• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TEORI MBI KRIJIMIN

August 19, 2019 by dgreca

…teori mbi krijimin/
Nga Astrit Lulushi/

Kohë të çuditshme janë këto në të cilat jetojmë, ku njeriu mësohet në shkollën e gënjeshtrës. Dhe ai që guxon të thotë të vërtetën quhet njëherësh i çmendur dhe i marrë. Këtë e ka shkruar Platoni rreth 2500 vite të shkuara, por është e vërtetë edhe sot. Njeriu, psikologjikisht edhe fizikisht, shumë pak ka ndryshuar nga njeriu i kohës së lashtë, dmth, shumë pak ka evoluar, ose, të paktën, mendërisht nuk ka ndryshuar (në mos ka mbetur prapa).
Kjo tregon se fillimisht njeriu ka ardhur në jetë me të njëjtat karakteristila e tipare siç është sot, por nëse është kështu, ai duhet të jetë lindur edhe me kujtime a lidhje gjenetike. Por çfarë kujtimesh ka patur njeriu i pare kur para tij jeta nuk ka ekzistuar? Me kë lidhej ai gjenetikisht?
Në përpjekje për gjetjen e një përgjigje, njeriu krijoi teori të shumta, që nga prejardhja nga majmuni e deri tek dalja e menjëherëshme në dritë. Dhe këto ide kanë qenë gjithmonë në përplasje.
Darwini në fund të jetës së tij pati thënë se seleksionimi natyror ka qenë mënyra kryesore por jo mënyra e vetme e modifikimit, duke u tërhequr paksa nga teza e tij më e herëshme.
Rreth fillimit të shekullit të 20-të, periudhë që është quajtur “eklipsi i darvinizmit”, kur popullariteti i teorisë së tij pësoi rënie, shkencëtarët propozuan mekanizma të ndryshëm alternativë, duke bashkuar gjenetikën mendeliane me seleksionimin natyror të Darvinit.
Sipas konceptit mendelian, trashëgimia e një tipari varet nga kalimi i tij, ku për çdo tipar të caktuar, një individ trashëgon një gjen nga secili prind, në mënyrë që individi të ketë një çift të dy gjeneve.
Sipas konceptit darvinian, organizmat që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre kanë tendencë të mbijetojnë dhe të prodhojnë më shumë pasardhës. Kjo u quajt “teoria e veprimit” dhe tani besohet se është procesi kryesor që sjell evoluimin. Shkencëtarët i dhanë teorisë një bazë matematikore dhe arritën në përfundimin se përzgjedhja natyrore ishte mekanizmi bazë i evolucionit.
Në SHBA, të gjitha grupet kryesore fetare janë kundër teorisë së Darvinit, duke thëne se njerëzit dhe gjallesat e tjera kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të tanishme. Përkundër përpjekjeve në shumë shtete për të ndaluar mësimin e evolucionit në shkollat ​​publike ose për të mësuar alternativa për evolucionin, gjykatat në dekadat e fundit vazhdimisht kanë refuzuar kurrikulat e shkollave publike që largohen nga teoria e evolucionit. Për shembull, më 1987, në çështjen Edwads vs. Aguillard, Gjykata e lartë vendosi që një ligj i Luizianës që u kërkonte studentëve të shkollave publike të mësonin si evolucionin ashtu edhe shkencën e krijimit ishte anti-kushtetues. Dhe debatet mes njerëzve vazhdojnë, por pa ndërhyrjen a diktatin nga qeveria apo shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-teori mai krijimin

“SKANDAL”!!!

August 17, 2019 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Tashmë,prej shumë vitesh nëpërmjet mjeteve të informimit, dita hapet me  “skandale” dhe mbyllet me të tillë… Skandal në një studio televizive…skandal në një gazetë…skandal në një institucion, në gjykatë, në prokuri, zyrë shërbimesh …etj…etj… Por  vallë, çfarë kuptojmë me një “Skandal”? 

Pa pretenduar të bëj një përkufizim shkencor apo filozofik të fenomenit, mendoj se skandali është një ngjarje e rrallë, e pazakontë, që shkakton tronditje të thellë në rrjedhën normale të jetës së secilit prej nesh. Një ngjarje e tillë pason me trauma të karakterit psiko-social, politik, ekonomik, etj…me rezultate të tmerrshme për të sotmen dhe të nesërmen e pjesës më të madhe e të pambrojtur të popullsisë. Si e tillë, ajo duhet të vijojë gjithashtu me një reagim të fuqishëm  qytetar opozitar për të kundërshtuar e minimizuar pasojat e saj.

Nëse në Shqipërinë tonë të vogël, tashmë ngjarje të tilla janë kthyer në bashkëudhëtare të përditshmërisë sonë , a mund të quhen më “Skandale”??? 

Vallë si duhet  t’i emërtojmë fenomenet që shoqërojnë dhunshëm dhe me arrogancë drejtimin banditesk, që na poshtëron çdo ditë, duke na grabitur, poshtëruar,  e duke na e bërë jetën të pamundur? 

-Po të drejtohem ty,  Kryeministër i 20% me TVSH!!!

Përpiqesh të legjitimosh vjedhjet galopante të pronave të qytetarëve shqiptarë, të fondeve publike që arrijnë në shifra astronomike për xhepin e varfër të shqiptarëve. Dhe këtë e bën pa skrupuj, pasi  së bashku me banditët trafikantë që ke grumbulluar  rreth vetes,  ja ke dalë të përqëndrosh të gjitha pushtetet në duart e tua prej diktatori mizor.

Përpiqesh të legjitimosh votimet pa zgjedhje të 30 Qershorit, duke na imponuar pa konkurim një pushtet vendor të pa votuar, të mbushur me trafikantë e kriminelë.

Përpiqesh të justifikosh krimet e dokumentuara e të dënuara nga një gjykatë e huaj, për përfaqësuesin tënd vendor në qytetin me antikomunist të Shqipërisë, atë të Shkodrës. Me arrogancën kriminale  që të karakterizon, kërkon t’i  imponosh atij qyteti një trafikant të votuar nga vetëm 6%  e qytetarëve të tij.  Ishte shumë i ri -sipas teje,- kur i kreu ato krime, vetëm 20 vjeç. Ti i plotpushtetshmi  “human”,  i  jep të drejtën vetes të amnistosh këtë të ri, ndërkohë që  legjislacioni  penal  i Shqipërisë dhe jo vetëm,  e konsideron  atë në moshë të rritur dhe me përgjegjësi të plotë penale!! 

Vërtet, kaq shumë të dhimbsen ata që ti i konsideron të parritur? Nëse vërtet do kishe minimumin e kësaj ndjeshmërie, do ndjeje keqardhje për ata të mitur të mbetur jetimë, të pangrohur e të uritur, që në pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike, ati i tyre vrau veten apo përfundoi në burg! 

Në vitet e gjata të sundimit tënd, do përpiqeshe të reflektoje e të kërkoje falje për krimet e regjimit të babait e gjyshit tënd, që dënuan mizorisht qindra mijëra të mitur që në bark të nënës. Foshnja të pafajshme që u lindën e u rritën internimeve, si të dënuar të përjetshëm. Qindra vogëlushë që humbën jetën në kampet e çfarosjes, dhe që ende nuk kanë asnjë varr.

Nëse vërtet do të ishe kaq i ndjeshëm e i përgjegjshëm, do të kërkoje falje për atin tënd gjakatar që firmosi pa asnjë mëshirë varjen e një poeti, për “për krimin” e vetëm se vargjet e tij nuk i thurnin lavde mrekullisë së sistemit çnjerëzor që ata kishin ngritur!! Por jo, ti nuk mund të jesh i tillë. Ti je bir e pasardhës i denjë i atyre diktatorëve që terrorizuan një popull të tërë për afro 50 vite.  

Për të përjetësuar pushtetin tënd të pakontrolluar, dhe herë pas here  në pamundësi për të mbrojtur kriminelët që të rrethojnë,  detyrohesh të lëshosh ndonjërin prej tyre.  Sigurisht,  kjo ndodh nëse ata kthehen në pengesë për vazhdimësinë e rregjimit që ke ngritur dhe rrugëtimin e pandalshëm të abuzimit e të krimit. 

Përpiqesh më kot Kryeministër i 20% me TVSH.  Ti nuk i përfaqëson më shqiptarët. As me numrin tejet të ulët  të votave  të vjedhura e grabitura që u shndërruan në  grushte kuptimplote ndaj pushtetit tënd. Tashmë koha jote ka skaduar. Orteku që po rrokulliset me shpejtësi do të të zerë poshtë, për të të degdisur më pas në një nga faqet më të errëta e të turpshme të historisë së tranzicionit të tejzgjatur e të lodhshëm të postkomunizmit shqiptar. 

Shqipëria, ky vend i mrekullueshëm dhe qytetaret e saj të shumëvuajtur, meritojnë të gëzojnë lirinë dhe të drejtat njerëzore, të njohura e respektuara në mbarë vendet demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma Liço- Skandal

SHUHET FATOS BAXHAKU

August 17, 2019 by dgreca

Shuhet mjeshtri i gazetarise shqiptare.Lajmi për ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut ne moshen 55 vjeçare, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale. 

Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e të premtes duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.Një penë brilante në reportazh bërjen e më pas në realizimin e shumë dokumentarëve Fatos Baxhaku la gjumë si një kritik i fortë i tranzicionit shqiptar.Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”.

Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb).si edhe i shumë dokumentareve televizive.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qene anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE..

Botime

  1. Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens – Wien 1996. (Bashkëautor Karl Kaser).
  2. Gur – 2008 
  3. Në Mirditë & rreth e rrotull – 2009
  4. -Roje – 2010

5-Çadra e kuqe : histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI – 2013 

6-Gra të përgjithshme – 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo)

Filed Under: Opinion Tagged With: SHUHET- FATOS BAXHAKU-Mjeshtri I gazetarise

Ernest Koliqi: Impulse etnopsikologjike

August 16, 2019 by dgreca

Përzgjedhur e përgatitur për botim nga Anton Çefa 1)./

“Burrnija asht nji shkrimje e trimnis me urti, d. m. th, syntheza e nji hovi guximtar plot vetmohim bashkue me nji perftim a koncepsion të jetës qi ka si shtyllë themelore nderin dhe shprehet me nji matuni fjalësh e sjelljesh e cila mbështetet në ndiesi të së drejtës e të njerzis së ndërgjegjshme”

“Burrnija, ajkë e vërtyteve ma t’epra njerzore . . . Burrnija cakton me mbajtë besën e fjalën, me mprojtë të ligështin, me flijue veten për mik, me vu dobin e fisit sipër asaj t’individit, me çmue nderin mbi çdo të mirë tjetër të jetës.”

“Shqiptarizëm do të thotë kult e ushtrim i dokeve bujare që mbështeten në besë, nder e burrni. Besa do të sherojë ndasit e shkaktueme nga natyra tepër individuale e jona.”

“Shqiptarizmi i ka themelet mbi shkamb të vetive të nalta autoktone. Kush mohon këtë të vërtetë, mbulon dobsin e vet nën maskën e një idealizmi kallp.”

“Ndija e komtaris s’asht tjetër veçse ndija e individualitetit historik në gjak të nji gjindes  me të njajtën prejardhje e zanafille dhe me të njajtën fizionomi morale fitue në përshkim të njajtave ngjarje nëpër rrjedhim të moteve.”

“Individi përbahet nga nji brumë ku lëvizin e veprojnë tharme, shkase, prirje, trashigue nga vargu i paprem i etënve dhe i stërgjyshave. Edhe ato trajtat e dhana qytetnije, qi kërkon nga përvoja e kombeve të hueja, i zgjedh e i pranon kur i shef se përkojnë me përmbajtje vetish ethnike qi trashigoi nga të parët. Vetë gjuha, a ligjrimi amtar, melmehet me undyrën e brumit ethnik në daç në zyrën (funksionin) e saj si mjet komunikimi, në daç në zyrën si mjet krijimtarije artistike.”

“Shqiptari, me mendësinë e vet plot kontraste, tash krenar e tash i shtruet, herë i rrëmbyem në shkase bujarije dhe herë i ngujuem në paragjykime të damshme, këtu gati me dhanë jetën për t’i ndejun besnik nji tradite stërgjyshore aty gati me prishë vetin e fisin për nji trill idhnak, hov hov i ngutshëm e i kadalshëm pa mendue mirë ku lypet ngutsija e ku kadalija, guximtar e i matun, kryekcyem e i urtë.”

“Shqipnija asht nji për sa i përket brumit fisnuer (racial) dhe e shumllojëshme dh’e larmë në trajta qi ai brumë merr. Kjo ndryshmëni e sipërfaqeshme, themelue mbi nji nënshtresë të njinjishme, e pasunon atdhen shpirtnisht. Katër besime, s’dij sa krahina, shumfishsija e zakoneve e zgjanojnë botën e vogël shqiptare dh’e shtrijnë kah Lindja e kah Prendimi. Atdheu i ynë s’asht nji vis monoton, por përkundrazi shum tërhjekës për polikromin e pamjeve, për ndryshmënin e shprehjeve njerzore. Ngushtësija e tokës stoliset me bukuri alpesh dhe kalthëri bregdetnash edhe vogëlsija numerike e popullsis përmbledh në vetvete rrymba fetare të hapuna kah tri steré.”

         “Me të gjitha të mbetat t’ona, me të gjitha stuhitë historike qi u shkrepen vrullshëm dhe egërsisht mbi ne në mënyrë qi nuk njofti jeta e asnji populli tjetër europian, na Shqiptarët duelme nga motet ma të lashta në ditën e sodit si popull me veti dalluese e me tharme fisnikije në gjak qi na japin mundësi të plota rilindjeje.  Na, nji ndër popujt ma të vjetër t’ Europës, ndiejmë në vete hove të gjalla rinije qi çudisin anmiqt t’onë ma të rrebtë”.

“Instinkti i shëndoshtë i popullit dijti me mbajtë gjallë frymën vëllaznore kombtare edhe në nji ndryshmëni besimesh qi mujte, por s’ia doli, me ia mbytë në shpirt tharmet e shqiptarizmit.”

“Nji perimtim (analyse) e psikes shqiptare menjiherë na ven përpara nji ndjeshmenije morboze, pasojë i nji çmimi të tepërt që ushqen secili prej nesh për sa i përket vleftës vetiake e ndrydhun në caqe t’arsyeshme, nji e tillë ndjesi, d.m.th. nji sedër e ndieshme por e përmbajtun në hulli t’urtís e të prujtunís, nuk njehet ma e metë, por virtyt nga i cili buron ndjenja e dejsís (dinjitetit).”

*

“Pohimi “Jam shqiptar!” mbetët pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore. Kur tham kanuni e kam fjalën te fryma e Kanunit, jo te shumica e normave arkaike të tija, disa prej të cilavet sot s’kanë veshtrim. Ku gjen nji nderim për vetjen njerzore si në doket shqiptare? Rrahja njehet ma e randë se vrasja. Ku mprohet grueja ma tepër se në Kanû? Ajo nuk bjen në gjak. Vrasja e nji grueje, koritë dorasin. “Burri nuk ka tagër mbi jetë të grues”. Po demokracija thellë e rranjosun, para Kryengritjes frenge, në shpirt të shqiptarit? Në Kanû s’ka klasa shoqnore. “Kanuni i Maleve të Shqipnís nuk e veçon nierín prej nieriut. Shpirt për shpirt se dukën e falë Zoti”. Janë parime të nalta, plot fisnikí njerzore.”

*

“Shqiptarizem, d.m.th. përmbledhja e vlerave që përbajnë pajën e trashigimit tonë shpirtnuer, at pajë që na dallon prej gjindes rodit tjetër e i ep peshë pranís sonë në bashkarí të popujve të botës. Shiko rreth  e rrotull e ke për të pa se asnji popull nuk çveshet nga vetít e specifitetit etnik.”

*

“Vëllaznimi ndërmjet popujve të Njerzimit – ideal i naltë që duhet ta ndjekim me afsh të mendes e të zemrës – nuk arrihet tue mohue zanafillen fisnore. Këte, natyrisht, na duhet ta dlirim prej gjakimeve shoviniste, prej paragjikimeve të ngushta racjale, por do të bijshin në grackë të shovinizmave të hueja po t’u shlirojshim prej lidhjeve me tokën tonë dhe me traditën e gjindes që aty lindë e des qyshë në fillim të historís njerzore.”

*

“Shqipnija qindroi dhe gjithnji qindron e patundun në themele të veta gjallnore, me disa veti që mund të ndrrojnë sikur kanë ndrrue ndër shekuj prej njanës brezní në tjetrën, por duhet të ndrrojmë trajtë jo esencëd.m.th. jo palcqenësuer. Na shqiptarët si mbarë fiset e shekullit jemi bij të kohës e lypet t’i përshtatemi zhdrivillimit psikologjik e shoqnuer të Njerzimit, duhet të marrim pjesë në djaloge me qytetnime e kultura që ternojnë ritëm e paraqitje, por pa u trandë kurr nga themelet tona ancestrale.”

*

“Çmimi i tepërt që ushqejmë për vlefte të vetvetes na ban me dyshue mbi çdo fjalë që na drejtohet. Vesvesja na grín shpirtin. Shofim qellime djallëzore shpesh edhe në sjelljet e shokëve ma të ngushtë.Jemi plot me komplekse. Përgjithësisht në t’afermin shofim shemrin, kundershtarin, anmikun. E mprohemi tue ruejtë për vete ndjenjat ma të çmueshme, tue i vndue lidhjet shoqnore në nji rrafsh njerzije së ftoftë ku thahet çdo lëvitje e vetvetishme simpatie dhe shterret çdo shkas shfrimi miqsuer me njani-tjetrin. Kjo natyrë e breshtë e shqiptarit zbutet e njethet papritmas në disa lidhje shpirtnore të cilat e kanë stolisë jetën tonë ç’prej lashtësisë me lulzime të çuditëshme ndjenjash të rralla e të njoma. Kumbarít e ndryshme, vllamja (probatinlleku), janë dukunitë të cilat dishmojnë se mbrendija e natyrës shqiptare ruen në vete visare të panjoftuna ndjesish të larta njerzore. Doket e lashta të vllamjes e të kumbarisë janë kah prendojnë por në shpirt tonë qindron shija e miqsís që asht palci i atyne dokeve. Shqiptari din të jét mik dhe gjen kënaqe të veçantë në kët lidhní shpirtnore, e cila nuk merr parasysh as zanafille feje e krahine, as shkallë kulture e shtresë rrjedhëse. Miqsija shqiptare asht nji vëllaznim ku ndjesít shkrihen dhe ku mugullon ndija e flijimit të ndërmjevetëshem në rasë nevoje.”

*

“Ka ndër ne asijsh të cilët kujtojnë se patriotizmi qindron në disa paraqitje emblemash të jashtme, si kravata kuq e zi ase dalluesja me shqiponjë dykrenare ngjitë në kthesë të setrës. Nuk denojmë ata që këto shenje i përdorin si dishmi t’atdhedashunís së tyne, por nuk na mbahet pa i pyetë: ‘Mirë kravata me ngjyrat e flamurit tonë, shum mirë shqipja n’ilik të setrës, po ndoj libër shqip a e ke tu shtëpija?’. Punë për t’u levdue janë shfaqja e simbolave të kombit, vallet e enduna në kostumet e madhnishme tona, kangët e brohorinat patriotike. Veçse të tilla shfaqje jesin sipërfaqësore, po nuk u ushqyen në ndiesina të njimendta ndaj atdheut,  të cilat e kanë rrajën në njoftje të traditave të historís së fisit (rracës), të pasunís shpirtnore të tij që pasqyrohet ndër shkrime dalë nga mendet e zemrat shqiptare. Kush stoliset me nji kravatë kuq e zi dhe ngjet në setër nji dalluese me shqiponjë, për me na bindë që këto shenje mbështeten në nji vertetësí (autencitet) ndiesinash duhet të két edhe dy a tre libra shqip në shtëpi. A po jo? Natyrisht në qoftë se din me këndue.”

  *    

“Trungu i fisit ushqehet në langje misterjoze autoktone. Kalimi prej njanës brezní në tjetrën të gjallnís e të virtytit gjallnues t’atyne langjeve, përban traditen. E cila nuk asht, si pandehin mendeshkurtët, fosilizimi i jetës së kombit. Tradicjonalizmi dinamik i ep kombit nji arsye qenjeje dhe nji .arsye e nji të drejtë pjesëmarrjeje në valle të popujve të rrokullís toksore.” 

*

“Vlerat kombtare marrin kuptim të gjanë e të njimendët vetëm e vetëm kur përshkohen nga fryma universale e qenjes dhe nga vrumulisjet shpirtnore t’egzigjencave moderne.”

*

“Ata që zakonisht duen të mëshehin me retorikë kumbore vishtirsít e zhdrivillimit t’idés kombtare ndër shqiptarë, cungojnë historín tonë nga faqet ma të shkelqyeshme të saj, – nga ato faqe ku del në shesh përpjekja e nji pakice atdhetarësh të ndritun, që ia hapen udhën përftimit (koncepcjonit) të nji atdheu të përbashkët në mes çarravísh të nji trashigimi të mjerueshëm shekulluer. Gjithëshka pengonte vëllaznimin kombtar: natyra individualiste e shqiptarit, kalesa që mbjelli farën e dasís, propogandat që përdorshin çdo mjet për të sigurue interesa të huejsh në Shqipní. Frashërlíjt, Vaso Pasha, Jani Vretua i njifshin fare mirë pengimet, por nuk e humben shpresën. Me hov titanik nisen predikimin e verbit shpërblimtar. E si gur themeli të krijimit të nji Shqipnije së pamvarun vûn ndiesín e vëllaznimit sipër fenavet e krahinavet të Shqipnís. Kujtojnë njerzija se këta s’kanë luftue përmbrenda për me formue këto ide të reja?”

*

“Shqiptarvet, përgjithësisht, u pelqen politika. Jo aq ajo që me anë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo që shfren në bisedime tue ndejë në kafehane ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizato e shlyej situata… Naltëso e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpi të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ka në xhep të vërtetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë merzín, hajdeh; porse mjerisht ndodhë shpesh që aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit që pengon nisma të dobishme.”

*

“Palci qenësuer i shqiptarizmit nuk qindron vetëm në folklor. Ky, po nuk pat në vetvte nji shkëndi ndiesije e nji rreze sado të zbetë vetedije, nuk mund të njehet tjetër gja veç nji varg sjelljesh mekanike, ngashnjyese (charmantes) ndoshta në dukje, por pa asnji mbrendi shpirtnore. Ndër arbreshë vepron instinkti i fisit arbnuer, shkasi i msheftë i kujtimit të dheut të të parvet. De Rada, Skiroj, Santori, Gavril Dara, tue gjurmue e rrmue në grumbullí të dokeve stërgjyshore e tue thellue hulumtimet në msheftsít e instinktit fisnuer, ringjallen shpirtin e fjetun t’Arbërit. Nga errësít e instinktit doli ndër arbreshë në dritën e vetedijes zanafilla e tyne. Në kujtim u përtrí lavdija e të XV shekull. Letërsija, kultura ua zbuloi atyne lidhjet vëllaznore me Shqipní të mavonëshme. Me këte due të tham se nuk mjaftojnë shfaqjet folkloristike, veshja e lashtë, sado e stërvalët (fastuese), kangë e valle për të dishmue qenjen e nji trashigimi arbnuer që mund të derdhet në fluer (coffre–fort) të xhevahireve shpirtnore të kombit, n’at fluer ku mblidhet fara e mistershme e stinve të përtardhuna. Folklori mbetet gëlvozhë pa thalb kur në te nuk rreh nji frymë e gjallë edhe gjallnuese.”

*

          “Duhet të mësohemi, kur flasim për Shqipní, mos me marrë aspak para sysh kufijt shtetnorë, që e zvoglojnë kuptimin e vertetë e konkret t’atdheut. Shqipnija ideale kapërcen ngushticën e tokës shqiptare. Ajo zgjahet ndër të gjitha viset ku rreh gjaku shqiptar. Rrethanat politike që e ndajnë sot për sot farën arbnore në gjymtyrë të ndryshme nuk do të na ndalojnë m’e ndie veten të shkrimun me të gjithë ata vllazën, ngjitë me shtet shqiptar ase të shpërndam nëpër botë, që flasim shqip dhe ruejnë zakonet stërgjyshore. Mendja jonë, kur përmendim emnin e Shqipnís, duhet të shtrihet përtej kufijve të sotshëm politikë dhe të përfshijë edhe gjakun e shprishun d.m.th. edhe shqiptarët jashta Shqipnije.”

1). Citatet janë të zgjedhura nga shkrimet e Koliqit në revistën “Shejzat”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Çefa-Ernest Koliqi-Impulse etnopsikologjike

PRESS RELEASE THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA”

August 15, 2019 by dgreca

PRESS RELEASE THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA”/

VATRA denounces the actions of Albania’s government employing symbolism that jeopardizes the European future of the country and its people/

VATRA calls upon Prime Minister Edi Rama to commence strengthening the relations with the United States, reaffirming these ties as demanded by the Albanian people and to turn away from symbolism that endangers our Western oriented goals

Currently, under official information darkness, the general public was briefly informed about the dedication at Tirana’s Park of a memorial honoring the Turkish citizens who lost their lives in the turmoils of July 2016 in Turkey. The public was offered no arguments in the decision-making process. The flagrant lack of accountability and transparency of this action highlights the practices followed by the governmental institutions that serve at the pleasure and for the benefit of the leadership, contrary to and outside of democratic norms.

The Pan-Albanian Federation of America “Vatra” was founded by the coryphaei of the modern Albanian thought, Noli and Konitza, due to the historic necessity of urging and materializing the separation from the Ottoman multi-centennial darkness while aligning Albania with the West, as its rightful place.

At this juncture, VATRA denounces publicly and distances itself firmly from the recent event and suchlike attempts at symbolic representation that aims to satisfy an agenda decried by Albanians for over a century. We invite Albanian political entities, regardless of their affiliation that, surprisingly, are standing by, to adhere to the position of civic groups.

Pan-Albanian Federation of America VATRA has not ceased to express publicly and privately to American institutions, the grave concerns it has with

regard to the state of democracy in Albania in all its components. The last incident however sends dangerous messages as far as the optics for a wider strategic partnership.

We call upon Prime Minister Edi Rama to commence immediately the tightening of the relations with the United States, reaffirming these ties as demanded by the Albanian people and to turn away from symbolism that endangers our Western oriented goals.​

Filed Under: Opinion Tagged With: Vatra- Pres Release

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT