• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Orakulli i Apolonisë në Optikën e Herodotit dhe Frakulla Sot

September 22, 2019 by dgreca

Esse nga Aristotel MICI/

Pikërisht të birin e Evensit nga Apolonia, Deifonin, kishin marrë me vete Korinthasit si parashikues për flotën helene- Herodoti/

Aty, në Apoloni, del asfalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që  qendron i ndezur vazhdimisht-Aristoteli/

ARISTOTELI/

Apolonia  – Magna urbs at gravis (Qyteti i  madh dhe hijerëndë)-Ciceroni

CICERONI

Në qytetin e Apolonisë është një vend i qujtur Nympheum, ku gjendet një shkëmb që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asphalt.-Straboni.

STRABONI

Ajo që më çuditi më shumë në Apoloni është zjarri i madh që del pranë lumit Vjosa dhe që nuk përhapet në tokën rreth e rrotull .Kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe, madje këtu ka pasur dikur edhe një Orakull.- Dio  Kassius/


Dio  Kassius /

 Duke u mbështetur në veprën e Herodotit[1], na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mith, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.

Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit,[2] që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.

.  Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato;  ndërkaq  erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjastëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë, mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për Orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se   kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 [3]-)

            Pikërisht të birin e këtij Eveniusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.[4] – Lib. IX-  Parag. 95.

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.

Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius. 

Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur  në evolucionin fonetik  të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij  e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi  këtë ide duke parë evoluimin fonetik zanores “O” në konsonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,    Vrakull,  Frakaull.  Shenojmë se  kjo dukuri fonetike e kthimit të  tingullit “v” në  “f” ndihet ende në disa të folme edhe sot, po edhe në gjuhën e shkruar, siç ëshë rasti tek elegjia e  Fan Nolit për Bajram Currin, ku ai shkruan: Dif dragoi  i Dragobisë. Edhe Noli, siç shihet në poezi, nuk e ka pëdorur fjalën  div si në fjalorin e gjuhës  së sotme, pra  me shkronjën  “v” në fund, por ka pëlqyer trajtën me  bshkëtingëlloren “ F “  dif, gjë që ka analogji fonetike me  rastin  evoluciot te fjalës  Orakull në Vrakull  dhe pastaj në Frakull; kështu, këtu, nuk kemi bëjmë me një rastësi, po me një “rregull” fonetik të kaherëshëm. 

 Ka dhe historianë që Orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.

 Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë autorët e lashtësisë. Kështu filosofi i famshëm i antikitetit, Aristoteli, kur rrëfen për Apoloninë, ai shkruan se “aty, në Apoloni, del asphalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….. dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht”[5]. Mbase këto pamje të perflakura, tok me madhështinë e përgjithshme të qytetit, do t’i kenë pas bërë aq  përshtypje oratorit të shquar romak, Ciceronit, i cili shkroi për Aploninë fjalët lapidar:  Magna urbs et gravis(Qytet i madh dhe  hijerëndë).  

 Po ashtu, kohë më vonë, historiani i Perandorisë Romake Straboni[6],  në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë  është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”[7]

Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius[8]. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme  të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët “the prophetic power of the river Aoos. (fuqia profetike e lumit Vjosa – versioni anglisht)”[9].  Kurse për panoramën e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë:  “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth rrotull… madje afër tij ka gjelbërim dhe pemë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe, dikur aty ka qenë edhe një Orakull.”   

Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.

Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)

Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë ose dhjetë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës

 Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakullës sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund t’i bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Dhe kështu, përfytyroj, sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje, të gdhendeshin shkrimet e autorëve të lashtësisë, që cituam më sipër, atëherë, fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit. 

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se  gjuithe vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë.  Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”[10].

Massachusetts

5 Gusht – 2019

*[1] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13


[1] Historiani i  parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..

[2] Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[3] Herodoti, Historitë, Libri  Nëntë, Parag.94.

[4] Herodoti, Historitë, Libri i  Nëntë, Parag. 95.

[5] N.Ceka, Apolonia e Ilirisë, Tiranë, 2008, f. 196

[6]Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24  pas Krishtit).

[7] Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV

[8] Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)

[9] Fergus Millar,A Study of  Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.

[10] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Aristotel Mici-Orakulli i Apolonise- Optika e Herodotit

NJË SHKOLLË PËR TË FORMUAR ADMINISTRATORËT PUBLIKË

September 21, 2019 by dgreca

Nga MILENA GABANELLI dhe LUIGI OFFEDDU/

E përktheu nga Corriera della Sera Eugjen Merlika /

            Tashmë italia ka një qeveri të re. Dhe urimi është gjithmonë i njëjti: qoftë më e mirë se paraardhëset. Luigi di Maio është ministri i Jashtëm, pra do të mbarështojë politikën tonë me pjesën tjetër të botës. Për këtë detyrë do të ishin të domosdoshme dy këkesa bazë: të njohë së paku anglishten e të ketë njohuri mbi bashkëlidhjen e fuqive. Shkruajti se Pinochet-i sundonte Venezuelën (ishte një diktator kilian). I dërgoi një letër Le Monde-it duke shkruar se Franca, e lindur nga revolucioni i 1789-ës, kishte një “traditë mijëvjeçare demokratike”. Në Shanghai e quajti për dy herë “Ping” presidentin kinez Xi Jinping. Le t’I quajmë si gafa, por sigurisht niset keq. Dje komenti i agjensisë Hsinhua, nga Pekini ( me të cilin kishte marrë ndonjë zotim mbi Rrugën e Mëndafshit) dhe e përhapur nëpërmjet AdnKronos-it ka qënë ky: “zgjedhje e pazakontë, i padiplomuar kurrë, kompetenca gjuhësore shumë të kufizuara, ka treguar interes të pakët për çështjet globale në jetën e tij publike”. Gjithshka e vërtetë, por mbasdite komenti në faqet e agjensisë shtetërore kineze ishte zhdukur.

            Ndërmjet politikanëve tanë  njohja e gjuhëve është e mangët (“frëngjishte shkollore” pohon për shembull ministri i ri i Zhvillimit ekonomik, Stefano Patuanelli), ashtu sikurse edhe përvojat e kompetencat profesionale. Nuk janë të detyrueshme. Shumica e përfaqësuesve të popullit lind në politikë dhe rritet brënda saj. Një dentist duhet të studjojë së pakë gjashtë vjet e të marrë një diplomë, më parë se të mund të limojë një dhëmb.; një arkitekt nuk mund të ngrerë katër miure pa patur diplomë dhe përgatitje. Më parë se të marrësh një rol përgjegjësie duhet të vërtetosh se ke arritur ndonjë përfundim. Për të mbarështuar copa të Vendit, së paku në Itali, jo. Në të vërtetë kriteret e zgjedhjes dhe marrjes në punë janë gjithënjë të njëjtët: shoqërizimi, besnikëria vetiake, leverdia e ndërsjelltë. A është një kërcënim për demokracinë të mëtohet se duhen kërkuar cilësi të meritës e të kompetencës më parë se t’i jepen çelsat e një ministrie, të një krahine, të një bashkie?

            Në qeverinë e sapo lindur, një nga postet më të rëndësishëm është ai i gruas së parë ministër të Infrastrukturave dhe Trasportiit, Paola de Micheli, 44 vjeçe. Dikasteri do të duhet të bashkërendojë investime tashmë të financuara me 35,5 miliardë euro gjatë viteve 2016 – 2033, Tav (trasporti i shpejtësisë së lartë) përfshirë. Paola de Micheli ka marrë diplomën në Shkenca Politike më 2001. Që nga 1998 deri në 2003 ka drejtuar një kooperativë bujqërish që prodhonte konserva domatesh, në luftë me shemërinë kineze, të mbyllur për likuidim të detyrueshëm administrativ me 5.399.771 euro humbje. De Micheli e kishte lënë atë detyrë, por gjykata e Piacenzës i vuri një gjobë prej 2000 eurosh. Padija ishte se ishte shpërndarë në treg mall i ruajtur keq. Në gjykimin ajo doli e pafajshme. Për tre muaj shkoi si këshilltare në Urumçi, në Kinë, atdheu i domateve kineze. Më vonë u emërua komisare e jashtzakonshme për rindërtimin mbas tërmetit. Pak rezultate, por faji është gjithmonë i normave kapistër.

            Roberto Speranza, me doktorat në histori, pa pasë punuar kurrë në shëndetësi para se të hynte në politikë, bëhet ministër i  Shëndetësisë; Teresa Bellanova, ministre e re e Politikave bujqësore, sindikaliste, me shkollë tetëvjeçare; Enzo Amendola, ministër për Çështjet evropiane, maturë liceu shkencor, karrierë e gjitha në politikë. Në legjislaturën e parë të mbasluftës (1949 – 1953) 91 % e deputetëve italianë ishin të diplomuar. Sot janë pak më shumë se 69 %. Matteo Salvini ka qënë jashtë kursit për dymbëdhjetë vite në Universitetin e Milanos, pastaj e la.

            Fabiana Dedone, 35 vjeçare, diplomë në Drejtësi, me një kurrikulum “praktikante avokate e aftësuar për patronazhet”, asnjë “funksion apo veprimtari biznesi apo profesionale”, të deklaruar në Dhomën e deputetëve më 17 maj 2017. I është besuar gjigandi i ministrisë së Thjeshtimit. Para saj e njëjta ministri i kishte takuar dentistit legist Roberto Calderoli, dhe Marianna Madias, e diplomuar në Shkenca politike dhe në moshën 34 vjeçare ministre: “Sjell si prikë mungesën e përvojës sime” tha. Po të kishin lindur në Francë do të kishin ndjekur”Shkollën e Madhe” ose Shkollën Kombtare të Administratës: e themeluar më 1945 nga De Gaulle, 10.645 të regjistruar më 2016. Kujdeset për zgjedhjen e kuadrove politikë, ekonomikë e administrativë, furnizon pjesën më të madhe të “grand commis”, të drejtuesve të partive e të përbërësve të qeverive; katër presidentë Republike, tetë kryeministra e sekretarë Shteti, edhe Macroni. Hyhet nëpërmjet konkurseve, nga 18 vjeç e mbrapa janë tashmë të futur në mekanizmat e zgjedhjes.

            Britania e Madhe ka shkolla si Instituti i qeverisë vendore, që formon mbarështuesit e llogarive publike dhe shëndetësisë. Gjermania shkollën e Kehl, 70 % gra qe studiojnë administratë publike dhe që nga regjistrimi bëhen funksionare të paguara. Në Finlandë kuadrot formohen në Institutin e administratës publike, që përfshin të gjitha ministritë. Në Danimarkë, Qendrat për vlerësimin e kompetencave vetiake formojnë personelin e administratave publike në të gjithë nivelet. Edhe n’Itali është Shkolla Kombëtare e Administratës, e themeluar më 1957, varet nga Këshilli i ministrave. Ndërmjet kurseve të fundit të studimit janë: “ Si të hartohet plani i parandalimit të korrupsionit”, “Zyra e shtypit dhe lidhja me mediat”, “Ekspertë në protokolle dhe cerimonialë”. Shkolla lëvdohet  për shkëmbime të ndryshme ndërkombëtare, edhe se jo të gjithë në nivel shumë të lartë. Dërgatat e fundit të pritura në vizita zyrtare janë: Instituti kinez i Chengdu-it, Kolegji kombëtar i Pakistanit, komuneja e Namyangju (Koreja e jugut), Instituti diplomatik i Gjeorgjisë, akademia Ho Shi Min e Vietnamit. Ja mund të fillohej të çohej kjo shkollë në lartësinë e modeleve evropianë të përmendura më sipër. E makari me detyrimin për të kaluar nëpër to, më parë se të mbarështojnë gjënë publike.

            Corriere della Sera, 5 shtator 2019           E përktheu Eugjen Merlika

            Shënim i përkthyesit

            Autorët e këtij shkrimi janë dy gazetarë të njohur në median italiane. Milena Gabanelli (1954) është një gazetare freelance, veçanërisht në fushën e hetimit gazetaresk në televizionin dhe shtypin e shkruar. Ka qënë e dërguar e tyre në shumë zona të nxehta të botës si ish Jugosllavia, Kamboxha, Vietnami, Birmania, Afrika e Jugut, Nagorni Karabak, Somalia, Çeçenia etj. E famëshme për emisionin “Report” në Rai 3 (1997 – 2016), konsiderohet si një nga gazetaret më të guximshme për të trajtuar larminë e temave të realitetit italian me një objektivitet të theksuar, pavarësisht bindjeve të saj vetiake.

            Luigi Offeddu është një gazetar në Corriere della Sera që nga viti 1995. Më parë kish punuar tek “Il giornale” i thirrur nga Indro Montanelli, të cilin e ndoqi në përvojën e shkurtër në “La voce”. Ka punuar si korespondent nga Moska në vitet e para 90-të e më vonë në Ballkan, në Hungari, Jugosllavi e Rumani. Aktualisht është i dërguar i Corriere-s në Bruksel e trajton çështjet evropiane në një gamë të gjërë, nga ekonomia tek imigracioni, mjedisi e politikat shoqërore. Ka botuar disa libra nga 1984 e këndej.

            Ky shkrim trajton një problem shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Italinë por, në përmasa të ndryshme, për të gjithë Vendet e botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Dukuritë  që autorët e shkrimit (është kuptimplotë fakti që ka dy të tillë) paraqesin, duke marrë shkas nga jeta politike e Vendit të tyre, kryesisht në lidhje me formimin e qeverisë së re që mori votbesimin këto ditë, janë të rënda e shqetësuese: një ministër i Jashtëm me një mungesë të theksuar përgatitjeje kulturore, ministra të tjerë pa asnjë përvojë të veçantë pune në dikasteret ku emërohen, ministra pa diploma e studime të kryera, sigurisht që paraqesin një kuadër aspak qetësues për jetën administrative të shtetit italian.

            Duke vënë theksin mbi këto shrregullime të politikës, autorët shtrojnë çështjen e formimit intelektual e profesional të klasës drejtuese dhe administrative, duke u ndalur në përvojat më të përparuara të Evropës si ato të Anglisë, Francës, Gjermanisë, apo Vendeve veriore.

            Edhe tek ne, kërkesa për të patur një shkollë të posaçme të formimit të kuadrove, në të cilën përzgjedhja e studentëve duhet të jetë shumë e rreptë dhe e bazuar krejtësisht mbi aftësitë vetiake, të vërtetuara në konkurset për pranim, një institucion mësimor të shkëputur plotësisht nga kthetrat e politikës e të ngritur mbi kritere të përvojave më të mira në nivel botëror, do të ishte një mjet shumë i dobishëm për të vendosur t’ardhmen e shtetit shqiptar në themele sigurie.

            Por fakti që në gati tre dhjetëvjeçarë të kalesës së sistemit, çuditërisht, asnjë drejtues politik apo ministër arsimi nuk ka paraqitur një projekt të tillë na forcon bindjen se ende në synimin e politikës, meritokracia nuk përbën një domosdoshmëri, e tillë që të ushqejë shpresën për një Shqipëri më cilësore në raport me botën që na rrethon e në të cilën dëshirojmë të kemi vendin e merituar.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Nje shkolle-per administratore publike- Eugjen Merlika

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)

September 19, 2019 by dgreca

VATRA & ” DIELLI”-SHQIPERIA E LIRË & “LIRIA”/

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)/

-Relacioni i Vitit 1953: Të mbështetet Gazeta”Liria” me 2 mijë dollarë, të demskohet gazeta”Dielli”  dhe të luftohet për heqjen e Editorit  Qerim Panariti!

– Relatori i Ministrisë së Brendshme, shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

– Sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi ka në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Nga Dalip Greca/

            Qeveria Komuniste e Tiranës ka luftuar që diasporën shqiptare të Amerikës ta mbante të përçarë. Një nga format e luftës përçarëse ka qenë largimi i vatranëve të lëkundur nga Vatra dhe anëtarësimi i tyre tek Shqipëria e Lirë, e cila ishte  në shërbim të Qeverisë së Enver Hoxhës.Një projekt tjetër ishte krijimi i një Vatre të dytë që të bashkëpunonte me Tiranën.

Mjafton të shfletojmë një prej relacioneve, të Dosjes së Vatrës dhe të bindemi për preferencat e Qeverisë komuniste ndaj Shqipërisë së Lirë dhe gazetës së saj”LIRIA” dhe luftë të ashpër kundër Vatrës dhe gazetës së saj DIELLI.

Le të shohim fillimisht se si e përshkruan përbërjen e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut Ministria e Brendshme:Kolonia Shqiptare e Amerikës është një nga kolonitë më të mëdha dhe më të pasura të shqiptarëve në Perëndim.

        Sipas relacionit në SHBA jetonin në fillim vitet ’50-të të shekullit të shkuar rreth 40 mijë shqiptarë, 20 për qind e të cilëve kishin tërheqë në SHBA edhe familjet e tyre.Shqiptarët ishin përqëndruar në qytetet: Boston, Uster,Nju Jork, Nju Xhersi, Michigan, Çikago, San Francisko, Uashington, Ohajo,Filadelfia etj. Konstatohej sipas tyre se nga niveli arsimor shumica ishin analfabetë ose dinin pak të lexonin, por ishin shumë fetarë.Emigrantët ekonomikë ishin të ndarë në dy shoqëri: VATRA dhe Gazeta DIELLI, si dhe SHQIPËRIA E LIRË dhe Gazeta”LIRIA”. Vatra kryesohej, sipas tyre, kishin prijës real Fan Nolin, Dielli udhëhiqej nga Qerim Panariti, Liria nga Dr.Xhon Nase, me origjinë nga Berati dhe Dhimiter Trebicka nga Korça.Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ishin të anëtarësuar në këto dy organizata, por shumë prej tyre merrnin gazetat Dielli dhe LIria. Vatra përbëhej në përgjithësi nga pjesa më e pasur e emigrantëve ekonomikë shqiptarë, nga që kjo ishte organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, ndërkohë(raportonte relatori) në krye të saj ishin vënë gjithmonë agjentë të amerikanëve.

Raporti nënvizon: ” Qëndrimi Vatrës dhe gazetës së saj Dielli ndaj nesh nuk është i mirë. Gazeta DIELLI dhe kryesisht editori i saj Qerim Panariti zhvillojnë një propogandë armiqsore kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen nga që në këtë organizatë ka njerëz jo të mirë, edhe pse në radhët e saj nuk mungojnë patriotët. Shqipëria e Lirë dhe Gazeta “Liria” mbajnë një qëndrim shumë të mirë ndaj Republikës sonë dhe janë patriotë të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë punëtorë.”

…Ndërmjet VATRËS dhe Shqipërisë së Lirë ka kundërshti parimore, më thelbsore është qëndrimi ndaj Republikës sonë Socialiste, këtu ndahen.Ka patur diskutime për bashkimin e dy organizatave, por Vatra këmbëngul që bashkimi të bëhet nën platformën e saj, Shqipëria e Lirë kërkon që ajo të diktojë.

Në Amerikë ka dhe organizata të tjera lokale me karakter filantropik, por aktiviteti i tyre nuk është i madh.

Konstatimi i dytë: Shqiptarët në Amerikë kanë edhe institucionet fetare; Kisha orthodokse me kryetar Fan S. Nolin është më e fuqishme. Po ashtu sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi me në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Organet e vendit ushtrojnë presion në koloninë shqiptare dhe përpiqen ti shkëpusin shqiptarët nga ne, duke shfrytëzuar edhe institucionet fetare dhe elementin reaksionar.Ka dhe organizata Vorio-Epirote, por aktiviteti i tyre është me hope.

Riatdhesimi ecen ngadalë. Ka vonesa në Ministrinë e Jashtme për dokumentet.Amnistia është bërë e ditur në koloni, por propoganda kundër saj është shumë e madhe dhe keqinterpretohet.

Pasi paraqet gjendjen e detajuar të kolonisë shqiptare, relatori i Ministrisë së Brendshme, arrin në këto përfundime:

-1- Pjesa dërmuse e kolonisë shqiptare vuan nga ndjenjat patriotike dhe është nën pushtetin tonë.

2- Të bëhen përpjekje nga ana jonë që të largohet si sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit Qerim Panariti.

3- Gazetës”Liria” t’i jepen 2 mijë dollarë që të marrë frymë lirisht.

4-Të demaskohet Gazeta “Dielli” me artikuj në shtypin tonë, pa përmendur direkt Qerim Panaritin me emër.

5-Të dërgohen letra nga familjarët e këtushëm të cilët kanë influencë  tek shqiptarët e Amerikës, veçanërisht atyre që janë anëtarë të Vatrës.

6- Me anë të shtypit të bëhet demaskimi i elemtit reaksionar, veçanërisht atij që nuk mbanë qëndrim të mirë ndaj nesh.

7- Të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit.

8-Të organizohet shpejt grupi i vizitorëve në vendin tonë me qëllim që t’i shfrytëzojmë për interesat tona.

9-Të organziohet dërgimi i shtypit, filmave, dhe materialeve të tjera propogandistike në koloninë shqiptare të Amerikës dhe të shfrytëzohet në favorin tonë.

10-Emisionet që trasmeton Radio-Tirana të shfrytëzohen edhe për qëllimet tona(Ministrisë së Brendshme).

11-Të bëhet një punë e organizuar për interpretimin e drejtë të Aminsitisë dhe të goditen interpretimet e gabuara.

Punëtori operativ, Togeri S. Memetko,  që ka studiuar relacionin ka bërë edhe këtë shënim me shkrim dore: Të mbështetet Shqipëria e Lirë. Të shihet mundësia edhe e hapjes së shkollës shqipe në qytete ku ata kanë influencë ata të Shqipërisë së Lirë. Krahas mjeteve të tjera propogandistike të dërgojmë edhe libra.

Memetko konstaton se: Me ndihmën e amerikanëve në koloninë shqiptare kanë depërtuar shumë prej reaksionit.Relatori shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

Ministria e Brendshme përpiqet që të shfrytëzojë për informacione nga kolonia gazetën proqeveritare”Liria” madje dhe kundër Vatrës e Diellit.

Për t’i dhënë informacion Ministrisë së Brendshme gazeta LIRIA që po sponsorizohej nga Tirana, botonte në faqet e saj informacione rreth Vatrës dhe degëve të saj. Ndër të tjera nga ky raport marrim një informacion, që nuk e gjejmë në arkivin e Vatrës, emërtesat e degëve jo vetëm me numra, siç i kishte regjistruar vetë Vatra por me emra. Kështu psh Degat e Detroitit thirrej dega” Presidenti Wilson”, një degë në Boston ishte emërtuar”Themistokli Gërmenji”, dega në Manchester thirrej”Manastiri”, një degë në Kliveland kishte emrin” Petro Nini Luarasi”, dega e Nju Jorkut thirrej’Naim Frashëri” një degë në Akron- Ohajo thirrej “Vani Qiraxhi” etj.

Duke u ndalur në marrdhëniet e Vatrës me Shqipërinë e Lirë, Ministria e Brendshme konstatonte se: Vijonte procesi i bisedimeve mes dy organizatave, por dukej se nuk do të arrihej asnjë mirëkuptim.Mosmarrveshjet vazhdonin. Kur shkoi delegacioni ynë në Nju Jork dhe deshi të merrej me atë punë, kishte arritë më parë një letër nga Hysni Kapo, që udhëzonte të lihej njëherë ajo puna e bashkimit. Nga ana tjetër, në të dy organizatat kishte polemika të pafundme dhe mosmarrveshje e keqkuptime nga elementë brenda dy organizatave. Psh, Nini Luarasi,anëtar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, demaskojë me 2-3 artikuj të botuar në Dielli Dr. Nase, përse ky i fundit paska bërë dy mbledhje për të diskutuar letrat e tradhëtarit Stavro Skëndi. Nga ana e saj edhe Vatra ka pësuar tronditje për arsye se disa nga anëtarët e Komitetit të saj si Qerim Panariti, Shefqet Bença, refuzuan të marrin pjesë në Komitetin për ndihmat e Shqipërisë, që u formua disa kohë më parë në Nju Jork. Kjo ka zemruar anëtarët e thjeshtë të Vatrës, madje kryetari i degës së Nju Jorkut , Halil Bozgo,(elemnt i ndershëm) ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të Vatrës për të kërkuar llogari ndaj personave të mësipërm.

“Luani” raportonte: Shqiptarët e Amerikës kanë qenë gjithmonë të alarmuar për gjendjen e mjerushme ekonomike në Shqipëri.Dielli pat botuar e komentuar një frazë të Gjeneralit të U.N.R-as, Rooks, i cili thoshte: Në asnjë vend të Europës, nuk pashë më tepër uri se sa në Shqipëri.” Dhe më poshtë”duke parë këtë gjendje, Kryeministri Enver Hoxha më tha që jemi gati të bashkëpunojmë me çdo organizatë ndërkombëtare me karakter ekonomik”…

Relatori arrin në përfundimin se: Këto shprehje, shqiptarët i marrin kallëp. Pastaj, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, për të patur më shumë sukses e alarmonin vetë çështjen. Këtu edhe kanë përfituar elementët e këqinj, si Qerim Panariti, që ta godisnin indirekt pushtetin tonë.Para disa muajësh bëhej më tepër propogandë për të grumbulluar miell, por me ndërhyrjen e delegacionit qeveritar, po u jepet më shumë rendësi sendeve të tjera.Për këtë punë me inisiativën e delegacionit të qeverisë  dhe me mbështetjen e shokëve jugosllavë, u krijua një komision i përbashkët për të gjitha ndihmat.U morëm vesh me shokët jugosllavë që vaporët jugosllavë të merrnin vetëm plaçka e këtij komiteti, që u aprovua nga qeveria e Tiranës, por Vatra e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë.

Sigurimi, përmes relatorit me nënshkrimin”Luani” shfaqte shqeteësimin se në drejtimin e Vatrës kishin hyrë elementë reaksionarë, si:Peter Konja, që kish qenë Ministër i Zogut më 1943 në Washington.

Raporti: Petër Kolonja dhe Qerim Panariti shkojnë në harmoni të plotë mes tyre.Sa herë shkon në Washington Qerimi takohet me Peterin dhe Kostë Chekrezin dhe së bashku shkojnë në Departamentin e Shtetit, ku takojnë Shefin e Marrdhënieve për Ballkanin , një farë James Charls. Qerim Panariti dhe Peter Kolonja nuk e fshehin se kanë miq në departamentin e Shtetit. Sipas një bisede që bëri Sh. Duka me P.K. , ky i dyti i paska thënë se QP kishte shkuar në Departamentin e Shtetit me gjithë ambasadorin e Jugosllavisë dhe ka premtuar se do ta kthente politikën kundër Shqipërisë sapo të shihte rastin e volitshëm.(Vijon)

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Dalip Greca-Vatra-Shqiperia e Lire-Dielli-Liria

VATRA KA DY LLOJ KUNDERSHTARËSH…

September 17, 2019 by dgreca


– Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy…

NGA FAIK KONICA*/Vatra me veprimet e saj fitoi shumë miq po dhe armiq e kundërshtarë. Ajo mbajti udhën e drejtë dhe hoqi pas gjithë ata që e panë dhe e kuptuan, gjithë ata që muarën dritë prej saj; të tjerët, ata të drizave dhe të ferrave, e panë me sy shtrembur, e ndoqën dhe po e lëftojnë.

       Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy. Të parët e kundërshtojnë Federatën tonë se drita e syrit të tyre është shumë e shkurtër dhe mendja aq e ngushtë dhe e pagdhendur sa nuk ndajnë dot të bardhën nga e zeza. Këta nuk janë të rrezikshëm dhe për këta ka shpresë shërimi. Koha dhe pak veprim i sjellin në udhë të drejtë.

       “Ata me sy” janë të rrezikshëm dhe këtyre duhet t’u verë fre Kuvendi i pritëm, se këta janë të rrezikshëm, këta e kanë ndaluar dhe e pengojnë edhe sot e kësaj dite Federatën tonë. Përapara dhe pas cdo Kuvendi keni dëgjuar ankime, qortime, dhe grindje; përpara çdo Kuvendi ju ka rënë në dorë ndonjë gazetë a ndonjë qarkore. Që të gjitha, vit pas viti, drejtohen kundër zyrtarëve të Federatës, cilëtdo qofshin. Dhe çudia ka qenë që këto sharje e grindje kanë dalë gjithnjë prej një burimi….

       Prej këtyre, mjerisht ka dhe disa që për arsyet e tyre, janë dhe anëtarë të VATRËS dhe e lëftojnë Federatën që përbrenda mureve të saj.Nga këta gjemba me helm duhet të qërohet Federata.Ne duam që të kemi një shoqëri të paqme, e cila të përparojë e të mund të arrijë qëllimet e saj të shenjta.

  • Cilët janë këta?- do të pyesni.
  • Më të shumtit i dini; të paktit, ata që lehin prapa gardhit dhe nuk guxojnë të tregojnë turirin veçse kur shtërngohen, do t’i mësoni posa të shkelni në Kuvend.
  • Me këta antivatranë, me ata me sy, me ata që dijnë që bëjnë keq- po bashkëpunon sot propaganda e Dudumëve kundër VATRËS!

Dhe ky fakt i bën ata ca më të rrezikshëm.

Zotërinj, Mjaft!Mjaft hoqi Vatra nga grindavecët e përhershëm. Sot është koha që të shtihemi në gardh të fortë midis vatranëve të vërtetë dhe atyre prej ”balte”!

Me përzjerjen e Pseudopartisë në punët e brendshme të FEDERATËS, Pseudovatranët marrin një faqe tjetër që mund të rrezikojë jetën e Federatës. 

Është pra në dorën tuaj që të qëroni VATRËN nga gjembat e rrezikshëm.

*Titulli origjinal: Duhen qëruar gjembat nga ara- Faik Konica, fjala para Kuvendit të Korrikut 1923, botuar si editorial në Diellin e 1 Korrikut 1923.

Filed Under: Ekonomi, Opinion Tagged With: Faik Konica-Vatra-Kundershtaret

NJË ZË NAZI-FASHIST ANTI-SHQIPTAR NGA QENDRA E EVROPËS

September 11, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arriti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqësi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë i deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe popullin serb, por urrej për vdekje Kosovën”) Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiçin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të kthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia, se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Çeke. Deklarata e Zemanit, pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiçit dhe të ish-bashkëpunëtorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviçit – nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë, ashtu edhe sot, përpilohen politikat serbe më anti-shqiptare në takime me përfaqësues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikur At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqësisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaqësuesve të Evropës dhe këlyshëve të Rusisë, si Aleksandër Vuçiç dhe Millosh Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e ‘klyshëve të Rusisë’, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht, me gjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek, Zemani dhe Vuçiçi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhë, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetëses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla, si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës, duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjet nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë, se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiç.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë. Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë, mbi të gjitha, interesat kombëtare, liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejt integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkërendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqësit çek në Serbi. Të njëjtën, të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe t’u paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirëinformuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkëbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë parasysh se ç’thonë dhe ç’mendojnë Vuçiçi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjendja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirë dhe më e sigurt për paqen në Ballkanin Perëndimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar falë – ndër të tjera – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botën, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqësin e duhur me parime morale”.

Fatkeqësisht, në takimet e tij këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Nje ze antifashist- Milosh Zeman

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 371
  • 372
  • 373
  • 374
  • 375
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT