• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënë Tereza: “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”

August 25, 2019 by dgreca

Me rastin e 26 Gushtit,ditëlindjes së Shën Nënë Terezes/

Nga Frank Shkreli*/

Shën Nëna Tereze ose siç e njeh e mbarë bota, thjesht si Nënë Tereza ka lindur, më 26 gusht 1910. Po e kujtoj këtë datë me një shënim për një libër, që më dërgoi para disa ditësh Don Lush Gjergji, autor i shumë librave dhe artikujve mbi Nënë Terezen, të cilën ai e ka njohur, siç thotë edhe vetë, qysh prej vitit 1969. Librin, që më erdhi me postë elektronike, autori Don Lush Gjergji e ka përgatitur për botim me rastin e 40-vjetorit të Çmimit “Nobel për Paqe”, dhënë Nënë Terezes, më 10 dhjetor 1979. Don Lush Gjergji, pranon se megjithëse gjatë viteve kur ishte gjallë Nënë Tereza, ai ka kaluar aq shume kohë me të duke përcjellë pothuaj çdo aktivitet të Nën Terezës, anë e mbanë botës, dhe ndonëse me të drejtë konsiderohet si eksperti numër një i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezes – madje shumë e cilësojnë edhe si biografi zyrtar i kësaj bije të Kombit shqiptar – ai shprehet se nuk është as ai vetë i sigurt, nëse e njeh mirë Nënë Terezen. “Madje edhe pas gjithë këtyre vjetësh, unë nuk jam i sigurt se e njoh mirë, se e kuptoj dhe mbi të gjitha se mund të jem në gjendje t’ua përcjell atë të tjerëve me shkrime dhe me dëshmi”. Por ama, për një gjë jemi të sigurt të gjithë: Në një intervistë në Oslo të Norvegjisë, në vitin 1979, Nënë Tereza është shprehur qartë se kush është ajo: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës.”

Don Lush Gjergji ka shkruar shumë për jetën e Nënë Terezes, ndërkohë që disa prej këtyre veprave janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja, por librin e fundit kushtuar Nënë Terezes, me titull të titulluar: “E kam në Zemër popullin tem Shqiptar – Bisedime me Shën Nënën Tereze” – ia paraqet lexuesit me shpresën që – duke u mbështetur në përmbajtjen e librit që pasqyron fjalët dhe deklaratat e Nënës Tereze, përfshirë intervistat – vetë lexuesi mund ta kuptojë më mirë Nënë Terezen, jetën dhe veprimtarinë e saj si shërbëtore e botës, por edhe si shqiptare.

Në veprën e tij më të fundit për Nënë Terezen, Don Lush Gjergji sjell për lexuesin intervista ekskluzive me Nënë Terezen, në vende dhe rrethana të ndryshme, përfshirë edhe vizitat e saj në Kosovë dhe në Evropë. Aty mund të gjejmë edhe fotografi të rralla të Nënë Terezes e të lexojmë intervista, fjalime dhe porosi të saj ku pasqyrohen, “vizione largpamëse dhe profetike që përbëjnë një lloj testamenti shpirtëror për të gjithë ne”, shprehet autori në parathënien e librit. Në një prej këtyre intervistave të vitit 1978, botuar në këtë libër, Nënë Tereza shpreh, “dëshirën e saj për t’u kthyer te populli im shqiptar”. E pyetur se si ndihej në vendlindjen e saj, në Shkup pas aq shumë vitesh mungesë, Nënë Tereza me mallëngjim dhe dëshpërim përgjigjet: “Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën dhe nënën time Drane, që tani jeton me motrën time Age në Tiranë si dhe vëllain tim Lazrin, i cili jeton në Palermo. Jam takuar shpesh me vëllain tim, ose në Romë, ose në Palermo, nga që atje kemi një shtëpi për të moshuarit dhe për të varfrit. Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga viti 1928, që nga nisja ime për në misione në Zagreb…”. Intervistuesi dhe autori i librit, të lartpërmendur, “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”, Don Lush Gjergji shënon në librin tij reagimin e Nën Terezes kur fliste për familjen e saj të ngushtë. Duke folur për familjen e vet, “fytyra e saj u bë hijerëndë madje edhe paksa e pikëlluar nga që siç më tha ajo, ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri, për të vizituar nënën dhe motrën, por më kot!”. E pyetur gjatë një interviste në vitin 1979 nga Lush Gjergji mbi gjendjen në Shqipëri, Nënë Tereza pranon se nuk dinte shumë për Shqipërinë. “Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë, në të vërtetë, po ndodh atje. Nganjëherë kam marrë ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë. Ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar me mua dhe me vëllain tim, Lazrin. Atë që unë mund të thosha është, se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: Nëse duan të jetojnë në paqe, ata duhet të ta duan njëri tjetrin…” Dihet se regjimi i Enver Hoxhës nuk e lejoi Nënë Terezen të vizitonte nënën e motrën në Tiranë. Pasi ato kishin vdekur, siç dihet Nënë Tereza u lejua, më në fund, të vizitonte Shqipërinë, në vitin 1989.

E pyetur nga Don Lush Gjergji gjatë një interviste në Budapest të Hungarisë në vitin 1989, nëse ajo kishte ndonjë mesazh për popullin tonë shqiptar, i cili po kalonte çaste të rënda në atë kohë, Nënë Tereza i përgjigjet duke u shprehur: “Po, unë gjithmonë bart në zemrën time popullin tim shqiptar dhe i lutem Zotit për paqe dhe prosperitet, për një të ardhme më të mirë për të. Lutem që lutja t’ju bashkojë me Zotin dhe me njëri tjetri, me tërë botën.”, është shprehur ajo.

Libri prej 100 faqesh sjellë edhe disa mesazhe të Nënë Terezës shkruar shqip me dorën e vet, si më poshtë, në të cilat ajo shpreh jo vetëm krenarinë për identitetin e saj, por edhe dashurinë e vet për shqiptarët, për Kosovën dhe për Shqipërinë, dhe sidomos për qytetin e saj të lindjes Shkupin shqiptar, në të cilin shprehet se do të dëshironte të kthehej: “Kjo ka qenë dëshira ime gjithmonë, për t’u kthyer tek populli im shqiptar, në qytetin tim të lindjes, në Ipeshkvinë tonë Shkup-Prizren, në mesin e popullit tim dhe të motrave të mia”, ka deklaruar Nënë Tereza në një intervistë ekskluzive me Don Lush Gjergjin, në vitin 1978. Ajo kishte mirëpritur edhe lëvizjet në atë kohë për pajtim të gjaqeve, gjë që le të kuptohet se ajo e ndiqte deri diku edhe situatën në atdheun e të parëve të saj. “Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar”, ka thënë ajo në një mesazh drejtuar ish-ipeshkvit të Kosovës, Mons. Nikë Prela, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së tij që ajo të vizitonte Kosovën, gjë që ajo pranoi të vinte në Kosovë. Dhe nga një tjetër shkresë mësojmë se Nënë Tereza nuk e kishte harruar Kombin e vet – dhe kurrë nuk e kishte mohuar identitetin e saj dhe origjinën e saj si shqiptare, siç pretendonin atëherë dhe siç e akuzojnë edhe sot disa kritikë të saj, fatkeqësisht edhe shqiptarë e quajnë veten, por dhe të huaj, të indoktrinuar nga ideologjia komuniste anti-fetare dhe anti-shqiptare. “Gjithmonë, shpirtënisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tem Shqiptar” “Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas librit, të posa botuar të Don Lush Gjergjit.

Në këtë ditëlindje të Nënë Terezës, uroj që ajo të jetë me ne sot dhe të lutet për ne, sidomos në këto kohë të vështira për shqiptarët. Autori Don Lush Gjergji shkruan se është në rregull admirimi dhe nderimi për Nënë Terezen. Por ai bënë gjithashtu thirrje që, “Nga mendja e saj e ndritur dhe ngritur, nga zemra e saj e madhe—shprehje feje dhe dashurie për Zotin dhe për Njeriun vëlla e motër – fara që ajo e mbolli në mendjet dhe zemrat tona — ta mbajmë të gjallë jetën dhe veprën e saj mahnitëse për mbarë njerëzimin, si kujtim dhe frymëzim në vazhdimësi…Të mos ndalemi vetëm në nderim dhe admirim (të saj) por të kalojmë në imitim dhe dëshmi duke ushqyer përditshmërinë tonë me vlera dhe virtyte”. Sidomos, do të porosiste Nënë Tereza, të jetojmë në dashuri dhe pajtim vëllazëror me njëri tjetrin, në këtë kohë të vështirë mospajtimesh dhe konfliktesh aktuale politike në radhët e shqiptarëve. Në qoftë se thirrja e Nënë Terezes për dashuri me njëri tjetrin mund të duket tepër idealiste dhe jo reale për mëkatarët e kësaj bote, atëherë të pakën të mësojmë diçka nga jeta dhe veprimtaria e saj për tolerancë dhe bashkëjetesë me njëri tjetrin, pa dallim, si bijë dhe bija të një kombi e të një gjuhe—një kërkesë kjo minimale për një shoqëri të përparuar të shekullit XXI, që e quan veten demokraci.

Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Ditelindja-Nene Tereza

VENDKALIMET E REJA NË FAVOR TË INTEGRIMIT TË ZONËS KUFITARE

August 22, 2019 by dgreca

Diskursi sociopolitik/

Në rrëthana të reja shoqërore zonat kufitare duhet të kenë një tretman tjetër, përmes hapjes së vendkalimeve të reja jo vetëm zyrtare por edhe atyre jozyrtare, që do të ishte në favor të popullsisë vendore, ku kërkesën nga komuna e Plavës për rihapjën e vendkalimit  kufitar në Çakorr, e vlerësojmë pozitive dhe në favor të  qytetarëve  të komunës së Plavës dhe të Gucisë me mundësi të komunikimit me qytetin e Pejës përkatësisht me  Kosovën, duke dalur nga izolimi i imponuar disavjeçar, andaj një iniciativë e tillë duhet të mbeshtet nga Qeveria e Malit të Zi, ndërsa  nuk duhet anashkaluar rrugën Plavë-Deçan e cila është me peshë të veçantë për ketë regjion dhe në favor të bashkëpunimit ndërkufitar e ndërshetëror në mes dy vendëve.

Shkruan: Dr.Nail Draga/

Sipas mediave kohë më parë u bë e ditur se Komuna e Plavës ka paraqitur  kërkesën në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e vendkalimit kufitar në Çakorr, qëllimi i të cilit është zhvillimi i lidhjes sa më të mirë me Kosovën, duke patur parasysh rëndësinë e kësaj lidhjeje për zhvillim të mëtejshëm të mundësive ekonomiko-turistike, si dhe orientimin tradicional të banorëve në këtë vendkalim kufitar.

Me hapjen e kalimit kufitar në Çakorr, zyrtarët vendorë të Plavës mendojnë se do të krijoheshin lidhjet më të mira mes dy vendeve, do të forcohej bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik, do të lehtësohej udhëtimi i shtetasve të Malit të Zi dhe Kosovës, por edhe i turistëve të shumtë, veçanërisht gjatë sezonit turistik. “Lidhshmëria komunikative është njëra ndër parakushtet themelore infrastrukturore për vlerat turistike dhe ekonomike të një treve. Pa rrugë të mira dhe vlerësim të madh ekonomik, ato mbeten të pashfrytëzuara. Komuna e Plavës, përveç pozitës së mirë gjeografike, me të cilën kufizohet dy shtete dhe disa komuna të Malit të Zi, ka lidhje joadekuate të komunikacionit”, theksojnë zyrtarët e komunës në shkresën e dërguar qeverisë.

Në shkresë, mes tjerash thuhet se prej Plavës deri në Pejë janë rreth 70 kilometra, kurse rrugës nëpër Rozhajë nëpërmjet vendkalimit kufitar “Kulla”, Peja dhe Plava janë në largësi prej rreth 130 kilometra.

Zyrtarët e Plavës theksojnë se për këtë arsye qytetarët e tyre presin me pa durim hapjen e aksit rrugor, veçanërisht duke patur parasysh rëndësinë e kësaj lidhjeje të komunikacionit për zhvillim të mëtejmë të mundësive ekonomiko-turistike të kësaj ane, si dhe orientimin tradicional të banorëve por edhe të tjera mundësive.

Duke marrë parasysh se “lidhja me Shqipërinë pa dyshim është avancuar me ndërtimin e aksit rrugor Guci-Vermosh  dhe me hapjen e vendkalimit kufitar Gërnçar-Vermosh, derisa lidhja me Kosovën mund të avancohet me vënien në funksion të plotë të aksit rrugor Murinë-Çakorr-Pejë, i cili para disa vitesh është rikonstruktuar nga ana e Drejtorisë për Komunikacion”, thuhet në mes tjerash në kërkesën e Komunës së Plavës drejtuar Qeverisë së Malit të Zi.

Vendkalime të reja jashtë atyre zyrtare

Qarkullimi  i njerëzëve është nevojë elementare e lirisë në çdo vend ndërsa zonat kufitare në këtë aspekt  janë të veçanta, sepse kanë pasur një të kaluar me probleme të mëdha  kryesisht të aspektit   politik e ekonomik ku si të tilla ishin më të pazhvilluarat dhe të pa perspektivë  për të jetuar. Në këtë aspekt nuk bën përjashtim zona kufitare Mali i Zi-Shqipëri, ku pasojat janë ende të pranishme, ku shqiptarët dëshmitarë okularë të vitëve të shkuara në kohën e monizmit. Por, në rrethana të reja duhet bërë përpjekje për të ndryshuar gjendjen ekzistuese ku qarkullimi i lirë përmes vendkalimeve  të reja kufitare  jashtë atyre zyrtare do të ishte në favor të popullsisë në të dy anët e kufirit.

Pikërisht në këtë aspekt duhet cekur një marrëveshje pozitive që është arritur në gusht të vitit 2018 në mes  Malit të Zi dhe  Serbisë  për hapjen e  21 vendkalimeve të reja  kufitare(VKK) jashtë atyre zyrtare, sepse  aty ekziston nevoja e qarkullimit të popullsisë në zonën kufitare në mes  dy vendeve, duke respektuar nevojën e popullsisë lokale në komunat e zonës kufitare, për kalim të lirë të kufirit, me qellim të zhvillimit e të bashkëpunimit  ekonomik, arsimit, shëndetësisë, kulturor, social, sportiv etj. Në zonën kufitare në distancë prej 10 km nga kufiri, janë përfshi 131 vendbanime në Mal të Zi e 113 në Serbi.Një marrëveshje e tillë është në harmoni me Udhëzimet e Bashkësisë Europiane(EU 1931/06) mbi qarkullimin ndërkufitar.Popullsia e zonës kufitare në të dy anët e kufirit është pajisur me Leje të kalimitku është  përcaktuar  vendi së ku mund të kalojnë kufirin shtetëror. 

Më këtë rast duhet cekur së vendkalime të tilla ka pasur në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, duke iu mundësuar qytetarëve të zonës kufitare qarkullim të lirë pa pengesa.E dhëna së  nga liqeni i Shkodrës e deri të gryka e Bunës kanë qenë në funksion tetë VKK të tilla, dëshmon demokracinë e kohës, e cila pas Luftës së Dytë Botërore për shkaqe politike-ideologjike   një e drejtë e tillë iu mohua, që ishte fatale për shqiptarët në të dy anët e kufirit më pasoja të mëdha që janë të pranishme deri në ditët tona.

Model edhe për vendet tjera në regjion

Ndonëse nuk iu bë publicitet mediatik marrëveshja malazezo-serbe si e tillë mund të shërbej si model për vendet tjera në regjion, madje  një  e tillë do të ishte e nevojshme  të arrihet edhe në mes Malit të Zi, Kosovës e Shqipërisë. Pikërisht, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve të zonës kufitare ku jetojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit, si ma emergjente në këtë moment janë hapja e VKK të reja jashtë atyre zyrtare  në: 

1.Qafë Vranicë-Plavë, qëndodhet në afërsi të fshatit Çerem të rrethit të Tropojës. Pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore ky vendkalim do të bëjë të mundur lidhjen e të gjithë zonave të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës me Plavën dhe Gucinë.

2.Grabom – Cemi i Trieshit,   ndonëse rruga në pjesën e Shqipërisë ka përfunduar dhe kemi një komunikim të vazhdueshëm në relacionin  Guci-Tamarë-Shkodër  ka mbetur pa u përfunduar pjesa në Malin e Zi, që lidh Grabomin me Podgoricën, ku sipas informatave qe kemi gjatë këtij viti do të filloj ndërtimi i kësaj rruge si dhe VKK në Grabom që do të jetë në funksion të qytetarëve të Kelmendit e Malësisë si dhe të tjerëve qe do të frekuentojnë në këtë krahinë.

3.Zogaj-Hutaj(Skje)që do të ishte në favor të krahinës së Krajës për lidhjen e saj me qytetin e Shkodrës, lidhje kjo e cila është ndërprerë në vitin 1948 Ndonëse në Shkodër me 1 korrik 2018 u mbajt mbledhja e përbashkët në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi, në sajë marrëveshjeve të nënshkruara ishte ajo në lidhje me hapjen e këtij  VKK, por ndonëse kemi të bëjmë me ndërtimin e një rruge me distance 1.2km   në sajë të informacioneve që kemi  deri më tash nuk është punuar asgjë në këtë drejtim.

Do të ishte kjo lidhja unazore e liqenit të Shkodrës nga ana juglindore e tij, ndërsa Kraja do të ishte 12 km larg Shkodrës, duke qenë pjesë e zonës gravituese të këtij qyteti.

4.Shënkollë-Pulaj,do të ishte rruga e vetme ujore me traget  përmes lumit Buna, në mes dy vendëve e cila ka kohë që është e prezantuar në opinion si vazhdimëshi e rrugës Shën Gjin-Velipojë-Shtoj-Ulqin. Në veçanti gjatë verës do të ishte një atrakcion i veçantë turistik për tërë regjionin dhe me gjerë, deri sa nuk do të ndërtohet ura mbi Bunë e cila është në projektët e investimeve kapitale  të Qeverisë së Shqipërisë.

Hapja e VKK të tilla jo zyrtare  por edhe të tjera që nuk u cekën më këtë rast, do të dëshmonte bashkëpunimin  në mes dy vendëve dhe prezantimin praktik të politikës së fqinjësisë së mirë në favor të integrimeve europriane, që është në favor të popullsisë së zonave kufitare si kudo në vendet me demokraci të konsoliduar.

Rruga Plavë- Deçan duhet të përshpejtohet 

Si vazhdimësi logjike e rrugës Shkodër-Plavë, apo Podgoricë-Plavë, është rruga në drejtim të Kosovës. Nëse nga Plava në drejtim të Kosovës ekziston rruga tradicionale ajo përmes Çakorrit, ajo ka pasur tretman të kufizuar gjashtë mujor, sepse qarkullimi ishte i mundur vetëm gjatë verës, sepse dimrit kjo rrugë ishte e bllokuar. 

Andaj e vetmja linjë rrugore për Kosovë nga krahina e Plavë-Gucisë, është vetëm nga ana e Rozhajës në drejtim të Pejës apo të Mitrovicës. Por, pas çlirimit të Kosovës(1999), është prezentuar idea e ndërtimit të rrugës në drejtimin Deçan-Plavë. Përfundimisht kjo rrugë me gjatësi 35km ka filluar së ndërtuari me 25 shtator 2014. Në kuadër të komunës së Deçanit nga kjo gjatësi rrugore  janë 20 km ndërsa pjesa tjetër prej 15 km është në kuadër të komunës së Plavës.  Ndonëse është parashikuar që kjo rrugë  të ndërtohet ne tre faza dhe përfundimi është parashikuar të pëfundojë në vitin 2017, por  ka kohë që punimet janë ndërprerë pjesërisht sepse pengesë paraqet Manastiri ortodoks i Deçanit, pa ndonjë arsyetim bindës për opinionin. 

Mendoj se një veprim i tillë është më prapavi politike, për të pënguar realizimin e një projekti të tillë infrastrukturor  që është në favor të komunikimit të Deçanit me Plavën në aspektin e zhvillmit të përgjithshëm ekonomik e  po ashtu bën bashkimin natyror të viseve shqiptaresi asnjëherë më parë, duke qenë një arterie me vlera shumëdimensionale, e sidomos për krahinën e Plavës dhe Gucisë.

Nëse nuk do të ketë pengesa tjera subjektive, dhe angazhim konkret në komunën e Plavës, sepse ata ende nuk punuar në këtë drejtim mendoj se deri në fund të vitit 2020 kjo rrugë duhet të përfundohet.

Nga Rozhaja në Pejë për 18 minuta

Ndonëse ideja për mundësinë e lidhjës së Rozhajës me Pejën permes tunelit ka ekzistuar edhe më parë, informata konkrete në këtë aspekt kemi nga maji i vitit 2008. Ishte pikërisht takimi I përfaqësuesve të Qeverisë së Malit të Zi dhe të Kosovës të cilët paralajmëruan e një mundësi të tillë që do të ishte në favor të lidhjeve  bashkëkohore rrugore në mes dy qytetëve. Një financim i tillë mund të realizohej nga buxheti i shtetëve përkatëse por   edhe nga fondet europiane. 

Në takim është cekur se duhet nisur procedura ne lidhje mbi mbledhjen e dokumentacionit për hartimin e studimit të lokacionit ku do të definohen elementet teknike të projektit. Realizimi i një projekti të tillë do kishte benificione për Malin e Zi e  në veçanti për qytetarët e Rozhajës dhe të Pejës.

Rruga ekzistuese Rozhajë-Pejë  është e gjatë 46.9km, ndërsa sipas llogaritjeve teknike nëse hapet tuneli më gjatësi  7,25 km kjo rrugë do të ishte e gjatë 23.5km, ku në Pejë do të arrihej me shpëjtësi prej 18 minutave.

Një qarkullim i tillë do ta bënte Rozhajën si pjesë integrale të zonës gravituese të  Pejës jo vetëm në aspektin tregtar, duke rikthyer kohërat e kaluara. Angazhimi  konkret i qeverive  të dy vendëve në realizimin e  një projekti të tillë do të ishte në favor të integrimit të zonës kufitare duke eliminuar  spekulimet se kemi të bëjmë vetëm deklarime të rastit sikurse në fushatat zgjedhore. 

Rruga Deçan-Plavë në favor të integrimit të zones kufitare

Filed Under: Ekonomi, Opinion

KOSOVA NË ZGJEDHJE, VETËSHPËRNDAHET KUVENDI

August 22, 2019 by dgreca

-PRITET DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË/

-Kosova drejt zgjedhjeve, Kuvendi 120 anëtarësh votoi vetëshpërndarjen me 89 deputetë pro. Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen brenda 45 ditëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Gusht 2019/ Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh pak më parë votoi vetëshpërndarjen me 89 vota pro dhe sot a nesër Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Pritet që 6 tetori 2019 të jetëdata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas burimeve të shtypit të sotëm të Prishtinës. Në momentin e votimit për vetëshpërndarje në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 106 deputetë.

“Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ishte në axhendën e seancës, ku fillimisht u ratifikua me 103 vota pro Marrëveshja Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para seancës së sotme, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka pritur dje në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku  është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Në takim u bë e ditur se në KQZ tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin  që u zhvillua në 24 korrik.

Kuvendi i Kosovës që sapo u vetëshpërnda kishte këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.

Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.

Qeveria  e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Me kryeminitër Haradinajn, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta,  dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe  të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

***

SË SHPEJTI DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

-Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/

PRISHTINË, 19 Gusht 2019- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nga Presidenca sot na u dërgua kjo Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vetshperndahet Kuvendi-Kosova ne zgjedhje

Mihal “Van Dami”, kurbani i turistit të një milion-të

August 21, 2019 by dgreca

Rravigime dhe rrugëtime, përsiatje dhe përplasje mbi turizmin e Bregut të Jonit-

nga Rafael Floqi/

Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin.  Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte çertifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve.

Mihal i tërbuar, apo Mihal i çmendur, Mihali -Van Dami i Porto Palermos. Në kohën e rinisë sime më vjen si jehonë titulli i një filmi të vjetër Mihal Trimi, por nga shtypi i sotëm në zallamahinë e rastit viral të Mihal Kokëdhimës, ku të gjithë kazanët servilë të Edi Ramës, i turren këtij epitetit të dytë, i çmenduri, ( i pari e dha kushtrimin Meroja i Temës), pastaj “facebuki”, bëri berihanë, dhe ison ia mbajtën mediat, duke i veshur dhe epitete te tjera, i sertë, gjaknxehtë, sherrxhi, grabitës tokash, nuk ka paguar taksa, ka qenë i dënuar  e ka ndërtuar lokalin pa leje, e ka zaptuar tokën në zonën ushtarake, e ka gruan harbute, i trajton klientët si këlyshë, u thotë “hani peshkun tim apo ikni”, por vulën ia vuri vetë, “alias pinjolli i Konicës”, kryefacebukisti ynë, mjeshtri i slang-ut, alla kazançe, kryeministri, Edi Rama: “Mihali njollosi “Mikpritjen shqiptare”. Hëm si kështu … 

“Ramën e kam pasur mik”,  pohoi Mihali në gjyq. Ndoshta për të marrë ndonjë mbështetje, por ai indirekt pohoi një të vërtetë tjetër, por më ka harruar. Deri dje ai ishte djali i xhaxhait i mikut të ngushtë të Ramës, që kishte dhe një hotel në rërë në Himarë, sot djali i xhaxhait i armikut, Koços së Kokëdhimajve .

Si mundi, që një grindje banale për një pagesë dreke, të bëhej kaq e madhe? Si u bë e mundur, që siç pohonte Mihali në gjyq, që media të merrej me shumë me të, se sa me “Osama bin Ladenin”? 

Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin. Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte certifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve.  Kur duan e mbyllin lokalin si atë Bar Sahatin në Tiranë, Fluturës, banakieres të shtëpisë- lokal në majë të kalasë afër kishës së shekullit të 11 së Himarës, që na shiti një gotë ujë me limon të shtrydhur me çmimin që ka në Amerikë wiski. Megjithatë, asaj ja fal  ishim të etur dhe limoni vinte nga pema… 

Mos vallë nuk ka qenë pushteti lokal, i  Jorgos Goros kryebashkiakut së Partisë, jo të Himarës, siç më tha një kapiten anije turistike ne Himarë, gjatë një udhëtimi përgjatë bregut, këtë vit para zgjedhjeve në Qershor. Me që mu kujtua bashkia, si s’qe kujtuar dikush, nga bashkia që të fshinte grafikat filogreke, pro Kacifas në majën e Kalasë së Himarës. Po pse për Mihalin sa shpejt u nxorën që të gjitha të zezat, qysh nga menyja e drekës e gjer tek numri i komenteve negative në Booking.com apo Tripadvisor, dhe asnjeri s’kujtohej për ato parullat anti-kombëtare. E pagëzuan menjëherë me nofkën “sulmuesi i çmendur”.  Por ç ’është ky linçim në opinionin publik, pa ditur asgjë, pa parë, sado pak, atë skenë lemerisëse videoje. Gjindja e Internetit po luan ata lojën fëmijërore polici, gjykatësi, fajtori. Dhe fajtor vetëm dhe gjithnjë ishte vetëm Mihali. Po pse jo pala tjetër. 

Në video nga brenda turistet thoshin vetëm, thirreni policinë dhe ndaleni makinën. Po dy shoqëruesit, nuk ndalnin.Kush janë ata. Pse nuk jepet as agjencia dhe as emrat e tyre? Pse? 

 “Pushime për t’u harruar për Eugenio Galdon”. Kështu e nis spanjollja “El Confidencial”, artikullin për drejtuesin e kompanisë së telekomunikacionit ONO në Spanjë. Ai ishte pjesë e grupit të turistëve spanjollë, të cilët u sulmuan nga pronari i restorantit në Porto Palermo disa ditë më parë. Galdon është milioner, pasuria neto e të cilit llogaritet deri në 310 milionë Euro. Ai është 69 vjeç dhe ka lindur në Kartagjenë. Galdon së bashku me tre anëtarë të tjerë të familjes dhe dy persona, pjesë e guidës, u sulmuan nga Mihal Kokëdhima, pronar i një restoranti ku turistët ishin ndalur për të drekuar.”  Pas këtij njoftimi ngjarja bëhet me intriguese Një milioner që nuk ka para për të paguar drekën? Sa do te kishte kushtuar dreka për 6 veta. 300 Euro e ç’ janë ato për një milioner për të mbyllur sherrin para situatës që kaloi?

El Confindecial shkruan më tej se ministri i Turizmit Blendi Kosi u takua me turistët spanjollë dhe u kërkoi falje për incidentin. Interesant kush ia kërkoi?  A mos vallë i priste aty afër një person me shumë rëndësi? Kush ishin shoqëruesit. Një firmë turistike qe ndal për darkë në një lokal fshati duke shoqëruar milionerët. Duhet te ketë pasur një emergjencë më të madhe, sa dy shoqëruesit ishin gati ta shtypnin Kokëdhimën vetëm për një drekë huq?

Interesant, media, pushteti në një linjë dhe në një frymë me opinionin e cekët të mediave sociale. Gjithkush që ka pasur ndonjë konflikt me një kamerier ne lokal e ka nxjerrë inatin në mënyrë anonime aty. Të gjithë në Facebook. Të gjithë për ta linçuar dhe dënuar pa dëgjuar e pa parë Mihal Kokëdhimën! Madje edhe Gjykata nuk e dëgjoi dhe e la në burg pa afat çudi, gjykata e vetingut në një mendje me pushtetin. Lind pyetja, pse shkallmuan sa të hapësh e mbyllësh sytë Mihalin?  Pse askush se dëgjoi zërin e tij, “ Ndaleni makinën,” ndërsa videoja rrëqethëse në kufijtë e alogjikes, shkelma, grushte dhe xhama në duart e atij që mbahej pas kruskotit, sipas fijes së kashtës, tregon një gjë tjetër.  

‘Mihal Kokëdhima është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës.  Kokëdhima ka rrëfyer se nuk i ka prekur me dorë turistët spanjollë dhe se ka dashur vetëm të marrë lekët e tij pasi, ata i kanë ikur pa paguar. Por vetëm ai është në burg pse. Është ai agresori, sulmuesi ?

“Ikën pa paguar, vrapova që t’u marr lekët e mia dhe prandaj hipa në kofano. Ata ndezën makinën dhe donin të më shtypnin,”- mësohet të ketë thënë ai ne gjyq, gjë që vërtetohet dhe nga gazeta “El Confidencial” që e tregon më gjerësisht situatën “Ata ishin ndalur për të drekuar, por sipas burimeve shërbimi ishte vonuar dhe familja spanjolle kishte vendosur të shkonte, diku tjetër për të ngrënë. Por kjo provokoi pronarin Mihal Kokëdhima, i cili vrapoi për të kërkuar Galdon. Ai u kërkoi atyre që të mos largoheshin, ose të paguanin për ushqimin i cili po përgatitej. Por familja spanjolle ishte futur në makinë. Ky ishte momenti ku Kokëdhima humbi kontrollin, dhe filloi të thyente xhamin e dritares”, shkruante “El Confidencial”. 

Nuk besoj qe është vetme punë dreke? Nuk e morëm vesh asnjëherë çfarë emri kishte kompania turistike! Madje pamë me këtë rast edhe një gjest hipokrit nga ana e Ministrit Klosi duke i dhënë lule  e duke iu kërkuar ndjesë turistëve kaq shpejt turistëve spanjollë? Pse u nxitua Klosi? Dëmtimi kolateral duhej të shuhej.

Në fakt problemi i vërtetë në këtë histori, nuk është një grindje banale klient-pronar për një faturë dreke. Turizmi shqiptar ka shumë për të bërë, për të arritur standardet e një turizmi perëndimor, qoftë dhe atë në Greqi. Por problemi në këtë rast është diku më thellë! 

Në fund të qershorit, para zgjedhjeve isha në Shqipëri dhe vizitova Rivierën nga Orikumi ne Butrint, nga toka dhe nga deti. 

“Ka vite që nuk shkoj më në jug, më tha paraprakisht një mik i im, pasi aty në zezon ta shesin një vezë për 10 euro.” Tani Ministrit të Turizmit, ndoshta, mund t’i duket arritje që Shqiptarët shkojnë në Greqi dhe lenë aty 360 milionë euro në vit. Por kjo nuk është arritje. Të jemi të ndërgjegjshëm se turizmi alla shqiptarçe, ka akoma shumë rrugë për të bërë. Por ç’t’i bëjmë ne që jemi larg,- mallit. Nuk më harrohet se dëshira për një jahni shqiptare më la dy ditë pa plazh, kuptohet pse. 

Por kjo historia e Mihal-Vandamit mbi kofano, është diçka më shumë, se niveli i shërbimit dhe i turizmit.  Kjo aventurë thjesht nxori në sipërfaqe atë që njerëzit e njohin, por rasti mësuan më shumë ndoshta se sa dukej! Apo duhej ? 

Kohët e fundit z kryeministër na i vuri policinë të hiqte disa shezllone dhe çadra për shkelje të zonave të plazheve publike. Por si shpjegohet që në Jalë p.sh, në krahun e djathtë të plazhit, ka vite që nuk hiqen plehrat në rërë të një godine të shembur para tre vitesh? Asnjeri s’vë dorë, edhe pse ish-kapanoni i ushtrisë është prishur përgjysmë, dhe hekurat varen mbi dritaret. Si shpjegohet aty ka mbetur të varura sikur të ketë rënë bomba e luftës ne Siri? Madje dhe soba e kuzhinës ndodhej mbi gërmadha,. Si shpjegohet që Konvaleshenca e Ushtrisë zaptoi edhe detin me boa dhe brenda në ujë? Si shpjegohet që firma “Fusha” e famëkeqja e Teatrit në kuadër të fushatës se 100 fshatrave dhe 101 hajdutëve, po ndërron vetëm çatitë dhe kanatat e dritareve në Vuno. Dhe asgjë më shumë edhe aty vetëm fasada. Madje, ajo ndërtoi dhe një urë me tre korsi, së fundmi në Jalë dhe vuri një postoblok mu në afërsi të plazhit. Pa spekuluar, banorët thoshin se ka zëra që atë kamp Rama po mendohet ta japë me PPP. 

Dhe s’ka asgjë për t’u habitur, kur ai dhe 3000 vjet histori te Butrintit, do t’ia lerë në dorë PPP.  A ta ketë ditur vallë Enea se në ç’ dorë mund të përfundojë ‘Troja e Re”. Arkeologu italian Ugolini duhet të ngrihet nga varri e të shohë tragjedinë në teatrin që zbuloi. Dhe tempulli i Asklepit, Perëndisë së mjekësisë nuk do ketë mundësi të na shërojë nga marrëzia e liderëve tanë. Mos o zot… 

E nuk mjaftojnë resortet e marrëzisë marine, që kanë pushtuar pjesën më të madhe të plazheve të  shndërruara në kazino dhe bordello, ku hashashi është krejtësisht liberalizuar pa ligj. Santi Quaranta është vetëm maja e ajsbergut. Dhe tani na dilka vetëm ai Mihali i krisur, simboli i informalitetit në bregdet dhe që punoka pa asnjë letër! Me urdhër nga lart besoj edhe lokali u mbyll, edhe çadrat u hoqën, në mënyrë që historia të shuhej sa më shpejt. Nëse doni të shihni fytyrën e vërtetë të maskaradës së këtij pushteti, shikoni se çfarë i kanë bërë qeveritë shqiptare bregdetit të jugut! Historia e Mihalit, vetëm sa ia çori maskën, ajo ishte qelbi që plasi.

“Mihali është njeri i Kokëdhimave dhe ata, siç e dini, kanë ndërtuar edhe mbi rërë dhe askush nuk i ka penguar, Jorgo Goro as që bëhet fjalë. Mihali jeton në këtë atmosferë korrupsioni, ai do të punojë, të mbajë familjen, nuk është kriminel, nuk është tregtar droge, ka gjetur një mundësi për të korruptuar pushtetin dhe ia ka dalë, mbase ndan fitimet me dikë lart që ia ka mundësuar atë punë, sepse ndryshe është e pamundur. Unë p.sh. që nuk e pranoj këtë kompromis, nuk arrij të bëj asgjë në tokën time në Porto Palermo të cilën e kam me certifikatë pronësie. Kam kërkuar leje për ndërtim dhe nuk më ka dhënë njeri, por po të vija qoftë edhe një tullë pa leje, siç bëri njeriu i Kokëdhimajve, me siguri do shkoja në burg” shkruante në një editorial tek Gazeta Panorama, biznesmeni himariot, Nikollaq Neranxi.

Kësaj vere isha vetë në Porto Palermo. Një rrugë e pashtruar shkëmbore, të çon deri tek plazhi i vogël. Dukej sikur nuk ishte venë dorë. Kapanonët e ushtrisë mbanin ende shkrimet e komunizmit. Kodra vinte erë hashash dhe rigon. E pashë lokalin Panorama, po s’ më tërhoqi. Përtej dukeshin tunelet e nëndetëseve. Pamja e gjirit ishte fantastike.

U ngjitëm tok me fëmijët në kalanë e Ali Pashait. Paguan 5 euro tek dera. I kërkova biletashitësit a kishte ndonjë ciceron. Biletashitësi, që siç doli ishte mësues historie, u ndje keq. Në të dalë më tërhoqi veçan dhe më tha, se para sezonit erdhi aty ministrja e Kulturës me një grup televiziv vunë ca tullumbace tek dera e kalasë dhe kaq.  Porto Palermo me historinë e saj shekullore dhe të tuneleve të Luftës së Ftohtë mund të ishte një muze i hapur në natyrë. Një muze edhe për Pashain e madh. Një vend pelegrinazhi për mijëra turistë …

Një shoqëruese po i shpjegonte disa turistëve mbi nëndetëset shqiptare të kohës së Luftës se Ftohtë, kur Shqipëria kishte më shumë nëndetëse se Greqia dhe Jugosllavia. “Sa nëndetëse keni sot? pyeti turistja. Përgjigja ngeli varur… Apo sot jeni në NATO e plotësoi vet ajo, hezitimin e shoqërueses. 

Po le t’i kthehemi Mihalit, jo për qytetin e lashtë të kaonëve “Panormos” portin e fortifikuar të Himarës së lashtë qysh në shekullin e 5 para K, dhe as për kalanë e Pashait të ndërtuar nga venecianët, as për hekurat e nëndetëseve që u shitën nga ushtria shqiptare për skrap, por për fatin e njeriut dhe vlerën e jetës së kujtdo qoftë ai, të çdo shqiptari.

Ndoshta fati i Mihalit pas hekurave do të kënaqë disi revanshin dhe kuriozitetin e popullit të Facebook-ut. Por nuk ka veprim pa shkak. Nga nisi dhe ku shkoi? Nuk ka njeri sado të çmendur që të hidhet vetë para makinës, nëse nuk do të ishte nisur makina. Në atë video, pashë një njeri të dëshpëruar që lutej për jetën e tij, dhe pashë dy shqiptarë, që nuk e ndalnin makinën dhe e qëllonin me shqelma e me copa xhamash nga duart, që ai të binte dhe ata ta shtypnin e ta linin aty në rrugë diku. 

Ku do të shkonte ai njeri, ai nuk po luante atje, kundër-figurën në filmin e fundit të Hollivood-it, apo Van Damin  siç  e pagëzuan mediat, ai po luante me jetën e tij. Sado- sido, ai ishte një jetë njeriu. Respekt për jetën. Sa pak respekt për jetën ka në kohën e Rilindjes. Shihni kronikat e zeza.

“Amani më lini të punoj, unë ia paguaj xhamin dhe gjobën. Ne vetëm dy muaj kemi mundësi të punojmë. A është Mihali i sertë, i tërbuar , i krisur, sulmues gjakftohtë apo fajtor i pafaj, nuk di ta them. Ai i mishëron të gjitha cilësitë e individit të suksesshëm të kapitalizmit të egër shqiptar. Ku njeriu “i hedhur”, mashtruesi, por hajduti merret si model. Kur drogë dealer-i zgjidhet kryebashkiak, apo deputet. Ai është modeli i të suksesshmit, që krijoi sot shoqëria shqiptare.  Nuk e di nëse, dhe sa është fajtor Mihali. Por di të them siç e pashë në video, se ai pati vetëm një celular në dorë.  Nuk pashë thikë. Dhe pashë dy njerëz që donin ta vrisnin. Pse nuk janë marrë të pandehur edhe shoqëruesit, kush i mbron ata ? Me kë kishte takim dhe nxitonte milioneri? Në ndonjë nga resortet e ndonjë Epsteini shqiptar, në jug? Nuk e di, ka shumë sosh.  

Në kohën e propagandës të Ramës mbi aksionet për fatura tatimore, ku askush nuk falet, ku vihen shirita nëpër lokale dhe hotele dhe bllokohen aktivitete edhe për një faturë tatimore, kur Kryeministri në faqen e tij në twitter kujtohet t’i publikojë emrat e këtyre bizneseve, duke i prishur reputacionin, në mes të zezonit  Biznese që bllokohen sot me shirita të verdhë dhe hapen nesër me shirita të kuq. 

Me gjestin e tij, Mihali theu më shumë se xhamin e makinës dhe numrat e klikimeve në Youtube, ai theu xhamin e propagandës false të Ramës dhe ministrave të tij. Faleminderit Mihal. Për këtë t’i je Van Dam.  Tani le të fantazojnë turmat e Facebook-ut ndonjë seri tjetër me Van Damin, pasi kemi nevojë, sidomos, që tani Rama zbuloi e turisten e 1 milion-të.

Filed Under: Opinion Tagged With: kurbani i turistit të një milion-të-Rafael Floqi, Mihal “Van Dami”

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës 1941

August 19, 2019 by dgreca

Përzgjedhur nga Anton Çefa/

            “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,  errësina qi bahet dritë”-Arshi Pipa/

AGIM/

Andrrat bahen të shkurta,/

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,/

U ndihet murmurimi./

Te hyjzit vezullimi/

Asht i shqetë,/

E fryjnë era të imta./

Fergullon tash e cikun/

Gjethnaja./

Agim te maja./

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa- Tubez- Anton Çefa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 374
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT