• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRË KRYEPESHKOP NIKON!

September 2, 2019 by dgreca

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Gazeta e saj “DIELLI” i shprehin ngushëllimet më të thella Kancelarit të Katedrales Orthodokse “Shën Gjergji” në Boston At Arthur Liolin dhe të gjithë besimtarëve Orthodoksë.

Me 1 Shtator 2019 ka ndërruar jetë në Southbridge, Massachusets, i Përndershmi NIKON, Kryepeshkop i Bostonit, New Englandit, njëkohësisht i ArkDioqezës Shqiptare.

Kryepeshkopi u lind më 9 tetor 1945 në një familje të shquar vatrane. Ishte djal i Evans J. dhe Helena P. Liolin, dy nga miqtë dhe mbështetësit e Imzot Nolit.Kancelari i Katedrales së Shën Gjergjit, Atë Arthur Liolin, është vëlla i Kryepeshkopit Nikon.

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Gazeta e saj “DIELLI” i shprehin ngushëllimet më të thella Kancelarit të Katedrales Orthodokse “Shën Gjergji” në Boston dhe të gjithë besimtarëve Orthodoksë.

Kryepeshkopi NIKON u rrit dhe u edukua në një familje të kulturuar patriotike e dedikuar ndaj Atdheut të prindërve-Shqipërisë dhe Amerikës. Babai Evans J. kishte shërbyer si themelues i Fondit studentor  teologjik me 1947, ndërsa Nëna Helenë shërbeu si drejtuese e korit në Famullinë e kishës Orthodokse Shën Nikolla në Jamaica, New York, ndërkohë që vëllai John shërbeu në Këshillin e kishës  së Shën Gjergjit në Trumbull, Connectucut, vëllai tjetër Billi dha jetën për Amerikën, duke shërbyer në forcat e armatosura gjatë Luftës në Kore, ndërkohë që vëllai më vogël shërbeu në Kishën Shën Nikolla në NY.

Kryepeshkopi Nikon u mbrujt me idealet e lirisë dhe të përkushtimit dhe dha gjithcka për Kishën Orthodokse Shqiptare.Figura e Imzot Nolit ishte burim frymëzimi si për të gjithë familjen Liolin ashtu edhe për Nikon. Arqipeshkvi Nikon u diplomua në Seminarin Teologjik Orthodoks të Shën Vladimirit, Crestwood, New York në vitin 1966. Studimet e mëtejshme do t’i kryente në Kolegjin Iona dhe Concordia në New Rochelle. Kryepeshkopi u diplomua edhe për Kërkime Sociale dhe Shkencat Politike në New School, New York.

Kryepeshkopi ishte martuar me 1967 me vajzën që e deshi që në rininë e tij, Sarah Arthur, e cila drejtoi korin pas shugurimit të Nikon nga Peshkopi Stephan Lasko me 5 Korrik 1969. Sarah ndërroi jetë me 5 Korrik 2000 nga sëmundja e pashërushme e Kancerit. Funeralin e saj e kryesoi Mitropoliti Theodosius.

Gjatë shërbimit të tij 33 vjecar, Nikon shërbeu si rektor i dy famullive të kishave Orthodokse Shqiptare: Kisha Shën Nikolla, Southbridge, Massachusets dhe Kishën e Shën Thomas, Farmington Hills, Michigan.  Përvec shërbesës së tij baritore, Kryepeshkopi Nikon shërbeu si president i Këshillit të Kishave Orthodokse të Detroitit dhe Kapelan për Universitetin Shtetëror Wayne. Ai gjithashtu ishet shumë aktiv në media, duke u shfaqur shpesh herë në programe të drejtëpërdrejta televizive dhe radiofonike dhe shërbeu si redaktor i “The Vine”, gazeta e Arqipeshkvisë Shqiptare. Kryepeshkopi Nikon u shënjtërua Peshkop i Baltimorit dhe ndihmës i mitropolitit Teodosi në 24 dhe 25 Maj 2002. Ai u emërua si peshkop i Bostonit me 22 tetor 20013. Shërbeu si administrator i Dioqezës së New England-it dhe u zgjodh gjatë sezonit të Vjeshtës -tetor 2005.Ai nisi administrimin si peshkop i Bostonit, New England-it, Arqipeshkvia Shqiptare nga Mitropoliti Herman në Katedralen e Trinitetit të Shenjtë në Boston në 16 dhe 17  Dhjetor 2005. Peshkopi Nikon u ngjit në postin e Kryepeshkopit me 9 Maj 2012.(pergatiti: d.Greca)

Filed Under: Opinion Tagged With: Kryepeshkopi NIKON, nderroi jete

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)

August 31, 2019 by dgreca

Rubrika e Diellit: Këshilla Mjeksore

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)Shkruan: Dr. ZEKRI PALUSHI (MD)*/

Rast konkret:K.D, 59 vjeç, mashkull, vjen për një konsult, i shoqëruar nga gruja e tij. Që në pamje dukej se ishte në dhimbje të forta, prandaj menjëherë e shtrimë në krevatin e vizitës. Ai po ankonte për dhimbje të forta në pjesën e sipërme të barkut (epigastric), që po e shqetësonin gjatë 45 minutave të fundit, ato kishin fillue gjatë ngrënjes së mëngjezit dhe shpejt kishin progresu në një dhimbje të fortë e konstante por nuk ishte shpërndarë. Dhimbja ishte shoqëruar me ndjenja për të vjellur dhe bile njëherë kishte vjellur. Ai tregoj se kurrë më parë s’kishte pas dhimbje si kjo, por herë-pas-here vuante nga “indigestion” që qetsohej pas marrjes së një ilaçi anti-acid. Pacienti dhe gruja e tij shpjeguan që s’kishte pas ndonjë  problem të randësishëm mjeksorë në të shkuarën, dhe s’merrte ndonji mjekim. Kishte pi duhan më përpara por nuk pinte ma.

Gjatë ekzaminimit klinik, vura re se pacienti kishte një lëkurë të zbehtë, të  ftohtë e të djersitun në prekje dhe fliste duke ju marrë pak fryma. Pulsin e kishte të rregullt me 110 rrahje/minutë, dhe tensionin e kishte 125/80 mm Hg, zhurmat e zemrës qenë normale, po k’shtu the aparati i frymëmarrjes. Palpimi i barkut qe normal, pa shenja të një peritoniti, nuk pati ënjtje të kambëve, që flet për një lodhje të zemrës, megjithatë duke pas parasysh gjendjen e keqe të pacientit, dhe pasi klinikisht përjashtova një ulçer stomaku të plasun, apo një pankreatit acut, apo një kolike biliare,  instalova një linjë Intra-Venoze, ndërsa infermjerja po i bante një EKG.

 Duke u bazue në gjendjen aktuale, si dhe në interpertimin e EKG-s, pacienti kishte një bllokim akut të arteries coronare të djathtë, dhe si rezultat i këtij bllokimi,  kishte fillue një infarkti në murin e poshtëm (inferior) të myocardit, (muskuli i zemrës), në të gjithë trashsinë e tij,  (full-thickness).

Kështu pra i fillova një mjekim urgjent dhe thirra Ambulancën, duke e paralajmëruar për diagnozën e Infarktit Acute të Myocardit, po kështu telefonova Urgjencën e Spitalit për tu para-pregatitë për këtë gjendje serioze.

Në spital pacientit ju fillu urgjent THROMBOLITIC terapi  së bashku me mjekime të tjera, dhe një EKG e bame pas përfundimit të thrombolitikut, tregoj se gjakut  në zonën e infarktit kishte ri-fillue  qarkullimin, por mbas 10 minutash Alarmi i Monitorit Kardiak tregoj Tacicardi ventriculare ndërsa pacienti që pa koshiencë. Kështu pra u aplikue urgjent një Goditje Elektrike me 200-300 joules dhe ritmi I zemrës u normalizue.

Në mungesë të ndryshimeve të mëtejshme klinike e kardiografike, në ditën e 9të, pacientit ju ba një EXERCISE STRESS TEST, në kërkim të një evidence të mundëshme të një ishemie kardiake gjatë sforcimit fizik, që rrezultoj POZITIVE, si rrjedhojë, nevoja për një ANGIOGRAFI qe e domosdoshme, e cila në vetëvete tregoi një gradë të naltë stenoze të coronares së djathtë dhe bllokim të coronares së majtë në pjesën zbritëse, si dhe stenozë në coronaren circumflexe, pra ky pacient pati të sëmura 3 degë të coronareve (Triple Vessel Disease), për të cilën, ju desh t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjikale, për Triple Coronary Artery Bypass Grafting.

Operacioni qe shumë i suksesshëm, dhe duke pasë parasysh se pacienti s’pati rrisk-faktors (me përjashtim që kishte pi duhan në t’kalumen), nuk qe hypertensive apo diabetic, ju këshillu që të mbante nën kontroll YNDYRNAT në gjak (HYPERLIPDAEMIA), të cilat shtojnë shumë rriskun e zhvillimit ATHEROMES (plaka ateromatoze) në grafte që mund edhe ta bllokojnë.

  ***

Si përfundim:

AMI asht një shkak i zakonshëm i vdekjeve dhe shumica e të cilave vijnë prej fibrilacionit ventricular që janë të shpeshta gjatë një procesi  ishemik. Prandaj asht shumë e randësishme që njerëzit të kenë njohuri rreth shenjave të INFARKTIT.  I sëmuri, sa ma shpejt që t’jetë e mundur, duhet të jetë afër një defibrilatory, për të parandalu vdekjet e papritura. Pas kësaj, jo pak i randësishme asht reduktimi/paksimi i sipërfaqes së myokardit të damtuar si pasoj e paksimit të furrnizimit me oksigjen që ndodh nga bllokimi i arteries koronare. Kjo arrihet në dy rrugë:

 1-Shkrirja e trombit që ri-kthen rrjedhjen e qarkullimit të gjakut në arterien coronare.

Kjo rrugë arrihet nëpërmjet një prej ilaçeve fibrinolitike (shkrirëse të trombit) siç janë Streptokinaza, Tissue Plasminogen Activator (tPA) etj, që në të vëretë asht edhe mjekimi KRYESOR, që bahet në SPITAL; antiplatelet agents si Aspirina, Clopidogrel etj, dhe anti—thrombins si heparina.

Ndërsa coronary angioplasty (PTCA) përdoret për të ri-kthy mekanikisht rrjedhjën e qarkullimit të gjakut. Asht shumë e randësishme me ditë se sa më shpejt të ri-kthehet qarkullimi i gjakut aq ma mirë asht. Për çdo orë vonesë, efekti i mjekimit paksohet, ndërsa përqindja e vdekjeve shtohet.

 2-Paksimin e konsumimit të oksigjenit nga muskuli i zemrës (Myocardi).

Kjoarrihet duke paksue rrahjet e zemrës, Tensionin e gjakut (BP), dhe Presionin e Mbushjes së Zemrës, që arrihen nëpërmjet Beta bllokuesve, Glyceryl trinitrateve dhe ACE inhibitorve, por kjo asht një punë që doktori juaj e diskuton me ju gjatë konsultës, nëse do t’ju bjerë nevoja.

Këshilla për tu mbajt mend:

KURRË mos e neglizhoni një dhimbje të fortë e të zgjatur gjoksi që shpërndahet në qafë,nofull dhe krah, e që shoqërohet me djërsitje, ankth, vështërsi n’frymarrje, e dëshirë për të vjellë, që janë shenjat ma të shpeshta e të zakonshme për AMI, POR ama mos HARRONI se edhe vetëm një dhimbje nofulle, dhimbje në supin e djathtë,  apo vetëm dhimbje barku, (si rasti i pacjentit në diskutim, që kollaj mund të ngatrrohej me keqësimin e një ulçere stomaku), mund të vinë prej një INFARKTI në PROGRES. Po kështu, diabetikët mund të bajnë INFARKT PA DHIMBJE. Ndërsa  të vjetrit mund të bajnë infarct që paraqitet si një Edeme Pulmonare ACUTE, si një ARYTHMI, si një HYPOTENSION (tension i ulët gjaku), apo vetëm si KONFUSION.

Në raste të tilla, THIRRNI URGJENT AMBULANCËN dhe ndërkohë merrni MENJËHERË ASPIRIN 300mg, dhe po të keni CLOPIDOGREL 75mg,-merrni 8 tableta njëherësh (600mg), si dhe TRINITRINË/Nitroglycerine (tablet ose spry), nën gjuhë, çdo 5-10 minuta, (tek disa, mund t’japë dhimbje koke).

Shënim: Në numrin tjetër të gazetës DIELLI do të diskutojmë ‘Goditjen Ishiemike Kalimtare te Trurit’ (TIA)

Gold Coast, Australi, Gusht 2019

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Infarkti akut i zemres

ËNDRRA E STUDENTIT DHE STUDENTI I ËNDRRËS

August 30, 2019 by dgreca

Nga Atjon Zhiti/

PËRSËRI NJË SHOK I ATJONIT:/

Është viti i pestë që përkujtojmë datëlindjen e Atjonit me atë në Qiell. Sot ai do të mbushte 24 vjeç. 

Ëndërroi dhe u bë student i ëndrrës më të bukur, që atdheu të ishte gjithnjë e më i begatë, human dhe i qeshur, prandaj dhe shkoi të studiojë filozofi në Milano dhe u bë dha antar i Paralemntit Europian Rinor, që të sillte “Europë” në vendin e tij, por dhe që Europa të shikonin “Europë” tek ne, siç dhe shprehej.              E dëshpëronte aq shumë varfëria dhe korrupsion dhe padije dhe nisi të shkruajë, kritikonte duke sjellë shpresë.

Edhe pse fare i ri, Atoni na ka dhënë një libër-udhëzues, që na tregon nga ato që duam, nga ëndrra dhe si të veprojmë, si qytetarë, prandaj dhe titullohet “Për atë që dua(m)”, por kemi dhe një album të madh, “Opera Atjon”, plot me ngjyra fëminore të shpirtit të tij, harenë e moshës, diej, kaltërsi, një album dy gjuhësh, shqip dhe italisht, që ka patur jehonë dhe jashtë vendit.

Me emrin e Atjonit jepen dy çmime ndërkombëtare, një në kinematografi nga Festivali i Filmit “Giffoni” dhe tjetri në poezi nga “International Writers Association”.

Rruga në Tiranë poshtë shtëpisë së tij mban emrin “Rruga e Atjonit”. Ai vërtet krijoi një rrugë, të vogël e të çiltër, po aty janë hapat e tij drejt pafundësive.

Më pëlqen të eci shpesh andej…

Nga dashuria dhe nderimi i “studentit të përhershëm”,  shokut tonë Atjon V. Zhiti, por risjellim edhe këtë vit tre pjesë nga shkrimet e tij, që janë botuar dhe jashtë, aktuale për freskinë e mendimit dhe shqetësimet që mbartin. Janë zëri ynë…

ZOGU KRAHË-THYER I MENDIMIT

…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.                                                          Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.                                                                                       Po a jemi gati për atë që duam?                                                              

NË KËRKIM TË AGARTIT

Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi.                                          Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.

Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.

Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin…                                                                                       Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej:         Njeriun.
         Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon. 

EUTROFIZIMI POLITIK                                                                   

Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.                                                          Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet.        Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.                            Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja.                                                         Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.                                                Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.

Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant.                                                                                                   Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.                                                               Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.                                                                                                           Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.                                                                     Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”.                      Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.                                      Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.                                                                                                     A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?                                                       E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti-Endrra

KUR TE PRISHIM SHQIPERINE, KU DO VEMI?

August 28, 2019 by dgreca

 Shkruan: Sami Repishti */

Ridgefield, CT. –Njiqind e gjashtë vjet ma parë, poeti i madh At Gjergj Fishta, i shgënjyem thellë nga grindjet dhe mosmarrëveshjet në mes shqiptarëve, theu betimin e marrun, e shkroi këto rreshta:

     1913 -“ O Perendi! A ndjeve?/ Trathëtarët na lanë pa atdhe/E Ti gjuen me rrfe, lisat/ Nepër male kot!” (Drama “Juda Makabe”, 1920) Nji blasfemi për fratin françeskan: me qortue aktin hyjnor! Dëshprimi i thellë të sjellë në këte formë zemrimi të pa kontrolluem.

     Titulli i këtij shkrimi më erdhi në mendje nga leximi i nji artikulli të botuem në gazetën Dielli organ i VATRES, me 24 korrik 2019. Teksti i plotë ashtë:

    1922 –  “Dialog në mes të “dy ekselencave” burra shteti:

  • -Kur të prishim Shqipërinë, ku do vemi?

-Do vemi atje ku kemi venë paratë në bankë!

  • -Po pse të mos hyjmë në sherbim të atyre që u a shitëm Shqipërinë?
  • -S’do na qasin!…..se trathëtarët, as armiku nuk u zë besë…!”
  •  (Faik Konica. Dielli, 17 qershor 1922)

  2019- Nga Franca, nji intelektuale e mirëfilltë shkruen:

            “ ….Urrejtjen ma mësoi Edi Rama, ma mësoi Erion Veliaj, ma mësoi numri i deputetëve që ndoqën si bagëti posaqitë e tyre. Kjo urrejtje e mbjellë është gjëja më e pafalëshme që kanë arritur ata me taktikën e ndyer të përçarjes dhe të sundimit…. Nga disa rrethana, burime, njerëz dhe fakte, e dija prej shumë kohësh rrezikun që përfaqsonte ai. Por, ai i kaloj të gjitha limitet e shgënjimit…” (Cecilia Plasari. Panorama, 28.VII.2019). Përçarje për sundim: smundja shekullore e shqiptarëve!

  2019 gusht -“…. Ashtu si e shoh unë luftën në Tiranë ajo nuk është mes partive të Oligarkisë, se ata mirren vesh e bëjnë rotacion. Pavarësisht se çka u papagallojnë militantëve poshtë ata kanë një marrëveshje me njeri tjetrin, por nuk ia kanë besën të huajve….. Me sa kam dëgjuar unë, Luli (Basha) bëhet kryministër, e dikush i Edit (Ramës) zëvendës-kryministër, kurse Meta merr pjesën e vet deri në zgjedhjet e ardhme….Atyre tashmë nuk u hynë në punë demokracia, por vetëm për retorikë. Thelbi është kontrolli i Shtetit, dhe atij të ashtuquajturit ‘shtet’ që kemi sot në Tiranë. Sepse prej tij rrjedhin shumë gjëra..” (Letër nga nji koleg universitar).

    “ A mund të ketë skandal më të madh politik për një vend se shantazhi nga Qeveria ndaj Presidentit të vendit dhe krytarit të opozitës?” pyeste nji analist. “Vetëm në Shqipëri ngjasin të tilla skandale, sepse”, vazhdon ai: “…Shqipëria ka arritur ditën kur mund të prodhohen skandale, të kryhen krime, të zbulohen maskerada, të ngrihen akuza apo të bahen sulme aq të mëdha, aq të pamendueshme, dhe aq të shumëta….” Flitet për mesazhin e KM Rama dergue Presidentit Meta me kërcënim të largimit nga detyra, asgjësimit të LSI-së, dhe eliminimin politik të krytarit të opozitës, L.Basha. Nji pohim ma i fortë i përgatitjes për marrje të pushtetit me dhunë, ashtë e vështirë të gjindet!

    Në përgjigje të thirrjeve të hapuna socialiste me marrë me dhunë pushetin vendor të Bashkisë së Shkodrës, deputeti i PD-së për qytetin, Prof. Romeo Gurakuqi tha: “(deklaroj)…para së gjithash, nisur nga interesat themelore të ruejtjes së paqës sociale në Shkodër, dhe nga nevoja imediate e shmangjes se çdo përplasje artificiale, që mund të provokojë ambicia politike, e pa arsyeshme”. (Theksi i im.SR) Kjo sentencë magjistrale e nji mendje të ndritun, kjo pjekuni politike shkodrane nga nji emën që frymëzon shpresë për të ardhmen, i referohet nevojës për “…marrjen parasyshë në vlerësimin e pozicionit karshi publikut, dhe institucionit më të lartë të qeverisjes krahinore, para çdo deklarimi ose veprimi të mëtejshëm politik“ (Panorama, (14.VII.’19)

   Demokracia në Shqipëri ashtë në krizë serioze! Shqipëria ka nevojë për gjak të ri!

   Nji zhvillim i këtill rrezikon kthimin në autoritarizëm si hapi i parë, dhe ngritjen në piedestalin e diktaturës pa pengesë si objektiv kryesor. Hannah Arendt e përcakton këte fazë:” Në se çdonjeni drejtues ju gënjen rregullisht, rezultati i gënjeshtrës nuk ashtë se ju besoni gënjeshtrat, por ka mundësi që çdonjeni të mos besojë fare në të ardhmen….Dhe nji popull që nuk beson fare nuk mund të arrij në përfundime të arsyeshme. Ata janë të denuem me pa-aftësinë për veprim, me pa-aftësinë me mendue e gjykue. Dhe me nji popullsi të këtill, demagogët kanë mundësi me veprue simbas dëshirës së tyne”. E ngjashme me Shqipërinë në vitin 2019, fatkeqsisht!

    Sot, në Shqipëri, jemi dëshmitar të nji kapitulli shumë të errët të historisë sonë kombëtare: ngjarje të rrezikshme që zhvillohen pa drejtim, pa kuptim, në detin e gjanë të marrëdhanjeve ndërkombëtare. Sot, jemi dëshmitarë të nji ekzekutivi që dominon pa sensin e përgjegjsisë politike e morale, pa frikën e llogari-dhanjes, jetën e nji vendi pa Parlament, pa Gjykatën e Naltë dhe pa Kushtetuese. “Shtet” pa kurriz!

    Sot jemi dëshmitarë të nji skenari ku qytetarët janë viktima të përbuzëjes dhe shfrytëzimit nga klasa neo-komuniste që synon marrjen absolute të pushtetit dhe që ka mundësi të fitojë në se shumica dërmuese që nuk aprovon, ruen heshtjen. Po ndertohet nji shoqëni e nji shtet që përjashton dëshmorët dhe aktivistët e lëvizjes demokratike dyzetë-e-pesë vjeçare anti-komuniste….. Nji paradoks shqiptar! Kjo ashtë fatkeqsi e jona kombëtare! Më kujtohet thanja e euro-deputetes austriake Doris Pack: “Nuk ka gja që vjen nga Shqipëria e që më çuditë!”

    Me u çuditë, jo! Me u tronditë, po! Shprehje amerikane që vlen sot për Shqipërinë!

    Tronditemi kur lexohet në shtypin e vendit tonë komenti “…mund të thuhet se KM (Rama) që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm, pse shteti zhbëhet, ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këte e dinin dhe kishin mundësi ta thonin, por shkaku i interesit personal ata heshtën, dhe popullit kurr nuk i treguen se burrështetasit e tij hajdutë bërtisnin: “kapeni hajdutin”, dhe se jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm mbushin burgjet”. Po ky shkrimtar na ka dhanë sentencën klasike:”Nuk ndërtohet Parrizi me muratorët e Ferrit! “ (Kim Mehmeti)   Nji koleg i tij gazetar shkruente: “Shqipëria ka sot nji ndërgjegje të deformuar, nga lufta e paskrupullt që bëhet për para e për pushtet!”

    Shqipëria ka nevojë për nji transfuzion gjaku të ri!

    Në nji atmosferë politike të ndershme dhe efektive njikohësisht, duhen kritikue thanjet e veprat e nji ”udhëheqsi” në nji dialog të hapët dhe të lirë. Ashtë pjesë e procesit demokratik. Por, nuk ashtë as e drejtë, as efektive, metoda që synon poshtënimin e “udhëheqjes” me akuza personale. Ky aspekt nuk ashtë detyra e atyne që mbrojnë shtetin dhe zbatimin e ligjit, nuk ashtë prerogativë e kundërshtarëve të ndershëm, detyra e të cilëve ashtë me zbulue, demaskue dhe gjykue gabimet e “udhëheqjes” politike.

    Përndryshe do të përfundojmë në nji situatë ku konflikti do të bahet nga të dy palët anmiqsore të njena tjetrës mbi baza individuale, dhe do të anashkalohet thelbi i kritikës konstruktive kundër nji situate të pa dëshirueshme. Vemendja e publikut do të çvendoset nga subjekti kryesor, dhe rezultati do të jetë nji përplasje e damëshme, rreziqe e jo rezultate. Shkatërrimi i ”shtetit” nuk ashtë katastrofë partiake, por kombëtare, dhe duhet evitue me çdo kusht! Ky ashtë rezultati i atmosferës helmuese të diskursit politik sot në vendin tonë: shamje, përsëri shamje me shprehjet ma vulgare pa u skuqë fare….e asgja të re!  

   Rrezikojmë të ballafaqohemi me nji shtet të ri neo-komunist, që ashtu si i maparëshmi, si rregjimet fashiste e naziste, që do të shkaktojë dame të pareparueshme për të drejtat e qytetarëve, me që gjatë gjithë ekzistencës tij ky “shtet” do të kishte kontrollin e plotë mbi shoqëninë shqiptare, me persekutime dhe represion të motivueme politikisht, si dhe do të shkelë detyrimet e marruna ndërkombëtare. Ashtu si prindët e tyne komunistë, sot mbasardhësit neo-komunistë kanë nji ngjashmëni të përbashkët në nji pikë: kanë tiparin e përbashkët në qendrimin e tyne, janë të mbruem me frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës së gatueme në kuzhinën komuniste, jep shije gjithë aksionit, mendimit dhe fjalës tyne.

    Gazeta liberale gjermane Der Tagespiele, e datës 20 korrik, shkruente:” se protestat e opozitës në Shqipëri janë shprehja e reagimit popullor kundër pushtetarëve abusivë dhe të korruptuem. Ajo apelon që elitat në Europën Perëndimore të kapërcejnë padituninë e tyne arrogante dhe të bashkohen me ata që ngrihen kundër abuzimit me pushtetin…”

    Ky abuzim u konfirmue edhe me deklaratën e Z. Luigi Forseca, ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri. Simbas Euronews, shkruen gazeta Illyria e New Yorkut, me 22 korrik 2019, “….tashma ashtë e qartë se ne kemi ndjekë votimet për së afërmi; ajo që na shqetëson ashtë fakti se elektoratit shqiptar i ashtë mohue e drejta e nji alternative të randësishme. Dhe kjo ashtë arsyeja që reforma elektorale ashtë sot ma me randësi se asnji herë ma parë”.

    Flitet per mohimin e votimeve të lira dhe të ndershme për shumicën e popullsisë!

    Sot, dialogu politik i qytetnuem ashtë nxjerrë jashtë binarit, dhe dyluftimi politik ashtë i ashpër e pa doreza…..që paralajmëron vetëm nji katastrofë politike në se nji zgjidhje e arsyeshme për të gjithë nuk gjindet ”tashti dhe këtu”. Deklarata e zyrtarit amerikan të Departmentit të Shtetit , Ambasador Phillip Reeker, hapë nji dritore në këte drejtim:

   “…. SHBA nuk do të bahen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe, në se institucionet nuk bëjnë punën e tyne, atëherë punoni që të ndryshoni ato, nepërmjet mjeteve kushtetuese që keni.”(Theksi im.SR) Ky koment u ba në forumin e organizuem nga Këshili i Atlantikut,  Vashington,D.C. me 18 korrik 2019.

     Mjetet kushtetuese nuk ekzistojnë! Kështu “problemi” shqiptar komplikohet edhe ma shumë sepse, “….sot, tre vjet mbas miratimit të reformës për drejtësi (22.VII.2016), Gjykata Kushtetuese ka vetëm nji anëtare së cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarë të mjaftueshëm për vendime. Vetting-u ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në sistemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqëtarë e prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.” (VoA 20.VII.2019)

    Fletorja prestigjoze The Economist e përcaktoi: “Shqipëria ashtë në kaos!”

    Mbetet shpresa se riformimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi largimin e Partisë Demokrate nga Parlamenti, vendimin e Presidentit Meta mbi datën e re të votimeve, 13 tetor 2019, dhe elementë të tjerë që përbajnë krizen e randë politike në Shqipëri.

    Por kush siguron korrektesën e nji veprimi të këtill me randësi kapitale në nji shtet sot nji-partiak? Qeveria e “shtetit” nji-partiak? Unë dyshoj!

* * *

    Para nji situate të këtill kaotike, dhe nji dispozicioni mendor që kërkon sigurim, vendosa të kërkoi mendimin e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, The Honorable Yuri Kim, dhe të shprehë shqetësimet e mia si qytetar amerikan për vendlindjen time që dua kaq shumë, Shqipërinë. Ma poshtë janë pjesë të Letrës datë 31 korrik 2019:                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           

 “ The Honorable

 Ambasador Yuri Kim

pranë Departmentit të Shtetit

Washington,D.C.

    Shumë e nderuemja Ambasador Kim:

    ……Situata e sotme në Shqipëri tregon se nji veprimtari politike ‘normale’ nuk ashtë e mundun, për arsye të nji mentaliteti komunist të maskuem, dhe për arsye të nji qendrimi kambëngulës me marrë pushtetin absolut, mundësisht tue ndertue nji sistem politik nji-partiak. Në qershorin e kaluem, në nji intervistë me “Zërin e Amerikës” quejta zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ‘artificiale’, sepse në fakt nuk kishte nji problem të randësishëm me pengue ‘zgjedhje’ të përgjithëshme, të lira dhe të ndershme….. Për mendimin tim, ajo ashtë rezultat i nji ballafaqimi ndërpartiak të vazhdueshëm në luftë me fitue e me sundue. Simbas nji filozofie politike në Shqipëri, ‘pushtet’ don të thotë ‘pushtet absolut’, asgja ma pak….Zgjedhjet u gjykuen ‘të vjedhuna’. Vendi përfundoi me nji Parlament në sherbim të Ekzekutivit, dhe të nji sistemi gjyqsor thellësisht të korruptuem….Nji nga të metat politike që vrejmë në Shqipëri ashtë moskokëçarja për këshillimet që vijnë nga  qeveri dhe miq të jashtëm. Ashtë nji meturinë e propagandës së kaluemes komuniste, dhe ashtë e damshme….Unë mendoj se sugjerimi i Departmentit të Shtetit të mbahen zgjedhjet pavarësisht nga manipulimet e Ekzekutivit nuk ka qenë ma i preferuemi, dhe propozimi i Presidentit I. Meta me shtye zgjedhjet deri me 13 tetor 2019 me qellim që të shfrytëzohet kjo periudhë kohe për negociata në nji atmosferë ma të mirë, ka qenë logjik..…

    Gjykimi i Ambasadores franceze, Mme Vasak “ …duhet ta dini se ky popull, qytetarët e këtij vendi, meritojnë nji zgjidhje të arsyeshme” ashtë i mirëpritun. Përballë rrezikut të nji sistemi nji-partiak, Shqipëria ka nevojën ekzistenciale me pasë nji parti politike të dytë me qellim të pengojë vendosjen formale të nji sistemi politik nji-partiak…..

     Me shumë randësi ashtë humbja e shpresës në popullsinë për nji të ardhme ma të mirë. Sot, jemi dëshmitarë të nji kapitulli të errët në historinë e vendit tonë, me evenimentë të rrezikshëm e të pakontrollueshëm në nji vend që dominohet nga Ekzekutivi i cili nuk njeh as rregullat politike as përgjegjsinë morale. Sot jemi dëshmitarë të dominimit të vendit nga elementë neo-komunistë që luftojnë me mbajtë pushtetin absolut, ndërsa shumica e madhe e popullsisë ka heshtë….!

……Ambasadori Phillip Reeker, nd/Sekretari i Shtetit, deklaroi (në Atlantic Council, Vashington,D.C.) se ’… Shtetet e Bashkueme do të vazhdojnë me inkurajue të gjitha palët me bashkëpunue me institucionet shtetnore ….. Në se këto institucione nuk kanë sukses në funksionet e tyne, na rekomandojmë me ba përpjekje dhe me i ndryshue me mjetet konstitucionale që Shqipëria ka….’ (Theksi i im SR.)

     Ky ashtë nji sugjerim konkret dhe qellim-mirë; por ku janë këto ‘institucione shtetnore’? Prandej nevoja për ‘institucione të besueshme shtetnore’ ashtë e nji randësie primare. Më lejoni të paraqes sugjerimet që vijojnë:

  1. Formimi i nji qeverie të përkohëshme dhe teknike, me qellim :
  2. Me përpunue nji reformë të re elektorale, dhe votime të përgjithëshme, të lira, të ndershme mbrenda 6 muejsh;
  3. Parlamenti i ri të përmbaj të gjithë spektrin politik të vendit, si dhe të formojë, në mënyrë të preferueme, nji Qeveri koalicioni për përgatitje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbikqyrja ndërkombëtare ashtë e domosdoshme.

Ambasador Kim:

   Këto janë disa nga kandveshtrimet e mia për vendlindjen time, Shqipërinë sot! Shqipëria ju pret mbas nji mungese të gjatë ambasadoriale. Pa dyshim, ju do të jeni e mirëpritun, e nderueme, e respektueme, dhe e ndigjueme prej tyne. Shqipëria, për të gjitha arsyet ashtë sot vendi ma pro-Amerikan në Europë. Me këte Letër, sot, unë dëshiroj me shprehë konfidencën time të plotë në profesionalizmin tuej dhe në eksperiencën e gjatë diplomatike tuejën. Kam çdo arsye me besue se me përpjekjet e jueja do të dilni me sukses në gjetjen e nji zgjidhje të arsyeshme për problemet e vetëkrijueme në Shqipëri.

    Miljona sy janë drejtue sot kah ju, në këte moment që filloni misionin tuej diplomatik në Shqipëri. Na, të gjithë, do të lutemi për suksesin tuej

Me nderime,

Sami Repishti, Ph.D.

——————————————————-

* Autori ashtë pedagog në pension; ish-i burgosun politik (1946-56) dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami Repishti-Kur te Prishim Shqiperine

Bastardët

August 27, 2019 by dgreca


Bastardët Nga Alfons GRISHAJ/

Të gjitha kombet janë të dashuruar me vetveten, një lidhje ku  promovojnë vlerat me anë të një propagande të detajuar. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për të injektuar korpet që të   predominojnë mbi kulturat e ngjashme, duke u përpjekur dhe  shtruar  terrenin e transformimit dhe asimilimit. Ne, shqiptarët jemi prapa shumë me promovimin e kulturës dhe vlerave të traditave që kemi. Mbase kjo dhe prej pushtimeve të njëpasnjëshme. Por, mos të harrojmë se, ne nuk kemi qenë  i vetmi komb i pushtuar, siç e dëshmon më së miri edhe historia e vendeve fqinje.   

Është e trishtueshme dhe e papranueshme kur ne, promovojmë anti-vlerat e kombeve tjera, duke kaluar çdo cak logjik, deri aty sa ta quajmë  dhe ish-pushtuesim: “Vëlla!” Dhe, pa pikën e turpit identifikohemi me rracën e tyre barbare, e cila hyri në histori dymijë vjet pas nesh. Kjo nuk ndodh me asnjë komb në rruzull, vetëm me ca hajvanë tanë, të cilët nuk luftojnë për historinë e identitetin kombëtar, as për tokën e gjakun e të parëve, por për nostalgjinë e drapër-çekanëve, këmishëzinjëve, feseve të vdekuara të një perandorie pa nder dhe lavdi që u përhap me dhunë dhe gjak,  përdhunime, pengje e tradhëti.

Fatkeqësisht, ky është prelud i dhimbshëm i një psikologjie inferiore me gjak të përzier, që nuk lejon asnjëherë me qenë  vetvetja, por gjithnjë peng  i një jehone të turpshme.

Shumë miq të mi, personalitete të letrave, të artit, ushtrisë, mësimdhënies etj., janë shqetësuar me të drejtë për veprimet zvarranike të qeveritarëve “tanë”, të cilët ngritën një memorial fantazëm për shpirtërat e viktimizuara nga arroganca  e sulltanatit dhe sakrifica e dështuar e ndryshimit. Shqiptarët marshuan me flamujt e ish-pushtuesit për t’i bërë qejfin viktimëbërësit! Sikur të ishin turq, do ishte në nderin e tyre, të thonin: “Rroftë Çezari!”, apo “Poshtë Çezari!” Po çfarë është ky çnderim i inteligjencës dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare?! Po sikur në Tiranë të marshonin svastikat e Hitlerit, sopatat e Musolinit, apo flamujt e Brankoviçit apo Knjaz Nikollës, çfarë do bëhej? Ku është ndryshimi i këtyre të fundit me të parin? Pushtuesit kanë një brutta figura, një uri, një përbuzje, një psikologji. Miklimi anadollak ka qenë dhe më parë. Respektimi haraçpaguesit nuk ishte asgjë tjetër vetëm strategjia e nënshtrimit të butë. Shqiptarët u syrgjynosën, u vranë, dogjën e plakçitën, përdhunuan… në pesë shekuj pushtim, dhe megjithëse u munduan për t’i bërë simbiozë  shpirtërore, ata  nuk ua dhanë kurrë  shansin e turpit. Tradhëtarë, spiunë dhe vegla ka patur sigurisht, por në një situatë pushtimi veprojnë të gjithë mekanizmat e përçarjes dhe asimilimit etnik. Historia jonë ua ka skicuar portretin gjithë atyre që kanë shërbyer si vegla të pushtuesve, dhe ata janë sot në perceptimin e përgjithshëm figurat më të urryera. Prandaj  edhe sot është po aq e urrejtshme, në mos më shumë, për shkak se gjendemi në paqe, gjithë kjo përulësi e neveritshme me parada flamujsh para një zvarraniku të izoluar!

Propaganda e vëllazërisë shpirtërore të shtirë ngjason me çorbën e helmuar titiste të “bashkim-vëllazërimit” që më vonë u kthye  në lum gjaku!

Le t’a ilustrojmë subjektin e këtij shkrimi me fakte nga gjeopolitika ku mbretëroi sulltanati dhe mbretëron sulltan-salltaneti i ri. Kombet arabe, të të njëjtit besim, e kanë halë në sy Turqinë, pikërisht prej të kaluarës së dhimbshme dhe simptomave të sotme diktatoriale. Diskriminimi etnik dhe kamzhiku i sulltanatëve nuk është fshirë ende nga kujtesa e tyre. Ashtu si në kujtesën e patriotëve, historianëve, inteligjencës aktive shqiptare nuk është harruar ende karakterizimi denigrues: “Arrnaut!”, dhe sidomos  deklarimi i tmerrshëm: “Ua vrasim burrat dhe ua përdhunojmë gratë!”

Unë nuk mund t’i bëj me faj udhëheqësit e rinj, por mendësia e vjetër zhvesh petkun e udhëheqësve të rinj duke vërtetuar vazhdimësinë dinake, e cila përfundimisht vret shpresën e bashkëpunimit reciprok. Asnjë diktator nuk lë hapësirën e një vaske për t’u larë, por dhe nëse po, nderja është e hekurt!

Mendoj se qytetarët shqiptarë me ADN të pastër, duhet të hapin librat që kanë shkruar vetë turqit per ne… që të shohin “dashurinë turke” për arrnautllëkun. Pas kësaj (ai që ka gjak shqiptari),  nuk do të ketë më nostalgji për gënjeshtrën e Bosforit.

Kam respekt për popullin turk dhe Mustafa Kemal Ata’turkun, Ata’n e Turqisë moderne (që ishte dhe gjysmë shqiptar), por jo për  patronatin fallso që shtrëngon dhëmbët në shekullin e Shqiptarëve, ashtu siç ndodhi në Dardani, kur u arrestuan kundërshtarët e pushtetmbajtësit bash në zemër të Prishtinës.

Le të harrojmë për një moment lajthitjen zvarranike të servilizmit  skllavërues që mbretëron tek një pjesë decivilizuese e shoqërisë tonë. Le të harrojmë për një sekond çfarë shkrova më lart (të cilat janë të vërteta si drita e diellit), e t’i qasemi sadopak filozofisë politike të mosndërhyrjes në punën e tjerëve… Po sikur nesër… në Turqi të vijnë në pushtet kundërshtarët e Erdoganit, ku do e çojnë atë palo pllakatë? Apo, do e çdaltojnë dhe do e zumparojnë për ta përdorur si palimpsest?! Pra, dhe politikisht një lajthitje ordinere me mendësi socialiste. Socialistët mendojnë se demokracia është më e prekshme duke lidhur aleanca strategjike me nivele të ngjashme ose me superioritet të lehtë se sa me filozofinë “konfliktuale” kapitaliste, e cila e ngriti botën në 100 vjet në një nivel astronomik.

Prof John Parick Diggins Says: The Socialist simply cannot face the fact that there is no conflict between democracy and capitalism…(Politics and Vision. P, 525) .

Gjithnjë, socialistët kanë dëshirë që popullin ta ushqejnë me iluzione sociale dhe tryezën t’ia mbushin me  pjata komuniste. Ata  për vete e adhurojnë kapitalizmin, duke investuar në perëndim paratë e plaçkitjes së shtetit. Aleanca e sotme midis pashallëkut dhe pisllëkut ka dhe motivin  e fshehtë: Fshehja e  kokës në Turqi, kur në Shqipëri të mbretërojë drejtësia dhe ligji. Unë mendoj se,  sarajet e sulltanit të ri nuk do të jenë të mjaftueshme për të fshehur neoballabanistët!

Sa për kujtesë: Mustafa Kemali, nuk e pranoi asnjëherë Ahmet Zogun për Mbret?! Sepse Ata’turku  kishte luftuar pikërisht kundër sulltanatit anakronik, duke u përpjekur ta reformonte emrin e keq të Turqisë deri aty sa, dhe gërmat e gjuhës turke i ktheu në latinisht që t’i tregonte botës së qytetëruar se, Turqia i përkiste Europës dhe jo të kaluarës barbare. E pra, Mustafa Kemali punonte për t’u njësuar në familjen europiane, kurse bastardët “tanë”, bash  në shekullin XXI… kërkojnë të shkojnë prapa në esfel!

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Bastardët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • 377
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT