Rravigime dhe rrugëtime, përsiatje dhe përplasje mbi turizmin e Bregut të Jonit-
nga Rafael Floqi/
Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin. Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte çertifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve.
Mihal i tërbuar, apo Mihal i çmendur, Mihali -Van Dami i Porto Palermos. Në kohën e rinisë sime më vjen si jehonë titulli i një filmi të vjetër Mihal Trimi, por nga shtypi i sotëm në zallamahinë e rastit viral të Mihal Kokëdhimës, ku të gjithë kazanët servilë të Edi Ramës, i turren këtij epitetit të dytë, i çmenduri, ( i pari e dha kushtrimin Meroja i Temës), pastaj “facebuki”, bëri berihanë, dhe ison ia mbajtën mediat, duke i veshur dhe epitete te tjera, i sertë, gjaknxehtë, sherrxhi, grabitës tokash, nuk ka paguar taksa, ka qenë i dënuar e ka ndërtuar lokalin pa leje, e ka zaptuar tokën në zonën ushtarake, e ka gruan harbute, i trajton klientët si këlyshë, u thotë “hani peshkun tim apo ikni”, por vulën ia vuri vetë, “alias pinjolli i Konicës”, kryefacebukisti ynë, mjeshtri i slang-ut, alla kazançe, kryeministri, Edi Rama: “Mihali njollosi “Mikpritjen shqiptare”. Hëm si kështu …
“Ramën e kam pasur mik”, pohoi Mihali në gjyq. Ndoshta për të marrë ndonjë mbështetje, por ai indirekt pohoi një të vërtetë tjetër, por më ka harruar. Deri dje ai ishte djali i xhaxhait i mikut të ngushtë të Ramës, që kishte dhe një hotel në rërë në Himarë, sot djali i xhaxhait i armikut, Koços së Kokëdhimajve .
Si mundi, që një grindje banale për një pagesë dreke, të bëhej kaq e madhe? Si u bë e mundur, që siç pohonte Mihali në gjyq, që media të merrej me shumë me të, se sa me “Osama bin Ladenin”?
Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin. Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte certifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve. Kur duan e mbyllin lokalin si atë Bar Sahatin në Tiranë, Fluturës, banakieres të shtëpisë- lokal në majë të kalasë afër kishës së shekullit të 11 së Himarës, që na shiti një gotë ujë me limon të shtrydhur me çmimin që ka në Amerikë wiski. Megjithatë, asaj ja fal ishim të etur dhe limoni vinte nga pema…
Mos vallë nuk ka qenë pushteti lokal, i Jorgos Goros kryebashkiakut së Partisë, jo të Himarës, siç më tha një kapiten anije turistike ne Himarë, gjatë një udhëtimi përgjatë bregut, këtë vit para zgjedhjeve në Qershor. Me që mu kujtua bashkia, si s’qe kujtuar dikush, nga bashkia që të fshinte grafikat filogreke, pro Kacifas në majën e Kalasë së Himarës. Po pse për Mihalin sa shpejt u nxorën që të gjitha të zezat, qysh nga menyja e drekës e gjer tek numri i komenteve negative në Booking.com apo Tripadvisor, dhe asnjeri s’kujtohej për ato parullat anti-kombëtare. E pagëzuan menjëherë me nofkën “sulmuesi i çmendur”. Por ç ’është ky linçim në opinionin publik, pa ditur asgjë, pa parë, sado pak, atë skenë lemerisëse videoje. Gjindja e Internetit po luan ata lojën fëmijërore polici, gjykatësi, fajtori. Dhe fajtor vetëm dhe gjithnjë ishte vetëm Mihali. Po pse jo pala tjetër.
Në video nga brenda turistet thoshin vetëm, thirreni policinë dhe ndaleni makinën. Po dy shoqëruesit, nuk ndalnin.Kush janë ata. Pse nuk jepet as agjencia dhe as emrat e tyre? Pse?
“Pushime për t’u harruar për Eugenio Galdon”. Kështu e nis spanjollja “El Confidencial”, artikullin për drejtuesin e kompanisë së telekomunikacionit ONO në Spanjë. Ai ishte pjesë e grupit të turistëve spanjollë, të cilët u sulmuan nga pronari i restorantit në Porto Palermo disa ditë më parë. Galdon është milioner, pasuria neto e të cilit llogaritet deri në 310 milionë Euro. Ai është 69 vjeç dhe ka lindur në Kartagjenë. Galdon së bashku me tre anëtarë të tjerë të familjes dhe dy persona, pjesë e guidës, u sulmuan nga Mihal Kokëdhima, pronar i një restoranti ku turistët ishin ndalur për të drekuar.” Pas këtij njoftimi ngjarja bëhet me intriguese Një milioner që nuk ka para për të paguar drekën? Sa do te kishte kushtuar dreka për 6 veta. 300 Euro e ç’ janë ato për një milioner për të mbyllur sherrin para situatës që kaloi?
El Confindecial shkruan më tej se ministri i Turizmit Blendi Kosi u takua me turistët spanjollë dhe u kërkoi falje për incidentin. Interesant kush ia kërkoi? A mos vallë i priste aty afër një person me shumë rëndësi? Kush ishin shoqëruesit. Një firmë turistike qe ndal për darkë në një lokal fshati duke shoqëruar milionerët. Duhet te ketë pasur një emergjencë më të madhe, sa dy shoqëruesit ishin gati ta shtypnin Kokëdhimën vetëm për një drekë huq?
Interesant, media, pushteti në një linjë dhe në një frymë me opinionin e cekët të mediave sociale. Gjithkush që ka pasur ndonjë konflikt me një kamerier ne lokal e ka nxjerrë inatin në mënyrë anonime aty. Të gjithë në Facebook. Të gjithë për ta linçuar dhe dënuar pa dëgjuar e pa parë Mihal Kokëdhimën! Madje edhe Gjykata nuk e dëgjoi dhe e la në burg pa afat çudi, gjykata e vetingut në një mendje me pushtetin. Lind pyetja, pse shkallmuan sa të hapësh e mbyllësh sytë Mihalin? Pse askush se dëgjoi zërin e tij, “ Ndaleni makinën,” ndërsa videoja rrëqethëse në kufijtë e alogjikes, shkelma, grushte dhe xhama në duart e atij që mbahej pas kruskotit, sipas fijes së kashtës, tregon një gjë tjetër.
‘Mihal Kokëdhima është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës. Kokëdhima ka rrëfyer se nuk i ka prekur me dorë turistët spanjollë dhe se ka dashur vetëm të marrë lekët e tij pasi, ata i kanë ikur pa paguar. Por vetëm ai është në burg pse. Është ai agresori, sulmuesi ?
“Ikën pa paguar, vrapova që t’u marr lekët e mia dhe prandaj hipa në kofano. Ata ndezën makinën dhe donin të më shtypnin,”- mësohet të ketë thënë ai ne gjyq, gjë që vërtetohet dhe nga gazeta “El Confidencial” që e tregon më gjerësisht situatën “Ata ishin ndalur për të drekuar, por sipas burimeve shërbimi ishte vonuar dhe familja spanjolle kishte vendosur të shkonte, diku tjetër për të ngrënë. Por kjo provokoi pronarin Mihal Kokëdhima, i cili vrapoi për të kërkuar Galdon. Ai u kërkoi atyre që të mos largoheshin, ose të paguanin për ushqimin i cili po përgatitej. Por familja spanjolle ishte futur në makinë. Ky ishte momenti ku Kokëdhima humbi kontrollin, dhe filloi të thyente xhamin e dritares”, shkruante “El Confidencial”.
Nuk besoj qe është vetme punë dreke? Nuk e morëm vesh asnjëherë çfarë emri kishte kompania turistike! Madje pamë me këtë rast edhe një gjest hipokrit nga ana e Ministrit Klosi duke i dhënë lule e duke iu kërkuar ndjesë turistëve kaq shpejt turistëve spanjollë? Pse u nxitua Klosi? Dëmtimi kolateral duhej të shuhej.
Në fakt problemi i vërtetë në këtë histori, nuk është një grindje banale klient-pronar për një faturë dreke. Turizmi shqiptar ka shumë për të bërë, për të arritur standardet e një turizmi perëndimor, qoftë dhe atë në Greqi. Por problemi në këtë rast është diku më thellë!
Në fund të qershorit, para zgjedhjeve isha në Shqipëri dhe vizitova Rivierën nga Orikumi ne Butrint, nga toka dhe nga deti.
“Ka vite që nuk shkoj më në jug, më tha paraprakisht një mik i im, pasi aty në zezon ta shesin një vezë për 10 euro.” Tani Ministrit të Turizmit, ndoshta, mund t’i duket arritje që Shqiptarët shkojnë në Greqi dhe lenë aty 360 milionë euro në vit. Por kjo nuk është arritje. Të jemi të ndërgjegjshëm se turizmi alla shqiptarçe, ka akoma shumë rrugë për të bërë. Por ç’t’i bëjmë ne që jemi larg,- mallit. Nuk më harrohet se dëshira për një jahni shqiptare më la dy ditë pa plazh, kuptohet pse.
Por kjo historia e Mihal-Vandamit mbi kofano, është diçka më shumë, se niveli i shërbimit dhe i turizmit. Kjo aventurë thjesht nxori në sipërfaqe atë që njerëzit e njohin, por rasti mësuan më shumë ndoshta se sa dukej! Apo duhej ?
Kohët e fundit z kryeministër na i vuri policinë të hiqte disa shezllone dhe çadra për shkelje të zonave të plazheve publike. Por si shpjegohet që në Jalë p.sh, në krahun e djathtë të plazhit, ka vite që nuk hiqen plehrat në rërë të një godine të shembur para tre vitesh? Asnjeri s’vë dorë, edhe pse ish-kapanoni i ushtrisë është prishur përgjysmë, dhe hekurat varen mbi dritaret. Si shpjegohet aty ka mbetur të varura sikur të ketë rënë bomba e luftës ne Siri? Madje dhe soba e kuzhinës ndodhej mbi gërmadha,. Si shpjegohet që Konvaleshenca e Ushtrisë zaptoi edhe detin me boa dhe brenda në ujë? Si shpjegohet që firma “Fusha” e famëkeqja e Teatrit në kuadër të fushatës se 100 fshatrave dhe 101 hajdutëve, po ndërron vetëm çatitë dhe kanatat e dritareve në Vuno. Dhe asgjë më shumë edhe aty vetëm fasada. Madje, ajo ndërtoi dhe një urë me tre korsi, së fundmi në Jalë dhe vuri një postoblok mu në afërsi të plazhit. Pa spekuluar, banorët thoshin se ka zëra që atë kamp Rama po mendohet ta japë me PPP.
Dhe s’ka asgjë për t’u habitur, kur ai dhe 3000 vjet histori te Butrintit, do t’ia lerë në dorë PPP. A ta ketë ditur vallë Enea se në ç’ dorë mund të përfundojë ‘Troja e Re”. Arkeologu italian Ugolini duhet të ngrihet nga varri e të shohë tragjedinë në teatrin që zbuloi. Dhe tempulli i Asklepit, Perëndisë së mjekësisë nuk do ketë mundësi të na shërojë nga marrëzia e liderëve tanë. Mos o zot…
E nuk mjaftojnë resortet e marrëzisë marine, që kanë pushtuar pjesën më të madhe të plazheve të shndërruara në kazino dhe bordello, ku hashashi është krejtësisht liberalizuar pa ligj. Santi Quaranta është vetëm maja e ajsbergut. Dhe tani na dilka vetëm ai Mihali i krisur, simboli i informalitetit në bregdet dhe që punoka pa asnjë letër! Me urdhër nga lart besoj edhe lokali u mbyll, edhe çadrat u hoqën, në mënyrë që historia të shuhej sa më shpejt. Nëse doni të shihni fytyrën e vërtetë të maskaradës së këtij pushteti, shikoni se çfarë i kanë bërë qeveritë shqiptare bregdetit të jugut! Historia e Mihalit, vetëm sa ia çori maskën, ajo ishte qelbi që plasi.
“Mihali është njeri i Kokëdhimave dhe ata, siç e dini, kanë ndërtuar edhe mbi rërë dhe askush nuk i ka penguar, Jorgo Goro as që bëhet fjalë. Mihali jeton në këtë atmosferë korrupsioni, ai do të punojë, të mbajë familjen, nuk është kriminel, nuk është tregtar droge, ka gjetur një mundësi për të korruptuar pushtetin dhe ia ka dalë, mbase ndan fitimet me dikë lart që ia ka mundësuar atë punë, sepse ndryshe është e pamundur. Unë p.sh. që nuk e pranoj këtë kompromis, nuk arrij të bëj asgjë në tokën time në Porto Palermo të cilën e kam me certifikatë pronësie. Kam kërkuar leje për ndërtim dhe nuk më ka dhënë njeri, por po të vija qoftë edhe një tullë pa leje, siç bëri njeriu i Kokëdhimajve, me siguri do shkoja në burg” shkruante në një editorial tek Gazeta Panorama, biznesmeni himariot, Nikollaq Neranxi.
Kësaj vere isha vetë në Porto Palermo. Një rrugë e pashtruar shkëmbore, të çon deri tek plazhi i vogël. Dukej sikur nuk ishte venë dorë. Kapanonët e ushtrisë mbanin ende shkrimet e komunizmit. Kodra vinte erë hashash dhe rigon. E pashë lokalin Panorama, po s’ më tërhoqi. Përtej dukeshin tunelet e nëndetëseve. Pamja e gjirit ishte fantastike.
U ngjitëm tok me fëmijët në kalanë e Ali Pashait. Paguan 5 euro tek dera. I kërkova biletashitësit a kishte ndonjë ciceron. Biletashitësi, që siç doli ishte mësues historie, u ndje keq. Në të dalë më tërhoqi veçan dhe më tha, se para sezonit erdhi aty ministrja e Kulturës me një grup televiziv vunë ca tullumbace tek dera e kalasë dhe kaq. Porto Palermo me historinë e saj shekullore dhe të tuneleve të Luftës së Ftohtë mund të ishte një muze i hapur në natyrë. Një muze edhe për Pashain e madh. Një vend pelegrinazhi për mijëra turistë …
Një shoqëruese po i shpjegonte disa turistëve mbi nëndetëset shqiptare të kohës së Luftës se Ftohtë, kur Shqipëria kishte më shumë nëndetëse se Greqia dhe Jugosllavia. “Sa nëndetëse keni sot? pyeti turistja. Përgjigja ngeli varur… Apo sot jeni në NATO e plotësoi vet ajo, hezitimin e shoqërueses.
Po le t’i kthehemi Mihalit, jo për qytetin e lashtë të kaonëve “Panormos” portin e fortifikuar të Himarës së lashtë qysh në shekullin e 5 para K, dhe as për kalanë e Pashait të ndërtuar nga venecianët, as për hekurat e nëndetëseve që u shitën nga ushtria shqiptare për skrap, por për fatin e njeriut dhe vlerën e jetës së kujtdo qoftë ai, të çdo shqiptari.
Ndoshta fati i Mihalit pas hekurave do të kënaqë disi revanshin dhe kuriozitetin e popullit të Facebook-ut. Por nuk ka veprim pa shkak. Nga nisi dhe ku shkoi? Nuk ka njeri sado të çmendur që të hidhet vetë para makinës, nëse nuk do të ishte nisur makina. Në atë video, pashë një njeri të dëshpëruar që lutej për jetën e tij, dhe pashë dy shqiptarë, që nuk e ndalnin makinën dhe e qëllonin me shqelma e me copa xhamash nga duart, që ai të binte dhe ata ta shtypnin e ta linin aty në rrugë diku.
Ku do të shkonte ai njeri, ai nuk po luante atje, kundër-figurën në filmin e fundit të Hollivood-it, apo Van Damin siç e pagëzuan mediat, ai po luante me jetën e tij. Sado- sido, ai ishte një jetë njeriu. Respekt për jetën. Sa pak respekt për jetën ka në kohën e Rilindjes. Shihni kronikat e zeza.
“Amani më lini të punoj, unë ia paguaj xhamin dhe gjobën. Ne vetëm dy muaj kemi mundësi të punojmë. A është Mihali i sertë, i tërbuar , i krisur, sulmues gjakftohtë apo fajtor i pafaj, nuk di ta them. Ai i mishëron të gjitha cilësitë e individit të suksesshëm të kapitalizmit të egër shqiptar. Ku njeriu “i hedhur”, mashtruesi, por hajduti merret si model. Kur drogë dealer-i zgjidhet kryebashkiak, apo deputet. Ai është modeli i të suksesshmit, që krijoi sot shoqëria shqiptare. Nuk e di nëse, dhe sa është fajtor Mihali. Por di të them siç e pashë në video, se ai pati vetëm një celular në dorë. Nuk pashë thikë. Dhe pashë dy njerëz që donin ta vrisnin. Pse nuk janë marrë të pandehur edhe shoqëruesit, kush i mbron ata ? Me kë kishte takim dhe nxitonte milioneri? Në ndonjë nga resortet e ndonjë Epsteini shqiptar, në jug? Nuk e di, ka shumë sosh.
Në kohën e propagandës të Ramës mbi aksionet për fatura tatimore, ku askush nuk falet, ku vihen shirita nëpër lokale dhe hotele dhe bllokohen aktivitete edhe për një faturë tatimore, kur Kryeministri në faqen e tij në twitter kujtohet t’i publikojë emrat e këtyre bizneseve, duke i prishur reputacionin, në mes të zezonit Biznese që bllokohen sot me shirita të verdhë dhe hapen nesër me shirita të kuq.
Me gjestin e tij, Mihali theu më shumë se xhamin e makinës dhe numrat e klikimeve në Youtube, ai theu xhamin e propagandës false të Ramës dhe ministrave të tij. Faleminderit Mihal. Për këtë t’i je Van Dam. Tani le të fantazojnë turmat e Facebook-ut ndonjë seri tjetër me Van Damin, pasi kemi nevojë, sidomos, që tani Rama zbuloi e turisten e 1 milion-të.