• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRSHËNDETJE ZOTIT LEK PERVIZI NË 90-VJETORIN E LINDJES

June 25, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/DIELLI/

          Të arrish të nëntëdhjetat aktiv si Lek Preng Pervizi, është një bekim nga Zoti, një mbrekulli, një rast i rrallë në jetën njerëzore, jo vetëm të shqiptarëve. Ai ka jetuar në tre shtete të ndryshme: Shqipëri, Itali dhe Belgjikë ku ka përjetuar të mirat dhe të këqiat e katër sistemeve shoqërore: të Sistemit Monarkist, të Sistemit Nazifashist, të Sistemit të Diktaturës Komuniste dhe të Sistemit të Shoqërisë së Lirë të ekonomisë së tregut. Gjithnjë dhe kudo ka jetuar e jeton si shqiptar bir shqiptari, që ia ka kushtuar jetën me nder e guxim Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

          Jeta është një proces që ka një fillim dhe një fund, por lum ata që e jetojnë atë si e ka jetuar dhe e jeton Lek Pervizi. Ky burrë është një shembull i trimave legjendarë, të cilët me bëmat e tyre kthehen që në gjallje në “Hero i pavdekshëm”. Ata e meritojnë këtë titull të lartë, që ua jep populli e jo institucionet qeveritare, sepse ata janë shembull për mosnënshtrimin ndaj së keqes, për durimin e vuajtjeve fizike e shpirtërore, për talentin e shumanashëm, energjitë e pashtershme të vëna në shërbim të popullit të cilit i përkasin dhe për moralin e pastër në të gjitha rrethanat. Të tillë heronj i ka të rrallë jo vetëm bota shqiptare, por çdo popull i botës.

Kush nga ne nuk e ka zili, në kuptimin e mirë të fjalës Lek Pervizin, për jetën dhe arritjet e tij madhore:

          1. Si familje dhe njeri i panënshtrueshëm ndaj përndjekjeve të diktaturës.     Familja e Gjeneral Prengë Pervizit më 1944 përbëhej nga shtatë persona: ai vetë, nëna dhe bashkëshortja e tij dhe tre djemtë: Valentini me nusen, Genci dhe Leka. Diktatura komuniste u përpoq ta zhbënte këtë falije elitare: Gjeneralin e dënoi me vdekje si armik të popullit, pa bërë asnjë krim a tradhëti. Për këtë shkak ai u detyrua të arratisej më 1946 në Greqi ku vijoi aktivitetin kundër diktaturës komuniste e vdiq në Bruksel më 1977 pas 31 vjet mërgimi. Valentinin më 1945 e arrestoi dhe burgosi pa asnjë shkak, kurse nusen e tij e dëboi në Itali. Valentini bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes përjetuan 456 vjet burgime dhe internime. Gjatë këtij kalvari humbën jetën tre pjesëtarë të kësaj familjeje, gjyshja Mrika vdiq më 1950 në kampin e Tepelenës 90-vjeçare; nënë Ana vdiq më 1977 e internuar në Pluk të Lushnjës 77-vjeçare; dhe djali i dytë Genci vdiq më 1989 i internuar në Gradishtë 63-vjeçar. Pavarësisht nga vuajtjet, mungesat dhe presionet, gjatë kësaj jete të vështirë, djemtë e Gjeneral Pervizit, nuset dhe fëmijët e tyre e ruajtën moralin dhe karakterin e pastër të shqiptarit të vërtetë.

          2. Si familje dhe njeri që dolën fitimtarë ndaj kalvarit komunist.

          Regjimi komunist burgosi e internoi pesë pjesëtarë të familjes Pervizi me qëllim që t’i zhdukte, por kur ai regjim kapitulloi, Pervizët dolën nga kampet e internimit të trefishuar me 14 pjesëtarë, edhe pse në kampet e internimit humbën jetën tre pjesëtarë të rritur e një foshnjë, kurse gjeneral Pervizi ishte shuar në mërgim.

          Leka me zonjën Gjyljana dhe tre djemtë e tyre shkuan në Belgjikë më 1990. Bashkëshortja e Gencit, zonja Albina, me katër djem dhe dy vajza shkuan në Amerikë më 1991. Ndërsa vëllai i madh, Valentini, pas 47 vjet burgimi e internimi, pra ky i dënuar i përjetshëm, shkoi në Bolonjë të Italisë, ku e priste zonja Gorizia Manini, bashkëshortja, Penelopi e kohës sonë, me të cilën u bashkua më 1991. Ai vdiq më 1999 dhe e shoqja më 2004, pa lenë fëmijë.

          3. Si analist dhe gazetar i talentuar. Leka pa kryer ndonjë shkollë gazetarie ka shkëlqyer e shkëlqen si gazetar i shtypit të lirë. Ai ka sistemuar dhe publikuar deri sot 138 numëra të revistës internetike KUQ E ZI, shoqëruar secili me nga një kryeartikull personal. Kjo punë arrin në 9.000 faqe, volum pune që nuk ka mundur ta realizojë asnjë gazetar i shtypit shqiptar që nga Rilindja deri sot. Dhe mos harrojmë, është punë vullnetare pa pagesë që buron nga pasioni dhe atdhedashuria. Revista shpërndahet në PDF, pa asnjë angazhim, dhe autori nuk ka vënë copyright, duke lejuar perdorimin e materialeve të saj, pa kufizim.

          4. Si piktor realist. Leka, ky piktor I kampeve të internimit, ka pasqyruar jetën e bashkëvuajtësve në ato kampe dhe ka krijuar tablonë kompozicionale “Beteja e Fushëkuqes” me temë nga luftrat e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj kastriotit Skënderbeut. Kjo krijimtari artistike ka buruar jo thjesht nga pasioni por edhe nga talenti. Talent, i cili është trashëguar e ngritur në nivele edhe më të larta prej dajlit të tij Leonard, tashmë i afirmuar e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

          5. Si enciklopedist. Leka zotëron njohuri të gjera në fushat e kulturës, artit dhe të shkencave historike e politike. Formimi i tij enciklopedik bie në sy në shkrimet dhe ilustrimet e çdo numri të revistës, në krijimtarinë e tij letrare dhe si përkthyes i veprave historike të Dhimitër Frëngut Dhimitër Frangu, Veprat e lavdishme të Skënderbeut (2004), të Paulo Jovios Skënderbeu dhe sulltanët e Turqisë (2011) dhe të Eduard Schneider Pellazgët dhe pasardhësit e tyre (2008), shoqëruar me shënime shkencore.

          6. Si studiues dhe biograf i jetës dhe veprës së atit dhe i gjyshit të tij.

          Jeta e pararendësve të Lekës është bërë objekt i veprave Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar dhe Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. Këtu shtojmë dhe dy botime të fundit, Gjenrali, kushtuar të atit shoqëruar me një vështrim realist mbi historinë shqiptare, vepër e dobishme për historianë e studiues; dhe, 100 vjet histori (2018) në tre pjesë, kushtuar familjës si galeri fotografike.

          7. Si poet e rapsod, ku shpaloset aspekti letrar i talentit të tij. Pëveç botimit të poezive në faqet e revistës, ai i ka botuar poezitë dhe rapsoditë e tij dhe në vëllime më vete si Ankimi i Zanave (2000), Gjurmë të humbura (2010), Lahutari shqiptar (2010), Lahutari këndon (2011), Petale de Rose shqip e frëngjisht (2010, 2011), Psherëtimë e erës (2011), Tingëllima të vona (2014), Labirinte (2014), Antologji në vargje (2017) dhe Lahutari Shqiptar(2018).

  • Si krijues skicash e tregimesh të cilat i përmblodhi në vëllimin Në vorbullën e skëterrës (2014), përkthyer e botuar dhe frëngjisht Dans les Cercles de l’ Enfer (2014).
    • Si autor memuaresh, ku Leka ka përmbledhur kujtimet nga jeta e vëllait Valentin Pervizi ndërtuar në formë romani biografik me titull Odiseja e pafajësisë (2018) dhe kujtimet e veta lidhur me jetën e familjes së tij të ngushtë Trilogjia e një jete: Lumturia – Ferri – Parajsa, që pret të botohet.

          10. Si i shpronësuar e i pashpërblyer. Familja e Lek Pervizit, si dhe familjet e vëllezërve të tij, u shpronësuan më 1945-1946 dhe ndonëse kanë fituar të drejtën e shpërblimit për pronat dhe vitet e burgut e të internimit, ato nuk janë shpërblyer ende as për pronat e patundshme, toka e shtëpi, dhe as për vitet e burgut dhe punën në internim. 

          Ky i përvojtur i madh, personalitet shumëdimensional i gazetarisë, artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë, ua vret sytë dhe i bën me turp pushtetarët dhe kalemxhinjtë e Tiranës, të cilët shquhen për vjedhje, korrupsion e jetë qejfi, gjëra të urryera për Lekën. Pikërisht për këtë ndryshim të thellë që ka ky bir i shquar i popullit tonë me pushtetarët e Tiranës, i shtyn këta që ta mbajnë sa më larg dhe të mos e vlerësojnë jetën dhe veprën e tij. Por shpresojmë që shpejt kjo gjendje të ndryshojë. Njerëz të talentuar e të përkushtuar me vlera të shquara si Lek Pervizi, duhet t’u botohet vepra, qoftë dhe e zgjedhur dhe t’u studiohet sa më parë jeta plot sakrifica dhe arritje. Të tillë Heronj duhet të zenë vendin e merituar në historinë tonë moderne, në faqet e FESH-it dhe në tekstet mësimore.

          Jeta dhe vepra e Lek Pervizit duhet të studiohet dhe botohet, sepse prej tyre populli ynë i abuzuar ka për të mësuar shumë të vërteta historike lidhur me jetën e veprën e tij dhe të shumë personaliteteve të shkelmitur prej pushtetarëve dhe kalemxhinjve të diktaturës komuniste.

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L. Gjika- 90 Vjetori i Lek previzit- urime

O ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!

June 24, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të djelën që kaloi ishte për një vizitë në Nju Jork, Shkëlqesia e tij, Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëvi i Rrëshenit, në Mirditë. Me këtë rast ai celebroi një meshë solemne në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shokdrës” në Scarsdale të Nju Jorkut më 23 qershor.  Megjithëse larg nga Shqipëria, shqiptarët kudo, përfshir edhe ne këtu në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të anashkalojmë dhe as të injorojmë krizën politike që klasa politike aktuale ka pllakosur Atdheun tonë të origjinës — Shqipërinë tonë të dashur.  Siç dihet, kohët e fundit, përfaqsuesit më të lartë të komuniteteve fetare kryesore në Shqipëri u kanë bërë thirrje udhëheqsëve politikë të vendit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta nxjerrur vendin nga kriza politike aktuale, në të cilën e kanë hedhur Shqipërinë.   Është kjo një krizë që ka marrë përmasa të mëdha përfundimi i të cilës është i pa-parashikueshëm, me pasoja afatgjata negative për jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë Kombin.

Në fillim të meshës, Imzot Meta njoftoi se 23 qershorin, në Shqipëri e udhëheqsit e lartë të Kishës Katolike shqiptare e kishin shpallur, të djelën që kaloi “Një ditë të veçantë lutjesh, në të gjitha kishat dhe dioqezet, për situatën e vështirë që po kalon vendi ynë Shqipëria”, duke shtuar se të gjitha famullitë janë të angazhuara për këtë lutje të posaçme. Prandaj, tha ai, dëshironte që nga kjo nismë të mos përjashtohej as kjo kishë por të përfshihej edhe famullia e shqiptarëve në Nju Jork, Kisha Katolike Shqiptare në këtë shtet,  “Zoja e Shkodrës”, që me këtë rast të lutemi, theksoi ai, për vendin tonë, Shqipërinë: “Që Zoti t’ua ndritë mendjen atyre që kanë përgjegjësi politike, që të lënë menjëanë interesat e tyre të veçanta apo interesat e partisë së tyre dhe të shikojnë interesat e popullit tonë.”  Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Imzot Gjergj Meta, është t’i lutemi Zotit që këtë punë ta bejmë mirë edhe me këmbëngulje, e t’i lutemi Zotit që të dërgojë Shpirtin e Shenjtë tek ata njerëz që kanë përgjegjësi.

Duke iu referuar, “situatës nepër të cilën po kalon vendi ynë”, Ipeshkvi i Rrëshenit, në predikimin e tij në Kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork të djelën që kaloi, u tha besimtarëve katolikë shqiptarë se, “Sigurisht që Zoti na ka dhënë shumë gjëra të bukura në vendin tonë.  Na ka dhënë natyrën, na ka dhënë traditën, na ka dhënë shumë njerëz, na ka dhënë inteligjencën.  Është vështirë me gjetë një popull kaq inteligjent, por inteligjenca nuk është gjithmonë shenjë e mençurisë. Të jeshë inteligjent, të jeshë i zgjuet e të jeshë i mençur, janë dy gjëra të ndryshme. Të zgjuar të bën Zoti, i mençur behesh vet.  Shpeshëherë, kjo mençuri na ka munguar e po na mungon edhe sot e kësaj dite.  Si është e mundur që edhe sot të rinjë e të reja, familje, duan të ikin nga Shqipëria. Edhe ju jeni një pjesë të ikur nga Shqipëria edhe pse zemrën e mendjen e keni të gjithë atje, sigurisht! Shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria vetëm për dy motive, vetëm për dy shkaqe. Ose kur i kanë detyruar vet shqiptarët për të ikur,  siç ishte rasti gjatë regjimit të Enver Hoxhës kur i detyroi të iknin sepse nuk kishin vend me ndejtë atje, ose sepse nuk i kanë gjetur kushtet për të jetuar në Shqipëri.  Shqiptarët nuk e kanë lënë Shqipërinë në kohën e Turkut, nuk e kanë lënë në kohën e fashizmit, nuk e kanë lënë vendin — në momentet më të vështira nuk e kanë lënë Shqipërinë — por në momentet e paqës e momentet më të qeta, fatkeqsisht e kanë lënë.  Kjo është një tragjedi e madhe.”

Por në një notë optimiste ai tha në mbarim të predikimit se megjithatë, “Shqipëria është si puna e një trupi. Mund t’i heqësh gjak, por trupi ripërtrihet prap se gjaku e ka këtë aftësi të ripërtrihet. Edhe Shqipëria do të ripërtrihet, por për këtë ka nevojë shumë që ne, të gjithë së bashku të japim një kontribut për vendin tonë.  Kontributi më i madh është afërsia shipërtërore.  Ajo që mund të bëjmë ne meshtarët, ipeshkvijtë dhe ne katolikët, është t’i lutemi Zotit”, për Atdheun tonë në këtë kohë të vështirë, ka thënë Imzot Gjergj Meta.

“Prandaj edhe ipeshkvijtë kanë marrë këtë vendim”, që të lutemi për Shqipërinë në këtë moment, tha ai. “Ne nuk jemi politikanë, ne nuk mund të bëjmë zgjedhje politike, ne nuk mund tu themi se çfarë t’u bëjmë atyre.  Por ne mund të bëjmë një gjë.  Ne mund të lutemi, mund të lutemi për vendin tonë.  Çka ka më të bukur se sa me ia paraqitur vendin tonë, Zotit?  Të themi: O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! Me të mira e me të këqia, ky është vendi ynë. Bën që ai vend atje të jetë i qetë, të jetë i paqë, që djemt e vajzat të mos kenë nevojë të ikin, por ta ndërtojnë jetën e tyre aty në vendin tonë.  E për këtë kemi përgjegjësi të gjithë bashkë.” Imzot Gjergj Meta u bëri thirrje  të gjithëve që gjatë “ditëve në vijim ta çoni mendjen tek Zoti për vendin tonë” të luteni, “që t’ua këthej mendjen atyre që kanë përgjegjësi për vendin tonë dhe të gjejnë rrugët e paqës dhe të dialogut, të cilat janë gjithmonë të mundshme në një demokraci, në një shoqëri normale”, përfundoi ai mesazhin e tij.

Ndërsa famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Dom Pjetër Popaj, duke iu referuar fjalëve të Imzot Gjergj Metës në lidhje me krizën aktuale politike në Shqipëri, nga ana e tij, nënvijoi se, “Në raste të tilla, duhet të theksojmë gjithmonë gjërat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë.  Si komb nuk kemi qenë të ndarë kurrë, por fatkeqsia jonë”, shtoi ai, “kanë qenë gjithmonë ndasitë partiake dhe përpjekjet e të huajve për të na përçarë, ndërsa tashti janë partitë e ndryshme politike vendase.  Nuk është njëni më shqiptar se tjetri, të gjithë jemi vëllezër e motra dhe kemi një Zot në qiell, që na bashkon të gjithëve.  “Lusim Zotin që të gjithë të jenë të një mendimi e një zemre, për të mirën e përbashkët, për popullin tonë.  Lutemi që të gjithë mbrenda dhe jashtë Shqipërisë të jemi të bashkuar, pasi të gjithë jemi shqiptarë dhe njëkohësisht edhe bijtë e bijat e të Madhit Zot”, përfundoi Dom Pjetri.

Ishte në këtë frymë bashkpunimi — për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit tonë — që Imzot Gjergj Meta kishte dhënë mesazhin e fortë, kohë më parë, se, “Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo.  Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!”

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, javën që kaloi, përveç vizitës në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Imzot Gjergj Meta, me 13 qershor, vizitoi gjithashtu edhe Qendrën Myslimane Shqiptare në Waterbury të shtetit Connecticut, ku sipas portalit të kësaj qendre ishin të ftuar të gjithë miqtë për një bashkbisedim të hapur me komunitetin shqiptaro-amerikan në atë shtet. 

Kriza aktuale politike në Shqipëri, nuk është më një krizë që prek vetëm dy udhëheqsit e dy partive kryesore politike të vendit – pozitës dhe opozitës – por është një çështje që duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që ndodhen, përfshirë edhe diasporën shqiptare në mbarë botën.  Kjo klasë politike – e cila sipas mjekut të njohur Tritan Kalo, i cili në postimin e tij në Facebook shprehet se, “po ndërmerr aktin e fundit të tradhtisë ndaj shqiptarëve, theqafjen në honet e historisë dhe në udhët e emigrimit masiv” — po tregon dita ditës se e ka humbur sensin e ARSYES.

Mjeku i nderuar i cilëson politikanët shqiptarë si të “paudhë” që për 30-vjet tani e sollën popullin vërdallë në udhëkryqin e tranzicionit.  Ai u bën thirrje shqiptarëve, “të ndezin dritat e mendjes e të mos i fikin ato të arsyes”.  Në këtë moment, Kombi ka nevojë për më shumë zëra të ARSYES si Imzot Gjergj Meta dhe Doktor Tritan Kalo: Ja postimi i plotë i Doktorit të nderuar:


“PPP-ja më e fundit në tregun e politikbërjes shqiptare, që uroj dhe shpresoj të jetë sa më jetëshkurtër…Përçarje – Përfolje – Përplasje…Kjo përçarje mes nesh, kjo përfolje e çdo fjale dhe veprimi tonë, kjo përplasje e pa principtë mes palëve politike dhe e pabuktë për ardhmërinë tonë, vetëm e vetëm Pa-përgjegjshmëri, Pangopësi dhe Pa-atdhetari mbetet të jetë, POR qytetari, drejtim dhe përgjegjësi morale-politike dhe sociale, KURRË nuk u është dhe kurrë nuk mundet të jetë…Na sollët vërdallë o të paudhë, për pothuajse 30 vite në udhëkryqin e tranzicionit demokratik dhe tanimë të tejngopur me pasuri, me zezona socio-ekonomiko-politike si dhe me keqbërje ndaj Atdheut e Kombit, po ndërmerrni aktin e fundit të tradhtisë ndaj nesh, THEQAFJEN tonë përfundimtare në honet e historisë dhe në udhët e pakthimit/të emigrimit masiv…MOS ndizni e fikni dritat e celularëve ju bashkëkombasit e mi, POR ndizni dritat e mendjes dhe mos i fikni ato të arsyes…  Klasën/kastën/glasën politike e cila na rrëmbeu rreth 30 vite jetë e mundësi begatimi, do të vijojmë ta kemi të kalëruar mbi shpinat tona edhe më tej, NËSE do vijojmë t’u shkojmë nga pas si dele apo militantë trushplarë, si dhe pa dashuri e dhimbsuri për veten e familjet tona…..Quo vadis Shqipëria ime!!!….Ja një këshillë e urtë për këto kohë të pakohta nga Sir. Oliver Wendell Holmes: “Intuita e një çasti nganjëherë vlen sa përvoja e një jete”.

Një thirrje kjo plot me vend nga Doktori i nderuar. Fatkeqsisht, kam drojë se në mungesë të ARSYES nga ana e politikanëve dhe e mbështetësve të tyre fanatikë, për të gjetur një zgjidhje, para se të jetë tepër vonë, nga ky qorrsokak politik, e vetmja shpresë që na mbetet është që t’i drejtohemi të Madhit Zot për ndërhyrje, duke u lutur:

O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! e

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-O ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!

FEDERATA VATRA: OFROJUNI QYTETARËVE ZGJIDHJE AFATGJATË!

June 22, 2019 by dgreca

New York, 22 Qershor 2019- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ashtu si mbarë shqiptarët në botë, po ndjek me shqetësim situatën në Shqipëri. Është thellësisht e dhimbshme, që edhe pas afro tre dekadash pluralizëm, sërish evidentohen probleme të thella lidhur me proceset zgjedhore, ndërhyrja në të cilët është tërësisht e dënueshme.

          Federata VATRA ka mbajtur në vijimësi qëndrime kritike ndaj sjelljeve politike që janë ndjekur në dëm të konsolidimit të standardeve të demokracisë. Situata e paprecedentë e ditëve të fundit bën më shumë se kurrë evident nevojën e palëve për t’u ulur në bisedime dhe për t’i ofruar popullit një zgjidhje afatgjatë, që do të mund të sigurojë jo vetëm standarded demokratike të vendit, por edhe një paqe dhe unifikim shoqëror. Konflikti civil, i cili po hedh shtat dita-ditës nuk duhet lejuar dhe qeveria ka përgjegjësinë kryesore të gjejë rrugët për shuarjen e tij. Ashpërsimi mosmarrëveshjeve politike shoqërohet fatkeqësisht me dasi të mëdha shoqërore, gjë e cila dëmton objektivat evropiane të vendit.

           Federata VATRA mendon se palët do të ulen në tryezën e bisedimeve, duke shpresuar që platforma e bisedimeve do të jetë serioze dhe jo thjesht kalimtare, por ndërkohë shpreh keqardhjen për humbjen e kohës, nga e cila humbet Shqipëria dhe populli.

Filed Under: Opinion Tagged With: Federata VATRA-Deklarate

Deklaratë e Ambasadës së SHBA

June 21, 2019 by dgreca

Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndëkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë të mbajnë përgjegjësi. Nxisim të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet kudo në Shqipëri që të mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Po ashtu, iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasada amerikane-deklarate

SITUATE E RREZIKSHME-NUK DUA TË NJELL ZI, POR…..

June 18, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shumë vërejtës dhe ekspertë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë gjëndjen e sotëme politike në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe si rrjedhim edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ndoshta si periudhën më të rrezikshme ç’prej shembjes së komunizmit e këndej dhe ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 10-vjet më më parë.  Shpresat ishin të mëdha për shqiptarët kudo, se me rrëximin e Murit të Berlinit, historia — më në fund — do t’i ishte më njerëzore ndaj tyre dhe do t’i trajtonte shqiptarët, si komb, më mirë në të ardhmen e tyre.

Dhe pse jo! I shkatërruar nga dy luftërat botërore dhe pothuaj gjysëm shekulli i vuajtur nga komunizmi i imponuar sllavo-aziatik, kishim shpresë se ja më në fund erdhi rasti dhe mundësia për një ri-mëkëmbje të vërtetë të Kombit shqiptar në fillim të shekullit 21.  Madje disa prej nesh e kishim shpallur shekullin 21, si “Shekullin e Shqiptarëve”.  Megjithë pengesat në rrugën e shtet-ndërtimit gjatë këtij tranzicioni — me rënjen e komunizmit — Shqipëria siguroi më në fund lirinë dhe demokracinë e mohuar nga komunizmi për disa dekada.  Kosova, pas vuajtjeve e sakrificave shpesh mbinatyrore nga ana e shqiptarëve çlirohet nga zgjedha komuniste sllavo-serbe dhe pas një shekull robërimi, vrasjesh e shpërnguljesh të detyruara, nisur nga ideja serbe e spastrimit etnik të Kosovës dhe pas krimeve çnjerëzore nga forcat serbe kundër shqiptarëve, siguron mbështetjen ndërkombëtare dhe çlirohet më në fund nga fashizmi serb, duke shpallur pavarësinë e saj, sot për sot të njohur nga më shumë se 100-vende nga mbarë bota, përfshirë vendet më të rëndësishme perëndimore.

Është një skenë në rrjedhën e historisë së shqiptarëve, që patriotët më të shquar të Kombit, megjithse do ta kishin dëshiruar, ndoshta nuk mund ta kishin paraparë: shqiptarët ndonëse, fatkeqsisht, të cunguar dhe të ndarë gjeografikisht gjatë shekullit të kaluar, megjithëse jo të bashkuar në një shtet – aktualisht janë me dy shtete. Të lirë për të vendosur vet fatin e vet nën një sistem demokratik dhe të lirë, të udhëhequr nga vet shqiptarët — nën hijen e madhe gjithpërfshirse të Flamurit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.  

Megjithë këto bekime të cilat i gëzojnë sot shqiptarët, diçka nuk po shkon mirë.  Në të vërtetë aq keq po shkojnë punët në trojet shqiptare, si rrjedhim i veprimeve ose mosveprimeve të politikanëve aktualë, sa që vet shqiptarët përpiqen t’i bëjnë ball kësaj situate tragjike duke kërkuar rrugëdalje.  Shqiptarët, të papërgatitur për tu përballur me këtë ngërç politik dhe me korrupsionin që ka prekur nivelet më të larta shtetërore, kanë vendosur të largohen, legalisht dhe ilegalisht, nga trojet mijëra vjeçare të tyre, pothuaj në përmasa biblike. As armiqtë më të përbetuar të shqiptarëve nuk kishin mundur të parashikonin kurrë një shpërngulje të tillë të shqiptarëve nga hapësirat e tyre gjeografike.

Thuhet se rrallë kund mund të ketë një klasë politike më të ndarë dhe më të pëçarë se klasa e sotëme politike e shqiptarëve – në të dy anët e kufirit – të pakën jo në Evropë, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen.  Çdo ditë jemi dëshmitarë të një shembulli ose një tjetri — konfliktesh personale e partiake, konflikte këto që po prishin jo vetëm rendin shoqëror dhe politikën e mbrendshme, por edhe marrëdhëniet historike të Kombit shqiptar me miqët, për mbështetjen e të cilëve shqiptarët kanë  gjithnjë nevojë.  Jemi dëshmitarë të një mungese të lidhjes aq të nevojshme morale dhe patriotike, jo vetëm midis përfaqsuesve të kësaj klase politike me njëri tjetrin, por mbi të gjitha, shohim se shumicës i mungon gjithashtu edhe përgjegjësia politike dhe morale madje edhe ndaj Atdheut dhe Kombit – një përgjegjësi kjo për të cilën ata janë betuar se do ta përfillin si  përfaqsues të zgjedhur të këtij populli.  

Sot për sot, shqiptarët kanë aq shumë probleme me të cilat përballen.  Unë do të dëshiroja të njell mirë për rrjedhën e zhvillimeve politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe për të ardhmen e mbarë shqiptarëve.  Por, problemet që, kryesisht, janë të vet-shkaktuara nga një klasë politike që vetëm shikon interesat e veta politike dhe partiake, në kurriz të problemeve me të cilat përballen shqiptarët – është vështirë të zgjidhen ndërsa vazhdojnë përçarjet dhe konfliktet aktuale politike midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri dhe në Kosovë.  Kështu, të ndarë e të përçarë, sfidat dhe problemet vetëm shumëfishohen dhe zgjidhja e tyre bëhet edhe më e parealizueshme.  Prandaj, si rezultat i gjendjes së krijuar, është i nevojshëm një fillim i ri politik, me njerëz të ri dhe ide të reja.  Mbi të gjitha bota shqiptare, jo vetëm që ka nevojë për një përtëritje politike, por për më tepër ka nevojë edhe për një ripërtëritje morale dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës – jo vetëm në politikë, por në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore.

Kemi nevojë gjithashtu edhe për politikanë që, mbi të gjitha, e duan Shqipërinë dhe të cilët punojnë për të mirën e saj dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim.  Ekziston nevoja të kemi politikanë që mendojnë dhe punojnë për Shqipërinë, se për botën ka kush mendon.  Shqipëria dashurohet duke i ruajtur nderin e saj dhe emrin e mirë të shqiptarëve, mbrenda dhe jashtë vendit.  Mbështetja dhe mbrojta e kriminelëve dhe e të korrupturave nga përfaqsuesit më të lartë të qeverisë nuk është as dashuri për Atdheun as ndonjë akt heroik, me të cilin mund të mburret kush.  Përkundrazi, me këto akte po ia nxini fëtyrën Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si asnjëherë më parë – sidomos në nivelin ndërkombëtar dhe në radhët e atyre që me të vërtetë ruajnë ndjenja pozitive për Shqiptarët në përgjithësi.

Nuk dua të njell zi, por pa dashuri të vërtetë ndaj Atdheut dhe pa respekt për njëri tjetrin — pa i shtrirë dorën edhe kundërshtarit politik — nuk ka zgjidhje të problemeve aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe as nuk ka dalje nga ky qorrsokak, në të cilin e keni hedhur vendin.  Por çka është edhe më keq, si rezultat i këtyre konflikteve të vazhduesheme, bashkjetesa kombëtare bëhet shumë më e vështirë midis shqiptarëve, kur të merren parasysh konfliktet aktuale politike në radhët e partive dhe të politikanëve shqiptarë.

Larg nga këta njerëz që me qëllimet e tyre të errëta po cenojnë në thelb vëllazërimin kombëtar midis shqiptarëve dhe të cilët po e çojnë vendin në prag të një gremine.  Larg nga ata që duan të krijojnë një Shqipëri sipas qejfit të vet, ku duan të jenë – vet ali e vet kadi — vet shkruaj e vet vulos.  Në vend të këtyre, sot për sot, kemi nevojë për individë – si në politikë ashtu dhe jashtë politikës – për individë që kanë mundësitë dhe dëshirën që të mbjellin – jo përçarje, ndasi e konflikte — por harmonizim midis mendimeve dhe ideve të ndryshme në radhët e shqiptarëve.  Persona që, duke marrë parasysh debatin e sotëm në median shqiptare të përfaqsuesve të elitës shqiptare – fatkeqsisht, nuk shihen kund në horizont. Kjo është edhe arsyeja për pesimizmin tim, përball gjëndjes aktuale në Shqipëri, sepse nuk është vetëm politika që është mbërthyer në një konflikt të pazgjidhëshëm, por duket se e mbarë shoqëria është e ndarë dhe e përçarë, sipas vijave të caktuara nga politika.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Situate e Rrezikshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT