Shtëpia Botuese „Naim Frashëri Tiranë 1995. Pra, nga sa del poeti e ka shkruar këtë poemë në burg në vitin 1948, fakt që duket edhe nga numurimi i faqeve: 000029 deri në 000035 dhe kur ka bërë përmbledhjen e poezive nuk e ka pasur poemën, apo nga vetcensurimi nuk e ka hedhur në fletoren që përmblodhi gjith krijimtarinë e tij. Poema është gjendur në duar të studjueses dhe poetes Laureta Petoshati, që mësonte prej Kudretit gjuhën italiane e cila ia dha Shpëtim Sharrës, nipit të Hazis Sharrës.

Kudret Kokoshi
                                                              

LUFTëTARI
Luftëtarit Antifashist:
Hazis Sharrës, rënë më 8 tetor 1943 nga plumbat e pabesisë komuniste.

Që i vogël i përpjekur,
Zemrën eshtër, kokën hekur,
I egërtë e i përhedhur,
Syrin pish dhe ballin vrenjtur.
Hall i madh për at e nënë,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Që i vogël shum i gjallë,
Dy copa druri gëzhdallë,
I kish kobure dhe pallë,
Gryk e palltos dhe qemeri,
Si nishane oficeri,
I zgjidhte shokët me radhë,
Grupe-grupe si ushtarë.
I ndante në dy kumandë,
Si armiq ballë për ballë,
Për në luftim i lëshonte,
Bërtiste kur komandonte,
Çikëndi syri i ndriçonte.
……………………………………
Porsi dem e kishte zënë,
Dy gur bashk, kurr s’i pat lënë.
                     * * *
U rrit e vajti në shkollë,
Ndëgjoi historinë kombtare,
Që çilimi në Stambollë,
Thosh një libër abetare.
Dukej çdo bëhej një ditë,
Gjergji i vogël, yll me dritë.
E një ditë erdhi dita,
Me treqind e ca shqiptarë,
E la luftën për Huniadhë,
Në mëngjes si agimi të parë,
Ai burrë e la Turqinë,
I la gradat dhe ushtrinë,
Erth në Krujë ngriti flamurin,
Shqipen e Lekës dhe Burrit.
Çilimi duke dëgjuar,
Historinë kombëtare,
Rrin n’ lloi duke menduar,
Ato luftëra legjendare,
Dhe në lodra djaloshare,
Përkujtonte historinë,
Vet në ballë e prita e zjarre,
Me at anë që e kish të tijnë,
Si shqiptarit ja jep feja,
I thoshnin Zize rrufeja.
…………………………………
Si me barot të qe zënë.
Dy gurë bashk, kurrë s’i pat lënë.
                          * * *
Rritur para kohe djali,
Fryrë llëra edhe gusha,
Si rritet ujku rrëzë mali,
Si rritet demi në fusha.
I fortë porsi dragua,
Shkoi brisku përmbi faqe,
Zuri qielli u errësua,
Erdhi koha lyer me gjaqe.
– Më erdhi rradha dhe mua!
u thirri shokëve Azizi,
e la vashën të fejuar,
dhe lezetet pas kurrizi.
Veshi opingat e lakta,
U hoth e dolli në male,
Dy tri fjalë po të sakta,
Në Bestrovë u ra gjermanëve,
Në qafë te Gurra e Vakëfe,
Me dy çeta shum të pakta,
Si petriti shkon përpara.
– O burra se Hazis Sharra,
U vërvit në vijë të zjarrit,
Thirri Durua që ish si dará.
Kreshpanjak e goxha djalë,
Pas Azizit ra borija,
Në zjarr e gjallë djalëria,
Me dorë brenda istikamit,
Çuditi syt’ e gjermanit,
Që në male të Ballkanit,
Kjo ishte herë e parë,
Që pa luftë e pa shqiptarë.
O burra në istikam,
Se u fut brenda Azizi,
Bashkë me Barjam Selmanë,
Bërtiti Qerim Harizi,
Grykë për grykë me gjermanë,
Iu gjet Metja pas kurrizi,
Njeriun e preu mekami,
Një për sheshi e rrukullisi.
Zu një oficer të gjallë,
Një top që qëlloi nga Vrizi.
I dogji s’u gjety nishanë,
Kur u ngrit në këmbë Azizi,
Tym e mjegull më ç’do anë,
Njerma në Breg të Orizit,
Mblodhi shokët që kish mb’anë,
Armikut prapa kurrizi,
Në gjurmë të thembrës në lukth.
Iku armiku u dërrmua,
Kur e pa që si dragua,
Binte labi si sqifteri,
Binte vdekja, binte tmerri,
Fush e luftës mbytur n’ gjak.
Binin lebrit si vetëtimë,
Nëpër llohë me suferinë,
Atje tek Azis Sharra,
Sa po t’i dëgjonin zënë,
Nëpër zjarr e nëpër gjëmë.
Azizi shkonte përpara,
Azizi që çilimi,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Rynë vullnetarët në Vlorë,
Shokët e zjarrit e zgjodhë,
Kumandant të djalërisë,
Me shokë dorë për dorë,
Në Qabe që i thonë Vlorë,
Për agimin e lirisë.
Një dorë në kraharuar,
Njërën dorë përmbi vetull,
Armë dhe gjerdan shtrënguar,
Një kamzhik nënë sqetull,
Gjithnjë i gjallë i përpjekur.
Hazizi që kishte qënë,
Dy gurë bashk kurr s’i pat lënë.
Një natë t’errët dimërore,
Pas një muri një katua,
Një dorë e ndyrë trathëtore,
Mbëshehur e siguruar,
Zbrazi armën mizore,
Tek shkonte udhës Azizi,
Një batare pas kurrizi.
U kthye djali i gjallë,
Me gjith plumbat që pat marrë,
Për t’u thënë nja dy tri fjalë,
U afrua tek pusija,
Nëpër dritë të bataresë,
Shkuli koburen me pesë,
Qëlloi nga dil shkëndija.
– I bini prapa kurrizit,
Se është plagosur Azizi.
– Thirri një nga gjakësorët:
Ikni kush mund të shpëtojë,
S’ka nëjet që të mbarojë,
Erdhi na zuri me dorë,
Në terr ulërinin mizorët.
…………………………………
Dhe një çast zhurma pushoi,
Duall e iknë nga katoi,
Si minjtë buzë përroi.
                * * *
I pështeti krahët murit,
Vështroi dy kupat e gjurit,
Vdekj’ e shkretë q’i përgjunji,
Pështyjti prej ndyrësisë,
Përmbi hekura të pusisë,
Si plak i urtë prej mërzisë:
Oh, or dobiçë të Rusisë
Shitët flamur ‘ e lirisë – !
Ra luani siç kanë rënë,
Viganët e historisë,
Heronjt q’emër u kan vënë,
Epokavet të njerzisë,
Martirët që e kan bërë,
Me gjak bukën e lirisë.
Ra dragoi si bie burri,
Ashtu si ra Barjam Curri,
Në shpellë të Dragobisë.
Ashtu si ra Gurakuqi,
Mërgimin me gjak e skuqi,
Jetimi i mëmë Shqipërisë.
Ra si ra Qazim Koculi,
Ati i Kombit e i lirisë,
Ra si ra Avni Rustemi,
Si ra Spiro Ballkameni,
Si ra Marku i Marka Gjonit,
Princi i princave fisnikë.
Gjaku i pastër i Bib Dodit,
Kapedani për Mirditë,
Ra në çark si bije luani,
Ashtu si ra Azis Çami.
Si ra Shahin Nuredini,
Ashtu si i pat rënë i biri,
Si Nekiu dhe Tasimi,
Si ra Demir Kallarati,
Si ra Hamdi Bej Çeprati,
Si ra Nuredin Ilazi,
Si Sehiti e Ejup Kazazi.
Si ra Rrapo Meto Plaku,
Si Pashuk Bibë Miraku,
Me të nipin, djal i ri,
Ndoc Mirakaj bir zotni,
Djalë për shkollë e dituri.
Si ra Gjeto Mir Uruçi,
Si ra në Vlorë Abdul Kuçi,
Ati i ligjit në liri,
I shenjtë për drejtësi,
Që nuk ju tremb syri burrit,
Këndoi hymnin e flamurit,
Udhës për në pushkatim,
Thirri i qetë e me guxim:
– Mba mend e mëso moj Vlorë
Kur të t’vijë t’a bëçë me borë,
Azis Sharra, ra si bienë,
Ata që duan idenë.
Që për mëmë e besë e fenë,
Kan Shqipërinë e atdhenë.
Sa shekuj që shkojnë e venë,
Viganë për dorë i bienë.
Rojë e gjallë për mëmëdhenë.
Si ra Leka për fitore,
Për një shqipe dykrenore,
Si ra Pirrua nga Stranica,
N’Argos me tjegull mbi kokë.
Si ra Hysni Lepenica,
Bashk me trimat në Grehot,
Si bjenë të mëdhenjtë në prita.
Si Skënder Muçua me shokë,
Si bien për të ngjallë lirinë,
Yjet që shkruajnë historinë,
Krahë për krahë me Perëndinë.
I përpjekuri Bs. As. 1948Përgatiti për botim Enver Memishaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj-Poema e panjohur- Kudret Kokoshi

NËNA“LEFKO”(Lefkothea Bozhiqi) NDËRROI JETË

October 9, 2019 by dgreca

 Nëna Lefko, siç thërrisnin të vegjël dhe të rritur në Pelham Park, Bronks, nuk do ta shohim më, zërin e saj të dashur e të ëmbël, nuk do ta dëgjojmë më. Ajo grua aq e sjellshme, e respektuar dhe e dashur me të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, shkoi të pushoi përgjithmonë. Nënë Lefkothea Bozhiqi, bashkëshortja e Mihalit, ndërroi jetë ditën Hënë, 7 tetor 2019.Ajo la në pikëllim të thellë bashkshortin Mihal Bozhiqi, vajzën Elida me bashkshortin e saj, mbesat Jona dhe Elina.

      Familja njofton Komunitetin shqiptar se shërbimet funerale do të organizohen ditën e Enjte me 10 tetor 2019, nga ora 5. 00.P.M. deri në 9.00.P.M.në Shtëpinë Mortore: Ralph Giordano Funeral Home, që ndodhet në adresën: 1727 Crosby Ave., Bronx, NY 10461. Tel i Funeralit: (718)829-5580. Ndërsa varrimi do të organizohet ditën e Premte, 11 tetor 2019, në orën 11.00 .A.M.në Oakwood Cemetery, në adresën:315 Lexington Ave., Mt. Kisco, NY.

                   ***

Lefkothea passed away on Monday, October 7, 2019. The family will receive relative and friends at the Ralph Giordano Funeral Home, 1727 Crosby Ave., Bronx, NY on Thursday, October 10, 2019 from 5:00 P.M. to 9:00 P.M. Prayer Services will be held at the funeral home on Thursday at 8:00 P.M. A Graveside Service will be held at Oakwood Cemetery, 315 Lexington Ave., Mt. Kisco, NY on Friday, October 11, 2019 at 11:00 A.M. Visitation at the Ralph Giordano Funeral Home from 5:00 PM to 9:00 PM on October 10, 2019.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lefkothea Bozhiqi, nderroi jete

A fitoi apo jo Albin Kurti?

October 8, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/DIELLI

Siç e kemi në ngjizje, ka filluar një seri studiosh ku debatohet rreth Albin Kurtit. Se është ai që fitoj apo jo? Se është ai që largoi klasën e vjetër politike nga pushteti etj.?  A do bashkëpunoj me Serbinë? Po me këta, iksin e ypsilonin pasi i ka tronditur nga themelet me deklaratat dhe protestat gati radikale. Për më tepër që është një i majtë me nuanca marksiste etj. Në të vërtetë ai që e ndoqi fushatën e fundit në Kosovë, qe një fushatë ku sharjet ishin dora e dytë, programet të para. Në Shqipëri veç pështymave nuk ka asgjë tjetër. Kjo është e zakonshme në Shqipëri dhe shpjegimin e merr menjëherë nga tërësia e pyetjeve të mësipërme, pasi nuk duan ta kuptojnë që në Kosovë nuk fitoj Albin Kurti, por demokracia. Nëse do kishte fituar Albin Kurti ai do kishte marrë afro 49% apo 52% të votave, por siç e shihni nga rezultatet e komisionit zgjedhor, ai ka fituar mbi 25%. Më pas vjen LDK-ja me Vjosa Osmanin dhe PDK-ja e komandant Veselit me afro të njëjtat përqindje. Pra fitoi demokracia në kuptimin e mirëfilltë që shqiptarët e Kosovës duan të fuqizojnë shtetin dhe jo personat. Shumë njerëz thonë që Italia shkon shpesh në votime dhe prapë ruan të njëjtën performancë, në ekonomi, politikat e brendshme dhe ato të jashtëme. Kjo ka shpjegim e thjeshtë, atë që kanë ndërtuar dhe konsoliduar shtetin, jo njëshat. Ndaj nuk është e rastësishme që emrat e politikanëve italianë nuk janë dominantë në ekranet e ditës, si përshembull Edi Rama apo Erion Veliaj në Tv-të shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës  reaguan plot vitalitet si shoqëri. Por mos harroni se sado t’i përflasim komandantët e luftës në Kosovë, ishin ata që hapën krahun, që çuan vendin në zgjedhje të parakohëshme. Qe Rramush Haradinaj, po ky që sot deklaroj se nuk kërkon rinumërim dhe se e njeh rezultatin për të vetmen arsye verdiktin e qytetarit. Ndryshe nga bashkëkombësit tanë, ne në Shqipëri vinë nga kultura e unit, jo e rolit vendimtar si shoqëri. As mos e çoni nëpër mend që Edi Rama të jap dorëheqjen si Rramushi. Dhe as mos e çoni nëpër mend të garantoj zgjedhje të lira. Ndaj roli i qytetarëve duhej të jetë më i fortë, se ndryshe nuk ka për tu dërrmuar kurrë kulti i individit. Shqipëria ka plot 8 muaj që është në një ngërç institucional, shoqëria shqiptare debaton për të drejtën e deputetëve në lista, Ramën etj. Kush me këtë e kush me atë, duke zeruar rolin e saj. Pyetjes së një gazetari nga Tirana, se nëse nuk arrin të kapi numrat, në lidhje me koalicionet, çfarë do bëj Albin Kurti? Ky i përgjigjet se shkojmë në zgjedhje të reja etj. Kurse në Shqipëri ngërdheshen. Dhe ashpërsojnë gjuhën karshi njëri-tjetrit se kush i do dhe kush i pengon çeljen e negociatave, qeveria apo opozita! Nëse kultura sociale e Kosovës do dominonte te ne, ta dini, Shqipëria do ishte me kohë partnere e Europës. Dhe nëse negociatat çelen fundjavën tjetër, propaganda e kuqe do e mbysi vendin. Sado dështime, sado rrënim ekonomik, sado braktisje, kulti i individit do dominojë dekada të tjera. Kjo si pjesë normale e mbrapshtisë tonë me adhurimin karshi Unit, se sa me realitetin buzëplasur europian për t’i pasur shqiptarët pjesë organike të trungut. Por edhe me rënien e vazhdueshme, pa aftësinë për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë. Kjo është një vetvrasje e butë që një tufë bashibozukësh nga regjimi i kaluar, e paragjykojnë votuesin e Kosovës se sollën në pushtet një marksist si Albin Kurti. Megjithëse si majtas dhe djathtas janë plot me marksista, mjaft të kujtojmë ish ministrin e brendshëm të Ramiz Alisë në krye të Kuvendit etj. Ish ministrin e arsimit po të Ramiz Alisë në krye të Akademisë, institucionit që një vit më parë kryeministri u orvat te shkrinte si hallkë e logjikës administrative e ish Bashkimit Sovjetik. Deputetë si Spartak Braho, etj. prokurorë nga diktatura. Shoqëria e Kosovës, shqiptarët në pjesën e sipërme nuk t’i falin këto. Kurse ne i ofrojmë poste. Ashtu sikundër dhe e djathta mbajti si lider një komunist po nga diktatura. Ndaj është koha të kuptojmë përfundimisht se, demokraci do të thotë vullnet popullor jo ai i Ramës, Bashës e ndonjë tjetri. Kësisoj Kosova e Hasan Prishtinës i ka, Shqipëria e Enverit dhe Ramizit është akoma ca vite drite larg. Ndaj nguliteni në kokë se në Kosovë nuk fitoj Albini, por shoqëria, Kosova, demokracia.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-A fitoi apo jo -Albin Kurti?

VËLLEZËRIT BYLBYL DHE FREDD MARKU ME FAMILJE HAPIN TË PAME

October 7, 2019 by dgreca

ZEF MARKU- 3 Prill 1942 – 1 Tetor 2019 /

–  ME 20 TETOR 2019, NGA ORA 10 .A.M.- 4.P.M., NË ROYAL REGENCY HOTEL,YONKERS, NY/
 
Fredd dhe Bylbyl, djemtë e të ndjerit Zef Marku, që ndërroi jetë me 1 Tetor 2019 në Tiranë, njoftojnë KOMUNITETIN:/
 
– Njoftojmë miqtë, shokë dhe dashamirët së më rastin e ndarjes nga jeta të babës tonë të dashur
ZEF MARKU- 3 Prill 1942 – 1 Tetor 2019- në Tiranë, ku edhe u varros, djemtë Bylbyl dhe Freddy Marku më familje hapin të pame (për burra dhe gra) ditën e dielë, më 20 Tetor në Royal Regency Hotel në Yonkers nga ora 10AM deri në 4PM.
Adresa: 165 Tuckahoe Rd, Yonkers 10710.
Bylbyl Marku 1 (917)673-7914
Freddy Marku 1(718)207-1068
————
The Marku family announces with great sadness the loss of their beloved father
ZEF MARKU
April 3,1942 – October 1,2019
in Tirana, where he was laid to rest. Bylbyl and Freddy Marku , sons, and family will have a viewing on Sunday, 20 October at the Royal Regency Hotel in Yonkers from 10am to 4pm.
Address: 165 Tuckahoe Rd, Yonkers 10710.
Bylbyl Marku 1(917)673-7914
Freddy Marku 1(917)207-1068
 






Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Zef Marku- Nderroi Jete-Njoftim per et Pame

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT